• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Parimet e qeverisjes demokratike, të përgjegjësisë dhe llogaridhënies…

August 26, 2026 by s p

Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/

Parimet e qeverisjes demokratike, të përgjegjësisë dhe llogaridhënies, shteti i së drejtës, sundimi i ligjit, barazia e shtetasve para ligjit, ndarja e pushteteve, kontrolli dhe balanca, roli i Parlamentit, roli i institucioneve të pavarura, funksioni i organeve të mbrojtjes së shtetit, si dhe roli i pozitës dhe i opozitës, që nga dje, në Shqipëri, janë zëvendësuar me Institutin e Besës.

Shpikje dhe “racionalizim” allashqiptar i së Drejtës Publike në një vend europian.

Profesorëve të së Drejtës Publike u ka dalë punë t’u japin shpjegime studentëve të fakulteteve të jurisprudencës. Nuk do ta gjejnë askund një institut të tillë, të konceptuar në këtë mënyrë.

Jo vetëm kaq, por kur mendon se Strukturat Zbatuese të Besës do të kenë vëmendje asimetrike, domethënë do të jenë të shurdhëra ndaj ankesave që do të bëhen kundër atyre tipave të cilëve u janë dhënë me qesim institutet dhe organizmat kinse të pavarur, le të themi, si shpërblim për uljen e çmimit të shitjes së organizatave politike, atëherë vështirësia e shpjegimit të Besës do të jetë në përmasa rrëzuese.

BE-ja duhet të shohë me vëmendje se si, në një vend kandidat, parimet e shtetit të së drejtës, llogaridhënia dhe pavarësia e institucioneve rrezikojnë të zëvendësohen nga një “Institut i Besës”, i panjohur për rendin juridik të bashkësisë.

Mbasi, me këtë “institut” të pazakontë mund të kamuflohet zëvendësimi i përgjegjësisë ligjore dhe institucionale, me besnikërinë personale e politike, pamjaftueshmëria e një qeverisjeje që u shërben vetëm një pjese të popullit të regjimentuar, më propagandën dhe zgjidhjet e pjesshme, kalimtare.

Përndryshe, e gjithë sfida e politologëve, juristëve dhe studiuesve, në këto ditë të nxehta të gushtit, kur me shpejtësi rrufe po bëhën aq shumë tendera te padobishëm nga kancelarët e telekomanduar, është të zbulojnë fazën ku ndodhet demokracia shqiptare dhe rendi juridik shtetëror.

Filed Under: Analiza

Dy frontet e shqiptarëve të Kosovës: Mbijetesa përballë terrorit dhe drejtësia përballë BE-së

August 26, 2026 by s p

Fadil Ferizi/

Shqiptarët e Kosovës u përballën me dy beteja që nuk përfunduan në të njëjtën kohë. E para ishte beteja për të mbijetuar përballë një aparati shtetëror që përdori dëbimin, vrasjen dhe frikën si mjete politike. E dyta vazhdon ende: beteja që krimi të mos trajtohet vetëm si episod i së kaluarës, por të hetohen, izolohen dhe çmontohen edhe strukturat që e bënë të mundur.

Në Kosovë nuk u kryen vetëm shkelje të veçuara të ligjeve të luftës. Kundër popullsisë civile shqiptare u ushtrua dhunë e organizuar, me synimin për t’i detyruar njerëzit të braktisnin shtëpitë dhe për të ndryshuar me forcë përbërjen etnike të vendit. Masakrat, dëbimet, djegiet, dhuna seksuale, grabitjet dhe shkatërrimi i pronës nuk ishin pasoja të rastësishme të luftimeve. Ato përbënin një fushatë terrori.

Ky përfundim nuk mbështetet vetëm në kujtesën e viktimave ose në interpretimin politik shqiptar. Në çështjen kundër Nikola Šainovićit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë jugosllavë e serbë, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë konstatoi ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale. Qëllimi i saj ishte dëbimi me forcë i një pjese të popullsisë shqiptare të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, përmes një fushate të gjerë e sistematike terrori dhe dhune.

Brenda kësaj fushate vepruan edhe formacione që paraqiteshin si paramilitare, ndonëse lidhjet e tyre me institucionet shtetërore ishin në disa raste të dokumentuara. Emërtimi “paramilitar” krijonte përshtypjen e një force private, të pakontrolluar dhe të shkëputur nga hierarkia zyrtare. Por në terren kufiri ndërmjet shtetit, policisë speciale, sigurimit shtetëror dhe njësive të tilla shpesh ishte i mjegulluar.

Njësia “Akrepat” është një prej shembujve më të rëndë. Më 28 mars 1999, pjesëtarët e saj vranë në Podujevë katërmbëdhjetë civilë shqiptarë, shtatë gra dhe shtatë fëmijë. Pesë fëmijë të tjerë mbijetuan me plagë të rënda. Gjykatat në Serbi dënuan pesë pjesëtarë të njësisë në procese të ndryshme. Dokumentet gjyqësore dhe materialet e Fondit për të Drejtën Humanitare tregojnë se pjesëtarët e “Akrepave” vepruan në kuadër të forcave rezervë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Human Rights Watch dokumentoi gjithashtu veprimtarinë në Kosovë të Njësisë së Operacioneve Speciale, e njohur si “Beretat e Kuqe” ose “Djemtë e Frenkit”. Kjo njësi lidhej drejtpërdrejt me Sigurimin Shtetëror serb dhe veproi në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999. Këto të dhëna e dobësojnë rëndë pretendimin se dhuna paramilitare ishte vetëm vepër e bandave private, të cilat vepronin pa dijeninë e institucioneve.

Megjithatë, as “Akrepat”, as Njësia e Operacioneve Speciale dhe as formacione të tjera serbe të luftërave jugosllave nuk gjenden në listën terroriste të Bashkimit Evropian. Në rishikimin e 30 korrikut 2026, lista përfshinte trembëdhjetë persona dhe njëzet e tri grupe ose subjekte, ndër to Hamasi, PKK-ja, Krahu Ushtarak i Hezbollahut, Garda Revolucionare Islamike e Iranit dhe organizata “The Base”.

Kjo mungesë ngre një pyetje të ligjshme, por ajo duhet formuluar me saktësi. Lista terroriste e BE-së nuk është një tribunal ndërkombëtar dhe as një regjistër retrospektiv i të gjitha organizatave që kanë përdorur terrorin. Ajo u krijua më 27 dhjetor 2001, në zbatim të Rezolutës 1373 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më shumë se dy vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë. Përfshirja në listë kërkon një bazë të përcaktuar juridike, zakonisht vendim, hetim ose ndjekje nga një autoritet kompetent për vepra terroriste. Listimet shqyrtohen periodikisht dhe synojnë kryesisht parandalimin e rreziqeve aktuale, ngrirjen e pasurive dhe ndërprerjen e financimit.

Prandaj, mungesa e formacioneve serbe nga lista nuk provon, në vetvete, se BE-ja favorizoi autorët e krimeve. Shumica e proceseve gjyqësore u zhvilluan për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, jo për terrorizëm. Disa prej njësive u shpërndanë ose u riorganizuan përpara krijimit të mekanizmit evropian. Kjo është pjesa juridikisht e vlefshme e kundërargumentit dhe nuk duhet anashkaluar.

Por ky shpjegim nuk e shteron përgjegjësinë politike të Evropës. BE-ja nuk ishte e detyruar të mbështetej vetëm te lista terroriste. Ajo kishte dhe krijoi më vonë instrumente të tjera: bashkëpunimin policor dhe gjyqësor, kushtëzimin e procesit të integrimit të Serbisë, masat financiare, ndalimet e udhëtimit dhe, që nga viti 2020, regjimin global të sanksioneve për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë krimet kundër njerëzimit.

Pyetja më e qëndrueshme, rrjedhimisht, nuk është vetëm përse “Akrepat” nuk u vendosën në një listë të krijuar pas luftës. Pyetja është nëse institucionet evropiane hetuan seriozisht vazhdimësinë e njerëzve, financuesve, pasurive dhe lidhjeve që mbijetuan pas shpërndarjes formale të njësive. A u pengua riciklimi i tyre në polici, shërbime të sigurisë, politikë, biznes dhe krim të organizuar? A u përdorën ndaj tyre të njëjtat instrumente që BE-ja ka përdorur kundër rrjeteve të dhunshme në vende të tjera?

Pikërisht këtu kritika ndaj Bashkimit Evropian merr peshë. Turpi i Evropës nuk qëndron te fakti se një mekanizëm i vitit 2001 nuk u zbatua automatikisht për një njësi të vitit 1999. Ai qëndron te mungesa e një politike të plotë për çmontimin e infrastrukturës njerëzore, financiare dhe institucionale të dhunës. Krimet u dokumentuan, autorët u identifikuan pjesërisht, por drejtësia mbeti e përqendruar kryesisht te disa ekzekutorë dhe zyrtarë të dënuar.

Sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë dëshmoi se ky problem nuk i përket vetëm së kaluarës. Parlamenti Evropian e cilësoi atë sulm terrorist, të kryer nga paramilitarë serbë të organizuar mirë. Në sulm u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy policë të tjerë. Milan Radoičići mori publikisht përgjegjësinë për organizimin e grupit dhe pjesëmarrjen në sulm, por pranimi i përgjegjësisë nuk është i barabartë me një vendim gjyqësor.

Më 24 prill 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi tre pjesëtarë të grupit: Blagoje Spasojevićin dhe Vladimir Tolićin me burgim të përjetshëm, ndërsa Dušan Maksimovićin me tridhjetë vjet burgim. Këto dënime përbëjnë një hap të rëndësishëm, por organizatori i dyshuar dhe shumica e personave të akuzuar mbeten jashtë juridiksionit efektiv të Kosovës.

Banjska nuk provon se njësitë e vitit 1999 kanë mbetur të pandryshuara dhe as se ekziston një vijë e drejtpërdrejtë komanduese ndërmjet çdo formacioni të së kaluarës dhe grupit të vitit 2023. Por ajo tregon vazhdimësinë e një modeli: një grup i armatosur vepron për një qëllim territorial, përdor armatim të rëndë, sfidon rendin kushtetues të Kosovës dhe, pas sulmit, gjen strehim përtej kufirit.

Edhe përgjegjësia politike e Aleksandar Vučićit duhet trajtuar brenda asaj që është e dokumentuar. Biografia e tij zyrtare konfirmon se ai ishte sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe dhe ministër i Informacionit në qeverinë e kohës së Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë. Nuk ekziston vendim gjyqësor që e shpall atë pjesëtar të një formacioni paramilitar ose përgjegjës penal për krimet e kryera në Kosovë. Por si president i Serbisë ai mban përgjegjësi politike për mënyrën se si shteti i tij bashkëpunon me drejtësinë, trajton rastin e Banjskës dhe distancohet, ose nuk distancohet, nga trashëgimia e dhunës së viteve nëntëdhjetë.

Bashkimi Evropian nuk ishte autor i masakrave dhe nuk mund të barazohet juridikisht me formacionet që vranë civilët shqiptarë. Por as nuk mund të fshihet pas kufijve teknikë të listës terroriste. Kur një bashkësi politike ka prova, instrumente financiare, fuqi kushtëzuese dhe ndikim diplomatik, mosveprimi i saj bëhet zgjedhje politike.

Drejtësia nuk matet vetëm me dënimin e ekzekutorit. Ajo matet edhe me aftësinë për të zbuluar financuesin, mbrojtësin, drejtuesin dhe strukturën që e bëri krimin të mundur. Terrori kundër shqiptarëve të Kosovës nuk ishte më pak terror sepse Evropa nuk e vendosi emrin e autorëve të tij në një listë. Por përgjegjësia evropiane duhet kërkuar aty ku provat janë më të forta: te mosçmontimi i rrjeteve, tolerimi i vazhdimësisë së tyre dhe mungesa e drejtësisë së plotë për viktimat.

Filed Under: Analiza

NGA PUSTECI NË ULQIN – KUR SULMOHEN SIMBOLET, GJUHA DHE IDENTITETI SHQIPTAR

August 25, 2026 by s p

Frank Shkreli/

Fakte, reagime dhe një pyetje që nuk mund të shmanget: kush dhe si i mbron interesat kombëtare shqiptare në hapësirat ku shqiptarët kanë jetuar prej shekujsh? Ka raste kur një ngjarje e vetme mund të konsiderohet incident. Por kur, në një periudhë të shkurtër, në vende të ndryshme e vit pas viti, shfaqen debate që prekin simbolet, gjuhën dhe arsimin e shqiptarëve, është e natyrshme që opinioni publik të shtrojë pyetje më të gjera. Dy raste të fundit, njëri në Pustec të Shqipërisë dhe tjetri në Ulqin nën Mal të Zi, meritojnë të shihen me qetësi, me dokumente dhe pa ekzagjerime. Jo më larg se një javë më parë, një incident tjetër me flamurin shqiptar ndodhi në një festival muzikor në Guci –Frank Shkreli: Flamuri shqiptar në gjyq, ku janë vlerat evropiane të Malit të Zi? | Gazeta Telegraf

Në Pustec të Shqpërisë një himn që mungoi, një mungesë serioze protokolli. Më 20 gusht 2026, gjatë një aktiviteti kulturor në Pustec, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u ekzekutua Himni i Maqedonisë së Veriut, ndërsa nuk u ekzekutua Himni Kombëtar Shqiptar. Ngjarja u bë publike menjëherë dhe shkaktoi reagime. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ) reagoi zyrtarisht më 21 gusht, duke shprehur keqardhje për mospërfshirjen e Himnit Kombëtar Shqiptar dhe duke e cilësuar atë si një mungesë serioze në respektimin e rregullave të mirësjelljes dhe protokollit midis shteteve. MEPJ theksoi se respektimi i simboleve kombëtare nuk është çështje politike apo interpretimi, raportoi media shqiptare. Kjo është pika e parë që duhet mbajtur shënim.

Pusteci është në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, komuniteti maqedonas i Pustecit ka të drejta të garantuara për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe traditave të veta. Kjo është pjesë e detyrimit të Shqipërisë si shtet demokratik dhe evropian. Por respektimi i të drejtave të minoritetit maqedonas nuk mund të vihet përballë respektit për simbolet e shtetit shqiptar. Të dyja mund dhe duhet të bashkëjetojnë. Prandaj, pa e cilësuar paraprakisht këtë incident si një akt të qëllimshëm politik, pyetja është legjitime: si mund të mos përfshihet simboli kombëtar i vendit pritës në një aktivitet zyrtar ku merr pjesë kryeministri i një shteti fqinj? Sa për shembull, çdo tubim me rëndësi i komunitetit shqiptaro-amerikan hapet me hymnin e Shteteve të Bashkuara dhe hymnin shqiptar. Ma merr mendja se kjo ndodhë edhe me diasporën shqiptare në vendet e normale në botën demokratike të Evropës Perendomore. Prandaj kjo është një pyetje legjitime për protokollin, për organizatorët dhe për institucionet përgjegjëse. Dhe mirë është që MEPJ reagoi. Por a mjafton?

Ulqini një rast tjetër i ditëve të fundit me një debat për arsimin dhe gjuhën. Në Ulqin çështja është tjetër, por prek një dimension po aq të ndjeshëm që ka të bëjë me arsimin dhe gjuhën shqipe. Më 29 korrik 2026, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi vendosi për emërimin e Snežana Živanović si drejtoreshë të Shkollës së Mesme të Përzier “Bratstvo-jedinstvo”, në Ulqin. Vendimi shkaktoi reagim nga zëvendës-kryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, i cili e kundërshtoi emërimin dhe deklaroi se ishte e papranueshme që një person që, sipas tij, nuk e flet shqipen, të drejtojë një shkollë ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Sipas medias vendore, Gjeloshaj e cilësoi këtë vendim si “provokim institucional” dhe “albanofobi”.

Por këtu faktet kërkojnë një saktësim për lexuesin. Ministria malazeze e Arsimit e ka kundërshtuar deklaratën se Živanović nuk flet shqip. Sipas Ministrisë, në dokumentacionin e konkursit ajo deklaron njohuri të gjuhës shqipe në nivelin B2, përfshirë të kuptuarit, leximin, të folurin, ndërveprimin në të folur dhe shkrimin.

Prandaj, nuk do të ishte korrekte të shkruanim se “drejtoresha nuk flet shqip” si një fakt të provuar, derisa të vërtetohet nëse ajo flete ose jo shqip. Por megjithëkëtë, kjo nuk e mbyll debatin. Përkundrazi, e bën pyetjen më të rëndësishme: Çfarë peshe duhet të ketë njohja e gjuhës shqipe në drejtimin e një shkolle të mesme në një qytet si Ulqini, ku shqipja është gjuhë e një pjese dërmuese të komunitetit dhe e arsimit? Kjo pyetje nuk është diskriminuese. As nuk duhet të lidhet automatikisht me kombësinë e një drejtuesi/je. Është një pyetje mbi kompetencën gjuhësore, komunikimin me nxënësit e prindërit dhe me respektimin praktik të karakterit shumëgjuhësh të institucionit.

Ndërkaq, Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Minoriteteve e Malit të Zi, në reagimin e saj të 20 gushtit, ka theksuar se drejtuesit e institucioneve arsimore duhet të zgjidhen mbi bazën e ekspertizës, përvojës dhe rezultateve, ndërsa njëkohësisht të drejtat e komunitetit shqiptar për barazi, përdorimin e gjuhës dhe ruajtjen e identitetit duhet të respektohen e mbrohen në mënyrë të vazhdueshme, sipas medias vendase. Ky është një parim me të cilin është vështirë të mos pajtohesh. Kështuqë, shqiptarët në Ulqin dhe në Malësi nuk kanë heshtur në lidhje me këtë emërim por as në raste të tjera. Një tjetër fakt duhet theksuar për hir të së vërtetës. Se nuk është e drejtë të krijohet përshtypja se shqiptarët e Malit të Zi janë pasivë ose se institucionet e tyre nuk reagojnë, ndaj kësaj dhe dukurive të tjera, si kjo.

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve (KKSH) në Mal të Zi është një institucion i komunitetit shqiptar dhe ka struktura të posaçme për arsimin, kulturën, informimin dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Në çështjet e arsimit, Këshilli me të drejtë ka argumentuar, publikisht, se arsimi në gjuhën shqipe është një nga shtyllat kryesore të ruajtjes së identitetit kombëtar shqiptar. Ka ndërmarrë edhe nisma konkrete për pasurimin e materialeve mësimore në shqip dhe për forcimin e përmbajtjes së historisë kombëtare në arsim. Frank Shkreli: Historia kombëtare shqiptare në shkollat e Malit të Zi mbetet një provë e papërfunduar e demokracisë dhe e përgjegjësisë politike shqiptare

Madje, sipas raportimeve të fundit, KKSH ka ngritur edhe shqetësime lidhur me proceset e emërimit të drejtuesve të shkollave në gjuhën shqipe. (MALESIA.ORG – Tuz, Malësi). Pra, pyetja nuk është: “Pse shqiptarët heshtin?” Pyetja është: Sa dëgjohet zëri i tyre dhe sa efektiv është reagimi institucional kur ata ngrenë shqetësime? A janë këto raste të veçuara apo mund të jenë të koordinuara? Pa prova të mjaftueshme është vështirë të deklarohet se çdo rast është pjesë e një politike të koordinuar antishqiptare. As nuk është e drejtë të thuhet se “provokimet ndodhin vetëm kundër shqiptarëve”, pa një studim shumë më të gjerë dhe pa dokumentuar raste të krahasueshme ndaj komuniteteve të tjera.

Mirëpo, kjo nuk e bën pyetjen time të pavlefshme. Përkundrazi, pyetja është legjitime dhe e pa-evitueshme: Pse, në vende të ndryshme ku shqiptarët jetojnë prej brezash, herë pas here, dhe historikisht, shfaqen konflikte ose debate pikërisht rreth gjuhës, arsimit, simboleve dhe identitetit të tyre kombëtar? Kjo është një pyetje që meriton përgjigje. Jo përgjigje emocionale. Jo përgjigje nacionaliste. Por përgjigje institucionale. Dhe pyetja shkon përtej Pustecit dhe Ulqinit. Nëse këto dy raste duam t’i shohim si pjesë të një diskutimi më të gjerë, atëherë duhet të shikojmë edhe më tej — te Plava e Gucia, Malësia, Tivari, Prespa, Lugina e Preshevës dhe hapësirat shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Jo për të ndërtuar një hartë konfliktesh. Por për të parë nëse gjuha shqipe, arsimi shqip, përfaqësimi institucional dhe identiteti kulturor shqiptar gëzojnë, në praktikë, të njëjtin respekt që parashikojnë ligjet dhe marrëveshjet.

Frank Shkreli: Historia kombëtare shqiptare në shkollat e Malit të Zi mbetet një provë e papërfunduar e demokracisë dhe e përgjegjësisë politike shqiptare | Gazeta Telegraf – Për të siguruar këtë, përgjegjësia është e shumëfishtë. Është përgjegjësi e institucioneve lokale. Është përgjegjësi e përfaqësuesve politikë shqiptarë. Është përgjegjësi e Këshillave Kombëtarë dhe organizatave të komunitetit. Por është edhe përgjegjësi e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare që çështjet e shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë të mos trajtohen vetëm kur ndodh një incident dhe ai bëhet lajm. Duhet politikë e qëndrueshme. Duhet diplomaci. Duhet arsim. Duhet kulturë. Dhe mbi të gjitha, duhet vëmendje e vazhdueshme ndaj faktit se identiteti kombëtar ruhet, para së gjithash, përmes gjuhës dhe arsimit. Në fund të fundit, ajo që kërkohet nuk është konflikt me fqinjët. As nuk kërkohet privilegj për shqiptarët. Kërkohet barazi. Barazia nuk është kërkesë radikale. Por është parim elementar i një shoqërie që pretendon të jetë demokratike. Frank Shkreli: Diktatura e shumicës ndaj pakicës shqiptare në Mal të Zi | Gazeta Telegraf

Prandaj, nga Pusteci në Ulqin, pyetja nuk duhet të jetë vetëm “kush ka faj?” Pyetja më e rëndësishme është: A po mbrohen në mënyrë të mjaftueshme gjuha, arsimi, kultura dhe identiteti shqiptar aty ku ato janë pjesë e pandashme e jetës së komunitetit? Dhe një pyetje tjetër, edhe më e drejtpërdrejtë: Kush i mbron interesat kombëtare shqiptare kur ato preken? Përgjigjja nuk duhet të jetë vetëm një deklaratë pas incidentit. Duhet të jetë një politikë e përhershme dhe konsekuente. Interesat kombëtare të shqiptarëve kudo mbrohen duke njohur, ruajtur dhe transmetuar të drejtat, gjuhën, kulturën dhe kujtesën kombëtare tek brezat që vijnë. Dhe ky nuk është nacionalizëm. Është përgjegjësi mbarë kombëtare e shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta!

Filed Under: Analiza

Ç`po ndodh me bektashinjtë? Dhe ç`qëndrim duhet të mbajmë?

August 25, 2026 by s p

Prof. As. Dr. Hasan Bello/

Për arsye studimore, për vite me radhë më është dashur të merem me historikun e komuniteteve fetare; me raporet e tyre me shtetin shqiptar dhe me qëndrimet e tyre ndaj procesit të ndërtimit të institucioneve. Prandaj ndjej një lloj përgjegjësie profesionale për të thënë dy fjalë, lidhur me zhvillimet e fundit në Komunitetin Bektashian.

Pak histori…

Duke nisur që nga gjysma e shek.XIX kur sulltan Mahmudi II për arsye politike nisi një valë goditjesh ndaj korpusit të jeniçerëve, bektashinjtë përjetuan një valë persekutimi dhe denigrimi të padrejtë. Kjo u shtyu ata që gjithnjë e më shumë të gjenin strehë në teqetë shqiptare në pjesën jugore dhe juglindore të Shqipërisë. Me kalimin e viteve, pakënaqësia e tyre ndaj shtetit osman u mpleks me interesat e Lëvizjes Kombëtare, duke dhënë kështu një kontribut të çmuar për krijmin e shtetit shqiptar.

Kjo u vu re edhe pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kur bektashinjtë me mbështetjen e politikanit dhe ministrit vizionar Ahmet Zogu organizuan Kongresin e Parë Bektashian (14-17 janar 1921), në teqenë e Prishtës në Skrapar.

Në fund të shek.XIX dhe në fillim të shek.XX drejtuesit e këtij komuniteti (më saktë bashkësie), nuk u bënë pjesë e projekteve formale ose informale të qarqeve të ndryshme, të cilat përpiqeshin që ta bënin bektashizmin “fe kombëtare” të shqiptarëve, si një hap më të zgjuar dhe më taktik për deislamizimin e tyre. Klerikët bektashinj ishin të ndërgjegjshëm se bektashizmi nuk ishte fe, por një derivat i fesë Islame. Prandaj ata qëndruan besnikë të harmonisë dhe ekuilibrave fetarë të vendosur me aq kujdes për shekuj me radhë…

Mbyllja e tarikateve të ndryshme në Turqi në vitin 1925 bëri që Kongresi III Bektashian (26 shtator 1929) i mbajtur në teqenë e Turanit në Korçë të vendoste që qendra e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane të zhvendosej në Shqipëri. Kjo ishte një arritje e madhe për shtetin e vogël shqiptar, i cili e shihte këtë si një instrument gjeopolitik për të rritur influencën e tij në rajon dhe në mbarë botën. Më 28 janar 1930, kryegjyshi Sali Niazi Dede, që për fat të mirë ishte shqiptarë mbërriti në Shqipëri. Në mars qeveria shqiptare e njohu atë si Kryegjysh Botëror të Bektashinjve. Fillimisht qendra u vendos në teqenë e Turanit në Korçë, ndërsa më 2 gusht me vendim nr.659 Selia Botërore Bektashiane u zhvendos në Tiranë.

Gjatë viteve të monarkisë komuniteti dhe drejtuesit e tij bashkëpunuan ngushtë me institucionet shtetërore për konsolidimin reciprok.

Pozita e bektashinjve u vështirësua me fillimin e LDB. Një pjesë dërrmuese e luftimeve u zhvilluan në zona ku ndodheshin shumica e teqeve dhe e besimtarëve bektashinj (Lufta Italo-Greke 1940-1941 etj). Prandaj dëmet karshi tyre ishin shumë të mëdha. Kjo shpjegon deri diku edhe solidarizimin e bektashinjve me lëvizjen “nacional-çlirimtare” dhe komunistët.

Kryetari i bektashinjve shqiptarë, Sali Njazi Dede, ashtu si të gjithë krerët e komuniteteve mbajti një qëndrim luajal ndaj regjimit fashist. Ai nuk zhvilloi propagandë aktive për Italinë, por me rastin e festave civile e fetare mbante gjithmonë një qëndrim admirimi ndaj Italisë, fashizmit dhe italianëve. Megjithatë, në raportet e shërbimit informativ ushtarak italian bektashinjtë konsideroheshin si nacionalistë konseguentë. Prandaj në radhët e tyre kishte individë që tregoheshin të rezervuar dhe mbanin qëndrime kundërshtare ndaj regjimit fashist.

Më 28 nëntor 1941, Sali Njazi Dede u vra në teqenë e vet. Me një urdhër verbal, qeveria mori përsipër të gjitha shpenzimet e ceremonisë së varrimit. Në muajt në vijim disa teqe bektashiane në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut do të bëheshin qendra të rezistencës kundër italianëve dhe pastaj kundër gjermanëve. Dy baballarë bektashinj me autoritet, Baba Fejzo dhe Baba Faja, do të organizonin guerile partizane, i pari në krahinën midis Gjirokastrës dhe Vlorës, i dyti në Shqipërinë e Mesme, rreth teqesë së tij të Martaneshit. Fejzo do të bëhej kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të Tepelenës dhe Faja arriti të bëhej madje edhe zëvendëskryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Shqipërisë.

Pas vendosjes së regjimit komunist marrëdhëniet midis shtetit dhe komuniteteve fetare u karakterizuan nga përpjekje të vazhdueshme për kontroll politik. Për Komunitetin Bektashian kjo situatë u vështirësua akoma dhe më shumë për shkak se dy baballarët e përmendur kërkuan me nxitejn e autoriteteve ndërmarrjen e disa reformave që binin ndesh me parimet e vendosura deri në këtë periudhë. Në mars të 1947, pas një debati me tone të larta, kryegjyshi nxorri armën dhe pasi ekzekutoi Baba Faje Martaneshin dhe Baba Fejzon, u vetëvra. Kjo tragjedi e tronditi të gjithë bashkësinë.

Në prapaskenë “operacioni” ndiqej nga ministri i Brendshëm Koçi Xoxe, i cili i mbetur përpara një fakti të kryer kishte menduar një zgjidhje të pazakontë: në krye të Komunitetit Bektashian, ai kishte menduar të vendosej një klerik ortodoks. Kandidati ishte prifti me origjinë sllave Llazar Popoviq, që shërbente në Shkodër dhe që konsiderohej i afërt me strukturat e reja politike. Ky skenar nuk u realizua për shkak se ai nuk gëzonte një biografi të mirë. Por mbi të gjitha sepse do të shkaktonte një skandal dhe pakënaqësi të madhe te besimtarët. Gjithsesi kjo tregonte shkallën e ndërhyrjes së shtetit në punët e brendshme të një komuniteti.

Këto drama njëra pas tjetrës dhe burgosja e klerikëve shkatërruan strukturat tradicionale, duke bërë që pas rënies së komunizmit komuniteti në fjalë të gjendej pa kuadro, pa burime financiare dhe pa prona. Kjo situatë u shfrytëzua nga individë dhe qarqe, të cilat ishin të ndërgjegjshëm për rëndësinë e institucionit dhe ndikimit që mund të ushtronin nëpërmjet anës shpirtërore.

Një nga këto ishte përpjekja për të ulur peshën specifike që Irani kishte në arenën botërore, duke përdorur fenë dhe rryma të ndryshme, ndërmjet tyre edhe bektashizmin. Pastaj rrugës secili shtet dhe koniukturë shikon interesat e veta personale. Nuk i intereson shumë pasoja mbi shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Sekserë dhe mercenarë pastaj në çdo vend të botës gjen sa të duash.

Megjithatë në ADN e Komunitetit Bektashian dhe besimtarëve, nuk kanë munguar asnjëherë personalitete dhe individë që kanë dhënë një kontribut të çmuar për kombin shqiptar. Prandaj në këto momente duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të shmangim përçarjen në mesin e shqiptarëve.

Shteti bektashi është një flluskë sapuni. Më “serioze” është ideja ime për krijimin e shtetit botëror të shqiptarve në internet! Kosto e tij është zero.

Filed Under: Analiza

Pamflet: “Baba Edi”, Baba Mondi,  Baba Tomorri dhe Shteti Bektashi!

August 24, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi

Në majën e Tomorrit, atje ku mali, besimi dhe legjenda shqiptare janë ndërthurur prej shekujsh, Baba Mondi lutet. Lutet për paqe, për njerëzit, për bektashinjtë. Por në Shqipërinë e vitit 2026, satira politike mund t’i shtojë lutjes së tij edhe një kërkesë të pazakontë: Baba Mondi nga Tomorri lutet që Baba Aliu nga Tirana t’i bëjë shtetin.

“Baba Aliu”, natyrisht, është personazhi që ironia politike mund të krijojë nga Edi Rama – jo si klerik, por si kryeministri që ka marrë përsipër të realizojë një projekt që, deri dje, dukej pothuajse surrealist: krijimin e një entiteti sovran bektashi në zemër të Tiranës.

Kështu lind edhe paradoksi i memjes. Baba Mondi është Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, por çelësin politik të shtetit të tij nuk e mban ai. Atë e mban politika. Dhe në Shqipërinë e sotme, kur thuhet politika, shumë shpesh nënkuptohet një emër: Edi Rama.

Prandaj memja funksionon. Ajo nuk tallet vetëm me Baba Mondin dhe as vetëm me Ramën. Ajo tallet me mënyrën se si një ide që prek territorin, sovranitetin, Kushtetutën dhe marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe fesë mund të perceptohet sikur po ndërtohet nga vullneti i një njeriu.

Baba Mondi ka besimin, Baba Aliu ka votat

Këtu qëndron thelbi politik i ironisë.

Baba Mondi mund të ketë autoritetin shpirtëror. Mund të përfaqësojë Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Mund të flasë për traditën, tolerancën dhe historinë e bektashizmit shqiptar. Por Baba Mondi nuk mund ta shpallë vetë sovranitetin mbi një pjesë të Tiranës.

Për këtë duhen ligje. Duhen vota. Duhet Kuvendi. Duhet përcaktuar raporti me Kushtetutën.

Dhe, mbi të gjitha, duhet vullneti politik i pushtetit. Këtu hyn “Baba Aliu”.

Në imagjinatën e satirës shqiptare, Rama nuk shfaqet më thjesht si kryeministri që mbështet një projekt të Kryegjyshatës. Ai bëhet pothuajse themeluesi politik i shtetit të Baba Mondit.

Dhe pikërisht këtu humori fillon të bëhet analizë politike. Sepse në një republikë normale pyetja nuk duhet të jetë: A e do Rama shtetin bektashi?

Pyetja duhet të jetë: A e lejon Kushtetuta shqiptare?

Bektashizmi nuk ka nevojë të shpiket nga politika shqiptare. Ai është shumë më i vjetër se qeveritë e sotme, më i vjetër se tranzicioni dhe sigurisht shumë më i vjetër se mandati i Edi Ramës.

Tomorri është një nga simbolet më të fuqishme të kësaj tradite. Pelegrinazhi, figura e Abaz Aliut, teqetë dhe kultura bektashiane janë pjesë e historisë shpirtërore shqiptare.

Prandaj ironia bëhet edhe më interesante.

Për shekuj me radhë, bektashinjtë kishin malin, teqenë, besimin dhe komunitetin. Tani politika kërkon t’u japë edhe shtetin.

Por çfarë shteti?

Një Vatikan shqiptar?

Një mikro-shtet?

Një territor sovran?

Një zonë me ekstraterritorialitet?

Një entitet fetar me privilegje diplomatike?

Apo thjesht një konstruksion juridik të quajtur “shtet”, por që në praktikë do të funksionojë nën një marrëveshje të posaçme me Republikën e Shqipërisë?

Këto nuk janë hollësi teknike. Janë vetë thelbi i çështjes. 

Sepse fjala “shtet” nuk është dekor politik.

Shteti nënkupton territor, juridiksion, institucione, shtetësi dhe marrëdhënie me shtetet e tjera. Nëse projekti synon vërtet sovranitet, atëherë pyetja bëhet shumë më serioze sesa dimensioni turistik apo promovimi ndërkombëtar i tolerancës fetare.

Në rrjetet sociale nuk nevojiten analiza kushtetuese prej njëqind faqesh. Mjafton një fotografi.

Vendose Ramën me veshjen karakteristike bektashiane, shkruaj sipër “Baba Edi” ose “Baba Aliu” dhe poshtë vendos Baba Mondin që pret shtetin e tij.

Mesazhi kuptohet menjëherë.

Satira thotë:

Baba Mondi drejton fenë, por Baba Edi po i ndërton shtetin.

Kjo është arsyeja pse memet politike nganjëherë janë më therëse se editorialet. Ato heqin gjuhën burokratike dhe e reduktojnë problemin në absurditetin e tij më të dukshëm. Në këtë rast pyetja është e thjeshtë: si mund të krijohet një shtet brenda shtetit?

Dhe menjëherë pas saj vjen pyetja tjetër: kush e vendosi?

Nëse përgjigjja që krijohet në perceptimin publik është “Rama”, atëherë problemi nuk është vetëm shteti bektashi. Problemi është mënyra se si perceptohet funksionimi i vetë Republikës.

Shqipëria është republikë, jo pronë për t’u parcelizuar

Territori i Republikës së Shqipërisë nuk është pronë e një qeverie. As e një kryeministri.

As e një shumice parlamentare të përkohshme. Qeveritë administrojnë shtetin; nuk e zotërojnë atë.

Kjo është arsyeja pse çdo projekt që prek sovranitetin territorial duhet të trajtohet me një seriozitet shumë më të madh sesa një nismë e zakonshme qeveritare.

Nëse territori ku ndodhet Kryegjyshata do të marrë status sovran, atëherë duhet shpjeguar publikisht çfarë humbet dhe çfarë ruan juridiksioni shqiptar.

A do të zbatohet Kushtetuta shqiptare brenda tij?

A do të veprojë Policia e Shtetit?

Cilat gjykata do të kenë juridiksion?

Kush do të kontrollojë hyrjen dhe daljen?

A do të ketë shtetësi bektashiane?

Po pasaporta?

Po marrëdhëniet diplomatike?

Po taksat?

Po pronësia?

Po nëse një person kryen një vepër penale brenda territorit?

Dhe pyetja më e madhe: nëse ky është shtet sovran, cili është akti juridik me të cilin Republika e Shqipërisë heq dorë nga sovraniteti mbi atë territor?

Këtu mbaron memja.

Dhe fillon Kushtetuta.

Ekziston edhe një problem tjetër që nuk mund të shmanget.

Shqipëria është krenuar historikisht me bashkëjetesën ndërfetare. Pikërisht këtë argument përdorin edhe mbështetësit e projektit bektashi.

Por toleranca fetare mbështetet edhe mbi barazinë e komuniteteve fetare përpara shtetit.

Atëherë lind një pyetje legjitime: nëse një komuniteti fetar i jepet një territor me sovranitet të veçantë, mbi çfarë parimi juridik u mohohet e njëjta mundësi komuniteteve të tjera?

Natyrisht, historia dhe struktura ndërkombëtare e Kryegjyshatës Bektashiane janë specifike. Por pikërisht sepse rasti është specifik, argumenti juridik duhet të jetë jashtëzakonisht i fortë.

Nuk mjafton të thuhet se bektashizmi përfaqëson tolerancën shqiptare.

Sepse toleranca është një vlerë.

Sovraniteti është kategori kushtetuese.

Dhe këto dy gjëra nuk duhen ngatërruar.

Vatikani nuk u krijua me një meme

Krahasimi me Vatikanin është tërheqës, por historikisht i paplotë.

Vatikani nuk lindi sepse një kryeministër italian vendosi t’i dhuronte Papës disa hektarë për të promovuar tolerancën katolike. Statusi i tij është rezultat i një historie shumë të gjatë të Shteteve Papnore, konfliktit ndërmjet shtetit italian dhe Selisë së Shenjtë dhe Marrëveshjeve Laterane të vitit 1929.

Prandaj modeli i Vatikanit nuk mund të importohet në Tiranë thjesht duke zvogëluar sipërfaqen.

Bektashizmi ka historinë e vet, autoritetin e vet shpirtëror dhe një qendër botërore në Shqipëri. Kjo mund të jetë një pasuri e jashtëzakonshme diplomatike dhe kulturore për vendin. Por nga kjo nuk rrjedh automatikisht domosdoshmëria e krijimit të një shteti.

Mund të krijohen statuse të posaçme, garanci, institucione ndërkombëtare, qendra kulturore dhe marrëveshje të veçanta pa ndryshuar domosdoshmërisht konceptin e sovranitetit territorial shqiptar.

Prandaj pyetja duhet të jetë jo vetëm “a mundemi?”, por edhe “pse duhet?”

Shteti i Baba Mondit apo projekti i Baba Edit?

Kjo është pika ku memja godet më fort.

Nëse shteti bektashi do të ishte produkt i një debati të gjatë institucional, i konsultimeve kushtetuese, i një konsensusi politik dhe shoqëror dhe i një projekti të argumentuar publikisht, personalizimi i tij do të ishte shumë më i vështirë.

Por kur projekti identifikohet kaq shumë me kryeministrin, satira e ka shumë të lehtë të ndërtojë figurën e “Baba Edit”.

Dhe atëherë ndodh përmbysja komike:

Baba Mondi bëhet aplikanti.

Baba Edi bëhet themeluesi.

Kryegjyshata sjell fenë.

Qeveria sjell territorin.

Kuvendi sjell votat.

Dhe popullit i mbetet memja.

Por Republika nuk duhet të funksionojë kështu.

Përpara se Shqipëria të krijojë një shtet të ri brenda territorit të saj, shqiptarët kanë të drejtë të dinë saktësisht se çfarë po krijohet.

Lutja nga Tomorri

Dhe kështu mund të rikthehemi te fotografia imagjinare me të cilën nisëm.

Në Tomorr, Baba Mondi sheh drejt Tiranës. Ndoshta lutja e tij është për bektashizmin, për paqen dhe për të ardhmen e Kryegjyshatës.

Por satira shqiptare ia përkthen ndryshe:

“O Baba Ali, na bëj një shtet!”

Dhe nga Tirana, “Baba Aliu” politik mund të përgjigjet:

“Shtetin ta bëj unë; Kushtetutën ta shohim më vonë.”

Pikërisht këtu e qeshura duhet të ndalet.

Sepse Shqipëria mund të jetë vendi i bektashinjve, myslimanëve, ortodoksëve, katolikëve dhe qytetarëve pa besim; mund të jetë vendi i harmonisë fetare dhe mund ta promovojë këtë traditë në të gjithë botën.

Por mbi të gjitha ajo është Republika e Shqipërisë.

Dhe Republika nuk është pronë që një kryeministër mund ta ndajë, dhurojë apo rikonfigurojë vetëm sepse ka votat për ta bërë.

Prandaj debati për shtetin bektashi nuk është në thelb debat kundër Baba Mondit dhe as kundër bektashizmit. Përkundrazi, respekti për bektashizmin kërkon që një çështje kaq serioze të mos reduktohet në marketing politik.

Rama thotë shteti Bektashi nuk do ketë dogana ose taksa , por do ketë monedhën ‘BeK

Shteti bektashi i cili nuk di sa “dervishë dhe teqe ka “ do ketë buxhetin e tij. Vërtet.

Pyetja është shumë më e madhe:

Kush ka të drejtë të ndryshojë sovranitetin e Shqipërisë dhe me çfarë procedure?

Sepse Baba Mondi mund të lutet nga Tomorri.

“Baba Edi” mund ta dëshirojë nga Tirana.

Kuvendi mund të ketë votat.

Por shteti nuk është i baballarëve. Shteti është i qytetarëve.

Nga këtu shprehja “ Ndalu “Bek” se ka hendek.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 1024
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • STOP DHUNËS NDAJ STUDENTËVE!
  • JO NJË KATOVICË TË DYTË! – SHQIPËRIA KA NEVOJË PËR NJË FILLIM TË RI, JO PËR RICIKLIMIN E PUSHTETIT!
  • “Humanoidët”, një çast në atelierin e Artur Muharremit
  • Life in “Time Shelter”
  • Akademia e Shkencave kujton sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta poetin e madh të kombit që i dha zë Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërin
  • Studentët kanë gjithmonë të drejtë!
  • Më dhemb ajo që po shoh nga larg
  • Kur miqtë e Shqipërisë kthehen kundër qeverisë, fundi i iluzionit politik Rama?
  • KARRIGET E PUSHTETIT DHE LIRIA E POPULLIT
  • KËRKESAT E STUDENTËVE JANË EDHE KËRKESAT E NJË POPULLI TË TËRË!
  • EDI RAMA, SHQIPËRIA NUK MUND TË MBAHET PENG PËR PUSHTETIN TËND!
  • “Ndalimi i torturës dhe i trajtimit çnjerëzor ose poshtërues është absolut”
  • A PRIME MINISTER WHO IS BOTHERED BY THE VERY CONCEPT OF THE RULE OF LAW
  • Studentët dhe rinia që po protestojnë kundër qeverisë, nuk janë armiq të Shqipërisë
  • Shqipëria nuk do të jetë më e njëjtë!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT