• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Apostulli i shkrimtarisë shqiptare

August 6, 2024 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Hasta la vista

Një lot,

mbjell dhimbje

në mermerët e bardhë të Atikës.

Një portokall,

pikon lëng jete

brigjeve të Ebros.

Një ulli,

shkrumbohet nga dhimbja

në brigjet e Jonit.

Një qiparis në Dhërmi,

pret horizonte të kithëta

duke shushuritur Hasta la vista, hasta la vista …

Nëse bilingulizmi do të vlerësohej ndonjëherë si vlerë e veçantë në Ballkan, pa dyshim fshati Dhërmi do të ishte një nga vendet që do të përmendej si tillë. Ky fakt edhe nëse është hipotetik pasi Ballkani ende vuan nën etnocentrizmin e vet dhe shoqëritë ballkanike me shumë vështirësi e pranojnë kulturën e “Tjetrit”, nuk duhet të na trembë dhe as të na trishtojë pasi vetë këto shoqëri dhe mikrokozmose të vogla lindin dhe personalitete që me ndërgjegje të hapur dhe të lirë kontribuojnë në kulturën me dimensione më universale sesa në atë lokale.

Një rast i tillë është fenomeni letraro-kulturor e politik Petro Marko që ka shënjuar gjithë skenën kulturore e politike të gjysmë shekullit të kaluar duke na lënë dëshmi të plota me veprat e tij të karakterit të çuditshëm e jo lehtësisht të përshkueshëm të shqiptarit modern. I ndërgjegjshëm se në galerinë e personazheve të veta më së shumti risjell atmosferën e njohjeve të para në jetë në fshatin e tij Dhërmi, në librin e tij madhor “Retë dhe gurët-Intervistë me vetveten” pohon me zë të plotë dhe pa mëdyshje se i përket me shpirt, por jo vetëm me të , por edhe me gjak, kulturës, gjuhës dhe kombit shqiptar sikur do t’u tregojë hartuesve të skenarëve më të vonshëm të telenovelave nacionaliste testamentin e vet por edhe përkatësinë e fshatit të vet. E çuditshme, për të mos thënë e paimagjinueshme që një shkrimtar të intervistojë vetveten për së gjalli, por ngaqë kumtet besoj që dëshiron të lërë janë të rëndësishme dhe ai vet e kupton me frymëmarrjen e rënduar se nuk ka kohë që të presë pyetje nga të tjerë , në një atmosferë Borhesiane në një shtëpi në bulevardin që mbante emrin e një njeriu në emër të të cilit në rininë e vet kish luftuar në Spanjë (Bulevardi Stalin-Sot bulevardi Zogu I), rrëfen pa asnjë mëdyshje 50 vjet histori e kulturë të socializmit të lodhur shqiptar.

Dikur njeriu që mban emrin e bulevardit ku ai ka shtëpinë i ka quajtur shkrimtarët si “inxhinierë të shpirtrave” ndoshta i nisur dhe i joshur nga ideja se shkrimtarët do ta ndihmonin të projektonte një nga ëndrrat më të vjetër të diktatorëve, modelimin sipas dëshirave të shpirtit njerëzor. Por Petro Marko, është ndryshe nga të tjerët, edhe pse vet ka luftuar për utopinë e komunizmit, ai është shumë njerëzor dhe universal dhe nuk bie në grackën që për dogmën të sakrifikojë ndërgjegjen. Në të kundërt në gjithë veprat e tij kërkon utopinë ta kthejë në shërbim të njerëzimit, ndaj nuk joshet nga subjekte të vogla dhe lokale por heronjtë e romaneve të veta i ka internacionalë. Janë të radhë shkrimtarët ballkanikë, në mos edhe ata evropianë që të kenë pasur një jetë të vrullshme por edhe një pjesëmarrje në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të shekullit si ka qenë jeta e Petro Markos dhe aktiviteti i tij shoqëror, kulturor e politik. Lufta e Spanjës , internimi në Ustikë, përjetimi i burgjeve të komunizmit, dhimbja familjare për djalin, kthimi i veprave në karton, moslejimi i publikimit janë seri ngjarjesh të denja për të krijuar mllef e urrejtje por Petro Marko e tejkalon vetveten dhe habit dhe gjithë bashkëkohësit e vet. Ai ndërton një botë të vetën të ngjarjeve dhe personazheve ku Mbretëria shqiptare, Lufta e Dytë Botërore dhe Socializmi real shqiptar ngjajnë më tepër si dinozaurë të frikshëm për shkak se dhunojnë lirinë dhe ndërgjegjen e të gjithëve sesa i kanë ndonjë borxh shkrimtarit.

Në mes të fitores së krekosur të një populli të vogël që dilte nga lufta gjen mundësinë të përshkruaj ata që kanë pësuar disfatë njerëzorë në fatet e tyre dhe presin të pashpresë të kthehen në atdhe. “Qyteti i Fundit” është nga të vetmit romane në letërsinë shqipe që thyen konvencionet tradicionale bardhë e zi të personazheve dhe dashurinë dhe ndjenjat njerëzore i përshkruan si fllad që i përshkon të gjithë , të mundur dhe fitimtarë. Në Ustikë aty ku jeta njerëzore poshtërohet, ai rindërton sërish tempullin e dashurisë dhe si ballkanas që është mund të pritet që në zëmërin e sipër ta shkatërrojë, por në të kundërt ndodh çudia që shpirtërat njerëzorë edhe pse të munduar nga tallazet e nacionalizmit ballkanik, në fakt bëhen bashkë të pandarë duke projektuar një të ardhme më të mirë. Ç’gjë tjetër mund të dëshirojë një autor, sesa të depërtojë kaq thellë në shpirtin njerëzor e për rrjedhojë të jetë i lexueshëm për breza të tjerë. A nuk i përket përjetësisë një shkrimtar që përcjell kumte të tilla?

Nuk ka rëndësi se në këtë 110 vjetor të lindjes së tij nuk gjen një monografi të plotë studimore të veprës së tij, e për më tepër askund të shkruar e zezë mbi të bardhë se është themelues i romanit modern shqiptar, as një emër rruge në Tiranë ku jetoi që nga vitet 30’ ,e rëndësishme është se me veprën e vet madhore ka krijuar një gjeografi të shpirti rebel shqiptar që endet sa në brigjet e Ebros, në Ustikë , Vlorë, Labëri, Durrës e Tiranë si për të na kujtuar se në letërsi nuk vlejnë rekomandimet as emërimet por mesazhi dhe magjia e fjalës që bën sot e kësaj dite çdo të ri shqiptar në të gjithë hapësirat shqipfolëse ta ndjekë e ta lexojë Petro Markon, apostullin e shkrimtarisë shqiptare. Letërsia e vështirë dhe e mundimshme e një populli të vogël nuk mund të gjente një apostull më të mirë sesa Petro Marko për të përçuar mesazhin e vet, ndaj ajo, por edhe ne jemi me fat që kishim Petro Markon mes nesh.

Filed Under: LETERSI

Si të themi se të duam shumë!

August 6, 2024 by s p

Prof. Begzad Baliu/

Duke lexuar mesazhin e Azem Baliajt për shkrimtarin ZIJA ÇELA, sikur mu krijua bindja se të gjitha kohët i kanë krijuesit, veprat dhe idhujt e tyre. Dhe natyrisht u hodha në kujtimet e dashurive të mia. Në vitet ’70 kur “Rilindja” në Prishtinë, po botonte veprat e etërve të kombit, babai pati sjellë një vitrinë të veçantë për kompletin e veprave të Naim Frashërit, Asdrenit, Hil Mosit, De Radës, Sami Frashërit, Fan Nolin, dhe na pati thënë, të mos i vendosim ‘as rastësisht’ librat e shkollës pran tyre. Pastaj erdhi një ditë e fundviteve ‘70 dhe vëllai solli kompletin prej gjashtë vëllimeve të Eqrem Çabejt. Babai u ndal dhe i shikoi je me syrin prej gjuhëtari, po prej mjeshtri të thekshëm të drurit.

-Le të vendosen në mes, -tha babai me një zë të rëndë, -sikur po vendoste jo për veprat e Profesor Çabejt, po për vendosjen e një luftëtari në fillim të një beteje.

Për Naimin e vëllezërit e tij, De Radën e Luigj Gurakuqin, e dinim se ishin të perëndishëm, po Profesor Çabejt si t’i thoshim se e duam shumë dhe veprën e tij e hapim vetëm me lejen e babait.

Pastaj erdhi një kohë tjetër dhe pas demonstratave të vitit 1981, vëllai solli kompletin e rrezikuar të Ismail Kadaresë, së botuar në Prishtinë më 1980, por meqenëse ai ishte hequr nga tekstet shkollore dhe shtypi, ne e konsideronim vepër kombëtare mbajtjen, ruajtjen dhe fshehjen e veprës së tij! Një javë më vonë dhëndëri ynë Isaku na i solli dy botimet e Kadaresë në serbokroate “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” dhe “Kështjellën”, që për momentet më të vështira të kontrollit policor, pranë kompletit të Kadaresë të kemi edhe dy botime të tij në gjuhën serbokroate.

Po Kadaresë, si t’i thoshim, si ta lajmëronim se veprën e tij do ta kemi nën kujdes, ndërsa atë e duam shumë!

Pastaj erdhi një ditë tjetër e vitit 1990 dhe nga qyteti solla veprën “Populli i ndaluar”. Nuk i tregova askujt për çmimin që e kisha blerë. Vepër e madhe, monument i madh, me të cilën Profesor Qosja prej vitesh po e bënte betejën e madhe kundër pushtetit të Beogradit. Nëna e shikoi kopertinën e saj me shqiponjë dhe duke e mbajtur në duart që po i dridheshin nga pesha apo nga frika e kohës tha: Do ta mbaj në sandukun e pajës sime. A nuk po e sheh që natë e ditë po sillen policët serbë rreth shtëpisë.

Vëllai, me të parë të librit duke rrahur gjoks, u ngut të thoshte se Profesor Qosjen e kishte pasur Profesor të lëndës së Estetikës në Fakultetin e Filologjisë. E unë a do ta kisha pas kësaj vepreje, a do t’i dëgjoja ligjëratat e tij, a do ta njohja? Si ta takoja, si t’i thosha se e dua shumë!

Pastaj erdhi një ditë e vitit 2007 dhe solla në shtëpi librin Për dashurinë shkruhet pas vdekjes. Myrveti u ngut të më thoshte se më parë i kishte lexuar veprat Gjaku i dallëndyshes dhe Gjysma e Xhokondës, ndërsa unë Pëllumbat e janarit, Një verë pa lamtumirë dhe dramën Shtëpia e lepujve dhe….

– … dhe cilën vepër, – u ngut të më pyes Myrveti me kureshtje.

-Jo, jo, desha të them, si t’i themi se do ta lexojmë edhe këtë vepër të tij, dhe si t’i themi se e duam shumë!

Filed Under: Komente

Albanians Fighting Cancer USA organizon koncertin gala me të ftuar artistët e famshëm Ramë Lahaj dhe Genc Tukiçi

August 6, 2024 by s p

Vatra Boston/

Miq të Vatrës- Albanians Fighting Cancer USA është një organizatë bamirëse jofitimprurëse e regjistruar në Boston, e dedikuar për të rritur ndërgjegjësimin në komunitetin shqiptar rreth parandalimit dhe trajtimit të kancerit dhe për të ndihmuar familjet që kalojnë betejën me kancerin. Përveç kësaj, AFC ka kohë që dërgon ndihma në spitalet e Shqipërisë me pajisje mjekësore!

Për të vazhduar këtë mision fisnik, AFC organizon për të dytin vit koncertin gala në sallën operistike të Bostonit, ku është i ftuar tenori shqiptar Ramë Lahaj dhe pianisti Genc Tukiçi! Të gjitha fondet e mbledhura në këtë koncert do të shkojnë për të ndihmuar komunitetin shqiptar të përballojë shpenzimet në luftën kundër kancerit!

Biletat tashmë janë të kufizuara, ndaj nxitoni të zgjidhni vendet e mira në sallë duke klikuar linkun:

https://www.zeffy.com/…/14d95c19-d4a7-4aab-b426…

Mos harroni, mund të bëni edhe donacione të ndryshme, për të cilat detajet i gjeni në foto!

Të gjithë duhet të mbështesim këtë kauzë fisnike të AFC-së.

Filed Under: Fejton

Shqipëria e kohës së Cezarit…

August 6, 2024 by s p

Luan Rama/

Deri para dy dekadash, në Europë kishte ende njerëz që jo rrallë n’a pyesin: «Ku bije Shqipëria»? Mundoheshim të bënim një shaka që ata ta gjenin, duke u thënë se ishte në brigjet e detit Adriatik. Pastaj duke shtuar u thonim se ishte në kufi me Greqinë, pastaj me Malin e Zi. Dhe atëhere këta persona më së fundi arrinin ta gjenin se bëhejt fjalë për Shqipërinë. Ata pak gjëra dinin për Shqipërinë, dhe jo vetëm ata, por dhe shumë e shumë europianë të tjerë. Ndërkohë që historia shqiptare është mjaft e pasur. Dhe kur ju thoje se dikur Durrësi quhej «Taverna e Adriatikut», se atje gjente strehë Ciceroni, Agrippa, Brutus dhe se Cezari do ta rrethonte Pompeun pikërisht në fushat midis Lushnjës dhe Durrësit dhe se ata luftonin me legjionet e tyre në rrethinat e Durrësit, atëherë e kuptonin se ky vënd dikur kishte qenë në qendër të historisë së Adriatikut. Nuk është mburrje të thuash sot se toka shqiptare mban gjurmë të një kulture të lulëzuar dhe të bëmave të mëdha historike: jo vetëm në kohën luftës mes dy konsujve të mëdhenj të republikës së Romës; të normandëve që kërkonin të dyndeshin drejt Konstantinopojës dhe ku në Devoll u nënshkrua një nga traktatet më të famshme të botës së atëhershme, midis bazileusit Aleks I-rë dhe Bohemondit; gjatë kohës së anzhuinëve të Charles I d’Anjou, që u bë dhe mbret i fisnikëve të mëdhenj shqiptarë, por dhe më pas në kohën e Skënderbeut, e më pas. Në kohën kur Roma ishte forca më e famshme ushtarake e botës, dy strategë të mëdhenj zbarkuan në trojet shqiptare: Cezari dhe Pompeu.

Dhjetë vjet më parë se këta dy njerëz të mëdhenj të gjendeshin përballë tyre në tokën e Dyrrahium-it, një nga figurat e tjera të ndritura, i madhi Ciceron (Marcus Tullins Ciceron) kishte gjetur strehë në Durrës. Në vitin 58 p.e.sonë, ai e kishte lënë me shpejtësi Romën nga frika se mund ta vrisnin njerëzit e Cezarit, meqë ai, duke mbrojtur Senatin romak, si pushtetin më të lartë dhe vendim-marrës, ai e kishte kundërshtuar atë. Kështu Ciceroni kishte lënë familjen e tij dhe fshehurazi kishte gjetur azil në Durrës, në qytetin e ndritur dhe të begatë, ku siç i shkruan në një letër mikut të tij Atticus, në Romë, «unë erdha në Durrahium sepse është një qytet i lirë. Banorët këtu janë të devotshëm ndaj meje». Po atë ditë, pra më 25 nëntor të vitit 58 p.e.sonë, Ciceroni i shkruante një letër të dytë mikut të tij, duke qarë hallin e familjes së tij që ishte detyruar ta linte jashtë Romës: «Më vjen keq që gruaja dhe familja po vuajnë për hirin tim dhe se nuk duhet të bijen me dëshpërim…». Edhe pse Cezari donte ta bënte Ciceronin për vete, duke i propozuar ta dërgonte si «delegat» (ambasador) diku, Ciceroni nuk kishte pranuar. Ai nuk donte që pushteti i Romës të binte vetëm në dorën e një njeriu. Në Durrës ai ndjehej i sigurtë, siç e shkruan dhe në një letër tjetër dërguar mikut të tij Aristokriti, duke i theksuar se «Këtu në Durrës ndjehem i sigurtë, sepse ky qytet më ka parë si një mbrojtës të tij».

Durrësi në këtë epokë është një nga pikat më të rrahura të Europës dhe Ballkanit. Pikërisht drejt Durrësi zgjatej përmes detit e famëshmja Via Appia që nisej nga Roma. Në Durrës niste vazhdimi i saj, rruga e kalldrëmtë e me pllaka të mëdha guri që quhej Via Egnatia, e cila përshkonte mespërmes Shqipërinë drejt Maqedonisë për tu ngjitur pastaj drejt Konstantinopojës, duke u zgjatur pastaj drejt Orientit të largët. Ishte padyshim koha e artë e këtij qyteti, e amfiteatrove, odeonëve, termave publike dhe afreskave të mrekullueshme, qytet i artit dhe i kulturës në kulmet e veta, siç dëshmohet sot nga zbulimet arkeologjike jo vetëm në Durrës, Apolloni, Orikum por dhe në qytezat e tjera antike. Kjo ishte gjithashtu dhe koha historisë me «H» të madhe, kohë e bëmave të mëdha. Një vit më vonë, pra në vitin 57, kur Senati votoi që Ciceroni të kthehej në Romë dhe Cezari nuk mund ta luftonte, ndarja e Ciceronit me qytetin dhe prijësit e tij ishte prekëse. Ai do të merrte anijen dhe nga zbritja e tij në Brindizi, gjer në Romë, në të gjitha qytetet që do të kalonte ai do të pritej me brohorima si një triumfator.

—————–

Marshi i Cezarit

——————-

Dhjetë vjet më vonë ngjarjet do të ndryshonin. Pas fitoreve të njëpasnjëshme kundër frankëve në veri të Europës, Cezari u bë po aq legjendar sa dhe prijësi tjetër luftarak i ushtrive të Romës, Pompeu. Ndërsa njëri kthehej nga Perëndimi, tjetri vazhdonte intrigat me senatin romak duke dënuar Cezarin dhe kërkuar që ai të gjykohej sapo të vinte këmbën në Romë. Por Cezari nuk e shpërndau ushtrinë e tij siç kërkonte senati dhe po marshonte drejt Romës, kur ndërkohë e njoftuan se Pompeu e kishte lënë Romën e ushtrinë e tij, nga frika e një ndeshjeje të pärgjakëshme. Atëherë Cezari, i shoqëruar nga Mark Antoni, pa hyrë në Romë, kërkoi të ndiqte Pompeun, por ku arriti në Brindizi, Pompeu dhe ushtria e tij kishin ikur me anije drejt Ilirisë, Orikumit. Krahas tij, dhe armiku i betuar i Cezarit Calpurnius Bibulus, me 500-600 anije, ishte drejtuar drejt Durrësit. Imagjinoni një çast këtë armadë të madhe prej qindra anijesh, ku qielli mbi Adriatik do ketë qenë nxirrë si asnjëherë tjetër në historinë dy mijëvjeçare të këtyre brigjeve. Kur më 28 nëntor të vitit 49 p.e.sonë, Pompeu zbarkonte në Oricum, qyteti, si dhe qytetet e tjera të Epirit do t’i dorëzoheshin pa luftë. Në Brindizi, Cezari po ndërtonte anije të reja për të nisur sulmin në Iliri kundër Pompeut. Roma nuk mund të drejtohej tashmë nga dy konsuj por vetëm nga një. Ushtria e Pompeut, prej 50 mijë ushtarësh, të organizuar në 6 legjione të mëdha, do të shkonin gjer në Verria (pranë Kosturit) dhe do të ktheheshin drejt Durrësit për tu bashkuar me trupat e komandantit dhe besnikut të tij Bibulus, i cili kishte ngritur shtabin ushtarak në Durrës.

Këtë përshkrim na e japin librat e kohës si dhe një jetëshkrim për Jul Cezarin nga historiani francez Robert Etienne në librin e tij Jules César. Ndërkohë që anijet e Bibulus vigjëlonin në brigjet shqiptare për një sulm të mundshëm të Cezarit, ushtria e rëndë e Pompeut i afrohej Durrësit që shumë shpejt do të kthehej në një fushëbetejë të madhe. Dhe ja, nuk vonoi, anijet e para të Cezarit do të dukeshin pranë brigjeve shqiptare, por duke qënë më të shumta në numur, anijet e Bibulus do ti shkatërronin ato. Një pjesë e anijeve të Cezarit, të komanduara nga Marcus Antonius (Mark Antoni), pas një deti të tmerrshëm, do të mund të zbarkonin në Shëngjin. Por Cezari, edhe pse me një betejë të parë të humbur, nuk do ta humbte besimin në forcat dhe strategjinë e tij. Kësaj rradhe, duke mbledhur anije më të shumta, ai do të mund të zbarkonte në brigjet e Adriatikut, jo larg Apollonisë. Kur Cezari zbarkon në tokën shqiptare ai nuk ndodhet shumë larg nga formacionet luftarake të Pompeut. Në librin César, të historianit tjetër francez Christian Meier, shkruhet se për vështirësitë ekonomike taktikën e tij, Cezarit i propozon Pompeut të bëjnë paqe dhe ai ta shpërndajë ushtrinë e tij. Në pranverë, përfaqësuesi i tij Publius Vatinius kishte shkuar në kampin e Pompeut pranë Durrësit dhe ishte takuar me përfaqësuesin e tij Labienus, për ti propozuar paqen, por Pompeu s’kishte dënjuar të dëgjonte për këtë kërkesë. Ndërkohë që Labienus i thoshte përfaqësuesit tjetër se «Ne do të bëjmë paqe kur ju të sillni kokën e Cezarit», pikërisht atëherë trupat e Pompeut kishin sulmuar mbi kampin e Cezarit. Tashmë ishte vendosur përfundimisht: duhej luftuar. Çdo të ndodhte më tej?…Në fakt, Pompeu disa herë tentoi të sulmonte, por ai gjithnjë mendonte se një gabim ndaj Cezarit mund ti kushtonte shtrenjtë. Prandaj ai mendoi se më mirë, do të ishte që ai ta detyronte atë të nënshtrohej përmes urisë. Ja pse ai vendosi të kontrollonte brigjet e detit Adriatik që asnjë ndihmë ushqimore mos ti vinte ushtrisë së tij.

Ndërkohë, Cezari priste me padurim trupa të freskëta që ti vinin nga Brindizi. Ai e dinte se me aq ushtarë vështirë se do të mund ta shpartallonte armikun e tij. Mark Antoni nuk po dukej ende dhe duke dyshuar tek ai, i veshur si skllav, me një anije të vogël dhe disa besnikë të tij ai u nis drejt Brindizit. Legjenda apo historia tregon se kur ishte në mes të detit dhe anijen e kishte zënë furtuna, ai që drejtonte anijen donte të kthehej, por Cezari i kishte ndërhyrë «Ke frikë? A nuk e di se ti ke në anije vetë Cezarin dhe fatin tënd?!». Por siç thonë romakët «Fortes fortuna adjuvat», pra «të fortët i ndih fati». Pasi organizoi trupa të freskëta në Brindizi, Cezari u kthye sërrish në prill të vitit 48 p.e.sonë me 11 legjione dhe 1500 kalorës. Megjithatë, ushtria e Pompeut ishte gati dy here më e madhe. Pikërisht në këtë kohë, Cezari tentoi një ndërmarrje të rrezikshme. Duke shfrytëzuar natën dhe duke bërë një inkursion pas shpinës së kampit të Pompeut, ai arriti që me pak forca ta ndajë Pompeun nga qyteti i Durrësit, ku ai kishte gjithë rezervat luftarake dhe ushqimore. Atëherë trupat e Pompeut u ngjitën në kodër, me shpresë që nga deti tu vinin ndihma. Dhe meqë s’kishte me grurë, legjionaret romake filluan nga plaçkitjet e fshatrave përreth. Në kushte dëshpëruese, Cezari mendoi atëherë një taktikë akoma me të guximëshme: ai sulmoi dhe pushtoi shumë kodrina të vogla rreth Pompeut dhe kampit të tij. Duke e rrethuar, tashmë Cezari mendoi ti japë një goditje përfundimtare. Gjenerali i famshëm romak, i njohur për përdorimin e tij të shpatës, tashmë ishte i rrethuar nga një ushtri më e vogël se e tij. Gjendja në kampin e Pompeut është dëshpëruese: mijra të vrarë dhe kufoma kuajsh tëdergjur në tokë. Puset kanë shteruar. Cezari i ka prerë të gjitha rrjedhat e ujrave nga mund të furnizoheshin. Qyteti i Durrësit vuante nga uria. Ndërkohë Pompeu tentoi disa herë të çajë rrethimin. Nuk kaluan shumë ditë (jemi në maj-qershor të vitit 48 p.e.sonë), kur dy frankë (që Cezari i kishte marrë me vete në kohën e fushatës në tokën e frankëve), kishin kaluar në anën e armikut dhe i treguan Pompeut mbi gjendjen e forcave të Cezarit, mënyrën se si luftonte ai, si dhe pikat më të dobëta të pozicioneve të tij. Pikërisht atëherë, Pompeu organizoi një kundërsulm me 36 mijë ushtarë që do sulmonin në pikën më të dobët të Cezarit. Dhe ashtu do të ndodhte. Përballë këtij sulmi të befasishëm, ushtarët e Cezarit filluan të shpëndahen dhe Pompeu i ndoqi ata gjer afër shtabit ku ndodhej Cezari. Por ndërkohë Mark Antoni me legjionet e tij do të mund ta ndalte furinë e Pompeut me kalorësinë e tij.

Sidoqoftë rrethimi ishte çarë. Cezarit i duhej të bënte fortifikime të reja. Në një sulm që bëri për të mbyllur rrethimin, Cezari do të linte në fushën e betejës 900 ushtarë dhe 200 kalorës. Toka përreth Durrësit vinte erë veçse kufoma. Gjendja ishte dëshpëruese. Ushtarët ishin të lodhur. Shumica vuanin nga sëmundjet e moçaleve përreth. Në kampin e Pompeut festohej fitorja. Tashmë Cezari e kishte vendosur shtabin e tij në Apolloni. Ai kërkonte të fitonte kohë dhe që të plagosurit të mjekonin plagët. Por tashmë mendonte ti ndryshonte planet e tij. Duhej ta tërhiqte kundërshtarin e tij në thellësi të maleve. Ky do të ishte dhe fundi i përballjes midis këtyre të dy gjeneralëve të mëdhenj të Romës. Pak kohë më vonë, Cezari do të ngrinte kampin, duke marrë drejt Via Egnatia-s për në Thesali. Trupat e tij linin pas një shkatërrim të madh, çka do të vihej re në qytetin e Apollonisë, dhe në rrethinat e kësaj fushëbeteje. Pas largimit të Cezarit, do të largohej nga Shqipëria dhe Pompeu. Ai do të shkonte drejt Orientit përmes Maqedonisë. Dy ushtritë do të përballen më së fundi në Farsale në 9 gusht të vitit 48 p.e.sonë. Pompeu kishte një ushtri prej 47 mijë ushtarësh, ndërsa Cezari 22 mijë. Kavaleria e Pompeut ishte 7 herë më e madhe se ajo e Cezarit. Por pikërisht ai që do të sulmonte, do të ishte Cezari. Lufta ishte e përgjakëshme. Të nesërmen, pjesa tjetër e ushtrisë së Pompeut në Farsale të Maqedonisë u dorëzua. Cezari e ndoqi Pompeun gjer tutje, drejt Aleksandrisë. Por kur mbriti në atë qytet, ku do të njihej dhe me Kleopatrën, e njoftuan se Pompeun e kishin vrarë. Nga Aleksandria, ai do ti shkruante Senatit romak: “Ja, tani, unë jam zot i Efezit, zot i Egjiptit, “diktator” i Romës dhe zot i botës!”

Do të kalonin vite dhe pas kulmit të pushtetit të tij, kur Romën e bëri akoma më të fuqishme, duke lënë pas vetes shprehjen e famshme “Veni, vidi, vinci” (Erdha, pashë fitova!), pikërisht kur ylli i tij po venitej dhe Jul Cezar ishte një plak që po linte politikën, në ato momente ai do të vritej me thika nga senatorët remake ku goditjen e fundit ia dha senatori Marcu Junius Brutus, biri i të dashurës së dikurshme të tij…”Edhe ti Brutus?”… – do të ishin fjalët e fundit të tij.

———————–

“Edhe ti Brutus?”

———————

E habitshme, por jo shumë shqiptarë e dinë se ai që vrau Cezarin, disa vite i ka kaluar në Durrës dhe Apolloni. Dhe jo vetëm ai, por dhe figura të tjera romakësh të mëdhenj. Interesante janë të dhënat e një prej studjuesve më të njohur të epokës romake, shkrimtares australiane Collen Mc Cullugh, autore e shumë librave të kësaj kohe, mes të cilave Cesar et Cléopatre. Ajo shkruan për Mark Antonin e Brutus dhe itineraret e tyre që i çojnë drejt Apollonisë. Pas vrasjes së Cezarit, Mark Antoni e kishte ndjekur Brutus-in drejt jugut të Italisë, nga ku ai kishte zbritur me një trupë të vogël dhe që andej ishte hedhur në Durrës. Kur erdhi në Durrës, Mark Brutus e vendosi kampin e tij ushtarak pikërisht në fortifikimet që kishte ngritur më pare Pompeu gjatë rrethimit të tij nga Cezari. Në Petra (midis Durrësit dhe Apollonisë), ishte ndërkohë kampi ushtarak i Publius Vatinius dhe nuk vonoi që ai t’ia mbathte për në veri të Ilirisë, me sa duket drejt bregut dalmat. Disa legjionarë e njoftuan Brutus-in për këtë. Trupat e lëna nga Vatinius u bashkuan me të duke formuar kështu një ushtri prej 3 legjionesh. Duke e ndjerë veten të fuqishëm, Brutus i shkroi bankierit të njohur Caius Flavius Hemicillus, atij që në kohën e Pompeut kishte qënë “praefectus fabrum”, që ta financonte në luftën e tij për tu kthyer përsëri në pushtet në Romë. Në pritje, Brutus shkoi në Apolloni, ku në atë kohë qëndronte si guvernator Caius Antonius. Por kur Leutulus Spinther, meqë urrente Mark Antonin, paratë e mbledhura si taksa në Siri ia dha Brutus-it dhe jo Mark Antonit, shumë shpejt Brutus do të shtinte në dorë jo vetëm trojet Ilirike, por dhe Kretën e Cirinajkën. Çuditërisht, me të u bashkuan dhe Epiri, Greqia dhe Thraka perëndimore. Meqë Ciceroni kishte djalin e tij ushtar në trupat e Brutus, i shkroi atij që të kthehej në Romë për tu ngjitur në pushtet, por ai preferoi të ruajë nën kontroll “Via Egnatia”-n. Pikërisht në këtë kohë, një letër që i erdhi nga Roma, nga nëna e tij Servilia, e njoftoi për vdekjen e gruas së tij Porcia. E dëshpëruar, ajo kishte refuzuar të hante. Njerëzit e familjes e kishin lidhur pas një karrige për ta ushqyer me zor. Por një ditë ajo kishte ngrënë thëngjij të ndezur dhe kishte vdekur. Një vdekje e tmerrshme.

Pasi u kthye në Apolloni, ku kishte vendosur një legjion të tij, më së fundi ai mendoi fillimisht të merrte rrugën drejt Romës. Por i dëshpëruar siç ishte, a ii kërkoi shokut të tij Straton, me të cilin dikur kishte studjuar retorikën që të vriste. Dhe ishte vrarë nga shpata e tij.

Ngjarje të tilla që lidhen me trojet shqiptare janë të shumta në historinë tonë dhe sigurisht është mirë që ato të gjejnë sërrish gjëmimet, ehot dhe hiret e tyre të dikurshme në letërsinë tone të re.

—–

(imazht jane marre nga filmi i Stan Bean, “Roman Empire – Reign of Bloed”)

Filed Under: Opinion

Rrëmujë, prag recensioni në tregjet financiare . Pse erdhëm këtu?

August 6, 2024 by s p

Përgatiti: Rafael Floqi/

Dow bie 864 pikë dhe aksionet japoneze pësojnë rrëzimin më të keq që nga viti 1987 mes shqetësimeve të ekonomisë amerikane.

NJU JORK (AP) – Pothuajse gjithçka në Wall Street ra të hënën pasi frika për një ngadalësim të ekonomisë amerikane po përkeqësohet dhe po nis një tjetër shitje për tregjet financiare në mbarë botën.

S&P 500 ra me 2.4% në tregtimin e pasdites. Dow Jones Industrial Average u përkul me 864 pikë, ose 2.2%, që nga ora 13:25. East dhe Nasdaq ra 2.8%.

Rëniet ishin vetëm të fundit në një shitje globale që filloi javën e kaluar. Nikkei 225 i Japonisë ndihmoi në fillimin e së hënës duke rënë me 12.4% për ditën e tij më të keqe që nga përplasja e së hënës së zezë të vitit 1987.

Ishte shansi i parë për tregtarët në Tokio që të reagojnë ndaj raportit të së premtes që tregonte se punëdhënësit amerikanë ngadalësuan punësimin e tyre muajin e kaluar shumë më tepër sesa prisnin ekonomistët. Kjo ishte pjesa më e fundit e të dhënave për ekonominë amerikane që do të vinte më e dobët se sa pritej, dhe e gjithë kjo shtoi frikën se Rezerva Federale ka shtypur frenat mbi ekonominë amerikane për një kohë të gjatë përmes normave të larta të interesit me shpresën për të ulur inflacionin.

Investitorët profesionistë paralajmëruan se disa faktorë teknikë mund të përforcojnë veprimin në tregje, por humbjet ishin ende të mprehta. Indeksi Kospi i Koresë së Jugut ra 8.8% më i ulët, tregjet e aksioneve në të gjithë Evropën u ulën me më shumë se 1% dhe bitcoin ra nën 55,000 dollarë nga më shumë se 61,000 dollarë të premten.

Edhe ari, i cili ka një reputacion për të ofruar siguri gjatë kohërave të trazuara, ra me 1%.

Kjo pjesërisht sepse tregtarët filluan të pyesin nëse dëmi ka qenë aq i rëndë sa Rezerva Federale do t’i duhet të ulë normat e interesit në një takim urgjent, përpara vendimit të ardhshëm të planifikuar më 18 shtator. Rendimenti i thesarit dyvjeçar, i cili nga afër ndjek pritjet për FEDin, për një kohë të shkurtër u ul nën 3.70% gjatë mëngjesit nga 3.88% të premten vonë dhe nga 5% në prill. Më vonë u rikuperua dhe u tërhoq në 3.93%.

“FED mund të hipë mbi një kalë të bardhë për të shpëtuar ditën me një ulje të madhe të normës, por rasti për një ulje të ndërmjetme duket i dobët,” tha Brian Jacobsen, krye ekonomist në Annex Wealth Management. “Ato zakonisht rezervohen për emergjenca, si COVID, dhe një normë papunësie prej 4.3% nuk duket vërtet si një emergjencë.”

Ekonomia e SHBA është ende në rritje dhe një recesion është larg të qenit i sigurt. Fed ka qenë i qartë në lidhje me litarin që filloi të ecë kur filloi të rritej ndjeshëm normat e interesit në mars 2022: Të qenit shumë agresiv do të mbyste ekonominë, por nëse bëhesh shumë i butë do t’i jepte inflacionit më shumë oksigjen dhe do të dëmtonte të gjithë.

Ekonomisti i Goldman Sachs, David Mericle sheh një shans më të lartë për një recesion brenda 12 muajve të ardhshëm pas raportit të punës të së premtes. Por ai ende sheh vetëm një probabilitet prej 25% për këtë, nga 15%, pjesërisht “sepse të dhënat duken të mira në përgjithësi” dhe ai “nuk sheh disbalanca të mëdha financiare”.

Disa nga rëniet e fundit të Wall Street mund të jenë gjithashtu thjesht ajri që del nga një bursë që arriti në dhjetëra nivele më të larta të të gjitha kohërave këtë vit, pjesërisht nga një furi rreth teknologjisë së inteligjencës artificiale dhe shpresave për ulje të ardhshme të normave të interesit. Kritikët kanë thënë për një kohë se tregu i aksioneve dukej i shtrenjtë pasi çmimet u rritën më shpejt se fitimet e korporatave.

“Tregjet priren të lëvizin më lart sikur po ngjitin shkallët dhe zbresin sikur po bien nga dritarja”, sipas JJ Kinahan, CEO i IG America North. Ai i përcjell shumë nga shqetësimet e fundit me euforinë rreth uljes së AI dhe “një treg që ishte përpara vetes”.

Investitorët profesionistë vunë në dukje gjithashtu lëvizjen e Bankës së Japonisë javën e kaluar për të rritur normën e saj kryesore të interesit nga pothuajse zero. Një lëvizje e tillë ndihmon në rritjen e vlerës së jenit japonez, por gjithashtu mund t’i detyrojë tregtarët të dalin nga marrëveshjet ku ata huazuan para praktikisht pa kosto në Japoni dhe i investuan ato diku tjetër nëpër botë.

Aksionet amerikane zvogëluan humbjet e tyre të hënën pasi një raport tha se rritja për bizneset e shërbimeve të SHBA ishte një prekje më e fortë se sa pritej. Rritja u drejtua nga bizneset në artet, bizneset argëtuese dhe rekreative, së bashku me akomodimet dhe shërbimet ushqimore, sipas Institutit për Menaxhimin e Furnizimit. Yield-et e thesarit gjithashtu ulën rëniet e tyre pas të dhënave më të mira se sa pritej.

Megjithatë, stoqet e kompanive, fitimet e të cilave janë më së shumti të lidhura me fuqinë e ekonomisë, pësuan humbje të mprehta për shkak të frikës për një ngadalësim. Kompanitë e vogla në indeksin Russell 2000 ranë 2.8%, duke shuar më tej atë që kishte qenë një ringjallje për të dhe zona të tjera të rrahura të tregut.

MakPer më keq për Wall Street-in, aksionet e Big Tech gjithashtu ranë pasi tregtia më e njohur e tregut për pjesën më të madhe të këtij viti vazhdoi të shpërbëhej. Apple, Nvidia dhe një pjesë e vogël e aksioneve të tjera të Big Tech të njohura si “Shtatë madhështorët” e kishin çuar S&P 500 në rekorde këtë vit, edhe pse normat e larta të interesit rënduan pjesën më të madhe të tregut të aksioneve.

Por momenti i Big Tech u kthye muajin e kaluar nga shqetësimet që investitorët i kishin ngritur çmimet e tyre shumë të larta dhe pritjet për rritjen e ardhshme po i bën shumë të vështira për t’u përmbushur. Një sërë raportesh fitimi dërrmues që filluan me përditësimet nga Tesla dhe Alphabet shtuan pesimizmin dhe përshpejtuan rëniet.

Apple ra në masën3.9% të hënën pasi Berkshire Hathaway i Warren Buffett zbuloi se kishte ulur aksionet e tij të pronësisë në prodhuesin e iPhone.

Nvidia, kompania e çipave që është bërë fëmija i posterit të përfitimit të inteligjencës artificiale të Wall Street, ra edhe më shumë, 5.5%. Analistët ulën parashikimet e tyre të fitimit gjatë fundjavës për kompaninë pasi një raport nga The Information tha se çipi i ri i AI i Nvidia është vonuar. Shitja e fundit ka ulur fitimin e Nvidia për vitin në 104% nga 170% në mes të qershorit.

Për shkak se kompanitë Magnificent Seven janë më të mëdhatë në treg për nga vlera e tregut, lëvizjet për aksionet e tyre kanë shumë më tepër peshë në S&P 500 dhe indekset e tjera.

Shqetësimet jashtë fitimeve të korporatave, normat e interesit dhe ekonomia po rëndojnë gjithashtu tregun. Lufta Izrael-Hamas mund të përkeqësohet, e cila përtej numrit të saj njerëzor mund të shkaktojë edhe luhatje të mprehta për çmimin e naftës. Kjo po shton shqetësimet më të gjera për pikat e nxehta të mundshme në mbarë botën, ndërkohë që zgjedhjet e ardhshme në SHBA mund t’i përkeqësojnë më tej gjërat.

Wall Street ka qenë i shqetësuar se si politikat që vijnë nga nëntori mund të ndikojnë në tregje, por luhatjet e mprehta të çmimeve të aksioneve mund të ndikojnë në vetë zgjedhjet.

Kërcënimi i një recesioni ka të ngjarë të vendosë nënpresidenten Kamala Harris në mbrojtje. Por rritja më e ngadaltë gjithashtu mund të ulë më tej inflacionin dhe të detyrojë ish-Presidentin Donald Trump të përqendrohet nga fokusi i tij aktual në çmimet më të larta në përshkrimin e mënyrave për të ringjallur ekonominë.

Një treg i fortë pune mbështet shpenzimet konsumatore, gjë që nxit rritjen ekonomike. Lidhja midis punësimit dhe shpenzimeve do të mbetet një fokus kryesor në drejtim të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, tha Quincy Krosby, kryestrategu global për LPL Financial.

“Kjo varet nga vendet e punës,” tha ajo. “Kur të arrijmë në ditën e zgjedhjeve, shkalla e papunësisë do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme.”

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 817
  • 818
  • 819
  • 820
  • 821
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT