• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE

January 12, 2026 by s p

Kjo përmbajtje (artikull) është prodhuar nga K2.0, ku edhe është botuar fillimisht. Ribotimi këtu është bërë me lejen e K2.0.  (https://kosovotwopointzero.com/sq//nga-nje-koloni-de-facto-ne-nje-koloni-de-jure)

Rikonfirmimi i të drejtës së Kosovës për vetëvendosje dhe pavarësi

Fatmir Zajmi|15.12.2025

Pas aneksimit të Kosovës nga Serbia në vitin 1912 dhe përfshirjes të mëvonshme pa vullnetin e saj në shtetet pasuese të Jugosllavisë, shumica shqiptare e Kosovës përjetoi shtypje sistematike politike, shkelje në masë të madhe të të drejtave të njeriut, politika aparteidi, praktika të kolonizimit dhe shfrytëzim ekonomik. Megjithëse Kosova funksionoi gjatë pjesës më të madhe të shekullit të kaluar si koloni de facto e Serbisë, ajo kurrë nuk u njoh si e tillë për shkak të interesave gjeopolitike dhe koncepteve të vjetruara të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht doktrinës “Blue Water” të Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1952, që i përkufizonte kolonitë si territore detare të ndara me ujëra detare nga administruesit e tyre.

Kjo kornizë ligjore u vendos pas Luftës së Dytë Botërore, kur u themelua OKB me qëllim parandalimin e konflikteve botërore dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. E ratifikuar më 24 tetor 1945, karta e OKB garanton vetëvendosjen, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore për të gjithë. Që nga themelimi, kjo kartë ka mundësuar pavarësinë e 80 vendeve që më herët kanë qenë koloni. Kjo arriti kulmin në mesin e shekullit XX, kur një valë dekolonizimi përshkoi Jugun Global, duke rezultuar në krijimin e shteteve të reja anëtare të OKB.

Në historinë e dekolonizimit të organizatës, doktrina “Blue Water” ishte një përcaktim i hershëm i miratuar me Rezolutën 637 të OKB. Korniza ligjore e kufizuar e kësaj rezolute nuk arriti t’i adresonte rastet e kolonializmit të brendshëm, në situata ku grupet etnike ose kombëtare dominuese brenda vendeve imponojnë sundim të huaj mbi komunitetet e tjera brenda kufijve shtetërorë, duke i nënshtruar dhe shfrytëzuar tokat e pushtuara si prona koloniale.

Si rezultat, komuniteti ndërkombëtar shpërfilli statusin kolonial të Kosovës, madje edhe gjatë valës së dekolonizimit në mesin e shekullit XX. Këtë qëndrim vazhdon ta mbajë edhe sot, tetë dekada më vonë, pavarësisht avancimeve në të drejtën ndërkombëtare që e përkufizojnë kolonializmin jo vetëm për nga aspekti gjeografik, por edhe nga dominimi, nënshtrimi dhe mohim i parimit të vetëvendosjes.

Ndërkohë, Serbia vazhdon të shpërfaq pretendime mbi Kosovën, pavarësisht mizorive të fundit që kreu në vitet 1998-1999, të cilat rezultuan në vrasje masive, shtypje sistematike dhe shpërnguljen e afërsisht një milion shqiptarëve të Kosovës. Shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 konfirmoi të drejtën e saj për vetëvendosje. Megjithatë, pas pothuajse 16 vitesh, Kosova dhe Serbia ende priten t’i “normalizojnë” marrëdhëniet në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE), një proces i karakterizuar me mangësi, që për momentin ka ngecur dhe shmang adresimin e shkakut rrënjësor të konfliktit: të kaluarën koloniale të Serbisë dhe refuzimin e saj të vazhdueshëm për ta njohur sovranitetin e Kosovës.

Të kuptuarit e rastit të Kosovës përmes prizmit të çlirimit anti-kolonial dhe zhvillimeve në të drejtën ndërkombëtare mund të lejojë që e drejta e saj për vetëvendosje të marrë peshë ndryshe juridike dhe normative. Nëse Kosova do të njihej si koloni e mëparshme, pretendimet e vazhdueshme të Serbisë për të drejta historike dhe territoriale, veçanërisht miti kombëtar serb se Kosova përfaqëson “djepin e identitetit serb”, do të dobësoheshin.

Ky rivlerësim do ta fuqizonte pozicionin ligjor dhe moral të Kosovës në dialogun me Serbinë dhe do të ofronte një bazë më të fortë për të kërkuar njohje më të zgjeruar ndërkombëtare, përfshirë anëtarësimin në OKB. Për më tepër, ky ndryshim mund të ushtrojë presion mbi bashkësinë ndërkombëtare që të merret me kundërthëniet në zbatimin e parimeve të dekolonizimit.

Doktrina “Blue Water”: Një standard kolonial i mangët

Sundimi i Serbisë mbi Kosovën kishte të gjitha shenjat dalluese të dominimit kolonial: shtypje të dhunshme, sundim i huaj, shfrytëzim ekonomik, kolonializëm i vendasve dhe inxhinieri demografike. Por, për shkak se Kosova nuk ishte territor ujor, ajo nuk u njoh kurrë si e tillë sipas kornizës së hershme të dekolonizimit të OKB, të formësuar nga doktrina “Blue Water”. Sipas kësaj pikëpamje të ngushtë, Kosova nuk mund t’i shtohej listës së Territoreve Jo-Vetëqeverisëse sipas Rezolutës 1541 të OKB dhe, si pasojë, ajo mbeti jashtë procesit të dekolonizimit të OKB.

Territori Jo-Vetëqeverisës

Rezoluta 1541 e OKB, e miratuar më 15 dhjetor 1960, e përkufizon një Territor Jo-Vetëqeverisës si territor popullsia e të cilit ende nuk ka arritur vetëqeverisjen e plotë dhe mbetet nën administrimin e një pushteti të jashtëm. Rezoluta identifikon format e kontrollit që kufizojnë autonominë politike ose ekonomike, duke rikonfirmuar të drejtën e patjetërsueshme të të gjithë popujve për vetëvendosje. Më e rëndësishmja, ajo ofron bazën ligjore për përpjekjet e dekolonizimit. Aktualisht, 17 territore mbeten në listën e Territoreve Jo-Vetëqeverisëse të OKB, përfshirë: Samoa Amerikane, Anguilla, Bermuda, Ishujt e Virgjër Britanikë, Ishujt Cayman, Ishujt Falkland (Malvinas), Gjibraltari, Guam, Montserrat, Kaledonia e Re, Pitcairn, Shën Helena, Tokelau, Ishujt Turks dhe Caicos, Ishujt e Virgjër të Shteteve të Bashkuara, Polinezia Franceze dhe Sahara Perëndimore.

Debatet që paraprinin doktrinën “Blue Water” ishin qenësore për përcaktimin e kufijve gjeografikë të dekolonizimit. Para miratimit të saj në vitin 1952, një pikë kyçe e kontestimit kishte lindur nga propozimi i Belgjikës për ta zgjatur të drejtën për vetëvendosje edhe për “popujt e kolonizuar brenda vendit” dhe grupet etnike brenda shteteve sovrane fqinje. Shtetet anëtare të fuqishme, me popullsi të konsiderueshme indigjene ose minoritare, e kundërshtuan këtë zgjerim, nga frika se kjo do ta legjitimonte ndarjen dhe do të kërcënonte integritetin e tyre territorial.

Si përgjigje, doktrina “Blue Water,” e njohur edhe si “Salt Water Thesis,” u shfaq si instrument strategjik ligjor dhe politik brenda OKB, duke pohuar në terme të ngushta se vetëm territoret e ndara nga shteti administrator me “ujë të kaltër”, (p.sh. një oqean), mund t’i plotësoni kushtet si Territore Jo-Vetëqeverisëse, të cilat kishin të drejtë për dekolonizim. Ky kriter bregdetar, që mbizotëroi në vitet ‘50-a dhe ‘60-a, bëri që format e dominimit kolonial të vazhdueshëm ose të brendshëm të shpëfilleshin në mënyrë efektive nga kontrolli ndërkombëtar, duke siguruar që nënshtrimi i grupeve kombëtare dhe minoriteteve racore brenda shteteve sovrane të mbetej jashtë kornizës formale të dekolonizimit të OKB.

Që nga miratimi i doktrinës “Blue Water”, koncepti i vetëvendosjes dhe dekolonizimit në të drejtën ndërkombëtare ka pësuar zhvillime të rëndësishme. Në vitin 1970, Rezoluta 2625 e OKB bëri një hap të konsiderueshëm përtej këtij përkufizimi të ngushtë, duke rikonfirmuar të drejtën dhe parimin e vetëvendosjes në kontekstin e dekolonizimit. Ndryshe nga kriteri bregdetar që i parapriu, Rezoluta 2625 i jep përparësi nënshtrimit para gjeografisë, duke e karakterizuar kolonizimin bazuar në mungesën e vetëqeverisjes, rrjedhimisht duke njohur forma dominimi që nuk përshtateshin me modelin “detar”.

Pak pas kalimit të kësaj rezolute, përvoja e Namibisë me administrimin nga Afrika e Jugut e rrënoi më tej doktrinën “Blue Water”. Në vitin 1969, pas refuzimit të Afrikës së Jugut për të hequr dorë nga mandati i saj i Lidhjes së Kombeve mbi atë që atëherë njihej si Afrika Jugperëndimore (Namibia), OKB deklaroi se okupimi i saj i vazhdueshëm ishte i paligjshëm. Opinioni Këshillues historik për Namibinë i vitit 1971 i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) konfirmoi se prania e Afrikës së Jugut në Namibinë fqinje shkelte të drejtën ndërkombëtare, duke mundësuar parimin e vetëvendosjes edhe në situata të dominimit kolonial të brendshëm ose fqinj. Në thelb, Afrika e Jugut kishte argumentuar se Namibia nuk ishte koloni, por një territor i brendshëm i integruar në rendin e saj ligjor, një argument që historikisht ishte shtyrë para nga Serbia lidhur me Kosovën.

Thomas Grant, ekspert britanik në fushën e njohjes së shtetësisë dhe të drejtën e territoreve ka argumentuar se në mungesë të doktrinës “Blue Water”, Kosova do të ishte kualifikuar si Territor Jo-Vetëqeverisës.

Rastet e Timorit Lindor dhe Saharës Perëndimore dëshmojnë më tej avancimin e të drejtës ndërkombëtare përtej doktrinës “Blue Water”, e cila tradicionalisht barazonte kontrollin efektiv me sovranitetin. Për shembull, okupimi i Timorit Lindor nga Indonezia pas tërheqjes së Portugalisë në vitin 1975 nuk u njoh kurrë nga OKB, e cila konfirmoi statusin e territorit si Territor Jo-Vetëqeverisës dhe theksoi të drejtën e popullit timorez për vetëvendosje sipas Rezolutës 2625 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB. Pavarësia e mëvonshme e Timorit Lindor në vitin 2002 ilustron përparësinë juridike të vetëvendosjes para kontrollit thjesht administrativ ose të detyruar. Ngjashëm, Sahara Perëndimore mbetet nën administrimin e Marokut fqinj pa pëlqimin e popullit saharian. Si OKB, ashtu edhe GJND kanë rikonfirmuar se në këtë rast sovraniteti nuk mund të pretendohen vetëm përmes okupimit, duke renditur Saharan Perëndimore si Territor Jo-Vetëqeverisës.

Vendimet e mëvonshme të GJND gjithashtu kanë zgjeruar konceptin e vetëvendosjes përtej doktrinës “Blue Water”. Një shembull është Opinioni Këshillues lidhur me Murin në territorin e okupuar palestinez, i cili konstatoi se ndërtimi i murit ndarës nga Izraeli në territorin e okupuar palestinez shkelte të drejtën ndërkombëtare, të drejtën e vetëvendosjes së popullit palestinez, të drejtën humanitare ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut, dhe shtetet ishin të detyruara të mos e njohin apo ta mbështesin këtë situatë të paligjshme.

Këto zhvillime konfirmojnë se kolonializmi nuk përcaktohet më nga distanca gjeografike, por nga dominimi politik, shfrytëzimi ekonomik dhe mohimi i vetëvendosjes. Juristët bashkëkohorë, si Thomas Grant, ekspert britanik që trajton fushën e njohjes të drejtes dhe statusit ligjor të territoreve sipas Kartës së OKB, kornizën e dekolonizimit dhe mënyrën se si territoret jo detare mund të kualifikohen si Territore Jo-Vetëqeverisëse – kanë argumentuar se në mungesë të doktrinës “Blue Water”, Kosova do të ishte kualifikuar si Territor Jo-Vetëqeverisës (një koloni) sipas Rezolutës 1541 të OKB, duke forcuar më tej argumentin se pavarësia e Kosovës bazohet në të drejtën për vetëvendosje si mjet riparues (remedial self-determination).

Praktika e OKB që ndjek doktrinën “Blue Water”, argumentet juridike rreth kolonializmit të brendshëm dhe ndryshimet globale në diskursin e dekolonizimit e pozicionojnë Kosovën si pjesë e një argumenti më të gjerë juridiko-historik, duke sugjeruar se përpjekja e Kosovës për pavarësi është në përputhje me kornizën në zhvillim të dekolonizimit të OKB.

Realpolitika dhe e drejta ndërkombëtare: një standard i dyfishtë

Gjatë Luftës së Parë Ballkanike (1912–1913), aneksimi i njëanshëm i Kosovës nga Serbia u përcoll me dhunë në shkallë të gjerë. Forcat serbe zhvilluan sulme sistematike kundër popullsisë shqiptare dhe myslimane në përgjithësi, në përpjekje për ta ndryshuar përbërjen demografike të rajonit, siç u dokumentua në atë kohë nga Leon Trotsky dhe më pas nga Raporti i Fondacionit “Carnegie” në vitin 1914. Kosta Novaković, një politikan socialist serb, dëshmoi gjithashtu për kolonizimin e dhunshëm dhe serbizimin e Kosovës, pasi e kishte parë vetë sa kishte qenë ushtar i korpusit serb gjatë një ekspedite ushtarake në Luftën e Parë Ballkanike. Sipas raporteve të tij, 120.000 shqiptarë u vranë në vitet 1912–1913, ndërsa qindra fshatra u bombarduan dhe u dogjën.

Pas Luftërave Ballkanike të viteve 1912–1913, të cilat i dhanë fund sundimit osman në Ballkan, doli në pah njohja selektive nga bashkësia ndërkombëtare e historive koloniale. Nën petkun e të ashtuquajturit “mision qytetërues”, Kosova u aneksua nga Serbia pa pëlqimin e shumicës së saj shqiptare. Fuqitë e Mëdha – Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia – e konfirmuan pretendimin e Serbisë në Konferencën e Londrës të viteve 1912–1913 pas këtyre ngjarjeve.

Agnesa Mehanolli

REFUGJATË MYSLIMANË SHQIPTARË NGA AFËRSIA E GJAKOVËS NË SHKODËR, VITI 1913. FOTOGRAFIA: FRANZ NOPCSA

Agnesa Mehanolli

LUFTËTARË TË ROBËRUAR SHQIPTARË DUKE PARAKALUAR RRUGËVE TË BEOGRADIT GJATË LUFTËRAVE BALLKANIKE NË MARS TË VITIT 1913

Agnesa Mehanolli

KONFERENCA E LONDRËS 1912-13

1 / 3

Konferenca njohu një shtet shqiptar më të vogël (brenda kufijve të tij të sotëm), duke i dhënë vendeve fqinje gati gjysmën e territorit që pretendonte, përfshirë edhe Kosovën. Kjo marrëveshje pasqyroi realpolitikën e fuqive të mëdha, duke vendosur sundim kolonial mbi 40 për qind të popullsisë shqiptare, e cila mbeti jashtë shtetit të Shqipërisë. Ajo vendosi nën kontrollin e Serbisë edhe Vilajetin e Kosovës me shumicë shqiptare, që më parë ishte rajon i administruar nga Perandoria Osmane.

Në vitet që çuan në Luftën e Parë Botërore, filluan masat për të krijuar vendbanime koloniale serbe në Kosovë. “Dekreti mbi vendbanimet e zonave të sapoçliruara” u miratua në shkurt të vitit 1914, duke nxitur shpërnguljen e familjeve serbe në rajonet e sapo aneksuara, përmes premtimeve për ndarjen e konsiderueshme të tokës, përjashtimeve nga tatimet dhe transportit hekurudhor falas. Qeveria madje u përpoq të tërhiqte emigrantë serbë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) që të ktheheshin dhe të merrnin pjesë në kolonizimin e Kosovës.

Gjatë viteve 1920 dhe 1930, Serbia vazhdoi të miratonte politika koloniale të sekuestrimit të tokës dhe inxhinierisë demografike në Kosovë. Në vitin 1937, Vaso Čubrilović, studiues serb që më vonë do të bëhej ministër i qeverisë në Jugosllavinë e pas Luftës së Dytë Botërore, paraqiti një memorandum zyrtar, “Dëbimi i shqiptarëve“, i cili argumentonte se dëbimi sistematik etnik dhe dëbimi masiv i shqiptarëve nga Kosova ishte masë strategjike e interesit kombëtar serb. Kosova mbeti nën regjimet e njëpasnjëshme jugosllave gjatë gjithë epokës së pas Luftës së Dytë Botërore, duke ilustruar se si prioritetet diplomatike dhe gjeopolitike e lanë në hije nënshtrimin kolonial që po ndodhte brenda Evropës. 

Në mesin e shekullit XX, teksa vala e dekolonizimit në të gjithë Azinë dhe Afrikën çoi në pavarësinë e 50 territoreve, statusi kolonial i Kosovës u shpërfill në mënyrë të vazhdueshme nën pretekstin se territoret pranë shtetit kolonizues ishin pjesë integrale e shtetit kolonizues. Bashkësia ndërkombëtare në masë të madhe e njohu përfshirjen e Kosovës në Serbi dhe më vonë në Jugosllavi, por kjo njohje nuk i jepte legjitimitet demokratik, sepse regjimet e njëpasnjëshme e mbajtën kontrollin përmes mjeteve autoritare. Siç vëren Robert Elsie, një studiues i njohur i historisë së Shqipërisë, “Pretendimet e zhurmshme që buronin nga Beogradi se Kosova ishte ‘pjesë e Serbisë’ nuk dallonin nga protestat në Francë në vitet e ‘50-a se Algjeria nuk ishte koloni, por ‘pjesë e Francës’. Në asnjë rast dhe asnjëherë nuk u konsultua populli i territorit në fjalë“.

Përjashtimi i Kosovës nga përpjekjet globale të dekolonizimit nuk nënkuptonte se nënshtrimi i saj nuk ekzistonte; thjesht u përshtat me strukturat e reja politike. Pas Luftës së Dytë Botërore, Mbretëria e Jugosllavisë u shndërrua në Republikën Popullore Federative dhe më vonë, në vitin 1964, në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Kjo periudhë shënoi promovimin e një sistemi më të hapur dhe federal, që përkonte me miratimin e Rezolutës 2625 të OKB, si dhe me momentumin më të gjerë gjeopolitik dhe ideologjik të dekolonizimit të nxitur nga Lëvizja e të Paangazhuarve (NAM), ku Jugosllavia, nën udhëheqjen e Presidentit Tito, ishte anëtare themeluese.

Lëvizja e Paangazhuarve

Lëvizja e Paangazhuarve (NAM), e themeluar nga shtetet që dilnin nga dominimi kolonial, luajti rol vendimtar në formësimin e agjendës së dekolonizimit të Kombeve të Bashkuara gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Ky angazhim u përkthye në një bllok votues të fuqishëm dhe të bashkuar brenda Asamblesë së Përgjithshme të OKB që dënoi pa hezitim kolonializmin, imperializmin dhe neokolonializmin në të gjitha manifestimet e tyre, si dhe dha mbështetje të vazhdueshme për lëvizjet kombëtare për pavarësi. Avokimi kolektiv i NAM përshpejtoi zbatimin e Rezolutës 1514 (XV), Deklaratës mbi Dhënien e Pavarësisë Vendeve dhe Popujve Kolonialë, duke e përkufizuar vetëvendosjen si normë jus cogens (ligj detyrues), duke krijuar kështu mjedisin gjeopolitik dhe ligjor për t’i fuqizuar entitetet territoriale, madje edhe ato brenda strukturave të ndërlikuara federale, si shtetet themeluese të Jugosllavisë së Titos, për të kërkuar sovranitet dhe autonomi më të madhe.

Këto zhvillime globale i dhanë Kosovës tërthorazi një formë të kufizuar autonomie, e cila deri në vitin 1974 në Kushtetutën Jugosllave u njoh si krahinë autonome. Por ky status i ri nuk arriti ta njohë Kosovën si republikë të barabartë brenda federatës. E marginalizuar politikisht, Kosova mbeti në praktikë një Territor Jo-Vetëqeverisës brenda një rendi federal të dominuar nga serbët, e nënshtruar ndaj kontrollit të rreptë.

Ky status i pazgjidhur e la Kosovën në një pozitë të përhershme nënshtrimi, ku autonomia e saj varej tërësisht nga vullneti politik në ndryshim i Beogradit. Ndërsa Jugosllavia filloi të shpërbëhej në fund të viteve të ‘80-a, Serbia veproi shpejt për ta shfuqizuar autonominë e kufizuar të Kosovës, duke rivendosur kontroll të drejtpërdrejtë mbi burimet natyrore të Kosovës dhe duke shtypur jetën politike dhe kulturore. Gjatë viteve të ‘90-a, administrata serbe e Kosovës shfaqte shenja të qarta koloniale, të karakterizuara nga dëbimet masive nga puna të punëtorëve shqiptarë, shfrytëzim ekonomik, mbyllje të shkollave dhe mediave në gjuhën shqipe dhe një fushatë shtypjeje sistematike. Dhuna e mbështetur nga shteti u përshkallëzua në mizori të përhapura në masë të madhe – vrasje, shpërngulje me forcë dhe shkatërrim të fshatrave – duke kulmuar në luftën e viteve 1998-99, gjatë së cilës forcat serbe dëbuan pothuajse gjysmën e popullsisë së Kosovës dhe kryen vrasje masive që më vonë u dokumentuan në gjyqet për krime lufte. Gjatë kësaj lufte, mbi 13 mijë persona mbetën të vrarë apo të zhdukur.

Në këtë kontekst, rezistenca paqësore e viteve të ‘90-a, lufta e armatosur e shqiptarëve të Kosovës e viteve 1998-99 kundër shtypjes sistematike dhe e drejta e Kosovës për vetëvendosje përmes secesionit riparues (remedial secession) nga Federata Serbo-Jugosllave, ishin akte legjitime kundër një regjimi të paligjshëm dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ashtu siç ishte edhe shpallja e mëvonshme e pavarësisë së Kosovës.

PROTESTA E STUDENTËVE NË PRISHTINË. FOTOGRAFIA ËSHTË MARRË NGA MIHANE SALIHU-BALA.

Megjithatë, pavarësia e Kosovës nuk u arrit përmes një procesi formal dekolonizimi. Në vend të kësaj, ishte fushata ushtarake e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në vitin 1999, e nisur për ta ndalur spastrimin etnik të Serbisë në Kosovë, që i dha fund sundimit serb dhe hapi rrugën për popullin e Kosovës që të vendoste për të ardhmen e vet.

Pavarësisht kësaj, lufta e Kosovës për çlirim kombëtar nga sundimi serbo-jugosllav ishte një përpjekje për t’u çliruar nga sundimi kolonial brenda strukturave të pabarabarta politike. Qoftë e interpretuar si secesion riparues jashtë kontekstit kolonial, si koloni që shkëputet e përbërë nga popuj nën sundim dhe pushtim të huaj, ose si hap drejt vetëvendosjes së jashtme brenda situatës koloniale, njohja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet asnjë kërcënim për stabilitetin e rendit ndërkombëtar. Përkundrazi, është minimi dhe mohimi i vazhdueshëm i sovranitetit të Kosovës nga Serbia dhe përpjekjet e përhershme serbe për të diskredituar dhe delegjitimuar shtetësinë e Kosovës që në të vërtetë minojnë sigurinë rajonale.

Sfidimi i refuzimit të pavarësisë së Kosovës në GJND

Pas nëntë vitesh, si protektorat ndërkombëtar në kuadër të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, pas një rundi negociatash të udhëhequra nga OKB, të kryesuara nga ish-Presidenti finlandez Martti Ahtisaari dhe koordinimit me anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare. Brenda dy vitesh, 69 shtete e njohën Kosovën, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë duke lobuar kundër shtetësisë së saj.

Më 15 gusht 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga GJND mbi ligjshmërinë e kësaj deklarate. Në këtë kontekst, doktrina “Blue Water” – historikisht e përdorur për ta kufizuar shkëputjen – u shfaq sërish si pikë juridike referimi. Pavarësisht përkufizimeve në zgjerim të OKB për kolonializmin, disa shtete në seancat dëgjimore të GJND argumentuan se e drejta për vetëvendosje vlen vetëm për kolonitë detare.

Në mungesë të narrativës koloniale, Serbia, e mbështetur nga Rusia, e paraqiti pavarësinë e Kosovës si shkëputje që shkelte integritetin territorial të Serbisë dhe si precedent të rrezikshëm që minon sovranitetin shtetëror dhe rendin ndërkombëtar. Ata gjetën terren të favorshëm tek vendet me qëndrime të ngjashme në GJND, të cilat u thirrën në mungesën e një narrative koloniale për ta kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se njohja e pavarësisë së Kosovës do t’i rrezikonte interesat e tyre të brendshme.

Spanja ishte një nga kundërshtaret më të zëshme të pavarësisë së Kosovës në GJND, duke këmbëngulur se e drejta ndërkombëtare nuk njeh të drejtën e shkëputjes së njëanshme për rajonet brenda shteteve të konsoliduara, përveç rasteve të sundimit kolonial ose pushtimit të huaj. Ajo argumentoi se situata e Kosovës nuk hynte në asnjërën nga këto kategori të kufizuara. Edhe Rusia mbajti qëndrimin se e drejta ndërkombëtare e ndalon shkëputjen jashtë kornizës koloniale, duke paralajmëruar se një precedent i tillë mund të ishte destabilizues. Venezuela dhe Burundi përsëritën argumente të ngjashme, duke e kufizuar qartë të drejtën për vetëvendosje vetëm te kolonitë e kaluara dhe aktuale. Bjellorusia propozoi një interpretim më të ngushtë, sipas të cilit shkëputja është e mundur vetëm në kushte kolonizimi ose nën një shtypje të ashpër.

PUBLIKIMI I OPINIONIT KËSHILLUES TË GJND PËR KOSOVËN MË 22 KORRIK 2010.

Shtetet që mbështetën deklaratën e pavarësisë së Kosovës në GJND i përqendruan argumentet e tyre rreth tri arsyetimeve kryesore ligjore. Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Estonia dhe Polonia u bazuan shprehimisht në argumentin e vetëvendosjes riparues, duke pretenduar se shtypja e tejzgjatur dhe mohimi i vetëqeverisjes së brendshme në kuptim të mirëfilltë e bënë pavarësinë e njëanshme një mjet të domosdoshëm të fundit. Irlanda dhe Holanda patën qëndrime të përafërta me këtë, duke theksuar deficitet e jashtëzakonshme humanitare dhe qeverisëse në Kosovë. Mbështetësit e mbetur, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Danimarka, Austria, Sllovenia, Zvicra, Japonia, Republika Çeke, Finlanda, Luksemburgu, Letonia, Maldivet dhe Sierra Leone theksuan argumente alternative: disa e vunë theksin te fakti se e drejta e përgjithshme ndërkombëtare nuk përmban asnjë ndalim për shpalljet e pavarësisë, të tjerë e karakterizuan Kosovën si rast sui generis që rrjedh nga administrimi i gjatë i OKB sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Në vitin 2010, GJND dha opinionin këshillues, duke deklaruar se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare. Gjithashtu, ajo konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, e cila themeloi Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, pas vitit 1999, pasi kjo rezolutë nuk e kishte përcaktuar statusin përfundimtar të Kosovës; dhe Këshilli i Sigurimit nuk e kishte rezervuar për vete marrjen e një vendimi të tillë. Në kohën e seancave dëgjimore të GJND në dhjetor 2009, rreth 69 shtete e kishin njohur pavarësinë e Kosovës; dhe ky numër vazhdoi të rritet pas mbajtjes së seancave.

Edhe pse mbështetësit e pavarësisë së Kosovës e kanë përshkruar rastin e saj si sui generis, veçantia e saj e vërtetë rrjedh nga e kaluara e saj koloniale, një aspekt që shpesh shpërfillet në diskursin ligjor dhe politik ndërkombëtar, siç ilustrohet në GJND, ku shtetet kundërshtuese u thirrën në përjashtimin e kontekstit kolonial kur refuzuan pavarësinë e Kosovës.

Pavarësisht këtij vendimi, vende si Spanja dhe Rusia ende vazhdojnë të mos e njohin Kosovën, duke u mbështetur në të njëjtat argumente. Shtatëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 dhe pas njohjes nga 120 vende, Kosova vazhdon të përballet me legjitimitet të kontestuar dhe një proces të ngecur të normalizimit në dialogun e saj me Serbinë, ndërsa rruga e saj drejt anëtarësimit në OKB vazhdon të hasë në pengesa.

Ndërkohë, pretendimet koloniale të Serbisë kanë vazhduar edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe pas konfirmimit të ligjshmërisë së saj nga GJND në vitin 2010. Beogradi vazhdon të mbajë struktura paralele në veriun me shumicë serbe, duke udhëhequr shkolla, spitale, administrata komunale, koordinim sigurie dhe financime të drejtpërdrejta, duke krijuar kështu një sistem alternativ që minon institucionet e Kosovës dhe njëkohësisht ushtron kontroll mbi jetën politike lokale përmes zgjedhjes, financimit dhe drejtimit të përfaqësuesve serbë. Përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të ndarë veriun e Kosovës, ku jo rastësisht gjenden burime natyrore kyçe, përfshijnë krijimin e një asociacioni vetëqeverisës të komunave serbe dhe orkestrimin ose mundësimin e sulmeve të dhunshme terroriste – të tilla si ato në Banjskë në vitin 2023 dhe në kanalin Ibër-Lepencit në vitin 2024. 

Pozicionimi i Kosovës brenda kësaj paradigme koloniale sugjeron që përpjekja e saj nuk është thjesht përpjekje për njohjen e shtetësisë së saj, por për njohjen e së kaluarës së saj koloniale dhe vendin e saj me të drejtë brenda procesit të papërfunduar global të dekolonizimit.

Marrë parasysh këtë, Kosova duhet të kthejë vëmendjen ndaj të kaluarës së saj koloniale, duke informuar Spanjën dhe shtetet që mbajnë qëndrime të njëjta se interpretimet e vjetruara të kolonializmit e shtrembëruan debatin në GJND. Shpallja e pavarësisë në vitin 2008 nuk ishte thjesht një shkëputje e njëanshme, por një veprim riparues i parimit të vetëvendosjes kundër dominimit kolonial, i ngjashëm me rastin e Namibisë nën sundimin e Afrikës së Jugut. Po të mos ishte zbatuar doktrina e “Blue Water”, Kosova do të ishte kualifikuar si Territor Jo-Vetëqeverisës, në praktikë një koloni sipas Rezolutës 1541 të OKB. Një klasifikim i tillë do ta vendoste Kosovën brenda kornizës së dekolonizimit të OKB, duke i njohur të drejtën për vetëvendosje të jashtme.

Pozicionimi i Kosovës brenda kësaj paradigme koloniale sugjeron që përpjekja e saj nuk është thjesht përpjekje për njohjen e shtetësisë së saj në përputhje me opinionin këshillues të GJND, por për njohjen e së kaluarës së saj koloniale dhe vendin e saj me të drejtë brenda procesit të papërfunduar global të dekolonizimit.

Kjo qasje nënvizon detyrimin moral për dekolonizim, duke forcuar pretendimet e Kosovës për sovranitet dhe duke hapur mundësi diplomatike përmes ndërtimit të solidaritetit me vendet postkoloniale. Një qasje e tillë do t’i mundësonte Kosovës të ndërtojë aleanca dhe të sigurojë mbështetje nga ish-koloni në Afrikë, Azi, Paqësor, Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine. Ajo po ashtu ofron bazë për të sfiduar qëndrimet e atyre shteteve që, në parim, historikisht kanë mbështetur procesin e dekolonizimit të OKB dhe pavarësinë e territoreve ish-koloniale, por janë bazuar në mungesën e një konteksti kolonial për ta kundërshtuar pavarësinë e Kosovës në GJND.

Ndërsa është pranuar ndër vite nga studiues, intelektualë, politikanë dhe diplomatë shqiptarë, serbë dhe ndërkombëtarë, e kaluara koloniale e Kosovës mori rëndësi të re pas raportimit në Këshill të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 8 shkurt 2024. Delegacioni i Kosovës e ngriti zyrtarisht çështjen e së kaluarës së saj koloniale gjatë seancës për Misionin e UNMIK, duke shënuar një moment të rëndësishëm në diskursin e politikës së jashtme dhe duke ofruar shpresë për një narrativë të re që më në fund do ta adresonte këtë trashëgimi.

Shteti i Kosovës aktualisht po mbledh prova dhe po përgatit një padi që këto ngjarje të njihen zyrtarisht si gjenocid përmes mekanizmave të përcaktuar të së drejtës ndërkombëtare. Në qershor të vitit 2019, Kuvendi i Kosovës miratoi një projekt-rezolutë që kërkon drejtësi për 186 masakrat e kryera nga ushtria jugosllave, policia serbe dhe forcat paramilitare gjatë luftës së viteve 1998–1999 në Kosovë. Aty gjithashtu bëhet thirrje për themelimin e një tribunali të ri për të ndjekur penalisht krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve etnikë gjatë luftës.

Brenda këtij konteksti, përvoja e Kosovës me kolonializmin serb nuk është vetëm çështje e drejtësisë dhe vërtetësisë historike, por edhe një faktor kritik në formësimin e statusit të saj politik aktual dhe të trajektores së saj të ardhshme diplomatike. Njohja e së kaluarës koloniale të Kosovës është qenësore për diplomacinë strategjike. Ajo sfidon narrativat dominuese që mjegullojnë marrëdhëniet asimetrike të pushtetit mes Serbisë dhe Kosovës dhe argumenton për rëndësinë qendrore të kornizës koloniale në ripërcaktimin e termave të angazhimit në rajon.

Këto narrativa prej kohësh kanë shërbyer si mjete ideologjike për të legjitimuar kontrollin politik. Njohja e kësaj historie e nxjerr në pah se pretendimi i Serbisë mbi Kosovën është i motivuar nga logjika koloniale dhe jo i mbështetur në baza juridike apo morale. Përtej saktësisë historike, korniza koloniale ka pasoja të prekshme për negociatat në vijim dhe diplomacinë ndërkombëtare.

Një proces i qëndrueshëm dhe i njëmendtë i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ndodhë pa e pranuar Serbia natyrën koloniale të udhëheqjes së saj të kaluar mbi Kosovën. Mohimi i vazhdueshëm shërben vetëm për t’i forcuar narrativat nacionaliste dhe klerike brenda shoqërisë serbe, të cilat, shpesh të përforcuara nga interesat gjeopolitike ruse, cenojnë stabilitetin rajonal dhe pengojnë pajtimin e vërtetë. Si rezultat, Serbisë duhet t’i kujtohet vazhdimisht amnezia e saj kolektive dhe trajtimin kolonial njëqindvjeçar ndaj Kosovës.

Çrrënjosja e mendësisë së thellë koloniale në Serbi është e domosdoshme jo vetëm për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës, por edhe për ta parandaluar vazhdimin e padrejtësive historike. Ky kontekst kolonial duhet të ngrihet nga thirrjet retorike në një element qendror të përpjekjeve politike, juridike dhe diplomatike që synojnë ta zgjidhin këtë bllokadë. Trajtimi i këtij dimensioni në mënyrë të hapur dhe sistematike mund të kontribuojë në drejtimin e dialogut Kosovë–Serbi drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, të bazuar në barazi, llogaridhënie dhe njohje të ndërsjellë.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla

Qëndrimet dhe pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë ose pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës.

Ky artikull botohet në bashkëpunim me Pro Peace. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0.

Filed Under: Analiza

DOKTRINA E MONROSË…

January 8, 2026 by s p

Xhelal Zejneli/

Doktrina e Monrosë (The Monroe Doctrine) – është parim i politikës amerikane që e ka formuluar në vitin 1823 presidenti i ShBA-së Xhejms Monro ( James Monroe, 1759-1831) kund ndërhyrjes së shteteve evropiane në marrëdhëniet e kontinentit amerikan.

Shkaku i drejtpërdrejtë për proklamimin e këtij parimi ndodhi në vitin 1821, kur Rusia të cilës atëherë i takonte Alaska*, ua ndaloi hyrjen të gjitha anijeve të huaja në bregun veriperëndimor të Amerikës.

Shënim: ShBA-ja e bleu Alaskën nga Rusia në vitin 1867 për 7.2 milionë dollarë.

* * *

Në të njëjtën kohë Aleanca e Shenjtë (aleancë e lidhur midis Prusisë, Austrisë dhe Rusisë), meqë sapo e kishte shuar revolucionin spanjoll, përgatitej për ndërhyrje kundër lëvizjeve që luftonin për pavarësinë e kolonive të Spanjës dhe të Portugalisë në Amerikës Jugore. .

Me këtë rast, presidenti i ShBA-së Xhejms Monro (James Monroe), në letrën dërguar Kongresit më 2 dhjetor 1823, deklaroi se kontinenti amerikan në të ardhmen nuk mund të konsiderohet zonë kolonizimi e cilitdo shtet evropian. Çdo përpjekje të atyre shteteve që sistemin e tyre të qeverisjes i cili dallohet nga sistemi amerikan, ta përhapin në hemisferën perëndimore, ShBA-ja do ta konsiderojë të rrezikshme për paqen dhe sigurinë e vet.

Ndërhyrja e Francës në Meksikë në vitin 1860 dhe ndihma që ua jepte Anglia shteteve të jugut amerikan gjatë luftës civile të viteve 1860-1864 – e vunë në dyshim Doktrinën e Monrosë. Pas mbarimit të luftës civile, ShBA-a insistoi për zbatimin e saj. Më në fund, francezët u tërhoqën nga Meksika.

Më vonë, Doktrina e Monrosë u zbatua në ndërtimin e kanalit të Panamasë. Marrëveshja Clayton-Bulwer e viti 1850 e cila parashikonte kontrollin e përbashkët anglo-amerikan të kanalit, në vitin 1899 u zëvendësua Marrëveshjen Hay-Pauncefote, me të cilën, për kanalin e Panamasë pranohet vetëm kontrolli i ShBA-së.

Në vitin 1896, presidenti i ShBA-së Stivën Grover Kleveland (Stephen Grover Cleveland, 18 mars 1837 – 24 qershor 1908) deklaroi se Doktrina e Monrosë i jep të drejtë ShBA-së të vendosë në kontestin kufitar midis Guajanës Britanike dhe Venezuelës.

Në vitin 1902, kur Britania e Madhe, Gjermania dhe Italia ndërmorën bllokadën e përbashkët të Venezuelës, për ta detyruar t’i shlyejë borxhet, presidenti amerikan Teodor Ruzvelt (Theodore Roosevelt, 27 tetor 1858 – 6 janar 1919) e zgjeroi Doktrinën Monro asisoj që ShBA-ja të mundë të ndërmarrë edhe aksion preventiv, për ta pamundësuar ndërhyrjen apo intervenimin evropian të planifikuar.

Me kalimin e kohës, kjo doktrinë u bë parim i përbashkët i të gjitha republikave të Amerikës dhe jo vetëm politikë e njëanshme e ShBA-së.

Me Deklaratën e vitit 1942 më Limë, shtetet anëtare të Unionit Panamerikan shprehën vendosmëri për t’u mbrojtur bashkërisht nga çdo ndërhyrje e jashtme. Në Marrëveshjen e Rio de Zhaneiros (RioTreaty) të vitit 1947, ranë dakord se sulmi mbi cilindo prej tyre, do të konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.

Në vitin 1954, sekretari shtetëror i ShBA-së Xhon Foster Dalles (John Foster Dulles, 25 shkurt 1888 – 24 maj 1959) deklaroi: “krijimi i një qeverie komuniste apo prokomuniste në ndonjë shtet të Amerikës Latine, qoftë edhe me vullnetin e lirë të popullsisë, do të kishte qenë në kundërshti me Doktrinën e Monrosë, për arsye se një qeveri e tillë për nga natyra e vet do t’i nënshtrohej ndikimit të huaj”.

Në fillim, Doktrina e Monrosë ka qenë një dokument i politikës kundër përzierjes së shteteve të huaja në punët e shteteve të tërë hemisferës perëndimore (Amerika Veriore dhe Amerika Latine), me të cilin njëherazi evitohet politika e përzierjes në punët evropiane.

Për këtë arsye, asaj i referohen edhe izolacionistët amerikanë. Më vonë kjo doktrinë mori karakter shumë më ofensiv.

* * *

Izolacionizmi ka qenë rrymë politike në ShBA e cila i kundërvihej përzierjes së Amerikës në problemet botërore. Kjo rrymë kërkonte sidomos që ShBA-ja sa më shumë të izolohet nga politika evropiane, të qëndrojë larg problemeve evropiane. Izolacionizmi nuk kishte të bënte me Azinë dhe me Amerikën Jugore. Deri në Luftën e Parë Botërore, izolacionizmi përbënte një prej parimeve themelore të politikës së jashtme amerikane. Vërtet Amerika mori pjesë në Luftën e Parë Botërore, por pas mbarimit të luftës, përsëri u bë izolacioniste dhe refuzoi të hyjë në Lidhjen e Kombeve. Sidomos Partia Republikane angazhohej për politikë të jashtme izolacioniste.

Izolacionistët u bënë tejet aktivë në vitet para Luftës së Dytë Botërore dhe u ngritën vendosmërisht kund ndihmës amerikane për aleatët. Kjo zgjati derisa ShBA-ja nuk hyri në luftë pas sulmit të Japonisë në Perl Harbur (Pearl Harbour) më më 7 dhjetor 1941. Me fjalë të tjera, izolacionizmi amerikan shkoi në favor të fuqive të boshtit. Pjesëmarrja e Amerikës në Luftën e Dytë Botërore, si dhe lidhjet ekonomike dhe politike pas luftës midis ShBA-së dhe Evropës, ndikuan në rënien e theksuar të numrit dhe të ndikimit të izolacionistëve në jetën politike të ShBA-së. Në vitet ’60 të shekullit XX, izolacionizmi si program politik në ShBA – u shua. Deri në Luftën e Dytë Botërore, tendenca izolacioniste, në njëfarë mase, kanë ekzistuar edhe në Britani të Madhe. Ato kanë kërkuar mospërzierjen në punët e kontinentit evropian, sidomos mospërzierjen në pjesën lindore të Evropës. Kohë pas kohe, tendenca izolacioniste paraqiteshin edhe në disa dominione britanike.

* * *

Sapo erdhi në krye të administratës, presidenti Donald Tramp përcaktoi Strategjinë e re amerikane të sigurisë. Kjo strategji paralajmëron “shlyerje civilizuese” në Botën e Vjetër. Në këtë dokument që u publikua më 9 dhjetor 2025, administrata e Trampit i vë në dyshim marrëdhëniet e afërta midis Evropës dhe ShBA-së, si ato të pas Luftës së Dytë Botërore. I kritikon vendet evropiane se në lëmin e mbrojtjes vazhdojnë të varen nga Amerika. Kur është fjala për konfliktet globale, Trampi u jep përparësi apo prioritet interesave amerikane. Strategjia e re amerikane ndaj Evropës të përkujton kohën e izolacionizmit amerikan.

* * *

Ministria Amerikane e Punëve të Jashtme (State Department), një ditë pas kapjes së Nikolas Maduros (Nicolás Maduro, 23 nëntor 1962 – ), publikoi në platformën X, bashkë me fotografinë e presidentit Donald Tramp (Donald Trump, 14 qershor 1946 – ), mbishkrimin:

“Kjo është hemisfera JONË dhe presidenti Tramp nuk do të lejojë të rrezikohet siguria jonë”.

Filed Under: Analiza

Serbia sërish në anën e gabuar të historisë!

January 8, 2026 by s p

Harry Bajraktari/

Ajo është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, udhëheqësi i të cilit dënoi arrestimin e Nicolás Maduros — simbol i represionit, zgjedhjeve të manipuluara, trafikut të drogës dhe narko-terrorizmit.

Ky reagim nga Aleksandar Vuçiq nuk është aspak befasues: diktatorët që sundojnë përmes frikës ndihen të kërcënuar kur drejtësia më në fund godet njërin prej tyre. Ja pse Vuçiqi dhe Maduro kanë të njëjtin model veprimi:

– Vuçiq përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

– Ai vazhdon të pengojë paqen, të përshkallëzojë tensionet dhe të kërcënojë sovranitetin dhe sigurinë e shteteve fqinje.

– Serbia mbetet e rreshtuar me shtete armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara dhe botës demokratike, përfshirë Rusinë, Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut.

– Mbështetja e Vuçiçit për Maduron nuk është diçka e re — ai e nisi karrierën e tij politike duke shërbyer për Sllobodan Milloseviqin, arkitektin brutal të luftërave dhe gjenocidit në Ballkan gjatë viteve ’90. Vuçiq vazhdon edhe sot të njëjtën trashëgimi, duke u rreshtuar me diktatorë dhe duke kundërshtuar llogaridhënien.

🇺🇸🇪🇺 U bëj thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë të mos lejojnë që Vuçiqi të diktojë realitetin përmes lojërave të tij të paturpshme dhe destabilizuese.

***

🔴 Serbia once again stands on the wrong side of history!

It is the only Western Balkan country whose leader condemned the arrest of Nicolás Maduro — a symbol of repression, stolen elections, drug trafficking, and narco-terrorism.

This reaction by Aleksandar Vucic comes as no surprise: dictators who rule through fear are unsettled when accountability finally reaches one of their own.

Here are the reasons why Vucic and Maduro have the same pattern:

– Vucic poses a direct threat to stability in the Western Balkans.

– He continues to undermine peace, escalate tensions, and threaten the sovereignty and security of neighboring states, standing increasingly isolated in the region.

– Serbia remains aligned with actors hostile to the United States and the democratic world, including Russia, China, Iran, and North Korea.

– Vucic’s support for Maduro is nothing new — he began his political career working for Slobodan Milosevic, the brutal architect of wars and genocide in the Balkans during the 1990s. Vucic continues that legacy today by siding with dictators and opposing accountability.

🇺🇸🇪🇺 I urge the United States and Western allies not to allow Vucic to dictate terms through shameless games.

Filed Under: Analiza

Vlora, dy tallje, një gala dhe një javë pa u la

January 6, 2026 by s p

Fejton nga Rafael Floqi

Ka mungesa që duken në statistika dhe ka mungesa që ndihen në trup. Uji bën pjesë tek të dytat. Kur mungon uji, nuk mungon thjesht një shërbim; mungon normaliteti, higjiena, qetësia, dinjiteti. Dhe kur kjo ndodh për katër apo pesë ditë rresht, nuk kemi më të bëjmë me një defekt teknik, por me një provë të karakterit të pushtetit.

Vlora që ka ujë sa mund ta eksportojë në Itali. Vlora që ka Ujin e Ftohtë s’ka ujë pёr nevojat më elementare. Bashkia punonjësit e së cilës që nga kryetarja i caktoi vetë Rama bën gala  (gallatë) Fshati digjet e bashkia socialiste krihet.

Në Vlorë, këtë fund dhjetori, qytetarët e mësuan se sa e gjatë mund të jetë një ditë pa ujë dhe sa e shkurtër është durimi i atyre që qeverisin vetëm nga kolltuku. Në shtëpitë e zakonshme, bidonët bosh u bënë orë matëse e ditëve. Në zyrat e pushtetit, ora vazhdoi të ecte normalisht, mes planifikimesh festive, ftesash elegante dhe mbrëmjesh gala.

Kontrasti ishte brutal: nga njëra anë, njerëz që pyesnin “kur do vijë uji?”; nga ana tjetër, institucione që silleshin sikur pyetja nuk ekzistonte. Sepse në Shqipëri, shpeshherë, pushteti nuk e sheh mungesën e ujit si emergjencë, por si zhurmë.

Në vend që të shpallej gjendje emergjence, në vend që të kishte komunikim të përditshëm, transparencë dhe mobilizim serioz, Bashkia e Vlorës zgjodhi një rrugë tjetër: normalitetin artificial. Një gala në mes të thatësirës urbane. Një festë në mes të ankesës. Një shfaqje në mes të mungesës.

Mbrëmja gala nuk ishte thjesht një aktivitet kulturor i keqvendosur. Ishte një mesazh. Një mesazh i qartë, edhe nëse i pavetëdijshëm: “Ne vazhdojmë jetën tonë. Ju rregullohuni vetë.” Dhe kur pushteti dërgon këtë mesazh, nuk ka më rëndësi se sa ditë do zgjasë defekti teknik; dëmi tashmë është politik dhe moral.

Qytetarët e Vlorës, për herë të rrallë, vendosën ta prishin këtë normalitet të rremë. Me bidonë bosh në duar, ata hynë aty ku pushteti po festonte dhe sollën brenda sallës atë që ishte lënë jashtë: realitetin. Nuk ishte një akt dhune. Ishte një akt simbolik. Një përplasje mes dy botëve që zakonisht nuk takohen: asaj të qytetarit që pret dhe asaj të pushtetit që feston.

Pamjet ishin të mjaftueshme për të kuptuar gjithçka: drita, muzikë, kostume dhe përballë tyre, bidonë plastikë bosh që përplaseshin në dysheme. Një simfoni e çuditshme, ku heshtja e përgjegjësisë mbyste çdo tingull tjetër.

Por nëse gala ishte tallja e parë, e dyta erdhi nga më lart. Më e rafinuar në formë, më e rëndë në përmbajtje.

Nga Tirana, kryeministri vendosi të flasë. Jo për të kërkuar ndjesë. Jo për të marrë përgjegjësi politike. Jo për të treguar empati. Por për të shpjeguar gjithçka me një fjali që do të mbetet gjatë në kujtesë: “plasi më në fund edhe syri i keq”.

Kjo nuk ishte thjesht një shprehje popullore e përdorur pa menduar. Ishte një zgjedhje fjalori. Dhe fjalori, në politikë, nuk është kurrë i pafajshëm. Ai tregon se si e sheh pushteti qytetarin.

Kur një kryeministër shpjegon mungesën e ujit me “syrin e keq”, ai nuk po flet si drejtues i një shteti modern. Ai po flet si dikush që mendon se qytetarët e tij i besojnë tersit më shumë se përgjegjësisë institucionale. Si dikush që supozon se një shpjegim gjysmë-magjik është i mjaftueshëm për të mbuluar një dështim konkret.

Në atë fjali kishte ironi, por jo humor. Kishte folklor, por jo ngrohtësi. Kishte një nëntekst të qartë: “Mos kërkoni llogari. Këto gjëra ndodhin.” Dhe kur pushteti i normalizon dështimet, ai i përsërit ato.

E gjithë kjo arrogancë nuk vjen rastësisht. Ajo ka një shpjegim të thjeshtë politik: sigurinë elektorale. Vlora ka qenë për dekada bastion i së njëjtës forcë politike. Në një territor ku rotacioni nuk ekziston, pushteti fillon të sillet jo si shërbëtor, por si pronar. Dhe pronari nuk ndien nevojën të justifikohet.

Në këto kushte, qytetari nuk trajtohet si sovran, por si zakon. Si diçka e dhënë. Si dikush që do të ankohet sot, do të harrojë nesër dhe do të votojë sërish pasnesër. Prandaj edhe tallja bëhet e mundur. Prandaj edhe mungesa e ndjeshmërisë nuk ndëshkohet.

Por bidonët bosh janë kujtesë e fortë. Ata nuk mbushen me fjalë. As me statuse. As me shprehje popullore. Ata mbushen vetëm me ujë. Dhe uji vjen vetëm kur institucionet funksionojnë, jo kur festojnë.

Në fund, defekti teknik do të riparohet. Tubacioni do të rregullohet. Uji do të vijë. Por pyetja që mbetet nuk është teknike. Është politike: çfarë mbetet pas?

Mbetet një qytet që pa se si trajtohet kur ka nevojë. Mbetet një pushtet që u zbulua më shumë se ç’do të donte. Dhe mbetet një fjali – “plasi syri i keq” – që do të kujtohet si simbol i një distance të rrezikshme mes qeverisjes dhe qytetarit.

Sepse krizat nuk tregojnë sa të forta janë tubacionet. Ato tregojnë sa i fortë është karakteri i pushtetit. Dhe në Vlorë, këtë herë, uji mungoi, por arroganca ishte me tepri. 

Dhe tubi tha Rama do na vijë nga Turqia, he po elbete “mall turk”  të gjitha të këqijat nuk vijnë nga turqit , ja aeroporti, ja tuneli…tani të besojmë të mbajë. 

Filed Under: Analiza

UKSHIN HOTI: FILOZOFIA E SHTETIT SI PËRGJEGJËSI POLITIKE DHE PROVË SOVRANITETI

January 5, 2026 by s p

Formimi akademik i Ukshin Hotit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbën një element thelbësor për të kuptuar orientimin e tij politik dhe diplomatik. Aleanca me Amerikën nuk konceptohej si garanci automatike e suksesit, por si kornizë politike brenda së cilës Kosova duhej të dëshmonte pjekuri shtetërore, qartësi strategjike dhe kapacitet institucional. Për të, fragmentarizimi i brendshëm në çështjet e sovranitetit përbën dobësi strukturore dhe jo pluralizëm funksional.



Nga Prof.dr Skender Asani

Rivlerësimi i mendimit politik të Ukshin Hotit në kontekstin e Kosovës bashkëkohore përbën një domosdoshmëri analitike për studimin e natyrës së shtetësisë së papërmbyllur dhe të sfidave strukturore me të cilat përballet Republika e Kosovës në sistemin ndërkombëtar. Ky rivlerësim nuk synon rehabilitimin simbolik të një figure historike, por përdorimin e mendimit të tij si kornizë teorike për interpretimin e marrëdhënieve ndërmjet sovranitetit, diplomacisë dhe funksionalitetit shtetëror. Ukshin Hoti duhet trajtuar si mendimtar i shtetformimit dhe i realizmit etik, jo si figurë mitike apo referencë emocionale.

Në qendër të filozofisë politike të Ukshin Hotit qëndron koncepti i shtetësisë si proces i vazhdueshëm politik, institucional dhe diplomatik. Për të, shteti nuk është rezultat i një akti juridik të vetëm, por produkt i ndërveprimit të qëndrueshëm midis legjitimitetit të brendshëm dhe pranueshmërisë ndërkombëtare. Në këtë prizëm, shpallja e pavarësisë së Kosovës do të përfaqësonte vetëm një fazë tranzitore drejt konsolidimit të subjektivitetit të plotë ndërkombëtar. Kjo qasje mbetet thelbësore për të kuptuar paradoksin e Kosovës së sotme: një shtet formalisht i pavarur, por ende i sfiduar në kapacitetin e tij për të vepruar si subjekt i barabartë në sistemin ndërkombëtar.

Formimi akademik i Ukshin Hotit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbën një element thelbësor për të kuptuar orientimin e tij politik dhe diplomatik. Studimet e tij në një mjedis ku politika trajtohet si disiplinë e interesit shtetëror, e balancuar me përgjegjësinë morale dhe rendin institucional, ndikuan drejtpërdrejt në konceptimin e tij mbi shtetin, sovranitetin dhe aleancat strategjike. Hoti nuk e perceptonte politikën si fushë improvizimi apo emocioni kolektiv, por si proces racional të ndërtimit të fuqisë legjitime brenda një rendi ndërkombëtar të strukturuar.

Në këtë kontekst, vlerësimi që Ukshin Hoti i bënte aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte thelbësisht strategjik dhe jo instrumental. Për të, SHBA-të përfaqësonin jo vetëm mbështetësin kryesor të çlirimit dhe mbijetesës së Kosovës, por aktorin kyç për rrumbullaksimin e shtetësisë së saj në planin ndërkombëtar. Aleanca me Amerikën nuk konceptohej si garanci automatike e suksesit, por si kornizë politike brenda së cilës Kosova duhej të dëshmonte pjekuri shtetërore, qartësi strategjike dhe kapacitet institucional. Hoti e kuptonte se mbështetja amerikane është e qëndrueshme vetëm kur përputhet me një subjekt politik të përgjegjshëm dhe koherent.

Ndryshe nga qasjet pasive që e trajtojnë aleancën me SHBA-të si zëvendësim të vullnetit politik vendor, Hoti e shihte këtë marrëdhënie si partneritet asimetrik, por aktiv. Në këtë partneritet, Kosova duhej të hynte jo si objekt i mbrojtjes ndërkombëtare, por si subjekt që artikulon interesa të qarta dhe të përputhshme me rendin perëndimor. Kjo perspektivë përkon me teorinë e shteteve të vogla në marrëdhëniet ndërkombëtare, sipas së cilës aleancat funksionojnë në mënyrë efektive vetëm kur shteti aleat ruan kapacitetin për të formësuar agjendën e vet strategjike.

Artikulimi i kërkesës për Republikë në vitin 1981 duhet parë edhe në këtë dritë. Ajo nuk ishte akt rebelimi simbolik, por projekt politik i ndërtuar mbi leximin e parimeve të rendit liberal ndërkombëtar dhe të të drejtës për vetëvendosje. Hoti e kuptonte se legjitimiteti i Kosovës nuk mund të mbështetej vetëm në narrativën historike, por duhej të përkthehej në gjuhë politike të kuptueshme dhe të pranueshme për aleatët perëndimorë, veçanërisht për Shtetet e Bashkuara.

Një element qendror i mendimit të tij është perceptimi realist i Serbisë si projekt shtetëror afatgjatë. Hoti e refuzonte interpretimin e Serbisë si regjim kalimtar, duke theksuar kontinuitetin e strategjisë së saj shtetërore. Ky realizëm politik e çonte në përfundimin se çdo dialog me Serbinë, i zhvilluar pa vetëdije të plotë sovraniteti dhe pa mbështetje të qartë strategjike perëndimore, rrezikon të prodhojë asimetri strukturore në dëm të Kosovës.

Në këtë kuptim, dialogu, sipas mendimit të Hotit, nuk duhet të shndërrohet në proces të menaxhimit teknik të konfliktit, por të mbetet instrument për përmbylljen e tij. Çdo negociatë që relativizon subjektivitetin shtetëror ose e trajton sovranitetin si çështje të hapur kompromisi përbën regres në procesin e shtetndërtimit. Ky parim ofron një kriter akademik për vlerësimin e dialogut Kosovë–Serbi dhe të rolit të ndërmjetësimit ndërkombëtar.

Një tjetër dimension thelbësor i mendimit të Ukshin Hotit është mosndarja artificiale midis politikës së brendshme dhe asaj të jashtme. Për të, fragmentarizimi i brendshëm në çështjet e sovranitetit përbën dobësi strukturore dhe jo pluralizëm funksional. Konsensusi minimal shtetëror mbi integritetin territorial dhe rendin kushtetues është parakusht për çdo veprim diplomatik efektiv, veçanërisht në raport me aleatët strategjikë.

Në përmbyllje, mendimi politik i Ukshin Hotit ofron një sintezë të qartë parimesh për rrumbullaksimin shtetëror të Kosovës: shtetësia nuk konsolidohet me deklarata, por me disiplinë politike; nuk mbrohet me improvizim, por me strategji; nuk përmbyllet me dialog të paorientuar, por me vetëdije të plotë sovraniteti. Mesazhi hotian është i prerë: Kosova duhet të veprojë si shtet, përpara se të kërkojë të trajtohet si i tillë. Kjo nënkupton konsensus minimal të brendshëm mbi integritetin territorial dhe rendin kushtetues, artikulim të qartë të interesave kombëtare në raport me Serbinë, dhe një aleancë aktive e jo pasive me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të konceptuar si partner strategjik në përmbylljen e subjektivitetit ndërkombëtar. Në logjikën e Hotit, Perëndimi nuk e ndërton shtetin në vend të Kosovës; ai e mbështet atë vetëm nëse Kosova dëshmon pjekuri shtetërore, qartësi konceptuale dhe guxim moral. Alternativa është e njohur dhe historikisht e rrezikshme: ose Kosova flet dhe vepron si subjekt sovran me orientim të qëndrueshëm perëndimor, ose mbetet çështje e hapur, e menaxhuar nga të tjerët. Ky është testi hotian i shtetësisë  dhe ende mbetet i hapur.


Shkup,
05 janar 2026

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 985
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT