
“RILINDJET” E VDEKURA TË SHQIPËRISË DHE PROTESTA…
Nga Era Xhfaraj
“In a gentle way, you can shake the world…”
Mahatma Gandhi
Vizualizim i historisë, akt proteste dhe manifest, psikanalizë dhe zbërthim neurozash që prodhojnë sjellje të caktuara, lente e realitetit sot, i ri por me përmbajtje të vjetër, një shtjellim që vazhdon të rezonojë me jetën dhe eksperiencën e shqiptarëve është romani “Në kohën e britmës” i V. Zhitit. Në Shqipërinë tonë, të përhershmen, të fiksuarën, të ngurtën, për një komb, një atdhe, një territor, shpesh i konceptuar si “ndëshkim”, për ekzistencën njerëzore që përfshin kuriozitetin dhe reflektimin. Është ftesë për të ushtruar vetveten, kapacitetin tonë për të dëshifruar atë, vullnetin për t’i kërkuar ndërgjegjes sonë të mbështesë cilësitë e veta, virtytet universale dhe për t’u angazhuar dhe gjeneruar vendime autentike; ftesë për përgjegjësi dhe përqafuar pa frikë peshën e ankthit që gjeneron përgjegjësia… ftesë për t’i rezistuar përfshirjes në forma vetmashtrimi, çfarë Sartri do quante “mauvaise foi”…është udhëzues ndërveprimi me njëri tjetrin, si një ekzistencë me tjetrën. Sugjerim dashurie, i vetmi emocion që forcon, amplifikon, stimulon memorien dhe i mposht harresën. Është kujtesë, rrugëtim drejt epokës së dinjitetit, për të mos parë instinktin e mbijetesës si bazën e gjithë shqisave, përkundrazi të vlerësojmë të gjitha shqisat si pasurinë tonë vërtetë.
Britma plazmohet në trajta të ndryshme dhe shfaqet si gjuhë, mendim, prezencë në mungesë, imazh, njësi matëse, sekuencë, emocion, reflektim, heshtje, pritje, rutinë, fantazi, pasqyrë, realitet, profeci, proces, ndërgjegje, …britma si vdekja, fjala, përgjegjësia…Britma është heshtja që lartëson, të shfaqemi duke u zhdukur, është udhëzues drejt lirisë së ndërgjegjes, drejt kërkimit dhe rikthimit tek vetvetja. “Në kohën e britmës” është një shpërthim krijues, nuk njeh përcaktim kufijsh kohorë dhe rilexohet pafundësisht nga kënde të ndryshme. Në këtë kuptim shërben dhe si manual hermeneutik drejt botëkuptimeve konkurruese dhe parimeve organizative që përshkojnë mendësinë e shtetit shqiptar. Një që qëndron i palëvizsshëm prej më shumë se 80 vjet dhe lidhet me kultin e personalitetit, të “diktatorit të suksesshëm”, totalitarizmin dhe egocentrizmin, ku vlera përfundimtare është shkatërrimi i gjithçkaje, institucioneve, besimit… një sistem që ndërron forma, me cilësi vetëtransformuese, vigjilent dhe çdo herë i përgatitur për çastin e tejngopjes dhe demaskimit ndaj subjekteve të tij, duke konvertuar format e asgjësimit në shkatërrim të fabrikave, pronës private, ku distancimi emocional dhe “ostrakizmi”, kultura e përjashtimit, e diskriminimit dhe diskretitimit sistemik vijojnë pandërprerë, si forma moderne e moderuar dhe e sublimuar e sakrificës njerëzore, e cila ka zëvendësuar internimin, asgjësimin fizik dhe burgun politik.
“Në kohën e britmës” lexohet si dritare ndërgjegjësimi për të formuluar një botëkuptim të pastër dhe një shpresë të freskët, më të pjekur, të matur, të përmirësuar, të qëndrueshme dhe mbi të gjitha të vetëdijshme… vjen si thirrje për kujdes dhe vigjilencë, si paralajmërim dhe si fllad që fshikullon ndjenjën e nderit.
Sot protestojmë dhe në këtë frymë reagimi “Në kohën e britmës” si një instrument i besueshëm rrëfimi, arrin të ngacmojë arsyen dhe krijojë pikëpyetje të qenësishme: nëse pluralizmi dhe demokracia që lindi me të, shpëtoi vendin nga autoritarizmi dhe diktatura, apo shkatërroi tërësisht shpirtin e tij, duke prodhuar krizën masive të identitetit që po përjetojmë? A po shtrohen themelet e një diktature të re, më të qëndrueshme, të reformuar, për të qenë e pranueshme ndaj kushteve dhe klimës së re botërore, duke çuar të ardhmen e vendit drejt vetëvrasjes së pashmangshme?
Sepse në epokën e “modernizimit” dhe “pasurimit” të leksikut teknik të politikës së mplakur shqiptare me fjalë joshëse të tipit algoritëm apo platforma sociale, blockchain, startup, etj., me qëllimin e dyfishtë të dhënies së idesë së pakufishmërisë, universalitetit dhe përshtatjes të së vjetrës me hapin dhe terminologjinë e kohës nga një anë; dhe për të relativizuar përmbajten e kërkesave që lidhen me reagimet kundër politikës 36 vjeçare nga ana tjetër, relativizim i oponencës ndaj sistemit politik të drejtuar nga nepotizmi, mediokracia, emocionet afatshkurtra, rastësia dhe turmat, në vend të vizionit për krijimin e institucioneve të qëndrueshme, natyrshëm panorama kthjellohet për të parë se korrupsioni nuk është thjesht gabim sistemi. Korrupsioni është Sistemi. Se korrupsioni është një ide e institucionalizuar dhe e normalizuar, që ka dëmtuar tërësisht konceptin e meritës, konceptin e punës, madje ka vrarë nervin e punës, thelbin e individit, duke çuar në hemorragji intelektuale.
Dhe kjo hemorragji intelektuale, që është zgjatim i atij eksodi fillestar,“eksodit të urrejtjes”, siç e përcakton V. Zhiti në librin e tij, valën emigruese që shoqëroi protestat për shembjen e Komunizmit dhe emigracionin, është pa dyshim fjala e njerëzve. Është ajo fjalë dhe ai qëndrim që ka delegjimituar qeveritë shqiptare pas viteve ’90 duke i kthyer automatikisht në qeveri pakice dhe duke mposhtur çdo pretendim për vakanca drejtimi. Ikja pa kthim, refuzimi për të jetuar në teatrin e politikës shqiptare, në një vend ku “njohjet” kanë më tepër rëndësi se “njohuritë” që zotëron, lidhjet më tepër se kompetenca dhe profesionalizmi. Fjala është vota e të ikurve dhe qëndrestarëve, e njerëzve që mund të ndreqnin situatën. Dhe një vend dhe ekonomi që atrofizon, shmang dhe humbet talentet më të mira, a ka më shpresë? Një zgjidhje?
Po! Ndryshim dhe refuzim për të sakrifikuar mendjen dhe aftësinë për të këmbëngulur dhe jetuar në vend, kultivimi i ndjenjës së përkatësisë në vendin tonë, mos të përdorim lirinë për të zgjedhur skllavëri, për t’u rilidhur në besë të pabesë dhe ofenduese për pritshmëritë tona. Në kohë protestash, në kohën e britmës, harxhimi i energjive në dilema vakancash, që plotësohen në momentin e arritjes së ndryshimit, ndryshimit të vërtetë dhe esencial, është kohë e humbur.
Ndryshimi është sinonimi më i bukur i vetë jetës, sinonimi më i bukur i Shqipërisë së re. Sepse çdo veprim që korrupton thelbin dhe qenien tonë të vërtetë na çon drejt errësirës dhe dështimit. Dhe siç shprehet dhe Zhiti, “është e rëndë të kesh dështuar, jo në jetë, ashtu jemi gati të gjithë, por të kesh dështuar, së jetuari”.
Fragmente nga romani “Në kohën e Britmës”, – Visar Zhiti.
(…)
…asgjë s’është e qartë, asgjë s’është e vërtetë, as e sigurt, as nuk dihet, as si është. Të krijohet mjedisi i “gjithçka-asgjësë”, klima e “pafrymësisë”, s’gjej dot fjalë, se janë dukuri të paqena, “antirisi”, a kështu ka qenë gjithmonë, të mos dihet ç’ndodh dhe le të thuhen më të pamundurat, të bëhen e askush të mos mbajë përgjegjësi. Ky është qëllimi: Mosqëllimi.
Të mos ketë përgjigje. Asgjëkundi! As heshtje. Zhurmë po. Pse? S’e di…Pse? Ngaqë e di…Ja, kthehemi pak pas, flasim për të tjerët, shkoqur. Për ato që njohim. Afrëdita, p.sh. u iku atyre që e shkolluan, po ndërronin, s’ishin më si dikur, qenë bërë liberalë, hapën burgjet, vendosën pluralizmin, që duan ta bëjnë Shqipërinë si gjithë Evropa, pikërisht ata që e bënë veçan Evropës, provincë, burg, ferr, vend nga ku të vjen vetëm të ikësh. Afërdita duhet të paguante ç’mori.
Të na shërbente sipas kushteve të reja. Nëse ajo donte të ikte nga ne, atëherë le të ikë, e ndihmojmë as mos të kthehet. S’deshi me ambasadat, siç bëri Evgjeni i saj, ai mirë bëri ashtu, ashtu deshëm dhe ne. Më pas ishte vonë. Se, kush nuk është me ne, humbet, apo jo Afrëdita? Ku je, e di?
Kurse Gjergji, me të gjithë ata që dolën nga burgjet po besonin se erdhi kohë tjetër, sistem tjetër, vërtet ashtu ishte, nuk shtyhej më, por jo me njerëz të tjerë, jemi ata që ishim. Ne i futëm ata në burgun tonë, ata na futën në ëndrrën e tyre, por e pranojmë, jemi në atë që ata ëndërruan. Ta themi hapur, e duam ëndrrën e tyre, por pa ata. Ata s’duhen më realisht, pengojnë. Mbase si fantazma. S’i asgjëson dot, thamë, jo plojë më, se na kthehet në të kundërt. T’i mburrim në përgjithësi si pararendës, por secilin ta braktisim, ta harrojmë. Të lihen mënjanë, por mund të ngrihen, si në kryengritjet e tyre në burgjet e Spaçit e të Qafë-Barit, atëherë t’i shtypim…jo, jo, gabim, s’na lejohet, por t’i zhbëjmë dalëngadalë, me marifet, t’i ndajmë nëpër shoqata, p.sh., t’u premtohet dëmshpërblimi së pari, por të mos dëmshpërblehen, se forcohen, ja një variant. Tjetër, as falje mos të kërkohet, se pastaj duhet folur për fajtorët. Mundësisht të ikin sa më shumë nga ata, të flaken, gjoja që të prekin ëndrrën në Perëndim; ç’mbetet, jo t’i vrasim, jo, në asnjë mënyrë, të përdorim metoda sa më të pabesa, por dhe banale, mosmirënjohjen, depresonalizimin, nëpërkëmbjen, t’u hapim dosjet atyre dhe jo këtyre që u hapën dosje atyre…T’i implikojmë. Të mos i lëmë të na futen. Të ndihen të huaj, me komplekse faji, mëkatarë…
Kë kërkoni ju? (…)…Kanë vajtuar atje ku do të donin, sot jemi të lirë.
Po, kanë vajtur atje ku do të donin, por kush donte dhe ku?
Atë s’e di unë. Dokumente të tyre s’ka, as dosje, janë djegur në ’91, më ’97, në shekullin e kaluar, tani është shekulli i kompjuterave, s’kam asgjë këtu, as burg, ç’gjyq mund të bësh, me kë, për kë, të kesh qenë në burg është turp, ja po ta them unë.
Turpi është i atyre që futnin nëpër burgje.
Zotëri, politikë bën ti këtu? Shko e fol në parlament, kur qenke kaq i zoti, kaloi ajo kohë, i takojnë së shkuarës, shiko nga e ardhmja, ej, bëj ndonjë biznes, apo s’të duhen para ty?
Zhbërja, thashë, kjo është më e efekteshme. Të veprojë mekanizmi i zhbërjes kudo dhe tek të gjitha. Tani zhbëhen bëma, emra, martirë, kuvende, tempuj, epika, mos jepni lule, vetëm para borxh, kredi, interes, piramida financiare, shkatërrim, harresë, fushata elektorale, protesta, të nisë nga e para, me ne të parët, asgjë të mos nisë, të mbetemi siç ishim.
Eh, ka pasur diktaturë, le të thuhet, po të duan, por pa diktatorë, ata të mos preken. Të burgosur ishim të gjithë në burgun-atdhe, të thuhet, dhe të burgosurit politikë të zbëhen dhe, për rrjedhojë, zhbëhen dhe burgjet, s’e di a ka pasur të tilla. Ka pasur, ka pasur dhe të tmerrshme. Po bashkë ishim brenda telave me gjemba, njësoj…
Ti do të më thuash mua persekutor, por unë të nxjerr dëshminë e persekutimit, kam vuajtur sa ti, në mos më shumë. Të kam ruajtur, kam bërë policin, spiunin, në terr, në të ftohtë…Dhe mos harroni, ju keni qenë bashkëpunëtorë me ne në ferr, keni kallëzuar njëri tjetrin. S’është e vërtetë! E bëjmë ne të vërtetë. E vërteta bëhet, nuk është. Në burg ju ishit më të qetë se ne, se s’kishit më frikë se mund të dënoheshit, s’kishte ku t’ju çonin më keq, por unë, ne, që jetonim në ankth me vite. Po ju shpikët ridënimet, vdekjet pa arkivol, pa varr. Sidoqoftë persekutori është më i persekutuar se i persekutuari. Mbase në Biblën që ju dogjët. E shikon sa e ngatërruar është kjo? Pra, më mirë ta mbyllim, pa kujtesë, pa brerje ndërgjegjeje, pa përgjegjësi. Ndërkohë ne jemi më të dijshëm se ju. Kush, cilët? Në dhunë e tortura, po, dini më shumë….Tani, ashtu si armën me silenciator, përdorni dhe heshtjen. Vrisni me harresë.
Përditë bëhen krime të vogla ordinere, megjithëse krimi s’është kurrë i vogël, që të harrohet krimi i madh, gjeneral, ku u masakrua jeta e një populli të tërë, me të gjallë e me të vdekur. Dhe bashkë me këtë, të harrohen ata që e kryen. Që të ndodhë kjo, s’duhet të kujtohet krimi, pra s’duhet të jenë njerëzit që e kanë pësuar atë dhe që të mund ta dëshmojnë. Se krimi mbetet. Atëherë ta përziejmë me baltë. Ti thua se burgu s’ishte fundi, kishte prapë pas tij për të gjallin. As me pushkatim nuk mbyllet gjithçka, se fillon jeta pas vdekjes. Jo, ne na duhet tani thelbi i mosthelbit, e thamë, moskujtesa e zezë. Vetëm balta i afrohet lëndës së saj. Baltë atëherë, të vjetër, të re, atë të marrim në ndihmë. Pa vdekjen. Jo duke përbaltur gjithçka të të gjallëve, por për ta shndërruar baltën në të tërën. Sikur s’ka qenë asgjë më parë….Gropat masive të harresës. Që pastaj të thonë: asgjë s’ka ndodhur këtu, as e mirë, as e keqe, as e bukur, as e shëmtuar. S’ka gjurmë. As ka ikur, as ka ardhur e as është ndalur. Po ç’krim thua ti, shikoje, kjo është thjesht baltë, pa kujtesë, pa asnjë mesazh. Balta e vendit tënd, duaje…
***
Eh, po ndërroheshin kohët, shekull tjetër, mijëvjeçar tjetër, sistem tjetër. Duheshin martirë. Kurbane…E kundërta e tyre…Simboli apo kundërsimboli? Kujtesa apo harresa? Njërin do ta kenë përzgjedhur si ish të burgosur politik, për t’u thënë të gjithëve që ata, pikërisht ata, tani pengonin, se ndryshim nuk do të thoshte përmbysje dhe përmbysje nuk do të thoshte ndryshim, prapë jemi të fortë dhe shteti është i yni. Na duhet ëndrra e tyre, pra ata le të bëhen ëndërr. Mundësisht të paqenë. Pak janë zhdukur, më thuaj? Si në Kosovë edhe këtu. Janë vrarë e mbytur. Edhe lufta s’bën kërdi më shumë…