
Dr. Ardiana Mici/
Vepra poetike e autorit Naman Osmani prezanton një mozaik me poezi që i përkasin disa tematikave të tilla si: atdheu, Kosova dhe Shqipëria, historia e luftës për liri dhe dëshmorët e saj, mërgimi, familja, dashuria dhe problemet shoqërore. Në qendër të këtij mozaiku qëndron njeriu i cili me kujtesën dhe emocionet e tij përcjell përjetime që lidhen dhe përshkohen nga tema kryesore e ciklit poetik që është atdhedashuria. Që në titullin e saj dhe që në poezitë e para bëhet i qartë mesazhi i fuqishëm i dashurisë për atdheun dhe i identitetit kombëtar. Ndonëse autori me origjinë nga Kosova, e përshkruan shumë bukur gjeografikisht vendlindjen e tij, ai e sheh Shqipërinë dhe Kosovën si një hapësirë të përbashkët kulturore të lidhur nga gjuha, kultura, historia dhe identiteti.
Në poezinë “Kosova tokë shqiptare”, vargu“Krenohu me historinë tënde/Kosova është tokë shqiptare” e përmbledh qartë këtë dimension të librit. Ky qëndrim i poetit duket edhe tek transmetimi i vlerave dhe simboleve tek brezi i ri. Në poezinë “Shalli kuq e zi”, përmes një ngjarjeje personale që lidhet me diplominin e vajzës së tij në Amerikë, sillet një mesazh i fortë mbi identitetin kombëtar. Ai e quan flamurin kuq e zi flamur të çdo shqiptari, i cili e identifikon Kosovën edhe më shumë se flamuri me yje, duke ju referuar shpalljes së pavarësisë dhe pranisë së patriotëve nga Kosova krah Ismail Qemalit.
Naman Osmani e përdor poezinë si një mjet për të dëshmuar, për të kujtuar dhe për të ruajtur lidhjen shpirtërore me vendin e origjinës, me historinë, familjen dhe njerëzit. Ndonëse atdheu është boshti kryesor i veprës, ai nuk vjen si ide abstrakte, por formëzohet në dimensione të tilla si; nënë, si kujtim, si vendlindje, si gjuhë, si flamur apo si amanet. Këtë e dëshmon edhe poezia “Kë po e shikon Kosova nënë?”, ku Kosova si nënë dialogon me birin e saj. Pyetja poetike “pse po të lënë të vetmuar, nënë?!” shpreh dhimbjen e poetit i cili e pranon se largimi ndodh “për një jetë më të mirë” por vëren gjithashtu me dhimbje se “jetët treten ashtu larg”.
Një nga temat e librit është kujtesa historike dhe lufta për liri. Poezitë që lidhen me luftën e Kosovës, me dëshmorët dhe figurat kombëtare e kthejnë librin në një lloj arkivi poetik të kujtesës. Kujtimi i luftës nuk mbetet vetëm dhimbje, ai kthehet në kujtesë dhe përgjegjësi, figurat historike nuk vijnë vetëm si emra, ato sjellin krenari dhe frymëzim për të mbrojtur të ardhmen e atdheut.
Një dimension i rëndësishëm i librit është mërgimi dhe malli për vendin e lindjes ku autori vetë është personazhi që e përjeton atdheun nga larg. Në poezinë “Vatra jonë”, kushtuar panairit të Federatës “Vatra” në New York, autori e sheh vatrën si një hapësirë ku shqiptari rigjen identitetin dhe rrënjët, takon simbolikisht figurat e mëdha shqiptare nga të cilat frymëzohet për të dhënë më të mirën për kombin. Ai e ndjen si detyrë të ndërtojë një kujtesë me ato që lufta ka shkatëruar. Kështu ajo që është djegur mbijeton përmes vargjeve.
“Nga hiri i lagur i shtëpisë së djegur
Dhe muret gjysëm të shembura,
Nga lufta në dimrin e vonshëm
Vargje me gjurmë të mbetura.”
“Pena për atdheun” ka edhe një dimension thellësisht personal. Në poezitë “Babi, të dua”, “Dritarja e kujtimeve”, “Ti më bëre të lumtur”, “Në liqenin e lotëve” e të tjera, autori zbret nga hapësira e historisë dhe bota e luftës në botën e ndjenjave njerëzore. “Dritarja e kujtimeve” hapet drejt fëmijërisë, familjes, prindërve, martesës dhe lindjes së fëmijëve të cilat bashkohen me gëzimin e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës duke theksuar idenë se jeta mund të gëzohet vetëm në liri.
Autori nuk qëndron vetëm te ndjenjat e bukura njerëzore por në disa poezi shfaq edhe shqetësimin shoqëror dhe moral. Në lidhje me fenomene dhe dukuri negative të jetës si lakmia, mashtrimi, korrupsioni dhe hiopkrizia ai mban qëndrim kritik duke përdorur tone ironie dhe humori.
Në tërësi në këtë cikël poetik pena e titullit shndërrohet në mjetin që shkruan përjetimet, ngjarjet dhe emocionet, ndërsa autori vëzhgon me mjeshtëri hapësirën shpirtërore kulturore shqiptare nga e merr lëndën e parë. Fjala shdërrohet në varg dhe merr në vite peshën e kujtesës kolektive . Sipas tij koha do të kalojë dhe brezat do të ndërrohen, por fjala e shkruar do të mbetet. Prandaj tek “Dëshmitë e kohës”, ai na thotë:
“Me kujtesën grindem,
Se ajo mban dëshmi,
Dëshmitë e së vërtetës
Nën dallgët e jetës”
Dhe kështu ai deklaron edhe misionin e tij si poet “ti japë zë kujtesës” dhe përmes shkrimit të poezive të lerë gjurmë. I urojmë autorit Naman Osmani suksese për librin “ Pena për atdheun” dhe të vazhdojë të lerë gjurmë të tjera!