
Prof.dr. Pal Nikolli/
Transformimi i strukturës moshore të popullsisë së Shqipërisë gjatë periudhës 1990–2026 përbën një nga ndryshimet më të thella demografike të shoqërisë shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore. Brenda pak më shumë se tri dekadash, vendi ka kaluar nga një shoqëri me popullsi të re, lindshmëri relativisht të lartë dhe bazë shumë të gjerë të piramidës së moshave, në një shoqëri me lindshmëri të ulët, emigracion të fuqishëm, plakje të shpejtë dhe tkurrje të vazhdueshme të popullsisë. Kjo nuk është thjesht një rënie numerike e popullsisë, por një transformim i thellë i vetë strukturës demografike, me pasoja për ekonominë, tregun e punës, arsimin, pensionet, shërbimet shëndetësore, organizimin territorial dhe të ardhmen e vendit.
Të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT), veçanërisht Censuset e Popullsisë dhe Banesave të viteve 2001, 2011 dhe 2023, si dhe vlerësimet vjetore të popullsisë, e bëjnë të mundur rindërtimin e këtij procesi. Për vitin 1990 duhet mbajtur parasysh se nuk kemi një Census të atij viti të krahasueshëm drejtpërdrejt me Censuset e mëvonshme. Për vitin 2026, INSTAT vlerëson popullsinë rezidente të Shqipërisë më 1 janar në 2 335 930 banorë, duke konfirmuar vazhdimin e tkurrjes demografike.
Në fillim të viteve 1990 piramida e moshave të Shqipërisë kishte ende formën klasike të një popullsie të re. Baza ishte shumë e gjerë, sepse brezat e fëmijëve dhe të adoleshentëve përbënin një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, ndërsa pjesa e sipërme e piramidës ishte relativisht e ngushtë. Numri i të moshuarve ishte i vogël në raport me popullsinë në moshë pune dhe me brezat e rinj. Kjo strukturë ishte rezultat i një periudhe të gjatë me lindshmëri të lartë dhe rritje të konsiderueshme të popullsisë.
Në atë kohë Shqipëria ishte një vend me një potencial të madh demografik. Shumica e popullsisë ishte e re dhe brezat e shumtë të fëmijëve dhe të rinjve përbënin rezervën kryesore për fuqinë punëtore të dekadave të ardhshme. Piramida kishte pamjen e një trekëndëshi: sa më e vogël të ishte mosha, aq më i madh ishte numri i individëve. Kjo ishte karakteristikë e një popullsie ekspansive.
Por pikërisht në vitet 1990 filloi transformimi i madh. Rënia e sistemit socialist dhe kalimi në ekonominë e tregut sollën ndryshime të jashtëzakonshme sociale, ekonomike dhe demografike. Emigracioni masiv i shqiptarëve drejt Greqisë, Italisë dhe më pas drejt vendeve të tjera evropiane largoi nga vendi një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, veçanërisht të rinjtë dhe personat në moshë aktive. Në të njëjtën kohë, familja shqiptare filloi të ndryshonte strukturën dhe sjelljen e saj riprodhuese.
Lindshmëria ra me shpejtësi. Familjet filluan të kishin më pak fëmijë, mosha e martesës dhe e lindjes së fëmijës së parë u rrit, ndërsa modeli tradicional i familjes së madhe filloi të zëvendësohej nga familja e vogël. Kështu, dy procese të fuqishme vepruan në të njëjtën kohë: emigrimi reduktoi numrin e të rinjve që jetonin në Shqipëri, ndërsa rënia e fertilitetit reduktoi numrin e fëmijëve që lindnin në vend.
Pasojat e këtyre proceseve nuk u shfaqën menjëherë në të gjithë piramidën, por u grumbulluan gradualisht. Çdo brez i ri filloi të ishte më i vogël se brezi paraardhës. Në këtë mënyrë, baza e piramidës filloi të ngushtohej.
Censusi i vitit 2001 shënoi tashmë një Shqipëri demografikisht të ndryshme nga ajo e vitit 1990. Piramida kishte filluar të humbiste formën e saj trekëndore. Brezat e fëmijëve ishin më të vegjël, ndërsa pjesa e popullsisë në moshë pune zinte një peshë më të madhe. Në të njëjtën kohë, emigracioni kishte krijuar boshllëqe të dukshme në disa grupmosha të reja.
Një tregues i rëndësishëm i këtij transformimi është pjesa që zënë personat 65 vjeç e lart. Sipas të dhënave të INSTAT-it, kjo kategori përbënte rreth 7,5% të popullsisë në vitin 2001, u rrit në 11,3% në vitin 2011 dhe arriti në 19,7% në Censusin e vitit 2023. Pra, në pak më shumë se dy dekada pjesa e të moshuarve në popullsinë shqiptare u rrit me më shumë se dyfish.
Censusi i vitit 2011 e bëri edhe më të dukshëm këtë ndryshim. Piramida e moshave nuk ishte më një piramidë klasike me bazë të gjerë. Ajo kishte filluar të merrte një formë më cilindrike dhe në disa pjesë edhe konstriktive. Brezat e moshave të mesme ishin relativisht të mëdhenj, ndërsa brezat e rinj pas tyre ishin më të vegjël. Kjo është një shenjë tipike e një popullsie që po kalon nga faza e rritjes demografike në fazën e plakjes.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është se fertiliteti shqiptar që nga viti 2001 ka qëndruar nën nivelin e zëvendësimit të brezave, i cili në kushtet normale demografike është rreth 2,1 fëmijë për grua. Kur një shoqëri qëndron për një kohë të gjatë nën këtë nivel, brezat e rinj bëhen gradualisht më të vegjël se brezat që i kanë paraprirë.
Kjo është pikërisht ajo që shihet sot në piramidën shqiptare. Baza nuk është më pjesa më e gjerë e strukturës. Përkundrazi, ajo është bërë pjesa më e ngushtë. Piramida shqiptare e vitit 2023 dhe tendenca e vitit 2026 kanë një pamje shumë më të afërt me një piramidë konstriktive, karakteristike për vendet me lindshmëri të ulët dhe popullsi në plakje.
Censusi i vitit 2023 e dokumentoi këtë transformim me një qartësi të veçantë. Mosha mesatare e popullsisë shqiptare arriti në 42,5 vjeç, nga 35,3 vjeç në vitin 2011. Brenda vetëm 12 vitesh mosha mesatare u rrit me rreth 7,2 vjet. Ky është një ndryshim jashtëzakonisht i shpejtë për strukturën demografike të një vendi.
Në të njëjtën kohë, ndryshoi edhe raporti midis të rinjve dhe të moshuarve. Në vitin 2011 koeficienti i varësisë së të rinjve ishte rreth 30,4%, ndërsa ai i të moshuarve rreth 16,7%. Në vitin 2023 situata ishte përmbysur: varësia e të rinjve kishte zbritur në rreth 24,0%, ndërsa varësia e të moshuarve ishte rritur në rreth 30,4%.
Ky ndryshim ka një domethënie të jashtëzakonshme. Shqipëria e vitit 2011 kishte ende një strukturë ku pesha relative e fëmijëve ishte më e madhe se ajo e të moshuarve. Shqipëria e vitit 2023 kishte kaluar në një fazë ku barra demografike e të moshuarve ishte bërë më e madhe se ajo e fëmijëve.
Pra, brenda një periudhe shumë të shkurtër historike, Shqipëria kaloi nga një shoqëri ku problemi kryesor ishte të përballonte një numër të madh fëmijësh dhe të rinjsh, në një shoqëri ku problemi kryesor po bëhet përballimi i plakjes së popullsisë.
Një tjetër element i rëndësishëm i piramidës moshore të popullsisë shqiptare është fryrja e grupmoshave të mesme. Grupet rreth moshave 50–69 vjeç përfaqësojnë në masë të madhe brezat e lindur gjatë periudhës së lindshmërisë relativisht të lartë të viteve 1950–1970. Këta breza tani po zhvendosen drejt moshave të pensionit. Për rrjedhojë, Shqipëria nuk ka përfunduar procesin e plakjes; përkundrazi, një pjesë e rëndësishme e plakjes së ardhshme është tashmë e paracaktuar nga vetë struktura e sotme e popullsisë.
Ky është një koncept shumë i rëndësishëm në demografi. Edhe nëse Shqipëria do të arrinte të rriste ndjeshëm lindshmërinë sot, fëmijët e lindur tani do të hynin në tregun e punës pas rreth dy dekadash. Ndërkohë, brezat e mëdhenj që sot janë 50–70 vjeç do të vazhdojnë të kalojnë në moshat e pensionit. Pra, struktura demografike ka një inerci shumë të madhe.
Emigracioni e ka përforcuar këtë proces. Shqipëria ka humbur gjatë tri dekadave një numër të madh banorësh në moshat më aktive ekonomikisht dhe riprodhuese. Kjo ka një efekt të dyfishtë: ul numrin e popullsisë së sotme dhe zvogëlon potencialin e lindjeve të ardhshme.
Kjo është arsyeja pse emigracioni shqiptar nuk mund të trajtohet vetëm si një fenomen ekonomik. Ai është një fenomen me pasoja të drejtpërdrejta mbi strukturën e piramidës së moshave. Kur largohet një i ri 20–30-vjeçar, vendi nuk humbet vetëm një pjesëtar të fuqisë punëtore. Ai humbet edhe një pjesë të potencialit të ardhshëm familjar dhe riprodhues.
Në vitin 2026 këto procese janë bërë edhe më të dukshme. Popullsia rezidente e Shqipërisë më 1 janar 2026 vlerësohet nga INSTAT në 2 335 930 banorë, duke shënuar një rënie prej rreth 1,16% krahasuar me 1 janar 2025. Kjo e vendos Shqipërinë në një fazë ku dy procese zhvillohen paralelisht: popullsia zvogëlohet në numër dhe njëkohësisht plaket në strukturë.
Kjo mund të përkufizohet si tkurrje demografike e dyfishtë. Nuk kemi vetëm më pak shqiptarë rezidentë; kemi edhe një raport gjithnjë e më të pafavorshëm midis brezave të rinj dhe brezave të moshuar.
Piramida e moshave tregon gjithashtu një diferencë të rëndësishme midis burrave dhe grave. Në moshat e reja zakonisht ka më shumë meshkuj, ndërsa me rritjen e moshës rritet pesha relative e grave. Shkaku kryesor është jetëgjatësia më e madhe e grave dhe mortaliteti më i lartë i meshkujve në moshat e avancuara. Në Censusin 2023 kishte rreth 98,2 meshkuj për 100 femra në popullsinë e përgjithshme. Në moshat shumë të larta diferenca bëhet edhe më e madhe në favor të grave.
Ky fenomen do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për politikat sociale, sepse plakja nuk është neutrale nga pikëpamja gjinore. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë shumë të moshuar do të përbëhet nga gra, të cilat kanë probabilitet më të lartë të jetojnë të vetme dhe të kenë nevojë për forma të ndryshme të mbështetjes sociale dhe shëndetësore.
Transformimi i piramidës shqiptare ka gjithashtu një dimension të fuqishëm territorial. Shqipëria nuk plaket në mënyrë të njëtrajtshme. Zonat periferike dhe veçanërisht ato malore kanë përjetuar emigracion dhe migrim të brendshëm shumë më të madh, duke humbur një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së re. Në anën tjetër, Tirana dhe disa qendra urbane kanë përfituar nga migrimi i brendshëm.
Prandaj, në realitet, Shqipëria ka filluar të krijojë piramida moshore territorialisht të ndryshme. Në disa qarqe dhe bashki kemi një bazë jashtëzakonisht të ngushtë dhe peshë të lartë të të moshuarve; në qendrat urbane kemi një strukturë relativisht më të re për shkak të migrimit.
Kjo shpjegon edhe paradoksin e zhvillimit territorial shqiptar: një pjesë e territorit po humbet popullsinë, po plaket dhe po boshatiset, ndërsa një pjesë tjetër, sidomos hapësira metropolitane e Tiranës, po përqendron gjithnjë e më shumë popullsi, ekonomi, shërbime dhe fuqi punëtore.
Ndryshimi i piramidës do të ketë pasoja të drejtpërdrejta në tregun e punës. Një numër më i vogël të rinjsh do të hyjë në tregun e punës, ndërsa numri i personave që dalin prej tij për shkak të moshës së pensionit do të rritet. Kjo mund të sjellë mungesa të fuqisë punëtore, veçanërisht në profesione të caktuara, dhe do të rrisë nevojën për produktivitet më të lartë, teknologji, automatizim dhe politika të reja të migracionit.
Po aq të mëdha do të jenë pasojat për sistemin e pensioneve. Në një sistem ku popullsia aktive financon në një masë të madhe pensionet e brezave të moshuar, zvogëlimi relativ i popullsisë në moshë pune dhe rritja e numrit të pensionistëve krijojnë presion financiar gjithnjë e më të madh.
Edhe sistemi arsimor do të përballet me një ndryshim themelor. Më pak lindje sot nënkuptojnë më pak nxënës nesër dhe më pak studentë pas një ose dy dekadash. Kjo do të prekë veçanërisht zonat periferike dhe institucionet arsimore jashtë qendrave të mëdha. Shkollat dhe universitetet nuk do të përballen vetëm me problemin e cilësisë së arsimit, por gjithnjë e më shumë edhe me problemin e tkurrjes së vetë popullsisë së re.
Në këtë kuptim, piramida e moshave është shumë më tepër se një grafik statistikor. Ajo është një lloj radiografie e së ardhmes së shoqërisë shqiptare.
Në vitin 1990 ajo tregonte një Shqipëri me shumë fëmijë dhe të rinj, me një rezervë të madhe demografike dhe me perspektivë të fuqishme të zgjerimit të popullsisë aktive. Në vitin 2001 tregonte fillimin e ngushtimit të bazës. Në vitin 2011 shfaqte qartë kalimin drejt një strukture më të vjetër. Në vitin 2023 tregonte një shoqëri tashmë të plakur, ndërsa në vitin 2026 sinjalizon kombinimin e dy proceseve: plakjes dhe tkurrjes.
Prandaj, ndryshimi më i madh demografik i Shqipërisë gjatë periudhës 1990–2026 mund të përmblidhet në një formulë të thjeshtë:
më pak lindje + emigracion i të rinjve + jetëgjatësi më e madhe = popullsi më e vogël dhe më e vjetër.
Por pas kësaj formule fshihet një ndryshim shumë më i thellë. Shqipëria po kalon nga një model demografik ku problemi kryesor ishte si të absorboheshin brezat e shumtë të rinj, në një model ku pyetja kryesore është si të ruhet ekuilibri ekonomik, social dhe territorial i një shoqërie me gjithnjë e më pak të rinj dhe gjithnjë e më shumë të moshuar.
Kjo është sfida e madhe demografike e Shqipërisë së shekullit XXI. Nuk është thjesht çështje se sa banorë do të ketë vendi. Çështja shumë më e rëndësishme është kush do të jenë këta banorë, në çfarë moshe do të jenë, ku do të jetojnë dhe kush do të mbajë mbi supe barrën ekonomike dhe sociale të brezave që do të vijnë.
Në këtë këndvështrim, piramida e moshave 1990–2026 nuk paraqet vetëm historinë demografike të 36 viteve të fundit. Ajo është një paralajmërim i qartë për Shqipërinë e vitit 2040, 2050 dhe më tej: e ardhmja e vendit do të përcaktohet jo vetëm nga madhësia e popullsisë, por nga aftësia për të ndaluar boshatisjen e brezave të rinj, për të menaxhuar plakjen dhe për të ruajtur një ekuilibër të ri midis brezave dhe territoreve.