• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Duke lexuar Senekën – Një mësim për lumturinë !

August 1, 2024 by s p

Luan Rama/

La vie heureuse ! Jeta e lumtur ! Në gjithë botën njerëzit duen të jenë të lumtur dhe e kërkojnë atë por lumturia ka gjithnjë një çmim. Lumturia është diçka që i përket shpirtit dhe jo botës materiale. Shumë filozofë që në mugëtirat e kohrave kanë shkruar për lumturinë por duket se Seneka, bashkëkohës i Ciceronit, Diogjenit dhe stoikëve të tjerë është më i sakti. Mjafton që mes veprave të tij të veçojmë dy traktatet e tij De Vita Beata (Jeta e lumtur) dhe De Brevietate Vitae (Jeta efemere) për të kuptuar se karakteri njerëzor ka mbetur po ai. Ja pse se mitet antike, të antikitetit grek e romak ashtu si dhe mitet e botës sonë antike mbijetojnë dhe i ndeshim shpesh në jetën tonë të përditëshme ku jo rrallë ndeshemi me sozitë e Edipit, Orestit, Andromakës, Kasandrës, Orfeut, Eumenideve e shumë të tjerë. Duket se asgjë nuk ka lëvizur që prej më shumë se dy-tre mijëvjeçarë. Po ata të nënshtruar, uzurpatorë, mbretër e perandorë dhe nxitës të luftrave. Këto dy traktate të Senekës janë padyshim mësimi më i mirë për të kuptuar botën e njeriut : « Kush nuk dëshiron të jetë i lumtur ? – pyet Seneka, – por kur duhet përcaktuar se çfarë e bën njeriun të lumtur, të gjithë nuk arrijnë të thonë të njëjtën gjë dhe humbasin në gjykimet e tyre. » Për Senekën, te jesh i lumtur do të thotë ti adoptohesh natyrës, të pranosh ligjin e natyrës dhe shëmbullin e saj. Jeta e lumtur nuk është veçse një përshtatje me natyrën. » Por siç dijmë, shpesh njeriu detyrohet të nënshtrohet dhe të bëhet instrument apo vegël në luftrat e princave apo prijësve për pushtet. « Një nga detyrat e para për të qenë i lumtur, shkruan Seneka – është të mos ndjekim të tjerët si puna e dhenve, pra e tufës që nuk shkojnë atje ku duhet por thjeshtë aty ku shkojnë të tjerët. Pasi s’ka mjerim më të madh se sa të qëndrosh konform i asaj që thuhet në publik, duke menduar se zgjidhja më e mirë është ajo që ka bërë shumica. Kjo” do të thotë të jetosh jo me arësye por sipas frymës së imitimit. Dhe kështu njerëzit nxitojnë njëri pas tjetrit në rrëmujë. Dhe ndodh që me turmën e kapur në makth njerëzit të shtypen, pasi ai që bie tërheq me vete të tjerët.”

Këto dy traktate janë padyshim jo vetëm rezultat e përvojës njerëzore por dhe i kurajos për tu kërkuar njerëzve që të mos shkojnë qorrazi në jetën e tyre, duke ndjekur turmat. Dhe dihet, ka qenë gjithnjë turma e cila ka qënë jo rrallë shkatërruese. Dhe Seneka shkruan sërish: “Ne shërohemi (dhe shkojmë drejt lumturisë) veçse nëse dallohemi nga uniformiteti (“Sanabibur, si medo separerum a coetu”). Jeta është e shkurtër thotë Seneka, diçka që e dimë të gjithë por që shpesh e harrojmë duke patur ndjesinë e përjetësisë. Aq më shumë pushtetarët, të djeshëm e të sotëm. Edhe kur kthehemi nga varrezat dhe kthjellohemi për një çast lidhur me ekzistencën tonë, ne përsëri e harrojmë që jemi të vdekshëm dhe çdo çast që jetojmë ështê jo më e tashme, por e kaluar. Ne nxitojmë drejt kohës që mbaron për secilin nga ne. “Njeriu që rend drejt bollëkut dhe voluptetit apo lavdisë kujton që jeton në botën e virtutit, por kjo nuk ndodh kur je në moshë të thyer apo i sëmurë, kur e kupton që gjithë kjo rendje është diçka e kotë…” C’thonë vallë njerëzit e pangopur nga pasuria në fundin e jetës së tyre, atëherë kur drita po shuhet dhe mbi ta ?

Lexon Senekën dhe e kupton se ajo që e bën njeriun të lumtur nuk janë shkëlqimet, narcizmi, kamja, pasuria, pushteti që të nxit për më shumë pushtet por pasuria shpirtërore. “Kur natyra do ta shuajë frymën time, – shkruan Seneka, – unë do iki nga kjo botë me ndërgjegjen se kam dashur të kem një ndërgjegje të pastër, ajo e interesave të ndershme dhe se liria e të tjerëve nuk është cunguar aspak për fajin tim.” Dhe më tutje ai shton dhe mbi atë shtresë të caktuar të të diturve, elitës, letrarëve dhe shkencëtarëve, se “filozofi apo njeriu i ditur mund të kenë pasuri por kur kjo nuk i është marrë një tjetri dhe nuk është njollosur nga gjaku i tjetrit. Ajo mund të fitohet pa bërë padrejtësira ndaj dikujt dhe pa përfitime të mbrapshta…” Ai, filozofi, njeriu i ditur, mund tu japë njerëzve të tjerë nga ajo që ai ka, qê ata të bëhen dikush… tu japë njerëzve më të denjë, për motive të drejta dhe të kuptueshme. Natyra më urdhëron që të jem i nevojshëm për njerëzit e lirë apo skllevërit kudo qofshin ata. Kudo ku ka një njeri ka vend për të dhuruar dhe qenë solidar…”

Ja pse për Senekën që të jesh i lumtur do të thotë të jesh i drejtë dhe solidar e akoma më e rëndësishme për njerëzit që luftojnë për drejtësinë dhe kur vetë ata mund të cënohen, blasfemohen, të burgosen apo të vriten. Të jesh i lumtur për Senekën do të thotë të jesh bujar dhe akoma më e rëndësishme të jesh njeri me karakter: të mbrosh dinjitetin e vetvetes. Duke shkruar për njerëzit që mbrojnë drejtësinë, kur luftojnë për të dhe kur vetë ata mund të cënohen, të burgosen apo të vriten Seneka nuk mungon të sjellë dhe shëmbullin e Sokratit grek për të mbështetur kurajon që duhet të ketë njeriu për të mbrojtur dinjitetin e tij. “Nga ai burg që e kishte shenjtêruar atë dhe e kishte bërë akoma më të nderuar se gjithë paria e qytetit, Sokrati proklamonte: “Cila është ajo çmenduri, cili është ai instinkt armiqësor i hyjnive dhe i njerëzve që të shpifë kundër virtutit dhe gjërave të shenjta përmes fjalimeve të poshtra. Nëse doni, ju njerëz mund ti lëvdoni ata, në mos, o njerëz të mirë hidhuni njëri kundër tjetrit, pasi nëse prrallisni dhe ju kundër qiellit unë nuk them se po bëni një sakrilegj por thjesht po humbni kohën tuaj. Edhe unë dikur i dhashë shkas Aristofanit për të bërë shakara. Gjithë klika e poetëve komikë prrallisën kundër meje duke thënê nga më tê këqiat… Por ishte e nevojshme që të më cytnin, harselonin, dhe këtê askush nuk mund ta kuptojë më mirë se ai që e provon këtë dhunë të turmës, pasi asnjë nuk e njeh forcën e sileksit veç atij që e punon atë. Ai tregohet njëlloj ndaj shkëmbenjve të thellësive të detit, ndaj dallgëve që shkojnë e vijnë dhe e godasin, por ato s’mund ta trondisin dhe shkatërrojnë atë. Sulmomëni, bëmëni keq! Unë do të fitoj mbi ju duke ju përballuar. Gjithçka që sulmon mbi një pengesë solide dhe të patundur, forcën e saj e përdor veç për të shkatërruar vetveten…”

Lexon Senekën sot pas dymijëvjetësh dhe kur ai flet për mbrojtjen e dinjitetit të kujtohen gjithë ata që kanë vdekur për dinjitetin e tyre dhe në kohën totalitare. I imagjinoj ata gjithnjë në “undergrand”-in e tyre të zymtê të qelive dhe burgjeve ku të dënuar për fjalën e lirë, e vetmja gjë që i bënte të lumtur ishte ndërgjegja e tyre, ishte ajo që ata nuk e ndoqën turmën por propozuan ide e projekte të reja, të tjera nga ato të liderëve. Ishte ky princip që ata nuk e shkelën dhe që ata e mbrojtën deri në fund. Një princip i lumturisë. Në dukje, gjatë gjithë historisë, shpesh princat shfaqeshin të lumtur, por në thellësi të tyre, etja për pushtet e territore te tjera apo pasuri, i bënte ata mjeranët më të mëdhenj dhe më tragjikët e të gjithë kohrave, njerëz që nuk e gêzuan jetën tokësore. Ishin makthet që nuk i lanë të shijojnë jetën e lumtur për të cilën na flet Seneka i madh.

Filed Under: Interviste

Z. Nikollë Camaj u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi

August 1, 2024 by s p

Nik Gjeloshaj/

Një tjetër fitore për Forumin Shqiptar, një tjetër fitore për shqiptarët. Z. Nikollë Camaj sot u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi, ku kjo zgjedhje përfaqëson vazhdimësinë e promovimit, faktorizimit dhe integrimit të shqiptarëve në funksionet më të larta shtetërore. E gjithë kjo është rezultat i politikës së urtë, kombëtare dhe largpamëse të Forumit Shqiptar, i cili gjithë platformën e vetë politike e fokusoi në përparimin dhe zhvillimin ekonomik të popullit shqiptar.

Me sy të lirë mund ta vëreni të gjithë ju se politika e Forumit Shqiptar ka realizuar avancimin më të madh të shqiptarëve në këto 50 vitet e fundit, dhe ky është vetëm fillimi, më e mira nuk ka ardhur ende!

Urime Nikollë, t’u priftë e mbara!

Filed Under: Rajon

“Edukim sentimental”

August 1, 2024 by s p

Portrait de l’?crivain fran?ais Gustave Flaubert. (Photo by API/Gamma-Rapho via Getty Images)

Saimir Kadiu/

“Edukimi sentimental” i Gustave Floberit është një vepër që shquhet për vëzhgimin e mprehtë të shoqërisë dhe thellësinë psikologjike me të cilën portretizohen personazhet. I botuar në 1869, romani ndjek ngjarjet e Frédéric Moreau, një të riu, i cili, përmes dashurisë dhe përvojave të tij sociale, përballet me zhgënjimet dhe kompleksitetin e jetës së të rriturve. Romani hapet me Fréderic, i cili, ende i ri dhe plot ideale, niset për në Paris me synimin për të studiuar drejtësi. Megjithatë, jeta e tij merr një drejtim të papritur kur takon Madame Arnoux, një grua e martuar me të cilën ai bie në dashuri marrëzisht. Ky takim shënon fillimin e një rrugëtimi të gjatë të rritjes emocionale dhe intelektuale për Frédéric, i cili e gjen veten duke lundruar midis pritshmërive të shoqërisë borgjeze dhe dëshirave të tij më intime.

Floberi pikturon me mjeshtëri portretin e një epoke në të cilën borgjezia është në ngritje, por edhe në të cilën individualizmi dhe materializmi fillojnë të pushtojnë. Parisi i shekullit të 19-të përshkruhet si një vend i mundësive, por edhe i korrupsionit dhe dekadencës, ku vlerat tradicionale vihen në dyshim dhe shpesh hidhen poshtë në favor të cinizmit të shfrenuar.

Rrëfimi i Floberit karakterizohet nga një stil realist dhe i detajuar, i cili nuk i kursen kritikat ndaj shoqërisë së kohës. Nëpërmjet tregimit të Frédéric, autori eksploron tema të tilla si pakenaqesite e dashurise, ambicia, besnikëria dhe tradhtia, duke i ofruar lexuesit një reflektim mbi kuptimin e edukimit sentimental dhe vështirësitë për të gjetur një ekuilibër midis idealeve dhe realitetit.

Vetë titulli i romanit është emblematik: edukimi sentimental i Frédéric nuk është vetëm një rrugë e të mësuarit emocional, por edhe një keq-edukim që e çon atë të rishqyrtojë bindjet dhe vlerat e tij.

Eshtë një histori edukimi në të kundërt, në të cilën çdo hap përpara duket i shoqëruar me një humbje, me një shkëputje nga ëndrrat rinore drejt një vetëdijeje më të pjekur dhe më të zhgënjyer.

“Edukimi sentimental” është një vepër që vazhdon t’i flasë lexuesit modern për aftësinë e tij për të kapur thelbin e gjendjes njerëzore.

Floberi, me prozën e tij elegante dhe intuitën e tij psikologjike, ofron një rrëfim që është në të njëjtën kohë një afresk historik dhe një eksplorim intim i shpirtit njerëzor.

Është një roman që meriton të lexohet dhe të rilexohet, të kapet çdo nuancë dhe të reflektohet mbi fytyrat e shumta të edukimit sentimental.

Gustave Flaubert, i lindur më 12 dhjetor 1821 në Rouen, Francë, ishte një shkrimtar francez i njohur si një nga baballarët e realizmit letrar.

I biri i një kirurgu dhe i një trashëgimtareje te pasur, Floberi filloi të shkruante në moshë të re. Pasioni për letërsinë e çoi në Paris, ku frekuentonte rrethet letrare dhe artistike, pavarësisht se ishte regjistruar në Fakultetin e Drejtësisë.

I goditur nga epilepsia në 1844, ai braktisi studimet e tij juridike për t’iu përkushtuar plotësisht shkrimit në rezidencën e tij në Croisset. Këtu ai shkroi disa nga kryeveprat e tij, duke përfshirë “Madame Bovary” (1857), e cila shkaktoi skandal për përmbajtjen e saj dhe e bëri atë të gjykohej për përbuzje të moralit dhe fesë, megjithëse më vonë u shpall i pafajshëm.

Floberi udhëtoi në Lindjen e Mesme, Greqi dhe Itali, përvoja që ndikuan në vepra si “Salammbo” (1862).

Vepra e tij “Edukimi sentimental” (1869) konsiderohet si një nga romanet më të rëndësishëm në letërsinë franceze.

Floberi vdiq nga një hemorragji cerebrale më 8 maj 1880 në Croisset.

Filed Under: Fejton

Robert Schumann, romantiku shpirttrazuar i muzikës

August 1, 2024 by s p

Albert Vataj/

“E gjithë jeta ime ka qenë një rrëmujë e vërtetë, në fillim mes poezisë dhe prozës, ndërsa tani mes muzikës dhe drejtësisë”, kësisoj i shkruan së ëmës, Robert Schumann, e cila nga ana e saj, në ngasjen për muzikën, ngulmoi më fort që i biri të ishte një muzikant, ndryshe nga dëshirimet e ngulmëta të të atit, August Schumann, i cili ishte një shkrimtar i dëgjuar dhe gëzonte një emër të vlerësuar si përkthyes, i cili gjithashtu zotëronte një bibliotekë të pasur. Nëpër këtë shteg mëdyshjesh dhe hutimi, rrëmuje dhe vërshimesh, u ngjiz Robert Schumann, kompozitori romantik gjerman, ndër më të njohurit e shekullit të XIX, i cili u lind më 8 qershor të 1810 duke i blatuar muzikës në veçanti dhe artit në përgjithësi shpirtin e tij të duhishëm.

“Brezat e ardhshëm do ta quajnë shekullin e XIX-të “periudhë të Schumann -it”. Kështu mendonte Pjotër Çaikovskij, njëri nga adhuruesit më të flaktë të romantikut të shquar gjerman, Robert Schumann.

Nistorja e një gjeniu

Në fëmijëri Robert Schumann ëndërroi një karierë si pianist virtuoz dhe për këtë filloi studimet për piano me Friedrich Wieck. Por një dëmtim në dorë, i shuan mizorisht shpresat e Robert Schumann, pianist. Së këndejmi ai hedh vështrimin drejt kompozimit, duke u lidhur përgjithmonë me muzika, duke dëshmuar kështu afrinë e tij me ëmën dhë ëndrrën e saj për rrugëtimin e të birit në Odisenë e muzikës.

Kur ai ishte vetëm 7 vjeç, hodhi për spariherë kumtin në pentagram, duke shënjuar hapin fillimor në rrugën e gjatë të amshimit. Vitet dhe mosha në të rendur do të rrëmbenin krejt këtë shpirt ëndjesh për muzikën, për t’u dhënë i gjithi këtij arti magjik, këtij atributi hyjnor të njeriut. Admirimi për Bethoven, Shubert, Mendehlson e ngulën më thellë gjurmën e Schumann në rrugëtimin drejt famës. Në fillimet e veta Schumann bënte vetëm kompozime për piano dhe te e vona filloi të realizonte kompozime për orkestra, kore, etj.

Galerina muzikore dhe kompozicionale

Opusi krijues i këtij kompozitori është i begatshëm dhe i përbërë nga veprat për piano, këngë solo, simfoni, koncerte deri tek ato të mëdha skenike opera. Një ndër format e reja e shfaqur në epokën e romantizmit janë miniaturat pianistike në të cilat ky kompozitor shpreh natyrën e tij romantike, fantazinë e tij personale. Këto vepra Robert Schumann i ka të përmbledhura në cikle e të mbështetura në program, të njohura janë: “Karnavali”, “Fluturat”, “Skena fëmijësh” dhe “Albumi për rininë”. Vepra tjera pianistike të njohura janë “Pjesët fantastike” dhe “ Etydet simfonike” dhe temë me variacione “Krajsleriana”. Ai gjithashtu kompozoi kuartete për piano, fantazi për klarinetë e piano, trio për piano, sonata për piano e violinë etj. Kompozitori paraqet zhvillimin e tyre duke përdorur kontrastet më të thjeshta e deri tek momentet dramatike. Robert Schumann gjithashtu njihet si një ndër kompozitorët e këngëve solo. Ka kompozuar rreth 130 këngë solo dhe janë të njohura ciklet “ Dashuria dhe jeta e gruas” dhe “ Dashuria e poetit”. Ka kompozuar 4 simfoni ( B dur, C dur, Es dur dhe d mol) të cilat përmbajnë tiparet tipike të Romantizmit dhe më e njohura është simfonia e 3-të e tij në Es- dur (Simfonia e Rajnës). Vepra të tjera të njohura të këtij kompozitori janë edhe ato Vokalo-instrumentale “Manfred” dhe “ Tablo nga Fausti”. Muzika e këtij kompozitori paraqet rëndësi të madhe edhe për popullin gjerman, por edhe për mbarë Evropën.

Dashuri si tjetër yshtje

Robert Schumann ka patur një marrëdhënie pasiononte me bashkëshorten, e cila nuk ishte vetëm një kuratore e epsheve por dhe një ortake e zellshme, një “ëmë” e dëshirimeve të tij për muzikën. Në vitin 1840, pas shumë diskutimesh me profesorin e tij të parë të pianos, Friedrich Wieck, Robert Schumann u martua me vajzën e tij Clara Wieck, e cila ishte gjithashtu e pasionuar pas kompozimit dhe muzikës. Ajo pati një karrierë shumë të suksesshme, ndërsa interpretoi dendur pjesë të kompozuara nga bashkëshorti i saj. I dashuruar pas Clarës ai gjente dhe frymëzimin për të shkruar mjaft kompozime, të cilat ia dedikonte asaj. Dhe për këtë ka një shpjegim, pasi deri në vitin 1840, Robert Schumann ka shkruar vetëm pjesë për piano, por vetëm në atë vit ai arriti të realizonte plot 168 kompozime, jo vetëm për piano, por dhe për orkestra e kore.

Lëkundjet psikoke dhe tentativa për vetëvrasje

Lëkundjet e psikike, degëzim i cili mbase ushqehej nga rrënjët e një fëmijërie të rrëmujshme dhe mëdyshëse, morën frerët e jetës së kompozitorit të madh. Megjithë aktivitetet koncertale, Schumann mbetet personi më i paintegruar. Shenjat e depresioneve dhe të manive te Robert Schumann tani u bënë gjithnjë e më të shpeshta. Ai rrinte gjithë natën zgjuar dhe ankohej se në kokë i buçisnin pjesë të tëra orkestrale. Megjithatë, në katër vjetët e tij në Dyseldorf ai mundi të shkruante një të tretën e gjithë veprës së tij: midis të tjerash, Koncertin sot të famshëm në botë për Violonçel, Koncertin për Violinë, Meshën op.47 dhe “Rekuiem”-in.

Robert Schumann gjate punes

Një ndërkohe, Johannes Brahms viziton Robert Schumann në Dyseldorf. Roberti entuziazmohet nga pianisti dhe kompozitori i ri dhe i shtron atij rrugën për karrierën muzikore. Një rreze drite, kësisoj u orvat t’i kthente ekuilibrin psikik këtij, por pa mundur ta paqtojë këtë shpirt të trazuar.

Robert Schumann kalon gjithnjë e më tepër në një gjendje problemesh mendore. Më 27 shkurt 1854, në një moment kur nuk e pa njeri, doli nga shtëpia për t’i bindur një demoni që e tundonte së brendshmi. Është e Hëna e Karnavaleve, kur të gjithë Rajoni i Rinit feston, askujt nuk i bie në sy burri, i cili ecën drejt Rinit, ngjitet mbi kangjella dhe hidhet në lumë. Kjo tentativë i shkon huq kompozitorit, i cili megjithatë i dorëzohet vdekjes dy vite më vonë, ndërsa trajtohej në një spital në Bon. Ky ishte Robert Schumann, romantiku shpirttrazuar.

Filed Under: Kulture

Dilema e Sokratit

August 1, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Ditët e Sokratit po i afroheshin fundit; anija fatale ishte parë të afrohen siç informohet nga miku i tij i moshuar Crito, i cili e vizitoi filozofin ende pa gdhirë; Sokrati vetë ishte paralajmëruar në ëndërr se në ditën e tretë duhej të largohej. Koha ishte e çmuar dhe Crito erdhi herët për të marrë pëlqimin e tij për një plan arratisjeje. Kjo mund të arrihej lehtësisht nga miqtë e tij, të cilët nuk do të kishin asnjë rrezik në përpjekjen për ta shpëtuar, por do të turpëroheshin përgjithmonë nëse e lejonin të vdiste. Sokratit i duhej të mendonte për detyrën ndaj familjes dhe fëmijëve të tij. Paratë ishin siguruar nga Crito, si dhe nga e të tjerë, dhe ai nuk do ta kishte të vështirë të gjente miq në Thesali dhe vende të tjera. Sokrati kishte frikë se Krito shtyhej vetëm nga mendimet e shumë njerëzve; ndërsa gjatë gjithë jetës kishte ndjekur vetëm diktatet e arsyes dhe mendimin e të vetmit të mençur, Sokratit.

Të gjitha konsideratat e humbjes së reputacionit ose dëmtimit të fëmijëve të tij duhet të hidheshin poshtë: pyetja e vetme ishte nëse ai do të kishte të drejtë për t’u arratisur.

Para se të dënohej, ata kishin mbajtur shpesh diskutime, në të cilat ishin dakord që asnjë njeri të mos bënte keq, ose të tradhtonte të drejtën. A duheshin ndryshuar këto parime sepse rrethanat e Sokratit kishin ndryshuar? Crito pranoi se ato mbeten të njëjta. Atëherë a ishte arratisja e Sokratit në përputhje me mirëqenien e tij apo të tyre? Kësaj Crito nuk ishte në gjendje ose nuk dëshirote t’i përgjigjej. Sokrati vazhdoi: – Supozoni se autoritetet e Athinës do të vinin dhe ta pyesin, ‘Pse kërkon t’i përmbysësh ligjet?’ dhe nëse ai përgjigjej, ‘Ju i keni shkelur ligjet dhe për këtë do të jepni llogari.’ A nuk u soll në botë dhe u edukua nga ndihma e tyre? Sokrati mund ta kishte lënë Athinën dhe të kishte shkuar ku të donte, por ai kishte jetuar atje për shtatëdhjetë vjet, më shumë se çdo qytetar tjetër. Edhe gjatë procesit mund të kishte propozuar internimin si dënim, por ai më pas deklaroi se preferonte vdekjen sesa internimin. Dhe ku do t’i drejtonte hapat e tij? në çdo shtet të rregulluar mirë, ku ligjet do ta konsideronin si armik. Ndoshta në një vend të keq-qeverisur, si Thesalia, Sokrati mund të mirëpritej në fillim dhe rrëfimi i pahijshëm i arratisjes së tij do të konsiderohej nga banorët si një përrallë zbavitëse. Por nëse i ofendonte, do të duhet të jepte një lloj tjetër mësimi. A do të vazhdonte të mbante leksione për virtytin? Kjo vështirë se do të ishte gjë e mirë. Dhe si do të fitonin fëmijët e tij nëse ai i merr në Thesali dhe ua hiqte shtetësimin athinaseve? Apo nëse i linte pas, a priste që miqtë e tij të kujdeseshin për ta? Ai tani mund të largohej në paqe dhe pafajësi, si një vuajtës dhe jo një bërës i së keqes. Por nëse thyente marrëveshjet dhe ia kthente të keqen me të keqe, ata do të zemëroheshin me të derisa të ishte gjallë. Ligjet e botës do ta quanin armik.

“Sokrati nuk ishte një qytetar i mirë”, kjo ishte një akuzë e ngritur kundër tij, e cila është përsëritur shpesh në epokat e mëvonshme. Krimet e Alcibiades, Critias dhe Charmides, të cilët kishin qenë nxënës të tij, ishin ende të fundit në kujtesën e demokracisë tashmë të rivendosur në Athinë. Fakti që ai kishte qenë asnjanës në luftën kundër vdekjes nuk kishte gjasa të pajtonte vullnetin e mirë popullor.

Platoni, duke shkruar ndoshta në brezin e ardhshëm, merr përsipër mbrojtjen e mikut dhe mësuesit të tij në këtë rast, jo për athinasit e kohës së tij, por për pasardhësit dhe botën në përgjithësi.

Nuk dihet nëse një incident i tillë ka ndodhur me të vërtetë, si vizita e Kritonit dhe propozimi i arratisjes; Platoni lehtë mund të kishte shpikur shumë më tepër se kaq; në përzgjedhjen e Critos, mikut të moshuar, si personi më i përshtatshëm për t’i bërë propozimin e arratisjes Sokratit – këtu duket se njohim dorën e artistit. Nëse dikush që është nënshtruar nga ligjet e vendit të tij ndaj një gjykimi të padrejtë ka të drejtë për t’u arratisur, kjo është një tezë për të cilën disa dijetarë më vonë nuk pajtoheshin. Shelley ishte i mendimit se Sokrati ‘bëri mirë që vdiq’, por jo për arsyet ‘sofistike’ siç thotë Platoni. Dhe nuk do të kishte asnjë vështirësi për të argumentuar se Sokrati duhej të kishte jetuar dhe të kishte preferuar një vdekje të lavdishme a pleqërie. “Një retorikë do të kishte pasur shumë për të thënë në lidhje me këtë pikë.” Megjithatë, mund të vërehet se Platoni kurrë nuk kishte për qëllim t’i përgjigjej pyetjes së rastësisë, por vetëm të shfaqte idealin e virtytit të durimit që refuzon të bëjë të keqen më të vogël për të shmangur më të madhen dhe për të treguar se Sokrati vdiq (vet-helmua) për mendimet dhe parimet që kishte deklaruar në jetën e tij. Jo ‘bota’, por ‘i vetmi njeri i mençur’, është ende paradoksi i Sokratit në orët e tij të fundit. Ai dukej se udhëhiqej nga arsyeja, megjithëse përfundimet e saj ishin fatale, siç u provua. Ndjenja e jashtëzakonshme se të ligjtë nuk mund të bëjnë as të mirën as të keqen, është e vërtetë, nëse merret në kuptimin, se e keqja morale, sipas Sokratit, “nuk mund ta bëjnë një njeri as të urtë dhe as injorant.”

Ky dialog i vogël është një pjesë e përsosur e dialektikës, në të cilën thënia e “parimit të përbashkët” nuk mund të shpëtojë nga përfundimi. Kjo parashikohet nga ëndrra e Sokratit dhe parodia e Homerit. Personifikimi i Ligjeve është një nga figurat më fisnike dhe më të guximshme të fjalës që ndodhin te Platoni.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 825
  • 826
  • 827
  • 828
  • 829
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT