

Për disa orë, zemra e Quincy-t rrahu shqip. Flamuj kuqezi, këngë labe, çifteli, klarinetë, valle popullore, ushqime tradicionale dhe biznese shqiptare u bënë bashkë në “Albanian Heritage Festival 2026”, një festë që solli Shqipërinë në zemër të Massachusetts.
Festivali, i zhvilluar në Kilroy Square, u organizua nga “Fan S. Noli Library & Cultural Center” dhe Shoqata “Labëria” USA, duke mbledhur familje shqiptare, artistë e grupe nga Massachusetts dhe shtete të tjera, biznese të komunitetit, por edhe përfaqësues të qytetit të Quincy-t.
Ishte një ditë ku traditat shqiptare u prezantuan në të gjitha format e tyre: nga kënga dhe vallja te veshjet popullore, ushqimi, pijet dhe produktet e bizneseve shqiptaro-amerikane. Mbi të gjitha, festivali solli së bashku breza të ndryshëm, përfshirë fëmijët e lindur e rritur në Amerikë, të cilët patën mundësinë të shohin dhe përjetojnë nga afër kulturën e prindërve dhe gjyshërve të tyre.
Një nga momentet më të veçanta ishte ai kushtuar Laver Bariut, mjeshtrit të madh të klarinetës dhe një prej figurave që la gjurmë të thella në muzikën popullore shqiptare. Shoqata Labëria Boston solli një program të posaçëm. Dritan Danaj, nën shoqërimin në organo të Simon Tosllukut, interpretoi një kaba nga repertori i Laver Bariut, duke rikthyer në Quincy tingullin karakteristik të muzikës së Jugut.
Më pas skena i takoi Grupit Laberia nga Bostoni, i cili interpretoi edhe një këngë të krijuar posaçërisht në nderim të Laver Bariut, si homazh për trashëgiminë e tij. Një tjetër këngë iu kushtua Labërisë, vendlindjes dhe dashurisë për traditat shqiptare. Por festa nuk kishte vetëm tingujt e Jugut.
Vëllezërit Delia, me çifteli dhe këngën e rapsodëve, sollën në skenë një tjetër pjesë të shpirtit shqiptar: traditën e Veriut, këngët e burrërisë, historisë, vendlindjes dhe atdheut.
Nga New Jersey iu bashkua festivalit edhe QKSHA – “Qendra Kulturore Shqiptare Amerikane Struga”, duke sjellë kulturën dhe traditat shqiptare nga një tjetër komunitet i fuqishëm i diasporës.
Vallet shqiptare kishin gjithashtu një vend të rëndësishëm. Në skenë u ngjitën, Valle Tona, St. George Cathedral Dance Group dhe CT Dance Group, duke e kthyer sheshin në një mozaik kostumesh, ritmesh dhe krahinash shqiptare.
Në program ishin gjithashtu Flamur Biçaku & Band, Ylli Zhaveli, Eno Kalo dhe DJ Jorgo, duke e mbajtur festën gjallë me muzikë dhe argëtim.
Por Shqipëria në Quincy nuk u prezantua vetëm përmes skenës. Në festival kishte ushqime dhe pije shqiptare, ekspozime kulturore, biznese dhe shitës shqiptaro-amerikanë, duke treguar edhe një tjetër dimension të diasporës: shqiptarët që kanë ngritur biznese dhe kanë krijuar emër në komunitetet ku jetojnë.
Një kontribut të veçantë dha Leo Keka, pronari i Alba Restaurant Group dhe një emër i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan në Massachusetts. Keka, i cili ishte ndër njerëzit që ndihmuan në koordinimin e aktivitetit, ofroi edhe ushqimin për festivalin.
Prania e përfaqësuesve të qytetit të Quincy-t i dha festivalit edhe një tjetër domethënie: atë të një komuniteti që ruan fort identitetin e tij shqiptar, por njëkohësisht është bërë pjesë e jetës ekonomike, kulturore dhe qytetare të Massachusetts.
Të gjitha këto momente, nga tingujt e çiftelisë dhe klarinetës te vallet, kostumet tradicionale, flamujt kuqezi dhe emocionet e familjeve shqiptare, u fiksuan në fotografi nga Bujar Veseli, duke lënë të dokumentuar një ditë të veçantë për komunitetin shqiptaro-amerikan në Massachusetts.
Nga kaba e Laver Bariut te çiftelia e Vëllezërve Delia, nga kënga labe te valltarët e rinj shqiptarë, nga Struga në New Jersey te grupet e Bostonit, festivali bashkoi në një shesh tradita nga trevat shqiptare. Dhe ndoshta ky ishte edhe mesazhi më i bukur i ditës: mund të jesh mijëra kilometra larg Shqipërisë, por kur fëmijët kërcejnë vallen shqiptare, rapsodët i bien çiftelisë dhe familjet mblidhen nën flamurin kuqezi, atdheu është shumë më afër.