• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TIVARI 1945, KRIMI I PRANUAR, PËRGJEGJËSIA E MUNGUAR

September 2, 2026 by s p

Nga Fadil Ferizi/

Ka krime që pushteti përpiqet t’i mbyllë në arkiv, por që hapja e arkivit i kthen në aktakuzë morale. Masakra e Tivarit, e kryer në fund të marsit dhe në fillim të prillit 1945, është një prej tyre. Tetëdhjetë e një vjet më vonë, Simpoziumi Ndërkombëtar Shkencor i mbajtur në Tivar më 31 mars 2026 dhe fejtoni tetëpjesësh i historianit Sherbo Rastoder (Šerbo Rastoder), botuar në gazetën malazeze “Vijesti” nga 15 deri më 22 prill, e kanë zgjeruar bazën e kërkimit. Por ato nuk e kanë mbyllur çështjen.

Sot mund të rindërtohen më qartë rruga e rekrutëve, njësitë që i shoqëruan, dorëzimi i tyre nga një formacion te tjetri dhe incidenti që i parapriu masakrës. Megjithatë, numri përfundimtar i viktimave, zinxhiri i plotë i komandës, vendndodhja e varreve dhe ekzistenca e një plani paraprak për eliminimin e rekrutëve mbeten çështje të pambyllura.

Kjo kërkon një disiplinë të dyfishtë: të emërtohen përgjegjësit pa fajësuar popuj të tërë dhe të ndahet dokumenti nga dëshmia, dëshmia nga interpretimi dhe interpretimi nga hipoteza. Tivari ishte vendi i krimit, jo autori kolektiv i tij. Krahas individëve që morën pjesë në ndjekjen e shqiptarëve të paarmatosur, pati familje vendëse që i fshehën dhe i shpëtuan të arratisurit, duke rrezikuar jetën e tyre.

Rekrutë për një front të largët

Shqiptarët e Kosovës nuk u nisën drejt Tivarit si destinacion përfundimtar. Ata u mobilizuan, kryesisht me detyrim, për plotësimin e njësive të Armatës së Katërt Jugosllave, e cila zhvillonte operacione në veriperëndim të Jugosllavisë. Rruga kalonte nga Prizreni në Kukës, Fushë-Arrëz, Pukë e Shkodër, pastaj drejt Tivarit, prej nga rekrutët duhej të transportoheshin me anije drejt bregdetit dalmat.

Ky operacion nuk mund të shkëputet nga gjendja politike në Kosovë. Më 8 shkurt 1945, pushteti jugosllav vendosi administrimin ushtarak. Rezistenca në Drenicë dhe në vise të tjera po shtypej nga forca të mëdha ushtarake, ndërsa popullsia shqiptare trajtohej si politikisht e dyshimtë. Në këtë klimë, mobilizimi dhe largimi i mijëra të rinjve të paarmatosur nuk ishte një procedurë e zakonshme administrative. Ishte një operacion ushtarak i ushtruar mbi një popullsi pa mbrojtje politike dhe pa kontroll mbi fatin e saj.

Studimi i Goran Nikoliqit (Goran Nikolić), i mbështetur në dokumente të Arkivit Ushtarak në Beograd, tregon se tri kolonat e marsit u shoqëruan nga Brigada e 27-të Serbe e Divizionit të 46-të. Eshaloni i dytë u nis nga Prizreni me 2 382 rekrutë. Më 30 mars, në Shkodër, Brigada e 27-të ia dorëzoi Brigadës së Dhjetë Malazeze 2 367 prej tyre. Pikërisht një pjesë e këtij eshaloni u godit në Tivar.

Ky zinxhir dorëzimi ngre një pyetje që ende nuk ka marrë përgjigje të plotë: kush mbante përgjegjësi për sigurinë e rekrutëve shqiptarë? Dokumentet e njohura deri më sot nuk tregojnë praninë e një oficeri shqiptar me kompetencë të mirëfilltë komanduese mbi kolonën. Rekrutët ishin çarmatosur dhe i nënshtroheshin plotësisht komandës së formacioneve që i shoqëronin.

Shkasi dhe mekanizmi i hakmarrjes

Ngjarja e menjëhershme që i parapriu masakrës lidhet me vrasjen e një pjesëtari të Brigadës së Dhjetë, Savo Dabanoviqit (Savo Dabanović). Rrethanat nuk paraqiten njësoj në të gjitha dëshmitë. Sipas një versioni, një ose dy rekrutë ia rrëmbyen armën dhe e vranë. Sipas një versioni tjetër, autori nuk u identifikua dhe u veçuan disa të dyshuar. Dëshmitë ndryshojnë edhe për numrin dhe prejardhjen e bombave që thuhet se u hodhën më pas.

Por këto dallime nuk e ndryshojnë thelbin juridik dhe moral. Edhe sikur versioni më rëndues për një rekrut shqiptar të provohej plotësisht, përgjegjësia do të ishte individuale. Aleksandar Rankoviqi (Aleksandar Ranković), duke folur në maj 1945, pranoi se incidenti mund të lokalizohej, por se drejtuesit kërkuan reprezalje, menduan të pushkatonin dyzet shqiptarë për një ushtar dhe pastaj hapën zjarr mbi masën.

Vrasja e Dabanoviqit mund të shpjegojë shkasin e menjëhershëm, por nuk mund të shërbejë si justifikim. Kërcënimi me hakmarrje kolektive, vendosja e armëve automatike përballë një mase të paarmatosur dhe vazhdimi i vrasjeve mbi njerëzit që përpiqeshin të shpëtonin e shndërruan incidentin në krim ushtarak.

Numrat që arkivat ende nuk i kanë mbyllur

Raporti i oficerit të zbulimit të Brigadës së 27-të, i datës 6 prill 1945, shënonte 452 të vrarë dhe 104 të plagosur. Dy raporte të tjera përmendnin rreth 450 të vrarë dhe rreth 120 të plagosur. Kujtimet e disa pjesëmarrësve e çojnë numrin në rreth 700, ndërsa studiues dhe përfaqësues të familjeve kanë paraqitur shifra prej 1 500, 1 565 ose më shumë.

As shifra më e ulët dhe as ajo më e lartë nuk mund të shpallen përfundimtare. Disa nga raportet ushtarake mund ta kenë zvogëluar përmasën e krimit, ndërsa disa vlerësime të mëvonshme mund të kenë bashkuar viktimat e Tivarit me të vrarët gjatë rrugës ose me tragjedi të tjera. Përfundimi i ndershëm është se u vranë qindra rekrutë të paarmatosur, por numri i saktë nuk mund të përcaktohet pa identifikimin e varreve, hapjen e arkivave dhe krijimin e një regjistri të verifikuar me emra.

Edhe fati i rekrutëve të lidhur me ngjarjen e Dubrovnikut kërkon hetim të veçantë. Në simpozium u paraqit pretendimi se në një zjarr në një depo kimike humbën jetën nga 1 400 deri në 1 700 të rinj. Fjala e Rankoviqit, shumë më e afërt me ngjarjen, përmend 130 shqiptarë të asfiksuar në një magazinë. Mospërputhja është tepër e madhe për një përfundim të prerë. Kjo tragjedi duhet të hetohet në arkiva, jo të pranohet pa verifikim dhe as të zhduket në një heshtje të dytë.

Krimi i drejtpërdrejtë dhe përgjegjësia politike

Përgjegjësia e drejtpërdrejtë ushtarake rëndon mbi pjesëtarët dhe drejtuesit e Brigadës së Dhjetë Malazeze që urdhëruan, lejuan ose kryen zjarrin, si edhe mbi zinxhirin më të lartë komandues që nuk e parandaloi dhe nuk e ndëshkoi krimin. Burimet e mëvonshme flasin për shkarkimin e komandantit Gasho Markoviq (Gašo Marković), të komisarit politik dhe të disa drejtuesve të tjerë. Por nuk është dokumentuar një proces penal i mirëfilltë, një gjykim publik ose vuajtja e dënimit nga përgjegjësit. Shkarkimi administrativ nuk ishte drejtësi. Ishte menaxhim i pasojës.

Përgjegjësia e kuadrove komuniste shqiptare duhet formuluar me të njëjtën saktësi. Deri tani nuk është botuar një dokument që provon marrëveshje paraprake ndërmjet udhëheqjes jugosllave dhe asaj shqiptare për vrasjen e rekrutëve. Lejimi i kalimit të njësive aleate jugosllave nëpër Shqipëri, sado i rëndë në pasojat e tij, nuk provon vetvetiu një plan të përbashkët shfarosës.

Por mungesa e një dokumenti të tillë nuk e zhduk përgjegjësinë politike. Mobilizimi i detyruar, kalimi i kolonave pa garanci mbrojtëse, mungesa e përfaqësimit shqiptar në komandën e shoqërimit, vazhdimi i transporteve edhe pasi autoritetet përkatëse ishin njoftuar për masakrën dhe heshtja shumëvjeçare përbëjnë dështim të rëndë institucional. Në kuptimin moral e politik, kjo ishte braktisje e rekrutëve dhe nënshtrim i interesit kombëtar ndaj bindjes ideologjike.

Nga kujtesa te detyrimi shtetëror

Simpoziumi i 31 marsit nuk vuajti nga mungesa absolute e pranisë institucionale. Në të morën pjesë ose dërguan mesazhe përfaqësues politikë, diplomatikë dhe qeveritarë. Problemi është më i thellë: ende nuk ka mandat të qartë shtetëror, komision funksional, qasje të plotë në arkiva, kërkim sistematik të varreve dhe regjistër të verifikuar të viktimave.

Pjesëmarrësit kërkuan botimin dygjuhësh të kumtesave, vendosjen e një shenje përkujtimore, evidentimin e varrezave të dyshuara, zhvarrimin dhe rivarrimin dinjitoz të viktimave, krijimin e komisioneve ndërshtetërore dhe hapjen e arkivave. Këto nuk janë kërkesa kundër pajtimit. Janë kushtet pa të cilat pajtimi mbetet vetëm fjalë ceremoniale.

Të vdekurit e Tivarit nuk kanë nevojë për një mit të ri. Kanë nevojë për emrat dhe varret e tyre, për dokumentimin e urdhrave dhe për përcaktimin individual të përgjegjësisë. Një komb nuk e mbron dinjitetin duke fshehur fajin e njerëzve të vet. E mbron kur ka fuqinë morale ta shqiptojë të vërtetën edhe kur ajo e akuzon pushtuesin, edhe kur ajo e turpëron bashkëkombësin dhe edhe kur ajo e detyron shtetin të veprojë.

Filed Under: Analiza

GJKKO Regulation Under Fire for Restricting Media Access: “This Will Be Reversed”

September 1, 2026 by s p

Aleksandër Çipa, head of the Union of Albanian Journalists, has spoken out against the Special Court Against Corruption and Organized Crime (GJKKO), accusing the court of refusing to reconsider its new regulation governing media access to court proceedings.

“We are determined to reverse this. We are dealing with a regulation, not a law, and a regulation can be reconsidered when it contains such shortcomings,” Çipa said in an interview with Report TV.

He called on GJKKO President Erion Bani to review the regulation and take into consideration proposals put forward by the media community.

According to Çipa, the regulation is not only restrictive and censorial, but also conflicts with Albania’s Constitution and existing legislation, potentially setting a dangerous precedent for the public’s right to information. He also warned that journalists’ organizations could take the matter to international bodies.

“The regulation adopted by GJKKO is not only censorial; it also runs contrary to the Constitution of the Republic of Albania. It will be challenged not only by our professional community, but also by other civic interest groups and those concerned with the rule of law. This regulation sets a dangerous precedent.

“Although we have encountered—and continue to encounter—a lack of responsiveness from this court, our efforts and our response will be stepped up. We will seek the intervention of international journalists’ networks and organizations over this unlawful precedent. We will insist on an immediate response from the highest levels of the justice system,” Çipa told Report TV.

Journalists Challenge New Restrictions

Çipa criticized several provisions of the regulation, including restrictions on the use of mobile phones and recording devices inside the courtroom, a ban on cameras, the rotation of journalists when courtrooms do not have enough seats, and a requirement for journalists to register 24 hours in advance in order to attend a hearing.

“There is no justification for imposing criteria that allow professional discretion to be used to deny access. There is procedural and legal nonsense here. The regulation says that hearings are open to the public, while at the same time imposing restrictions on the presence of journalists and camera operators.

“And requiring registration 24 hours in advance is nothing more than an unnecessary bureaucratic obstacle designed to restrict access.

“Rotation of seats? Hypocrisy. The people entitled to attend are already clearly identified—family members of the parties and defense lawyers—while the available space is always limited. Establishing a precedent for rotating seats is simply another form of censorship,” Çipa said.

The head of the Union of Albanian Journalists argued that the restrictions prevent the public from obtaining a complete picture of what takes place inside the Special Court.

“I see this as an attempt to preserve secrecy, to avoid daily scrutiny of every proceeding, and to deprive the public of the possibility of having a real picture—through both sound and images—of what happens inside the courtroom.

“The regulation conflicts with the Constitution and with the legislation currently in force in Albania,” he stressed.

Despite concerns raised by both domestic and international organizations over GJKKO’s new regulation, it entered into force today without any amendments or changes in response to the media community’s proposals—despite calls for measures that would ensure a free and professional working environment for journalists.

Filed Under: Analiza

BEKIM SEJDIU PËR PRESIDENT – A PO I KTHEHET KOSOVA PROFILIT INSTITUCIONAL?

August 31, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

Pas muajsh ngërçi politik e institucional, nga Prishtina vjen më në fund një lajm I mirë që mund të shihet si një hap drejt normalizimit: Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë rënë dakord që Prof. Dr. Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për President të Republikës së Kosovës. Duhet theksuar që në fillim: Dr. Bekim Sejdiu është propozuar, jo zgjedhur. Vendimi përfundimtar i takon Kuvendit të Republikës së Kosovës. Por vetë fakti që dy forca politike, të cilat jo gjithmonë kanë qenë në një linjë, janë pajtuar për një figurë që nuk vjen nga politika aktive partiake, është zhvillim që meriton vëmendje.

Dhe këtu qëndron ndoshta rëndësia e kësaj kandidature. Dr. Bekim Sejdiu ka një profil të ndryshëm nga shumë prej emrave që kanë dominuar politikën kosovare gjatë viteve të fundit. Është profesor, diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Para se të kalonte në drejtësinë kushtetuese, ai ka shërbyer në diplomacinë e Kosovës, përfshirë si ambasador i parë i Republikës së Kosovës në Turqi dhe si konsull i përgjithshëm në Nju Jork. Në vitin 2015 u emërua gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

Një tjetër element me rëndësi që nuk duhet anashkaluar në profilin e Bekim Sejdiut është përvoja e tij në Shtetet e Bashkuara. Gjatë viteve 2012–2014, ai shërbeu si Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Nju Jork, në një periudhë kur marrëdhëniet me diasporën shqiptare në SHBA kishin një rëndësi të veçantë për shtetin e ri të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe, Sejdiu pati mundësi të punonte drejtpërdrejt me komunitetin shqiptaro-amerikan, një komunitet që kishte dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen e Kosovës dhe vazhdonte të luante një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane.

Për shumë shqiptarë në Nju Jork dhe më gjerë në Amerikë, ai u njoh si një përfaqësues i denjë i Kosovës me profil profesional, akademik dhe diplomatik. Respekti që ai fitoi gjatë shërbimit në Nju Jork është një element i rëndësishëm i përvojës së tij publike, sidomos nëse kandidatura për President shihet edhe në prizmin e marrëdhënieve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe diasporën shqiptaro-amerikane. Kjo përvojë amerikane i shtohet një karriere që përfshin diplomacinë, drejtësinë kushtetuese dhe akademinë. Pikërisht, kjo ndërthurje mund të jetë një nga avantazhet e tij nëse Kuvendi e zgjedh në krye të shtetit.

Pra, kemi të bëjmë me një profil shtetëror, juridik, diplomatik dhe akademik, më shumë sesa me një figurë të politikës së përditshme, që në të vërtretë është një plus. Sepse ky ppropozim mund të jetë, pikërisht, ajo që i duhet sot Kosovës. Presidenca e Republikës nuk duhet të jetë një zgjatim i një partie politike. Presidenti duhet të jetë, mbi të gjitha, një figurë që mishëron shtetin, Kushtetutën dhe unitetin institucional. Në këtë kuptim, një kandidat me përvojë në diplomaci dhe në Gjykatën Kushtetuese mund të sjellë një dimension tjetër në Presidencën e Kosovës. Por këtu fillon edhe prova e vërtetë. A do të jetë Bekim Sejdiu kandidat i partive që e propozuan apo President i Republikës?

Kjo është pyetja që do të përcaktojë rëndësinë e kësaj kandidature.

Vetë Sejdiu, duke pranuar propozimin, ka deklaruar se ambicia e tij ka qenë kryesisht në fushat akademike dhe profesionale, por se e ka pranuar përgjegjësinë për t’i shërbyer Republikës dhe qytetarëve të saj. Kjo deklaratë është e rëndësishme. Sepse Kosova nuk ka nevojë vetëm për një figurë që ta mbyllë një krizë politike. Ka nevojë për një President që të mund të fitojë autoritet përtej shumicës që e zgjedh. Nëse Bekim Sejdiu arrin të zgjidhet nga Kuvendi, sfida e tij do të jetë e madhe: të ruajë pavarësinë institucionale, të jetë faktor stabiliteti në një skenë politike tepër të polarizuar dhe të përfaqësojë Kosovën me seriozitet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në këtë pikë, kandidatura e tij është më shumë se një emër për Presidencën. Është një provë për politikën kosovare: a është ajo në gjendje të vendosë interesin e shtetit mbi interesin partiak? Nëse përgjigjja është po, atëherë marrëveshja për Bekim Sejdiun mund të jetë një kthesë pozitive. Nëse jo, atëherë edhe një figurë me profil të lartë institucional rrezikon të mbetet peng i të njëjtës kulturë politike që e ka mbajtur Kosovën për muaj të tërë në ngërç.

Prandaj, para se të pyesim nëse Bekim Sejdiu do të jetë President i mirë, duhet të pyesim diçka tjetër: A do t’i japin partitë politike Presidentit të ardhshëm hapësirën që të jetë President i Republikës dhe jo President i një marrëveshjeje politike që e solli në atë post? Kjo do të jetë prova e vërtetë – jo vetëm për Bekim Sejdiun, por edhe për pjekurinë institucionale të politikës së Kosovës.

Frank Shkreli

Gjatë shërbimit të tij diplomatik në Nju Jork, Prof. Dr. Bekim Sejdiu ishte i pranishëm gjithmonë në tubimet e komunitetit shqiptaro-amerikan. Në këtë foto ishte me rastin e promovimit nga VATRA të tre vëllimeve mbi historinë e Kosovës të autorit Dr. Jusuf Buxhovi, New York, 1 Dhjetor 2012.

Filed Under: Analiza

HASHIM THAÇI, KADRI VESELI, JAKUP KRASNIQI DHE REXHEP SELIMI – PERSONALITETE TË TRANSFORMIMIT HISTORIK DHE SHTETFORMIMIT TË KOSOVËS

August 30, 2026 by s p

Nga UÇK-ja dhe Rambujeja te Republika, rendi kushtetues dhe afirmimi i subjektivitetit shtetëror të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Nga aktorët e luftës dhe rezistencës te personalitetet shtetformuese

Historia bashkëkohore e Kosovës nuk mund të lexohet vetëm përmes kronologjisë së konflikteve, marrëveshjeve dhe zhvillimeve diplomatike. Ajo duhet kuptuar si një proces kompleks historik, politik, juridik dhe diplomatik, në të cilin një aspiratë kombëtare dhe politike u transformua gradualisht në projekt institucional dhe, më pas, në një rend shtetëror e kushtetues.

Ky transformim përfshiu shumë faktorë: rezistencën politike e shoqërore të shqiptarëve të Kosovës, organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mobilizimin qytetar, ndërhyrjen ndërkombëtare, NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet kryesore evropiane, procesin e Rambujesë, administrimin ndërkombëtar pas vitit 1999, procesin e statusit final dhe, në fund, shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Brenda këtij procesi historik, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi përfaqësojnë katër figura të rëndësishme të periudhës së UÇK-së dhe të transformimit të saj politik e institucional.

Rëndësia e tyre historike nuk qëndron vetëm në pozicionet që kanë mbajtur gjatë luftës, por edhe në faktin se rrugëtimi i tyre politik lidhet me kalimin nga rezistenca dhe lufta në përfaqësimin politik, diplomaci dhe ndërtimin institucional të Kosovës.

Në këtë kuptim, termi “personalitete shtetformuese” përdoret si kategori analitike dhe historiko-politike, jo si titull formal. Ai nënkupton personalitete që kanë marrë pjesë në artikulimin, përfaqësimin, mbrojtjen ose institucionalizimin e projektit politik që çoi në krijimin dhe konsolidimin e Republikës së Kosovës.

Asnjëri prej tyre nuk mund të konsiderohet krijues i vetëm i Republikës. Shteti i Kosovës është rezultat i një procesi shumëdimensional dhe i kontributit të një numri të madh faktorësh vendorë dhe ndërkombëtarë.

Por kjo nuk e përjashton rolin e personaliteteve.

Në momente të caktuara historike, individët bëhen bartës të proceseve më të gjera shoqërore dhe politike. Ata mund të ndikojnë në drejtimin, artikulimin dhe përfaqësimin e një kauze historike.

Në këtë perspektivë duhet analizuar edhe roli i Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

I. Nga rezistenca politike te shfaqja e UÇK-së

Çështja e Kosovës kishte rrënjë shumë më të hershme se lufta e viteve 1998–1999. Ajo lidhej me pozitën kushtetuese të Kosovës në ish-Jugosllavi, me autonominë e përcaktuar në rendin kushtetues të vitit 1974, me zhvillimet politike të viteve ’80 dhe me shfuqizimin e autonomisë në vitin 1989.

Gjatë viteve ’90, rezistenca politike dhe shoqërore e shqiptarëve të Kosovës mori kryesisht karakter paqësor. Megjithatë, përshkallëzimi i represionit dhe konfliktit krijoi kushtet për shfaqjen e UÇK-së si faktor i armatosur.

Me këtë zhvillim, çështja e Kosovës hyri në një fazë të re.

Konflikti nuk mbeti vetëm një çështje e brendshme e ish-Jugosllavisë. Ai u shndërrua në një problem të sigurisë dhe stabilitetit evropian dhe ndërkombëtar.

Në këtë kontekst historik u formësuan edhe rolet e katër figurave që do të bëheshin pjesë e udhëheqjes politike dhe ushtarake të UÇK-së dhe, më pas, të jetës politike e institucionale të Kosovës.

II. Katër figurat dhe një proces historik

Hashim Thaçi u bë një prej figurave kryesore politike të UÇK-së dhe më pas një prej përfaqësuesve politikë të saj në proceset ndërkombëtare.

Kadri Veseli lidhet veçanërisht me strukturat e inteligjencës dhe organizimit të UÇK-së, si dhe me periudhën e mëvonshme të ndërtimit institucional e politik.

Jakup Krasniqi, përveç rolit të tij në strukturat e UÇK-së, u bë një prej zërave politikë dhe institucionalë të Kosovës në periudhën e pasluftës, duke ushtruar edhe funksione të rëndësishme në institucionet e Republikës.

Rexhep Selimi ishte një prej figurave të rëndësishme të strukturave të UÇK-së dhe më pas u angazhua në jetën politike e parlamentare të Kosovës.

Rrugët e tyre politike nuk kanë qenë identike dhe as rolet e tyre nuk mund të barazohen mekanikisht.

Por ato kryqëzohen në një pikë themelore: në transformimin e një organizimi çlirimtar dhe të një kërkese politike në një proces që përfundoi me krijimin e institucioneve dhe të Republikës së Kosovës.

III. Rambujeja – kthesa nga lufta te diplomacia

Konferenca e Rambujesë përbën një prej pikave vendimtare të historisë së Kosovës.

Aty çështja e Kosovës u trajtua në një nivel të lartë ndërkombëtar dhe përfaqësuesit kosovarë u përballën me nevojën që kërkesat politike të shndërroheshin në argumente diplomatike dhe në një projekt politik të artikuluar.

Në këtë proces, Hashim Thaçi mori një rol veçanërisht të dukshëm si përfaqësues politik i UÇK-së.

Por Rambujeja nuk duhet parë vetëm përmes një individi.

Ajo ishte produkt i një procesi më të gjerë përfaqësimi politik të Kosovës dhe i ndërveprimit ndërmjet faktorëve kosovarë dhe fuqive kryesore ndërkombëtare.

Kjo fazë shënoi kalimin nga:rezistenca te diplomacia;nga lufta te negocimi;nga struktura çlirimtare te përfaqësimi politik;nga kërkesa politike te projekti institucional.

IV. Lufta, ndërhyrja e NATO-s dhe ndërkombëtarizimi i çështjes

Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 dhe përfundimi i luftës ndryshuan rrënjësisht pozitën politike të Kosovës.

Kosova hyri në një fazë të re nën administrimin ndërkombëtar, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

UNMIK-u mori kompetenca të gjera administrative, ndërsa KFOR-i u bë mekanizmi kryesor ndërkombëtar i sigurisë.

Por paralelisht me administrimin ndërkombëtar filloi një proces tjetër: ndërtimi i institucioneve vendore të Kosovës.

Këtu qëndron një prej transformimeve më të rëndësishme historike.

Strukturat dhe personalitetet që kishin ardhur nga periudha e luftës duhej të përshtateshin me kërkesat e jetës institucionale, demokratike dhe kushtetuese.

Kjo ishte një sfidë e jashtëzakonshme politike.

V. Nga autoriteti i luftës te legjitimiteti institucional

Shteti modern nuk ndërtohet mbi autoritetin personal.

Ai ndërtohet mbi Kushtetutën, ligjin, zgjedhjet, institucionet dhe legjitimitetin demokratik.

Prandaj, kalimi i figurave të UÇK-së në jetën institucionale të Kosovës përbën një proces të rëndësishëm të transformimit politik.

Hashim Thaçi kaloi në funksionet më të larta të ekzekutivit dhe më pas të presidencës.

Kadri Veseli u bë figurë e rëndësishme parlamentare dhe politike.

Jakup Krasniqi ushtroi funksione të larta institucionale dhe parlamentare.

Rexhep Selimi u bë pjesë e jetës parlamentare dhe politike të Republikës.

Ky proces tregon se transformimi i Kosovës nuk ishte vetëm transformim territorial ose juridik.

Ishte edhe transformim i natyrës së autoritetit politik.

Nga autoriteti i luftës drejt autoritetit kushtetues.

Nga komandimi drejt përfaqësimit.

Nga mobilizimi drejt institucionit.

VI. Procesi i statusit final dhe rruga drejt Republikës

Pas vitit 1999, çështja themelore ishte statusi përfundimtar i Kosovës.

Procesi i Vjenës dhe angazhimi i Martti Ahtisaarit krijuan një kornizë të re ndërkombëtare për zgjidhjen e statusit.

Përfaqësuesit e Kosovës duhej të artikulonin një vizion të qartë për të ardhmen politike dhe juridike të vendit.

Në këtë proces, Thaçi ishte një prej figurave më të dukshme politike, ndërsa përfaqësimi i Kosovës ishte rezultat i një delegacioni dhe i një spektri më të gjerë institucional e politik.

Plani i Ahtisaarit pati rëndësi të veçantë për zhvillimin e mëvonshëm kushtetues të Kosovës.

Edhe pse nuk u miratua si rezolutë e Këshillit të Sigurimit, shumë prej parimeve të tij u reflektuan në rendin kushtetues të Republikës.

VII. 17 shkurti 2008 – lindja e Republikës

Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Ky akt përbënte kulmin e një procesi shumëvjeçar.

Hashim Thaçi, atëherë Kryeministër i Kosovës, ishte një prej figurave kryesore politike të këtij momenti.

Por pavarësia nuk ishte produkt i vetëm një individi dhe as i vetëm një grupimi politik.

Ajo ishte rezultat i ndërthurjes së rezistencës, luftës, diplomacisë, ndërhyrjes ndërkombëtare, mbështetjes amerikane dhe evropiane, administrimit ndërkombëtar dhe ndërtimit gradual të institucioneve vendore.

Republika ishte produkt i këtij bashkëveprimi historik.

VIII. Nga pavarësia te rendi kushtetues

Shpallja e pavarësisë nuk e përfundoi shtetformimin.

Ajo e filloi një fazë të re.

Kushtetuta, institucionet, sistemi i drejtësisë, administrata publike, politika e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare u bënë instrumentet përmes të cilave Republika duhej të konsolidohej.

Në këtë pikë, dallimi ndërmjet figurës politike dhe institucionit shtetëror bëhet themelor.

Një lider mund të ketë rol historik në krijimin e një shteti.

Por shteti nuk mund të mbetet i varur nga lideri.

Kushtetuta duhet të jetë mbi individin.

Institucioni duhet të jetë mbi figurën politike.

Ligji duhet të jetë mbi pushtetin.

Ky është kuptimi i shtetit të së drejtës.

IX. Subjektiviteti ndërkombëtar i Republikës së Kosovës

Pas shpalljes së pavarësisë, Kosova u përball me një tjetër sfidë: konsolidimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

Njohjet ndërkombëtare, vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe përfaqësimi ndërkombëtar u bënë pjesë e rëndësishme e politikës shtetërore.

Në këtë proces, Kosova u përball me kundërshtimin e Serbisë dhe me një fushatë të gjerë diplomatike kundër njohjeve të saj.

Kjo e bëri subjektivitetin ndërkombëtar një proces të vazhdueshëm.

Në këtë dimension, figurat politike të periudhës së luftës dhe të pasluftës u përballën me një transformim të ri: nga përfaqësues të një kauze politike në përfaqësues të një shteti.

X. Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Opinioni Këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i vitit 2010 përbën një pikë të rëndësishme në dimensionin juridik të pavarësisë së Kosovës.

Gjykata arriti në përfundimin se deklarata e pavarësisë e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.

Ky përfundim kishte rëndësi të veçantë juridike dhe diplomatike.

Megjithatë, ai duhet interpretuar me saktësi: Gjykata nuk vendosi një detyrim të përgjithshëm për shtetet që ta njohin Kosovën dhe nuk zgjidhi të gjitha aspektet politike të çështjes së statusit.

Por Opinioni krijoi një bazë të rëndësishme juridike për argumentimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

XI. Katër personalitete dhe një histori që është më e madhe se individët

Historia e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit duhet vendosur brenda një konteksti më të gjerë.

Ata nuk janë historia e vetme e Kosovës.

Por janë pjesë e rëndësishme e saj.

Ata përfaqësojnë një brez politik që kaloi nëpër disa prej fazave më dramatike të historisë së Kosovës: nga lufta dhe rezistenca, te diplomacia, nga diplomacia te institucionet dhe nga institucionet te Republika.

Roli i tyre nuk ka qenë i njëjtë.

Kontributet e tyre nuk mund të maten me të njëjtën masë.

Por së bashku ata përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të transformimit të elitës politike shqiptare të Kosovës.

XII. Vlerësimi historik dhe institucional

Një analizë akademike duhet të përqendrohet në rolin historik, politik dhe institucional të këtyre personaliteteve.

Roli i tyre duhet të analizohet mbi bazën e dokumenteve, veprimtarisë publike dhe ndikimit të tyre në proceset politike.

Ky vlerësim duhet të mbështetet në fakte historike, në zhvillimet institucionale dhe në kontributin e tyre në proceset që lidhen me luftën, diplomacinë, ndërtimin e institucioneve dhe konsolidimin e Republikës së Kosovës.

Një trajtim i tillë mundëson një analizë serioze, të ekuilibruar dhe të argumentuar të vendit që këto figura zënë në historinë politike të Kosovës.

XIII. Arkitektura e shtetformimit

Në kuptimin metaforik, katër figurat mund të vendosen brenda një arkitekture më të gjerë të transformimit politik të Kosovës.

Thaçi – përfaqësimi politik dhe diplomacia.

Veseli – organizimi dhe strukturat politike të luftës, si dhe kalimi në institucionet politike.

Krasniqi – komunikimi politik, përfaqësimi dhe institucionalizimi.

Selimi – dimensioni ushtarak dhe përfaqësimi politik e parlamentar.

Këto role nuk janë të izoluara dhe nuk përbëjnë përshkrime absolute.

Ato janë kategori analitike për të kuptuar një proces shumë më të gjerë.

Në fund, ajo që mbetet është transformimi i përgjithshëm:

nga rezistenca te lufta;

nga lufta te diplomacia;

nga diplomacia te institucionet;

nga institucionet te Republika;

nga Republika te subjektiviteti ndërkombëtar.

XIV. Përfundim – nga katër personalitete te një Republikë

Historia e Kosovës nuk mund të personalizohet.

Republika e Kosovës është rezultat i një procesi historik shumë më të gjerë se çdo individ.

Por historia gjithashtu nuk mund të shkruhet duke i fshirë nga kujtesa figurat që kanë marrë pjesë në momentet e saj vendimtare.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë katër personalitete që lidhen ngushtë me periudhën e UÇK-së, me transformimin politik të saj dhe me kalimin e një pjese të elitës së saj në jetën institucionale të Kosovës.

Vlerësimi i tyre historik duhet të bëhet me seriozitet, pa mitologjizim, por edhe pa relativizim të rolit që kanë luajtur.

Ata nuk e krijuan të vetëm Republikën.

Por ata ishin pjesë e një brezi që mori pjesë në një prej transformimeve më të mëdha politike të historisë së Kosovës: shndërrimin e një aspirate politike në një realitet shtetëror, kushtetues dhe ndërkombëtar.

Kjo është arsyeja pse kontributi i tyre duhet të trajtohet në planin historik, politik, juridik dhe institucional.

Në të njëjtën kohë, historia duhet të ruajë një parim themelor:

Republika është mbi individët.

Kushtetuta është mbi pushtetin.

Ligji është mbi autoritetin personal.

Institucioni është mbi liderin.

Kjo është prova e vërtetë e shtetformimit.

Sepse madhështia e një procesi historik nuk matet vetëm me figurat që e udhëhoqën atë, por me institucionet që mbeten pas tyre.

Në këtë kuptim, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi i përkasin një historie që duhet studiuar me dokumente, analizuar me standarde akademike dhe vlerësuar me drejtësi.

Nga UÇK-ja te Rambujeja.

Nga Rambujeja te diplomacia.

Nga diplomacia te institucionet.

Nga institucionet te Republika.

Dhe nga Republika te afirmimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Ky është transformimi historik në të cilin këto katër figura përbëjnë një pjesë të rëndësishme të mozaikut shtetformues të Kosovës.

Filed Under: Analiza

Kujtojmë në ditën e ndarjes nga jeta akademikun dhe ish-kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Shaban Demiraj

August 30, 2026 by s p

Akademia e Shkencave e Shqipërisë kujton me nderim akademikun, gjuhëtarin dhe anëtarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Shaban Demiraj, në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta më 30 gusht 2014.

I lindur në Vlorë më 1 janar 1920, ai kreu shkollën e mesme (Medresenë) në Tiranë dhe studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Institutin Pedagogjik 2-vjeçar (1946–1948) e më pas në Institutin e Lartë Pedagogjik (1954–1955).

Në vitet 1948–1954 punoi si mësues në disa shkolla të mesme (Gjirokastër, Tiranë). Në vitin 1954 filloi punën si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik e më pas në Universitetin e Tiranës, ku shërbeu deri në vitin 1990. Gjatë kësaj periudhe, në vitet 1962–1989 ka qenë përgjegjës i Katedrës së Gjuhës Shqipe dhe në vitet 1962–1966 zv.dekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë të UT-së.

Më vonë, në vitet 1993–1997, drejtoi si kryetar Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Ai ishte gjithashtu anëtar i komisionit organizues dhe delegat i Kongresit të Drejtshkrimit (1972).

Përvoja e tij akademike u shtri në zhvillimin e lëndëve kryesore: morfologji e gjuhës së sotme shqipe, gramatikë historike e shqipes, histori e gjuhës së shkruar shqipe (shek. XVIII–XIX) – për të cilat hartoi edhe tekstet përkatëse – si dhe një kurs special për gjuhësinë ballkanike.

Veprimtaria e tij botuese përfshin vepra themelore, si monografitë Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe (1972), Gramatikë historike e gjuhës shqipe (1986, botuar edhe gjermanisht nga Akademia e Shkencave e Austrisë, 1993), Gjuha shqipe dhe historia e saj (1988, botuar edhe italisht nga Universiteti i Kalabrisë, 1997), Gjuhësi ballkanike (Shkup, 1994, ribotuar në Tiranë, 2004), Fonologjia historike e gjuhës shqipe (1996), Prejardhja e Shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe (1999, dhe versioni në anglisht 2006), Eqrem Çabej (1990) dhe Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët (2008).

Akad. Shaban Demiraj ishte redaktor dhe bashkautor në veprën Gramatikë e gjuhës shqipe, vëll. I Morfologjia (1976, ribotuar 1995, 2002) etj. Ka botuar një varg artikujsh shkencorë brenda dhe jashtë vendit për çështje të historisë së gjuhës shqipe, të gramatikës, fonetikës historike dhe ballkanologjisë.

Gjithashtu, ka transkriptuar e përshtatur në shqipen e sotme veprën e Gavril Darës Kënga e sprasme e Balës (1994) dhe ka përkthyer romanin Martin Iden të Xhek Londonit (1959).

Për kontributin e tij të çmuar shkencor, është vlerësuar me Çmimin e Republikës të shkallës së parë dhe të dytë (dy herë) dhe është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”.

www.akad.gov.al

See less

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 1024
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • STOP DHUNËS NDAJ STUDENTËVE!
  • JO NJË KATOVICË TË DYTË! – SHQIPËRIA KA NEVOJË PËR NJË FILLIM TË RI, JO PËR RICIKLIMIN E PUSHTETIT!
  • “Humanoidët”, një çast në atelierin e Artur Muharremit
  • Life in “Time Shelter”
  • Akademia e Shkencave kujton sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta poetin e madh të kombit që i dha zë Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërin
  • Studentët kanë gjithmonë të drejtë!
  • Më dhemb ajo që po shoh nga larg
  • Kur miqtë e Shqipërisë kthehen kundër qeverisë, fundi i iluzionit politik Rama?
  • KARRIGET E PUSHTETIT DHE LIRIA E POPULLIT
  • KËRKESAT E STUDENTËVE JANË EDHE KËRKESAT E NJË POPULLI TË TËRË!
  • EDI RAMA, SHQIPËRIA NUK MUND TË MBAHET PENG PËR PUSHTETIN TËND!
  • “Ndalimi i torturës dhe i trajtimit çnjerëzor ose poshtërues është absolut”
  • A PRIME MINISTER WHO IS BOTHERED BY THE VERY CONCEPT OF THE RULE OF LAW
  • Studentët dhe rinia që po protestojnë kundër qeverisë, nuk janë armiq të Shqipërisë
  • Shqipëria nuk do të jetë më e njëjtë!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT