

Dr. Ervin Kujtila/
Fortifikimi i Orenjës, mbi Orenjë Katund në zonën e Librazhdit, ndodhet në një kreshtë dominuese, rreth 1 km larg aksit kryesor rrugor. Pozicioni i tij ofronte avantazhe të rëndësishme strategjike: në lindje terreni zbret në tarraca natyrore dhe lidhet me kodrat përreth përmes një qafe të lartë, ndërsa në jug e perëndim terreni i thepisur dhe shkëmbor krijonte një mbrojtje të fuqishme natyrore.
Të dhënat arkeologjike dëshmojnë për dy faza kryesore të organizimit fortifikues. E para lidhet me fortifikimin prehistorik, i cili rrethonte një sipërfaqe më të gjerë, ndërsa brenda tij u ndërtua më vonë një linjë tjetër muri gjatë Antikitetit të Vonë. Kjo dëshmon për ripërdorimin dhe riorganizimin e hapësirës së fortifikuar në periudha të ndryshme. Brenda murit të Antikitetit të Vonë janë evidentuar edhe gjurmë të shumta strukturash banimi, duke treguar përdorim intensiv të sitit.
Fushata e gërmimeve të vitit 2025, e mbështetur në rezultatet e kërkimeve të mëparshme, kishte si objektiv kryesor sqarimin e fazave të zhvillimit të fortifikimit, përcaktimin e karakterit dhe funksionit të tij, si dhe vendosjen e një marrëdhënieje më të qartë kronologjike ndërmjet depozitimeve kulturore dhe strukturave fortifikuese.
Veçanërisht domethënëse është prania e gjurmëve të strukturave të banimit dhe e një grope shtylle të lidhur me një konstruksion të hershëm, të cilat japin informacion të ri mbi mënyrën e organizimit të hapësirës së banimit. Materiali arkeologjik dhe marrëdhëniet stratigrafike tregojnë për një histori përdorimi që shtrihet në periudhën prehistorike dhe vijon me ripërdorimin e sitit në Antikitetin e Vonë.
Rezultatet e Orenjës kontribuojnë në një kuptim më të plotë të fortifikimeve prehistorike në luginën e Shkumbinit, duke dëshmuar se këto qendra nuk duhet të shihen vetëm si struktura mbrojtëse, por edhe si hapësira të organizuara banimi dhe aktiviteti komunitar. Të dhënat e reja stratigrafike krijojnë gjithashtu një bazë të rëndësishme për përcaktimin më të saktë të kronologjisë dhe të rolit të Orenjës në zhvillimin e vendbanimeve të fortifikuara të Shqipërisë prehistorike.