• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga Haga te diplomacia aktive e Kosovës dhe Shqipërisë

September 18, 2026 by s p

Kosova dhe Shqipëria përballë një përgjegjësie të re: koordinim strategjik, veprim diplomatik dhe mbrojtje e argumentuar e interesave shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

16 shtatori 2026 nuk duhet të kalojë vetëm si një datë tjetër në kalendarin politik të Kosovës. Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka hapur një fazë të re, e cila kërkon jo vetëm reagim politik e shoqëror, por mbi të gjitha përgjegjësi institucionale, qetësi dhe veprim diplomatik. Më 16 shtator, Trupi Gjykues i shpalli të katër të akuzuarit fajtorë për disa vepra penale të krimeve të luftës dhe caktoi dënimet përkatëse.

Tani nuk është koha për të mbetur vetëm te emocionet, te deklaratat e ditës apo te reagimet individuale.

Tani është koha për shtetin-Kosova dhe Shqipëria duhet të veprojnë si shtete.Të dyja shtete në çështjet ku kanë interesa të përbashkëta, duhet të veprojnë të koordinuara.

Kjo nuk do të thotë se Prishtina dhe Tirana duhet të kenë një politikë të jashtme identike. Të dyja janë shtete sovrane, me kushtetutat, institucionet dhe përgjegjësitë e tyre ndërkombëtare. Por sovraniteti i veçantë nuk e pengon koordinimin strategjik. Përkundrazi, në momente të rëndësishme, koordinimi ndërmjet dy shteteve shqiptare mund ta fuqizojë zërin e secilit prej tyre.

Në fakt, ky koordinim tashmë ka një bazë institucionale. Konsultimet diplomatike Kosovë–Shqipëri kanë trajtuar harmonizimin e veprimeve diplomatike për objektiva strategjikë, ndërsa në vitin 2026 të dyja palët kanë theksuar publikisht rëndësinë e koordinimit të ngushtë në çështjet me interes të përbashkët.

Prandaj, pas Hagës, ky koordinim duhet të ngrihet në një nivel më të qëndrueshëm dhe më funksional,jo si strukturë simbolike dhe forum ceremonial.

Por si instrument real i koordinimit të politikës së jashtme në çështjet ku interesat përputhen.Kosova nuk duhet të mbetet vetëm në rolin e reagimit

Për një shtet, diplomacia është një prej instrumenteve themelore të mbrojtjes dhe avancimit të interesave kombëtare dhe shtetërore. Kosova nuk mund të presë gjithmonë që zhvillimet ndërkombëtare të ndodhin dhe vetëm pastaj të reagojë.Një diplomaci e tillë mbetet kryesisht reaktive.

Kosovës i duhet diplomaci aktive.

Diplomacia aktive nënkupton të jesh në tavolinë para se të merret vendimi, të kesh argumentet para se të shtrohet pyetja dhe të kesh marrëdhëniet diplomatike të ndërtuara para se të lindë kriza.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për çështjet që lidhen me historinë e luftës së Kosovës dhe me mënyrën se si kjo histori paraqitet në arenën ndërkombëtare.

Nëse Kosova nuk e shpjegon vetë historinë e saj, hapësira e interpretimit mund të mbushet nga të tjerët.

Nëse Kosova nuk i paraqet vetë dokumentet dhe argumentet e saj, të tjerët do të paraqesin dokumentet dhe argumentet e tyre.

Nëse Kosova nuk e ndërton vetë komunikimin ndërkombëtar, hapësira publike ndërkombëtare do të ndikohet nga narrativat e palëve të ndryshme.

Prandaj, pas Hagës, duhet të ketë një kthesë në mënyrën e të menduarit diplomatik.

Tirana dhe Prishtina: nga koordinimi sporadik te strategjia e qëndrueshme

Shqipëria dhe Kosova kanë bashkëpunuar në shumë fusha. Por sfidat ndërkombëtare kërkojnë që ky bashkëpunim të ngrihet në një nivel më të qëndrueshëm dhe më të organizuar.

Duhet të funksionojë një mekanizëm i rregullt konsultimi diplomatik Prishtinë–Tiranë për çështjet e politikës së jashtme me interes strategjik.

Në të mund të përfshihen institucionet përkatëse, ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, diplomatë me përvojë, studiues të historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe ekspertë të komunikimit strategjik.

Kjo strukturë duhet të prodhojë dokumente dhe analiza, jo vetëm deklarata.

Duhet të përgatiten analiza juridike.

Duhet të hartohen pozicione diplomatike.

Duhet të identifikohen partnerët ndërkombëtarë.

Duhet të përcaktohen objektivat.

Dhe duhet të koordinohen mesazhet.

Kjo do të ishte diplomaci e organizuar, e cila nuk varet vetëm nga reagimet e momentit.

SHBA-ja duhet të jetë në qendër të komunikimit strategjik

Në çdo strategji të re diplomatike të Kosovës, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara kanë rëndësi të veçantë.

Kosova duhet të ruajë dhe të thellojë komunikimin institucional me Uashingtonin.

Por ky komunikim duhet të jetë serioz, i vazhdueshëm dhe i argumentuar.

Nuk mjafton të thuhet se SHBA-ja është aleate. Aleancat kërkojnë mirëmbajtje të vazhdueshme institucionale, politike dhe diplomatike.

Duhet të ketë komunikim me institucionet amerikane.

Duhet të ketë diplomaci në Kongres.

Duhet të ketë diplomaci akademike.

Duhet të ketë diplomaci publike.

Duhet të ketë komunikim me qendrat e mendimit strategjik.

Dhe duhet të ekzistojë një prani e vazhdueshme diplomatike që e shpjegon Kosovën jo vetëm në momentet e krizave, por gjatë gjithë vitit.

Shqipëria, për shkak të anëtarësimit të saj në NATO dhe marrëdhënieve të saj me SHBA-në, mund të jetë një partner i rëndësishëm në këtë komunikim, pa e zëvendësuar në asnjë rrethanë diplomacinë e Kosovës.NATO-ja është pjesë e perspektivës së sigurisë së Kosovës

Nëse Kosova synon siguri të qëndrueshme dhe konsolidim euroatlantik, NATO-ja duhet të mbetet një prej prioriteteve të diplomacisë së saj.

Shqipëria është anëtare e NATO-s, ndërsa Kosova është e lidhur ngushtë me strukturat euroatlantike dhe KFOR-i mbetet pjesë qendrore e arkitekturës së sigurisë në Kosovë.Kjo krijon hapësirë të natyrshme për koordinim.

Edhe bashkëpunimi praktik në fushën e sigurisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është duke u zhvilluar. Në shkurt 2026, krerët e mbrojtjes të Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës diskutuan mekanizma konkretë koordinimi, ushtrime të përbashkëta dhe forcimin e kapaciteteve në përputhje me objektivat euroatlantike.

Tirana duhet ta mbështesë Kosovën në proceset euroatlantike në përputhje me politikën e saj të jashtme, ndërsa Prishtina duhet të ndërtojë vetë kapacitetet politike, diplomatike dhe të sigurisë që e forcojnë pozitën e saj.

Pas Hagës, mesazhi duhet të jetë i qartë:Kosova kërkon më shumë integrim euroatlantik, më shumë siguri dhe më shumë konsolidim institucional.

Kjo është diplomaci e orientuar nga e ardhmja.Bashkimi Evropian kërkon punë diplomatike të përditshmeEdhe në raport me Bashkimin Evropian, Kosova duhet të kalojë nga reagimi te iniciativa.Brukseli nuk duhet të kujtohet vetëm kur shfaqet një krizë.Diplomatët kosovarë duhet të jenë të pranishëm vazhdimisht në kryeqytetet evropiane ku zhvillohet politika që prek drejtpërdrejt interesat e Kosovës.

Duhet të flitet me qeveritë,me parlamentet,me institucionet evropiane,të flitet me mediat.Duhet të flitet me universitetet dhe qendrat kërkimore.

Dhe Shqipëria duhet të përdorë hapësirat e veta diplomatike evropiane për të mbështetur, aty ku qëndrimet përputhen, proceset që lidhen me Kosovën.

Kjo nuk do të thotë që Tirana të flasë në vend të Prishtinës. Përkundrazi, do të thotë që dy shtetet të përdorin kapacitetet e tyre përkatëse në funksion të objektivave ku kanë interes të përbashkët.

Kosova përballet me një realitet të veçantë në sistemin ndërkombëtar.Pikërisht për këtë arsye, diplomacia duhet të jetë edhe më aktive.

Në Kombet e Bashkuara, Shqipëria ka një rol institucional që Kosova nuk e ka në të njëjtën formë. Kjo hapësirë mund të përdoret për paraqitjen e qëndrimeve që lidhen me Kosovën, në përputhje me politikën e jashtme të Shqipërisë dhe me të drejtën ndërkombëtare.

Por një gjë duhet të jetë e qartë:asnjë shtet nuk mund ta bëjë punën e Kosovës në vend të Kosovës.Prishtina duhet të prodhojë argumentin,Tirana mund ta mbështesë.Partnerët mund ta përkrahin,por Kosova duhet të jetë bartësja kryesore e zërit të saj.

Këshilli i Evropës dhe diplomacia juridike

Në Këshillin e Evropës dhe në forumet e tjera evropiane, argumenti juridik ka rëndësi të veçantë.Prandaj, Kosovës i duhet një diplomaci që e njeh mirë të drejtën ndërkombëtare.

Nuk mund të ketë diplomaci serioze pa juristë ndërkombëtarë.

Nuk mund të ketë mbrojtje të interesave shtetërore pa dokumentacion.

Nuk mund të ketë komunikim të qëndrueshëm ndërkombëtar pa argument.

Për këtë arsye, Kosova dhe Shqipëria mund të krijojnë ekipe të përbashkëta ekspertësh për çështjet ku kanë interesa të përbashkëta.

Jo për të ndërhyrë në drejtësi e për të zëvendësuar gjykatat.

Por për të siguruar që dimensioni juridik i çështjeve të Kosovës të jetë i kuptuar dhe i argumentuar në mënyrë profesionale në arenën ndërkombëtare.

Duhet bërë dallimi ndërmjet drejtësisë dhe historisë,këtu kërkohet një qasje e matur.

Proceset gjyqësore duhet të trajtohen në kuadrin e tyre juridik,por historia e Kosovës është një çështje shumë më e gjerë.

Lufta, represioni, ndërhyrja ndërkombëtare, administrimi ndërkombëtar dhe procesi i shtetformimit janë pjesë të një konteksti historik që nuk mund të reduktohet në një proces penal.Ky dallim duhet të shpjegohet në mënyrë profesionale.

Kosova nuk duhet të kërkojë nga diplomacia ndërkombëtare të zëvendësojë drejtësinë.

Por Kosova ka të drejtë të tregojë historinë e saj, të paraqesë dokumentet dhe të mbrojë argumentet e saj në arenën ndërkombëtare.Kjo duhet të jet pjesë e diplomacisë shtetërore.

Diplomacia shqiptare duhet të jetë e koordinuar, jo e shpërndarë

Një prej sfidave kryesore është koordinimi.

-një deklaratë në Prishtinë.

-një tjetër në Tiranë.

-një tjetër në Bruksel.

-një tjetër në Uashington.

Në vend të kësaj, duhet të ekzistojë një strategji.Kjo nuk nënkupton që të gjithë të përdorin të njëjtat fjalë.Nënkupton që të gjithë të dinë se cili është objektivi.

Një strategji diplomatike duhet të ketë objektiva të qarta dhe të matshme: forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës;thellimin e marrëdhënieve me aleatët;mbështetjen për integrimin euroatlantik;forcimin e sigurisë;rritjen e pranisë diplomatike; dhe prezantimin profesional të argumenteve historike e juridike të Kosovës.

Nuk duhet të ketë boshllëk diplomatik

Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare tregon se hapësirat e pambuluara diplomatike priren të mbushen nga aktorë të tjerë.

Nëse një shtet nuk paraqet argumentet e veta, argumentet e të tjerëve mund të dominojnë hapësirën publike.

Nëse një shtet nuk dokumenton, dokumentacioni i palëve të tjera mund të bëhet burimi kryesor i debatit.

Nëse një shtet nuk ndërton marrëdhënie, hapësira diplomatike mund të shfrytëzohet nga aktorë me interesa të ndryshme.

Prandaj, Kosova nuk mund të lejojë që diplomacia e saj të funksionojë vetëm si reagim ndaj diplomacisë së Serbisë apo ndaj zhvillimeve të tjera rajonale.

Kosova duhet të ketë agjendën e vet diplomatike.

Duhet të ketë iniciativa,partneritete.,dëshmoj me dokumente,të ketë njerëz në terren,të ketë komunikim të vazhdueshëm.

Një front diplomatik, jo një front politik

Kur flasim për një “front diplomatik”, nuk duhet të nënkuptojmë një front partiak.

Diplomacia duhet të largohet nga logjika e përplasjeve të brendshme.

Çështjet strategjike të Kosovës nuk duhet të ndryshojnë sa herë ndryshon qeveria.

Marrëdhëniet me SHBA-në.

Marrëdhëniet me NATO-n.

Perspektiva evropiane.

Siguria e Kosovës.

Marrëdhëniet me Shqipërinë.

Subjektiviteti ndërkombëtar.

Këto duhet të jenë pjesë e një qasjeje sa më të qëndrueshme shtetërore.

Sepse shtetet nuk ndërtojnë strategji vetëm për një mandat.

Shtetet ndërtojnë strategji për dekada.

Pas vendimit të Hagës, Kosova ka nevojë për qetësi, maturi dhe vendosmëri.

Ka nevojë për veprim institucional,për diplomaci,për ekspertizë juridike,për komunikim ndërkombëtar dhe veçmas ka nevojë për koordinim me Shqipërinë.

Tirana dhe Prishtina duhet ta kuptojnë se ky është moment për një nivel të ri bashkëpunimi.

Por për koordinim strategjik të dy shteteve sovrane shqiptare në çështjet ku interesat përputhen.

Kosova duhet të jetë në Bruksel,Uashington,Ankara,Londër,Berlin,Paris,Romë.Në organizatat ndërkombëtare,në universitetet dhe qendrat e mendimit.Me një fjalë në çdo hapësirë ku formësohet politika ndërkombëtare.

Shqipëria duhet ta përdorë fuqinë e vet diplomatike për ta mbështetur këtë prani, aty ku kjo përputhet me interesat dhe politikën e saj të jashtme.

Kjo është rruga e diplomacisë aktive.

Nga reagimi te strategjia e veprimit

Kosova nuk mund ta ndryshojë të kaluarën.

Por mund ta përcaktojë mënyrën se si e paraqet atë në të ardhmen.

Nuk mund të kontrollojë çdo vendim të institucioneve ndërkombëtare.

Por mund të kontrollojë cilësinë e diplomacisë së saj.

Nuk mund t’i detyrojë të tjerët të mendojnë njësoj.

Por mund t’u paraqesë argumentet e veta me profesionalizëm.

Dhe nuk mund të kërkojë që Shqipëria të flasë në vend të saj.

Por mund të ndërtojë me Shqipërinë një koordinim diplomatik që i fuqizon të dyja.

Kjo është përgjegjësi shtetërore.

Pas Hagës nuk duhet të ketë vetëm një valë deklaratash.Duhet të ketë një strategji,strategji të argumentuar,strategji afatgjatë,strategji që e vendos Kosovën dhe interesat e saj në qendër të diplomacisë së saj.

Prishtina duhet të flasë si shtet,ndersa Tirana duhet ta mbështesë si shtet.Dhe, kur interesat përputhen, të dyja duhet të veprojnë të koordinuara.

Sepse në marrëdhëniet ndërkombëtare, një shtet duhet të jetë vazhdimisht i pranishëm për t’i mbrojtur dhe avancuar interesat e veta.

Dhe sot, më shumë se kurrë, mesazhi duhet të jetë i qartë:

Koha për diplomaci.

Filed Under: Analiza

UÇK-ja në gjyq, Serbia jashtë sallës

September 17, 2026 by s p

Fadil Ferizi/

Ka aktgjykime që ndajnë drejtësi. Ka edhe aktgjykime që, duke u mbështetur në mandat të ngushtë juridik, prodhojnë pasoja të gjera historike.

Vendimi i sotëm i Dhomave të Specializuara në Hagë është i tillë.

Nga viti 2016 deri në vitin 2027, sipas përllogaritjeve të financimeve të miratuara për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, janë shpenzuar dhe paraparë mbi 530 milionë euro. Mbi gjysmë miliardi euro për një mekanizëm që, përtej gjuhës juridike, ka prodhuar një pamje të rëndë: drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bankën e të akuzuarve, Serbia jashtë sallës.

Sipas vendimit të shpallur sot nga Trupi Gjykues, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë shpallur fajtorë për krime lufte. Hashim Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim për arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte. Kadri Veseli është dënuar me 18 vjet burgim për të njëjtat pika. Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim. Jakup Krasniqi është dënuar me 25 vjet burgim.

Por Trupi Gjykues nuk i shpalli fajtorë për krime kundër njerëzimit. Akuzat për përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë si krime kundër njerëzimit nuk u provuan në standardin e kërkuar. Ky nuk është hollësi juridike. Është fakt me peshë politike dhe historike.

Këtu qëndron paradoksi i madh i këtij aktgjykimi: nuk u provuan krimet kundër njerëzimit, por u shqiptuan dënime tepër të rënda ndaj figurave kryesore të luftës çlirimtare. Juridikisht, dallimi ndërmjet krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit mund të shpjegohet. Por historia nuk ruhet vetëm me nene. Kujtesa publike nuk mban mend vetëm arsyetime gjyqësore. Ajo mban mend skenën.

Dhe skena është e padrejtë në përmasën e saj historike.

Në qendër të gjykimit janë ish-drejtuesit e UÇK-së. Jashtë kësaj skene mbetet Serbia, shteti që kishte ushtrinë, policinë, aparatin administrativ, burgjet, dëbimet, masakrat dhe mekanizmin e dhunës mbi shqiptarët e Kosovës. Kjo mungesë nuk është çështje teknike. Është boshllëk moral.

Askush nuk duhet të kërkojë imunitet penal në emër të luftës. Përgjegjësia penale është individuale dhe çdo viktimë meriton të vërtetën e vet. Por asnjë përgjegjësi individuale nuk mund ta përmbysë të vërtetën kolektive të një lufte çlirimtare. UÇK-ja nuk lindi nga dëshira për konflikt. Ajo lindi nga një histori shtypjeje, nga heqja e autonomisë, nga përjashtimi institucional, nga dhuna policore, nga dëbimet dhe nga një regjim që lirinë e shqiptarëve e shihte si rrezik.

Prandaj një proces me mandat të ngushtë mund të bëhet i rrezikshëm kur fillon të prodhojë kujtesë të gjerë. Ai mund ta ngushtojë historinë deri aty sa skena e gjyqit të zëvendësojë skenën e luftës. Mund të krijojë përshtypjen se tragjedia filloi me UÇK-në, jo me shtetin që e detyroi Kosovën të mbrohej.

Ky është dëmi më i madh.

Dhomat e Specializuara mund të thonë se nuk gjykojnë historinë e Kosovës, por vetëm individë. Megjithatë, institucionet nuk jetojnë vetëm në tekstin e ligjit. Ato jetojnë edhe në perceptim, në arkiv, në fotografi, në mënyrën se si brezat e ardhshëm do ta lexojnë të kaluarën. Dhe në këtë kuptim, ky mekanizëm, i mbështetur dhe i financuar kryesisht nga Bashkimi Evropian, sot humbi shumë nga autoriteti moral që pretendonte ta kishte.

Përgjegjësi kanë edhe institucionet e Kosovës. Kjo gjykatë nuk u ngrit vetëm nga jashtë. Kuvendi i Kosovës ndryshoi Kushtetutën dhe miratoi ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Kosova mori pjesë në krijimin juridik të një mekanizmi që sot prodhon pasoja të rënda për kujtesën e saj kombëtare.

Prandaj pyetja nuk është vetëm për Evropën. Është edhe për ne. A e kuptuan institucionet tona se drejtësia nuk prodhon vetëm aktgjykime, por edhe histori? A e panë se një mekanizëm i tillë, me mandat të ngushtë dhe me efekt të gjerë publik, mund të prodhonte një pamje të shtrembëruar të luftës së Kosovës?

Kosova nuk duhet të ketë frikë nga drejtësia. Por duhet të ketë kujdes nga drejtësia e pjesshme që, në kujtesë, mund të kthehet në padrejtësi të plotë.

Prandaj sot duhet të jemi të matur, por jo të heshtur. Të drejtë ndaj çdo viktime, por edhe të drejtë ndaj historisë sonë. Të gatshëm ta pranojmë çdo të vërtetë të provuar, por të vendosur të mos pranojmë që e vërteta e pjesshme të paraqitet si histori e plotë.

Drejtësia le të kërkojë përgjegjësi individuale. Por askush të mos kërkojë nga shqiptarët të harrojnë pse lindi lufta, kush e shkaktoi tragjedinë dhe cilës padrejtësi iu përgjigj Kosova me luftën e saj për liri.

UÇK-ja dhe Republika janë të përjetshme dhe të pandashme.

Filed Under: Analiza

ABSURDITETI I NJË GJYKATE DHE I VERDIKTIT TË SAJ

September 17, 2026 by s p

Prof. Agim Vinca/

Dënime drakonike për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin: 81 vjet burg! Përse? Për shkak se gjatë luftës së Kosovës paskëshin shënjestruar, ndaluar, burgosur e torturuar njerëz të dyshuar si bashkëpunëtorë të armikut, në mesin e të cilëve edhe disa të ashtuquajtur “parlamentarë”. Absurd! Ne që gjatë luftës, por edhe para e pas saj, kemi jetuar në Kosovë, e dimë se të tillë ka pasur, madje jo pak, në mesin tonë, por edhe se në çdo luftë, kudo në botë, dje dhe sot, të tillët ndëshkohen, në një mënyrë apo në tjetrën, nga ata që e bëjnë luftën.

Në Francë pas Luftës së Dytë Botërore janë pushkatuar pa gjyq mijëra kolaboracionistë, përfshirë edhe mareshalin Peten (Pétain), i cili, për shkak të moshës së shtyrë, qe dënuar me burgim të përjetshëm. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u arrestua dhe u mbajt 18 vjet në kafaz poeti i shquar modern amerikan, Ezra Paund (Pound), vetëm pse kishte qenë adhurues i Musolinit dhe kishte mbajtur fjalime profashiste në Romë.

Të mos flasim pastaj për vendet e “demokracisë popullore”, si ish-Bashkimi Sovjetik dhe satelitët e tij, përfshirë edhe ish-Jugosllavinë dhe Shqipërinë, ku ndaj kolaboracionistëve nuk kishte aspak tolerancë. Fundja, lufta nuk është operetë.

Në pretencën e kryetarit të trupës gjykuese, Çarls Shmit, hiq një rast, atë të Behajdin Hallaçit, një ish-luftëtari të UÇK-së, përmendeshin pjesëtarë të organizatave dhe formacioneve të tjera politike e ushtarake, si Lidhja Demokratike dhe FARK-u.

Në reagimet para dhe pas verdiktit të Hagës ndër ne flitet pa pushim për Serbinë dhe Rusinë si promotorë të akuzave ndaj UÇK-së dhe krerëve të saj, por pothuajse në asnjë rast nuk preket roli i faktorit shqiptar në këtë mes. Serbia bën punë e vet si gjithmonë, duke mos lënë gur pa luajtur kundër nesh, po përse ne, bëhemi, me e pa dashje, aleatë të saj?!

Nëse nuk na ka lënë kujtesa besoj se na bie në mend, qoftë edhe për një çast, se çfarë qëndrimi ka mbajtur Lidhja Demokratike e Kosovës, kreu i saj, ndaj UÇK-së dhe se çfarë fushate ka zhvilluar gazeta e afërt me LDK-në, “Bota sot”, ndaj drejtuesve të UÇK-së si Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Sulejman Selimi, Rexhep Selimi, Azem Syla, Xhavit Haliti, Agim Çeku etj., pa kursyer as familjen Jashari, sikurse edhe ndaj mbështetësve të kësaj lufte dhe kundërshtarëve të të a. q. “politikë paqësore”, si Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Ukshin Hoti, një kohë edhe Ismail Kadareja, pastaj Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Bajram Kosumi, Ramë Buja, Luljeta Pula e shumë të tjerë, përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve.

Tek ato akuza e deponime, që patën filluar që nga dalja e UÇK-së në skenë dhe patën vazhduar vite me radhë, duhet kërkuar zanafillën e kësaj që po ndodh sot e jo të drejtohet gishti kah dikush që në asnjë çast nuk e ka mohuar luftën e UÇK-së dhe pastërtinë e saj, pavarësisht nga lufta politike që mund të ketë zhvilluar me ndonjë apo disa ish-luftëtarë të shndërruar në politikanë. Mos na e fyeni ndërgjegjen dhe inteligjencën si njerëz dhe si shqiptarë!

Kur para disa muajsh Prokuroria e Dhomave të Specializuara ngriti aktakuzën dhe kërkoi dënime me nga 45 vjet për secilin nga katër të pandehurit, nuk pati asnjë reagim nga kryesia e LDK-së. Heshtje e plotë. Kurse tani u mjaftua me një kumtesë për shtyp, në të cilën lufta çlirimtare tkurret te “pragu i shtëpisë”.

A nuk flet diçka ky fakt dhe përse heshtet në debatet tona sfilitëse televizive dhe kahmos tjetër?

Absurditeti i dytë i aktgjykimit në Hagë, edhe më i madh se i pari, është mëtimi se drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dënohen “në emër të popullit të Kosovës”! Këso ironie rrallë është parë në analet e drejtësisë: çlirimtarët dënohen në emër të popullit për lirinë e të cilit luftuan!

Kjo është tallje jo vetëm me drejtësinë, por edhe me historinë! Por, ajme! Juridikisht Dhomat e Specializuara janë themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe ligjërisht janë institucion i Kosovës, sado që çdo gjë zhvillohet jashtë territorit dhe juridiksionit të saj! Dihet se kjo gjykatë u formua me kërkesën e “miqve tanë ndërkombëtarë” (BE-SHBA), por teksa e ndiqnim me ankth shpalljen e aktgjykimit në Hagë na u kujtua se Hashimi, i njohur gjatë luftës me nofkën “Gjarpri”, qe dënuar në mungesë nga organet serbe me 20 vjet burg, kurse dje u dënua me 25 vjet! A s’është monstruoz ky fakt?!

Absurditeti i tretë, por jo edhe i fundit, i farsës gjashtëvjeçare të Hagës, është fakti që edhe kryeprokurori, në të vërtetë kryeprokuroja, Kimberly West, e edhe kryetari i Trupit gjykues, Charles Smith, janë amerikanë! Pra jo rusë, as kinezë, as spanjollë, francezë a italianë, por amerikanë, shtetas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjëma nganjëherë të vjen nga s’e pret! Dje u pa qartë se kjo Gjykatë nuk është dashur të formohej fare, me kurrfarë çmimi.

Urojmë që klasa politike e Kosovës të nxjerrë mësim nga pësimi dhe të sillet konform situatës së krijuar.

Prishtinë, 17 shtator 2026

Filed Under: Analiza

“Në emër të popullit të Kosovës”

September 17, 2026 by s p

Screenshot

Dje u dha vendimi i Dhomave të Specializuara të Gjykatës së Kosovës në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së dhe funksionarët e lartë të shtetit të ri të Kosovës, zotërinjtë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ishin dënime të rënda për krime lufte, duke rrëzuar akuzat për krime kundër njerëzimit.

Nuk do të ndalem në gjykimin e gjykimit të gjyqtarëve, pasi këtë tagër e ka një gjykatë më e lartë, ajo e Apelit, por nuk dëshiroj të jap asnjë opinion të përgjithshëm, pasi nuk i kam lexuar materialet e Prokurorisë Speciale. Thjesht i referohem postulatit se, kur flet drejtësia, gjithkush tjetër duhet të heshtë.

Gjëja më interesante në të gjithë këtë histori ishte deklarimi “në emër të popullit të Kosovës” nga gjyqtarë të huaj, në një sallë gjyqi ku nuk kishte asnjë simbol të shtetit të Kosovës. Se ku ishte populli i Kosovës në atë sallë, unë, për veten time, nuk pashë askund.

Mirëpo, kjo nuk është çudia e vetme dhe as më e madhja, pasi ka të tjera akoma më të mëdha.

Gjykata e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë është iniciuar dhe ngritur në respekt të zbardhjes së akuzave të ndërkombëtarëve dhe institucioneve europiane për krime kundër njerëzimit nga lidershipi i Kosovës, për krime të tmerrshme, duke përfshirë edhe transplantimin e organeve. Mirëpo, kjo gjykatë e rrëzoi akuzën për krime kundër njerëzimit, pa thënë asnjë fjalë për rrëzimin e themelit të ngritjes së kësaj gjykate.

Thashë më sipër se nuk do të prononcohem për krimet e supozuara apo proporcionalitetin e dënimit, por, nga çfarë kam dëgjuar, gjyqtarët e huaj të Gjykatës së Kosovës, besoj, kanë krijuar një precedent në jurisprudencën botërore duke pranuar “prova” nga institucionet e zbatimit të ligjit në Serbi.

A ka një rast të dytë në historinë e jurisprudencës botërore që, për të fajësuar çlirimtarët e Kosovës, pranohen “prova” nga pushtuesit dhe kriminelët e popullit të Kosovës të djeshëm, armiqtë e popullit dhe të shtetit të Kosovës së sotëm, pasi akoma edhe sot Serbia nuk e ka njohur shtetin e Kosovës?

Këto janë dy precedente që duhen konsideruar nga shkallët e tjera të gjykimit të ish-lidershipit të Kosovës, pasi, me këto dy akte, gjyqtarët e huaj të Gjykatës së Kosovës në Hagë, pa simbole të shtetit të Kosovës dhe me “prova” të marra në Serbi, kanë treguar zyrtarisht se nuk kanë qenë të paanshëm as në hetim dhe as në gjykim.

E thashë “as në hetim dhe as në gjykim”, pasi ish-lidershipin e Kosovës e kanë mbajtur në paraburgim për 6 vjet, duke shkelur të gjitha afatet procedurale, pa u përgjigjur askund.

Këto janë, në vija të përgjithshme, disa shkelje fondamentale të trupës së Dhomave të Specializuara të Gjykatës së Kosovës në Hagë, që, thellësisht besoj, nuk kanë për të kaluar pa u vënë re në shkallët e tjera të gjykimit.

Mirëpo, siç e kam thënë në një intervistë për një TV të Kosovës: “Kur të vret vetja, nuk ta merr kush gjakun.”

Ajo çfarë besoj se biem dakord të gjithë është se synimi i armiqve të kombit shqiptar nuk ka qenë dhe nuk është thjesht goditja, me të drejtë apo pa të drejtë, e ish-lidershipit të UÇK-së dhe të shtetit të ri të Kosovës, por delegjitimimi i luftës heroike të popullit të Kosovës, të organizuar në formacionet e UÇK-së, së bashku me shtetin e ri të Kosovës.

E kam thënë dhe e them se ne, si shqiptarë, jemi një popull i vonuar, që reagojmë me vonesë ose nuk arrijmë t’i kuptojmë fare zhvillimet rreth nesh. Ndryshe nuk ka si shpjegohet pranimi nga institucionet sovrane të Kosovës që të themelohet një gjykatë speciale me gjyqtarë të huaj, me subjekt të paracaktuar, për të hetuar “krimet” e lidershipit të UÇK-së, kur e gjithë bota ka parë live masakrat e serbëve mbi popullin shqiptar të Kosovës, ku edhe sot janë me mijëra të zhdukur.

Nuk duhet harruar edhe presioni i Tiranës zyrtare ndaj lidershipit të Kosovës për të themeluar këtë gjykatë me subjekt monoetnik në një shtet multietnik, besoj unik në jurisprudencën e Perëndimit demokratik.

Duhet theksuar se, megjithëse akoma nuk ka mbaruar gjithçka, politika e Kosovës nuk duhet të guxojë që t’i përdorë këto handikape në luftën politike në Kosovë e as në Shqipëri, nëse duam që të mbijetojë Kombi Shqiptar nga ky agresion i gjithanshëm e mjaft i rrezikshëm.

Në mënyrë urgjente, Kosova duhet të themelojë qeverinë e shpëtimit kombëtar, që, për mendimin tim, duhet ta kryesojë ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Thellësisht mendoj se qeverinë e shpëtimit kombëtar të Kosovës duhet ta kryesojë Vjosa Osmani, për të rikthyer Kosovën drejtpërsëdrejti nën ombrellën amerikane.

Koha nuk pret për të promovuar apo për të bërë eksperimente, pasi armiqtë e kombit shqiptar me siguri i kanë menduar, skicuar e programuar edhe hapat që do të hedhin nesër.

Çdo hap nga ana e institucioneve të Kosovës duhet të sinkronizohet nga ana e qeverisë së shpëtimit kombëtar të Kosovës me Presidentin Trump dhe institucionet amerikane.

Politikanë të kombit shqiptar, ju që jeni, ju bëj thirrje në emër të kombit që të bashkoheni për të bërë të mundur shpëtimin e Atdheut.

Ajet Delaj
New York

Filed Under: Analiza

Pas Hagës, Kosova duhet të flasë si shtet

September 17, 2026 by s p

Aktgjykimi ndaj drejtuesve të UÇK-së kërkon reagim institucional, diplomaci aktive dhe mbrojtje të argumentuar të luftës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

16 shtatori 2026 do të mbetet një datë e rëndë në kujtesën politike dhe institucionale të Kosovës. Në Hagë u shqiptua aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Dhomat e Specializuara i gjetën të katër të akuzuarit penalisht përgjegjës për disa krime lufte, ndërsa i shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Sipas njoftimit zyrtar të Dhomave të Specializuara, aktgjykimi lidhet me përgjegjësi individuale penale për vepra konkrete dhe përfshin edhe lirime nga akuza për një numër incidentesh të veçanta.

Ky është një moment që kërkon nga Kosova shumë më tepër sesa reagime emocionale. Kërkon shtetësi, qartësi, përgjegjësi dhe diplomaci.

Kosova nuk duhet të heshtë.

Por as nuk duhet të reagojë me gjuhën e zemërimit. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, shteti nuk matet vetëm nga forca e dhimbjes së tij, por edhe nga aftësia për ta shndërruar atë dhimbje në argument, dokument, diplomaci dhe veprim institucional.

Kjo është sfida e sotme.

Një aktgjykim gjyqësor nuk është e gjithë historia e Kosovës

Duhet bërë një dallim themelor: një aktgjykim penal përcakton përgjegjësi penale individuale për persona dhe për vepra konkrete brenda një procesi gjyqësor. Ai nuk është, në vetvete, një gjykim mbi të gjithë historinë e Kosovës, mbi të drejtën e popullit të Kosovës për liri apo mbi të gjithë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vetë Dhomat e Specializuara e kanë përshkruar çështjen si një proces që lidhet me përgjegjësinë individuale penale të katër të akuzuarve për vepra të caktuara gjatë konfliktit të viteve 1998–1999.

Kjo ndarje është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Kosova duhet ta respektojë procesin gjyqësor dhe, njëkohësisht, të mbrojë historinë e saj me mjete politike, juridike, diplomatike dhe akademike.

Të respektosh drejtësinë nuk do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për të argumentuar historinë.

Të pranosh ekzistencën e një vendimi gjyqësor nuk do të thotë që shteti duhet të heshtë përballë interpretimit politik që mund t’i bëhet atij.

Dhe pikërisht këtu fillon përgjegjësia e institucioneve të Kosovës.

Kosova duhet të reagojë si shtet, jo vetëm si shoqëri e prekur

Pas një ngjarjeje të tillë, reagimi institucional nuk mund të kufizohet në deklarata të rastit.

Duhet të ekzistojë një qëndrim i koordinuar i Presidencës, Qeverisë, Kuvendit dhe diplomacisë së Kosovës.

Duhet të flitet me gjuhën e së drejtës ndërkombëtare.

Duhet të komunikohet me aleatët.

Duhet t’u shpjegohet partnerëve ndërkombëtarë dallimi ndërmjet përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit të luftës së Kosovës.

Duhet të argumentohet historikisht dhe juridikisht se çfarë ishte konflikti i viteve 1998–1999, cilat ishin rrethanat që e prodhuan atë dhe cili ishte konteksti ndërkombëtar në të cilin ndërhyri NATO-ja.

Kjo nuk është ndërhyrje në drejtësinë e gjykatës.

Është diplomaci shtetërore.

Dhe diplomacia shtetërore nuk mund të lihet bosh.

Heshtja diplomatike krijon hapësirë për narrativa të tjera

Nëse Kosova nuk e shpjegon vetë historinë e saj, të tjerët do ta shpjegojnë atë në vend të saj.

Kjo është një nga mësimet më të rëndësishme të këtij momenti.

Serbia ka ndërtuar prej vitesh një politikë të jashtme aktive në raport me Kosovën. Beogradi e ka paraqitur konfliktin kryesisht përmes narrativës së vet politike dhe diplomatike.

Prandaj Prishtina nuk mund të mjaftohet me përgjigje pasive.

Një shtet që dëshiron të konsolidojë subjektivitetin e tij ndërkombëtar duhet të ketë diplomaci aktive, jo vetëm diplomaci reaguese.

Duhet të ketë ekipe që ndjekin vazhdimisht zhvillimet në organizatat ndërkombëtare, në parlamentet e shteteve aleate, në universitetet dhe qendrat kërkimore, në mediat ndërkombëtare dhe në institucionet juridike.

Duhet të ekzistojë një arkiv shtetëror i argumenteve.

Duhet të ekzistojë një strategji e komunikimit ndërkombëtar.

Duhet të ekzistojë një diplomaci që nuk zgjohet vetëm kur ndodh një krizë.

Lufta e Kosovës duhet të shpjegohet në tërësinë e saj

Historia nuk mund të ndërtohet vetëm mbi një aktgjykim.

Lufta e Kosovës duhet të studiohet dhe të shpjegohet në tërësinë e saj: represioni, shpërnguljet, dhuna ndaj popullsisë civile, rezistenca, UÇK-ja, ndërhyrja e NATO-s, administrimi ndërkombëtar dhe më pas ndërtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës.

Në këtë kontekst, edhe përgjegjësitë individuale për krime duhet të trajtohen me standardin e drejtësisë.

Por ato nuk mund të përdoren automatikisht për të përmbysur të gjithë kontekstin historik në të cilin u zhvillua lufta.

Ky është një dallim që Kosova duhet ta shpjegojë me qetësi dhe argumente.

Drejtësia dhe politika nuk duhet të ngatërrohen

Një nga çështjet më të ndjeshme është raporti ndërmjet drejtësisë dhe politikës.

Gjykata duhet të gjykojë mbi prova dhe standarde juridike.

Politika duhet të merret me pasojat politike, historike dhe ndërkombëtare të një zhvillimi të tillë.

Këto janë dy fusha të ndryshme.

Nëse politika përpiqet të zëvendësojë gjykatën, dëmtohet shteti i së drejtës.

Por nëse shteti hesht dhe e lë hapësirën publike ndërkombëtare vetëm për interpretimet e të tjerëve, dëmtohet diplomacia.

Prandaj Kosova duhet të bëjë atë që i takon një shteti: ta respektojë procesin juridik dhe, njëkohësisht, ta mbrojë me argumente interesin e saj shtetëror.

Katër emra, por një kapitull më i gjerë historik

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë sot në qendër të këtij procesi gjyqësor.

Por historia e Kosovës nuk fillon me ta dhe nuk përfundon me ta.

Ata kanë pasur role të rëndësishme politike dhe ushtarake gjatë periudhës së luftës dhe më pas kanë luajtur role të ndryshme në ndërtimin institucional të Kosovës. Megjithatë, një shtet nuk mund ta ndërtojë kujtesën e vet historike vetëm rreth individëve.

Institucionet duhet të ruajnë dokumentet.

Universitetet duhet të studiojnë historinë.

Arkivat duhet të jenë funksionale.

Diplomacia duhet të argumentojë.

Shoqëria civile duhet të debatojë.

Dhe shteti duhet të ketë një politikë të qartë të kujtesës historike.

Vetëm kështu një shoqëri e përballon një moment të vështirë pa u copëtuar politikisht.

Kosova nuk duhet të futet në konflikt me aleatët

Një gabim tjetër do të ishte që dhimbja e këtij momenti të shndërrohej në konflikt me aleatët ndërkombëtarë.

Kosova duhet të ruajë marrëdhëniet e saj strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore evropiane.

Kjo nuk nënkupton heqje dorë nga argumentet e veta; përkundrazi.

Marrëdhëniet e forta me aleatët krijojnë hapësirë për dialog më serioz, për shpjegim më të mirë të qëndrimeve dhe për mbrojtjen e interesave shtetërore.

Kosova ka nevojë për më shumë diplomaci, jo për më pak.

Ka nevojë për më shumë komunikim me aleatët, jo për izolim.

Ka nevojë për argumente, jo për retorikë të pakontrolluar.

Çfarë duhet të bëjë Kosova tani?

Pas këtij aktgjykimi, institucionet e Kosovës mund të ndërtojnë një platformë të qartë veprimi.

Së pari, duhet të ketë një analizë juridike dhe institucionale të plotë të aktgjykimit.

Së dyti, duhet të shpjegohet publikisht dallimi ndërmjet përgjegjësisë individuale të të dënuarve dhe historisë së përgjithshme të konfliktit.

Së treti, diplomacia e Kosovës duhet të komunikojë sistematikisht me shtetet që e kanë njohur Kosovën.

Së katërti, duhet të fuqizohet diplomacia publike dhe akademike.

Së pesti, duhet të dokumentohet në mënyrë profesionale historia e luftës dhe e periudhës së represionit.

Së gjashti, duhet të krijohet një mekanizëm i përhershëm për monitorimin e narrativave ndërkombëtare që lidhen me Kosovën.

Dhe, mbi të gjitha, duhet të ndërpritet politika e reagimit vetëm pasi ngjarja ka ndodhur.

Kosova duhet të jetë një hap përpara.

Nga reagimi te diplomacia aktive

Ky është ndoshta momenti për të ndryshuar një kulturë të tërë të veprimit shtetëror.

Kosova nuk mund të jetë vetëm subjekt që reagon ndaj deklaratave të Beogradit, ndaj zhvillimeve në Bruksel, ndaj vendimeve të gjykatave apo ndaj deklaratave të aktorëve ndërkombëtarë.

Kosova duhet të prodhojë vetë diplomaci, duhet të krijojë iniciativa, duhet të zhvillojë argumente, duhet të ndërtojë aleanca dhe duhet të komunikojë me botën.

Një shtet nuk mbrohet vetëm në ditën kur sulmohet diplomatikisht.

Një shtet mbrohet çdo ditë: në ambasada, në universitete, në organizata ndërkombëtare, në media, në konferenca, në dialog politik, në dokumente juridike, në arkiva dhe në kujtesën kolektive.

Kosova duhet të flasë me gjuhën e shtetit

Aktgjykimi i Hagës është një ngjarje e rëndësishme dhe e dhimbshme për një pjesë të madhe të shoqërisë kosovare dhe të kombit shqiptar. Por përgjigjja e Kosovës nuk duhet të jetë vetëm dhimbja.

Duhet të jetë shtetësia.

Nuk duhet të jetë vetëm zemërimi.

Duhet të jetë argumenti.

Nuk duhet të jetë vetëm protesta.

Duhet të jetë diplomacia.

Nuk duhet të jetë vetëm mbrojtja emocionale e figurave të luftës.

Duhet të jetë mbrojtja e dokumentuar e historisë së Kosovës.

Dhe, mbi të gjitha, nuk duhet lejuar që një aktgjykim ndaj katër individëve të shndërrohet në një narrativë të përgjithshme mbi të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe shtetësi.

Ky dallim është thelbësor.

Kosova duhet ta respektojë drejtësinë, por Kosova duhet edhe të flasë; duhet të flasë me dokumente, me të drejtën ndërkombëtare, me historinë, me diplomaci, me maturi dhe me dinjitet.

Sepse shteti që hesht për historinë e vet ua lë të tjerëve mundësinë që ta shkruajnë atë në vend të tij.

Pas Hagës, Kosova nuk ka nevojë për më shumë zhurmë. Ka nevojë për më shumë shtet.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 1024
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • EDI RAMA, SHQIPËRIA NUK MUND TË MBAHET PENG PËR PUSHTETIN TËND!
  • “Ndalimi i torturës dhe i trajtimit çnjerëzor ose poshtërues është absolut”
  • A PRIME MINISTER WHO IS BOTHERED BY THE VERY CONCEPT OF THE RULE OF LAW
  • Studentët dhe rinia që po protestojnë kundër qeverisë, nuk janë armiq të Shqipërisë
  • Shqipëria nuk do të jetë më e njëjtë!
  • KUSH PO E GJYKON SHKOLLËN, KUR SHOQËRIA KA HARRUAR TË DËGJOJË MËSUESIN?
  • TOM SHKRELI: FJALA E FUNDIT NË CILËSINË E KRYETARIT TË FONDACIONIT “DOM SIMON FILIPAJ”
  • Zgjidhja?
  • EDI RAMA, DIL PËRBALLË POPULLIT QË QEVERIS!
  • ALBANIAN CARDINAL ERNEST SIMONI-TROSHANI AT 98: A LIFE OF FAITH, RESISTANCE, AND HUMAN DIGNITY
  • Një shtet e një shoqëri pa rini është mallkim…
  • Grushti institucional
  • Dhuna ndaj studentëve, plagë mbi lirinë dhe dinjitetin e një kombi
  • KUR DURIMI I NJË POPULLI MBARON
  • Eminenca e Tij Ernest Simoni Troshani u nderua në New York në 98-vjetorin e lindjes dhe 10-vjetorin e emërimit si Kardinal

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT