• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

QENDRA ISLAME SHQIPTARO-AMERIKANE NË QUEENS PROMOVOI VEPRAT E STUDIUESIT HAMID ALAJ

November 4, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 3 Nëntor 2024 – Qendra Islame Shqiptaro-Amerikane në Queens, promovoi dhjetë libra nga studiuesi i mirënjohur krajan Hamid Alaj. Me pjesëmarrjen e gjerë të komunitetit krajan në New York, aktivistëve të komunitetit shqiptar në New York e me gjërë, veprimtarëve e atdhetarëve, studiuesve e kërkuesve shkencorë, mediave e personaliteteve të shquara shqiptare në mërgatën e Amerikës, nën prezantimin e regjizorit Selman Haxhimurati, promovimi i veprave të studiuesit Hamid Alaj u kthye në një festë libri për të gjithë pjesëmarrësit. Në hapje të promovimit skenaristi Selman Haxhimurati rrëfeu disa emocione nga fëmijëria dhe shoqëria e pandërprerë 55 vjeçare me Hamid Alajn dhe dha mesazhe patriotike unifikuese e përbashkuese komunitare.

Më pas promovimi vijoi duke u shfaqur videomesazhe nga Kraja duke vlerësuar veprimtarinë shkencore e publicistike të Hamid Alajt. Isuf Lagja, Ali Gjeçbritaj, Musa Alaj dhe nipi Gazmendi emocionuan të pranishmit me mesazhet e tyre prekëse. Imami i shquar Edin Gjoni, figurë e lartë atdhetare e fetare përshëndeti në emër të Qendrës Islame dhe çmoi lart e vlerësoi aktivitetet e Hamid Alajt si fetar, patriot e veprimtar i komunitetit shqiptar në New York. Kryetari i Këshillit të Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane z.Ahmet Velaj tregoi me detaje biografinë e stdiuesit Hamid Alaj duke renditur veprimtaritë studimore, patriotike, kontributin në shoqatat shqiptaro amerikane, shkrimet e studimet në media dhe arritjet më të shënuara të jetës së tij.

Artisti Shaban Lajçi recitoi disa prej pjesëve të përzgjedhura nga krijimtaria poetike e Hamid Alajt duke ngjallur shumë emocione për të gjithë të pranishmit. Hysen Kraja mbajti një fjalim në emër të Shoqatës Kraja dhe komunitetit krajan. Ai theksoi se përkushtimi i Hamid Alajt për të dokumentuar kulturën dhe historinë tonë është një angazhim i thellë që shkon përtej tregimit të thjeshtë. Këto botime të Hamid Alajt shërbejnë si një lidhje jetike me rrënjët tona, duke lejuar brezat e ardhshëm të lidhen me prejardhjen e tyre dhe të mësojnë për të kaluarën e Krajës. Nëpërmjet punës së tij, Hamid Alaj nuk është thjeshtë një tregimtar; ai është një gardian i historisë sonë, i letërsisë sonë i kulturës sonë dhe këto vepra do ta mbajnë të gjallë trashëgiminë tonë kombëtare në përjetësi.

Editori i Diellit përshëndeti në emër të Federatës Vatra dhe gazetës Dielli ku vlerësoi veprën e studiuesit Hamid Alaj dhe shprehu mirënjohjen për komunitetin krajan për mbështetjen që i japin Vatrës në aktivitetet patriotike e komunitare. Historiani Dr.Paulin Marku lexoi një analizë të dy veprave të Hamid Alajt: “Veshja e nusënisë krajane” dhe “Institucionet islame dhe imamët e Krajës”. Ai deklaroi se “Veshja e nusënisë krajane” është një studim i mirëfilltë dhe i shërben kulturës, traditës dhe historiografisë krajane dhe me gjerë.

Libri i shërben antropologjisë, etnografisë dhe instituteve të ndryshme që merren me studime të kësaj krahine të rëndësishme, siç është Kraja. Ne libër autori i paraqet lexuesit shumë fakte, ngjarje, ilustrime nëpërmjet fotove dhe stilit të veshjeve të veçanta dhe po aq të bukura, siç janë veshjet tradicionale krajane. Punimi është i pasur me hulumtime dhe reflektime, i radhitur sipas tematikave të studimit që nga origjina e veshjeve, materiali i përdorur dhe objektet e qëndisjes, ku për këto veshje tradicionale, i japin vlera të rëndësishme folklorike historike. Punimi na jep informacione dhe detaje të shumta për veshjen krajane, strukturën e veshjes, dizajnin, dekorin e tyre dhe për stolitë e përdorura, duke i dhënë vlerën dhe imazhin e një përfaqësimi dinjitoz të femrës krajane.

Libri “Institucionet Islame dhe imamët e Krajës” sipas studiuesit Dr. Marku është një libër i rëndësishëm për ti bërë të njohur opinionin publik si u ndërtuan Institucionet Islame në Krajë, për shtrirjen dhe ndikimin e besimit në popull në këtë krahinë duke parashtruar një historik interesant, si erdhi besimi mysliman dhe mënyra si praktikantët e këtij besimi iu bashkuan imamëve të Krajës. Libri ka një biografi për çdo imam qe ka shërbyer ne trevën e Krajës dhe plotësohet edhe me imamët krajanë me kontribut të çmuar jashtë vendlindjes së tyre. Hamid Alaj arrin të ndërthurë një punë mjaft skrupuloze, këmbëngulëse dhe të detajuar nisur prej vitit 1602 kur u themelua institucioni Islam në Krajë si dhe duke pasqyruar edhe veprimtarinë e imamëve krajane nëpër botë. z. Alaj ka shpalosur me detaje, historinë, fenë, vlerat e traditë e trevës së Krajës si dhe te studimit te Institucioneve Islame dhe te imamëve ne Krajë.

Kam bindjen se krajanet përfaqësohet denjësisht me z. Hamid Alaj, dhe meriton vlerësimet më të larta për punën kërkimore që nëpërmjet botimeve të shumta lartëson popullit krajanë dhe më gjerë, në rrjedhat e historisë, u shpreh Dr. Marku.

Përshëndetën me vlerësime promovimin tudiuesi Bajram Doka e prozatori Mëhill Velaj ku vlerësuan veprimtarinë publicistike e kërkimore të Hamid Alaj.

Fjala e përzëmërt përmbyllëse e studiuesit Hamid Alaj ishte një mirënjohje e thellë dhe shpjegime shkencore mbi hulumtimet e studimet rreth trevës së Krajës dhe risitë shkencore që sjellin librat e tij. Promovimi i shkëlqyer u xhirua nga media “Noli Tv” i cili po zhvillon një mbulim mediatik fenomenal të aktiviteteve kombëtare e komunitare të shqiptarëve të Amerikës.

Filed Under: Featured

Vatra Long Island vizitoi Selinë Qëndrore të Federatës Vatra

November 4, 2024 by s p

Patriotët e Vatrës në Long Island zhvilluan një vizitë zyrtare në Selinë Qendrore të Federatës Vatra. Kryetari Dr. Paulin Marku, nënkryetari Afrim Gega, arkëtari Besnik Bajraktari, sekretari Klaudio Turkaj e mbështetësi i grupit nismëtar David Turkaj të cilët u pritën nga arkëtari i Vatrës Besim Malota, këshilltari për art e kulturë Nazim Salihu dhe editori i Diellit. Në fjalën e mirëseardhjes arkëtari z.Malota përgëzoi degën më të re të Vatrës me 45 anëtarë, vlerësoi seriozitetin dhe angazhimin maksimal të patriotëve që drejtojnë degën dhe vlerësoi punën e çmuar atdhetare për shkollën shqipe “Gjergj Fishta”. Nga ana tjetër kryetari i Vatrës në Long Island dhe themeluesi i shkollës shqipe Dr. Paulin Marku shprehu vlerësim e mirënjohje për Federatën Vatra, falenderim kryetarit Dr. Elmi Berisha, Kryesisë e Këshillit, gazetës Dielli, ekipit drejtues të degës në Long Island, patriotëve që po bashkohen me Vatrën, prindërve dhe fëmijëve që po i japin jetë shkollës shqipe “Gjergj Fishta” e komunitetit shqiptar në Long Island. Ndër të tjera Dr. Marku tha se qëllimi i Vatrës e Shkollës është për ti shërbyer kombit, atdheut dhe komunitetit shqiptar në Long Island për avancimin e çështjes kombëtare dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Vatra

Qendra Islame Shqiptaro-Amerikane në Queens dhuroi 1 mijë dollarë për gazetën Dielli

November 4, 2024 by s p

Qendra Islame Shqiptaro-Amerikane në Queens iu përgjigj fushatës patriotike të Federatës Vatra dhe dhuroi 1 mijë dollarë në mbështetje të gazetës Dielli. Kjo qendër fetare, kulturore, patriotike dhe komunitare e drejtuar nga Imam Edin Gjoni, figurë e shquar dhe e nderuar fetare e atdhetare, dhe aktivisti i mërgatës Ahmet Velaj bashkë me Këshillin drejtues, janë një shembull komunitar e atdhetar me punën dhe angazhimin e tyre për fe, komb e atdhe.

Gazeta “Dielli” është vetë historia, identiteti dhe krenaria e shqiptarëve të Amerikës. Dielli është një pasuri tejet e çmuar dhe trashëgimi e shkëlqyer e shqiptarëve të Amerikës.

Gazeta Dielli shërben si një urë lidhëse mes shqiptarëve të mërguar dhe Atdheut mëmë, në botim që nga 15 Shkurti i vitit 1909.

Federata Vatra e gazeta Dielli shprehin mirënjohje, nderim e falënderim për çdo kontributor që mbështet gazetën historike të Shqiptarëve të Amerikës, Diellin e Kombit Shqiptar. Ndihma për Diellin historik është kontribut patriotik e vepër e çmuar atdhetare.

Bëhu dhe ti pjesë e fushatës patriotike për jetëgjatësinë e gazetës Dielli, historisë së medias shqiptare më të vjetër që rrezaton diell për shqiptarinë anembanë botës.

Për të gjithë ata që duan të dhurojnë për Diellin, pagesën ta postojnë në Adresën:

VATRA

2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458

Plotësimi i Check:

(Paid to: VATRA – For: DIELLI NEWSPAPER)

Mund të dhuroni përmes aplikacionit ZELLE në numrin: +12034557167

Për dërgesat nga jashtë Amerikës:

For international wire

Swift code # CTZIUS33

Bank address

CITIZENS BANK ON

1 CITIZENS DRIVE

RIVERSIDE,RHODE ISLAND 02915 USA.

THE PAN-ALBANIAN FEDERATION OF AMERICA VATRA

2437 SOUTHERN BLVD.

BRONX,NEW YORK 10458

USA

ROUTING # 021313103

ACCONT # 4024584331

Tel.# 1-203-455-7167

Filed Under: Komunitet

KUR TË VJEDHIN JETË…

November 4, 2024 by s p

– Intervistë e shkrimtarit Italian Renato Minore me Visar Zhitin – 

“POETI QË KA SFIDUAR REGJIMIN…”

Renato Minore është gazetar i njohur italian. Ai është lauruar për letërsi moderne dhe është specializuar në filologjinë moderne, ka dhënë mësim lëndën e  teknikës së komunikimit në Universitetin e Romës dhe në LUISS. 

Ndërkaq ai ka punuar në RAI dhe në gazeta e revista si  “La Repubblica”, “Messaggero”, “Il Mondo”, etj, 

 Renato Minore njihet dhe si shkrimtar dhe poet. 

Ka botuar librat me poezi “I nuovi giorni” (Ditët e reja), antologjinë “Quinta generazione” (Gjenerata e pestë), “Non ne so piú di prima” (S’e di më si më parë), “O caro pensiero” (O mendim i dashur”) etj, ndërsa në prozë “I ritorni, (Kthimet), “Leopardi: l’infanzia, le cittá, gli amori” (Leopardi, fëminia, qytetet, dashuritë”, “Lo specchio degli inganni” (Pasqyra e gënjeshtrave”, etj, po kështu është autor esesh dhe përkthimesh, është nderuar shumë çmime letrare, dekorime dhe është emëruar në juri të ndryshme letrare. 

Në numrin e fundit të revistës së madhe italiane “50 & PIÚ” – tetor 2024, është botuar një intervistë e tij, marë shkrimtarit Visar Zhiti. 

. 

C:\Users\User\Downloads\IMG_5944 (1).jpg

Renato Minore dhe Visar Zhiti, 

Camaiore 2024

Visar Zhiti është një nga shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë, ndoshta më kompleksi dhe më i plotë pas vdekjes së Ismail Kadaresë. Poet dhe narrator, ka shkruar shumë libra poezi, tregime, romane dhe ese. 

Libri i tij më i fundit është një koleksion i mrekullueshëm i poezive, “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”, (publikuar nga shtëpia botuese PuntaCapo, përkthimi i Elio Miracco-s), të cilit i është ndarë çmimi ndërkombëtar i poezisë. 

Historia e tij ka nuanca të dhimbshme, edhe tragjike: sepse shumë i ri ai u dënua me dhjetë vite burg nga regjimi diktatorial shqiptar për poezinë e tij. Pas rënies së Perandorisë komuniste, ai punoi për shumë vjet në diplomaci në ambasadën e Shqipërisë në Romë, në Vatikan dhe në Uashington (ku tani jeton në SHBA). Ai është një shkrimtar i përkthyer dhe i njohur në shumë vende, dëshmitar i një kohe të egër që ka bërë të vdesin burgjeve qindra shkrimtarë dhe intelektualë si ai.

E takoj me rastin e çmimit ndërkombëtar “Camaiore” dhe pyetja e parë është e detyrueshme: ishin vërtet poezitë e tua kundër regjimit? A kishit ndjeshmërinë për të goditur një sensibilitet politik, për të përdorur një eufemizëm? 

Zhiti, në një mënyrë të ndritshme, na përcjell odisenë e tij: 

“Po, vërtet, nuk e dija se po shkruaja kundër dikujt dhe kundër diçkaje. Më dukej natyrale të thithja ajrin e kohës, atë që shihja përreth meje. 

Dërgova përmbledhjen me poezi “Rapsodia e jetës së trëndafilave” te e vetmja shtëpi botuese që ekzistonte e regjimit. 

U vlerësua si ‘e trishtuar’, jo në përputhje me direktivat politike, me një gjuhë si ajo e Ezopit, tepër e pasur me metafora. 

Akuza ishte se kisha bërë propagandë kundër regjimit, unë në të vërtetë nuk kisha shpërndarë ndonjëherë vargjet e mia. Në një poezi, “Demokracia në natyrë”, kam shkruar se në botën e natyrshme ekziston një demokraci e jashtëzakonshme, sepse trëndafilat nuk janë kundër ullinjve, zogjtë nuk janë kundër qenve dhe ne duhet të mësojmë prej saj. 

Kështu, në moshën njëzet e gjashtë vjeçare përfundova në burg, i dënuar me 10 vjet heqje lirie. 

Umberto Eco e ka shkruar këtë duke e lidhur me rastin tuaj: “poezia i bën me frikë regjimet autoritare dhe diktatoriale, edhe nëse flet për trëndafilat”.

Regjimi e ndalonte poezinë. Në burg mendoja të shkruaja për të lënë një dëshmi, pastaj kuptova se arsyet ishin më të thella, më magjike dhe pothuajse me frymëzim hyjnor. Duke shkruar, doja të krijoja lirinë tonë, sepse kur shkruan je në lirinë tënde dhe je si shkrimtarët e tjerë, me të gjithë ata që jetojnë në Romë, në Paris, në Uashington.

Një përvojë si e juaja lë gjurmë të pashlyeshme. Të mendosh se keni shkruar pas kësaj, pavarësisht nga kjo plagë e pambyllur?

Në burg vazhdova të shkruaja si mundja, duke fshehur poezitë nën këmishë, në dyshek, në këpucë. Ishin dhe vargje të bëra me mend, duke i mësuar më pas. E gjitha një enciklopedi poetike e vuajtjes. Është si një vragë, diçka e pashlyeshme. Por mbi këtë përvojë ishte dhe rritja, duke u forcuar vokacioni im për të thënë si në vargje ashtu edhe në prozë realitetin tim, të vërtetën time. 

Regjimi na e ndalonte poezinë, sepse në ato çaste isha i lirë të shprehja emocionet dhe kreativitetin.

Kam lexuar poezitë e para të Kadaresë. Ishin të frymëzuara nga realizmi socialist. Kamuflohej për të jetuar? Pastaj, për vetë pranimin e tij, adoptoi teknikën e largësisë, të metaforës: shkruante si u prenë kokat e funksionarëve të Perandorisë Osmane…

Kadare është një shkrimtar i madh, një shkrimtar i pamasë. Kam pasur me të raporte afërsie, të miqësisë. Veprat e tij do të mbeten. Problemi është tjetërkund: regjimi kishte shkrimtarët e tij të paguar për të shkruar, të tjerë i dërgonte në burg. Mund të thuhet: regjimi shfrytëzoi talentin e Kadaresë ashtu si dhe Kadare shfrytëzoi regjimin. Ai si një shkrimtar i madh, kishte krijuar regjimin e lirisë së tij.

Vizionari me flatra dhe gruaja e ndaluar, Funerali i pafundëm – romanet e tuat janë ndërmarrje të vërteta narrative, nuk kanë angazhimin e memuarit dhe të autobiografisë që shpesh i përkushtohen poetët e tjerë. Por konsideroheni më shumë si poet apo më shumë si narrator?

Poezia është të shkruarit e vazhdueshëm, që nuk ndalet kurrë.  Në copëza, në pulsime, në iluminime. Poezia mbetet mbajtësja e zgjedhur e thirrjes për liri dhe shpagim. Romanet kanë nevojë për vazhdimësi, e kanë hapin e gjatë dhe të detyrojnë. 

Po shkruaj një tjetër dhe do të duhet kohë që të përfundoj.

Cilat janë temat e këtij libri të fundit të poezive, përveçse atyre të dhimbjes gjatë dhjetë viteve në burg?

Poeti gërmon në ndërlikimet e shpirtit, duke treguar për shpresën, dëshirat, fillimet e reja dhe duke i dhënë fjalës një valencë ndryshe, duke i dhënë kështu një botë të gjithë të vetën.

Ju a e falni atë që ju ka vjedhur kaq shumë jetë?

Unë mund të fal atë që më ka bërë keq mua, por nuk mund të fal atë që i kanë bërë keq të tjerëve dhe Shqipërisë. Nëse kush ka kryer krime, do falje, duhet t’ja u kërkojë të vdekurve, të pushkatuarve, atij që ështen në dhé. Ata duhet të falin, do të ishte një e drejtë e tyre. Unë, po, e kam bërë: poezitë e mia janë një hakmarrje dhe një falje dhe jam i lumtur që ato kanë gjetur dritë në botë, sidomos në Itali, që për mua është një tjetër atdhe shpirtëror.

Dhe në fund: pse nuk ktheheni në Shqipëri, çfarë ju ndalon? Kujtimet apo tjetër gjë?

Kam jetuar burgun, jam një shkrimtar shqiptar, kam punuar me ndergjegje, e dua atdheun tim dhe njerëzit e mi dhe më pas, kur puna ime si diplomat përfundoi, jam ndjerë i lirë të shkoj në rrugët e dhimbjes dhe të trishtimit tim. 

Kam zgjedhur të jetoj jashtë Shqipërisë, por atdheu është brenda meje, jam një copë e tij, e gjithë bota është atdhe për secilin prej nesh. Dhe kështu jetoj larg, në Amerikë, por larg kujt? Është e rëndësishme të jesh brenda vetes.

Përkthehu nga italishtja Eda Zhiti.

C:\Users\User\Downloads\IMG_1638.jpg
C:\Users\User\Downloads\IMG_1639.jpg

Filed Under: Interviste

PARANOJA  E  “MAKIAZHIT  TE  NDALUAR” 

November 4, 2024 by s p

DR.  EDUARD  A.  SKUFI – ATHINE/

 

Drita  e  kujtimeve  të  së  kaluarës  mes  prizmit  të  kristaltë   të meditimit  reflekton  perceptimin  dhe  vizionin  e  të  ardhmes. …Ato impresione  si  përjetim ‘pa  makiazh’, ishin  ngujuar  në  kujtesën time, me gamën e emocioneve nga dhimbja  në  humor. Me  dicka të  vecantë që e karakterizonte dhe  i jepte  atraksion, që  herë  ndizej herë zbehej, por kurrë nuk shuhej, forca  e  aktualitetit  i  jepte  mbijetesë. Ditët e  atyre viteve  nuk ngjanin me njëra tjetrën. Ishin të cuditëshme, surpriza i  konvertonte  nga  racionale  në  iracionale. Ankthi dhe pasiguria përcaktonin iluzionet dhe instiktet e primitivitetit, në një humanizëm  thuajse të munguar. Indoktrinimi  në  ferrin  tokësor nuk i linte vend as Dantes… Në darkë  vonë i lodhur  nga ngarkesat e ditës, jo aq  profesionale  se sa  ato të  rutinës  sociale, isha  ulur në  divan. Në  dorë  kisha  një  libër me vlera, të cilin e zbulova të  fshehur   dhe  të  heshtur , në   etazheret  e  bibliotekës  të  time  eti . Një libër  jo voluminoz,  por  me një diapazon të gjerë, ( mu  kujtuan  fjalët  e babait « gjërat e shtrenjta  vendosen në përmasa  të  vogla »). I  mbështjellë  nga  një fletë  e  revistës   “Ylli”,   për    ti  fshehur  identitetin. Ishte   libri   ‘best   seller ‘ i    S.Frojdit ,    “ Introduzione  alla  psicoanalisi ” ,  botuar  në  Romë , në  vitin 

1917 ,   me   një  kopertinë  gri  dhe  një  skicë  abtraksioni  mbi  të . Më  mbeti   i   fiksuar  nga  libri  ky  nënvizim   penetrues,                

C:\Users\eskoufis\Downloads\brilliant green eye.jpg

 “ sano  buon  senso ”…  Dhe  kur  interpretimi   fillimisht   ka  vetëm  vlera    hipotetike ,  më  vonë,  ndodh   diçka  që  vërteton   se ,  ai  interpretim   ishte   i  justifikuar . Mes  leksionesh  që  ezauron  botën   psikoanalitike,   ku  insiston     në   ‘neurozat   e përkthimit’,  ‘paranojën  e  kombinuar’  dhe  në ‘reaksionet  zinxhir ‘, Frojdi  analizonte  kodin  e sentimenteve. Surpriza  më  e bukur  që  mund  të interpretonte , intrigën  e  asaj  ngjarje  të  ditës   që  më  kishte  pushtuar… Stivi , një djalë  i pashëm,  brun me sy ngjyrë  gri në kafe  dhe  sens modern , e  kishte  ndarë  rininë  midis   lirikës  të   violinës  dhe  epikës  të  një  fshati  të  largët   malor , në një skenografi  të  pa imagjinuar,  ku  e kishin  emëruar   mësues  të  historisë . Pranvera  aq  romantike  ishte vazhdimisht  sfidë   për  shëndetin  e  syve  të  tij . Ata sy  sensible  ndaj dritës së diellit dhe alergjisë  së  stinës, e  preokuponin,  me skuqje  të  kapakëve  të syve dhe  lotim. Kështu  okulisti  ishtë  bërë  personazh  i  domosdoshëm ‘stinor’ për të. I shqetësuar   u  paraqit  për  vizitë dhe kolegu i rekomandoi  vec të tjerash, sol.Brilliant Green, të  cilin e  vendoste mbi  kapakë . Gjë që  krijonte  pseudoimpresionin  e  syve  me  makiazh . Të nesërmen   vendosi  syzet  e diellit ,  për  të shmangur  komentet  dhe  u  nis  për  në  fshat , për  të  dhënë  mësim . Kur  u  fut  në klasë  hoqi  syzet  e diellit  dhe  i  spjegoi  nxënësve, problemin që  kishte  në  sy  dhe  efektin  estetik  të  solucionit  terapeutik. Disa  nxënëse fillimisht  qeshën , mandej  vazhdoi  normalisht  mësimi. Me  shpejtësi  kibernetike  filluan komentet  nga  disa  kolegë  dhe  në  pushimin  e madh e thirrën në  drejtori , drejtori   bashke  me sekretarin  e    partisë.  Ata      e  akuzuan  për mungesë  serioziteti , ndikime mikroborgjeze  dhe  për  faktin  që   hyri  në  mësim  me  “ sytë  të  grimuar “,  

C:\Users\eskoufis\Downloads\stef.bas. skema.jpg

duke  influencuar   negativisht  në  edukimin e  nxënësve. Flisnin  pa pushim , përmendën  citate dhe slogane  të  kohës, ndërsa  Stivi  që  ziente  përbrenda, buzëqeshte: “ Jeni keqkuptuar  dhe  keqinterpretoni  dicka  që  ka  lidhje me një problem të  syve dhe  mjekimin e  tyre. Ju  dizorientoi  pamja  e  syve  ,  spjegonte  i  fyer ,  nga  pesha  e  sinqeritetit   dhe   pafajësisë. Por  ata  nuk  pushonin , vazhdonin  intimidimin . E

gjykonin ata që make up-in  e hipokrizisë  e kishin bërë modë.

Në  përfundim  sekretari  me ashpërsi i tha : Lëre tani  mësimin,  largohu  dhe  na  sill   nga  konsulta   mjekësore, vërtetimin  ligjor, për diagnozën  dhe  mjekimi. Stivi u befasua nga rrjedhja

e  asaj  uverture  dramatike   dhe  mes   mendimesh  u   largua.  Ishte  një  shprehje   e  paranojës  ekzistenciale . Nuk ishte  paranojë  postmoderniste  që  pasqyron   ankthet   paranojake  të  kohës,  as paranoja  klasike e  Hamletit,  apo  e  Makbethit,  por  iluzione  paranojake  karakteriale,  produkt  i  rregjimit … Ata  si  besnikë  të  kauzës ( dhe  pinjollë  të  injorancës  ) treguan      “sensibilitet  të  lartë ”, duke  njoftuar  seksionin  e  shëndetësisë   dhe   atë  të  arësimit. Fjalët e  rënda,  që  si  plumba , së  gjalli atë e torturonin, vec  si  skenar   për   variete    parodish   apo  farsë  komedi ,  dëgjoheshin . Dhe  tek  mua  mendimi    rendi   në  referimin    filozofik  të  Platonit   në  “ Apologjinë  e  Sokratit “ : “ Vështirësia  nuk  qëndron  në  shmangjen   e   vdekjes  por   në   shmangjen    e  padrejtësisë ,  se   ajo   rend    më    shpejtë    se    vdekja “…

Mesa duket  e kishin  vënë  në  fokus , duke  improvizuar  shkakun. Por ajo që e bënte të pasuportushme ishte mentaliteti provincial i tyre, mbase dhe defekti konceptual në  një  natyrë  kontradiktore. Stivi,  ky  temperament  artistik , inteligjent  e  me  zemër  të madhe,  dinte  kur  duhej  të  alegorizonte  dhe  të  metaforizonte,  gjë që  mbase  ata  i shqetësonte. Ai  duhej  të  mposhte me insistim    një ‘ faj  imagjinar ‘,  një   sajesë   paranojake  të  injorancës,    me    pasoja   psikologjike ,   jo   të   lehta , i  mbetur   peng   në  kurthet  e  pasigurisë  dhe     të  iluzioneve . Ishte     një    skenë   tragjikomike,  një “ kompleks   mikst “ i  psikologjisë  personale  të  fosileve  fantazmë   dhe   mjedisit   politik ,  në  të    cilin  ata  operonin. Një incident  që  njeri  llogjik, do  ta  shihte  si  aksident, apo  koinçidencë,  ata  persona  improvizonin  gjithcka që të dukej e qëllimshme dhe  antiideologjike. Nuk hezitonin duke vënë në lëvizje  gjithë instrumentat e tyre , ti jepnin  ngjyra  reale  utopisë , dhe  sensit  paranojak.  Kështu  ajo  “ hipotezë  “ tingëllonte  aq  bindëse, sa  ndëshkimi   justifikohej  duke  u  bërë “ motiv i fitores ”.  Pra  shikoje “ paranojën  dhe  rrënojën  “  aq  pranë , në një  praktikë  stereotipike  të  shëmtuar   që justifikonte   qëllimin.  Për  ta  analizuar  atë  dhe  Frojdi  ishte i pamjaftueshëm , duhej  koleksionim  dhe interpretim   idesh  nga  Shopenhaueri, Kanti apo Nice… Dhe  mua  mu  kujtua thënia  e J.P.Sartre : “ çdo gjë do të  ishte  më  e  mirë  se  agonia   e  mendjes,   kjo   dhimbje   e  ashpër   që  të  gërryen “… Dhe  njerëzit    si   turmë   e   çoroditur    në     një   lëvizje  amorfe,  jo  rrallë  në  një  formale  atipike ,  kërkonin  të  gjenin  mënyra  për  të  mposhtur  dhe për të shmangur  llojet e sfidave dhe paranojën deri në  absurditet . Stivi ,  gjithë  rrugës  së   kthimit  ishte  si  i  mpirë , i  hutuar  si  mbas  një   finale  kakofonike , ku  sloganet  godisnin  si  drum. Sapo  mbriti në shtëpi, mori violinën dhe shpërtheu në një interpretim  reagues, duke i masakruar  kordat , mandej e  përplasi  atë   mbi divan dhe bërtiti : “ Çfarë  nuk kuptojnë , përse  duan  të më ndëshkojnë” ! …Diku kisha  lexuar  se  Dr.E.Kraepelin, psikiatri  i shquar gjerman,   i cili  identifikoi  paranojën  theksonte  se “ paranoja bashkëekzitonte  me narcisizmin ”. Përjetim që e vërtetonte   plotësisht  atë…Të  nesërmen  e  njoftuan   se  duhej    të  paraqitej   në   spital  për   konsultë  oftalmologjike.  E vizituam  unë , mjeku  kurues  dhe  mjeku ligjor . Mandej pamë njëri tjetrin  në  sy ,të  habitur  në  një  buzëqeshje  ironike. Diagnoza ishte  e saktë po aq  dhe mjekimi . Firmosëm të tre vertetimin  mjekësor , i vendosëm  vulën  e  spitalit   dhe e  mbyllëm  në zarf , si  cështje “ top  secret “! Kësaj ‘ tepër  intrigë  për  asgjë ’. Ja komunikuam   pacientit  dhe  i sugjeruam , të  vazhdoj  si  më parë  mjekimin e  rekomanduar. Stivi  na  falenderoi  me  respekt,   mandej  me  një  heshtje  të  lexueshme  që  fliste   mjaftë ,  u  largua  i  kënaqur . Mesa dukej  uvertura dramatike  do të  kishte  fundin  e  një ballade poetike. Në   shtëpi  ju  rikthye   violinës ,  duke   interpretuar  me   ndjenjë “ Valsin  e  dashurisë “,  të   kompozitorit   të  shquar    E.Doga , lirikë  që  e  inspironte  dhe   më    vonë  do  të    konvertohej   në  idil. Ajo  për  të  ishte   dhe   një   ekuivalente   efikase   psikoterapie ,  apo   një  rrugëdalje   nga    ai   rebus… Por stigmat e dhimbshme  të  asaj epoke  do të mbeteshin  të akumuluara  në  mend   dhe  në  shpirt  për  dekada ( mundet  dhe  si  modifikim  genetik ), duke  u   shfaqur    si   një   vegim. Dhe  mua  mu  kujtua   sentenca   alegorike  e  Kavafit : “ Si  nuk   e  pata  mendjen    kur   ata  ngritën   muret , që  pa  kuptuar  na  ndanë   nga  pjesa  tjetër  e  botës “!… Mbas disa ditësh, në  mbrëmje  në  televizion, ndoqëm  koncertin  e  ansamblit  “ Labëria “ në  një   turne  në  Prishtinë . Në  orkestër   si “ primo “ violin  ,  luante   Stivi   krenar , plot  pasion   dhe   virtuozitet . Alegoria  e  një  figuracioni   dinjitoz,  që   udhëtonte    përmes    të    drejtës   së   vet,  “ sui  juris “   dhe   reales,  duke   lënë   mbrapa   hijet … 

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 823
  • 824
  • 825
  • 826
  • 827
  • …
  • 2932
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT