• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË FOTO BOTËRORE PRESIDENCIALE

October 1, 2024 by s p

KRISTI 11 (1).png

Kristaq  BALLI

Nga fotografi amerikan me origjinë shqiptare  George Tames

George Tames (1919-1994) është  një prej fotografëve të shquar amerikanë me origjinë shqiptaro-greke, që e ushtroi veprimtarinë e tij si fotograf dhe fotogazetar në një prej mediumeve më të njohura mediatike të shek. XX, gazetën “The New York Times”. Ai lindi në një familje emigrantësh ekonomikë shqiptaro-greke të gjeneratës së parë.(babai shqiptar dhe nëna greke) Fëmijërinë, adoleshencën dhe rininë do ta kalonte me vështirësi e peripeci të shumta ekonomike, sepse ai ishte fëmija i madh, por edhe sepse këto mosha të jetës do të koincidonin me periudhën e Depresionit të Madh. Kështu, ai u detyrua të ndërpriste shkollën dhe të punonte për të ndihmuar familjen e tij të madhe. Pas disa punësh të rëndomta si çirak i babait të vet dhe si korier në një zyrë shtypi,  rastësia e ndihu të gjejë profesionin, ku ai do të shpenzonte gjithë jetën e tij, atë të fotografit dhe fotogzetarit fillimisht në kompaninë mediatike  “Time-Life” (1939) dhe, më pas, më 1945,  përfundimisht në gazetën “The New York Times”, ku ai punoi 40 vjet deri sa doli në pension. Falë dhuntive të tij, intelektit, pasionit, këmbënguljes, përkushtimit, aftësive profesionale, shpejt ai siguroi një vend të merituar si fotograf në Shtëpinë e Bardhë për New York Times, një privilegj që shumë pak fotografëve të tjerë mund ta t’ju takonte.   Historia e veprimtarisë profesionale, artistike e intelektuale të G. Tames është ajo e kontributeve madhore në pasqyrimin pamor e gazetaresk të ngjarjeve e personazheve protagoniste të historisë e politikës amerikane e botërore të shekullit të kaluar. Veç të tjerash, George Tames konsiderohet si fotografi i presidentëve amerikanë, kongresmenëve, senatorëve dhe administratave presidenciale respektive. Ai fotografoi 10 presidentë amerikanë rresht dhe, për këtë, ai njihet edhe si fotografi i 10 presidentëve: Rusvelt, Truman, Ajzenauer,  Kenedi, Xhonson, Nikson, Ford, Karter, Regan, G.H.W.Bush. Mijra foto të ekzekutuara nga Tames përbëjnë një fototekë të çmuar dëshmitare të njerëzimit dhe zhvillimeve eksponenciale të shek XX. Ato dallohen jo vetëm për fiksimin dokumentues të qindra e qindra ngjarjeve e figurave protagoniste të historisë dhe politikës amerikane e globale, por edhe për trendin e tyre të dalluar estetik e artistik, si dhe për kontekstin e thellë human që ato inspirojnë.85-44.jpg

Midis tyre, në këtë shkrim po veçojmë një prej tyre, ndoshta më përfaqësuesen dhe më të famshmen e krijimtarisë së tij, e cila e bëri George Tames të njohur botërisht, një foto që, qysh kur u realizua e deri sot njihet e admirohet në të gjithë planetin si  një prej pamjeve presidenciale më origjinale, më autentike e më domethënëse e funksionit të çdo  presidentit në ShBA. Ajo titullohet “Puna më e vetmuar në botë”,  është realizuar në 10 Shkurt  1961 dhe ka në qendër presidentin Xhon Kenedi.

c499daa412c6c40f92203c33af2c77fd.jpg

George Tames: “Puna më e vetmuar në botë”, 10 Shkurt 1961

Mënyra e realizimit të kësaj fotografie, si dhe mesazhi filozofik, politik, human  e artistik janë unikale në historinë e fotografisë botërore. Thuajse jashtë kanuneve dhe etikës fotografike presidenciale.  Një president, të cilit, në foto,  nuk i duket fytyra, por shpina! Një foto e marrë në zyrën ovale presidenciale kundër dritës, një siluet që vizatohet spontanisht  me një nga ndriçimi natyral që buron nëpërmjet dritareve të zyrës kundrejt aparatit fotografik. Errësira dhe drita e pazakontë grafike e zyrës ovale nxitin një makth dramatik, një ndjesi  misteri se ç’fshihet në këtë pamje të pazakontë presidenciale. Është koha e krizës kubane të raketave, pragu i një katastrofe të re botërore nën kërcënimin e armëve nukleare drejtuar ShBA-ve nga Bashkimi Sovjetik, një rrezik potencial për gjithë botën. Kjo situatë e bën foton edhe më intriguese, ndonse nuk shohim shprehjen e fytyrës së presidentit. Është një koinçidencë, apo një gjest koshient e i paragjykuar që shpreh dëshpërim, pesimizëm, apo ankth pamja shpinore e presidentit Kenedi? Po vendimi i Tames-it për të bërë këtë shkrepje të pazakontë?

Enigmën,  në një fare mase e zgjidh vetë fotografi nëpërmjet tregimit të tij në librin “Eye on Washington, The Presidents Who’ve Known Me”(Një Sy mbi Washington, Presidentët që më kanë njohur Mua” (1990): “Shtylla kurrizore e presidentit Kenedi ishte shembur gjatë luftës kur anija silurë e tij u godit nga një destrojer japonez Për shkak të kësaj plagosjeje, ai mbante tërthor pas shpine një korse shtrënguese. Gjithashtu, për këtë arsye, ai nuk mund të qëndronte dot ulur në karrige për një kohë më shumë se tridhjet apo dyzet minuta pa u ngritur e shëtitur rretheqark. Sidomos, kur ndjehej keq ai kish një zakon në shtëpi, senat dhe në presidencë që të mbështeste peshën e shpinës tek shpatullat, saktësisht, duke u përkulur mbi ndonjë tryezë me pëllëmbë mbi syprinën e sheshtë dhe duke ia kaluar peshën e trupit muskujve të shpatullave, për të liruar, apo lehtësuar në një fare mënyre ngarkesën nga shpina e tij. Ai mund të lexonte, apo të punonte kështu shpesh, sa unë e kisha parë ta bënte këtë shumë herë. Unë isha duke bërë një shkrim për të, ndaj prisja në zyrën e sekratares personale, Znj. Linkoln me vështrimin ngulur brenda zyrës për të gjetur momentin. Kur e pashë që ai mori pozicionin e favorshëm të qëndrimit të tij me shpinën mbi tavolinë (ai po lexonte shtypin e ditës. K.B),  hyra përnjëheresh dhe bëra disa shkrepje nga prapa. Pastaj bëra edhe disa foto majtas për të marrë profilin e tij.”

Por botimi ato ditë i kësaj fotoje sensacionale ngjalli menjëherë diskutime dhe interpretime nga më të ndryshmet. Së paku ajo u konsiderua një foto e qartë konvencionale. Duke mos ditur problemin shëndetsor të Xhon Kenedit, si dhe prania e një konteksti të  vështirë politik e historik që kalonte ShBA dhe bota gjerë, por edhe vetë forma dhe mënyra tepër e veçantë se si është realizuar fotoja,  e mistifikuan atë deri në mit  duke i dhënë një kuptim simbolik jo vetëm realitetit aktual të ngjarjeve, por edhe të gjendjes dhe rolit shumë të vështirë e deçiziv të presidentit në detyrën e tij ndaj kombit e botës. Madje, edhe më tej, deri në ditët e sotme  kjo foto është  shndrruar në një simbol presidencial për të gjithë presidentët.  

Zakonisht fotot nuk kanë ndonjë titull “letrar figurativ”, por kjo foto e fitoi një të tillë, madje shumë shpejt dhe jo nga autori i saj. Diçitura “Puna më e vetmuar në botë” është një term që presidenti Truman e ka cituar diku e që një punonjëse e gazetës e gjeti në një libër dhe e propozoi për titull. “Dhe kjo ishte tamam ajo ç’ka mua më duhej…”…(Oral History: Interview with George Tames Washington, D.C.  June 11, 1980  by Dr. Benedict K. Zobrist). Mesazhi metaforik i titullit i përkonte aq shumë me përmbajtjen e veprës, saqë ajo e fitoi këtë titull në mënyrë shumë organike dhe pa asnjë ekuivok. Fotoja dhe titulli i saj përbënin një unitet harmonik të tillë që rrallë mund të koincidojë edhe në veprën e një artisti, sado që ai të kërkojë. Të dyja së bashku, u asimiluan e u përhapën aq shpejt nga publiku dhe qarqet politike, sa fotoja shumë shpejt bëri xhiron e botës dhe u vlerësua si një kryevepër fotografike e një niveli të rrallë profesional, aktualiteti i së cilës do të mbetej gjithëkohësia.

Nënteksti i përmbajtjes së fotos i adresohej rolit historik, peshës, vështirësive, përgjegjësisë ndaj kombit dhe njerëzimit, ekuivokeve dhe vendimarrjeve delicate e deçizive, aq edhe aspektit human të presidentit aktual, por edhe të gjithë presidentëve të superfuqisë botërore që mban balancat dhe ekuilibrat politikë e ekonomikë jo vetëm të ShBA-ve. Vetmia meditative e zyrës ovale merr kuptimin konvencional të situatës planetare, leva e Arkimedit, por edhe pika e mbështetjes e së cilës janë, më në fund,  në dorë të këtij superlideri botëror.

Kollen Walsh, shkrimtar i stafit të Harvardit shkruan: “Imazhi bardh’e zi është po aq i njohur, sa edhe ikonike. Fotoja e zyrës ovale shpreh vetminë dhe solemnitetin e presidencës së ShBA-ve dhe ndjenjën dërrmuese që Xhon Kenedi mbante peshën e kombit mbi shpinën e tij të sëmurë…”

Rabi David Hertzberg thekson: “Një foto e famshme, ku presidenti Xhon Kenedi jepet përballë dritareve të zyrës ovale me shpinë ndaj aparatit fotografik,…duket sikur shfaqet në mendim të thellë e të dhimbshëm. Shkrepja e fotos thotë plotësisht “Puna më e vetmuar në botë”. Vetëm pak njerëz e kuptojnë vërtet vështirësinë e peshës së kësaj detyre Ndaj, për këtë arsye, presidentët, pavarësisht përkatësisë partiake, dhe shpesh pas largimit nga zyra, krijojnë lidhje të forta me njeri-tjetrin, me mesazhin për të qenë të gatshëm të ndihmojnë e këshillojnë këdo që momentalisht është president…”( David Hertzberg në artikullin Parshat Behar-Bechukotai që i kushtohet librit “The President Club” të Nancy Gibbs dhe Michael Duffy)

“…Nga ana tjetër ajo çka mua më intereson është mënyra e re dhe e veçantë e Tamesit për të parë presidentin. Ai nuk donte të tregonte fytyrën e tij, sepse figura e Kenedit ishte shumë e njohur për publikun”. ( The Big Picture:A Journal of the Visual Culture from David Schonauer, Books: Inside the White House with Vicki Goldberg)stefania tames perbri fotos se famshme PUNA ME E VETMUAR.jpg

Konvencioni i   subjektit të saj u konsiderua,  së pari, mënyra shumë ekspresive e dramatike, edhe pse nuk kish portretin dhe shprehjen  psikologjike të fytyrës së Kenedit, periudhën e vështirë që kalonte Shtëpia e Bardhë në kohën e Krizës së Raketave  me Kubën, apo nënkuptonte  thjeshtësisht mesazhin e “vetmisë”,  përgjegjësisë dhe rolit të vështirë të çdo presidenti amerikan në ngjarjet botërore, sikur ato shpatulla “mbajnë gjithë peshën e Botës” (Archive for 2010 The Loneliest Job. Famous, Infamous and Iconic Photos), për këtë arsye ajo mbeti gjatë gjithë kohrave, edhe sot  si sinonim politik e humanitar i lidershipit botëror të ShBA-ve në arenën e ngjarjeve të mëdha të njerëzimit.

Por, ajo që duhet nënkuptuar, gjithashtu në izolimin e thellë të presidentit, është, pa dyshim, fakti që, edhe pse nuk duken, rretherrotull zyrës ovale punojnë për presidentin qindra nëpunës të lartë politikanë profesionistë, të cilët mbështesin vetminë presidenciale me këshillat e sugjerimet e tyre, për të mos e lënë atë vetëm,  që çdo vendim dhe firmë e tij të konfirmojë aspiratat e gjithë kombit.

Vajza e Georges, Stephanie Tames e komenton kështu këtë foto: “Shpesh njerëzit më pyesin se  si babai im realizonte një foto, veçanërisht “Puna më e vetmuar në Botë”…Ata duan të dinë nëse ai fillimisht e kishte kompozuar foton   në mendjen e tij e më pas i ka kërkuar presidentit të qëndrojë në pozicionin e përkulur mbi tavolinë. Babai më ka treguar se  e  ndiqte me sy presidentin dhe e fiksoi momentin  kur ai bëri atë veprim; për shkak të  plagosjes së tij të shpinës ai shkonte në tryezë përballë dritareve për të lexuar. Ai më ka thënë se i ishte  krijuar në mendje një imazh dhe e dinte që mund të realizonte më shumë se një foto. Ai bëri disa shkrepje nga kënde të ndryshme.

Ndoshta babai im ishte parashikues. Mundet që edhe Kenedi, gjithashtu, të  ishte i tillë. Pas vrasjes fotografia u bë e famshme. Ajo ishte një simbol i presidencës së Kenedit, shpresa e humbur e një gjenerate. Në një fare mënyre fotoja na dha ngushëllim, pasi , kur e shihnim,  ne   pranonim  me  të  fatin e  presidentit…”

Edhe profesionalisht, estetikisht e artistikisht, (por jo rastësisht), fotoja në të gjithë përbërësit kompozicionalë – këndvështrimin e fokusimin, përvijimin grafik, raportin dritëhije që bën të dallueshme siluetin, raportet dimensionale të figurës së presidentit me hapësirën e zyrës, raportin e mesazhit politik me atë  human të personazhit, si dhe përpunimi laboratorik – përbën një vepër artistike që mund të transmetojë vërtet kënaqësi shpirtërore. Vetmia është çmimi që paguan çdo president amerikan. 

Këto janë edhe  disa nga arsyet që fotoja u shumëfishua me mijra herë e  u ekspozua me 

një shpejtësi “eksponenciale” dhe sot mbahet e varur  në “zyrat ovale” të shumë kancelarive  

Kjo foto është ekspozuar në dhjetra ekspozita të rëndësishme presidenciale dhe ka fituar shumë vlerësime e çmime. “Sidoqoftë, kjo foto ka mbetur edhe një mit” ( The Washington post: June 1st, 1995 by: Conroy:  Eternal myth of  “The Lonielist Job”)

Fotografi dhe fotogazetari amerikan me origjinë shqiptaro-greke George Tames i ka lënë fototekës amerikane e botërore një pasuri të çmuar fotografike, nëpërmjet së cilës ai kosiderohet si “syri i historisë” të shekullit XX.

Filed Under: Kulture

Kryeministri Kurti u mirëprit nga bashkatdhetarë e përfaqësues të shoqatave dhe organizatave shqiptare në New Jersey

October 1, 2024 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, Blerim Reka, vazhduan takimet me pjesëtarë të mërgatës sonë dhe përfaqësues të shoqatave dhe organizatave shqiptare që veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot u mirëpritën në New Jersey, në një organizim të Qendrës Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Struga”, me kryetar, Sinan Alimi. Në mesin e të pranishmëve ishte ambasadori dhe miku i popullit tonë, William Walker.

Bashkëbisedimin me ta kryeministri e filloi duke shprehur falënderimin e tij për pritjen e ngrohtë dhe mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm dhe rolin e rëndësishëm që luajnë edhe sot. Ai me ta ndau më të rejat e zhvillimeve në vend, detaje nga takimet në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe rezultatet nga qeverisja më shumë se 3 vjet e gjysmë. Kryeministri renditi sundimin e ligjit, besimin në institucione, reformat ekonomike, qeverisjen e mirë dhe progresin demokratik si karakteristika që e kanë përshkruar Qeverinë e Republikës së Kosovës në vitet e fundit, përkundër sfidave globale. Veçoi mbështetjen për gratë dhe vajzat, si në edukim ashtu edhe në punësim dhe rritje të bizneseve të tyre, duke shtuar rëndësinë e fuqizimit të grave brenda shoqërisë, ndërsa potencoi se është rritur buxheti i shtetit dhe është investuar në fushat e sektorët kyç si mbrojtje, arsim, edukim, shëndetësi, bujqësi e energji. Ai i njoftoi edhe me politikat e qeverisë për diasporën, me qëllim përfshirjen sa më të madhe të saj në zhvillimin social dhe ekonomik. Ndër to u theksua Dritarja për Investime të Diasporës, përmes së cilës synohet t’i garantohen huatë e bizneseve me pronarë nga mërgata që duan të investojnë në Kosovë. Me këtë rast ai u bëri ftesë atyre që të shohin mundësitë që ofron Kosova për investime dhe t’i shohin si mundësi për ta dhe për partnerët e tyre biznesor.

“Nëse para tri dekadave, juve të dashur bashkatdhetarë ju kemi thënë sakrifikoni për të kontribuar, tash ju themi investoni për të fituar”, ju tha ai të pranishmëve.

Qendra Kulturore Shqiptaro-Amerikane “STRUGA” lindi si nevojë e komunitetit shqiptar, kryesisht nga Struga në New Jersey, të cilët e themeluan më 1977 me emrin “Fondi i Përbashkët Shqiptar”. Ky fond kishte për qëllim organizimin e jetës në bazë të kulturës dhe traditave, duke ndihmuar anëtarët për nevojat e ndryshme të jetës në diasporë. Aktivitete të shumta me interes kombëtar janë zhvilluar përmes kësaj organizate. Mbështetja e organizimeve politike në fillim në vitet e ’90-ta në Maqedoni dhe Kosovë, ishin ndër aktivitetet e para, gjatë luftës në Kosovë organizata arriti kulminacionin e saj të organizimit ku pothuajse çdo anëtar i kësaj qendre luajti rolin e vet në interes të kësaj çështjeje. Kjo Qendër atë kohë në lokacionin e saj në Paterson pati privilegjin të grumbullojë anëtarët e Batalionit të Atlantikut që nga aty u drejtuan drejtë fronteve të luftës në Kosovë. Pas luftës në Kosovë dhe në Maqedoni, me zgjerimin e veprimtarisë dhe aktiviteteve të organizatës emri u ndryshua në “Qendra Kulturore Shqiptaro Amerikane”, pasi numri i anëtarësisë u shtua, u themelua Shoqëria Kulturore Artistike, u zgjerua shkolla shqipe që aktualisht numëron 120 nxënës të regjistruar për mësim të Gjuhës dhe Historisë), dhe në kuadër të organizatës vepron edhe klubi i futbollit “Vllaznimi”.

Filed Under: Reportazh

Feja e shqiptarëve është Shqipëria demokratike perëndimore

October 1, 2024 by s p

Artan Nati/

Demokratizimi i fesë shqiptare i referohet një procesi historik, kryesisht pas lidhjes së Prizrenit, kur Vaso Pasha botoi në këtë kohë poemën e tij madhështore “O moj Shqypni e mjera Shqypni”, si një thirrje për unitet kombëtar dhe tejkalimin e identiteteve fetare si pjesë përbërëse të një uniteti të vetëm. Në këttë mënyrë shqiptarët në të gjitha rajonet si edhe në botë, të bashkuar rreth idesë të Vaso Pashës se “Feja e shqiptarit është shqiptaria” i dhanë kuptim tjetër fesë, duke e vënë atë në shërbim të çështjes kombëtare si dhe në vend që të mbështeten vetëm në interpretimet autoritare nga kleri, ata e vunë fenë në funksion të vetes dhe kombit. Ky proçes në vetvete është një moment kulminant në historinë e kombit tonë si edhe iluminizimin e shqiptarëve, gjithashtu tregon për përkatësinë europiane duke përqafuar iluminizmin dhe racionalitetin europian si një moment i veçantë i takimit të një proçesi demokratik me besimin fetar.

Pa shumë mbivlerësim, mund të përshkruhet historia e filozofisë moderne politike, por edhe besimit fetar, si kërkimi i një bashkëjetese të përshtatshme dhe natyrale midis tyre. Përparimi dhe jeta e bukur e krijuar nga demokracia bashkëjeton me parajsën hyjnore, humanitarizmi bashkëjeton me bamirësinë fetare dhe mendja (ose arsyeja) bashkëjeton fuqinë e mbinatyrshme ose vetë Zotin. Në këtë proçes transformimi kanë vërshuar lloj-lloj ideologjish, sisteme gjithëpërfshirëse besimi që synojnë të shpjegojnë të gjithë mendimin, veprimin dhe qëllimin njerëzor. Një nga fatkeqësitë më të mëdha në këtë rrugëtim ishte edhe fashizmi dhe komunizmi.

Shqiptarët e dinë mirë këtë tendencë totalizuese që prodhoi komunizmin duke zhdukur besimin fetar dhe veshur vetes së tyre atribute hyjnore të cilat prodhuan ferrin në tokë dhe duke nxjerrë në dukje vetitë më negative të natyrës njerëzore. Megjithatë, vetë demokracia është gjithashtu e prirur të bëhet një ideologji e tillë. Emily Finley e quan këtë “ideologjia e demokratizmit” dhe libri i saj me të njëjtin emër synon të nxjerrë në pah disa nga aspektet metafizike dhe fetare të demokracisë bashkëkohore. Ajo pretendon se demokracia, ose demokratizmi, është bërë “ndoshta sistemi mbizotërues i besimit politik në shoqërinë moderne perëndimore”. Me fjalë të tjera, demokracia është bërë më shumë se një lloj regjimi; ajo është bërë një fe laike, e plotësuar me dogmat, praktikat, klerikët e saj.

Dinjiteti i personit njerëzor është thelbësor në shumë tradita fetare. Në besimin kristian, ky besim është i rrënjosur në të kuptuarit se çdo person është krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Zotit. Ky besim duhet të na frymëzojë të punojmë për të mbrojtur demokracinë, jo sepse e kërkon ndonjë tekst fetar specifik, por sepse demokracitë janë mënyra më e mirë për të mbrojtur liritë individuale, dhe sepse ky sistem qeverisjeje i lejon individët të kenë një input në mënyrën se si ne ndërtojmë shoqërinë.

Shumica e doktrinave fetare nuk kërkojnë një përqafim të demokracisë. Por në botën e sotme, autoritarët po përpiqen të bëjnë të kundërtën, të rekrutojnë komunitete besimi për të minuar demokracinë. Ne e shohim këtë në shprehjet e gabuara të nacionalizmit të krishterë në Shtetet e Bashkuara dhe “mbulesën shpirtërore” të ofruar për Vladimir Putin nga Kisha Ortodokse Ruse. Kjo tendencë djallëzore duket qartë në qëndrimin e kryeministrit Rama ndaj besimit mysliman dhe konkretisht atij bektashian, duke i veshur vetes atribute hyjnore si dhe duke shmangur përgjegjësitë e tij ndaj demokracisë jofunksionale në vend, korrupsionit masiv si edhe mosrespektimit të drejtave të njeriut.

Këto veprime manipulative për të fituar votën e komunitetit bektashian në kurriz të përçarjes fetare si edhe të laicizmit të shtetit shqiptar, janë tërësisht në kundështim me aspiratat europiane të kombit shqiptar, por edhe me idenë e Vaso Pashës që tingëllon aq aktuale dhe moderne në këto kohë ku dëshirat e kombit tonë janë në rezonancë me komunitetin ndërkombëtar.

Kur parashtrojmë një preferencë për një identitet të caktuar fetar me forcën e shtetit, ne krijojmë kushte të rrezikshme që janë në kundërshtim me vlerat fetare. Kjo sjell një tendencë autoritare të traditës së besimit që kërkon pushtet dhe kërcënon lirinë fetare të atyre që nuk e ndajnë atë besim. Ai politizon vetë besimin fetar dhe heq natyrën vullnetare që përcakton besimin e vërtetë fetar.

Ku besimi fetar takon demokracinë? Kjo është pyetja që ka munduar njerëzimin për shumë kohë të paktën në perëndim.Vaso Pasha në momentet më të vështira për kombin gjeti zgjidhjen më racionale, që motivoi kombin tonë dhe u kurorëzua me fitoren e pavarësisë në 1912 të cilën ne e marrim si një realitet të dhuruar. Sot vendi ndodhet para dilemave edhe më të mëdha. Në jug të Shqipërisë ne ndeshemi me tendencat shoviniste greke për të manipuluar popullsinë e varfër shqiptare me sistemin e pensioneve për shqiptarët ortodoksë, duke manipuluar faktet dhe historinë se ata janë minoritarë grekë në tokë shqiptare.Ndërsa në veri të vendit kemi faktin e njohur tashmë për tendencat serbe për pushtimin e Kosovës duke i vënë shqiptarët në vëllavrasje.

Ka ardhur koha që shqiptarët nën shembullin e Vaso Pashës të mendojnë dhe veprojnë nën idealin se feja e shqiptarit është Shqipëria demokratike. Vetëm kështu ne do të jemi një komb i bashkuar dhe do të jemi pjesë e Europës së bashkuar

Në këtë moment kyç, ku demokracia jonë ka tendenca të theksuara autoritariste si në drejtimin e vendit ashtu edhe atë partiak, synimi kryesor dhe feja e shqiptaréve duhet të jetë bashkërendimi i të gjithë energjive drejt një Shqipërie demokratike europiane . Një mësim i thellë i shekullit të 20-të është se për të mposhtur një autoritar, ne kemi nevojë për një koalicion të gjerë njerëzish që mund të mos pajtohen me politika të caktuara, por që janë të gatshëm t’i japin përparësi mbrojtjes së sistemeve demokratike që na lejojnë të zgjidhim mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe demokratike. . Njerëzit e besimit janë vendimtar për ndërtimin dhe mbajtjen e një koalicioni të tillë.

Bëhet fjalë për më shumë se çdo kandidat apo parti politike. Votimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por është minimumi i mënyrës sesi njerëzit e besimit mund t’i shërbejnë jetës sonë publike. Ne duhet të punojmë për të siguruar që çdo person që ka të drejtë të votojë, çdo votë të numërohet me saktësi, të respektohen rezultatet dhe të triumfojë sundimi i ligjit. Ndërsa thirrja specifike e çdo personi politik apo fetar mund të jetë e ndryshme, secili prej nesh ka një rol për të luajtur në ruajtjen e demokracisë.

Demokracia, si shumë proçese evolucionare, shkatërrohet nëse ngrihet mbi të gjitha. Demokracia është e vlefshme në masën që vendoset në pozicionin dhe kontekstin e duhur, e kufizuar dhe e balancuar nga elementë të tjerë. Njeriu nuk fiton lirinë, barazinë dhe vetëqeverisjen thjesht duke i lëshuar frerët, këto dukuri kërkojnë një sistem kompleks stimujsh, ndëshkimesh dhe kontrollesh e balancash që paralelizojnë kompleksitetin e natyrës njerëzore. Pikërisht ky ishte synimi i Vaso Pashës kur thoshte se “ Feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Filed Under: ESSE

EKSKLUZIVE / ISMAIL QEMALI, SHQIPTARI I PARË NË KRYE TË SË PARËS ORGANIZATË NDËRKOMBËTARE

October 1, 2024 by s p

Evarist Beqiri/

Komisioni Evropian i Danubit (European Commission of the Danube ose Commission Européenne du Danube, ‘C.E.D.’) u themelua sipas nenit XVI të Traktatit të Parisit (1856), pas përfundimit të luftës së Krimesë. Konferenca e Parisit (1856) vendosi për të parën herë një regjim ndërkombëtar për të garantuar lundrimin e lirë në ujërat e lumit Danub. Në historikun e kësaj organizate ndërkombëtare do të kishte një rol të rëndësishëm edhe një shqiptar i shquar…

Ismail Qemal Vlora nuk është vetëm kryeministri dhe ministri i parë i Jashtëm i Shqipërisë. Ai është edhe shqiptari i parë, i caktuar si përfaqësues diplomatik në një Organizatë Ndërkombëtare. Dyzet e dy vite para formimit të shtetit shqiptar, në vitin 1870, Ismail Qemali mbante postin e guvernatorit të Tulçës (Tulcea) në Rumani. Porta e Lartë e mandatoi edhe si anëtar të Komisionit Evropian për Danubin.

Komisioni Evropian i Danubit ishte e para Organizatë Ndërkombëtare, ku përfaqësoheshin Fuqitë e Mëdha. Ai synonte lehtësimin e lundrimit në ujërat e Danubit. Studiuesit e konsiderojnë Komisionin Evropian të Danubit si një eksperiment i suksesshëm në të drejtën ndërkombëtare. Është tentativa e parë për bashkëpunim dhe ndërkombëtarizim të fuqisë policore të shteteve sovrane për një kauzë të përbashkët. Komisioni Evropian i Danubit ishte një organizatë unike në llojin e vetë, i cili ushtronte pushtet policor dhe juridik mbi mjetet detare dhe individët në ujërat e gjëra të Danubit.

Komisioni Evropian i Danubit së bashku me Komisionin Qendror të Lundrimit të Rhinit i themeluar nga Kongresi i Vjenës (1815), janë të parat organizata ndërkombëtare në botë. Komisioni Evropian ishte një organizate inovative me natyrë tekniko-politike. Komisioni Evropian u themelua nga Koncerti i Fuqive Evropiane dhe e ushtronte sovranitetin e tij në rrjedhën e lumit Danub. Për të parën herë delegatët e fuqive rivale do të punonin së bashku për hir të sigurimit të infrastrukturës evropiane të transportit. Komisioni Evropian do të shndërrohej në një aktor në arenën e politikës ndërkombëtare dhe do të shërbente si model për themelimin e organizatave ndërkombëtare, të cilat lindën më pas. Komisioni i Danubit është një organizëm ndërkombëtar që vijon të funksionojë edhe në ditët tona…

Komisioni Evropian i Danubit ishte një organ i pavarur dhe burokratik, i cili garantonte zbatimin e normave të gjithëpranuara ndërkombëtare në Danub. Në këtë shkrim po publikojmë për herë të parë për publikun një dokument origjinal të Komisionit Evropian të Danubit. Me anë të këtij dokumenti me nr. 11, të hartuar në Galati, Rumani, më 17 janar 1871, Shkëlqesia e tij, presidenti i komisionit Ismail Beu, kërkon të dhëna lidhur me kohën e ndërtimit të disa shtëpive që gjendeshin në bregun e djathtë të Danubit në Sulina, Rumani. Vlen të nënvizohet fakti që në këtë periudhë Ismail Qemali njihej në komunikimin zyrtar me emrin Ismail Beu (Ismail Bey). Pra, duket se ai akoma nuk e përdorte zyrtarisht emrin Ismail Qemali (Ismail Kemal)…

Ismail Qemali ishte më i riu midis anëtarëve të Komisionit Evropian të Danubit, vetëm 26 vjeç. Ai ishte njëkohësisht edhe president i Komisionit të Danubit. Këtë detyrë ai ushtroi në vitet 1870-1872, duke u bërë kështu i pari dhe i vetmi shqiptar që deri më sot ka arritur një pozicion kaq të lartë në një organizëm ndërkombëtar. Ekziston edhe një foto e rrallë e Ismail Qemalit në këtë periudhë. Aty shfaqen përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha në Komisionin Evropian të Danubit, diplomatë nga më të shquarit të kohës.

Rëndësia që kishte për kohën kjo organizatë ndërkombëtare shfaqet edhe tek niveli i lartë i përfaqësimit. Fuqitë e Mëdha do të caktonin aty si përfaqësues diplomatët e tyre më të zotë. Përkatësisht, Kolonel (më pas Gjeneral) Sir John Stokes, për Britaninë e Madhe; Baron Adolphe d’Avril, për Francën; Baron Joseph Maria von Radowitz, për Gjermaninë (Prusinë); Baron Henrik d’Offenberg, për Rusinë; Baron Nikolaus von Pottenburg, për Austrinë dhe Kavalier Bernardo Berio, për Italinë. Sot ekziston edhe një pllakatë përkujtimore ku gjendet edhe emri i Ismail Qemalit, pikërisht në farin e qytetit të Sulinës, Tulcea, në Rumani. Ajo u vendos në nëntor 1870, për të përkujtuar ndërtimin e farit nga Komisioni Evropian për Danubin.

Siç e thamë më sipër, Ismail Qemali u emërua në shkurt 1870, guvernator i provincës së Danubit të Poshtëm dhe ex-officio president i Komisionit Evropian për Danubin. Si kryesues i komisionit, Ismail Qemali, bashkëpunoi në mënyrë të shkëlqyer me delegatët e tjerë, si atë britanik, francez, gjerman, rus, austriak dhe italian. Gjatë kësaj periudhe ai do të lidhte miqësi edhe me Kolonelin (më vonë Gjeneral) Gordon, ose siç njihet ndryshe “Gordoni kinez”, i cili do të ishte anëtar i komisionit në vitet 1872–1873. Heroi britanik Charles George Gordon nderohet anekënd botës, për luftën e tij historike kundër skllavërisë. Ai njihet ndryshe edhe si “Gordon Pasha”, “Gordon kinezi”, apo edhe si heroi i Khartumit. Ai humbi jetën përgjatë mbrojtjes heroike të Khartumit, kundër rebelëve sudanez në vitin 1885.

Gordon Pasha e vlerësonte shumë Ismail Qemalin dhe dëshironte që ta kishte në krah të tij edhe në Khartum. Në një letër që ai i dërgonte Ismail Qemalit më datë 24 janar 1877, bën një parashikim profetik, kur i shkruan, ndër të tjera: “Jua kam thënë me kohë, do të bëheni njeri i madh, ashtu mendoj edhe tani. Ruajuni nga aventurierët.”. Gordon Pasha, vlerësonte ngrohtësinë dhe përzemërsinë e karakterit të Ismail Qemalit.

Në periudhën që shërbeu si guvernator në Evropën Juglindore, Ismail Qemali ndërmori iniciativa të ndryshme për përmirësimin e infrastrukturës publike. Por, më 17 korrik 1870, Franca i shpalli luftë Gjermanisë dhe të gjitha punët e mira që ishin nisur u ndërprenë. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, ai u përpoq që të çonte përpara disa projekte për reforma administrative në rajon. Më kryesori ndër to ishte organizimi i shkollave publike në krahinën e Dobruxhas (Dobruja), midis Rumanisë dhe Bullgarisë së sotme…

Foto:

Ismail Qemali dhe anëtarët e Komisionin Evropian të Danubit, në vitin 1871.

Ky dokument publikohet për të parën herë. Ai mban nr. 11, dhe është hartuar në Galati, Rumani më, 17 janar 1871. Shkëlqesia e tij, Ismail Beu kërkon disa të dhëna lidhur me kohën e ndërtimit të disa shtëpive që gjendeshin në bregun e djathtë të Danubit në Sulina, Rumani.

Pllakatë përkujtimore në farin e qytetit të Sulinës, Tulcea, Rumani, nëntor 1870.

Filed Under: Histori

Lee Zeldin: “We must send Marko Kepi to the New York State Senate”

October 1, 2024 by s p

Lee Zeldin: “We must send Marko Kepi to the New York State Senate”

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 886
  • 887
  • 888
  • 889
  • 890
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT