Gëzim Zilja/
1.Shteti në proces i Baba Mondit
Hodhi një i çmendur një gur në lumë, futen njëqind të mençur e nuk e nxjerrin dot. U fol mbrëmjen e të hënës, në ekranet e TV-ve nga të mençurit e Shqipërisë të vetëquajtur analistë për shtetin e ri bektashi të Baba Mondit, në shtetin shqiptar. Shumica e tyre kishin ardhur drejtpërdrejt nga shtëpia, nga kafenetë, nga motelet në periferi, ku çojnë dashnoret, nga gjumi i pasdites, apo tavolina qejfi. Mendoj se asnjë nuk vinte biblioteka, arkivi i shtetit apo intervista me ndonje klerik teqeje. Një vendim të tillë nuk mund ta marrë një piktor i dështuar që as ia ka haberin shtetit dhe një ish oficer i diktatorit i veshur me rrobën jeshile ushtar (kadet) qysh dhjetë vjeç, që ende nuk i ka ikur era e supës, fasules dhe pilafit të ushtrisë. Diku tjetër fle lepuri.
Një vendim të tillë mund ta marrin klerikët e teqeve me të gjithë bektashinjtë shqiptarë në mbarë botën. Ndryshe veprimi personal i një piktori delirant, i sëmurë pas madhështisë globale dhe ish oficerit të Enver Hoxhës është tradhëti ndaj atdheut. Problemi është shumë i thellë, është ai që ka qenë prej kohësh qysh me themelimin e shtetit shqiptar: Shpërbërja e shtetit shqiptar, kthimi i tij në një rrupallhane ballkanike, dhe shuarja e ëndrës së rilindasve për bashkimin e të gjithë trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Por le të shikojmë sa shtete kemi sot brenda shtetit shqiptar bërë me nismën e Berishës dhe të Ramës, veç atij të Baba Mondit.
1.Shteti i muxhahidinëve (Ashraf 3) iranianë në rrethinat e Tiranës
Madhësia e territorit 20 ha, tokë e blerë nga shteti shqiptar, numri i banorëve 3.000. Shteti është krijuar me propozimin e amerikanëve dhe aprovimin e qeverisë së Berishës më 2012. Nga jashtë kampi i ngjan një komleksi gjigand të stilit ushtarak, ku nuk mund të hyjë asnjë shqiptar i çdo rangu pa u aprovuar nga krerët e MEC-ut. Para dy viteve pati një përplasje midis forcave policore shqiptare dhe banorëve të shtetit “Ashraf 3” me akuza për spiunazh dhe gjithçka u mbajt sekret. Asnjë nuk e di nga kush financohet shteti muxhahidin në Manzë dhe aktivitetin e tyre brenda kampit. Duket si një minë me sahat në zemër të Shqipërisë.
2.Shteti arab në proces “Mohammed Al Alabbari”
Do të jetë një shtet brenda shtetit shqiptar me një shtrirje 85 ha bregdet dhe 60 ha siërfaqe ujore, ish porti i mallrave dhe trageteve në zemër te Durrësit. Gjithë trualli dhe sipërfaqja ujore kapin vlerën e afro tre miliard dollarësve i është dhuruar arabit nga Edi Rama me anë të negociatave tepër sekrete. Shtetit “Mohammed” do të shtrihet e zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2. Parashikohen ndërtimi i 12.000 apartamenteve dhe dy hoteleve me 850 dhoma në total. Ky kompleks i plotësuar me shtatë xhami gjigande është eskluzivitet i Alabbarit, i cili sigurisht do e popullojë ( këta janë blerësit) me arabë dhe miliarderë nga e gjithë bota. Bileta për të hyrë në atë shtet ( jo të banosh) do të jetë pesëmijë dollarë. Shteti Alabbar do të shpallë pavarësinë e plotë aty nga viti 2035.
3. Shteti i Xhorxhia Melonit.
Inugurimi i këtij shteti është çëshjtje ditësh. Sipas një marrëveshjeje midis kryeministrit shqiptar Rama dhe kryeministreshës italjane Meloni, ky shtet do të ngrihet në Gjadër të Lezhës në një sipërfaqe prej gjashtë hektarësh, i rrethuar nga një mur shtatë metra i lartë. Emigrantët që do të strehohen në këtë shtet-kamp do të jenë nga Guinea, Bregu i Fildishtë dhe Tunizia. Kjo sipërfaqe është në administrimin absolut të shtetit italjan në kuptimin e plotë të fjalës dhe nuk lejohet hyrja përveçse e italjanëve të autorizuar nga shteti italjan. Kjo marrëveshje nuk ka as parime, as humanizëm, as vendimmarrje dhe e katandis Shqipërinë në azil njerëzish problematikë.
4. Shteti i Ivanka Trampit dhe Jared Kushnerit.
Do të ngrihet në ishullin e Sazanit, (vend me rëndësi strategjike për mbrojtjen e Shqipërisë) në një sipërfaqe prej 556 hektarësh Është një marrëveshje private midis dhëndrit të Trampit, Jared Kushner dhe Ramës. Dhëndri, në pronë-shtetin e tijë që quhet Sazan deklaron se do të investojë 931 milionë euro dhe do të ketë vila luksoze të vendosura në majë të shkëmbinjve. Hoteli do të operohet nga ekskluziviteti marka Aman, klientët e së cilës përfshijnë Mark Zuckerberg, Bill Gates dhe Kardashians. Në ishull sipas Kushner një natë kushton dhjetëmijë dollarë. Amerikanët janë të zgjuar, nuk lëshojnë passaporta për shtetin e ri por kërkojnë 10.000 dollarë për hyrjen në të. Çdo gjë mund të ndodhë me një kryeministër tradhëtar të sëmurë nga deliri i madhështisë.