
Mësuese Bukurie Ozuni: “Dygjuhësia është një pasuri intelektuale, kulturore dhe njerëzore. Njohja e shqipes i ndihmon fëmijët të rriten më të sigurt dhe më të vetëdijshëm për prejardhjen e tyre”.
Intervistoi: Sokol Paja
1. E nderuar Bukurie, cili është historiku i Shkollës Shqipe në Genova, Itali?
Shkolla Shqipe JONUS në Genova lindi si përgjigje ndaj një nevoje të ndier gjithnjë e më shumë nga familjet shqiptare: krijimi i një hapësire të qëndrueshme ku fëmijët që lindin dhe rriten në Itali të mund të mësojnë gjuhën shqipe dhe, nëpërmjet saj, të njohin historinë, kulturën dhe traditat e vendit të origjinës.
Kjo nismë zhvillohet nën kujdesin e Shoqatës Kulturore JONUS dhe është fryt i punës vullnetare, përkushtimit dhe bashkëpunimit me familjet shqiptare që jetojnë në Genova. Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj veçanërisht bashkëthemelueset e Shoqatës JONUS: Amin, Ornelën, Martën dhe Arbrën. Që nga fillimi kemi ndarë të njëjtin vizion, përgjegjësitë dhe punën e përditshme për ta shndërruar këtë ide në një hapësirë konkrete për fëmijët dhe komunitetin shqiptar. Një falënderim i veçantë u takon edhe prindërve, të cilët na besuan, na mbështetën dhe na i sollën fëmijët e tyre me bindjen se së bashku mund të ndërtojmë diçka të bukur dhe të qëndrueshme. Besimi, pjesëmarrja dhe mbështetja e tyre kanë qenë vendimtare për zhvillimin e kësaj nisme. Pa angazhimin dhe kontributin e bashkëthemelueseve, si edhe pa besimin e familjeve, kjo nismë nuk do të kishte marrë formën që ka sot.
Që gjatë vitit të parë të veprimtarisë së shoqatës, një nga synimet tona kryesore ishte afrimi i fëmijëve me gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare. Për këtë arsye, organizuam laboratorë edukativë dhe krijues, në të cilët mësimi ndërthurej me leximin, këngën, kërcimet tradicionale, lojën, vizatimin, historinë dhe njohjen e traditave tona.
Me kalimin e kohës kuptuam se interesi i familjeve po rritej dhe se fëmijët kishin nevojë për një program më të rregullt dhe më të strukturuar. Kjo na nxiti që, në vitin e dytë të veprimtarisë së Shoqatës JONUS, të ndërmarrim hapin e radhës: hapjen e Shkollës Shqipe JONUS. Shkolla do ta ruajë frymën e laboratorit, të mbështetur te pjesëmarrja, krijimtaria dhe bashkëveprimi, por do të ketë një program të posaçëm dhe një kurrikul të përqendruar në mësimin sistematik të gjuhës shqipe.
Dëshira jonë është që shqipja të mos mbetet për këta fëmijë vetëm gjuha që dëgjojnë nga prindërit ose gjyshërit. Duam që ajo të bëhet një gjuhë që ata dinë ta flasin, ta lexojnë, ta shkruajnë dhe, mbi të gjitha, ta duan. Në këtë mënyrë, shkolla synon të jetë një urë e gjallë ndërmjet fëmijëve, familjeve të tyre dhe vendit të prejardhjes.
2. Çfarë kurrikule mësimore përdorni dhe cila është thirrja juaj për prindërit shqiptarë?
Në mësimdhënie do të përdorim tekstet dhe materialet e Qendrës së Botimeve për Diasporën, të përgatitura posaçërisht për fëmijët shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut. Gjej rastin ta falënderoj Qendrën për gatishmërinë dhe mbështetjen e pakursyer që na ka ofruar në realizimin e kësaj nisme.
Programi do të përshtatet sipas moshës, nivelit të njohjes së shqipes dhe nevojave konkrete të secilit fëmijë. Krahas leximit, shkrimit, gramatikës dhe pasurimit të fjalorit, do të përdorim metoda ndërvepruese që kanë dhënë rezultate të mira gjatë laboratorëve tanë të mëparshëm, si këngët, kërcimet tradicionale, poezitë, tregimet, lojërat didaktike, vizatimet, puna në grup dhe veprimtaritë krijuese.
Për ne është e rëndësishme që fëmijët të mos e përjetojnë mësimin e shqipes si një detyrim, por si një udhëtim të këndshëm drejt njohjes së vetvetes. Kur gjuha mësohet përmes lojës, këngës dhe krijimtarisë, ajo bëhet më e afërt dhe më e dashur. Në këtë mënyrë, fëmijët fitojnë sigurinë e nevojshme për ta përdorur shqipen edhe jashtë mjedisit të shkollës.
Thirrja ime për prindërit shqiptarë është që të mos e shohin mësimin e gjuhës amtare si një ngarkesë të mëtejshme për fëmijët. Dygjuhësia është një pasuri intelektuale, kulturore dhe njerëzore. Njohja e shqipes nuk i largon fëmijët nga shoqëria italiane ku jetojnë; përkundrazi, i ndihmon të rriten më të sigurt dhe më të vetëdijshëm për prejardhjen e tyre.
Prindërit kanë një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces. Duke folur shqip në familje, duke u lexuar fëmijëve, duke i sjellë në shkollë dhe duke marrë pjesë në aktivitetet tona, ata krijojnë vazhdimësinë e nevojshme ndërmjet familjes dhe mësimit. Gjuha është pjesë themelore e identitetit tonë dhe, kur ua përcjellim fëmijëve, u japim një trashëgimi që do t’i shoqërojë gjatë gjithë jetës.
3. A gjykoni se Shkolla Shqipe luan rolin e një qendre komunitare që bashkon, promovon dhe lidh më shumë shqiptarët?
Në rastin tonë kemi përparësinë që Shkolla Shqipe zhvillohet nën ombrellën e Shoqatës Kulturore JONUS. Shoqata është menduar që në fillim si një hapësirë e hapur për shqiptarët dhe për të gjithë ata që dëshirojnë të njohin kulturën tonë. Në qendër të veprimtarisë nuk janë fëmijët, por të gjitha grupmoshat.
Shoqata dhe Shkolla Shqipe JONUS janë shumë më tepër se vende ku zhvillohen mësime, laboratorë apo kurse kërcimi. Ato synojnë të bëhen një strehë kulturore dhe komunitare për fëmijët, prindërit dhe familjet shqiptare. Nëpërmjet aktiviteteve krijohen njohje, miqësi dhe bashkëpunime, shkëmbehen përvoja dhe forcohet ndjenja e përkatësisë në komunitet.
Festat kombëtare, veprimtaritë kulturore, këngët, vallet, recitimet, laboratorët dhe takimet me familjet i japin JONUS-it karakterin e një qendre komunitare. Këtu fëmijët kuptojnë se gjuha dhe kultura shqiptare nuk jetojnë vetëm brenda shtëpisë, por ndahen me bashkëmoshatarët dhe me një komunitet më të gjerë. Edhe prindërit gjejnë një hapësirë ku mund të njihen, të bashkëpunojnë dhe të japin kontributin e tyre.
Në diasporë ekziston rreziku që familjet të mbeten të izoluara dhe që lidhja me gjuhën dhe kulturën e origjinës të dobësohet gradualisht. Prandaj, shkolla shqipe ka edhe një funksion të rëndësishëm shoqëror: ajo i bashkon njerëzit rreth një përgjegjësie të përbashkët, ruajtjes dhe përcjelljes së trashëgimisë sonë kulturore. Në këtë mënyrë, ndihmon në ndërtimin e një komuniteti shqiptar më të lidhur, më aktiv dhe më të dukshëm në shoqërinë italiane.
4. Si ka ndihmuar mësimi i gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Itali?
Gjuha është një nga lidhjet më të forta me identitetin dhe kujtesën tonë kolektive. Nëpërmjet saj trashëgohen historitë familjare, këngët, traditat, kujtimet dhe mënyra jonë e të kuptuarit të botës. Kur humbet gjuha, rrezikon të dobësohet edhe lidhja me një pjesë të rëndësishme të historisë personale dhe familjare.
Për fëmijët e lindur ose të rritur në Itali, njohja e shqipes ka një rëndësi të veçantë. Ajo u mundëson të komunikojnë me gjyshërit dhe të afërmit, të kuptojnë historitë që tregohen në familje, të lexojnë në gjuhën e prindërve dhe të ndihen pjesë e një trashëgimie që shkon përtej përvojës së tyre të përditshme në Itali.
Mësimi i shqipes i ndihmon gjithashtu të ndërtojnë një identitet të ekuilibruar, ku bashkëjetojnë natyrshëm të dyja përkatësitë. Ata mund të jenë pjesë aktive e shoqërisë italiane dhe, njëkohësisht, të ruajnë lidhjen me origjinën shqiptare. Këto dy dimensione nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato bashkëjetojnë dhe e pasurojnë fëmijën, duke e bërë më të hapur ndaj gjuhëve, kulturave dhe dallimeve.
Ne duam që fëmijët të mos ndihen të detyruar të zgjedhin ndërmjet dy identiteteve. Synimi ynë është t’i ndihmojmë të kuptojnë se mund t’u përkasin me krenari të dyja kulturave dhe se pikërisht kjo përvojë e dyfishtë është një nga pasuritë e tyre më të mëdha.
5. Si reagon shoqëria italiane? Si pritet Shkolla Shqipe dhe mësimi në gjuhën shqipe?
Përvoja jonë deri tani ka qenë shumë pozitive. Në shoqërinë italiane po rritet ndërgjegjësimi për vlerën e shumëgjuhësisë dhe për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës së origjinës. Kur veprimtaria e shkollës prezantohet në mënyrë të hapur, serioze dhe bashkëpunuese, ajo perceptohet si një pasuri për të gjithë territorin.
Shoqëria italiane është gjithnjë e më shumë shumëkulturore. Në këtë realitet, njohja e gjuhës dhe e kulturës së origjinës nuk duhet parë si një formë mbylljeje, por si një mjet që i ndihmon fëmijët të ndërtojnë një identitet më të qëndrueshëm. Një fëmijë që e njeh historinë e familjes së vet dhe ndihet i sigurt në prejardhjen e tij mund të hyjë në marrëdhënie me të tjerët me më shumë qetësi dhe vetëbesim.
Aktivitetet tona synojnë të krijojnë ura me komunitetin italian, t’i bëjnë më të njohura gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare, si dhe të nxisin takimin ndërmjet njerëzve. Ne besojmë se integrimi ndërtohet përmes pjesëmarrjes, njohjes dhe respektit të ndërsjellë. Ruajtja e identitetit të origjinës është një themel i shëndetshëm për një integrim më të vetëdijshëm dhe për një qytetari aktive në vendin ku jetojmë.
6. Cilat janë vështirësitë në mësimdhënien për fëmijët dygjuhësh dhe cilat janë projektet për zhvillimin e Shkollës Shqipe?
Një nga vështirësitë kryesore është se fëmijët kanë nivele shumë të ndryshme të njohjes së shqipes. Disa e flasin dhe e lexojnë mjaft mirë shqipen, disa të tjerë e flasin gjuhën në familje, por kanë vështirësi në lexim dhe shkrim; disa e kuptojnë, por përgjigjen kryesisht në italisht; ndërsa për të tjerë shqipja është pothuajse një gjuhë e re. Kjo shumëllojshmëri kërkon metoda të përshtatura, materiale të ndryshme dhe vëmendje ndaj ritmit individual të secilit fëmijë.
Një vështirësi tjetër lidhet me kohën e kufizuar. Fëmijët ndjekin shkollën italiane dhe kanë shumë angazhime gjatë javës. Për këtë arsye, duhet të gjejmë një ekuilibër ndërmjet mësimit sistematik dhe veprimtarive që ruajnë interesin e tyre. Përpiqemi që çdo takim të jetë i gjallë dhe ndërveprues, duke ndërthurur tekstet me leximin, lojërat, këngët, punën në grup dhe aktivitetet artistike.
Një sfidë e rëndësishme është edhe vazhdimësia e përdorimit të gjuhës jashtë klasës. Disa orë mësimi nuk janë të mjaftueshme nëse shqipja nuk dëgjohet dhe nuk përdoret edhe në familje. Për këtë arsye, bashkëpunimi me prindërit është pjesë thelbësore e punës sonë.
Për të ardhmen synojmë të zgjerojmë Shkollën Shqipe dhe veprimtarinë e Shoqatës JONUS, të përfshijmë më shumë fëmijë dhe familje, të pasurojmë materialet mësimore dhe të organizojmë më shumë aktivitete kulturore e komunitare. Dëshirojmë gjithashtu të krijojmë bashkëpunime me shkolla, institucione, shoqata dhe profesionistë në Shqipëri dhe Itali.
Një nga drejtimet që na intereson veçanërisht është zhvillimi i projekteve ndërmjet brezave, ku fëmijët, prindërit dhe të moshuarit të mund të ndajnë histori, kujtime, këngë, receta, zeje dhe tradita. Brezi i vjetër mbart një pasuri të jashtëzakonshme gjuhësore dhe kulturore. Afrimi i tij me fëmijët do ta shndërronte këtë kujtesë në një përvojë të gjallë edukimi dhe do të forconte lidhjet brenda komunitetit.
7. Çfarë ndikimi ka pasur mësimi i shqipes te fëmijët shqiptarë në zhvillimin e ndjenjës së atdhedashurisë?
Megjithëse Shkolla Shqipe nis këtë vit në një formë më të strukturuar, ndikimin e afrimit të fëmijëve me gjuhën dhe kulturën shqiptare e kemi vërejtur që gjatë laboratorëve dhe aktiviteteve të zhvilluara deri tani. Ai shfaqet në kureshtjen e tyre, në dëshirën për të mësuar fjalë dhe informacione të reja, dhe në emocionin me të cilin këndojnë një këngë shqipe, recitojnë një poezi, kercejnë vallet tradiconale ose marrin pjesë në festat e organizuara nga Jonus.
Sa herë që një fëmijë mëson të shkruajë në shqip, kupton domethënien e një simboli kombëtar ose dëgjon historinë e vendit nga vijnë prindërit e tij, krijon një lidhje më të vetëdijshme me prejardhjen. Kjo lidhje mund të mos shprehet gjithmonë me fjalë të mëdha, por duket qartë në gëzimin, krenarinë dhe interesin e fëmijëve.
Mendoj se atdhedashuria duhet t’u përcillet si dashuri, njohje dhe përgjegjësi. Të duash vendin e origjinës do të thotë të njohësh gjuhën e tij, të respektosh historinë dhe kulturën, të ruash lidhjet familjare dhe të përfaqësosh me dinjitet vlerat më të mira të komunitetit tënd.
Për ne është e rëndësishme që kjo ndjenjë të ndërtohet si pjesë e natyrshme e identitetit të fëmijëve dhe të bashkëjetojë me përkatësinë e tyre në shoqërinë italiane. Ata mund ta duan vendin e origjinës dhe, njëkohësisht, të ndihen plotësisht pjesë e vendit ku kanë lindur ose po rriten. Shoqata JONUS dhe Shkolla Shqipe JONUS dëshirojnë të kultivojë pikërisht këtë ndjenjë të qetë, të hapur dhe të shëndetshme përkatësie.
8. Kush është mësuese Bukurie Ozuni?
Jam lindur në Shqipëri, në një fshat malor të zonës së Librazhdit. Fëmijëria në një komunitet të vogël, larg shumë shërbimeve dhe mundësive, ka ndikuar thellësisht në mënyrën se si e kuptoj sot rëndësinë e arsimit, të komunitetit dhe të barazisë së mundësive.
Në moshën 15-vjeçare u zhvendosa në një qytet tjeter, larg nga familja, për të vazhduar shkollën e mesme dhe, më pas, studimet universitare. Kam jetuar, studiuar dhe punuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Përpara se të vija në Itali, ndërtova një përvojë të gjatë profesionale në sektorin privat dhe në atë publik.
Në vitin 2022 u zhvendosa në Genova për të ndjekur doktoraturën në Shkenca Politike pranë Universitetit të Genovës, me një projekt kërkimor në fushën e së drejtës kushtetuese dhe publike. Kërkimi im përqendrohet kryesisht tek e drejta për shëndet, pabarazitë territoriale, zonat rurale dhe malore, përfshirja sociale dhe barazia. Këto tema lidhen ngushtë me përvojën time personale dhe me bindjen se vendi ku lind ose jeton një njeri nuk duhet të përcaktojë mundësitë dhe të drejtat që ai mund të gëzojë.
Krahas angazhimit akademik dhe profesional, jam njëra nga themelueset dhe zëvendëspresidente e Shoqatës Kulturore JONUS. Angazhimi im në shoqatë dhe kontributi për ngritjen e Shkollës Shqipe JONUS në Genova përfaqësojnë për mua një përgjegjësi qytetare, kulturore dhe njerëzore.
Veprimtarinë atdhetare e shoh si dashuri për Shqipërinë të shprehur përmes punës konkrete në shërbim të komunitetit dhe të brezit të ri. Ajo merr kuptim kur investojmë kohë, dije dhe energji për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe lidhjet ndërmjet shqiptarëve, duke u dhënë njëkohësisht fëmijëve mjetet për t’u rritur si qytetarë të hapur dhe të përgjegjshëm.
T’u mësosh shqipen fëmijëve që rriten larg Shqipërisë do të thotë të mbash të gjallë lidhjen ndërmjet brezave. Do të thotë të krijosh një urë mes vendit nga vijmë dhe vendit ku jetojmë sot, duke u dhënë fëmijëve rrënjë të forta dhe njëkohësisht lirinë për të rritur degë të reja në Itali. Pikërisht ky është misioni që dëshirojmë të përmbushim përmes Shoqatës Kulturore JONUS dhe Shkollës sonë Shqipe.