• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Memo: Deti, Dendias dhe heshtja shqiptare

May 29, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

Ka diçka të çuditshme në mënyrën se si Shqipëria diskuton për detin e saj. Sa herë që në Athinë del një ministër grek dhe flet me ton perandorak për “marrëveshjen”, në Tiranë bie një heshtje ceremoniale, pothuaj liturgjike, sikur të ishte ndezur ora e zisë kombëtare të diplomacisë shqiptare. Dhe në qendër të kësaj skene shfaqet herë pas here figura e Nikos Dendias, i cili flet për detin shqiptar me sigurinë e një pronari që po mat gardhin e oborrit të vet madje me petkun e ministrit të Mbrojtjes.

Ndërsa pala greke negocion me hartë, koordinata, strategji dhe arrogancë shtetërore, pala shqiptare negocion me buzëqeshje protokollare, darka diplomatike dhe deklarata që ngjajnë si statuset e një kursi motivimi: “marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivel të shkëlqyer”. Çuditërisht, sa më “të shkëlqyera” bëhen marrëdhëniet, aq më shumë Shqipëria duket sikur humbet zë.

Pyetja është përse ky takim tani, pikërisht kur Shqipërisë po i hapen dritare shprese për në BE, dhe kur Greqia e merr Kryesinë e Radhës së BE-së?

Problemi nuk është se Greqia mbron interesat e saj. Kjo është detyra e çdo shteti serioz. Problemi është se Shqipëria sillet sikur mbrojtja e interesit kombëtar është një sjellje primitive, nacionaliste, e pahijshme për epokën e integrimit europian. Në Athinë patriotizmi quhet diplomaci. Në Tiranë diplomacia shpesh duket si dorëzim me kollare.

Sa herë që përmendet çështja e detit, qytetarët shqiptarë nuk dëgjojnë argumente, transparencë apo debat parlamentar. Ata dëgjojnë vetëm një refren të mjegullt: “çështja do të zgjidhet në mënyrë europiane”. Kjo është bërë formula magjike për të mos shpjeguar asgjë. Askush nuk pyet më: Çfarë po negociohet? Çfarë fitojmë? Çfarë humbasim? Kush i vendosi vijat? Kush i kontrollon ekspertët? Kush mban përgjegjësi?

Në vend të përgjigjeve kemi heshtje. Një heshtje që rëndon më shumë se vetë deti.

Dhe heshtja nuk është neutrale. Heshtja është gjithmonë në favor të më të fortit. Në këtë rast, në favor të atij që vjen me projekt, presion diplomatik dhe strategji afatgjatë. Greqia nuk ka ndryshuar kurrë në objektivin e saj: maksimalizimin e hapësirës detare dhe juridike në Jon. Ndërsa Shqipëria ka ndryshuar vetëm ministrat, zëdhënësit dhe sloganet.

Ironia më e madhe është se politika shqiptare sillet sikur populli nuk kupton. Sikur deti është një abstraksion teknik që mund të fshihet pas disa termave juridikë në anglisht. Por qytetarët e kuptojnë shumë mirë një gjë: sa herë që shteti nuk flet qartë për territorin, zakonisht ka diçka që nuk shkon.

Në çdo vend normal, një debat për kufijtë detarë do të ishte temë kombëtare. Do të kishte universitete, ekspertë të pavarur, komisione parlamentare, media investigative. Në Shqipëri kemi vetëm disa dalje televizive me tone qetësuese dhe pastaj një mur heshtjeje, ku çdo kritik etiketohet menjëherë si “anti-europian”, “nacionalist folklorik” ose “prorus”, sipas modës së ditës.

Ndërkohë Nikos Dendias vazhdon të shfaqet si një administrator i durueshëm i interesit grek. Ai flet hapur. Pohon rrënjët e tij nga Himara .Kërkon hapur. Lobon hapur. Nuk turpërohet nga interesat e vendit të tij. Dhe ndoshta ky është dallimi më i madh mes Athinës dhe Tiranës: njëra palë beson tek shteti i vet, pala tjetër tek propaganda e vet.

Ndërkohë sipas të gjitha gjasave kemi të bëjmë me një lëvizje të rëndësishme politike ndërmjet dy vendeve, drejt një hapi të ri të marrëdhënieve, për të cilat deri tani ka vetëm hipoteza.

Megjithatë, një sinjal natyrisht simbolik, kanë dhënë qoftë kryeministri shqiptar, qoftë ministri grek i Mbrojtjes.

“Kryeministria – Me Ministrin grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, një mik i çmuar dhe një mbështetës i palëkundur i partneritetit strategjik mes Shqipërisë e Greqisë”, shkroi Edi Rama në rrjetet sociale.

Një kod i qartë që lexohet si një diskutim pikërisht mbi “partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë” me një nga partizanët e saj në Athinë. Rama është kushuri me Dendias, pohoi ai që një herë ishte sebepi i sherrit, Fredi Bejleri.

Ta zëmë se nuk ka lidhje me detin. Ta zëmë se gjithë kjo dashuri diplomatike greke për Shqipërinë nuk ka fare aromë jodi, hartash detare, koordinatash apo vijash imagjinare mbi Jon. Ta zëmë se ministrat buzëqeshin thjesht nga dashuria ballkanike dhe jo nga ndonjë interes i lashtë gjeostrategjik. Mirë. Po atëherë lind një pyetje naive: çfarë po kërkojnë me kaq ngulm prej dy vitesh?

Mos vallë vetëm rinovimin e “Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit”? Ah, sa romantike tingëllon! Një traktat miqësie mes dy vendeve që teorikisht janë ende në gjendje lufte që prej vitit 1940. Një absurditet që vetëm Ballkani mund ta prodhojë: në mëngjes të buzëqeshin si partnerë europianë, në drekë të të japin leksione paternaliste dhe në darkë të ruajnë në sirtar ligjin e luftës si relike të dobishme për ditë me shi.

Sepse Greqia e ka këtë talent të rrallë diplomatik: të sillet si kujdestar i Shqipërisë, si një xhaxha i pasur që i ledhaton flokët nipit të varfër, por që mban gjithmonë çelësin e kasafortës në xhep. “Ne ju duam shumë”, thonë, “por duhet të silleni mirë.” Dhe “sjellja mirë” zakonisht përkthehet: mos kundërshtoni për detin, për minoritetin, për pronat, për çamët, për varrezat, për tekstet historike dhe, nëse është e mundur, kërkoni falje edhe për motin kur fryn era nga veriu.

Në emër të “miqësisë”, Athina kërkon një marrëdhënie ku Shqipëria duhet të jetë gjithmonë pala mirënjohëse, ndërsa Greqia pala civilizuese. Një lloj protektorati emocional me flamur europian. Dhe sa herë Tirana ngre kokën pak më lart se zakonisht, del ndonjë ministër grek që kujton me delikatesë se “çështjet e hapura” ekzistojnë ende.

Por pyetja mbetet therëse: si mund të ketë miqësi reale kur ligjërisht ekziston ende hija e luftës? Çfarë lloj partneriteti është ky, ku njëra palë mban ende në raft një dekret lufte, ndërsa flet për fqinjësi të mirë? Është pak a shumë si të ftosh dikë për darkë, por të mbash pushkën pas dere “për çdo rast”.

Dhe pastaj kërkojnë besim. Sinqeritet. Bashkëpunim strategjik. Natyrisht! Sepse grekët, sipas narrativës zyrtare, janë gjithmonë të shqetësuar vetëm për stabilitetin, demokracinë dhe prosperitetin shqiptar. Asnjëherë për ndikim. Asnjëherë për kontroll. Asnjëherë për zgjerim të interesave të tyre në rajon. Jo, jo. Të gjitha këto janë thjesht paranoja shqiptare. Ashtu siç “rastësisht” çdo negociatë për miqësi shfaqet sa herë afrohet ndonjë debat për detin.

Në fund, duket sikur Shqipërisë i kërkohet të sillet si fqinj modern europian, ndërsa Greqisë i lejohet luksi të mbajë ende në xhep fantazmat juridike të Luftës së Dytë Botërore. Dhe kur dikush e vë në dukje këtë absurditet, përgjigjja zakonisht është një buzëqeshje diplomatike dhe një leksion për “bashkëpunimin rajonal”.

Dhe ndoshta pyetja më shqetësuese nuk është çfarë kërkon Greqia. Ajo dihet. Pyetja është: pse Shqipëria ka kaq frikë të flasë për atë që është e saj?

Pala greke, pavarësisht pretendimeve që ai i konsideron të padrejta, paraqitet e bashkuar dhe e qartë në objektivat e saj, ndërsa pala shqiptare duket e fragmentuar, pa koordinim dhe në pozita inferiore.

Në Greqi, kur bëhet fjalë për interesin kombëtar, politikanët bashkohen – Tsipras me Mitsotakis – me një synim të përbashkët: që ndarja e detit të favorizojë sa më shumë Athinën. Gjykata e Hamburgut funksionon ndryshe, pasi lejon edhe ankime shtesë. Haga, nga ana tjetër, i dëgjon palët mbi bazën e ankimeve të paraqitura dhe kufizohet në pak pyetje, ndërsa zgjidhja në fund mbetet më shumë politike sesa juridike.Pikërisht për këtë arsye, dërgimi i çështjes në Hagë ishte një gabim politik, si nga pala shqiptare, ashtu edhe nga Greqia .

Deti nuk është vetëm ujë. Deti është sovranitet, ekonomi, energji, gjeopolitikë, peshkim, korridore strategjike. Kush kontrollon detin, kontrollon të ardhmen. Prandaj shtetet serioze nuk negociojnë me mjegull.

Ballkani, fundja, është i vetmi vend ku mund të jesh njëkohësisht mik, partner, aleat në NATO… dhe armik de jure.

Filed Under: Analiza

Kur Europa bëhet pasqyrë, jo dekor!

May 28, 2026 by s p

Çdo pushtet e do qytetërimin kur qytetërimi i shërben si dekor. E do gjuhën e tij të lartë, ceremonitë, flamujt, fotografitë, sallat, miqtë ndërkombëtarë, dokumentet e trasha, datat që mund të varen në mur si kujtim fitoreje. Dekori nuk e gjykon pushtetin. I jep ndriçim. I rregullon pamjen. Ia mbulon rrudhat. Ia bën fytyrën më të qetë para publikut. Pushteti e do dekorin sepse dekori nuk kërkon të vërtetë.

Pasqyra është tjetër gjë. Pasqyra nuk i jep pushtetit një fytyrë më të mirë. Ia kthen fytyrën që ka. Nuk e pyet sa bukur flet për ligjin, por si sillet kur ligji i afrohet. Nuk e pyet sa shpesh përmend Europën, por çfarë bën kur Europa kërkon kufij mbi pushtetin. Nuk e pyet sa shumë e do qytetarin në fjalim, por sa i vogël ndihet qytetari kur hyn në zyrë, kur shkon në gjykatë, kur kërkon të dëgjohet, kur voton, kur përballet me administratën, kur sheh se disa dyer hapen për të fortin dhe mbyllen për të drejtin.

Dekori e ndihmon pushtetin të duket. Pasqyra e detyron shtetin të shihet. Më 26 maj, Shqipëria nuk mori një kurorë europiane. Mori një pasqyrë. Ky dallim vendos gjithë kuptimin e asaj date. Çdo hap i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është lajm i mirë për vendin. Një popull i lodhur nga tranzicioni, i plagosur nga korrupsioni, i zbrazur nga ikjet dhe i vonuar në shumë stacione të historisë së vet moderne ka të drejtë të gëzohet kur dera europiane hapet edhe një hap më shumë.

Konferenca e tetë e Anëtarësimit me Shqipërinë, më 26 maj 2026, konfirmoi përmbushjen e standardeve të ndërmjetme për grupin themelor dhe vendosi standardet mbyllëse për fushat ku shteti provohet në themel, institucionet demokratike, administratën publike, shtetin e së drejtës dhe kriteret ekonomike. Pikërisht sepse ky është lajm i mirë për Shqipërinë, nuk duhet t’i lihet propagandës. Europa nuk është dekor për pushtetin. Është pasqyrë për Republikën. Dhe një qytetërim nuk bëhet i vërtetë kur përmendet nga pushteti, por kur e kufizon pushtetin në emër të njeriut.

Kur përdoret si dekor, Europa bëhet gjuhë e jashtme mbi një rend të brendshëm të vjetër. Bëhet fotografi, shenjë, trofe, fjali e bukur në podium, dritë e huazuar mbi një dhomë ku marrëdhënia e pushtetit me qytetarin nuk ka ndryshuar. Kur pranohet si pasqyrë, Europa bëhet më e rreptë, pyet ku ndalet drejtësia, ku fillon frika, ku fshihet paraja politike, ku ngushtohet gara, ku hesht media, ku qytetari trajtohet si spektator i një procesi që mbahet në emër të tij. Edi Rama do ta përdorë këtë datë si fotografi.

Kjo është mjeshtëria e tij politike, të marrë një proces kombëtar, ta vendosë në skenë personale, ta kthejë në provë të vetes dhe jo në detyrim të shtetit. Problemi nuk është se Shqipëria ecën drejt Europës. Problemi nis kur qeveria kërkon ta pronësojë Europën si sukses të saj, ndërkohë që vetë Europa kërkon të kundërtën, që shteti të mos jetë pronë e qeverisë. Këtu qëndron kontradikta e modelit Rama.

Ai e do Europën si dekor të pushtetit, ndërsa Shqipërisë i duhet Europa si kufi mbi pushtetin. Ky model nuk është vetëm shqiptar. Është një formë e njohur e pushtetit bashkëkohor, modernizim pa Republikë, gjuhë qytetërimi pa kufizim të vërtetë të pushtetit, komunikim global pa demokraci të brendshme, reformë si imazh dhe jo si çlirim. Një pushtet i tillë nuk e refuzon qytetërimin, e përdor. Nuk e sulmon Europën, e vendos pas vetes si sfond. Nuk e urren fjalën reformë, e do, sa kohë fjala nuk e detyron të humbasë privilegjin, kontrollin, portën, skenën, filtrin. Prandaj pyetja pas 26 majit nuk është nëse qeveria di ta festojë Europën. Pyetja është nëse shteti shqiptar pranon të shihet prej saj.

Pasqyra e parë është drejtësia. Në një shtet që kërkon Europën, zyrtari i lartë nuk pyet kush e mbron, pyet çfarë thotë ligji. Kur drejtësia prek një emër të lartë dhe pushteti kërkon të ndryshojë rregullat, pyetja nuk është më vetëm juridike. Pyetja është nëse reforma ishte bindje shteti apo dekor diplomatik. Rasti Balluku/SPAK e vendos Shqipërinë pikërisht para kësaj prove, pasi edhe media serioze ndërkombëtare kane raportuar aktakuzën e SPAK-ut ndaj Belinda Ballukut, pezullimin e saj, kërkesën për heqje imuniteti dhe nismën e Ramës për të kufizuar kompetencën e gjyqësorit mbi pezullimin e ministrave nën hetim.

Këtu nuk matet vetëm një dosje. Matet një kulturë shteti. Nëse drejtësia është e mirë kur godet larg, por bëhet e tepërt kur afrohet te qendra e pushtetit, atëherë nuk kemi shtet europian. Kemi pushtet që e lavdëron drejtësinë derisa drejtësia nuk i troket në derë. Një pushtet që e do qytetërimin si dekor nuk e ka problem ta lavdërojë drejtësinë në gjuhë të lartë. Problemi i tij fillon kur drejtësia bëhet pasqyrë, kur nuk pyet më kë do të ndihmojë politikisht, kur nuk e vendos emrin mbi provën, kur nuk e lejon pushtetin të shpallet europian vetëm sepse di të shqiptojë fjalët e Europës.

Pasqyra e dytë janë zgjedhjet.

Kur një proces zgjedhor quhet konkurrues, por jo i barabartë, pyetja nuk është më procedurë.

Pyetja është nëse po numërohet vullnet i lirë, apo pabarazi e prodhuar përpara votës.

Raporti përfundimtar i ODIHR-it mbi zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 u paraqit në Tiranë më 30 mars 2026, në boshtin e tij, procesi del si konkurrues dhe i administruar profesionalisht, por edhe i rënduar nga polarizimi, mungesa e fushës së barabartë, frikësimi, keqpërdorimi i burimeve publike dhe presioni mbi punonjësit publikë.

Kjo nuk është hollësi teknike.

Është pyetje mbi Republikën.

Zgjedhjet nuk fillojnë ditën e votimit.

Ato fillojnë në ajrin ku qytetari dëgjon, sheh, frikësohet, punon, varet, shpreson, heziton, hyn ose mbetet jashtë.

Nëse media e ngushton dëgjimin, nëse paraja e errët e deformon garën, nëse administrata lëviz si trup elektoral i pushtetit, nëse patronazhi e bën qytetarin të ndihet i vëzhguar, atëherë kutia e votimit nuk e shëron padrejtësinë e fushës.

Vetëm e regjistron atë.

Reforma Zgjedhore nuk është çështje formule.

Është çështje lirie përpara formulës.

Një prag mbi një fushë të pabarabartë nuk është standard europian.

Është mënyrë e vjetër për ta bërë mbylljen të duket si rregull.

Listat mund të hapen.

Formulat mund të ndryshojnë.

Numrat mund të tingëllojnë më modernë. Por nëse qytetari nuk e dëgjon alternativën përpara se sistemi ta filtrojë, atëherë vota nuk vjen si liri e plotë, vjen si fund i vonuar i një fushe të mbyllur më herët.

Nuk ka Europë reale me drejtësi që trembet nga i forti dhe zgjedhje që e ndalin të dobëtin para se të dëgjohet.

Këtu opozitarizmi duhet të ngrihet mbi ankimin e zakonshëm.

Nuk mjafton të thuhet se Rama është i keq. Këtë mund ta thotë kushdo.

Duhet thënë diçka më e thellë, modeli Rama është forma shqiptare e një pushteti bashkëkohor që nuk e refuzon qytetërimin, e përdor për t’i shpëtuar gjykimit të tij.

Ai kërkon modernizim pa Republikë.

Teknologji pa liri të barabartë.

Gjuhë europiane pa barazi reale të qytetarit.

Reformë si imazh, jo si çlirim.

Shtet që duket më i rregulluar nga jashtë, ndërsa brenda mban ende shumë dyer të ruajtura.

Problemi i Ramës nuk është se nuk di të hapë dyer jashtë.

Problemi është se Shqipëria që ai drejton mban ende shumë dyer të mbyllura brenda.

Prandaj 26 maji është fundi i alibisë, jo fillimi i vetëlavdërimit.

Deri dje pushteti mund të thoshte, po përpiqemi, po ndërtojmë, po reformojmë, po ecim.

Tani pasqyra është më e ftohtë.

Europa nuk pyet më vetëm sa ligje ke miratuar.

Pyet sa të vërteta lejon të funksionojnë.

A funksionon ligji kur prek ministrin?

A funksionon drejtësia kur hyn në dhomën e pushtetit?

A funksionon zgjedhja kur alternativa nuk ka ekran, para, administratë dhe mbrojtje?

A funksionon shteti kur qytetari i zakonshëm përballet me të?

Këto janë pyetje më të rënda se çdo fotografi.

Rama mund ta zotërojë fotografinë e 26 majit.

Nuk mund të zotërojë pasqyrën që vjen pas saj.

Në atë pasqyrë do të dalë nëse shteti shqiptar ka dalë nga kultura e paprekshmërisë, nëse Reforma Zgjedhore hap fushën apo vetëm rregullon portën, nëse drejtësia ka peshë reale apo mbetet zbukurim në raportet europiane, nëse media është hapësirë lirie apo instrument i disiplinimit publik, nëse qytetari është sovran apo figurant i një procesi që mbahet në emër të tij.

Integrimi nuk është pronë e qeverisë.

Është detyrim i shtetit ndaj qytetarit.

Ky nuk është qëndrim kundër Europës apo kundër hapit përpara të Shqipërisë.

Është kundër përpjekjes për ta kthyer një sukses kombëtar në pronë propagandistike të pushtetit.

Çdo forcë politike, çdo zë publik që e merr seriozisht Republikën nuk kërkon privilegj. Kërkon standard.

Nuk kërkon mëshirë për partitë e reja apo të vogla.

Kërkon që qytetari të dëgjojë çdo alternativë përpara se sistemi ta filtrojë.

Kërkon që reforma zgjedhore të mos quhet europiane vetëm sepse ndryshon formulën, por vetëm nëse hap fushën.

Kërkon që të fortët e vjetër të mos ruajnë hyrjen në emër të stabilitetit.

Rinisja Kombëtare, në kuptimin e saj më të thellë, është çasti kur një popull nuk kërkon më vetëm ndërrim pushteti, por një marrëdhënie tjetër mes njeriut, shtetit dhe së vërtetës.

Ajo fillon kur qytetari nuk pranon të jetë publik ceremonial i një Republike që flet në emër të tij, por e mban jashtë vendimit. Nuk është kërkesë për vend në skenën e vjetër, është refuzimi që vetë skena të mbetet pronë e së vjetrës.

Nuk kërkon ta zbukurojë politikën me një emër të ri apo me ndërrim duarsh e fytyrash, kërkon t’i kthejë Republikës atë që propaganda ia merr, qytetarin si burim të përfaqësimit dhe si gjykim të fundit mbi pushtetin.

Qytetari nuk është spektator i integrimit. Është arsyeja pse integrimi ka kuptim.

Nëse qytetari nuk ndjen më shumë drejtësi, më shumë liri, më shumë barazi gare, më shumë mbrojtje nga arbitrariteti, më shumë hapësirë për të zgjedhur dhe për t’u përfaqësuar, atëherë integrimi mbetet çështje dokumentesh.

Mund të ketë ceremoni, konferenca, raporte, foto, fjalime.

Por Europa reale nuk zbret në jetën e njeriut.

Një Europë që nuk zbret në jetën e qytetarit mbetet dekor.

Shqipëria nuk duhet ta ketë frikë pasqyrën europiane.

Duhet ta ketë frikë vetëm atë pjesë të vetes që do ta kthejë Europën në dekor, drejtësinë në peng, zgjedhjet në portë të ruajtur dhe qytetarin në publik ceremonial.

Pas 26 majit, pyetja nuk është më nëse Europa na hapi një fazë.

Pyetja është nëse ne do ta hapim Republikën për qytetarin.

Fotografia i shërben pushtetit për një ditë. Pasqyra i shërben Republikës çdo ditë.

Prandaj 26 maji nuk duhet të mbetet në murin e qeverisë si kujtim suksesi.

Duhet të mbetet përballë shtetit si provë.

Një vend nuk bëhet europian kur pushteti vendos Europën në mur si fotografi.

Bëhet europian kur pasqyra mbetet përballë shtetit çdo ditë, në gjykatë, në zgjedhje, në zyrë, në media, në jetën e qytetarit që nuk duhet të lutet për atë që ligji ia premton.

Atëherë Europa nuk është dekor.

Është bërë Republikë.

Arian Galdini

Filed Under: Analiza

Qafa e Botës…

May 28, 2026 by s p

Në verën e viti 1958 , në moshën 7 vjecare kam qënë në Konispol, në këtë fshat të bukur që shtrihet mbi kodra të mbushura me ullinj, dardha e bajame. Ka qënë po në këtë moshë kur ime më familjen e sajë mërguan nga brigjet e detit Jon të Çamerise në vitet e Luftës së Parë per ti shpëtuar mjerimit të luftës. Po në atë vit si për koincidencë edhe im at atehere 17 vjeçar largohet nga fshati i vet Vrohona që ndodhej lart në mal dhe ai për ti shpëtuar reve te zeza te luftës. Kësisoj ata kaluan nëpër Qafën e Botës që për ta ishte qafa e shpëtimit. Por familjen e nënës sime atje në Konispol ku u strehuan e ndoqi pas gripi i tmershëm i Spanjës i viti 1918 që i mori jetën nënës së vet dhe një vellai e një motre të saj. Dhe ata prehen atje pranë në fushën e Vasilikoit. Atje u ndërpre rrugëtimi për familjen e sajë mbetur vetëm me babanë e vet. Ata gjetën strehë dhe përkrahje në një familje me emër që u bën miqtë tanë gjithë jetën. Kaq dija une si fëmijë kur shkova për herë të parë në Konispol në dyert e kësaj familjeje bujare.

Në Shqipëri ka shumë qafa malesh që janë vëndkalime të buta nga një krahine në tjetrën me emra lloje lloje ku historia dëshmon për ngjarje te shënuara. E tillë është Qafa e Llogarasë ku ka kaluar Jul Qezari me ushtrinë e vet në errësirën e natës në marrshim për tu ndeshur me rivalin e vet Pompein. Nëper qafa malesh kalonin dasmor, kalonin karvanet e tregëtarëve që transpotonin njerëz dhe mallra nga një krahinë në tjetrën. Nëpër qafa malesh ziheshin shtigjet pë të larë hesapet midis rivalësh e plot e plot ndodhi që historia nuk i përmënd të gjitha. Por Qafa e Botës në mëndjen time ishte ndryshe. Ajo më ngjasonte si qafa e gjithë botës që shënonte fundin e tokës. Më takoi shumë herë që hypur mbi gomar të shkonim me djemtë e asaj familjeje për të mbushur ujë në burimin e Vasilikoit. Pikërisht se atje preheshin një pjesë e familjes së nënës sime, unë kisha një ndjesi se matan sajë fillonte një greminë e cuditshme. Për mëndjen time të vogël, ai emër nuk ishte thjesht një toponim; ishte një paralajmërim. Imagjinoja se aty, ku mali këputej papritur, mbaronte çdo gjë e prekshme dhe fillonte një humnerë e zezë, kozmike, gati për të më gëlltitur në zbrazëtinë e saj. Sa më shumë i afroheshim asaj qafe, aq më fort shtrëngohesha pas samarit të gomarit – ankorës sime të vetme me tokën, përpara se të bija në pafundësi. Kjo ndjesi krijonte tek une një ankth të paspjegueshëm. Vite më pas , kur Lufta e Dytë kish mbaruar, me qindra fëmijë të tjerë kaluan nëpër këtë qafë shpëtimi. Duke i parë në kronikat e kohës, ata duken aq të frikesuar si ata qingjat dhe kecat që kapërcejnë gardhin për ti shpëtuar thikës së kasapit.

Vite e vite më vonë një pjesë e tyre nga dashuria për token ku kishin lerë, tentuan ta kalonin përseri kete qafe por më kot. Dora që mbante thiken tani ishte zhdukur, por thika siç duket egzisonte akoma dhe ishte kthyer në një vule famëkeqe që damkoste dhe kthente mbrapsht pasaportat e këtyre femijve te dikurshem, tani të moshuar që dëshëronin të shkonin në atë tokë të mohuar. C’faj të kishin vallë keta “fëmije” tashmë të rritur? Kohë më par i kam dërguar shkrimtarit tonë të nderuar Luan Rama një leter ( Ky Luan rama e ka një brengë ) për impresionet e mia nga një dokumentar qe ai pat realizuar ashtu si rastësisht ne shtepitë e rrënuara të Konispolit.

Atje ai ecte dhe fliste me vete sikur të ishte në gardhet e shtëpisë së vet atje në Filatin për matane Qafës së Botës. As nëna e tij nuk mundi ta shikonte përseri fshatin e saj pikërisht sepse kishte lindur në Filat…një paradoks që nuk mund të kuptohet në ditët që jetojmë. Ndër të tjera i thoshja “ Mëkati i saje ishte se kishte lindur në Filat, në Çamëri. Çamëri me sa duket është akoma fjalë e ndaluar. Ku duhet të kishte lerë nëna jote dhe imja bashkë i dashur ambasador? Po ta dije a do tua kishe shpjeguar burrave të shteteve që ti ke takuar se gjyshja jote kish bër “gabim” që kishte lindur nënën tënde në një vënd të mohuar? “ Në shtatorin e vitit 2012 më takoi të kaloja përseri nëpër Qafën e Botës por tani nuk kisha më frike se bija në humnerë, përkundrazi , një fushë magnetike më shtynte për matanë kësaj qafe , më tërhiqte drejt vendlindjes së nënës sime, që është një fshat i bukur me ishuj përkarshi, midis Igumenicës dhe Pargës. Në atë kohë quhej Volë ose Myrto dhe sot e quajnë Sivota. Qafa e Botës tashmë nuk ishte fundi i gjithësisë, por një Stargate – një Portë Yjesh e gjallë. Një pikë ku koha thyhej dhe përmes së cilës unë po kaloja jo thjesht në një hapësirë tjetër gjeografike, por direkt në fshatin e rrënjëve të mia, në gjakun dhe kujtimet e nënës sime. Ishte një ëndërr që unë e realizova në të gjallë. I ulur atje në bregun e detit, hodha në letër gjithë çfarë ndjeva në ato momente. Prekja një botë të ndaluar, të mohuar, një botë si në ëndërr që ishte matanë Qafës së Botës. Tani ndjesia ime për të u bë reale dhe unë e “ kaperceva “ , kalova neper kete “Stargate” qe të çon në bregdetin e bukur të Çamërisë.

Xhemal Hasani Auburn , Ma

Filed Under: Analiza

Tek Ulliri  Kadare

May 28, 2026 by s p

Në toponimastikën shqiptare gjen shpesh  emra vendesh që mbajnë  emra drurësh të llojeve të ndryshme që lidhen me  përsona që i kanë mbjellë ose i kanë patur në pronësi apo që lidhen  me një individ të caktuar në rrethana të ndryshme  sikundër mund të përmendim Rrapin e Leskovikut apo të Libohovës, Kaçkën e Llukanit në Frashër të Dangëllisë, Ullinjtë e Zisos në  periferi të Përmetit etj .Dhe këtyre emrave disi unikalë u është shtuar në rrethana te  vecanta edhe Ulliri i Kadaresë. Ai nuk ndodhet ne kodrat e Tiranës  ku është vendosur edhe busti i poetit, por larg, shumë më larg në kodrën e Vezirëve në fshatin  e Roshnikut në Berat,në rrëzë të malit të Tomorit, nga duket mirë e bukur ai vend i shënjtë ku rinë Perënditë dhe ku Baba  Aliu edhe sot i bekon ata  njerëz në ato vende të dëgjojnë Baba Tomorë, që aq bukur u ka kënduar sa Naimi po aq edhe Cajupi e dhjetra të tjerë . 

Nje ditë marsi të vitit 2008, Kadareja u ndodh jo rastësisht në ato kodra  në periferi të Beratit, po shkoi për të parë e prekur më nga afër rrënjët e  Qyprillinjve , të cilët i kishte personazhe te veprave të tij e në veçanti të romanit “ Nëpunësi i Pallatit të ëndërrave”  ku personazhi kryesor i romanit Ebu Qerimi ( Mark Alemi ) ishte djalë i familjes së Qyprillinjve, një familje të pushtetshme dhe të pasur  që kishin  qënë funksionarë kryesore te Perandorisë Osmane në shekullin e XVII-XVIII, por që në ato momente nuk po kalonin një fazë të mirë. 

Në vjeshtën e vitit të kaluar në një nga ditët e festivalit ballkanik të klarinetës L Bariu, m’u dha rasti që bashkë me mikun tim nga Brukseli Nicolla Ëieèrs që  edhe ai organizon festivalin Ballkan Trafik  u ngjita  në ato kodra ku na priste me shumë dcëshirë mikun ynë Fitim Mimanin, që kryeson një shoqatë kulturore me emrin e Qyprillinjve të Roshnikut. Pasi ndaluam për një kafe tek lokali i tij në rrëzë të kodrës, na ftoi të ngjiteshim  në majë të saj të  soditnim nga  ajo majë “çiflikun” e tij dhe krejt pamjen fantastike që ofrohej nga ajo majë e Kodrës së Vezirëve. Ai Fitimi pretendon dhe e ka bindje , se ato kodra kanë qënë pjesë e çifliqeve të Qyprillinjve pasi edhe ashtu njihen edhe në banoret e kësaj treve dhe në  Berat. Ishte një malore që shkëputej nga rruga kryesore  e cila  shkonte  në thellësi të fshatrave  që shtriheshin rrëzë kodrave dhe ku Fitimi kishte  hedhur themelet e një kalaje në miniaturë , ku djemtë e tij të kthyer nga kurbeti , mendojnë të ndërtojnë një hotel e  aksesorë të tjerë ku të presin e përcjellë truristë.

  • Këtu do të vendosim një teleferik që të marrë turistët e t’i coj të zbresin tek ai liqeni atje poshtë e që andej të shëtitin fshatrat e tjerë të zonës ku organizohen panaire e festa të ndryshme e  ka plot prodhime vendase- më thoshte  djali i Fitimit që ka një biznes  me tre hotele-shtëpi brenda në Berat dhe është shumë i kënaqur  me punën që bën . 

Në atë copë malore që po ngjitnim nuk mund të mos ndaloja e të interesoheshe  për atë që po shikoja . Rruga nga të dy anët ishte  me taraca ku vigjilonin si ushtarë ullinj dhe jo vetëm ullinj, por fiq nga ata fiqtë me emër të Roshnikut, thanë, vadhëza, bajame  , qershi, kumbulla etj, tamam si kopshtet e Miçurinit . Në rrëzë të një ulliri sikundër e shikoni edhe në fotot që i bashkangjiten këtij shkrimi, shoh një pllakë mermeri ku ishte  shkruar emri Kadare. 

  • Po kjo pllakë këtu me këtë emër  të Kadaresë , ç’është, mo Fitim, ka ndonjë histori ? 

Ai më ftoi të ngjitemi pak më lart tek qilari i tij  që ndodhej në  bodrumet e kalasë, u ulëm  në sheshin e saj në disa tavolina  hekuri dhe  pamja që na shfaqej ishte befasuese, gjithë ajo hapësirë  në rrëzë të malit të Tomorit  e gjer tutje në afërsi të Myzeqesë ku ndodheshin fshatrat  Roshniku i madh, Roshniku i vogël,Cokollarët,Bogdani 1 dhe Bogdani 2, Vojniku Miçolli,Qereshniku,Duhanasi, Kostreni etj  ishte  parceluar bukur me blloqe ullinjsh, me rrugë ndërmjet tyre, me liqene apo rezervuara të mbushur me ujë që zbriste nga ato male  dhe ku mijëra njerëz të urtë e punëtorë  mblidhnin prodhimin e vitit të ullinjve , të cilët do shkonin nëpër fabrikat e zonës e do mbushnin bidona e bidona pafund me atë lëngun e artë që  të zbukuron jetën, vajin e ullirit . Gjithë atij pejsazhi  unikal  që  rritej e zbukurohej çdo ditë të vitit  duket e besohet se e ka bekuar Perëndia , magjia e atij mali  fantastik që shikon e bekon çdo ditë shqipëtarët kur shkojnë në punët e tyre . Qilari i kalasë së Fitimit  e mbushi tavolinën plot ,me pak rraki rrushi e thane  e shumë fiq e rrush e ara , e vadhëza   sa e befasoi edhe mikun e ri të ardhur nga larg. Pasi shkëmbyem e bekuam malin e lartë ku kishte ende  pllanga bore , Fitimi nis e më tregon historinë e  ullirit të Kadaresë, nga i cili e hidhnim shikimin  shumë herë .

…Ka qënë data 8 mars  e vitit 2008, një ditë e bukur  ku natyra sa kish filluar të vishte  ngjyrat e pranverës. Një ditë më parë Televizioni shqiptar kish trasmentuar dokumentarin televiziv “ Shkëlqimi dhe  harrimi i Qyprillinjve “ me regji të  kineastit Ibrahim Muça,e me skenar të  B Lapi dhe kameraman A Gura.  Të dhënat  dokumentare të atij filmi ishin marrë nga arkivat e Stambollit, Muzeu i Qyprillinjve dhe Biblioteka e Qyprillinjve e cila  sipas dokumentave të shkruara  i fundit i kësaj familje  Fuat Qyprilliu ia ka falur shtetit turk. Dokumentari kishte edhe intervista të marra  nga figura të njohura të shtetit turk ,pinjollë të së cilës  kishin arritur ta mbanin këtë emër e traditë gjer në ardhjen e Ata Turkut  në fillimet e shekullit të XX. Sigurisht ky dokumentar u  realizua me insistimin e kontributin tim financiar   pasi edhe unë jam dhe më njohin si një ndër pinjollët e kësaj dinastije këtu në Roshnik të Beratit, dhe ky vend ku jemi e po rimë e po bisedojmë ka emrin kodra e vezirëve, ka qënë pjesë e çiflikut të tyre sipas gojëdhënave. Unë  me ndryshimin e sistemit, me reformat që u bënë gjeta dokumentat e duhura dhe i kam bërë pronën time të rregjistruar edhe në kadastër Berat.  Goditi që Kadareja  e pa këtë film dokumentar në shtëpinë e tij në Tiranë  dhe ato që pa e dëgjoi i ringjallën kujtime te shkrimit të veprave të tij  jo vetëm “Pallati i ëndrrave” por edhe “Qorfermani”, historitë e problemet që i kanë dalë pasi ato  dolën nga botimi  dhe  kishte thënë : Tani më duket se i gjeta vërtet rrënjët e këtij fisi  të njohur  të Perandorisë dhe dua të vete t’i shikonj e prek nga afër.  Të nesërmen mori Zonjën e Tij , Helenën  dhe  regjisorin e ishj- Kinostudios Todi Bozo  dhe afër drekës u ndodhën në Berat dhe u nisën për në Roshnik. Unë u ndodha aty, i prita, i sajdisa në atë lokalin tim atje majë kodrës  dhe po bisedonim për këtë  fis të largët, drekuam  dhe u befasua nga kjo pamje që po shikonte. I tregova ato histori që thuheshin e qarkullonin për këtë fis, kujtimet që ruhen brez pas brezi e tregohen , por edhe pretendimet e mija për këta emra  që kanë bërë ferk si sundimtarë të Perandorisë në shekullin e XVIII, XII e mëq vonë ..

 Ndërkohë  banorët e këtyre fshatrave ishin në punët e tyre , krasitnin, prashitnin, punonin tokën, mbillnin ullinj e pemë të tjera . Nga vendi ku rinim dukej mirë kodra  e taracuar ku mes ullinjve kishte edhe pemë të tjera . Pastaj më pyeti se çfar ke mbjellë në ato  brazre : I them se kam mbjellë  mbi 300 rrenjë ullinj, 200 thanë,100 qershi, 50-60 kumblla, 40 vadhëza etj dhe qilarin  e kam me  fasule, patate, raki rushi e thane, vaj ulliri, ullinj të kripur të llojeve të ndryshme, verë etj .I kam për vete por edhe për miq e shokë, sepse me miq e mysafirë malli nuk bën kurrë fir ! Vura re një farë ekzaltimi në fytyrën e tij  dhe po prisja se c’do më thoshte, dhe pasi  e pa edhe njëhërë mirë gjithë atë  panoramë plot me kuadrate me ullinj më thotë  : Mos kujto se do fitosh ndonjë gjë të madhe nga këto pemët, por me bukurinë që u ke dhënë këtyre kodrave  shton jetën tënde.. u bdfasua kur i tregova se ullinjtë e këtij fshati, më ka rënbë rasti kiur kam shkuar me  asamblin folklorik të shoqates që kryeosoj i kam cuar  gjer ne Angli dhe i kam befasuar ata  njerëz me tëq cilët kemi lidhur edhe miqësi e dëgjohemi shpesh . Ndërkohë i them në se keni dëshirë  që të  lini emrin Tuaj në këtë pejsazh kaq të bukur e të mbjellësh një ulli ,do na bëje nder . U tregua tepër i gatshëm.  E kam merak vetë  më tha, këtë gjë po mendoja dhe hajde ta bëjmë  këtë punë Gjetëm një  fidan te ri për mbjellje, hapëm gropën dhe ulliri u mboll . U mboll me daten 8 mars 2008 dhe po  hedh rrënjë e nga viti në vit po rritet ,sikundër e shikon ka hedhur shtat , kokrat i ka shumë të mira dhe çdo vjeshtë pret të Zotin të vijë ta vjelë. E pashë se u ndje shumë mirë , mbolli një simbol në këto kodra  të personazheve të veprave të Tij, dhe sa herë e shikoj unë apo shokë e miq që vijnë këtu tek ky qilari im, befasohen, lumturohen  dhe duan të bëjnë edhe foto sikundër edhe  juve dy  Nikot, një nga Brukseli e një nga Tirana.  Në ditët që pasuan  edhe unë tregoja pak kujdes më shumë,  veçan në stinën e verës dhe e ujitja  që ai të bleronte e lulëzonte dhe të mbushej plot . Pastaj mora një pllakë mermeri, shkrova emrin e tij KADARE dhe e vendosa tek trungu i tij dhe që këtej ai duket sikur e shikon  gjithë këtë hapësirë ku mund të jenë mbi 1 milion rrenjë ullinj dhe përcjell që andej mesazhin e paqes që simbolizon ulliri . Nicolasi, miku nga Brukseli, pasi u end për pak minuta nëpër fiqtë vjeshtake  që ishin  shumë të vecante, dëgjoi edhe këtë  narativë të Fitimit  e falenderon atë si për pritjen e këtë pejsazh kaq të bukur vijoi : 

  • U mbusha me plot impresione  nga kjo pllakë meërmeri me emrin e Kadaresë dhe më vjen  po aq mirë që njoha edhe një dimesion tjetër të këtij shkrimtari, vepra e të cilit qarkullon me dinjitet në shumë vende të botës 

Tek largoheshim nga ky mjedis  sikur më erdhi në mend një poezi e herëshme me titull “ Ullinjtë shqiptarë në Vietnam “ që më duket se ka për autor po Kadarenë mos gaboj, pastaj ai lokali  “ Juvenilia” në kodrat e Tiranës ku portreti i Tij derdhur në bronx  prehet i qetë nën një ulli dhe e kujtojnë shokët e miqtë  që  takoheshin, rufisnin kafen e mëngjesit  e bisedonin me Atë,  ndërsa në këto kodra gati 120 km larg Tiranës,  tani ky vend e ka emrin :Tek ulliri i Kadaresë .                                                                                 Nuk dua të mburem aspak- vion Fitimi- por në këtë vend që përkon me  pronat e Qyprillinjve , vijnë shumë njerës, shumë turistë, po vijnë e kanë ardhur dhe delegacione nga qeveria turke, zyrtarë të ambasadës së Turqisë në Tiranë, unë jam ftuar disa herë në Stamboll e kam  vizituar  muzeumin dhe Biblioteken e tyre, kam parë  sarajet e tyre të brezave të fundit ,në brigjet e Bosforit, kam shoqëruar e përcjellë shumë mysafirë e turistë e grupe kulturore sa nga Shqipëria por edhe nga Franca, nga Anglia, nga Ambasadorët e paqes etj dhe ky vend  dhe ky emër i impresionon.

-Tani – thotë Fitimi- Ai, një nga njerëzit e mëdhenj të këtij kombi, ka pak kohë që ka vdekur.Sa ishte gjallë nuk mundi ta shikonte edhe njëherë atë fidan të vogël  që në këto 26 vjet po bëhet sa një lis , por ky është ulliri i Tij real, jo metaforik,ndaj unë  e ftoj Familjen e tij ,vajzat ,nipër apo mbesa  që ta vizitojnë këtë  vend e të mbledhin prodhimin e tij çdo tetor. Unë i pres !

Niko MIHALI

Torino, me 20 maj 2026

Filed Under: Analiza

TË DUASH NJË GRUA…

May 28, 2026 by s p

Kristaq Turtulli/


David Joni rrinte i fundosur në kolltukun e lëkurtë. Dhoma ishte zhytur në një errësirë të trashë, të rëndë, sikur nata kishte hyrë brenda mureve dhe nuk donte të dilte më. Përballë tij varej fotografia e madhe e Teutës. Herë pas here hijet lëviznin mbi portretin e saj.
Ai mbylli sytë për një çast. Kur i hapi sërish, errësira dukej edhe më e thellë. Befas, mbi fytyrën e Teutës kaloi një vijë e hollë drite. Ishte aq e brishtë, sa Davidi pati frikë se mos zhdukej po ta vështronte gjatë. Dhe atëherë iu duk sikur nga portreti filloi të rridhte ujë. Jo ujë i zakonshëm. Një rrekëz e kulluar mali, e ftohtë, e gjallë, që gurgullonte lehtë në heshtjen e dhomës. Teuta buzëqeshte nën atë dritë fosforeshente me të njëjtën ëmbëlsi të dikurshme. Por drita nisi të tërhiqej ngadalë, si një shpirt i lodhur. Burimi u dobësua. Pastaj gjithçka filloi të thahej.
Davidi ndjeu një drithërimë. Njeriu nuk e beson kurrë se bukuria mund të marrë fund.
Pikërisht aty fillon mashtrimi i jetës.
Dikur kishte besuar se koha ishte e pafundme. Se dashuria, shtëpia, trupi, zëri i Teutës do të mbeteshin aty përgjithmonë, si sendet e zakonshme që njeriu i sheh çdo ditë dhe nuk ua ndien mungesën. Tani e kuptonte tmerrin. Jeta nuk ikën menjëherë. Ajo fillimisht mpin gishtat.
Pastaj krijon ca hapësira të vogla midis tyre. Dhe përmes atyre çarjeve fillon të rrjedhë gjithçka që njeriu ka dashur. Dalëngadalë. Pa zhurmë. Pa mëshirë.
Davidi ngriti sytë drejt fotografisë. Errësira lëvizte përsëri mbi fytyrën e Teutës.
Këtë herë hijet iu dukën si njerëz të mbytur që përpiqeshin të dilnin nga fundi i ujit. Zemra i rrahu fort. Për një çast pati ndjesinë e frikshme se dhoma nuk ndodhej më në botën e të gjallëve.
Sikur muret ishin larguar pak nga pak dhe ai kishte mbetur pezull në një hapësirë tjetër, diku midis kujtesës dhe vdekjes. Nga cepi i syrit i rrëshqiti një lot. Nuk bëri asnjë përpjekje ta fshinte.
Loti zbriti ngadalë mbi faqen e rrudhur, i rëndë, i kripur, i vetmuar. Dhe Davidi mendoi:
Ndoshta loti është forma më e pastër e së vërtetës njerëzore. Njeriu gënjen me gojë, me sy, me buzëqeshje… por jo me lot.
Ai lëvizi pak në kolltuk. Kockat i kërcitën lehtë. Pleqëria. Sa e heshtur ishte pleqëria. Nuk vinte me britmë. Vinte ngadalë, si myk mbi kujtesë. Dhe një ditë njeriu zbulonte se kishte mbetur vetëm me hijet. Befas pranë veshit dëgjoi një frymëmarrje të lehtë. Davidi mbeti i ngrirë.
Nuk guxoi të kthente kokën. Sepse kishte frikë nga ajo që mund të shihte. Dhe kishte frikë edhe më shumë nga mundësia se mos nuk shihte asgjë. Pastaj erdhi zëri. I butë. Thuajse i shuar. Por aq pranë, sa iu duk sikur dikush po fliste brenda vetë shpirtit të tij. Dhe uji vazhdonte të rridhte. Jo jashtë dhomës. Por brenda tij. Ngadalë. Pa zhurmë. Si një kujtesë që nuk pranon të shuhet. Davidi nuk e ndjeu më trupin. As kolltukun. As muret. Vetëm një lehtësi të çuditshme, sikur po çlirohej nga pesha e një jete të tërë. Dhe në atë lehtësi, zëri i Teutës nuk ishte më thirrje. Ishte prani. E thjeshtë. E pandashme. Sikur të mos kishte qenë kurrë mungesë. Sikur gjithçka të kishte qenë vetëm një vonesë e gjatë e takimit të tyre. Errësira nuk ishte më errësirë. Ishte kthyer në një qetësi të thellë, të butë, pothuaj ujore. Si fundi i një liqeni që nuk njeh më kohë. Davidi mendoi, pa fjalë: Ndoshta njeriu nuk shkon askund kur vdes. Ndoshta thjesht ndalon së kërkuari. Dhe në çastin kur kërkimi pushon… gjithçka kthehet në vendin e vet. Teuta nuk ishte larg. Nuk ishte afër. Ishte brenda të njëjtës qetësi. Dhe kjo mjaftonte. Për herë të fundit, Davidi ndjeu një frymëmarrje. E lehtë. Si fëshfërimë uji mbi gur. Pastaj edhe ajo u shua. Por jo si fund.
Si kthim. Dhe pas kësaj nuk kishte më kohë. As kujtesë që të numëronte çastet. Vetëm një heshtje e thellë, e pastër, pa fillim dhe pa fund.
Në dhomën ku dikur rrinte Davidi, kolltuku mbeti i pa lëvizur. Fotografia e Teutës vazhdoi të varej në mur. Por tani dukej ndryshe. Jo sepse kishte ndryshuar ajo. Por sepse nuk kishte më dikë që ta shihte njësoj. Jashtë, era u qetësua pak nga pak. Dhe diku larg, shumë larg, gurgullima e ujit vazhdoi të ekzistonte. Jo si kujtim. Por si dëshmi. Se asgjë që është dashur me shpirt të vërtetë nuk zhduket krejtësisht. Vetëm ndryshon vend. Dhe mënyrë. Dhe qetësia që mbeti në dhomë nuk ishte bosh. Ishte e mbushur me praninë e asaj që nuk shpjegohet më me fjalë. Në atë qetësi, historia nuk përfundoi. Ajo u tret. Si ujë në ujë. Si dritë në dritë.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 1010
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Final Chapter of the “Butcher of Bosnia”
  • Dritë jeshile drejt kujdesit onkologjik të personalizuar: Vaksina e parë e kancerit me mRNA kalon Fazën 3
  • 35 –VJET TRANZICION: SHQIPËRIA ENDE NUK ËSHTË PËRBALLUR ME TË KALUARËN KOMUNISTE
  • Në Kullën e Ilaz Kodrës
  • At Zef Pllumi, simboli i dijes, qëndresës dhe kujtesës
  • Konispoli, dy betejat historike për zemrën e Çamërisë
  • “Të lexosh një vepër të letërsisë së mëhershme shqipe: grishje receptimi ndaj një brendie të përveçme tekstore”
  • KOSOVA NUK KA KOHË PËR TË HUMBUR
  • VATRA NË DEPARTAMENTIN AMERIKAN TË SHTETIT — SHQIPËRIA, KOSOVA DHE INTERESAT KOMBËTARE SHQIPTARE NË QENDËR TË DISKUTIMEVE
  • Akademik Hasan Kaleshi dhe Akademik Feti Mehdiu
  • SHUHET PATRIOTI TOM TOMAJ, VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI
  • Lamtumirë, profesor Mark Tirta!
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë në Connecticut
  • Ditari i Sadberës…
  • Skënderbeu midis humanizmit barletian dhe iluminizmit evropian: analiza intertekstuale e veprës së Stefan Zanoviq

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT