• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pse arrestimi i kreut të SHISH është një dështim shtetëror

September 24, 2026 by s p

Sot, ish-drejtoresha e SHISH ndodhet në “arrest shtëpie”, e akuzuar nga SPAK për nxjerrje të sekretit shtetëror dhe përkrahje të autorit të krimit. Pra, njeriu numër një i inteligjencës akuzohet se dekonspiron informacionin që është betuar të mbrojë dhe se përkrah kriminelët që duhet të zbulojë.

​Në këtë periudhë, SHISH u kthye nga një mburojë e heshtur e Republikës, në një instrument të cenueshëm nga interesat e zymta informale. Emërimi i një individi të shkarkuar më parë nga inteligjenca në Prishtinë dhe katapultimi i saj në majë të inteligjencës në Tiranë, pa kaluar filtrat e ashpër të vettingut, tregoi se si elitat tona politike i përdorin shërbimet si shpërblim besnikërie. Kështu u instalua “lidershipi i helmatisur”, një model ku besnikëria ndaj pushtetit zëvendësoi atë ndaj ligjit. Një model ku interesi kombëtar u shndërrua në mall shkëmbimi favoresh, në pazarin e interesave të errëta personale.

​Ligji organik e vendos SHISH-in në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit. Por deklarata e tij e fundit, se ai nuk i lexon raportet por ia lë Shefes së Kabinetit, është një pranim i rrezikshëm i nënkontraktimit të sigurisë kombëtare. Të mburresh që nuk mban timonin e inteligjencës, është si një pilot që i thotë pasagjerëve: “Mos u shqetësoni që ramë, unë nuk e kisha prekur timonin fare, ia kisha lënë stjuardesës.”

​Të përpiqesh ta shesësh këtë si triumf të Reformës në Drejtësi është njëlloj sikur drejtori i bankës të mburret që policia arrestoi arkëtaren që po vidhte kasafortën, ndërkohë që ishte vetë drejtori që e punësoi atë pa e verifikuar. Është sukses i drejtësisë që po heton dekonspirimin, por është dështim kolosal i ekzekutivit që i dha çelësat e sekreteve shtetërore një individi të pafiltruar. Drejtësia dënon individin, por nuk kthen dot mbrapsht sekretet e komprometuara dhe as besimin e partnerëve tanë në NATO.

​Shkarkimi i saj është thjesht higjienë rutinore, jo zgjidhje. Mënyra se si ekzekutivi po tenton të menaxhojë këtë vakum është po aq e rrezikshme. Zgjidhja përmes urdhrit delegues kryeministror nuk është thjesht manovër administrative për ngërçin e radhës, por një anashkalim i Presidentit (Neni 92/f i Kushtetutës).

Nëse inteligjenca kthehet në vegël qorre të pushtetit, shteti humbet busullën. Kjo ngjarje provon dramatikisht se teknologjia dhe pushteti vlejnë zero pa institucione të forta dhe individë me integritet. Fuqia e pakontrolluar është rreziku ynë më i madh.

Dr. Evarist Beqiri

Filed Under: Analiza

Një strategji shtetërore për forcimin e sovranitetit, partneritetit euroatlantik dhe afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës

September 22, 2026 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Në rrethanat e reja të krijuara pas Hagës, Kosova ka nevojë jo vetëm për një rivlerësim të marrëdhënieve me praninë ndërkombëtare, por për një plan të qartë, të koordinuar dhe afatmesëm të veprimit diplomatik.

Ky plan nuk duhet të ndërtohet si reagim ndaj një aktgjykimi të vetëm. Ai duhet të shërbejë si instrument i një politike të jashtme më të organizuar, e cila e vendos Kosovën në pozitë më aktive në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe e orienton qartë drejt integrimit euroatlantik.

1. Krijimi i një platforme shtetërore për diplomacinë pas Hagës

Institucionet e Kosovës duhet të hartojnë një platformë të përbashkët shtetërore për politikën e jashtme pas Hagës.

Kjo platformë duhet të harmonizojë veprimet e Presidencës, Qeverisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe institucioneve të tjera relevante, duke përcaktuar prioritetet diplomatike për SHBA-në, BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe organizatat kryesore ndërkombëtare.

Qëllimi nuk duhet të jetë krijimi i një retorike të re, por i një mekanizmi të ri të veprimit diplomatik.

Kosova duhet të ketë një dokument të qartë ku përcaktohen:interesat strategjike të Republikës;prioritetet në politikën e jashtme;objektivat për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare;qasja ndaj misioneve ndërkombëtare;strategjia e komunikimit ndërkombëtar;mënyra e koordinimit me Shqipërinë dhe partnerët euroatlantikë.

2. Dialog i drejtpërdrejtë dhe i intensifikuar me Washingtonin

Shtetet e Bashkuara duhet të mbeten një prej prioriteteve absolute të diplomacisë së Kosovës.

Pas Hagës, Prishtina duhet të kërkojë intensifikim të dialogut strategjik me Washingtonin, jo vetëm për çështjet e sigurisë, por edhe për diplomacinë, sundimin e ligjit, zhvillimin institucional dhe perspektivën euroatlantike.

Kjo kërkon që Kosova të mos paraqitet në Washington vetëm kur përballet me një problem,ajo duhet të jetë aty vazhdimisht.

Nevojitet një diplomaci e rregullt parlamentare, ekzekutive, akademike dhe profesionale, përmes së cilës partnerët amerikanë të informohen në mënyrë të vazhdueshme dhe të argumentuar për zhvillimet në Kosovë.

Qëllimi duhet të jetë krijimi i një dialogu strategjik të qëndrueshëm Kosovë–SHBA, në të cilin çështjet e rëndësishme trajtohen para se të shndërrohen në kriza diplomatike.

3. Një agjendë e re me Bashkimin Evropian

Bashkimi Evropian duhet të jetë shtylla e dytë kryesore e kësaj strategjie.

Kosova duhet të kalojë nga një marrëdhënie kryesisht reaktive me institucionet evropiane në një dialog të strukturuar dhe të vazhdueshëm politik.

Në këtë kuadër duhet të ndërtohet një agjendë konkrete me institucionet e BE-së, me fokus në: sundimin e ligjit;reformat demokratike;funksionimin institucional; integrimin ekonomik; lëvizjen e lirë;sigurinë;përafrimin me standardet evropiane;avancimin e procesit të integrimit evropian.

Kosova duhet ta bëjë të qartë se dëshiron jo vetëm të marrë mbështetje nga BE-ja, por të përmbushë në mënyrë të matshme kriteret dhe standardet që e afrojnë me strukturat evropiane.

Në këtë kuadër duhet të rishikohet edhe bashkëpunimi me EULEX-in, jo në frymën e përplasjes, por në frymën e një tranzicioni institucional të planifikuar, aty ku përgjegjësitë mund t’u kalojnë institucioneve vendore.

4. Një plan i posaçëm për NATO-n

Aspirata euroatlantike e Kosovës duhet të shndërrohet në një projekt të mirëfilltë diplomatik dhe institucional.

Kosova duhet të punojë në mënyrë sistematike për të rritur mbështetjen politike për aspiratën e saj për anëtarësim në NATO.Kjo kërkon:forcimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes; avancimin e standardeve demokratike;forcimin e sundimit të ligjit;rritjen e kapaciteteve të interoperabilitetit;diplomaci të vazhdueshme me shtetet anëtare të NATO-s;ndërtimin e mbështetjes politike në kryeqytetet aleate.

Këtu duhet të bëhet një dallim i rëndësishëm: KFOR-i dhe marrëdhënia e Kosovës me NATO-n nuk duhet të trajtohen në të njëjtën kategori me rishikimin e mandateve të misioneve civile.

KFOR-i është pjesë e arkitekturës së sigurisë në Kosovë dhe marrëdhënia me NATO-n duhet të zhvillohet në drejtim të forcimit të partneritetit dhe të perspektivës euroatlantike.

5. Diplomacia në OKB: nga reagimi te iniciativa

Një prej fushave ku Kosova ka nevojë për një qasje më aktive është Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Edhe pa qenë anëtare e OKB-së, Kosova duhet të shfrytëzojë çdo hapësirë diplomatike, politike dhe juridike që i ofrohet për të paraqitur argumentet e saj.

Në këtë drejtim nevojitet një ekip i specializuar që ndjek në mënyrë të përhershme: Këshillin e Sigurimit;Asamblenë e Përgjithshme;organizatat dhe agjencitë e OKB-së;proceset juridike ndërkombëtare;qëndrimet e shteteve anëtare.

Kosova duhet të jetë në gjendje të reagojë shpejt, por mbi të gjitha të paraqesë iniciativa të veta.

Diplomacia nuk duhet të kufizohet në kundërshtimin e iniciativave të të tjerëve.Ajo duhet të prodhojë edhe iniciativa.

6. Diplomacia juridike si shtyllë e politikës së jashtme

Për Kosovën, diplomacia juridike duhet të marrë rëndësi shumë më të madhe.

Çdo çështje që lidhet me statusin ndërkombëtar, njohjet, organizatat ndërkombëtare, të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjet ndërkombëtare duhet të ndiqet nga ekipe të specializuara juridike.

Kosova duhet të krijojë një mekanizëm të përhershëm të diplomacisë juridike ndërkombëtare, të përbërë nga ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, diplomatëve dhe studiuesve.

Ky mekanizëm do të kishte për detyrë të përgatiste argumentet juridike përpara se çështjet të bëhen pjesë e debateve ndërkombëtare.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në raport me narrativat dhe argumentet që paraqiten nga Serbia.

Kosova duhet të përgjigjet me dokumente, fakte dhe argumente juridike, jo vetëm me deklarata politike.

7. Diplomaci e koordinuar Kosovë–Shqipëri

Prishtina dhe Tirana duhet të krijojnë një mekanizëm të rregullt konsultimi për çështjet ndërkombëtare me interes të përbashkët.Ky mekanizëm nuk do të cenonte sovranitetin e dy shteteve.Përkundrazi, do të rriste efikasitetin e tyre diplomatik.Takimet periodike ndërmjet ministrive të jashtme, misioneve diplomatike dhe ekspertëve mund të shërbejnë për harmonizimin e qëndrimeve në ato çështje ku ekziston interes i përbashkët.

Veçanërisht i rëndësishëm do të ishte koordinimi në:Washington – Bruksel – NATO – Londër – organizatat ndërkombëtare.Qëllimi nuk duhet të jetë një diplomaci e përbashkët në kuptimin formal, por një koordinim strategjik i diplomacive të dy shteteve sovrane.

8. Diplomacia me shtetet mosnjohëse

Kosova duhet të hartojë një strategji të veçantë për marrëdhëniet me shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.

Kjo strategji duhet të jetë individuale për secilin shtet.Nuk mund të përdoret e njëjta metodë për të gjitha vendet.

Duhet të analizohen interesat e tyre politike, ekonomike, strategjike dhe rajonale dhe të ndërtohet për secilin rast një qasje diplomatike e përshtatur.Në vend të një fushate të përgjithshme për njohje, nevojitet diplomaci e targetuar, profesionale dhe afatgjatë.

9. Diplomacia parlamentare dhe akademike

Diplomacia shtetërore nuk duhet të kufizohet vetëm te ministritë e jashtme.

Kuvendi i Kosovës duhet ta forcojë diplomacinë parlamentare me parlamentet e vendeve demokratike.

Po ashtu, universitetet dhe institucionet akademike duhet të përfshihen më shumë në diplomacinë publike dhe juridike të Kosovës.

Një shtet i vogël mund ta kompensojë mungesën e fuqisë materiale me fuqinë e argumentit, dijes dhe profesionalizmit.

Krijimi i një rrjeti të ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare, marrëdhënieve ndërkombëtare, historisë dhe diplomacisë do të ishte një investim afatgjatë në interesin shtetëror.

10. Një qendër strategjike për analizën e politikës së jashtme

Kosovës i nevojitet një mekanizëm profesional që analizon zhvillimet ndërkombëtare në kohë reale.

Një strukturë e tillë do të mund të përgatiste analiza periodike për:zhvillimet në SHBA; politikën e BE-së;NATO-n;OKB-në;zhvillimet në Ballkan; politikën e Serbisë;zhvillimet gjeopolitike.Qëllimi do të ishte që institucionet e Kosovës të mos mësojnë për një zhvillim ndërkombëtar vetëm pasi ai të ketë ndodhur.Diplomacia duhet ta parashikojë zhvillimin, jo vetëm ta komentojë atë.

11. Një strategji e re e komunikimit ndërkombëtar

Kosova duhet të investojë më shumë në mënyrën se si e komunikon pozitën e saj në botë.

Çdo çështje madhore duhet të shoqërohet me materiale të përgatitura në gjuhë diplomatike dhe juridike: dokumente, harta, kronologji, argumente ligjore, të dhëna dhe materiale informuese.

Kjo do ta bënte komunikimin e Kosovës më të qëndrueshëm dhe më profesional.Në diplomaci, forma e paraqitjes së argumentit është pjesë e vetë argumentit.

12. Rishikim periodik i misioneve ndërkombëtare

Në kuadër të kësaj strategjie, Kosova duhet të krijojë një mekanizëm institucional për vlerësimin periodik të misioneve ndërkombëtare.

Ky vlerësim duhet të jetë objektiv dhe të mbështetet në: mandatin; rezultatet; nevojat institucionale të Kosovës; përputhshmërinë me zhvillimin e institucioneve vendore;interesat strategjike të Republikës.

Kjo do të krijonte një standard të ri: prani ndërkombëtare aty ku është e dobishme, përgjegjësi vendore aty ku institucionet janë të gatshme dhe partneritet strategjik aty ku interesat janë të përbashkëta.

Një diplomaci që ndërton, jo vetëm që reagon.Në fund, plani diplomatik i Kosovës pas Hagës duhet të mbështetet në një parim të thjeshtë: Kosova nuk duhet të jetë vetëm objekt i diplomacisë së të tjerëve; ajo duhet të bëhet gjithnjë e më shumë subjekt aktiv i diplomacisë së saj.Kjo nuk arrihet me retorikë.Arrihet me institucione, ekspertë, koordinim, dokumente, argumente dhe prani të vazhdueshme në qendrat e vendimmarrjes.

Prandaj, pas Hagës, Kosova duhet të ndërtojë një diplomaci që vepron në disa drejtime njëkohësisht:me SHBA-në – partneritet strategjik;me BE-në – integrim dhe reformë;me NATO-n – bashkëpunim dhe aspiratë për anëtarësim;me OKB-në – prani dhe iniciativë diplomatike;me Shqipërinë – koordinim strategjik;me shtetet mosnjohëse – diplomaci të targetuar;me misionet ndërkombëtare – dialog dhe rishikim institucional;me Serbinë – përballje diplomatike përmes argumentit, jo përmes retorikës;me opinionin ndërkombëtar – diplomaci publike profesionale.

Kjo do të ishte një përgjigje shtetërore ndaj realitetit të ri.

Kosova nuk duhet të zgjedhë ndërmjet sovranitetit dhe partneritetit.Ajo duhet t’i ndërtojë të dyja së bashku.

Sovraniteti i Kosovës duhet të forcohet përmes partneritetit me SHBA-në, integrimit me BE-në, bashkëpunimit me NATO-n dhe një diplomacie aktive në të gjitha qendrat e vendimmarrjes ndërkombëtare.

Ky është drejtimi që mund ta shndërrojë periudhën pas Hagës nga një moment pasigurie në një mundësi për një fazë më të pjekur të shtetndërtimit dhe të afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Filed Under: Analiza

Anatomia e një gjykate sui generis anti-Kosovë!

September 22, 2026 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Për javë të tërë e kam paralajmëruar këtë libër, por pa përmendur asmjlherë me titull, edhe pse miqt e afërt ishin nlë dijeni për punln time. Me 14 shtator më në fund “Lufat nën akuzë: Nga Del Ponte te Gjykata Speciale” pata kënaëqsinlë që në Tiranë, në Institutin Shqiptar për Tsudime Ndërkombëtare (AIIS), në praninë e shumë miqve , studiuesve, diplomatëve dhe mysafirëve të tjerë, të ptomovoja librin tim më të ri dhe të zhvilloja një bashkëbisedim të hapur e të ngrohtë për çështjet që trajton ky libër. Biseda vazhdoi edhe pas përfundimit të promovimit- ndoshta dëshmi më e mire se libri tashmë ka nisur jetën e vetë përtej autorit.

Po, përse ky libër duhej të niste rrugëtimin nga Tirana?

Natyrsisht nuk është e rastsit, ka disa arsye:

E para, sepse Tirana nuk është vetëm kryqyteti I Shqipoërisë. Për Kosovën, Shqipëria ishet dhe mbeti prapavija e saj natyrore-historike, kombëtare, politike dhe njerëzore në rrugën e saj shtetëformues. Kosova bëri luftën e vet, e pagoi lirinë e vet e ndërtoi shtetin e vet, por në ditët dramatike Shqipëria u bë streha e qindar mijëra shqiptarëve të dëbuar nga Kosova.

E dyta, nga pretendimi I Crala Del Pontes te raporti I Dick Martym nën hijen e dyshimit nuk u vendos vetëm Kosova; në këtë histori u përfshi edhe Shqipëria. Prandaj, ky debat duhej të vinte edhe këtu, në Tiranë, aty ku një pjesë e kësja historie është zhvilluar dhe ku një pjesë e saj ende kërkon përgjigje.

E treta, është një arsye personale. Jam rritur në një familje ku dashuria prë Shqipërinë ishte e pakushtëzuar, përtej regjimeve dhe qeverive. Shqipëria për ne ishte më e madhe se çdo qeveri dhe më jetëgjatë se çdo regjim. Prandaj, sa hertë vij në Tiranë, ndihem si në shtëpi, sepse edhe Shqipria dhe njerëzit e saj më kanë vlerësuar dhe më kanë dhuruar dashuri të veçantë. Me këtë rast, dua t’I shpreh mirënjohjen time më të sinqertë Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS) për organizimin e këtij promovimi dhe mikpritjen, si dhe referuesve të sotëm, prof.dr. Enver Hoxhaj, ish-minsitër i Jashtëm të Kosovës, Dr. Arian Starova, për vlerësimin dhe diskutimin përmbajtësor. Falemnderit edhe Alba Çelës për moderimin dhe për atmosferën e bukur të promovimit dhe të bashkëbisedimit.

Dhe falemnderit secilit që ishte aty. Një libër shkruhet në vetmi, por kuptimin e tij të plotë e merr vetëm kur hyn në debat me lexuesin. Libri im është një lloj pasqyre e formimit të Dhomave të Specializuara, të cilat nga fillimi e kanë devijuar misionin e tyre për çfarë ishin formuar, ndriçpimin e prtendimeve të senatorit antisqiptar dhe antiamerikan, senatorit Dick Marty, për trafikim të roganeve, një akuzë që kurrë nuk u vërtetua. Është e qartë se deri më tani kjo gjykatë ka krijuar tendencën dhe përpejkjen për të krijuar një simetri të rreme historike ndërmjet shqiptarëve të përndjekur dhe regjimit okupues të Serbisë. Çdo interpretim i akgjykimit duhet të ruajë në qendër realitetin se Serbia ishte aktori shtetëror që prodhoi dhunë në shkallë të gjerë në luftërat e shpërbërjes së Jugosllavisë, përfshirë edhe luftën e Kosovës.

Mënyra si u ndërtua kjo gjykata dhe raporti racist i Dick Marty-t kishin vetëm një qëllim krijimin e simetrisë me krimet e organizuara shtetërore serbe, në fakt verdikti i kësaj gjykate është rehabilitim i krimeve të Milosheviqit dhe relativizimi më brutal i krimeve shtetërore serbe në harkun kohor 1989-1999. Në thelb vendimi i saj ka rrënuar themelet e beismit të shqiptarëve te Perëndimi dhe ka vrarë idenë e një Kosove multietnike sipas Planit të Ahtisaarit. Veç një albanofobi e frikshme mund të çoj në dënimin e tillë dhe një synim për disiplinimin e shqiptarëve në Ballkan.

Sot “Lufta nën akuzë” e nisi rrugëtimin nga Tirana. Besoj se Tirana, Prishtina dhe Tetova duhet të komunikojnë dhe më shumë mes tyre, sepse hapësira jonë kulturore ka nevojë për më shumë qarkullim të ideve, librave, autorëve dhe debateve. Një komunikim më i denduar kulturor ndërmjet tri qendrave shqiptare do t’i jepte më shumë gjallëri, shumësi dhe forcë kultiurës mbarëshqiptare. Për librat nuk duhet të ketë kufij. Por as taksa. Sepse kultura që na bashkon nuk duhet të paguajë çmimin e kufijve që na ndajnë.

Filed Under: Analiza

Shqiptarët e Amerikës protestojnë në New York kundër vendimit të Gjykatës Speciale

September 21, 2026 by s p

Shqiptarët e Amerikës protestojnë në New York kundër vendimit të Gjykatës Speciale.

Filed Under: Analiza

JURIDIKSIONI KA KUFI

September 19, 2026 by s p

Nga Fadil Ferizi/

Pas aktgjykimit të 16 shtatorit, reagimi më i gabuar do të ishte t’u jepnim vetë Dhomave të Specializuara një pushtet që ligji nuk ua ka dhënë.

Dhomat e Specializuara nuk janë krijuar për të gjykuar legjitimitetin historik apo politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk janë krijuar për të vendosur nëse lufta për çlirimin e Kosovës ishte e drejtë apo e padrejtë. Aq më pak kanë juridiksion të vendosin mbi ligjshmërinë, vlefshmërinë apo statusin e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Mandati i tyre është penal dhe juridiksioni i tyre është i përcaktuar me ligj.

Ligji nr. 05/L-053 ua përcakton juridiksionin lëndor për krimet që hyjnë në nenet përkatëse të tij, juridiksionin kohor për periudhën 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000 dhe juridiksionin personal mbi persona fizikë. Neni 9 është i qartë: Dhomat kanë juridiksion mbi persona fizikë. (SCP-KS)

Por edhe më e rëndësishme është ajo që ka thënë vetë Trupi Gjykues më 16 shtator.

Në fillim të përmbledhjes së aktgjykimit, gjykatësit deklarojnë shprehimisht se kjo çështje nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur. Menjëherë më pas thuhet se përgjegjësia penale para Dhomave është vetëm personale, se juridiksioni është vetëm mbi persona fizikë dhe se akuzat kanë të bëjnë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve.

Kjo duhet të jetë pika jonë e nisjes.

Jo mohimi i asaj që aktgjykimi thotë. Jo zgjerimi emocional i kuptimit të tij. Jo pranimi i një premise sikur në Hagë të jetë gjykuar UÇK-ja si ushtri apo pavarësia e Kosovës si projekt politik.

Pikërisht e kundërta.

Duhet t’i mbajmë Dhomat brenda kufijve që ua cakton ligji dhe brenda kufijve që ato vetë i kanë shpallur.

Në paragrafin 75, Trupi Gjykues thotë se të akuzuarit dhe persona të tjerë në udhëheqjen e UÇK-së kishin dy objektiva, pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik e institucional mbi atë që shpresonin të ishte një Kosovë e pavarur. Pastaj shton se nuk e konsideroi të nevojshme të përcaktonte nëse këto objektiva ishin në vetvete kriminale apo të paligjshme.

Ky formulim mund dhe duhet të kritikohet. Por duhet kritikuar saktë.

Problemi nuk zgjidhet duke pretenduar se Dhomat kanë marrë juridiksion mbi pavarësinë e Kosovës. Ato vetë thonë se kjo nuk është çështja para tyre. Problemi është rreziku që formulime të tilla, të shkëputura nga kufijtë e juridiksionit dhe nga konteksti i përgjegjësisë personale, të përdoren nesër si material politik, propagandistik apo pseudohistorik për të ndërtuar një përfundim që aktgjykimi juridikisht nuk mund ta japë.

Pikërisht këtu duhet menaxhuar dëmi.

Në paragrafin 80, Trupi Gjykues bën edhe një dallim që nuk duhet fshehur, por përdorur: sipas tij, nuk ishin qëllimet që i bënë veprimet kriminale, por mjetet që, sipas konstatimeve të Trupit Gjykues, u përdorën për realizimin e tyre.

Ky dallim është thelbësor.

Nëse vetë gjykata thotë se çështja nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së, se synimi për pavarësi nuk është objekti i gjykimit dhe se përgjegjësia është personale, atëherë askush nuk duhet t’i japë aktgjykimit një kuptim kolektiv që ai juridikisht nuk mund ta mbajë.

Madje, në përmbledhjen shqip, rrënja e termit “individual” shfaqet shtatë herë në forma të ndryshme. Kjo nuk është hollësi gjuhësore. Është vetë arkitektura juridike mbi të cilën duhet insistuar: personi, veprimi, prova dhe përgjegjësia individuale.

Kjo qasje nuk e dobëson kundërshtimin ndaj aktgjykimit. E bën më serioz.

Aktgjykimi i shkallës së parë duhet kundërshtuar në apel me të gjitha mjetet juridike që u takojnë palëve. Rregullorja e Dhomave parashikon shprehimisht të drejtën e personit të dënuar dhe të Prokurorit të Specializuar për ta apeluar aktgjykimin. (SCP-KS)

Por beteja juridike duhet të ndahet nga beteja për kuptimin publik të këtij vendimi.

Mbrojtja duhet të sulmojë në apel ato konstatime për të cilat konsideron se ka gabime faktike, juridike ose procedurale. Institucionet, juristët, historianët dhe opinioni publik, ndërkaq, duhet të jenë të disiplinuar në një gjë tjetër: të mos lejojnë që përgjegjësia penale individuale të shndërrohet, me heshtje apo pakujdesi, në fajësi të një ushtrie, të një lufte apo të një shteti.

Ka edhe një pikë tjetër që kërkon vëmendje të veçantë.

Në paragrafin 99, Trupi Gjykues përmend me emër Lahi Brahimajn, Fatmir Limajn, Sylejman Selimin, Rrustem Mustafën, Latif Gashin, Shukri Bujën dhe Sabit Gecin dhe konstaton se ata kishin rënë në marrëveshje për një qëllim kriminal të përbashkët dhe kishin marrë pjesë në realizimin e tij. Në të njëjtën fjali, gjykata thekson se ndaj tyre nuk është bërë konstatim fajësie dhe se ata vazhdojnë të gëzojnë prezumimin e pafajësisë.

Kjo është çështje serioze dhe duhet trajtuar juridikisht, jo vetëm me indinjatë.

Nuk do të ishte e saktë të thuhej se një gjykatë nuk mund të përmendë kurrë persona që nuk janë të akuzuar. Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e pranon se, në procese komplekse me disa persona, referencat ndaj rolit të personave të tretë ndonjëherë mund të jenë të pashmangshme. Por po ajo jurisprudencë kërkon kujdes të posaçëm që gjykata të mos japë më shumë informacion sesa është i nevojshëm dhe të mos krijojë përshtypjen se fajësia e personit që nuk është gjykuar është përcaktuar paraprakisht. (HUDOC)

Prandaj pyetja juridike serioze nuk është: “Si guxuan t’i përmendin?”

Pyetja është shumë më e fortë: a ishte e domosdoshme, për përcaktimin e përgjegjësisë së katër të akuzuarve, që për shtatë persona të tjerë të formulohej një konstatim kaq i drejtpërdrejtë për pjesëmarrjen e tyre në një ndërmarrje kriminale të përbashkët, kur ata nuk kishin qenë të akuzuar në këtë proces dhe nuk kishin pasur pozitën procedurale të një të akuzuari për t’u mbrojtur nga ai konstatim?

Kjo pyetje meriton analizë serioze juridike dhe, aty ku ekziston legjitimiteti procedural, kontestim me mjetet përkatëse ligjore.

Dhe pikërisht këtu duhet të ndryshojë edhe mënyra jonë e reagimit.

Nuk duhet ta luftojmë aktgjykimin duke ia zmadhuar vetë fushën e veprimit.

Kur themi se “u dënua UÇK-ja”, pa dashur pranojmë pikërisht zgjerimin që duhet ta kundërshtojmë.

Kur themi se “u gjykua pavarësia”, i japim një gjykate penale një kompetencë që ligji nuk ia ka dhënë.

Kur e trajtojmë përgjegjësinë individuale si aktgjykim mbi një popull, një ushtri ose një projekt shtetëror, bëjmë vetë kalimin nga individi te kolektivi.

Kjo nuk duhet lejuar.

Duhet thënë saktë: më 16 shtator 2026, Trupi Gjykues shpalli fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për disa krime lufte dhe i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Ky është aktgjykim i shkallës së parë ndaj katër personave konkretë. Nuk është aktgjykim ndaj UÇK-së si organizatë dhe nuk është aktgjykim ndaj pavarësisë së Kosovës. (SCP-KS)

As më shumë, as më pak.

Ka edhe një arsye për maturi. Dokumenti publik që po diskutojmë është përmbledhja e aktgjykimit. Vetë Trupi Gjykues sqaron se kjo përmbledhje nuk është pjesë e aktgjykimit dhe se vetëm aktgjykimi është dokumenti autoritativ i konstatimeve dhe vendimit.

Prandaj reagimi serioz kërkon dy gjëra njëkohësisht: kundërshtim të vendosur juridik aty ku ka bazë për kundërshtim dhe disiplinë të plotë në mënyrën si përcaktohet domethënia e këtij aktgjykimi.

Tani duhet menaxhuar dëmi.

Jo duke mohuar atë që është shkruar, por duke insistuar në atë që është shkruar.

Jo duke bërtitur më fort se aktgjykimi, por duke e detyruar atë të qëndrojë brenda juridiksionit të vet.

Jo duke ia falur askujt të drejtën që nga përgjegjësia penale e individit të ndërtojë fajësi kolektive për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për luftën e saj apo për Republikën e Kosovës.

Sepse drejtësia penale, nëse dëshiron të mbetet drejtësi, duhet të dijë jo vetëm kë gjykon, por edhe ku përfundon pushteti i saj.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 1024
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • EDI RAMA, SHQIPËRIA NUK MUND TË MBAHET PENG PËR PUSHTETIN TËND!
  • “Ndalimi i torturës dhe i trajtimit çnjerëzor ose poshtërues është absolut”
  • A PRIME MINISTER WHO IS BOTHERED BY THE VERY CONCEPT OF THE RULE OF LAW
  • Studentët dhe rinia që po protestojnë kundër qeverisë, nuk janë armiq të Shqipërisë
  • Shqipëria nuk do të jetë më e njëjtë!
  • KUSH PO E GJYKON SHKOLLËN, KUR SHOQËRIA KA HARRUAR TË DËGJOJË MËSUESIN?
  • TOM SHKRELI: FJALA E FUNDIT NË CILËSINË E KRYETARIT TË FONDACIONIT “DOM SIMON FILIPAJ”
  • Zgjidhja?
  • EDI RAMA, DIL PËRBALLË POPULLIT QË QEVERIS!
  • ALBANIAN CARDINAL ERNEST SIMONI-TROSHANI AT 98: A LIFE OF FAITH, RESISTANCE, AND HUMAN DIGNITY
  • Një shtet e një shoqëri pa rini është mallkim…
  • Grushti institucional
  • Dhuna ndaj studentëve, plagë mbi lirinë dhe dinjitetin e një kombi
  • KUR DURIMI I NJË POPULLI MBARON
  • Eminenca e Tij Ernest Simoni Troshani u nderua në New York në 98-vjetorin e lindjes dhe 10-vjetorin e emërimit si Kardinal

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT