• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

𝟰𝟵 𝘃𝗶𝘁𝗲 𝗻𝗴𝗮 𝗽𝘂𝘀𝗵𝗸𝗮𝘁𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗺𝗮𝗿𝘁𝗶𝗿𝗲𝘃𝗲 𝘁𝗲 𝗱𝗲𝗺𝗼𝗸𝗿𝗮𝗰𝗶𝘀𝗲, 𝗽𝗼𝗲𝘁𝗲𝘃𝗲 𝗩𝗶𝗹𝘀𝗼𝗻 𝗕𝗹𝗹𝗼𝘀𝗵𝗺𝗶 𝗱𝗵𝗲 𝗚𝗲𝗻𝗰 𝗟𝗲𝗸𝗮

July 18, 2026 by s p

Bujar Leskaj/

Dje, datë 17 korrik 2026 u shënuan 49 vjet nga pushkatimi i poetëve martirë, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, një krim i kryer nga regjimi diktatorial komunist ndaj dy intelektualëve që refuzuan të nënshtroheshin.

Kjo datë, siç çdo datë kushtuar heronjve antikomunistë, duhet të mbetet një ditë reflektimi dhe kujtese për të gjithë shqiptarët. Një demokraci që humbet kujtesën rrezikon të përsërisë gabimet e së kaluarës; prandaj, kujtimi i viktimave të diktaturës është një detyrim moral dhe kombëtar.

Më 17 korrik, në qytetin e Librazhdit, së bashku me heroin e gjallë të qëndresës antikomuniste, Bedri Blloshmi, vëllain e poetëve martirë, organizuam ceremoninë përkujtimore pranë memorialit kushtuar poetëve martirë Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës.

Vilson Blloshmi dhe Genc Leka ishin disidentë të vërtetë dhe antikomunistë të vendosur. Ata zgjodhën të ruanin dinjitetin dhe lirinë e mendimit, edhe pse kjo u kushtoi jetën. Sakrifica e tyre i ka bërë ata të mbeten përgjithmonë “Nderi i Kombit” dhe simbol i qëndresës ndaj tiranisë.

Pas ceremonisë pranë memorialit, vizituam shtëpinë-muze të poetëve në Bërzhishtë, ku heroi i gjallë Bedri Blloshmi, i mbijetuar i burgjeve komuniste, i cili jetën ua ka kushtuar vëllezërve të tij, nga shtëpia muze ndau historinë e dhimbshme të përsekutimit, torturave dhe vuajtjeve që përjetoi familja e tij gjatë regjimit komunist.

Në këtë veprimtari përkujtimore morën pjesë aktorët e mirënjohur, Mjeshtri i Madh Bujar Asqeriu, aktorja Raimonda Bulku, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë Kastriot Piroli, Greta Bardeli dhe Klodiana Çapja, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike Atird Hoxha, intelektualë, gazetarë, si dhe dhjetra të rinj demokratë nga Vlora.

Në këtë aktivitet përkujtimor, në nderim të poetëve martirë, morri pjesë dhe Grupi Polifonik “Jehona Labe”, të cilët interpretuan këngë labe kushtuar dy poetëve martirë, duke i dhënë ceremonisë një emocion të veçantë.

Në shtëpinë-muze, së bashku me Bedri Blloshmin, u dhuruam libra të rinjve dhe pjesëmarrësve, me dëshirën që historia, kujtesa dhe vepra e poetëve martirë të vazhdojnë të jetojnë te brezat e rinj.

Në nderim të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës, në këtë postim modest po përcjellë disa vargje nga poezia “Saharaja” e Vilson Blloshmit, një krijim që regjimi komunist e konsideroi “agjitacion e propagandë” dhe e përdori si pretekst për ta dënuar:

“Saharaja s’di të ëndërrojë.

Ajo bluan gurë me mend’ e saj…

Saharaja s’ka këngë të këndojë,

Saharaja s’ka as lot të qajë.

Saharaja nuk ka miq e shokë,

Saharaja nuk ka bijë, as bir.

Saharaja është një copë tokë,

Thonë se dhe me natën s’shkon mirë…”

Lavdi dhe nderim i përjetshëm martirëve të demokracisë, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka! Kujtimi i tyre do të mbetet gjithmonë frymëzim për lirinë dhe demokracinë.

Filed Under: Reportazh

Kasëm Trebeshina – jeta dhe përmasat letrare

July 18, 2026 by s p

Behar GJOKA*/

100 vjetori i lindjes së shkrimtarit Kasëm Trebeshina, është shans kujtese dhe reflektimi. Para së gjithash, ky përvjetor shënon një shans përkujtimi, sepse duam apo nuk duam, është pjesë e rëndësishme e letrave shqipe, madje po të nisesh nga dorëshkrimet dhe, sidomos nga vlerat e konfirmuara për pjesën e botuar, bindesh se është ndër shkrimtarët e shquar të letërsisë shqipe bashkëkohore. Ky kremtim vjen pas një heshtje nëntëvjeçare, të viteve të amshimit, më tepër është edhe shkas reflektimi në vitilindjen e mjeshtrit të fjalës shqipe, në kuptimin që mungesa e vijueshme, në historiografinë e letrave shqipe, sa ç’është humbje për krijimtarinë e autorit, më tepër është humbje për letërsinë shqipe, e parë si dëshmi e modelit letrar të pazakontë.

Në letrat shqipe, Trebeshina është rasti unik, ku jeta është një histori më vete, më së shumti tragjike, e fati i shkrimit, i teksteve të shumta në poezi, prozë, dramatikë, eseistikë dhe publicistikë, ende gjallon në binarët e tragjizmit absurd, të mbetjes në dorëshkrim të një pjese të konsiderueshme dhe, të mosleximit të vëmendshëm të pjesës së botuar nga krijimtaria e gjerë letrare. Ligjërata, përmbi jetën dhe veprën e gjerë letrare, të shkrimtarit Kasëm Trebeshina, do të ndalet në disa çështje:

A – Mallkim në gjallje dhe heshtje në amshim

Kasëm Trebeshina, përmbledh shumëçka në vetvete, nga shkrimtarët fatzi dhe model qëndrese, në jetën e tij, sepse kundërshtoi hapur sistemin politik dhe letrar, pra realizmin socialist, të vendosur në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore. Pra, Trebeshina, një karakter tepër i fortë, rrufeshëm hyri në kalvarin e jetës më të vështirë të mundshme, për shkak të kundërshtimit të hapur të ideologjisë komuniste, po kaq edhe të realizmit socialist, të cilin e pa si një model propagande, madje dëshmia karakterit vjen e shoqëruar me akte të qarta publike:

– Me 5 tetor 1953, Promemoria e famshme, e cila publikohet pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, po kaq në këtë vit arrestohet.

– Në vitin 1954, përjashtohet nga Lidhja e Shkrimtarëve, foleja e grerëzave për shkrimtarët dhe artistët në vitet e socializmit, dhe futet në burg, për agjitacion dhe propagandë.

– Në vitet 1962 – 1967, fillimisht internohet në Zvërnec, nga fundi dërgohet në spitalin psikiatrik Vlorë, një akt poshtrues për autorin.

– Letër Mehmet Shehut, 19. 6. 1975, ku ai kërkoi zyrtarisht leje për t’u largua nga Shqipëria dhe për të emigruar në Zvicër, gjë që dëshmon të qenit rebel dhe kundërshtar i hapur me sistemin politik të kohës.

– Me 15 prill 1980, dënohet sërish, tanimë duke u bazuar te ekspertiza e shkrimtarëve të kohës, kryer mbi dorëshkrimet e tij, në poezi dhe prozë, e sidomos mbi disa drama, për të hetuar shkarjet e shumta ideologjike, të cilat binin ndesh me modelin zyrtar të realizmit socialist.

Pas viteve ’90 krijohet një atmosferë tjetër, ndonëse po aq e zymtë, gjithaq e shoqëruar me pengesa, veçmas e shoqëruar me një lexim biografik dhe antibiografik, si aspekt dhe tregues i leximit gjysmak dhe revizionues, se ka qenë partizan dhe oficer, si dhe duke mos marrë në analizë faktet e burgimit dhe internimit të tij, të linçimit publik, me shumë mundësi, vetëm për ta lënë në hije sërish, larg leximit dhe vlerësimit veprën e gjerë letrare. Jeta dhe krijimtaria e tij letrare, të cilat përveç të tjerash i bashkëlidh fataliteti shpërfillës, më solli në mendje një pohim të dikurshëm të Platonit:

“Njeriu vetëm kur mbetet krejt i izoluar dhe i ndrydhur në vetvete, duke e braktisur trupin dhe duke u shkëputur plotësisht nga vetja, dhe pa pasur asnjë kontakt, ai mund të zotërojë të vërtetën.”,

si një përcaktim domethënës, mbase për të karakterizuar figurën Kasëm Trebeshinës, që duket se kontekstet e izolimit, i ktheu në qëndresë morale të pazakontë, e po kaq në dritë të fjalës letrare, në kaq shumë lami shkrimore.

B – Fati i hidhur i veprës letrare

Fati i hidhur jetësor, mbushur me brenga, me dënime dhe internime, ndërkaq u kthye edhe në një fatalitet të hidhur, për veprën e larmishme letrare, gjë që e dëshmojnë qartazi dosjet hetimore dhe gjyqësore, që u ngritën mbi dorëshkrimet e autorit. Përveç librave “Kruja e çliruar”, dramë e botuar në vitin 1953 dhe poemës “Artani dhe Minja ose hijet e fundit të maleve”, botuar në vitin 1961, e gjithë pjesa tjetër, me ndonjë tekst të botuar në gazeta dhe revista, shumëvëllimshe me poezi, prozë (tregime, novela, romane), dramatikë (me të gjithë llojet e saj), letërsi për fëmijë, përkthime, libra eseistikë dhe publicistikë, e gjitha mbeti e ndryme në dorëshkrim, për kaq shumë vite, pra duke e lënë pa komunikim me lexuesin, si dhe pa hyrë në klimën letrare të kohës së shkrimit të kaq shumë librave të dorëshkruara.

Pas viteve ’90, nisi kalvari i botimeve, pra me shumë vonesë dhe pengime, ku ende sot e kësaj dite korpusi letrar, me poezi, prozë, dramatikë, etj. , ende nuk është botuar i plotë, çka përbën një mur të lartë për të komunikuar me përvojën e pasur letrare. Sërish, edhe pse një pjesë e veprës letrare është botuar, jemi në pamundësinë e njohjes dhe të studimit të veprës së gjerë letrare, sepse ajo do të jetë njohje gjysmake, pra e paplotë, dhe studimet dhe vlerësimet për krijimtarinë letrare. Megjithatë edhe në këto rrethana, të mungesës së veprës së plotë, të mospranimit të saj, e sidomos të mosleximit të veprave të shumta, alternativa e heshtjes, ndërkaq është vijimi i asgjësimit të një vlere letrare të njëmendtë të letrave shqipe. Jemi në situatën e shkrimit prej autorit të mbi 200 librave, një përmasë e jashtëzakonshme letrare, duke endur kështu një “bibliotekë” autoriale, nga të cilat as gjysma nuk është botuar ende, pra duke mbetur pjesa dërrmuese në dorëshkrim.

Në këto rrethana, të pamundësisë për ta lexuar, njohur dhe studiuar, gjithë përvojën shkrimore të Trebeshinës, ende vepra e tij, mbetet një horizont pritje, një model shkrimi, me shenja të përveçme, që prêt ardhjen e lexuesit model, siç e pati formuluar U. Eco, me shumë gjasa, duke përvijuar kështu fatin e gjenive krijuese, që u keqkuptua nga bashkëkohësit, ndonëse gjithnjë ka kohë për t’i lexuar. Në këtë situatë anormale, të marrëdhënies me krijimtarinë e gjerë letrare të Kasëm Trebeshinës, ku ndërkohë pjesa dërrmuese mbetet në dorëshkrim, po hedhim ndonjë paralele, si një përqasje rastësore me shkrimtarët e letërsisë bashkëkohore dhe më gjerë:

– Shkrimtari, që në historinë e letërsisë shqipe, ka lëvruar të tre gjinitë letrare, poezinë, me të gjitha tonet dhe ngjyrat, prozën, me tregimet, novelat dhe romanet, madje edhe romanin epope, dramaturgjinë, e pasur në tipologjinë e laryshisë së shkrimit, lëvrues i letërsisë për fëmijë, i kritikës dhe eseistikës, përkthyes dhe publicist, duke skalitur figurën shumëplanëshe të mjeshtrit të fjalës shqipe.

– Shkrimtari me më shumë tekste të shkruara, në historinë e letrave shqipe, një fakt që e pasuron letërsinë shqipe, me ndihmesën e gjithanshme të autorit, ku mbizotëron letërsia, ndonëse vetëm një pjesë është botuar, e mbi njëqind tekste, ende mbetet e dorëshkruar. Ky tregues domethënës, për kontributet e shumta të shkrimtarit, si autori me më shumë tekste të shkruara në letrat shqipe, ndërkaq e thellon vështirësinë për ta njohur, shijuar dhe vlerësuar ndihmesën e dhënë prej autorit të izoluar, për letrat shqipe. Megjithatë, varësisht kësaj pune vitale, të shtrirë në vitet e jetës, kupton se Trebeshina jetoi në letërsi, me letërsinë dhe për letërsinë.

– Nisur nga fakti domethënës se prej tij trashëgohen mbi tetëdhjetë tekste dramatike, të llojeve dhe zhanreve, klasiko dhe moderne, madje edhe si lëvrues i teatrit absurd, ndonëse pjesa më e madhe e dramave, mbetet në dorëshkrim. Kuptohet që dramaturgjia e Trebeshinës, më në fund ka thyer paragjykimin zyrtar, të endur në kohën e realizmit socialist, se letërsia shqipe, nuk ka dramaturgji, se kjo gjini është më e prapambetur dhe nuk është e zhvilluar, sa gjinitë e tjera letrare. Kontributi i Trebeshinës, pamëdyshje është i rëndësishëm për poezinë, prozën, kritikën dhe eseistikën, por vlera jetike e këtij autori për letrat shqipe, është e lidhur ngushtësisht me dramaturgjinë, që është vlera e shtuar, sepse la një trashëgimi, me vokacion të thekur dramatik të gjuhës shqipe, si dhe bashkë me A. Pashkun, T. Dervishin, M. Camajn etj., hodhi themelet e dramatikës moderne.

– Shkrimtari që në kundërvënie me realizmin socialist, lëvroi modelin e surealizmit, ide të cilën e hodhi për herë të parë për tekstet letrare të autorit, Robert Elsie, që mandej pasohet edhe nga studiuesë të tjerë, kryesisht shqiptarë, e cila ndërkaq vjen si një kundërvënie estetike ndaj realizmit socialist, gjë që e kam vënë re në një pjesë të poezisë së shkrimtarit, në prozën e tij, në tregimet, novelat dhe disa nga romanet e tij, për dramatikën, në disa drama të autorit, e po kaq edhe në romanin epope “Kënga Shqiptare”, një vepër e rëndësishme e shkrimtarit për letrat shqipe, si një roman tipik epope, si dhe për pohimin e një të vërtete, që ende nuk e ka zbardhur as historiografia e shqipes, se lufta e fundit, krahas luftës për çlirim, ishte një luftë civile, një luftë e komunistëve për pushtet, si dhe në mënyrë të veçantë për realizimin e figurës së Nuredinit, që skicon hijen e deheroizimit të personazheve, një shenjë e hapur e mohimit të socrealizmit në letrat shqipe.

C – Disidenti që refuzoi “disidencën”

Beteja e fundit e Kasëm Trebeshinës, e zhvilluar në gjallje, një betejë mjaft e hidhur, me mëtonjësit për t’ia rrëmbyer kurorën meritore, të disidentit model, me shumë gjasa të simbolit të disidencës shqiptare, i cili jo vetëm kundështoi hapur sistemin politik të diktaturës, si dhe iu kundërvu botërisht realizmit socialist, por mbi të gjitha sepse realizoi vepra letrare të përkundërta me socrealizmin, kryesisht të tipologjisë letrare të surealizmit, ka vendin e merituar në historinë e letrave shqipe. Në këto kohë të turbullta kur “pelegrinët” e komunizmit, janë lëshuar në turravrapin paradoksal, me shumë gjasa me shpall disident edhe diktatorin Hoxha, e prandaj Trebeshina e flaku me përbuzje edhe pelerinën e disidentit, duke na kujtuar thënie e Balzakut: Ata që kërkojnë dekorata nuk i meritojnë, ata që i meritojnë, nuk kanë nevojë për to.”.

Në leximet e kohëve të fundit, kryesisht mbi jetën e shkrimtarit, në mes të tjerash me ranë në dorë shënime për një takim të Trebeshinës me ushtarakë, zhvilluar në vitin 1992, ku qartësisht ai shprehet: Disident është njeriu…”, një formulim domethënës që më vuri në mendime.

Përballë këtij formulimi kaq të ngjeshur, mu desh të shfletoja fjalorët dhe ndesha edhe në këtë përcaktim: “Në terminologjinë e letërsisë ekziston vetëm në kuptimin “shkrimtar disident”. Shkrimtarë disidentë: Ata që nuk pajtohen me ideologjinë politike dhe kulturore të vendit të tyre dhe që kritikojnë regjimin qeverisës dhe formacionin shoqëror dominues përmes shkrimeve të tyre. Shumë prej tyre janë përndjekur, censuruar, burgosur, internuar ose vrarë për pikëpamjet e tyre. Gjatë periudhës së Luftës Ftohtë, ky term lidhej ngushtë me shkrimet kryengritëse të autorëve të bllokut sovjetik, si rusët Boris Pasternak, Ana Ahmatova dhe Aleksandër Solzhenicin, çekët Vaclav Havel dhe Milan Kundera dhe bullgari Georgi Markov. Megjithatë, ky asociacion nuk mund të zbehë faktin se Perëndimi kapitalist ka prodhuar gjithashtu shumë zëra të fuqishëm disidentë, si poeti dhe kineasti italian Pier Paolo Pasolini dhe gjuhëtari amerikan Noam Chomsky.

Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, shkrimtarë disidentë nga pjesë të tjera të botës kanë filluar të “vlerësohen”, veçanërisht nigeriani Vole Sojinka. Pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, Perëndimi është bërë gjithnjë e më i vëmendshëm ndaj veprës, së shkrimtarëve disidentë nga Kina (mbi të gjithë Liu Xiaobo, fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë në vitin 2010).”Kemi të bëjmë me një pasqyrë të plotë të nocionit dhe të pranisë së disidencës në letërsinë botërore, ku bie në sy fakti se kjo gjendje, lidhet me kohën e totalitaritarizmit, pra që është më e përqëndruar në ish-Bashkimin Sovjetik.

Disidenca simbas formulimeve të ndryshme, të verifikuara në fjalor të ndryshëm, ka të bëjë me kundërshtimin e hapur të sistemeve totalitare, ku në mes të tjerash shkruhet: “Në kuptimin gjuhësor, psh. në fjalorin e gjuhës shqipe i publikuar në janar 2026, del me këto kuptime: Disident – Që kundërshton politikën zyrtare të shtetit, të regjimit ose të një autoriteti etj.; që mendon e vepron ndryshe nga të tjerët; që ndahet e largohet nga partia e vet; kundërshtues; tjetërmendës.

Disidencë – Të qenët disident; veprimtari e individëve ose e grupeve që shprehin kundërshtim ndaj regjimit ose ndaj një autoriteti të caktuar.”, duke sjellë pranë lexuesit edhe përcaktimin e bërë në fjalorin e Gjuhës shqipe.

Disidenca letrare, një term i parapëlqyer nga studimet zyrtare, kohëve të fundit, ndonëse mbetet i diskutueshëm, për praninë në letrat shqipe, më ngjan me një përpjekje për të fshehur dhe mbuluar shërbesën ndaj sistemit. Në përbashkimin disidenca letrare, të kumtesave të zyrtarshme të akademizmit shqiptar, janë përfshirë shumë forma të ekzistencës të ligjërimit shkrimor, mes të cilëve, letërsia e burgut, letërsia e kujtesës, letërsia e sirtarit, letërsia e shkruar në gjuhë të huaj. Jemi në një larmi formash të shkrimit letrar, që duhen trajtuar dhe verifikuar në imtësitë ekzistenciale, të rrafsheve ligjërimore. Futja në vatrën e disidencës letrare, e këtyre formave, kërkon analizë dhe verifikim të thelluar, gjithnjë pa harruar përcaktimin: “Shkrimtarë disidentë: Ata që nuk pajtohen me ideologjinë politike dhe kulturore të vendit të tyre dhe që kritikojnë regjimin qeverisës dhe formacionin shoqëror dominues përmes shkrimeve të tyre.”, gjë që do të qartësonte marrëdhënien me secilin tip shkrimi.

Pra, Kasëm Trebeshina, e kundërshtoi hapur sistemin politik, si dhe realizmin socialist, duke dalë hapur kundër, me akte publike në Lidhjen e Shkrimtarëve, duke përmbushur kështu qenësinë si disident, për më tepër, pasojë e qëndrimeve të mbajtura ishin burgimet dhe internimet e tij. Nëse këto qëndrime janë akte morale, të njohura, në anën tejtër, vepra letrare eci në një rrugëtim të përkundërtë me realizmin socialist, duke realizuar një letërsi ndryshe, në shkrimin e poezisë, prozës, dramaturgjisë, kritikës dhe eseistikës, si dhe duke lënë një trashëgimi të vyer letrare, që herët e vonë, do të duhet të hipotekohet në hartografinë e letrave shqipe.

(Fragment nga ligjërata e mbajtur me 15 korrik 2026)

*Autor i librit “Trebeshina – ajsbergu i letrve shqipe”, botuar në Tiranë në vitin 2005, si dhe në vitin 2006 në Tetovë.

Filed Under: LETERSI

RIVALITETI ITALO – JUGOSLLAV DHE BANKA SHQIPTARE

July 18, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

Selia e parë e Bankës në Durrës

Pas shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar më 28 Nëntor 1912, një nga kujdeset parësore të qeverisë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemal Bej Vlora ishte mëkëmbja e një banke emetimi dhe krediti në Shqipëri, e cila ta zhvillonte veprimtarinë e saj në përputhje me normat e bankave kombëtare të shteteve evropiane. Ismail Qemali e konceptonte Bankën Kombëtare si një institucion financiar, i cili duhej të synonte në radhë të parë zhvillimin ekonomik të vendit, kurse fitimin duhej ta realizonte nëpërmjet zhvillimit ekonomik dhe stabilizimit të shtetit të pavarur shqiptar. Jo më kot, bankën kombëtare ai e ka cilësuar si “…e dyta fitore pas lirisë”.

Në 4 tetor të vitit 1913, Qeveria e Ismail Qemalit nënshkroi me përfaqësuesit e dy prej grupeve financiare më në zë të kohës, Wienner Bank Verein dhe Banca Commerciale Italiana, koncesionin e parë për krijimin e Bankës Kombëtore të Shqypëniës. Në Shqipërinë e trazuar të atij fillimshekulli, por edhe për shkak të tronditjeve që do të vinin shumë shpejt me shpërthimin e Luftës I Botërore, Banka Kombëtare e Shqipërisë nuk mundi të zhvillojë aktivitet.

Historia e rivalitetit italo-jugosllav për Shqipërinë pas Luftës së Parë Botërore tregon se pavarësia e një shteti të vogël nuk vendoset vetëm në çastin kur njihen kufijtë e tij.

Shqipëria i mbijetoi Paktit të Londrës, planeve të copëtimit, pazareve të Konferencës së Paqes dhe pushtimeve të huaja. Qëndresa e Vlorës, Kongresi i Lushnjës, mbështetja e diasporës dhe kundërshtimi i presidentit Woodrow Wilson ndaj ndarjes së vendit ndihmuan në shpëtimin e shtetit shqiptar.

Por pas vitit 1920 filloi një betejë tjetër: beteja për përmbajtjen reale të pavarësisë.

Italia dhe Jugosllavia rivaliteti pёr ekzistencën e Shqipërisë

Italia dhe Jugosllavia e pranonin ekzistencën e Shqipërisë, por secila dëshironte një Shqipëri të dobët, të kontrollueshme dhe të përdorshme kundër tjetrës. Për Beogradin, ajo duhej të ishte një zonë sigurie dhe një pengesë ndaj depërtimit italian. Për Romën, ajo ishte çelësi i Kanalit të Otrantos dhe porta drejt Ballkanit.

Ahmet Zogu u përpoq ta shfrytëzonte këtë rivalitet për të forcuar shtetin dhe pushtetin e vet. Për disa vjet, ai arriti të luante me mjeshtëri ndërmjet dy brigjeve të Adriatikut. Por pabarazia e fuqisë ekonomike dhe ushtarake e bëri aleancën me Italinë gjithnjë e më të njëanshme.

Rruga që nisi me Bankën Kombëtare të Shqipërisë më 1925 dhe Paktet e Tiranës më 1926–1927 do të çonte, dymbëdhjetë vjet më vonë, te pushtimi italian i 7 prillit 1939. Kështu, beteja për Vlorën nuk përfundoi në vitin 1920.

Ajo vazhdoi në zyrat e bankave, në telegramet diplomatike, në marrëveshjet e fshehta dhe në sallat ku nënshkruheshin traktatet. Në vitin 1920, Italia u largua nga Vlora.

Në vitin 1927, ajo kontrollonte Shqipërinë pa pasur nevojë ta pushtonte. Dhe kjo ishte fitorja më e rrezikshme e Romës: një fitore që nuk dukej ende si pushtim.

Roma synonte të “rifitonte në planin ekonomik atë që kishte humbur në planin politik”

Massimo Bucarelli e ka përmbledhur qartë strategjinë e re italiane: Roma synonte të “rifitonte në planin ekonomik atë që kishte humbur në planin politik”.

Shqipëria kishte nevojë për para. Vendi duhej të ndërtonte rrugë, ura, administratë, ushtri dhe një sistem financiar. Por tregjet ndërkombëtare nuk tregonin gatishmëri për t’i dhënë kredi një shteti të varfër dhe politikisht të paqëndrueshëm.

Kjo dobësi e shndërroi financën në armën kryesore të luftës për Shqipërinë.

Në fillim të viteve 1920, vëllezërit Lale dhe Nikola Zuber, biznesmenë malazezë me lidhje të forta në qarqet politike dhe ekonomike të Beogradit, themeluan Bankën Serbo-Shqiptare në Cetinë. Pas rikthimit të Zogut, ata kërkuan të hapnin degë në Shqipëri, duke filluar nga Shkodra. Synimi përfundimtar ishte krijimi i Bankës Kombëtare të Shqipërisë nën ndikimin jugosllav. Banka nuk do të ishte thjesht një institucion financiar. Ajo do të kontrollonte monedhën, kredinë, financat publike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Kush kontrollonte bankën, do të kontrollonte shtetin.

Por Roma lëvizi më shpejt.

Në shkurt 1925, Zogu nisi bisedime me përfaqësues të bankës britanike Midland Bank dhe me Mario Albertin, drejtor i Credito Italiano. Ndërkohë, në Ministrinë e Jashtme italiane u forcua krahu që kërkonte shndërrimin e Shqipërisë në një protektorat italian.

Pas ripohimit me akte ndërkombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1921, u bënë diskutime të shumta për ngritjen sërish të një banke kombëtare, çka u bë realitet me marrëveshjen e përfunduar nga Mufid Libohova në emër të Qeverisë Shqiptare dhe Mario Albertit në emër të një grupi financiar italian. Qendra administrative e Bankës Kombëtare të Shqipnis do të ishte qyteti i Durrësit, ndërsa Komiteti Administrativ do ta kishte qendrën në Romë.

Banka Kombëtare e Shqipnis u themelua më 2 shtator 1925 dhe në shkurt të vitit 1926 i dha vendit monedhën e parë kombëtare shqiptare, “frangun ar”, me nënfishat e tij, “lekë”. Që prej themelimit, Banka Kombëtare e Shqipnis adaptoi një sistem monetar të standardit të arit, i cili vepronte në mjaft vende në atë periudhë. Sipas konventës së themelimit, Banka ishte e detyruar të mbante një rezervë metalesh të çmuara baras me një të tretën e bankënotave të vëna në qarkullim. Duke mos qenë vetëm një bankë emisioni, ajo e shtriu veprimtarinë edhe në lëmin e kreditit, ku gjatë një periudhe 10-vjeçare veproi në kushte monopoli, ndërsa nga viti 1938 e gjendur në një konkurrencë të fortë me degën në Shqipëri të Bankës së Napolit dhe me Bankën Kombëtare të Punës, rriti shumë kreditimin dhe mbajti pozita sunduese në tregun shqiptar.

Ministri i Jashtëm jugosllav, Momçilo Ninçit, e kuptoi rrezikun. Ai propozoi krijimin e një banke të përbashkët me kapital italo-jugosllav, e cila do të kishte të drejtën e emetimit të kartëmonedhave.

Sipas Ninçiçit, kjo mund të bëhej: “Akti i parë i një përpjekjeje të përbashkët për një gjendje të qëndrueshme në Shqipëri.”

Por Mussolini nuk kërkonte një bashkëpunim me Jugosllavinë. Ai kërkonte epërsi.

Më 19 mars 1925 u bë publik lajmi për marrëveshjen ndërmjet shtetit shqiptar dhe grupit financiar italian të drejtuar nga Mario Alberti. Banka Kombëtare e Shqipërisë do të krijohej nën kontrollin e kapitalit italian.

Beogradi ishte mundur pa u shkrepur asnjë e shtënë.

Banka Kombëtare e Shqipërisë – shteti brenda shtetit

Kapitali themeltar i bankës u caktua në 12.5 milionë franga ari. Por mënyra e shpërndarjes së tij tregonte se institucioni nuk do të ishte realisht shqiptar.

Qeverisë shqiptare nuk i lejohej të merrte pjesë drejtpërdrejt në kapital. Pjesëmarrja e shtetasve shqiptarë kufizohej në jo më shumë se 49 për qind. Për arsye politike, një pjesë e kapitalit u la formalisht e hapur për investitorë jugosllavë, zviceranë dhe belgë.

Megjithatë, rreth 75 për qind e kapitalit kontrollohej drejtpërdrejt ose tërthorazi nga pala italiane. Investimi real, rreth 14 milionë lireta, vinte nga shteti italian nëpërmjet Institutit Kombëtar për Këmbimet me Jashtë.

Selia e bankës u vendos në Itali. Administrimi do të kryhej nga dy italianë dhe dy shqiptarë, por presidenti i saj duhej të ishte gjithmonë shtetas italian.

Negociatori shqiptar Myfit bej Libohova u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të skandalit që shkaktoi marrëveshja. Banka ishte kombëtare në emër, por italiane në kapital, drejtim dhe qëllim strategjik.

Themelimi i saj shënoi çastin kur Italia filloi ta zëvendësonte pushtimin ushtarak me kontrollin financiar.

Zogu zgjedh Italinë

Zgjedhja e Italisë nga Zogu nuk ishte vetëm politike. Ajo kishte edhe një logjikë ekonomike.

Italia kishte nevojë për burimet bujqësore dhe natyrore të Shqipërisë. Industria italiane ishte e interesuar për lëndët e para shqiptare dhe ishte e gatshme të investonte në kërkime gjeologjike, rrugë, porte dhe infrastrukturë.

Jugosllavia dhe Greqia, në të kundërt, prodhonin dhe eksportonin shumë nga të njëjtat mallra bujqësore si Shqipëria. Ekonomitë e tyre nuk kishin të njëjtin interes për zhvillimin e burimeve shqiptare.

Por mbi të gjitha, Italia kishte më shumë para.

Më 27 prill 1925, Mussolini e udhëzoi ministrin italian në Shqipëri, Carlo Durazzo, që ta siguronte Zogun se mbrojtja e Shqipërisë nga synimet jugosllave dhe greke ishte një çështje me rëndësi të jashtëzakonshme për Italinë.

Më 15 korrik, ai njoftoi dërgimin e një paradhënieje prej dy milionë liretash. Por paratë duhej t’i jepeshin personalisht dhe vetëm Ahmet Zogut. Asnjë politikan tjetër shqiptar nuk duhej të përfshihej.

Ky ishte momenti kur marrëdhënia ndërmjet Romës dhe Tiranës u shndërrua në një marrëdhënie personale ndërmjet Mussolinit dhe Zogut.

Italia kishte gjetur njeriun nëpërmjet të cilit mund të kontrollonte Shqipërinë.

Zogu kishte gjetur fuqinë që mund t’i financonte pushtetin.

Nga Pakti i Tiranës te protektorati i pashpallur

Gjatë vitit 1925 dhe fillimit të vitit 1926, marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave u përkeqësuan. Në veri të Shqipërisë vepronin grupe të armatosura kundër Zogut, të cilat Roma i lidhte me Beogradin. Kryengritjet në Shkodër dhe Dukagjin u përdorën nga diplomacia italiane si dëshmi se Jugosllavia po përpiqej të destabilizonte shtetin shqiptar.

Mussolini e shfrytëzoi frikën e Zogut. Ai i ofroi mbrojtje nga ndërhyrja jugosllave dhe greke, por kërkoi në këmbim një lidhje më të fortë politike me Italinë.

Më 27 nëntor 1926 u nënshkrua Pakti i Parë i Tiranës. Italia garantonte paprekshmërinë e kufijve shqiptarë dhe qëndrueshmërinë e regjimit të Zogut.

Formalisht, marrëveshja mbronte Shqipërinë. Praktikisht, ajo mbronte Zogun dhe i jepte Italisë të drejtën morale e politike të ndërhynte sa herë që regjimi i tij kërcënohej.

Reagimi i Beogradit ishte i ashpër. Ninçiçi deklaroi se pakti nuk përputhej me marrëdhëniet e miqësisë që Italia pretendonte se kishte me Jugosllavinë. Por tashmë ekuilibri kishte ndryshuar. Beogradi nuk zotëronte as mjetet financiare dhe as ndikimin diplomatik për ta sfiduar Romën në Tiranë.

Një vit më vonë, më 22 nëntor 1927, Italia dhe Shqipëria nënshkruan Paktin e Dytë të Tiranës, të njohur edhe si Traktati i Aleancës Mbrojtëse.

Italia siguronte pothuajse kontrollin e plotë strategjik të Kanalit të Otrantos. Shqipëria hynte përfundimisht në orbitën italiane.

Ajo nuk ishte zyrtarisht një protektorat. Por kufiri ndërmjet aleancës dhe varësisë ishte bërë pothuajse i padukshëm.

Fituesi, i munduri dhe çmimi i fitores

Për Italinë, Traktati i Tiranës përbënte një sukses të madh gjeopolitik. Roma kishte arritur me kredi, banka dhe diplomaci atë që nuk kishte mundur ta ruante me 100,000 ushtarë gjatë Luftës së Parë Botërore.

Ajo kishte humbur Vlorën, por kishte fituar ndikim mbi të gjithë Shqipërinë.

Pas Luftës së Madhe, Jugosllavia gjeti armikun e saj më të rrezikshëm tek Italia, e cila bëri çdo përpjekje për të destabilizuar fqinjin e saj në Adriatik – Shqipëria luajti një rol të rëndësishëm në këtë politikë. Beogradi besonte fuqimisht se ishte një çështje me rëndësi të madhe të parandalonte italianët nga krijimi i një pikëmbështetjeje në Ballkan nga e cila ata mund të nxisnin irredentizmin shqiptar në Kosovë dhe të kërcënonin Jugosllavinë në rajonet e saj jugore strategjikisht të ndjeshme në bashkëpunim me Bullgarinë.

Për të parandaluar ndërhyrjen italiane, Jugosllavia mbështeti pavarësinë e Shqipërisë me kufijtë e saj të vitit 1913 që nga Konferenca e Paqes në Paris e tutje: ajo hoqi dorë nga ambiciet territoriale të Serbisë – paraardhësit të Jugosllavisë para luftës – të përqendruara në qytetin e Shkodrës. Megjithatë, politikëbërësit jugosllavë nuk mundën ta ruanin besnikërinë e Ahmed-bej Zogut, një liderit shqiptar, i cili mori pushtetin në Tiranë me mbështetjen jugosllave; por më pas ai iu drejtua Romës, e cila ishte më e aftë dhe e gatshme të siguronte mjete financiare për mirëmbajtjen e administratës shqiptare sesa Beogradi.

Për Jugosllavinë, kjo ishte një humbje e rëndë. Beogradi jo vetëm që kishte humbur garën me Romën, por kishte ndihmuar vetë në rikthimin në pushtet të njeriut që tani po e përjashtonte nga Shqipëria.

Për Zogun, aleanca me Italinë siguronte para, armë dhe mbrojtje. Ajo i hapi rrugën forcimit të pushtetit personal dhe shpalljes së tij Mbret i Shqiptarëve në vitin 1928.

Por çmimi i kësaj mbrojtjeje ishte rritja e varësisë politike dhe ekonomike nga Roma.

Në vitin 1920, shqiptarët kishin luftuar për të larguar ushtrinë italiane nga Vlora. Shtatë vjet më vonë, Italia ishte rikthyer pa ushtri pushtuese, por me një bankë kombëtare, një shoqëri zhvillimi, hua, këshilltarë dhe traktate.

Ky ishte pushtimi i ri: më i heshtur, më i sofistikuar dhe, për këtë arsye, më i vështirë për t’u kundërshtuar.

Selia qendrore e Bankës së Shqipërisë

Banka Kombëtare e Shqipërisë, në vitin 1938. Projekti i Arkitektit Italian Vittorio Ballio Morpurgo.

Sot si një nga institucionet më të rëndësishme në vend, Banka e Shqipërisë mbart në vetvete aspiratën për të qenë në lartësinë e simotrave të saj evropiane, çka mund të përmbushet edhe nëpërmjet një standardi të lartë infrastrukture dhe teknologjie.

Selia qendrore e Bankës së Shqipërisë gjendet në Tiranë. Ajo ka 5 degë në rrethet Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Lushnjë, si dhe Qendrën e saj Kërkimore në Berat.

Më 30 tetor 2015, Banka e Shqipërisë organizoi ceremoninë e inaugurimit të ndërtesës së selisë qendrore të saj të rikonstruktuar, e cila përkoi dhe me hapjen për herë të parë të Muzeut të Bankës së Shqipërisë.

Projekti i rikonstruksionit të Bankës së Shqipërisë mundësoi krijimin e një mjedisi me kushte më të mira e bashkëkohore pune, si dhe mundësoi ndarjen administrative të funksioneve të Bankës së Shqipërisë. Në fakt, projekti i ri plotëson jo vetëm kërkesat administrative të Bankës, por lehtëson komunikimin e saj me publikun e gjerë, duke krijuar një marrëdhënie më të plotë dhe më transparente me publikun.

Literatura

Alberto Basciani, “Struggle for Supremacy in Adriatic: Italy, SHS Kingdom and the Albanian Question”, Qualestoria, nr. 1, qershor 2021, f. 123–137.

Dušan Bakić, “The Italo-Yugoslav Conflict over Albania: A View from Belgrade, 1919–1939”, Diplomacy & Statecraft, nr. 4, 2014.

Massimo Bucarelli, Mussolini e la Jugoslavia (1922–1939), B. A. Graphis, Bari, 2006.

Bernd J. Fischer, King Zog and the Struggle for Stability in Albania, Albanian Institute for International Studies, Tiranë, 2012.

Ivo J. Lederer, La Jugoslavia dalla conferenza della pace al Trattato di Rapallo, 1919–1920, Il Saggiatore, Milano, 1966.

Stavro Mišić, “Serbo-Albanian Bank 1925–1927”, Balcanica, nr. 37, 2006.

Pietro Pastorelli, L’Albania nella politica estera italiana 1914–1920, Jovene, Napoli, 1970.

Pietro Pastorelli, Italia e Albania 1924–1927. Origini diplomatiche del Trattato di Tirana del 22 novembre 1927, Poligrafico Toscano, Firence, 1967.

Alessandro Roselli, Italia e Albania: relazioni finanziarie nel ventennio fascista, il Mulino, Bolonjë, 1986.

Miranda Vickers, The Albanians: A Modern History, I. B. Tauris, Londër–Nju Jork, 1997.

Tajar Zavalani, History of Albania, Centre for Albanian Studies, Londër, 2015.

Filed Under: Ekonomi

Bashkimi Evropian dhe mbrojtja e Ukrainës

July 18, 2026 by s p

Prof.dr.Muhamet Racaj/

Lufta në Ukrainë po dëshmon se, krahas betejave në fushën e luftës, po zhvillohet edhe një garë globale për kontrollin e zinxhirëve të furnizimit me teknologji ushtarake. Një nga zhvillimet më domethënëse është fakti se një pjesë e fondeve të Bashkimit Evropian, të dedikuara për forcimin e mbrojtjes së Ukrainës, pritet të përdoren për blerjen e komponentëve kinezë për prodhimin e dronëve.

Ky zhvillim nxjerr në pah kontradiktat e arkitekturës së sigurisë ndërkombëtare. Nga njëra anë, Bashkimi Evropian e konsideron Kinën një rival strategjik dhe e ka kritikuar vazhdimisht për mbështetjen politike dhe ekonomike ndaj Rusisë. Nga ana tjetër, industria evropiane e mbrojtjes ende nuk është në gjendje të prodhojë në sasi të mjaftueshme disa komponentë kritikë, duke e bërë të pashmangshme varësinë nga prodhuesit kinezë.

Sipas planit të mbështetjes evropiane, Ukraina pritet të marrë këstin e parë prej rreth 6 miliardë eurosh nga paketa shumëvjeçare e mbrojtjes, e cila arrin në rreth 60 miliardë euro. Një pjesë e këtyre mjeteve do të përdoret për sigurimin e komponentëve elektronikë dhe pjesëve rezervë për dronët luftarakë, të cilët përbëjnë një nga elementet më vendimtare të luftës moderne.

Rregulloret e Bashkimit Evropian parashikojnë që fondet e mbrojtjes të shfrytëzohen kryesisht për produkte të prodhuara në vendet anëtare ose në Ukrainë. Megjithatë, ekzistojnë përjashtime kur pajisjet ose komponentët e nevojshëm nuk mund të sigurohen nga këto burime. Në këtë rast, Ukraina ka kërkuar dhe ka marrë leje për furnizim nga vende të treta.

Ky vendim nuk nënkupton një ndryshim të orientimit politik të Kinës dhe as dobësim të marrëdhënieve strategjike Pekin–Moskë. Përkundrazi, ai pasqyron realitetin ekonomik global, ku Kina vazhdon të dominojë prodhimin e mikroelektronikës, sensorëve, kamerave, motorëve elektrikë, baterive dhe komponentëve të tjerë të domosdoshëm për industrinë e dronëve.

Lufta në Ukrainë ka transformuar dronët në armën më të përdorur në fushën e betejës. Qindra mijëra mjete ajrore pa pilot prodhohen dhe përdoren çdo vit nga të dyja palët, ndërsa kërkesa për komponentë elektronikë është rritur në nivele të shumë të lartë. Pikërisht kjo kërkesë e madhe ka nxjerrë në pah mangësitë e kapaciteteve prodhuese evropiane.

Megjithëse Bashkimi Evropian ka investuar miliarda euro për zgjerimin e industrisë së mbrojtjes, zhvillimi i kapaciteteve të reja prodhuese kërkon kohë. Për këtë arsye, shumë kompani evropiane dhe ukrainase vazhdojnë të mbështeten në furnizues aziatikë, veçanërisht në Kinë, por edhe në Tajvan, Korenë e Jugut dhe vende të tjera me industri të avancuar elektronike.

Në të njëjtën kohë, Ukraina ka bërë hapa të rëndësishëm drejt rritjes së prodhimit vendas. Në disa sektorë të industrisë ushtarake, niveli i lokalizimit të prodhimit ka arritur deri në 90%, ndërsa varësia nga komponentët kinezë është në rënie. Megjithatë, për shumë sisteme të avancuara elektronike dhe optike, furnizimet nga jashtë mbeten ende të pazëvendësueshme.

Nga këndvështrimi gjeostrategjik, kjo situatë tregon se rivaliteti politik nuk përputhet gjithmonë me varësinë ekonomike. Edhe në kohë konfliktesh të mëdha, ekonomia globale mbetet e ndërlidhur dhe zinxhirët e furnizimit vazhdojnë të funksionojnë përtej ndarjeve politike.

Përfundim

Lufta në Ukrainë po dëshmon se fuqia ushtarake nuk matet vetëm me numrin e tankeve, raketave apo avionëve, por edhe me aftësinë për të kontrolluar teknologjinë, mikroelektronikën dhe zinxhirët globalë të furnizimit. Bashkimi Evropian po investon shuma rekord për mbështetjen e Ukrainës, por një pjesë e kësaj mbështetjeje mbetet e lidhur me komponentët që prodhohen në Kinë. Ky është një ilustrim i qartë se në shekullin XXI, ekonomia, teknologjia dhe siguria janë bërë të pandashme, ndërsa pavarësia strategjike mbetet një objektiv që Evropa ende nuk e ka arritur plotësisht.

Filed Under: Sociale

Shqipëria natyrale në shekullin e ri: Një komb, dy shtete, një vizion historik

July 18, 2026 by s p

(Nga vazhdimësia e identitetit kombëtar shqiptar te realiteti shtetëror i Shqipërisë dhe Kosovës: një analizë historike, juridike dhe krahasimore mbi vetëvendosjen, integrimin dhe rolin e së drejtës ndërkombëtare)

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Shqipëria Natyrale ndërmjet historisë, identitetit dhe së drejtës ndërkombëtare

Koncepti i Shqipërisë Natyrale përfaqëson një nocion historik, kombëtar dhe juridik që lidhet me vazhdimësinë e identitetit shqiptar, me gjuhën, kulturën, traditat dhe kujtesën historike të një kombi që ka ruajtur vetëdijen e tij përballë ndryshimeve të shumta politike dhe territoriale.

Ky koncept nuk duhet kuptuar vetëm si një çështje gjeografike apo si një ide politike e një periudhe të caktuar, por si një proces historik i afirmimit të një identiteti kombëtar dhe i zhvillimit të institucioneve politike shqiptare.

Në kushtet e rendit ndërkombëtar bashkëkohor, Shqipëria Natyrale duhet analizuar në raport me dy parime themelore të së drejtës ndërkombëtare: të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe respektimin e integritetit territorial të shteteve. Këto parime kërkojnë një qasje të ekuilibruar, ku historia, vullneti i qytetarëve dhe normat ndërkombëtare trajtohen në harmoni.

Nga kombi shqiptar te krijimi i shteteve shqiptare

Historia shqiptare është një rrugëtim i gjatë i ruajtjes së identitetit kombëtar dhe i përpjekjes për organizim politik. Rilindja Kombëtare Shqiptare krijoi bazën ideologjike dhe kulturore për formimin e shtetit shqiptar, i cili u shpall i pavarur më 28 nëntor 1912.

Megjithatë, zhvillimet ndërkombëtare të fillimit të shekullit XX sollën ndarjen e hapësirave me shumicë shqiptare jashtë kufijve të shtetit të ri shqiptar. Kjo krijoi një dallim ndërmjet kufijve politikë dhe hapësirës së identitetit kombëtar.

Në këtë kuptim, Shqipëria Natyrale shpreh vazhdimësinë historike dhe kulturore të kombit shqiptar, pa u kufizuar vetëm në aspektin territorial. Ajo lidhet me ruajtjen e identitetit dhe me aftësinë e shqiptarëve për të ndërtuar institucione demokratike në përputhje me zhvillimet ndërkombëtare.

Kosova dhe realizimi i së drejtës për vetëvendosje

Kosova paraqet një kapitull të veçantë në historinë moderne shqiptare dhe në zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare. Për dekada me radhë, çështja e Kosovës ishte e lidhur me kërkesat për barazi politike, mbrojtje të identitetit dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e saj.

Pas krizës së viteve 1998–1999 dhe ndërhyrjes ndërkombëtare, Kosova kaloi nën administrimin ndërkombëtar sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Procesi politik dhe diplomatik për përcaktimin e statusit përfundimtar përfundoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Rasti i Kosovës është një rast i veçantë në marrëdhëniet ndërkombëtare, i formuar nga rrethana historike, juridike dhe politike të veçanta. Mendimi këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i vitit 2010 vlerësoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.

Pavarësia e Kosovës përfaqëson një etapë të rëndësishme të procesit historik shqiptar: krijimin e një shteti të ri me institucione demokratike dhe me përgjegjësi në sistemin ndërkombëtar.

Vetëvendosja dhe integriteti territorial në praktikën ndërkombëtare

E drejta ndërkombëtare moderne përballet vazhdimisht me sfidën e harmonizimit të së drejtës së popujve për vetëvendosje me parimin e integritetit territorial të shteteve.

Përvoja botërore tregon se çështjet kombëtare janë zgjidhur në mënyra të ndryshme, varësisht nga rrethanat historike dhe politike.

Bashkimi i Gjermanisë në vitin 1990 paraqet shembullin e ribashkimit të një kombi të ndarë për dekada. Ndarja paqësore e Çekosllovakisë në Republikën Çeke dhe Sllovaki tregon një model tjetër të transformimit politik. Rastet e Eritresë dhe Sudanit të Jugut dëshmojnë se vetëvendosja mund të realizohet përmes proceseve të njohura ndërkombëtarisht. Ndërsa modeli i Irlandës së Veriut tregon rëndësinë e dialogut dhe marrëveshjeve politike në trajtimin e çështjeve të identitetit kombëtar.

Këto raste tregojnë se çdo çështje kombëtare duhet të analizohet sipas veçorive të saj historike dhe juridike, pa përdorur modele të njëjta për të gjitha situatat.

Shqipëria dhe Kosova: një vizion i përbashkët për të ardhmen

Në shekullin XXI, realiteti shqiptar përfaqësohet nga dy shtete sovrane: Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës. Këto dy shtete kanë histori të përbashkët, gjuhë dhe kulturë të njëjtë, por veprojnë në kuadrin e rendit juridik ndërkombëtar si shtete të pavarura.

Bashkëpunimi ndërmjet tyre në ekonomi, arsim, kulturë, shkencë, infrastrukturë, siguri dhe diplomaci përbën formën më të avancuar të afirmimit kombëtar në kushtet moderne.

Ky bashkëpunim nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, por përputhet me frymën evropiane të bashkëpunimit ndërmjet shteteve. Bashkimi Evropian dëshmon se identitetet kombëtare mund të ruhen dhe njëkohësisht të ndërtohen hapësira të përbashkëta zhvillimi.

Shqipëria Natyrale si vizion historik

Shqipëria Natyrale, në kuptimin historik dhe juridik, përfaqëson vazhdimësinë e identitetit kombëtar shqiptar dhe procesin e afirmimit të tij përmes institucioneve demokratike, vetëvendosjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës janë sot dy shtete shqiptare që përfaqësojnë një etapë të re historike. E ardhmja e tyre lidhet me forcimin e demokracisë, zhvillimin ekonomik, integrimin evropian dhe bashkëpunimin strategjik.

Një komb, dy shtete dhe një vizion historik – kjo është shprehja e një realiteti të ri shqiptar, ku identiteti kombëtar dhe përgjegjësia ndërkombëtare ecin së bashku.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 89
  • 90
  • 91
  • 92
  • 93
  • …
  • 3191
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “The true history of mankind will be written only when Albanians participate in its writing.” – Maximilian Lambertz, Austrian Albanologist
  • SHQIPTARËT DHE IDEOLOGJITË
  • VATRA JU FTON MË 13 SHTATOR NË PROMOVIMIN E VEPRËS KUSHTUAR SKULPTORIT VASIL RAKAJ
  • VATRA THIRRJE DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË KOSOVËS VOTONI PRESIDENTIN E REPUBLIKËS
  • SAVE THE DATE!
  • Lideri i opozitës në Shqipëri Prof. Dr. Sali Berisha u takua me shqiptarët e Amerikës
  • Kujtojmë në ditën e lindjes akademikun Aleks Buda, kryetarin e parë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
  • Një udhëtim në kohë me Rita Orën
  • Labor Day në shekullin XXI: Punëtori amerikan përballë frikës nga AI
  • SHKOLLA SHQIPE NË WUPPERTAL, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË GJERMANI
  • E mira dhe e keqja…
  • Legacy of Light: Commemorating Mother Teresa’s Spirit of Humanity
  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT