Prof. Dr. Musa Ahmeti/
Historia e krishterimit ndër shqiptar është e lashtë sa vetë krishterimi dhe si e tillë ajo është në vëmendje të shumë studiuesve shqiptar e të huaj. Nuk mungojnë studime me interes të veçantë, të mbështetura në burime arkivore e dokumentare, në dorëshkrime të lashta biblike që nga shekulli IV (gjashtë, siç është dorëshkrimi i: CODEX Beratinus PURPUREUS [Φ] 043) e këndej, në monografi, sinteza e punime të ndryshme gjithëpërfshirëse për të ardhur deri te epistolari i personaliteteve të shquara kishtare shqiptare që më punën dhe veprën e tyre këmbëngulëse drejtpërdrejtë ndikuan në themelimin e Kishës Autoqefale Ortodokse Kombëtare Shqiptare. Gjatë kërkimeve tona shkencore kemi ndeshur në një material mjaft me interes nga kjo fushë, pra epistolari, i botuar, i cili është me vlerë të paçmuar dhe paraqet momente mjaft interesante për kohën ku u shkrua në njërën anë, ndërsa në anën tjetër është aktual edhe sot e kësaj dite për vetë zhvillimet që po ndodhin rreth Kishës Autoqefale Ortodokse Kombëtare Shqiptare. Materialin që përgatitëm për botim e sjellim besnikërisht siç është shkruar, pa asnjë ndërhyrje në tekst, pra as të natyrës gramatikore, drejtshkrimore apo të gabimeve të mundshme të shtypit. Po ashtu botojmë faksimilet e origjinalit si ilustrime për të gjitha ata që dëshirojnë të krahasojnë botimin tonë.
Dokumenti i parë është letra e imzot Fan Nolit (në atë kohë peshkop i Amerikës Veriore) dërguar Arkimandritit Visarion Xhuvani më 7 mars të vitit 1920 nga Boston, (Mass. USA). Një letër shumë përmbajtësore ku Noli që në rreshtat e parë, pa një ndjekur traditën e letrave personale shkruan: “Një zonjë Amerikane e kryqit kuq e cila arriu këto dit në Boston, më dha lajmën gazmore qi jini vendosur në Elbasan, që meshoni shqip, qi përpiqeni t’a çlironi kishën tonë nga zgjedha e huaj” duke u futur direkt në temë, përkatësisht duke shprehur gjithë interesin e tij për Kishën Autoqefale Ortodokse Kombëtare Shqiptare. Në të njëjtën kohë Noli shpreh respektin e thellë dhe besimin e patundur që ka për Arkimandritit V. Xhuvanin ku këtë pohon hapur në letrën e tij në këtë formë: “shofin në fytyrën tuaj një nga ushtarët më të mirë të ungjillit në Shqipri.” Pra dy atdhetarë të shquar shqiptar, dy personalitete të larta në hierarkinë kishtare, njëri Arkimandrit e tjetri peshkop, bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë punët për Kishën Autoqefale Ortodokse Kombëtare Shqiptare.
Dokumenti e dytë është “Nji nga letër-përfaqsimet e Delegatvet për kongresin K. të Beratit” që është shkurtër po me mjaft interes. Ky dokument mban datën e 18 (9 data e vjetër) gushtit të vitin 1922 dhe ka të bëjnë me një moment tjetër shumë të rëndësishëm, zgjedhjen e dy delegatëve për Kongresin e Beratit, emrat e të cilëve dolën nga “mbledhja e përgjithshme e Orthodhoksëvet Durrsit” e që ishin: “Hirsia e Tij Arhim. Vissar Xhuvanin, Theollog dhe Deputet i Durris dhe Kryetar i Mitropolis Shejte te Durrsit” dhe “Gjergj Manushin tregëtar,” të cilët ishin të autorizuar “për me proponue, bisedue dhe me votue në kongresin kishtar të sipërpërmendun qi [mbante, m.a.] Kisha Krishtjane Orthodhokse e Shtetit Shqiptar.” Në fakt ky ishte një procesverbal nga mbledhja e Mitropolisë së Otodokësve të Durrësit të cilët pos që mbështetnin të zgjedhurit e tyre, ata në praninë e të gjithëve kishin “këndue në ndëgjesën e të gjithëve [duke, m.a] u pëlqye dhe u nënshkrue prej të gjith popullit dhe klerit orth. të Durrsit si dhe prej Pleqsis” që do të thotë se ata në mënyrë demokratike, publike dhe shumë transparente ishin zgjedhur për të përfaqësuar popullsinë e besimit ortodoks, të cilët nuk kishin asnjë imponim nga jashtë. Përkundrazi dy të zgjedhurit ishin bashkëkombës të tyre, shqiptar nga gjaku, gjuha e origjina, të cilët do të ishin dakord që “Kisha Krishtjane Orthodhokse të jetë qeverisun mbas nomevet te Shtetit t’onë” vendime këto të dalura nga mbledhja e sipërcekur.
Dokumenti i tretë është “vendimi” i cili i drejtoher“Gjith klerit të shenjt Orthodhoks, Pleqësijavet të nderçme dhe popullit Fisnik Orthodhoks të Shqipnis” me rastin e “Prokllamimi i kishës Autoqefale Orth. kombëtare në kishën e Tiranës me 28-XI-1921.” Ky është një dokument shumë herë i diskutuar dhe i debatuar. Për shkak të rëndësisë së veçantë që ka, e sjellim të transliteruar dhe të shoqëruar me faksimile që të gjithë të interesuarit që nuk e kanë pasur në dorë deri me sot, të kanë mundësi ta e konsultojnë, qofshin ata studiues, klerikë apo lexues të zakonshëm.
Këto tre dokumente kanë një lidhmëni logjike, njëherësh ato janë dëshmi të pakundërshtueshme historike të një periudhe shumë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare në përgjithësi e në veçanti për Kishën Autoqefale Ortodokse Kombëtare Shqiptare.
***
NJI LETËR E FAN NOLIT
Veprat patriotike pa rekllamë t’Elbasanit
bajnë përshtypje të lavdërushme
n’Amerikë
Nji letër e Fan Nolit
Më 1920, kur nuk ishte intrigue
Boston, Mass 7 Mars 1920
Fort i Përnderçim Arkimandrit dhe i dashur vlla në Krishtin.
Një zonjë Amerikane e kryqit kuq e cila arriu këto dit në Boston, më dha lajmën gazmore qi jini vendosur në Elbasan, që meshoni shqip, qi përpiqeni t’a çlironi kishën tonë nga zgjedha e huaj, që kini fituar simpathinë dhe përkrahjen e popullit për veprën tuaj fisnike, dhe shum gjëra të tjera të mira, të cilat e ngrenë nderin tuaj dhe të Elbasanit shumë lart.
Po kjo nuk është hera e parë që e dëgjonj emrin tuaj për të mirë. Miku ynë Z. Kristo Luarasi më shkroj gjër e gjatë nga Sofja për ju dhe për meshën që bëtë atje. Letra e tij u-botua në gazetën “Djelli” dhe i gëzoj pa masë besnikët e kishës shqipe përkëtej Oqeanit, të cilët shofin në fytyrën tuaj një nga ushtarët më të mirë të ungjillit në Shqipri.
Dëshëronja t’ju shkruanja prej kohe, po nuk dinja ku ndodheshit, dhe kjo është hera e parë që dëgjonj që arritë shëndoshë e mirë në Shqipri dhe që i jini përveshur punës së shenjtë për të ndriçuar popullin tonë të mjerë.
Ju lutem shum të kini mirsinë të më lajmëroni hollsisht si vete misioni juaj dhe të cilat janë ndjenjat e popullit për kishën kombëtare aqë në Elbasan sa dhe kudo gjetkë në Shqipri.
Këtu s’marrim lajme nga Atdheu veç fare rrallë, dhe që kur krisi lufta, Zonja amerikane, për të cilën ju fola më sipër, më solli të vetëmin dhe të parin oshtim të lëvizjes kishtare s’andejmi. Po tani, me ndodhjen tuaj në Elbasan kam shpresë të dëgjonj më dendur, më tepër, dhe më mirë dita me ditën.
Ju përshëndosh vllazërisht dhe mbetem shërbëtor dhe vllaj juaj në Krishtin.
F. S. Noli
Peshkop i Amerikës Veriore
Fort të përnderçmit Arhimandrit Vissar. Xhuvanni
ELBASAN. Albanie.
***
PROKLLAMIMI I KISHËS AUTOQEFALE ORTH. KOMBËTARE NË KISHËN E TIRANËS ME 28-XI-1921
Pas nji inisiativës s’onë me shum mundime dhe therori u ba ky vendim:
V E N D I M
28 Vjesht’ e IIItë 1921
Gjith klerit të shenjt Orthodhoks, Pleqësijavet të nderçme
dhe popullit Fisnik Orthodhoks të Shqipnis.
VLLAZËN,
Shofim nevojën e madhe për një bashkim të plotë të Krishterëvet Orthodhoksë të gjith Shqipnis. Marim para sysh edhe kuptojmë interesat e vërteta për jetën, mirsin, përparimin dhe nderin fetar të popullit Orthodhoks të Shqipniës, sikurse ngjan edhe në mbretnijat e tjera. Duam të jemi edhe nënshtetas të ndercim si mirëdashës e përkrahës të Shtetit tonë Kombëtar. Kështu kemi plotësisht dëshirë të madhe të ruajmë dhe gjith nomet e Orthodhoksis edhe ata ma te vegjëlit. Po edhe duam të jemi giith motin të bashkuem me Patriarqin Ikumenik të shenjt si janë të bashkuem gjith miliunët e Orthodhoksëvet, të Rusisë, të Greqisë, të Rumanisë, të Serbisë” etj.
Prandaj kemi për themel të pa tundun edhe gjith nomet e pa tundun e të përjetshëm të Apostojvet të Shenjt e të lavdueshëm si edhe të Sinodhevet Ikumenike të Shenjta të cilat me një zâ thonë dhe urdhërojnë, urdhënat që shënojmë më posht, të cilët janë shtimun në veprim prej gjith botës Orthodhokse, që duan të ruajn titullin e shenjt Orthodhoks të drejt, të vërtet dhe të pa zgrymun, dhe urdhënimet e tepër të shenjta të Orthodhoksisë janë këto:
“Eteras Vasilias (kratus) Eklisia mi dhiatatestho ta tis eteras Vasilias”. Dhe “Elefthera Eklisia en Elefthero Krati”. Dhe “tes Politiqes metavoles akolluthisatosan qe Eklisiastiqe tiafte” d. m. th. “Një kishë e një Shteti tjatër mos japi urdhër një kishe shtetit tjatër”. “Një kishë e lirë me një shtet të lirë”. Dhe “ndryshimevet politike le t’u venë pas dhe ndryshime Kishëtare. Nga gjithë këto punë me rëndësi të madhe u mblodhëm, biseduam, pëlqyem dhe vendosëm premas si mbas propozimit te Hirësis Tij Arqimandritit tonë theollogut z. Visar Xhuvanit Elbasanasit këto që pasojnë):
I) Pranojmë dhe shpallim prej ditës së soçme vet-qeverimin Kombëtar të Kishës shenjt Orthodhokse të Shtetit Shqiptar.
II) Pranojmë që sa më shpejt të mbajmë një mbledhje të përgjithëshme pan-Orthodhokse Kishtare m’atë qytet më të cilin ka me e pamën t’arsyeshme Ministria e nderçëme e Punëvet të Mbrendëshme.
III) Ndeë këtë mbledhje të pergjithëshme të përfaqësohet gjith Kleri dhe populli Orthodhoks (dhe dhimo-gjerondiat) të Prefekturavet dhe nën Prefekturavet të shtetit tonë me nga një, dy, ose tre përfaqësonjës fuqi plotë.
IV) Këta përfaqësonjës të kenë të drejtë (plireksusiotita) për me bisedue e me vendue e për me përfundue vendime Kishëtare të pa tundme fuqi plotë dhe vepruëse (telesidhikus apofasis ametaklitus).
V) Këtyne vendimeve kanë me u bindur plotësisht gjith Kleri Orthodhoks pleqësiat (dhimogjerondiat) dhe populli oithodhoks për çeshtje Fetare dhe administrate Kishëtare. Kjo mbledhje kishëtare dhe e përgjitheshme ka me zgjedh nji këshillë të përherëshme vepruëse qi ka me administruë Fetarisht, mbas rregullavet të caktueme gjith klerin, pleqësiat dhe popullin orthodhoks të Shqipniës. Dhe kjo këshillë do ketë paskëtaj lidhje dhe bashkim të plotë vetëm Dhogmatikë me Patrikanët (bashkim feje të plotë) keështu dhe me gjith orthodhoksin e botës.
VI) Kjo kryekëshillë e naltë e përgjithëshme kishëtare orthodhokse dhe kombëtare ka me zgjidhun gjith çështjet kishëtare me Patrikanët, dhe ka me qenë shtyll e pa tundme rujtëse e orthodhoksis të Shqipnis dhe e njoftme zyrtarisht prej gjith botës dhe rregullisht.
VII) Në kishën tonë orthodhokse të Tiranës paskëtaj priftërinjt në meshët të shenjtë dhe në shërbime të tjera kanë me u lutun: “PASIS EPISKOPIS ORTHODHOKSON” gjith episkopët Orthodhoks” ne vent te Jakovit dhespotit të dbuarë dhe antikombëtar deri, sa te hypinj në front Arhtepiskopi tonë Kanonik.
VIII) Hirsis Tij Arhimandrit Theollog, Visar Xhuvanit i lutemi të vepërojë më çdo vent dhe për çdo punë që duhet për realizmin e vendimevet të sipër-shënuarë, duke lypë përkrahjen morale dhe materiale për gjithë këto punë me randësi fetaro Kombëtare.
Kemi nderin me ju lut qeverisë së nderçëme të shtetit tonë të ketë mirësinë me i pas në vërejtje të mirë këto vendimet tona; kështu i lutemi dhe gjith klerit dhe pleqësijavet si dhe popullit orthodhoks, me pas mirësinë të pëlqejë e të përkrahi gjiih këto ven-dime të shenjta.
Me përqafime vëllazënore
Zavëndësi i Mitropolitit në Tiranë:
Stefan Tirana (Mima)
Parësia:
Kozma Lasko, Stef. Ath. Koja, Spiro Zhava, Spiro Janko, Leonidha Nishku, Pavllo Koja, Stefan Buçani……
(Pasojnë edhe tërë emërat e popullit të Tiranës).
Këshilla Jeratike:
Kryetari: Arhimandriti i Orthodhoksvet
Dr. Vissar Xhuvani
Antarët: prifti: Papa Jorgji Rusi, prifti: Papa Simon Athanasi
Vërtetojmë nënshkrimet dhe vendimet të popullit të Tiranës Krye-Plaku: Spiro Zhava
Rroftë kisha e shenjt orthodhokse vet-qeverimtare
kombëtare e Shqiptarëvet
Në kishën Kathedhrale Evangjelizmos të Tiranës 28 Vjesht’e III të 1921”.
***
NJI NGA LETËR-PËRFAQSIMET E DELEGATVET PËR KONGRESIN K. TË BERATIT
Sot më 9 të Gushtit (d. e vjetër) 1922 mbledhja e përgjithshme e Orthodhoksëvet Durrsit tue marrë parasysh se Hirsia e Tij Kryetari i Mitropolis Arhimand. Z. Vissar Xhovani, foli për mbledhjen në Berat t’orthodhoksëvet të Shtetit tonë Shqiptar, zgjodhë perfaqesonjës fuqrplotë
1. Hirsin e Tij Arhim. Vissar Xhuvanin, Theollog dhe Deputet i Durris dhe Kryetar i Mitropolis Shejte te Durrsit
2. Gjergj Manushin tregëtar, për me proponue, bisedue dhe me votue në kongresin kishtar të sipërpërmendun qi Kisha Krishtjane Orthodhokse e Shtetit Shqiptar:
a) Të qeveriset mbas rregullavet (kanonevet) t’apostojvet shejtë dhe mbas të 7 sinodhëvet Ekumenik.
b) Te jetë gjithmon në marrëdhanje me Patrikhanën Ekumenike Orthodhokse për hollsinat qi i përkasin (Dogmës).
c)Të jetë e qeverisun si gjith Kishat Orthodhokse të gjith Shtetevet Orthodhoks.
ç) Të jetë e qeverisun mbas nomevet te Shtetit t’onë Shqiptar dhe
d) çdo paratypij qi ka ndodhë në kishën orthodhokse të Shqipëtarvet të vi në udhën e rregullshme këshilloj i nepet fuqiplotsië këtyne dy zotnivet përfaqesuesvet sipërpërmendun si dhe për çdo hollsinë qi ka të bjâ me punët e sipërshenjume. Këto dy delegat të venë dhe të vinë me spenximet e veta dhe do kenë nga nji kopie të këtië vendimi i cili ka me u komunikue, Kryetarit Bashkis Z. Arhitektit, Kost Paftali inisiatorit të mbledhies, prej Kryesis së Mitropolis së shejnë të Durrsit. Dhe kështu u kompozu ky vendim (proces-verbal) dheu këndue në ndëgjesën e të gjithëve u pëlqye dhe u nënshkrue prej të gjith popullit dhe klerit orth. të Durrsit si dhe prej Pleqsis (Dhimogjerondiës).
Durrës 9 Gnsht 1922.
(Pasojn nënshkrirnet e klerit dhe popullii si dhe vërtetimi i pleqsis).
Vërtetohet se asht nji me orixhinalin.
Për Kryetarin e Mitropolis Shejt të Durrsit.
V. Russi
Durrës 12-8-1922
Vula: Mitropolia Shejtë e Durrsit