• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FLAMURI SHQIPTAR NË GJYQ – KU JANË VLERAT EVROPIANE TË MALIT TË ZI?

August 13, 2026 by s p

Drejtësia Selektive në Mal të Zi dhe “Kompromisi” i Heshtur i Politikës Shqiptare në atë vend.

Nga Frank Shkreli

Flamuri shqiptar i padeshiruar në Mal te Zi — nje vend që pretendon vlerat e NATO-s dhe antarësimin në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian dhe NATO nuk janë vetëm organizata politike dhe ushtarake. Ato përfaqësojnë një sistem vlerash që mbështetet mbi lirinë, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Në këtë kuptim, respektimi i identitetit kombëtar të shqiptarëve nuk është një favor që u bëhet atyre, por një detyrim që buron nga standardet demokratike që Mali i Zi ka pranuar vetë. Unë, personalisht, jam dëshmitar se Shqiptarët në Mal të Zi dhe n; Shtetet e Bashkuara t; Amerikës kanë qenë ndër mbështetësit më të qëndrueshëm të orientimit perëndimor të atij vendi. Ata kanë kontribuar në jetën politike, ekonomike dhe kulturore të shtetit dhe kanë mbështetur integrimin euroatlantik të Podgoricës. Frank Shkreli:Një shtet i ri me plagë të vjetra, Mali i Zi në 20-vjetorin e pavarësisë. Shqiptarët në Mal të Zi mes kontributit historik dhe pritshmërive të papërmbushura | Gazeta Telegraf. Pikërisht për këtë arsye, çdo veprim që krijon përshtypjen e diskriminimit ndaj simboleve kombëtare të shqiptarëve në atë vend rrezikon të dëmtojë besimin e një komuniteti që ka treguar vazhdimisht lojalitet qytetar ndaj shtetit.

Për vite tani, raportime dhe raste të veçanta që lidhen me përdorimin e flamurit shqiptar në Mal të Zi kanë nxitur diskutime publike mbi mënyrën se si zbatohen rregullat për simbolet kombëtare dhe si respektohen të drejtat e pakicave. Për shqiptarët e atyre trojeve, nuk ka asgjë të re. Kjo është një histori e vjetër, për të mos thënë permanente. Është një çeshtje që jam munduar ta trajtoj për pothuaj 15- vjetë tani. Asgjë nuk ka ndryshuar, fatkeqsisht. Shqiptarët e atyre trojeve vazhdojnë t’a ndjejnë veten si të huaj në shtëpinë e vet. Frank Shkreli: Shqiptarët nën Mal të Zi – si të huaj në tokën e vet – Zemra Shqiptare. Për shqiptarët autoktonë në Mal të Zi, flamuri kombëtar nuk është një simbol i huaj. Ai është pjesë e identitetit historik, kulturor dhe kombëtar të një komuniteti që ka jetuar në trojet e veta në Ulqin, Tuz, Plavë, Guci dhe vise të tjera shumë kohë përpara krijimit të shteteve moderne në rajon dhe në botë. Për këtë arsye, çdo përpjekje për ta trajtuar flamurin shqiptar si problem, provokim ose simbol të padëshiruar prek drejtpërdrejt ndjenjën e barazisë dhe dinjitetit të këtij komuniteti. Në disa situata, janë ngritur shqetësime nga komuniteti shqiptar atje, lidhur me kufizimet ose keqinterpretimet e rregullave për përdorimin e flamurit. Rasti fundit është reflektues i situatës aktuale.

Rasti i Vatra Balidemajt me 1 gusht. E reja shqiptare u shoqërua nga policia dhe u gjobit nga gjykata lokale në Plavë-Guci, vetëm e vetëm, se mbante në dorë flamurin “Autochthonous” ndërsa merrte pjesë në një festival veror muzikor në vendlindjen e saj. Ka simbole që nuk kanë nevojë për leje për të qenë pjesë e historisë. Flamuri shqiptar është njëri prej tyre. Në trevat shqiptare të Malit të Zi ai nuk është një simbol i importuar, as një shenjë provokimi politik ndaj askujt. Ai është dëshmi e vazhdimësisë historike të një populli autokton që ka ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin e vet ndër shekuj.

Prandaj, sa herë që ngritja e flamurit shqiptar shoqërohet me polemika, pengesa ose trajtime që perceptohen si të pabarabarta, nuk vihet në diskutim vetëm një simbol kombëtar. Por vihet në provë vetë besueshmëria e shtetit malazez si demokraci evropiane. Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Ky është një angazhim që kërkon më shumë se deklarata politike. Kërkon respekt të përditshëm për liritë themelore, për dinjitetin e njeriut dhe për të drejtat e pakicave kombëtare, përfshir shqiptarët. Këto nuk janë koncesione; janë standarde. Shqiptarët në Mal të Zi nuk kërkojnë privilegje. Frank Shkreli: Historia kombëtare shqiptare në shkollat e Malit të Zi mbetet një provë e papërfunduar e demokracisë dhe e përgjegjësisë politike shqiptare | Gazeta Telegraf Ata kërkojnë atë që u takon si qytetarë të atij vendi dhe si komunitet autokton: të drejtën për të jetuar identitetin e tyre pa paragjykime, pa frikë dhe pa u ndjerë se simbolet e tyre kombëtare janë më pak të pranueshme se të komuniteteve të tjera në atë vend.

Historia e Ballkanit ka treguar se shtetet nuk dobësohen nga respektimi i identitetit të qytetarëve të tyre. Ato dobësohen kur krijojnë ndjesinë se ligji zbatohet ndryshe — në mënyrë të hapur diskriminuese — për komunitete të ndryshme, sdimos për shqiptarët. Besimi ndërtohet me barazi, jo me standarde të dyfishta. Pikërisht për këtë arsye, çdo rast që ngre pikëpyetje mbi trajtimin e flamurit shqiptar duhet të trajtohet me seriozitet, transparencë dhe në përputhje me ligjin. Institucionet zyrtare malazeze kanë përgjegjësinë të sqarojnë çdo rast të diskutueshëm dhe të sigurojnë që ligji të zbatohet në mënyrë të barabart për të gjithë, përfshir rastin e Vatra Balidemajt. Standardi nuk mund të jetë i ndryshëm për një simbol kombëtar në krahasim me të tjerët. Demokracia matet pikërisht nga mënyra se si trajtohen pakicat dhe jo nga deklaratat formale për respektimin e të drejtave të tyre.

Një shtet modern nuk ka arsye të ketë frikë nga një simbol që përfaqëson identitetin e një pjese të qytetarëve të tij. Në fund të fundit, demokracia nuk matet nga mënyra se si shumica ushtron pushtetin, por nga mënyra se si mbrohen të drejtat e atyre që janë në pakicë. Nëse Mali i Zi dëshiron të jetë një shembull i suksesit euroatlantik në Ballkan, atëherë duhet ta dëshmojë këtë jo vetëm në forumet ndërkombëtare, por edhe në Ulqin, Tuz, Plavë, Guci, Rozhajë e kudo ku shqiptarët jetojnë dhe ruajnë identitetin e tyre. Ishte Gucia, një vatër e lashtë e historisë dhe qëndresës shqiptare në Mal të Zi, që u kthye, së fundmi, në skenën e një paradoksi ligjor që ngre pikëpyetje të mëdha mbi barazinë qytetare në Mal të Zi. Vatra Balidemaj, një vajzë 19-vjeçare nga Martinajt, u shoqërua në polici dhe u gjobit nga gjykata vendase deri në 250 euro. “Krimi” i saj? Valëvitja e flamurit “Autochthonous” – një simbol i dizajnuar mbi të vërtetën historike të të parëve të saj në ato troje. Ky akt nuk është thjesht një incident i izoluar administrativ, por një pasqyrë e qartë vazhdimësie e asaj që quhet drejtësi selektive nga ana e shtetit malazez. Autoritetet u nxituan të aplikojnë Nenin 23 të Ligjit për Rendin Publik, duke e klasifikuar stemën si “provokim”, ndërsa mbyllin sytë rregullisht përpara valëve të stërgjyrëshave serbë dhe parullave shoviniste serbe që pushtojnë rrugët e Malit të Zi nëpër dasma e festa fetare.

Por, përtej fajit të qartë të qeverisë në Podgoricë, kjo ngjarje nxjerr në dritë një të vërtetë tjetër të hidhur: përgjegjësinë e madhe të vetë përfaqësuesve politikë shqiptarë. Sot, politikanët shqiptarë në Mal të Zi nuk janë më në opozitë e as në periferi të vendimmarrjes. Ata mbajnë poste me rëndësi në administratën shtetërore malazeze. Qytetari shqiptar nuk i voton liderët e vet vetëm për të bërë opozitë brenda qeverisë, por për të ndryshuar ligjet diskriminuese dhe për të garantuar që policia e shtetit që ata vetë bashkë-drejtojnë të mos persekutojë fëmijët shqiptarë. Me keqardhje të thellë e them se përgjegjësia e faktorit politik shqiptar – me ndonjë përjashtim aty këtu — qëndron te gatishmëria e tyre për të bërë kompromise të shpejta për karrige e pushtet, duke lënë pas dore reformat jetike ligjore të nevojshme për mbrojtjen e votuesve shqiptarë. Ligji aktual për simbolet është lënë qëllimisht me ekuivoke dhe kurthe burokratike, të cilat lejojnë policinë t’i interpretojë simbolet kombëtare sipas dëshirës. Për sa kohë që partitë shqiptare pranojnë të jenë dekor i qeverive në Podgoricë pa kushtëzuar pjesëmarrjen e tyre me fshirjen e këtyre neneve diskriminuese, ato bëhen bashkëfajtore në heshtje për çdo gjobë dhe fyerje që u bëhet bashkëkombësve të tyre. Frank Shkreli: Diktatura e shumicës ndaj pakicës shqiptare në Mal të Zi | Gazeta Telegraf

Vatra Balidemaj u shpreh e lënduar se u gjobit në tokën e të parëve të saj. Por gjoba e saj shpërfaqi rishtas dy dështime të mëdha: të një shteti malazez që ende trembet nga identiteti shqiptar, dhe të një klase politike shqiptare që ka pushtet në Podgoricë, por nuk ka fuqi (ose vullnet) të mbrojë popullin e vet dhe të drejtat ligjitime të tij.

Respekti për flamurin shqiptar nuk është favor ndaj shqiptarëve. Është respekt për parimet mbi të cilat ndërtohen demokracitë evropiane. Dhe pikërisht aty fillon prova e vërtetë e një shteti që pretendon të jetë pjesë e familjes evropiane. Mali i Zi duhet të vendosë nëse dëshiron të jetë një shoqëri me të vërtetë demokratike, apo një sistem që përdor ligjin si mjet penalizimi selektiv ndaj shqiptarëve. Rasti i Vatra Balidemajt duhet të shërbejë gjithashtu edhe si një moment reflektimi, jo vetëm për Podgoricën dhe për përfaqsuesit politik[ shqiptarë në Mal të Zi, por edhe për Evropën. Sepse nëse një flamur shqiptar shihet si kërcënim, problemi nuk qëndron te flamuri. Problemi është te frika që dikush ka prej tij. Megjithse flamuri nuk është armë. Dhe as identiteti kombëtar nuk është krim!

Flamuri shqiptar nuk është armë që dikush duhet t’i frikësohet. Ai nuk kërcënon, nuk pushton dhe nuk kërkon luftë. Flamuri kuqezi është simbol i identitetit, i lirisë dhe i dinjitetit kombëtar të një populli. Të respektosh flamurin shqiptar nuk do të thotë të kesh frikë nga Shqipëria apo shqiptarët. Por do të thotë të respektosh një komb, historinë e tij dhe të drejtën e tij për të qenë krenar për identitetin e vet. Edhe NATO — anëtare e së cilës është edhe Mali i Zi — nuk është një organizatë që duhet të ngjallë frikë. Ajo është, para së gjithash, një aleancë e vendeve që kanë zgjedhur të mbrojnë lirinë dhe paqen së bashku. Në këtë kuadër, flamuri shqiptar në Mal të Zi nuk është simbol kërcënimi, por simbol i një vendi që ka zgjedhur të jetë pjesë e botës euroatlantike.”

Filed Under: Analiza

Gjeneral ® Piro Ahmetaj: “Replikë e imponuar me Presidentin komedian, Zelensky”

August 12, 2026 by s p

“Deklarata kontroverse” e Presidentit Zelensky gjatë vizitës në Beograd: “Ukraina nuk e ndryshon qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës si dhe respekton integritetin territorial të Serbisë” vijon të dominojë median si dhe debatin diplomatik dhe publik në Tiranë, Prishtinë, vendet e Ballkanit, BE, etj. Përtej sensitivitetit dhe revoltës patriotike, këtë deklaratë si dhe qëndrimet që e pasuan, i kam analizuar me përgjegjësi të shtuar, edhe pse kam vetë-zgjedhur që gjithsesi të mos “i bashkohem tragjikomedisë folklorike” ndaj interesimit të mediave jo vetëm brenda vendit.

Por, për asnjë arsye nuk do të doja që ky opinion të merret si debat me Presidentin që ka udhëhequr drejt fitores kombin e tij martir në mbi 1550 ditë/netë luftime të përgjakshme. Thënë këtë, në formatin e “një replike të imponuar më shumë me Komedianin se sa me Presidentin”, po adresoj disa kundërshti strategjike rreth peshës si dhe mesazhe gjeopolitike që mbart kjo deklaratë:

* Pikësëpari, nënvizoj fort se ndërsa Ukraina ka vetëm 1 votë (05 %) ndër 193 shtetet e OKB-së, kjo deklaratë ka ZERO peshë në realitetin dhe ardhmërinë gjeopolitike të Kosovës!

Gjithsesi e gjej tërësisht jashtë realitetit, të padobishme dhe disproporcionale, pasi nga çdo anë ta shohësh (360 gradë) nuk gjej dhe nuk ka ASNJË ngjashmëri midis p.sh Krimesë së pushtuar brutalisht nga Rusia në 2014 dhe Kosovës të çliruar nga lufta heroike e Kosovarëve, si dhe fuqia ushtarake e SHBA/NATO/UK. Ndërkohë për Krimenë, nga 193 shtete, përveç pushtuesit/Rusisë, nuk e ka njohur ende asnjë nga 192 shtetet e tjera të OKB-së.

Për edhe më qartë, një deklaratë tërësisht jashtë realitetit, për të mos thënë komike, pasi ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 2010 e konfirmoi shpalljen e pavarësisë; Kosova është shtet sovran i njohur nga 121 vende të OKB-së, përfshi të NATO/BE: “përveç 4 shteteve, si Greqi, Spanjë, Sllovaki dhe Spanjë, kryesisht për të kontrollua ekstremistët në luftën për pushtet”. Për më tepër, këtë deklaratë e gjej disproporcionale me solidaritetin mbarë-kombëtar, mbështetjen e pakushtëzuar të rezolutave kundër Rusisë në KS/OKB, projektet dhe angazhimet e NATO-s, si dhe kontributet më shumë se modeste që RSh i ka dhënë Ukrainës, përgjatë 4 vjet e gjysmë luftime përballje me makinerinë kriminale të Rusisë.

Dhe për ta përmbyllur këtë rubrik, do duhet të përmendim me mirënjohje peshën kritike të SHBA për çlirimin e Kosovës.

Po ashtu, prezencën në bazën e Bondsteel, kontributin për të rritur njohjet e Kosovës (p.sh nga Izraeli, nën kujdesin e Trump-1), si dhe mbështetjen për të përmirësuar aftësitë mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës (përfshi 246 raketa Javelin = 75 milion $”). Po ashtu brenda 20 muajve të Presidencës Trump-2, mbështetur në “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së”, në Senat janë shqyrtuar dy rezoluta për: “Anëtarësimin në NATO, pikërisht për shkak të peshës që mbart Kosova për të mbrojtur supremacinë ndaj Rusisë dhe Kinës, si dhe për të zhvilluar interesat gjeopolitike Amerikane në Rajon”.

Përveçse tërësisht jashtë realitetit, këtë deklaratë e gjej edhe kontroverse me qëndrimet dhe kontributet e Ukrainës në Kosovë. Si shembull permendim se në qershor 1999, krahas 50 mijë trupave nga 30 vende (18 NATO dhe 12 partnerë), 1300 ushtarak ukrainas, bashkë me forcat e KFOR dhe Forcat e Armatosura të Kosovës, u dislokuan në terren, në rast të një dalldie Serbe (nxitur nga Rusia) ndaj integritetit territorial të Kosovës, si dhe kundër prezencës së USA/NATO.

Ndaj këtë deklaratë e gjej qartësisht edhe kundër interesave Amerikane (që per të mbeshtetur ushtarakisht Ukrainën ka shpenzuar me shume se 200 milard $), por çuditërisht e gjej edhe kundër interesave të vetë Ukrainës! Kjo pasi të respektosh oshilacionet e Serbisë ndaj kufijve territorialë të Kosovës, njëkohësisht mbështet ambicjet, axhendën dhe interesat gjeopolitike të Rusisë në Rajon.

Kështu, kjo qasje, kundër parimeve të përbotshme që: “miku i armikut (në këtë rast Rusia), është njëkohësisht armik edhe i Ukrainës”. Për te provuar këtë, kujtojmë që Serbia ka votuar kundër sanksioneve të vendosura nga USA/UN/BE dhe konfiskimin e Aseteve Ruse (mbi 300 miliardë €); nga fillimi i luftës neonaziste, mijëra mercenarë serbë (zero nga RSh/Kosova) kanë qenë pjesë e makinerisë së krimit kundër popullit Ukrainas. Ndërsa përkundër thirrjes së SHBA/NATO/BE për të mos marrë pjesë në paradën e Moskës, z.Vuçiç shkoi në Kremlin: “për të festuar me ushtrinë e Putinit, që vret përditë njerëz të pafajshëm në Ukrainë”! Prandaj, e gjej edhe naive ose nostalgji për ri-kthimin e shkëlqimit të Tij në aktrimin te komedia “në shërbim të popullit”, çka i shërben vetëm axhendës së radikalëve në Beograd, Moskë dhe jo vetëm.

** Pikësëdyti, në kontekstin e deklaratës, doja të sillja në vëmendje gjenocidin me 150 mijë kosovarë, boshnjakë, kroatë, sllovenë, M-V, malazezë, të vrarë barbarisht nga makineria kriminale e Millosheviçit nga 1991 deri 1999. Por, mbas 26 vitesh, ende pa kërkuar as falje, sipas strategjistit të mirënjohur Anglez (jo shqiptar) J. Bugajski: “Serbia mbetet aleati strategjik si dhe vegël qorre e Rusisë për të nisur një luftë gjakatare me Ballkan”. Ndërkohë që falë fuqisë së pakonkurueshme dhe mbështetjes së USA: “Serbia, qoftë edhe me mbështetjen e Rusisë – Putiniste e ka tërësisht të pamundur, të nisë një përleshje ushtarake mes vendeve fqinje, 3 nga të cilat (R.Sh, M-V, Mal i ZI) janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova me mbështetjen e USA ēshtë shumë pranë ftesës së anëtarësimit”.

Ndërkohë që Serbia nuk kërcënohet nga askush, SHBA/NATO, kanë përsëritur thirrjet ndaj Beogradit zyrtsr: “të mos harxhojë kot së koti mbi 3 miliarda € në vit për t’u armatosur deri në dhëmbë (kryesisht nga Rusia, Kina,) me tanke, Mig-29, helikopterë, raketa, përfshi kontrata 1.63 miliardë €, për sisteme dhe dronë të gjeneratës së fundit nga Izraeli, pra: “të mos kërcënojë si shtet terrorist devijimin e burimeve natyrore mes dy shteteve sovrane (Kosovë/Serbi), si dhe t’i rikthehet pa kushte negociatave, masave të mirëbesimit reciprok si dhe axhendës së integrimit euroatlantik” !

Për ta përmbyllur, përtej sencitiviteteve patriotike dhe zhgënjimit që mbart kjo deklaratë [përfshi autorin që ka publikuar (në rajon, Washington, Bruksel, etj) me dhjetra vlerësime strategjike mbi përballjen stoike të ukrainasve] do duhet që RSh të vijojë mbështetjen e të projekteve të USA/NATO-s dhe kontributet deri në çlirimin e territoreve (-20 %) të pushtuara nga Rusia (përfshi Krimenë), si dhe rivendosjen e sovranitetit territorial dhe shtetëror në të gjithë Ukrainën. (Kjo fitore, mbart interesa të shtuara edhe për RSh/Kosovën).

Nga ana tjetër: “kolapsi politiko- ekonomik dhe diskreditimi ndërkombëtar, që e pret Rusinë-Putiniste mbas humbjes turpëruese të luftës në Ukrainë, etj mbeten rrethana (por jo dhurata) të favorshme në dobi të faktorizimit të RSh/Kosovës në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha, si dhe për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat gjeopolitike, fatmirësisht të ndërthurura në ato Amerikane në Rajon, Mesdhe, etj.”!

Përtej kësaj deklarate, praktikisht pa peshë, por duke konsideruar mësimin e hidhur nga gjysmimi që iu imponua “Shqipërisë Natyrale” nga pafuqia e Saj ushtarake në Konferencën e Versajës (1918), do t’i ri-këshilloja publikisht dhe vëllazërisht (me përulje, nëse do të ishte e dobishme) faktorët dhe aktorët në Tiranë dhe Prishtinë: “të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe përgjegjësive shtetërore për t’i dhënë jetë Platformës 2-Shtete sovrane, 1-Komb i vetëm”, duke konfirmuar në Washington, Bruksel, etj, se: “edhe pse e vonuar, kjo qasje nuk kërcënon asnjë vend, përfshi Serbinë, përkundrazi do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjatë dhe Integrimin Euroatlantik të vendeve të rajonit”.

Ndërsa si nisje, do duhet të ndalet konkurenca për “mëvetësi absurde” (made in Kosovo ose made in Albania), dhe duke filluar ASAB me dy projekte të përbashkëta, njëherësh shëmbullore: (1) për Emergjencat Civile dhe prokurimet për blerjen e avionëve zjarrfikës, si dhe (2) zhvillimin e industrisë ushtarake, posaçërisht për prodhimin e armatimeve, municioneve, sistemeve, dronëve luftarakë, etj.

Filed Under: Analiza

Dy qasje filatelike ndaj luftës Rusi–Ukrainë

August 12, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Në periudha konfliktesh, filatelia tejkalon funksionin e saj tradicional përkujtimor. Pulla postare dhe zarfi i ditës së parë bëhen një mënyrë për të treguar se si një shtet e sheh dhe e interpreton luftën. Pikërisht në këtë drejtim shfaqet një dallim i dukshëm midis filatelisë ruse dhe asaj ukrainase pas fillimit të pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Në një pjesë të konsiderueshme të emetimeve ruse të kësaj periudhe mbizotëron një gjuhë vizuale e lidhur drejtpërdrejt me fuqinë ushtarake: tanke, avionë, raketa, ushtarë, mjete luftarake dhe simbole të ushtrisë. Lufta paraqitet përmes instrumenteve të saj materiale dhe ushtria bëhet elementi kryesor i mesazhit. Imazhi përcjell forcë, teknologji dhe aftësi luftarake.

Filatelia ukrainase, pa e shmangur temën e luftës dhe mbrojtjes, në disa emetime zgjedh një tjetër mënyrë komunikimi. Përveç ushtarit dhe armës, ajo vendos në qendër njeriun, kulturën, letërsinë, folklorin, kujtesën historike dhe identitetin kombëtar. Kjo e zhvendos mesazhin nga ajo që përdoret për të luftuar tek ajo që synohet të mbrohet. Një shembull domethënës është emetimi i lidhur me poemën “Armiku” të poetes ukrainase Liudmyla Horova, publikuar më 22 prill 2022. Poema përmend qytete si Buça, Irpini, Mykolaivi, Harkivi dhe Mariupoli, duke i shndërruar emrat e tyre në simbole të dhimbjes, kujtesës dhe qëndresës ukrainase.

Veçanërisht domethënës është transformimi i kësaj poezie në imazh filatelik. Emetimi “Qoftë mbi ty mallkimi i shtrigës, armik”, i ilustruar nga artistja Kateryna Shtanko, nuk vendos në qendër një tank, raketë apo kolonë ushtarake, por figurën e shtrigës, të marrë nga folklori ukrainas.

Kjo zgjedhje i jep luftës një dimension tjetër simbolik. Shtriga, e ardhur nga bota e legjendave dhe besimeve popullore, shndërrohet në figurë të zemërimit, forcës dhe qëndresës. Në vend të armës si simbol i fuqisë fizike, përdoret kultura si burim i fuqisë morale.

Këtu qëndron edhe një nga dallimet më interesante midis dy qasjeve. Imazhi ushtarak e paraqet luftën kryesisht si përplasje forcash, ndërsa simboli kulturor e lidh atë me arsyen pse një shoqëri lufton për të mbijetuar: për tokën, familjen, kujtesën, traditat dhe identitetin e saj. Një tank tregon fuqinë e luftës; një figurë folklorike, një poezi apo një këngë tregon atë që ndodhet përtej fushës së betejës.

Lidhja e emetimit te zarfit ilustruar me poezinë është po aq e rëndësishme. “Armiku” është një reagim artistik ndaj realitetit të luftës. Fjala shndërrohet në këngë, kënga në emocion kolektiv dhe më pas imazhi filatelik e fikson këtë emocion në një objekt që mund të ruhet e të studiohet edhe në të ardhmen. Për këtë arsye, zarfi i ilustruar “Mallkimi i shtrigës” ka vlerë jo vetëm filatelike, por edhe dokumentare e kulturore. Ajo nuk tregon vetëm çfarë ndodhi, por edhe mënyrën se si një shoqëri e përjetoi konfliktin. Nëse historia zyrtare regjistron datat, betejat dhe vendimet, filatelia mund të ruajë gjuhën emocionale dhe simbolike të një kohe.

Në këtë këndvështrim, përballja e filatelisë ruse me atë ukrainase tregon dy mënyra të ndryshme të komunikimit të luftës: në njërën anë, arma dhe fuqia ushtarake; në tjetrën, fjala, kultura dhe simboli folklorik. Pikërisht ky kalim nga arma te kultura dhe nga objekti ushtarak te simboli njerëzor i jep filatelisë ukrainase të këtij emetimi një dimension të veçantë.

Filed Under: Analiza

PER NJE GRUA RA TROJA PER NJE KARRIKE BIE KOSOVA

August 12, 2026 by s p

Zef Pergega/

 Tё gjithё e dimё historinё. Pёr njё femёr tё bukur, pёr njё tradhti bashkёshortore ra Troja dhe pёr njё karrike tё lakmuesme sa bukuria e Helenёs po bie Kosova.

   Besoi se e kam dёshmue me liba, shkrime e vepra atdhetare dashurinё pёr Kosovёn, pёr gjakun e deshmoreve. Ne nё Amerikё jemi frymёzue prej malsorёve, prej Gjok Martinit e shumё tё tjerёve heronj tё demostratave pёr lirinё e Kosovёs. Sa morёn pushtetin bimbashet, shumё prej tyre ishin tё fshehur ose defreheshin nё klubet e natёs me serbet, nuk u ndiu fare tё paktёn pёr njё falenderim qoftё edhe si kortezi. Shpejt e harruat nderen se nga Detroiti erdhen 16 vetё tё luftonin me ju e u krijue “Fondacioni Vendlidja therret!”

    Vjen njё ditё e njeriu i mёrguar qё la gruan nё spital e u nis mё çue armё pёr nё Kosovё, tjetri la punёn e nuk i pyeti prindёrit, por nё areroport veshi uniformёn e UCK-sё, tjetri u nis pёr nё Shtepinё e Bardhё tё takonte Klintonin, e tjetri…, o sa shumё sakrifikun pёr ketё ideal, por….mosmirёnjohje totale, krej more bac pashalare. Eshtё fytyrzi e katran nё shpirt shqiptari pёr karrike sunduesi e agallari me brekushe osmani…

    Ai ёshtё i mençuri i tё gjithё botёs, por asnjёherё pёr punёt e veta nuk u vuni gishtin kokёs!

    Pёr njё grua tё martuar u mbyt nё gjak Troja, ndёrsa pёr karrikёn e presidentit honor ka rrezik edhe tё gjakoset Kosova. 10 milion dollarё pёr njё palё zgjedhje jo zgjidhje. Zgjidhje nё tё mirё tё popullit, demokracisё dhe sigurisё s’ka edhe pse nё fushatё e lirojnё kollarёn nga fyti pёr tё ia lidh votuesit mё pas pёr tё ia zan frymёn. 

  Janё zverdh nё fytyrё politikanёt e Kosovёs, kur ua kam thenё miqёsisht: vini tre katёr nga komunitetin katolik nё qeveri e nё trupin diplomatik jashtё Kosovёs. Vini nga pakicat ne diplomaci e ne qeveri qoftё edhe serb tё pranueshёm nё dialog.  Pёrfshini rininё qё ka mbaruar jashtё  nё qeveri e profesione. U zverdhёn si zhapini! Pse?!

   Sepse pushteti nё Prishtiniё s’ka vlera shpirtёrore qyeteruese, por krahinore siç ёshtё nё Shqipёri qё nё kohёn e luftёs partizane. Ama ajo Albulena ta shpif mbi takat e tangerllekut, sikur ka dal nga elita boterore sa mё dukёn sё popullit iu ngulen nё dritё tё syve! C’ёshtё kjo shfaqje e piste me truproje e bodigardё nga pas! Ky ёshtё modeli i perfqesuesit tё polullit?! Senatoret e kongresmenet amerikanё levizin me makinat e veta pa armё nё brez e pa bodigardё vetёm mё stafin zyrёs! A me tё vertetё me mend e Albulenave mund tё ketё properitet Kosova?! 

    Ju keni njё kyetar Bashkie nё Prishtinё njё arkitekt i zoti qё ka jetuar jashtё nё Londёr me bashkёshorte shqiptaro- amerikane e leme nё Detroit dhe e njoh personalisht e familjarisht, tё cilёt kanё njё histori suksese. Axha i saj Pjetёr Ivezaj qё u burgos nё Mal tё Zi bёri qё Kongresi amerikan tё ndёrpriste maredhёnjet me Jugosllavinё, pёr tё ardhur tek bombardimi. Po ju ua ka zenё sytё gjaku i lluksit.  Apo do tё thoni se ajo ёshtё kryqalije?! Pa pyeteni njere z. Rama se çmendon pёr rolin e shtetit dhe tё presidentit?!

   Kjo ёshtё njё lojё sulltanore e sllave me thika mbas shpine si ato 33, herё tё ngulurat tё Brutit. Pse pas zgjedhjeve kёrkohet “marrevjeshje politike”. Kjo u kёrkua edhe ma parё e nuk pati rezultat. Ku ishim, hiq gjёkundi, siç ishte mbeti katundi! Pёrsёri e pikёn zero, pёrsёri 10 milion ero!

    Nuk do tё jetё e larget dita qё toka dadane do tё sulmohet nga ortodoksizmi dhe helmi i kishёs se saj edhe nga ajo greke, maqedore e malazeze, sepse keni lejuar qё femija nё bark tё nanёs tё ushtarit tё UCK-se, tё hapur nga bajoneta e karabinёs sё paramilitarit serb, sot po ushqehet me tamlin e ushqimet e Serbisё. Nuk ka patiotizёm nё ketё drejtim vetёm lёshim. As opozita me armёn e patriotizmit dhe tё krahinizmit po bёn njё vetёvrasje nё dem tё Kosovёs, t’ue e bin botёn se shqiptarёt jane mbeturina osmane dhe nuk dinё tё qeverisen, teze kjo e armikut e po i shkoni pas me gjethe tё fikut!

   Ma tё bute, burra, me tё ndёgjegjshёm, me komunikues dhe ma dritё nё sy para territ tё muzgut gjakpirёs tё karrikёs!

   Ku ёshtё ngёrçi?! Karrikja e presidentit! Sypistç para saj shqiptari. Ҫuditem ku e mbaruan shkollёn gazetarёt e Prishtinёn qё u shkojnё mbrapa kalit me zorrё nepёr kambё?! Ata nuk dinё si ato nё Shqipёri se ç’ёshtё lajmi?

                        I dashtun Albin!

   Ti e din se e kam treguar respektin pёr Ju nё dy vizita qё keni bёrё nё Detroit. I lexova sot shkrimet e mia dhe kronikat televizive, por nuk i kam pa tё realizuera ato premtime! Si more burrё i mirё e i dashtun nuk u ule njёherё gju me me gju me diasporen, me pleqtё e maleve se lluksi i Prishtinёs se tangelleku idiot i Albulenёs tё ban peng, ai s’ka nder as taban. Si more nuk e bane njё takim me disa shkrimtarё, poet e studiues mё i pyet e mё qa hall?!

    Se pari, i dashtun liroje frymёmarjen demokratike tё Kosovёs, duke ia len karrikёn e presidetit opozitёs. Kuptoje lojёn, duhet ta kishe kuptuar pa patur nevojё tё shkoje ne zgjedhje dhe mos u kap pas saj si i mbyturi se vjen shpejt momenti e nuk ta jep kush dorёn. Politikёn shqiptare nuk e ke me vete, me tё drejtё apo pa tё drejtё, por as opoziten e shqiptarёve nё Maqedoni se ёshtё e zёnё me solemnitete e glorifikime deri nё marri shqiptare, mё i shpall polikanёt e vet shenjtёr.

    Lenja Vollces detyrёn e Pesidencёs dhe kёtu mbyllet cikli,  e mos e  bajё pёr vete se besoj se asnjё nga tё tutё nuk e ban ma mirё se ajo, le ma ta mbash pёr Albulenёn me gjeste tё pa etikshme dhe as per ndonjё konsensual. Per kosensual duhej shkue ne referenduam dhe ta kishe shpall emrin ose disa prej tye kandidat e te pytej populli si e doni Presidentin?!

    Politika amerikane ёshtё e zgёnjyer pёr ketё veprim, i dashtun Albin. Ajo sigurisht hesht se amerikanet nuk tё ndalojnё tё besh atё qё don, por nёse nuk u pelqen nё rastin mё tё parё tё ndёshkon. Ban kuvend me burra tё mёnçur tё Kosovёs dhe jo lёpirёsit qё i kacavarёn si gjarpёr pushtetit, duke mos i pёrfill gёrrhitjet politike dhe si njeri gjigand e tolerues e i qytenuem nxirre Kosovёn nga kolapsi politik e jepi frymё qё tё marri frymё.

  Hiqe traun e rrugёs sё kombit. Nuk mё lanё tё kaloi me patentёn amerikene. Shprehja: “Unё jam fituesi tё çon tek humbçsi! Sa ma parё organizo dёgjesёn me studentё e profesorё dhe me diasporёn. Ajo ministria e disporёs ёshtё njё syqorre e punё hore!

    Tё fala nga njё mik qё ta don tё mirёn nga njё za nё Amerikё, por dashnia pёr Kosovёn ёshtё gjaku im i ngrirё, nё dorёn jashtё vorrit tё luftёtarit tё pavarёsisё e nё lotin e lokёs, qё nuk i thahet derisa tokёs sё Dardanisё ti vinё sytё e lirisё.

   Edhe njeherё, i dashtun lenja postin e presidentit opozitёs e mos ban lojё me numrat, he tu prifte e mbara. Jam thjeshtё e mik i yti bash si fjala!

Filed Under: Analiza

PËRQAFIMI ZELENSKY-VUÇIQ DHE PLAGA QË DUHET TË NA SHQETËSOJË MË SHUMË: PËRÇARJA SHQIPTARE

August 11, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

Ukraina kërkon respekt për sovranitetin e saj, Serbia këmbëngul kundër Kosovës, ndërsa Tirana dhe Prishtina vazhdojnë të flasin shpesh me dy zëra. Kjo është koha për një politikë shqiptare më të bashkuar, më të mençur dhe më të vendosur. Përqafimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Beograd nuk mund të kalojë pa koment. Jo sepse një përqafim diplomatik është diçka e pazakontë, por sepse pas kësaj fotografie qëndrojnë dy realitete që vështirë se mund të mos përplasen në mendjen e kujtdo që e njeh sadopak historinë e Ballkanit. Nga njëra anë është Ukraina, e cila prej vitesh lufton për sovranitetin dhe integritetin territorial të saj dhe kërkon nga bota që të mos pranojë pushtimin rus.

Nga ana tjetër është Serbia, e cila vazhdon të deklarojë se nuk do ta njohë kurrë Kosovën si shtet të pavarur. Dhe pikërisht këtu lind pyetja që Prishtina dhe Tirana duhet t’ia bëjnë hapur Kievit. Si mund të kërkojë Ukraina respekt për sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, ndërsa vetë vazhdon të mos njohë Kosovën? Kjo nuk është pyetje kundër popullit ukrainas. Nuk është as kundër luftës së drejtë të Ukrainës për mbijetesë. Është pyetje për parimet. Sepse nëse sovraniteti dhe integriteti territorial janë parime të së drejtës ndërkombëtare, atëherë ato duhet të vlejnë për të gjithë, jo vetëm për ata që kanë nevojë për mbështetjen e botës në një moment të caktuar.

Solidariteti me Ukrainën nuk kërkon heshtjen për Kosovën. Shqiptarët e kuptojnë shumë mirë dhimbjen e Ukrainës. E kuptojnë mirë çfarë do të thotë të përballesh me një fuqi shumë më të madhe. E kuptojnë çfarë do të thotë të luftosh për lirinë dhe ekzistencën. Kosova ka kaluar nëpër luftë, dëbime, dhunë dhe krime nga regjimi terrorist serb i Millosheviçit. Aleanca perëndimore NATO, ndërhyri për t’i dhënë fund katastrofës humanitare dhe Kosovës iu hap rruga drejt lirisë dhe shtetësisë. Prandaj shqiptarët nuk kanë asnjë arsye të jenë indiferentë ndaj fatit të Ukrainës. Përkundrazi, Shqipëria dhe Kosova duhet të vazhdojnë të jenë në anën e Ukrainës kundër agresionit rus. Por solidariteti nuk do të thotë heshtje. Miku i vërtetë nuk është ai që të duartroket gjithmonë. Është ai që të thotë të vërtetën edhe kur ajo nuk të pëlqen. Dhe e vërteta që duhet t’i thuhet Kievit është e thjeshtë: Nëse integriteti territorial është parim për Ukrainën, ai nuk mund të jetë përjashtim kur bëhet fjalë për Kosovën. Kosova nuk kërkon privilegj. Por kërkon të njëjtin standard.

Ndërkaq, Vuçiçi e di shumë mirë se çfarë kërkon. Aleksandar Vuçiçi nuk është politikan që vepron pa llogari. Serbia prej vitesh luan një lojë të kujdesshme mes Perëndimit, Rusisë dhe Kinës. Beogradi kërkon afrimin me Evropën, por njëkohësisht ruan marrëdhëniet e veçanta me Moskën dhe vazhdon politikën e tij të mosnjohjes së Kosovës. Tani Serbia po afrohet edhe me Ukrainën. Ka interesa ekonomike, politike dhe strategjike. Ukraina ka nevojë për mbështetje, marrëdhënie dhe partnerë të rinj. Kievi ka interes të forcojë pozitat e veta në Evropë dhe në Ballkan.

Por këtu shtrohet pyetja: A duhet që Kosova të paguaj çmimin e kësaj diplomacie? Kjo është ajo që Prishtina duhet ta bëjë të qartë. Sepse Vuçiçi e di se Kosova është karta më e fuqishme e politikës së jashtme të Serbisë. Dhe nëse Beogradi arrin ta përdorë afrimin me Ukrainën për të forcuar pozicionin e vet kundër Kosovës, atëherë kjo nuk duhet të kalojë në heshtje. Por problem kryesor nuk është vetëm Beogradi, Moska e Kievi.

Këtu arrijmë te pjesa më e dhimbshme e kësaj historie. Shqiptarët, historikisht, kanë plot të drejtë që të ankohen dhe të kritikojnë trajtimin e tyre, anë e mbanë trojeve të veta. Por, para se të drejtojmë gishtin ka Beogradi, Moska, Kievi apo kancelaritë evropiane, duhet të shohim edhe nga vetja. Plaga më e madhe e shqiptarëve vazhdon të jetë mungesa e një politike të koordinuar shqiptare, në interes të kombit. Sidomos vitet e fundit, Tirana dhe Prishtina shumë herë nuk janë paraqitur si dy shtylla të së njëjtës hapësirë shqiptare dhe evropiane, por si dy qendra politike që konkurrojnë, dyshojnë dhe kundërshtojnë njëra-tjetrën.

Ky është një luks që shqiptarët nuk mund t’ia lejojnë vetes. Në diplomaci nuk mjaftojnë emocionet, duhet strategji. Nëse Beogradi shkon në Kiev me një qëndrim të qartë për interesat e Serbisë, ndërsa Tirana dhe Prishtina shkojnë nëpër kancelari me mesazhe të ndryshme, kush del më i fortë? Përgjigjja është e qartë. Serbia nuk ka nevojë gjithmonë të fitojë betejën me shqiptarët. Mjafton që shqiptarët të humbin kohën duke luftuar me njëri-tjetrin, siç po ndodhë me klasën aktuale politike në Tiranë dhe në Prishtinë. Ky është një nga mësimet më të hidhura që duhet të nxjerrim nga fotoja e përqafimit Zelensky-Vuçiq.

Mjaft është mjaft! Tirana dhe Prishtina duhet të ulen në të njëjtën tryezë në mbrojte të interesave kombëtare. Kjo është koha për një ndryshim të mentalitetit politik përçarës që ka dominiuar marrëdhëniet ndërshqiptare. Nuk është hera e parë që kam theksuar nevojën për bashkrendim të interesave kombëtare midis Tiranës dhe Prishtinës -Frank Shkreli: Për një normalitet në marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, jo fjalë boshe! | Gazeta Telegraf- sidomos kur preken çështje që kanë rëndësi strategjike për shqiptarët. Tirana dhe Prishtina duhet të konsultohen me njëra tjetrën, para se të flasin me botën.

Jo për të krijuar një politikë të përbashkët që cenon sovranitetin e Kosovës apo të Shqipërisë. Jo për të ndërhyrë në punët e njëra-tjetrës. Por për të siguruar që, në çështjet madhore të Kombit, interesat shqiptare të mos paraqiten të përçara. Midis dy shteteve shqiptare, duhet të ketë konsultim të rregullt për zhvillimet në rajon, marrëdhëniet me BE-në dhe NATO-n, dialogun Kosovë–Serbi dhe marrëdhëniet me fuqitë që ndikojnë në Ballkan. Një Shqipëri e fortë dhe një Kosovë e fortë nuk janë kërcënim për askënd. Por një Shqipëri dhe një Kosovë që flasin me dy zëra janë një mundësi për të tjerët. Dhe Beogradi e di shumë mirë këtë gjë.

Kosova nuk duhet të jetë monedhë këmbimi. Kjo duhet të jetë pika ku Prishtina dhe Tirana duhet të jenë, absolutisht, të qarta. Kosova nuk mund të jetë çmimi i një afrimi Ukrainë–Serbi. Kosova nuk mund të jetë kusuri i një marrëveshjeje ekonomiko-politike Serbi-Ukrainë. Kosova nuk mund të jetë peng as i interesave të fuqive të mëdha në rajon. Dhe, mbi të gjitha, Kosova nuk mund të jetë përsëri në duart e diplomacisë së të tjerëve. Fatkeqsisht, historia shqiptare është e mbushur me raste kur të tjerët kanë vendosur për shqiptarët. Në konferenca, në kancelari, në marrëveshje diplomatike. Në tavolina ku shqiptarët shpesh nuk kanë qenë të pranishëm. Nuk duhet të përsëritet ajo histori. Sot shqiptarët kanë dy shtete, institucione, aleanca dhe miq ndërkombëtarë. Por, mbi të gjitha, duhet të kenë edhe vetëdijen politike për të mbrojtur interesat e veta, me një zë.

Prandaj, përqafimi Zelensky-Vuçiq duhet të zgjojë shqiptarët, jo t’i trembë ata — se Zelensky në Beograd po mbron interesat e Ukrainës. Vuçiçi po mbron interesat e Serbisë. Kancelaritë evropiane po mbrojnë interesat e tyre. Kjo është politika ndërkombëtare. Pyetja që shqiptarët duhet t’i bëjmë vetes është: Kush po i mbron interesat e Kosovës, Shqipërisë dhe të drejtat e shqiptarëve në përgjithsi, në trojet e veta shekullore? Frank Shkreli: At Gjergj Fishta dhe të drejtat e shqiptarëve – Zemra Shqiptare Dhe këtu shqiptarët nuk mund të presin gjithmonë përgjigjen nga të tjerët. Duhet ta japin vetë përgjigjen në mbrojtje të interesave të përbashkëta të dy shteteve shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Prishtina duhet të flasë. Tirana duhet të flasë.

Dhe, për çështjet strategjike, duhet të flasin me një zë. Jo kundër Ukrainës. Jo kundër Evropës. Jo kundër askujt. Por për Kosovën dhe për interest kombëtare të shqiptarve, sidomos Kosovës, se Kosova nuk është monedhë këmbimi, as nuk është dekor diplomatik, për askënd. As nuk është dosje që hapet e mbyllet sipas interesit të ditës, nga miq e armiq të saj. Kosova sot është një realitet politik, historik dhe njerëzor, një shtet i pavarur i njohur nga mbi 120-shtete të botës. Dhe nëse përballë një fotografie Vuçiq-Zelenski në Beograd, Tirana dhe Prishtina vazhdojnë të merren më shumë me njëra-tjetrën sesa me atë që po ndodh rreth tyre, atëherë rreziku nuk vjen vetëm nga jashtë.

Rreziku vjen edhe nga renda –“rreziku i përbrenshëm”, e ka quajtur dikur At Gjergj Fishta — paaftësia e liderve të klasës aktuale politike shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë për të qenë bashkë kur historia i kërkon të jenë bashkë. Frank Shkreli: Pa busull historike, kur “kultura” përplaset me kujtesën kombëtare në Prizren dhe heshtja e institucioneve në Prishtinë e në Tiranë | Gazeta Telegraf. Kjo është ajo që duhet të ndryshojë. Jo nesër, por sot. “Qëllimi ynë i shenjtë është mbrojtja e të drejtave të Kombit shqiptar”, ka thënë Abdyl Frashëri, ideolog e atdhetar i shquar i Rilindjes së Vërtetë Kombëtare Shqiptare.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 1024
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • STOP DHUNËS NDAJ STUDENTËVE!
  • JO NJË KATOVICË TË DYTË! – SHQIPËRIA KA NEVOJË PËR NJË FILLIM TË RI, JO PËR RICIKLIMIN E PUSHTETIT!
  • “Humanoidët”, një çast në atelierin e Artur Muharremit
  • Life in “Time Shelter”
  • Akademia e Shkencave kujton sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta poetin e madh të kombit që i dha zë Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërin
  • Studentët kanë gjithmonë të drejtë!
  • Më dhemb ajo që po shoh nga larg
  • Kur miqtë e Shqipërisë kthehen kundër qeverisë, fundi i iluzionit politik Rama?
  • KARRIGET E PUSHTETIT DHE LIRIA E POPULLIT
  • KËRKESAT E STUDENTËVE JANË EDHE KËRKESAT E NJË POPULLI TË TËRË!
  • EDI RAMA, SHQIPËRIA NUK MUND TË MBAHET PENG PËR PUSHTETIN TËND!
  • “Ndalimi i torturës dhe i trajtimit çnjerëzor ose poshtërues është absolut”
  • A PRIME MINISTER WHO IS BOTHERED BY THE VERY CONCEPT OF THE RULE OF LAW
  • Studentët dhe rinia që po protestojnë kundër qeverisë, nuk janë armiq të Shqipërisë
  • Shqipëria nuk do të jetë më e njëjtë!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT