
Nga Rafael Floqi/
Ka diçka të çuditshme në mënyrën se si Shqipëria diskuton për detin e saj. Sa herë që në Athinë del një ministër grek dhe flet me ton perandorak për “marrëveshjen”, në Tiranë bie një heshtje ceremoniale, pothuaj liturgjike, sikur të ishte ndezur ora e zisë kombëtare të diplomacisë shqiptare. Dhe në qendër të kësaj skene shfaqet herë pas here figura e Nikos Dendias, i cili flet për detin shqiptar me sigurinë e një pronari që po mat gardhin e oborrit të vet madje me petkun e ministrit të Mbrojtjes.
Ndërsa pala greke negocion me hartë, koordinata, strategji dhe arrogancë shtetërore, pala shqiptare negocion me buzëqeshje protokollare, darka diplomatike dhe deklarata që ngjajnë si statuset e një kursi motivimi: “marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivel të shkëlqyer”. Çuditërisht, sa më “të shkëlqyera” bëhen marrëdhëniet, aq më shumë Shqipëria duket sikur humbet zë.
Pyetja është përse ky takim tani, pikërisht kur Shqipërisë po i hapen dritare shprese për në BE, dhe kur Greqia e merr Kryesinë e Radhës së BE-së?
Problemi nuk është se Greqia mbron interesat e saj. Kjo është detyra e çdo shteti serioz. Problemi është se Shqipëria sillet sikur mbrojtja e interesit kombëtar është një sjellje primitive, nacionaliste, e pahijshme për epokën e integrimit europian. Në Athinë patriotizmi quhet diplomaci. Në Tiranë diplomacia shpesh duket si dorëzim me kollare.
Sa herë që përmendet çështja e detit, qytetarët shqiptarë nuk dëgjojnë argumente, transparencë apo debat parlamentar. Ata dëgjojnë vetëm një refren të mjegullt: “çështja do të zgjidhet në mënyrë europiane”. Kjo është bërë formula magjike për të mos shpjeguar asgjë. Askush nuk pyet më: Çfarë po negociohet? Çfarë fitojmë? Çfarë humbasim? Kush i vendosi vijat? Kush i kontrollon ekspertët? Kush mban përgjegjësi?
Në vend të përgjigjeve kemi heshtje. Një heshtje që rëndon më shumë se vetë deti.
Dhe heshtja nuk është neutrale. Heshtja është gjithmonë në favor të më të fortit. Në këtë rast, në favor të atij që vjen me projekt, presion diplomatik dhe strategji afatgjatë. Greqia nuk ka ndryshuar kurrë në objektivin e saj: maksimalizimin e hapësirës detare dhe juridike në Jon. Ndërsa Shqipëria ka ndryshuar vetëm ministrat, zëdhënësit dhe sloganet.
Ironia më e madhe është se politika shqiptare sillet sikur populli nuk kupton. Sikur deti është një abstraksion teknik që mund të fshihet pas disa termave juridikë në anglisht. Por qytetarët e kuptojnë shumë mirë një gjë: sa herë që shteti nuk flet qartë për territorin, zakonisht ka diçka që nuk shkon.
Në çdo vend normal, një debat për kufijtë detarë do të ishte temë kombëtare. Do të kishte universitete, ekspertë të pavarur, komisione parlamentare, media investigative. Në Shqipëri kemi vetëm disa dalje televizive me tone qetësuese dhe pastaj një mur heshtjeje, ku çdo kritik etiketohet menjëherë si “anti-europian”, “nacionalist folklorik” ose “prorus”, sipas modës së ditës.
Ndërkohë Nikos Dendias vazhdon të shfaqet si një administrator i durueshëm i interesit grek. Ai flet hapur. Pohon rrënjët e tij nga Himara .Kërkon hapur. Lobon hapur. Nuk turpërohet nga interesat e vendit të tij. Dhe ndoshta ky është dallimi më i madh mes Athinës dhe Tiranës: njëra palë beson tek shteti i vet, pala tjetër tek propaganda e vet.
Ndërkohë sipas të gjitha gjasave kemi të bëjmë me një lëvizje të rëndësishme politike ndërmjet dy vendeve, drejt një hapi të ri të marrëdhënieve, për të cilat deri tani ka vetëm hipoteza.
Megjithatë, një sinjal natyrisht simbolik, kanë dhënë qoftë kryeministri shqiptar, qoftë ministri grek i Mbrojtjes.
“Kryeministria – Me Ministrin grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, një mik i çmuar dhe një mbështetës i palëkundur i partneritetit strategjik mes Shqipërisë e Greqisë”, shkroi Edi Rama në rrjetet sociale.
Një kod i qartë që lexohet si një diskutim pikërisht mbi “partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë” me një nga partizanët e saj në Athinë. Rama është kushuri me Dendias, pohoi ai që një herë ishte sebepi i sherrit, Fredi Bejleri.
Ta zëmë se nuk ka lidhje me detin. Ta zëmë se gjithë kjo dashuri diplomatike greke për Shqipërinë nuk ka fare aromë jodi, hartash detare, koordinatash apo vijash imagjinare mbi Jon. Ta zëmë se ministrat buzëqeshin thjesht nga dashuria ballkanike dhe jo nga ndonjë interes i lashtë gjeostrategjik. Mirë. Po atëherë lind një pyetje naive: çfarë po kërkojnë me kaq ngulm prej dy vitesh?
Mos vallë vetëm rinovimin e “Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit”? Ah, sa romantike tingëllon! Një traktat miqësie mes dy vendeve që teorikisht janë ende në gjendje lufte që prej vitit 1940. Një absurditet që vetëm Ballkani mund ta prodhojë: në mëngjes të buzëqeshin si partnerë europianë, në drekë të të japin leksione paternaliste dhe në darkë të ruajnë në sirtar ligjin e luftës si relike të dobishme për ditë me shi.
Sepse Greqia e ka këtë talent të rrallë diplomatik: të sillet si kujdestar i Shqipërisë, si një xhaxha i pasur që i ledhaton flokët nipit të varfër, por që mban gjithmonë çelësin e kasafortës në xhep. “Ne ju duam shumë”, thonë, “por duhet të silleni mirë.” Dhe “sjellja mirë” zakonisht përkthehet: mos kundërshtoni për detin, për minoritetin, për pronat, për çamët, për varrezat, për tekstet historike dhe, nëse është e mundur, kërkoni falje edhe për motin kur fryn era nga veriu.
Në emër të “miqësisë”, Athina kërkon një marrëdhënie ku Shqipëria duhet të jetë gjithmonë pala mirënjohëse, ndërsa Greqia pala civilizuese. Një lloj protektorati emocional me flamur europian. Dhe sa herë Tirana ngre kokën pak më lart se zakonisht, del ndonjë ministër grek që kujton me delikatesë se “çështjet e hapura” ekzistojnë ende.
Por pyetja mbetet therëse: si mund të ketë miqësi reale kur ligjërisht ekziston ende hija e luftës? Çfarë lloj partneriteti është ky, ku njëra palë mban ende në raft një dekret lufte, ndërsa flet për fqinjësi të mirë? Është pak a shumë si të ftosh dikë për darkë, por të mbash pushkën pas dere “për çdo rast”.
Dhe pastaj kërkojnë besim. Sinqeritet. Bashkëpunim strategjik. Natyrisht! Sepse grekët, sipas narrativës zyrtare, janë gjithmonë të shqetësuar vetëm për stabilitetin, demokracinë dhe prosperitetin shqiptar. Asnjëherë për ndikim. Asnjëherë për kontroll. Asnjëherë për zgjerim të interesave të tyre në rajon. Jo, jo. Të gjitha këto janë thjesht paranoja shqiptare. Ashtu siç “rastësisht” çdo negociatë për miqësi shfaqet sa herë afrohet ndonjë debat për detin.
Në fund, duket sikur Shqipërisë i kërkohet të sillet si fqinj modern europian, ndërsa Greqisë i lejohet luksi të mbajë ende në xhep fantazmat juridike të Luftës së Dytë Botërore. Dhe kur dikush e vë në dukje këtë absurditet, përgjigjja zakonisht është një buzëqeshje diplomatike dhe një leksion për “bashkëpunimin rajonal”.
Dhe ndoshta pyetja më shqetësuese nuk është çfarë kërkon Greqia. Ajo dihet. Pyetja është: pse Shqipëria ka kaq frikë të flasë për atë që është e saj?
Pala greke, pavarësisht pretendimeve që ai i konsideron të padrejta, paraqitet e bashkuar dhe e qartë në objektivat e saj, ndërsa pala shqiptare duket e fragmentuar, pa koordinim dhe në pozita inferiore.
Në Greqi, kur bëhet fjalë për interesin kombëtar, politikanët bashkohen – Tsipras me Mitsotakis – me një synim të përbashkët: që ndarja e detit të favorizojë sa më shumë Athinën. Gjykata e Hamburgut funksionon ndryshe, pasi lejon edhe ankime shtesë. Haga, nga ana tjetër, i dëgjon palët mbi bazën e ankimeve të paraqitura dhe kufizohet në pak pyetje, ndërsa zgjidhja në fund mbetet më shumë politike sesa juridike.Pikërisht për këtë arsye, dërgimi i çështjes në Hagë ishte një gabim politik, si nga pala shqiptare, ashtu edhe nga Greqia .
Deti nuk është vetëm ujë. Deti është sovranitet, ekonomi, energji, gjeopolitikë, peshkim, korridore strategjike. Kush kontrollon detin, kontrollon të ardhmen. Prandaj shtetet serioze nuk negociojnë me mjegull.
Ballkani, fundja, është i vetmi vend ku mund të jesh njëkohësisht mik, partner, aleat në NATO… dhe armik de jure.