• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjergj Kastrioti- Skënderbeu në Gjakovë

May 4, 2024 by s p

“Simboli i unitetit shqiptar dhe lidhjes sonë të përhershme me Perëndimin, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, Gjenerali që është frymëzim për secilin shqiptar e trashëgimia e së cilit frymëzoi përpjekjet tona për liri përgjatë shekujve nga sot do i bëjë roje Gjakovës heroike.

Mirënjohës kryetarit Ardian Gjini dhe donatorit Gjergj Prenkoçaj për këtë vepër patriotike dhe të domosdoshme” – Ramush Haradinaj

Filed Under: Kronike

HOMAZH PËR BILAL XHAFERRIN

May 4, 2024 by s p

Uran Butka/

Kur vallë sërish do të kthehem?

Nuk u kthye dot në atdhe sa qe gjallë, poeti dhe prozatori i shquar, Bilal Xhaferri, të cilit ia nxiu dhe rrezikoi jetën regjimi komunist, aq sa ai i braktisi vendin e njerëzit e tij, por nuk i harroi për asnjë çast. U kthye tashmë i vdekur, për t’u çmallur e për t’u prehur në tokën mëmë. Bir i Ninanit të Konispolit, që ka nxjerrë njerëz të njohur, ndër ta edhe rilindasin e madh Hasan Tahsini, Bilali trashëgoi traditën patriotike dhe kulturore të Çamërisë, fatin tragjik të saj, vetëdijën e qëndresën shqiptare si edhe talentin dhe kurajën për t’i përjetësuar ato.

Fati tragjik i çamëve, që u përndoqën, u vranë dhe u përzunë dhunshëm nga vatrat e tyre prej ultrashovenëve grekë, si edhe jeta e tyre e pasigurt, e trazuar dhe e përbuzur nga regjimi i Enver Hoxhës, ishte njëherësh edhe fati i Bilal Xhaferrit. Babanë ia pushkatoi pushteti komunist qysh më 1945 si nacionalist dhe kundërshtar politik. Mbeti jetim me tri motra të mitura dhe pa asnjë mbështetje përveç gjyshit, që u shpall kulak dhe iu sekuestrua pasuria. U rrit në mjerim dhe poshtërim të vazhdueshëm. Pasi kreu shkollën 7-vjeçare, u detyrua të largohej nga vendlindja për të punuar dhe për të gjetur një fat më të mirë. Punoi si hamall në Sarandë, punëtor e normist në Sukth, ndërtues në Ulzë, meremetues i rrugëve në Rrëshen, Krujë etj, ndërkohë që kreu edhe një shkollë teknike për ndërtim, meqenëse nga gjimnazi e kishin përjashtuar si të deklasuar. I sfilitur nga punët më të rënda, urrejtja klasore dhe lufta e përbindshme e klasave që e ndoqën këmbakëmbës, i plandosur nga varfëria , vetmia, pluhuri i rrugëve dhe era e ziftit, i privuar nga shoqëria, dashuria dhe gëzimet e jetës, por i privilegjuar dhe i zgjedhur i Muzës, Bilal Xhaferri e kapërceu me guxim e vullnet titanik rrezikun e ambientimit me të keqen, të nënshtrimit e të përdorimit nga pushteti, të vegjetimit e të kotësisë. Mbijetoi dhe u shqua në sajë të geneve, vullnetit, librit dhe talentit.

Im vëlla, Iljazi, topograf që kishte shkelur në gjithë vendin, e kishte takuar rastësisht Bilalin rrugëve si puntor i mirëmbajtjes dhe i kantiereve të ndërtimit. Ai më rrëfente me simpati se shpesh e gjente duke lexuar libra në rrugë, i mbështetur te bishti i lopatës, apo duke shkruar pa e ngritur kokën nën tymtajën, gërhitjen dhe zhurmën e barakave të puntorëve.

Poezitë dhe tregimet e para në fillim të viteve ’70 dhe libri befasues “Njerëz të rinj- tokë e lashtë” ishin për mua një rrufe në qiell të kthiellët dhe autori – një meteor në djegie e sipër.

Me krijimtarinë e tij të mrekullueshme, larg skematizmit dhe ideologjizmit të letërsisë së realizmit socialist, Bilal Xhaferi dilte në pah si shkrimtar e poet i talentuar, original e antikonformist, por vihej edhe përballë inkuizitorëve të letërsisë e artit, gjithaq edhe xhelozisë vrastare të shkrimtarëve mediokërr të oborrit.

Unë nuk dija gjë nga këto, sepse punoja larg kryeqytetit. Vija çdo fundjavë në Tiranë, ku kisha familjen. Im vëlla që atëherë punonte inxhinier në fermën “Gjergj Dimitrov”, më tregoi një ditë se Bilali, punëtor krahu për pak kohë në atë fermë, megjithëse qe trupvogël dhe i dobët, e kishte rrahur keq operativin e sigurimit B.Shahu, nga që ky i ishte qepur gjithë kohës, e fyente, e provokonte dhe s’e linte të qeë për asnjë çast. Nuk e arrestuan se i dolën në mbrojtje im vëlla dhe punëtorët e fermës, që gjithashtu ishin të përndjekur.

Një ditë , miku im, Sherif Delvina, më tha se Bilali po shkruante një roman për Skënderbeun te hotel “Çajupi”. Aty punon dërçe, pasi kthehet nga puna në fermë, më tha ai. Del sa për të marrë ndonjë ushqim të thatë dhe mbyllet brenda… Unë po tundohesha nga padurimi për ta njohur, por edhe për ta ftuar në një takim me nxënësit e gjimnazit të Krujës. Ishte viti 1967. Një të diel, kur kishte një ndeshje të rëndësishme sporti dhe njerëzit ishin të përqëndruar atje, unë shkova tek hoteli, që ishte i heshtur e i zbrazur dhe i fola urtë e butë portierit se doja të shkoja tek ai shkrimtari “që rron veç me ujë”. I kam sjellë diçka për të ngrënë, i thashë. Më lejoi. Ngjitu lart, dhoma 109, më tha. Edhe numrat e dhomave janë të kamufluara, të fshehta, mendova. Numërimi i tyre niste nga njëqinta për të rrëfyer sesa shumë dhoma kanë hotelet tona të rënuara e të qelbura. Trokita disa herë te dera , që u çel me vonesë. I thashë kush isha dhe pse kisha ardhur, por ai hezitoi. Jam i vëllai i Iljazit, i thashë. Ai e çeli derën përgjysmë dhe unë hyra brenda. Dhoma ishte e vogël, me një dysheme dërrase të vjetër e të kalbur, që kuiste nën këmbë. Edhe orenditë e pakta ishin të ronitura. Tavolina e mbushur çrregullt me libra dhe dorëshkrime. Mbi komodinë, një letër e çmbështjellë me pak bukë dhe djathë… M’u kujtua Serembja. U ula mbi krevat, ndërsa ai në karike.

I thashë se isha mësues letërsie në Krujë dhe se e ftoja për një bashkëbisedim me nxënësit e rrethit letrar të gjimnazit. Kishim bërë takime me disa shkrimtarë të njohur, dhe, ndonëse Bilali nuk ishte në programin mësimor, ne dëshironim ta njihnim dhe debatonim veprën e tij letrare. Nxënësit krutanë janë veçanërisht të interesuar dhe duan të dinë më shumë për romanin mbi Skënderbeun, që po shkruan, i thashë… Është i ngritur mbi tragjedinë e Beratit, m’u përgjegj. Aty janë edhe heroizmi, edhe tradhtia, edhe masakra, edhe pavdekësia, shtoi ai. Lirinë e kemi paguar shtrenjtë dhe do ta paguajmë ende. ..Mos e kishte fjalën për Kosovën? Ndoshta edhe për lirinë tonë të munguar…

M’u kujtuan vargjet e Bilalit për Kosovën e përgjakur, fatnjëlloj si Çamëria;

Kosova

e mbetur në udhëkryq të historisë.

Kosova

ku shqiptarët flasin një gjuhë

dhe dëgjojnë dy gjuhë,

edhe gjuhën e mëmës

edhe gjuhën e UDB-së.

Pas Çamërisë e Kosovës,

ku mbetet Shqipëria?

Mua më kishte bërë përshtypje të jashtëzakonshme veçanërisht “Ballada Çame”

, që e kisha lexuar me një frymë te gazeta “Zëri i Rinisë”. E njoh çështjen çame, i thashë, po tragjizmin e saj e gjeta të realizuar artistikisht dhe emocionalisht te Balada Çame, në të vërtetë tragjizmin e çështjes sonë kombëtare të pazgjidhur dhe të njeriut shqiptar në shekuj. I dija përmendësh vargjet e baladës dhe hera-herës citoja ndonjë: “Në kullotat e braktisura të saj, kullosin rrufetë…Ne, popull muhaxhir, ecim nëpër shi… Dhe të gjitha udhët tona shpien në veri…Na e tregojnë drejtimin plumbat… Na e ndriçojnë udhën flakët…” Çfarë drame, çfarë metaforash!

Kisha marrë edhe unë flakë… Do të ishte më mirë t’ua thoshe nxënësve, sesa mua, më ndërpreu me buzëqeshje Bilali. Më solli në vete. Kisha dëshirë të madhe t’i flisja edhe për tregimet e tij “Njerëz të rinj, tokë e lashtë”, sidomos për “Purpurantin” , por ai ma preu hovin. Ishte njeri modest, por edhe i prerë, nuk i pëlqenin lëvdatat, teprimet.

Gjithsesi u gëzua për ftesën, që e pranoi me kënaqsi. Por nuk erdhi kurrë. Ashtu rrodhën ngjarjet. Pas diskutimit në Lidhjen e Shkrimtarëve, Bilalin e morri rrëpira.

Kështu, vëllimi poetik “Lirishtja e kuqe” e shtypur më 1967, u ndalua të shpërndahej dhe u dërgua në brumatriçe, për t’u kthyer në karton. Edhe romani historik “Krastakrahus”, shkruar me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, e pësoi më keq . Nuk u botua fare, mbasi u end nga një zyrë censure në tjetrën, nga një redaksi në tjetrën.

Dënimi me mosbotim ishte vdekja shpirtërtërore e autorit, përndjekja politike ishte vdekja morale e fizike e tij. Pushtetarët e kuq e shpallën reaksionar, armik, provokator.

E internuan në Hamallaj të Durrësit, e izoluan dhe e survejonin në çdo hap që bënte, me çdo njeri që takonte. Natyrisht që do të përfundonte në burg. Operativët e Sigurimit të Shtetit dhe spiunët e fshehtë nuk i ndaheshin.

Bilal Xhaferrin e priste hapsana. Dhe jo vetëm atë. Shqipëria ishte kthyer e gjitha në burg dhe në geto përqendrimi.

…Rrugëve të Atdheut

si kukuvajka nën hënë,

leh e ulurin

gazi “69”,

shkruan me dhimbje poeti. Dhe me dhimbje u largua nga ky atdhe. U arratis në vitin 1969. Por edhe në dhe të huaj, ai e vijoi përpjekjen e tij kombëtare dhe letrare. Në Çikago nxorri revistën letrare “Krahu i shqiponjës”, ku u botua edhe pjesa më e madhe e shkrimeve të tij, në vazhdën e Konicës dhe Nolit. Por edhe atje e ndoqën falangat e Sigurimit të Shtetit, sepse Bilal Xhaferri ishte një rrezik potencial për regjimin komunist të E. Hoxhës, një nacionalist i spikatur, një dëshmitar i tmerrit shqiptar nën diktaturë, por edhe një penë e fuqishme, një artist antikomunist. E plagosën, i dogjën studion dhe shkrimet, edhe ia bënë jetën të pasigurtë edhe në Amerikën e lirë. Ndoshta edhe e vranë, si mjaft personalitete të tjera disidente të Ballkanit e të Europës. Vdiq në rrethana ende të panjohura mirë në vitin 1986.

“Kur vallë sërish do të kthej?” pyeste ai edhe i vdekur, përmes vargjeve të tij.

Ne e dëgjuam zërin e tij dhe e kthyem në Atdhe.

Eshtrat e tij do të prehen në tokën mëmë.

“Kur vallë sërish do të kthej?”

U kthye sërish tek ne vetë Bilal Xhaferri, i gjallë. (Ligjeratë e mbajtur me rastin e kthimit në Atdhe të eshtrave të Bilal Xhaferrit, maj 1995)

Filed Under: Politike

Britania dënon sulmin në Banjskë

May 3, 2024 by s p

Nga Mimoza Dajçi

Photo: Daily Mail/

Një lajm shumë i mirë vjen nga Dhoma e Ulët e Parlamentit të Britanisë së Madhe pas miratimit të një mocioni për Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën propozuar nga deputetja Alicia Kearns, me të cilën Britania mbështet integritetin territorial të Kosovës dhe dënon sulmin në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës.

Takimet dhe përpjekjet e vazhdueshme të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, Kryeministrit Albin Kurti, Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla Schwarz dhe Ambasadorit Blerim Reka në New York me SHBA, Institucionet Ndërkombëtare dhe takimet me komunitetin shqiptar në SHBA, ishin të një niveli të lartë dhe denoncues të fortë për integritenin territorial të Kosovës dhe për sulmin në Banjskë ndaj policisë së Kosovës si një ndikim direkt për krejt Sigurinë në Ballkanin Perendimor.

Deputetja Kearns kërkoj që kjo Dhomë të lëvizë në njohjen e situatës akute të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, të mbështesë integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, të dënojë sulmin e militantëve nacionalistë serbë në Banjskë në Kosovë më 24 shtator 2023”, thuhet në mocionin e propozuar nga deputetja Kearns, i miratuar në Parlamentin Britanik.

Deputetja Alicia Kearns në fjalimin e mbajtur gjatë debatit mbi sigurinë në Ballkanin Perëndimor ka folur rreth sulmit në Banjskë, anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Asociacionin dhe kërcënimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiç. Kearns ka bërë të ditur se SHBA ka përfunduar një raport mbi përgjegjësit e sulmit në Banjskë, i cili ende nuk është publikuar. Ajo tha se ky raport duhet të publikohet për t’u ditur e vërteta rreth sulmit për të cilin përgjegjësinë e mori Milan Radojçiç, i kërkuar tashmë nga INTERPOL-i dhe i cili gjendet i lirë në Serbi.

Referuar zyrës së KP, deputetja britanike ka thënë se Kosova i ka përmbushur obligimet e saj demokratike dhe anëtarësimi i saj në Këshillin e Evropës do të shënonte një moment historik, teksa për formimin e Asociacionit të komunave serbe ka thënë se nuk mund të ketë një republikë tjetër serbe në Ballkan.

Filed Under: Emigracion

REGJISORI I TVSH-SË, MJESHTRI JANI TANE

May 3, 2024 by s p

“Jetova aq sa punova” – Volfang Gëte

Nga Fuat Memelli/

Janë disa regjisorë të Televizionit Shqiptar që me punën dhe talentin e tyre, kanë lënë gjurmë të pashlyera në krijimtarinë televizive. Po përmend disa nga brezi i vjetër të cilët i kam njohur nga afër në vitet që punoja në TVSH si: Mevlan Shanaj, Albert Minga, Vera Grabocka, Osman Mula, Esat Teliti, Myzejen Nepravishta, Gjergj Rita, Leonard Gjata, Dhoksi Teta e Kujtim Meçe.

(Të më falë ndonjëri që nuk më kujtohet emri). Kësaj plejade i përket edhe regjisori i njohur, Jani Tane. E takova këto ditë në Toronto ku kishte ardhur te vajza, ndërsa unë te djemtë. Biseduam gjatë. Kujtuam me mall shokë e shoqe të TVSH-së. E ngacmova për të më thënë diçka për punët e tij në Shqipëri dhe në emigracion, ku me kamer në dorë vazhdon të punojë si një djalë i ri, megjithëse është në moshën 75 vjeçare dhe e ka mbuluar bora e thinjave. Të shumta janë punët e tij në TVSH si dokumentarë, konkurse dhe gjini të tjera artistike si teletregime,koncerte të Vitit të Ri dhe katër filma artistikë si “Gjyshi partizan” ,”Edhe ne luftuam”,Ngjarje në liqen,”Prindër të vegjël” dhe telekomedia “Pak fresk sonte”, punë të cilat janë në arkivin e RTSH-së.

Në vitin 1998 emigron në Itali, duke iu bashkëngjitur familjes. Për mbijetesë në fillim bën punë të thjeshta si portjer nate në hotel,ndihmës kuzhinier, etj. Bën përpjekje për të gjetur mbështetje në kanale televizive,provon si telekronist në një kanali tv në Perugia ,”TEF” “Enrico Fermi” ku i transmetojnë telereportazhin “ Katër stinët “ e A.Vivaldit, xhiruar me detaje të çdo stine në qytetin Assisi, ku ka jetuar e punuar. Realizon dokumentarë për piktorët e qytetit .Bashkëpunon me studiuesin e antikitetit, Kol Marku dhe realizon dokumentarët “ Trokitje në Iliri” për mbretin Genti i cili ka varrin monomental në Gubbio. Vazhdon me dokumentarë të tjerë siç është ai për etruskët në Orvieto dhe Tarquinia, atë me titull “Bujtina,e fundit”, kushtuar ndarjes nga jeta në hotel “ Brufani” në Perugia , të Atit të Pavarësisë, Ismail Qemalit.Perveç lëvrimit të gjinisë së dokumentarëve, ka xhiriuar dasma dhe ngjarje të komunitetit shqiptar në Itali. Në vitin 2006 krijon studjon e tij private me emrin” Nostalgjia” dhe bën vetë regjisorin, operatorin, montazhierin, folësin dhe formulimin muzikor.

Kohët e fundit ka disa projekte e po përpiqet t’i realizojë dokumentarin “Gjuha e Skënderbeut në Kalabri” në komunën e Frashinetos dhe një mbrëmje gala me artistët dhe intelektualët e suksesshëm të biznesit në Ontario të Kanadasë. Bashkëpunon me Shoqatën Shqiptaro- Canadeze në Toronto, etj.

Duke biseduar në studjon e tij, pamë telereportazhin “ Artisti i heshtur” kushtuar piktorit dhe skulptorit shqiptar të njohur, Hytbi Tarelli, me origjinë nga fshati Braçanj i Devollit, ndarë nga jeta pak vite më parë.

Si çdo emigrant mban lidhje me Shqipërinë. Kur shkon në Tiranë takon shokët e vjetër të TVSH- me të cilët ka punuar për vite me rradhë. Si djalë “ pe Korçe” shkon në qytetin ku lindi dhe u rit. “ Magneti” i televizionit e tërheq dhe shkon takon miq të tij në TVSH “ Korça”. Bisedon për punët e tyre dhe si “ usta” i vjetër i kësaj fushe i jep mendime. Para tre vjetësh i fali këtij televizioni 12 dokumentarë të tij duke ia dorëzuar ish drejtorit, Muharrem Meko. Vjet ishte përsëri në Korçë dhe takoi Muharremin dhe drejtorin e ri të TVSH së këtij qyteti, ish studentin e tij, Sadush Ylli.

Me përkushtimin e tij për punën, Jani Tane ka bërë të vetën thënien e Romain Rolland:” Gjithë gëzimi i jetës është puna krijuese. Të krijosh do të thotë të vrasësh vdekjen.”

Filed Under: Komunitet

Autokrati Rama i ka prerë krahët lirisë së informacionit!

May 3, 2024 by s p

Bujar Leskaj/

Sot më 3 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, gazetarët dhe mbarë vendi ynë, vijnë kokëulur në bilancin e lirisë së të shprehurit dhe mungesës së censurës, të hapur apo të fshehtë, për të thënë atë që mendon në Shqipëri.

Në mbarë botën e qytetëruar, të zhvilluar dhe demokratike, shtypi dhe media e lirë konsiderohen si dritarja që shërben për të zbuluar abuzimet e qeverisjes mbi fondet publike dhe mbi të drejtat themelore të njeriut.

Shtypi dhe media e lirë përfaqësojnë realisht lirinë e shprehjes në një vend. Mungesa e lirisë së shtypit dhe medias ndikon mbi të gjitha liritë tjera themelore. Kjo është njëra nga liritë e para dhe përcaktuese shoqёrore e politike, pasi formimi i një opinioni publik të ndërgjegjshëm, si shtyllë e vetë demokracisë ruhet, vetëm nëse qarkullon informacioni i lirë, objektiv dhe i ndershëm.

Në të gjitha regjimet që dhunojnë lirinë , qofshin ato totalitare apo autokrate, gjëja e parë që bëhet është prerja e krahëve të lirisë së informacionit.

Këtë ka bërë edhe sekti Rama në pushtet, duke blerë pjesën më të madhe të mediave tradicionale dhe online, përmes dhënies së tenderave shtetërorë, projekteve me fonde publike dhe qindra lidhjeve dhe “favoreve” të tjera okulte.

Dita Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit përfaqëson një mёnyrё dhe njё nga mjetet për të zbuluar problemet jetike për një demokraci të brishtë si kjo e jona, ku autokrati Rama përdor sektin e tij në pushtet, për të kontrolluar fiskalisht në mënyrë selektive dhe të hapur mediat e lira dhe kritikuese ndaj tij, ndërkohë që favorizon me çdo mjet të ligjshëm e të paligjshëm ato media që shiten për tendera publikë dhe leje ndërtimi dhe që i fërkojnë krahët.

Influencën dhe ndikimin abuziv të pushtetit në Shqipëri, mbi mediat, opinionin publik dhe vetë qytetarët, e ka denoncuar vitet e fundit fuqishëm organizata ndërkombëtare prestigjoze Freedom House.

Kjo organizatë, e cila mat lirinë e medias dhe të të shprehurit të lirë dhe pa censurë të gazetarëve në të gjitha vendet e botës, ka denoncuar fuqishëm skandalin e rrjedhjes së të dhënave personale të 910 mijë qytetarëve shqiptarë, të grumbulluara nga serveri i Partisë Socialiste.

Freedom House e ka cilësuar praktikën e grumbullimit të të dhënave personale sensitive të popullatës, si numri i kartës së identitetit, numri i llogarisë bankare, targa e makinës, etj., si një shkelje flagrante e privatësisë së qytetarit dhe sprovë për manipulim të pozicionit të tij shoqëror, për interes të ndikimit zgjedhor mbi qytetarin.

Freedom House ka konstatuar se të dhënat sensitive të 910 mijë qytetarëve të Shqipërisë ishin grumbulluar në serverin e patronazhistëve të Ramës dhe, për më tepër, ishin siguruar nga një portal qeveritar e-Albania, i cili ofron shërbime publike online, duke shpenzuar paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Sikurse përmendet në raportin e organizatës, Partia Socialiste fillimisht e mohoi ekzistencën e kësaj baze të dhënash, por kryeministri Rama më vonë e pranoi se partia e tij, që nga viti 2009, kishte mbajtur një bazë të dhënash të brendshme, duke mbledhur informacione, në kuadër të të ashtuquajturit “sistem i patronazhit”.

Freedom House ka denoncuar fuqishëm mekanizmin okult shtetëror të ngritur nga sekti Rama në pushtet, për të influencuar qytetarët permes patronazhistëve, duke disponuar dhe keqpërdorur të dhënat personale sensitive të qytetarëve.

Freedom House thekson se shkeljet tregojnë se Shqipëria nuk i ka marrë ende seriozisht ligjet e saj për mbrojtjen e të dhënave personale. Organizata ndërkombëtare shprehet e keqardhur që ndaj skandalit të patronazhistëve me të dhënat sensitive të qytetarëve, nuk u nis asnjë hetim i organeve ligjzbatuese. Madje, organizata cilëson se nuk u arrit të organizohej as edhe një dëgjesë publike në Parlamentin e Shqipërisë, lidhur me mënyrën se si partitë politike i sigurojnë, apo i trajtojnë të dhënat personale sensitive të qytetarëve.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 992
  • 993
  • 994
  • 995
  • 996
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT