• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovës s’i grabitet dot 28 Nëntori!

November 24, 2025 by s p

Emira Bajçinca- Konjufca/

28 Nëntori përbën një moment themelor në krijimin dhe konsolidimin e identitetit kombëtar shqiptar. Kjo datë lidh tri ngjarje që janë shndërruar në shtylla të kujtesës kolektive shqiptare: ngritjen e flamurit nga Skënderbeu në vitin 1443, shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 1912, sakrificën e familjes Jashari sikurse edhe daljen e parë publike të UÇK-së. Këto tri momente, të dokumentuara gjerësisht në historiografinë shqiptare (Krasniqi, 2012), e bëjnë 28 Nëntorin një simbol të vazhdimësisë kulturore, politike dhe shpirtërore të shqiptarëve.

Në Kosovë, 28 Nëntori nuk gëzon status festiv zyrtar për shkak të kufizimeve kushtetuese. Megjithatë në Kosovë 28 Nëntori shndërrohet çdo vit në një ditë përkujtimi, reflektimi dhe afirmimi identitar, duke treguar se vlerat shpirtërore dhe simbolike nuk kufizohen nga konstrukte ligjore. Ky fenomen përputhet me teorinë e “festave joformale kombëtare”, të cilat ekzistojnë paralelisht me festat shtetërore (Smith, 1991).

28 Nëntori i reziston çdo forme instrumentalizimi politik. Kjo ditë nuk buron nga vendimet administrative, por nga historia, nga sakrificat dhe nga konsensusi shoqëror. Prandaj, çdo tentativë për ta relativizuar, minimizuar apo politizuar bie përballë një vetëdije të qëndrueshme kolektive që e njeh këtë datë si gur themel të identitetit kombëtar.

Sepse 28 Nëntori është ndër ngjarjet më të rëndësishme që kanë formësuar vetëdijen kombëtare. Ngritja e flamurit në Vlorë më 1912, e udhëhequr nga Ismail Qemali, u bë akti që konsolidoi përpjekjet shumëvjeçare për krijimin e shtetit shqiptar dhe që shënoi shkëputjen nga Perandoria Osmane (Fischer, 1999). Për shqiptarët e Kosovës, kjo ngjarje ka qenë gjithmonë më shumë sesa histori: ajo ka qenë argumenti kryesor i përkatësisë kombëtare, sidomos në periudhat kur identiteti i shqiptarëve të Kosovës sfidohej politikisht, administrativisht ose ushtarakisht.

Diaspora shqiptare dhe rëndësia e saj në ruajtjen e 28 Nëntorit

Roli i diasporës shqiptare në ruajtjen e vlerave të 28 Nëntorit është thelbësor. Shqiptarët në mërgatë nga Evropa deri në Australi jo vetëm e festojnë këtë datë, por e ruajnë dhe e transmetojnë traditën në mënyrë të strukturuar dhe të organizuar. Ndër të gjitha komunitetet, ai i shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është veçanërisht i rëndësishëm.

Shoqatat kulturore, organizatat historike, shkollat shqipe dhe qendrat komunitare shqiptare në SHBA organizojnë manifestime madhështore çdo vit, duke përfshirë fjalime, akademi përkujtimore, programe kulturore, ekspozita dhe aktivitete edukative. Këto ngjarje nuk janë vetëm ceremoni festive; ato janë institucione identitetformuese që mbajnë gjallë lidhjen me atdheun.

Diaspora shqiptare në SHBA ka luajtur gjithashtu rol politik vendimtar në përkrahjen e intervenimit ndërkombëtar në Kosovë në vitet ’90 (Judah, 2000). Në këtë kontekst, 28 Nëntori mbetet për ta një simbol i lirisë, rezistencës dhe identitetit politik, duke u shndërruar në një mjet të fuqishëm të mobilizimit historik dhe kulturor. Vlera e 28 Nëntorit nuk kufizohet në trojet shqiptare, por është e përhapur dhe e gjallë në çdo komunitet shqiptar në botë.

28 Nëntori në Kosovë nuk është vetëm një datë kalendarike, as vetëm një përkujtim historik; ai është një mekanizëm i fuqishëm identiteti, një hapësirë simbolike ku bashkohen historia, sakrifica, krenaria dhe përkatësia kombëtare. Përkundër kufizimeve ligjore, 28 Nëntori mbetet thellësisht i gjallë në shoqërinë kosovare dhe në mbarë kombin shqiptar, brenda e jashtë trojeve. Prandaj, Kosovës s’i grabitet dot 28 Nëntori sepse vlera e kësaj dite nuk buron nga ligji, por nga kujtesa, identiteti dhe uniteti i një kombi që e ka ruajtur këtë simbol ndër shekuj.

Filed Under: Analiza

DEPUTETI LUIGJ GURAKUQI PËR KOSOVËN

November 23, 2025 by s p

Prof. dr. Lush Culaj/

Politika e dhunës e qeveritarëve serbë në Kosovë preku ndjenjat e shqiptarëve në Shqipëri. Në mbështetje të vëllezërve të tyre protestuan edhe deputetët e Kuvendit Shqiptar, që atëkohë quhej Këshill Kombëtar. Që ditën e hapjes së të parit Kuvend shqiptar në Tiranë, më 27 mars 1920, deputetët (apo senatorët si quheshin atëherë) shprehën hidhërim për atë se dy pjesë të Shqipërisë, Kosova dhe Çamëria, nuk i kishin përfaqësuesit e tyre në Këshillin Kombëtar. Sigurisht që vënia në dukje e kësaj mangësie ua kujtonte edhe një herë atyre dhe të gjithë shqiptarëve detyrën e vijimit të përpjekjeve për çlirimin e trojeve të okupuara.

Këshilli Kombëtar i vitit 1920 e kundroi problemin kombëtar në gjithanshmërinë e çështjeve, duke e vlerësuar shqiptarizmin e treguar nga shqiptarët e Kosovës në Lëvizjen Kombëtare.

Natyrisht më të zëshmit në Parlament ishin deputetët nga Kosova, si Bedri Pejani, Hasan Prishtina, Bahri Begolli, Sali Vuçiterna etj., duke mos përjashtuar edhe shumicën e deputetëve të Shqipërisë politike. Është karakteristike që deputetët, pavarësisht nga përkatësia partiake, ose nga bindjet politike, kur diskutohej problemi i pakicave kombëtare, bashkoheshin, kishin mirëkuptim dhe konsensus. Në këtë rast ata i bashkonte ndjenja kombëtare që ishte e fu-qishme dhe vepruese në ndërgjegjen politike të tyre.

Parlamenti përpiqej që Fuqitë e Mëdha ta ndienin përgjegjësinë për t’ia tërhequr vërejtjen Qeverisë së Beogradit për ta ndaluar gjenocidin ndaj shqiptarëve dhe shpërnguljen e tyre. Si zakonisht, Beogradi nuk përfillte kërkesa të tilla.

Përpjekjet për mbrojtjen e minoritarëve në Jugosllavi e në Greqi, si dhe qëndrimet e shtetit shqiptar ndaj këtij problemi kanë pasur veçori dhe probleme specifike në periudha të ndryshme të zhvillimit historik. Ato janë diktuar edhe nga koniunktura politike që kanë qenë të pranishme. Luigj Gurakuqi do të theksonte: “Rëndësia e Shqipërisë në politikën e Jashtme është aq tepër e vogël sa që nuk mund të besohet kurrë që do të kemi përkrahjen e shteteve të mëdha pavarësisht nga shërbimi që përpiqemi t’u bëjmë”.

Çështja e pa zgjidhur kombëtare nuk ka lindur si një çështje e funksionimit apo mosfunksionimit të shtetit shqiptar, por si një çështje e forcës së pamjaftueshme që ka pasur shoqëria shqiptare në rrethanat kur është krijuar shteti shqiptar. Përveç trajtimit vëllazëror, që iu bë emigrantëve për ta informuar kombin shqiptar dhe shtetet evropiane për pasojat e shpërnguljes me dhunë nga Kosova dhe viset e tjera, Qeveria shqiptare, shoqata atdhetare dhe personalitete, si: Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Kadri Prishtina, Fan Noli, Bedri Pejani, etërit katolikë Gjon Bisaku, Shtjefën Kurti, Luigj Gashi etj., ngritën zërin në qarqe më të larta shtetërore e ndërkombëtare të kohës, por nuk e gjetën përkrahjen dhe mbështetjen që shpresonin.

Luigj Gurakuqi: Shkaku i plojave dhe i mizorinave që tash tetë vjet po vijojnë kundër vllaznëve të Kosovës nuk asht tjetër veç faji qi janë shqiptarë e qi duen të mbeten shqiptarë

Deputeti Rexhep Mitrovica do të kërkojë që të dërgohet një delegacion parlamentar nëpër parlamentet e shteteve të mëdha për të kërkuar të drejta për shqiptarët. Në prill të vitit 1921 në Parlamentin shqiptar Luigj Gurakuqi do të theksonte se mizoritë që bëhen mbi vëllezërit kosovarë mbulojnë me zi zemrat e të gjithë shqiptarëve, andaj në këto raste flet zemra më shumë se goja. Arsyet e një veprimi të tillë, sipas Gurakuqit, ishin: “Shkaku i plojave dhe i mizorinave që tash tetë vjet po vijojnë kundër vllaznëve të Kosovës nuk asht tjetër veç faji qi janë shqiptarë e qi duen të mbeten shqiptarë”. Gurakuqi pajtohët me mendimin e disa kolegëve deputetë për dergimin e një grupi parlamentar në Evropë në menyrë që t’u jepet të paktën një ngushëllim moral vëllezërve të mjerë të Kosovës.

Luigj Gurakuqi

Në mbledhjen e 18 qeshorit 1921, deputeti i Durrësit, Jusuf Banka, foli për mizoritë që po iu bëheshin shqiptarëve të Kosovës. Ai u propozoi kolegëve të vet deputetë që nëpërmjet një telegrami të informoheshin Fuqitë e Mëdha dhe në emër të dhimbjes dhe të njerëzisë të kërkohej ndërprerja e menjëhershme e këtyre dhunimeve. Njëkohësisht u kërkua shpjegim nga qeveria rreth masave që kishte marrë për këtë çështje të veçantë. Propozimi i deputetit Banka u mbështet edhe nga Luigj Gurakuqi. Të gjithë njëzëri u dakorduan që t’i dërgohej një telegram tërë botës së qytetëruar, sidomos Fuqive të Mëdha evropiane dhe SHBA-së. U mor vendim që telegram gjithashtu t’i dërgohej edhe Parlamentit të Mbretërisë SKS.

Parlamenti serbo-kroato-slloven, e konsideroi telegramin e Parlamentit Shqiptar si ndërhyrje në punët e brendshme. Sigurisht një përgjigje e tillë synonte që t’i mashtronte qarqet politike ndërkombëtare për realitetet e zhvillimeve politike në Kosovë.

Ky qëndrim nxiti debate të ashpra në Parlamentinn shqiptar. Në mbledhjen e 16 korrikut 1921 kryetari i Këshillit Kombëtar shtroi për diskutim përgjigjen e telegramit të Parlamentit jugosllav të përkthyer nga Luigj Gurakuqi. Gurakuqi edhe në mbledhjen e 16 korrikut 1921 doli në mbrojtje të bashkëkombësve nga Kosova. Vlen të theksohet se deputetët e Shkodrës në Parlament shquheshin edhe nga guximi për t’u ndeshur hapur me kundërshtarët politikë. Parlamenti për Luigj Gurakuqin ishte një vend i shenjtë, sepse sipas tij aty shkoqiteshin e mbroheshin interesat e kombit dhe të atdheut.

Duke i gjykuar deklaratat e kryetarit të Parlamentit Jugosllav se Shqipëria po përzihet në punët e brendshme të Jugosllavisë, Gurakuqi do të theksojë: “Çudi e madhe kjo! Ushtritë jugosllave ndodhen tash gati tri vjet mbrenda kufijve tanë ku nuk po knaqen kurrë tue vra e tue premë, tue djegun katunde e shtëpia e tue shkretnue vendin, e ne na mohohet e drejta që ta ngrejmë zanin në emën të njerëzisë kundër masakrave sistematike që po vijojnë kundër vllazënve të Kosovës”. Në fund të diskutimit të tij z. Gurakuqi, pajtohet me mendimin e kolegëve deputetë për dërgimin e një grupi parlamentar në Evropë në mënyrë që t’u jepet të paktën një ngushëllim moral vëllezërve të mjerë të Kosovës. Gurakuqi gjithashtu kërkon që t’i tërhiqet vërejtja edhe Qeverisë Shqiptare që t’i ndërmarrë masat e duhura për mbrojtjën e shqiptarëve në Mbretërinë SKS.

Edhe propozimi i bërë nga Hasan Prishtina për dërgimin e një delegacioni ose komisioni parlamentar në Romë, Paris, Londër e po qe nevoja edhe Washington u mbështet nga Luigj Gurakuqi. Ata këmbëngulën për dërgimin e një komisioni parlamentar, duke e konsideruar si veprim efikas dhe se heshtja dhe mosveprimi si parlament mund të sillte dëme për vendin. Me këtë rast pretendohej që veprimi i Parlamentit të ishte i pavarur nga masat që do t’i ndërmerrte Qeveria.

Parashikohej që komisioni të vendoste lidhje me parlamentet e Fuqive të Mëdha dhe pa kërkuar ndryshim kufijsh të lutej në emër të së drejtës për të mbijetuar për ndalimin e këtyre masakrave. Një mënyrë e tillë e veprimit, sipas Luigj Gurakuqit, nuk mund t’i jepte shkak as Qeverisë të Mbretërisë SKS për ta akuzuar Shqipërinë për përzierje në punët e saj të brendshme. Megjithatë për situatën anormale të krijuar për shqiptarët e mbetur jashtë Shqipërisë londineze deputeti Luigj Gurakuqi do të shprehej: “Na kanë marrë qytetet na kanë lanë Malësinë, na kanë marrë Dibrën e na kanë lanë Malësinë, na kanë marr Prizrenin e na kanë lanë Malësinë, na e kanë marr Gjakovën e na e kanë lanë Malësinë, kështuqë shëmbëllejmë si një trup pa kokë.” Gurakuqi kërkon që të sillet sa më shpejt në Parlament projektligji për emigrantët nga Kosova

Deputeti Luigj Gurakuqi, pohoi se nuk ka nevojë t’i përmend mjerimet në të cilat ndodhen emigrantët e ardhur nga Kosova në Shqipëri sepse sipas tij i tha shumë mirë Bedri Pejani. Që çështja të shqyrtohet sa më parë, deputeti Gurakuqi propozoi që të vijë në Parlament e të lexohet raporti, i cili është gati, kurse tri komisionet e tjera mendimet e tyre t’i shfaqin këtu në Parlament.

Përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave minoritare të shqiptarëve në Mbretërinë SKS dhe në Greqi, si dhe qëndrimet e shtetit shqiptar ndaj këtij problemi kanë pasur veçori dhe probleme specifike në periudha të ndryshme të zhvillimit historik. Ato janë diktuar edhe nga koniuktura politike që kanë qenë të pranishme. Megjithatë, Luigj Gurakuqi do të theksonte: “Rëndësia e Shqipërisë në politi-kën e jashtme është aq tepër e vogël, sa që nuk mund të besohet kurrë që do të kemi përkrahjen e shteteve të mëdha pavarësisht nga shërbimi që përpiqemi t’u bëjmë”.

Në parlament ishin zgjedhur edhe intelektualë të dëgjuar të kohës. Përgjithësisht, për arsye të ndryshme deputetët gëzonin besimin, respektin, dashurinë, simpatinë dhe kishin besueshmëri të domosdoshme politike te mbarë shqiptarët, jo vetëm brenda shtetit shqiptar, por edhe të atyre jashtë kufijve politikë shtetërorë dhe në diasporë.

Ndër këto figura të shquara kulturore e politike ishin: Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Fan Noli, Hasan Prishtina, Kadri Prishtina, Ahmet Zogu, Hil Mosi, Ndre Mjeda, Sylejman Delvina, Sotir Peci etj. Deputeti Gurakuqi synonte krijimin e një Shqipërie stabile dhe të njohur ndërkombëtarisht, e cila më vonë do të ishte në gjendje më të mirë për t’i përkrahur kërkesat e vëllezërve jashtë kufijve.

Qëndrimet e shtetit shqiptar ndaj këtij problemi janë shprehur me veçori dhe me probleme specifike në periudha të ndryshme të zhvillimit historik. Ato janë diktuar edhe nga koniunktura politike që kanë qenë të pranishme. Megjithatë, Luigj Gurakuqi theksonte: “Rëndësia e Shqipërisë në politikën e jashtme është aq e vogël, saqë nuk mund të besohet kurrë që do të kemi përkrahjen e shteteve të mëdha pavarësisht nga shërbimit që përpiqemi t’u bëjmë.”

Filed Under: Analiza

ISA BOLETINI – KODI I LIRISË DHE BUSULLA E KOMBIT

November 21, 2025 by s p

Prof.dr Skender ASANI/

Në perëndimin e shekullit XIX, kur Ballkani ishte një fushë e hapur për ujqërit e perandorive të etura për zgjerim dhe kur kufijtë vizatoheshin me laps diplomatësh që nuk njihnin as gjakun, as tokën, as kujtesën e popujve, shqiptarët gjendeshin në prag të zhdukjes politike. Fqinjët shovinistë, të shtyrë nga delirët e tyre mesjetare, kërkonin t’i zhduknin trojet shqiptare nga harta, ndërsa Fuqitë e Mëdha i shihnin shqiptarët si një popull pa avokat, pa shtet dhe pa privilegj të zërit. Në atë mjegull prej intrigash, frikërash dhe komplotesh diplomatike, lindi një njeri që nuk e pranoi kurrë rolin e viktimës: Isa Boletini.

Ai u rrit pikërisht në kohën kur vullneti për jetë i kombit shqiptar po shtypej nën dy katarakte historike: presionin e Perandorisë Osmane dhe agresionin e shteteve fqinjë. Pas Kongresit të Berlinit, trojet shqiptare u copëtuan sikur të ishin copa letre dhe jo tokë e gjyshërve. Plava e Gucia iu dhanë Malit të Zi, Ulqini u la në mëshirën e etjeve territoriale, ndërsa shqiptarëve u mbeti vetëm lëndimi dhe fyerja. Por pikërisht atëherë fryma e Isa Boletinit u shndërrua në zjarr që ndezi rezistencën.

Ai nuk e pranoi kurrë logjikën se shqiptarët duhet të nënshtroheshin. Ai e kuptoi se një popull pa qëndresë është një popull i humbur, ndaj mori pushkën dhe organizoi mbrojtjen e trojeve kundër hordhive sllave që tentonin të zbrisnin drejt jugut. Rezistenca e tij kundër çetave malazeze në Plavë e Guci u shndërrua në simbol të pagabueshmërisë së tij strategjike. Luftoi për Mitrovicën, për Shalën, për Drenicën, për çdo pëllëmbë që dikush guxonte ta quante “tokë discutabile”. Për të, nuk kishte tokë diskutabile: kishte tokë shqiptare ose tokë të pushtuar.

Isa Boletini nuk ishte vetëm luftëtar; ai ishte arkitekt i vetëdijes kombëtare. Ai bashkoi krerë të fiseve, krijoi një strukturë të organizuar të qëndresës dhe nuk pranoi kurrë të merrej nëpërkëmbë as nga sulltani, as nga mbretërit e Ballkanit. Kur Perandoria Osmane tentoi t’i vinte prangat duke e thirrur në Stamboll, shkuarja e tij atje nuk ishte akt nënshtrimi, por akt sfide. Në kryeqytetin e perandorisë, ai nuk u soll si vasal; u soll si zot i vetvetes dhe përfaqësues i një populli që nuk pranonte mësim nga askush.

Kush e njeh historinë e Kosovës, e di se asnjë kapitull i saj nuk shkruhet pa emrin e Boletinit. Ai drejtoi mbrojtjen e Mitrovicës në vitet 1901–1903, kur Serbia përpiqej me çdo kusht të krijonte trazira për të justifikuar ndërhyrjen. Ai ishte aty në kryengritjet e mëdha shqiptare të viteve 1909–1912, duke e shtyrë Perandorinë Osmane në prag të rrëzimit të pushtetit të saj mbi shqiptarët. Në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë e Pejë, ai u shndërrua në simbol të mosbindjes, duke e bërë çdo kryengritje shqiptare të padukshme pa emrin e tij.

Aksionet e ditëve vendimtare të gushtit të vitit 1912 u shfaq një akt që vulosi rrjedhën e historisë. Aksionet e koordinuara të çetave shqiptare, mbështetja masive popullore dhe vizioni strategjik që ai udhëhiqte, e çuan Shkupin nën kontrollin shqiptar. Nuk ishte ngritje spontane; ishte disiplinë, ishte qartësi, ishte vetëdijë kombëtare e kristalizuar. Çdo hap ishte i peshuar, çdo veprim ishte pjesë e një plani që synonte të thyente prangat shekullore. Shkupi i rënë në duart e shqiptarëve ishte momenti kur historia mori tjetër drejtim. Sepse pa Shkupin e 1912-s, Vlora e 28 Nëntorit do të mbetej vetëm një ëndërr poetike, një flamur i paqëlluar mbi realitetin. Fitoret politike lindin nga fitoret strategjike, dhe Shkupi ishte themeli prej të cilit lindi shteti shqiptar.

Një hijeshi e ashpër u ngjit mbi shkallët e shtëpisë së pavarësisë më 28 Nëntor 1912, duke e bërë çdo hap të Isa Boletinit akt epokal. Aparenca e tij e thjeshtë nuk mund të fshihte gravitetin dhe peshen historike që mbante mbi supe. Ai nuk erdhi për të pozuar në fotografi historike, por për të dhënë garanci se akti i shpalljes së pavarësisë kishte themele të vërteta, burimore dhe të pathyeshme. Prania e tij nuk ishte thjesht fizike; ishte shenja se Kosova, dhe çdo cep i trojeve shqiptare, nuk do të zhdukej nga harta politike e kombit, për aq kohë sa zemra dhe pushka e tij rrihnin për lirinë. Isa Boletini ishte aty jo si shoqërues i rastësishëm, por si themelues morali, si mbrojtës i sovranitetit të sapolindur, një urë e gjallë mes maleve të Kosovës dhe horizontit të Shqipërisë së lirë.

Dhe kulmi i epopesë së tij nuk ishte vetëm në male. Kur u botua lajmi se delegacioni shqiptar do të shkonte në Konferencën e Londrës më 1913, Isa Boletini u përgatit sikur po shkonte në një betejë të re. Në Londër ai nuk mbërriti si një komandant malësor i varfër; mbërriti si vetë trupi i përkthyer i rezistencës. Qëndrimi i tij i pathyeshëm tronditi të huajt, aq sa ata u përballën me një njeri që nuk njihte kompleks inferioriteti. Në sallën e konferencës, ai i vuri Evropës përpara të vërtetën që Evropa kishte nevojë ta dëgjonte: se shqiptarët nuk ishin popull i harruar, por popull i shtypur. Fjalët e tij, shpesh të heshtura por të prera si thikë, mbetën si një shenjë se një komb i tërë nuk e braktisi dinjitetin e vet.

Shtatori i vitit 1913 solli një tjetër provë të zjarrit historik. Në një kohë kur copëtimi i trojeve dhe kërcënimi i aneksimit rëndonin mbi kombin shqiptar, Isa u ngrit sërish si pishtari i vetëm i qëndresës.

Kryengritja e Shtatorit nuk ishte thjesht një akt ushtarak; ishte deklarata më e pastër e ekzistencës shqiptare përballë planeve të fqinjëve shovinistë që kërkonin t’i zhdukeshin nga harta. Çdo pushkë që ai drejtoi, çdo vend që e mbrojti, ishte mesazh i qartë: shqiptarët nuk ishin popull i dorëzuar, trojet e tyre nuk ishin objekt për komplot dhe ndërhyrje. Isa Boletini nuk ishte vetëm komandant; ai ishte vetë zëri i kombit, i pathyeshëm dhe i pamposhtur, një legjendë që nuk mund të shuhet nga kohërat dhe intriga.

Edhe më vonë, kur Shqipëria shpalli pavarësinë dhe qeveritë shqiptare përballeshin me presionet e jashtme dhe të brendshme, Boletini qëndroi si shtyllë e pandashme e idealit kombëtar. Në pranverën e vitit 1914, në Durrës, pranë Princ Vidit, ai qëndroi në mbrojtje të shtetit të sapolindur shqiptar, duke shpresuar se më në fund kombi i tij do të kishte një derë ku të trokitte. Por intrigat ndërkombëtare e hodhën Shqipërinë në një vorbull të re. Isa Boletini nuk u dorëzua as atëherë; vazhdoi të luftojë për të ardhmen e kombit, deri në çastin kur u vra tradhtisht në Podgoricë më 1916, në një akt që ende sot shumica e historianëve e quajnë vrasje politike të parapërgatitur.

Ai u vra, por nuk u mposht. Sepse një njeri që bëhet simbol, nuk vritet më. Ai ngrihet mbi kohën.

Dëshmia më e fundit e kësaj ngjitjeje është nderimi i madh i diasporës shqiptare në Staten Island të Nju Jorkut, ku më 30 nëntor do të përurohet një rrugë me emrin e tij. Ky akt nuk është thjesht një tabelë me germat e një emri; është një kujtesë e përbotshme se shqiptarët nuk duhet ta harrojnë kurrë se nga vijnë. Në zemër të Amerikës, Boletini shfaqet si simbol i një kombi që ka ditur të mbijetojë duke mos u dorëzuar asnjëherë. Ai nderohet atje ku liria ka kuptimin më të thellë dhe kjo e bën këtë nderim edhe më të fuqishëm, sidomos kur disa në trojet shqiptare përpiqen të minimizojnë figurat që e mbajtën kombin në këmbë.

Figura e Isa Boletinit është sot më urgjente se kurrë. Në kohën kur shqiptarët ende luftojnë me sfida të identitetit, të shtetformimit, të drejtësisë dhe të barazisë, zëri i tij i çeliktë është një kambanë e fortë që na kujton kush kemi qenë dhe kush duhet të jemi. Politika shqiptare, në të gjitha trevat, ka nevojë për frymën e tij jo për fjalët e tij të moçme, por për parimet që ai mishëroi: vendosmërinë, unitetin, dinjitetin dhe sakrificën për të ardhmen.

Boletini ishte njeri që jetoi me një moto: Shqipëria dhe shqiptarët të jenë të lirë në trojet e tyre. Ai nuk e tha si slogan; e tha si betim, si mënyrë e vetme e jetesës.

Dhe mbi të gjitha, ai la një mesazh të pashlyeshëm:

“Sa të jem gjallë, kurrë nuk do të dorëzohem.”

Ky nuk ishte thjesht premtimi i tij. Ishte premtimi i çdo shqiptari që e kupton se liria nuk është luks, por detyrim.

Filed Under: Analiza

Ciao Bella…!

November 21, 2025 by s p

Fejton nga Rafael Floqi/

Në bulevardin e gjatë të politikës shqiptare, ku skenat ndërrohen më shpesh se dekoret e një teatri provincial, këtë javë projektorët u ndezën sërish mbi një nga figurat më të fuqishme të kabinetit qeveritar: Belinda Balluku. Dhe jo për ndonjë inaugurim, prerje shiriti apo premtim spektakolar, por për një njoftim të ftohtë, të prerë, të qartë të SPAK-ut. Një “CiaoBella” institucional, i shkruar me gjuhën e akuzave, datave dhe procedurave.

Bella, Bela… por jo fort e bukur kur vjen puna te tenderat

Ashtu si në një dramë të shkruar prej kohësh, me role të ndara e dialogje të përgatitura, në skenë shfaqet ministrja e pushtetshme e Infrastrukturës dhe Energjisë, tashmë zëvendëskryeministre. Një figurë që prej vitesh ka shëtitur me vetëbesim në korridoret e pushtetit, duke administruar portofolin më të rëndë të qeverisë – rrugët, energjinë, projektet strategjike, miliardat publike.

Por SPAK nuk është as spektator i heshtur, as kritik letrar. Ai ka rolin e autorit që rikthen shfaqjen aty ku është shkruar: te dokumentet, veprimet, firmat, tenderat. Dhe sipas këtij autori të ri të skenës politike, për Ballukun dhe ekipin e saj, ka pasur jo pak improvizime jashtë skenarit ligjor.

Tuneli i Llogarasë – një hapësirë e ngushtë mes ligjit dhe interesave

Hetimet flasin për një procedurë prokurimi të ndjekur hap pas hapi nga vetë ministrja, që nga faza përgatitore e deri te firma e kontratës. E bashkë me të, një grup personash që duket se kanë punuar me sinkron më të saktë se makineritë e tunelit: Berberi, Gjyli, Elezi, Dervishi, Kashnica. Sipas SPAK, të gjithë së bashku paskan zgjedhur fituesin përpara se gara të niste.

Një tunel që duhej të lidhte dy skaje të bregdetit, tani po lidh dy skaje të akuzës: zyrtarët dhe kompaninë fituese.

Në gjithë panoramën e groteskut publik, Karanxha del dhe të rrëfen se tuneli i Llogarasë – projekti simbolik i gishtit të madh që qeveria i drejtonte kritikëve – paskësh mbetur me cilësi më të pakolauduar se një garazh pallati. Sipas inxhinierit grek, tuneli jo vetëm që nuk ka daljet e zjarrit, por duket sikur e ka marrë seriozisht filozofinë “mbylleni brenda dhe shpresoni më të mirën”. Nëse zjarr ka, zgjidhja paska mbetur një: uroni që tymi të ketë edukatë dhe të dalë vetë.

Dhe këtu fillon pjesa më e bukur e satirës: ndërsa Balluku është pezulluar dhe SPAK-u shkel në dosje sikur po planifikon zbarkimin në Normandi, në sfond del Edi Rama, profili i lartë i politikës shqiptare, alias palloshi në rolin e artistit që, sipas versionit zyrtar, qenka krejtësisht i surprizuar.
Sepse, natyrisht, ne duhet të imagjinojmë një kryeministër që zgjohet çdo mëngjes në një odë zen, i rrethuar me tela grafiti dhe me një kafe turke që i thotë vetëm fat të mirë – jo ç’bëjnë ministrat. Sipas këtij versioni idilik, Rama është si një dirigjent që udhëheq orkestrën, por për arsye misterioze nuk dëgjon asnjë instrument.

Ndoshta kryeministri ka besuar verbërisht se tuneli i Llogarasë do ishte vepra e shekullit, një tunel që do ndriçonte me vetëdije, do kishte freskuese oksigjeni dhe ndalohej zjarri me rregullore si cigaret në avion. Ndoshta ai imagjinonte supervizorët si engjëj teknikë që punonin nga qielli.

Bella dhe tuneli që qenka bërë metaforë e shtetit

Ndërkohë, Balluku, që dikur fliste për vizione të mëdha infrastrukturorë sikur vendi ishte duke u përgatitur për Olimpiadë, sot përballet me akuzat se nën atë petk modernizues fshiheshin vendime të paracaktuara dhe tendera me destinacion të njohur.
Dhe ndërsa ajo pezullohet, e gjithë qeveria ngjan sikur ka marrë frymën e alergjisë politike: një kollë të lehtë mosnjohjeje, një skuqje të lehtë çudie, një dridhje ankthi për “ç’ka ndodhur tani”.Por tuneli i Llogarasë – ai monument prej betoni e tymi – është aty, si për të thënë:
“Mos shikoni shumë thellë brenda me u tremb, se nuk ka dalje.”

Aeroporti – UFO-ja shqiptare

Në sagën tonë të përbashkët, ku çdo projekt publik në Shqipëri ka shpirtin e vet, nervin e vet dhe fatin e vet melodramatik, aeroporti i lidhur metaforikisht me Pacollin meriton një kapitull më vete. Jo se është domosdoshmërisht më i madh, më i rëndësishëm apo më i shtrenjtë se të tjerët – jo. Ai thjesht është simboli më poetik i mënyrës si ndërtohet infrastruktura në këtë vend: me lavdi perandorake dhe logjikë çerdheje.

Aeroporti në fjalë ka hyrë në historinë e ndërtimeve tona si një lloj mjeti fluturues i pashpjegueshëm: një ditë del në konferencë shtypi, ditën tjetër zhduket në mjegull, pastaj rishfaqet sërish falë një deklarate të re politike. Në fakt, është aeroporti i vetëm në Europë që lëviz sa herë ndryshon plani i fjalimit të qeverisë.

Njëherë thuhej se do ishte porta më e madhe e turizmit. Herën tjetër porta e zhvillimit. Më pas porta e investitorëve të huaj. Më vonë porta e shpresës. Dhe në fund, mbeti porta që hapet e mbyllet si dera e një dyqani lagjeje: dikush del, dikush hyn, por shitje s’po bëhet.

Aty ku vendet normale kanë studime fizibiliteti, ne kemi optimizëm. Aty ku kanë analiza teknike, ne kemi konferenca shtypi. Aty ku kanë grafike financiare, ne kemi premtime që duken si fatura dyqanesh, të grisura e të palosura në xhep.

Episodi i Pacollit – kapitull i stilit “fluturim imagjinar”

Emri i Pacollit (metaforikisht në këtë tekst satirik) vjen gjithmonë e shoqëruar me një lloj efekti ndriçimi si në telenovela: muzika rritet, kamera bëhet zoom, dhe publiku në shtëpi mendon:“Apo filloi prapë ky projekti që nuk mbaron kurrë?” apo e bllokojnë flamengot…

Sepse në kujtesën kolektive, aeroporti që lidhet me të është një nga ato histori ku investitori del gjithmonë me një risi të re, qeveria me një shpresë të re, ndërsa qytetarët me një pikëpyetje të re.
Dhe si çdo projekt që merr formë mitologjike, edhe ky ka marrë përmasa epike:
– Do sjellë turizëm.
– Do sjellë investime.
– Do sjellë prosperitet.
– Do sjellë avionë.

Dhe qytetarët, të mësuar me këtë lloj poezie infrastrukturore, pyesin me naivitetin më të bukur shqiptar:
“Edhe pista a do vijë?

Unaza e Jashtme – qark i mbyllur për konkurencën

Loja e dytë e madhe, ajo e Unazës së Jashtme Tiranë, duket se ka qenë një “vazhdim” i episodit të parë. Sërish orientime, sërish ndikime, sërish bashkëpunëtorë dhe një fitues i “paracaktuar”, sipas SPAK-ut. Një unazë që paska qenë më shumë rrugë e shkurtër drejt favorizimit sesa drejt rregullimit të trafikut.

Unaza e Tiranës rrotullohet natën si një lak i madh asfaltit që pret viktimën e radhës — zakonisht ndonjë shofer të pafajshëm, ndonjë nerv të tendosur… ose ndonjë ministër të ngecur mes akuzave. Tani emri i Ballukut qarkullon më shpejt se vetë trafiku, dhe në këtë qytet askush s’pyet më kush ka faj: mjafton që diçka të digjet, qoftë gomë, qoftë reputacion. Në fund, Unaza nuk gjykon; ajo vetëm shikon si rrotullohen akuzat, karrierat dhe ndërgjegjet — dhe i mban të gjithëve peng, derisa t’u shterojë benzina ose pafajësia.

Bella dhe të tjerët që ranë

Balluku është zyrtarja më e lartë që përballet me SPAK-un, pas një parade të gjatë funksionarësh që kanë humbur postet, ndikimin, e madje edhe lirinë: Ahmetaj, Veliaj, Beqaj, Tahiri. Të gjithë pjesë e një mozaiku të madh ku ngjyrat e pushtetit dhe hijet e dyshimeve gjithmonë ndërthuren.Në këtë dramë nuk mungojnë as personazhet e rikthyer. Evis Berberi, tashmë nën akuzë për korrupsion e pastrim parash në një çështje tjetër, del sërish në skenë. Si një figurë që ka lëvizur nga ARRSH në projekte të tjerë, gjithmonë duke tërhequr vëmendjen e drejtësisë.

Dhe me këtë episod më të fundit, mozaiku po merr përmasat e një murali të madh ku dora e SPAK-ut po pikturon, ngjyrë pas ngjyre, portretin e politikës së tranzicionit.

Në këtë vend çudirash, ku logjika shpesh mbetet tek dera e institucioneve, ndodh që një kryebashkiak i izoluar pas hekurave të vazhdojë të “drejtojë” Këshillin Bashkiak sikur burgu të ishte thjesht një zyrë me dritare më të vogla. Po aq absurd është fakti që një ministër i përfshirë në një lumë akuzash për korrupsion të ngrihet në foltoren e parlamentit për të folur mbi përmbytjet e reshjeve, ndërsa vetë nuk arrin të shohë se stuhia më e madhe është ajo që ka shpërthyer brenda zyrës së tij. Ironia bëhet normë, dhe realiteti shpesh i ngjan një satire pa autor.

 “Preshi Kushtetues”

Në një vend ku ministrat kapen duke vrapuar me thesin e preshit plot miliona, kryeministri Rama del përpara mikrofonit dhe na thotë me ton solem: “S’ka problem, preshin e zgjidh Gjykata Kushtetuese!”  

Populli habitur pyet: — Po pse, zoti Kryeministër, kur kapet dikush me presh në dorë, zakonisht merret polici, prokurori, SPAK-u…

Rama (i qetë, si profesor i etikës politike që s’e ka pasur kurrë Shqipëria):

— Jo, jo, jo. Në rastin tonë special, preshi është institucion. Për atë ka kompetencë vetëm Kushtetuesja. SPAK-u mund të hetojë, por preshin e funksionit e mbroj unë. 

E pra, kush e kuptoi, kuptoi. Nuk është fjala për Belën, është fjala për balancat e pushteteve. Në këtë vend, pushtetet janë si lakrat: ndahen, lahen, grihen… por dikush duhet t’i mbajë të freskëta. Dhe ky dikush, sipas kryeministrit, është pikërisht ai vetë, që tani na shfaqet si ombudsmani botëror i perimeve institucionale.

Dhe kështu ndodh mrekullia: nga një çështje vjedhjesh me tendera shndërrohemi në tragjikomedinë “Mbro Çdo Presh Kushtetues”

Ndërkohë Bela rri e heshtur. Preshi nuk flet. Ai thjesht qëndron në dorë.

Dhe vendi vazhdon para, me ritmin e zakonshëm të një shteti ku edhe kur dikush kapet “me presh në dorë”, problemi del se pse policia s’e paska lënë preshin të freskët.

CiaoBella – por a është lamtumirë?

Titulli i këtij fejtoni nuk është aspak rastësor. “Ciao” në italisht është fjalë me dy kuptime – mund të jetë edhe përshëndetje, edhe lamtumirë. Kjo është pikërisht dilema që e ndjek Ballukun sot: a është ky fillimi i largimit apo thjesht një episod i radhës në sagën e përballjeve institucionale që gjithmonë përfundojnë me kthime spektakolare?

Në teatrin politik shqiptar, personazhet rrallë dalin përfundimisht nga skena. Deri sa drejtësia të flasë, tingulli i “ciao”-s mbetet pezull në ajër. Dhe publiku, si gjithmonë, pret aktin e radhës, pasi ujë korrupsioni ka gjithkund vetëm tek rubineti jo.

Në fund të fundit, në këtë vend, drejtësia është gjithmonë një premierë që shpresohet të mos jetë thjesht shfaqje.

Filed Under: Analiza

ONOMASTIKA SHQIPE NË PRIZMIN E STUDIMEVE TË PROFESOR IDRIZ AJETIT

November 20, 2025 by s p

Prof. dr. Bahtijar Kryeziu/

Rëndësia e studimit të problemeve në fushën e onomastikës, ishte dhe mbetet temë e pakapërcyeshme dhe me shumë interes për shkencat albanologjike, si dikur, ashtu dhe sot e nesër, jo vetëm nga studiuesit e huaj, siç ishte dikur (më tepër për interesa të tyre), po sidomos nga studiuesit tanë, për zbardhjen e të vërtetës shkencore për popullin dhe vatanin tonë.

Fakti i zbulimeve të vendeve të ndryshme në tërthoret tona edhe këtë vit (2023), siç ishte rasti i zbulimit të moshës së madhe mbi 8500 vjet të fshatit Lin, afër qytetit të Pogradecit, të më të vjetrit në Europë; zbulimi në Ulpianë i mozaikut të kishës së Justinianit me mbishkrimin DARDANIA etj., pos atyre që tanimë janë vërtetuar se janë shqip e të shqipes, si: Shtip nga Astibo, Sharr nga Scardus, Shkodra nga Scodra, Shkupi nga Scupi, Nish nga Naissus etj., vetëm sa na e plot mendjen edhe më tepër, se studiuesit tanë kanë pasur të drejtë dhe arsye të forta që të merren me studime në këtë fushë, siç ishin te ne, ndër të parët, Profesor Eqrem Çabej në shtetin amë dhe profesor Idriz Ajeti, këndej kufiri, e që shumë onoma të të cilit i kemi bërë objekt studimi në këtë punim.

Veprimtaria shkencore e profesor Idriz Ajetit kap një gamë të gjerë çështjesh: nga fusha e historisë së gjuhës, e dialektologjisë, e etimologjisë, e ballkanistikës, e onomastikës mesjetare dhe të mëvonshme, e kontakteve të shqipes me gjuhët fqinje, e njësimit të gjuhës letrare, e normimit të shqipes dhe të kulturës së gjuhës etj. Por nga e tërë kjo punë e madhe e këtij kolosi, ne këtë radhë po veçojmë studimet e profesor Ajetit në fushën e onomastikës, të kësaj disipline mjaft komplekse të gjuhësisë, e cila tek ne zuri të bëhet objekt studimi që nga vitet e 60-ta të shekullit të kaluar, për dallim nga të huajt, të cilët, pikërisht në mungesë të studiuesve tanë, shfrytëzuan onomastikën edhe për interesa të tyre e në dëm tonin (fjala është sidomos për ata sllavë), që përmes “objektivitetit shkencor” të studimit dhe shpjegimit të onomave të ndryshme (si fosile të paleontologjisë njerëzore) të Ilirikut të dikurshëm, të Kosovës së sotme dhe të tërthoreve të tjera të gjeografisë shqiptare, të caktojnë, jo vetëm fatin por edhe “shtëpinë tjetër” të shqiptarëve.

Se ç’rëndësi ka kjo disiplinë shkencore shumëdimensionale (toponimi, antroponimi, patronimi, oronimi, hidronimi, bionimi (zoonimi dhe fitonimi), odonimi (emërtimet e rrugëve, të shesheve e autostradave) etj., po zëmë në gojë një mendim të akademik Gjovalin Shkurtajt, i cili, për rëndësinë e saj, thekson: “Onomastika ka qenë gur themeli e lëndë e parë me rëndësi parësore në të gjitha hulumtimet e shqyrtimet historiko-gjuhësore rreth iliro-shqiptarëve, së pari, për albanologët e huaj, pastaj (në hullinë e tyre e me përmasa përherë e më të gjera) edhe për studiuesit shqiptarë”. Andaj, jo rastësisht, onomastika ka tërhequr interesimin edhe të prof. Ajetit, duke qenë i bindur se kjo disiplinë ka qenë dhe mbetet “një nga argumentet themelore ku mbështetet teza e autoktonisë së popullit shqiptar, e cila ka si korolar pranimin e burimit të shqipes nga ilirishtja jugore. Këtë tezë, të përfaqësuar … nga prof. E. Çabejt, do ta mbështesë edhe I. Ajeti duke nxjerrë në pah argumente që flasin në të mirë të saj e duke provuar se pohimeve kundër kësaj teze u mungon mbështetja qoftë historike, qoftë gjuhësore” – thotë profesori tjetër nga Tirana, profesor Emil Lafe. Kështu që, jo pa të drejtë mund të themi se “onomastikës shqiptare i kanë kushtuar rreshta të shumtë dy mjeshtrit e mëdhenj të historisë së gjuhës shqipe: i ndjeri prof. Eqrem Çabej në Tiranë…, dhe prof. Idriz Ajeti në Prishtinë…”. E thotë parimi i vjetër i të gjitha shkencave: “Themeluesit vijnë në fillim, përfituesit vijnë më mbas”, pa mohuar këtu, sigurisht, edhe ndihmëtarët e tjerë të kësaj fushe, siç janë: Mahir Domi, Androkli Kostallari, Kolë Luka, Palok Daka, Emil Lafe, Gjovalin Shkurtaj, Seit Mansaku, Rexhep Ismajli, Çlirim Bidollari, Skënder Gashi, Rexhep Doçi, Qemal Murati, Begzad Baliu, autori i këtyre rreshtave dhe shumë të tjerë.

Akademiku ynë, shpeshherë i kreshpëruar, ngrihej si Gjergj Elez Alija kundër atyre bajlozëve, për ta mbrojtur gjuhën shqipe si shenjë kombi, për të treguar fillimet e saj, për të mbrojtur gurët e sinorëve të vatanit tonë aty ku e kishin vendin denbabaden, e jo të shkuljes së atyre gurëve e të korrigjimit të mezhdave të shqiptaro-iliro-pekllazgëve, për t’ju bërë qejfin karpatxjinjve. Pikërisht onomastika ishte dhe mbetet ajo disiplinë shkencore e cila dokumenton të vërtetën shkencore të çdo populli, përkatësisht autoktoninë dhe kufijtë e shtrirjes së tij, në kohë dhe hapësirë, si dje ashtu dhe sot.

Në kohën kur po dalin të dhëna të reja shkencore, si dëshmi se shqipja është ndër 3 gjuhët më të vjetra të kontinentit tonë (e një moshe më të madhe se 6000 vjet); zbulimi i toponimit më të vjetër në Europë (siç po thuhet për fshatin Lin buzë liqenit të Ohrit, afër qytetit të Pogradecit); zbulimi në Ulpianë i mozaikut të kishës së Justinianit me mbishkrimin Dardania etj., vetëm sa dëshmohet edhe më tepër autoktonia e shqiptarëve në këto troje e më gjerë, të cilit problem i kanë mëshuar studiuesit tanë me përgatitje e dije të lartë, të cilëve ua kanë pasur lakmi edhe studiuesit më në zë evropianë e përtej tyre.

Në këtë rrafsh, Akademik Idriz Ajeti, përmes një vargu çështjesh gjer vonë edhe të diskutueshme: historike, antropo-gjeografike e sidomos gjuhësore, për shumë toponime, patronime e antroponime, mbështetur në metoda të rrepta dhe objektive shkencore, me prova të pakundërshtueshme tregon të vërtetën dhe lashtësinë “e popullit tonë dhe të gjuhës së tij në trojet e veta që i banon sot e ku ka banuar dikur, së paku që nga antikiteti”. Po t’i sjellësh në mend toponimet mesjetare të Malit të Zi, Bosnjë e Hecegovinës dhe të Kosovës, si: Pantalesh, Barzan (Bardhan), Bankeq (nga ban+keq), Butidosi (Bytydosi nga një emër vëllazërie – bythëdosë), Lazorci të rrethit të Kuçit; ose edhe Leshkoviqi, Vjedushi, Bardiqi, Kuçi (një fshat me këtë emër përmendet edhe në lindje të Vlorës, që lidhet me fjalën kuq – i kuq, lat. cucceus, e që prof. Idrizi, duke e prekur edhe një herë këtë thotë se më shumë ka të ngjarë të lidhet me apelativin kuç – “vorbë, kuth” i ngulitur në një vend, që i përgjigjet vorbës e vorbëtinës, se sa me apelativin i kuq), e që sipas nesh, nuk përjashtohet mundësia as e prejardhjes së Kuçit, si nahije që ishte, nga një emër vetjak i fisit të madh shqiptar Kuçi, i shtrirë në disa tërthore: Kuçi (Berat), Kuçi (Thesprotia), Kuçi (Vlorë), Kuçi si patronim në Kosovë, si mbiemër “Petrus Kuç” pranë Tuzit etj.; pastaj disa toponime të nahijes së Kelmendit, si Liqeni, Shpaja me katundet: Gjonoviq, Leshkoviq, Kolemade (Golëmadhe – gojëmadhi); Keqi, Shpihja, Bukmir (Bukëmirë), Rogami, Bushat (analog me Nënshat te Shkodra) në nahijet e Hotit dhe të Piperit; komuna Burmazoviq (Burmaza – burrë i madh); fshati Butmir – Budmir/e (nga shqip botë e mirë) në fushën e Sarajevës; Ligatiqi, Ligate e të tjera, të pranuara, të sqaruara e të shpjeguara drejt e mirë nga profesor Idrizi, përmes ligjeve fonetike historike të shqipes, na dalin të gjakut e të mishit të shqipes. Madje për dy emrat e fundit (Ligatiqi dhe Ligate), profesori ynë, nuk pajtohet as me Lirak Dodbibën, i cili këtu shihte një “i lig” si bazë, duke u mbështetur në cilësinë e vendit, kurse profesor Idrizi këto i shpjegon me të drejtë nga një bazë lag (tokë e lagët) + sufiksi i vjetër i shqipes –atë: lagatë > lëgatë > ligatë.

Profesor Ajeti, në punën e tij shkencore e kishte parim: studimin e dokumenteve, përfshirë: gjurmimin, qëmtimin, mbledhjen, analizën dhe më në fund botimin e rezultateve, duke marrë në sy karakteristikat e jashtme dhe të brendshme të të dhënave, por edhe duke dhënë vlerësimet për to. Kështu që, në bazë të të dhënave të siguruara, ai pohon se edhe emrat: Tanush, Gjin, Progor, Bukur, Shin, Vitan, Gal, Lesh, Gjon, Tole, Lekë, Kolë, Pepa, Gegë, Bardo, Gjec, Kolsh, Bushat, Lulo, Mazarak, Pal, Dukë etj., nuk kanë prejardhje sllave e që, pothuaj, të gjithë janë emra shqiptarë. Kësisoj, ndër të tjera thekson profesor Ajeti, nuk kanë mbështetje shkencore dhe bien poshtë pohimet e disa historianëve borgjezë, se gjoja shqiptarët erdhën në Kosovë nga fundi i shek. XVII dhe fillimi i shekullit XVIII, pasi që prej këndej u shpërngul elementi serb. Madje, duke ju referuar pikës 6, njërës nga dymbëdhjetë pikat e Veigandit, se “po të kishin banuar shqiptarët gjithmonë ku banojnë sot, emrat e vendeve që dihen prej kohës së vjetër, duhej të kishin pësuar edhe ata zhvillimet fonetike të shqipes”, profesor Ajeti, pikërisht duke u mbështetur te ato toponime antike, më bindshëm se kudo tjetër, gjen shpjegimin e tyre vetëm me anë të shqipes, siç kanë thënë edhe dijetarë të tjerë, si Jokli, Çabej etj.

Këtu do të përmendim vetëm disa topikë, tanimë të pranuar shkencërisht, si: Naissus – Nish; Scardus – Sharr, Scupi – Shkup; Astibos – Shtip; Scodra – Shkodër; Lissus – Lesh (Lezhë).; Drivastum – Drisht; Dyrrachium – Durrës; Drinus – Dri-Drin; Barbanna – Buenë; Mathis – Mat; Isamnus – Ishmi etj., ose edhe topoleksemën Rogami (që gjendet në truallin e Shqipërisë Veriore si dhe në trevat e Malit të Zi), që është një formim sekondar i përftuar relativisht vonë me zgjerim sufiksal rogë + ame, formuar nga fjala shqipe rog(ë) “vend në mal, i mbuluar me bar dhe pa drurë, rrah” – siç shprehej edhe dijetari ynë i shquar profesor Eqrem Çabej.

Një papajtueshmëri profesor Ajeti shpërfaq edhe për qytetin bregdetar Vlonë – Vlorë, që sipas tij, është një formë toponimike që ka rrjedhur pas ligjeve fonetike të shqipes e jo sipas një trajte sllave (Aulon), siç e mendojnë Veigandi, I. Popoviqi e ndonjë studiues tjetër. Praninë e shqiptarëve në viset e tyre të banimit, gjithnjë sipas profesor Idrizit, e dëshmojnë edhe emërtimet: Shkumbin, Qafa e Prushit (nga Pirustae, Perustae); emri i qytetit të Ulqinit (nga një emër i lashtë Oulkinion) etj.

Profesor Idriz Ajeti, me erudicionin që e karakterizonte, me punën sistematike dhe të kujdesshme, me interpretimet e sakta gjuhësore, me metodat më rigoroze shkencore dhe gjykimet e mprehta prej dijetari të rrallë, i është rrekur edhe një numri toponimesh me prejardhje shqiptare, ku dje ka jetuar ose jeton edhe sot ky popull, si: toponimi Dushka (te Sibovci, të cilin G. Elezoviqi e sheh me luhatje si fjalë shqipe, për të cilën profesor Ajeti thotë se është emërtim me prejardhje nga gjuha jonë: nga dushk që rrjedh nga një trajtë e hershme *durshk); ashtu si edhe Kudrina – shënuar te Fjalori i G. Elezoviqit (fshat në Drenicë – nga shqip kodër, kodrinë); fshati Plepishtë (po te Fjalori… – nga fjala shqipe plep + sufiksi i vjetër i serbishtes –ishte); Troja – trualli, afër fshatit Svinjar (Frashër), që vjen nga fjala e shqipes truall, pl. troje; Brinje (Brinjë, emër katundi në mes të Tivarit dhe të Ulqinit) – fjalë e mbarë gjuhës, që nuk mund të ndahet nga pjesa anatomike bri-ni : bri-ri. Sipas dijetarit tonë edhe toponimet Kunje, katund mes Tivari e Ulqini, i pranishëm edhe në vise të tjera, duhet parë nga fjala shqipe kunj, ashtu si edhe emërvendet Shtek, Shteke (Šteci), Zashtek etj., që lidhen me rrënjorin e gjuhës sonë: shteg, shtek, përveç te toponimi Zashtek ku ndeshim edhe parafjalën za- parafjalë sllave.

Edhe toponimet Suka (kodër në kufi të Zagaraçit dhe të Bjelopaviliçeves; Sukeza (shqip Sukëza) lagje në Zagaraçin e Poshtëm janë fjalë me prejardhje shqipe: nga çukë, ashtu sikurse edhe Firza që do kërkuar te fjala e shqipes Firza (fier, fir); pastaj toponimi Guraja në fshatin Zhilivodë, të cilin toponim, që më parë edhe G. Elezoviqi e kishte paraqitur të shqipes, të cilin mendim e përkrah edhe profesor Idrizi, ose edhe emrat e fshatrave: Lopari (nga shqip lopë), Fundena (nga fund + prapashtesa e shumësit (e)na), i pari në rrethin e Kuqit, kurse i dyti te Drivasi (Drishti) etj. Me etimologji shqipe dalin edhe toponimet e Krajës: Briska (nga shqip brisk), Livare (nga shqip livare, katarakt, ujëvare), emri i paralagjes Gurza (nga fjala shqipe gūr + sufiksi –za, që ka karakter zvogëlues si edhe te shumë fjalë të tjera), ndërkaq toponimin Ombla, të cilin disa gjuhëtarë, ndër ta edhe profesor Çabej, e kishin shpjeguar nga fjala shqipe ãmbël, profesor Idrizi, për hir të së vërtetës, e sheh të etimonit sllav: ãblŭ, që do të thotë burim.

Po edhe patronimet e antroponimet: Šoći (shqip Shoqi), emër vëllazërie i fisit të Lubotinës; Zogović në Mal të Zi (nga shqip zog); Zotović në Hercegovinë (nga zot); Zonjići (nga shqip zonjë, geg. zojë); pastaj Burmaz/ović (shqip burrë i madh), Lekić (Lekë), Perendija (shq. perëndi): Prentaš, Prentino, Prentići, Prentovići (nga Prend, nganjëherë edhe Prenk); emrat etnikë të këtij krahu: Đin (Gjin), Đonovići (nga Gjon); Bridje, Bridjaši (nga forma e shumësit breg – huazim nga serbokroatishtja) etj., dëshmojnë për elementin mjaft të vjetër shqiptar në këto anë. Këto shpjegime të profesor Ajtit sikur dëshmojnë se ai e tumirte një shprehje të akademik Shaban Demirajt, se “njeriu duhet të flasë e të shkruajë me mend në kokë dhe këmbë në tokë”.

Gjurmë tona dhe thërrmija gjuhësore me origjinë shqiptare, thotë profesor Idrizi, vërtetohen edhe nga burime historike, si te këta emra të vjetër vëllazërie të Zetës: Mataguzhët te Podgorica (1335) e te Mahina Bregdetare (1435), Malonshiqët (Malonsi) në Luginën e lumit Zeta, por megjithëkëtë profesori e pranon se ka edhe një numër emrash të krishterë të përbashkët për të dy grupet etnike, si: Nikola, Andreja, Lazar, Gjorgj, Stepan, Dimitër, Petër, Mihal etj., të cilët vështirë dallohen sipas përkatësisë së tyre, ose ka edhe raste “ku prindërit mbajnë përzierje emrash shqiptarë, kurse bijtë dhe vëllezërit kanë emra karakteristikë serbë.

I prirë kurdoherë nga e vërteta shkencore, profesor Idriz Ajeti nuk bën përpjekje që çdo emërtim dhe me çdo kusht ta paraqesë me etimologji të shqipes. Le të përmendim, sa për ilustrim, vetëm disa emra “relativisht të rinj – nga periudha e mesjetës të cilët profesori i sheh të etimonit kryesisht sllav, si: Prizreni, Prishtina, Peć – Pejë”; sish me prejardhje latine: Zhur – Zhuroviq (1367) në Mal të Zi ose katundi Shur, Zhur, një fshat te Prizreni, i cili duhet të lidhet me këtë të parin; Bjeshkët e Nemuna (oronim me dy emra: i pari shqip, tjetri serbisht – Prokletije); pastaj toponimi Bajgorë (fshat në Krahinën e Shalës te Mitrovica, i formuar si kompozitë, nga dy emra gjuhësh të ndryshme me të njëjtin kuptim: turq. bayir “mal, rrafshnaltë, breg, kodër” dhe serb. gora, po me kuptimin “mal, malësi, pyll”, nga i cili topik kemi edhe patronimin Bajgora, të cilën onomë profesor Çabej e sheh te baza e fjalës bajgë (balëgë) me sufiksin pronor –or, -ore. Ne besojmë se këto toponime janë si rezultat i një jete në kontakte shekullore me popujt e ndryshëm të Gadishullit Ballkanik, e që kjo fqinjësi ka krijuar bashkëpërkime, përngjasime, barazime dhe zhvillime paralele edhe në onomastikë.

Nuk janë të rralla rastet kur prof. I. Ajeti, në trajtimin e çështjeve nga fusha e onomastikës, del edhe jashtë orbitës mbarëshqiptare, duke shprehur kozmopolitizmin e tij në hetimin, shpjegimin ose edhe në mbështetjen e disa mendimeve të drejta, pavarësisht përkatësinë e studiuesit, siç është rasti në përkrahjen që i bën Pavle Iviqit për shtrirjen e elementit etnik sllav edhe jashtë Ballkanit: të një Bistrice, të një Rudniku; të një Lipovice edhe në Gjermani; duke e lidhur emrin e qytetit Graz të Austrisë me një Gradac (sllav); ashtu si i ka parë Iviqi edhe disa toponime të Rumanisë me etimologji sllave, si: Bistrica, Crasna, Lipova; toponimet sllave në Hungari: Budin e Peshta, Peçuj, Velika Kanizha, Estergon, Dombovar, Solnik, Vesprem, Çongrad etj.; ose edhe disa të tjera në Greqi, për të cilat profesor Idrizi thotë se po të përjashtohet greqishtja, në vështrim vjen vetëm prejardhja shqipe e tyre, si: Gardhiqi, Kriekuqi, Hundëkuqi etj. Mbështetur në këto të dhëna, na duket se profesor Ajeti, nuk kishte qëndrim prej “puristi” për ndryshimin e emërtimeve të huaja në Kosovë, pavarësisht prejardhjen e tyre. Në studimet e tij, parim kryesor kishte objektivitetin shkencor të dëshmuar edhe në veprën e tij “Për të vërtetën shkencore”.

Por, a vlente ky kriter e parim edhe për kuazi-shkencëtarët sllavë të sojit të Selishqevit, Veigandit, Skokut, Ivan Popoviqit, Atanasije Urosheviqit e të tjerëve studiues të këtij kalibri? Ndoshta dhe po, po të mos ishte në radhë të parë, pena e mprehtë e kurorës së gjuhësisë shqiptare dhe e ballkanologut të rrallë – dr. Eqrem Çabejt si dhe e patriarkut e klasikut të albanistikës e ballkanistikës – Idriz Ajeti. Si mund të shpjegohen ndryshe qëndrimet e A. M. Selishçevit në veprën e tij “Slovenskoe naseljenie v Albanii”, pos si gënjeshtra të veshura me petkun e “të vërtetës shkencore”, kur, ndonëse pa shkelur Shqipërinë, duke gjykuar vetëm nga të dhënat e disa hartave, thotë që shumica e emrave në Shqipëri janë me etimologji sllave, edhe pse të tilla dalin nja 1000, kur dihet se vetëm fshatra në këtë vend ka rreth 3000, ose pohimet e Urosheviqit në veprat: “Novobrdska Kriva Reka 32” dhe “Toponimi Kosova”, ku gati të gjitha vendbanimet e Rrafshit të Kosovës, Llapit, Gallapit, Siriniqit dhe të Moravës së Poshtme i paraqet të gurrës sllave e shqiptarët ardhës në këto troje.

A nuk nënkupton kjo qëllimin djallëzor-shovinist për realizimin e detyrave që kanë pasur shkencëtarët propagandistë serbë: të urdhëruar nga institucionet shtetërore, të organizuar nga ato shkencore e të këshilluar nga institucionet religjioze, për të paraqitur një gjeografi emërvendesh krejt tjetër e me këtë edhe mohimin e prejardhjes së gjuhës shqipe e të autoktonisë së shqiptarëve në këto tërthore, të cilat qëndrime, më se një herë i paraqitën, përveçse në vepra, edhe në tubimet e tyre “shkencor”, edhe në organet më të larta partiake e shtetërore, siç ishte edhe rasti në Kongresin IX të LK-së të Serbisë, të mbajtur më 1982, në të cilin kongres, po në mes të Beogradit, profesor Idrizi me reagimin e tij individual dinjitoz, të guximshëm dhe të vendosur – siç thotë akademik Rexhep Ismajli, ua dha përgjigjen e merituar të gjithë atyre të cilët çështjen shqiptare më me qejf e shtrembërojnë sesa ta paraqesin çfarë ka qenë ose çfarë është në të vërtetë.

Qëndrimin e tij prej shkencëtari të rysur, profesor Ajeti e përvijoi edhe në polemikat e zhvilluara me Petar Zhivadinoviqin, dr. Jovan Deretiqin, akademik Sima Qirkoviqin (me të cilët nuk ishin pajtuar as edhe kroati prof. dr. Radoslav Katiçiq e ilirologu i njohur dr. Aleksandër Stipçeviq) në mbledhjen e 46 të Redaksisë Qendrore të Enciklopedisë së Jugosllavisë (1982), kur shkruhej për ne e, profesori ynë nuk kishte heshtur as ndaj shkrimeve të njëanshme dhe kuazi-shkencore të gazetarit të gazetës “Politika” të Beogradit, Sava Dautoviqi, e sa e sa të tjerëve. Se ndihmesa e profesor Ajetit, në të mirë të kombit e vatanit, të arsimit, kulturës e shkencës nuk kishte të ndalur, dëshmohet edhe te një intervistë, 4 vjet pa mbyllur sytë, dhënë Agjencisë së lajmeve “Presheva jonë”, të datës 14 shkurt 2015, ku la një porosi të madhe, se “Shqipëria jonë, toka jonë, është deri në Nish”, një amanet ky që tërheq vëmendjen e të gjithë atyre që sot po vendosin për Kosovën (e në të vërtetë ende po luajnë me Kosovën), duke vendosur kufirin te Konçuli, në njërën anë, te Ibri në anën tjetër, te Debelldei në jug, e pa Çakorrin e para pak vitesh që e kishim ne, në anën perëndimore të Kosovës, për të vazhduar bisedimet me Serbinë për ndarjen edhe të një cope toke të Kosovës me pasuri të mëdha natyrore.

IV. Për veprimtarinë dhe punën e tij shkencore kolosale që ka bërë profesor Idriz Ajeti, siç u tha në punimin që paraqitëm këtu, institucionet shtetërore, ato arsimore e shkencore, e kanë shpërblyer dhe nderuar shumë herë, për të gjallë, me çmimet më të larta të kohës. Dekorimi i fundit, për profesor Idrizin, në mos gabofshim, ishte i presidentit Fatmir Sejdiu, pa harruar atë të ish-kryetarit të ndjerë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, dekoruar më 9 qershor 2003, me “Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit”, për nder të 125-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e që ish-nxënësit dhe kolegët e tij e kujtuan me shënimin e 60, 70, 80, 90-vjetorit të lindjes së tij, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, me rastin e 95-vjeorit në Gjilan, në 100 vjetorin e lindjes, organizuar nga IA kur edhe ju dhurua libri “Rrapi shekullor – Akademik Idriz Ajeti” (Prishtinë, 2017) i dy bashkautorëve (B. Kryeziu – B. Baliu (fjalët e ngrohta e miradije të ish-nxënësve të tij e të studiuesve të tjerë, jo vetëm këtu, janë shpërblimet, dekorimet, pranimet, urimet e pse jo edhe falënderimet më të mëdha dhe më të sinqerta ndaj dhe për akademik Idriz Ajetin – themelvënësin e gjuhësisë së re shqiptare, shkencëtarin i cili nuk u bë shkencëtar, por lindi i tillë – siç do të thoshte profesor Mahir Domi.

Dhe krejt në fund: për kontributin e dhënë, tani kur profesori ynë nuk gjendet mes nesh, është nder që akademikut Idriz Ajeti t’i ngrihet një shtatore, ose së pakut një bust në Topallën e tij të lindjes, (se në Medvegjë është më vështirë), apo në Bujanoc a Preshevë. Derisa dy autorët e librit për profesorin, e sollën bibliotekën e tij në Bibliotekën “Fan S. Noli” të Gjilanit, natyrisht, sipas testamentit që kishte lënë bashkëshortja e profesor Idrizit – zonja Hajrije, dhe tani, autoriteteve të Luginës së Preshevës ju mbetet që për këtë vepër të propozuar të veprojnë e jo të ngurrojnë.

Miku i profesor Ajetit, profesori i njohur tiranas, Emil Lafe, në letrën e tij me rastin e ndarjes së

profesorit nga kjo botë, shkruan: ”Idriz Ajeti do të mbetet në kujtesën e brezave si përmendore e gjallë e fisnikërisë së shpirtit, e burrërisë dhe e mençurisë së kombit shqiptar”. Në fund, falënderojmë përzemërsisht dhe një herë Akademikun e Nderin tonë, Mësuesin e mësuesve tanë, bardin e rrallë ndër ne, për punën dhe veprën e madhe që na la, me bindje të thellë se Ai, me të drejtë, ka siguruar vendin në Panteonin e burrave të pavdekshëm të kombit shqiptar dhe urojmë:

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës martire që mbulon trupin e Tij – bjeshkë, por pa u harrua emri dhe vepra e Tij për jetë e mot!

L i t e r a t u r a:

Akademik Shkurtaj, Gjovalin, Onomastikë dhe etnolinguistikë, Tiranë, 2015.

Prof. Lafe, Emil, Akademik Idriz Ajeti – personalitet i shquar i shkencës dhe jetës shoqërore (kumtesë me rastin e përurimit të veprës së akademik Idrizz Ajetit, Gjilan, 16 tetor 2012.

Akademik, Shkurtaj, Gjovalin, Vepra e cituar, fq. 12-13.

Intervist dhënë Agjencisë “Presheva jonë”, 14.2.2015 (ku profesor Ajeti shprehet: “Shqipëria jonë, toka jonë, është deri në Nish”).

Gazeta prestigjioze “New York Times”, 25.8.2014 (https://www.albinfo.at/new-york-times-shqipja-nder-tri… me-te-vjetra-ne-bote/).

Gazeta “Tema”, Tiranë, 28 korrik 2023 (https://www.gazetatema.net/…/revista-prestigjoze-gjuha…).

Gazeta Metro, 12.8.2023.(Në mozaik është shkrimi i dedikimit të Perandorit Justinian dhe Perandoreshës Teodora për kishën më të madhe të kohës që u zbulua rishtas. Në mbishkrim theksohet DARDANIA.

Ajeti, Idriz, Vepra 4, AShAK, Prishtinë, 2001.

Ajeti, Dr. Idriz, Studime gjuhësore në fushë të shqipes I, “Rilindja”, Prishtinë, 1982.

Plasari, Prof. dr. Aurel – Injac Zamputi, Gazeta “Panorama”, 28 prill 2016 (http://www.panorama.com.al/injac-zamputi-themeluesi-i…).

Blaku, Mr. Murat, Veprimtaria shkencore e akademik Idriz Ajetit, (Parathënie te vepra: Studime gjuhësore në fushë të shqipes I, “Rilindja”, Prishtinë, 1982, 29-30.

Ajeti, Idriz, Vepra 5, AShAK, Prishtinë, 2002.

Ajeti, Dr. Idriz, Studime gjuhësore në fushë të shqipes I, “Rilindja”, Prishtinë, 1982.

Ajeti, Akademik Idriz, Njësia brenda ndryshimeve ka vlerë absolute, “Gjuha shqipe”, nr.1, Prishtinë, 1987.

Ajeti, Akademik Idriz, Për të vërtetën shkencore, ASHAK, Prishtinë, 2006.

Baliu, Dr. Begzad, Demitizimi dhe standardizimi i onomastikës së Kosovës”, Tiranë, 2006.

Neçaj, Sokol, Toponimet sllave në Shqipëri, “Gazeta Express”, 1.10.2020.

Kryeziu, Prof. dr. Bahtijar (Konferencën Ndërkombëtare, organizuar nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës Shqipe), Shkup, 29-30 shtator 2022.

Akademia e Shkencave (Qendra e Enciklopedisë Shqiptare), “Kosova në vështrim enciklopedik”, “Toena”, Tiranë, 1999.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 979
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DASHURIA NDAJ ATDHEUT – THEMEL I NDËRTIMIT DHE ZHVILLIMIT TË SHTETIT
  • THE SPHERE (1929) / HISTORIANI GJERMAN, FRANZ BABINGER : “VIZITA IME TEK DERVISHËT E KRUJËS, NJË KOMUNITET I JASHTËZAKONSHËM…”
  • Njoftim publik nga Shoqata Malësia e Madhe – NY
  • “Gjergj Kastrioti Scholarship Fund”
  • Gazeta “Shqiptari i Italisë”
  • KONSULLATA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË SHTUTTGART SHËNOI DITËN E PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE PËRURIMIN E HAPËSIRAVE TË REJA TË KONSULLATËS
  • “SKËNDERBEU SHQIPJA QË NDALOI PERANDORINË OTOMANE” E AUTORËVE ITALIANË: ALDO DIOMEDES DHE CLAUDIO DI GIÁ
  • KANDIDAT PËR KËSHILLIN BASHKIAK NË LEWISVILLE, TEXAS, ADRIAN DOKO: “SHQIPTARËT JANË SHEMBULL I INTEGRITETIT, FAMILJES DHE UDHËHEQJES”
  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT