

Mimoza Dajçi/
Filmi “The Lives of Others”, fitues i Çmimit Oscar, është një dramë e fuqishme gjermane që paraqet Berlinin Lindor të vitit 1984, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, ku nëpërmjet fuqisë së artit mbetet një nga rrëfimet më tronditëse dhe me ndikim mbi pushtetin totalitar. Film i cili nën hijen e rëndë të paranojës shtetërore tregon se liria ishte një luks i ndaluar.
Në qendër të historisë është Gerd Wiesler, një kapiten i përkushtuar dhe i ftohtë i policisë sekrete, Stasi. Për Wiesler, shteti është mbi gjithçka dhe misioni i tij ishte i qartë, ruajtja e sistemit përmes mbikëqyrjes pa mëshirë. Ai ngarkohet me detyrën për të vendosur në përgjim 24 orësh banesën e Georg Dreyman, një dramaturgu të famshëm dhe partneres së tij, aktores Christa Maria Sieland.
Por prapa këtij misioni nuk qëndron mbrojtja e sigurisë kombëtare, por korrupsioni i krerëve të politikës. Një ministër i fuqishëm i regjimit dëshiron të shkatërrojë Dreyman për interesat e tij personale, duke e kthyer aparatin shtetëror në një instrument shantazhi dhe hakmarrjeje.
Përmes kufjeve të përgjimit në tavanin e ftohtë të ndërtesës, Wiesler nis të dëgjojë jetën intime të çiftit. Edhe pse nën ndikim e ideologjisë së kohës ai fillon të preket nga poezia, dashuria, dhimbja dhe muzika. Pika e kthesës vjen kur ai dëgjon Dreyman të luajë në piano “Sonatën, për një njeri të mirë”, një moment ku ftohtësia e agjentit fshehurazi shkrihet përballë bukurisë së artit.
Ndikimi me njerëzoren e shndërron rrënjësisht Wieslerin. Ai pushon së qenuri thjesht një oficer i Stasit, një sy e vesh i pa anshëm i regjimit por kthehet në mbrojtësin e heshtur të viktimave të tij, duke falsifikuar raportet e përgjimit dhe duke rrezikuar karrierën e jetën për t’i shpëtuar ata.
“Jeta e të Tjerëve” është më shumë se një kronikë historike e Gjermanisë Lindore. Ai është një meditim mbi mundësinë e shpëtimit të jetëve. Filmi na kujton se sa lehtë mund të tjetërsohet njeriu brenda një sistemi që ushqehet me frikë, por gjithashtu tregon se ndërgjegjja njerëzore nuk mund të çrrënjoset plotësisht.
Në fund, filmi lë një mesazh të veçantë e domethënës se edhe në periudhat më të vështira e të errëta të historisë, arti ka fuqinë të zgjojë ndërgjegjen dhe individi ka gjithmonë hapësirë për të zgjedhur të jetë “një njeri i mirë”. Filmi ka fituar Çmimin Oscar për Filmin më të Mirë në Gjuhë të Huaj në vitin 2007 dhe konsiderohet si një nga kryeveprat e kinematografisë bashkëkohore evropiane.
Shënim: Filmin “Jeta e të tjerëve” pata rast ta shikoj gjatë Festivalit të “Filmit Antikomunist”, organizuar nga “Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit” (VOC) nga data 1 deri më datë 4 Tetor 2026, në Washington D.C.