Kristaq BALLI
Nga fotografi amerikan me origjinë shqiptare George Tames
George Tames (1919-1994) është një prej fotografëve të shquar amerikanë me origjinë shqiptaro-greke, që e ushtroi veprimtarinë e tij si fotograf dhe fotogazetar në një prej mediumeve më të njohura mediatike të shek. XX, gazetën “The New York Times”. Ai lindi në një familje emigrantësh ekonomikë shqiptaro-greke të gjeneratës së parë.(babai shqiptar dhe nëna greke) Fëmijërinë, adoleshencën dhe rininë do ta kalonte me vështirësi e peripeci të shumta ekonomike, sepse ai ishte fëmija i madh, por edhe sepse këto mosha të jetës do të koincidonin me periudhën e Depresionit të Madh. Kështu, ai u detyrua të ndërpriste shkollën dhe të punonte për të ndihmuar familjen e tij të madhe. Pas disa punësh të rëndomta si çirak i babait të vet dhe si korier në një zyrë shtypi, rastësia e ndihu të gjejë profesionin, ku ai do të shpenzonte gjithë jetën e tij, atë të fotografit dhe fotogzetarit fillimisht në kompaninë mediatike “Time-Life” (1939) dhe, më pas, më 1945, përfundimisht në gazetën “The New York Times”, ku ai punoi 40 vjet deri sa doli në pension. Falë dhuntive të tij, intelektit, pasionit, këmbënguljes, përkushtimit, aftësive profesionale, shpejt ai siguroi një vend të merituar si fotograf në Shtëpinë e Bardhë për New York Times, një privilegj që shumë pak fotografëve të tjerë mund ta t’ju takonte. Historia e veprimtarisë profesionale, artistike e intelektuale të G. Tames është ajo e kontributeve madhore në pasqyrimin pamor e gazetaresk të ngjarjeve e personazheve protagoniste të historisë e politikës amerikane e botërore të shekullit të kaluar. Veç të tjerash, George Tames konsiderohet si fotografi i presidentëve amerikanë, kongresmenëve, senatorëve dhe administratave presidenciale respektive. Ai fotografoi 10 presidentë amerikanë rresht dhe, për këtë, ai njihet edhe si fotografi i 10 presidentëve: Rusvelt, Truman, Ajzenauer, Kenedi, Xhonson, Nikson, Ford, Karter, Regan, G.H.W.Bush. Mijra foto të ekzekutuara nga Tames përbëjnë një fototekë të çmuar dëshmitare të njerëzimit dhe zhvillimeve eksponenciale të shek XX. Ato dallohen jo vetëm për fiksimin dokumentues të qindra e qindra ngjarjeve e figurave protagoniste të historisë dhe politikës amerikane e globale, por edhe për trendin e tyre të dalluar estetik e artistik, si dhe për kontekstin e thellë human që ato inspirojnë.
Midis tyre, në këtë shkrim po veçojmë një prej tyre, ndoshta më përfaqësuesen dhe më të famshmen e krijimtarisë së tij, e cila e bëri George Tames të njohur botërisht, një foto që, qysh kur u realizua e deri sot njihet e admirohet në të gjithë planetin si një prej pamjeve presidenciale më origjinale, më autentike e më domethënëse e funksionit të çdo presidentit në ShBA. Ajo titullohet “Puna më e vetmuar në botë”, është realizuar në 10 Shkurt 1961 dhe ka në qendër presidentin Xhon Kenedi.
George Tames: “Puna më e vetmuar në botë”, 10 Shkurt 1961
Mënyra e realizimit të kësaj fotografie, si dhe mesazhi filozofik, politik, human e artistik janë unikale në historinë e fotografisë botërore. Thuajse jashtë kanuneve dhe etikës fotografike presidenciale. Një president, të cilit, në foto, nuk i duket fytyra, por shpina! Një foto e marrë në zyrën ovale presidenciale kundër dritës, një siluet që vizatohet spontanisht me një nga ndriçimi natyral që buron nëpërmjet dritareve të zyrës kundrejt aparatit fotografik. Errësira dhe drita e pazakontë grafike e zyrës ovale nxitin një makth dramatik, një ndjesi misteri se ç’fshihet në këtë pamje të pazakontë presidenciale. Është koha e krizës kubane të raketave, pragu i një katastrofe të re botërore nën kërcënimin e armëve nukleare drejtuar ShBA-ve nga Bashkimi Sovjetik, një rrezik potencial për gjithë botën. Kjo situatë e bën foton edhe më intriguese, ndonse nuk shohim shprehjen e fytyrës së presidentit. Është një koinçidencë, apo një gjest koshient e i paragjykuar që shpreh dëshpërim, pesimizëm, apo ankth pamja shpinore e presidentit Kenedi? Po vendimi i Tames-it për të bërë këtë shkrepje të pazakontë?
Enigmën, në një fare mase e zgjidh vetë fotografi nëpërmjet tregimit të tij në librin “Eye on Washington, The Presidents Who’ve Known Me”(Një Sy mbi Washington, Presidentët që më kanë njohur Mua” (1990): “Shtylla kurrizore e presidentit Kenedi ishte shembur gjatë luftës kur anija silurë e tij u godit nga një destrojer japonez Për shkak të kësaj plagosjeje, ai mbante tërthor pas shpine një korse shtrënguese. Gjithashtu, për këtë arsye, ai nuk mund të qëndronte dot ulur në karrige për një kohë më shumë se tridhjet apo dyzet minuta pa u ngritur e shëtitur rretheqark. Sidomos, kur ndjehej keq ai kish një zakon në shtëpi, senat dhe në presidencë që të mbështeste peshën e shpinës tek shpatullat, saktësisht, duke u përkulur mbi ndonjë tryezë me pëllëmbë mbi syprinën e sheshtë dhe duke ia kaluar peshën e trupit muskujve të shpatullave, për të liruar, apo lehtësuar në një fare mënyre ngarkesën nga shpina e tij. Ai mund të lexonte, apo të punonte kështu shpesh, sa unë e kisha parë ta bënte këtë shumë herë. Unë isha duke bërë një shkrim për të, ndaj prisja në zyrën e sekratares personale, Znj. Linkoln me vështrimin ngulur brenda zyrës për të gjetur momentin. Kur e pashë që ai mori pozicionin e favorshëm të qëndrimit të tij me shpinën mbi tavolinë (ai po lexonte shtypin e ditës. K.B), hyra përnjëheresh dhe bëra disa shkrepje nga prapa. Pastaj bëra edhe disa foto majtas për të marrë profilin e tij.”
Por botimi ato ditë i kësaj fotoje sensacionale ngjalli menjëherë diskutime dhe interpretime nga më të ndryshmet. Së paku ajo u konsiderua një foto e qartë konvencionale. Duke mos ditur problemin shëndetsor të Xhon Kenedit, si dhe prania e një konteksti të vështirë politik e historik që kalonte ShBA dhe bota gjerë, por edhe vetë forma dhe mënyra tepër e veçantë se si është realizuar fotoja, e mistifikuan atë deri në mit duke i dhënë një kuptim simbolik jo vetëm realitetit aktual të ngjarjeve, por edhe të gjendjes dhe rolit shumë të vështirë e deçiziv të presidentit në detyrën e tij ndaj kombit e botës. Madje, edhe më tej, deri në ditët e sotme kjo foto është shndrruar në një simbol presidencial për të gjithë presidentët.
Zakonisht fotot nuk kanë ndonjë titull “letrar figurativ”, por kjo foto e fitoi një të tillë, madje shumë shpejt dhe jo nga autori i saj. Diçitura “Puna më e vetmuar në botë” është një term që presidenti Truman e ka cituar diku e që një punonjëse e gazetës e gjeti në një libër dhe e propozoi për titull. “Dhe kjo ishte tamam ajo ç’ka mua më duhej…”…(Oral History: Interview with George Tames Washington, D.C. June 11, 1980 by Dr. Benedict K. Zobrist). Mesazhi metaforik i titullit i përkonte aq shumë me përmbajtjen e veprës, saqë ajo e fitoi këtë titull në mënyrë shumë organike dhe pa asnjë ekuivok. Fotoja dhe titulli i saj përbënin një unitet harmonik të tillë që rrallë mund të koincidojë edhe në veprën e një artisti, sado që ai të kërkojë. Të dyja së bashku, u asimiluan e u përhapën aq shpejt nga publiku dhe qarqet politike, sa fotoja shumë shpejt bëri xhiron e botës dhe u vlerësua si një kryevepër fotografike e një niveli të rrallë profesional, aktualiteti i së cilës do të mbetej gjithëkohësia.
Nënteksti i përmbajtjes së fotos i adresohej rolit historik, peshës, vështirësive, përgjegjësisë ndaj kombit dhe njerëzimit, ekuivokeve dhe vendimarrjeve delicate e deçizive, aq edhe aspektit human të presidentit aktual, por edhe të gjithë presidentëve të superfuqisë botërore që mban balancat dhe ekuilibrat politikë e ekonomikë jo vetëm të ShBA-ve. Vetmia meditative e zyrës ovale merr kuptimin konvencional të situatës planetare, leva e Arkimedit, por edhe pika e mbështetjes e së cilës janë, më në fund, në dorë të këtij superlideri botëror.
Kollen Walsh, shkrimtar i stafit të Harvardit shkruan: “Imazhi bardh’e zi është po aq i njohur, sa edhe ikonike. Fotoja e zyrës ovale shpreh vetminë dhe solemnitetin e presidencës së ShBA-ve dhe ndjenjën dërrmuese që Xhon Kenedi mbante peshën e kombit mbi shpinën e tij të sëmurë…”
Rabi David Hertzberg thekson: “Një foto e famshme, ku presidenti Xhon Kenedi jepet përballë dritareve të zyrës ovale me shpinë ndaj aparatit fotografik,…duket sikur shfaqet në mendim të thellë e të dhimbshëm. Shkrepja e fotos thotë plotësisht “Puna më e vetmuar në botë”. Vetëm pak njerëz e kuptojnë vërtet vështirësinë e peshës së kësaj detyre Ndaj, për këtë arsye, presidentët, pavarësisht përkatësisë partiake, dhe shpesh pas largimit nga zyra, krijojnë lidhje të forta me njeri-tjetrin, me mesazhin për të qenë të gatshëm të ndihmojnë e këshillojnë këdo që momentalisht është president…”( David Hertzberg në artikullin Parshat Behar-Bechukotai që i kushtohet librit “The President Club” të Nancy Gibbs dhe Michael Duffy)
“…Nga ana tjetër ajo çka mua më intereson është mënyra e re dhe e veçantë e Tamesit për të parë presidentin. Ai nuk donte të tregonte fytyrën e tij, sepse figura e Kenedit ishte shumë e njohur për publikun”. ( The Big Picture:A Journal of the Visual Culture from David Schonauer, Books: Inside the White House with Vicki Goldberg)
Konvencioni i subjektit të saj u konsiderua, së pari, mënyra shumë ekspresive e dramatike, edhe pse nuk kish portretin dhe shprehjen psikologjike të fytyrës së Kenedit, periudhën e vështirë që kalonte Shtëpia e Bardhë në kohën e Krizës së Raketave me Kubën, apo nënkuptonte thjeshtësisht mesazhin e “vetmisë”, përgjegjësisë dhe rolit të vështirë të çdo presidenti amerikan në ngjarjet botërore, sikur ato shpatulla “mbajnë gjithë peshën e Botës” (Archive for 2010 The Loneliest Job. Famous, Infamous and Iconic Photos), për këtë arsye ajo mbeti gjatë gjithë kohrave, edhe sot si sinonim politik e humanitar i lidershipit botëror të ShBA-ve në arenën e ngjarjeve të mëdha të njerëzimit.
Por, ajo që duhet nënkuptuar, gjithashtu në izolimin e thellë të presidentit, është, pa dyshim, fakti që, edhe pse nuk duken, rretherrotull zyrës ovale punojnë për presidentin qindra nëpunës të lartë politikanë profesionistë, të cilët mbështesin vetminë presidenciale me këshillat e sugjerimet e tyre, për të mos e lënë atë vetëm, që çdo vendim dhe firmë e tij të konfirmojë aspiratat e gjithë kombit.
Vajza e Georges, Stephanie Tames e komenton kështu këtë foto: “Shpesh njerëzit më pyesin se si babai im realizonte një foto, veçanërisht “Puna më e vetmuar në Botë”…Ata duan të dinë nëse ai fillimisht e kishte kompozuar foton në mendjen e tij e më pas i ka kërkuar presidentit të qëndrojë në pozicionin e përkulur mbi tavolinë. Babai më ka treguar se e ndiqte me sy presidentin dhe e fiksoi momentin kur ai bëri atë veprim; për shkak të plagosjes së tij të shpinës ai shkonte në tryezë përballë dritareve për të lexuar. Ai më ka thënë se i ishte krijuar në mendje një imazh dhe e dinte që mund të realizonte më shumë se një foto. Ai bëri disa shkrepje nga kënde të ndryshme.
Ndoshta babai im ishte parashikues. Mundet që edhe Kenedi, gjithashtu, të ishte i tillë. Pas vrasjes fotografia u bë e famshme. Ajo ishte një simbol i presidencës së Kenedit, shpresa e humbur e një gjenerate. Në një fare mënyre fotoja na dha ngushëllim, pasi , kur e shihnim, ne pranonim me të fatin e presidentit…”
Edhe profesionalisht, estetikisht e artistikisht, (por jo rastësisht), fotoja në të gjithë përbërësit kompozicionalë – këndvështrimin e fokusimin, përvijimin grafik, raportin dritëhije që bën të dallueshme siluetin, raportet dimensionale të figurës së presidentit me hapësirën e zyrës, raportin e mesazhit politik me atë human të personazhit, si dhe përpunimi laboratorik – përbën një vepër artistike që mund të transmetojë vërtet kënaqësi shpirtërore. Vetmia është çmimi që paguan çdo president amerikan.
Këto janë edhe disa nga arsyet që fotoja u shumëfishua me mijra herë e u ekspozua me
një shpejtësi “eksponenciale” dhe sot mbahet e varur në “zyrat ovale” të shumë kancelarive
Kjo foto është ekspozuar në dhjetra ekspozita të rëndësishme presidenciale dhe ka fituar shumë vlerësime e çmime. “Sidoqoftë, kjo foto ka mbetur edhe një mit” ( The Washington post: June 1st, 1995 by: Conroy: Eternal myth of “The Lonielist Job”)
Fotografi dhe fotogazetari amerikan me origjinë shqiptaro-greke George Tames i ka lënë fototekës amerikane e botërore një pasuri të çmuar fotografike, nëpërmjet së cilës ai kosiderohet si “syri i historisë” të shekullit XX.