• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Çfarë ndryshoi në 51 ditë protestë?

July 22, 2026 by s p

Lutfi Dervishi/

Edhe nëse sot, pas 51 ditësh, protesta mbyllet, disa gjëra nuk kthehen më pas.

1. Krijoi një opozitë qytetare përtej opozitës institucionale dhe ndërtoi rrjete besimi mes qytetarëve, profesionistëve, artistëve, studentëve dhe sipërmarrësve që nuk ekzistonin më parë.

2. E ktheu mjedisin nga një kauzë e ambientalistëve në një çështje kombëtare dhe nxori në pah dy Shqipëri paralele, atë të interesit publik dhe atë të interesit privat.

3. E bëri flamingon simbol të rezistencës qytetare, ndoshta edhe fjalën e vitit.

4. Vendosi SPAK-un dhe GJKKO-n nën vëzhgimin dhe presionin e qytetarëve, jo vetëm të politikës.

5. Zbuloi fytyrën e një pjese të medias, kush informon, kush hesht dhe kush propagandon.

6. Riktheu diasporën në protestë, si me praninë e saj, ashtu edhe me mbështetjen publike.

7. Përmirësoi imazhin e Shqipërisë si një shoqëri që reagon dhe nuk pranon gjithçka në heshtje. Në të njëjtën kohë, dobësoi imazhin ndërkombëtar të kryeministrit si reformator modern, duke e zhvendosur vëmendjen te problemet e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe qeverisjes.

8. Krijoi një adresë të re politike. Për çdo skandal, njerëzit tashmë e dinë se përgjigjja nuk është vetëm Facebook-u, por edhe sheshi.

9. Nguliti idenë se prona private është e shenjtë, por shteti nuk është pronë private.

10. E detyroi qeverinë të dalë nga zona e rehatisë. Ministra, deputetë dhe zyrtarë që prej vitesh nuk jepnin llogari, u detyruan të dalin nëpër ekrane.

11. Rriti koston politike të çdo vendimi të diskutueshëm dhe kujtoi se edhe një shumicë parlamentare nuk e zëvendëson legjitimitetin shoqëror. Qeveria duhet të kuptojë se nuk mund të sillet si pronare e pronës publike, por si administratore e deleguar nga qytetarët.

12. Krijoi një brez të ri aktivistësh që fituan përvojë organizimi, komunikimi dhe rezistence pa qenë pjesë e partive. Tregoi se një protestë mund të jetë masive edhe pa flamuj partie e pa lider tradicional, duke bashkuar njerëz me bindje të ndryshme rreth një kauze të përbashkët.

13. E futi çështjen e Sazanit, Zvërnecit dhe mbrojtjes së bregdetit në agjendën ndërkombëtare.

14. Rihapi debatin për kufijtë e pushtetit ekzekutiv dhe kontrollin qytetar mbi të.

15. Po lë një precedent. Protestat e ardhshme nuk do të nisin nga zero, sepse modeli i organizimit dhe i qëndresës tashmë ekziston.

Protestat zakonisht maten me atë që rrëzojnë. Kjo protestë mund të matet edhe me atë që ndërtoi.

Ajo po hedh bazat e një kulture të re qytetare, dhe po ngulit idenë se njerëzit nuk janë thjesht spektatorë të vendimeve që merren për ta, por aktorë që mund t’i kundërshtojnë ato në mënyrë të organizuar.

Protesta i dha fund rolit pasiv të qytetarit përballë ekranit të televizorit apo celularit dhe u dha të gjithëve mundësinë të besojnë se reagimi i tyre ka peshë.

Mbi të gjitha, krijoi një pikë pa kthim. Që tani e tutje, çdo vendimmarrje e rëndësishme do të duhet të llogarisë edhe reagimin qytetar.

Vendi ka ndryshuar, edhe nëse jo të gjithë janë ende gati ta pranojnë.

Filed Under: Analiza

Ndahet nga jeta akademik Emin Riza, studiuesi i shquar i trashëgimisë kulturore

July 22, 2026 by s p

-Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë mesazh ngushëllimi për humbjen e akademikut Emin Riza.

Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare akademik Emin Riza, një nga studiuesit më të njohur shqiptarë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës tradicionale.

Ai lindi më 3 korrik 1937 në Shkodër. Me një karrierë të gjatë si studiues, pedagog dhe specialist në Institutin e Monumenteve të Kulturës, akad. Riza ka dhënë një kontribut të spikatur në dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë materiale shqiptare.

Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë “Qyteti–Muze i Gjirokastrës” (1980), një studim themelor mbi trashëgiminë ndërtimore të Gjirokastrës, banesat karakteristike dhe vlerat e saj si qytet-muze, si edhe “Banesa shqiptare me qoshk” (2018), monografi e botuar nga Akademia e Shkencave, e cila trajton tipologjinë e banesave popullore shqiptare me qoshk dhe vlerat e tyre arkitektonike.

Akademik Riza ishte autor i 16 monografive, pesë prej tyre në bashkautorësi, si edhe i 134 artikujve shkencorë të botuar në revista të specializuara, ndër to “Studia Albanica”, “Arkitektura popullore shqiptare” dhe “Monumentet”, ku trajtoi tipologjitë e banesave popullore, strukturat ndërtimore dhe trashëgiminë e qyteteve historike.

Ai ishte gjithashtu kryeredaktor i revistave “Studia Albanica” dhe “Monumentet”, duke nxitur botimin e studimeve mbi trashëgiminë kulturore shqiptare. Akademik Riza ishte nismëtar i Ligjit “Për trashëgiminë kulturore” dhe kryesues i grupit të punës për përgatitjen e dosjeve të Gjirokastrës dhe Beratit për UNESCO-n, ç’ka kontribuoi në përfshirjen e këtyre qyteteve në Listën e Trashëgimisë Botërore.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, akademik Emin Riza u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës dhe i Beratit. Ai ishte gjithashtu anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, një vlerësim i rëndësishëm i autoritetit të tij shkencor në mbarë hapësirën shqiptare.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Komisioni i Përhershëm i Trashëgimisë Kulturore i shprehin familjes, miqve, komunitetit akademik dhe bashkëpunëtorëve ndër vite të akademik Emin Rizës ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe njerëzore dhe shkencore.

Homazhet do të mbahen sot në ambientet e agjencisë funerale Alba 2000, pranë Medresesë. Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të zhvillohet në orën 16:00, në varrezat e Tufinës.

www.akad.gov.al

Filed Under: Sociale

REPUBLIKA E KOSOVËS NË GJYKATËN E HISTORISË DHE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE: OPINIONI I GJND-së SI VULË JURIDIKE E SOVRANITETIT

July 22, 2026 by s p

(Opinioni Këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i 22 korrikut 2010 dhe kufijtë juridikë të dialogut me Sërbinë)

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Çështja e sovranitetit të Republikës së Kosovës vazhdon të përbëjë një nga temat më të rëndësishme të debatit juridik dhe politik në Evropën Juglindore. Megjithatë, nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare dhe i së drejtës kushtetuese, sovraniteti i një shteti nuk mund të trajtohet si çështje e negociueshme ndërmjet shteteve të tjera, sepse ai përbën një element themelor të ekzistencës juridike të shtetit dhe të subjektivitetit të tij ndërkombëtar.

Ky punim analizon bazën juridike të sovranitetit të Republikës së Kosovës duke u mbështetur në parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara, në të drejtën e popujve për vetëvendosje, në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në aktet kushtetuese të Kosovës, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të vitit 2008 dhe veçanërisht në Opinionin Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të datës 22 korrik 2010.

Qëllimi i kësaj analize është të argumentojë se shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nuk ishte një akt i izoluar politik, por rezultat i një procesi të gjatë historik, kushtetues dhe ndërkombëtar, i cili përfshin zhvillimin e subjektivitetit kushtetues të Kosovës, rezistencën demokratike të viteve 1990, administrimin ndërkombëtar pas konfliktit të vitit 1999, procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar dhe konsolidimin e institucioneve shtetërore pas vitit 2008.

Në të drejtën ndërkombëtare moderne, sovraniteti nënkupton të drejtën ekskluzive të një shteti për të ushtruar autoritetin publik mbi territorin dhe popullsinë e tij, për të organizuar rendin kushtetues dhe për të zhvilluar marrëdhënie ndërkombëtare mbi bazën e barazisë juridike. Ky koncept është një nga shtyllat themelore të rendit ndërkombëtar të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe të institucionalizuar përmes Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Parimi i barazisë sovrane të shteteve, i sanksionuar në nenin 2 paragrafi 1 të Kartës së OKB-së, përcakton se të gjitha shtetet kanë të drejta dhe detyrime të barabarta në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për rrjedhojë, asnjë shtet nuk mund të pretendojë të ketë të drejtë juridike për të vendosur mbi ekzistencën, sovranitetin ose integritetin territorial të një shteti tjetër.

Në rastin e Republikës së Kosovës, sovraniteti nuk është krijuar përmes një marrëveshjeje politike me Republikën e Serbisë, por është rezultat i një procesi të ndërlikuar juridik dhe ndërkombëtar. Ky proces fillon me pozitën kushtetuese të Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974, vazhdon me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, Kushtetutën e Kaçanikut të 7 shtatorit 1990, Referendumin për Pavarësi të vitit 1991, proceset politike të viteve 1990–1999, ndërhyrjen ndërkombëtare të NATO-s, administrimin e përkohshëm sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, procesin e udhëhequr nga i Dërguari Special i OKB-së Martti Ahtisaari dhe përfundimisht shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Një rëndësi të veçantë në këtë proces ka Opinioni Këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i 22 korrikut 2010. Gjykata, duke shqyrtuar pajtueshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës me të drejtën ndërkombëtare, konstatoi se shpallja e pavarësisë nuk kishte shkelur asnjë normë të përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, as Rezolutën 1244 dhe as Kornizën Kushtetuese të administrimit ndërkombëtar.

Ky qëndrim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka rëndësi themelore juridike, sepse konfirmon se e drejta ndërkombëtare nuk përmban ndonjë ndalim të përgjithshëm ndaj deklaratave të pavarësisë. Për më tepër, Opinioni i GJND-së përbën një element të rëndësishëm në konsolidimin e argumentit se krijimi i Republikës së Kosovës është zhvilluar në kuadër të një procesi të veçantë historik dhe juridik.

Prandaj, dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të kuptohet si proces diplomatik për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy subjekteve politike me realitete të krijuara juridike, dhe jo si mekanizëm për të rihapur çështjen e ekzistencës apo sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Ky parim buron nga vetë natyra e shtetit sovran: shtetet mund të negociojnë marrëdhëniet e tyre, interesat e përbashkëta, bashkëpunimin ekonomik, çështjet humanitare dhe çështje të tjera praktike, por nuk mund të negociojnë të drejtën themelore për të ekzistuar si subjekte të së drejtës ndërkombëtare.

Për këtë arsye, sovraniteti i Republikës së Kosovës duhet të analizohet jo vetëm si realitet politik, por para së gjithash si një realitet juridik i mbështetur në normat ndërkombëtare, në zhvillimin kushtetues të saj dhe në vullnetin demokratik të qytetarëve të saj.

Baza juridike ndërkombëtare e sovranitetit të Republikës së Kosovës – Karta e OKB-së, vetëvendosja, Rezoluta 1244, Akti Final i Helsinkit dhe Konventa e Montevideos.

1. Sovraniteti si parim themelor i së drejtës ndërkombëtare

Sovraniteti është një nga konceptet themelore mbi të cilat është ndërtuar rendi juridik ndërkombëtar modern. Ai përfaqëson të drejtën e shtetit për të ushtruar autoritet të pavarur mbi territorin, popullsinë dhe institucionet e tij, si dhe për të marrë pjesë në marrëdhëniet ndërkombëtare në mënyrë të barabartë me subjektet e tjera shtetërore.

Në kuptimin juridik, sovraniteti përfshin dy dimensione të pandashme: sovranitetin e brendshëm dhe sovranitetin e jashtëm. Sovraniteti i brendshëm nënkupton kompetencën ekskluzive të shtetit për të krijuar dhe zbatuar rendin e tij juridik, ndërsa sovraniteti i jashtëm nënkupton pavarësinë e shtetit nga çdo autoritet tjetër në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ky koncept është zhvilluar historikisht që nga Paqja e Vestfalisë e vitit 1648 dhe është konsoliduar pas krijimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin 1945. Në sistemin e OKB-së, sovraniteti nuk nënkupton izolim të shtetit, por pjesëmarrje të barabartë në bashkësinë ndërkombëtare mbi bazën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare.

Për Republikën e Kosovës, ky parim ka rëndësi të veçantë, sepse statusi i saj shtetëror është ndërtuar mbi një proces të gjatë juridik dhe ndërkombëtar, i cili ka rezultuar në krijimin e një shteti me institucione funksionale, territor të përcaktuar dhe subjektivitet ndërkombëtar.

2. Karta e Kombeve të Bashkuara dhe parimi i barazisë sovrane

Karta e Kombeve të Bashkuara përbën themelin e rendit juridik ndërkombëtar bashkëkohor. Neni 2, paragrafi 1 i saj përcakton se Organizata e Kombeve të Bashkuara bazohet në parimin e barazisë sovrane të të gjitha shteteve.

Ky parim nënkupton se çdo shtet, pavarësisht madhësisë së tij territoriale, fuqisë ekonomike apo ndikimit politik, gëzon të njëjtat të drejta dhe detyrime juridike. Asnjë shtet nuk mund të ketë të drejtë të përcaktojë statusin juridik të një shteti tjetër ose të vendosë mbi sovranitetin e tij.

Po ashtu, neni 2 paragrafi 4 i Kartës së OKB-së ndalon përdorimin e forcës ose kërcënimin me forcë kundër integritetit territorial apo pavarësisë politike të çdo shteti. Ky parim është shndërruar në një normë themelore të së drejtës ndërkombëtare zakonore dhe përbën një garanci për stabilitetin ndërkombëtar.

Në këtë kuadër, Republika e Kosovës, si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, gëzon të drejtën për të ushtruar sovranitetin e saj në territorin e përcaktuar dhe për të zhvilluar marrëdhënie me shtetet e tjera mbi bazën e barazisë juridike.

3. E drejta e vetëvendosjes së popujve si bazë juridike e shtetformimit

Një nga parimet më të rëndësishme të zhvillimit të së drejtës ndërkombëtare pas Luftës së Dytë Botërore është e drejta e popujve për vetëvendosje. Ky parim është i përfshirë në nenin 1 të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe është zhvilluar më tej në dy Paktet Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut të vitit 1966.

Neni 1 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, si dhe neni 1 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, përcaktojnë se të gjithë popujt kanë të drejtë të vendosin lirisht statusin e tyre politik dhe të ndjekin zhvillimin e tyre ekonomik, shoqëror dhe kulturor.

Në rastin e Kosovës, e drejta për vetëvendosje është shprehur përmes një procesi të vazhdueshëm politik dhe kushtetues. Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, Kushtetuta e Kaçanikut e vitit 1990 dhe Referendumi për Pavarësi i vitit 1991 përbëjnë shprehje të vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës për përcaktimin e statusit të tyre.

Ky proces duhet të kuptohet në kontekstin e veçantë historik të Kosovës, ku cenimi i autonomisë kushtetuese, shkeljet masive të të drejtave të njeriut gjatë viteve 1990 dhe konflikti i vitit 1998–1999 krijuan një situatë të jashtëzakonshme juridike dhe politike, e cila çoi në ndërhyrjen ndërkombëtare dhe në procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar.

4. Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe statusi i Kosovës

Pas përfundimit të konfliktit të vitit 1999, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 1244, e cila vendosi një administratë të përkohshme ndërkombëtare në Kosovë përmes Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së (UNMIK).

Qëllimi kryesor i kësaj rezolute ishte krijimi i kushteve për paqe, siguri, ndërtimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin e një procesi politik për përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës.

Rezoluta 1244 nuk përcaktoi statusin përfundimtar të Kosovës dhe nuk përmban ndonjë dispozitë që ndalon shpalljen e pavarësisë. Ajo krijoi një regjim të përkohshëm administrimi ndërkombëtar, duke lënë të hapur çështjen e zgjidhjes përfundimtare politike dhe juridike.

Pikërisht mbi këtë bazë u zhvillua procesi ndërkombëtar i udhëhequr nga i Dërguari Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Martti Ahtisaari, i cili rezultoi me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

5. Opinioni Këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i 22 korrikut 2010

Momenti më i rëndësishëm juridik ndërkombëtar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte Opinioni Këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i datës 22 korrik 2010.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u pyet nëse Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Pas shqyrtimit të argumenteve juridike, Gjykata arriti në përfundimin se shpallja e pavarësisë nuk kishte shkelur asnjë normë të përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.

Gjykata theksoi se e drejta ndërkombëtare e përgjithshme nuk përmban ndonjë ndalim të aplikueshëm ndaj deklaratave të pavarësisë. Ajo gjithashtu konstatoi se Deklarata e Pavarësisë nuk kishte shkelur Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe as Kornizën Kushtetuese të administrimit ndërkombëtar.

Ky Opinion Këshillëdhënës ka rëndësi të jashtëzakonshme, sepse konfirmon juridikisht se krijimi i Republikës së Kosovës nuk bie ndesh me rendin juridik ndërkombëtar. Ai përbën një bazë të rëndësishme për argumentin se statusi shtetëror i Kosovës është rezultat i një procesi të veçantë historik dhe juridik.

Prandaj, pas Opinionit të GJND-së të vitit 2010, çështja juridike nuk është më nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, por si duhet të zhvillohen marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi bazën e realitetit të krijuar juridik.

Vazhdimësia kushtetuese e shtetësisë së Kosovës – nga Kushtetuta e vitit 1974 deri te Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe kufijtë kushtetues të dialogut me Serbinë.

1. Kushtetuta e vitit 1974 dhe subjektiviteti kushtetues i Kosovës

Analiza juridike e shtetësisë së Republikës së Kosovës nuk mund të kufizohet vetëm në aktin e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008. Përkundrazi, ajo duhet të vendoset në kuadrin e një zhvillimi të gjatë kushtetues dhe politik, i cili lidhet me pozitën juridike të Kosovës brenda ish-federatës jugosllave dhe me transformimet e rendit ndërkombëtar pas shpërbërjes së saj.

Kushtetuta e vitit 1974 e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës i dhanë Kosovës një pozitë të veçantë juridiko-kushtetuese. Edhe pse nuk kishte status formal të republikës federale, Kosova ushtronte kompetenca të gjera në fushën legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.

Kosova kishte Kuvendin, Qeverinë, Gjykatën Kushtetuese, institucionet e veta administrative, përfaqësim në organet federale dhe pjesëmarrje në sistemin e vendimmarrjes së federatës jugosllave. Kjo pozitë e veçantë krijoi një subjektivitet të avancuar kushtetues, i cili tejkalonte kuptimin tradicional të një autonomie administrative.

Në këtë kuptim, ndryshimet kushtetuese të vitit 1989, përmes të cilave iu suprimua autonomia e Kosovës nga regjimi i atëhershëm i Beogradit, përbënin jo vetëm një ndryshim politik, por edhe një cenim të rëndë të rendit kushtetues ekzistues dhe të pozitës juridike që Kosova kishte fituar në kuadër të federatës jugosllave.

2. Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 dhe Kushtetuta e Kaçanikut

Pas shfuqizimit të autonomisë kushtetuese të Kosovës, përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të Kosovës ndërmorën hapa institucionalë për të shprehur vullnetin politik dhe juridik të qytetarëve të saj.

Më 2 korrik 1990 u miratua Deklarata Kushtetuese, përmes së cilës Kosova shpalli vullnetin e saj për të përcaktuar statusin politik mbi bazën e parimeve demokratike dhe të së drejtës për vetëvendosje.

Ky proces vazhdoi më 7 shtator 1990 me miratimin e Kushtetutës së Kaçanikut, e cila përcaktoi Republikën e Kosovës si një subjekt politik të organizuar mbi parimet e demokracisë, ndarjes së pushteteve, mbrojtjes së të drejtave dhe sundimit të ligjit.

Nga pikëpamja juridike, Kushtetuta e Kaçanikut përfaqëson një etapë të rëndësishme në zhvillimin e vazhdimësisë kushtetuese të Kosovës. Ajo krijoi bazën normative për funksionimin e institucioneve politike dhe për artikulimin e kërkesës për një status të përcaktuar mbi bazën e vullnetit të qytetarëve.

3. Referendumi për Pavarësi i vitit 1991 dhe shprehja e vullnetit demokratik

Në shtator të vitit 1991, qytetarët e Kosovës u shprehën përmes referendumit për statusin e ardhshëm politik të vendit. Shumica dërrmuese e pjesëmarrësve votuan në favor të një Republike të pavarur dhe sovrane.

Edhe pse referendumi u zhvillua në rrethana të vështira politike dhe nuk u njoh nga autoritetet serbe të kohës, ai përfaqësonte një shprehje të drejtpërdrejtë të vullnetit politik të popullit të Kosovës.

Në të drejtën ndërkombëtare, vetëvendosja nuk realizohet vetëm përmes një akti të vetëm, por mund të shfaqet përmes një procesi të vazhdueshëm politik, juridik dhe institucional. Në këtë kuptim, referendumi i vitit 1991 ishte një hallkë e rëndësishme në procesin e formimit të subjektivitetit shtetëror të Kosovës.

4. Procesi ndërkombëtar i statusit dhe Plani i Ahtisaarit

Pas ndërhyrjes ndërkombëtare të vitit 1999 dhe vendosjes së administrimit ndërkombëtar sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, çështja e statusit të Kosovës hyri në një fazë të re juridike dhe diplomatike.

Në vitin 2005 filloi procesi ndërkombëtar për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, i udhëhequr nga i Dërguari Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari.

Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës parashihte krijimin e një shteti të pavarur, demokratik dhe multietnik, me garanci të veçanta për komunitetet joshumicë, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare.

Edhe pse ky propozim nuk u miratua përmes një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit për shkak të kundërshtimit të Federatës Ruse, ai shërbeu si bazë politike dhe juridike për ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe për hartimin e Kushtetutës së vitit 2008.

5. Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe sovraniteti shtetëror

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila hyri në fuqi më 15 qershor 2008, përbën aktin më të lartë juridik të shtetit dhe themelin e rendit kushtetues.

Neni 1 i Kushtetutës përcakton qartë: “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm.”

Kjo dispozitë ka karakter themelor kushtetues, sepse përcakton identitetin juridik të shtetit dhe kufijtë brenda të cilëve veprojnë institucionet publike. Sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial nuk janë çështje të zakonshme politike, por elemente themeluese të rendit kushtetues.

Neni 2 i Kushtetutës përcakton se sovraniteti buron nga populli dhe ushtrohet nëpërmjet institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike. Kjo do të thotë se institucionet shtetërore nuk janë pronare të sovranitetit, por bartëse të mandatit për ta ushtruar dhe mbrojtur atë.

Prandaj, asnjë institucion politik nuk mund të heqë dorë nga elementet themelore të shtetit jashtë procedurave kushtetuese, sepse sovraniteti i përket qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe është i mbrojtur nga Kushtetuta.

6. Kufijtë kushtetues të dialogut me Serbinë

Dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të zhvillohet në përputhje me rendin kushtetues të Kosovës dhe me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.

Dialogu mund të përfshijë çështje praktike me interes të ndërsjellë: bashkëpunimin ekonomik, lirinë e lëvizjes, çështjet humanitare, personat e zhdukur, energjinë, telekomunikacionin, mbrojtjen e komuniteteve dhe fusha të tjera që kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve.

Megjithatë, sovraniteti, integriteti territorial, karakteri unik i shtetit dhe rendi kushtetues i Republikës së Kosovës nuk mund të jenë objekt negociimi, sepse ato përbëjnë bazën juridike të ekzistencës së saj.

Prandaj, dialogu duhet të kuptohet si një proces ndërmjetësimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy subjekteve me realitete të ndryshme politike, jo si proces për rishqyrtimin e statusit juridik të Republikës së Kosovës.

Parimi i paprekshmërisë së kufijve, Komisioni Badinter, integriteti territorial dhe përfundimet mbi sovranitetin e Republikës së Kosovës.

1. Parimi i paprekshmërisë së kufijve në të drejtën ndërkombëtare

Një nga parimet themelore të rendit juridik ndërkombëtar bashkëkohor është respektimi i integritetit territorial dhe paprekshmëria e kufijve ndërmjet shteteve. Ky parim është zhvilluar si një mekanizëm juridik për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar, veçanërisht pas periudhave të shpërbërjeve shtetërore dhe konflikteve të armatosura.

Akti Final i Helsinkit i vitit 1975, i miratuar nga Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, përcaktoi ndër parimet themelore respektimin e sovranitetit, integritetit territorial, paprekshmërisë së kufijve, mosndërhyrjen në punët e brendshme dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.

Këto parime u bënë bazë e rendit evropian të sigurisë dhe bashkëpunimit pas Luftës së Dytë Botërore dhe veçanërisht pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Ato synojnë të pengojnë ndryshimin e kufijve përmes forcës dhe të garantojnë stabilitetin ndërmjet shteteve.

Në rastin e Republikës së Kosovës, respektimi i integritetit territorial lidhet drejtpërdrejt me parimin e sovranitetit shtetëror. Ushtrimi i autoritetit kushtetues në të gjithë territorin e Republikës nuk është çështje politike e momentit, por një detyrim që buron nga vetë natyra juridike e shtetit sovran.

2. Parimi “Uti Possidetis Juris” dhe stabiliteti i kufijve

Një koncept i rëndësishëm në të drejtën ndërkombëtare është parimi “uti possidetis juris”, sipas të cilit kufijtë administrativë ekzistues në momentin e krijimit të një shteti të ri shndërrohen në kufij ndërkombëtarë.

Ky parim fillimisht u zhvillua në proceset e dekolonizimit, por më vonë u pranua edhe në raste të tjera të transformimeve shtetërore. Qëllimi i tij është të parandalojë konfliktet territoriale dhe të sigurojë vazhdimësinë juridike të kufijve.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka trajtuar këtë parim si një instrument të rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit ndërkombëtar, duke theksuar se kufijtë nuk mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme ose përmes përdorimit të forcës.

Në procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ky parim mori rëndësi të veçantë, sepse garantoi se transformimet politike nuk mund të çonin në ndryshime territoriale të imponuara.

3. Komisioni i Arbitrazhit për Jugosllavinë (Komisioni Badinter)

Me shpërbërjen e Jugosllavisë në fillim të viteve 1990, Komuniteti Evropian themeloi Komisionin e Arbitrazhit, i njohur si Komisioni Badinter, për të dhënë opinione juridike mbi çështjet që lindën nga ky proces.

Komisioni konstatoi se federata jugosllave ndodhej në proces shpërbërjeje dhe se kufijtë ndërmjet njësive federale ekzistuese nuk mund të ndryshoheshin me forcë. Sipas qëndrimit të tij juridik, kufijtë administrativë kishin mbrojtje juridike dhe çdo ndryshim duhej të bëhej vetëm me marrëveshje të lirë ndërmjet palëve.

Edhe pse Kosova kishte një pozitë të veçantë juridike si krahinë autonome dhe jo si republikë federale, zhvillimi i saj kushtetues sipas Kushtetutës së vitit 1974 dëshmonte një nivel të lartë të subjektivitetit politik dhe juridik.

Prandaj, çështja e integritetit territorial të Kosovës duhet të shihet në kuadrin më të gjerë të parimeve që u zbatuan gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe krijimit të rendit të ri juridik në Ballkan.

4. Pse sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk mund të jetë objekt negociatash

Në teorinë dhe praktikën e së drejtës ndërkombëtare ekziston një dallim i qartë ndërmjet negociimit të marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe negociimit të vetë ekzistencës së një shteti.

Shtetet mund të negociojnë marrëveshje për bashkëpunim ekonomik, politik, teknik ose diplomatik. Ato mund të zgjidhin çështje të ndryshme praktike dhe të krijojnë mekanizma bashkëpunimi. Por ekzistenca juridike e një shteti dhe sovraniteti i tij nuk janë çështje që varen nga vullneti i një shteti tjetër.

Historia moderne ndërkombëtare dëshmon se shtetet e krijuara pas shpërbërjeve federale ose proceseve të vetëvendosjes nuk kanë negociuar të drejtën e tyre për ekzistencë. Negociatat janë zhvilluar për njohje reciproke, marrëdhënie diplomatike dhe bashkëpunim, por jo për të përcaktuar nëse një shtet ka të drejtë të ekzistojë.

Në këtë kuptim, edhe Republika e Kosovës nuk mund të negociojë vetë ekzistencën e saj shtetërore, sepse ajo mbështetet në një proces juridik ndërkombëtar, në vullnetin demokratik të qytetarëve të saj dhe në Opinionin Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010.

5. Detyrimi i institucioneve të Kosovës për forcimin e sovranitetit

Sovraniteti nuk përfaqëson vetëm një deklaratë juridike, por edhe një përgjegjësi institucionale. Një shtet sovran duhet të jetë në gjendje të ushtrojë autoritetin e tij në mënyrë efektive, të zbatojë ligjet, të garantojë sigurinë, të mbrojë rendin kushtetues dhe të sigurojë barazi për të gjithë qytetarët.

Për Republikën e Kosovës, forcimi i sovranitetit nënkupton funksionimin e plotë të institucioneve në të gjithë territorin, respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe zbatimin e standardeve demokratike evropiane.

Ushtrimi efektiv i sovranitetit nuk duhet të kuptohet si cenim i të drejtave të komuniteteve, por si mënyrë për garantimin e rendit juridik të barabartë për të gjithë qytetarët. Një shtet demokratik e dëshmon sovranitetin e tij pikërisht përmes sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore.

Analiza e së drejtës ndërkombëtare, e zhvillimit kushtetues të Kosovës dhe e praktikës ndërkombëtare dëshmon se sovraniteti i Republikës së Kosovës është rezultat i një procesi të gjatë juridik, historik dhe institucional.

Karta e Kombeve të Bashkuara, parimi i vetëvendosjes së popujve, barazia sovrane e shteteve, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, procesi i Ahtisaarit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Opinioni Këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i 22 korrikut 2010 përbëjnë bazën kryesore juridike mbi të cilën mbështetet shtetësia e Kosovës.

Opinioni i GJND-së i vitit 2010 ka një rëndësi të veçantë, sepse konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Për rrjedhojë, çështja themelore juridike nuk është më ekzistenca e shtetit të Kosovës, por ndërtimi i marrëdhënieve normale dhe të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu ndërmjet dy vendeve duhet të zhvillohet mbi bazën e barazisë juridike, respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial, duke synuar paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

Sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk është dhe nuk mund të jetë objekt negociatash, sepse ai përbën themelin juridik të ekzistencës së shtetit dhe shprehjen e vullnetit demokratik të qytetarëve të saj. Detyra e institucioneve të Kosovës është ta mbrojnë, ta forcojnë dhe ta ushtrojnë këtë sovranitet në përputhje me Kushtetutën, të drejtën ndërkombëtare dhe standardet demokratike evropiane.

Filed Under: Rajon

“Shqipëria në’ Luftën e Madhe’, 1914-1918”

July 22, 2026 by s p

Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/

botim i Akademia e Shkencave e Shqipërisë, dorëzuar për shtyp me 1 dhjetor 2024.

“Shqipëria në “Luftën e Madhe” 1914-1918” është më së pari një studim i përqëndruar në Historinë e Rrëzimit të Shtetit të Parë të Shqipërisë, (3 shtator 1914-28 shkurt 1916), ose në atë njihet ndryshe si Koha e Mbrapshtë e Shqipërisë. Së dyti, është një histori e marrëdhënieve ndërkombëtare mbi Shqipërinë për të gjithë përiudhën e Luftës së Parë Botërore, raporteve të veçanta në mes Italisë dhe Austro-Hungarisë, e qëllimeve të tyre pozitive dhe negative në fushën e politikës së jashtme, me fokus Shqipërinë. Një vëmendje të veçantë i është kushtuar analizës së pushtimeve të hapura të Greqisë, Italisë, Serbisë dhe Malit të Zi dhe tërheqjeve rrënimtare të Serbisë dhe Malit të Zi përmes Shqipërisë, në fund të vitit 1915 dhe fillim të vitit 1916. Në dy kapitujt e fundit, në mënyrë trajtohet administrimi austro-hungarez i dy të tretave të Shqipërisë dhe i një pjese të Kosovës, Malësisë, etj., dhe administrimi italian dhe francez në zonat respektive të pushtimeve të tyre në Jug të kufirit zyrtar, 1916-1918

Eshtë një studim i bazuar mbi kërkimin arkivor të pabotuar më parë, mbi dokumentacion arkivor të botuar dhe mbi arritjet e historiografisë mbi temën tonë dhe të ndërlidhurat me ate.

Studimi është i kornizuar teorikisht përmes dy lenteve vlerësuese: analizës së dështimit të shtetit dhe studimit të nacionalizmit, ndërkohë që e vendos rastin shqiptar brenda korpusit më të gjerë të literaturës mbi formimin e shteteve post-imperiale në Ballkan dhe mbi rivalitetet imperialiste në prag të Luftës së Parë Botërore, veçanërisht marrëdhënien e tensionuar midis Austro-Hungarisë dhe Italisë mbi Shqipërinë dhe kontrollin e Adriatikut, në rrethanat e 10 muajve të parë të luftës

Kështu, në pikëpamje të historisë diplomatike, një vëmëndje të posaçme i kemi kushtuar zbulimit të qëndrimeve të dy fuqive adriatikase, Italisë, nga vera e vitit 1914 deri në hyrjen e saj në luftë në maj 1915, të Austro-Hungarisë, nga fillimi i Luftës së Madhe deri në ditët e “hallit të madh” të saj me aleatin e pasigurtë, Italinë, në pranverën 1915. E gjitha kjo e lidhur me tratativat mes tyre, mes Italisë dhe vendeve të Antantës, për të pranuar copëtimin e Shqipërisë në funksion të mbajtjes së fuqisë apeninase të lidhur pas njerës ose tjetrës aleancë. Ky mision rezultoi i pamundur për Vjenën dhe relativisht fatlum për Antantën. Në Vjenë mbeti e ruajtur dhe e dokumentuar vetëm kjo “njollë” e kohës së lëkundjes së diplomacisë austro-hungareze në raport me traditën e përkrahjes së interesave kombëtare shqiptare. Përndryshe në Romë, nuk kishte vend për moral të lartë ndaj Shqipërisë. Cënimi i interesave kombëtare shqiptare kishte qenë frekuent, konstant, i alternuar me pozivitet të paqendrueshëm, bamirësi, mikpritje. Kështu, në qoftë se për klasën politike italiane, korigjimi ka ardhur me vonesë, ose ka qenë i pasigurtë, i paqendrueshëm në çdo kohë, për Vjenën zyrtare korigjimi ndodhi pak muaj me vonë, në të mirë të ribërjes administrative dhe kulturore të Shqipërisë mike.

Periudha e marrë në studim përfaqëson, para së gjithash, historinë e një vendi që nuk arriti të krijonte kohezion të qëndrueshëm shtetëror dhe kombëtar, si pasojë e trashëgimisë osmane, ndërhyrjeve të vazhdueshme të fuqive shoviniste ballkanike dhe divergjencës së interesave të Fuqive të Mëdha, të cilat fillimisht kishin qenë garantet e shtetformimit dhe të asnjanësisë së Shqipërisë, por që tashmë ishin përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin botëror. Këtij konteksti iu shtua hyrja e Italisë në luftë kundër ish-aleatëve të saj strategjikë dhe politika e saj ndaj Shqipërisë, të cilën e trajtoi si një plaçkë të mirëfilltë, duke cenuar rëndë shtetin dhe popullin shqiptar pikërisht në momentin më delikat të ekzistencës së tyre politike, kur nga ana tjetër e Adriatikut pritej mbështetje e sinqertë dhe reale.

Periudha nga 3 shtatori 1914 deri në pranverën e vitit 1916 është e ndarë në disa faza që lidhen me kontrollin e pushtetit qendror në Durrës dhe pushtimin e territorit të Shqipërisë nga fuqitë e huaja. Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi kontrollin vorio-epirotist dhe më pas, të drejtëpërdrejtë grek të Shqipërisë së Jugut, që kapërcen herë mbas herë kufirin minimal të synimeve të qarqeve shoviniste në Greqi; kemi ndërhyrjen italiane në Sazan dhe Vlorë; nga 3 shtatori 1914 deri në qershor 1915 kemi një kontroll gjithnjë në rritje dhe raprezalje në të gjithë Shqipërinë qendrore rurale dhe qytetare, shpesh herë deri në Vlorë, Berat, Elbasan, deri në Milot dhe Adriatik, nga kryengritësit otomanistë-ehlikjamistët, të kontrolluar nga agjentët xhonturqë; nga fundi i muajit qershor 1915 deri në janar 1916 ndodh pushtimi i dytë të Shkodrës nga Mali i Zi, rihyrja e Serbisë në Shqipëri, fillimisht si pushtues, me pas, në mënyrë të pandërprerë, si një hordhi e shpartalluar në të ashtuquajturën Tërheqjen e Madhe Serbe dhe Malazeze, përmes Shqipërisë, për shkak të shkatërrimeve respektive të shteteve dhe ushtrive të vendeve të lartëpërmendura; ndodh më pas pritja e madhe rraskapitëse dhe transportimi i mbetjeve të ushtrive, qeverive dhe mbretërve pa mbretëri të Serbisë dhe Malit të Zi, nga portet e Shëngjinit, Durrësit dhe Vlorës prej flotave të Italisë, Francës dhe Britanisë së Madhe, për në Korfuz dhe Itali; Së bashku me ikjen e tyre, kemi fundin e sundimit 17 mujor të Essad Pashë Toptanit në Durrës, rënien e tij, fundin e një qeverie qëndrore nominalisht shqiptare, përmbajtësisht otomaniste, praktikisht pro serbe, pro greke dhe pro italiane, mbi të gjitha, aspak nacionale, nga pikëpamja e interesave të Shqipërisë së Rilindur. Fundi i kësaj periudhe, rënia dhe largimi i faktorëve që rrënuan Principatën e Shqipërisë, është paradoksalisht, një kohë fatlume për Shqipërinë me invadimin dhe pushtimin miqësor të pjesës më të madhe të vendit prej Ushtrisë Austro-Hungareze, për shkak se, duke filluar nga marsi i vitit 1916, rifillon për këtë vend rivendosja nën fuqinë e veprimit administrativ, për pjesën më të madhe të territorit, të një linje autonome shqiptare të bazuar mbi elitën më te emancipuar dhe më të shkolluar të vendit, me frymëzim europianist, me sistematizim gjermanik, me bazament rilindas. Si kundërpeshë ndaj rolit nxitës të Austro-Hungarisë, edhe Italia dhe Franca, brenda zonave të tyre përkatëse të ndikimit, u detyruan të respektonin aspiratën e elitës shqiptare për një rindërtim shtetëror të europianizuar, të mbështetur mbi konturet e vendimmarrjes ndërkombëtare të periudhës pararendëse të luftës.

Pra, menjëherë pas këtyre dy vjetëve të kaosit, pikërisht në gjendjen e luftës, nën okupimin/administrimin austro-hungarez, do të fillonte për Shqipërinë nga Shkodra tanimë si kryeqendër, rizgjimi administrativ, arsimor, kulturor, do të rifillonte procesi i përforcimit të kohezionit kombëtar ndër shqiptarë, tashmë në një hapësirë më të gjerë të banuar prej tyre, që përfshinte edhe pjesë nga shqiptarët e Kosovës dhe ata të Malit të Zi, nën dominimin nominal të perandorisë dualiste.

Pjesa e fundit e punimit analizon periudhën e të ashtuquajturit Pushtim Miqësor Austro-Hungarez, pushtimin italian të Shqipërisë jugperëndimore, pushtimin francez të Korçës, si edhe mbylljen përfundimtare të Luftës së Madhe në kontekstin shqiptar

Ngjarjet e trajtuara në libër janë rindërtuar në rend kronologjik nga këndvështrimi faktik, mbi bazën e një korpusi të gjerë burimesh: arkivave shqiptare, austro-hungareze, britanike, italiane dhe amerikane; shtypit të kohës; kujtimeve dhe dëshmive të disa prej aktorëve dhe dëshmitarëve të atyre ditëve vendimtare; si dhe botimeve dokumentare dhe literaturës historiografike, të shfrytëzuar ose të neglizhuar nga studiuesit pararendës.

Në përmbyllje të punimit, monografia mbyllet me një kapitull përfundimtar konkluzionesh, i konceptuar si një studim i zgjeruar më vete, i cili trajton procesin e shpërbërjes së shtetit, evolucionin e nacionalizmit shqiptar në të gjithë epokën e Rilindjes dhe të Pavarësisë, si edhe konfigurimin e marrëdhënieve ndërkombëtare lidhur me Shqipërinë gjatë viteve 1914–1918.

Ky studim avancon tezën se kolapsi i Principatës së Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore nuk mund të shpjegohet vetëm nga dobësitë e brendshme ose agresioni i jashtëm, por nga ndërthurja e tre faktorëve vendimtarë: trashëgimitë strukturore të sundimit osman, “agjencisë” centrifugale të forcave kundërrevolucionare të brendshme dhe strategjive konkurruese të fqinjëve dhe Fuqive të Mëdha. Rënia e Shqipërisë në anarki më 1914–15 dhe fragmentimi i saj nën pushtime të shumëfishta mishërojnë njëkohësisht brishtësinë e një shteti të sapokrijuar dhe dilemat më të gjera të ndërtimit të shteteve post-imperiale në Ballkan. Megjithatë, Shqipëria përfaqëson një rast sui generis: pavarësisht shpërbërjes së parakohshme të pavarësisë së parë, elitat nacionaliste, diaspora patriotike dhe qendrat e modernizimit kulturor arritën të riaktivizojnë programin kombëtar në kushte nga më të pafavorshmet, por duke siguruar që ideja e shtetësisë shqiptare të mbijetonte luftën dhe të vendoste themelet për rikonstituimin e saj pas vitit 1918.

Në dy vitet që pasuan pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare shtetërore Shqipëria nuk njohu paqe. Eksperimenti i formësimit të shtetit u udhëhoq nën disa cikle vështirësish shumë të mëdha. Vendi nuk kishte një traditë politike, as edhe një entuziazëm nacional të shtrirë në të gjithë shoqërinë, as edhe qëllime të përbashkëta mes degëve të ndryshme të nacionit, as edhe ideale të tilla të ngulitura dhe të përhapura në çdo pore të shoqërisë. Faktorët shumëvjeçarë që e penguan për një zhvillim të rregulluar dhe progresiv të nacionit dhe vonuan lindjen e shtetit, sërish u ringjallën duke e dobësuar Shqipërinë në Kohën e Lindjes së Parë. Shqiptarët, me përjashtim të një pakice të ndërgjegjshme, nukleve të “Kulturës së Lartë” të përhapur si ishuj ndriçues në të gjithë vendin, si një minorancë progresiste në “detin” e pafundëm të prapambetjes, nuk sakrifikuan për mirëqënien e përgjithshme shtetërore, dinjitetin identitar personal dhe bashkësinë shtetërore të endërruar aq shumë nga rilindasit.

Rilindasve, Shtetformuesve shqiptarë, për t’i vendosur të gjithë segmentet në përputhje me imperativin nacionalist, iu deshën më shumë se disa beteja. Synimi i tyre ishte kornizimi i segmenteve në një bosht identitar dhe mjaft diplomaci me fuqitë e huaja, për ta bërë të njohur përmasën territoriale të popullit shqiptar, të drejtën e tij për shtetësi. Rilindjes Kombëtare Shqiptare, përfaqësuesve të shtetit të porsaformuar, iu desht edhe të përballoheshin me mbrojtjen e popullsisë shqiptarë të dëbuar nga trojet etnike, me shmangien e asimilimeve dhe politikat ndërhyrëse të fuqive ballkanike, posaçërisht të Perandorisë Osmane. Por mbi të gjitha, Rilindasve dhe Shtetformuesve, iu desht të përballeshin më kundërshtinë e dhunshme ndaj shtetit dhe nacionit, kuptuar si Rizgjim Identitar në një kontinent të përfshirë në modernitet dhe industrializim, të segmenteve pro-otomane të shoqërisë dhe klasës së bejlerëve vendas. Ata segmente, në këtë agim ndryshimesh në Europë dhe në Shqipëri, këmbëngulën të ndiqnin modelin oriental të sundimit dhe të mbartnin një identitet të ndryshëm në raport me popullsinë tjetër të Shqipërisë, që përkrahu indipendencën, europianizimin dhe shekullarizimin e shtetit në kufijtë nacionalë.

Fundi i Luftës së Parë Botërore ka qenë një kohë dramatike për Shqipërinë, për shkak të largimit nga skena gjeopolitike europiane të Perandorisë Austro-Hungareze. Për Shqipërinë u krijuan dy vakume të menjëhershme: së pari, ai i brendëshmi, institucional, për pjesën më të madhe të territorit, që për gati tre vite u administrua nga austriakët; së dyti, në bisedimet e paqes, Shqipëria nuk do të kishte më një zë të kualifikuar dhe besnik, pro saj, brenda fuqive të mëdha vendimarrëse. Italia, e rreshtuar përkrah vendeve fituese të Antantës, për një numër arsyesh, nuk mundej dhe nuk do ta luante dot në mënyrë të qëndrueshme, serioze dhe të vërtetë, një rol të tillë pro Shqipërisë, çështjes së saj kombëtare.

Mirëpo, edhe pse vitet pas Luftës së Parë Botërore do të jenë një sfidë e vërtetë në aspektin shtetformues për elitën nacionaliste, në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, bashkësia nacionale që do të duhej të drejtohej nga kjo udhëheqësi, pati një ftillim të ndryshëm në aspektin e vetëdijës mbi përkatësinë dhe në pranimin më të madh të parimeve mbi të cilat do të duhej të rithemelohej marrëdhënia ndërshqiptare. Nacionalizmi tanimë, në mënyrë të qartë, po mbështetej gjithnjë e më shumë, mbi parimet e elitës së Kulturës së Lartë: Europianizimi Institucional i Shtetit Indipendent, Rindertimi Identitar Albanianist, Shekullarizimi i Jetës Publike, nje drejtim i balancuar kulturalisht dhe krahinarisht i shtetit dhe mbrojtja e pakompromis e Çështjes Nacionale.

Filed Under: Histori

SHTRESAT SEMANTIKE TË POEZISË SË ASDRENIT “KOSOVËS”

July 22, 2026 by s p

Prof. Dr. Begzad Baliu/

Poezinë “Kosovës” shkrimtari postrilindas Aleksandër Stavre Drenova (1872–1947) e shkroi në një nga periudhat më të trazuara të historisë shqiptare, kur çështja e Kosovës ishte rikthyer në qendër të mendimit kombëtar. Asdreni, poet i Rilindjes së vonë dhe i periudhës së Pavarësisë, e krijoi këtë poezi në frymën e idealit të bashkimit kombëtar, duke e parë Kosovën si zemrën historike të qëndresës shqiptare dhe si simbol të lirisë së munguar. E botuar në vëllimin Psallme murgu (Bukuresht, 1930), ajo zë vend ndër krijimet më përfaqësuese të poezisë së tij atdhetare. Në të ndërthuren kujtesa historike, ideali romantik i çlirimit dhe besimi se ringritja e kombit shqiptar nuk mund të përfytyrohej pa lirinë e Kosovës. Përmes një gjuhe të pasur poetike dhe një leksiku të zgjedhur me kujdes, Asdreni e shndërroi Kosovën nga një hapësirë gjeografike në figurën qendrore të vetëdijes kombëtare shqiptare.

Në poezinë Kosovës, Asdreni nuk e ndërton figurën e Kosovës duke rrëfyer ngjarje historike, por duke ndërtuar një botë fjalësh që mbajnë mbi vete gjithë ngarkesën emocionale dhe ideore të vargut. Çdo njësi leksikore është zgjedhur për të zgjuar një përfytyrim të caktuar dhe lidhet me një fushë të veçantë kuptimore: bukurinë, trimërinë, robërinë ose shpresën. Këto nuk qëndrojnë të ndara nga njëra-tjetra; përkundrazi, ato ushqejnë njëra-tjetrën. Bukuria lind dashurinë për vendin; dashuria kërkon mbrojtje; robëria e bën të domosdoshme qëndresën; ndërsa qëndresa ushqen shpresën për liri. Pikërisht në këtë ndërthurje ndërtohet poetika e poezisë. Leksiku nuk shërben vetëm për të emërtuar botën, por bëhet vetë mënyra se si poeti e sheh, e ndien dhe e ndërton figurën e Kosovës.

Shtresa e parë e kësaj poetike është leksiku i bukurisë. Në të hyjnë fjalë dhe togfjalësha që e paraqesin Kosovën si vend të hijeshisë natyrore dhe të madhështisë shpirtërore: vend i famshëm («Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis, / Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!»); lule e bukur («Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis, / Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!»); bjeshkat dhe vjollcat («Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke»); vashë, virgjën dhe nuse («Si vashë e virgjen: nuse sikur je»); malet me borë dhe kunora («Dhe malet me bor / Mi krye i ke kunor!»); atdhe i lavduem dhe mbretnesha e Rumelis («Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis / Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!»); lule e rrallë («Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë»); zonjë («Difto-u e zonja; koha sot e don»); qielli dhe dielli («Kosovës emnin me ja ngref te qilli / Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli»); lumni («Me rrnue një Shqypni / Si zonjë në lumni.»).

Ky është një leksik i dritës, i pastërtisë dhe i madhështisë. Asdreni nuk e sheh Kosovën si një hapësirë të zakonshme gjeografike; ai e sheh si një qenie të gjallë, që herë bëhet lule, herë vashë, herë nuse, herë mbretëreshë. Edhe natyra merr pjesë në këtë personifikim. Bjeshkët, vjollcat, malet me borë dhe kunora nuk përshkruajnë vetëm peizazhin, por e stolisin Kosovën me shenjat e bukurisë dhe të dinjitetit. Në fund të kësaj ngjitjeje poetike, emri i saj ngrihet «te qilli» dhe ndriçohet nga «dilli», duke e shndërruar bukurinë e Kosovës në një vlerë që i përket jo vetëm tokës shqiptare, por edhe kujtesës së përhershme kombëtare.

Shtresa e dytë e kësaj poetike ndërtohet mbi leksikun e trimërisë dhe të qëndresës. Kjo nuk është një trimëri e rastit dhe as heroizëm individual; ajo shfaqet si virtyt i një populli të tërë dhe ndërtohet përmes një sistemi të pasur fjalësh që krijojnë idealin heroik të Kosovës. Në këtë fushë leksikore hyjnë: trimni («Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis, / Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!»); burrni, atdhe i lavduem dhe mbretnesha e Rumelis («Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis / Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!»); mbaje kryet nalt, difto-u e zonja, çohesh përseri dhe luftë t’mbarë për liri («Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon / Difto-u e zonja; koha sot e don / Ti t’çohesh përseri / N’luftë t’mbarë për liri!»); burra, selvija, sakola mali, luaj, dragoj dhe forcë («Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija, / Sakola mali, shoq në bot’ që s’kanë / Si luaj e si dragoj plot forcë që janë»); gjak dhe atdhe («Që e derdhin gjakun prrue / Atdheun për m’e shpëtue!»); bij, drojë dhe frikë («Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë / As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë»); rrebtsi, breshni dhe duhi («Anmikut kur i sulen me rrebtsi / Si breshni mi te hidhen me duhi»); gra, vasha, zana sy-mëdha dhe trimnesha («Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha / Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba»); armët, lufta, me gas, me mund dhe me dekun tuj luftue («Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue / Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!»); hutë dhe shpatë («Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë»); nder («Si ç’trimit mirë i prek / Me nder n’luftë me dek!»).

Që në vargjet e para, Asdreni e lidh fatin e Kosovës me trimninë dhe burrninë, duke e paraqitur vendin si djep të njerëzve që nuk jetojnë për lavdi personale, por për nderin e atdheut. Më tej ai e ngre figurën e luftëtarit në një shkallë pothuajse legjendare: «Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija, / Sakola mali, shoq në bot’ që s’kanë / Si luaj e si dragoj plot forcë që janë.» Krahasimi me selvinë shpreh shtatlartësinë dhe qëndrueshmërinë; sakola mali simbolizon vigjilencën dhe lirinë, ndërsa luani e dragoi e vendosin heroin në kufirin ndërmjet historisë dhe mitit. Edhe flijimi merr përmasa të jashtëzakonshme në vargjet «Që e derdhin gjakun prrue / Atdheun për m’e shpëtue!», ku gjaku nuk rrjedh si sakrificë individuale, por si lumë që ushqen lirinë e vendit. Heroizmi plotësohet me qëndrueshmërinë morale: «Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë / As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë». Sulmi i tyre nuk krahasohet me një ushtri të zakonshme, por me forcat e natyrës: «Anmikut kur i sulen me rrebtsi / Si breshni mi te hidhen me duhi.»

Veçanërisht domethënëse është prania e grave në këtë univers heroik. Në vend që t’i vendosë jashtë betejës, poeti i ngre në të njëjtën shkallë me burrat: «Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha / Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba». Ato «rrokin armët në luftë me gas tuj shkue / Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!», duke dëshmuar se trimëria nuk është privilegj i një gjinie, por virtyt i mbarë kombit. Prandaj, në fund të kësaj shtrese poetike, arma, nderi, flijimi dhe liria bashkohen në një ideal të vetëm. Në poezinë e Asdrenit heroizmi nuk mbetet cilësi e individit; ai bëhet vetë identiteti historik dhe moral i Kosovës.

Shtresa e tretë e kësaj poetike ndërtohet mbi leksikun e robërisë, të dhunës dhe të mohimit. Në këtë fushë leksikore përfshihen fjalë e togfjalësha që shënojnë pushtimin, nënshtrimin dhe përpjekjen për ta zhdukur identitetin e Kosovës: trimneshë dhe lule e rrallë («Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë / Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë»); anmiqt e motçëm («Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue»); robnue dhe zjarm («Se mjaft e kanë robnue / Dhe n’ zjarm e kanë prue!»); zgjedhë («A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë»); të huejt dhe ledhe («Që të huejt para syve të t’venë ledhe»); rrëzue, shkel dhe ba gjithë copë («Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel / Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del»); shojnë («Dhe duersh mos të lëshojn’ / Prej faqes s’dheut të t’shojn!»); Serbi e vjetër («Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë»); Maqedhoni («”Maqedhoni” do t’jerë emnin ja lanë!»); komb Shqiptar («Mendojnë pa turp kurrfarë / Se s’ka nji komb Shqiptarë!»); Kosovën e ngratë («Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë»); nanën t’lidhun kamb’ e dur («At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur»); vorrue me dhe e me gur («Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur»); lot, qan dhe ankon («Me lott qi qan e ankon / E asnji nuk i ndihmon!»); fill e vetum dhe gru e ve («Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve / Prej bijet e harrume mi ket dhe!»); turp dhe çnderu («Se ansht turp i math për ju / Të huejt me i u çnderu!»).

Në këtë pjesë të poezisë Asdreni e ndryshon krejt regjistrin e ligjërimit. Fjalët e dritës, të luleve dhe të bjeshkëve ia lënë vendin një gjuhe të rëndë, ku mbizotërojnë robëria, dhuna dhe poshtërimi. Kosova, që në fillim ishte «lule e bukur e Shqipnis» dhe «mbretnesha e Rumelis», tani është vendi që «e kanë robnue» dhe «n’ zjarm e kanë prue». Një nga fjalët më të rënda të kësaj poezie është zgjedha. Në vargun «A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë» ajo nuk shpreh vetëm nënshtrim politik; mbi të rëndon gjithë barra historike e robërisë. Pas saj vijnë foljet rrëzue, shkel dhe ba gjithë copë, të cilat e paraqesin pushtimin si një përpjekje të vetëdijshme për ta shkatërruar vendin dhe dinjitetin e tij. Po aq domethënës është edhe leksiku i mohimit. Emërtimet «Serbi e vjetër» dhe «Maqedhoni» nuk përdoren si përcaktime gjeografike, por si mjete për t’ia mohuar Kosovës emrin dhe përkatësinë e saj shqiptare.

Kjo dhunë merr përmasën e mohimit historik në vargjet «Mendojnë pa turp kurrfarë / Se s’ka nji komb Shqiptarë!», ku fjala turp nuk bie mbi viktimën, por mbi ata që përpiqen të mohojnë qenien e një kombi. Figura më tronditëse mbetet ajo e nënës: «At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur / Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur.» Këtu Kosova nuk është më vetëm një tokë e pushtuar; ajo bëhet nënë e gjallë, e lidhur, e varrosur dhe e braktisur. Vargjet «Me lott qi qan e ankon / E asnji nuk i ndihmon!» dhe «Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve / Prej bijet e harrume mi ket dhe!» e zhvendosin robërinë nga historia në dramën njerëzore. Kështu, leksiku i kësaj shtrese nuk ndërton vetëm tablonë e një pushtimi, por dramën morale të një populli që rrezikon të humbasë tokën, emrin, nënën dhe dinjitetin e vet.

Shtresa e fundit e poezisë ndërtohet mbi leksikun e shpresës, të zgjimit dhe të bashkimit kombëtar. Në këtë regjistër përfshihen: shpresë («Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija»); mbaje kryet nalt («Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon»); difto-u e zonja («Difto-u e zonja; koha sot e don»); çohesh përseri dhe luftë t’mbarë për liri («Ti t’çohesh përseri / N’luftë t’mbarë për liri!»); tokën për m’e mprue dhe anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue («Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue / Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue»); Përpara burra («Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë / Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë»); nanën («Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe / Po nanën ju kujtoni qi u ka le»); ora mbrrini dhe dita e bekueme («Sot ora mbrrini, dita e bekueme / Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!»); vent t’lirueme («Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!»); emni në qiell dhe dilli («Kosovës emnin me ja ngref te qilli / Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli»); Shqypni, zonjë dhe lumni («Me rrnue një Shqypni / Si zonjë në lumni»); çoni-u, vllazën, Geg’ e Toskë dhe flamurin («Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini / Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!»); Manastir, Shkup, Shkodër dhe Janinë («Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë / Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë»); një trup («Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë»); nder («Si ç’trimit mirë i prek / Me nder n’luftë me dek!»).

Pas fjalëve të robërisë, poezia ndryshon sërish frymëmarrje. Tani nuk mbizotërojnë më emrat e dhunës, por foljet e zgjimit dhe të veprimit. Gjithçka nis me bindjen se «Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija». Fjala shpresë nuk është një dëshirë e paqartë; ajo është besimi se Kosova mbetet forca mbi të cilën do të ndërtohet e ardhmja e kombit. Për këtë arsye poeti e thërret: «Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon», «Difto-u e zonja» dhe «Ti t’çohesh përseri / N’luftë t’mbarë për liri!». Në këto vargje nuk ka vend për dorëzim; çdo folje kërkon lëvizje, ngritje dhe veprim. Edhe thirrja «Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë / Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë» nuk synon lavdinë e luftës, por rikthimin e dinjitetit të humbur. Më tej, poeti e shtrin këtë shpresë mbi gjithë kombin shqiptar: «Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe / Po nanën ju kujtoni qi u ka le.» Figura e nënës, që pak më parë ishte e lidhur dhe e varrosur, tani bëhet arsyeja e bashkimit. Pas saj vjen çasti i rilindjes: «Sot ora mbrrini, dita e bekueme / Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!». Emri i Kosovës ngrihet «te qilli» dhe ndriçohet nga «dilli», duke u bërë simbol i ringjalljes kombëtare. Kulmi i kësaj poetike arrihet në thirrjen: «Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini / Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!».

Toponimet Manastir, Shkup, Shkodër dhe Janinë nuk qëndrojnë më si pika të ndara në hartë; ato bashkohen në vizionin e një atdheu të vetëm: «Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë / Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë.» Kështu përmbyllet edhe lëvizja e brendshme e poezisë: nga bukuria te trimëria, nga robëria te shpresa. Në fund të leximit mbetet bindja se Kosova e Asdrenit nuk është ndërtuar mbi ngjarjet, por mbi fjalët. Janë pikërisht këto fjalë – lule, trimni, gjak, robni, nanë, liri dhe flamur – që e kanë ngritur Kosovën në një nga figurat më të fuqishme të poezisë atdhetare shqiptare.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 79
  • 80
  • 81
  • 82
  • 83
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT