
Prof. Dr. Begzad Baliu/
Poezinë “Kosovës” shkrimtari postrilindas Aleksandër Stavre Drenova (1872–1947) e shkroi në një nga periudhat më të trazuara të historisë shqiptare, kur çështja e Kosovës ishte rikthyer në qendër të mendimit kombëtar. Asdreni, poet i Rilindjes së vonë dhe i periudhës së Pavarësisë, e krijoi këtë poezi në frymën e idealit të bashkimit kombëtar, duke e parë Kosovën si zemrën historike të qëndresës shqiptare dhe si simbol të lirisë së munguar. E botuar në vëllimin Psallme murgu (Bukuresht, 1930), ajo zë vend ndër krijimet më përfaqësuese të poezisë së tij atdhetare. Në të ndërthuren kujtesa historike, ideali romantik i çlirimit dhe besimi se ringritja e kombit shqiptar nuk mund të përfytyrohej pa lirinë e Kosovës. Përmes një gjuhe të pasur poetike dhe një leksiku të zgjedhur me kujdes, Asdreni e shndërroi Kosovën nga një hapësirë gjeografike në figurën qendrore të vetëdijes kombëtare shqiptare.
Në poezinë Kosovës, Asdreni nuk e ndërton figurën e Kosovës duke rrëfyer ngjarje historike, por duke ndërtuar një botë fjalësh që mbajnë mbi vete gjithë ngarkesën emocionale dhe ideore të vargut. Çdo njësi leksikore është zgjedhur për të zgjuar një përfytyrim të caktuar dhe lidhet me një fushë të veçantë kuptimore: bukurinë, trimërinë, robërinë ose shpresën. Këto nuk qëndrojnë të ndara nga njëra-tjetra; përkundrazi, ato ushqejnë njëra-tjetrën. Bukuria lind dashurinë për vendin; dashuria kërkon mbrojtje; robëria e bën të domosdoshme qëndresën; ndërsa qëndresa ushqen shpresën për liri. Pikërisht në këtë ndërthurje ndërtohet poetika e poezisë. Leksiku nuk shërben vetëm për të emërtuar botën, por bëhet vetë mënyra se si poeti e sheh, e ndien dhe e ndërton figurën e Kosovës.
Shtresa e parë e kësaj poetike është leksiku i bukurisë. Në të hyjnë fjalë dhe togfjalësha që e paraqesin Kosovën si vend të hijeshisë natyrore dhe të madhështisë shpirtërore: vend i famshëm («Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis, / Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!»); lule e bukur («Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis, / Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!»); bjeshkat dhe vjollcat («Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke»); vashë, virgjën dhe nuse («Si vashë e virgjen: nuse sikur je»); malet me borë dhe kunora («Dhe malet me bor / Mi krye i ke kunor!»); atdhe i lavduem dhe mbretnesha e Rumelis («Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis / Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!»); lule e rrallë («Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë»); zonjë («Difto-u e zonja; koha sot e don»); qielli dhe dielli («Kosovës emnin me ja ngref te qilli / Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli»); lumni («Me rrnue një Shqypni / Si zonjë në lumni.»).
Ky është një leksik i dritës, i pastërtisë dhe i madhështisë. Asdreni nuk e sheh Kosovën si një hapësirë të zakonshme gjeografike; ai e sheh si një qenie të gjallë, që herë bëhet lule, herë vashë, herë nuse, herë mbretëreshë. Edhe natyra merr pjesë në këtë personifikim. Bjeshkët, vjollcat, malet me borë dhe kunora nuk përshkruajnë vetëm peizazhin, por e stolisin Kosovën me shenjat e bukurisë dhe të dinjitetit. Në fund të kësaj ngjitjeje poetike, emri i saj ngrihet «te qilli» dhe ndriçohet nga «dilli», duke e shndërruar bukurinë e Kosovës në një vlerë që i përket jo vetëm tokës shqiptare, por edhe kujtesës së përhershme kombëtare.
Shtresa e dytë e kësaj poetike ndërtohet mbi leksikun e trimërisë dhe të qëndresës. Kjo nuk është një trimëri e rastit dhe as heroizëm individual; ajo shfaqet si virtyt i një populli të tërë dhe ndërtohet përmes një sistemi të pasur fjalësh që krijojnë idealin heroik të Kosovës. Në këtë fushë leksikore hyjnë: trimni («Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis, / Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!»); burrni, atdhe i lavduem dhe mbretnesha e Rumelis («Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis / Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!»); mbaje kryet nalt, difto-u e zonja, çohesh përseri dhe luftë t’mbarë për liri («Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon / Difto-u e zonja; koha sot e don / Ti t’çohesh përseri / N’luftë t’mbarë për liri!»); burra, selvija, sakola mali, luaj, dragoj dhe forcë («Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija, / Sakola mali, shoq në bot’ që s’kanë / Si luaj e si dragoj plot forcë që janë»); gjak dhe atdhe («Që e derdhin gjakun prrue / Atdheun për m’e shpëtue!»); bij, drojë dhe frikë («Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë / As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë»); rrebtsi, breshni dhe duhi («Anmikut kur i sulen me rrebtsi / Si breshni mi te hidhen me duhi»); gra, vasha, zana sy-mëdha dhe trimnesha («Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha / Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba»); armët, lufta, me gas, me mund dhe me dekun tuj luftue («Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue / Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!»); hutë dhe shpatë («Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë»); nder («Si ç’trimit mirë i prek / Me nder n’luftë me dek!»).
Që në vargjet e para, Asdreni e lidh fatin e Kosovës me trimninë dhe burrninë, duke e paraqitur vendin si djep të njerëzve që nuk jetojnë për lavdi personale, por për nderin e atdheut. Më tej ai e ngre figurën e luftëtarit në një shkallë pothuajse legjendare: «Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija, / Sakola mali, shoq në bot’ që s’kanë / Si luaj e si dragoj plot forcë që janë.» Krahasimi me selvinë shpreh shtatlartësinë dhe qëndrueshmërinë; sakola mali simbolizon vigjilencën dhe lirinë, ndërsa luani e dragoi e vendosin heroin në kufirin ndërmjet historisë dhe mitit. Edhe flijimi merr përmasa të jashtëzakonshme në vargjet «Që e derdhin gjakun prrue / Atdheun për m’e shpëtue!», ku gjaku nuk rrjedh si sakrificë individuale, por si lumë që ushqen lirinë e vendit. Heroizmi plotësohet me qëndrueshmërinë morale: «Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë / As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë». Sulmi i tyre nuk krahasohet me një ushtri të zakonshme, por me forcat e natyrës: «Anmikut kur i sulen me rrebtsi / Si breshni mi te hidhen me duhi.»
Veçanërisht domethënëse është prania e grave në këtë univers heroik. Në vend që t’i vendosë jashtë betejës, poeti i ngre në të njëjtën shkallë me burrat: «Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha / Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba». Ato «rrokin armët në luftë me gas tuj shkue / Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!», duke dëshmuar se trimëria nuk është privilegj i një gjinie, por virtyt i mbarë kombit. Prandaj, në fund të kësaj shtrese poetike, arma, nderi, flijimi dhe liria bashkohen në një ideal të vetëm. Në poezinë e Asdrenit heroizmi nuk mbetet cilësi e individit; ai bëhet vetë identiteti historik dhe moral i Kosovës.
Shtresa e tretë e kësaj poetike ndërtohet mbi leksikun e robërisë, të dhunës dhe të mohimit. Në këtë fushë leksikore përfshihen fjalë e togfjalësha që shënojnë pushtimin, nënshtrimin dhe përpjekjen për ta zhdukur identitetin e Kosovës: trimneshë dhe lule e rrallë («Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë / Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë»); anmiqt e motçëm («Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue»); robnue dhe zjarm («Se mjaft e kanë robnue / Dhe n’ zjarm e kanë prue!»); zgjedhë («A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë»); të huejt dhe ledhe («Që të huejt para syve të t’venë ledhe»); rrëzue, shkel dhe ba gjithë copë («Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel / Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del»); shojnë («Dhe duersh mos të lëshojn’ / Prej faqes s’dheut të t’shojn!»); Serbi e vjetër («Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë»); Maqedhoni («”Maqedhoni” do t’jerë emnin ja lanë!»); komb Shqiptar («Mendojnë pa turp kurrfarë / Se s’ka nji komb Shqiptarë!»); Kosovën e ngratë («Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë»); nanën t’lidhun kamb’ e dur («At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur»); vorrue me dhe e me gur («Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur»); lot, qan dhe ankon («Me lott qi qan e ankon / E asnji nuk i ndihmon!»); fill e vetum dhe gru e ve («Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve / Prej bijet e harrume mi ket dhe!»); turp dhe çnderu («Se ansht turp i math për ju / Të huejt me i u çnderu!»).
Në këtë pjesë të poezisë Asdreni e ndryshon krejt regjistrin e ligjërimit. Fjalët e dritës, të luleve dhe të bjeshkëve ia lënë vendin një gjuhe të rëndë, ku mbizotërojnë robëria, dhuna dhe poshtërimi. Kosova, që në fillim ishte «lule e bukur e Shqipnis» dhe «mbretnesha e Rumelis», tani është vendi që «e kanë robnue» dhe «n’ zjarm e kanë prue». Një nga fjalët më të rënda të kësaj poezie është zgjedha. Në vargun «A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë» ajo nuk shpreh vetëm nënshtrim politik; mbi të rëndon gjithë barra historike e robërisë. Pas saj vijnë foljet rrëzue, shkel dhe ba gjithë copë, të cilat e paraqesin pushtimin si një përpjekje të vetëdijshme për ta shkatërruar vendin dhe dinjitetin e tij. Po aq domethënës është edhe leksiku i mohimit. Emërtimet «Serbi e vjetër» dhe «Maqedhoni» nuk përdoren si përcaktime gjeografike, por si mjete për t’ia mohuar Kosovës emrin dhe përkatësinë e saj shqiptare.
Kjo dhunë merr përmasën e mohimit historik në vargjet «Mendojnë pa turp kurrfarë / Se s’ka nji komb Shqiptarë!», ku fjala turp nuk bie mbi viktimën, por mbi ata që përpiqen të mohojnë qenien e një kombi. Figura më tronditëse mbetet ajo e nënës: «At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur / Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur.» Këtu Kosova nuk është më vetëm një tokë e pushtuar; ajo bëhet nënë e gjallë, e lidhur, e varrosur dhe e braktisur. Vargjet «Me lott qi qan e ankon / E asnji nuk i ndihmon!» dhe «Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve / Prej bijet e harrume mi ket dhe!» e zhvendosin robërinë nga historia në dramën njerëzore. Kështu, leksiku i kësaj shtrese nuk ndërton vetëm tablonë e një pushtimi, por dramën morale të një populli që rrezikon të humbasë tokën, emrin, nënën dhe dinjitetin e vet.
Shtresa e fundit e poezisë ndërtohet mbi leksikun e shpresës, të zgjimit dhe të bashkimit kombëtar. Në këtë regjistër përfshihen: shpresë («Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija»); mbaje kryet nalt («Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon»); difto-u e zonja («Difto-u e zonja; koha sot e don»); çohesh përseri dhe luftë t’mbarë për liri («Ti t’çohesh përseri / N’luftë t’mbarë për liri!»); tokën për m’e mprue dhe anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue («Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue / Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue»); Përpara burra («Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë / Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë»); nanën («Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe / Po nanën ju kujtoni qi u ka le»); ora mbrrini dhe dita e bekueme («Sot ora mbrrini, dita e bekueme / Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!»); vent t’lirueme («Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!»); emni në qiell dhe dilli («Kosovës emnin me ja ngref te qilli / Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli»); Shqypni, zonjë dhe lumni («Me rrnue një Shqypni / Si zonjë në lumni»); çoni-u, vllazën, Geg’ e Toskë dhe flamurin («Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini / Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!»); Manastir, Shkup, Shkodër dhe Janinë («Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë / Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë»); një trup («Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë»); nder («Si ç’trimit mirë i prek / Me nder n’luftë me dek!»).
Pas fjalëve të robërisë, poezia ndryshon sërish frymëmarrje. Tani nuk mbizotërojnë më emrat e dhunës, por foljet e zgjimit dhe të veprimit. Gjithçka nis me bindjen se «Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija». Fjala shpresë nuk është një dëshirë e paqartë; ajo është besimi se Kosova mbetet forca mbi të cilën do të ndërtohet e ardhmja e kombit. Për këtë arsye poeti e thërret: «Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon», «Difto-u e zonja» dhe «Ti t’çohesh përseri / N’luftë t’mbarë për liri!». Në këto vargje nuk ka vend për dorëzim; çdo folje kërkon lëvizje, ngritje dhe veprim. Edhe thirrja «Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë / Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë» nuk synon lavdinë e luftës, por rikthimin e dinjitetit të humbur. Më tej, poeti e shtrin këtë shpresë mbi gjithë kombin shqiptar: «Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe / Po nanën ju kujtoni qi u ka le.» Figura e nënës, që pak më parë ishte e lidhur dhe e varrosur, tani bëhet arsyeja e bashkimit. Pas saj vjen çasti i rilindjes: «Sot ora mbrrini, dita e bekueme / Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!». Emri i Kosovës ngrihet «te qilli» dhe ndriçohet nga «dilli», duke u bërë simbol i ringjalljes kombëtare. Kulmi i kësaj poetike arrihet në thirrjen: «Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini / Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!».
Toponimet Manastir, Shkup, Shkodër dhe Janinë nuk qëndrojnë më si pika të ndara në hartë; ato bashkohen në vizionin e një atdheu të vetëm: «Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë / Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë.» Kështu përmbyllet edhe lëvizja e brendshme e poezisë: nga bukuria te trimëria, nga robëria te shpresa. Në fund të leximit mbetet bindja se Kosova e Asdrenit nuk është ndërtuar mbi ngjarjet, por mbi fjalët. Janë pikërisht këto fjalë – lule, trimni, gjak, robni, nanë, liri dhe flamur – që e kanë ngritur Kosovën në një nga figurat më të fuqishme të poezisë atdhetare shqiptare.