• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FESTIVALI XXXIII SHQIPTAR NË NEW YORK- FOTOREPORTAZH NGA DIANA IVEZAJ

October 28, 2025 by s p

PROGRAMI I FESTIVALIT XXXIII TË KISHËS KATOLIKE “ZOJA E SHKODRËS” NË NEW YORK:

1. ROZAFATI: Valle e hapjes

2. Fjala përshëndetëse e Dom Pjetrit

3. Albanian American Club of Westchester valle: Udhët e mija

4. BARBANA: Valle me motive të Ulqinit

5. Dueti Muriqi-Vajusha: Bini molla

6. Lap Logu: Fluturo pllumb

7. ROZAFATI: Valle me motive Malsie

8. SHKA STRUGA: Valle-A vritet pafajsia

9. Thesaret labe: Besa-besë (këngë polifonike)

10. Franc Palaj: Kolazh

11. NORA E KELMENDIT: Valle “Krah për krah”

12. ROZAFATI: Valle vajzash “Lulet e rudinës”

13. Engjell Kocaj: Po qan çika e Dukagjinit

14. Barbana Dini: Thërret Prizreni

15. ALBANIAN ROOTS: Valle me motive të Dibrës

16. BARBANA: Valle me motive të Veriut

17. Andra Sela: Këndon bilbili fushave

18. Merita Halili & Raif Hyseni: Potpuri e Shqipërisë së Mesme

19. SHKA Struga: Valle veleshtare

20. NORA E KELMENDIT: Valle “N’Tropoj’ çikat thirren zana”

21. Besim Muriqi: Malli për vendlindjen

22. Thesaret labe: Mbi syrin e shkruar (këngë polifonike)

23. BASHKIMI-BOSTON: Valle e Godoleshit

24. Argjend Lloga: Na këndojn’ pushkët nëpër kulla

25. Korab Jetishi: Raki e shokë

26. GJERGJ KASTRIOTI-DETROIT: Valle Labe

27. Nik Çarku: Kujto bjeshkën ku je rrit

28. Ermina Bushi: Oj Kosov’ e kuqe

29. ROZAFATI: Valle me motive Tropoje

30. Dionis Delia: Kur po del çikë me shetit

31. RUGOVA: Buqetë këngësh e vallesh

32. Agron Maqellara: S’kemi tjetër veç një flamur

33. BASHKIMI-BOSTON: Valle e Tiranes

34. Albert Popaj: Ky marak

35. Alberie Hadergjonaj: Kur bjen fyelli e çiftelia

36. GJERGJ KASTRIOTI-DETROIT valle me motive të Malësisë

37. Possible: Gëzim Nika

38. Instrumentale background for closing.

Filed Under: Opinion

𝐌𝐢𝐫𝐚𝐭𝐨𝐡𝐞𝐭 𝐧ë 𝐁𝐫𝐞𝐬𝐡𝐢𝐚 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭ë 𝐩ë𝐫 Ç𝐚𝐦ë𝐫𝐢𝐧ë 𝐝𝐫𝐞𝐣𝐭𝐮𝐚𝐫 𝐢𝐧𝐬𝐭𝐢𝐭𝐮𝐜𝐢𝐨𝐧𝐞𝐯𝐞 𝐧𝐝ë𝐫𝐤𝐨𝐦𝐛ë𝐭𝐚𝐫𝐞

October 28, 2025 by s p

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”/

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” dhe FNAI – Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali, organizuan në Brescia, Itali, në datë 26 Tetor, Konferencën me temë: “Çamëria nga kujtesa tek e drejta ndërkombëtare”.

Mes dhjetra bashkëatdhetarëve, veprimtarëve kombëtarë, përfaqësuesve të njohur të shqiptarëve në Itali dhe në diasporë, referuan ish ambasadorë, studiues dhe shkrimtarë të mirënjohur, si rrallëkush të dimensionuar me jetën e tyre vetiake prej intelektuali tribun në tragjedinë e kombit shqiptar:

Akademik Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, ambasador dhe ish-zv. Ministër i Jashtëm, shkrimtari, publicisti dhe ambasadori Luan Rama, Prof. Dr. Marenglen Kasmi, historiani Hajredin Isufi, shkrimtari dhe studiuesi Enver Kushi.

Në fjalën përshëndetëse të mirëseardhjes, 𝐏𝐫𝐞𝐬𝐢𝐝𝐞𝐧𝐭𝐢 𝐢 𝐅𝐍𝐀𝐈-𝐭, 𝐆𝐫𝐚𝐧𝐢𝐭 𝐌𝐮ç𝐚𝐣, tha se nuk ka të ardhme pa kujtesë dhe drejtësi pa të vërtetën. Çështjet kombëtare janë edhe çështje të diasporës. Çështja çame është një nga faqet më të dhimbshme në historinë tonë kombëtare, për fat të keq ende e pazgjidhuar. Ne si FNAI ndiejmë detyrimin të japim kontributin tonë për këtë çështje. Falenderoj Fondacionin Çamëria “Hasan Tahsini”, dhe drejtuesin e saj, zotin Alket Veliu, për këtë bashkëpunim dhe për misionin e madh dhe të vështirë. Zoti Muçaj, falenderoi për pjesëmarrjen edhe Konsullin e përgjithshëm të Shqipërisë në Milano, znj. Anila Pojani, zv. rektorin e universitetit të Breshias,dhe disa veprimtarë të njohur kombëtarë dhe aktivistë të FNAI-t.

𝐊𝐨𝐧𝐬𝐮𝐥𝐥𝐞 𝐞 𝐩ë𝐫𝐠𝐣𝐢𝐭𝐡𝐬𝐡𝐦𝐞 𝐞 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩ë𝐫𝐢𝐬ë 𝐧ë 𝐌𝐢𝐥𝐚𝐧𝐨, 𝐃𝐫. 𝐀𝐧𝐢𝐥𝐚 𝐏𝐨𝐣𝐚𝐧𝐢, tha mes të tjerash: Jam shumë e nderuar të marr pjesë në këtë konferencë, ku mblidhen përfaqësues të dijes dhe diplomacisë shqiptare.Tema e kësaj konference ka domethënie të madhe, sepse lidhet me Çamërinë. Çamëria është pjesë e historisë sonë, që ka nevojë për një trajtim të thellë dhe profesional. Këto aktivitete kanë rëndësi sepse nxisin dialogon dhe shkëmbimin e ideve.

𝐒𝐭𝐮𝐝𝐢𝐮𝐞𝐬𝐢 𝐚𝐫𝐛ë𝐫𝐞𝐬𝐡 𝐓𝐨𝐦𝐚𝐬𝐬𝐨 𝐅𝐞𝐫𝐫𝐚𝐫𝐢, bashkëpunëtor dhe mik i afërt me të ndjerin, etnografin dhe studiuesin e mirënjohur At Antonio Belushi, anëtar i Bibliotekës së vyer që ai ka lënë, e filloi ligjëratën e tij me një sentencë të njohur: “Më mirë të dish se të kesh”. At Antonio Belushi ishte si vëlla me mua. Në librin “Arbërorët një popull i padukshëm” Belushi thotë se ndër arvanitasit e Greqisë – arbërorët, siç ata e quajnë veten – ka hasur në 900 katunde me origjinë shqiptare. Janë katër katunde me emigrantë nga Çamëria që jetojnë në Kalabri. Çamërinë na e dha neve Blioteka Bellushi, tha studiuesi arbëresh Tomasso Ferrari.

Dëshmitari okular, i mbijetuari i gjenocidit, 𝐡𝐢𝐬𝐭𝐨𝐫𝐢𝐚𝐧𝐢 𝐝𝐡𝐞 𝐬𝐭𝐮𝐝𝐢𝐮𝐞𝐬𝐢 𝐇𝐚𝐣𝐫𝐞𝐝𝐢𝐧 𝐈𝐬𝐮𝐟𝐢 tha se “Çështja e gjenocidit nuk ishte diçka spontane. Shpërngulja e popullsisë çame, spastrimi i shqiptarëve të Çamërisë ishte një platformë politike e qeverisë greke. Qeveria greke synonte që në territorin e saj që fitoi pas vitit 1912-1913 të mos kishte të huaj nga feja dhe nga kombësia dhe deshi të krijonte një shtet homogjen. Historia e masakrave greke ndaj popullsisë çame duhet parë në një aspekt shumë të rëndësishëm. Pyetja e parë që duhet të bëjë një studiues është: pse shqiptarët e Çamërisë u masakruan që nga viti 1913 deri në vitin 1940 në këtë mënyrë? Duke folur për arsyen e armiqësisë së grekëve ndaj çamëve Isufi tha se shqiptarët kishin një kombësi tjetër, flisnin një gjuhë tjetër dhe kishin një fe tjetër.

𝐀𝐤𝐚𝐝𝐞𝐦𝐢𝐤 𝐏𝐫𝐨𝐟. 𝐃𝐫. 𝐏ë𝐥𝐥𝐮𝐦𝐛 𝐗𝐡𝐮𝐟𝐢 referoi temën: Çështja çame dhe shteti shqiptar. Çështja çame është çështja që ka dalë në krye të listës pas zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Është ora historike për ta kuptuar përfundimisht këtë gjë. Problemi i tërërsisë territoriale apo copëtimit të trojeve shqiptare është një problem i vjetër. Nga mesi shek. të XIX vendet fqinje kishin përpunuar platformat e tyre nacionaliste për shpërnguljen e shqiptarëve. Projekti serb “Naçertania” i Ilia Garashaninit dhe “Megali Ideja” e greke, e Jani Koletit, që përfshinin në kufijtë e Serbisë dhe Greqisë së madhe edhe tokat shqiptare. Sipas këtyre programeve, tokat shqiptare ishin të destinuara të ndaheshin mes Greqisë dhe Serbisë. Në vitet ’20-’30 nga tribuna e Lidhjes së Kombeve, shteti shqiptar ngriti vazhdimisht problemin e mbrojtjes së të drejtave kombëtare e civile të minoritetit çam në Greqi. Nën trysninë shqiptare, edhe pse Kushtetuta greke nuk e njihte ekzistencën e minoriteteve, Kryeministri Venizellos u detyrua të krijojë një organizëm të veçantë, Komitetin për Minoritetet në varësi të drejtpërdrejtë nga zyra e Kryeministrit, i cili duhej të ndiqte gjendjen e minoriteteve, e në këtë kuadër edhe të minoritetit çam në Greqi. Çështja çame u ndërkombëtarizua falë qëndrimit intrazigjent të qeverisë shqiptare, dhe gjithnjë nën presionin e saj, qeveria greke u detyrua të hapë edhe shkollat e para shqipe në Çamëri.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria ndodhej në një pozitë të vështirë për shkak të interesave të fuqive të mëdha dhe pretendimeve territoriale të fqinjëve të saj. Reshtimi në frontin lindor dhe mungesa e marrëdhënieve me Greqinë, bëri që kjo çështje të mos ishte në diskutim për shumë vite. Marrëdhëniet mes dy vendeve ishin të tensionuara për shumë kohë dhe kjo çështje u përdor politikisht. Me gjithë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në 1970, pala greke evitoi kontaktet politike mes dy palëve. “Çështja çame si çështje të tjera me Greqinë, si ai i ligjit të luftës, i njohjes së kufirit, i kthimit të pronave qytetarëve shqiptarë i bllokuar me ligjin e 1940-ës, mbetën të gjitha çështje të patrajtuara me liderët e Athinës”.

Kushtet pas vitit 1990 kanë ndryshuar – vijoi historiani. Krijimi i shoqatës Çamëria solli një sensibilizim të opinionit shqiptar dhe presion pozitiv mbi qeverinë. Kur qeveritë shqiptare janë në aksion realizohen edhe gjëra. Nuk është e lehtë edhe për Athinën zyrtare të mbrojë tezën e saj për Çështjen çame, siç e sheh ajo, apo të mohojë Ligjin e luftës. Duke njohur Shqipërinë si vend me të cilin është në gjendje lufte, ajo nuk njeh as kufijtë e Shqipërisë. Problemet ngelen të ngrira.

Pas hyrjes së Shqipërisë në BE, kur edhe BE do bëjë reformën e saj dhe të krijohen kushte barazie reale mes Shqipërisë dhe Greqisë, atëhere çështja çame do të ketë perspektivë zgjidhjeje të sigurtë.

𝐒𝐡𝐤𝐫𝐢𝐦𝐭𝐚𝐫𝐢 𝐝𝐡𝐞 𝐬𝐭𝐮𝐝𝐢𝐮𝐞𝐬𝐢 𝐄𝐧𝐯𝐞𝐫 𝐊𝐮𝐬𝐡𝐢 tha se “Popujt kanë kodet e tyre të mirëkuptimit. Çamët dhe grekët, apo dhe vllehët, që kanë jetuar në Epir, kanë ditur që përtej ndasive të propoganduara nga mendje të çoroditura, të shkonin mirë me njeri-tjetrin. Historiani i njohur Hajredin Isufi, është marrë gjerësisht me këtë temë, pra të marrëdhënieve te mira mes çamëve, grekëve dhe vllehëve në Çamëri. Ka ardhur koha, që t’i ringjallim këto marrëdhënie, sepse jetojmë në një kohë tjetër, ku miqësitë dhe jo armiqësitë, lidhjet dhe jo muret ndarëse, janë ato që na bashkojnë.

𝐀𝐦𝐛𝐚𝐬𝐚𝐝𝐨𝐫𝐢, 𝐬𝐭𝐮𝐝𝐢𝐮𝐞𝐬𝐢 𝐝𝐡𝐞 𝐬𝐡𝐤𝐫𝐢𝐦𝐭𝐚𝐫𝐢 𝐋𝐮𝐚𝐧 𝐑𝐚𝐦𝐚 trajtoi temën “Historia e Çamërisë nuk mund të zhbehet nga tentativat negativiste të greqisë së sotme”. Edhe kur historitë janë shkruar nga kronistë të vërtetë, kjo lloj historie kthehet në një makth të vërtetë për politikanët, tha zoti Rama. Shumë krime janë kryer ndaj shqiptarëve të Çamërisë, shumë kërkesa i janë bërë qeversië greke të kërkojë falje, por Greqia vazhdon të këmbëngulë në negacionin e saj. Negacionizëm do të thotë të mohosh një realitet historik. Greqia në rastin e Çamërisë nuk ka zbatuar asnjë detyrim ndaj konventave kundër gjenocidit. Është pikërisht kjo shkelje flagrante e ligjeve dhe konventave ndërkombëtare që Greqia raciste bën presion ndaj shtetit shqiptar, me vend e pa vend, me të gjitha format dhe mënyrat, t’i shmanget detyrimeve strikte ndërkombëtare për krimin e gjenocidit.

Shembulli i Greqisë “demokratike është mëse i turpshëm. Si mund të fshish nga tekstet historike fjalën “çam” e “Çamëri”? Edhe Shqipëria, përmes presioneve të ndryshme nga Greqia, arriti ta zhdukë emrin “Çamëri” nga kurrikulat shkollore. Historia nuk mund të diktohet. Ajo duhet të udhëhiqet nga konceptet moderne. Historia nuk shkruhet me urdhër.

Gjatë 80 viteve të fundit qeveria greke ka vënë në zbatim një plan për të ndryshuar emrat e fshatrave çamë, tha më tej ambasadori Rama. Toponimia ka rënë kështu pre e nacionalizmit. Emërtimi i vendeve është një proces historik, ato kanë ndryshuar vetëm në kohë luftrash. Ky është tregues i luftrave. Një vend demokratik nuk mund të ndryshojë toponimet për t’i përdorur më pas ato si prova historike”.

𝐏𝐫𝐨𝐟. 𝐃𝐫. 𝐌𝐚𝐫𝐢𝐧𝐠𝐥𝐞𝐧 𝐊𝐚𝐬𝐦𝐢 mbajti kumtesën: Bashkëpunimi i gjenerali grek Zervas me gjermanët gjatë luftës së dytë botërore. Napoleon Zervas-i, “arkitekti” i spastrimit etnik të popullsisë çame dhe organizatori i gjenocidit ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri, do të rrekej të justifikonte veprimet e tij kriminale me argumentin se “gjatë luftës çamët kishin bashkëpunuar me gjermanët”. Edhe një pjesë e mirë e historianëve grekë pas Luftës së Dytë Botërore kanë mbajtur të njëjtin qëndrim. Kjo gjë nuk është e vërtetë. Ndonjë bashkëpunim sporadik me gjermanët nuk përfaqëson gjithë shqiptarët e Çamërisë dhe sikurse do të shohim më poshtë, Zervas-i ishte vetë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të gjermanëve.

Bashkëpunimi i Zervas-it me gjermanët është i dokumentuar më së miri në Arkivin Ushtarak të Freiburgut. Po ashtu, ky bashkëpunim është shprehur qartë edhe në studime të historisë ushtarake gjermane.

𝐃𝐫𝐞𝐣𝐭𝐮𝐞𝐬𝐢 𝐢 𝐅𝐨𝐧𝐝𝐚𝐜𝐢𝐨𝐧𝐢𝐭 Ç𝐚𝐦ë𝐫𝐢𝐚 “𝐇𝐚𝐬𝐚𝐧 𝐓𝐚𝐡𝐬𝐢𝐧𝐢”, 𝐀𝐥𝐤𝐞𝐭 𝐕𝐞𝐥𝐢𝐮, falenderoi presidentin e FNAI, Granit Muçaj dhe stafin e ti, për rolin e jashtëzakonshëm në këtë aktivitet, duke i dhënë një pllakatë mirënjohjeje dhe nderimi “për promovimin dhe ruajtjen e vlerave kombëtare në Itali”. Gjithashtu zoti Veliu falenderoi me radhë studiuesit e shquar të panelit: prof Pëllëmb Xhufin, si një zë i fuqishëm pa kompromis dhe mbështetës i hershëm i çështjes çame, prof. Maringlen Kasmin, për studimin mbi kriminelin Zervas dhe kërkimin në arkiva, amabasador Luan Ramën, i cili na ka dhuruar edhe emocione të tjera përmes veprave si “Ode për tempujt që nuk u harruan”, historianin Hajredin Isufi, studiues dhe aktivist që nuk ka pushuar kurrë për studimet çame, por edhe një dëshmitar okular dhe njohës i mirë i çështjes, studiuesin dhe shkrimtarin Enver Kushi, zë i fuqishëm që në ditët e para të krijimit të shoqatës Çamëria, njohës i thellë i kulturës Çame dhe muzeolog, studiuesin arbëresh Tomasso Ferrari, i cili dhuroi një emocion të vecantë, me gjuhën aq e ngjashme me Çamërishten.

Kjo Konferencë, tha zoti Veliu, hodhi dritë mbi çështjen çame dhe Rezoluta tregon se vazhdon tradita e rezolutave, siç ndodhi në vitin 1924, kur çamët iu drejtuan Lidhjes së Kombeve kundër anadallaisë kur, dashakeqësisht, pala greke donte të ngatërronte popullsinë myslimane çame duke e konsideruar turke. Lidhja e Kombeve njohu faktin që në Epirin e Jugut (Çamëri) jetonte një popullsis autoktone shqiptare.

Komiteti Antifashist Çam, në vitin 1946, gjithashtu iu drejtua me një Memorandum Lidhjes së Kombeve, ku kërkuan tre gjëra që kërkohen edhe sot: E drejta për t’u riatdhesuar, kthimi i pronave dhe ndëshkimi i masakrave. Siç dëshmojnë vetë dokumentet e shtetit dhe të Drejtësisë greke çamët jo vetëm nuk janë fajtorë, por po vazhdon gjenocidi edhe sot nëpërmjet mohimit të kthimit në shtëpitë, pronat, varrezat dhe trojet e tyre mijëvjeçare. Ka një përgjigje: Shteti shqiptar nuk po bën detyrën e vet, nuk e ka në axhendën e punës së tij zgjidhjen e Çështjes Çame si problem i Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut dhe si Minoritet Kombëtar Shqiptar në trojet e veta në Çamëri.

Në fillim të vitit 2003 zëri Çamërisë u dëgjua në Parlamentin Evropian, tha më tej zoti Veliu. I fundit në radhë mund të konsiderohet edhe memorandumi që 6 eurodeputetë të Parlamentit Europian i dërguan komisionerit përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë, Kris Patten, i titulluar “Dhunim i të drejtave të pakicës çame në Greqi”. Eurodeputetët Panela, Dypyi, Turko, Kapato, Del’Alba dhe Dela Vedova theksojnë se në qershor të 1944-ës, 44 000 shqiptarë të besimit musliman, u dëbuan me forcë nga tokat e tyre në Çamëri, me akuzën se kishin bashkëpunuar me pushtuesit italianë dhe gjermanë. Ky dëbim shënon edhe epilogun e genocidit të kësaj popullsie, të cilës, për më shumë, iu konfiskua gjithë pasuria, duke përfshirë këtu trojet e shtëpive, tokat bujqësore, bagëtitë etj. Çamët në Greqi duhet të gëzojnë po ato të drejta, që gëzon edhe pakica greke në Shqipëri – ishte këshilla që grupi i parlamentarëve europianë i propozuan komisionerit të Bashkimit Europian, përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë, Kris Patten.

Janë krijuar disa precedentë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, por për shqiptarët e Çamërisë nuk ka funksionuar asnjëherë E drejta për t’u kthyer në shtëpi, tha zoti Veliu. Drejtësia evropiane duhet të jetë e njëjtë për të gjithë. Ne shqiptarët e Çamërisë kërkojmë që të njihet e drejta dhe të kthehet dinjiteti i munguar.

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” po përgatit një dosje voluminoze me të gjitha dëshmitë për krimet e kryera dhe të pandëshkuara kurrë, një punë e madhe për dukumentimin e tragjedisë. Ne do ta çojmë përpara këtë betejë paqësore deri në rikthim.

𝐒𝐭𝐮𝐝𝐢𝐮𝐞𝐬𝐣𝐚 𝐎𝐫𝐧𝐞𝐥𝐚 𝐑𝐚𝐝𝐨𝐯𝐢𝐜𝐤𝐚 lexoi Rezolutën e kësaj konfernce për çështje çame, e cila u firmos nga pjesëmarrësit në këtë Konferencë.

Rezoluta, duke u bazuar në Deklaratat Solemne, Aktet, Protokollet dhe Konventat e njohura, thekson nevojën e njohjes ndërkombëtare dhe zgjidhjes së problemit çam, duke i bërë thirrje OKB-së, Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, OSBE-së, qeverive dhe institucioneve të Drejtësisë Europiane dhe Botërore, të mos lejojnë Greqinë t’i shmanget detyrimeve strikte ndërkombëtare për krimin e gjenocidit dhe të gjejnë një zgjidhje të shpejtë, qoftë në aspektin teknik, qoftë në atë juridik, duke u mundësuar shqipëtarëve të Çamërisë kthimin në shtëpitë, pronat, varrezat dhe trojet e tyre mijëvjeçare. Gjithashtu kjo Rezolutë kërkon nga shteti shqiptar që çështja çame të futet në agjendën e bisedimeve me palën greke, për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje, dhe ngritjen e një zyre shtetërore për çështje çame. Ndërsa nga shteti grek kërkon të njohë zyrtarisht dëbimin e shqiptarëve të Çamërisë, një ndjesë zyrtare për krimet e kryera, si dhe riatdhesim dhe rikthim të të gjitha të drejtave pronësore dhe qytetare.

Në konferencë, të moderuar nga Dava Gjoka, ndihmuar nga Petrit Aliaj, Ndue Shabaku, Monda Mara etj. përshëndetën edhe veprimtarë nga diaspora dhe trojet etnike.

Filed Under: Politike

SHENJTËRIA E HESHTJES OSE KUR HESHTJA BËHET DRITË

October 28, 2025 by s p

Marash Mirashi/

Rreth librit “Marija që përloti Papa Françeskun”.

Në traditën e letërsisë dhe kujtesës shqiptare, rrallë gjenden libra që arrijnë të bashkojnë në një të vetme frymën e dëshmisë, dritën e shpirtit dhe hijeshinë e fjalës. “Marija që përloti Papa Françeskun” libri i përgatitur me përkushtim nga miku ynë Frano Kulli, një prej botuesve dhe publicistëve me të njohur në vendin tonë, ngrihet përmbi kufinjtë e kronikës fetare për t’u bërë një testament i gjallë i njeriut që i mbijetoi errësirës duke mos e humbur shkelqimin e dritës. Në këtë libër që i kushtohet murgeshës Marije Kaleta, çdo faqe është si një fragment lutjeje, çdo kujtim është si një copë qiell mbi tokën e Zadrimës. Nga ana tjetër, çdo dëshmi ngjan si një dorw që shtrihet butësisht për të rikthyer dinjitetin e një kohe të nëpërkëmbur.

Në thelb të librit që ne po promovojmë sot, qëndron ideja e thjeshtësisë si formë e lartë shenjtërisë fisnike. Që në parathënien e Imzot Simon Kullit, ndjehet fryma e një përulësie që është më e thellë se çdo doktrinë. Ai nuk flet aty për Marije Kaletën si për një figurë të lartë, por si për një njeri që e jetoi përditë hyjnoren dhe besimin në zot në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, duke u lutur dhe duke shërbyer në heshtje.

Trashëgimia shpirtërore e Motër Marije Kaletës qëndron në apostulatin e thjeshtësisë”, shkruan ipeshkvi. Unë mendoj se kjo fjali përbën boshtin moral e filozofik të gjithë librit. Kjo është shenjtëria që nuk kërkon aureolë, që nuk ecën mbi podium, por që endet nëpër rrugicat me baltë të Pistullit, duke i përqafuar njerëzit me dashuri të thellë dhe me përkushtim misionareje. Në këtë libër të ndërtuar si një një mozaik dëshmish, çdo autor, çdo zë, çdo dokument i shton një gur të ri këtij monumenti shpirtëror.

Autori i këtij libri, Frano Kulli në hyrjen e tij meditative, e sheh Motër Marijen jo vetëm si një figurë fetare, por si një shëmbëlltyrë të një kohe që u përpoq të zhdukte Zotin dhe bashkë me të, njeriun. Rrëfimi i tij është një poemë e kujtesës, e shkruar me një gjuhë të qetë e plot përshpirtje, që të kujton rrëfimet e At Anton Harapit apo prozën reflektive të Koliqit. Nga ana tjetër, është dëshmia e Dom Marjan Lumçit ajo që e mbush librin me frymë njerëzore dhe e bën të dridhet nga brenda. Halla Marije, gruaja që s’mund ta urrejë, është një nga rrëfimet më të bukura të shkruara ndonjëherë për një figurë fetare shqiptare. Nuk është një apologji sigurisht por një rrëfim dashurie e përulësie.

Si një gazetar që u kam blatuar reportazheve të mia dheun e vendit tim vë re në këtë libër një diçka tepër interesante e që më bën shumw përshtypje. Në çdo faqe të librit, Zadrima shfaqet jo vetëm si vend gjeografik, por si mit shpirtëror, një hapësirë ku feja, gjuha dhe zakoni bashkohen në një frymë. Kjo tokë e vogël, ku kanë lindur figura të mëdha të kulturës katolike shqiptare, kthehet në simbolin e qëndresës së heshtur ndaj çdo forme dhune. Dokumentet arkivore dhe relacionet e Ipeshkvijve të shekujve të mëparshëm, që përfshihen në libër, e thellojnë këtë ndjenjë të vazhdimësisë, që nga shekulli XVII e deri në ditët tona, Pistulli dhe Dioqeza e Sapës në përgjithësi kanë mbajtur të njëjtën frymë besimi dhe të njëjtin përkushtim ndaj fesë. Libri në vetvete nuk është vetëm rrëfim për një grua të shenjtë, por një epope e vogël e qëndresës shpirtërore shqiptare.

Në planin ideor, vepra ngrihet si një manifest për thjeshtësinë, si një kundërvënie ndaj kulturës së shfaqjes dhe të zhurmës që sundon botën moderne. Ajo na rikujton se njeriu i vërtetë nuk shpëton përmes forcës apo lavdisë, por pwrmes përulësisë. Pikërisht kjo e përloti Papa Françeskun, jo historia e dhimbjes së saj, por madhështia e përulësisë së saj. Kur ajo i tregoi Papës sesi kishte pagëzuar një fëmijë me ujin e kanalit, në mungesë të ujit të bekuar, Papa pa në sytë e saj jo vetëm një murgeshë, por vetë simbolin e Kishës që nuk vdes, që jeton edhe kur ndalohet, që fal edhe kur torturohet.

Në fund, “Marija që përloti Papa Françeskun” është një libër që zë vend në këndin më me dritë të bibliotekave tona. Ky libër nuk u flet thjesht vetëm besimtarëve, por çdo njeriu që ka kërkuar dritën e shpresës në mes të errësirës. Libri për Motwr Marijen na tregon edhe njëherë se heshtja është mënyra më e lartë e komunikimit me Zotin, se mirësia është forma më e thellë e guximit, dhe se dashuria është mënyra më fisnike e qëndresës. Në figurën e Marije Kaletës, Shqipëria gjen një pasqyrë të vetvetes, një vend që ka vuajtur, që është përndjekur, por që nuk ka harruar të falë. Ajo grua e vogël e Pistullit është ndoshta simbolika më e pastër e shpirtit shqiptar, një shpirt që beson pa bujë, që dashuron pa kushte dhe që jeton pa mëri. Një prurje me mjaft vlerë e “botimeve Fishta” dhe posaçërisht e botuesit të saj, mikut tonë fisnik e të ditur, publicistit me emër Frano Kulli, të cilin e falenderoj dhe i shpreh mirënjohjen për kontributin e tij në botimet shqipe prej tre dekadash.

Filed Under: ESSE

Alida Hisku dhe 50 vjetori i këngës fituese në Festivalin e 13-të, të këngës viti 1975 “Vajzat e fshatit tim”

October 28, 2025 by s p

Shyqyri Fejzo/

Historia njerëzore flet se çdo epokë prodhon heronjtë e saj. Në momente të caktuara kjo histori ka treguar se një qytet, fshat, krahinë apo vend nxjerr personalitete të përmasave epokale. Ne, për një pjesë të mirë të tyre, jemi mësuar të lexojmë apo të flitet për heronj e personalitete që kanë kaluar një epokë apo një kohë të caktuar, kur karakteristikat e tyre janë fiksuar e njohur nga mbarë bota shqiptare dhe më tej. Por, sa të rinj e të reja të talentuar kemi në vënd dhe nëpër botë, që punojnë, mësojnë, shpikin por jo të gjithë njihen, nxiten dhe i vlerësojmë në kohë.

Për kushtet e mia si dhe statusin e gjendjes civile vitet e fundit, më është dashur të jetoj shumë kohë në Gjermani, së bashku me djemtë të cilët kanë vite të vendosur familjarisht në qytetin e Hamburgut. Po e flak pak tutje modestinë, duke treguar  se edhe këtu jam përpjekur e po bëj një jetë aktive, duke lexuar e shkruar dhe synuar të mos më shpëtojë gjë. Mirpo kot nuk thonë që vigjilenca është çmimi i epërsisë. Kam botuar edhe libra me personazhe shqiptare, gjermane etj. si dhe shkruaj në gazetat shqiptare dhe sidomos ne portalin “Zemra Shqiptare.”E pranoj që për disa shqiptarë nuk e kam pasur shkallën e vigjilencës në lartësinë e kërkesave të kohës. Në portalin  “Zemra Shqiptare” lexova një shkrim të z. Albert Z. Zholi me titull “Flet këngëtarja e mirënjohur Alida Hisku.” Jam befasuar jo vetëm për intervistën aq cilësore, por edhe për faktin se gazetari i talentuar kishte intervistuar një nga divet e  këngës, e cila nuk dihej se ku ishte për dekada të tëra. Në disa shkrime që kam botuar këtu në Gjermani, i kam dhënë prioritet atyre që janë personazhe të cilët kanë rol të rëndësishëm dhe nuk gabojmë të quhen nyje lidhëse e urave midis popullit e vendeve të Gjermanisë me Shqipërinë, si Xhelil Musa: “Magjistari që gërshetoi lindjen me perëndimin”, për shkencëtarin botanist Friedrich Markgraf,   piktorin Shuk Oran, për shkrimtaren Waltrud Tuger Bejko, për Peter Lutzen, për “Mirushen e Mitrovicës Elbenita Kajtazi”etj. Por, intervista e dhënë nga zonja Alida Hisku, më hapi sytë, më shkundi, edhe pse me vonesë, kujtova fjalën kuptimplote që përdoret në Shqipëri;”ai që kërkon gjen, ai që këmbëngul gjen dhe merr” dhe për këtë nuk është vonë kurrë.

Këngëtarja Alida Hisku, që moshë fare të re që në festivalin e Pionierëve, në Shqipëri u bë  shumë e mirënjohur për intrepetimet e saj në festivalet, veprimtaritë e rëndësishme duke arritur kulme në festivalin e 13-të me këngën e bukur “Vajzat e fshatit tim,”me tekst të poetes të njohur, Zhuliana Jorganxhi e kompozim nga kompozitori Enver Shëngjergji. Kam qënë dhe jam dashamirës i kësaj kënge, mbasi e merrte temën nga fshati, ku punohej e luftohej me vështirësitë, ekzekutohej në  mënyrë të përkryer nga Alida. Ruaj një kujtim me kompozitorin  e saj, Enver Shëngjergji, i cili në një bisedë intime me dy tre shokë të tjerë, na tregoi për historinë e kompozimit, si dhe vlerësimit të asaj kënge.  Ajo këngë ka dhe do të ketë jetëgjatësi të madhe. Në faqen e facebook të këngëtares, më ka bërë përshtypje një video ku një djalë Irlandez këndon këngën “Vajzat e fshatit tim” shoqëruar me një instrument karakteristik muzikor. Ai në video bëri një interpertim vyrtioz, se e kishte hak kjo këngë të shkonte e korrte duartrokitje deri në Irlandën e largët.

Duke dëgjuar videon e shkruar për këto probleme, të kujtohen menjëherë mendimet e dietarëve e personaliteteve të shquara, si Hygoj, Tolstoi, Heminguej apo Lasgushi ynë se ”faktor kryesor për arritjen e një suksesi  në jetë është dhe një fëmijëri e  vuajtur dhe e varfër.” Dhe personazhi i këtij shkrimi nuk bën asnjë përjashtim nga ato konkluzione të njerëzve të shquar. E themi këtë për arësye se po të dëgjosh odisenë e vështirësive dhe pengesave, sidomos ato shpirtërore, dhe vuajtjeve të Alidës deri në arritjet e sotme, sipas tregimeve të saj dhe në një emision televiziv:  mbetesh pa frymë. Në veçanti  momenti i kapërximit  të vijës së kufirit me të dy djemtë, të cilët nuk i la asnjëherë  jashtë vemendjes e kujdesit, është një odise  sa e rrezikshme aq dhe kurajoze   e cila u realizua në saj të qartësisë dhe këmbënguljes saj.                                                  

Në këtë shkrim, me “penelata të theksuara”, dua të ndalem në dy momente:- Në rolin dhe dashurinë e saj për artin, veçanërisht muzikën e këngën dhe së dyti:–Alida Hisku-njeri.

Kuptohet dhe shkencërisht është vërtetuar se në ecurinë e Alidës në fushën e muzikës dhe veçanrisht të këngës, ndikimin kryesor e ka trashëgimia, prejardhja e saj, geni. Kështu, është vërtetuar se gjenetika (geni) trashëgon 40 deri 60 përqind e aftësive. Në veçanti me theks trashëgohet ndjeshmëria ndaj tonit, ritmit dhe kujtesës muzikore. Faktor bazë është gjithashtu dhe mjedisi familjar, i vlerësuar dhe ai 40 deri 60 përqind. Mjedisi stimulon zhvillimin e prirjeve nëpërmjet shembullit dhe praktikës. Aty aktivizohet potenciali i trashëguar duke u shndërruar në aftësi reale. E thënë shkurt dhe  më shkoqur; geni mbjell farën e muzikës, ndërsa mjedisi e “ujit” dhe e rrit. 

I theksuam diçka dhe nga ana teorike këto tregues mbasi lumturisht për Alida Hiskun dhe shoqërinë njerëzore këto dy faktorë, siç pohon vetë ajo, kanë qënë të shkallës sipërore. Këto cilësi të saj i kanë kapur dhe evidentuar si prindët dhe kompetentët e muzikës. Nga ana tjetër, vetë Alida si fëmijë, në veprimtarinë e saj në këtë drejtim, nuk ka pasur asnjë lloj force që të vepronte nga e kundërta dhe ta frenonte. Pjesmarrja e saj që në moshë fare të vogël në veprimtari e deri në festivale, filluar nga 9 vjeç e më tej tregonte se po lindëte (siç lindi) një talent i ri. Ja. Sot ky sukses i merituar i Alidës në festivalin e 13-të të vitit 1975, mbush plot 50 vjet.Kemi të drejtën ti japim lexuesit “Cfarë bëhet me këtë këngë dhe interpertuesen brilante të saj Alida Hisku?”

Unë jam i një brezi më të hershëm se Alida, këngën e së cilës e kam dashur e adhuruar, për iterpertimin plot dinjitet, për tingullin, timbrin dhe shqipërimin shumë pastër të fjalëve të këngës. Fizikisht nuk e kam njohur heret, u desh Gjermania dhe media virale të na njohë dhe afrojë. Dua të  theksoj një moment. Kam punuar si drejtues në disa fshatra të rrethit tim. Kur vinte koha e korrjes e shirjes e grurit, tamam, siç jepen në videon e këngës “Vajzat e Fshatit Tim”ndodhte edhe në lëmenjtë tanë. Vajzat e të rejat që hidhnin grurin në erë me lopata dhe gjithë gëzim dëgjonin në ato radiot me bateri, këngën që këndonte aq bukur Alida. Vazhdoj më tej. Alida asnjëherë nuk i është trembur punëve të vështira. Këtu, në Gjermani duhet theksuar se puna (që është babai i të gjithave) e ngriti dhe po e mban aq lart me të gjitha të mirat. Ajo nuk  e ka pasur për turp të punojë në punët më të vështira, sidomos në vitet e fillimit. Por edhe tani ajo në vazhdimësi, pa pikë qibarllëku u futet dhe i mbaron në kohë dhe cilësi çdo punë që ze.

Të përgatitësh me lugën e drunjtë (karakteristike e guzhinave tona) gjellët shqiptare në bisnesin tënd, të dalësh para klientëve  gjermanë që kanë mbushur tavolinat me praninë e tyre, me pyetjen; “A u pëlqeu gatimi?” Ata të përgjigjen me një breshëri duartrokitje. Pas dy minutash tingujt e këngëve shqiptare dhe gjermane si : Hurra…Wir leben noch (cover)…të kënduara aq bukur nga Alida, mbushin ëmbëlsisht sallën. Kjo ndodh shpesh në bisnesin e Alidës, dhe vetëm ajo me energjitë e saj të pashtershme mund ta bëjë kështu. Ka kohë që gjermanët po i njohin se cilat janë shqiptaret.

Për shqiptarët, nuk ka pasur njohje të plotë,  për arsye të kufizimeve politike. Kjo dihet nga të gjithë.  Trajtimi mitik i Shqipërisë është  mjaft i përhapur sot në vend dhe jashtë tij. Jo  shqiptarët që kanë vizituar vendin, apo analizuar problemin, janë përqëndruar tek historia, gjuha e veçantë, nga pejsazhi dhe natyra e pa ndotur, prapambetja dhe mjerimi, spontaniteti popullor, zakonet e lashta si dhe përzjerja e lindores me perëndimoren, nga copëzimi dhe larushitja e  vendit, nga e panjohura e zanafillës së tij. Bota kështu na njeh në vija të trasha, po kjo nuk është e tëra. Jo më pak shkrime e analiza ka për karakterin, vetitë genin e shqiptarit, se i tillë është dhe realiteti.

Shqiptarët dallohen jo vetëm për qartësinë e mendimit, por veçanrisht në këmbënguljen. Këto dukuri lidhen direkt  me përvetësimin e gjuhëve të huaja, përshtatëshmërinë dhe dukuri e tendenca për të realizuar më të mirën bashkëkohoren, në përputhje me stadet e zhvillimit të vendeve ku jetojnë dhe të shoqërisë në përgjithësi. Të gjitha këto dukuri,në një formë  apo në një tjetër, janë manifestuar edhe tek Alida.

Alida Hisku-njeri.

Alida Hisku bën pjesë në “kreshtat” e njerëzisë të kombit shqiptar. Njerëzit si Alida janë si të gjithë të tjerët, por dallohen sepse ata bëjnë gjënë e duhur në kohën e duhur. Aq më tepër në Gjermani, banorët e të cilës dhe gjithë struktura shoqërore, kohën e përcakton si gjënë më të shtrenjtë, ndaj së cilës nuk bën asnjë lëshim. Energjitë, parashikimet dhe realizimet faktike, në mbajtjen dhe konsolidimin e familjes, në ngritjen dhe funksionimin e bisnesit, në krijimin dhe forcimin e urave të komunikimit midis popullit shqiptar dhe atij gjerman, në humanizmin  dhe bujarinë e saj, janë treguesit kryesorë që përbëjnë identitetin e karakterin e Alidës.

Alida Hisku është unike dhe nuk mund ti gjesh dot binjaken në të gjitha drejtimet, së pari si artiste, si karakter, si prind dhe atdhetare klasi. “Aksidenti” në se mund ta quajmë kështu, atë nuk e mposhti, po i dha forca dhe energji për ta përballuar, mbasi proçesi, materiali i paraqitur nga njerëz jo të denjë, vërtetoi pasaktësinë e tij. Në një intervistë televizive u pyet:”Po të takosh ato dëshmitaret e gjyqit tënd sot çfarë do të bësh?” Do ju flas normalisht, mund t’u jap edhe kafe.” Vetëm kaq do të mjaftonte për të përkufizuar atë, “këngëtare e madhe, dhe njeri, me barkun hambar dhe zemrën behar.” Shoqëria atë nuk e veçoi me gjithëse atyre mund t’u krijoheshin probleme. Liljana Kondakçi, Ema Qazimi, Irma Libohova, ishin dhe mbetën shoqet më të mira të saj, ashtu si   Bashkim Alibali, Kozma Dushi, etj.

Në fillimet e saj si emigrante, me paratë që fitonte si pastruse në 3-4 vende jo vetëm për familjen, por mbante dhe shqiptarë të ardhur për nevoja të ndryshme e shëndetsore duke i dërguar nëpër doktorë e spitale, kur ishte nevoja e këto nuk janë një ose dy, por me dhjetra e dhjetra. Në vitin 2000 në luftën e Kosovës ka dërguar në Shqipëri 5 avionë të Bundesëehr Gjermane (privatisht) me 62 ton hilfe materiale për popullsinë e Kosovës të strehuar nëpër Shqipëri. Po ashtu, ajo, në atë kohë ka dërguar dy maune me paisje të sallave të operacionit për të plagosurit të UCK në Tiranë. Është për tu ardhur keq që ky kontribut i kësaj këngëtarje vip nuk u pasqyrua nga organet perkatëse të Kosovës.

Më lart theksuam se:…” ka bërë gjënë e duhur në kohën e duhur…”Në se kërkojmë dhe shikojmë në videot e saj do të gjejmë..” Kisha nisur të përputhesha në shumë pika me mendimin se është një botë që duhet të gjesh forca e t’i bësh gjërat vet, duke menduar për veten, për fëmijët..” Ky ka qënë ai motiv aq karajoz por edhe me përgjegjësi ndaj vetes dhe djemve, kur  mori rrugën e vështirë të emigracionit. Por, edhe në Gjermani dhe gjetiu, gjërat nuk vinë vetë. Puna është baza, puna është “babai” i të gjithave. Është e vërtetë se duhet edhe pak fat, por mençuria popullore mëson se “fati rri krah për krah me trimin.” Alida për këto probleme në kohën e sotme, ka mendimet e veta realiste për emigracionin e të rinjve e të rejave dhe për Gjermaninë. Gjermania nuk është më ajo parajsa e para 30 viteve që punoje, fitoje dhe kurseje..

Të rinjtë shqiptarë në Gjermani punojnë nga dy punë pasi jeta është e shtrenjtë dhe taksat të larta.

– Sa herë vij në Shqipëri shikoj vetëm të moshuar që rrijnë me sytë nga dera.

Nuk ka skaner me të fortë dhe real se këto thënie e mendime për të vijëzuar gjendjen në vend dhe problemet e mprehta të emigracionit. Patriotizmi sot duhet kërkuar jo larg qelizës bazë të shoqërisë, familjes. Tamam aty është themeli. Alidën problem i familjes e ka përshkuar si fill i kuq gjatë gjithë jetës. Nuk po përsëritim peripecitë e emigracionit me gjithë djemtë, por atyre, me kujdesin e veçantë të nënës, i rriti dhe edukoi, por më e rëndësishmja, këmbënguli dhe ata mësuan mirë gjuhën shqipe. Në një emision televiziv pak kohë më parë Alida para publikut derdhi lotë gëzimi nga mesazhi aq i ngrohtë dhe domethënës që i drejtoi e bija…”..Mami e dashur! Ti i ke të të gjitha mrekullitë e botës të mbledhura së bashku në shpirtin dhe zemrën tënde, jo vetëm për neve, po ti je për të gjithë shqiptarët një mrekulli e vërtetë.” Mbas këtij mesazhi njeriu mbetet pa fjalë, duke dëgjuar vlerësimin e fëmijës saj, i cili i ka brenda të gjitha mirësitë, si një model i pa përsëritshëm. Në një shkrim të gazetarit Albert Z. Zholi në portalin “Zemra Shqiptare” midis të tjerave shkruan: “Ka 35 vjet në emigracion dhe lidhja e saj me atdheun dhe shqiptarët nuk është ndërperë kurrë. Shtëpia e saj ka qenë e hapur për sa e sa emigrantë nga të gjitha vendet e botës. Madje ajo ka dhënë shumë koncerte në Gjermani apo dhe në Itali me disa shoqata me këngë shqiptare. Kohët e fundit ajo ka filluar të këndojë gjermanisht dhe e ka bërë shumë publike në rrethinat e qytetit ku jeton. Tre fëmijët e saj flasin lirshëm shqip, por dhe krenohen që janë shqiptarë.” Kuptohet, në këto rrjeshta të koncentruara nuk ka vend për shtesë për  paksim, apo për koment. Është komplet Alida Hisku njeri.

Kur kthen kokën pas, veren në fytyrën e  Alida Hiskut gjithjë çel trëndafili i një buzëqeshje të mirë, që buron nga shpirti i saj i pastër, nga fakti se gjatë gjithë jetës së saj, në çdo hap që ka hedhur, e ka karakterizuar mirësia, fisnikëria dhe dashuria e pakufishme për  kombin, për njerëzit. Njeriut të qeshur i hapet çdo portë. Ajo të qeshurën gurgulluese e mban në buzë,  dhe thellë në shpirt.

Në një varg urimesh asaj i vinë nga Shqipëria, nga miqtë shoqet e shokët e shumtë dhe nga shumë shtete të botës përshëndetje dhe urime. Nuk është rastësi që në facebook-un e saj numurohen mbi 2.100 shokë. Kjo, midis të tjerave, tregon se këtë mënyrë bashkëkohore komunikimi Alida e vlerëson si faktor i rëndësishëm për lumturinë. Miqtë, shoqet e shokët në komunikimet e urimet kryefjalën e kanë për “lumturinë familjare.”Ky është një kapitull më vete, të cilin për ta njohur më mirë na e lehtëson vetë Alida, duke theksuar për familjen e vet, bashkëshortin e saj gjerman se : Them se ka gjetur tenxherja kapakun. Unë i jam përshtatur atij në artin gjerman, në korrektësinë e xhentilesë, ndërsa ai për mua në artin shpirtëror. Ai më ka gjetur telat e shpirtit, di të vlerësojë brendësinë e njeriut dhe kjo më ka mahnitur tek karakteri i tij, gjë që më ka bërë të dashurohem pas tij që prej shumë vitesh.”

Ajo pranon se:”Mosha dhe jeta ime ka shumë gërvishtje…,por pohon dhe faktin se:”Mbas çdo stuhije del dielli, një diell më i fortë..”Dhe vërtet, ai diell po shndrit e do të shëndritë më tej me të gjitha ngjyrat dhe zëri i mrekullueshëm  i Alida Hiskut do të  dëgjohet në vazhdimësi në të dy gjuhët. Pema gjenealogjike e familjes saj rritet e zbukurohet në vazhdimësi. Në këtë pemë të bukur, degët, degzat  e saj, Alidën e kanë “graduar” duke e bërë pesë herë gjyshe dhe një herë stërgjyshe.

Në vargun e shqetësimeve të Alidës me prioritet e më të theksuara janë ato që lidhen me braktisjen e vendit nëpërmjet emigracionit masiv. Shkatërrimi i asaj baze materialo- teknike të dobët që trashëgoi sistemi që ndërruam dhe shpërdorimi i saj e çdo aseti, industrial, ushtarak, naftë e miniera etj.u bënë shkak themelor për papunësinë. Nënvleftësimi i rolit të bujqësisë e blegtorisë, pa përcaktuar asnjë lloj strategjie ku do të shkojmë, cilët do të jenë prioritetet si dhe sigurimi i fondeve për financimin e tyre, kanë qënë dhe sot ato mbeten probleme themelore për  punësimin kthimin e moshës së re në vend dhe rritjen e mirëqënies, mbasi ekzistojnë kushtet natyrore, toksore,ujore për një ecuri tjetër, të mençur, duke marrë mendimin shkencor e profesional e siguruar prioritete të qëndrueshme.

Rrjedhja e trurit të kualifikuar është një nga humbjet më të mëdha të vendit. Duke e parë gjendjen dhe vlerësuar, ashtu si jep disa mendime me vlerë dhe Alida, studimi, financimi e tërheqja e tyre së bashku me përvojën e fituar bëhet faktor dhe domosdoshmëri për zhvillimin. Përvojë, “mësuesja që nuk merr pension” kemi. Për këtë flet më mirë dhe hapur ndërtimi, turizmi etj. Aktivizimi i trurit të kualifikuar, mbështetja, nxitja me të gjitha mënyrat, duke i afruar në të gjitha llojet e veprimtarive, duke stimuluar, sistemuar ligjet ku duhet si dhe vlerësimi me publikime, me tituj, medalje e dekorata për arritjet, me ato do u bëhej nder dekoratave në rradhë të parë, pastaj individëve.     Duke parë gjithë veprimtarinë, veçanrisht rolin dhe vendin që i takon si artiste, interpretuese e përkryer e këngës që nga fëmijëria e deri më sot, “koka dhe këmbët i mbeten gjithnjë në truallin e vet” së bashku me të shoqin, familjen, fëmijët të cilët e dinë dhe e duan gjuhën shqipe. Alida, nuk e shfaq nga modestia, por  i lumtur është sot ai njeri që gjatë gjithë jetës tij bën të mirën e mundëshme dhe mbetet i nderuar dhe i kërkuar nga të gjithë ata që e njohin. Kjo Alidë, e “zier me lëng çeliku”,në kuptimin e fjalës që është rrahur me të mira dhe të  këqia nga më të ndryshmet, por peripecitë e shumta të jetës nuk e lodhën, por e forcuan. Kapitulli “Alida dhe Gjermania” është një temë dhe një odise e gjatë dhe komplekse. Mençuria flet konkretisht se; “Ai që do vendin e vet respekton dhe vendin e tjetrit.” Kjo, konkretisht ka gjetur zbatim të plotë në jetën dhe punën e Alidës. Ajo, në tërë kuptimine fjalës, është kthyer një nyje e rëndësishme e urave lidhëse midis popujve e shtetit Shqiptar e atij Gjerman. Theksojmë se Alida në këtë veprimtari, futet me më shumë forca, sepse veç punës, jetës familjare me burrin  gjerman, bisnesit saj, prezantohet bukur dhe me këngët gjermane, krahas atyre shqiptare. Ja. Për këto dhe disa të tjera nga këto,  kemi mendimin që Alida konkretisht në fakt është ambasadore e grave Shqiptare në Gjermani, në këtë 50 vjetor të këngës fituese të festivalit të 13-të. De jure le të shikohet nga kompetentët.

Shyqyri Fejzo Hamburg-Gjermani-Tetor 2025

Filed Under: Kulture

Rregullimi i lobimit, hap drejt transparencës, por sfidat mbeten

October 28, 2025 by s p

Evarist Beqiri/

Ndikimi i grupeve të interesit në politikat publike dhe normimi i veprimtarisë së tyre është thelbësor për një shoqëri demokratike. Veprimtaria e tyre ngërthen të drejtën kushtetuese të shprehjes dhe të organizimit kolektiv, me parimin e pluralizmit politik. Nga ana tjetër, konflikti i interesit në vendimmarrjen publike është “thembra e Akilit” të demokracisë liberale. Prandaj, normimi i lobimit ndikon drejtpërdrejt në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, duke forcuar kështu demokracinë.

Në disertacionin e realizuar në vitin 2017, mbi ndikimin e grupeve të interesit në politikat publike, ne e kemi trajtuar gjerësisht fenomenin e lobimit dhe domosdoshmërinë e normimit të tij (Shiko:https://unitir.edu.al/…/grupet-e-interesit-dhe-ndikimi…/). Tashmë, pas afro dhjetë viteve nga ky studim, Shqipëria po i afrohet një vendimi historik. Për herë të parë kemi një projektligj për lobimin, i cili do të shndërrohet së shpejti në ligj.

Ky hap i bën të dukshme ato procese që deri dje ishin të padukshme. Grupet e interesit ndihmojnë në hartimin e politikave. Dhe nga ana tjetër, ato i çojnë institucionet më afër qytetarit.

Projektligji parashikon krijimin e një regjistri detyrues për lobimin. Raportime periodike për aktivitetet dhe burimet e tyre financiare. Mekanizmat ligjor synojnë që të vendosin rregulla të qarta, duke i dhënë lobimit një fytyrë më transparente dhe të mbikëqyrur. Gjithsesi, ne kemi parë shpesh në Shqipëri, që hartimi i një ligji të mirë, nuk është garancia përfundimtare e funksionalitetit të tij në praktikë. Ajo që çalon historikisht tek ne, është mungesa e kulturës së zbatimit të ligjit.

Vlen të theksohet se, ky projekt-ligj është një instrument drejt rritjes së integritetit, transparencës dhe llogaridhënies në proceset e vendimmarrjes publike. Rregullimi i lobimit shënon një hap përpara në forcimin e demokracisë dhe në luftën kundër korrupsionit. Në këtë kuadër, ky është një lajm i mirë për demokracinë shqiptare, si edhe për procesin e integrimit në BE.

Megjithatë, sfidat mbeten. Ndikimi i grupeve të interesit në Shqipëri shpesh është i padukshëm dhe i paauditueshëm. Ligji nuk do të jap efektet e duhura, nëse nuk shoqërohet me mekanizma të fortë mbikëqyrës dhe sanksione efektive. Njëkohësisht, nevojitet ndërgjegjësim i gjerë qytetar për ndryshimin e kulturës institucionale. Një fokus i veçantë duhet kushtuar rëndësisë që ka transparenca dhe llogaridhënia. Qytetarët duhet të dinë, se kush përpiqet të ndikojë kë, në vendimet që prekin jetën e tyre. Ndërkohë, institucionet duhet të jenë efektive dhe funksionale.

Ky projekt-ligj nuk shënon fundin. Ai është vetëm hapi i parë drejt rrugëtimit, për një administrate publike më të përgjegjshme, më të hapur dhe më të prirur drejt së mirës publike. Për të arritur këtë objektiv, do të duhet vullnet politik, angazhim qytetar dhe mbikëqyrje serioze.

Njëkohësisht, do të duhen burime njerëzore profesionale për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit dhe për hetimin e shkeljeve të tij. Vetëm kështu fenomeni i lobimit mund të transformohet nga një proces misterioz, në një instrument të shëndetshëm të politikës publike. Sot e gjithë ditën, influenca e grupeve të interesit në politikat publike dhe rregullimi ligjor i veprimtarisë së tyre, mbetet një sfidë e madhe edhe për demokracitë me një traditë me të konsoliduar se vendi ynë.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 91
  • 92
  • 93
  • 94
  • 95
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT