Një shkrmitar mund ta lexosh për efekte argëtimi, por kjo nuk është rruga e duhur pët ta njohur atë. Edhe njohja me shkrimtarin Besnik Mustafaj sikur e kushtëzon lexuesin të jetë më aktiv në procesin receptiv, sepse duke e njohur tërësoren e një shkrimtari, ne mund të valorizojmë edhe cilësinë e tij. Dhe cilësia e shkrimtarit Besnik Mustafaj është rrjedhojë e një letërsie të kultivuar në një laborator që është tepër aktiv në kërkim të hapësirave të pashkelura fabulash e motivesh, që vetëm një shkrimtar me senin e zhvilluar artsitik arrin t’i përpunoj në vepra të arrira letrare. Besnik Mustafajn duhet ta njohim edhe më tepër, për të depërtuar në thellësinë dhe gjerësinë e leximit hemanuetik të veprës së tij, sprovë kjo që shkon përtej kësaj qasjeje modeste times.
Nga Emin AZEMI
Në pamundësi të një paraqitjeje tërësore të gjithë krijimtarisë letrare të Besnik Mustafajt dhe duke mos pasur synim që të jepet ndonjë përshkrim telegrafik i gjithë kalendarit botues të tij, po zgjedh megjithatë të shtroj për diskutim disa teza që ndërlidhen me dy,tre aspekte më tipike të opusit krijues të shkrimtarit Besnik Mustafa dhe të profilit të tij intelektual e qytetar.
I ardhur në letrat shqipe si një individualitet që u krijua në një kontekst të caktuar letrar e shoqëror, fillimisht si poet në vitin 1978 me vëllimin poetik – “Buzëqeshje të gëzuara”, pastaj edhe si prozator e eseist, Besnik Mustafaj la gjurmë të pakontestueshme të formimit estetik në prodhimtarinë e tij letrare, por edhe në klimën krijuese së cilës ai i takonte. Grafikoni i formimit të këtij individualiteti ka ndjekur një kurbë që shkonte përtej milieut social, kulturor e shoqëror të ambienti që e rrethenonte paraprakisht adoleshentin Besnik Mustafaj, i cili derisa ishte në vendlindje e tij, në Bajram Curr, kishte arritur t’i lexoj gjithë librat e bibliotekës së shkollës, qytetit madje edhe të t’jatit dhe pastaj të riun Besnik Mustafaj, në kryeqytet, në Tiranë, me një ardhje shumë të hershme si poet në letrat shqipe. Nëse i hedhim një sy më përimtues këtij grafikoni nëpër të cilin lëvizi formimi i individualitetit krijues e njerëzor i Besnik Mustafajt, do të vërejmë një atipizëm që e shoqëronte këtë formim, duke qenë gjithmonë jashtë shablloneve që i diktonte koha. Për ta ilustruar këtë po përmendim vetëm prirjen e tij shumë të hershme qysh në moshën fëmijënore për të lexuar letërsi për të rritur, siç ishte, bie fjala përvoja me leximin e romaneve “Lufta dhe Paqja” të Tolstoit, apo “Madam Bovari” të Gustav Floberit. Për rëndësinë e këtij të fundit Besniku kishte kuptuar vetëm atëherë kur e kishte lexuar për here të dytë në original gjatë studimeve.
Nisur nga kurreshtja e një vëzhguesi që ka ndjekur deri diku vazhdimësinë e punës së tij, kam vërejtur se një cilësi që e ka Besnik Mustafaj, nuk ndërlidhet gjithmonë vetëm me të bërit letërsi, por edhe me ofrimin e një modeli të të bërit qytetari në jetën tonë kulturore e shoqërore.
Ai pati oferta qysh i ri të merr poste shtetërore, por refuzoi me bindjen se nuk do ti qëndronte si duhet shtofi i një zyrtari të lartë. Ai madje edhe në fillimet e demoktacisë nuk u tundua nga ofertat që iu bënë nga udhëheqja e atëhersheme e dalë pas zgjedhjeve të para të lira e demokratike.
Për Besnik Mustafajn, diplomacia, ose marrëdhëniet ndërkombëtare,megjithatë ishte vokacioni më kreativ që nuk do ta detyronte të shndërrohej në një aparatçik shtetëror, por edhe një valvulë që i linte frymëmarrje të lirë për tu marrë me krijimtari letrare.
I lidhur fillimisht me ambientin e vendlindjes, të cilin e kishte braktisur shumë herët, shkrimtari Besnik Mustafaj e përdori këtë ambienet si përpunim letrar në laboratorin e tij krijues, duke i transformuar disa topose dhe arketipe në minzanskena fabulative, qoftë në romane, apo novela, “Dëmtuar gjatë rrugës”, “Autoportret me teleksop”, apo edhe në ese, siç janë dy librat e tij me këtë zhanër “Midis krimeve dhe mirazheve” dhe “Bishti i Kometës”.
I bashkëshoqëruar me gjithë këtë bagazh që ia impononte profili i dyzuar, herë si politikan, e herë si shkrimtar,në grafikonin e formimit si krijues ndërvepruan disa rrethana që në vetvete përbënin atë atipiken që e përmendëm më lartë.
Atipikja e parë, ndërlidhet me kohën kur ai doli autor me një vëllim poetik, qysh si student, atëherë kur bashkmoshanikët e tij nuk e kishin statusin që gëzonte ai në ambentin e atëhershëm letrar. Ky status mbase do t’i siguroj atij parakushte që të zhvillohet si një habitat socio-kulturor në kryeqytet, një privilegj ky që nuk e kishte kushdo nga gjenerata e tij.
Atipikja e dytë – ai filloi të shkruaj prozë, i pari nga brezi i tij që ishin gjithë poet. Për këtë ndoshta duhet faleminderuar Ismail Kadarenë, i cili gjatë një shëtitjeje me Besnikun e kishte qortuar se pse askush nga brezi i tij nuk po merrej me prozë. Sepse, sipas Kadaresë, vetëm në prozë sprovohet pjekuria krijuese, gjuhësore e estetike e autorëve.
Atipikja e tretë – Besniku është ndër politikanët e parë që politikën e braktisi për hir të letërisë. Ky divorc i letërisë nga politika, nuk nënkuptonte që ai të kalonte nga kolltuku I një burokrati në një vëzhgues pasiv të zhvillimeve politike në vend. Përkundrazi ai vazhdoi të kontribuojë me opinione e debate mbi politikën, por pa qenë pjesë e pushteteve, sepse, sipas arysetimeve që ka dhënë Besniku,inercioni i pushtetarit shkon duke marrë përmasat e një makine që lëviz sipas vullneteve që ti diktion dikush tjetër. Me fjalë të tjera pushteti ka disa manire të autodestruktivitetit njerëzor, dhe për rrjedhojë edhe një barrë më e madhe përgjegjësie për punët që jo gjithmonë janë në koherencë me pastëretinë etike të atij që është në pushtet apo afër pushtetit.
Në mendësinë e Besnik Mustafajt, në vendet në tranzicion është heroizëm i madh të besosh në dobitë e shkrimit, aq më tepër kur autoriteti i shkrimtarit matet me aftësinë për të ndikuar te lexuesit në pasurimin e vetëdijes së tij letrare.
Duke qenë midis politikës dhe letërsisë, Besnik Mustafaj këtë status nuk e çoi kot, por pikërisht atë e ngriti në një referencë krijuese ku do të buronin disa prej dilemave të tij, që përms verprave konkrete sikur marrin përgjigjen e duhur. Kështu, bie fjala, te libri “Bushti I Kometës”, jo vetëm që triumfon letërsia kundrejt politikës, por Besnik Mustafaj shndërrohet në një gurë peshoreje në sytë e publikut se nga duhet të lëviz ndërgjegja e shkrimtarit kur ai ndodhet para tundimeve të politikës dhe të pushtetit. Por edhe te romani “Autoportret me teleskop” shprehet më së miri divorci i letërsisë me politikën, vepër kjo që është një produkt i pastër letrar, që vjen pas një heshtje të caktuar krijuese, por që gjithë këtë heshtje ai sikur e justifikon me këtë libër, i cili për shumëçka është unik në mbarë letërsinë moderne shqipe. Madje në këtë roman, autori ka operuar mirë me një gjetje që i shkon më së miri metodës së tij krijuese duke e përdorur politikën si mundësi që ia jep narratorit për të krijuar një personazh (homonim) letrar. Por edhe te libri “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin” një prozë kjo krejt e veçantë, ndryshe nga të tjerat, Besnik Mustafaj është vet shkrimtari dhe Besnik Mustafaj personazhi.
Duke iu rikthyer edhe një herë librit “Bishti i kometës” ia vlen të thuhen edhe dy –tri fjalë për rëndësinë e këtij libri në kuptimin më esencial që ndërlidhen me laboratoin e tij krijues dhe sidomos me aftësinë e shkrimtarit për të transferuar gjendje të ndryshme social-psikologjike e shpirtërore nga njëra epokë shoqërore te tjera dhe transformimi në rrugë e sipër i këndvështrimit të autorit për probleme të caktuara, përfshi edhe lirinë e shprehjes. Në këtë libër, Besnik Mustafaj ndër të tjera flet edhe për dy vizita që i kishte bërë në Paris, njërën në kohën e diktaturës, në vitet e fundit të saj, dhe tjetrën në kohën e demokracisë. Përjetimet nga këto dy vizita janë të ndryshme, sepse përshtypjet e vizitës së parë, ai i mban për vete, nuk kishte si t’i manifestonte publikisht, për shkak të rrethanave ekzistuese, ndërkohë që për vizitën e dytë e realizuar pas rënies së diktaturës ai shprehet hapur dhe mezi pret t’iu rrëfejë njerëzve mbi atë që kishte parë në Paris.Pra është i njejti Paris, por nuk është i njejti Besnik, sepse bëhet fjalë për dy epoka ku individi në aspektin sociologjik është prodhim i atyre epokave. Për rrjedhojë edhe shprehja e përjetimeve është e varur nga raporti i individit me lirinë, ndonëse këtu kemi të bëjmë me një çështje shumë fundamentale që lidhet me vet shkrimtarin dhe me aftësinë e tij për të prodhuar vlera letrare atëherë kur biejnë kufizimet si produkt i rrethanave jashtëletrare. Libri “Bishti i kometës”, ndonëse ka për autor një shkrimtar që ishte sprovuar me këto rrethana në kohën e diktarurës, ai megjithatë sikur e manifeston prirjen për të arsytuar talentin e tij në një shoqëri të lirë. Vetëm shkrimtarët e patalentuar për mosuksesin e tyre fajësojnë pushtetet e shtetet.
Kur flasin për Besnik Mustafajn që një kohë ishte marrë me politikë dhe pastaj iu kishte kthyer me kohë të plotë letërsisë, gazetarët dhe njerëzit e mediave përgjithësisht këtë e kanë bërë me një kapërcim shumë të shpejt të vëmendjes nga njëra fushë te tjera, pa u thelluar në specifikat dhe efektet që prodhonte në publik një figurë me profil të dyzuar.
Kur e botoi në Paris, në vitin 1993, librin “Gjinkallat e vapës”, Besnik Mustafaj, duke qenë ambasador në Francë, në një komunikim me një gazetar francez, kishte adresuar një porosi publike për presidentin e atëhershëm francez Fransua Miteran, në prag të një vizite të Millosheviqit në Francë. Duke dalur jashtë këmishës së ambasadorit, Besniku e porosiste Miteranin me fjalët: Nuk mundet asnjëherë ta bëjë Millosheviqin njeri të paqes, pa i kërkuar llogari për luftën,që kishte bërë në ish Jugosllavi.
Një diskurs i tillë publik që nuk i shkonte fare ambasadorit, paketohej si produkt që vinte nga vokacioni i shkrimtarit dhe këtë në njëfarë mënyre ia kishte konfirmuar edhe vet Miterani në një pritje, teksa i kishte thënë Besnikut: Sa mirë e ke laujtur lojën me ato dy kapelat, duke aluduar në profilin e dyzuar shkrimtar/diplomat që e kishte ai.
Besnikun sot nuk po e pyesim sa vjet i ka, por e dijmë se vitin e kaluar ka kremtuar dy festa: 65 vjetorin e lindjes dhe 45 vjetorin e karrierës letrare. Në këtë përvjetror ai erdhi me një dhuratë për lexuesit. Romani “Fati i marrë” quhej kjo dhuratë që brenda kopertinave mbarte një subjekt shumështresor ku ndërthureshin faktet historike me fiksionin letrar, dhe në horiziontet e largëta të imagjinatës krijuese nxirte krye një Shqipëri që nuk ekziston. Shtrati i këtij romani zinte fill në vitin e largët 1878, në kohën e Kongresit të Berlinit, kur në në Angli kryeministlr ishte Benxhamin Dizrael. Ky i fundit ishte njëri prej personanezheve historik të romanit, bashkë me Skënderbeun, Janosh Huniadin e ndonjë tjetër. Ai kishte shkruar një roman për Skenderbeun me titull “Naltësimi i Iskenderit” me subjekt të ngritur mbi një histori dashurie të Skënderbeut me të bijen e Janosh Huniadit, i cili i shërbyer Besnik Mustafajt për të thurrur fabulën e tij në formë palimsesti.
Alegoria e romanit “Fati i marrë”, që ka zanafillë te një libër tjerër me novela “Historia si një mushkë”, konkretisht te novela me titull “Ura si vend i punëve të dreqit”, është ndërtuar mbi një përrallë ku shkrimtari përfytyron se Shqipëria e kishte fituar pavarësinë që në vitin 1878, që më vonë do të jetë bashkëthemeluese e BE-së dhe NATO-s, se është një demokraci superfunksionale dhe është një vend me prosperitet dhe begati ekonomike më të madhe se Zvicra.
Në këtë roman ka pak personazhe, por ka shumë histori brenda dhe kjo e bën atë t’i nënshtrohet një procesi receptiv në dy rrafshe, sepse subjekti i romanit ngrihet mbi një imagjinatë, por ka fakte historike dhe logjikën e vërtetësisë së gjërave. Duke e gërshetuar imagjinatën me një sfond personazhesh real dhe me ngjarje historike,që kishin ndodhur, autori në këtë roman sikur e ndjek një qasje që bazohet në thënien e Gabriel Garsia Markezit sipas të cilit: “Frymëzimi është vetëm ardhja e subjektit”, me çka pajtohet edhe Besnik Mustafaj, duke ia shtuar kësaj edhe punën e shkrimtarit.
Përpjekja e Mustafajt për të kuptuar dhe shpjeguar pasojat që ka pasur historia mbi fatin dhe dramën e individit shqiptar, në fakt është një parapërgatitje për të kuptuar më mirë lidhsmërinë e shqiptarit me vendin e tij, me identitetin e tij, por edhe me kontekstin kohor e politik në të cilin është ndodhur.
Në këtë dipotri duhet shikuar edhe librin “Një roman i pamundur”,në të cilin procedeu narrativ ngrihet mbi dy tragjedi në dy skaje të shek. 20. Në thelb të fabulës janë dy fëmijë që përjetojnë dy masakra të ndryeshme, në kohë e rrethana të ndryshme. Por njëri nuk shpëton, kurse tjetri i mbijeton masakrës e që bëhet shkas që të dyja historitë të përmblidhen në këtë vepër. Romani nis të tregoj për fatin e një shqiptari të lindur në çerekun e fundit të shek. 19 dhe të pushkatuar natën nga serbët bashkë me të birin 12 vjeç. Historia e këtij të fundit ishte bërë subjekt i një kënge, që autori Besnik Mustafaj e kishte dëgjuar shpesh kur kishte qenë fëmijë dhe ishte i vetmi moment, deri sa këndohej kënga, kur e gjithë shtëpia duhej të kishte një heshtje absolute. Sigurisht që Besniku si fëmijë nuk ka mundur ta kuptoj rëndësinë e këngës, por më vonë e ka kuptuar se subjekti i kësaj kënge mund të shndërrohej në një fabulë shkrimi aq më tepër që teksti i këngës për Shok Soklin është një nga tekstet më dramatike që mund të ketë kënga shqipe. Njëherësh te kjo këngë shohim edhe një skenë ku po luhej një ngjarje tragjike. Aty janë gjithë burra me duar të lidhur prapa që ecin të kërcënuar nga kundakët e pushkëve dhe një fëmijë 12-13 vjeç, të cilin e kanë marrë me veti dhe është i vetmi që nuk e dinte ku po shkonin dhe kjo shprehet më së miri përmes vargjeve të rapsodit popullor:
Tan po shkojnë tuj hallalu
Shok Sokoli shkon tuj knu
Fëmija i padjallëzuar e shihte se po hapen disa gropa, mirëpo nuk e dinte se ato ishin varre, andaj edhe babai i drejtohet:
Hajde bir me m’ndihmue
T’nxifsha kangën që je tu e knue
Tek dikur fëmija me instinktin e pafajësisë e kupton se diçka nuk është në rregull dhe e pyet babin:
Ç’janë këto vorre tu i pune?
Njuk janë vorre bab tuj punue
Por janë llogore për me luftue
I përgjgjet babi dhe me këtë don me zgjue brenda t’birit një sens burrnie e kurajoje.
Ishte lufta në Kosovë e fundit tël viteve nëntëdhjeta ato që e kthyen Besnik Mustafajn te një sinopsis i një proze të rinisë që nuk po bëhej dot roman. Por, kishte mjaftuar leximi i një artikulli në maj të vitit 1999, që trajtonte fatin e një 10 vjeçari me emrin Prenk Ceka nga Gjakova, i cili i kishte shpëtuar maskarës me 21 kufoma, për t’iu rikthyer edhe njëherë ribërjes së këtij projekti. Imazhi i këtij fëmije në gazetë, e kishte kthyer shkrimtarin Besnik Mustafaj te kënga e Shok Sokolit, te një tragjedi tjetër e ndodhur 90 vjet më parë.
Sipas Besnik Mustafajt ky libër dëshmon se mungesa e urrejtjes nacionaliste në letërsinë shqipe i atribuohet viktimave të cilat edhe në vuajtje kishin ruajtur brenda vetes një dozë të madhe të humanizmit. Kjo shpërfaqet edhe në rastin e fëmijës së shpëtuar nga masakra, ku në mesin e të vrarëve ndodhej edhe motra e tij dyvjeçare. Por, ai nuk ishte mësuar të mendoj keq, dhe me insinktin e humanizmit kërkonte një dritë pozitive edhe te xhelatët teksa deklaronte: “Po ta kishin ditur serbët se motra e kishte atë ditë ditëlindjen, nuk do ta kishin vrarë”.
Në praktinkën krijuese të Besnik Mustafajt nuk ka ndonjë metodologji strikte të të shkruarit, për arsye se jo gjithmonël një subjekt i nisur në formë proze përfundon brenda një kohe të caktuar, pasi që veprat i shkruan në kohë të ndryshme. Vetëm dy romanet e fundit “Fati i marrë” dhe “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin” janë romane që janë filluar dhe mbaruar pa u ndërprerë. “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin” është një roman i shtrirë mbi dy botë, është një fabulë që ndërtohet mbi periudhën e errët të pandemisë Covid-19, me personazhe të marrë nga realiteti dhe të tjerë që janë produkt i imagjinatës. Në fakt romani më tepër bën fjalë për shtetrrethimin, me tanke dhe ushtarë të armatosur, për ankthin dhe ringjallen e frikërave të vjetra, se sa për pandeminë. Duke u nisur nga fakti se frika shpesh ka prodhuar letërsi të jashtëzakonshme, Besnik Mustafaj me romani e tij sikur bën përpjekje për të na bindur se si frika ndikon në imagjinatën e njeriut, në sjellje e tij, në në gjuhën e tij. Në disa qasje kritike ky roman madje është krahasuar me “Fermën e kafshëve” të Gjorgj Orvelit.
Një shkrmitar mund ta lexosh për efekte argëtimi, por kjo nuk është rruga e duhur pët ta njohur atë. Edhe njohja me shkrimtarin Besnik Mustafaj sikur e kushtëzon lexuesin të jetë më aktiv në procesin receptiv, sepse duke e njohur tërësoren e një shkrimtari, ne mund të valorizojmë edhe cilësinë e tij. Dhe cilësia e shkrimtarit Besnik Mustafaj është rrjedhojë e një letërsie të kultivuar në një laborator që është tepër aktiv në kërkim të hapësirave të pashkelura fabulash e motivesh, që vetëm një shkrimtar me senin e zhvilluar artsitik arrin t’i përpunoj në vepra të arrira letrare. Besnik Mustafajn duhet ta njohim edhe më tepër, për të depërtuar në thellësinë dhe gjerësinë e leximit hemanuetik të veprës së tij, sprovë kjo që shkon përtej kësaj qasjeje modeste times.