• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HASAN PRISHTINA, TRURI AKTIV I LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE

June 21, 2024 by s p

Hasan Prishtina padyshim është atdhetar i madh dhe protagonist i historisë sonë kombëtare, njëkohësisht luftëtar, ideolog, e diplomat, arsimdashës i shquar. Ai është një ndër prijësit kryesor, truri aktiv, i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për liri e pavarësi. Hasan Prishtina u lind në Vushtrri, më 27 shtator 1873 dhe vdiq i vrarë pabesisht, me porosi të Zogut, në qytetin e Selanikut, më 13 Gusht të vitit 1933. Deri më 1908 është quajtur Hasan Berisha – Polaci, ose Hasan Vuçitërna. Fëmijëria e tij dallonte nga ajo e moshatarëve të vet. Familja e tij qëndronte mirë ekonomikisht. I ati, Ahmeti, punonte si furnizues i ushtrisë turke, në garnizonin e Selanikut. Mësimet e para i mbaroi në Vushtrri, me rezultate të shkëlqyera. Vazhdoi shkollimin në Selanik dhe në Stamboll, ku dhe u diplomua për drejtësi, në Fakultetin e Shkencave Politike- Juridike.

U bë edhe më i njohur pas vitit 1908, kur u zgjodh deputet i Prishtinës për në Parlamentin turk. Ai që nga ky moment ndërroi edhe mbiemrin Vuçitërna dhe do të quhet Hasan Prishtina. Kontributi i tij në Revolucionin Xhonturk (Turqve të Rinj), qe shumë i madh. “Qëllimi i tyre ishte reformimi i Perandorisë Osmane dhe rivendosja e Kushtetutës së vitit 1876. Për ta pasur përkrahjen e shqiptarëve, xhonturqit iu premtuan atyre se “kur të arrijnë në pushtet, do t’ju njohin autonominë.” Duke u bazuar në këto premtime, shqiptarët iu bashkëngjitën Lëvizjes Xhonturke dhe luajtën rolin vendimtar në rrëzimin e tiranisë së sulltan Abdyl Hamitit II (1876- 1909). Rol të rëndësishëm në këto ngjarje, kishte edhe kazaja e Vushtrrisë, me në krye Zejnullah Begun dhe vet Hasan Prishtinën.

Trojet nën Turqinë, Kosova dhe Shqipëria, ishin ndër vatrat kryesore të këtij shpërthimi, që do të rezultonte me kthimin e Kushtetutës (Hyrjetit) dhe me disa premtime të tjera mashtruese. Kjo Lëvizje, e ndikuar nga revolucionet borgjeze evropiane, sidomos nga ai francez i vitit 1789, huazoi prej tyre devizën e njohur: “Liri, Barazi, Vëllazëri”, e cila në të vërtetë, u përdor si mjet propagandistik për arritjen e qëllimeve politike.

Sidoqoftë, mundja e sulltan Abdyl Hamitit II, të cilin shqiptarët e quanin “demon shpirtzi”, u dha shanse të merrnin frymë më lirshëm edhe popujve të tjerë të robëruar.

Mirëpo, as turqit e rinj nuk e patën të gjatë, sepse nuk i realizuan premtimet e dhëna. Përkundrazi, me këtë aksion, ata shkuan edhe më larg, nisen asimilimin e të robëruarve, duke i quajtur të gjithë shtetasit e Perandorisë, “Osmanlinj”. Të zhgënjyer thellë, shqiptarët organizuan rezistencë edhe kundër tyre. Kështu, në përmbysjen e xhonturqve, shqiptarët dhe deputetët e tyre në Parlament luajtën rolin kryesor.

Edhe pse ministër i punëve të brendshme në Stamboll u vendos shqiptari Ferid pashë Vlora, përplasjet midis shqiptarëve të Kosovës dhe qeverisë turke veçse thelloheshin. Ekspeditat ndëshkuese të Xhavit Pashës kundër kryengritësve shqiptarë, në fillim të vitit 1909, e acaruan dhe më shumë gjendjen.

Deputetët shqiptarë ngritën zërin kundër gjakderdhjeve e shkatërrimeve barbare. Më i zëshmi, qe Hasan Prishtina, i cili me diskutimet e tij të zjarrta, trazoi e ngriti në këmbë, gjithë Parlamentin.

Shpirti kryengritës e çlirimtar i Hasan Prishtinës nuk dorëzohej. Ai shpërthente si vullkan i pashuar, mu në mes të kësaj gërmadhe që, dita- ditës, po përmbysej si e kalbur dhe e vjetruar. Largpamësinë e tij, për rrezikun që vinte nga Aleanca Ballkanike, si për perandorinë, si për shqiptarët, të tjerët nuk donin ta kuptonin fare. As kërkesat e Hasan Prishtinës dhe Ismail Qemalit me shokë, për ta ndalur dhunën në Kosovë e gjetiu, nuk i morën parasysh, prandaj deputetët shqiptarë të revoltuar, reagonin në mënyra të ndryshme, deri në organizim revoltash popullore.

Po, Kryengritja e Madhe në Kosovë, në prill të vitit 1910, ku morën pjesë mbi tridhjetëmijë luftëtarë, u shua me gjak nga pesëdhjetë e pesëmijë forca turke, të udhëhequra nga Hilmi Pasha.

Kjo e dëshpëroi dhe e revoltoi Hasan Prishtinën me shokë. Ai u ngrit sërish në seancën parlamentare, mandej dhe kërkoi që të shpërndahej menjëherë kabineti i Haki Pashës, i cili mbante dhe ai përgjegjësinë, për ngjarjet tragjike. Kjo trimëri e pashoqe i la pa gojë parlamentarët turq. Shtypi shqiptar e quajti oratorin “Luani i Prishtinës”. Nga fjalët e tij mbrojtëse për kryengritësit, u kuptua se ai ishte ideologu i tyre kryesor, ndaj gjyqësia turke e dënoi me vdekje. Mirëpo, sulltan Mehmeti V Reshati, përdori diplomaci, duke e amnistuar.

Kjo nuk e frikësoi aspak deputetin kryengritës, siç kishin zënë ta quanin Hasan Prishtinën. Përkundrazi, ai u bë përherë e më i ashpër. Kështu, më 3 mars 1911, prapë i parashtroi kërkesat kombëtare të kryengritësve shqiptarë, por ato prapë u refuzuan nga Turqit e Rinj. Në mbrojte i doli plaku Ismail Qemali me shumë emër dhe autoritet. Ministrat u zemëruan keq. Një deputet, Dervish beu nga Maqedonia, i doli prapa shpine dhe tinëz i ra shpullë plakut vlonjat. Hasan Prishtinës i erdhi aq rëndë, saqë i kërkoi dyluftim të pabesit. Sërish ndërhyn Ismail Qemali: ”Biro! Ti i duhesh Shqipërisë!” Trimi e dëgjoi, por u tha atyre troç: “Zotërinj, ta dini se kjo ngjarje do të sjellë gjëra shumë të liga!”.

Këto përplasje diktuan domosdoshmërinë e kundërveprimit të organizuar. Pas një takimi në hotelin “Pera Palace”, mes tij dhe Ismail Qemalit, më 12 janar 1912, u mblodhën në shtëpinë e Syrja bej Vlorës, në lagjen “Taksim”, deputetët e Beratit Ismail Beu dhe Aziz pashë Vrioni, deputeti i Gjirokastrës Myfid bej Libohova, deputeti i Durrësit Esad pashë Toptani dhe deputeti i Prishtinës, Hasan Beu. Deputetët shqiptarë pasi kuvenduan mbi masat që kërkonin nevoja e rrethanave, lidhën besën, duke u betuar mbi Kuran, për sakrificat e mëtejshme që do të ndërmerreshin në dobi të kombit e atdheut të tyre.

Në vazhdim, Tubimi në Kuvend të Junikut, që i zhvilloi punimet prej 21-25 maj 1912, ishte vendimtar për fillimin e kryengritjes se përgjithshme shqiptare. Aty u hartua Programi prej 14 pikash me kërkesa rigoroze dhe u caktuan udhëheqësit për rajonet e Kosovës: Bajram Curri për Gjakovë me rrethinë, Hasan Prishtina për anët e Pejës, Sadik Rama për Llapushë, Anadrini e deri në Opojë, Xhemail Berisha me Isa Boletinin për Mitrovicë e Fushë të Kosovës dhe Idriz Seferi me Hasan Hysenin për anët e Gjilanit. U iniciuan aksione të shpejta e konkrete.

Forcat shqiptare arrinin në mbi 10 mijë luftëtarë. Të gjithë nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës. Memorandumi e tij, dërguar fuqive të mëdha, e që përbëhej nga 14 kërkesa, njihet si “14 pikat e Hasan Prishtinës”.

Kryengritjet u zgjeruan dhe mori përpjesëtime edhe më të mëdha. Kudo: luftëra, përleshje e beteja të njëpasnjëshme. Kosova e tëra u la në gjak.

Shumë shpejt, flaka e kryengritjeve përfshiu tërë Kosovën. Një vit më parë e kishte munduar veten kot sulltani plak, Mehmet Reshati V. Kishte ardhur në Kosovë, tek varri i Muratit I, (të cilin, më 15 qershor 1389, e kishte therur me thikë trimi drenicas, Milosh Nikollë Kopiliqi). Erdhi për ta qetësuar gjendjen, por i shkoi mundi huq. Disa krerë, në mesin e tyre edhe Isa Boletini, nuk e pritën fare. Mosparaqitjen e tij e shfrytëzoi Hasan Prishtina për t’iu hakërruar sulltanit plak. “Pasha ekselencë, t’ju themi të drejtën as ne nuk na ka pasë hije me ardhë! E Isa Begu asht nga ana që nuk e gëlltit e as që harron nderin që me dajak i asht marrë popullit. Shqiptari çdo gja fal, po nderin kurrë, pa e marrë hakun. Qe, pra, Isa Boletini asht nji nga të parët e atyne, i vendosun e me karakter të papërkulshëm, si i ka hije shqiptarit. Ftesave që i kemi ba kështu na u ka përgjigj”.

As dorëheqja e xhonturqve nuk dha rezultate. Shqiptarët ishin të vendosur në kërkesat e tyre që u takonin. Ata e çliruan Prishtinën, Ferizajn dhe u nisën drejt Shkupit…

Më 12 korrik 1912, Bajram Curri, Isa Boletini, Ahmet Delia e shumë luftëtarë të tjerë u gjenden në Shkup si çlirimtarë. Kjo e tronditi në themel Perandorinë e kalbur osmane, saqë, më 5 gusht 1912, do të shpërndahet edhe Parlamenti i Stambollit.

Nga 14 gushti pas zvarritjeve sepse parlamenti osman ishte shkrirë, autoritetet osmane më 4 shtator pranuan 12 nga 14 pikat e parashtruara nga paria e kryengritjes si hap i parë i njohjes së autonomisë të Vilajetit Shqiptar.

Shtetet fqinje sodisnin dhe bënin plane djallëzore për copëtimin e tokave shqiptare. E formuan Aleancën Ballkanike dhe, atëherë kur bisha euro-aziatike po jepte shpirt, në njërën anë, dhe shqiptarët ishin lodhur e dobësuar nga betejat e pareshtura, në anën tjetër, u inkuadruan në luftë. Kështu, mbi tokat e porsaçliruara shqiptare, u vërsulen si një lukuni ujqish grabitqarë ushtritë serbo-malazeze. Secila mundohej ta kafshonte një copë më të madhe nga trupi i gjakosur i Shqipërisë Etnike.

Nëse luftërat ballkanike për disa popuj ishin fatlume, se ua sollën lirinë, për shqiptarët e Kosovës ishin të kobshme, sepse u sollën robëri të re.

Fitorja e 28 Nëntorit 1912 në Shqipëri, ishte e brishtë dhe fare gjysmake, pa e përfshirë Kosovën dhe Çamërinë.

Më 4 dhjetor 1912, formohet Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe Hasan Prishtina emërohet ministër i Bujqësisë.

Hasan Prishtina është i shquar e madhështor edhe në fushën e arsimit kombëtar. Kontributi i Hasan Prishtinës për zhvillimin e arsimit kombëtar është i madh dhe nuk mund t’i gjendet krahasim jo vetëm në historinë e popullit shqiptar, por edhe në historinë e popujve të tjerë. Përpjekjet e tij për shkollën shqipe përbënin një krah të luftës së tij të përgjithshme për lirinë kombëtare shqiptare,-

Ky arsimdashës i flaktë, fitoren mbi regjimin e tiranit sulltan Abdyl Hamitit, e shfrytëzoi në të mirë të gjuhës dhe shkollës shqipe. Me nismën e tij, pa humbur kohë, u organizua Kongresi i Alfabetit në Manastir, i cili i zhvilloi punimet prej 14- 22 nëntor 1908.

Në këtë vazhdë shkon edhe Kongresi i Elbasanit, i njohur edhe si Kongresi i Shkollës Shqipe, i mbajtur më 2- 9 shtator 1909. Ëndrra e Hasan Prishtinës që të dominojë alfabeti latin në shkollat shqipe, po bëhej realitet. Atë vit do të nisë punën edhe Shkolla Normale me në krye Luigj Gurakuqin. Në atë vatër diturie do të mësojnë edhe shumë nxënës nga Kosova, shumica me harxhimet e Hasan Prishtinës. Ky atdhetar kishte vendosur që gjithë pasurinë e vet ta shkrinte për shkollën shqipe.

Dhe, kjo pati sukses. Përhapja e arsimit shqip mori rrugë të mbarë gjithandej trojeve shqiptare. Drejtori i Normales së Elbasanit, atdhetari Luigj Gurakuqi, i priste përzemërsisht djemtë e Hasanit, siç i quante ai nxënësit kosovarë dhe gjithmonë i entuziazmuar brohoriste: Rroftë Hasan Prishtina!

Peripecitë e shkollës shqipe gjatë asaj periudhe janë të shumta, herë lejoheshin, herë ndaloheshin, dhe, gjithmonë në kacafytje me përfaqësuesit e saj anadollakë, qëndronte i madhi, i dituri dhe sypatremburi, Hasan Prishtina.

Edhe austro-hungarezët nuk u treguan aq të ashpër ndaj shkollave shqipe në Kosovë. Ky pushtues lejoi hapjen e shkollave në gjuhën amtare. Vjena lejoi dhe ndihmoi jo vetëm hapjen e shkollave laike e shtetërore shqipe, por njëkohësisht bëri të mundur që pjesërisht edhe administrata të realizohej në gjuhën shqipe.

Pra, shqiptarët, edhe pse të vetëdijshëm për qëllimet imperialiste të Vjenës, i shfrytëzuan rrethanat e krijuara dhe brenda një kohe të shkurtër u hapën shumë shkolla në gjuhën shqipe dhe u vendosën shqiptarë nëpër administratat lokale (nëpër komuna dhe rrethe).

Atdhetari, Hasan Prishtina, në këto kushte, themeloi edhe organizatën politike me emrin “Komiteti i Kosovës”. ”Rëndësia historike e kësaj organizate ilegale shqiptare me qendër në Mitrovicë ishte se e ndaloi përpjekjen e Austro-Hungarisë, që në bashkëveprim me Turqinë t’i depërtojë shqiptarët e religjionit mysliman në Turqi. Depërtimi duhej të fillonte më 1917.

Ndër qytetet që i shfrytëzuan këto rrethana ishte edhe vendlindja e Hasanit, Vushtrria. Aty, që në fund të vitit 1915 e gjejmë shkollën shqipe, e cila është ndër të parat në Kosovë. Pas tre- katër muajsh, u formua edhe trupa muzikore-frymore (orkestra frymore) e shkollës, e cila u pagëzua me emrin e Hasan Prishtinës, i cili ishte nismëtar i saj dhe me mjetet e veta bleu veglat muzikore.

Ky apostull i arsimit shqip e kishte hapur edhe një shkollë shqipe në Polac të Drenicës, në vatrën e të parëve të vet.

Patriotët shqiptarë, krahas çeljes së shkollave në gjuhën shqipe, u angazhuan edhe për organizimin e kryengritjeve për çlirim dhe pavarësi kombëtare. Kështu, në verë e vitit 1916, Hasan Prishtina dhe Azem Bejta, u takuan në Vushtrri dhe për tri ditë rresht, biseduan dhe trajtuan shumë probleme madhore kombëtare. Siç dihet, Azem Galica, prijës ideor e shpirtëror e kishte Hasan Prishtinën. Edhe Hasani, çdo aksion luftarak e realizonte përmes trimit të paepur, Azem Bejtë Galica.

Nga ky moment u punua paralelisht në dy fronte:

– Në hapjen e sa më shumë shkollave shqipe, të cilat do të punojnë deri në vitin 1918 dhe

– Në përgatitjen e një kryengritjeje të armatosur me karakter gjithëkombëtar..

Se tash e tutje punohej me Program të qartë, shihet edhe në takimin e Azem Galicës me inspektorin e përgjithshëm të Beogradit, Mihajlo Ceroviqin, në tetor të vitit 1919, në Fushë të Zhabarit, ku, në mesin e kërkesave të tij ishin edhe këto: ”Të lejohet hapja e shkollave shqipe; gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare, dhe nëpunësit e huaj të zëvendësohen me nëpunës shqiptarë…

Po drejtimi kryesor i përpjekjeve atdhetare ngelej gjithnjë çlirimi i vendit nga zgjedha serbe.

Të nxitur nga momentet historike, një grup intelektualësh e patriotësh, vendosën të krijonin një organizatë politike, e cila do ta organizonte popullin në luftë për çlirim kombëtar. Më 1 maj 1918, intelektualë e patriotë të shquar, nën udhëheqjen e Hoxhë Kadriut (Kadri Lutfulla Prishtina 1978 – 1925), ilegalisht u grumbulluan në Shkodër dhe formuan Komitetin me emrin “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS”. Në të vërtetë ky ishte vazhdim i “KOMITETIT TË FSHEHTË”, krijuar gjithashtu në Shkodër nga Hoxhë Kadriu, më 1915.

Komiteti, edhe pse selinë e kishte në Shkodër, kudo, që nga jugu e deri në veri, i kishte degët dhe nëndegët e veta. Ai kishte edhe organin e vet, gazetën “POPULLI”, të cilën e udhëhiqte Sali Nivica, e cila botohej në Shkodër. “Gazeta kreu një mision të shenjtë, detyrën e mbrojtjes së idealeve kombëtare”.

Në kohë të ndryshme, si anëtarë të Komitetit punuan me vetëmohim luftëtarët e Lëvizjes Kombëtare Demokratike si: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Sali Nivica, Hysni Curri, Bedri Peja (Pejani), Beshir (Beqir) Vokshi, Azem Galica, Avni Rrustemi, Elez Isufi, Aqif Pasha, Sotir Peci, Ragip e Qerim Begolli, Sotir Kolea, Kel Marubi, etj.

Më 24 prill 1919, filluan të shpërndahen thirrjet për kryengritje. Në ato, pos tjerash, shkruhej “Vëllazen koha âsht tepër me rândësi.. S’kemi asnji minutë për të kapërcye në gjumë”. Dita e fillimit të kryengritjes u caktua dita e Shëngjergjit, më 6 maj 1919.

Sinjalin për fillimin e kryengritjes së përgjithshme në Kosovë, që më shumë do të njihet si Kryengritja e Llapushës, e dhanë Azem dhe Shotë Galica në Radishevën legjendare. Edhe në qendrat e tjera të Kosovës kishte filluar kryengritja në të njëjtën kohë. Në Llapushë lufta kishte shpërthyer shumë ashpër. Atje udhëheqnin trimat e njohur Sadik Rama i Gjurgjevikut, Ramadan Shabani i Kijevës dhe Beqir Rexha i Kërnicës.

Kryengritja përfshiu tërë Kosovën. Numri i kryengritësve arriti në rreth 10.000 veta.

Në dhjetor të vitit 1919 dhe janar të vitit 1920, Hasan Prishtina, kryesoi delegacionin, që Komiteti “Mbrojtja Kombëtare Shqiptare” dërgoi në Konferencën e Paqes në Versajë-Paris, për të kërkuar bashkimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të mbetura jashtë kufijve londinezë, me shtetin kombëtar shqiptar.

Hasan Prishtina për asnjë çast nuk pushoi së punuari për çështjen kombëtare. Tashmë, ai ishte truri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Përkrah dy burrave të mëdhenj të kombit, dy drenicasve të pandarë, Hasan Prishtinës dhe Azem Galicës, qëndronin edhe dy burrëresha sypatrembura, Igballe Prishtina dhe Shotë Galica. Këto bashkëshorte e bashkëluftëtare besnike, pos aksioneve luftarake, nëpër fronte e beteja, ndihmonin edhe në organizimin e përhapjes së diturisë e të gjuhës amtare në masat e gjera popullore. Sa e sa libra e abetare arritën t’i shpërndajnë anë e kënd trojeve tona të mbuluara nga terri i natës pesëshekullore aziatike.

Lufta e Parë Botërore, në të cilën morën pjesë 74 milionë ushtarë, mori fund në nëntor të vitit 1918. Ajo u kushtoi popujve 10 milionë të vrarë, 21 milionë të plagosur, afër 8 milionë të zënë robër dhe 3.5 milionë invalidë të rëndë të luftës.

Secilën dramë politike të Evropës gjatë historisë (Luftën ruso-turke, dy luftërat ballkanike dhe Luftën e Parë Botërore) Serbia e ekspansioniste i ka shfrytëzuar për zgjerimin e kufijve të vet nga të gjitha anët. Kështu, edhe krijimin e shtetit të parë të sllavëve të jugut ajo e konsideronte si rast për të shtrirë përfundimisht pushtetin e saj mbi Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe mbi territoret e tjera joserbe.

Që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, Hasan Prishtina ishte i brengosur për copëtimin e Trojeve Etnike Shqiptare. Lëri Kosovën dhe trojet e tjera, që përherë ishin të gjakosura me pushtuesit grabitqar, por edhe kjo gjysmë Shqipëri ishte katandisur keq. Ruaje Zot Shqipërinë nga shqiptarët!- do të lutej me plot të drejtë mendjendrituri ynë, Faik Konica.

Në këto rrethana shqetësuese, Hasan Prishtina, përpiqej të bëjë ç’është e mundur për të shpëtuar nga Shqipëria gjysmake. Më 8 dhjetor 1921, Këshilli i Lartë ia besoi formimin e Qeverisë Hasan Prishtinës. Kryeministri i ri, me vizione të qarta të bashkimit kombëtar e formoi kabinetin e tij me këtë përbërje:

1.Luigj Gurakuqi- ministër i brendshëm, 2. Fan S Noli- ministër i jashtëm, 3. Zija Dibra- ministër i luftës,4. Hoxhë Kadriu- ministër i drejtësisë, 5. Koço Tasi- ministër i financave, 6. Kristo Dako- ministër i punëve botore dhe 7. Haki Tefiku- ministër i Arsimit Publik.

Mirëpo, kabineti i tij nuk u pëlqye nga Ahmet Zogu dhe esadistët, andaj që të mos vinte deri te gjakderdhja vëllazërore, ai tërhiqet, duke dhënë dorëheqje pas katër ditësh. Zogu nuk u kënaq me kaq. “Armiqësia e Zogut ndaj grupit pro kosovar në Shqipëri vazhdoi edhe pas periudhës së marrjes së pushtetit, në dhjetorin e vitit 1924. Ai i kishte premtuar Beogradit se do ta ndalonte Komitetin e Kosovës; disa nga udhëheqësit kryesorë të këtij Komiteti, si për shembull, Hasan Prishtina, ikën në Vjenë. Zogu organizoi një atentat për ta vrarë atë në Vjenë më 1828, por pa sukses. Edhe Hasan Prishtina përgatiti një kundër atentat për të vrarë Zogun, por edhe ai dështoi; pastaj po atë vit Hasan Prishtina u dënua nga Zogu me vdekje, në mungesë”. Pra, Ahmet Zogu vazhdoi ndjekjet dhe dënimet e atdhetarëve shqiptarë, duke i shpallur si antikombëtarë. Kështu, për vrasjen e Hasan Prishtinës, u premtuan 2000 franga ari si shpërblim. Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe me Azem Galicën, që dhe atë e kishte dënuar me vdekje, në mungesë.

Nën presionin e Fuqive të Mëdha, dhe të luftërave të pandërprera në Kosovë, në muajin dhjetor 1921, u formua e ashtuquajtura “Zona Neutrale e Junikut”.

Kryengritësit, herë- herë, dilnin edhe jashtë territorit të vet. Kështu ngjau edhe në fund të vitit 1922, kur u vendos të sulmoheshin forcat qeveritare zogiste. “Mbledhja u mbajt nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës e të Azem Galicës. Para se të niseshin për këtë sulm, Hasan Prishtina para më se 1200 kryengritësve te Kroni i Gjocës, në Junik, mbajti një fjalim të zjarrtë. Pas fjalimit kryengritësit menjëherë u hodhën në sulm, dhe qysh në ditët e para të janarit 1923, ata morën Tropojën, mandej krejt Hasin, rrethuan qendrën e prefekturës, Krumën, sulmuan forcat e xhandarmërisë në Krahinën e Nikaj- Mërturit dhe arritën deri në breg të Drinit. Luftimet më të rrepta që u zhvilluan ato ditë, ishte sulmi rreth Krumës që u zhvillua nga dy drejtime. Njërën anë e drejtoi Azem Galica, ndërsa anën tjetër Sadik Rama”.

Në “Zonën Neutrale të Junikut”(1921- 1923), me iniciativën e Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Azem Galicës u hap shkolla për të rritur. “Shkolla e katundit Golaj në Has qe kthyer në një “shkollë komitash”. Atje, me pushkën në njërën dorë e në tjetrën librin, shquhej midis luftëtarëve të lirisë së Kosovës sokolesha dhe komita e vjetër kombëtare, Shota, e cila për gjashtë muaj mori dëftesë për klasën e tretë. Ajo u thoshte shokëve: “Jeta pa dije është si lufta pa armë”. Është për të shënuar se për mbarëvajtjen e Çetës në mësime vazhdimisht interesoheshin vetë Hasan Prishtina e Azem Galica.

Hasan Prishtina, arsimin e kishte në qendër të vëmendjes. Këtë e vërteton edhe Apeli i tij i fundit, i vitit 1931, dërguar sekretarit të përgjithshëm të Shoqatës së Kombeve, Enrik Drumandit në Romë, i shkruan në Vjenë, në gjuhën frënge, ku pika e parë u kushtohet shkollave shqipe: Afër një milion shqiptarë të banuar në Kosovë dhe Maqedoni nuk kanë asnjë shkollë në gjuhën e tyre amtare. Ju është ndaluar të themelojnë shkolla me mjete private”.

Aktiviteti i tij në ilegalitet, pati efekte pozitive. Së bashku me Bajram Currin punoi në përgatitjen e revolucionit të 1924-ës. Njëkohësisht mbante lidhje me çetat kryengritëse kosovare nga të cilat s’e shkëputi kurrë vëmendjen, sepse i konsideronte të domosdoshme për ekzistencën e lëvizjes kombëtare shqiptare. Hasan Prishtina mendonte se ndryshimi i regjimit në Tiranë do të ndikonte për realizimin më me me siguri të kushteve për çlirimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të mbetura nën zgjedhën serbe.

Gjatë tërë kohës në mërgim (1925-1933) Hasan Prishtina, qëndroi në krahun më të përparuar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Financon “Ora e Shqipnisë” që Dom Lazër Shantoja nxirrte në Vjenë. E vazhdoi luftën kundër regjimeve diktatoriale e monarkofashiste, kundër qeverisë të Zogut në Shqipëri dhe zgjedhës shoviniste serbomadhe në Kosovë. Nën drejtimin e tij, u themelua “Komiteti i Çlirimit të Kosovës” i cili veproi jashtë vendit krahas Komitetit të Çlirimit Nacional. Hasan Prishtina luftën çlirimtare në Kosovë u përpoq t’a lidhë e ta bashkërendojë me luftën e popujve të shtypur ballkanikë. Disa herë u bë nismëtar i bashkëpunimit me përfaqësuesit dhe organizatat nacionalçlirimtare të Maqedonisë, të Bosnjës, të Kroacisë e të tjerë që vuanin nën zgjedhën e regjimeve shoviniste të huaja. Hasan Prishtina kërkonte respektimin e të drejtave kombëtare të të gjithë popujve ballkanikë gjë që do të arrihej sipas tij me krijimin e shteteve kombëtare në bazë të parimit të vetëvendosjes, duke përjashtuar çdo formë të hegjemonisë së njërit ndaj tjetrit.

Katër herë armiqtë organizuan kundër tij atentate me armë. Kështu, vetëm në Vjenë, për vrasjen e Hasan Prishtinës, dërgohen, së paku pesë atentatorë që dihen: Pjetër Kallmeti (nëntor 1927), Ibrahim Lika- Lisi, Kruja (janar 1928), Hasan Sedi (shkurt 1928), Ibrahim Tabaku (prill 1928) e ndoshta, diku në atë kohë, edhe Hasan Kosova. Në Paris i vdiq e shoqja, Igbalja. Dy herë e burgosën pushtuesit serbë e bullgarë. Gjashtë herë e dënuan me vdekje xhonturqit, feudali Esat Toptani, qarqet shoviniste serbomadhe dhe tri herë qeveria e Ahmet Zogut.

Dhe asgjësimi i tij fizik, në dukje rastësor, u arrit kur më 13 gusht të vitit 1933 ndodhej në Selanik i shoqëruar nga Ibrahim Çela, të cilin e konsideronte mik. Çela në orën 2 pasdite më datë 13 gusht 1933 në rrugën Çimisqi. Shoqëruesi dinak, pas një bisede të vrazhdë, kishte nxjerrë rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe kishte goditur me 4 plumba trupin e Hasan Prishtinës. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të pa rrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurt për përfundimin e aktit të vrasjes. Fill pas krimit të tij vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së mbledhur që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku dhe në pamundësi shpëtimi, u dorëzua në Polici. Në vitin 1977 eshtrat e Hasan Prishtinë me një vendim të Republikës Socialiste të Shqipërisë, u sollën nga Selaniku dhe u varrosen në Kukës. Për këtë jetëshkrim janë shfrytëzuar materiale nga interneti: Wikipedia, si dhe janë përdorur autorët Muharem Piraku, Bedri Tahiri, Haxhi Vexhi Dibra, etj.
Nga Libri i Luan Cipit “ATDHETARE TE SHUQUAR”.
Foto: wikipedia.org

Filed Under: Histori

INDIVIDI PËRBALLË FORCAVE TË TERRIT TE “PROCESI” I FRANC KAFKËS

June 21, 2024 by s p

Analiza e veprës – Njërën prej veprave më të njohura gjermane të të gjitha kohëve, romanin “Procesi” Kafka e shkroi në vitet 1914 dhe 1915. Romani u botua psthum (pas vdekjes), në vitin 1925. U botua i papërfunduar. Megjithëkëtë, e përmban kapitullin përfundimtar që e çon veprimin deri në fund. Romanin e përgatiti për shtyp shoku i Kafkës, shkrimtari Maks Brod (Maks Brod, Pragë, 1884 – Tel Aviv-Xhafa / Yafo, Izrael, 1968). Ky e bëri sistemimin dhe radhitjen e veprës sipas kapitujve. Vepra përmban dhjetë kapituj.

Me titullin e vet, vepra sugjeron veprimin në qendër të të cilit vihet një proces gjyqësor. Në të vërtetë, vepra është revoltë e Kafkës kundër sistemit dhe burokracisë së kohës. Si i tillë, “Procesi” nënkupton edhe luftën e njeriut të mbetur pa mbështetje, kundër atyre që janë më të mëdhenj se ai.

Gjykata si një instancë e padukshme, por megjithëkëtë ekzistuese, figuron nëpër tërë veprën. Ajo e përndjek individin i cili as që e di se çfarë faji i ngjishet dhe e dënon. Kësisoj, jeta e njeriut reduktohet në model dhe shndërrohet në forma të jetës robotike, ku ligjet dhe sistemi janë mbi jetën. “Procesi” interpretohet edhe si padiskutueshmëri dhe pashmangshmëri e fatit. Këtë e vërejmë edhe në sjelljen e Jozef K-së në fund të romanit, kur ai pa rezistencë i dorëzohet dënimit me vdekje. I tërë koncepti i tjetërsimit të cilin te Kafka e hasim edhe te “Metamorfoza”, është reflektim i përpjekjes së autorit për ta gjetur veten. Si një çifut çek që flet gjermanisht, Kafka gjithmonë ndjehej i huaj, pavarësisht se në çfarë mjedisi ndodhej. Tjetërsimi vërehet më së miri në papërcaktueshmërinë e kohës, të vendit të zhvillimit të veprimit, në numrin e personazheve (të cilët paraqiten një herë ose përnjëherë humbin në mes të veprimit), por edhe në ripërkufizimin e fajit që i ngjishte personazhit kryesor. Megjithëkëtë, në situatën në të cilën ndodhet personazhi kryesor, s’mund të bëjë asgjë, përpos ta pranojë atë, gjë që në fund edhe e bën.

Shumë prej personazheve janë nëpunës të ndryshëm bankarë, gjyqësorë apo policorë. Bie në sy edhe atmosfera e interierit dhe e eksterierit që e pasqyron Kafka në roman. Hapësirat gjyqësore ndodhen në tavane, në pjesët e varfra, periferike të qytetit. Pranë hapësirave gjyqësore kryhen punë të përditshme, si për shembull larja e rrobave. Ndjenjat e ankthit dhe paradoksalizmi i veprimeve krijojnë dimensionin kafkian të romanit dhe reflektojnë dimensionin psikologjik të tij. Më e keqja nga të gjitha është fakti se personazh kryesor mund të jetë cilido njeri në botë. Ai është njeri i zakonshëm dhe kjo vërehet edhe te emri i tij. Ai nuk ka një identitet të plotë, por vetëm emër dhe inicial – Jozef K. Në vend të tij mund të jetë kushdo qoftë. Këtu qëndron edhe kanosja më e madhe e romanit.

Për këtë arsye “procesi” i Kafkës është bërë sinonim i situatave absurde në të cilat ndodhet njeriu, pa fajin e vet. Prej situatave të tilla nuk mund të nxirret me logjikë. Në rrethana të tilla s’i tjetër pos të pranojë gjendjen në të cilën ndodhet.

Është një vepër e madhe dhe e rëndësishme e modernes e cila si asnjë tjetër tregon absurdin e shoqërisë moderne dhe të njeriut të ngatërruar në të.

Elementet letrare

Gjinia letrare: epika; Lloji letrar; roman; Vendi ku zhvillohet veprimi: qytet evropian i papërcaktuar; banesat e zonjës Grubah (dhoma e Jozef K.-së), salla e gjykatës, banesa e avokatit, banka, banesa e piktori Titoreli, gurorja; Koha e zhvillimit të veprimit: shekulli XX; Tema: procesi gjyqësor ndaj një njeriu të fajësuar në mënyrë të pabazuar; Ideja: pasqyrimi i absurdit të shoqërisë dhe individit i cili aty nuk ka mundësi të dëshmojë pafajësinë e vet.

Përmbajtja e shkurtër e veprës

Jozef K. është një nëpunës bankar i cili zgjohet në ditëlindjen e vet të tridhjetë me një trokitje në derë. Në dhomën e tij hyn një i panjohur, ndërsa tjetri e pret në dhomën tjetër. Prezantohen si nëpunës gjyqësorë të cilët kanë ardhur për ta arrestuar. Arsyet nuk duan t’ia tregojnë. Jozef K. mendon se krejt kjo nuk është veçse një shaka e pa kripë e kolegëve të byrosë. Pranon të merret në pyetje nga inspektori i cili i thotë se deri në fillim të gjykimit, është i lirë. Jozef K. e pa të udhës që lidhur me rastin ta njoftonte edhe pronaren e banesës, zonjën Grubah (Grubach), pastaj zonjushën Byrstner (Bürstner), në dhomën e së cilës zyrtarët kishin ndenjur atë mëngjes. Për ta qetësuar, Jozef K. e mbyti me puthje zonjushën Byrstner.

Thirrja telefonike e njofton Jozef K.-në se hetimi i rastit të tij është caktuar për të dielën. Nëpërmjet telefonit nuk ia treguan kohën, por vetëm adresën. Jozef K. supozoi vet se marrja në pyetje fillon në orën nëntë të mëngjesit. U nis vetë. Nuk dëshironte që në krejt këtë ta implikonte as ngasësin e taksisë. Kur mbërriti para ndërtesës, i pengoi fakti se ishte një godinë tejet e madhe me shumë shkallë dhe kate të veçanta. Ai s’e kuptonte se cila ishte banesë e vërtetë. U përcaktua për do shkallë dhe derisa ngjitej, e hidhte syrin në çdo hapësirë për ta gjetur atë që kërkonte. Nuk pa veçse një mori familjesh të varfra të cilëve u thoshte se e kërkon zdrukthëtarin Lanza. Në katin e pestë sheh një grua e cila lante do tesha fëmije. Ajo e udhëzon në një derë. Dalëngadalë mbërrin në një hapësirë që i ngjan sallës së gjyqit. Njeriu për të cilin pandehu se ishte gjyqtar, i tha se është vonuar një orë. Publiku në sallë e përshëndet, herë me duartrokitje, herë me heshtje.

Shpejt gjyqtari kryesor filloi me pyetjet, duke e pyetur ndërmjet tjerash Jozef K.-në në ishte ai piktor. Jozef K. menjëherë ia filloi me arsyetimet, duke e hedhur notesin e gjyqtarit dhe duke e përshkruar arrestimin e tij. Sakaq e nuhati se të gjithë në sallën e gjyqit kanë do karfica, ndaj mendoi se të gjithë ata s’ishin veçse nëpunës fëlliqur. Donte të dalë dhe të shkojë. Për gjestin e tillë gjyqtari ia bëri me dije se i rrezikoi të gjitha përparësitë që do të mund t’i kishte si një njeri i pafajshëm. Doli me vrap, duke lënë pas vetes turmën e njerëzve të cilët filluan ta analizojnë rastin e tij.

Jozef K. vendosi vetë të paraqitet në gjykatë. E priti po ajo grua eë cila lante tesha. Në bisedë e sipër, mësoi se ishte grua e shërbyesit gjyqësor dhe se banonin aty pa kompensim, në shkëmbim të punës që bënin. Bisedën e Jozef K.-së dhe të gruas së re e ndërpreu një student i drejtësisë. Jozef K. i shikoi nga distanca, i pa të putheshin, pa studentin që e mori gruan me vete. Pastaj i vjen burri i cili i ankohet Jozef K.-së për sjelljen gruas dhe të studentit. Por nuk i ankohet kujt nga frika e humbjes së vendit të punës.

Shërbyesi gjyqësor e shoqëron Jozef K.-në nëpër gjykatë. U ngjiten shkallëve të larta, hyjnë në hollin ku presin të akuzuarit. Në të ecur Jozef K. fillon të ndjehet i lodhur. I lutet shërbyesit ta shoqërojë jashtë, por ai refuzon. Jozef K. ndjen marramendje dhe fillon të bërtasë. Britmën e tij e dëgjon një grua në zyrën aty pranë. Ajo i thotë se secili që vjen për herë të parë në gjyq, ndjehet i tillë. I sugjeron zotërisë që punon në zyrën e saj, që ta çojnë Jozefin në ambulancë. Por ai i lut që ta shoqërojnë jashtë. Dy policë e rrokën për krahësh dhe e nxorën Jozef K.-në jashtë. Jozefi K. mendon sesi gjykata, si një ajër i ndotur, ndodhet kudo, ndërsa ky s’e sheh.

Jozef K. tenton të bisedojë me zonjushën Byrstner, por ajo i shmanget. I dërgon edhe letër, por nuk merr përgjigje. Të dielën vëren se në dhomën e saj do të vendoset një banore e re, zonjusha Montag. Më në fund Jozef K. i drejtohet edhe pronares së banesës, zonjës Grubah, me të cilën nuk ka folur me javë të tëra. Episodi në të cilin takon dy nëpunës para të cilëve qëndron rrahësi, i krijon huti akoma më të madhe. Në të vërtetë rrahësi kishte marrë për detyrë t’i rrahë dy zyrtarët për arsye se Jozef K. i ishte ankuar ndaj tyre gjyqtarit. Edhe pse Jozef K. i thotë rrahësit që t’i lëshojë, por ky s’e dëgjon. Jozef K. largohet.

Jozef K.-në e viziton xhaxhai i vet Karli i cili është i brengosur për rastin e Jozef. K.-së. Rasti i tij do ta dëmtonte tërë familjen. I kërkon atij të shkojnë te një mik i tij avokat për ta përfaqësuar ai. E takojnë avokatin dhe habiten se ai ishte i njoftuar për rastin. Madje atje kishte qenë edhe prokurori kryesor. Avokati Huld ishte i sëmurë dhe ndodhej i shtrirë në shtrat. Për të kujdesej Leni. Ajo del me Jozef K.-në dhe që të dy lëshohen në aferë dashurie. Jozef K. u kthye pas disa orëve. Kur u kthye, xhaxhai e qortoi ngase e kishte lënë prokurorin që ta priste. Përveç kësaj, vajza mund të ketë qenë dashnore e avokatit.

Jozef K.-në gjithnjë më tepër e preokupojnë mendimet për rastin e tij. Në punë nuk është në krye të detyrës dhe ku s’i shkon mendja. Të gjithë janë të njoftuar me rastin e tij. Midis tyre edhe një sipërmarrës i cili e sugjeron ta vizitojë piktorin Titoreli. Ai i pikturon portretet e nëpunësve gjyqësorë. Si i tillë ndoshta do të mund t’i ndihmonte. Jozef K. e viziton gjyqtarin i cili jeton në pjesën akoma më të varfër të qytetit se ajo ku ndodhej gjykata. Piktori ia ofron ndihmën e vet nëpërmjet personave të gjykatës që i njihte. I flet për epilogët e mundshëm të rastit të tij. Derisa piktori ia tregonte opsionet e aktgjykimit, Jozef K. përsëri u ndje keq, sikur u ngulfat nga ajri. U largua nga banesa e piktorit, pa i thënë se cilin prej aktgjykimeve e parapëlqen. Piktori e përcjell duke kaluar nëpër një korridor të ngjashëm me hollin ku ndodheshin zyrat e avokatëve ku nuk ishte ndjerë mirë. Jozef K. mban një shami mbi hundë dhe i shoqëruar nga shërbyesi gjyqësor del prej ndërtese.

Jozef K. vendos që rastin ta marrë në duart e veta. Shkon te avokati për t’i thënë se heq dorë nga bashkëpunimi. Avokati ia kthen duke i thënë se nuk është durimtar. Sidoqoftë, Jozef K. i jep fund bashkëpunimit. Punët për Jozef K.-në ndërlikohen. Një ditë i kërkojnë në punë që t’ia tregojë një italiani katedralen. Ndonëse klienti nuk u paraqit, Jozef K. hyn vetë. Aty takon klerikun i cili ia rrëfen parabolën për njeriun nga fshati dhe rojtarin. Kleriku i sugjeron që në procesin e tij mos të bazohet gjithaq në ndihmën e huaj dhe të qëndrojë larg femrave.

Procesi filloi në 30-vje3torin e ditëlindjes së Jozef K.-së dhe përfundon në 31-vjetorin e ditëlindjes së tij. Atij i vijnë dy burra të veshur me rroba të zeza. Jozef K. i pret me gatishmëri të plotë, sikur e dinte se do të vijnë. Ishte i veshur me tesha të zeza. Nuk ofron rezistencë dhe i lejon që ta marrin. E çojnë në gurore. Kokën ia mbështesin mbi një gur. Njëri prej tyre e nxjerr thikën prej kapotës së vet. Luanin me thikën sikur të pritnin që ta merrte ai për ta vrarë veten. Më në fund, njëri prej dy nëpunësve ia nguli Jozef K.-së thikën në zemër dhe e vrau.

Fjalët e fundit të tij ishin: “Sikur një qeni!”

Njëherazi mendonte për turpin që e përshkonte gjithë procesin që do ta mbijetonte.

* * *

Personazhet: Jozef K., zonjusha Byrstner (Bürstner), zonja Grubah (Grubach), zonjusha Montag, nëpunësit gjyqësorë, inspektori, avokati Huld, xhaxhai Karl, vajza Leni, piktori Titoreli, studenti i drejtësisë, shërbyesi gjyqësor…

* * *

Shënime për autorin

Franc Kafka (Pragë, 3 korrik 883 – Kierling, Klostemeuburg, Austri, 3 qershor 1924) është shkrimtar austriak me përkatësi etnike hebraike. Ka lindur në Pragë. Ka lënë gjurmë në letërsi me mënyrën e veçantë të të shkruarit dhe me temat interesante, disi të errëta. Për Kafkën është shkruar shumë. Me veprën dhe personalitetin e tij janë marrë kritikët letrarë më eminentë të botës, filozofët, estetët, psikanalistët, neurologët etj. Vepra dhe personaliteti i tij studiohen edhe sot, njëqind vjet pas vdekjes së tij. Me Kafkën merret çdo brez studiuesish. Figura e tij është ngritur në mit. Konsiderohet kryeidhull i modernizmit. Studiohet në të gjitha universitetet e botës. Për gjendjen psikike të tij kanë lindur shumë teori. Tendenca për të bërë vetëvrasje ishte provë e një çrregullimi psikik të tij. Lindi në një familje të pasur në të cilën mbizotëronte babai Herman Kafka (Hermann Kafka, Osek, Çeki, 1852 – Pragë, 06.06.1931). Profesor Stenli Korngold (Stanley Alan Corngold, 1934- ) babanë e Kafkës e përshkruan si një “person dominues që e njeh mirë natyrën e njeriut”. Nënë e Kafkës ishte Julie Kafka (1856 – Pragë, 1934).

Që të tri motrat e Kafkës – Valli, Elli dhe Otla përfunduan në kampet naziste.

Valerie “Valli” Kafka Pollak lindi në Pragë më 25.09.1890. Vdiq në vitin 1942 në kampin nazist të përqendrimit, Çellmo të Polonisë.

Ottilie “Ottla” Kafka lindi në Pragë më 29.10.1892. Vdiq më 17.10.1943 në kampin nazist të Aushvicit (Auschwitz).

Gabriele “Elli” Kafka lindi në Pragë më 22.09.1889. Vdiq në kampin nazist të përqendrimit në vitin 1944.

Shënim: Stenli Korngold (Stanley Alan Corngold, 1934- ) është studiues letrar amerikan, profesor i gjermanishtes dhe i letërsisë krahasuese (komparative) në Princeton University.

* * *

Në vitet 1889-1893 Kafka u shkollua në Pragë në Shkollën gjermane për djemtë. Pasi kreu shkollën fillore, u regjistrua në gjimnaz. Pas mbarimit të gjimnazit u regjistrua në fakultet për të studiuar kiminë. Pas kimisë kalon në letërsinë gjermane dhe në histori. Pas kësaj regjistrohet në drejtësi. Gjatë jetës krijonte të ardhura duke punuar si jurist, ndonëse gjithmonë dëshironte të bëhej shkrimtar. Në saje të babait, materialisht Kafka ka qenë i siguruar.

E kanë përshkruar si person të cilin gjithmonë e ka munduar epshi. Gjatë jetës, shpesh i ka vizituar bordelet.

Lidhjet intime të Kafkës – Një lidhje të gjatë e ka pasur me Felice Bauer me të cilën takohej kohë pas kohe. Me të komunikonte më së shumti nëpërmjet letrave. Ishte dy herë i fejuar me të. Lidhjet e tjera i ndërpreu në vitin 1917 kur e goditi sëmundja e rëndë e tuberkulozit.

Në vitin 1920 u fejua me Juli Voriçek, një pastruese e varfër e dhomave të hotelit. Duke qenë e fejuar me Felicen, e tradhtonte me çifuten Margarita Bloh, e cila ishte shoqe e Felices e cila jetonte në Berlin dhe sikur ai vetë, ishte çifute. Flitej se me Margarita Bloh, Kafka ka pasur fëmijë për të cilin ky s’kishte ditur. Fëmija paska vdekur shpejt pasi kishte lindur. Por ka studiues që thonë se kjo histori nuk është e vërtetë.

Kryeidhulli i modernizmit, Franc Kafka ka qenë në lidhje edhe me Dora Diamant.

Mbante lidhje dhe letërkëmbim me gazetaren dhe shkrimtaren çeke Milena Jasenska. “Letra Milenës” (Briefe an Milena) botuar në vitin 1952 është një dokument tronditës për përjetimet shpirtërore gjatë miqësisë me Milena Jasenskën në vitet 1920-1923.

Ndonëse kurrë nuk u martua, Kafka e çmonte institucionin e martesës dhe të familjes.

Shënim:

Felice Bauer (Prudnik, Poloni, 18.11.1887 – Rye, Nju-Jork, 15.10.1960);

Juli Voriçek (Julie Wohryzek) lindi në Pragë më 28.02.1891. Vdiq në Polonisë më 26.08.1944, në kampin nazist të përqendrimit Aushvic / Auschwitz;

Margarita Bloh (Margareth Bloch / Grete Bloch) lindi në Berlin më 21 mars 1892. Vdiq në vitin 1944 në kampin nazist të përqendrimit Aushvic / Auschwitz – Brikenau;

Dora Diamant (Pabiance, Poloni, 1900 – Londër, 1952);

Milena Jasenska ka qenë gazetare, shkrimtare, botuese dhe përkthyese çeke. Lindi në Pragë më 10 gusht.1896. Vdiq më 17 maj 1944 në kampin nazist të përqendrimit Ravensbrück në Gjermani.

* * *

Ndikimi i Kafkës në letërsinë bashkëkohore është i jashtëzakonshëm. Ai është një prej autorëve universalë të letërsisë botërore dhe krijues i modeleve poetike më sugjestive të shekullit XX.

Kafka ka shkruar tregime, aforizma, romane dhe letra. Veprat e tij i lidh uniteti shpirtëror. Përkundër faktit se krijonte nën përshtypjet e romantizmit, të traditës evropiane siç e kanë kultivuar shkrimtari gjerman Johan Volfgang Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832), romancieri dhe novelisti rus Fjodor Mihajloviç Dostojevski (1821-1881) dhe romancieri francez Gystav Flober (Gustave Flaubert, 1821-1880), si dhe të doktrinës heteroortodokse çifute, Kafka deri më sot ka mbetur si një prej autorëve që nuk mund të sistemohet në asnjë prej drejtimeve letrare. Megjithëkëtë, përfaqësues të shumë drejtimeve letrare e marrin Kafkën si paraardhës të tyre. Të gjithë romancierët që kanë ardhur pas Kafkës, u referohen veprave si një fillimi të prozës tregimtare moderne.

Veprat e tij e përshkruajnë realitetin e vrazhdët dhe të hirtë në të cilin personazhet kryesisht janë të shtypur në luftën e pandërprerë me sistemin burokratik të ashpër.

Kjo vërehet më së miri në veprat siç janë “Amerika”, “Procesi”, “Kështjella” dhe “Metamorfoza”. Në veprat e Kafkës kemi një atmosferë në të cilën personazhet janë disi të humbur dhe nuk janë në gjendje të komunikojnë me të tjerë.

Kafka hoqi dorë prej pikëpamjeve religjioze dhe iu kthye filozofisë. U shndërrua në një prej shkrimtarëve shpirtërorë më të njohur të shekullit XX.

Në të gjallë, iu botuan dy përmbledhje tregimesh. Do shkrime iu botuan edhe nëpër revista. Sa qe gjallë iu botuan tregimet “Vëzhgimi”, “Mjeku i fshatit”, “Zjarrndezësi”, “”Metamorfoza” dhe “Dënimi”.

Në vitin 1931 dolën nga shtypi tregimet “Gjatë ndërtimit të murit kinez”.

Kafka i kishte lënë porosi shkrimtarit Maks Brod që t’ia digjte romanet “Procesi”, “Kështjella” dhe “Amerika”, por ky porosinë nuk ia çoi në vend. Në vitin 1917 iu paraqit tuberkulozi. Në vitin 1924 gjendja shëndetësore iu përkeqësua. U kthye në Pragë ku kujdesej e motra Otla (Ottla). Vdiq në Kierling, Klostemeuburg, Vjenë më 3 qershor 1024.

Xhelal Zejneli

Filed Under: LETERSI

Mediat, publiku, informacioni…

June 21, 2024 by s p

Prof. Milazim Krasniqi/

Ngado që të sillesh, dëgjon ankesa në përmbajtjet e medieve vizive. Të gjithë disi moralizojnë. Po i pyete pse i shikojnë përmbatjet që u duken të këqija e të dëmshme, rrudhin krahët. Në kohën kur ka diversitet të madh medial, vendor e global, mundësia e zgjedhjes është shumë e madhe. Prandaj, publiku vetëm duhet të edukohet që të di të refuzojë atë që nuk e pëlqen. Në rast të refuzimit të madh, ai refuzim reflektohet në shikueshmëri, në reklama, në të ardhurat e medies, gjë që e detyron ose ta ndryshojë qasjen programore, ose ta mbyll dugajen. (Ndikimin dhe përgjegjësinë e publikut mbi medien e trajton qasja liberale në studimin e medieve dhe mendoj se ka shumë argumente në këtë qasje.) Mbetet vetëm një mundësi: aftësimi i publikut që të përzgjedhjë çka i bën dobi, çka i shijon e pastaj të refuzojë të tjerat. (Me këtë problem qenkam mërzitë edhe para shtatë vitesh po këtu, me këtë titull paksa arrogant.)

PUBLIKU E DO, MEDIA VETËM SA E PËRHAPË LIGËSINË

Jo vetëm vendin tonë, po botën mbarë e ka kapluar epidemia e lajmeve të rreme, e dezinformatave, e spinit, e indoktrinimit, e sulmeve ad hominem, e gjuhes së urrejtjes dhe e degradimit të komunikimit medial e politik. Shembulli më dramatik ishte në fushatën për president të SHBA-ve, nga e cila tashmë ka lindur një luftë e ashpër ndërmjet establishmentit dhe medies mejnstrim. Edhe vendi ynë tashmë është pllakosur nga kjo epidemi. Disa prej nesh, vërtet çmeritemi nga pasioni i disa medieve dhe i disa politikanëve për të gënjyer, për të mashtruar. Por, unë besoj se për përhapjen masive të formave të deformuara dhe imorale të komunikimit, më shumë se sa mediet, kanë faj vetë qytetarët, publiku. Publiku është shndërruar në një lloj voajeri psikopat, që ka qejf të shoh aktet imorale të të tjerëve, që të kënaqë perversitetin që fsheh në vete. Faktikisht, mediet vetëm sa ndihmojnë që të legalizohet perversiteti dhe deskruksioni, i cili ekziston në masat e njerëzve. Mediet e koncentrojnë në agjenda konkrete atë perversitet e destruksion, por ai ekziston dhe vepron në formë okulte në mendimet dhe sjelljet e publikut. Pra, ky publik e dëshiron dezinformatën, e dëshiron sulmin ad hominem, e ka qejf gjuhën e urrejtjes, e ka qejf dhunën. Kjo është e vërteta e hidhur e shoqërisë sonë. Faji i faturohet medies, por kryefajin e kanë vetë qytetarët e çmoralizuar, pra publiku i pangopur me perversitete. Po të mos e kishte ky publik në qejf dezinformatën, perversitetin, gjuhën e urrejtjes e dhunën, do ta refuzonte, edhe si përmbajtje mediale. Në atë rast edhe mediet do ta braktisnin, sepse nuk do të kishin kujt t’ia shisnin atë produkt. Pra, ajo që shohim në medie e në politikë, si komunikim i deformuar dhe imoral, realisht është gjendja morale e qytetarëve. Mediet janë një lloj pasqyre, ku ata njerëz perversë, e realizojnë aktin e onanisë së tyre, të shkrirë në masë, në publik. E vërteta është se një pjesë e publikut-qytetarëve vuajnë nga këto produkte mediale jonormale. Por ata që vuajnë nga presioni që shkakton kjo çoroditje, janë pakicë në shoqëri. Ndaj, ata shikojnë zemërplasur, por nuk kanë asnjë mundësi që ta ndryshojnë gjendjen. Prandaj konsideroj se epidemia e tillë do të përhapet edhe më shumë. Deri kur? Deri sa të ndodhë përmirësimi moral i shoqërisë dhe të funksionojë shteti mirëfilli ligjor.

Filed Under: Ekonomi

Shpresëdhënëse – Mbresa nga “Një Mbrëmje së Bashku e Qendrës Kërkimore për Fëmijë Shën Juda”

June 21, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Shpresëdhënëse është fjala përmbledhëse e darkës së parë Një Mbrëmje së bashku e Spitalit Kërkimor për Fëmijë Shën Juda dhe takimi i parë i AFC USA me drejtuesit e këtij institucioni të shquar mbajtur në Boston Harbor Hotel më 7 qershor. Themeluar mbi 70 vjet më parë nga aktori, producenti dhe filantropisti amerikan me origjinë libaneze, Danny Thomas, (1912 – 1991), Qendra spitalore për Fëmijë e njohur me emrin “Saint Jude” u hap në Memphis, Tennesse në vitin 1962. Historia e jetës së Danny Thomas, prej nga nisi edhe përkushtimi i tij për të mos lënë asnjë fëmi të shuhet në agun e jetës (“No child should die in the dawn of life”) ka frymëzuar dhe ka gjetur mbështetje e përkrahje nga breza të tërë të ekspertëve, mjekëve, sponsorëve dhe ekipeve të administratorëve që ndihmojnë çdo ditë për gjetjen e kurave të kancereve tek fëmijët dhe sëmundjeve të rënda në pediatri.

Tre breza të Saint Jude në atë sallë ishin dëshmia më e mirë e një trashëgimie të suksesshme prej shtatë dekadave. “Darka e parë e këtij lloji,” tha, mes të tjerave Judy Habib, Kryetare e Bordit të Qendrës Spitalore për Fëmijë Saint Jude, “u nisi si një ide, vetëm dy muaj më parë, për një takim formal në Boston ku gjendet qendra administrative e spitalit të fëmijëve.” Por nga çdo detaj i mbrëmjes, duke filluar nga paraqitja e punimeve artistike të pacientëve, shoqëruar me një përshkrim të shkurtër jetësor, tek mesazhi përshëndetës i Marlo Thomas, bija e themeluesit të Saint Jude, video montazhet me pacientët e vegjël, eleganca e dekorimit, menysë, prezantimi i ankandit, përzgjedhja e muzikës, ishte e vështirë të besoje se organizatorët kishin mundur të arrinin të gjitha në aq pak kohë.

Drejtuesi tjetër i mbrëmjes, Dr. George Dekki nga Beth Israel Deaconess Medical Center tregoi sesi qysh fëmijë, ai kishte filluar të ndihmonte duke shkuar “derë me derë” me një kuti të vogël që e kishte ruajtur, për të mbledhur ndihma për Saint Jude. Dhe brezi i tretë në familjen Dekki, vajza e tij, tashmë e diplomuar, tregoi sesi në moshën 11 vjeçare ishte njohur me Suzane, e cila më pas e humbi betejën me kancerin. Kompozimi i një kënge kushtuar asaj “Një Akullore me Suzanën” (Ice Cream with Suzanne), të cilin e kishte interpretuar shumë herë qysh atëherë, përcolli tek pjesëmarrësit dhembshurinë njerëzore që nuk njeh moshë.

Nga rrëfimet e folësve që përshkruanin nisjen e udhëtimit të atyre që sot i përkasin brezit të themeluesve shihej filli i vazhdimësisë nga krijuesit tek ardhmëria. Për AFC USA, një shoqatë që feston pesë vjetorin këtë vjeshtë, “pjesëmarrja në darkën The Boston Hope Dinner vendoste lidhje me një institucion pararojë në arenën kërkimore të kurimeve dhe të luftës kundra kancerit tek fëmijët në Amerikë dhe në mbarë botën me programin e tyre të aleancës globale Saint Jude Global Alliance,” thanë Presidentja e AFC Roberta Nashi Panariti dhe Dr. Albana Mihali, MD, FACP.

“Vizioni i një shoqate me jetëgjatësi të tillë si Saint Jude,” tha Presidenti dhe Drejtuesi Ekzekutiv, Dr. James Downing, “është vazhdimësia e misionit të saj nga krijuesit tek ardhmëria –founders to future.” Por në rrafshin praktik që përherë e më tepër vlerësohet forca e komunitetit dhe e shoqatave si Albanians Fighting Cancer ku pjesëtarët japin kohën dhe energjitë për të qenë pranë njëri tjetrit në kohë të mira dhe të këqija.

Shpresa për t’i dalë mbanë luftës kundra kancerit vjen nga moria e terapive të avancuara si edhe nga optimizmi që përftohet nga prania në komunitet. Këto ide theksoheshin edhe në esenë e botuar këto ditë nga Shoqata Amerikane e Kancerit (American Cancer Society) Shpresë Përmes Përparimit.

Projektet dhe organizata kërkimore të kancerit janë shumëfishuar veçanërisht në dhjetëvjeçarët e fundit por kjo shoqërohet me sfidat e veta për sa i takon financimit të studimeve të kushtueshme për të kuruar dhe shpëtuar jetë. Prandaj darka të tilla si The Boston Hope Dinner i kushtohen mbledhjes së fondeve dhe gjetjes së sponsorëve të rinj. Dikur Dr. Dekki dhe moshatarët e tij shikonin baballarët e tyre dhe dilnin me kutinë e vogël në fushata bamirësie, sot pjesëmarrësit e darkës dhe përkrahësit shtypnin butonat në telefonat e dorës. Pavarësisht nga koha dhe vendi, dëshirën për të qene pranë njëri tjetrit e ndiejmë njësoj sepse duam që dikush ta hap derën dhe të na shoh si jemi. “Tell someone I am here,” ishte jo vetëm rrëfim prekës i një fëmije me kancer në Nikaragua që trajtohej nga Dr. Silva, Presidenti i atëhershëm i qendrës spitalore Saint Jude, por edhe “momenti kur e gjithë qasja ndaj sëmundjes, që trajtohej deri atëherë pas dyerve të mbyllura, ndryshoi nga mjekët dhe ekspertët tek kujdesi aktual për pacientët dhe të mbijetuarit nga kanceri në fëmijëri, i konceptuar si një tërësi komplekse,” tha Presidenti dhe Drejtuesi Ekzekutiv i Saint Jude, Dr. James Downing.

Filed Under: Komunitet

Lamtumirë At Antonio Bellushi, Bilbil i Gjuhës Shqipe dhe Arbërisë

June 21, 2024 by s p

Edhe pse të larguar 600 vjet më parë, pas vdekjes së Skënderbeut, Arbëreshët e Italisë nuk i harruan kurrë rrënjët e tyre të lashta.

Arbëreshi i ndritur i Kombit At Antonio Belushi, studiues i hollë i trevave shqiptare dhe gjithë gjenezës së saj ka ndërruar jetë.

Kemi pasur fatin me Qemalin ta takojmë dhe intervistojmë në 100 Vjetorin e Vatrës dhe në Konferencën shkencore të saj. Arbëreshi i shquar pasi mësoi për shkollat shqipe “Alba Life” na la porosi: “Kurrë mos e harroni Gjuhën Shqipe! Punoni deri në frymën e fundit me fëmijët shqiptarë që të mos asimilohen. Gjaku na thërret të gjithëve”!

Është porosia e një Rilindasi të madh, është porosia për të mos harruar Gjuhën Shqipe, për të cilën shkriu jetën e tij.

Dhe me këtë porosi të Tij kujtoj vargjet e krijuara nga At Antonio Belushi si:

Arbëresh je ti, mos e harro,

Gjuhën e mëmës ti mos e largo,

Kujtimin e Atdheut ti në zemër shtërngo,

Farën e Skëndërbeut ti sot trashëgon!

Antonio Bellushi është prift arbëresh, gazetar, shkrimtar, pedagog, etnolog, lindur në vitin 1934 në Frashinetë të Kozencës, (Itali) sipas Wikipedias.

Është diplomuar për filozofi e teologji. Ka shërbyer si prift famullitar arbëresh. Ka themeluar revistat “Vatra Jonë, “Lidhja”, shoqatën kulturore dhe shtëpinë botuese “Gjergj Kastrioti”, Bibliotekën Ndërkombëtare “Bellusci”. Ka botuar studime në periodikët “Shejzat”, “Zgjimi”, “Katundi Ynë”, “Studime Filologjike”, “Përparimi”. Qysh nga viti 1962 ka bërë udhëtime, studime dhe kërkime etnografike në vende të ndryshme, ka marrë pjesë në veprimtari shkencore në kuvende, kongrese në Itali, Shqipëri, Kosovë, Itali, SHBA, Australi. Ka botuar librat “Këngë fetare arbëreshe”, “Argalia në tekstet popullore arbëreshë në Frasnitë”, “Magjia, mite dhe besime popullore në katundet arbëreshë”, “Fjalor Frazeologjik i Arbëreshëvet në Itali dhe Arbërorëve në Greqi”, “Blegtoria në Frasnitë”, :Kërkime dhe Studime ndër Arbërorët të Elladhës”, “Antologjia Arbëreshe”, “Arbërorët-Arvanitë”.

Është nderuar nga Qeveria Italiane, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Qeveria e Kosovës, etj.

Dritë paçin veprat e tua përjetësisht!

Lamtumirë!

Kozeta Keze Zylo

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 897
  • 898
  • 899
  • 900
  • 901
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT