• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NËSE UASHINGTONI MBRON SOVRANITETIN E VET PËRBALLË NJË GJYKATE NDËRKOMBËTARE, KOSOVA DUHET TË KETË TË DREJTËN TË HAPË DEBATIN E VET KUSHTETUES PËR DHOMAT E SPECIALIZUARA

September 24, 2026 by s p

Hisen Berisha/

Deklarata e Presidentit Donald Trump në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC/GJNP) meriton të analizohet seriozisht edhe në Kosovë, jo sepse GJNP/ICC dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës janë e njëjta gjë, por pikërisht sepse nuk janë dhe sepse mënyra se si një shtet i madh e trajton raportin ndërmjet sovranitetit kombëtar dhe juridiksionit ndërkombëtar hap një debat të rëndësishëm politik e kushtetues.

Më 22 shtator 2026, Trump e quajti ICC-në një institucion jashtë kontrollit dhe u bëri thirrje shteteve anëtare të tërhiqen prej saj. Ai argumentoi se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të lejojnë që personeli amerikan t’i nënshtrohet juridiksionit të një gjykate që, sipas qëndrimit të administratës së tij, nuk ka juridiksion mbi SHBA-në.

Në shkurt 2025, administrata Trump vendosi sanksione ndaj GjPN/ICC-së.

Me ketë argumentoi zyrtarisht se veprimet e ICC përbënin kërcënim ndaj sovranitetit, sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme amerikane.

Urdhri parashikonte, ndër të tjera, bllokim të pasurive dhe kufizime të hyrjes në SHBA për persona të caktuar të lidhur me ICC-në.

Por Kosova duhet ta lexojë këtë shembull me maturi juridike.

ICC/GJNP është gjykatë ndërkombëtare e themeluar mbi Statutin e Romës. Ndërsa Dhomat e Specializuara të Kosovës janë krijuar përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, Amendamentit Kushtetues nr. 24, përkatësisht nenit 162 të Kushtetutës, dhe Ligjit nr. 05/L-053 të miratuar në vitin 2015. Selia e tyre është në Hagë dhe mandati i tyre lidhet me një periudhë dhe juridiksion të përcaktuar posaçërisht.

Prandaj, sanksionet amerikane ndaj ICC-së nuk prekin Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe nuk krijojnë ndonjë efekt juridik mbi to. Por ato mund të shërbejnë si pikë reference për një pyetje legjitime politike dhe kushtetuese, që bëhet imediate në ketë situatë, se a ka ardhur koha që edhe Kuvendi i Kosovës ta hapë, pa tabu dhe pa presione politike, debatin për të ardhmen e Dhomave të Specializuara?

Prandaj, nëse Washingtoni e konsideron të papranueshme që një tribunal ndërkombëtar të ushtrojë juridiksion mbi qytetarë amerikanë në kundërshtim me konceptin amerikan të sovranitetit, edhe Kosova duhet ta ketë guximin institucional të shtrojë pyetjen e saj se, pse duhet të mbetet pa afat një mekanizëm i jashtëzakonshëm gjyqësor i krijuar nga vetë institucionet e Kosovës?

Për mua, përgjigjja duhet të jetë hapja e një procesi politik, kushtetues dhe juridik në Kuvend për zhbërjen e Dhomave të Specializuara në Hagë, në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

Nëse një shtet pretendon sovranitet dhe subjektivitet ndërkombëtar, ai duhet të ketë edhe të drejtën dhe përgjegjësinë të rishikojë mekanizmat e jashtëzakonshëm që ka krijuar, sidomos kur ato prekin drejtpërdrejt arkitekturën e tij kushtetuese dhe perceptimin e barazisë juridike të qytetarëve të tij.

Kjo nuk do të thotë ndërhyrje në procese gjyqësore konkrete.

Nuk do të thotë amnisti.

Nuk do të thotë politizim as mohim i drejtësis.

Por, do të thotë se Kuvendi mund të anulojë me një vendim politik një kornizë që është pjesë e rendit kushtetues, duke deroguar detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Pra do të thotë të kërkohet një shqyrtim serioz kushtetues, juridik, politik dhe diplomatik i një mekanizmi që vetë Republika e Kosovës e ka krijuar përmes Kushtetutës dhe ligjit.

Kushtetuta dhe ligji nuk janë të paprekshëm nga debati demokratik.

Përkundrazi, është pikërisht Kuvendi, institucioni ku duhet të diskutohen çështjet që prekin rendin kushtetues, sovranitetin dhe interesat afatgjata të shtetit.

Madje, vetë historia juridike e Dhomave tregon se çështja ka qenë e lidhur me një proces të jashtëzakonshëm kushtetues. Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shqyrtuar në vitin 2015 amendamentin për krijimin e tyre, ndërsa në vitin 2020 ishte shqyrtuar edhe një propozim për ndryshimin e nenit 162 dhe ishte konstatuar se ndryshimet e propozuara do të cenonin të drejtat dhe liritë e garantuara.

Prandaj, rruga nuk mund të jetë emocioni politik dhe as ai moral i turmave protestuese, as presioni mbi gjykatat dhe as sulmi ndaj proceseve konkrete. Por vetëm presioni mbi deputetët për zhbërjen e DhS në Kuvend.

Rruga duhet të jetë Kuvendi, Kushtetuta, ligji dhe diplomacia.

Dhe këtu qëndron edhe pyetja politike që duhet t’u bëhet të gjitha forcave politike në Kosovë, pse ende nuk ka një debat të mirëfilltë parlamentar për këtë çështje?

Gjykata Kushtetuese me gjithë hendikepin funksional që ka e dha verdiktin rreth konstituimit të institucioneve, rruga është e hapur për veprim.

Pse një mekanizëm i krijuar nga institucionet e Kosovës nuk mund të bëhet objekt i një vlerësimi të ri institucional?

Dhe, mbi të gjitha, a duhet që partitë politike, në pushtet e në opozitë, ta trajtojnë këtë çështje mbi bazën e interesit shtetëror dhe kushtetues, apo mbi bazën e lidhjeve, platformave politike antishtet ku takojnë siç është Soros, dhe kalkulimeve dhe presioneve politike të momentit?

Këtu nuk duhet të ketë “globalistë” dhe “antiglobalistë”, “pushtet” dhe “opozitë”.

Duhet të ketë një pyetje që orienton kah një interes i vetëm, çfarë i shërben Republikës së Kosovës dhe rendit të saj kushtetues?

Nëse Washingtoni argumenton se sovraniteti amerikan duhet mbrojtur përballë një juridiksioni që SHBA-ja nuk e njeh më si GJPN, Kosova ka të drejtë të bëjë pyetjen e vet, brenda kornizës së saj kushtetuese dhe detyrimeve ndërkombëtare, se a është në interesin afatgjatë të Republikës që Dhomat e Specializuara të vazhdojnë në formën ekzistuese, apo duhet të shqyrtohet juridikisht dhe politikisht një alternativë tjetër?

Kjo pyetje nuk duhet të jetë pronë e një partie.

Nuk duhet të jetë as çështje e frikës politike.

Dhe nuk duhet të zgjidhet në rrugë.

Duhet të zgjidhet në Kuvend.

Prandaj, kjo çështje duhet të adresohet seriozisht edhe në Washington. Kosova dhe komuniteti shqiptaro-amerikan duhet t’ua shpjegojnë miqve dhe vendimmarrësve amerikanë se debati për Dhomat e Specializuara nuk duhet të shihet vetëm si një çështje juridike e së kaluarës, por edhe si çështje e stabilitetit, sigurisë dhe interesit strategjik amerikan në Ballkan.

Përmes lobit shqiptaro-amerikan, miqve të veçantë të Kosovës në Kongres, administratë dhe qarqet amerikane të politikës së jashtme e të sigurisë, duhet të kërkohet që Washingtoni ta shqyrtojë këtë çështje në funksion të interesit të vet strategjik, nëse, po kontribuon vazhdimi i këtij mekanizmi në drejtësinë, pajtimin dhe stabilitetin e rajonit, apo po prodhon pasoja të kundërta? Nëse përgjigjja kërkon një zgjidhje tjetër, atëherë SHBA-ja duhet të inkurajojë dhe të mbështesë Kosovën në një proces kushtetues, juridik dhe diplomatik për përfundimin dhe zhbërjen e Dhomave të Specializuara, në përputhje dhe pa mbetur prng i detyrimeve ndërkombëtare të Republikës.

Kjo duhet të jetë pjesë e një diplomacie të organizuar të Kosovës dhe e një angazhimi të koordinuar të shqiptaro-amerikanëve në Washington, jo si kërkesë për ndërhyrje në drejtësi, por si kërkesë për një vlerësim strategjik të pasojave që ky mekanizëm ka dhe mund të ketë për stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit.

Sepse një shtet që kërkon të jetë sovran duhet të ketë edhe guximin institucional, profesional e personal të përfaqësusve shtetëror, për të diskutuar vetë për arkitekturën kushtetuese dhe juridike të shtetit.

Shteti, mbi partitë.

Shteti, mbi platformat politike globaliste – sorosiane.

Kushtetuta mbi interesat e ditës.

Debati parlamentar mbi heshtjen politike.

Dhe interesi i Republikës mbi çdo kalkulim partiak.

Filed Under: Analiza

Pse arrestimi i kreut të SHISH është një dështim shtetëror

September 24, 2026 by s p

Sot, ish-drejtoresha e SHISH ndodhet në “arrest shtëpie”, e akuzuar nga SPAK për nxjerrje të sekretit shtetëror dhe përkrahje të autorit të krimit. Pra, njeriu numër një i inteligjencës akuzohet se dekonspiron informacionin që është betuar të mbrojë dhe se përkrah kriminelët që duhet të zbulojë.

​Në këtë periudhë, SHISH u kthye nga një mburojë e heshtur e Republikës, në një instrument të cenueshëm nga interesat e zymta informale. Emërimi i një individi të shkarkuar më parë nga inteligjenca në Prishtinë dhe katapultimi i saj në majë të inteligjencës në Tiranë, pa kaluar filtrat e ashpër të vettingut, tregoi se si elitat tona politike i përdorin shërbimet si shpërblim besnikërie. Kështu u instalua “lidershipi i helmatisur”, një model ku besnikëria ndaj pushtetit zëvendësoi atë ndaj ligjit. Një model ku interesi kombëtar u shndërrua në mall shkëmbimi favoresh, në pazarin e interesave të errëta personale.

​Ligji organik e vendos SHISH-in në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit. Por deklarata e tij e fundit, se ai nuk i lexon raportet por ia lë Shefes së Kabinetit, është një pranim i rrezikshëm i nënkontraktimit të sigurisë kombëtare. Të mburresh që nuk mban timonin e inteligjencës, është si një pilot që i thotë pasagjerëve: “Mos u shqetësoni që ramë, unë nuk e kisha prekur timonin fare, ia kisha lënë stjuardesës.”

​Të përpiqesh ta shesësh këtë si triumf të Reformës në Drejtësi është njëlloj sikur drejtori i bankës të mburret që policia arrestoi arkëtaren që po vidhte kasafortën, ndërkohë që ishte vetë drejtori që e punësoi atë pa e verifikuar. Është sukses i drejtësisë që po heton dekonspirimin, por është dështim kolosal i ekzekutivit që i dha çelësat e sekreteve shtetërore një individi të pafiltruar. Drejtësia dënon individin, por nuk kthen dot mbrapsht sekretet e komprometuara dhe as besimin e partnerëve tanë në NATO.

​Shkarkimi i saj është thjesht higjienë rutinore, jo zgjidhje. Mënyra se si ekzekutivi po tenton të menaxhojë këtë vakum është po aq e rrezikshme. Zgjidhja përmes urdhrit delegues kryeministror nuk është thjesht manovër administrative për ngërçin e radhës, por një anashkalim i Presidentit (Neni 92/f i Kushtetutës).

Nëse inteligjenca kthehet në vegël qorre të pushtetit, shteti humbet busullën. Kjo ngjarje provon dramatikisht se teknologjia dhe pushteti vlejnë zero pa institucione të forta dhe individë me integritet. Fuqia e pakontrolluar është rreziku ynë më i madh.

Dr. Evarist Beqiri

Filed Under: Analiza

Një strategji shtetërore për forcimin e sovranitetit, partneritetit euroatlantik dhe afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës

September 22, 2026 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Në rrethanat e reja të krijuara pas Hagës, Kosova ka nevojë jo vetëm për një rivlerësim të marrëdhënieve me praninë ndërkombëtare, por për një plan të qartë, të koordinuar dhe afatmesëm të veprimit diplomatik.

Ky plan nuk duhet të ndërtohet si reagim ndaj një aktgjykimi të vetëm. Ai duhet të shërbejë si instrument i një politike të jashtme më të organizuar, e cila e vendos Kosovën në pozitë më aktive në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe e orienton qartë drejt integrimit euroatlantik.

1. Krijimi i një platforme shtetërore për diplomacinë pas Hagës

Institucionet e Kosovës duhet të hartojnë një platformë të përbashkët shtetërore për politikën e jashtme pas Hagës.

Kjo platformë duhet të harmonizojë veprimet e Presidencës, Qeverisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe institucioneve të tjera relevante, duke përcaktuar prioritetet diplomatike për SHBA-në, BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe organizatat kryesore ndërkombëtare.

Qëllimi nuk duhet të jetë krijimi i një retorike të re, por i një mekanizmi të ri të veprimit diplomatik.

Kosova duhet të ketë një dokument të qartë ku përcaktohen:interesat strategjike të Republikës;prioritetet në politikën e jashtme;objektivat për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare;qasja ndaj misioneve ndërkombëtare;strategjia e komunikimit ndërkombëtar;mënyra e koordinimit me Shqipërinë dhe partnerët euroatlantikë.

2. Dialog i drejtpërdrejtë dhe i intensifikuar me Washingtonin

Shtetet e Bashkuara duhet të mbeten një prej prioriteteve absolute të diplomacisë së Kosovës.

Pas Hagës, Prishtina duhet të kërkojë intensifikim të dialogut strategjik me Washingtonin, jo vetëm për çështjet e sigurisë, por edhe për diplomacinë, sundimin e ligjit, zhvillimin institucional dhe perspektivën euroatlantike.

Kjo kërkon që Kosova të mos paraqitet në Washington vetëm kur përballet me një problem,ajo duhet të jetë aty vazhdimisht.

Nevojitet një diplomaci e rregullt parlamentare, ekzekutive, akademike dhe profesionale, përmes së cilës partnerët amerikanë të informohen në mënyrë të vazhdueshme dhe të argumentuar për zhvillimet në Kosovë.

Qëllimi duhet të jetë krijimi i një dialogu strategjik të qëndrueshëm Kosovë–SHBA, në të cilin çështjet e rëndësishme trajtohen para se të shndërrohen në kriza diplomatike.

3. Një agjendë e re me Bashkimin Evropian

Bashkimi Evropian duhet të jetë shtylla e dytë kryesore e kësaj strategjie.

Kosova duhet të kalojë nga një marrëdhënie kryesisht reaktive me institucionet evropiane në një dialog të strukturuar dhe të vazhdueshëm politik.

Në këtë kuadër duhet të ndërtohet një agjendë konkrete me institucionet e BE-së, me fokus në: sundimin e ligjit;reformat demokratike;funksionimin institucional; integrimin ekonomik; lëvizjen e lirë;sigurinë;përafrimin me standardet evropiane;avancimin e procesit të integrimit evropian.

Kosova duhet ta bëjë të qartë se dëshiron jo vetëm të marrë mbështetje nga BE-ja, por të përmbushë në mënyrë të matshme kriteret dhe standardet që e afrojnë me strukturat evropiane.

Në këtë kuadër duhet të rishikohet edhe bashkëpunimi me EULEX-in, jo në frymën e përplasjes, por në frymën e një tranzicioni institucional të planifikuar, aty ku përgjegjësitë mund t’u kalojnë institucioneve vendore.

4. Një plan i posaçëm për NATO-n

Aspirata euroatlantike e Kosovës duhet të shndërrohet në një projekt të mirëfilltë diplomatik dhe institucional.

Kosova duhet të punojë në mënyrë sistematike për të rritur mbështetjen politike për aspiratën e saj për anëtarësim në NATO.Kjo kërkon:forcimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes; avancimin e standardeve demokratike;forcimin e sundimit të ligjit;rritjen e kapaciteteve të interoperabilitetit;diplomaci të vazhdueshme me shtetet anëtare të NATO-s;ndërtimin e mbështetjes politike në kryeqytetet aleate.

Këtu duhet të bëhet një dallim i rëndësishëm: KFOR-i dhe marrëdhënia e Kosovës me NATO-n nuk duhet të trajtohen në të njëjtën kategori me rishikimin e mandateve të misioneve civile.

KFOR-i është pjesë e arkitekturës së sigurisë në Kosovë dhe marrëdhënia me NATO-n duhet të zhvillohet në drejtim të forcimit të partneritetit dhe të perspektivës euroatlantike.

5. Diplomacia në OKB: nga reagimi te iniciativa

Një prej fushave ku Kosova ka nevojë për një qasje më aktive është Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Edhe pa qenë anëtare e OKB-së, Kosova duhet të shfrytëzojë çdo hapësirë diplomatike, politike dhe juridike që i ofrohet për të paraqitur argumentet e saj.

Në këtë drejtim nevojitet një ekip i specializuar që ndjek në mënyrë të përhershme: Këshillin e Sigurimit;Asamblenë e Përgjithshme;organizatat dhe agjencitë e OKB-së;proceset juridike ndërkombëtare;qëndrimet e shteteve anëtare.

Kosova duhet të jetë në gjendje të reagojë shpejt, por mbi të gjitha të paraqesë iniciativa të veta.

Diplomacia nuk duhet të kufizohet në kundërshtimin e iniciativave të të tjerëve.Ajo duhet të prodhojë edhe iniciativa.

6. Diplomacia juridike si shtyllë e politikës së jashtme

Për Kosovën, diplomacia juridike duhet të marrë rëndësi shumë më të madhe.

Çdo çështje që lidhet me statusin ndërkombëtar, njohjet, organizatat ndërkombëtare, të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjet ndërkombëtare duhet të ndiqet nga ekipe të specializuara juridike.

Kosova duhet të krijojë një mekanizëm të përhershëm të diplomacisë juridike ndërkombëtare, të përbërë nga ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, diplomatëve dhe studiuesve.

Ky mekanizëm do të kishte për detyrë të përgatiste argumentet juridike përpara se çështjet të bëhen pjesë e debateve ndërkombëtare.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në raport me narrativat dhe argumentet që paraqiten nga Serbia.

Kosova duhet të përgjigjet me dokumente, fakte dhe argumente juridike, jo vetëm me deklarata politike.

7. Diplomaci e koordinuar Kosovë–Shqipëri

Prishtina dhe Tirana duhet të krijojnë një mekanizëm të rregullt konsultimi për çështjet ndërkombëtare me interes të përbashkët.Ky mekanizëm nuk do të cenonte sovranitetin e dy shteteve.Përkundrazi, do të rriste efikasitetin e tyre diplomatik.Takimet periodike ndërmjet ministrive të jashtme, misioneve diplomatike dhe ekspertëve mund të shërbejnë për harmonizimin e qëndrimeve në ato çështje ku ekziston interes i përbashkët.

Veçanërisht i rëndësishëm do të ishte koordinimi në:Washington – Bruksel – NATO – Londër – organizatat ndërkombëtare.Qëllimi nuk duhet të jetë një diplomaci e përbashkët në kuptimin formal, por një koordinim strategjik i diplomacive të dy shteteve sovrane.

8. Diplomacia me shtetet mosnjohëse

Kosova duhet të hartojë një strategji të veçantë për marrëdhëniet me shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.

Kjo strategji duhet të jetë individuale për secilin shtet.Nuk mund të përdoret e njëjta metodë për të gjitha vendet.

Duhet të analizohen interesat e tyre politike, ekonomike, strategjike dhe rajonale dhe të ndërtohet për secilin rast një qasje diplomatike e përshtatur.Në vend të një fushate të përgjithshme për njohje, nevojitet diplomaci e targetuar, profesionale dhe afatgjatë.

9. Diplomacia parlamentare dhe akademike

Diplomacia shtetërore nuk duhet të kufizohet vetëm te ministritë e jashtme.

Kuvendi i Kosovës duhet ta forcojë diplomacinë parlamentare me parlamentet e vendeve demokratike.

Po ashtu, universitetet dhe institucionet akademike duhet të përfshihen më shumë në diplomacinë publike dhe juridike të Kosovës.

Një shtet i vogël mund ta kompensojë mungesën e fuqisë materiale me fuqinë e argumentit, dijes dhe profesionalizmit.

Krijimi i një rrjeti të ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare, marrëdhënieve ndërkombëtare, historisë dhe diplomacisë do të ishte një investim afatgjatë në interesin shtetëror.

10. Një qendër strategjike për analizën e politikës së jashtme

Kosovës i nevojitet një mekanizëm profesional që analizon zhvillimet ndërkombëtare në kohë reale.

Një strukturë e tillë do të mund të përgatiste analiza periodike për:zhvillimet në SHBA; politikën e BE-së;NATO-n;OKB-në;zhvillimet në Ballkan; politikën e Serbisë;zhvillimet gjeopolitike.Qëllimi do të ishte që institucionet e Kosovës të mos mësojnë për një zhvillim ndërkombëtar vetëm pasi ai të ketë ndodhur.Diplomacia duhet ta parashikojë zhvillimin, jo vetëm ta komentojë atë.

11. Një strategji e re e komunikimit ndërkombëtar

Kosova duhet të investojë më shumë në mënyrën se si e komunikon pozitën e saj në botë.

Çdo çështje madhore duhet të shoqërohet me materiale të përgatitura në gjuhë diplomatike dhe juridike: dokumente, harta, kronologji, argumente ligjore, të dhëna dhe materiale informuese.

Kjo do ta bënte komunikimin e Kosovës më të qëndrueshëm dhe më profesional.Në diplomaci, forma e paraqitjes së argumentit është pjesë e vetë argumentit.

12. Rishikim periodik i misioneve ndërkombëtare

Në kuadër të kësaj strategjie, Kosova duhet të krijojë një mekanizëm institucional për vlerësimin periodik të misioneve ndërkombëtare.

Ky vlerësim duhet të jetë objektiv dhe të mbështetet në: mandatin; rezultatet; nevojat institucionale të Kosovës; përputhshmërinë me zhvillimin e institucioneve vendore;interesat strategjike të Republikës.

Kjo do të krijonte një standard të ri: prani ndërkombëtare aty ku është e dobishme, përgjegjësi vendore aty ku institucionet janë të gatshme dhe partneritet strategjik aty ku interesat janë të përbashkëta.

Një diplomaci që ndërton, jo vetëm që reagon.Në fund, plani diplomatik i Kosovës pas Hagës duhet të mbështetet në një parim të thjeshtë: Kosova nuk duhet të jetë vetëm objekt i diplomacisë së të tjerëve; ajo duhet të bëhet gjithnjë e më shumë subjekt aktiv i diplomacisë së saj.Kjo nuk arrihet me retorikë.Arrihet me institucione, ekspertë, koordinim, dokumente, argumente dhe prani të vazhdueshme në qendrat e vendimmarrjes.

Prandaj, pas Hagës, Kosova duhet të ndërtojë një diplomaci që vepron në disa drejtime njëkohësisht:me SHBA-në – partneritet strategjik;me BE-në – integrim dhe reformë;me NATO-n – bashkëpunim dhe aspiratë për anëtarësim;me OKB-në – prani dhe iniciativë diplomatike;me Shqipërinë – koordinim strategjik;me shtetet mosnjohëse – diplomaci të targetuar;me misionet ndërkombëtare – dialog dhe rishikim institucional;me Serbinë – përballje diplomatike përmes argumentit, jo përmes retorikës;me opinionin ndërkombëtar – diplomaci publike profesionale.

Kjo do të ishte një përgjigje shtetërore ndaj realitetit të ri.

Kosova nuk duhet të zgjedhë ndërmjet sovranitetit dhe partneritetit.Ajo duhet t’i ndërtojë të dyja së bashku.

Sovraniteti i Kosovës duhet të forcohet përmes partneritetit me SHBA-në, integrimit me BE-në, bashkëpunimit me NATO-n dhe një diplomacie aktive në të gjitha qendrat e vendimmarrjes ndërkombëtare.

Ky është drejtimi që mund ta shndërrojë periudhën pas Hagës nga një moment pasigurie në një mundësi për një fazë më të pjekur të shtetndërtimit dhe të afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Filed Under: Analiza

Anatomia e një gjykate sui generis anti-Kosovë!

September 22, 2026 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Për javë të tërë e kam paralajmëruar këtë libër, por pa përmendur asmjlherë me titull, edhe pse miqt e afërt ishin nlë dijeni për punln time. Me 14 shtator më në fund “Lufat nën akuzë: Nga Del Ponte te Gjykata Speciale” pata kënaëqsinlë që në Tiranë, në Institutin Shqiptar për Tsudime Ndërkombëtare (AIIS), në praninë e shumë miqve , studiuesve, diplomatëve dhe mysafirëve të tjerë, të ptomovoja librin tim më të ri dhe të zhvilloja një bashkëbisedim të hapur e të ngrohtë për çështjet që trajton ky libër. Biseda vazhdoi edhe pas përfundimit të promovimit- ndoshta dëshmi më e mire se libri tashmë ka nisur jetën e vetë përtej autorit.

Po, përse ky libër duhej të niste rrugëtimin nga Tirana?

Natyrsisht nuk është e rastsit, ka disa arsye:

E para, sepse Tirana nuk është vetëm kryqyteti I Shqipoërisë. Për Kosovën, Shqipëria ishet dhe mbeti prapavija e saj natyrore-historike, kombëtare, politike dhe njerëzore në rrugën e saj shtetëformues. Kosova bëri luftën e vet, e pagoi lirinë e vet e ndërtoi shtetin e vet, por në ditët dramatike Shqipëria u bë streha e qindar mijëra shqiptarëve të dëbuar nga Kosova.

E dyta, nga pretendimi I Crala Del Pontes te raporti I Dick Martym nën hijen e dyshimit nuk u vendos vetëm Kosova; në këtë histori u përfshi edhe Shqipëria. Prandaj, ky debat duhej të vinte edhe këtu, në Tiranë, aty ku një pjesë e kësja historie është zhvilluar dhe ku një pjesë e saj ende kërkon përgjigje.

E treta, është një arsye personale. Jam rritur në një familje ku dashuria prë Shqipërinë ishte e pakushtëzuar, përtej regjimeve dhe qeverive. Shqipëria për ne ishte më e madhe se çdo qeveri dhe më jetëgjatë se çdo regjim. Prandaj, sa hertë vij në Tiranë, ndihem si në shtëpi, sepse edhe Shqipria dhe njerëzit e saj më kanë vlerësuar dhe më kanë dhuruar dashuri të veçantë. Me këtë rast, dua t’I shpreh mirënjohjen time më të sinqertë Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS) për organizimin e këtij promovimi dhe mikpritjen, si dhe referuesve të sotëm, prof.dr. Enver Hoxhaj, ish-minsitër i Jashtëm të Kosovës, Dr. Arian Starova, për vlerësimin dhe diskutimin përmbajtësor. Falemnderit edhe Alba Çelës për moderimin dhe për atmosferën e bukur të promovimit dhe të bashkëbisedimit.

Dhe falemnderit secilit që ishte aty. Një libër shkruhet në vetmi, por kuptimin e tij të plotë e merr vetëm kur hyn në debat me lexuesin. Libri im është një lloj pasqyre e formimit të Dhomave të Specializuara, të cilat nga fillimi e kanë devijuar misionin e tyre për çfarë ishin formuar, ndriçpimin e prtendimeve të senatorit antisqiptar dhe antiamerikan, senatorit Dick Marty, për trafikim të roganeve, një akuzë që kurrë nuk u vërtetua. Është e qartë se deri më tani kjo gjykatë ka krijuar tendencën dhe përpejkjen për të krijuar një simetri të rreme historike ndërmjet shqiptarëve të përndjekur dhe regjimit okupues të Serbisë. Çdo interpretim i akgjykimit duhet të ruajë në qendër realitetin se Serbia ishte aktori shtetëror që prodhoi dhunë në shkallë të gjerë në luftërat e shpërbërjes së Jugosllavisë, përfshirë edhe luftën e Kosovës.

Mënyra si u ndërtua kjo gjykata dhe raporti racist i Dick Marty-t kishin vetëm një qëllim krijimin e simetrisë me krimet e organizuara shtetërore serbe, në fakt verdikti i kësaj gjykate është rehabilitim i krimeve të Milosheviqit dhe relativizimi më brutal i krimeve shtetërore serbe në harkun kohor 1989-1999. Në thelb vendimi i saj ka rrënuar themelet e beismit të shqiptarëve te Perëndimi dhe ka vrarë idenë e një Kosove multietnike sipas Planit të Ahtisaarit. Veç një albanofobi e frikshme mund të çoj në dënimin e tillë dhe një synim për disiplinimin e shqiptarëve në Ballkan.

Sot “Lufta nën akuzë” e nisi rrugëtimin nga Tirana. Besoj se Tirana, Prishtina dhe Tetova duhet të komunikojnë dhe më shumë mes tyre, sepse hapësira jonë kulturore ka nevojë për më shumë qarkullim të ideve, librave, autorëve dhe debateve. Një komunikim më i denduar kulturor ndërmjet tri qendrave shqiptare do t’i jepte më shumë gjallëri, shumësi dhe forcë kultiurës mbarëshqiptare. Për librat nuk duhet të ketë kufij. Por as taksa. Sepse kultura që na bashkon nuk duhet të paguajë çmimin e kufijve që na ndajnë.

Filed Under: Analiza

Shqiptarët e Amerikës protestojnë në New York kundër vendimit të Gjykatës Speciale

September 21, 2026 by s p

Shqiptarët e Amerikës protestojnë në New York kundër vendimit të Gjykatës Speciale.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 1023
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKËS — VATRA: DEKLARATË PËR PAQEN, PËRGJEGJËSINË KUSHTETUESE DHE DIALOGUN NË SHQIPËRI
  • JU MUNDI…
  • PROTESTA DHE STUDENTËT!
  • Kur studentët lidhen në kangjellat e një instucioni, demokracia ngrihet në gjyq
  • SHQIPËRIA NUK MUND TË MBETET PENG I PUSHTETIT: MERITOKRACI, LLOGARIDHËNIE DHE E ARDHME PËR RININË!
  • MR. RAMA, ALBANIA DOES NOT BELONG TO YOU
  • Britmat e një vajze…
  • Mos u habisni nga dhuna. Habituni që nuk ka plasur tenxherja më herët!
  • 𝐉𝐄𝐌𝐈 𝐍𝐄̀ 𝐊𝐑𝐀𝐇 𝐓𝐄 𝐒𝐓𝐔𝐃𝐄𝐍𝐓𝐄𝐕𝐄 𝐒𝐇𝐐𝐈𝐏𝐓𝐀𝐑𝐄
  • Quo Vadis, Shqipëri?
  • Ministria e gestapos
  • MOTRAT “QIRIAZI” ORGANIZUAN NJË MBRËMJE NË NEW YORK KUNDËR KANCERIT TË GJIRIT – NJË FESTË E JETËS DHE E GUXIMIT
  • Veprat letrare “Mençuria Shqiptare” dhe “Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë së Dodës ” u promovuan në Philadelphia
  • Kriminelë me uniformën e shtetit…
  • Mjerimin nuk e njohin shqiptarët kur hipin n’shalën e kalit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT