• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRIMINELET, NDERIM SHTETËROR PËR KRIMINELIN

September 12, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi 

Ka raste kur një funeral tregon shumë më tepër për të gjallët sesa për të vdekurin. Në Beograd, Ratko Mladić nuk u përcoll thjesht si një ish-gjeneral, por me ministra, hierarkë të Kishës Ortodokse Serbe, politikanë të Republika Srpska, ambasadorin rus, mijëra qytetarë dhe, sipas raportimeve, me pjesëtarë të ushtrisë serbe të rreshtuar përgjatë itinerarit të kortezhit. Pra, pothuajse gjithçka që i duhet një shteti për të thënë se ky nuk ishte vetëm funerali i një familjeje, por një ritual publik. Vetëm një hollësi e vogël prishte solemnitetin: i vdekuri ishte Ratko Mladić, njeriu që drejtësia ndërkombëtare e dënoi me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Memo :Por Beogradi ka kohë që ka krijuar një marrëdhënie interesante me historinë: vendimet e Hagës lexohen si dokumente juridike, ndërsa kriminelët e dënuar trajtohen si personazhe të epikës kombëtare. Një lloj ndarjeje kompetencash: Europa merret me faktet, nacionalizmi serb me mitologjinë. Kështu, më 7 shtator 2026, Beogradi prodhoi një fotografi që mund të mbetet gjatë në arkivin politik të Ballkanit: një shtet kandidat për Bashkimin Europian që përcjell me pompozitet një të dënuar për gjenocid. Ironia është pothuajse tepër e lehtë: në mëngjes flasim për integrimin europian, në mesditë shkojmë në funeralin e Mladićit dhe në mbrëmje ankohemi se Brukseli nuk na kupton.

Serbia kërkon të hyjë në Bashkimin Europian. Ka kapituj negociatash, reforma, delegacione, konferenca, fotografi diplomatike dhe deklarata për “të ardhmen europiane”. Por herë pas here historia del nga bodrumi dhe ulet në tavolinë. Në funeralin e Mladićit nuk ishin vetëm nostalgjikët e luftës së Bosnjës. Ishin ministra, përfaqësues institucionalë, hierarkë fetarë, politikanë të Republika Srpska, ambasadori rus dhe ushtria. Kjo është pika ku ceremonia private mbaron dhe fillon politika. Askush nuk mund t’i ndalojë familjarët të varrosin të afërmin e tyre dhe askush nuk mund t’u caktojë njerëzve se për kë duhet të vajtojnë. Por kur shteti fut ministrin, uniformën dhe protokollin në skenë, funerali pushon së qeni vetëm çështje familjare dhe bëhet deklaratë politike.

Dhe deklarata e Beogradit ishte e vështirë të keqkuptohej: Mladići mund të jetë kriminel në dosjet e Hagës, por në një pjesë të establishmentit serb vazhdon të ketë vend në panteonin kombëtar. Prandaj reagimi i Bashkimit Europian ishte i parashikueshëm: glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi historik nuk përputhen me vlerat europiane. Beogradi mund të përgjigjet me formulat e zakonshme diplomatike, por problemi nuk është më vetëm çfarë thotë Serbia. Problemi është çfarë nderon Serbia.

Ceremoninë fetare e drejtoi Patriarku Porfirije. Çdo njeri ka të drejtën e ritit mortor; edhe krimineli varroset dhe feja predikon pendesën e faljen. Por çështja ndryshon kur riti fetar bëhet pjesë e një spektakli kombëtar dhe kur nga skena mungon pyetja më e rëndësishme: po viktimat? Ku janë në këtë liturgji mijëra burrat dhe djemtë boshnjakë të vrarë pas rënies së Srebrenicës? Ku janë nënat e Potoçarit dhe familjet që për vite kërkuan eshtrat e fëmijëve të tyre në varret masive? Mund të lutesh për shpirtin e Mladićit, por nuk mund ta kthesh atë në hero pa poshtëruar kujtimin e viktimave të tij. Këtu feja rrezikon të mos jetë më ngushëllim për të vdekurin, por dekor për nacionalizmin e të gjallëve.

Nëse funerali nuk mjaftonte për të kuptuar temperaturën morale të nacionalizmit serb, tribunat e futbollit ofruan shpjegimin e tyre. Portreti i Mladićit u shoqërua me mbishkrimin “Drejtimi: Potoçari”. Nuk ishte një parullë e zakonshme futbolli. Potoçari është vendi i kujtesës së Srebrenicës, ku prehen mijëra viktima. Këtu edhe sarkazma bëhet e vështirë, sepse kur një vend i varreve masive shndërrohet në batutë stadiumi, nuk kemi më vetëm problem me interpretimin e historisë; kemi problem me edukimin moral të brezave që nuk e kanë parë luftën. Mladići vdiq, por miti i Mladićit po u dorëzohet të rinjve, dhe kjo është shumë më shqetësuese sesa një funeral.

Nacionalizmi serb ka zotëruar prej kohësh një mekanizëm politik pothuajse perfekt: Serbia mund të paraqitet njëkohësisht si fuqi, viktimë historike dhe shpëtimtare e vetvetes. Kur përmenden krimet në Bosnjë, përgjigjja zhvendoset te vuajtjet serbe; kur përmendet Srebrenica, dikush kujton bombardimet e NATO-s; kur përmendet Kosova, historia shpesh fillon në vitin 1999, sikur vitet që çuan deri aty të mos kishin ekzistuar. Është një makinë e kujtesës selektive: çdo gjë që konfirmon martirizimin kombëtar ruhet, çdo gjë që kërkon përgjegjësi relativizohet. Pikërisht këtu Mladići bëhet politikisht i dobishëm. Ai nuk paraqitet më si njeriu konkret i një zinxhiri konkret komandues dhe krimesh konkrete, por shndërrohet në simbol të “serbit që mbrojti popullin e vet”. Kështu krimi tretet në patriotizëm, viktima humbet emrin dhe krimineli fiton aureolën e heroit.

Prania e ambasadorit rus Aleksandar Bocan-Kharchenko ishte pothuajse simbolikisht perfekte. Sikur skena të shkruhej si satirë politike, ndoshta do të dukej tepër e sajuar: një kriminel lufte i dënuar nga drejtësia ndërkombëtare, ministra serbë, hierarkë ortodoksë, politikanët e Republika Srpska, ushtria dhe Rusia. Një fotografi familjare e një bote politike që ende e sheh Perëndimin jo vetëm si partner, por edhe si gjykatës të padëshiruar të historisë së vet. Serbia dëshiron kapitalin europian, tregun europian dhe perspektivën europiane, ndërsa një pjesë e elitës së saj vazhdon ta kërkojë ngushëllimin historik në Moskë. Edhe kjo është një lloj politike shumëvektoriale: paratë nga Brukseli, emocionet nga Moska, heronjtë nga vitet ’90.

Për shqiptarët, kjo ceremoni nuk është një episod i largët boshnjak, sepse mekanizmi i mohimit është i njohur. Bosnja e pa në Srebrenicë; Kosova e njohu në Prekaz, Reçak, Mejë, Krushë, Izbicë dhe në shumë vende të tjera ku lufta la varre dhe familje të shkatërruara. Prandaj pyetja nuk është vetëm çfarë mendon Serbia për Ratko Mladićin, por çfarë na tregon nderimi i tij për mënyrën se si institucionet dhe një pjesë e elitës serbe vazhdojnë ta shohin trashëgiminë e luftërave të viteve 1990. Një shoqëri demokratike nuk matet vetëm nga aftësia për të numëruar viktimat e veta; matet edhe nga guximi për të parë viktimat që janë vrarë në emrin e saj.

Gjermania moderne nuk u ndërtua duke ngritur kultin e gjeneralëve nazistë dhe duke kërkuar njëkohësisht mirëkuptim nga viktimat. Ajo u ndërtua mbi një proces të gjatë e të dhimbshëm ballafaqimi me përgjegjësinë historike. 

Ratko Mladić u varros. Dosja e tij juridike është e qartë: dënim i përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Por dosja politike e Serbisë nuk është mbyllur. Ajo ishte e hapur në Beograd atë ditë: te ministrat që shkuan për homazhe, te uniformat përgjatë kortezhit, te politikanët që e trajtuan si hero, te tribunat që brohoritën emrin e tij dhe te banderola që tregonte Potoçarin. Mbi të gjitha, ajo shihet në vështirësinë për të shqiptuar një fjali shumë të thjeshtë: 

Ai ishte serb. Ishte gjeneral. Dhe ishte kriminel lufte. Të tria mund të jenë të vërteta njëkohësisht. Pranimi i së tretës nuk do ta poshtëronte Serbinë; përkundrazi, do ta çlironte atë nga nevoja për të mbrojtur të pambrojtshmen.

Filed Under: Analiza

“NË KOHËN E BRITMËS” – ROMAN I VISAR ZHITIT

September 11, 2026 by s p

“RILINDJET” E VDEKURA TË SHQIPËRISË DHE PROTESTA…

Nga Era Xhfaraj

“In a gentle way, you can shake the world…”

Mahatma Gandhi

Vizualizim i historisë, akt proteste dhe manifest, psikanalizë dhe zbërthim neurozash që prodhojnë sjellje të caktuara, lente e realitetit sot, i ri por me përmbajtje të vjetër, një shtjellim që vazhdon të rezonojë me jetën dhe eksperiencën e shqiptarëve është romani “Në kohën e britmës” i V. Zhitit. Në Shqipërinë tonë, të përhershmen, të fiksuarën, të ngurtën, për një komb, një atdhe, një territor, shpesh i konceptuar si “ndëshkim”, për ekzistencën njerëzore që përfshin kuriozitetin dhe reflektimin. Është ftesë për të ushtruar vetveten, kapacitetin tonë për të dëshifruar atë, vullnetin për t’i kërkuar ndërgjegjes sonë të mbështesë cilësitë e veta, virtytet universale dhe për t’u angazhuar dhe gjeneruar vendime autentike; ftesë për përgjegjësi dhe përqafuar pa frikë peshën e ankthit që gjeneron përgjegjësia… ftesë për t’i rezistuar përfshirjes në forma vetmashtrimi, çfarë Sartri do quante “mauvaise foi”…është udhëzues ndërveprimi me njëri tjetrin, si një ekzistencë me tjetrën. Sugjerim dashurie, i vetmi emocion që forcon, amplifikon, stimulon memorien dhe i mposht harresën. Është kujtesë, rrugëtim drejt epokës së dinjitetit, për të mos parë instinktin e mbijetesës si bazën e gjithë shqisave, përkundrazi të vlerësojmë të gjitha shqisat si pasurinë tonë vërtetë.

Britma plazmohet në trajta të ndryshme dhe shfaqet si gjuhë, mendim, prezencë në mungesë, imazh, njësi matëse, sekuencë, emocion, reflektim, heshtje, pritje, rutinë, fantazi, pasqyrë, realitet, profeci, proces, ndërgjegje, …britma si vdekja, fjala, përgjegjësia…Britma është heshtja që lartëson, të shfaqemi duke u zhdukur, është udhëzues drejt lirisë së ndërgjegjes, drejt kërkimit dhe rikthimit tek vetvetja. “Në kohën e britmës” është një shpërthim krijues, nuk njeh përcaktim kufijsh kohorë dhe rilexohet pafundësisht nga kënde të ndryshme. Në këtë kuptim shërben dhe si manual hermeneutik drejt botëkuptimeve konkurruese dhe parimeve organizative që përshkojnë mendësinë e shtetit shqiptar. Një që qëndron i palëvizsshëm prej më shumë se 80 vjet dhe lidhet me kultin e personalitetit, të “diktatorit të suksesshëm”, totalitarizmin dhe egocentrizmin, ku vlera përfundimtare është shkatërrimi i gjithçkaje, institucioneve, besimit… një sistem që ndërron forma, me cilësi vetëtransformuese, vigjilent dhe çdo herë i përgatitur për çastin e tejngopjes dhe demaskimit ndaj subjekteve të tij, duke konvertuar format e asgjësimit në shkatërrim të fabrikave, pronës private, ku distancimi emocional dhe “ostrakizmi”, kultura e përjashtimit, e diskriminimit dhe diskretitimit sistemik vijojnë pandërprerë, si forma moderne e moderuar dhe e sublimuar e sakrificës njerëzore, e cila ka zëvendësuar internimin, asgjësimin fizik dhe burgun politik.

“Në kohën e britmës” lexohet si dritare ndërgjegjësimi për të formuluar një botëkuptim të pastër dhe një shpresë të freskët, më të pjekur, të matur, të përmirësuar, të qëndrueshme dhe mbi të gjitha të vetëdijshme… vjen si thirrje për kujdes dhe vigjilencë, si paralajmërim dhe si fllad që fshikullon ndjenjën e nderit.

Sot protestojmë dhe në këtë frymë reagimi “Në kohën e britmës” si një instrument i besueshëm rrëfimi, arrin të ngacmojë arsyen dhe krijojë pikëpyetje të qenësishme: nëse pluralizmi dhe demokracia që lindi me të, shpëtoi vendin nga autoritarizmi dhe diktatura, apo shkatërroi tërësisht shpirtin e tij, duke prodhuar krizën masive të identitetit që po përjetojmë? A po shtrohen themelet e një diktature të re, më të qëndrueshme, të reformuar, për të qenë e pranueshme ndaj kushteve dhe klimës së re botërore, duke çuar të ardhmen e vendit drejt vetëvrasjes së pashmangshme?

Sepse në epokën e “modernizimit” dhe “pasurimit” të leksikut teknik të politikës së mplakur shqiptare me fjalë joshëse të tipit algoritëm apo platforma sociale, blockchain, startup, etj., me qëllimin e dyfishtë të dhënies së idesë së pakufishmërisë, universalitetit dhe përshtatjes të së vjetrës me hapin dhe terminologjinë e kohës nga një anë; dhe për të relativizuar përmbajten e kërkesave që lidhen me reagimet kundër politikës 36 vjeçare nga ana tjetër, relativizim i oponencës ndaj sistemit politik të drejtuar nga nepotizmi, mediokracia, emocionet afatshkurtra, rastësia dhe turmat, në vend të vizionit për krijimin e institucioneve të qëndrueshme, natyrshëm panorama kthjellohet për të parë se korrupsioni nuk është thjesht gabim sistemi. Korrupsioni është Sistemi. Se korrupsioni është një ide e institucionalizuar dhe e normalizuar, që ka dëmtuar tërësisht konceptin e meritës, konceptin e punës, madje ka vrarë nervin e punës, thelbin e individit, duke çuar në hemorragji intelektuale.

Dhe kjo hemorragji intelektuale, që është zgjatim i atij eksodi fillestar,“eksodit të urrejtjes”, siç e përcakton V. Zhiti në librin e tij, valën emigruese që shoqëroi protestat për shembjen e Komunizmit dhe emigracionin, është pa dyshim fjala e njerëzve. Është ajo fjalë dhe ai qëndrim që ka delegjimituar qeveritë shqiptare pas viteve ’90 duke i kthyer automatikisht në qeveri pakice dhe duke mposhtur çdo pretendim për vakanca drejtimi. Ikja pa kthim, refuzimi për të jetuar në teatrin e politikës shqiptare, në një vend ku “njohjet” kanë më tepër rëndësi se “njohuritë” që zotëron, lidhjet më tepër se kompetenca dhe profesionalizmi. Fjala është vota e të ikurve dhe qëndrestarëve, e njerëzve që mund të ndreqnin situatën. Dhe një vend dhe ekonomi që atrofizon, shmang dhe humbet talentet më të mira, a ka më shpresë? Një zgjidhje?

Po! Ndryshim dhe refuzim për të sakrifikuar mendjen dhe aftësinë për të këmbëngulur dhe jetuar në vend, kultivimi i ndjenjës së përkatësisë në vendin tonë, mos të përdorim lirinë për të zgjedhur skllavëri, për t’u rilidhur në besë të pabesë dhe ofenduese për pritshmëritë tona. Në kohë protestash, në kohën e britmës, harxhimi i energjive në dilema vakancash, që plotësohen në momentin e arritjes së ndryshimit, ndryshimit të vërtetë dhe esencial, është kohë e humbur.

Ndryshimi është sinonimi më i bukur i vetë jetës, sinonimi më i bukur i Shqipërisë së re. Sepse çdo veprim që korrupton thelbin dhe qenien tonë të vërtetë na çon drejt errësirës dhe dështimit. Dhe siç shprehet dhe Zhiti, “është e rëndë të kesh dështuar, jo në jetë, ashtu jemi gati të gjithë, por të kesh dështuar, së jetuari”.

Fragmente nga romani “Në kohën e Britmës”, – Visar Zhiti.

(…)

…asgjë s’është e qartë, asgjë s’është e vërtetë, as e sigurt, as nuk dihet, as si është. Të krijohet mjedisi i “gjithçka-asgjësë”, klima e “pafrymësisë”, s’gjej dot fjalë, se janë dukuri të paqena, “antirisi”, a kështu ka qenë gjithmonë, të mos dihet ç’ndodh dhe le të thuhen më të pamundurat, të bëhen e askush të mos mbajë përgjegjësi. Ky është qëllimi: Mosqëllimi.

Të mos ketë përgjigje. Asgjëkundi! As heshtje. Zhurmë po. Pse? S’e di…Pse? Ngaqë e di…Ja, kthehemi pak pas, flasim për të tjerët, shkoqur. Për ato që njohim. Afrëdita, p.sh. u iku atyre që e shkolluan, po ndërronin, s’ishin më si dikur, qenë bërë liberalë, hapën burgjet, vendosën pluralizmin, që duan ta bëjnë Shqipërinë si gjithë Evropa, pikërisht ata që e bënë veçan Evropës, provincë, burg, ferr, vend nga ku të vjen vetëm të ikësh. Afërdita duhet të paguante ç’mori.

Të na shërbente sipas kushteve të reja. Nëse ajo donte të ikte nga ne, atëherë le të ikë, e ndihmojmë as mos të kthehet. S’deshi me ambasadat, siç bëri Evgjeni i saj, ai mirë bëri ashtu, ashtu deshëm dhe ne. Më pas ishte vonë. Se, kush nuk është me ne, humbet, apo jo Afrëdita? Ku je, e di?

Kurse Gjergji, me të gjithë ata që dolën nga burgjet po besonin se erdhi kohë tjetër, sistem tjetër, vërtet ashtu ishte, nuk shtyhej më, por jo me njerëz të tjerë, jemi ata që ishim. Ne i futëm ata në burgun tonë, ata na futën në ëndrrën e tyre, por e pranojmë, jemi në atë që ata ëndërruan. Ta themi hapur, e duam ëndrrën e tyre, por pa ata. Ata s’duhen më realisht, pengojnë. Mbase si fantazma. S’i asgjëson dot, thamë, jo plojë më, se na kthehet në të kundërt. T’i mburrim në përgjithësi si pararendës, por secilin ta braktisim, ta harrojmë. Të lihen mënjanë, por mund të ngrihen, si në kryengritjet e tyre në burgjet e Spaçit e të Qafë-Barit, atëherë t’i shtypim…jo, jo, gabim, s’na lejohet, por t’i zhbëjmë dalëngadalë, me marifet, t’i ndajmë nëpër shoqata, p.sh., t’u premtohet dëmshpërblimi së pari, por të mos dëmshpërblehen, se forcohen, ja një variant. Tjetër, as falje mos të kërkohet, se pastaj duhet folur për fajtorët. Mundësisht të ikin sa më shumë nga ata, të flaken, gjoja që të prekin ëndrrën në Perëndim; ç’mbetet, jo t’i vrasim, jo, në asnjë mënyrë, të përdorim metoda sa më të pabesa, por dhe banale, mosmirënjohjen, depresonalizimin, nëpërkëmbjen, t’u hapim dosjet atyre dhe jo këtyre që u hapën dosje atyre…T’i implikojmë. Të mos i lëmë të na futen. Të ndihen të huaj, me komplekse faji, mëkatarë…

Kë kërkoni ju? (…)…Kanë vajtuar atje ku do të donin, sot jemi të lirë.

Po, kanë vajtur atje ku do të donin, por kush donte dhe ku?

Atë s’e di unë. Dokumente të tyre s’ka, as dosje, janë djegur në ’91, më ’97, në shekullin e kaluar, tani është shekulli i kompjuterave, s’kam asgjë këtu, as burg, ç’gjyq mund të bësh, me kë, për kë, të kesh qenë në burg është turp, ja po ta them unë.

Turpi është i atyre që futnin nëpër burgje.

Zotëri, politikë bën ti këtu? Shko e fol në parlament, kur qenke kaq i zoti, kaloi ajo kohë, i takojnë së shkuarës, shiko nga e ardhmja, ej, bëj ndonjë biznes, apo s’të duhen para ty?

Zhbërja, thashë, kjo është më e efekteshme. Të veprojë mekanizmi i zhbërjes kudo dhe tek të gjitha. Tani zhbëhen bëma, emra, martirë, kuvende, tempuj, epika, mos jepni lule, vetëm para borxh, kredi, interes, piramida financiare, shkatërrim, harresë, fushata elektorale, protesta, të nisë nga e para, me ne të parët, asgjë të mos nisë, të mbetemi siç ishim.

Eh, ka pasur diktaturë, le të thuhet, po të duan, por pa diktatorë, ata të mos preken. Të burgosur ishim të gjithë në burgun-atdhe, të thuhet, dhe të burgosurit politikë të zbëhen dhe, për rrjedhojë, zhbëhen dhe burgjet, s’e di a ka pasur të tilla. Ka pasur, ka pasur dhe të tmerrshme. Po bashkë ishim brenda telave me gjemba, njësoj…

Ti do të më thuash mua persekutor, por unë të nxjerr dëshminë e persekutimit, kam vuajtur sa ti, në mos më shumë. Të kam ruajtur, kam bërë policin, spiunin, në terr, në të ftohtë…Dhe mos harroni, ju keni qenë bashkëpunëtorë me ne në ferr, keni kallëzuar njëri tjetrin. S’është e vërtetë! E bëjmë ne të vërtetë. E vërteta bëhet, nuk është. Në burg ju ishit më të qetë se ne, se s’kishit më frikë se mund të dënoheshit, s’kishte ku t’ju çonin më keq, por unë, ne, që jetonim në ankth me vite. Po ju shpikët ridënimet, vdekjet pa arkivol, pa varr. Sidoqoftë persekutori është më i persekutuar se i persekutuari. Mbase në Biblën që ju dogjët. E shikon sa e ngatërruar është kjo? Pra, më mirë ta mbyllim, pa kujtesë, pa brerje ndërgjegjeje, pa përgjegjësi. Ndërkohë ne jemi më të dijshëm se ju. Kush, cilët? Në dhunë e tortura, po, dini më shumë….Tani, ashtu si armën me silenciator, përdorni dhe heshtjen. Vrisni me harresë.

Përditë bëhen krime të vogla ordinere, megjithëse krimi s’është kurrë i vogël, që të harrohet krimi i madh, gjeneral, ku u masakrua jeta e një populli të tërë, me të gjallë e me të vdekur. Dhe bashkë me këtë, të harrohen ata që e kryen. Që të ndodhë kjo, s’duhet të kujtohet krimi, pra s’duhet të jenë njerëzit që e kanë pësuar atë dhe që të mund ta dëshmojnë. Se krimi mbetet. Atëherë ta përziejmë me baltë. Ti thua se burgu s’ishte fundi, kishte prapë pas tij për të gjallin. As me pushkatim nuk mbyllet gjithçka, se fillon jeta pas vdekjes. Jo, ne na duhet tani thelbi i mosthelbit, e thamë, moskujtesa e zezë. Vetëm balta i afrohet lëndës së saj. Baltë atëherë, të vjetër, të re, atë të marrim në ndihmë. Pa vdekjen. Jo duke përbaltur gjithçka të të gjallëve, por për ta shndërruar baltën në të tërën. Sikur s’ka qenë asgjë më parë….Gropat masive të harresës. Që pastaj të thonë: asgjë s’ka ndodhur këtu, as e mirë, as e keqe, as e bukur, as e shëmtuar. S’ka gjurmë. As ka ikur, as ka ardhur e as është ndalur. Po ç’krim thua ti, shikoje, kjo është thjesht baltë, pa kujtesë, pa asnjë mesazh. Balta e vendit tënd, duaje…

***

Eh, po ndërroheshin kohët, shekull tjetër, mijëvjeçar tjetër, sistem tjetër. Duheshin martirë. Kurbane…E kundërta e tyre…Simboli apo kundërsimboli? Kujtesa apo harresa? Njërin do ta kenë përzgjedhur si ish të burgosur politik, për t’u thënë të gjithëve që ata, pikërisht ata, tani pengonin, se ndryshim nuk do të thoshte përmbysje dhe përmbysje nuk do të thoshte ndryshim, prapë jemi të fortë dhe shteti është i yni. Na duhet ëndrra e tyre, pra ata le të bëhen ëndërr. Mundësisht të paqenë. Pak janë zhdukur, më thuaj? Si në Kosovë edhe këtu. Janë vrarë e mbytur. Edhe lufta s’bën kërdi më shumë…

Filed Under: Analiza

LAW, LEADERSHIP & CIVIC IMPACT

September 9, 2026 by s p

The Albanian-American Student Summit brings together an accomplished group of professionals whose careers demonstrate the many ways you can create meaningful impact through law, government, advocacy, and public service.

Meet our panelists:

⚖️ Katrina L. Berishaj — Chair, ERISA & Employee Benefits Practice, Stradley Ronon

⚖️ Nick Gjelaj — Attorney & Construction Accident Advocate

🏛️ Vera Mjeku — NYC Government Professional, Human Rights & Gender Advocate, Mentor & Civic Leader

⚖️ Linda Nikaj — Civil Litigation Attorney & Adjunct Professor

🏛️ Mary Camaj — Public Service & Equity Advocate, Public Administrator & Community Leader

Students will hear firsthand how careers in law, government, policy, advocacy, and civic leadership can become powerful platforms for serving communities and creating change.

📅 Sunday, October 4, 2026

📍 Fordham University | The Great Hall | Bronx, NY

⏰ 12:00 PM – 6:00 PM

Register today at AANO.org/events/student-summit

Filed Under: Analiza

Masakra e Koplikut

September 8, 2026 by s p

78 vjetori i masakrës së diktaturës komuniste të 29 gushtit të vitit 1948 është një ngjarje tragjike genocidjale për krahinën atdhetare të Malsisë Madhe por dhe për Shqipërinë, që na kujton dhe na obligon #kurrë mos të harrojmë!#

Krimet që u kryen nga xhelatët stalinistë me emrin shqiptar, janë të paimagjinushëm për brezat e sotëm, këtu u arrestuan malsor e malsore, pa asnjë dokument ligjor, pa asnjë akuzë të bazuar në ligj, por vetëm për të bërë reprezalje ndaj malsorëve dhe malsoreve që nuk i nënshtroheshin regjimit barbarë stalinistë të Enver Hoxhës! 56 burra dhe gra u arrestuan, dy klerikët e famshëm dhe të ditshëm, të asaj krahine, Dom Lekë Sirdani, dhe Dom Pjetër Çunin! Në mes të malsorve ishte dhe një grua trimëreshë Prena Nik Gjonaj,e cila ishte shtatzënë dhe lindi në burgun e Koplikut në mes burrave dhe grave të arrestuar, lindi një vajzë. Imagjinoni një grua lind në burg, dhe humbet fëmijën e saj, thjesht se e kishte etikuar pushteti barbar komuniste kundërshtar!  Kjo engjellueshe e vogël që lindi në burg të Koplikut në gusht të vitit 1948, e morën xhelatët dhe e zhdukën kufomën e sajë. Kur Prena priste të vinte e ta pagëzonte prifti që ishte në burg, Priftin Lek Sirdanin dhe Pjetër Çunin i kishin mbytur në tortuat në kanalin e ujërave të zeza të Koplikut.

Dhe vajza që lindi në burgun famkeq të Koplikut, mbeti pa emër, pa varr, dhe pengu i kësaj trimëreshe do të ishte më iku vajza pa emër, pa bekimin e priftit, dhe pa varr. Kjo ishte vepra kriminale e xhelatëve stalinistë në gusht të vitit 1948!

E çfar faj kishin ba priftërinjtë Sirdani e Çuni vetëm se i shërbeni Reçit, Shkrelit, Këlmendit, 

Hotit, e gjith krahinës me besimin në Zot e me mbrojtur doket zakonet, besën, e malsorve.

35 vite që i kujtojmë këto krime, familjarët, antikomunistët të përndjekur politikë nga regjimi komunist stalinist shqiptar! Vetëm establishmenti politikë i krijuar në 90 hesht ndaj këtyre krimeve çnjerëzor dhe përgjigjen me propogandë dhe ideologji komuniste “Ashtu qe koha” ky establishment komunistë, që mori peng Lirinë, dhe demokracinë shqiptare nuk e vret ndërgjegjja që të ju  kërkoj falje familjeve që u martirizuan për lirinë e shqiptarve! Heshtjen e përdorin si argument për të mbrojte politikën që i kreu krimet.

Kemi 35 vite që i përkujtojmë, dhe i japin rëndësi kujtesës, dinjitetit të viktimave dhe të drejtën e familjeve që kërkojnë drejtsi përballë një shteti i ashtuquajtur “demokratikë” të shurdhër, në një shtet që nderon xhelatin, në një shtet që përbuz të vërtetën, në një shtet që mos-hakmarrjen tonë për krimet e kryera ndaj prindërve dhe familjeve tona, e marrin si dobësi, përballë një pajtimi kombëtar ku drejtësia të veprojnë ndaj krimit. Këshilli Bashkiak i Malsisë Madhe duhet të turpërohet që ka mbi dy vite që mban peng vendosjen e bustit të Heroit të Shqipërisë trimit të Kelmendit Prek Calit. Veprat e heronjve antikomunistë nuk mund të mbahen peng i politikave klasore staliniste. E ftoi këtë institucjon vendor të ndjeki  shembullin e Këshillit të Bashkisë Lushnjes që për dy javë vendosi bustin e Kardinalit të parë shqiptar Mikel Koliqit, dhe ku si Bashki financoi 20.000.000 miljon lekë të vjetra. Dhe ata i përkisnin Partisë Socialiste, këshilltarët e Lushnjes , zbatuan ligjin, ata nderuan figurën kontributin që kishte dhënë  Kardinali për Shqipërinë, jo bindjet partiake. Ata u ndjenë krenar që e vendosëm Mikelin e dashur në vendin ku u arrestuar në moshën 75 vjeçare në Gjazë ku ishte i internuar.  Besoi se mbas kësaj thirrje këshilli bashkiak i Malsisë Madhe  do të votojnë ngritje e bustit të Prek Calit dhe nuk do të heshti, e të shkeli ligjin për nderimin e heronjve të Shqipërisë. E gjithë Europa përkujton datën 23 gusht si ditën e nderimit të viktimave të Fashizmit, Nazizmit, Komunizmit, dhe Stalinizmit, një diktature që Shqipëria e vuajti për 45 vite, dhe vazhdon ta vuan dhe 35 vite formalisht demokraci. Ndryshimi i emrit të partisë që zhduki 6000 burra , gra, fëmijë sot fatkeqësisht sundon politikë staliniste në Shqipëri, duke përçmuar shtresën antikomuniste që pagoi me gjak lirinë.

Gjatë pluralizmit 35 vjeçar demokracinë e morën peng stalinistët e rinj shqiptar, asnjë Kryeministër që nga viti 1990 kur u lejua pluralizmi dhe deri tek Kryeministri i fundit me 4 mandate Edi Rama nuk ju kërkuan falje shqiptarve që u sakrifikuan me humbje jete për një Shqipëri demokratike Europiane. Shqipëria u tradhëtua nga komunistët në vitin 1990, kjo ishte tradhtia e dytë mbas viteve 50 ku shërbimet sekrete anglo –amerikanë u përfshinë nga tradhëtia e agjentit rus Kim Filbi, ku humbën jetën qindra shqiptarë antikomunistë. Parlamenti, Gjykata Kushtetuese, Presidenti, Kryeministri aktual kan ndërtuar një shtet sundues e të korruptuar, ku demokracia nuk funksionon, ku partitë politike nuk bëjnë zgjedhje, por populli voton , pushteti stalinist numron votat, kjo është ideologjia staliniste që zbatohet në Shqipëri.

“Shqipëri në shitje”

Ky slogan ushton çdo natë në bulevardin e Tiranës nga mijëra të rinj dhe të reja të cilët kërkojnë ndryshimin e sistemit politik stalinist që ka mbajtur peng me emrin formal demokraci, që denoncojnë fundin e një regjimi stalinistë të ashtuquajtur demokratikë.

A mund të quhet shtet i së drejtës ku bijtë e xhelatëve të djeshëm, janë bërë deputet, ministra, dhe kan marrë pronën e shqiptarve me ligje, dhe degtisin në gjykatat staliniste pronarët e ligjshëm. Që kan përvetsuar tokat e malet e Shqipërisë, dhe janë pasuruar me miljarda ero me ligje korruptive ku institucjnet e drejtsisë, marin urdhëra nga Kryeministri sundues prej 15 vitesh pa zgjedhje të lira por vetëm me manipulime që më në fund dhe institucjonet e votës së lirë të Europës e kuptuan me 11 maj 2025. Kurse bijtë e antikomunistëve që lanë me gjak Shqipërinë kundra stalinizmit janë degdis nëpër Europë. Sot ata po provojnë luftën e klasave të prindërve të tyre. 

Kjo është demokracia që na sërvis establishmenti politikë staliniste që kan marrë peng demokracinë, që nuk lejojnë zgjedhje, që kan shkatruar kushtetutën e vendit.

“Shqipëria në Shitje” kur Kryeministri i vendit me fodullekun banal të një sunduesi deklaron se në Shqipëri do të ndërtohet një Shtet bektashi, për herë të parë një politikan shqiptar përdor fenë për të ndarë shqiptarët. Kjo është tradhëti kombëtare. Një turp kombëtare, vëllezërit Abdyl, Sami , Naim Frashëri , korifenjtë e rilindjes shqiptare, luftuan për ngritjen e shtetit shqiptar, ku ata i përkisnin besimit bektashinj, Ata i udhëzuan teqet, tyrbet, dhe Shehelerët të ndërtonin shtetin shqiptar duke respektuar çdo lloj besimi që kishin Shqiptarët, kur nuk i ndan  shqiptarët në bektashi, mysliman, ortodoksë. At Gjergj Fishta homeri shqiptar nuk i ndau në shtet katolikë, apo mysliman shqiptarët por deklaronte unë për vëllezërit e mij mysliman e shkrij kryqin dhe e bej fishek për të mbrojte vëllezrit shqiptar. Dhe drejtuesit e katolicizmit shqiptar luftuan për një shtet shqiptar. Imzot Fan Noli kurrë nuk kërkoi të ndërtonte shtet ortodoksë, Hafiz Ali Korça  kryemyftiun mysliman nuk kërkoi shtet mysliman por shtet shqiptar,  dhe me At Gjergj Fishtën i jepnin germat shqipe në Manastirin e tokës shqiptare. Korifeu i fundit i bektashizmit Baba Reshat Bardhi na ban thirrje nga përjetsia: jo shtet bektashi, por shtet shqiptar simbas vëllezërve Frashëri!

Ndërtimi i shteteve në bazë besimesh fetare, është Shqipëria në shitje. Prandaj rinia shqiptare ka mbi 97 ditë që denoncon dhe kërkon këtij Kryeministri të largohet nga drejtimi i qeverisë shqiptare. Jep dorëheqje,  ushton zëri i rinisë shqiptare në mbrotje të kombit kundra tradhëtisë dhe shitjes së Shqipërisë.  

A do ta lejojmë shqiptarët këtë tradhëti kombëtare të këtyre politikanve të paskrupull që janë në drejtim të shtetit. Këta harrojnë se nuk janë pronarë të shtetit , as krijus shtetesh formale fetare, por me i shërbyer kombit e me mbrojt shtetin shqiptar. Këtë shtet që ka itenditetin e Skënderbeut, të Ismail Qemalit, të Ahmet Zogut, e të dëshmorve të kombit që e kan mbrojt me gjak Shtetin shqiptar.

Shqiptarët e kan denuar gjithmonë tradhëtinë, dhe kësaj radhe rinia shqiptare, nuk do të lejojë të triumfoi tradhtia për të mbajtur pushtet, por do të mbrojnë Shqipërine e Skënderbeut si një zonjë e madhe në Europë.. “Shqipëria e shqiptarve, vdekje tradhëtarve!”

Besim Ndregjoni

Filed Under: Analiza

SHQIPTARËT DHE IDEOLOGJITË

September 7, 2026 by s p

Nga Fadil Ferizi/

Historia shqiptare mund të lexohet edhe si histori e marrëdhënies sonë me idetë dhe ideologjitë e kohës. Feja, perandoria, nacionalizmi, republikanizmi, monarkia, komunizmi, demokracia liberale, sovranizmi dhe integrimi evropian kanë ndikuar, në periudha të ndryshme, në mënyrën se si shqiptarët e kanë kuptuar veten, shtetin, lirinë dhe raportin me botën.

Disa ide i kanë ndihmuar shqiptarët të organizohen dhe të emancipohen. Të tjera i kanë ndarë, i kanë nënshtruar ose i kanë larguar nga interesi i tyre. Prandaj, pyetja themelore nuk është nëse shqiptarët kanë pasur ideologji. Pyetja është: kur i kemi përdorur idetë për t’i shërbyer lirisë sonë dhe kur kemi përfunduar duke u shërbyer ideve, madje edhe kundër vetvetes? Historia shqiptare njeh të dyja përvojat.

Skënderbeu dhe politika e interesit

Do të ishte anakronizëm ta quanim Skënderbeun nacionalist, konservator apo evropianist në kuptimin e sotëm. Ai i përkiste një bote politike ku dinastia, feja, territori, aleanca, pushteti dhe mbijetesa ndërthureshin.

Por përvoja e tij na lë një mësim që do të përsëritej në historinë shqiptare: një popull i vogël nuk mund t’i shpërfillë fuqitë e mëdha, por as nuk mund t’ua dorëzojë atyre përcaktimin e qëllimeve të veta.

Skënderbeu kërkoi aleatë sepse kishte nevojë për ta. Napoli, Papati, Venediku dhe fuqitë e tjera ishin pjesë e strategjisë së mbijetesës. Por aleanca ishte mjet, jo qëllim.

Ky dallim ndërmjet aleancës dhe varësisë, ndërmjet mbështetjes së jashtme dhe përcaktimit të brendshëm të interesit, do të mbetej një nga çështjet e përhershme shqiptare.

Rilindja, ideja që i shërbeu kombit

Me Rilindjen Kombëtare ndodhi diçka tjetër. Shqiptarët kishin nevojë për një ide që t’i bashkonte.

Ata ishin të ndarë ndërmjet besimeve, krahinave dhe administrimeve të ndryshme, ndërsa nacionalizmat ballkanikë po organizoheshin gjithnjë e më fuqishëm. Nëse ndarja fetare do të shndërrohej në ndarje kombëtare, vetë ekzistenca politike e shqiptarëve do të vihej në rrezik.

Pashko Vasa, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, Naim Frashëri dhe rilindësit e tjerë ndihmuan në ndërtimin e një vetëdijeje që e vendoste përkatësinë shqiptare mbi ndarjet fetare dhe krahinore.

Rilindja nuk e mohoi fenë. Ajo refuzoi që kufiri fetar të bëhej kufi kombëtar.

Kombi duhej të ishte një shtëpi më e gjerë se përkatësia fetare.

Këtu kemi një shembull të fuqisë emancipuese të një ideje. Ideja kombëtare nuk kërkonte që shqiptari të hiqte dorë nga besimi i tij. Kërkonte që besimi të mos e pengonte ta njihte shqiptarin tjetër si pjesëtar të së njëjtës bashkësi.

Ideja i shërbente kombit, jo kombi idesë.

Shteti dhe tundimi i modeleve

Pas shpalljes së pavarësisë më 1912, shqiptarët u përballën me një problem të ri. Nuk mjaftonte më të krijohej vetëdija kombëtare. Duhej ndërtuar shteti.

Republikë apo monarki? Pushtet parlamentar apo i centralizuar? Shoqëri tradicionale apo modernizim i shpejtë? Cili duhej të ishte raporti ndërmjet shtetit, pronës, fesë, arsimit dhe qytetarit?

Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Fan Noli, Ahmet Zogu dhe figura të tjera të kohës nuk mund të futen në një skemë të vetme ideologjike. Ata përfaqësuan vizione, interesa dhe mënyra të ndryshme të ushtrimit të pushtetit.

Por problemi shqiptar ishte më i thellë se zgjedhja ndërmjet modeleve politike.

Idetë dhe modelet politike mund të importohen shumë më shpejt sesa ndërtohen institucionet që duhet t’i shndërrojnë ato në rend, përgjegjësi dhe liri.

Ky problem nuk na ka braktisur as sot.

Komunizmi, kur ideologjia kërkoi njeriun

Me komunizmin marrëdhënia ndërmjet shqiptarit dhe ideologjisë ndryshoi rrënjësisht.

Ideologjia nuk kërkonte më vetëm të orientonte politikën. Ajo pretendonte të shpjegonte historinë, shoqërinë, ekonominë, kulturën, fenë dhe vetë njeriun.

Në Shqipëri, partia u bë shtet dhe shteti u bë instrument i ideologjisë. Pluralizmi politik u zhduk. Kundërshtarët u burgosën, u internuan ose u eliminuan. Prona private u godit rëndë. Institucionet fetare u shkatërruan dhe ushtrimi i fesë u ndalua. Mendimi i lirë u trajtua si rrezik politik.

Komunizmi shpallte internacionalizmin, por Shqipërinë e çoi, pas prishjeve të njëpasnjëshme me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën, drejt një izolimi pothuajse të plotë.

Por për shqiptarët komunizmi kishte edhe një kundërthënie tjetër, veçanërisht të rëndë: ideologjia pretendonte se solidariteti klasor dhe revolucionar duhej të ishte më i fuqishëm se përkatësia kombëtare.

Kjo kundërthënie u shfaq në mënyrë dramatike në Kosovë.

Tivari si paralajmërim

Në pranverën e vitit 1945, mijëra burra, kryesisht shqiptarë të Kosovës, u mobilizuan dhe u nisën nga Prizreni për t’u dërguar drejt njësive të Armatës së Katërt jugosllave. Kolonat kaluan nëpër territorin e Shqipërisë komuniste, drejt Shkodrës dhe më pas Tivarit.

Më 31 mars 1945, një pjesë e rekrutëve u vra në Tivar. Numri i saktë i viktimave vazhdon të diskutohet në historiografi, por për temën tonë rëndësi ka një kundërthënie tjetër.

Shqiptarët e Kosovës kalonin nëpër territorin e Shqipërisë në një kohë kur komunistët shqiptarë dhe ata jugosllavë e konsideronin veten pjesë të së njëjtës lëvizje revolucionare. Ndërkohë, kundërshtimi i shumë shqiptarëve të Kosovës ndaj pushtetit të ri jugosllav mund të trajtohej si reaksion, nacionalizëm armiqësor ose kundërrevolucion.

Këtu ideologjia krijonte një përmbysje të jashtëzakonshme të marrëdhënieve politike.

Komunisti shqiptar mund ta shihte komunistin jugosllav si aleat ideologjik, ndërsa shqiptarin që kundërshtonte rikthimin e pushtetit të Beogradit në Kosovë si kundërshtar të rendit të ri.

Kjo është arsyeja pse Tivari ka vend në një shkrim për shqiptarët dhe ideologjitë.

Jo për ta shndërruar këtë artikull në hetim të Masakrës së Tivarit. Tivari këtu është një provë historike e një problemi më të madh: çfarë mund të ndodhë kur ideologjia ndryshon hierarkinë e besnikërive të njeriut.

Rilindja kishte kërkuar që shqiptari të mos ndahej nga shqiptari për shkak të fesë. Komunizmi, në rrethana të tjera historike, kërkonte që përkatësia klasore dhe revolucionare të qëndronte mbi përkatësinë kombëtare.

Në këtë kuptim, Tivari bëhet simbol i një pyetjeje shumë më të madhe se vetë ngjarja: çfarë ndodh me një komb kur ideologjia bëhet më e rëndësishme se përgjegjësia ndaj vetvetes?

Ndryshoi regjimi, por çfarë ndryshoi për shqiptarët?

Për shqiptarët e Kosovës, problemi me shtetin serb dhe jugosllav nuk kishte filluar me komunizmin.

Përvoja historike përfshinte represion, dëbime, kolonizim, kufizim të të drejtave kombëtare dhe përpjekje për ndryshimin e realitetit demografik e politik të Kosovës.

Prandaj ardhja e komunistëve në pushtet nuk mund ta fshinte automatikisht këtë histori.

Fashizmi dhe komunizmi janë ideologji të ndryshme dhe nuk duhet të barazohen. Por ndryshimi i ideologjisë së pushtetit nuk nënkupton domosdoshmërisht ndërprerjen e praktikave represive të shtetit ndaj një populli.

Për shqiptarët, pikërisht këtu qëndron pyetja:

A ndryshoi vetëm ideologjia e Beogradit, apo ndryshoi edhe raporti i pushtetit ndaj shqiptarëve?

Kosova u vendos nën administrim ushtarak në vitin 1945. Qëndresa ndaj pushtetit të ri u shtyp. Kundërshtimi shqiptar mund të përkthehej në gjuhën ideologjike të revolucionit dhe kundërrevolucionit.

Kështu një çështje me rrënjë kombëtare merrte një emër të ri ideologjik.

Shqiptari që kundërshtonte pushtetin mund të quhej reaksionar. Kërkesa kombëtare mund të shpallej nacionalizëm armiqësor. Kundërshtimi politik mund të trajtohej si armiqësi ndaj socializmit.

Ideologjia nuk e kishte zgjidhur domosdoshmërisht problemin shqiptar. Në raste të caktuara, ajo i kishte dhënë pushtetit një gjuhë të re për ta administruar atë.

Kur shqiptarët morën ideologjinë e kohës

Por historia nuk është njëkahëshe.

Edhe një pjesë e lëvizjes ilegale shqiptare në Kosovë përdori marksizëm-leninizmin, terminologjinë revolucionare dhe modele politike të kohës.

Ky fakt nuk duhet as të fshihet, as të zbukurohet.

Por këtu duhet bërë një dallim vendimtar. Ideologjia me të cilën një brez e shpjegon luftën e vet nuk është domosdoshmërisht e njëjtë me shkakun historik që e shtyn të luftojë.

Pas terminologjisë marksiste qëndronin kërkesa shumë më të vjetra: barazia kombëtare, statusi i Kosovës, vetëvendosja dhe, për rryma të caktuara, bashkimi kombëtar.

Demonstratat e vitit 1981 e tregojnë qartë këtë kundërthënie. Kërkesa “Kosova Republikë” nuk mund të shpjegohet vetëm si produkt i radikalizmit të majtë. Ajo ishte kërkesë për ndryshimin e statusit politik të Kosovës brenda federatës jugosllave.

Një brez mund ta marrë fjalorin nga koha e vet, ndërsa plagën ta ketë trashëguar nga historia.

Ky dallim është thelbësor për të kuptuar shqiptarët dhe ideologjitë.

Nga Demaçi e Rugova te UÇK-ja

Adem Demaçi përfaqëson një vazhdimësi të gjatë të kërkesës për liri dhe vetëvendosje, pavarësisht ndryshimeve të mëdha ideologjike të epokës.

Me Ibrahim Rugovën erdhi një strategji tjetër. Kosova duhej të lidhej qartësisht me demokracitë perëndimore. Rezistenca paqësore, institucionet paralele dhe ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës synonin ta nxirrnin atë nga korniza e një problemi të brendshëm serb apo jugosllav dhe ta vendosnin në agjendën e Perëndimit.

Pastaj erdhi UÇK-ja.

Brenda saj kishte njerëz me prejardhje dhe formime të ndryshme politike e ideologjike. Por lufta e fundit të viteve nëntëdhjetë nuk mund të shpjegohet vetëm përmes ideologjive të organizatave të dekadave të mëparshme. Në qendër ishte çlirimi i Kosovës nga sundimi i Serbisë dhe përcaktimi i së ardhmes së saj politike.

Në vitin 1999, qëndresa e popullit të Kosovës, lufta e UÇK-së dhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s i dhanë fund kontrollit të regjimit të Sllobodan Millosheviqit mbi Kosovën. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

Këtu shfaqet një përvojë pothuajse e kundërt me atë të vitit 1945.

Në vend që interesi shqiptar t’i nënshtrohej një solidariteti ideologjik ndërkombëtar, çështja e Kosovës kërkoi përputhjen e interesit të saj me demokracitë perëndimore dhe, në mënyrë të veçantë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mësimi është i rëndësishëm: aleanca nuk është nënshtrim kur ajo i shërben lirisë dhe interesit tënd.

Problemi fillon kur interesi yt sakrifikohet për t’i shërbyer aleancës ose doktrinës.

Nga dogma komuniste te etiketat demokratike

Rënia e komunizmit solli pluralizmin politik, por pluralizmi i partive nuk prodhoi automatikisht pluralizëm të mendimit.

Sot Shqipëria dhe Kosova kanë parti që quhen të majta, të djathta, liberale, konservatore, socialdemokrate apo nacionaliste. Por shpesh ekziston një hendek ndërmjet etiketës ideologjike dhe praktikës së pushtetit.

Një parti mund të quhet e majtë dhe të zbatojë politika ekonomike të djathta. Mund të quhet e djathtë dhe të ndërtojë klientelizëm shtetëror. Mund të flasë për sovranitet dhe të mos e kuptojë ndërvarësinë e një shteti të vogël. Mund të shpallë evropianizmin dhe të ndërtojë partiokracinë. Mund të flasë për kombin dhe ta përdorë patriotizmin për të mbuluar paaftësinë.

Kështu kemi kaluar nga një paradoks në tjetrin: dikur kishim një ideologji dhe nuk kishim pluralizëm; sot kemi pluralizëm, por shpesh kemi më shumë etiketa sesa ide.

Prandaj një ide politike nuk duhet gjykuar vetëm nga emri.

A ndërton institucione? A e kufizon pushtetin? A mbron lirinë? A krijon drejtësi? A zhvillon ekonominë? A e forcon shtetin? A i ruan aleancat jetike? A e fuqizon qytetarin përballë qeverisë apo qeverinë përballë qytetarit?

Këtu fillon prova e ideologjisë.

Ideologjia nuk mund të bëhet atdhe

Nga kjo histori nuk duhet nxjerrë përfundimi se shqiptarët duhet të jetojnë pa ide. Politikë serioze pa ide nuk ka.

Liberalizmi, konservatorizmi, socialdemokracia, nacionalizmi demokratik, integrimi evropian dhe tradita të tjera politike kanë prodhuar institucione, të drejta dhe modele shoqërore që meritojnë të debatohen.

Problemi nuk është prejardhja e një ideje.

Idetë nuk kanë pasaportë.

Problemi fillon kur ideja shndërrohet në dogmë dhe kërkon që realiteti t’i nënshtrohet asaj.

Komunizmi e bëri këtë në mënyrën më radikale. Por tundimi nuk përfundoi me komunizmin. Edhe nacionalizmi mund të bëhet strehë e paaftësisë. Edhe sovraniteti mund të kthehet në retorikë izolimi. Edhe evropianizmi mund të bëhet dekor pa standarde evropiane. Edhe demokracia mund të zbrazet në ritual zgjedhor. Edhe interesi kombëtar mund të keqpërdoret, nëse pushteti e shpall si të vërtetë që nuk lejon pyetje.

Prandaj, kombi nuk duhet të jetë kundër mendimit dhe mendimi nuk duhet të jetë kundër kombit.

Një shoqëri e lirë duhet të jetë në gjendje ta mendojë kombin lirisht.

Ideologjitë ndryshojnë, interesi mbetet

Nga Skënderbeu te Rilindja, nga shtetformimi te komunizmi, nga Tivari te Kosova jugosllave, nga Demaçi e Rugova te UÇK-ja dhe shteti i pavarur, një pyetje rikthehet vazhdimisht: si t’i përdorim idetë dhe aleancat pa humbur aftësinë për ta përcaktuar vetë interesin tonë?

Përgjigjja nuk është që shqiptarët të refuzojnë ideologjitë. As që çdo gjë e huaj të shihet si rrezik. Një popull që nuk merr pjesë në qarkullimin e ideve varfërohet intelektualisht dhe politikisht.

Por ekziston një vijë që nuk duhet kaluar: ideologjia nuk duhet të bëhet më e rëndësishme se njeriu, liria dhe interesi jetik i bashkësisë.

Historia jonë na tregon se shqiptarët i kanë përdorur idetë për t’u çliruar, por edhe se kanë paguar çmim të rëndë kur janë bërë shërbëtorë të tyre.

Rilindja e përdori idenë për ta bashkuar shqiptarin me shqiptarin. Komunizmi, në momente tragjike të historisë sonë, e vendosi shqiptarin përballë shqiptarit në emër të një besnikërie më të lartë ideologjike. Demokracia na ka dhënë mundësinë që dallimet tona të mos zgjidhen më me eliminimin e kundërshtarit, por me lirinë e mendimit dhe të votës.

Sot shqiptarët kanë dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën, dhe një shkallë lirie politike që brezat e mëparshëm kryesisht e ëndërruan. Për këtë arsye, përgjegjësia jonë është më e madhe.

Na duhen ide. Na duhen demokracia dhe shteti i së drejtës. Na duhen aleancat strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropën. Na duhet edhe vetëdija kombëtare që na kujton se përse i duam të gjitha këto.

Por asnjë ide, besim, parti apo doktrinë nuk duhet të bëhet aq e fuqishme sa të na bëjë të harrojmë se çfarë na bashkon.

Ideologjitë ndryshojnë. Regjimet bien. Partitë vijnë e shkojnë. Idetë mbeten të vlefshme vetëm për aq kohë sa i shërbejnë njeriut dhe lirisë. Dhe historia shqiptare na mëson se ideologjia bëhet e rrezikshme pikërisht atëherë kur shqiptari fillon t’i shërbejë asaj më shumë sesa ajo i shërben shqiptarit.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 1024
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Doracaku i një tirani”, kur pushteti bëhet më i rëndësishëm se populli
  • Koreografi Bekim Murati: “Grupi i valleve “Besa”, kontribut në ruajtjen e rrënjëve shqiptare dhe edukimin e brezave të rinj në Florida”
  • “Vjeshta Arabe” në Europë dhe Shqipëria
  • 𝗔𝘃𝗼𝗸𝗮𝘁𝗶 𝗶 𝗣𝗼𝗽𝘂𝗹𝗹𝗶𝘁 𝗽𝘂𝗯𝗹𝗶𝗸𝗼𝗶 𝘀𝗼𝘁 𝗴𝗷𝗲𝘁𝗷𝗲𝘁 𝗲 𝗺𝗼𝗻𝗶𝘁𝗼𝗿𝗶𝗺𝗶𝘁 𝘁𝗲̈ 𝗽𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗲̈𝘀 𝗻𝗲̈ 𝟮𝟰 𝗼𝗿𝗲̈𝘁 𝗲 𝗳𝘂𝗻𝗱𝗶𝘁
  • Mark Gjonaj: Thirrje Kryeministrit Rama t’i japë fund dhunës ndaj protestuesve dhe të japë dorëheqjen
  • 2500 euro për të ruajtur përbindëshin: Rama, Frankenstein- i dhe shpresa e një populli
  • Qeveritar i tmerrshëm që ka shkatërruar perspektivën dhe ka kriminalizuar çdo qelizë e policisë, qeverisë e parlamentit
  • KUR PËRDHOSET E SHENJTA, TRONDITET SHPIRTI I KOMBIT
  • “The Versailles Order and the Making of Albania, 1918–1926”
  • Political Power Is Temporary. The Soul of a Nation Is Not
  • STOP DHUNËS NDAJ STUDENTËVE!
  • JO NJË KATOVICË TË DYTË! – SHQIPËRIA KA NEVOJË PËR NJË FILLIM TË RI, JO PËR RICIKLIMIN E PUSHTETIT!
  • “Humanoidët”, një çast në atelierin e Artur Muharremit
  • Life in “Time Shelter”
  • Akademia e Shkencave kujton sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta poetin e madh të kombit që i dha zë Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT