• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Visar Zhiti: Një brengë që donte të shkruhej… dhe thirri doktor Pashko R. Camajn

January 29, 2026 by s p

www.exlibris.al

E vërteta dhe romani janë bashkë, aq sa e vërteta është roman dhe romani është i vërtetë, teksa fantazia e jetës me fantazinë e shkrimtarit pleksen për të dhënë një vepër kujtese, por letërsia e tillë është e gjithë, kujtesë e bukur, do të thosha.

Pashko R. Camaj, pas botimit të librit autobiografik Porosia e kullës nga “Onufri”, ku rrëfeu “jetën e tij nga fillimi e deri aty ku është sot, një doktor në shkencat shëndetësore dhe funksionar i rëndësishëm në shtetin e Nju-Jorkut”, siç shkruan në parathënie shkrimtari Besnik Mustafaj, siç duket ndjeu së brendshmi të rrëfejë tani për të tjerë, që janë si vetet tona të tjera veçanërisht në letra. Por më shumë se aq, të mbartë edhe “brengën” e tyre.

Ai i beson rrëfimit, të vërtetave që mbart si një kulturë që mbase mitikisht i erdhi si frymë dhe fjalë nga odat e burrave në kullat e malësorëve shqiptarë atje në Mal të Zi, nga lutjet e nënave, nga eposi i rapsodëve ballkanikë e deri edhe te metropoli amerikan që është plot me befasi dhe habira metamorfozash domethënëse, me lajme dhe art të madh.

Gjithsesi, autori ndjeu se i duhej tashmë rrëfimi nga Shqipëria, ku ai, edhe pse nuk ka jetuar atje, e ka në gjak, në psikikë si porosi, si fantazi dhe kronikë, qoftë edhe e pashkruar ajo, si dhembje dhe legjendë, si një kthim kolumbian për të zbuluar jo Amerikën, por dheun amë.

Nëse në veprën e mëparshme kujtimet e doktor Pashko R. Camajt u “lexuan si një roman”, tani ai sjell një “roman që do të lexohen si kujtime”, me retrospektivat e munguara.

Duket se më e rëndësishme për doktorin është rrëfimi, jo vetëm si një dëshirë, por edhe si një domosdoshmëri, si një dëshmi, duke e parë edhe si ndërgjegje, pastrim të saj edhe te personazhet, që të merret ajo forcë shpirtërore për të mos u përsëritur mëkatet dhe më lart akoma, si një pajtim hyjnor i vetveteve me qiellin. Kështu, për të ndihmuar jo vetëm me profesionin e vet si doktor i shëndetit publik, por edhe si shkrimtar, që, edhe pse nuk janë e njëjta gjë, ngjajnë a mbase janë. Dhe mënyrë e mirë, më sipërania shpirtërisht do të ishte një rrëfim i gjatë, tronditës, një roman tjetër.

Pastaj rafinaturat romanore, ashtu si stili, vijnë vetvetiu. Po a kërkohen a veç duhet t’i kesh? Po është edhe kujtesa mahnitëse e leximeve, por edhe arkivi digjital… Rëndësi ka lexuesi.

Dhe Pashko R. Camaj vazhdoi si më parë, shkroi në anglisht romanin When Eagles Cry, që në shqip e nxjerr prapë “Onufri”, me kujdesin dhe përkushtimin e themeluesit të saj, Bujar Hudhrit.

Një brengë në dy rrugë

Në romanin Brenga të Pashko R. Camajt janë dy rrëfime paralele… me një si hijezim përsipër, si të asaj pemës së gështenjës të vendlindjes së personazheve.

Janë dy shokë, djem të rinj që kujtonin se nuk do t’i ndante asgjë, por u ndanë aq dramatikisht, aq gjatë dhe aq larg, gati gjithë jetën dhe me fate të kundërta si realitetet e tyre – njëri që do të rrezikonte në arratinë drejt parajsës, në lirinë dhe mirëqenien jashtë dhe tjetri që do ta hidhnin në ferrin e burgjeve brenda.

Fati dhe fataliteti. Që njëri nga shokët arriti ta ndryshonte, ndërsa tjetrit ia ndryshuan pa rrugëdalje.

Paralele që s’e presin njëra-tjetrën, që s’e di pse, më kujtojnë shinat e trenit, të një treni ngjarjesh do të thosha, meqenëse po flasim për rrëfime letërsie, ku çuditërisht ndodh ndryshe, paralelet edhe bashkohen, i bashkon lokomotiva e guximshme e krijimit artistik – le ta vazhdojmë krahasimin – me vagonët që tërheq pas, me personazhe që hipin dhe zbresin nëpër stacione si në kapituj romanesh.

E di që doktor Pashko R. Camaj udhëton shumë me tren nëpër Nju-Jork për të shkuar në punë, sheh njerëz që lexojnë, ashtu si dhe veten dhe këtu do t’i ketë lindur ideja për një libër me udhëtime, me ikje, me rreziqe që jo pak ka kaluar edhe vetë, por edhe ka dëgjuar që edhe të tjerë kanë kaluar shumë e më shumë dhe më të rënda. Nga bashkatdhetarë, natyrisht. Sidomos me ato udhëtimet brenda vetes. Që të mos harrojmë. Pa kujtesë jo vetëm që s’është askush, por nuk ka as popull, as kohë. Duhet medoemos rrëfimi. Si shkencë dhe art… si roman.

Ashtu si edhe dashuria njerëzore. Që sa e vështirë ishte në Shqipërinë me dy diktatura të mëdha, atë komuniste dhe atë të varfërisë. Miqësitë e mëdha do të ishin të rralla, do të kishte të vërteta, por edhe të kollajthyeshme, të brishta dhe të ashpra dhe mashtruese ashtu si edhe vepronte realiteti që bëmë. Mjerisht, miqësitë do të kishin rëndesa politike. Dukej e pamundur miqësia e një të përndjekuri, e një familjeje të tillë, me një që ishte me përndjekësit, i një familjeje të atillë. Gjendej edhe poezi që i miqësonte të rinjtë, aq sa ajo nuk bëhej politikë e ditës apo nuk ndërhynte policia politike për t’i prishur, edhe me ndihmën e njërit nga miqtë.

Doktor Pashko R. Camaj zgjodhi të bëjë romanin e miqësisë së dy shokëve, të tëhollojë alternueshëm ndodhitë e mëpasshme të ndërprerjes brutale të saj. Dy bashkëfshatarëve nga një vend i Veriut tonë, Tonini nga familja e Mirakajve, e njohur për patriotizmin dhe persekutimin – z. Tonin Mirakaj është i vërtetë, jeton në Nju-Jork, ka moshë të thyer, autori e ka takuar – dhe tjetri është shoku i tij, Marku, i fantazuar i gjithë, që është si ata që vuajtën burgjeve politike të diktaturës si kundërshtarë, madje Marku i romanit nuk bëri ndonjë vepër penale politike, ai thjesht donte të mbetej mik dhe nuk mundi të merrte dot që në krye të herës formatin e përçudnuar të njeriut të ri që kërkonte Partia-shtet.

Në natën e fundit, që s’e dinin se do të ishte e tillë, kur dy miqtë ndahen, njëri i jep tjetrit një kryq. Jemi në kohën kur feja do të ndalohej me ligj, që do të prisheshin tempujt e besimit, kishat e xhamitë do të ktheheshin në kinema, në magazina e depo armësh për ushtrinë, kur klerikët do të burgoseshin apo edhe do të pushkatoheshin.

Duke i dhënë shokut kryqin si shenjë miqësie, besimi e qëndrese, ai, pa e ditur, sikur i ndolli edhe mundimet e Rrugës së Kryqit, Golgotën e së ardhmes. Ndërkaq, kishte nisur përçarja mes njerëzve, disa po shenjoheshin të ishin fatzinjtë e diktaturës dhe disa po paracaktoheshin të ishin si fatbardhët e diktaturës.

Përgjegjësia mbetej e gjithsecilit.

Ankth, entuziazëm, partizanë kur lufta kishte mbaruar, fitore, gjyqe mizore, kafkiane, vrasje, tmerre, spiunë të gjithçkaje, dhunime…

Komunistët na kanë vrarë çdo shpresë. Dhe jo vetëm për ne, por për gjysmën e këtij kontinenti. Dhe të jesh një Mirakaj me komunistë në pushtet, do të thotë të jesh i vdekur, – i thotë Toninit i ati para se të marrin udhën e arratisë.

Ndërsa Markut në burg një prift ortodoks, Petroja, që fshehurazi mbante edhe fletë të Biblës, do t’i thoshte: …të pranosh fatin tënd është shenjë force, jo dobësie. Është një rrugë që fillon duke pranuar se gjërat ndodhin, duam apo jo...

Ndërkaq, familja e Toninit mori guximin të sfidonte fatin, arratisen, u ikin kthetrave të tiranisë komuniste, jo vetëm kaq, marrin edhe fluturimin drejt ëndrrës amerikane. Një odise plot rreziqe, nga malet e Iballës, përmes kampeve të ftohta të refugjatëve në Jugosllavi e Itali dhe deri te dritat e Nju-Jorkut. Por edhe Marku me familjen pati guximin të qëndrojë dhe të përballojë të keqen në vend, sfida e tij është infernale.

Liria e Toninit nuk do të jetë e mjaftueshme, ajo ka brenda brengën, atë kompleks faji për ç’la pas mbas ikjes, një si hije të gështenjtë braktisjeje për mbijetesën. Ai s’e di që vëllai i tij i shpirtit, Marku, mbetet burgjeve edhe si ndëshkim i arratisjes së tij.

Rëndësi merr ndjenja, se çfarë ndien, ajo je. Kjo është vlera thelbësore e këtij romani, sipas meje.

Marku tashmë është heroi tragjik në ferrin e burgjeve famëkeqe të Burrelit dhe të Spaçit, në minierat ku trajtohen si skllevër. Megjithatë, historia e Markut nuk është vetëm histori vuajtjeje, por edhe e qëndresës njerëzore. Dinjiteti mund të ruhet edhe kur trupi shembet dhe se besnikëria ndaj një njeriu tjetër si ndaj vetes mund t’u mbijetojë dekadave të torturës. Po ai tjetri a ka faj? Ç’mund t’i bëhet kësaj brenge?! Që të vjen nga tjetri si vetja…

Më shumë se rrëfimin e dy rrugëve, më e rëndësishme është ndjesia që përftohet prej tyre – ndjesia që përjetojmë, e përsëris, është përcaktuese në një vepër letrare, kështu besoj – që edhe nëse nuk ka për qëllim zbërthimin psikologjikisht a estetikisht të saj etj., ajo kthehet mrekullisht në etikën e qëndrimeve dhe veprimeve, se në fund të fundit jemi më shumë ajo që bëjmë se ajo që themi.

Vepra e Pashko Camajt është qëndrim edhe i fuqishëm. Si shkrimtarí mund të them se përgjithësisht ka një si përzierje të stilit të një kronike me të folurën e njënjëshme të fatthënësit, plot me detaje romanore. Sa shumë çliruese janë në roman ato skenat epiloguese atje te pema e gështenjës së vendlindjes, ku dhe filluan, ngjashëm tani me imazhe të filmave hollivudianë.

T’i besojmë ndjenjës!

Ikjet dhe dënimet… Çështje morale me rëndësi

Nga koha që lamë, autorë të ndryshëm zgjedhin realitete të ndryshme për të shpalosur, ashtu siç shpalosim ne librat e tyre.

Ata që u sunduan nga realizmi socialist shohin më shumë triumfin e rendit, propagandimet e tij të bujshme, unitetin forcërisht, rreshtat dhe brohoritjet, statistikat e një progresi të dyshimtë, ekonomi që për t’u rritur rrënon një popull etj., duke shmangur kështu edhe progresin tjetër, atë të luftës së klasave, përçarjes kombëtare dhe të varfërisë dëshpëruese, të shumanshme, gjenerale.

Doktor Pashko R. Camaj nga Shqipëria që lamë, mes festës dhe makabritetit, zgjodhi, pra, jo rastësisht, të rrëfejë burgjet dhe ikjet, siç duket këto dhe mbeten si arritjet më të rëndësishme të asaj epoke.  

Trajtimi dhe mënyra si i sheh, optika e tij, kanë jo vetëm largësinë kohore të nevojshme, po ashtu edhe atë gjeografike, që sigurojnë një paanshmëri, besohet, përveçse ai është shkrimtari, ndërgjegjja dhe përgjegjësia s’mund ta lënë mënjanës. Ai është me ata që përndiqeshin e vuajtën dhe jo me ata që përndiqnin e duan të shkaktojnë vuajtje edhe sot.

Kur flasim për burgjet politike, nuk duhet të nënkuptojmë vetëm njerëzit e burgosur, gjë që s’e durojnë dot të gjithë, por cilësinë e lirisë njerëzore të mohuar. Një qasje e ndjeshme ndaj asaj është rikthimi i historisë në empati, të imagjinosh dhembjen, frikën, lirinë, por edhe të tashmen si ëndërr e tyre. Dhe ta ndiesh si projekt tonin të përbashkët. 

Psikologu i njohur i traumës, Viktor Frankl, vetë i burgosur në kampet naziste, shkruante: “Ai që ka një ‘pse’ për të jetuar mund të përballojë pothuajse çdo ‘si’.”

Nga përvojat e skajshme mund të kuptohet se ata mbajtën dinjitetin brenda një realiteti mizor. Dhe kjo i shërbeu dinjitetit të gjithë shoqërisë.

Ish-të burgosurit politikë, Marku i romanit me bashkëvuajtësit e tjerë, nuk janë vetëm viktima, por edhe kundërshtarë të së keqes së përbashkët, bartës të një historie të dhembshme, të një traume, shpesh të brishtë psikologjikisht. Kur shoqëria i gjykon vetëm si “të fortë” ose “heroikë”, apo me kahun tjetër cinik, akoma më cekët se “ashtu ishte koha, pse shkelën ligjet e saj” etj., kuptohet se nuk kanë kapur fare nga dhembja e tyre e brendshme, që është dhembja e njeriut.

“Për të kuptuar dikë, duhet të ecësh me këpucët e tij”, – kjo është Empatia e Platonit në një kuptim praktik.

Doktor Pashko R. Camaj ka veshur edhe çizmet stoike të të burgosurit, që me dhunë e detyruan të punonte në minierat e ferrit, por ka vënë mbi supe edhe flatrat drithëruese të atij që merr arratinë për t’i ikur së keqes.

Romani ka kujtesë. Dhe nuk duhen medoemos amnezia penale e as glorifikimi automatik.

Burgjet e Burrelit dhe të Spaçit, qelitë e akullta, mizoritë, revolta, shtypja, vrasjet në veprën e Pashko Camajt nuk janë vetëm dëshmi, por edhe akuza, edhe sfidë kundrejt asaj utopie që ushtroi dhunë duke vazhduar disi edhe sot dhe nga ata që shpërdorin fjalën. Jo vetëm shkrimtarë, por edhe shumë filozofë dhe teoricinë të politikës, p.sh., Hannah Arendt me Banalitetin e së keqes, na mësojnë se jo gjithmonë “e keqja” është monstruoze; shpesh ajo është e përditshme, e rutinës dhe kjo e bën gjykimin më kompleks.

Të gjykosh një njeri nuk është të urresh të kaluarën e tij, por të kuptosh rrethanat dhe psikologjinë e zgjedhjes që e sollën aty ku është… Po kështu dhe për një popull. Kështu duhet të ndodhë edhe me librin e historisë. Pse jo dhe me romanin…

Ngulmim te ndjeshmëria

Duhet të emocionohemi deri në magjepsje. Jo vetëm me veprat e artit. Po edhe si tek ato.

Romani i Pashko Camajt ka tension ndjeshmërie dhe duket se këtë kërkon të bëjë edhe te lexuesi. Te njeriu… Empati… dhe të kuptuarit se sa afër ose sa larg mund të ishe vetë nga zgjedhjet ekstreme të kohës.

Të kthyerit e gjykimit jo vetëm për dënim ose falje, por për ndjeshmëri, është edhe misioni i shkrimtarit.

Duke parë muret e burgjeve dhe në faqe romanesh, të ndiesh ende ftohtësinë dhe frikën, urinë dhe heshtjen, braktisjen nga njeriu etj., këto janë edhe kujtesa për atë që mund të na gjente, po të harrojmë. T’i ikësh së keqes, kthetrave të saj, duhet një arratisje… si akt, por edhe si akt artistik.

Të shumtë janë ata që arritën të iknin, të shpëtonin jetën nga diktatura dhe vetvetja që mund të bëhej nën diktaturë: i shtypur ose, më keq, shtypës.

Të ishe i lirë, i pakërcënuar, me mundësira pasurimi me punën tënde, nuk ishin të mundshme në dheun amë.

Në romanin e Pashko R. Camajt mendoj se është risi ndjenja ambivalente që na shkaktohet prej personazheve që ikën dhe që mbeten, një përzierje mes gëzimit për jetët e shpëtuara dhe pezmit për vuajtjet dhe padrejtësitë e vazhdueshme, edhe nga shkaku i njëri-tjetrit.

Të arratisurit politikë ndodhte të përjetonin në botën e lirë një si kompleks faji, atë të shëlbimit kur të tjerët masakroheshin në atdhe, ku të tjerët nuk lejoheshin ta ndienin, duke arritur deri aty sa të shihnin si fajtorë ata që i fusnin në burgun politik dhe jo ata që fusnin, faunën e sundimtarëve…

Prandaj edhe të ngujuarit forcërisht në burgun politik të atdheut kanë një si akuzë për të gjithë…

Mosndjeshmëria

I gjithë romani duket si një qortim dhe moshonepsje ndaj atyre që u mungon ndjeshmëria. Se ka nga ata që lexojnë vetëm veten e tyre, ashtu siç do të donin të ishte ajo dhe të tjerët përreth saj.

Fanatikët e rikthyer nga diktatura, që e dënojnë diktaturën, madje me atë pasionin që e deshën, çuditërisht, nuk mund të përballojnë historinë e vërtetë të atyre që vuajtën. As të veteve që i bënë ata të vuajnë. Çdo gjë e masin me një kompas imagjinar superior, duke besuar se askush nuk ka pësuar aq sa ata dhe asnjeri, po të ishte në rrethanat e tyre, nuk do të vepronte më drejt se ata.

Shpesh atë kompas e bëjnë penë. Mjeshtër të demokratizmit të letrës dhe të hipokrizisë morale. Në formën e tyre parake, si sekretarë e gardianë e spiunë i gjejmë edhe në roman. Ata mund të flasin për lirinë, por nuk durojnë të lirët dhe shpesh shpikin kundërhistori, sepse nuk u pëlqen që dikush tjetër mbart atë që ata nuk mund ta duronin dot.

Këta janë bërë kritikë përçudnues të vuajtjes së tjetrit, ekspertë të dhembjes që nuk e kanë përjetuar.

Konvertit të fanatizmit të dikurshëm i është shtuar aftësia e prapë për të gjykuar gjithçka dhe të mosndjerit të asgjëje, përveç kënaqësisë që kanë kur tregojnë superioritetin kinse moral mbi të tjerët.

Janë gati për të shpallur lirinë si ide të tyre ekskluzive.

Fanatikët e dikurshëm të diktaturës sot e gjykojnë vuajtjen si një spektakël televiziv, romani thjesht duhet të zbukuroje bibliotekën, pranojnë aq dhembje sa edhe Inteligjenca Artificiale.

Miqësia e zorshme me të persekutuarit u duhet tani persekutorëve jo si paqe, por që të kalohet sa më parë tek teprimi që, në fund të fundit, ta lënë rolin e zemërgjerëve, që ligësitë e vetes të gjitha, t’i hedhin jo në burgun e së dikurshmes, por tek ata që njohin dhe kanë qenë të burgosur, kështu ata shmangin vetveten e dikurshme.

Një zgjidhje në roman

A do të ishte zgjidhje shkëputja nga ndjenja apo thjesht të kuisje mbi brengën personale, siç edhe bëjnë duke ia hedhur tjetrit mëkatet e vetes, madje edhe me akuzën absurde për privatizim të burgut. Marku i romanit nuk mburret kurrë me vuajtjen e vet dhe burgu nuk është pronë e të burgosurit, por e atyre që e ndërtuan për të futur njerëz në burg dhe ata janë privatizuesit e tij ose ata që mendojnë: e ashtu duke e pasur burgun brenda mendjes dhe shpirtit të tyre.

Doktor Pashko R. Camaj zgjodhi të tregojë brengën e madhe të një populli, që edhe pse ai pati fatin të mos e jetojë, e përjeton atë si të veten, sepse ndien si njeri dhe shkrimtar. Dhe mban qëndrim. Ajo zbulohet te personazhet e tij.

Në fund, doktor Pashko R. Camaj na rrëfen takimin aq emocional midis ish-të burgosurit politik në Shqipëri dhe ish-të mërguarit politik, të lirë në Perëndim. Dy shokë të dikurshëm, palë të një kohe, të të njëjtit kah, sepse kahu tjetër janë sundimtarët dhe nostalgjikët e tyre sot.

Pala e të burgosurve pritet të flasë për vuajtjet dhe padrejtësitë shtetërore, humbjet, si mbetën pa rini, me fëmijët rrugëve të internimeve, sakrificat dhe fajtorët, ndërsa pala e të arratisurve duhet të tregojë shpëtimin, liritë, arritjet, pleqërinë e bardhë, fëmijët e shkolluar mirë, por edhe brengën, atë ndjenjën e pashprehur të fajit, të pasojave të rënda të atij largimi nga vetë historia që lanë pas.

Çfarë na tregon romani? Ç’kemi pas kësaj? Acarim apo mundësi dialogu të sinqertë? Rizbulime? Gjykim? Apo dhe respekt për të kaluarat e njëri-tjetrit? Të ndiesh, të kesh dhembjen e mirë…

Mendimtari dhe filozofi i psikikës, Carl Jung, thoshte: “Çfarë nuk shprehet brenda nesh, mundohet të shprehet jashtë.” Pra, vuajtjet dhe humbjet që mbajtën ata që mbetën brenda dhe çlirimi që përjetuan ata që u larguan, janë të dyja histori që kërkojnë njohje dhe shprehje, rrëfim, jo krahasime, por shmangie të zilisë. Siç duket, nuk është plotësisht më mirë ose plotësisht më keq të kesh qenë jashtë apo brenda. Çdo rrugë ka çmimin dhe dhembjen e vet.

Liria me brengë e njërit nuk e zhbën vuajtjen kryeneçe të tjetrit. Le të rrëfejnë secili me shpresën duke krijuar një kuptim të përbashkët për të kaluarën nga doli e tashmja që paraprin të ardhmen. Njohja dhe pranimi janë mënyra që të shpëtojmë vetvetet… Dhe të lexojmë patjetër.

Në fund të fundit, nuk ka pasur më mirë apo më keq – mund të thotë i paanshmi i ardhshëm – por rrugë të ndryshme. Dhe një brengë – pasuri e përbashkët. Që pranohen për të ndier një lloj paqeje të thellë, me adhurimin për guximin e të jetuarit, për durimin, zgjedhjet dhe vuajtjet, nga të cilat njeriu i fortë, njëherësh edhe i dobët, nxjerr edhe lumturinë.

Dhe romani sheh me syrin e zemrës, me një ndjesi të sinqertë përbashkuese.

Kur Marku imagjinar i shkruan Toninit real, mes tyre është “brenga” dhe ndjenja që ajo shkakton, por është dhe përgjigjja jonë: Nëse po e lexon këtë letër dhe më kujton, atëherë nuk ka qenë kot. Më kujtohet ajo natë kur më vure kryqin në dorë. E gjeta mënyrën për ta mbajtur me vete për gjithë këto vite, edhe në qeli, edhe nën tokë, atje ku s’kishte as Zot, as kohë. E kam ende… Dhe e përfundon letrën: Jam mirënjohës që ende di si duket qielli… Pikërisht si një poet. Shpik poetin brenda vetes dhe ke për të shpëtuar. Dhe përsiatja vazhdon: Nuk pata kurrë mundësinë të shihja e të jetoja veten që mund të isha. Kur ta vjedhin jetën kaq herët siç ma vodhën mua, mbart me vete dy fantazma: fantazmën e asaj që je dhe fantazmën e asaj që mund të ishe. Kam jetuar me to çdo ditë, në heshtje, vetëm. […] humbur në varre pa emër, në dosje që askujt s’i lejohej t’i lexonte…                                                                                                           

Po është romani, më i sigurt se të gjitha. Ndërsaprifti, Petroja, sikur na thotë të gjithëve: Jo, ndjenja e dhembjes dhe kërkimi i fajit nuk të bën të dobët… Të bën njeri…                                                                                                                                                

Gruaja e një bashkëvuajtësit tim në burgun e Spaçit, ku mes nesh kishim edhe Markun e romanit, gruaja e atij poetit që varën në Kukës, Havzi Nela, varja e fundit në perandorinë komuniste dhe do të nisnin ndryshimet… por edhe romani… ajo grua më kishte thënë njëherë se kur ne do të flisnim për dashurinë, atëherë do të ishim çliruar… 

Te gështenja e vendlindjes Marku takon edhe Dritën, mësuesen e re. Të dy bien në dashuri. I bashkoi edhe dashuria për librat, por më shumë ndjenja e të qenit të huaj në vendin e tyre dhe akoma më shumë vetë mrekullia shëlbuese e dashurisë.

Të gjithë ndiejnë se historia duhet rrëfyer, sepse e kemi nga një histori, po edhe si një e vërtetë që mund dhe duhet të shërbejë si katarsis, e vërteta na bën të lirë, rrëfimi është dhe akt shprese, të pajtohemi me historinë.

Këtë bën ky roman… Na kërkon të jemi të ndjeshëm, qoftë edhe pa asnjë histori, se na e sjell. Historia jonë jemi ne.

Chicago, vjeshtë e tretë 2025

Filed Under: LETERSI

PSE VAZHDIMËSIA NË PRESIDENCËN E KOSOVËS KA RËNDËSI TANI

January 29, 2026 by s p

   Nga Frank Shkreli

Pothuaj 7-vjetë më parë (Tetor, 2019) Kosova kishte nevojë për një ndryshim të madh politik. Kosova e lodhur nga politikanë të vjetër nga mosha dhe më të vjetëruar nga idetë politike.  Shpresa ime në atë kohë ishte se çifti politik Osmani/Kurti — njëra Presidente e tjetri Kryeministër — të dalur nga zgjedhjet parlamentare të atij viti, bazuar në marrveshjen për koalicion midis Levizjes Vetvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Që, më në fund, përfaqësonte një brez të ri politikanësh shqiptarë, që pritej të bënte ndryshimin e madh dhe shumë të nevojshëm në politikën mbarë shqiptare. Frank Shkreli: Zgjedhjet në Kosovë: A është ky ndryshimi i madh në politikën shqiptare? | Gazeta Telegraf 

Siç dihet, periudhë e mandatit të tyre nuk qe aspak e lehtë për, shtetin e qeverinë as për popullin e Kosovës, por besoj se nuk kanë zhgënjyer. Bënë atë që ishte mundur, nën rrethanat politike dhe ekonomike, shpesh jashtë kontrollit të tyre.  Rezultati i zgjedhjeve të fundit në Kosovë, besoj se tregon se ky është edhe gjykimi i sovranit, i shumicës së votuesve vendas të Kosovës dhe votave të diasporës. Them se nuk kanë zhgënjyer duke marrë parasysh situatën e mbrendshme politike, zhvillimet ndërkombëtare dhe “shpaten e Demokleut” të Serbisë fashiste gjithmonë mbi kokën dh fatin e Kosovës. Kam shprehur bindjen time, vite më parë, se ky brez i ri politikanësh shqiptarë do të dijë t’u dalë përpara këtyre sfidave duke i menaxhuar si është më mirë dhe se do të përballonte me sukses rreziqet që i kanoseshin Kosovës dhe Kombit në fillim të mandatit të tyre. 

Ndërkohë që në zgjedhjet e fundit, sovrani i besoi shumicën e votave Kryemistrit Albin Kurti, duke e mundësuar atë të formojë qeverinë e re të Republikës së Kosovës, rizgjedhja e Presidentes Vjosa Osmani në detyrën e kreut të shtetit të Kosovës nuk është e qartë — për shkak të pazarlleqeve të flliqta ndër-partiake — ndërkohë që ajo po i afrohet mandatit të saj të ardhshëm presidencial. Vazhdimësia në detyrë e Presidentes Vjosa Osmani nuk është luks politik. Në këtë moment të historisë së Kombit kjo është një domosdoshmëri shtetërore, sidomos përabll realitetit politik në Kosovë ku politika kosovare shpesh lëkundet nga interesat dhe kalkulimet fatzeza partiake, në dëm të interesave të vendit. Në sytë e shumë ekspertëve të brendshëm dhe të jashtëm, Zonja Osmani ka mishëruar parimin e shtetit mbi partinë, duke e kthyer Presidencën — ashtu si në kohën e Presidentit Ibrahima Rugova — në një institucion përfaqsues të unitetit, e jo të pazareve politike partiake. 

Natyrisht se vazhdimësia ka rëndësi për stabilitetin e mbrendshëm, por sidomos në ruajtjen e një kursi insstitucional që i ka dhënë Republikës së Kosovës  besueshmëri ndërkombëtare si asnjpherë mëparë, veçanërsiht në marrëdhëniet e Kosovës me vendet kryesore mike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Në një shkrim për anglisht folësit — President Vjosa Osmani and the Strategic Value of Continuity in U.S.–Kosovo and EU–Kosovo Relations– para dy ditësh, sugjerova me modesti, se rizgjedhja e Presidentes Vjosa Osmani do t’i shërbente jo vetëm zhvillimit demokratik dhe forcimit të unitetit të shtetit të Kosovës, por edhe reputacionit të Republikës së Kosovës në nivel ndërkombëtar dhe se, njëkohsisht, një vendim i tillë do pritej mirë edhe nga vendet mik, në përputhje edhe me interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Prandaj me plot gojë e them se Presidentja Vjosa Osmani duhet të rizgjidhet në detyrën e saj sepse gjatë mandatit të saj, në sytë e popullit të Kosovës dhe të botës, ajo i ka dhënë Kosovës diçka të rrallë — besueshmërinë, dinjitetin shtetëror dhe qartësinë politike — si asnjëherë më parë, qoftë në zhvillimet e mbrendshme politike, por sidomos në arenën ndërkombëtare. 

Prandaj unë besoj se për të çuar përpara arritjet e deritanishme të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, më shumë se kurrë më parë, sot Kosova ka nevojë për Presidenten Vjosa Osmani, në krye të shtetit të Republikës së Kosovës.  Se është e qartë, se në një kohë sfidash të brendshme dhe presionesh të jashtme, vendi ka nevojë për stabilitet, vazhdimësi institucionale, përkushtim ndaj Kushtetutës dhe mbi të gjitha, përfaqësim dinjitoz në arenën ndërkombëtare. Presidentja Osmani është e ndërgjegjëshme, se siç është shprehur dikur Presidenti historik i Kosovës, Dr Ibrahim Rugova, “Shtëpia nuk mbahet pa miq.” 

Gjatë mandatit të saj, Presidentja Osmani ka dëshmuar se udhëheqja duhet të jetë parimore, në mmbrojtje të interesave të vendit e përgjegjshme dhe larg interesave të ngushta personale dhe partiake. Sipas disa vërejtësve të brendshëm dhe të jashtëm, në mandatin e saj, Vjosa Osmani, jo vetëm që ka mbrojtur shtetin e së drejtës, por ajo ka forcuar edhe kredibilitetin e Kosovës tek aleatët strategjikë dhe se brenda vendit ka përfaqësuar zërin e qytetarëve me seriozitet dhe integritet personal dhe zyrtar. S’do mend se një rajon të trazuar dhe në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme, vazhdimësia e këtij vizioni është jetik për të ardhmen demokratike dhe euroatlantike të shtetit të ri, Republikës së Kosovës. Kosova ka nevojë për një udhëheqëse në krye të shtetit, si një faktor bashkues që i shërben interesit publik dhe interesave të vendit në nivel kombëtar dhe jo kalkulimeve politike partiake të radhës. Edhe njëherë, në një kohë pra kur institucionet shpeshherë vihen në provë, Kosova ka nevojë për një Presidente që garanton vazhdimësi, seriozitet dhe besueshmëri shtetërore, larg interesave të ngushta partiake.

Përtej kësaj, dihet mirë roli i diasporës shqiptare në periudhat më të vështira por vendimtare për Kosovën dhe popullin e saj. Diaspora shqiptare e njeh mirë rëndësinë e stabilitetit politik dhe të përfaqësimit të denjë ndërkombëtar të Kosovës. Gjatë mandatit të saj, Presidentja Osmani ka forcuar lidhjet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, duke e paraqitur shtetin e Kosovës si një partner serioz dhe demokratik.  Mund të them me bindje të plotë se ç’prej kohës së Presidentit historik, Dr Ibrahim Rugovës, si asnjë udhëheqës tjetër i Kombit shqiptar nuk ka gëzuar respekt dhe adhurim në radhët e diasporës shqiptare pa dallim, e që të ketë forcuar lidhjet e Kosovës me bashkatdhetarët në mërgim, sa Dr Vjosa Osmani. E nepërmjet diasporës të ketë shtuar lidhjet me faktorë të rëndësishëm politikë të qeverisë federale, shtetërore dhe vendase, sidomos, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Diaspora, si gjithmonë, ka rol kyç në mbështetjen e institucioneve që garantojnë stabilitet, demokraci dhe dinjitet kombëtar në nivel ndëkombëtar, para botës perëndimore.

Zgjedhja, mendoj unë, është e qartë për Kosovën dhe për përfaqsuesit e saj politikë. Sot nuk është koha që Kosova — një shtet ende në konsolidim e sipër — të vendosë të bëjë ndryshimin, vetëm për hir të ndryshimit. Mendoj se një vendim i tillë do të ishte është një luks i rrezikshëm me pasoja të paparishkueshme për të ardhmen e afërtë të Republikës së Kosovës. Kosova nuk besoj se mund ta përballojë në këtë kohë. Prandaj, vazhdimësia në detyrë e Presidentes Vjosa Osmani mbetet e vetmja zgjedhje e pranueshme, sot për sot, për të siguruar garanci, besueshmëri dhe orientim perëndimor për Republikën e Kosovës në vitet në vijim.

Frank Shkreli

*Sa për transparencë për lexuesin, opinioni i shprehur në këtë shkrim modest është i autorit dhe nuk pasqyron, domosdoshmërisht, qëndrimet e ndonjë personi tjetër, institucionesh amerikane as të Kosovës

President Vjosa Osmani: Sepse Aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e vetmja rrugë për Kosovën – 22 Janar, 2026 – Davos

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Bruksel: Takimet intensive gjatë tubimit, “EU-Western Balkans Summit in Brussels”, 18 Dhjetor, 2025, prodhuan rezultate konkrete për vendin tonë.

1Presidentja Vjosa Osmani: “Një ditë e paharruar në Akademinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara në West Point, Nju Jork, ku breza të tërë udhëheqsish ushtarakë amerikanë dhe nga Kosova janë formuar në frymën e shërbimit, integritetit dhe sakrificës 

                             Thank you for honoring the Republic of Kosovo!

Filed Under: Politike

Kur Bibla u bë Abetare…

January 29, 2026 by s p

Një histori kulturore e misioneve protestante në Shqipëri: shkolla, shtypshkronja dhe “i huaji” që solli shqipen.

Ka një skenë që e përfytyroj si fotografi të vjetër, me ngjyra të zbehura: një i huaj zbret në një port osman, i rraskapitur nga udhëtimi, me valixhe druri dhe një dosje letrash. Nuk ka uniformë, nuk ka titull zyrtar. Ai nuk vjen të pushtojë, as të blejë tokë. Vjen me libra. Dhe në Ballkan, sidomos në shekullin XIX, kjo është më provokuese se një top: libri—sidomos libri në gjuhën e popullit—është një armë që nuk bën zhurmë, por ndryshon mendjet.

Misionet protestante u trajtuan shpesh si episod anësor: ca misionarë, ca shkolla, ca botime, ca grindje fetare. Por kur i sheh nga afër, ato duken si një motor i vogël që, pa u bërë kurrë lokomotivë, i dha një shtytje të ndjeshme vagonit të historisë kulturore. Në Shqipëri, kjo shtytje merr një formë të pazakontë: Bibla u bë abetare, predikimi u bë arsimi, dhe “misioni” u kthye në një debat publik për gjuhën, identitetin dhe të drejtën për të lexuar vetë.

Kjo histori nuk kuptohet me klishe: as me demonizimin e thjeshtë (“agjentë të huaj”), as me romantizimin naiv (“shenjtorë të dijes”). Për ta parë drejt, duhet të mbajmë tri fjalë në dorë si lupë: qëllimet, politikat, perceptimet. Qëllimet shpjegojnë pse erdhën; politikat tregojnë si u organizuan e si u urdhëruan të silleshin; perceptimet shpjegojnë pse u pritën herë si shpëtim e herë si kërcënim—dhe pse të dyja palët, herë-herë, mund të kenë pasur edhe të drejtë.

Pse vjen dikush të vdesë larg shtëpisë për një tekst?

Nëse misionarët do të ishin thjesht aventurierë, do të ktheheshin pas dimrit të parë me ethe. Nëse do të ishin diplomatët e maskuar të perandorive, do të kërkonin privilegje, karrierë dhe mbrojtje të garantuar. Por pjesa më e madhe e tyre u nisën dhe mbetën për dekada. Shumë u varrosën larg vendlindjes. Disa humbën fëmijë e familjarë nga sëmundjet. Dhe megjithatë, nuk u tërhoqën.

Motori ishte bindja fetare e Reformacionit: Sola Scriptura, Shkrimi i Shenjtë si autoritet suprem. Nëse kjo merret seriozisht, atëherë Bibla nuk mund të mbetet pronë e klerit apo e një gjuhe “të shenjtë”; ajo duhet të bëhet e lexueshme për njeriun e thjeshtë. Dhe në Ballkan, ku gjuha e kishës dhe e shkollës shpesh nuk përputhej me gjuhën e shtëpisë, kjo ide ishte tronditëse. Ajo e hapte një çarje: nëse njeriu lexon vetë, ai fillon të mendojë vetë. Dhe në shoqëri ku autoriteti shpesh mbahej përmes “mosleximit”, kjo është alarm.

Kështu, misioni fetar prodhoi pa dashje një program kulturor: nëse do tekst, duhet alfabet; nëse do alfabet, duhet shkollë; nëse do shkollë, duhet mësues; nëse do mësues, duhet gramatikë; nëse do gramatikë, duhet shtypshkronjë. Kjo është arsyeja pse misionarët, në shumë vende, u bënë edhe botues, gjuhëtarë, përkthyes, organizatorë shkolle.

Apolitikë në letër, “politikë” në rezultat

Agjencitë misionare protestante, sidomos ato amerikane si ABCFM, kishin udhëzime të rrepta: shmangie të politikës, respektim të autoriteteve lokale, disiplinë morale, raportim të rregullt. Në letër, misionari duhej të ishte i “padëmshëm”: predikim, edukim, shpërndarje librash. Por Ballkani nuk të lejon të jesh neutral. Sepse këtu gjuha është politikë, shkolla është politikë, shtypshkronja është politikë—edhe kur askush nuk do ta quajë kështu.

Në një provincë ku një shkollë në gjuhën e popullit nënkuptonte një identitet që kërkon të ngrihet, misionari mund të mos ketë synime kombëtare, por mjeti i tij i prek. Ai vjen “për shpirtin”; por i jep “alfabetin”. Ai vjen “për qiellin”; por ndërton “bankat e shkollës”. Dhe në Ballkan, bankat e shkollës janë një ushtri e heshtur.

Shqipëria: vendi ku rreziku quhej denacionalizim

Shqipëria e shekullit XIX ishte një paradoks: një popull me gjuhë të përbashkët, por pa institucione të forta arsimore në gjuhën e vet. Në shumë hapësira, gjuha e shkollës dhe e kishës ishte e huaj për gjuhën e shtëpisë. Kështu, frika kryesore e shumë prindërve nuk ishte “feja e re”, por humbja e gjuhës, pra denacionalizimi.

Kjo është pika ku misionari protestant fiton një terren të papritur: ai nuk ka “gjuhë të shenjtë” për të mbrojtur. Përkundrazi, teologjia e tij e kërkon gjuhën e popullit. Kështu, predikimi dhe botimet në shqip, sado që kishin synim fetar, u interpretuan shpesh si mbështetje e shqipes. Kjo nuk e bën misionarin rilindës automatikisht; por e vendos në një nyje ku rrugët kryqëzohen.

Kristoforidhi: Bibla si laborator i shqipes moderne

Nëse Qiriazët mishërojnë institucionin—shkollën—atëherë Kostandin Kristoforidhi mishëron tekstin: përkthimin. Ai nuk është i rëndësishëm vetëm si figurë albanologjike, por si provë se një projekt fetar mund të shndërrohet në ngjarje gjuhësore.

Shoqëritë biblike protestante donin përkthime të sakta e të kuptueshme. Kristoforidhi, duke punuar mbi tekstet biblike, i dha shqipes një provë të madhe: një tekst të gjerë, të sistemuar, të aftë të mbajë idetë e mëdha. Në një kohë kur shqipja ishte e përçarë dialektalisht dhe e mënjanuar institucionalisht, kjo punë ishte si vendosje e një shtylle në tokë: “kjo gjuhë mund të shkruhet seriozisht”.

Por Bibla në shqip nuk ishte thjesht tekst. Ishte sfidë e autoritetit. Sepse individi që lexon vetë është individ që pyet vetë. Dhe pyetja është fillimi i modernitetit. Kështu, për disa autoritete tradicionale, “Bibla në shqip” nuk ishte vetëm çështje gjuhe; ishte çështje pushteti shpirtëror e kulturor.

Qiriazët: kur misioni u kthye në shkollë shqipe dhe emancipim vajzash

Në historinë shqiptare ka disa emra që nuk i përkasin vetëm një kapitulli, por bëhen urë mes kapitujve. Familja Qiriazi është e tillë: Gerasim, Sevasti dhe Parashqevi, me profil të formuar në mjedise protestante, u kthyen në aktorë të arsimit dhe kulturës shqipe.

Gerasimi e kuptoi një të vërtetë të thjeshtë: predikimi në shqip nuk është vetëm liturgji; është akt kulturor. Fjala “e shenjtë” kur thuhet në gjuhën e nënës e bën njeriun të ndihet subjekt, jo objekt. Dhe ky ndryshim psikologjik është i madh. Ai i heq ndërmjetësit monopol.

Por pika ku kjo histori bëhet konkrete, e prekshme, është Shkolla e Vajzave në Korçë (1891), e hapur nga Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi. Për një shoqëri ku vajza kishte rol të mbyllur, kjo ishte më shumë se shkollë—ishte një ide e re për jetën: vajza që lexon, vajza që shkruan, vajza që mund të bëhet mësuese, vajza që mund të edukojë brezin tjetër në shqip.

Dhe këtu ndodh diçka me vlerë kulturore: shkolla shqipe e zvogëlon kufirin e fesë. Vajza nga familje të ndryshme fetare ulen në të njëjtën bankë, sepse për prindërit, shqipja është “strehë” më e rëndësishme se dogma. Në këtë kuptim, misioni protestant—që në logjikën e vet kërkon lexues të Biblës—krijon një armatë të re lexuesish të shqipes. Një “nënprodukt” që bëhet produkti kryesor historik.

Pikërisht për këtë, kundërshtimi ndaj Qiriazëve nuk ishte gjithmonë teologjik. Shpesh ishte frikë nga efekti kulturor: arsimi shqip e zvogëlon varësinë nga qendrat e huaja kulturore, dobëson mekanizmat e kontrollit. Dhe ku ka kontroll, ka edhe rezistencë.

Protestanti jashtë mileteve: liri e re në një rend të vjetër

Një detaj juridik shpesh i anashkaluar i jep kësaj historie një shtresë tjetër: protestantët, sidomos pas Tanzimatit, u njohën si komunitet i veçantë në Perandorinë Osmane. Kjo i vendosi në një status të pazakontë: ligjërisht të pranueshëm, por pa trashëgimi shekullore institucionale, pa “gjuhë liturgjike” të detyrueshme, pa detyrim për të ruajtur identitete të kodifikuara.

Kjo i bëri më të lëvizshëm. Një kishë tradicionale shpesh mbron privilegjet dhe gjuhën e trashëguar; një lëvizje e re, pa privilegje historike, ka më pak për të humbur. Kështu, protestantët mund të përdornin më lehtë gjuhën vendase në predikim e shkollë. Kjo nuk i bënte “revolucionarë politikë”, por i bënte praktikë: atje ku të tjerët hezitonin, ata e shihnin gjuhën e popullit si mjet të natyrshëm. Dhe në Shqipëri, kjo kishte peshë të madhe.

Misioni që humbi numra, por fitoi histori

Ka një mënyrë të gabuar për ta matur këtë fenomen: “sa u konvertuan?”. Në Shqipëri konvertimet ishin të pakta. Protestantizmi nuk u bë masë. Por ndikimi i tij ishte më i madh se numrat sepse ai veproi aty ku shoqëria kishte nevojë urgjente: te gjuha, te shkolla, te libri, te emancipimi i vajzës.

Nëse e shohim protestantizmin shqiptar si katalizator, kuptojmë më shumë: katalizatori nuk bëhet substanca kryesore e reaksionit, por e përshpejton ndryshimin. Ai krijon kushte, hap hapësira, fut mjete. Dhe në këtë histori, mjeti më i rëndësishëm nuk ishte “polemika fetare”, por kultura e leximit.

Prandaj, kur thuhet “Bibla u bë abetare”, nuk po bëhet metaforë e zbukuruar. Po përshkruhet një realitet: në një shoqëri ku shqipja kërkonte bankë shkolle, shtypshkronjë dhe tekst të qëndrueshëm, projekti protestant—me gjithë synimin e vet fetar—e ndihmoi shqipen të marrë trup institucional. Kjo është arsyeja pse kjo histori duhet treguar pa mllef ideologjik: as me dyshimin e verbër, as me lavdërimin e verbër. Misionet protestante erdhën për Ungjillin; por në Shqipëri, shpesh u bënë edhe shkollë. Erdhën për shpirtin; por prodhuan alfabet. Dhe në një vend ku moderniteti fillon nga leximi, ky është një kapitull që nuk mund të lihet në fund të faqes si shënim anësor.

Nga Rafael Floqi

Filed Under: Histori

Franz Kafka, dhuna e modelimit dhe integriteti i pandryshueshëm i vetvetes

January 29, 2026 by s p

Albert Vataj/

​Në korrespondencën e tij drithëruese, mbledhur te “Letra Felices”, Franz Kafka shtron një nga dilemat më vrasëse të raporteve njerëzore, tentativën insistuese për të tjetërsuar tjetrin. Kafka, ky mjeshtër i zbërthimit të ankthit dhe shndërrimit, na paralajmëron se insistimi për të ndryshuar dikë në imazhin e dëshirave tona nuk është akt dashurie, por një formë e hollë e terrorit psikologjik.

​

​Kafka shkruan me një prerje kirurgjikale se “Duhet t’i marrësh njerëzit ashtu siç janë ose t’i lësh ashtu siç janë. Nuk është e mundur t’i ndryshosh; vetëm mund të prishësh ekuilibrin e tyre.” Kjo fjali mbart një peshë paralajmëruese. Për Kafkën, individi nuk është një objekt plastik që mund të rimodelohet sipas tekave tona. Kur ne tentojmë të “ndreqim” dikë, ne nuk po e përmirësojmë atë, por po godasim qendrën e rëndesës së shpirtit të tij. Rezultati nuk është një njeri “më i mirë”, por një qenie e nxjerrë nga binarët, një integritet i thyer që humbet busullën e vetvetes.

​Thellimi i Kafkës merr përmasa pothuajse biologjike kur ai shpjegon natyrën holistike të njeriut, sipas të cilit”Një qenie njerëzore, në fund të fundit, nuk përbëhet nga pjesë unike, nga të cilat një e vetme copë mund të hiqet dhe të zëvendësohet me diçka tjetër. Përkundrazi, ajo është një e tërë dhe nëse e tërheq njërin skaj të saj, tjetra, ju pëlqen apo jo, fillon të tkurret.”

​Këtu Kafka godet iluzionin tonë se mund të ndryshojmë te tjetri vetëm “atë pjesë që nuk na pëlqen”. Ai na kujton se njeriu është një sistem i ndërlidhur, nëse tenton të zhbësh një dobësi, mund të jesh duke asgjësuar njëkohësisht edhe burimin e forcës së tij. Ky reagim “tkurrës” nuk është thjesht një qëndresë aktive apo kokëfortësi, është një reagim ontologjik. Njeriu tkurret sepse po mbron bërthamën e tij, të vërtetën e tij të vetme, përballë një domosdoshmërie të huaj që kërkon ta tjetërsojë.

​

​Polemikë e Kafkës qëndron te dëshmimi i një të vërtete tragjike, njerëzit nuk mund të jenë “të tjerë”, edhe nëse duan. Dhuna që ushtrohet mbi ta për t’i bërë të përshtatshëm, të bindur apo “idealë”, ndeshet me murin e pamundësisë ekzistenciale.

​Sipas Kafkës, kjo prirje njerëzore për të dominuar formën e tjetrit ka pasoja kërcënuese. Ajo krijon individë që jetojnë nën hije, të huaj ndaj vetes, duke dëshmuar se sa më shumë kërkojmë ta bëjmë tjetrin “tonin”, aq më shumë e detyrojmë atë të pushtojë një zbrazëti ku as ai dhe as ne nuk gjejmë dot paqe.

​Në thelb, mësimi i Kafkës është një thirrje për përulësi. Të pranosh tjetrin në tërësinë e tij të paprekshme është e vetmja mënyrë për të ruajtur shenjtërinë e njeriut. Çdo përpjekje tjetër është thjesht një mënyrë për të thyer një shpirt në emër të një egoizmi që e maskojmë si kujdes.

Filed Under: ESSE

Çështja shqiptare preokupim politik e kombëtar

January 28, 2026 by s p

Nder individët e dalluar në mërgatën shqiptare në SHBA, bën pjesë edhe Xh.Zeneli i cili veçohet me publikimin e artikujve, eseve, analizave e vështrimeve në media të shkruara e elektronike në një periudhë prej tri dekadave. Deri me tash opinionit i është prezantuar me tre botime të veçanta; Diaspora dhe vendlindja(2011), Shqiptarët në Mal të Zi-popull i rrezikuar(2019) dhe Diskursi politik dhe kombëtar(2023).

Nail Draga

Si librat e mëparshëm edhe ky i fundit preokupim kryesor ka pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi, si popull autokton dhe numërikisht i vogël në krahasim me popullsinë e përgjithshme ne këtë mjedis. Por, pavarësisht rrethanave shoqërore e politike në Mal të Zi, shqiptarët arriten të sfidojnë politikën e pushtetit duke mbijetuar, çështje e cila trajtohet nga autori në shumë aspekte në këtë botim.

Koha e ndryshimeve

Një qasje e tillë nga autori nuk ka si të jetë ndryshe sepse ai në një kohë të shkurtër nga viti 1990/1991 ishte deputet në parlamentin e parë pluralist në Mal të Zi, duke qenë përfaqësues autentik i shqiptarëve përmes LDMZ. Kemi të bëjmë me kohën e ndryshimeve të mëdha shoqërore e politike pas dështimit të ideologjisë komuniste e sistemit socialist edhe në Mal të Zi, përkatësisht në ish Jugosllavi.

Ndonëse në Mal të Zi ligjërisht u miratu pluralizmi politik, por të pushtetarët vazhdonte mentaliteti i kohës së monizmit, sepse pushtetin e kishte ajo parti që ishte më parë, por kësaj here me emër të ndryshuar, nga LKJ në PDS. Në parlamentin e parë pluralist në Mal të Zi i dalë nga zgjedhjet e mbajtura me 9 dhjetor 1990, shqiptarët u përfaqësuan me katër deputet si përfaqësues autentik të tyre. Dhe nga ata për të parën herë në parlament u dëgjua për kërkesat e shqiptarëve për barazi qytetare e kombëtare sipas standardëve ndërkombëtare, e jo sipas klisheve të kohës së monizmit.

Tema autentike

Artikujt e prezantuar në këtë botim përfshijnë përiudhen kohore prej vitit 2017-2021, duke ofruar të dhëna me interes për shqiptarët në hapësirën e tyre etnogjeografike. Në këtë koncept është koncipuar edhe libri të cilin autori e ka ndarë në gjashtë pjesë. Një veprim i tillë është i logjikshëm, sepse sëcili kapitull ka tema të cilat janë autentike për mjedisin përktatës.

Përmes vështrimeve e analizave, autori ofron të dhëna duke demaskuar politikën e pushtetetëve si në Mal të Zi, Kosovë, Shqipëri, Ulqin,duke përfunduar me mërgatën shqiptare në SHBA dhe me reflektime, që janë dëshmi e diskursit në mbrojtje të të drejtave të shqiptareve në Mal të Zi.

Mërgata e preokupuar për vendlindjen

Ndonëse i angazhuar në punën e përditshme, Xh.Zeneli nuk ka qenë statik, por ka përcjellur me kujdes rrethanat shoqërore e politike jo vetëm në vendlindje por edhe me gjerë në hapësirën etnogjeografike shqiptare. Çështjet e trajtuara nuk janë vetëm të dimensionit lokal por me gjerë, ku pozita dhe statusi i shqiptarëve janë çështje preokupuese edhe për mërgatën shqiptare, sepse me të drejtë është pritur që në pluralizëm të ndodhin ndryshime pozitive sipas standardëve ndërkombëtare.

Por, të gjithë jemi dëshmitarë se mentaliteti i kohës së monizmit ka infektuar skenën politike ku pasojat janë të pranishme edhe në pluralizëm. Edhe pse nuk mund të mohohen disa ndryshime, por ato ma së shumti janë kozmetike, sepse shqiptarët në Mal të Zi, kërkojnë barazi qytetare e kombëtare si kudo në vendet demokratike.

Pikërisht në lidhje mbi këtë çështje autori na ofron të dhëna me interes në lidhje me mërgatën shqiptare duke propozuar një program të veprimit të tyre në raport me trojet etnike shqiptare në Mal të Zi, si dhe t´iu mundësohet diasporës shqiptare votimi nga vendi i tyre i qendrimit dhe përfaqësimin e tyre jopolitik në kuvendet përkatëse në vendlindje. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë do ta afronte mërgatën me vendlindjen, me mundësi reale të investimit dhe rikthimit të tyre në vendlindje.

Çështja shqiptare në Kongresin amerikan

Në lidhje mbi këtë çështje me interes janë të dhënat për Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane(LQSHA) lidhur me të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi drejtuar nga presidenti i saj z.Joseph Dioguardi dhe znj.Shirley Dioguardi, këshilltare për çështje të Ballkanit. Ishte meritë e mërgimtarëve tanë në SHBA dhe LQSHA, së bashku më kongresmenin Tom Lantosh, që vizituan viset shqiptare në Mal të Zi në fillim të muajit gusht 2003, për tu njoftuar në mënyrë të drejtpërdrejt me pozitën dhe statusin e shqiptarëve në këtë mjedis. Po ashtu në sajë të angazhimit të LQSHA, në Kongresin Amerikan(Komisioni për të drejtat e njeriut, drejtuar nga Tom Lantosh, në Washington DC me 30 tetor 2003, është organizuar një seancë dëgjimore me temën “E ardhmja e shqiptarëve në Mal të Zi”,ku kanë kumtuar Sh.Dioguardi, Xh.Zeneli, N.Draga dhe A.Lajçaj.

Një organizim i tillë ishte i arsyeshëm, sepse pas zgjidhjes së çështjes së Kosovës, edhe ndaj shqiptarëve në Mal të Zi, duhej ngritur zërin për të njoftuar opinionin politik në SHBA, se shqiptarët kërkojnë të realizohet barazia qytetare e kombëtare sipas standardëve ndërkombëtare, ku roli i mërgatës sonë atje si më parë edhe tash ka një rol të veçantë.

Përfundim

Duke lexuar këtë libër del qartë se çështjet e trajtuara kërkojnë zgjidhje të drejt, por për diçka të tillë duhet të egzistojë vullneti politik i pushtetit. Në këtë aspekt përgjegjësi kanë edhe subjektet politike të shqiptarëve në Mal të Zi, që janë pjesë e qeverisë nga viti 1998, të cilët duhet të jenë këmbëngulës në kërkesat e ligjshme në lidhje me avancimin e pozitës dhe statusit të shqiptarëve në këtë mjedis.

Çdo hezitim në këtë drejtim nuk mund të arsyetohet me asgjë, sepse ata aty janë votuar e zgjedhur për të mbrojtur interesat e shqiptarëve e jo ato personale. Por, derisa pushteti heziton të ballafaqohet me kërkesat legale dhe të ligjshme të shqiptarëve, për barazi qytetare e kombëtare çështja shqiptare në Mal të Zi mbetet e hapur.

Pikërisht duke marrë parasysh këtë diskurs politik e kombëtar, nuk ka dilemë së autori do të vazhdojë me publikimin e artikujve të ndryshëm, që pa dilemë do të jenë pjesë e librit të radhës.

(Janar 2026)

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 92
  • 93
  • 94
  • 95
  • 96
  • …
  • 2930
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT