• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË ARTIST ARGJENDAR SHQIPTAR  I SUKSESSHËM NË SHBA

October 22, 2024 by s p

Kristaq BALLI

22154275_1819047631442230_2477756115395150639_n+.png

Dardha

Në fillim të shekullit  XX Dardha e Korçës ishte zmadhuar, transformuar e zhvilluar  në mënyrë progresive nga pikpamja urbano-arkitektonike, demografike, ekonomike e sociale, duke u shndrruar në DARDHA + 1890+.jpg

një qendër progresi urban. Falë disa veçorive origjinale e specifike të një komuniteti banorësh që me punën, pasionin, dashurinë për vendlindjen e tyre, me vetëdijën dhe adrenalinën e lartë për punën brenda fshatit (i cili po i shterrte si pakuptuar edhe ato pak resurse bujqësore e blektorale mbijetese), por edhe jashtë tij, fillimisht në emigracion sezonal në disa vende të Ballkanit e më tej më masivisht në ShBA, si dhe për fat të disa hireve e prioriteteve të lakmueshme  gjeo-klimaterike, turistike, historike  dhe për mënyrën e organizimit të jetesës “qytetare” familjare, shpirtërore, etnokulturore shumë të dallueshme e të emancipuar,  kjo qytezë në kontekst me kohën, përbënte edhe një pikë reference të  zhvillimit  dhe shkëmbimeve tregtare e zejtare, madje edhe kulturore, jo vetëm brenda kufijve dhe banorëve të saj, por edhe më tej, në rajonin përreth, sepse aty ofroheshin jo vetëm produkte jetësore, por edhe shërbime të tjera zejtarie si ato që lidheshin me përpunimin dhe prodhimin e tekstileve të leshta (dërstila, batane), rrobaqepësi,  me përpunimin e drurit e mobiljeve,  shërbimeve metalike (teneqexhinj, kovaçana), këpucarëve, orëndreqësve, kujunxhijve (argjendar), kasapëve, furxhinjve, dyqaneve të ndryshme mallrash me pakicë, e veçmas mjedise e lokale të atraksionit  turistik si fotografë,  hotele, kafene, restorante, ëmbëltore të vendosura në vende me pamje piktoreske e që tërhiqnin shumë vizitorë nga Korça e zonat përreth. 

Duke përmendur kostumin e grave dardhare (xibunin), i cili, midis të tjerash përmban edhe disa aksesorë të dukshëm e të bukur argjendi e ari (pafta, zinxhirë, varëse gjoksi, vathë, etj.), disa prej të cilëve bliheshin të gatshëm e disa prodhoheshin në Dardhë, kemi në dorë një burim të besueshëm që të krijojmë imazhin e një argjendari të famshëm dardhar, i cili ka punuar në SHBA dhe që, sipas burimeve të sigurta  ka shkuar aty nga Dardha  si një emigrant dhe  i përkiste një familjeje argjendarësh dardharë. Një personazh i ri interesant dhe një dritare e re për Dardhën por e rëndësishme edhe për shqiptarët.HARTA 1.jpg

Jeta

Emri i tij është Stavre Panis (version zyrtar i amerikanizuar pas migrimit) po thjesht Stavri Pani, i biri i Grigor (Ligor) Panit nga Dardha  dhe Dhoksi Karamelos nga Sinica , pra një familje e njohur  dhe rezidente edhe sot në ShBA , Dardhë e Sinicë, familje që na lidh me dy figura të shquara patriotësh të thekur të shqiptarizmës, babë e bir  Josif Pani – aktivistin dhe gazetarin e flaktë ndaj çështjes shqiptare   dhe Vasil Pani – dy herë kryetar  Federatës Panshqiptare”Vatra” (1929 dhe 1935) në ShBA . 

STAVRE PANIS.pngStavre Panis ka lindur në vitin 1889 dhe e ka kaluar fëmijërinë e  adolshencën në vendlindje duke u praktikuar dhe përfituar nga mjeshtëria e argjendarisë e tre brezave të tij  familjarë, e cila, falë edhe prirjeve të Stavres do ta shoqëronte edhe atë gjatë gjithë jetës së tij të mëtejshme, madje duke e kultivuar si një artist artizan të afirmuar edhe në shoqërinë e argjendarëve të Bostonit, Mass.,  në ShBA.

 Pra, në vitin 1905 kur ai ishte vetëm 16 vjeç,  si shumë burra e vërsnikë të tjerë dardharë, ai emigroi në Amerikë dhe u vendos në Boston. Pas disa vitesh punësh të ndryshme dhe mësimit të gjuhës angleze, më 1909 ai vendosi të hapë një punishte për prodhimin e stolive prej argjendi, pra të vijojë njëheresh traditën mjeshtërore  të familjes së vet në Dardhë qysh prej stërgjyshit të tij. Prodhimet e para të të kësaj punishteje ndiqnin teknikat, modelet dhe stilin tradicional të babait të vet, pra me kallëp ose derdhje, por ato evoluan konform kërkesave, konkurrencës,  shijeve e porosive të klientëve të rinj, pra nëpërjet përpunimit artizanal me stilin e shpimit dhe axhustimit artizanal,   çka influencoi në shtimin dhe gamën e llojeve e stileve të stolive të çmuara, duke rritur edhe prestigjin artistik të artit dhe biznesit të vet. Më 1911 ai natyralizohet si qytetar amerikan dhe gjatë Luftës I Botërore  shërben në forcat ushtarake amerikane, në Batalionin 71 të artilerisë fushore që vepronte në Francë. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak ai kthehet në Boston për të vijuar mjeshtërinë e tij të argjendarit. 

Scan_20170625 ++.png Fatmirësisht, mbi të dhënat biografike e të veprimtarisë së tij të gjatë si mjeshtër e artist argjendar, ekzistojnë disa dokumente të rëndësishëm autentikë, të  trashëguar deri në ditët e sotme, ashtu si edhe shumë foto të punimeve të tij me logon identifikuese  të ateljesë së tij të stampuar në pjesën e prapme të tyre. Dokumenti më esencial na vjen si kortezi e organizatës “SMP Silver Salon Forums and their registered member, Chicagosilver” (Forumet e Sallonit të Argjendit SMP dhe anëtarëve të regjistruar, e njohur si Chicagosilver), e cila i referohet gjerësisht një artikulli shkruar nga fotogazetarja dhe shkrimtarja Kathy Sharp Frisbee i botuar në “Cape Cod Life” rreth vitit 1995 në formën e një tregimi që bashkëshortja e Stavre Panit, Gladys (në moshën 95 vjeçare) i ka rrëfyer asaj. (Affirmation and Rediscovery a Centennial Exhibition and Sale)

Midis të tjerash, nëpërmjet kësaj interviste mësojmë se Stavre Panis, pas rikthimit në Boston ka ndjekur studimet në Normal Art School (Shkolla Normale e Artit), sot “The Massachusetts College of Art” (Kolegji i Artit të Massachusetts), ku ai ka takuar dhe është njohur me shoqen e klasës Gladys Hamilton (familja e saj jetonte në Swanville, Maine),  e cila do të bëhej edhe bashkëshortja e tij në vitin 1927. Kjo martesë do të hapte një kapitull të ri në rritjen dhe perfeksionimin e mjeshtërisë së përbashkët të argjendarisë dhe bizhuterisë, pasi ata të dy plotësuan njeri-tjetrin në realizimin e stolive artistike prej argjendi. Gladys ishte e  talentuar në kompozimin e e dizajneve dhe monogramave të objekteve, fantazinë, talentin dhe intuitën e  një procesi të domosdoshëm paraprak që paraprinte suksesin artistik e estetik, ndërkohë që Stavres zotëronte shkathtësinë dhe mjeshtërinë  në materializimin e tyre praktik. Të dy së bashku menaxhuan biznesin e tyre të Bostonit, duke e shndrruar atë në një studio me diapazon të gjerë krijues, të njohur  e të preferuar jo vetëm nga klientët e tyre porositës, por edhe nga ekspozita, panaire, muzeume e galeri koleksionistësh të objekteve dekorative. Sipas  Znj. Frisbee, gjatë viteve të punës së çiftit Panis në Boston, ata ftoheshin çdo vit për të ekspozuar punën  e tyre artistike në ekspozitën e Shoqërisë së Arteve dhe Zejeve, Boston, një shoqëri prestigjioze arti, “e cila ishte vendi i vetëm publik që ata zgjodhën të ekspozojnë veprat e tyre të karierës së përbashkët”. Gjithashtu Stavre Panis ishte anëtar i regjistruar si “argjendar” dhe “artizan” i këtij forumi  qysh në vitin 1925.

Scan_20170605 (8).jpgNë vitin 1932 Stavre  dhe Gladys u larguan nga Bostoni dhe u vendosën më në Jug, buzëoqeanit Atlantik,  në  Falmouth të Cape Cod. Sipas intervistës së Znj. Frisbee, Stavre e njihte mirë këtë mjedis të bukur, ndërsa për Gladys ai ishte një vend i panjohur, për të cilin ajo ndjeu, siç do ta shprehte më vonë: “Unë, githmonë, ndjehesha këtu  më e frymëzuar se në çdo vend tjetër…motivet e oqeanit dhe kopshtarisë më jepnin kënaqësinë më të madhe” (nga intervista me Kathy Sharp Frisbee, 1995). Në fakt, vendimi per t’u zhvendosur në Cape Cod ishte një ftesë e Znj. Wilfred  Wheeler nga Hatchville, e cila kishte blerë një karficë prej tyre, të cilën djali i saj e kishte porositur si dhuratë për ditëlindjen e nënës së tij.

10-0453-panis_mark_IMG_0868__1_120.png Veprimtaria e artizanëve argjendarë artistë Stavre dhe Gladys Panis do të vijonte në mënyrë unikale e  të suksesshme për disa dekada dhe jo vetëm do të kënaqte porositësit e klientët nga një rajon i gjerë, por do t’i jepte edhe qytezës së tyre vlera të një larmie më atraktive turistike e traditash zejtarie artistike bizhuterie shumë të preferuara në atë kohë, por edhe respekti të ndërsjellë human e qytetar, pasi çifti Panis ishin nga natyra e karakteri njerëz që, veç artit e biznesit të tyre familjar, kishin pasion e dëshirë që t’i kushtonin qytetit të tyre kontributin dhe  një fizionomi më humane, qytetarie e bukurie rikrijuese,  për t’i dhënë më shumë larmi e diversitet kulturor e turistik qytetit të tyre, ku edhe natyra ishte treguar bujare. Prandaj, Stavre dhe Gladys do të mbeteshin personazhe influentë, gjurmët e të cilëve kanë mbetur edhe sot në komunitetin ku ata kaluan jetën. 

Në vitin 1969, Stavre Panis pësoi një aksident të rëndë dhe pas disa vitesh komplikacionesh shëndetsore, ai ndërroi jetë më 1974, në moshën 85 vjeçare, kur ai ende punonte. Pra, veç 15 viteve të punës vetiake në Boston,  puna e përbashkët e çiftit Panis ka zgjatur rreth 45 vjet.

Sidoqoftë, studioja e tyre nuk u mbyll. Edhe pse ata nuk patën fëmijë, që të trashëgonin mjeshtërinë e tyre, gruaja e tij Gladys punësoi në vitin 1991 një argjendar tjetër ekzekutues, Mike O’Donnell, me të cilin ajo vijoi edhe thuajse një dekadë, pas së cilës ajo vdiq në vitin 2001, në  moshën  101 vjeçare. Në njoftimin e vdekjes dhe funeralit të saj nga Chapman Cole & Gleason Funeral Homes & Cremation, dt. 10.11.2001 shpallet se “Gladys (Hamilton) Panis, 101 vjeç, një artizane dhe argjendare shumë e njohur ndërroi jetë më 14 Tetor në Falmouth. Ajo ishte e veja e të ndjerit Stavre Gregor Panis. Të dhëna të tjera biografike na vijnë edhe nga një dokument tjetër “Affirmation and Rediscovery a Centennial Exhibition and Sale, p.34” dhe sigurisht edhe nga të afëm të tij familjarë që jetojnë në ShBA. 

Krijimtaria

10-0453-panis_cameo_IMG_5374_4_120_lite (1).jpgTë 50 vitet e përvojës së përbashkët në fushën artizane të bizhuterisë, si dhe të gjinive të tjera të zejtarisë utilitare me argjend, apo metale e materiale të tjera të çmuara përbëjnë një bilanc të pasur të prodhimtarisë, të llojshmërisë, por edhe të cilësive të admirueshme të veprave të tyre, po të konsiderosh edhe faktin që çdo objekt është unik, është artistik në llojin e vet, pasi nuk është fabrikuar, kopjuar e shumëfishuar, por është prodhuar me dorë, i vetëm, autentik, i papërsëritshëm.

Untitled19.png Punimet e bizhuterisë Panis shfaqeshin në treg sipas disa rregullave e normave të miratuara. Nga burime familiare e  mediatike, vlerësohet se numuri i përgjithshëm i objekteve të krijuara nga studioja SGP (Stavre-Gladys Panis) është rreth 3.000. Sipas Frisbee(Intervista) Gladys kishte kataloguar mbi 3.000 vizatime të ndryshme. Gama e llojshmërisë së bizhuve është e gjerë dhe e larmishme. Midis tyre renditen byzylykë (rrathë ose fleksibël), fibula (gilpëra), unaza, vathë, gjerdanë, gushore, kryqe, varëse,  tokëza, butona,  medalionë, objekte në formë insektesh me krahë e pjesë të errëta të oksiduara,  shandanë e kapese qirinjsh,  objekte të emaluara dekorativë, aksesorë të vyer të kompleteve të çajit, lugë e kullore dekorative, pinceta sheqeri,  rrathë pecetash, mbajtëse letrash, ndarëse librash, pjata  të emaluara dhe kripore artistike, tavlla, etj. 

Untitled22.jpg”Fibulat Panis” ishin stolitë e tyre më të famshme. Objektet, përgjithësisht, karakterizohen nga thjeshtësia dhe punohen nga metale, argjendi i pastër, flori, gurë të çmuar,  tunxh, bakër disa herë të ndriçuara thellë, apo të “veshur” me një patinë fisnike. Edhe teknikat e teknologjia e përpunimit të tyre janë origjinale dhe që i dallojnë nga objektet e studiove të tjera. Përdoret së shumti përpunimi mekanik me axhustim, e gjdhendje dhe disa herë stampimi dhe rrahja e saldimi. 

971841c2cce56984f032a8ba386d1273 (1).pngThjeshtësia dhe mënyra e përpunimit të tyre të kujtojnë jo rrallë arkaizmin dhe ekzotizmin antik. Një tipar tjetër i përveçëm i bizhuve të punishtes  Panis është ornamenti dhe motivi i preferuar i tyre që e merr temën kryesisht nga elementët gjeometrikë, florealë ku mbizotërojnë  lulet, hardhia e fruta të ndryshme dhe gjethet përkatëse, nga bota shtazore, zogjtë (pëllumbat), kafshë të tjera shtëpiake (macja, qeni, lepuri), apo biogjallesat detare dhe objektet navalë e oqeanikë (timon anijeje, spirancë, kalë deti, karavidhe, çafkë deti, delfin, yll deti, etj.), të ndërthurura me lidhje biomorfike, vile,  dredhëza e arabeska, të cilat, së bashku, formojnë një unitet të thjeshtë artistik që lidhet me botën e jetës, veçmas me natyrën e larmishme e panoramike e inspiruese të Cape  Cod, ku ata jetonin. Ato kanë një pamje dhe ndjesi mjaft të shprehur. Çdo stoli zhvillohej paraprakisht në një vizatim (projekt), ose në monogramë, kur  bëhej fjalë për simbole, emra, pseudonime, dedikime, shkronja principiale, të cilat i hartonte Gladys. Por, firma e autorësisë së këtyre veprave, siç zakonisht praktikohej nga studio dhe punishte me autoritet profesional e artistik, që përjashtonin anonimatin, apo kopijimin dhe konfirmonin të drejtën e autorit, edhe për atelienë e Stavre dhe Gladys Panis ishte stampa e autorësisë së tyre, në pjesën e prapme të çdo objekti, e cila në rastin e  tyre paraqitej me një monogramë  trekëndësh barabrinjës (me brinjë pak të harkuara) brenda kulmeve të të cilit ishin gdhendur tre shkronja, SGP, pra Stavre-Gladys-Panis. Pranë trekëndëshit  stampohet edhe fjala STERLING (I PASTER), për të garantuar që bizhuja ishte prodhuar me metal fisnik të pastër.

il_570xN.1177731315_8hdd.pngUntitled16.png Pra, duke iu nënështruar të gjitha rregullave dhe konkurrencës  profesionale e artistike të zejtarisë dhe artit të stolive me metale të çmuara, respektimi i të gjitha këtyre kritereve të statutit të Shoqërisë së Arteve dhe Zejeve në Boston, tregon se studioja  Panis ( më tej – SGP) jo vetëm pranonte standardet bashkëkohore të artit të stolive, por me korrektësinë e saj në krijimtari,  prodhimtari e treg kishte autoritetin dhe preferencën e një punishteje të konsoliduar, të mirëpritur e të suksesshme në zejtarinë artistike të bizhuterisë. Kjo është edhe një nga arsyet që objektet e zbukurimit të studios SGP janë shitur (kryesisht direkt si porosi në studio dhe pak në dyqane fundore)   pothuajse në të gjithë shtetet e SHBA-ve, si edhe në 23 vende  të ndryshme të Botës (Online, Chapman Cole & Gleason Funeral Homes & Cremation), madje disa prej tyre janë pronë edhe e muzeve amerikane.

Në gazeta të ndryshme paraqiteshin edhe raklama të posaçme  promovuese për këtë punishte,  në një nga të cilat shkruhet: “S.G.Panis… Mjeshtër zejtarie… Objekti i paraqitur është prodhuar me dorë në këtë dyqan ku mund të gjenden edhe shumë zbukurime të tjera të bukura e karakteristike: meqënëse dyqani ështëi vetmi ikëtij lloji në Cape, ai është i interesuar posaçërisht për kërkuesit e antikave. Këtu mund të gjenden në proces aktual prodhimi bizhu, objekte argjendie bakri të rrahur dhe të emaluara. Një vizitë në këtë dyqan  do të provonte një kënaqësi  të veçantë tek ata që janë të pasionuar nga punimet me dorë. Pronari aktual është mjeshtër  i brezit të katërt nga Shqipëria në  zejtarinë e argjendarisë. Dyqani qëndron hapur gjatë gjithë vitit dhe vizitorët janë përzemërsisht të mirëpritur” 

Willow Dunne saved to Panis Jewelry+++ - Copy.png Vlerësimet pozitive të veprimtarisë zejtaro-artistike të Stavre dhe Gladys Pani kanë bërë të mundur që ata të kenë edhe porosi speciale objektesh  nga organizata shtetërore dhe shoqërore për evenimente te caktuara kortezie. Kështu gazeta “Boston Traveller” në një artikull të dt. 18 Maj 1928, i ribotuar edhe në gazetën “Dielli”, dt 25 Maj1928 shkruan:     

“Aviatorët gjermanë që fluturuan nga Europa në Amerikë me Bremenin, të shtunën e kaluar ishin në Boston, ku u pritën me paradë dhe nderime të mëdha. Lidhja e Ushtarëve ‘American Legion’ me këtë rast i dhuroi tre vizitorëve të shënuar nga një medalje. Është për të vënë re që këto medalje, Shoqëria e Ushtarëve i kish porositur te artisti shqiptar, zoti Stavri Pani, i ungji i zotit Vasil Pani, anëtarit të komisionit të “Vatrës”. Edhe në dy raste të tjera kur “American Legion” dekoroi kolonelin Lindbergh e më vonë kondëradmiralin Byrd me shokë, medaljet ishin porositur te zoti Pani” (Fuat Memelli: Stavri Pani, artist me emër në Amerikë, VOAL, 19  Qershor 2016). Po ashtu Laboratorët Biologjikë të Marinës në Woods Hole porositën tek SGP një palë shandanë që do t’i dhuroheshin perandorit të Japonisë gjatë vizitës së tij më 1976. Për arsye të interesit të madh dhe studimeve  të tij në shkencën detare, Gladys gdhendi një motiv detar në bazën e shandanit që paraqiste një yll deti, gaforre, kalë deti, goce deti, pulëbardhë, anije me vela, të gërshetuara me leshterikë. Për perandoren e Japonisë, ajo vizatoi një fibul me formë kërmilli (një krijesë ku perandori kishte fokusuar studimet e veta), gërshetuar me gjethe deti.” Edhe një fibul ku është paraqitur shkolla e Wods Hole në Cape Cod është një porosi emblematike e atij institucioni.  

0f692ca4fea1d4442e8037e5434fed4d.png Midis krijimtarisë artizano-artistike të punishtes SGP pjesën kryesore e zenë byzylykët, fibulat, unazat, vathët, varëset,  të cilat përfaqësojnë në vetvete vepra të mirëfillta artistike, pasi ato përfshijnë shumë elementë të fantazisë krijuese   kompozicionalë, të përmbajtjes narrative të një fabule të caktuar, të modelimit të paramenduar  ndaj destinacionit estetik, paraqitjes, kombinimit me veshjet dhe aksesorët e tjerë të modës, stilimit figurativ, etj.

Me interes është gjithashtu ekzistenca e një Broshure të rrallë e viteve 1940-1960 e Stavre Gregor Panis mbi Bizhuterine e argjendit dhe bakrit të emaluar. Atë e posedon një koleksionist,  i cili në përshkrimin që i bën asaj (8 Qershor 2015) përmend disa të dhëna, si faktin që ajo është prej letre, në gjendje të mirë e  të pastër, është shkruar në gjuhën anglisht, ka subjekt bizhuterinë që përfaqëson punishten e “artistit të Massachusets Stavre Gregor Panis”, është i formatit të librit të xhepit, me dimensione 13.3cm (5.25”) x 8.9cm(3.5”), me lidhje  të thjeshtë, në ballinën e të cilit shkruhet brenda një rrethimi “S.G.Panis…Mjeshtër zejtar..” dhe brenda saj vijon promovimi i bizhuterisë, argjendit, bakrit të salduar dhe emalimit. Veç këtyre, gjenden edhe drejtimet e punishtes Panis në Falmouth, Massachusets. Brendia e broshurës ka edhe një listë të asortimentit të objekteve  të bizhuterisë, objekteve prej argjendi të pastër, prej bakri, si dhe prej bakri të emaluar  të prodhuara  prej tij. (OnLine: RARE 1940S-1960S STAVRE GREGOR PANIS BROCHURE FOR SILVER JEWELRY & ENAMEL COPPER)

A vintage, sterling , Arts & Crafts, Sailboat brooch pin marked SGP for Stavre Gregor Panis..jpgEdhe pse familja Stavre & Gladys Panis nuk la trashëgimtarë, puna e tyre shumë e gjatë dhe e suksesshme jo vetëm në aspektin personal e profesional, por edhe në funksion të gjallërimit të jetës së qytetit, ku ata jetuan deri në fillim të shekullit XXI, mbeti si një stoli dhe e paharrueshme nga komuniteti i tij. Prandaj ata nuk u harruan, por mbeten qytetarë të nderuar të vendit ku jetuan. Kështu Shoqata 

Historike e Falmouth, Shoqëria dhe Muzeu Historik i Woods Hole dhe organizata komunitare Neighborhood Falmouth kanë organizuar ceremoni  përkujtimore në nderim të jetës dhe veprimtarisësë tyre, të shoqëruara me prezantime shkencore dhe vepra të argjendarëve Panis, ku ata ciësohen si “…argjendarë legjendarë…”, apo  “Panis ishte një zejtar ekselent dhe punimet e tij ishin  të një cilësie shumë të  lartë…” (OnLine: Fun things to do this  weekend on Cape Cod: Celebration of Panis Artisanry).

Stavre Panis mbetet kështu deri në ditët tona i pari artizan argjendar shqiptar i identifikuar nga Dardha,  i ndërkombëtarizuar dhe  me një veprimari të gjerë, një shembull  suksesi  artistik në një fushë ku tradita e zejtarisë shqiptare është e thellë dhe ekstensive.    

■■■■■

Filed Under: Reportazh

“Rebeli” Fan Noli i Ilir Ikonomit promovohet në Tiranë më 24 Tetor 2024

October 22, 2024 by s p

“Rebeli” Fan Noli i Ilir Ikonomit promovohet në Tiranë më 24 Tetor 2024.

Filed Under: ESSE

Piktorja nga Kosova Luljeta Rama Muçaj vizitoi Vatrën

October 22, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 21 Tetor 2024- Piktorja nga Prishtina Luljeta Rama Muçaj vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. E shoqëruar nga bashkëshorti arkitekt Fitim Muçaj, artistja nga Kosova u prit në Vatër nga këshilltari për art dhe kulturë Nazim Salihu ( Noli Tv), anëtari i kryesisë Paulin Mrnaçaj e Ilir Cubi dhe editori i Diellit. Në fjalën e mirëseardhjes këshilltari për art dhe kulturë z. Salihu shpjegoi historinë dhe kontributin historik të Vatrës në dobi të komunitetit shqiptar në Amerikë dhe çështjes kombëtare. Artistja nga Prishtina, ambasadore e artistëve të rinj të Kosovës shprehu vlerësimin për atë që Vatra bën për artistët dhe në veçanti për çështjen e Kosovës në histori.

Piktorja nga Prishtina Luljeta Rama Muçaj ka hapur ekspozitë në Galerinë MC në New York, galeri që mbështet artistë të njohur dhe të rinj nga e gjithë bota. Ekspozita e bijës së artistit të shquar Kadrush Rama do qëndrojë e hapur për 10 ditë për të gjithë artdashësit shqiptarë e të huaj në Amerikë. Ajo është përzgjedhur si bashkëpuntore e kësaj galerie për të organizuar ekspozitat e artistëve shqiptarë qoftë në fushën e artit pamor, dramës, filmit dhe muzikës. Artistja Rama e quajti Vatrën “Shtëpia e Bardhë” e shqiptarëve të Amerikës me kontribute historike për komb e atdhe. Në fjalën e tij editori i Diellit e garantoi artisten Luljeta Ramaj Muçaj se gazeta Dielli do të shërbejë si një dritare e promovimit të artistëve shqiptarë që janë ambasadorë të shkëlqyer të kombit në arenën ndërkombëtare.

Filed Under: Vatra

Udhëtim në histori e në kohë me veprën e Milan Kunderës

October 22, 2024 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Personazhit kryesor të romanit “Shakaja” të Kunderës, Ludovikut, i kushton shumë shtrenjtë një frazë që shkruan në një letër të tij dërguar një shoku, se “Optimizmi është opium për popullin”, pasi menjëherë pas denoncimit të kësaj fraze nga një miku i tij, ai përjashtohet nga universiteti dhe dërgohet në një kamp pune për t’u “riedukuar”. Fraza ishte një parodi e citatit të njohur të Marksit, se “Feja është opium për popullin” dhe vinte në lojë entuziazmin komunist të ndryshimit të situatës kulturore dhe ekonomike në Çekosllovakinë e viteve ’50. Romani “Shakaja” konsiderohet një pasqyrë e totalitarizmit komunist në Çekosllovakinë e asaj kohe dhe për momentin dhe kohën kur u botua, u konsiderua një risi e veçantë, pasi prezantonte në Perëndim se ç’ndodhte mbrapa Perdes së Hekurt. Romani përshkruan atmosferën mbytëse të vitit 1948, vitit kur u instalua totalitarizmi në Çekosllovaki. Dhuna u shpejtua në mënyrë të konsiderueshme me “goditjen e Pragës” në shkurt të vitit 1948, që hapi plotësisht portat e instalimit monopolist të pushtetit të Partisë Komuniste Çekosllovake në jetën politike të Çekosllovakisë. Që në fillim të krizës në shkurt, të provokuar nga dorëheqja e shumicës së ministrave jokomunistë, të cilët pas disa ditësh u burgosën, përveç të tjerëve, sllovaku Jan Ursini, president i Partisë Demokratike dhe zëvendëskryeministër i Qeverisë së Gotvaldit u detyrua të jepte dorëheqjen në vjeshtë të vitit 1947. Po ashtu edhe Prokop Drtina, ministri i Drejtësisë, që të dy udhëheqës të rezistencës antifashiste.

Proceset e para të mëdha në Çekosllovaki, krejtësisht të fabrikuara goditën në prill dhe maj të vitit 1948 drejtuesit e Partisë Demokratike Sllovake: 25 veta u dënuan nga 1 deri në 30 vjet burg. Objektivi kryesor i dhunës gjyqësore dhe policore dukej se u vendos që nga ky moment: Kërkohej të goditej “armiku” në ushtri dhe shërbimin e sigurimit, po ashtu dhe udhëheqësit politikë demokratë liberalë ose demokratë socialistë, që deri në shkurt 1948 kishin qënë aleatë, shpesh partizanë shumë të sinqertë të bashkëpunimit me komunistët. Një proces i tillë skandaloz i dhunimit të të drejtave të njeriut është ai i politikanes dhe aktivistes së rezistencës çeke Milada Horakovas. Procesi i Milada Horakovas, që dallohet për shumë arsye: është procesi i parë spektakolar (shprehje e huazuar nga një specialist i madh i dhunës, historiani çek Karel Kaplan), është procesi i parë i përgatitur drejtpërdrejt nga “këshilltarët sovjetikë” drejtues të lartë të shërbimeve speciale, që kishin ardhur të drejtonin. Milada Horáková (née Králová, 25 dhjetor 1901 – 27 qershor 1950) ishte një politikane çeke dhe një anëtare e lëvizjes së rezistencës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo ishte një viktimë e vrasjes gjyqësore, e dënuar dhe ekzekutuar nga Partia Komuniste Çekosllovake me akuza të trilluara për komplot dhe tradhti. Shumë figura të shquara në Perëndim, përfshirë Albert Einstein, Vincent Auriol dhe Ëinston Churchill, bënë kërkesë për faljen e jetës së saj. Ajo u ekzekutua në burgun Pankrác të Pragës duke përdorur një variant primitiv ekzekutimi: varje. Ajo vdiq pasi u mbyt për më shumë se 13 minuta. Eshtrat e saj nuk u gjetën kurrë. Dënimi i saj u anulua në 1968. Ajo u rehabilitua plotësisht në vitet 1990 dhe pas vdekjes iu dha Urdhri “Tomáš Garrigue Masaryk” (Klasa I) dhe “Urdhri i Kryqit të Bardhë të Dyfishtë” (Klasa 1) 117 dhunën me ngritjen e një mekanizmi, që më vonë u bë “klasik” (skenar i spektaklit të përgatitur me shumë kujdes, “pohime” të mësuara dhe të recituara, makina e madhe e propagandës të ngritur rreth këtij spektakli etj.) Ky proces shënoi një etapë të rëndësishme në dhunën politike në Europë e, jo vetëm në Europën komuniste: U var, një grua pjesëmarrëse një grua (mjaft e guximshme) që në fillim të pushtimit të Çekosllovakisë në mars 1939, një grua e burgosur për afro 5 vjet nga nazistët, një grua demokrate, një grua që nuk kishte menduar kurrë të luftonte diktaturën komuniste me anë të armëve. Kjo atmosferë mbytëse politike e viteve staliniste në Çekosllovaki u pasqyrua dhe në kulturë dhe letërsi. Paradoksialisht , në vitin 1948 që Kundera përshkruan në ngjarjete romanit, dënimin e Ludovikut, ai vetë pranohet anëtar i Partisë Komuniste Çekosllovake. Por entuziasmi komunist mesa duket iu venit dy vjet më vonë kur në vitin 1950 ai dhe shkrimtari çek Jan Trefulka (1929-2012), u përjashtuan nga partia për shkak “të veprimtarisë antipartiake”. Në vitin 1956, Kundera përsëri u pranua në Partinë Komuniste. Në vitin 1970 për së dyti u përjashtua prej saj.

Destalinizimi i Çekosllovakisë nuk është se përmbysi mendësinë totalitare në Çekosllovaki pas çdo lloj lirie individuale që shkonte ndesh me dogmën dënohej dhe paragjykohej. Romani Shakaja i Kunderës u botua në 1967 duke i paraprirë ngjarjeve të pranverës së Pragës në 1968. Bashkë me artistët dhe me shkrimtarët e tjerë, si dramaturgu çek Vaclav Havel (Václav Havel, 1936-2011), në vitin 1968 edhe Kundera u angazhua në Pranverën e Pragës. Kjo ishte një periudhë e shkurtër e optimizmit reformist që u shua në gusht të po atij viti me invadimin sovjetik të Çekosllovakisë. Kundera edhe më tej mbeti i angazhuar në reformën e komunizmit çek dhe polemizoi publikisht ashpër, në shtyp, me Havelin, duke thënë se çdokush duhet të jetë i matur për arsye se “ende askënd nuk e burgosin për shkak të mendimit”, ndërsa “pesha e Vjeshtës së Pragës do të mund të ishte më e madhe se pesha e Pranverës së Pragës”. Shtypja brutale e Pranverës së Pragës nga ana e trupave të Traktatit të Varshavës, me Bashkimin Sovjetik në krye dëshmoi se komunizmi tashmë ishte atrofizuar dhe se regjimet monopartiake nuk ishin më të afta për të reformuar vetveten. Me fjalët e sudiusit Tony Judtit, “Iluzioni se komunizmi ishte i reformueshëm, se stalinizmi kishte qenë një kthesë e gabuar, një gabim që ende mund të korrigjohej, se idealet bazë të pluralizmit demokratik mundet në njëfarë mënyre të jenë të pajtueshme me strukturat e kolektivizmit marksist: ky iluzion u shtyp nën zinxhirët e tankeve, më 21 gusht 1968 dhe nuk e mori veten më kurrë. Aleksandër Dubçek dhe Programi i Veprimit i tij nuk qenë fillim, por fund”.

Kundera duket se i parapriu me një vit ngjarjeve të mëdha. Ai u arratis dhe kërkoi azil në Francë në vitin 1975, një vit përpara miratimit të Kartës së Helsinkit më 1976 që me doktrinën e saj mbi të Drejtat dhe Liritë e Njeriut ndihmoi në farkëtimin e rezistencës antikomuniste në Europën Lindore. Mbi bazën e këtyre lirive të nënshkruara edhe nga shteti çekosllovak u hartua Karta 77, dokumenti bazë i rezistencës antikomuniste në Çekosllovaki. Karta 77 ishte një iniciativë qytetare jozyrtare në Republikën Socialiste të Çekosllovakisë nga viti 1976 deri në 1992, emërtuar pas dokumentit Karta 77 nga janari 1977. Anëtarët themelues dhe arkitektët qenë: Jirí Nimec, Václav Benda, Ladislav Hejdánek, Václav Havel, Jan Patocka, Zdenik Mlynár, Jirí Hájek, Martin Palouš, Pavel Kohout dhe Ladislav Lis. Shqipëria staliniste vazhdoi të ishte e izoluar, duke mos rehabilituar marrëdhëniet me vendet e ish-Bllokut komunist, por edhe duke refuzuar të merrte pjesë në procesin e Helsinkit më 1975- 1976. Në këtë mënyrë, ajo ishte i vetmi vend europian që nuk iu bashkangjit kësaj iniciative për paqen dhe sigurinë në Europë. Frika e regjimit komunist shqiptar për aderimin në prosecin e KSBE-së kishte të bënte me adaptimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, çka do të sillte heqjen e dënimit të kundërshtarëve politikë dhe pakësimin e dhunës, që në terminologjinë zyrtare komuniste quhej diktatura e proletariatit. Sipas variantit të komunizmit stalinist, besnik i të cilit qëndroi Enver Hoxha deri në fund të jetës së tij, ndaj të ashtëquajtuarve armiq merren masa shtrënguese, shtypëse, deri në likuidimin fizik.

Për këtë arsye vepra e Kunderës mbeti e panjohur derisa u përkthye në vitet 90’ në shqip , fillimisht nga Mirela Kumbaro dhe në vitet e fundit dhe nga Saverino Pasho. Ajo përcolli për herë të parë te publiku shqiptar groteskun, vetëironinë dhe sarkazmën e prozës së Kunderës duke e njohur me ankthin dhe ngrehinën e memories kolektive dhe totalitarizmit. Leximi i saj ndihmon në dekodifikimin e së shkuarës komuniste por edhe rrëzimin e klisheve postkomuniste mbi rikthimin në mitet e së shkuarës të viteve 30’. Ai zhvilloi një narrativë individuale që prej vendosjes në Francë, pavarësisht faktit që pas rënies së komunizmit vepra e tij nga kritika kryesisht në vënedet ish lindjes komuniste u quajt e tejkaluar. Temat e memories kolektive , përgjegjësisë ndaj së shkuarës, individualitetit dhe lirisë personale janë tema universale dhe Kundera i lëvroi mjeshtërisht duke na lënë një trashëgimi të çmuar letrare.

Burimet:

1- Xhevat Zejneli. Me rastin e vajtjes në amëshim Milan Kundera.

2- Dorian Koçi. Tokat çeke dhe shqiptare. Pikëtakime historike, kulturore dhe diplomatike.

Filed Under: Analiza

Fortifikimi prehistorik Qukës Skënderbe

October 22, 2024 by s p

Dr. Ervin Kujtila/

Pozicioni gjeo – topografik 

Koordinatat:N. 41.04.37  E. 20.25.03 Z. 990 m.

Kodra ku gjenden rrënojat e fortifikimit njihet nga banorët dhe literaturën arkeologjike me emrin “Qytezë”, në hartografi kreshta ku është ndërtuar kalaja nuk mban një emër të veçantë, kurse në listën e objekteve të trashëgimisë së paluajtshme ajo njihet me emrin “Kalaja te Qafa e Kalit të Gjergjit”(fig. 67-68). 

q skenderbe

Fig. 67. Pamje e fortifikimit Qukës Skëndërbej 

Fortifikimi i Qytezës në Qukës Skënderbej(Kalaja te Qafa e Kalit të Gjergjit) ndodhet në territorin e fshatit Qukës Skënderbe të njësisë administrative Qukës, Bashkia Prrenjas. Për herë të parë ky fortifikim është vizituar nga Shanin Zharri. Fortifikimi ndodhet mbi fshatin me të njëjtin emër, në një nga të tre kreshtat e malit mbi këtë fshat. Pozicioni kreshtës, ku është vendosur fortifikimi, dhe lartësia e saj 990 m mbi detare, mbizotëron mbi luginën e sipërme të Shkumbinit, pjesë e trevës së Enkelejve. Kjo pikë strategjike lejon që nga aty të kontrollohet gryka e Shkumbinit që lindje fillon e zgjerohet dhe hapësirës përreth këtij vendbanimi.

Për fortifikimin e Qytezës së Qukës Skënderbej ka shkruar Papajani – Ceka, Gjipali – Shtylla. Ndërsa për fshatin Qukës të dhënat e para i gjejmë në regjistrat turke. 

C:\Users\euronics\Documents\Ervini Kala Prehistorike 10.12.2019\Ervini\Qukës Skënderbe\DSC00391.JPG

Fig.68. Pamje jugore e fortifikimit

Historiku i kërkimeve arkeologjike 

Të dhënat e para për këtë fortifikim i ka përcjellë N. Ceka dhe L. Papajani një artikull të botuar në vitin 1971, kurse në fund të viteve ’70 të shek. XX, kyfortifikim është vizituar edhe nga I. Gjipali. N. Ceka – L. Papajani japin të dhëna për vendosjen e fortifikimit në një nga kreshtat shkëmbore që ndodhen mbi fshatin Qukës Skënderbej, nga kontrollohet rruga në luginën e Shkumbinit. Për teknikën e ndërtimit ata shprehen se muri që qarkon pjesën e arritshme të kreshtës është i ndërtuar me gurë të palatuar të vendosur në të thatë dhe mbështetur në qeramikën e pakët që ata kanë gjetur e kanë datuar në periudhën e parë të hekurit. Fortifikimi i kësaj kështjelle është rimarrë në shqyrtim I. Gjipali që  ka dhenë të dhëna më të plota për teknikën e ndërtimit, portën e vetme me gjerësi 1 m, lartësitë maksimale të ruajtjes së murit, si dhe ka mundur të ndjek trasenë në një gjatësi 70 – 80 m.

Në mungesë të materialit arkeologjik, mbështetur në veçoritë teknike të ndërtimit të mureve e daton këtë fortifikim në periudhën e hershme të hekurit. Asnjë nga studiuesit e mëparshëm nuk ka dhënë ndonjë planimetri të këtij fortifikimi. Në kuadrin e temës së doktoraturës në fillim të vitit 2018 në këtë fortifikim u krye një vëzhgim më i plotë për të përftuar të dhëna sa më të plota jo vetëm për fortifikimin, por dhe territorin brenda dhe atë jashtë saj, si dhe për të hartuar planimetrinë e saktë të fortifikimit. Nga vëzhgimi u pa se fortifikimi mbyllte me mur jo të gjithë majën e kreshtës në tërë gjatësinë e saj por vetëm gjysmën jugore. Nga vëzhgimi i bërë në brendësi të fortifikimit, për aq sa lejonte terreni i mbuluar me shkurre të shumta, ne nuk arritëm të gjenim asnjë fragment qeramike. Vetëm në rrëzën lindore të kreshtës ne ndeshëm fragmente të pakta qeramike që nga faktura i përket periudhës prehistorike. 

Mungesa e materialit arkeologjik u pa dhe përgjatë dy rrugëve që të çojnë në të dyja qafat që ndajnë këtë kreshtë nga të tjerat, njëra prej të cilave është e lidhur me toponimet Qafa e Kalit të Gjergjit, si dhe me Shpella e Skënderbeut. Po ashtu edhe në gropën që shtrihet në rrëzën perëndimore të kreshtës, shumë e përshtatshme për banim në stinën e verës, nuk arritëm të gjejmë asnjë fragment qeramike të periudhës prehistorike.

Planimetria e fortifikimit

Planimetria e fortifikimi të Qytezës së Qukës Skënderbej është në trajtën e një katërkëndëshi të zgjatur, e përcaktuar kjo nga forma e kreshtës shkëmbore(fig. 69 – 70). Ana lindore e kreshtës është shumë e thiktë dhe kjo ka bërë të mundur që në këtë anë të mos ndërtohej muri, kurse në tri anët e tjera në kreshtë mund të arrihet me shkallë të ndryshme vështirësie, më lehtë nga shtegu jugor dhe më e vështirë dy anët e tjera. 

C:\Users\User\AppData\Local\Temp\Rar$DIa0.847\qukes skenderbe ok izoipse.jpg

Fig. 69 Skicë planimetrike dhe rilevimi topografik i fortifikimit Qukës Skëndërbe

C:\Users\User\AppData\Local\Temp\Rar$DIa0.418\qukes skenderbe ok izoipse ORTHO.jpg

Fig. 70. Skicë planimetrike dhe ortofot e fortifikimit Qukës Skëndërbe

Fig.71. Pamje e linjës së  fortifikimit

Traseja e ruajtur në pjesë të shkëputura vazhdon edhe 75 m të tjera në të njëjtin drejtim me devijime të vogla, e kushtëzuar nga reliefi.  Më pas ajo kthehet në kënd të drejt lindjes për të kapur rrëzimin e shkëmbit në një largësi prej 30 m. Edhe në këtë pjesë të trasesë, që është e vendosur aty ku kreshta fillon të bjerë drejt qafës veriore, muri u identifikua vetëm në fragmente të shkëputura. Terreni brenda rrethimit zbret me një pjerrësi të vogël nga maja e kreshtës në drejtim të murit perëndimor që ndjek paksa një vijë paralele me kreshtën. Në jug nga qafa ngjitja në drejtim të kalasë është më e lehtë se në anën veriore. Në sipërfaqen brenda murit, megjithëse nuk mungojnë shkëmbinjtë e veçuar ka dhe sipërfaqe të sheshta të përshtatshme për ndërtim banesash. Nga vëzhgimi sipërfaqësor ne nuk mundëm të identifikojmë banesash apo çdo ngrehine tjetër.

Teknika e ndërtimit

Muri është ndërtuar me blloqe mesatarë guri të cilët janë të papunuar, gjithashtu të vendosura pa ndonjë rregull të caktuar, thjesht duke u mbështetur njëri mbi tjetrin dhe në të thatë. Në pjesën më të madhe të trasesë, muri ngrihet mbi shkëmbinjtë natyral.  Në faqe fugat janë të pambushura. Në të shumtën e rasteve blloqet e gurëve janë të një madhësie mesatare, e rrallë ndeshen gurë të mëdhenj me përmasa (30 x 50 cm). Në anë jugore lartësia e ruajtur e murit arrin deri në 1,45 m dhe në disa vende të tjera të krahut verior shkon edhe  2 – 2,2 m (fig. 73-74). Gjerësia e murit ndryshon nga baza drejt lartësisë nga 2,10 në 1,90 m, duke krijuar një pjerrësi në faqen e jashtme(fig. 72).

C:\Users\euronics\Documents\Ervini Kala Prehistorike 10.12.2019\Ervini\Qukës Skënderbe\DSC00380.JPG

Fig. 72. Pamje e fasadës së murit prehistorik

Vetëm në artikullin e publikuar nga N. Ceka dhe L. Papajani është shkruar se ata kanë identifikuar gjetje të rralla të qeramikës lokale të punuara pa çark që e datojnë vendbanimin në periudhën e parë të hekurit. 

Ceka – Papajani dhe Gjipali mbështetur në teknikën e ndërtimit e kanë klasifikuar këtë fortifikim si të periudhës së parë të hekurit në territorin e enkelejve. 

C:\Users\euronics\Documents\Ervini Kala Prehistorike 10.12.2019\Ervini\Qukës Skënderbe (4).JPG

Fig. 73. Pamje e gjerësisë së linjës së fortifikimit. Trakti nr. 1

D:\doktor.foto\doktor.foto\IMG_20160619_142748.jpg

Fig. 74. Pamje e gjerësisë së linjës së fortifikimit. Trakti nr. 2

Sipërfaqja e vogël dhe mungesa e materialit arkeologjik e përcakton këtë vendbanim si të përkohshëm, që i shërbente popullsisë përreth në raste rreziku të jashtëm.  

Duke u bazuar në tiparet teknike të sistemit fortifikues të fortifikimit prehistorik të Qukës Skëndërbe, mendojmë që ky fortifikim mund të lidhet më tepër me periudhën e Bronzit të Vonë, i ngjashëm me fortifikimet e Orenjës, Zdranjshit, Lleshanit, Bërzeshtës, Gurit të Pëllumbave etj, përfundim që kërkon mbështetje më të plotë arkeologjike. 

Gjithashtu duke u mbështetur në gërmimet tona të realizuara në Orenjë dhe Zdranjshë, në bazë të materialit arkeologjik rezulton  se fortifikimi është i lidhur me shtresën e Bronzit të Vonë, në këtë kontekst mendojmë se kësaj periudhe i përkasin edhe një numër fortifikimesh të tjera të kësaj lugine, përfshirë edhe fortifikimin e Qukës Skëndërbeut. 

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 851
  • 852
  • 853
  • 854
  • 855
  • …
  • 2938
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT