

Nga Rafael Floqi/
Selia e parë e Bankës në Durrës
Pas shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar më 28 Nëntor 1912, një nga kujdeset parësore të qeverisë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemal Bej Vlora ishte mëkëmbja e një banke emetimi dhe krediti në Shqipëri, e cila ta zhvillonte veprimtarinë e saj në përputhje me normat e bankave kombëtare të shteteve evropiane. Ismail Qemali e konceptonte Bankën Kombëtare si një institucion financiar, i cili duhej të synonte në radhë të parë zhvillimin ekonomik të vendit, kurse fitimin duhej ta realizonte nëpërmjet zhvillimit ekonomik dhe stabilizimit të shtetit të pavarur shqiptar. Jo më kot, bankën kombëtare ai e ka cilësuar si “…e dyta fitore pas lirisë”.
Në 4 tetor të vitit 1913, Qeveria e Ismail Qemalit nënshkroi me përfaqësuesit e dy prej grupeve financiare më në zë të kohës, Wienner Bank Verein dhe Banca Commerciale Italiana, koncesionin e parë për krijimin e Bankës Kombëtore të Shqypëniës. Në Shqipërinë e trazuar të atij fillimshekulli, por edhe për shkak të tronditjeve që do të vinin shumë shpejt me shpërthimin e Luftës I Botërore, Banka Kombëtare e Shqipërisë nuk mundi të zhvillojë aktivitet.
Historia e rivalitetit italo-jugosllav për Shqipërinë pas Luftës së Parë Botërore tregon se pavarësia e një shteti të vogël nuk vendoset vetëm në çastin kur njihen kufijtë e tij.
Shqipëria i mbijetoi Paktit të Londrës, planeve të copëtimit, pazareve të Konferencës së Paqes dhe pushtimeve të huaja. Qëndresa e Vlorës, Kongresi i Lushnjës, mbështetja e diasporës dhe kundërshtimi i presidentit Woodrow Wilson ndaj ndarjes së vendit ndihmuan në shpëtimin e shtetit shqiptar.
Por pas vitit 1920 filloi një betejë tjetër: beteja për përmbajtjen reale të pavarësisë.
Italia dhe Jugosllavia rivaliteti pёr ekzistencën e Shqipërisë
Italia dhe Jugosllavia e pranonin ekzistencën e Shqipërisë, por secila dëshironte një Shqipëri të dobët, të kontrollueshme dhe të përdorshme kundër tjetrës. Për Beogradin, ajo duhej të ishte një zonë sigurie dhe një pengesë ndaj depërtimit italian. Për Romën, ajo ishte çelësi i Kanalit të Otrantos dhe porta drejt Ballkanit.
Ahmet Zogu u përpoq ta shfrytëzonte këtë rivalitet për të forcuar shtetin dhe pushtetin e vet. Për disa vjet, ai arriti të luante me mjeshtëri ndërmjet dy brigjeve të Adriatikut. Por pabarazia e fuqisë ekonomike dhe ushtarake e bëri aleancën me Italinë gjithnjë e më të njëanshme.
Rruga që nisi me Bankën Kombëtare të Shqipërisë më 1925 dhe Paktet e Tiranës më 1926–1927 do të çonte, dymbëdhjetë vjet më vonë, te pushtimi italian i 7 prillit 1939. Kështu, beteja për Vlorën nuk përfundoi në vitin 1920.
Ajo vazhdoi në zyrat e bankave, në telegramet diplomatike, në marrëveshjet e fshehta dhe në sallat ku nënshkruheshin traktatet. Në vitin 1920, Italia u largua nga Vlora.
Në vitin 1927, ajo kontrollonte Shqipërinë pa pasur nevojë ta pushtonte. Dhe kjo ishte fitorja më e rrezikshme e Romës: një fitore që nuk dukej ende si pushtim.
Roma synonte të “rifitonte në planin ekonomik atë që kishte humbur në planin politik”
Massimo Bucarelli e ka përmbledhur qartë strategjinë e re italiane: Roma synonte të “rifitonte në planin ekonomik atë që kishte humbur në planin politik”.
Shqipëria kishte nevojë për para. Vendi duhej të ndërtonte rrugë, ura, administratë, ushtri dhe një sistem financiar. Por tregjet ndërkombëtare nuk tregonin gatishmëri për t’i dhënë kredi një shteti të varfër dhe politikisht të paqëndrueshëm.
Kjo dobësi e shndërroi financën në armën kryesore të luftës për Shqipërinë.
Në fillim të viteve 1920, vëllezërit Lale dhe Nikola Zuber, biznesmenë malazezë me lidhje të forta në qarqet politike dhe ekonomike të Beogradit, themeluan Bankën Serbo-Shqiptare në Cetinë. Pas rikthimit të Zogut, ata kërkuan të hapnin degë në Shqipëri, duke filluar nga Shkodra. Synimi përfundimtar ishte krijimi i Bankës Kombëtare të Shqipërisë nën ndikimin jugosllav. Banka nuk do të ishte thjesht një institucion financiar. Ajo do të kontrollonte monedhën, kredinë, financat publike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Kush kontrollonte bankën, do të kontrollonte shtetin.
Por Roma lëvizi më shpejt.
Në shkurt 1925, Zogu nisi bisedime me përfaqësues të bankës britanike Midland Bank dhe me Mario Albertin, drejtor i Credito Italiano. Ndërkohë, në Ministrinë e Jashtme italiane u forcua krahu që kërkonte shndërrimin e Shqipërisë në një protektorat italian.
Pas ripohimit me akte ndërkombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1921, u bënë diskutime të shumta për ngritjen sërish të një banke kombëtare, çka u bë realitet me marrëveshjen e përfunduar nga Mufid Libohova në emër të Qeverisë Shqiptare dhe Mario Albertit në emër të një grupi financiar italian. Qendra administrative e Bankës Kombëtare të Shqipnis do të ishte qyteti i Durrësit, ndërsa Komiteti Administrativ do ta kishte qendrën në Romë.
Banka Kombëtare e Shqipnis u themelua më 2 shtator 1925 dhe në shkurt të vitit 1926 i dha vendit monedhën e parë kombëtare shqiptare, “frangun ar”, me nënfishat e tij, “lekë”. Që prej themelimit, Banka Kombëtare e Shqipnis adaptoi një sistem monetar të standardit të arit, i cili vepronte në mjaft vende në atë periudhë. Sipas konventës së themelimit, Banka ishte e detyruar të mbante një rezervë metalesh të çmuara baras me një të tretën e bankënotave të vëna në qarkullim. Duke mos qenë vetëm një bankë emisioni, ajo e shtriu veprimtarinë edhe në lëmin e kreditit, ku gjatë një periudhe 10-vjeçare veproi në kushte monopoli, ndërsa nga viti 1938 e gjendur në një konkurrencë të fortë me degën në Shqipëri të Bankës së Napolit dhe me Bankën Kombëtare të Punës, rriti shumë kreditimin dhe mbajti pozita sunduese në tregun shqiptar.
Ministri i Jashtëm jugosllav, Momçilo Ninçit, e kuptoi rrezikun. Ai propozoi krijimin e një banke të përbashkët me kapital italo-jugosllav, e cila do të kishte të drejtën e emetimit të kartëmonedhave.
Sipas Ninçiçit, kjo mund të bëhej: “Akti i parë i një përpjekjeje të përbashkët për një gjendje të qëndrueshme në Shqipëri.”
Por Mussolini nuk kërkonte një bashkëpunim me Jugosllavinë. Ai kërkonte epërsi.
Më 19 mars 1925 u bë publik lajmi për marrëveshjen ndërmjet shtetit shqiptar dhe grupit financiar italian të drejtuar nga Mario Alberti. Banka Kombëtare e Shqipërisë do të krijohej nën kontrollin e kapitalit italian.
Beogradi ishte mundur pa u shkrepur asnjë e shtënë.
Banka Kombëtare e Shqipërisë – shteti brenda shtetit
Kapitali themeltar i bankës u caktua në 12.5 milionë franga ari. Por mënyra e shpërndarjes së tij tregonte se institucioni nuk do të ishte realisht shqiptar.
Qeverisë shqiptare nuk i lejohej të merrte pjesë drejtpërdrejt në kapital. Pjesëmarrja e shtetasve shqiptarë kufizohej në jo më shumë se 49 për qind. Për arsye politike, një pjesë e kapitalit u la formalisht e hapur për investitorë jugosllavë, zviceranë dhe belgë.
Megjithatë, rreth 75 për qind e kapitalit kontrollohej drejtpërdrejt ose tërthorazi nga pala italiane. Investimi real, rreth 14 milionë lireta, vinte nga shteti italian nëpërmjet Institutit Kombëtar për Këmbimet me Jashtë.
Selia e bankës u vendos në Itali. Administrimi do të kryhej nga dy italianë dhe dy shqiptarë, por presidenti i saj duhej të ishte gjithmonë shtetas italian.
Negociatori shqiptar Myfit bej Libohova u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të skandalit që shkaktoi marrëveshja. Banka ishte kombëtare në emër, por italiane në kapital, drejtim dhe qëllim strategjik.
Themelimi i saj shënoi çastin kur Italia filloi ta zëvendësonte pushtimin ushtarak me kontrollin financiar.
Zogu zgjedh Italinë
Zgjedhja e Italisë nga Zogu nuk ishte vetëm politike. Ajo kishte edhe një logjikë ekonomike.
Italia kishte nevojë për burimet bujqësore dhe natyrore të Shqipërisë. Industria italiane ishte e interesuar për lëndët e para shqiptare dhe ishte e gatshme të investonte në kërkime gjeologjike, rrugë, porte dhe infrastrukturë.
Jugosllavia dhe Greqia, në të kundërt, prodhonin dhe eksportonin shumë nga të njëjtat mallra bujqësore si Shqipëria. Ekonomitë e tyre nuk kishin të njëjtin interes për zhvillimin e burimeve shqiptare.
Por mbi të gjitha, Italia kishte më shumë para.
Më 27 prill 1925, Mussolini e udhëzoi ministrin italian në Shqipëri, Carlo Durazzo, që ta siguronte Zogun se mbrojtja e Shqipërisë nga synimet jugosllave dhe greke ishte një çështje me rëndësi të jashtëzakonshme për Italinë.
Më 15 korrik, ai njoftoi dërgimin e një paradhënieje prej dy milionë liretash. Por paratë duhej t’i jepeshin personalisht dhe vetëm Ahmet Zogut. Asnjë politikan tjetër shqiptar nuk duhej të përfshihej.
Ky ishte momenti kur marrëdhënia ndërmjet Romës dhe Tiranës u shndërrua në një marrëdhënie personale ndërmjet Mussolinit dhe Zogut.
Italia kishte gjetur njeriun nëpërmjet të cilit mund të kontrollonte Shqipërinë.
Zogu kishte gjetur fuqinë që mund t’i financonte pushtetin.
Nga Pakti i Tiranës te protektorati i pashpallur
Gjatë vitit 1925 dhe fillimit të vitit 1926, marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave u përkeqësuan. Në veri të Shqipërisë vepronin grupe të armatosura kundër Zogut, të cilat Roma i lidhte me Beogradin. Kryengritjet në Shkodër dhe Dukagjin u përdorën nga diplomacia italiane si dëshmi se Jugosllavia po përpiqej të destabilizonte shtetin shqiptar.
Mussolini e shfrytëzoi frikën e Zogut. Ai i ofroi mbrojtje nga ndërhyrja jugosllave dhe greke, por kërkoi në këmbim një lidhje më të fortë politike me Italinë.
Më 27 nëntor 1926 u nënshkrua Pakti i Parë i Tiranës. Italia garantonte paprekshmërinë e kufijve shqiptarë dhe qëndrueshmërinë e regjimit të Zogut.
Formalisht, marrëveshja mbronte Shqipërinë. Praktikisht, ajo mbronte Zogun dhe i jepte Italisë të drejtën morale e politike të ndërhynte sa herë që regjimi i tij kërcënohej.
Reagimi i Beogradit ishte i ashpër. Ninçiçi deklaroi se pakti nuk përputhej me marrëdhëniet e miqësisë që Italia pretendonte se kishte me Jugosllavinë. Por tashmë ekuilibri kishte ndryshuar. Beogradi nuk zotëronte as mjetet financiare dhe as ndikimin diplomatik për ta sfiduar Romën në Tiranë.
Një vit më vonë, më 22 nëntor 1927, Italia dhe Shqipëria nënshkruan Paktin e Dytë të Tiranës, të njohur edhe si Traktati i Aleancës Mbrojtëse.
Italia siguronte pothuajse kontrollin e plotë strategjik të Kanalit të Otrantos. Shqipëria hynte përfundimisht në orbitën italiane.
Ajo nuk ishte zyrtarisht një protektorat. Por kufiri ndërmjet aleancës dhe varësisë ishte bërë pothuajse i padukshëm.
Fituesi, i munduri dhe çmimi i fitores
Për Italinë, Traktati i Tiranës përbënte një sukses të madh gjeopolitik. Roma kishte arritur me kredi, banka dhe diplomaci atë që nuk kishte mundur ta ruante me 100,000 ushtarë gjatë Luftës së Parë Botërore.
Ajo kishte humbur Vlorën, por kishte fituar ndikim mbi të gjithë Shqipërinë.
Pas Luftës së Madhe, Jugosllavia gjeti armikun e saj më të rrezikshëm tek Italia, e cila bëri çdo përpjekje për të destabilizuar fqinjin e saj në Adriatik – Shqipëria luajti një rol të rëndësishëm në këtë politikë. Beogradi besonte fuqimisht se ishte një çështje me rëndësi të madhe të parandalonte italianët nga krijimi i një pikëmbështetjeje në Ballkan nga e cila ata mund të nxisnin irredentizmin shqiptar në Kosovë dhe të kërcënonin Jugosllavinë në rajonet e saj jugore strategjikisht të ndjeshme në bashkëpunim me Bullgarinë.
Për të parandaluar ndërhyrjen italiane, Jugosllavia mbështeti pavarësinë e Shqipërisë me kufijtë e saj të vitit 1913 që nga Konferenca e Paqes në Paris e tutje: ajo hoqi dorë nga ambiciet territoriale të Serbisë – paraardhësit të Jugosllavisë para luftës – të përqendruara në qytetin e Shkodrës. Megjithatë, politikëbërësit jugosllavë nuk mundën ta ruanin besnikërinë e Ahmed-bej Zogut, një liderit shqiptar, i cili mori pushtetin në Tiranë me mbështetjen jugosllave; por më pas ai iu drejtua Romës, e cila ishte më e aftë dhe e gatshme të siguronte mjete financiare për mirëmbajtjen e administratës shqiptare sesa Beogradi.
Për Jugosllavinë, kjo ishte një humbje e rëndë. Beogradi jo vetëm që kishte humbur garën me Romën, por kishte ndihmuar vetë në rikthimin në pushtet të njeriut që tani po e përjashtonte nga Shqipëria.
Për Zogun, aleanca me Italinë siguronte para, armë dhe mbrojtje. Ajo i hapi rrugën forcimit të pushtetit personal dhe shpalljes së tij Mbret i Shqiptarëve në vitin 1928.
Por çmimi i kësaj mbrojtjeje ishte rritja e varësisë politike dhe ekonomike nga Roma.
Në vitin 1920, shqiptarët kishin luftuar për të larguar ushtrinë italiane nga Vlora. Shtatë vjet më vonë, Italia ishte rikthyer pa ushtri pushtuese, por me një bankë kombëtare, një shoqëri zhvillimi, hua, këshilltarë dhe traktate.
Ky ishte pushtimi i ri: më i heshtur, më i sofistikuar dhe, për këtë arsye, më i vështirë për t’u kundërshtuar.
Selia qendrore e Bankës së Shqipërisë
Banka Kombëtare e Shqipërisë, në vitin 1938. Projekti i Arkitektit Italian Vittorio Ballio Morpurgo.
Sot si një nga institucionet më të rëndësishme në vend, Banka e Shqipërisë mbart në vetvete aspiratën për të qenë në lartësinë e simotrave të saj evropiane, çka mund të përmbushet edhe nëpërmjet një standardi të lartë infrastrukture dhe teknologjie.
Selia qendrore e Bankës së Shqipërisë gjendet në Tiranë. Ajo ka 5 degë në rrethet Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Lushnjë, si dhe Qendrën e saj Kërkimore në Berat.
Më 30 tetor 2015, Banka e Shqipërisë organizoi ceremoninë e inaugurimit të ndërtesës së selisë qendrore të saj të rikonstruktuar, e cila përkoi dhe me hapjen për herë të parë të Muzeut të Bankës së Shqipërisë.
Projekti i rikonstruksionit të Bankës së Shqipërisë mundësoi krijimin e një mjedisi me kushte më të mira e bashkëkohore pune, si dhe mundësoi ndarjen administrative të funksioneve të Bankës së Shqipërisë. Në fakt, projekti i ri plotëson jo vetëm kërkesat administrative të Bankës, por lehtëson komunikimin e saj me publikun e gjerë, duke krijuar një marrëdhënie më të plotë dhe më transparente me publikun.
Literatura
Alberto Basciani, “Struggle for Supremacy in Adriatic: Italy, SHS Kingdom and the Albanian Question”, Qualestoria, nr. 1, qershor 2021, f. 123–137.
Dušan Bakić, “The Italo-Yugoslav Conflict over Albania: A View from Belgrade, 1919–1939”, Diplomacy & Statecraft, nr. 4, 2014.
Massimo Bucarelli, Mussolini e la Jugoslavia (1922–1939), B. A. Graphis, Bari, 2006.
Bernd J. Fischer, King Zog and the Struggle for Stability in Albania, Albanian Institute for International Studies, Tiranë, 2012.
Ivo J. Lederer, La Jugoslavia dalla conferenza della pace al Trattato di Rapallo, 1919–1920, Il Saggiatore, Milano, 1966.
Stavro Mišić, “Serbo-Albanian Bank 1925–1927”, Balcanica, nr. 37, 2006.
Pietro Pastorelli, L’Albania nella politica estera italiana 1914–1920, Jovene, Napoli, 1970.
Pietro Pastorelli, Italia e Albania 1924–1927. Origini diplomatiche del Trattato di Tirana del 22 novembre 1927, Poligrafico Toscano, Firence, 1967.
Alessandro Roselli, Italia e Albania: relazioni finanziarie nel ventennio fascista, il Mulino, Bolonjë, 1986.
Miranda Vickers, The Albanians: A Modern History, I. B. Tauris, Londër–Nju Jork, 1997.
Tajar Zavalani, History of Albania, Centre for Albanian Studies, Londër, 2015.