• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR POLITIKANËT E SHQIPËRISË DHE TË KOSOVËS “PUSHTOJNË” WASHINGTONIN 

February 6, 2026 by s p

PËR — “Lutje”, kamera, turizëm politik dhe dështime politike të importuara.

Nga Frank Shkreli 

Çdo vit, pothuajse pa përjashtim, politikanë nga Tirana dhe Prishtina zbarkojnë në Washington për të marrë pjesë në të ashtuquajturin “Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve”, (National Prayer Breakfast). Këtu e kam fjalën për të gjithë dhe pa dallim, dmth – pjesëmarrës të pozitës dhe opozitës – sepse në frymën e pa-anësisë, autoritetet amerikane në bashkrendim me Fondacionin që organizon këtë tubim vjetor, ftojnë në këtë tubim përfaqësues politikë — pa dallim dhe pa preferencë politike nga shumë vende të botës, 2-3 mijë veta – përfshir trojet shqiptare, përfaqsues të pozitës dhe opozitës politike, por edhe përfaqësues nga, shoqëria civile e ente të tjera, përfshir ato fetare. 

Që nga viti 1953, Mëngjesi Kombëtar i Lutjes ka bashkuar liderë, miq dhe pjesëmarrës nga i gjithë spektri politik amerikan dhe ndërkombëtar për një qëllim të vetëm dhe të thjeshtë – lutjen!  Frank Shkreli: Fuqia e lutjeve | Gazeta Telegraf – “Tubimi është një mundësi për anëtarët e Kongresit amerikan që të lutën së bashku për Amerikën, Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe liderë të tjerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, në frymën e dashurisë dhe pajtimit, ashtu si e mësoi Jezusi i Nazaretit 2,000 vjet më parë. Çdo president i Shteteve të Bashkuara, pa marrë parasysh partinë ose bindjen fetare, ka marrë pjesë që atëherë. Të gjitha besimet janë të mirëpritura.” National Prayer Breakfast – The purpose of National Prayer Breakfast Foundation is to organize and allow members of the United States House of Representatives and the United States Senate to host an annual National Prayer Breakfast.

Ky pra është qëllimi i këtyre tubimeve kombëtare/ndërkombëtare në Washington për të gjithë të ftuarit në Mengjesin e Lutjeve, përfshir përfaqsuesit politikë e fetarë të Kombit shqiptar, si çdo vit më parë, ashtu edhe këto ditë në Washington. Nuk dua të përmend emra sepse ky shënim nuk ka në shënjestër asnjë politikan/e aktual, ose parti politike, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë.  Kam venë re se për dekada që kam punuar e jetuar në Washington, e njëjta ka ndohdur sa u përket pjesëmarrësve shqiptarë në Mengjesin e Lutjeve: e kanë përdorur këtë takim, jo aq shumë për lutje, por më shumë si një rast për promovimin politik të vetes dhe të partive plitike që ata përfaqësojnë, duke menduar gabimisht se Mengjesi i Lutjeve është një tubim zyrtar shtetëror. Gati pa përjashtim, pjesëmarrësit politikë shqiptarë në këto tubime kthehen në atdhe me valixhe plot fotografi, deklarata pompoze dhe tituj propagandistikë që ata vet shpërndajnë në rrjetet sociale dhe në mediat mbështetse të tyre në atdhe, në përpjekjet për ta “shitur” këtë event ceremonial si një sukses madhor diplomatik, për ata si individ dhe për partitë e tyre. Kthehen n atdhe edhe deklarata pompoze dhe propagandë të gatshme për konsum të brendshëm, sikur të kishin firmosur traktate shtetërore. Në realitet, nuk kanë firmosur asgjë.  E vetmja gjë që mungon sivjet, është vizita tek VOA, normalisht e doemosdoshme për politikanët shqiptarë në Washington gjatë viteve, për tu intervistuar nga redaksia shqip e Zërit të Amerikës.

Por sa për informacion për të gjithë ata, që gjatë tre dekadave të fundit, për të cilët e kam fjalën, për pjesëmarrsit pra të partive politike shqiptare këtë vit dhe në të kaluarën, realiteti i këtyre tubimeve vjetore është më i thjeshtë dhe e vërteta ndoshta pak më e hidhur. Nëqoftse mendojnë se pjesëmarrja e tyre në Mengjesin e Lutjeve dhe fotografitë me zyrtarë të lartë amerikan me shtërngim duarsh është një dëshmi influence politike, atëherë ata gënjejnë veten, por edhe më keq gënjejnë zgjedhsit shqiptarë tëcilët ata përfaqësojnë. E vërteta është se Mengjesi i Lutjeve është një ngjarje simbolike, fetare dhe publike, ku marrin pjesë mijëra të ftuar nga e gjithë bota, shumica pa asnjë rol vendimmarrës në politikën amerikane. Nuk është pra takim diplomatik as zyrtar, në asnjë kuptim të fjalës.

Por, ashtu si në të kaluarën, elita politike e Shqipërisë dhe Kosovës edhe sot këtë ritual lutjesh po e shndërrojnë në një instrument mashtrimi politik për publikun vendas. Realiteti është se Shqipëri, politikanë që flasin për “partneritet strategjik me SHBA-të” përdorin Washingtonin si sfond, ndërsa në Tiranë drejtësia mbetet e politizuar, korrupsioni mbrohet nga pushteti zgjedhjet kontestohen dhe institucionet përdoren si zgjatim partie.  Në Kosovë, ndërkohë, politikanët që predikojnë “vlera perëndimore” bëjnë selfie në Capitol Hill, ndërsa në Prishtinë: përçahen institucionet, tensionohen raportet me aleatët, relativizohet përgjegjësia shtetërore, politika e brendshme sundohet nga populizmi dhe konfrontimi politik.  Pra me gjithë fotografitë me buzqeshje të shkrepura me zyrtarë amerikanë për albume private fotografishë, sin ë Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, Washingtoni përdoret si dekor legjitimiteti, jo si burim parimesh.

Ironia është e thellë: shkojnë për t’u lutur në SHBA, por nuk qeverisin me etikë në shtëpi. Mund të luten ndoshta në grup me të tjerët për bekim ndërkombëtar, por shmangin llogaridhënien kombëtare në vendet e tyre.   Amerika, nga ana tjetër, megjithe as ajo nuk pretendon se është e përsosur, nuk e matë miqësinë me foto, as me pjesëmarrje ceremoniale.  Washingtoni zyrtar, në përgjithsi, e matë miqësinë me respekt për sundimin e ligjit, për funksionim të institucioneve, për ndarje të pushteteve dhe për mbrojtje të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor, Prandaj, për derisa këto vlera mungojnë në Shqipëri dhe Kosovë, çdo “pushtim” i Washingtonit për Mëngjesin e Lutjeve mbetet një shfaqje e zbrazët propagandistike—një lutje publike për të fshehur dështimet politike në shtëpi. Është hipokrizi, gjoja të lutesh në Mengjesin e Lutjeve në Washington, nëse qeveris kundër vlerave që përfaqëson Amerika.

Edhe njëherë pra, Mëngjesi i Lutjeve në Washington nuk është diplomaci shtetërore as nuk është takim zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Por mbi të gjitha nuk është dëshmi e mbështetjes amerikane për politikat e e njerës apo tjetrës qeveri në Tiranë e Prishtinë. Por është një tubim kombëtar/ndërkombëtar, simbolik, ceremonial, ku ftohen mijëra njerëz nga e gjithë bota—politikanë, klerikë, biznesmenë, aktivistë, shumica pa asnjë peshë reale në vendimarrjen amerikane.

Frank Shkreli

Nënë Tereza duke folur në Lutjen e Mengjesit, 3 shkurt, 1994 e rrethuar nga Presidenti Bill Clinton, Zëvëndës Presidenti Al Gore dhe udhëheqës të Kongresit amerikan

Filed Under: Komente

𝐙𝐠𝐣𝐞𝐝𝐡𝐣𝐚 𝐞 𝐆𝐞𝐨𝐫𝐠𝐞 𝐖𝐚𝐬𝐡𝐢𝐧𝐠𝐭𝐨𝐧 𝐬𝐢 𝐏𝐫𝐞𝐬𝐢𝐝𝐞𝐧𝐭𝐢 𝐢 𝐩𝐚𝐫𝐞̈ 𝐢 𝐒𝐇𝐁𝐀

February 5, 2026 by s p

𝑫𝒓. 𝑩𝒍𝒆𝒅𝒂𝒓 𝑲𝒖𝒓𝒕𝒊

(𝑨𝒍𝒖𝒎𝒏𝒊 𝒊 𝑫𝒆𝒑𝒂𝒓𝒕𝒂𝒎𝒆𝒏𝒕𝒊𝒕 𝑨𝒎𝒆𝒓𝒊𝒌𝒂𝒏 𝒕𝒆̈ 𝑺𝒉𝒕𝒆𝒕𝒊𝒕)

Më 4 shkurt 1789, George Washington u zgjodh unanimisht presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara.

Në ato zgjedhje, delegatët e shteteve e hodhën të gjithë votën e tyre për Washington-in i cili nuk u bë vetëm presidenti i parë i SHBA, por edhe i pari me këtë titull në mbarë botën sepse me hartimin e Kushtetutës amerikane, u krijua një emër dhe ofiq i ri që nuk kish ekzistuar më parë: Presidenti.

Për herë të parë në histori u krijua figura dhe detyra e Presidentit. Një shembull një u mor më pas nga shtete të tjera.

Presidenti i parë, George Washington nuk jetoi kurrë në Shtëpinë e Bardhë por ishte John Adams, presidenti i dytë (1797-1801), ai që u zhvendos në rezidencën presidenciale ende të papërfunduar. Në një letër drejtuar bashkëshortes së tij Adams shkroi:

“Lutem që Zoti t’i japë bekimet më të mira kësaj shtëpie dhe kujtdo që do të banojë në të. Askush, përveç Njerëzve të Ndershëm dhe të Urtë, mos drejtoftë kurrë nën këtë çati.”

Dekada më vonë, me insistimin e Presidentit Franklin D. Roosevelt (1933–45), ky citat u gdhend në oxhakun e dhomës zyrtare të ngrënies poshtë portretit të Abraham Lincoln.

Pavarërisht se George Washington ishte Presidenti i vetëm që nuk jetoi në Washington D.C. dhe në Shtëpinë e Bardhë, ishte ai që zgjodhi tokën dhe mbikëqyri personalisht me fanatizëm planifikimin urban të kryeqytetit amerikan që mori emrin e tij.

Washington mbetet si një simbol historik shtetarie por edhe personifikim i shpirtit, lavdisë dhe unitetit amerikan.

E pluribus unum (Nga shumë, një). Kjo është motoja e Vulës së Madhe të Shteteve të Bashkuara. 50 shtete në një. Një vend me mbi 56 mijë qeveri. Po, vërtetë, mbi 56 mijë! Me mijëra njësi qeverisje të ndara në 36 mijë qytete e qyteza, dhe 35 mijë distrikte të veçanta! Një realitet magjepsës për çdo vend tjetër, por jo për SHBA-në, ku diversiteti dhe madhësia është bashkuar në një qeveri, një komb dhe një flamur!

“Nga shumë, një” dallohet edhe në shoqërinë amerikane, një shoqëri që ka arritur një harmoni të jashtëzakonshme të marrëdhënies midis individualizmit dhe bashkësisë. Dy binome të kundërta që shkrihen në mënyrë të përsosur dhe të natyrshme në një. Individi rezervon plotësisht të drejtat e tij/saj personale e megjithatë është i lirë dhe i përgjegjshëm në komunitet, dhe pjesë e një përkatësie më të gjerë kombëtare.

“Amerikanët janë aq të dashuruar pas barazisë, sa që ata do të preferonin të ishin të barabartë në skllavëri sesa të pabarabartë në liri,” shkroi Alexis de Tocqueville në vitin 1835 në librin e tij klasik Demokracia në Amerikë.

Edhe sot, pa dallim prejardhjeje dhe përkatësie, të gjithë janë të barabartë përpara ligjit! Dhe çdo individi i ofrohet mundësia të jetë kushdo që ai ose ajo dëshiron të jetë. Çdo individ trajtohet si i denjë dhe i vlefshëm për shoqërinë.

E gjitha kjo falë vizionit dhe shembullit të lartë të shtetarisë nga etërit amerikanë, ndër të cilët, padyshim, dallon edhe George Washington.

Filed Under: Interviste

“VOA” DHE SHQIPËRIA

February 5, 2026 by s p

Prof. Afrim Krasniqi/

Radio ”Zëri i Amerikës” (VOA) u krijua në shkurt 1942. Për shqiptarët ajo është e njohur sidomos në fundin e viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90 kur u bë një prej burimi më i njohur, më i dëgjuar, më ndikues dhe më i referuar i lajmeve / komenteve mbi Shqipërinë & Kosovën. Shprehja e famshme e ish minisrit të brendshëm të kohës që ankohej në Byro se në orën 18.00 boshatisen rrugët në Tiranë për të dëgjuar VOA është simbolikë domethënëse.

Në memorien tonë politike dhe publike arkivi i VOA në programin shqip për periudhën 1989-1991 ka vlerë të vecantë dhe të rëndësishme. Kjo ishte arsyeja që më nxiti mbledhjen dhe dokumentimin e raportimeve, analizave, intervistave dhe materialeve të tjera, të cilat në pjesën më të madhe nuk janë botuar asnjëherë në mediat që lindën më vonë në Shqipëri, si dhe përgatitjen e tyre në një botim me tri vëllime. Pas dy vitesh pritjesh “procedurale dhe administrative” për botim kopjet print të vëllimit të parë janë gati për tu ndarë me publikun e interesuar. Ai i vitit 1989 dhe 1991 është në proces, deri nga fundi i këtij vitit.

Në thelbin e botimit, nuk kemi të bëjmë vetëm më riprodhim në print të materialeve audio të transmetuara nga VOA, por edhe përmes tyre, hedhjen dritë dhe dokumentimin e shumë të dhënave, dëshmive, të vertetave dhe miteve mbi individë, ngjarje, qëndrime apo teza me ndikim në zhvillohet politike të atyre viteve.

Kur nisa mbledhjen dhe përgatitjen e materialeve, VOA ishte aktive dhe personalisht pata mundësinë të isha një prej të intervistuarve në ditët e fundit të programit shqip, para se ky program dhe më pas edhe radio të mbylleshin. Brenda këtij lajmi të trishtë dhe të mungesës së VOA mund të thuhet se botimi i raportimit shqip 1989-1991 merr edhe vlerë tjetër, sidomos në aspektin dokumentar dhe historik.

Pas botimit në vitin 2020 në Institutin e Historisë të monografisë time “Kriza e Ambasadave: Shqipëria në vitin 1990”, si dhe të librit “Ditar nga Shqipëria: 1990” të autores Annarosa Manetti, ky është botimi i tretë që ka në fokus zhvillimet e viteve 1990-1991 në Shqipëri. Botimet janë pjesë e studimeve në kuadër të projektit tim shkencor monografik për periudhën 1986-1992, i cili është në proces.

Faleminderit kolegëve të Institutit të Historisë për mbështetjen e projektit, si dhe Ornelës, Mirelës dhe Mimozës për ndihmën në përgatitjen dhe realizimin teknik të botimit.

Filed Under: Politike

Grenlanda, rëndësia kritike e ishullit për mbrojtjen raketore dhe interesat gjeostrategjike të ShBA

February 5, 2026 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Qëndrimet dhe gjuha e forcës së Presidentit Trump në raport me peshën kritike që mbart Grenlanda për sigurinë e SHBA-ve, jo vetëm i kanë hedhur benzinë “zjarrit të armiqësive”, në Pekin dhe Moskë, por edhe “debateve rreth (pa) legjitimitetit ndërkombëtar”, të kancelarive, apo burokracisë evropiane. Në pamundësi për t’iu përgjigjur çdo studioje televizive të interesuar, në vijim gjeni: “përmbledhje rreth pozitës gjeografike, interesave ekonomike dhe peshës strategjike që mbart ky (super)ishull për SHBA-në, NATO-n, si dhe të shpresës ndaj Rendit të Ri të Sigurisë Globale”:

Pozita, rrethanat dhe pesha gjeostrategjike e Grenlandës:

Në vitin 1814, Grenlanda, ishulli më i madh në botë (2 herë më i madh se Franca dhe Gjermania së bashku) kaloi nën kurorën Daneze; në 1953 kapërceu statusin e “kolonisë’ si dhe në 2008, fitoi vetëqeverisje të plotë. Edhe pse në shumicë me akullnaja të pabanuara, nëntoka përmban minerale të rralla, si litium, bakër, grafit, etj, të cilat shërbejnë si lëndë thelbësore për teknologjitë moderne.

Përtej kakofonisë së të gjithëditurve dhe kudo-gjendurve në studiot televizive; përkundër makinerisë helmuese të dezinformimit, deri “deep fake”, dhe kundërshtive të z. Macron, apo dhe tmerrit të putinistëve etj, vlen të sillet në vëmendjen publike se sipërfaqja, pra tërësia territoriale e Grenlandës, është mbi 2.166 milion km² [rreth 10 herë më shumë se të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, pra RSh, Kosovë, Mali i Zi, Serbi, Bosnje-Hercegovinë dhe Maqedonia e Veriut], por me një popullsi më pak se 57 mijë banorë si dhe me GDP fare modeste, rreth 6 miliardë €.

E vendosur midis Oqeanit Arktik dhe Atlantik, si dhe në kryqëzimin e Amerikës së Veriut me Evropën. Pra nga pozita gjeostrategjike Grenlanda mban peshë thelbësore për mbrojtjen raketore të SHBA-ve, si dhe për ushtrimin e nenit 5 të NATO-s. Njëkohësisht, mbart peshë kritike në mbajtjen e supremacisë ushtarake të SHBA-ve ndaj Rusisë dhe Kinës. Prandaj, që nga Lufta e 2-Botërore, instalimet ushtarake (baza ajrore dhe hapësinore) janë pjesë integrale e sistemit të vëzhgimit dhe mbrojtjes raketore të SHBA-ve.

Duke konsideruar sipërfaqen, pozitën gjeografike, distancën (mbi 3.500 km nga Kopenhaga), si dhe (pa) fuqinë ushtarake, është e gjithëditur dhe e gjithëpranuar se Danimarka e ka tërësisht të pamundur të ushtrojë, “me vete ose qoftë edhe në Aleancë me 31 vendet e NATO-s (pa SHBA-të)”, mbrojtjen e tërësisë territoriale, të burimeve ekonomike dhe interesave gjeostrategjike të super-Ishullit, si dhe të vetēm-përballet me armiq potencialë si Rusia dhe Kina. E njëjta gjë vlen edhe në koalicion me Francën, apo edhe me të gjitha vendet e BE-së, të cilat jo vetëm që nuk janë të ekspozuara ndaj kërcënimeve që pozita gjeografike e ishullit paraqet por edhe nuk kanë fuqi ushtarake të krahasueshme me SHBA-të.

Rëndësia kritike e ishullit për mbrojtjen raketore dhe interesat gjeostrategjike të ShBA-ve:

Qasja e fortë e SHBA-ve ndaj Grenlandës nuk erdhi as brenda një viti, as vetëm gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, pasi, ashtu si rëndësia gjeostrategjike e Ishullit, edhe përpjekjet amerikane kanë qenë konstante. Kështu, SHBA-të kanë negociuar për blerjen e saj nga Danimarka për 100 milionë $ që në 1946, deri te oferta e fundit e Presidentit Trump: “100 mijë dollarë për çdo banor, ose rreth 5.7 miliardë dollarë në vitin 2025”. Danimarka e ka refuzuar me vendosmëri këto oferta, pasi “ishulli shihet si pjesë integrale e mbretërisë, si dhe e identitetit dhe sovranitetit kombëtar”. Gjithësesi, në vitin 1951 Danimarka dhe SHBA-të nënshkruan “Marrëveshjen për Mbrojtjen e Grenlandës”, e cila (pa cenuar integritetin territorial) i lejon SHBA-ve prezencë ushtarake, pra të ndërtojnë baza, si pjesë integrale e ombrellës mbrojtëse raketore/ajrore të SHBA-ve si dhe të NATO-s, sa/kurdoherë që të konsiderohet e nevojshme.

Edhe pse Presidenti Trump, kurrë nuk e ka përmendur “pushtimin ushtarak të Grenlandës”, është po ashtu fakt, që si edhe në arrestimin e bandit-Maduro, e ka bërë shumë të qartë se: “SHBA-të nuk do t’i marrin askujt leje (pêrfshi anëtarëve të KS/OKB) për të përdorur fuqinë ushtarake ndaj çdo vendi që paraqet kërcënim për integritetin territorial, standardet dhe mënyrën e jetesës së popullit amerikan”. Mendoj se ky demonstrim force, ose si vendosmëri e Projektit Trump-2: “paqe e imponuar nëpërmjet përdorimit të forcës”, shërben edhe si garanci shtesë për mbrojtjen e 32 vendeve të NATO-s (Artikulli-5).

Qasja e SHBA-ve ndaj Grenlandës tejkalon krizën e demokracisë fasadë dhe (pa) fuqine burokratike të BE, si dhe fundin pa lavdi të KS/OKB-së 1945. Për ta ilustruar, do mjaftonin disa shembuj, si gjenocidi i Srebrenicës në sy ose presencë të helmetave-blu; 22 vite negociata dhe rezoluta ndaj Ajatollahut të Iranit për ndalimin e programeve bërthamore; agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës, Shkurt 2022; arrestimi i Maduros që e kishte shndërruar Venezuelën në parajsë ruso-kineze dhe të narkoterrorizmit, duke kërcënuar jetën, sigurinë dhe interesat e SHBA-ve.

Në shtesë, lëshimi i ishujve apo territoreve kundrejt marrëveshjeve nuk përbën preçedent të panjohur. Për shembull, para 1 viti, UK ia dorëzoi Mauritius-it, Ishullin Chagos, të cilin e kishte nën administrim që nga 1815, pra për më shumë se 210 vjet. Ndërsa “revolta evropiane kundêr Trump” të kryesuar nga Franca, na kujton rezistencën ndaj detyrimit të 2% të GDP-së për mbrojtjen si dhe qëndrimet e 2019, të z. Macron: “NATO po përjeton vdekje klinike, pasi Washingtoni po i kthen shpinën Evropës”. Ndërkohë, 6 vjet më vonë, si të gjitha vendet e NATO-s, përfshi Francën, kanë kaluar nga 1 në +2% të GDP!

Mesazhe ose këmbanat që s’bien vetëm për Grenlandën:

Përkundër paranojave Enveriste “ShBA/xhandar ndërkombëtar” si dhe rendit të vjetër bazuar në “sigurinë falas/dhuratë nga SHBA-të”, në Rendin e Ri/Trump, të dominuar nga fuqia e pakonkurueshme dhe interesat e SHBA-ve: “mbrojtja e sovranitetit si dhe zhvillimi i interesave gjeopolitike të RSh-së dhe Kosovës do mund të realizohen vetëm duke forcuar më tej bashkëpunimin strategjik me SHBA-në dhe NATO”. Fatmirësisht këtë opsion e gjej të ndërthurur edhe me interesat e SHBA-ve në rajon dhe Mesdhe, si dhe reciproke ndaj mirënjohjes mbarëkombëtare për mbështetjen 114-vjeçare të SHBA-ve për pavarësinë e RSh-së dhe çlirimin e Kosovës; për anëtarësimin në NATO, ngritjen e SPAK-ut etj, si dhe: “ndaj kontributeve të RSh-së pas 1996, ku mbi 12 mijë burra dhe gra me uniformë kanë shërbyer krah trupave amerikane në Ballkan, Irak, Afganistan, Lindjen e Mesme, Gjeorgji, Ukrainë etj”.

Duke ri-duartrokitur pjemëmarrjen e RSh/Kosovës si “bashkë-themelues të Bordit Trump të Paqes; rritjen e Buxhetin të Mbrojtjes si dhe marrëveshjen (jo Aleancën!) mes Kroacisë, Kosovës dhe RSh në fushën e mbrojtjes”, faktorët shtetërorë në Tiranë dhe Prishtinë do t’i këshilloja të përulen/mi në gjunjë para historisë së përgjakshme për t’i dhënë jetë Platformës: “2-Shtete sovrane, 1-Komb i Vetëm”, e cila do të kontribuojë për paqen si dhe integrimin euroatlantik të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa përkundër rikthimit të frikshëm të garës së armatimeve në Ballkan dhe armatosjes deri në dhëmbë të Serbisë, objektivin e RSh-së për 5% të GDP-së e çmoj si legjitimitet ndërkombëtar (SHBA/NATO/BE), si dhe mundësi historike për zhvillimin e fuqisë ushtarake, ndaj çdo vendi apo aleance që kërcënon sovranitetin dhe interesat gjeopolitike të RSh-së dhe Kosovës.

Ndêrsa, për të tejkaluar këtë udhëkryq hibrid: “shtetin e kapur nga korrupsioni endemik, opozitën/kompani e falimentuar dhe neveritur”, rikthimi i besimit te demokracia funksionale dhe pushtetet e balancuara mbetet jo vetëm prioritet nr. 1, por edhe misioni jetik i mbarë shqiptarëve.

Në përmbledhje, duke përsëritur rëndësinë kritike që ka forcimi i partneritetit me SHBA-të, mbetem besimplotë se falë fuqisë ushtarake të pakonkurueshme amerikane: “shpresa e paqes, rendi i Ri global dhe vlerat e qytetërimit do të triumfojnë mbi neo-stalinistët dhe neo-millosheviçët, mbi demokracinë burokratike dhe shtetet e dështuara, si dhe mbi organizatat apo bandat narkoterroriste”.

* Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Senior Ekspert për Sigurinë dhe Mbrojtjen Kombëtare,

Ballkanin si dhe marrëdhëniet me USA/NATO.

Filed Under: Politike

AMBASADA PRANË DALLGËVE TË OQEANIT

February 5, 2026 by s p

Diplomacia e kujtesës…në prag të festës së Kosovës.

Nga Visar Zhiti

Lisbona është e bukur dhe në dimër, madje të pëlqen të endesh dhe nëpër shi mbi florën e gurëve rrugëve të gjera, kërkon të shohësh sa më shumë, t’u ngjitesh kodrave me tramin e verdhë, të shkosh në Kështjellë, në Panteon, në muzeume, në librarinë më të vjetër në botë, të futesh në kisha, atje ku ka lindur Shën Antoni, të dalësh në anën tjetër të lumit të madh, të mahnitesh në muzg me shtatoren madhështore të Krishtit Mbret, të ngjitesh me ashensor brenda piedestalit, të dalësh në taracën lart e të shohësh qytetin e pafund, çatitë e kuqe, po brenda piedestalit të futesh në Kapelë, në shitoret, te kisha poshtë, të vazhdosh me autobuzin e linjës mbi urat e gjata dhe të duash të shohësh oqeanin.

Portugalia është vend mesdhetar nga dielli dhe kultura, por dhe oqeanik nga dallgët dhe fryma…

Por unë doja të shkoja patjetë në Ambasadën e Republikës së Kosovës, e ndjeja, ishte më shumë se dëshirë, jo vetëm sepse Shqipëria nuk ka ambasadë në Portugali. Nuk ishte kureshtja, as mungesa e ambasadës tjetër dhe unë kam punuar në diplomaci, por një thirrje si nga larg, me mister dhe përmallim.

Po shkonim për atje, në Rostelo, hapësirave ku historia portugeze nuk e harron vetveten si perandori detare, pikërisht në Rua Gonçalo Velho Cabral dhe ndalim pranë një vile të bardhë. “Urdhëroni si në shtëpinë tuaj”, thonë malësorët tanë dhe kështu do të dëgjonim. Në anë të portës, mes blerimeve në mur, tabela e argjendë “Embaixada da Republica do Kosovo”, Flamuri blu me hartën e Kosovës si një gjethe e brishtë a si zemër me 6 yjet sipër. Doja t’i ledhatoja.

Ambasadorja, Dr. Edona Maloku, me bashkëshortin, Artor Berdyna, na pritën me përzemërsi si bashkatdhetarë e kolegë, me protokoll miqësor, na nxorën pije nga Kosova, na dhuruan Hyjneshën e Kosovës në fron, shumë interesante, pra emblema e një gruaje, jo shpata e pirgje, por simbol i mëmësisë dhe i pjellorisë së tokës, Dardania nuk mbart vetëm histori konflikti, por dhe burim jete dhe kulture të lashtë, po mendoja. Prandaj dhe Kosova ka në krye si presidente një grua dhe shumë gra i ka dërguar si ambasadore nëpër përfaqësitë e saj. Ndërkaq znj. Edona i jep Edës sime një medalion me qendisma të grave të traumatizuara nga lufta e fundit me serbet, që tronditën botën me genocidin, masakrat dhe përdhunimet, UÇK- po i përgjigjej luftës me luftë, por u detyrua NATO me SHBA në krye të ndërhynte ushtarakisht, e para luftë morale, që të pushonin dëbimet masive dhe të vendosej armëpushimi. Kosova u çlirua dhe shpallet Republikë.

Portugalia e njohu herët, që në 2008 Kosovën si shtet të pavaruar.

Teksa vizitojmë mjedisert e ambasadës, shohim piktura dhe relike, ambasadorja na tregon për mbresat e saj në ceremoninë e shkëmbit vjetor të urimeve Të Vitit të Ri me Presidentin e Portugalisë Marcelo Rebelo de Sousa në “Palacio Nacional da Ajuda”. Ajo me Artorin e saj ishin veshur me petkat kombëtare. Gjatë bisedimeve “i riafirmon perkushtimin e Kosovës në thellimin e marrëdhënieve diplomatike me shtetin mik të Portugalisë dhe të përparimit të prioriteve të përbashkëta…”.

Kosova jonë është shtet i ri, ka nevojë parësore njohjet, pra diplomacinë legjitimuese, që të forcojë praninë në çdo shtet njohës të BE-së. Shqipëria nuk ka ambasadë në Lisbonë, shkaqet nuk janë politike, por financiare dhe praktike, besoj. Rrjeti diplomatik shqiptar është i kufizuar, prandaj Shqipëria zgjedh, vendet fqinjë së pari, BE qendrore, Itali, Gjermani, Francë dhe SHBA patjetër, të parën.

Marrëdhëniet me Portugalinë janë miqësore, por jo intensive, mund të thonë specialistët e Ministrisë së Punëve të Jashtme, diaspora shqiptare aty është e pakët ashtu si dhe shkëmbimet ekonomike dhe zakonisht mbulohet nga “përfaqësi jo rezidente”, nga ambasadat tona pranë si ajo në Madrit dhe tani në Paris.

Marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë vetëm nota verbale, takime të nivelit të lartë e traktate, etj, etj, po mendoja, por ndjeshmëri popujsh, kulturore dhe vetëdije historike.

Kjo vizitë më vuri në mendime. Gëzueshëm. A duhet t’i them? Rrënjët e popullit të shqiptar janë më thella se mosha politike e tij.

Ambasadorja jonë e Prishtinës, përfaqësuesja e shtetit më të ri në Europë flet me qetësi e pa komplekse. Sigurisht që ajo i di, por mua më lindi dëshira të hedh disa shënime…

SHTET I RI, POPULL I LASHTË

Republika e Kosova është e re në hartën politike, por e vjetër në kujtesën e Evropës dhe të Amerikës. Gjysmë e Shqipërisë, që na dhimbet vazhdimisht shkëputja, por shtet i pavarur dhe serioz, që na bën krenar, me një popull të lashtë dardan. Pra ilirë, arbër më pas dhe tani shqiptarë. Shteti i Kosovës nuk fillon me aktet e njohjes ndërkombëtare, por me historinë kombëtare të përbashkët, me emra që i paraprijnë shteteve moderne. Pra, me të drejtë do të duhet përdorur diplomacia kulturore, morale, diplomacia e mirëkuptimit. Dhe ajo e kujtesës.

Bota Perëndimore Euroatlantike, civilizimi dhe gjithë ai zhvillim i mrekullueshëm mbështen në këto kolona kryesore:

– Në Antikitetin Helen, me artin dhe kulturën e tij, me lindjen e arsyes kritike dhe të demokracisë direkte.

– Në të Drejtën Romake, që i dha formë rendit juridik, shtetit dhe idesë se ligjit si normë universale.

– Në Shpirtin Kristian, që solli etikën e dinjitetit njerëzor dhe mëshirën, përgjegjësinë morale dhe idenë e personit.

Me Krishtin bota mori doktrinën e dashurisë.

Por ka qenë një rrugëtim i vështirë mijëvjeçarësh, me luftëra, pa mbarim, me pushtime e perandori, plaçiktje, zhdukje popujsh e gjuhësh, me skllevër dhe rrënoja, me biblioteka e strategë e konsuj e diplomaci, paqe e prishje paqeje, etj, etj. Janë djegur libra të mendimit të hershëm njerëzor, tragjedi të antikititet janë zhdukur nga sisteme e diktatura, është censuruar Homeri dhe është kryqëzuar Krishti, nërsa të krishterët janë përndjekur me shekuj.

Shqiptarët si popull i lashtë dhe si shtet janë në këtë vorbull, që zjen si gjeneza. Si fqnjë me grekërit kanë ndarë dhe fat të përbashkët me ta, legjenda e balada e gjuhë, edhe pse jane krejt të veçanta, i kanë dhënë dhe marrë njëri-tjetrit fjalë dhe heronj, arvanitasit u shquan në revolucionin grek për pavarësi, etj, etj.

Perandoria romake njeh perandorë me origjinë ilire. Ata vërtet punuan për Romën si romakë, se Iliria e pushtuar ishte pjesë e saj dhe perandoria, dihet, kujdesej që të çonte kudo njëlloj dhe “Egnatian” e saj dhe “Colesseu-n”, rrugë, ujësjellës dhe amfiteatër.

Konstandini i Madh, shekulli IV pas Krishtit, është figurë kyçe e antikitetit të vonë, ai bëri kalimin nga bota pagane romake në botën e krishterë. Me Ediktin e Milanos (313) legalizoi krishtërimin dhe vendosi themelet e Perandorisë Bizantine.

Nga ishte Konstandini i Madh? Lindi në Naissusi-n antik, Nishi i sotëm, në Serbi, por atëhere ende nuk kishin ardhur sllavët në Ballkan. Babai i tij, Konsyanci Klor, oficer i lartë romak, ishte me origjinë ilirike edhe nëna, Helena, po ashtu. Këto janë të njohura dhe gjenden në enciklopeditë më serioze të botës. Ai, pra, që i ndryshoi përgjithmonë fytyrën shpirtërore Evropës, ishte dardan, nga Kosova e sotme. Është i mjaftë ky fakt që Ballkanin, konkretisht Kosovën historike, ta heqin nga rrethinat e qytetërimit, por ta shohin dhe në qendër. Diplomacia shqiptare e Prishtinës kështu nuk shpik një identitet, po e rikujton atë.

Dua të tregoj se, kur punoja në Romë, ambasada e Serbisë çdo vit përkujtonte Konstandinin e Madh, “i dalë nga toka Serbe” me veprimtari të ndryshme, kuvende, etj, ndërsa ambasadat tona, e Shqipërisë dhe më pas e Kosovës, nuk bënin asgjë, vetëm lexonin ftesat e asaj, të Serbisë dhe diskutonin të merrnin pjesë apo jo. Por nuk duhet diskutuar që shqiptarët duhet të thërrasin Konstandinin e Madh, në akademi e konferenca e përvjetorë, në diplomaci, etj, si të tjerët që lidhen me të, në mos më shumë.

Edhe Portugalia është e krishterë.

ILIRIA QË FLET NE LISBONË

Një tjetër urë e thellë lidhëse mes këtyre hapësirave është Shën Jeronimi, përkthyesi i Biblës, mendja që i dha fjalën latinishtes së shenjtë. (Vulgata). Ai tashmë është dhe shenjti i përkthyesve. Në Lisbonë një nga monumentet më madhështore të Portugalisë dhe Europës mban emrin e tij, Manastiri i Jerónimos-it. E vizituam dhe na mahniti, vezullonte nga mermeri.

Po edhe Shën Jeronimi është ilir. Nëse Konstadnini i Madh krijoi politikën e lirë të krishtërimit, Shën Jeronimi bëri tekstin e ndërgjegjes së krishterë.

Guri flet. Arkitektura lutet. Doja të shkruaja poezi… Dhe emri i një shenjti ilir jeton në zemër të Portugalisë, në brigjet atlantikase. Vetë Ambasada e Prishtinës në Lisbonë më duket si një rikthim i asaj kujtese, të shpërndarë gjithandej.

SKËNDERBEU

DHE EUROPA E PËRBASHKËT

Gjergji ynë shfaqet si një figurë e ndritur europiane, si mbrojtës i kufirit lindor të krishtërimit, kalorës i qëndresës, që për Portugalinë detare në epokën e zbulimeve përbënte një simbol. Skënderbeu ishte aleat i ngushtë i Alfonsit V të Aragonës, mbretit të Napolit, që kishte lidhje martesore dhe politike me dinastinë portugeze të Avis-it, ashtu vepronte Europa e atëhershme, me aleanca oborresh mbretërore. Portugalia e njeh Skënderbeun përmes diplomacisë dhe kronikave iberike të shek. XV-XVI si “Principe da Albania”, “Defensor da Cristandade”. Ai u bë pjesë e këtij imagjinari kalorsiak europian, miti i një princi luftëtar që mbron qytetërimin.

Në Portugali Skenderbeu njihet kryesisht në rrethe akademike.

Edhe nëse nuk është pjesë e diskursit publik të përditshëm, ai mbetet simbol i Evropës së përbashkët, që u mbrojt përmes sakrificës, por dhe me gjak arbëror. Ambasada e Kosovës në Lisbonë ka se ç’tregon për Skënderbeun jo si legjenda e një kombi, por si hero evropian, ku takohen historitë tona, pra dhe e Portugalisë.

NËNË TEREZA VJEN DHE SI SHTATORE

Donim të shikonim statujën e Shenjtes tone në Lisbonë. Do të ishte si një takim mes shqiptarësh. Dhe në mbrëmje ambasadore Edona dhe i shoqi, Artori, bashkë me Edën time dhe mua, shkuam në Marvile, në Parque das Naçóes.

Nënë Tereza e bronztë na priste me një fëmijë ndër krahë. Ndoshta ishte një nga ata të luftës së Kosovës, mbase fëmijë i Ukrainës a i Gazës. Në krahërorin e Nënë Terezës dukej se po shikonte një ëndërr paqeje.

Nënë Tereza ka ardhur në Portugali si themeluese e “Missinaries of Carity”, ka qendruar në Lisbonë dhe në Fatima në Santuarin madhështor. ku në muzeun e tij është dhe plumbi me të cilin qëlluan në atentat Papa Vojtilën, që besonte se Madona e Fatimas ia devijoi drejtimin… Nënë Tereza aty dha porosi për dashurinë mes njerëzve dhe fuqinë e lutjes. Së fundmi ajo erdhi në Lisbonë si shtatore nga Kosova, dhuratë popullit portugez. Është vepër e skulptorit shqiptar Butrint Morina. Në ceremoninë zyrtare të përurimit ishte Presidentaja e Kosovës dhe Kryetari i Bashkisë së Lisbonës, lexoj. Është dhe një rrugë me emrin e Nënë Terezës.

A e dinë në Portugali që prindërit e saj janë nga Kosova?

ULIKSI DHE AKTORI NGA KOSOVA

Lisbonës i pëlqen fort miti i Uliksit. Qyteti e njeh veten si vend ndalese i tij në aventurën e udhëtimeve të largëta dhe të kthimit më së fundi në Itakën metaforike të tij. Sipas tyre dhe Lisbonë vjen nga emri Uliks. ((Olissipo – latinisht, qyteti i Uliksit. Olissipona – me kalimin e shekujve u bë: Lissipona, Lisboa/ Lisbona).

Po Uliksi më i bukur në kinematë e Europës ësht:e ai i aktorit kosovar, Bekim Fehmiu. Edhe sot shikohet me ëndje. Ambasadat shqiptare mund ta shfaqin kudo…

Dhe Kosova e tij ashtu si e gjithë Shqipëria janë bashkë në rrugën e kthimit për në shtëpi, në familjen e përbashkët Europiane, ku Portugalia ka shumë rëndësi dhe si një urë mes Europës, Afrikës dhe Amerikës Latine.

Roli paqësor i Portugalisë në BE shquhet, shteti me peshë morale më të madhe se ajo ekonomike. Portugalia flet me durim dhe kujtesë. Kanë se ç’të mësojë lidershipi shqiptar prej tyre.

* * *

Mësoj se Ambasada e Republikës së Kosovës në Lisbonë nuk është vetëm adresë, por hapësirë veprimtarish: takime diplomatike, ngjarje kulturore, kontakte akademike, përkujtime simbolike, mbi të gjitha ndërmjetëse në marrëdhëniet ekonomike, në arsim dhe shëndetësi, etj, në mbështetjen diplomatike mes Kosov:es dhe Portugalisë..

Diaspora e shqiptarëve këtu është e pakët, por e ndjeshme. Ne takuam një djalë të ri, Kristi Ndrio, asisten diplomatik, me nënën e tij mjeke dhe një shoqe të saj poete, Erida Gjini, që kishte përkthyer në shqip një roman të shkrimtarit më të madh të gjallë portuges, ndër më të mëdhenjtë në letërsinë bashkëkohore, Lobo Antunes, plot me vizione kaleidoskopike të Portugalisë moderne.

Sa mirë që kemi ambasadën e Kosovës, – na thanë,- vemi aty shpesh, na mbledh…

Ambasadorja Dr. Edona Maloku-Bërdyna është një intelektuale e njohur, PhD në Psikologji dhe Shkencat Sociale, është diplomuar shkëlqyer në Universitetin Leiden në Holandë, ka Master, donin ta mbanin në Hollandë në Universitet, por jo, u kthye të shërbente në Kosovën e saj, ku dhe i vëllai, Inxhinier Labinoti bashkë me babanë ishin në rreshtat heroikë të UÇK-së. Edona emërohet zv/ministre në Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion, është akademike dhe pedagoge, vlerësuar me çmime. Ajo është Kosova e pasluftës, e ëndrrës euroatlantike të popullit të saj.

DHE OQEANI NË FUND

Shkuam të vizitonim Oqeanin. E kisha soditur nga dritaret e avionit atë pafundësi ankthëruese, që e bën planetin Tokë të duket blu dhe aq i bukur nga lartësitë e universit. Brigjet e Atlantikut i kisha shkelur nga Amerika, nga Gjiri i New Yorkut e nga Bostoni, por jo nga Europa. Shtangëm. Dallgë të mëdha në Cascais vinin drejt nesh. Shkulmet si mermere të gjalla hovnin lart dhe binin duke u thërrmuar mahnitshëm.

Dallgë të tjera u turreshin shkëmbinjve si kope të bardha kuajsh dhe kërcenin shkëmbinjve dhe pastaj ujana e tyre rridhte si të ishte e kornizuar si vepër e Dalisë.

Shkuam më sipër te “Boca do Inferno” dhe aty oqenai me ato nofulla shkëmbore këndonte durimin, kështu m’u duk. Dhe s’kishte të mbaruar dialogu mes ujit dhe gurit…

Ndoshta prej pranisë së ambasadores dhe bashkëshortit të saj, Maloku-Berdyna, ndjeva Kosovë, vendin që përball dallgët. Po edhe vetë është dallgë që lëvrin dhe kërkon hapësirë e nuk ndalet.

Dhe po mendoja se s’është ky konflikti i vetëm: dallga me shkëmbin, një romantizëm sublim i pambaruar. Mbase dallgët rendin të godasin shkëmbin me etje përqafimesh, do bregun, kufirin, arritjen, Dallga dallgë dhe shkembi shkemb, të duhemi…

Edhe pse Gojë e Ferrit (Boca do Inferno), pashë dritë: dritën e vrullit dhe të përballjes dhe të vazhdimit. Kështu dhe historinë mund ta lexosh më mirë, edhe të Kosovës, jo si tragjedi e pafund, por dhe si etikë e qendresës, diplomaci e kujtesës e mësim se si të jetosh mes dallgëve pa humbur, duke dashur…

Ne do të iknim, oqeani me brigjet do të vazhdonin po ashtu, të gjëmonin madhërishëm. Po mbyllej një ditë, një udhëtim dhe një ese. Me mundësi vazhdimesh të gjithanëshme…

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • 85
  • …
  • 2930
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT