• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AMERIKA DHE SHQIPTARËT – NJË MIQËSI QË NUK NJEH KOHË

September 26, 2026 by s p

Frank Shkreli/

Me rastin e mbërritjes së ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Eric Wendt.

Mbërritja e Ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, gjeneral-lejtnantit në pension Eric Wendt, është një rast i mirë për të kujtuar jo vetëm marrëdhëniet e sotme shqiptaro-amerikane, por edhe një të vërtetë historike që është rrënjosur thellë në ndërgjegjen e shumicës së shqiptarëve: Kombi shqiptar nuk ka pasur dhe nuk ka sot një mik më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo nuk është thjesht një shprehje emocionale e imja. Është një marrëdhënie që është ndërtuar në momente vendimtare të historisë shqiptare. Nga Presidenti Woodrow Wilson dhe qëndrimi amerikan në Konferencën e Paqes në Paris, te 20 mars 1991, data e mbërritjes së delegacionit të parë zyrtar amerikan në Tiranë. Kjo miqësi është ndërtuar gjatë më shumë se një shekulli dhe është dëshmuar në disa prej momenteve më të rëndësishme të historisë moderne. Ajo ka kaluar përmes periudhave të vështira, sidomos gjatë, pothuaj, një shekull komunizëm — dhe ka marrë një dimension të veçantë pas rënies zyrtare të diktaturës komuniste, — Nga Frank Shkreli – Kur historia trokiti në derë: “Liria erdhi,po a u ndërtua shteti?” | Gazeta Telegraf — te mbështetja amerikane për Kosovën dhe roli i Shteteve të Bashkuara në çlirimin e saj, e deri te Shqipëria e sotme anëtare e NATO-s.

Prandaj, çdo ambasador amerikan që shkon në Tiranë nuk përfaqëson vetëm një administratë apo një qeveri të radhës. Ai përfaqëson një vend me të cilin shqiptarët kanë krijuar një lidhje të veçantë historike. Në këtë kontekst, arritja e Ambasadorit të ri amerikan, Eric Wendt në Shqipëri merr një kuptim të veçantë. Ai sjell në Tiranë një përvojë prej më shumë se tri dekadash në shërbim të Shteteve të Bashkuara. Ai ka komanduar struktura të rëndësishme të Forcave Speciale amerikane dhe të NATO-s, ndërsa në karrierën e tij ka pasur edhe bashkëpunim të drejtpërdrejtë me forcat speciale shqiptare. Në dëgjesën e tij para Senatit amerikan, ai kujtoi përvojën me trupat shqiptare dhe vlerësoi profesionalizmin e tyre. (Senate Foreign Relations⁠). Kjo përvojë e bën njohjen e tij me Shqipërinë më konkrete. Ai nuk e njeh vendin vetëm nga dosjet diplomatike, por ai ka pasur kontakt me shqiptarë që kanë shërbyer krah për krah me amerikanët në misione ndërkombëtare.

Por, përtej marrëdhënieve shumë të rëndësishme ushtarake dhe strategjike, ekziston një dimension shumë më i gjerë i miqësisë shqiptaro-amerikane. Shqiptarët e kanë parë Amerikën si një vend ku liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor kanë qenë ideale të fuqishme tërheqse. Për brezat e shqiptarve që përjetuan diktaturën komuniste të Enver Hoxhës, Shtetet e Bashkuara — si asnjë vend tjetër në botë– përfaqësonin një dritare drejt botës së lirë. Frank Shkreli: Zëri i Amerikës, një faqe e lavdishme në marrëdhëniet amerikano-shqiptare | Gazeta Telegraf. Pikërisht për këtë arsye, marrëdhënia mes dy vendeve tona nuk duhet parë vetëm në funksion të interesave të momentit. Ajo ka një bazë historike dhe njerëzore që është shumë më e thellë. Sot Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara janë aleatë në NATO. Por aleanca ushtarake është vetëm një pjesë e marrëdhënies. Siguria, ekonomia, investimet, sundimi i ligjit, demokracia dhe perspektiva evropiane e Shqipërisë, janë fusha ku bashkëpunimi shqiptaro-amerikan vazhdon të ketë rëndësi për shqiptarët dhe për rajonin.

Edhe vetë Ambasadori Wendt, në deklaratën e tij para Senatit, e përkufizoi partneritetin amerikano-shqiptar si të mbështetur në interesa të përbashkëta dhe në një angazhim të përbashkët për lirinë dhe sigurinë. (Senate Foreign Relations⁠). Prandaj, mbërritja e tij në Tiranë mund të shihet si një kapitull i ri i një marrëdhënieje që ka kaluar shumë prova dhe shumë dekada. Historikisht, Amerika ka qenë pranë shqiptarëve në momente kur historia ka kërkuar miq të vërtetë. Frank Shkreli: Zëri i Amerikës, një faqe e lavdishme në marrëdhëniet amerikano-shqiptare | Gazeta Telegraf. Dhe miqësitë e vërtetë nuk maten vetëm me deklaratat diplomatike të ditës, ose të rastit. Ato maten me kujtesën e popujve dhe me qëndrimet në momentet vendimtare. Në këtë kuptim, mesazhi që shqiptarët mund t’i përcjellin sot Ambasadorit Të Shteteve të Bashkuara, Z. Eric Wendt në mbërritjen e tij në Tiranë, është i thjeshtë: MIRË SE VINI NË SHQIPËRI! Mirë se vini në një vend ku Amerika nuk është thjesht një partner strategjik, por një emër që për shumë shqiptarë lidhet me lirinë, shpresën dhe mbështetjen në ditët më të vështira të ekistencës së saj. Dhe ndërsa ambasadori i ri amerikan nis detyrën në Tiranë, është me vend të kujtojmë se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve nuk fillojnë sot dhe nuk mbarojnë me një ambasador.

Nga Frank Shkreli – 4 Korrik, 2026, 250-vjet Amerikë: një miqësi që ndryshoi përgjithmonë historinë e shqiptarëve — Ato janë pjesë e një historie më të madhe, historisë së miqësisë shqiptaro-amerikane. Sepse kur Amerika hyn në Tiranë, hyn edhe një histori miqësie me shqiptarët. Prandaj, siç e kam thenë shpesh herë, miqësia e shqiptarëve me Amerikën duhet ruajtur si sytë e ballit.

Sidomos sot. Shqipëria ndodhet në një rajon ku siguria nuk mund të merret si e mirëqenë. Lufta në Evropë, Rusi-Ukrainë, tensionet në Ballkanin Perëndimor, sfidat ndaj sigurisë euroatlantike dhe zhvillimet gjeopolitike në rajon e bëjnë edhe më të rëndësishëm bashkëpunimin e Tiranës me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët e tjerë të NATO-s. Në këto rrethana, Shqipërisë i duhet një politikë e jashtme e matur, e përgjegjshme dhe e parashikueshme. Dhe mbi të gjitha, i duhet të ruajë partneritetet që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë dhe interesat e saj strategjike, afat-shkurtë dhe afat-gjatë. Miqësia e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara nuk duhet të jetë çështje e një partie, e një qeverie apo e një administrate të caktuar. Ajo duhet të jetë një interes i përherëshëm kombëtar shqiptar. Mund të ketë debate politike të brendshme. Mund të ketë dallime mes forcave politike. Mund të ketë edhe pikëpamje të ndryshme për mënyrën se si duhen zgjidhur problemet e vendit dhe këto janë normale në një demokraaci sado e brishtë që është.

Por marrëdhënia strategjike me Shtetet e Bashkuara duhet të mbetet mbi këto ndarje politike. Kjo nuk do të thotë që Shqipëria duhet të heqë dorë nga interesat e veta apo nga e drejta për të pasur pikëpamjet e saj. Përkundrazi. Një aleancë e shëndetshme midis shteteve, ndërtohet mbi respektin reciprok, besimin, transparencën dhe interesat e përbashkëta. Duke marrë parasysh zhvillimet aktuale politike në vend dhe në rajon, sot, më shumë se kurrë, Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të besueshme me Uashingtonin zyrtar dhe me Shtetet e Bashkuara në përgjithsi, duke marrë parasysh edhe komunitettin e madh shqiptaro-amerikan që, historikisht, ka shërbyer si urë miqësie midis dy vendeve tona. Prandaj, mbërritja e Ambasadorit Eric Wendt në Tiranë duhet parë edhe si një mundësi për të forcuar më tej këtë partneritet dhe miqëssi në interes të dy palëve dhe dy popujve tanë. Shqiptarët kanë shumë arsye për ta çmuar Amerikën. Historia na mëson se miqësitë e mëdha nuk duhen kujtuar vetëm kur kemi nevojë për to. Ato duhen kultivuar në ditë të mira dhe në ditë të vështira, neper të cilat po kalon sot Shqipëria.

Mbërritja në Tiranë e ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara, Eric Wendt, ndodh në një prej momenteve më të tensionuara të jetës politike shqiptare të viteve të fundit. Ai nis misionin e tij diplomatik në një kryeqytet ku protestat qytetare kanë vijuar për më shumë se tre muaj dhe ku përplasjet politike kanë dalë prej kohësh përtej debatit të zakonshëm parlamentar. Protestat, të cilat kanë kaluar tashmë 100 ditë, kanë marrë një dimension më të gjerë politik dhe janë shoqëruar edhe me përplasje me policinë. Kjo është Shqipëria që ambasadori Wendt gjen në ditën e parë të misionit të tij. Prandaj, ardhja e Eric Wendt nuk është thjesht një ndryshim në krye të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Ajo përkon me një moment kur Shqipëria ka nevojë për dialog politik, institucione funksionale dhe respektim të parimeve demokratike, ndërsa aleanca me Shtetet e Bashkuara mbetet një prej shtyllave kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë së vendit.

Në këto rrethana, pyetja nuk është se në anën e kujt do të qëndrojë ambasadori i ri, por se si diplomacia amerikane do të mund të kontribuojë në forcimin e institucioneve, dialogut dhe stabilitetit në Shqipëri, të një vendi aleat që po kalon një periudhë të vështirë politike. Sepse, në fund të fundit, Shqipëria nuk ka luksin të shpërdorojë miqësitë e saj të vërteta. Miqësia me Shtetet e bashkuara është një nga ato miqësi që shqiptarët duhet ta ruajnë si sytë e ballit.

Filed Under: Analiza

“Historia e operas Rozafa”

September 26, 2026 by s p

Andis Gjoni/

Kërkoja një kostumografe që të bënte realitet vizionin tim për operan “Rozafa” dhe atë e gjeta tek Iliriana Basha. Nuk e dija që ajo ishte bashkëshortja e regjisorit të njohur Altin Basha. Unë kisha vite që i propozoja atij bashkëpunim dhe nuk e kuptoja se përse nuk më afronte, dhe arsyeja ishte e thjeshtë, ai e kishte skenografen dhe kostumografen, ishte gruaja e tij e talentuar. Ajo bëri një punë të jashtëzakonshme dhe të thelluar në studimin e veshjeve tradicionale ilire dhe shqiptare të periudhës të lashtësisë. Katër personazhet kryesore ajo do t’i ndante me dallimet përkatëse të tyre bazuar në karakteret që përfaqësonin dhe kjo do reflektonte edhe në kostumet. Në bisedat tona krijuese e imagjinonim Rozafën me një fustan të bardhë (polyester që i rrinte i derdhur në trup) me rrip dhe jelek mesi të artë dhe me motive ari të qendisura në fustanin e saj që do simbolizonte idealin e gruas së sakrificës, flijimit të nuses së re trime dhe besnike. Por Iliriana e transformoi edhe më bukur simbolikën e murosjes, ajo e bëri fustanin e Rozafës gjysëm mur e gjysëm nuse, një gjetje fantastike. Në aktin e parë unë i kërkova që Rozafa të ishte me fustan të kuq, ajo përfaqësonte flijimin, gjakun që rrjedh, tragjedinë dhe kontraston bukur me sfondin prapa. Ndërsa në Aktin e dytë fustani i bardhë e bën atë epiqendrën e vëmendjes, pafajësisë. Isha shumë i lumtur që kisha angazhuar një artiste në shpirt dhe në profesion për të realizuar kostumet. Ky produksion që do ishte historik, kishte përmbledhur krijuesit më të mnirë të kohës dhe prandaj e arriti rezultatin e dëshiruar. Kostumet e tjera të krijuara nga Iliriana ishin po aq të bukura sa edhe Rozafa.

Edher tre vëllezërit ishin darë me ngjyrat e tyre, Pritani njeriun e fortë e qëndrestar edhe para provave të fatit e veshi me bezhë në nunancë ari me anët e qëndisura. Kostumi i Orakullit ajo e krijoi me një pelerinë të artë ndërsa atë të Taraboshit të interpretuar nga i njëjti këngëtar, me motive floreale me shkopin e kuq si gjaku në dorë, simbol i autoritetit.

Kostumet më interesante të këtij produksioni pas Rozafës do ishin ato të Shtrëngatës, Vetëtimës, Rrufesë, Veriut, Shirokut dhe valëzave të liqenit. Ato Iliriana i krijoi me një frymëzim të madh dhe reflektonin pikërisht personazhet magjikë që përfaqësonin. Veçanërisht Valëzat e Liqenit me kostumet e tyre sikur kishin dalë nga uji ishin shumë goditëse.

Kostumet e korit i trajtoi me gamën e ngjyrave bardhë-gri, populli u shkri me ngjyrat e gurëve të kështjellës, ata u bënë pjesë e kështjellës por edhe pjesë figurative e volumeve skenike, me lëvizjet e tyre krijuan figura skenike që theksuan momentet dramatike të veprës.

(Pjesë nga libri “Historia e operas Rozafa” )

Foto : Marsel Rexhini

Filed Under: Analiza

UÇK dhe trashëgimia institucionale

September 26, 2026 by s p

Nga Fadil Ferizi/

Ushtria Çlirimtare e Kosovës e përfundoi luftën si forca që kishte marrë armët kundër sundimit serb. Por pas luftës ndodhi diçka që ende nuk e kemi analizuar sa duhet: njerëzit e saj hynë në institucione, ndërsa trashëgimia e saj nuk u institucionalizua sa duhet si trashëgimi e përbashkët shtetërore.

Ky dallim është thelbësor.

UÇK-ja nuk mund të vazhdonte si formacion i armatosur pas hyrjes së NATO-s. Më 21 qershor 1999 ajo dha zotimin me shkrim për demilitarizim. Procesi përfundoi në shtator dhe, nën administrimin ndërkombëtar, u krijua Trupat Mbrojtëse të Kosovës si strukturë civile emergjente. (NATO)

Pra, nuk do të ishte historikisht e saktë të thuhej se pas luftës nuk pati institucionalizim.

Pati.

Por pati institucionalizim të njerëzve dhe strukturave të caktuara, jo institucionalizim të plotë të trashëgimisë politike, historike dhe kombëtare të UÇK-së.

Këtu fillon problemi.

UÇK-ja kishte qenë një organizim çlirimtar. Në të kishin hyrë njerëz me bindje, prejardhje dhe ambicie të ndryshme. Ajo që i bashkonte ishte qëllimi: çlirimi i Kosovës.

Pas luftës, ky emër i përbashkët filloi të copëzohej politikisht.

PDK-ja u formësua si forca kryesore politike e dalë nga krahu i UÇK-së. AAK-ja mblodhi rreth vetes një tjetër pjesë të rëndësishme të ish-luftëtarëve, veçanërisht figura të lidhura me Dukagjinin. Më vonë, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, pas largimit nga PDK-ja, themeluan Nismën për Kosovën.

Vetë ekzistenca e disa partive nuk ishte problem demokratik.

As fakti që komandantët hynë në politikë nuk mund të konsiderohet faj.

Ata kishin të njëjtën të drejtë si çdo qytetar tjetër të themelonin parti, të kandidonin dhe të kërkonin votën.

Problemi filloi kur lufta hyri në tregun elektoral.

Merita e luftës filloi të përdorej edhe si kapital politik.

Kush kishte luftuar më shumë?

Kush kishte qenë më afër qendrës së vendimmarrjes?

Kush kishte qenë komandant më i rëndësishëm?

Cila zonë kishte dhënë më shumë?

Kush kishte të drejtë të fliste në emër të UÇK-së?

Kush ishte trashëgimtari politik i saj?

Këtu filloi një humbje që nuk matet me vota.

Filloi copëtimi i kujtesës.

Në vend që UÇK-ja të mbetej një emër mbi partitë, partitë filluan ta merrnin secila një pjesë të saj.

Dhe bashkë me këtë erdhën përplasjet për merita, autoritet, poste dhe përfaqësim.

Një komandant përballë komandantit tjetër.

Një zonë përballë zonës tjetër.

Një parti kundër partisë tjetër.

Një version i luftës kundër versionit tjetër.

UÇK-ja, që gjatë luftës kishte një armik përballë, pas luftës i pa bijtë e saj politikë përballë njëri-tjetrit.

Kjo është tragjedia politike që duhet diskutuar.

Ndërkohë Kosova ndërtonte institucionet e veta. TMK-ja u pasua nga FSK-ja. U ndërtuan Kuvendi, Qeveria, Presidenca dhe institucionet e Republikës.

Por njëkohësisht duhej të ndërtoheshin edhe institucionet e kujtesës.

Arkivi i luftës.

Dokumentimi shtetëror.

Historia institucionale e UÇK-së.

Dëshmitë.

Dokumentet.

Zinxhirët realë të përgjegjësive.

Raportet me diplomacinë ndërkombëtare.

Dokumentimi sistematik i krimeve të kryera nga forcat serbe.

Dëshmitë e popullsisë civile.

Gjithçka që një shtet serioz e ruan jo për një mandat qeveritar, por për brezat që vijnë.

Sepse lufta nuk i përkiste PDK-së.

Nuk i përkiste AAK-së.

Nuk i përkiste Nismës.

Nuk i përkiste Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt, Jakup Krasniqit apo cilitdo komandant tjetër.

U përkiste njerëzve që luftuan dhe, si trashëgimi historike, Kosovës.

Nga viti 2015 te 16 shtatori 2026

Pikërisht këtu duhet parë edhe krijimi i Dhomave të Specializuara.

Duhet të jemi të saktë.

Gjykata Speciale nuk u krijua juridikisht sepse UÇK-ja u nda në parti. Procesi kishte shkaqe dhe mekanizma të tjerë politikë, ndërkombëtarë dhe juridikë. Më 3 gusht 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. (Kuvendi i Kosovës)

Por mbetet një pyetje politike:

Në çfarë gjendjeje e gjeti Kosovën viti 2015?

Me një trashëgimi të luftës të dokumentuar, të institucionalizuar dhe të trajtuar si çështje shtetërore?

Apo me ish-komandantë të shpërndarë në parti, me rivalitete politike dhe me luftën të përdorur prej vitesh edhe si burim legjitimiteti elektoral?

Fragmentimi politik nuk provon shkakun e Gjykatës Speciale.

Por duhet të pyesim nëse ai e bëri Kosovën politikisht dhe institucionalisht më të dobët përballë proceseve që pasuan.

Dhe pastaj erdhi 16 shtatori 2026.

Dhomat e Specializuara shpallën aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 dhe Selimi me 13 vjet. Gjykata i shpalli fajtorë për krime lufte, ndërsa i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. (SCP-KS)

Procesi juridik do të ketë rrugën e vet.

Por 16 shtatori nxori në pah edhe një problem tjetër, që nuk është juridik.

Është politik.

Ku është sot UÇK-ja si trashëgimi e përbashkët?

Njerëzit që dolën prej saj janë në parti të ndryshme. Për më shumë se dy dekada kanë qenë aleatë dhe kundërshtarë, janë ndarë e ribashkuar, kanë zhvilluar beteja politike dhe kanë konkurruar edhe për trashëgiminë e luftës.

Sot, pas dënimeve, organizohen protesta në Kosovë dhe në diasporë. Bëhen thirrje për unitet. Kërkohet që dallimet partiake të lihen mënjanë dhe që UÇK-ja të mbrohet si vlerë e përbashkët.

Por pikërisht këtu lind pyetja:

Pse ky bashkim kërkohet sot, kur nuk u ndërtua dje?

Pse UÇK-ja mund të ndahej kur ndaheshin votat, pushteti, postet dhe meritat, ndërsa tani duhet të bëhet përsëri një kur përballet me një nga momentet më të rënda të historisë së saj të pasluftës?

Këtu qëndron hipokrizia politike që duhet thënë me emër.

Jo e secilit ish-luftëtar.

Jo e secilit komandant.

Por e atyre që për vite u përpoqën ta përfaqësonin politikisht UÇK-në si pjesë të tyre dhe sot kërkojnë që ajo të mbrohet si e të gjithëve.

UÇK-ja duhej të ishte e të gjithëve edhe atëherë.

Punën që nuk duhej t’ia bënim kundërshtarit

Serbia ka zhvilluar për dekada politikën dhe narrativën e vet kundër UÇK-së.

Por nuk kemi nevojë t’ia atribuojmë Serbisë edhe gabimet tona.

Pikërisht këtu përgjegjësia bëhet më e rëndë.

Nëse kundërshtari i Kosovës do të dëshironte ta shihte trashëgiminë e UÇK-së të fragmentuar politikisht, komandantët e saj të ndarë në kampe, partitë e dala prej saj duke luftuar për merita dhe secilën duke pretenduar një pjesë të historisë, vështirë se do të kërkonte një gjendje më të favorshme.

Por këtë ndarje nuk na e imponoi vetëm Serbia.

Një pjesë të punës e bëmë vetë.

Vetë komandantët u ndanë.

Vetë ish-pjesëtarët u rreshtuan në kampe politike.

Vetë partitë konkurruan për trashëgiminë e luftës.

Vetë meritat u shndërruan në kapital elektoral.

Dhe kështu, pa pasur nevojë që dikush nga Beogradi ta organizonte këtë proces, krijuam një gjendje që objektivisht i shërbente çdo kundërshtari të UÇK-së: një trashëgimi të madhe kombëtare, por të fragmentuar politikisht.

Nuk na ndau vetëm kundërshtari. U ndamë edhe vetë.

Prandaj thirrjet e sotme për bashkim duhen dëgjuar.

Por ato nuk duhet të na pengojnë të pyesim se ku ishte ky bashkim dje.

Ku ishte kur ndahej pushteti?

Ku ishte kur krijoheshin partitë?

Ku ishte kur komandantët akuzonin njëri-tjetrin?

Ku ishte kur meritat e luftës hynin në fushata elektorale?

Ku ishte kur duhej të ndërtohej një arkiv serioz shtetëror i luftës?

Ku ishte kur duhej të krijohej një politikë shtetërore e kujtesës, e dokumentimit dhe e mbrojtjes së së vërtetës historike?

Bashkimi nuk mund të kërkohet vetëm kur vijnë aktgjykimet.

Duhej të ishte parim që nga dita e parë e lirisë.

Komandantët kishin të drejtë të bëheshin politikanë.

Por UÇK-ja nuk duhej të bëhej pronë politike e askujt.

Ata mund të ndaheshin.

UÇK-ja jo.

Ata mund të krijonin PDK-në, AAK-në, Nismën apo një parti tjetër.

UÇK-ja duhej të mbetej jashtë tyre.

Ata mund të fitonin dhe humbnin zgjedhje.

UÇK-ja nuk duhej të hynte në zgjedhje.

Ata mund të kundërshtonin njëri-tjetrin.

Historia e luftës nuk duhej të copëtohej bashkë me ta.

Kosova ndërtoi TMK-në. Pastaj FSK-në. Ndërtoi Kuvendin, Presidencën, Qeverinë dhe institucionet e Republikës.

Por nuk ndërtoi me të njëjtën vendosmëri përgjegjësinë institucionale për ruajtjen, dokumentimin dhe transmetimin e kujtesës së luftës së saj.

Dhe sot po e paguajmë çmimin e këtij boshllëku.

Sepse kur një shtet nuk e institucionalizon kujtesën e vet historike, hapësirën e lënë bosh e mbushin partitë, individët, interpretimet rivale, kundërshtarët dhe proceset gjyqësore.

Prandaj problemi nuk filloi më 16 shtator 2026.

16 shtatori vetëm na detyroi ta shohim më qartë.

Problemi filloi shumë më herët, kur nuk kuptuam se njerëzit e UÇK-së mund të bëheshin politikanë, por UÇK-ja nuk mund të bëhej parti.

Njerëzit e saj mund të ndaheshin.

Historia e saj jo.

UÇK-ja duhej të institucionalizohej si trashëgimi e Republikës.

Dhe sot, kur kërkohet bashkim në emër të saj, duhet ta themi edhe të vërtetën më të vështirë:

UÇK-ja u përkiste të gjithë shqiptarëve. Ajo duhej të mbetej e tillë dje, që të mos na duhej ta ribashkonim sot.

Filed Under: Analiza

VEPËR MONUMENTALE KUSHTUAR MBRETËRESHËS TEUTË

September 26, 2026 by s p

Në sajë të angazhimit të gazetarit Marin Mema si iniciator i projektit pas katër vitësh përkushtim, përpjekjesh dhe shumë vështirësish, më së fundit Mbretëresha ilire Teuta tashmë qëndron në “Ballkonin Panoramik” përgjatë rrugës Shëngjin-Velipojë mbi “Ranën e Hedhun”, si dëshmi e kujtesës sonë historike me trashëgiminë e lashtë ilire.

Nail Draga

Në vendet e qytetëruara është bërë praktikë që të nderohen personalitete e ngjarje nga historia kombëtare, sepse veprimtaritë dhe ngjarjet e tilla cilat përveç se kanë peshë historike kanë edhe karakter kombëtar. Pikërisht duke marrë parasysh këtë mision në Shqipëri dallohet gazetari Marin Mema i cili në vitin 2022 opinionit i ka prezantuar idenë për vendosjen e Mbretëreshës ilire Teuta në një bashki në Shqipëri, duke pasur parasysh rolin e saj në Iliri.

Tri bashki refuzuan shtatorën e mbretëreshës

Por, nga fillimi kanë dalur pengesa subjektive nga ata që është dashur ta përkrahin një nismë të tillë, që është e pashpjegueshme, sepse sipas të dhënave nga Marin Mema tri bashki refuzuan ta përkrahin, por u dallua bashkia e Lezhës e cila e pranoi mënjëherë. Një veprim i tillë refuzues nuk mund të arsyeohet më asgjë sepse nuk kemi të bëjmë me një projekt personal, partiak apo të ndonjë formë tjetër, përveç nga gjelozia e komplekset e drejtuesve të bashkive të tilla!

Gjatë inaugurimit Mema falënderoi veçanarisht Bashkinë Lezhë dhe kryebashkiakun Pjerin Ndreu, të cilët, siç u shpreh ai, e pranuan menjëherë idenë dhe i hapën rrugë vendosjes së shtatorës në Shëngjin. Ndërsa një kontribut të veçantë ka dhënë edhe arkeologu Paulin Zefi, duke ndihmuar që projekti realizohej.

Për Memën, vendndodhja ka edhe këtë simbolikë të veçantë: Teuta u vendos pikërisht në Shëngjin, në trevën ku ajo mbretëroi, përballë Adriatikut.

Ngjarja më e rëndësishme kulturore e këtij viti

Nuk ka dilemë se data 15 shtator 2026, është ngjarja më e rëndësishme kulturore e vitit jo vetëm në Lezhë por në tërë hapësirën mbarëkombëtare. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse vendosja dhe inaugurimi i shtatorës së Mbretëreshës Teutë ka përmasa kombëtare, kur ilirët dhe Iliria ishin sovran në hapësirën e tyre. Një vepër e tillë nderon historinë, krenarinë dhe trashëgiminë shqiptare.

Urojmë që ky projekt madhështor të shërbejë si një shëmbull frymëzues për të gjitha bashkitë dhe qytetet tjera shqiptare, pë ta pasuruar hapësirën publike me vepra monumentale që nderojnë historinë, kulturën dhe figurat e shquara të paraardhësve tanë të lavdishëm, ilirëve!

Teuta jonë tashme qëndron me shumë hijeshi mbi “Ranën e Hedhun”, pranë rrugës Shëngjin-Velipojë, si dëshmi e gjallë e kujtesës sonë historike dhe e Lidhjes së Lezhës (2mars 1444) me trashëgiminë e lashtë ilire.

Monumenti-donacion nga diaspora

Monumenti ka një lartësi prej 8.70 metra, ku statuja prej bronzi është 5.45 metra e lartë, ndërsa baza e saj është 3.25 metra. Vepra është realizuar nga skulptori Julian Muçollari.

Projekti është financuar përmes donacioneve private nga shqiptarët e diasporës përmes një fushate e cila i mblodhi rreth 15.000 dollarë nga 268 donatorë të ndryshëm shqiptar. Dhe ate çka nuk e bëri Qeveria apo institucionet shtetërore e realizoi diaspora, e cila në shumë raste janë treguar solidarë për të ndihmuar në raste të veçanta, ku kësaj here monumenti kushtuar Mbretereshës Teutë nuk ishte përjashtim, por dëshmi e një qendrimi kulturor kombëtar.

Nga data 15 shtator bregdeti shqiptar në veriperëndim është më i pasur dhe më atraktiv, sepse statuja e Mbetëreshës Teutë do të jetë një motiv më shumë për të vizituar Shëngjinin dhe Velipojën për të gjithë shqiptarët e ne veçanti për turistët e shumtë të cilët gjatë verës i frekuentojnë këto mjedise.

Përfundim

Realizimi i një projekti kulturor për një figurë historike me përmasa kombëtare sikurse është Mbretëresha Teutë, dëshmon se kur ekziston vullneti dhe bashkëpunimi ia arrihet qellimit. Një vepër e tillë monumentale është dashur të realizohet shumë më herët, sepse përveç vlerave historike e kulturore ka edhe vlera edukative. Sepse historia nuk është vetëm ajo që lexojmë në libra, por është ajo që e shohim dhe prekim që krion emocion dhe reflektim së kush ishim dikur dhe kush jemi sot. Dhe brezi i ri ka një nevojë të tillë të vizionit në kohën tonë, për të mos u tjetërsuar në kohën moderne por në mbrojtje të identiteti kombëtar, pavarësisht së ku gjindën në hapësirën e tyre etnogjeografike apo në diasporë.

Ndërsa vendosja e këtij monumenti në një vend atraktiv në breg të detit Adriatik paraqet një vlerë të shtuar në favor të zhvillimit të turizmit në këtë mjedis. Kemi të bëjmë me një kryevepër arti sot dhe një simbol i jashtëzakonshëm për brezat që do të vijnë. Shpresojmë që vepra të tilla të inaugurohen në të ardhmën edhe në bashkitë tjera, sepse përmes tyre nderojmë historinë dhe trashëgiminë shqiptare, si kudo në botën e qytetëruar.

(Shtator 2026)

Shtatorja e Mbretëreshës Teutë në Shëngjin(15.9.2026)

Filed Under: Analiza

KOSOVA MES KONSOLIDIMIT KUSHTETUES DHE AFIRMIMIT NDËRKOMBËTAR

September 24, 2026 by s p

Nga qartësimi kushtetues dhe funksionalizimi i institucioneve te diplomacia aktive, njohjet e reja dhe konsolidimi i sovranitetit.

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Republika e Kosovës ndodhet përpara një faze në të cilën çështjet e rendit kushtetues, funksionalitetit institucional dhe afirmimit ndërkombëtar duhet të trajtohen si pjesë të një procesi të vetëm të konsolidimit shtetëror. Në një shtet demokratik, rendi kushtetues nuk është vetëm një kuadër formal për organizimin e pushtetit, por baza juridike mbi të cilën ndërtohet legjitimiteti institucional, siguria juridike dhe funksionimi i shtetit.

Në këtë kuptim, aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i 23 shtatorit 2026, për rastet e bashkuara KO256/26 dhe KO258/26, përbën një moment të rëndësishëm për qartësimin e disa çështjeve që lidhen me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë. Gjykata konstatoi, ndër të tjera, se Kuvendi është konstituuar pas kalimit të afatit kushtetues, se vendimi për zgjedhjen e Qeverisë nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës dhe se afati për zgjedhjen e Presidentit përfundon më 6 tetor 2026. Po ashtu, Gjykata përcaktoi detyrimin që deputetët të zgjedhin sa më parë nënkryetarin nga grupi i dytë më i madh parlamentar.

Ky aktgjykim duhet të lexohet para së gjithash në dritën e parimit të supremacisë së Kushtetutës dhe respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në një rend kushtetues demokratik, mosmarrëveshjet institucionale nuk mund të mbeten pafundësisht peng i interpretimit politik; ato duhet të gjejnë zgjidhje brenda mekanizmave kushtetues dhe juridikë.

Prandaj, pas këtij qartësimi, përgjegjësia kryesore u takon institucioneve politike të Republikës së Kosovës. Kuvendi dhe Qeveria duhet të përqendrohen në ushtrimin e kompetencave të tyre kushtetuese e ligjore dhe në adresimin e çështjeve që kërkojnë veprim institucional. Në vend të rikthimit të vazhdueshëm te kontestet procedurale, energjia institucionale duhet të orientohet drejt punës legjislative, reformave, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe politikës së jashtme.

Kushtetuta si themel i konsolidimit shtetëror

Shteti funksional fillon me respektimin e rendit të vet kushtetues. Kushtetuta përcakton kompetencat, kufizimet dhe marrëdhëniet ndërmjet institucioneve dhe, në këtë mënyrë, krijon parakushtet për ushtrimin e rregullt të pushtetit publik.

Pikërisht për këtë arsye, vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të shërbejnë si pikë orientimi juridik për institucionet. Gjykata Kushtetuese ka rolin e interpretimit përfundimtar të Kushtetutës brenda juridiksionit të saj, ndërsa vendimet e saj janë pjesë e mekanizmit të kontrollit kushtetues të pushtetit.

Në këtë fazë, rëndësi të veçantë ka që Kuvendi të zhvillojë veprimtarinë e tij legjislative në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, ndërsa Qeveria të ushtrojë kompetencat ekzekutive brenda kufijve të përcaktuar nga rendi juridik.

Konsolidimi i shtetit nuk arrihet vetëm përmes krijimit të institucioneve, por përmes funksionimit të tyre të rregullt, të përgjegjshëm dhe të kontrollueshëm juridikisht.

Prandaj, faza e ardhshme duhet të jetë fazë e punës institucionale: miratimit dhe zbatimit të ligjeve, reformimit të administratës publike, forcimit të sundimit të ligjit, funksionalizimit të mekanizmave të përgjegjësisë dhe krijimit të një klime më të qëndrueshme institucionale.

Kjo është edhe baza e parë për çdo politikë serioze të afirmimit ndërkombëtar.

Nga shtetësia formale te sovraniteti efektiv

Në të drejtën ndërkombëtare, shtetësia nuk mund të kuptohet vetëm si deklarim formal i pavarësisë. Ajo lidhet me ekzistencën dhe funksionimin e një rendi institucional, me ushtrimin e autoritetit publik dhe me aftësinë për të zhvilluar marrëdhënie ndërkombëtare.

Republika e Kosovës e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Një pikë e rëndësishme e afirmimit juridik të këtij procesi ishte opinioni këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i 22 korrikut 2010. Gjykata u shpreh se deklarata e pavarësisë e Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Megjithatë, është e rëndësishme të ruhet saktësia juridike: pyetja që iu parashtrua Gjykatës ishte nëse deklarata e pavarësisë ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Gjykata nuk u kërkua të vendoste nëse e drejta ndërkombëtare i kishte dhënë Kosovës një të drejtë pozitive të përgjithshme për shkëputje dhe as nuk vendosi për çështjen e njohjes diplomatike nga shtetet individuale.

Kjo dallim është i rëndësishëm për diplomacinë juridike të Kosovës. Opinioni i GJND-së është një instrument i rëndësishëm argumentimi, por duhet përdorur me saktësinë që i takon një dokumenti juridik ndërkombëtar.

Në këtë kuptim, konsolidimi i sovranitetit kërkon ndërthurjen e legjitimitetit kushtetues të brendshëm me kapacitetin ndërkombëtar të shtetit.

Një shtet që dëshiron të afirmohet ndërkombëtarisht duhet të jetë në gjendje të dëshmojë funksionalitet institucional, siguri juridike, respektim të të drejtave dhe lirive, kapacitet administrativ dhe politikë të jashtme të qëndrueshme.

E drejta ndërkombëtare si instrument i diplomacisë shtetërore

Kosova duhet ta trajtojë të drejtën ndërkombëtare jo vetëm si fushë akademike, por edhe si një nga instrumentet e diplomacisë së saj shtetërore.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare, argumenti juridik ka rëndësi të veçantë, veçanërisht kur shteti përballet me interpretime të ndryshme për statusin, marrëdhëniet ndërshtetërore dhe çështjet që lidhen me organizatat ndërkombëtare.

Për këtë arsye, do të ishte e dobishme që në kuadër të institucioneve të Kosovës të forcohet një mekanizëm i përhershëm i diplomacisë juridike, ku ekspertët e së drejtës ndërkombëtare të punojnë në koordinim me diplomacinë dhe institucionet shtetërore.

Detyra e këtij mekanizmi do të ishte përgatitja e analizave juridike, dokumenteve faktike, materialeve për organizatat ndërkombëtare, argumenteve për marrëdhëniet dypalëshe dhe dokumentacionit të nevojshëm për dialogun me shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Një diplomaci e tillë nuk do të duhej të karakterizohej nga retorika konfrontuese, por nga argumenti, dokumenti, profesionalizmi dhe vazhdimësia.

Njohjet e reja dhe diplomacia e ndërtimit të besimit

Një nga objektivat e rëndësishëm të politikës së jashtme të Kosovës mbetet zhvillimi i marrëdhënieve me shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.

Kjo kërkon një strategji të diferencuar. Çdo shtet ka rrethanat e veta politike, juridike, ekonomike dhe strategjike. Për këtë arsye, diplomacia e Kosovës duhet të analizojë me kujdes interesat dhe prioritetet e secilit shtet dhe të ndërtojë komunikimin në përputhje me këto specifika.

Në këtë proces, lobimi institucional dhe diplomacia publike mund të kenë rol plotësues. Kontaktet me parlamentet, universitetet, institutet kërkimore, organizatat profesionale dhe komunitetet shqiptare në diasporë mund të krijojnë kanale shtesë komunikimi.

Por këto përpjekje duhet të jenë të koordinuara me diplomacinë zyrtare dhe të zhvillohen në mënyrë transparente, profesionale dhe në përputhje me ligjet e shteteve përkatëse.

Njohja nuk duhet trajtuar si rezultat i një fushate të shkurtër, por si rezultat i një procesi të vazhdueshëm të ndërtimit të marrëdhënieve dhe besimit.

Kjo do të kërkonte një hartë të qartë të prioriteteve diplomatike: cilat shtete janë më të rëndësishme për objektivat e Kosovës, cilat janë pengesat juridike ose politike, cilat janë fushat ku ekzistojnë interesa të përbashkëta dhe cilat forma të dialogut mund të zhvillohen.

Diplomacia euroatlantike dhe partneriteti strategjik

Konsolidimi ndërkombëtar i Kosovës nuk duhet të trajtohet i shkëputur nga orientimi i saj euroatlantik.

Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe NATO-n përbëjnë dimensione të rëndësishme të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Kosovës. Në këtë drejtim, diplomacia duhet të jetë e qëndrueshme, institucionale dhe e bazuar në dialog.

Me Shtetet e Bashkuara, rëndësi ka vazhdimi i dialogut strategjik dhe zhvillimi i marrëdhënieve në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.

Me Bashkimin Evropian, fokusi duhet të përfshijë reformat institucionale, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe përafrimin me standardet evropiane.

Në raport me NATO-n, forcimi i institucioneve të sigurisë, standardet demokratike, sundimi i ligjit dhe bashkëpunimi institucional janë pjesë e rëndësishme e rrugëtimit euroatlantik të Kosovës.

Në këtë mënyrë, politika e jashtme dhe politika e brendshme nuk janë dy fusha të ndara. Besueshmëria ndërkombëtare e një shteti ndërtohet edhe përmes cilësisë së institucioneve të tij të brendshme.

Kosova dhe Shqipëria: koordinim në interes të përbashkët

Në këtë strategji, bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë mund të ketë një dimension të rëndësishëm.

Të dyja janë shtete sovrane dhe subjekte të veçanta të së drejtës ndërkombëtare. Pikërisht për këtë arsye, bashkëpunimi i tyre duhet të mbështetet në respektimin e plotë të sovranitetit dhe vendimmarrjes së pavarur të secilit shtet.

Kjo nuk e përjashton koordinimin në çështjet me interes të përbashkët.

Konsultimet ndërmjet ministrive të jashtme, bashkëpunimi ndërmjet misioneve diplomatike, diplomacia parlamentare, shkëmbimi i ekspertizës dhe koordinimi në forume ndërkombëtare mund të krijojnë sinergji të dobishme.

Një qasje e tillë do të mundësonte që dy shtetet të përdorin më mirë kapacitetet e tyre diplomatike, juridike, akademike dhe ekonomike, pa cenuar subjektivitetin e veçantë ndërkombëtar të secilit.

Pas qartësimit kushtetues: koha për punë institucionale

Në këtë pikë, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese merr një rëndësi të veçantë. Pasi Gjykata ka dhënë interpretimin e saj për çështjet konkrete të parashtruara, institucionet politike duhet të veprojnë mbi bazën e atij interpretimi dhe të vazhdojnë ushtrimin e kompetencave të tyre kushtetuese.

Kjo nënkupton që Kuvendi duhet të fokusohet në funksionin e tij legjislativ dhe mbikëqyrës, ndërsa Qeveria në ushtrimin e përgjegjësive ekzekutive dhe në zbatimin e politikave publike.

Në të njëjtën kohë, çështjet e tjera kushtetuese duhet të trajtohen në afatet dhe procedurat e përcaktuara nga Kushtetuta. Vetë aktgjykimi i Gjykatës ka përcaktuar se afati gjashtëdhjetëditor për zgjedhjen e Presidentit ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.

Kjo e bën të domosdoshëm respektimin e afateve dhe procedurave kushtetuese nga të gjithë aktorët institucionalë.

Por, përtej procedurës, sfida kryesore është që institucionet të rikthejnë vëmendjen te përmbajtja e mandatit të tyre: te ligji, reformat, ekonomia, drejtësia, siguria, arsimi, shëndetësia dhe politika e jashtme.

Një shtet nuk mund të qëndrojë vazhdimisht në fazën e konstituimit. Konstituimi është fillimi i mandatit; puna shtetërore është përmbajtja e tij.

Nga diplomacia reaktive drejt diplomacisë strategjike

Kosova ka nevojë për një politikë të jashtme që ndërthur reagimin e nevojshëm me planifikimin strategjik.

Kjo nënkupton krijimin e një platforme të koordinuar ndërmjet institucioneve që kanë përgjegjësi në politikën e jashtme, në mënyrë që qëndrimet e Kosovës të jenë të qarta, të qëndrueshme dhe juridikisht të argumentuara.

Në vend që çdo zhvillim ndërkombëtar të prodhojë një reagim të veçantë, institucionet duhet të ndërtojnë politika afatmesme dhe afatgjata.

Një diplomaci strategjike do të duhej të kishte disa drejtime të qarta: forcimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara, thellimin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, avancimin e marrëdhënieve me NATO-n, zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale, angazhimin më të madh në mekanizmat ndërkombëtarë ku Kosova mund të marrë pjesë dhe zhvillimin e një politike të strukturuar për njohjet e reja.

Kjo diplomaci duhet të mbështetet në një parim themelor: Kosova duhet të paraqitet si subjekt i përgjegjshëm i së drejtës ndërkombëtare dhe si shtet që i respekton parimet e rendit kushtetues dhe ndërkombëtar.

Nga qartësimi juridik te veprimi shtetëror

Republika e Kosovës hyn në një fazë ku konsolidimi i brendshëm kushtetues dhe afirmimi ndërkombëtar duhet të ecin paralelisht.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i 23 shtatorit 2026 ka dhënë një kornizë të qartë për çështjet e shqyrtuara lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë, ndërsa ka përcaktuar edhe afate dhe detyrime të tjera kushtetuese. Për institucionet politike, kjo nënkupton një përgjegjësi të drejtpërdrejtë: të veprojnë brenda Kushtetutës dhe ligjit dhe të përqendrohen në ushtrimin e mandatit të tyre.

Në planin ndërkombëtar, opinioni këshillimor i GJND-së i vitit 2010 mbetet një pikë e rëndësishme referimi juridik: Gjykata konstatoi se deklarata e pavarësisë e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Por afirmimi ndërkombëtar i Kosovës kërkon më shumë se një argument juridik; kërkon diplomaci të vazhdueshme, marrëdhënie të ndërtuara me kujdes, institucione funksionale dhe kapacitet për të krijuar besim ndërkombëtar.

Prandaj, faza e ardhshme duhet të jetë fazë e veprimit institucional të matur dhe të koordinuar.

Kuvendi dhe Qeveria duhet të punojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve. Diplomacia duhet të veprojë me më shumë planifikim dhe vazhdimësi. Ekspertiza e së drejtës ndërkombëtare duhet të jetë më e pranishme në politikën e jashtme. Politika për njohjet e reja duhet të jetë e strukturuar dhe afatgjatë. Partneritetet me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe NATO-n duhet të zhvillohen përmes dialogut institucional. Ndërsa bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri duhet të shfrytëzojë mundësitë e koordinimit, duke respektuar sovranitetin dhe subjektivitetin ndërkombëtar të të dyja shteteve.

Në këtë perspektivë, sovraniteti nuk duhet parë vetëm si një status juridik, por si kapacitet i vazhdueshëm për të ushtruar autoritetin kushtetues brenda vendit dhe për të vepruar me përgjegjësi në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kosova ka nevojë për institucione që funksionojnë sipas Kushtetutës, diplomaci që vepron mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare dhe politikë të jashtme që ndërton marrëdhënie përmes dialogut, argumentit dhe partneritetit.

Kjo është rruga nga qartësimi kushtetues te konsolidimi shtetëror dhe nga afirmimi juridik te afirmimi ndërkombëtar.

Në fund, një shtet konsolidohet jo vetëm kur shpall pavarësinë, por kur institucionet e tij funksionojnë, Kushtetuta respektohet, ligji zbatohet, diplomacia vepron me profesionalizëm dhe partnerët ndërkombëtarë e shohin atë si një subjekt të qëndrueshëm, të përgjegjshëm dhe të besueshëm.

Kosova sot ka nevojë për më shumë punë shtetërore, më shumë qartësi juridike dhe më shumë diplomaci të mençur — në mënyrë që sovraniteti kushtetues brenda vendit të shoqërohet me afirmim të qëndrueshëm në rendin ndërkombëtar.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 1023
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKËS — VATRA: DEKLARATË PËR PAQEN, PËRGJEGJËSINË KUSHTETUESE DHE DIALOGUN NË SHQIPËRI
  • JU MUNDI…
  • PROTESTA DHE STUDENTËT!
  • Kur studentët lidhen në kangjellat e një instucioni, demokracia ngrihet në gjyq
  • SHQIPËRIA NUK MUND TË MBETET PENG I PUSHTETIT: MERITOKRACI, LLOGARIDHËNIE DHE E ARDHME PËR RININË!
  • MR. RAMA, ALBANIA DOES NOT BELONG TO YOU
  • Britmat e një vajze…
  • Mos u habisni nga dhuna. Habituni që nuk ka plasur tenxherja më herët!
  • 𝐉𝐄𝐌𝐈 𝐍𝐄̀ 𝐊𝐑𝐀𝐇 𝐓𝐄 𝐒𝐓𝐔𝐃𝐄𝐍𝐓𝐄𝐕𝐄 𝐒𝐇𝐐𝐈𝐏𝐓𝐀𝐑𝐄
  • Quo Vadis, Shqipëri?
  • Ministria e gestapos
  • MOTRAT “QIRIAZI” ORGANIZUAN NJË MBRËMJE NË NEW YORK KUNDËR KANCERIT TË GJIRIT – NJË FESTË E JETËS DHE E GUXIMIT
  • Veprat letrare “Mençuria Shqiptare” dhe “Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë së Dodës ” u promovuan në Philadelphia
  • Kriminelë me uniformën e shtetit…
  • Mjerimin nuk e njohin shqiptarët kur hipin n’shalën e kalit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT