• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EQREM ÇABEJ, STUDIUESI I ZELLSHËM I GJUHËSISË SHQIPTARE     

August 10, 2024 by s p

Hazir Mehmeti, Vjenë 

“Nderi i Kombit” 2003
“Medalja e Artë e Prizrenit”  

“Eqrem Çabej është dijetar dhe njeri i madh”  (Ismail Kadare) 

Eqrem Çabej ishte pjesë e  komisionit  përgatitor të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972.

    Pa dyshim, Eqrem Çabej është figurë madhore e kombit. Ai i përkiste epokës së studiuesve pasardhës të albanologëve të mëdhenj botëror. Norbert Jokli la pas veti studentin e tij të mrekullueshëm. Vjena është e lavdëruar me emrin e Prof. Dr. Eqrem Çabej.   Në shenj përkujtimi të 116 vjetorit të lindjes po japim pjesë nga libri “Studiues Shqiptarë e Austriak në Austri” 

     Eqrem Çabej u lind më 7 gusht 1908 në Gjirokastër. Mësimet e para i  mori në këtë qytet të lindjes. Atje ai mbaroi më 1921 shkollën qytetëse me përfundime të shkëlqyera. Atje, në gjirin e familjes dhe në rrethin e bashkëqytetarëve të tij, të njohur për dashurinë e madhe për Atdheun dhe për arsimin.  Për të vazhduar studimet, Eqrem Çabej u dërgua në Austri, ku qëndroj një vit në familjen Reinmyler, në St. Pölten afër Vjenës për të mësuar gjermanishten. Ai la përshtypje shumë të mira jo vetëm me zellin e madh, por edhe me sjelljen shembullore. Në vitin tjetër të merrte njëherësh dy klasa të gjimnazit që e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1926 në Klagenfurt të Austrisë.

    Në vitin akademik 1927 – 1928 u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Gracit, e pastaj studimet i vazhdoi në Universitetin e Vjenës, i cili kishte traditë dhe zë me emrat e mëdhenj të cilët kishin punuar  aty mes tyre  Franc Miklosiç (Miklosich) etj. Tani ne kujtojmë se në Austri ishte krijuar një traditë e mirë edhe për studimin e historisë së gjuhës shqipe dhe të historisë së popullit shqiptar. Çabej krijoj një miqësi të afërt me Norbert Jokl i cili e çmonte si një talent të ri shqiptar. Tema e doktoratës ishte: “Studime italo shqiptare (Italoalbanische Studien)  i cili punoi me përkushtim të madh duke mbledhur material gjuhësore e dokumente pranë arbëreshëve të Sicilisë (1932).  Doktoroi në vitin 1933 para Dr. Norbert Jockl, Dr.Paul Kreçmar dhe Dr.Karl Paçin, me vlerësimit shkëlqyeshëm (Ausgezeichnet). Pas mbarimit të studimeve ai  kthye përfundimisht në Shqipëri duke u vu në shërbim të ngritjes së mësimeve të nxënësve i mbështetur me përpjekjet e veprimtarëve tjerë të kohës:  Aleksansër Xhuvani, Kostaq Cipoja, Ahmet Gashi, Vasil Vunjau, Kolë Paparistoja, Sotir Papahristoja, Sotir Kuneshka, Minella Karajani, Hysni Babametoja, Gjergj Cancoja etj. Në Normalën e Elbasanit Çabej qëndroi vetëm një vit, prej nga transferohet në Ministrinë e Arsimit . Gjatë vjetëve 1938 – 1939 e gjejmë përsëri arsimtar, kësaj radhe në Gjirokastër, ku vazhdoi të jepte mësimin e letërsisë 

          Në vitin shkollor 1939 – 1940 Çabej u transferua në gjimnazin e Tiranës ku u ngarkua me drejtimin e shkollës. Gjatë pushtimit italian ai u dërgua nga autoritet pushtuese për një “punë shkencore“ pranë Akademisë së Shkencave në Romë“. Këtu ai e shfrytëzoi qëndrimin e tij të mbikëqyrur, për të punuar për Atlasin gjuhësor shqiptar. Pas Çlirimit të Shqipërisë Çabej fillon të mbajë ligjërata nga lëndët linguistikë dhe albanologji në Shkollën e Lartë të Tiranës, qysh më 1946.  Nga studimet thjesht gjuhësore të asaj periudhe mund të përmendim: Tekste italo-shqiptare (1935). Elemente dialektore nga Italia. Marrëdhëniet midis shqipes dhe rumanishtes. Shprehje dhe frazeologji paralele në gjuhët ballkanike. Atlasi gjuhësor shqiptar. Kënga e Lenorës në poezinë popullore shqiptare. Zakone dhe doke të shqiptarëve. Konstandini i vogël dhe kthimi i Odiseut. Për gjenezën e literaturës shqipe, Kulti dhe vijimi i hyjneshës Diana në Ballkan.

Veprimtaria shkencore e Çabejt mori një zhvillim të madh në fazën pas Çlirimit, kur ai punonte pranë ish- Institutit të Shkencave dhe më vonë pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Çabej ka bashkëpunuar edhe në mjaft vepra të tjera kolektive, si në përgatitjen e Fjalorit serbo – kroatisht – shqip (1947) dhe në hartimin e 13 terminologjive për shkenca të ndryshme. Ishte pjesë e  komisionit  përgatitor të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972).
    Disa probleme themelore të historisë së vjetër të gjuhës shqipe, kumtesë e mbajtur në Konferencën e Parë të Studimeve Albanologjike me 1962. Ilirishtja dhe shqipja, kumtesë e mbajtur në sesionin shkencor Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve. Problemi i vendit të formimit të gjuhës shqipe, kumtesë e mbajtur në Kuvendin e Parë të Studimeve Ilire, Tiranë, 1972.

Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, kumtesë e mbajtur në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, Tiranë, 1972. Ndërsa në ato ndërkombëtare do përmendur: Die älteren Wohnsitze der Albaner auf der Balkan – halbinsel im Lichte der Sprache und der Ortsnamen (Vendbanimet e hershme të shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik në dritën e gjuhës dhe të  emrave të vendeve), kumtesë e mbajtur në VIII Congressio Internazionale di Scienze Onomastiche; Der Beitrag des Albanischen zum Balkansprachbund (Kontributi i shqipes në formimin e lidhjes gjuhësore ballkanike), referat i mbajtur në Kongresin I Ndërkombëtar të Studimebve Ballkanike dhe të Evropës Juglindore, Sofje, 1966;   Das albanologische Werk Norbert Jokls. (Vepra albanologjike e Norbert Joklit), referat i mbajtur në Kolokiumin Albanologjik Ndërkombëtar të Insbrukut më 1972 etj. Eqrem Çabej ka botuar një numër të madh artikujsh shkencorë edhe në gjuhë të huaja nëpër revista ose nëpër vëllime përkujtimore në vende të ndryshme të botës.

Sot emrin e Eqrem Çabejt e  mbajnë me krenari shumë shkolla në Kosovë dhe Universiteti i Gjirokastrës në Shqipëri. 

Filed Under: LETERSI

“Borgjezi” Pëllumb Karagjozi në një monografi interesante

August 10, 2024 by s p

Nga DHIMITËR SHTËMBARI/

Është edukatë e kulturë, ca më tepër edhe nevojë, mbajtja parasysh e përvojës së kirurgëve shqiptarë legjendë. – Ç’ju nxiti të botonit një monografi kushtuar ortopedit të mirënjohur, Prof. Pëllumb Karagjozit? – i drejtohemi neuropsikiatrit, Izet Çulli. Mjeku Izet Çulli, një fabulist i mirënjohur, ashtu qetë – qetë siç flet ai, na e kthen: – E përgatita dhe e botova këtë monografi nisur nga mendimi, se të gjithë kirurgët duarartë shqiptarë përfaqësojnë një përvojë të caktuar, e cila lipset të shërbejë si një shkollëz formimi për tërë punonjësit e rinj të bisturit.

Dhe ka plotësisht të drejtë të shprehet kështu doktor Izeti.

Shqipëria ka pasur, sigurisht që edhe ka, kirurgë legjendë, emrat e të cilëve përmenden me shumë respekt në mijëra familje. Përmenden, doemos, edhe në historikun e Mjekësisë Shqiptare, paçka se mjaft syresh, çuditërisht,  nuk përfshihen në Enciklopedinë Shqiptare! Po le të kthehemi, natyrisht shkurt, te monografia “Profesor Pëllumb Karagjozi, krenaria e ortopedisë shqiptare”: Profesor Pëllumb Karagjozi është lindur në Gjirokastër në vitin 1936. Sot është tetëdhjetë e tetë vjeç. Por mbahet i ri. Për më shumë, tepër i freskët në mendime. Dhe po kaq i gjallë edhe në veprime.

Ndihet i priviligjuar që është lindur në Gjirokastër, në këtë qytet që po mahnit edhe botën. Ndihet krenar që si prejardhje ka lidhje me fisin atdhetar Topulli. Lidhje edhe me fisin e fismë Kokona. Doemos që këtë krenari ia shton sidomos i ati, Tahsimi, një mjek i përgatitur në Austri. Mjek që nuk pranoi të shërbente jashtë Atdheut, por erdhi menjëherë në vendlindjen e vet për të punuar së bashku me mjekun tjetër të njohur, Vasil Laboviti.

Nuk tha një fjalë Tahsimi kur e emëruan mjek në Elbasan. I qendroi besnik Hipokratit. Një fjalë nuk tha kur e dërguan me shërbim në Peshkopi. Pale, pastaj, kur e dërguan drejtor spitali në Shkodër, ku shërbeu jo pak, por një dekadë e gjysmë. Në bashkëpunim me ndërmarrjet ekonomike të qytetit, Tahsimi përgatiti një pavion model kirurgjie, sa do ta kishin zili jo vetëm në qytetet e tjera, por edhe në Tiranë. 

Ndërsa ishte me banim në Shkodër mbas të atit, Pëllumbi do të kryente këtu  shtatëvjeçaren dhe arsimin e mesmë në gjimnazin “28 Nëntori”. Në fund të vitit të katërt do të zotëronte mirë gjuhët rusisht e italisht. Këtë të fundit e përvetësoi në mënyrë të pavarur. Kuptohet, nisi të njohë edhe gjermanishten, gjuhën e dytë të të atit.

Beharin e vitit 1954, vit kur mbaroi gjimnazin, e kaloi me një lloj mërzitjeje. Priste me padurim të drejtën e studimit. Dëshironte të vazhdonte në mjekësi, ndryshe… do të katandisej në një mekanik! Jetonte një lloj frike, sepse ishte djali i një “borgjezi”, që kishte mbaruar në Perëndim. Gjithsesi, iu plotësua dëshira. Sepse deftesa e tij kishte të shënuara vetëm nota maksimale. Tanimë i riu Pëllumb Karagjozi do të ndiqte rrugën e të atit. Sigurisht që nuk do ta kishte aq shumë të vështirë ca më shumë, që “fakultetin” do ta kishte në shtëpi: babanë.

Në Universitet Pëllumbi do të ishte në radhën e studentëve të shkëlqyer. Simpatik, i shëndetshëm dhe i veshur shik, ai do të merrte pamjen dhe sjelljen e një “borgjezi” të ri. Rastisi që në një provim të vitit të katërt të ishte i pranishëm, për kontroll, edhe Prof. Petro Cani. Qe entusiazmuar nga përgjigjja e shkëlqyer e Pëllumbit. Pas këtij çasti i kishte shkuar Tahsimit, atje ku ishte i shtruar në spital, për t’i thënë se djalin kishte menduar ta mbante kirurg mbas vetes. Dhe e mori. Nëntë operacione kreu ky student gjatë kohës që ishte me studime.

Mjeku i ri nisi e vazhdoi të siguronte “armët”, që do t’i duheshin në jetë. Rusishtes, italishtes e gjermanishtes i shtoi edhe anglishten. I duhej edhe frëngjishtja. Edhe këtë e përvetësoi gjatë kohës që ishte me shërbim në qytetin e Krujës. Tanimë ai do të ishte një frekuentues i rregullt i Bibliotekës Kombëtare. Lexonte revistat shkencore që vinin nga jashtë, porosiste të tjera që t’i vinin nga universitete të njohura evropiane e botërore. (Dhe kur mëson këto përpjekje, të vjen keq që mjaft mjekë të sotshëm janë mjaftuar vetëm me dijet që kanë nxënë në fakultet dhe… kaq!) 

Në kushtet e një shoqërie, që njihte dhe pranonte luftën e klasave. kirurgun duarartë Pëllumb Karagjozi do ta ndiqte hija e rëndë e të atit, që, mjerisht për të dhe familjen, por fatmirësisht për pacientët, shënohej me të zezë edhe në dokumente. Megjithatë, aftësia e tij prej një kirurgu që i këndonte bisturi në dorë e bënte shumë të kërkuar. Deri edhe zëvedëskryeministri shqiptar,  Manush Myftiu, e kërkoi me emër që t’i shërbente të birit. Ish sekretarja e Komitetit të Partisë të rrethit të Shkodrës, Zina Franja, i shkon në Krujë dhe i kërkon mendim Pëllumbit për ta merrte shef pavioni në kirurgji në Shkodër. Sepse ajo kishte parasysh të atin e këtij kirurgu, Tahsimin human e të kurdogjendur. Ish Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës, Piro Kondi, e qetëson, duke i thënë se, si kirurg tepër i zoti, transferimi i tij realizohej vetëm me sugjerimin e Komitetit Qendror të Partisë. Nga Kruja këtë kirurg e sjellin në Tiranë.

Veç se si kirurg i talentuar, Prof.Pëllumb Karagjozi do të ishte edhe një punonjës i shkëlqyer në fushë të shkencës mjekësore. Që kur ishte fort i ri, ai paraqiti disa studime të mirëfillta, që tërhoqën vëmendjen e mjekëve më të shquar të Tiranës. Ndërkohë, nisi e vazhdoi të botojë studime me shumë vlerë në revistat shqiptare, por edhe në ato të shteteve të tjera. Studimet e tij do të kishin jehonë në Francë e deri në SHBA. Sidomos mbas vitit 1990, kur ndodhi hapja me botën, Prof. Pëllumbi do të mbante referate shkencore në disa kongrese ndërkombëtare, si në Francë, Greqi, Itali, Hungari, Portugali, Luksemburg etj. 

I përkushtuar mbas profesionit dhe i zellshëm në fushë të shkencës, Prof. Pëllumbi do ta linte firmën e tij të veçantë në fushë të kirurgjisë. Tanimë ai është autor i tre operacioneve origjinale, që përfundimisht mbajnë emrin e tij. – Prof. Pëllumb Karagjozi ka qënë dhe mbetet modeli i një mjeku tepër human, – na thotë autori i monografisë, mjeku Izet Çulli.

Dhe të përmend një episod: Pëllumbi kishte kryer një operacion të vështirë dhe ishte kthyer në shtëpi. Të nesërmen i ati, Tahsimi, i ishte drejtuar të birit: Si është gjendja e atij që operove dje? Pëllumbi ishte zënë ngushtë. Nuk po dinte se si t’i përgjigjej. Atëhere kishte ndërhyrë përsëri i ati: Dje përdore bisturin e mprehtë, sot shko e përdor dorën e butë dhe fjalën e ngrohtë.

Monografia “Profesor Pëllumb Karagjozi, krenaria e ortopedisë shqiptare” nuk është thjesht një libër biografik. Mbi të gjitha, ai është edhe një leksion i gjatë e interesant dhe shumë i nevojshëm për cilido mjek në Shqipëri.

Filed Under: Analiza

FOLLOW THE MONEY! (NDIQ PARATË!)

August 10, 2024 by s p

“Nëse doni të hetoni krime, vraponi pas pasurisë. Pas çdo pasurie të madhe, ka krime të llahtarshme” – Honore de Balzak.

Shkas për t’iu rikthyer këtij shkrimi për opinionin e gjerë dhe për ta analizuar më detajisht, m’u bënë ca emërime partiake të këtyre ditëve të partive politike në pozitat kyçe ku “luftohet korrupsioni!”. Për hir të së vërtetës, në RMV, nuk e di se sa herë i është shpallur luftë korrupsionit!? Çdo parti politike që e ka shijuar të paktën një herë jetën qeveritare, pjesëmarrjen në Qeveri gjithmonë e ka justifikuar me pretekstin se futet për hir të procesit eurointegrues të vendit, si një ndër prioritetet më esenciale, deri aty saqë ky “slogan” i kënduar në kor nga të gjithë u shndërrua në klishe politike dhe si një strehim pas këtij nocioni “sublim” për alibi dhe kamuflim për “veprat” e tyre politike, dhe preteksti i dytë i futjes në Qeveri, ishte sjellja e “shtetit të së drejtës” dhe “lufta kundër korrupsionit”. Formulën për ta luftuar korrupsionin, si duket e kishin gjetur, por assesi për ta zbatuar këtë proces të vështirë. Sidoqoftë, simbiozë e qëlluar nga politikanët tanë, sepse realisht dhe praktikisht, vetëm luftimi i korrupsionit, rrjedhimisht e sjell edhe shtetin e së drejtës.

Në raportet e fundit të Komisionit Evropian, në përgjithësi në Ballkan, e në veçanti në RMV, është vërejtur një mungesë praktike në ndërmarrjen e veprimeve konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për të mos thënë që është shënuar pak përparim, megjithatë, të gjitha partitë politike kur bie fjala krimi dhe korrupsioni, seç kanë një mungesë vullneti për t’u përballur me këtë fakt brengosës dhe për t’i shpallur luftë zyrtarisht këtyre fenomeneve negative, edhe përskaj deklaratave të SHBA-së, se: “…i shikon si partnerë natyrorë ata që luftojnë korrupsionin”!

Pa e zgjatur më tej, le t’i futemi thelbit të këtij shkrimi!

Si u luftuaka korrupsioni?

Kjo pyetje sa e thjeshtë, aq edhe komplekse në përbërjen e saj, gjendet tek fjalia e thjeshtë: “Ndiq paratë!”. Kjo thënie e njohur në filmin dokumentar “All the president’s men”, i vitit 1976, u shndërrua në maksimë të njohur për ndriçimin dhe luftimin e korrupsionit politik përmes shqyrtimit të transfereve të parave nëpërmjet partisë, me çka rezultoi në rrëzimin e presidentit amerikan Riçard Nikson-it nga Shtëpia e Bardhë. Kjo thënie që iu atribua asaj kohe “Deep Throat” –it, përkatësisht, informatorit që mori pjesë në zbulimin e skandalit “Watergate”, sot edhe në shumë seminare dhe trajnime që mbahen mbi temën e financimit kriminal dhe të korrupsionit, shumë ekspertë të lartë udhëzojnë në zbatimin e rregullit të artë: “Ndiq rrugën e parave!” – si një mjet i cili drejtpërdrejtë kontribuon në luftën kundër terrorizmit, krimit dhe korrupsionit në mbarë botën, sepse paratë janë i vetmi mjet apo “oksigjen” për çdo aktivitet qoftë i ligjshëm apo i paligjshëm dhe i arritshëm për çdo organizatë. Kjo praktikë e zbatuar në mbarë botën sot për luftimin e korrupsionit, nuk ka gjetur zbatim në vendin tonë, ndaj sipas kësaj mund të thuhet se në vendin tonë asnjëherë nuk ka qenë e shpallur lufta kundër korrupsionit. Në momentin kur kushdo qoftë që do të fillojë vërtetë në zbatimin e rregullit të artë, përfshirë institucionet kyçe për luftimin e krimit dhe korrupsionit si: Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Policia Financiare, Drejtoria e të Hyrave Publike dhe të tjerë, duke e bashkërenduar në mënyrë horizontale bashkëpunimin e tyre, nuk mund të thuhet se korrupsioni ka filluar të luftohet në mënyrë efikase. Edhe ky nocion klishe, rrezikon që ta humbë kuptimin që e ka, e që tash e tutje do të shërbejë si blof politik i çdo partie tjetër politike në RMV.

Shembullin që e sjell nga praktika autori maqedonas Mihajllo Manevski, i cili në vitin 1989 ka qenë ministër i Gjyqësisë dhe Administratës (atëherë Sekretar Republike për Gjyqësinë dhe Administratën), gjatë mandatit të tij, Drejtoria Tatimore e Ish Republikës Socialiste të Gjermanisë i është drejtuar me shkresë për dhënien e ndihmës juridike. Kërkesa përbëhej si në vijim:

“Një qytetar i Republikës së Maqedonisë, i cili një kohë të gjatë ka jetuar dhe punuar në Republikën Socialiste të Gjermanisë, ka filluar me ndërtimin e një moteli në afërsi të një autostradeje. Motelin e ka ndërtuar me të gjitha dokumentet e nevojshme ndërtimore. Si objekt, moteli ka qenë relativisht i madh dhe tërheqës. Organet tatimore të RS të Gjermanisë, në përputhje me autorizimet e tyre, kanë kryer kontroll në dokumentacionin financiar për ndërtimin e motelit dhe kanë kërkuar nga pronari t’i tregojë burimet e të ardhurave për ndërtimin e motelit. 

Shtetasi maqedonas, i cili e ka ndërtuar motelin, në atë procedurë ka deklaruar se motelin e ka ndërtuar me mjete nga krediti që e ka tërhequr nga banka, me mjetet e kursyera nga paga, kurse përpara organeve tatimore ka deklaruar gjithashtu se i ati i tij, i cili ka jetuar në një vendbanim në Republikën e Maqedonisë, ka pasur një tufë prej 1 000 dhi, dhe se ato i ka shitur dhe të hollat që i ka fituar nga shitblerja e tyre, ia ka dhënë atij, dhe ai më pas ato të holla i ka shfrytëzuar për ndërtimin e motelit.” 

Organet tatimore gjermane kanë kërkuar nga RM-ja të verifikohet nëse vërtetë i ati i atij personi i cili e ka ndërtuar motelin ka pasur 1 000 dhi dhe nëse i ka shitur të njëjtat. 

Mirëpo, çka është vërtetuar nga kontrolli? Nga kontrolli është vërtetuar se i ati i personit të lartpërmendur ka ndërruar jetë përpara 10 viteve dhe se në atë vendbanim nuk ka pasur dhi e jo më tufë prej 1 000 dhi. Gjithashtu, në atë periudhë kohore në Republikën e Maqedonisë, ka qenë në fuqi ligji për ndalimin e ruajtjes së dhive.

Ky rast nga praktika, duhet të kuptohet dhe të merret si një shembull pozitiv se si duhet të sillen organet tatimore për vërtetimin e burimeve të të ardhurave kur ekziston bazë për dyshim se ato mjete pagesore nuk janë fituar në mënyrë legale, ose janë si rezultat i tatimit të fshehur, akcizave, doganës apo se janë rendiment i veprave tjera kriminale. Ky shembull, paraqet shembullin më praktik të rregullit të ndjekjes së gjurmëve të të hollave.

Mbi të gjitha, Evropa dhe SHBA-ja harrojnë se në vendet tona korrupsioni luftohet vetëm kësisoj dhe vetëm atëherë kur në krye të institucioneve kyçe për luftimin e korrupsionit, gjenden njerëz me kredibilitet të lartë moral.

Për luftimin e krimit dhe të korrupsionit, definitivisht duhet të të djersitet fundshpina!

Emir Kurtishi, jurist

Filed Under: Analiza

36 vite më parë komunistët varën në litar poetin disident Havzi Nela

August 10, 2024 by s p

Bujar Leskaj/

36 vite më parë, në 10 Gusht 1988, mësuesi poet, ndër të paktët shkrimtarë disidentë që ka pas Shqipëria e periudhës komuniste, Havzi Nela, u var në litar

Trupi i tij u mbajt gjithë ditën i varur në qendër të qytetit të Kukësit.

Por e keqja s’kishte fund.

Trupin e tij e morën dhe e futën vertikalisht në një vrimë të krijuar nga heqja e një shtylle druri duke i privuar mundësinë për t’u shtrirë si të gjithë të vdekurit.

Qëndroi në atë mënyrë për pesë vite e dhjetë ditë, deri më 20 gusht 1993.

36 vjet pas varjes në litar të poetit të fundit antikomunist në Evropë, të poetit shpirtlirë të “brezit të humbur” të periudhës së zezë komuniste shqiptare; poetit, që asnjëherë nuk iu nënshtrua regjimit komunist, dhe e luftoi me të gjitha mënyrat që kishte mundësi, ende debatojmë për krimet e komunizmit dhe autorët e tyre.

36 vite më pas, Shqipëria postkomuniste ende vazhdon të vuajë nga bijtë e etërve komunistë, ndoshta më të sofistikuar, por po aq të ligj, antinjerëzorë, antishqiptarë e vrasës sa etërit e tyre, të cilët dënuan, firmosën e varën Havzi Nelën!

Kur të vdes

Havzi Nela

Kur të mësoni se kam vdekë,

Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”

A e dini se çfarë kam hjekë

Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”

Kur t’kërkoni me ma gjetë.

Thoni: “Ai urreu mizorin”.

Thoni: “Dheu s’ka me e tretë”.

Thoni: “Ai e deshi jetën,

Jeta n’vuetje e dërmoi”.

Thoni se ka mbrojtë të drejtën,

Grusht tiranësh nuk duroi.

Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,

Si skifter në fluturim,

Provoi prangat, t’errtë qelinë,

Për të mjerët lëshoi kushtrim”.

Thoni: “Dritë ai kërkoi,

E vetë dritë nuk pa me sy”

Thoni: “Për njerëzinë këndoi,

E për vete mbajti zi”.

Thoni se e qërroi terri

Thoni: “Dielli nuk u ngrohu”.

Thoni se e trishtoi tmerri

E të shtypunit i tha: “Çohu!”

Kur të vijë, të çelë pranvera,

Kur bilbili nis me këndue.

Mbi vorr tim me gur’e ferra,

Nji tufë lule me ma lëshue.

Prekni vorrin, mos ngurroni,

Kush ka lindë, ai ka me vdekë,

Veten ju kur t’a ngushëlloni,

Thoni:”Gjallë kurkush s’ka mbetë!”

Filed Under: Kronike

Ilmi Kasemi Beati, “Mikelanxhoja” shqiptar nga Çamëria

August 10, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Ilmi Kasemi Beati, skulptor i njohur me origjinë nga Çamëria, është padyshim simboli i përsosmërisë artistike në artet e bukura në hapësirën mbarëshqiptare, veçanërisht në skulpturë.

I pajisur me prirje dhe aftësi estetike e teknike të mahnitshme, me shije të hollë, me dell të ndjeshëm dhe me fantazi të pashtershme, ai përthithi mençurisht ajkën e përvojës kombëtare e ndërkombëtare dhe çau përmes vështirësish të shumta, brenda dhe jashtë vendit, gjatë emigracionit në Itali, duke u ngjitur pareshtur në majat më të larta të artit bashkëkohor.

Me veprat e tij në skulpturë, por edhe në pikturë, Beati është shndërruar në një mit i gjeneratave të artistëve shqiptarë. 64 vjeçari, me një portret klasik, paksa surreal, ku shndrit një buzëqeshje fisnike, mbuluar me një mantel misteri, e sfidon kohën me vepra nga më të ndryshmet, ku ndërthuret realizmi me neoklasicizmin, impresionizmi me paratetizmin simbolist, duke depërtuar thellë në mendimin iluminist të kohës që jetojmë dhe duke çliruar energji me inspirim mitologjik dhe nostalgjik, për të krijuar plot temperament dhe misticizëm besimin e shoqërisë shqiptare te e bukura dhe vlerat historike e humane. Veprat e tij janë absolutisht autentike. Sapo i sheh shquan menjëherë dhe identifikon autorin e tyre, që rikrijoi një botë origjinale, duke arritur vlera të rralla estetike.

Ilmiu, ose Mike siç i thërrasim shkurt, është një prej bashkëkohësve dhe miqve të mij të vjetër, të cilin e kam veçuar gjithmonë për temperamentin e tij të veçantë artistik. I qetë, por edhe shpërthyes e i dalldisur, i butë por dhe rebel plot zjarr e pasion, i familjarizuar me këdo, ai shfaqet gjithnjë optimist mes boceteve dhe realizimeve të tij, që nuk janë ta pakta, që nga veprat monumentale, deri te portretet dhe skulpturat e relievit.

Vështirë ta mendosh skulptorin larg veprave të rëndësishme monumentale. Si mjeshtër në këtë fushë Ilmi Kasemi Beati spikati kur realizoi në vitin 2009 monumentin madhështor të At Gjergj Fishtës, vendosur në sheshin e qytetit të Lezhës,e që nuk është vetëm një statujë.

Por ai ka lëvruar e krijuar me mjeshtri të rrallë në të gjitha rrafshet e skulpturës, ku ka arritur pika kulmore të virtuozitetit mjeshtëror.

Dhe vitet e fundit pasuan mjaft vepra të tjera, ku spikatin: “Memorial për Çamërinë”, Mbreti Pirro, Gjergj Kastrioti, dhe Gin Bua Shpata, Ali Pasha, Çelo Mezani, Lule Çapari, Ali Tepelena, statueta e Noli Film Festival, Abedin Dino e Rasih Dino, Tumankuqja, Dodona, e shumë të tjera.

Beati, me artin e tij, transmeton porosi patriotike dhe estetike. Ai është një artist i brumosur me vetëdije e karakter kombëtar, i frymëzuar në çdo çast nga mitet, nga historia dhe përditshmëria. Arti i tij inspirohet nga heronjtë shqiptarë dhe përgjithësisht frymëzohet nga arti ynë mitologjik dhe mesjetar. Siç shihet nga punët që përmendëm, Beati është një përcjellës i mirë i karakteristikave etnografike çame, nën peshën e energjisë së brendshme që merr parreshtur nga magma e tragjedisë çame, nga mitet dhe legjendat e saj të përsosura. Ja çfarë shkruan skulptori në një nga statuset e tij në facebook: “Çamri, Thesproti apo Epir i Vjetër, pavarësisht nga emërtimi, në fakt ajo është toka që ka të bëjë me Pelasgjinë, duan apo s’duan namuzqarët, me njerëzit që e sistemuan atë, si me gurë ashtu edhe me kulturë dhe për këtë do të mjaftonte ajo që në shtrirjen e gjatë kohore duhet t’a quajmë pa fobi si toka dinastive hyjnore. Aty lindi koncepti religjioz me shumë Zota. Duan apo s’duan qerratallarët dhe agallarët. Por Dodonës iu turrën me egërsi dhe e prenë. Në kujtim të saj politragjike kjo tokë politeiste është mësuesja e parë per ecelenza dhe vendi nga nis Europa e kësisoj mund të quhej Dodonida”, shkruan skulptori në një nga statuset e tij në facebook. Çdo punë që nxjerr nga duart e të tij të arta skulptori Beati e ndan me ndjekësit e tij të shumtë, dhe kjo duket se i jep forcë dhe e shtyn drejt së pamundshmes. Nuk i intereson dhe nuk i ka interesuar kurrë mendimi zyrtar për punët e tij. Nuk ka pyetur kurrë për padronë.

Kalon shumë kohë në natyrë, buzë lumit Erzen, pasi aty qetësohet dhe komunikon me artin e tij, takon njerëz të thjeshtë e të zakonshëm, pasi aty mundohet që të shikojë brendësinë e njeriut, egon e tij, dëshirat, ambiciet, dhimbjen e gjithçka që e bën një njeri të gjallë.

Zaten ai është gjithnjë në kërkim të një lumi, që jo vetëm i freskon fantazinë, por edhe i ofron argjilën që i duhet për bocetetet dhe modelet e tij krijuese, është gjithnjë i përcëlluar nga një zjarr, që e përfytyron dhe e provokon aty për aty edhe kur nuk e ka, është në kërkim të një ngasjeje misterioze, që e ndërsen për të hyrë në hullitë e magjisë së krijimit.

Beati skalit, bashkë me veprat, edhe portretin e tij, duke rrëmuar deri në skutat më të thella të shpirtit njerëzor, për të prodhuar monumentet e tij hyjnore, me magjinë e një “Mikalanxheloje” shqiptar.

Duke rrëmuar e rrëmuar në subkoshiencë, duke ndezur drita e llambushka inkadeshente deri në skutat më të thella të unit të tij krijues, ky artist unik dhe i papërsërtshëm, cdo krijimi që del nga duart e tij të llangosra me baltë e allçi i jep një rrëzëllim qiellor.

Ilmi Kasemi Beati, me veprat e tij sublime e magjiplota, me kumtin e paqes, humanizmit e mirësisë, me vlerat më të epërme estetike që clirojnë energji të pafundme, mbetet padyshim një mjeshtër i rrallë, që kapërcen kohën që jetojmë, duke shërbyer si një gurrë e pashtershme për krijuesit e rinj.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 810
  • 811
  • 812
  • 813
  • 814
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT