• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A ka pasur “Katovicë shqiptare”?

October 14, 2025 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

“Katovica” është një mit politik shqiptar që i referohet një “marrëveshjeje sekrete” të hartuar nga udhëheqja komuniste në fund të viteve ’80 (rreth vitit 1989), për të organizuar kalimin “paqësor” të ish-komunistëve në pushtet edhe pas rënies së komunizmit. Thuhet se “marrëveshja” u frymëzua nga programi i Partisë Komuniste Polake në qytetin Katowice (në Poloni), ku u zhvilluan takime për reformimin e sistemit socialist para shembjes së tij.

Çfarë përmbante “Katovica shqiptare”?

Sipas rrëfimeve jozyrtare, ajo përmbante pika si:

• Ndryshimi i formës së regjimit por jo i thelbit të pushtetit;

• Kthimi i ish-komunistëve në “demokratë”;

• Privatizimi i pasurisë publike në duart e ish-funksionarëve;

• Kontrolli i mediave dhe drejtësisë në tranzicion.

Por asnjë dokument i tillë nuk është gjetur ndonjëherë, as në arkivat shqiptare, as në ato të ish-bllokut lindor.

Prandaj, “Katovica shqiptare” është një teori konspirative që përdoret për të shpjeguar si arritën ish-komunistët të ruajnë ndikimin e tyre pas vitit 1991. Ajo nuk është dokument historik, por një metaforë politike për tranzicionin e kontrolluar.

Por a ka pasur diçka të ngjashme me Katovicën?

Sigurisht që ka pasur! Përveç eleminimit të elitave pro-perëndimore dhe të arsimuara jasht, të cilët u asgjesuan pjesë pjesë gjatë 45 viteve të regjimit komunist dhe me “goditje të përqendruar” siç ishte bomba në ambasadën sovjetike, u morën masa për të përgatitur elitën prokomuniste. Një pjesë u shkollua në vendet e Bllokut Lindor, një pjesë brenda vendit, e cila më pas u dërgua në Perëndim për kualifikime afatshkurtra dhe specializime (MA, Dr etj).

Sipas të dhënave të burimeve të hapura, që vijnë nga ish-funksionarë të lartë, Sigurimi i Shtetit që në vitet 70 kishte krijuar drejtorinë e agjentëve të fjetur (të konservuar), të cilët në rast të një ndërhyrje nga jasht do të infiltroheshin në strukturat drejtuese të shtetit. Nuk e di se sa e vërtetë është kjo, por ajo që të bën përshtypje është se pas 91, vendi është drejtuar nga elita e prodhuar nga regjimi komunist. Nga individë me lidhje të forta me sistemin.

Personalisht jam i mendimit se rënia e regjimit komunist ishte “shpërthim i kontrolluar”. Te ne nuk ka pasur Katovicë në kuptimin historik të fjalës, por kopilë politikë të regjimit komunist. Dhe ajo që vihet re sot, shumë fëmijë spiunësh…

Filed Under: Analiza

SI PO E MUND PERCEPTIMI TË VËRTETËN NË KOSOVË

October 13, 2025 by s p

Jeton KELMENDI PhD*/

Në një demokraci të re dhe ende të brishtë si kjo e Kosovës, perceptimi shpesh ka marrë rolin e realitetit, ndërsa e vërteta – e cila kërkon kohë, durim dhe argument – është zëvendësuar nga narrativat emocionale dhe të ndërtuara me kujdes politik. Në këtë luftë të perceptimeve, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të krijojë një epërsi të dukshme, duke ndërtuar me mjeshtëri një sistem komunikimi politik që jo vetëm e forcon bazën e saj elektorale, por edhe e dobëson çdo kundërshtar politik, institucional apo shoqëror, që nuk i përshtatet këtij realiteti të ri të perceptuar. Këtu mund të shihet nga Partitë politike deri te mediet.

Nga idealizmi në menaxhimin e perceptimit

Vetëvendosje u ngrit mbi një platformë idealiste dhe populiste: sovranitet, drejtësi, barazi, luftë kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Në vitet e para, kjo lëvizje u perceptua si zëri moral i shoqërisë kosovare, si opozita e vetme e pastër ndaj një elite të korruptuar që kishte keqpërdorur lirinë e fituar me gjak. Ky perceptim e mbajti gjallë për më shumë se një dekadë, deri në momentin kur Vetëvendosje mori pushtetin. Dorën në zemër kë kemi para sysh një përjudhë të gjatë kohore, derisa populizmi mori instruksione nga shërbime të caktuara jashtë vendit. Kësi soji, sapo erdhi në pushtet, LVV kuptoi se për ta mbajtur këtë status të “engjëllit politik” duhej ta menaxhonte perceptimin po aq fuqishëm sa qeverisjen. Kështu filloi të ndërtohej një strategji e qëndrueshme komunikimi publik, që kishte për qëllim ruajtjen e bindjes se çdo kritikë ndaj LVV-së është automatikisht një sulm ndaj shtetit, ndaj reformës apo ndaj vetë “popullit”.

Lufta për narrativë

Në Kosovë, lufta politike ka kaluar nga përplasja e ideve në përplasjen e narrativave. Në këtë terren, LVV ka treguar një efikasitet të jashtëzakonshëm. Përmes kontrollit të hapësirës publike – veçanërisht rrjeteve sociale dhe komunikimit direkt me masat – ajo ka krijuar një ndarje të thellë midis “neve” dhe “atyre”.
“Ne” jemi populli, të pastërtit, të përkushtuarit ndaj shtetit;
“ata” janë të vjetrit, të korruptuarit, armiqtë e reformës, madje edhe bashkëpunëtorët e të huajve që duan ta sabotojnë Kosovën, thjeshtë duke i future në një grup të gjithë me listen Serbe dhe Vuçiqin.

Ky diskurs i thjeshtuar, por emocionalisht i fuqishëm, i ka dhënë LVV-së një avantazh të madh në ndërtimin e perceptimit publik. Për një pjesë të madhe të opinionit, mjafton që një politikë, një media apo një intelektual të mos pajtohet me qeverinë, që të etiketohet menjëherë si “armik i shtetit”. Kështu, në vend të debatit racional dhe kritikës së ndërtuar mbi fakte, kemi një ndarje morale – një dualitet që përjashton çdo mes dhe çdo reflektim të nuancuar. Në këtë kontekst duke potencuar faktin se LVV po I keqperdor shtresat më të paarsimuara të shoqërisë.

Rrjetet sociale si terren i betejës

Rrjetet sociale janë bërë fusha kryesore e kësaj lufte për perceptim. LVV ka krijuar një mekanizëm të sofistikuar komunikimi digjital: një përzierje e aktivistëve të organizuar, figurave publike që mbajnë të njëjtin narrativ dhe një ushtrie virtuale simpatizantësh që amplifikojnë çdo mesazh të qeverisë dhe sulmojnë çdo zë kundërshtues.

Në këtë ekosistem komunikimi, lajmi nuk është më çështje fakti, por interpretimi i faktit. Një vendim qeveritar i dobët, një dështim diplomatik apo një skandal administrativ mund të paraqitet si fitore, mjafton që narrativi të ndërtohet me kujdes dhe të përforcohet në mënyrë masive përmes mediave sociale.

Për shembull, në rastet kur qeveria ka dështuar në raportet ndërkombëtare – si në menaxhimin e krizave në veri apo në marrëdhëniet me partnerët perëndimorë – LVV nuk e ka lejuar që dështimi të shndërrohet në perceptim negativ. Përkundrazi, përmes një gjuhe nacionaliste dhe përmes etiketimit të kritikëve si “vegla të të huajve”, ajo e ka transformuar realitetin në një version heroik: qeveria po lufton e vetme kundër një bote të padrejtë, madje edhe kundë vet partive tradicionale të Kosovës.

Dobësimi i kritikës dhe institucionalizimi i perceptimit

Një nga pasojat më të thella të kësaj lufte perceptimesh është dobësimi i hapësirës për kritikë të pavarur. Mediat dhe intelektualët që guxojnë të artikulojnë kritika ndaj qeverisë shpesh ballafaqohen me linçime virtuale, akuza për tradhti apo etiketime për motive të errëta.

Kështu, në mënyrë të ngadalshme, perceptimi i ndërtuar nga qeveria fillon të zëvendësojë faktet. Në vend që qytetarët të pyesin: “A po funksionon mirë shteti?”, pyetja e nënkuptuar bëhet: “A po e dobëson dikush shtetin?”. Ky ndryshim i vogël në logjikën e debatit publik është thelbësor, sepse zhvendos fokusin nga përgjegjësia institucionale te lojaliteti politik.

Në këtë klimë, edhe institucionet që duhet të jenë të pavarura – si sistemi gjyqësor, mediat apo organizatat e shoqërisë civile – ndihen nën presionin e perceptimit. Çdo qëndrim neutral ose kritik mund të interpretohet si “pozicionim kundër popullit”. Dhe kur perceptimi bëhet matësi i moralit politik, e vërteta zhduket në heshtje.

Ndikimi mbi demokracinë dhe kulturën politike

Lufta për perceptim po e ndryshon vetë strukturën e demokracisë kosovare. Ajo po e kthen qytetarin nga një aktor racional që vlerëson programet dhe rezultatet, në një ndjekës emocional që identifikohet me simbolikën e pushtetit.
Në vend të qeverisjes përmes institucioneve, kemi qeverisje përmes ndjesive kolektive.
Në vend të transparencës, kemi retorikë morale.
Në vend të llogaridhënies, kemi justifikim patriotik.

Kjo zhvendosje është e rrezikshme, sepse e zëvendëson ndërtimin e shtetit me ndërtimin e perceptimit për shtetin. Ndërsa qytetarët jetojnë me ndjesinë se janë pjesë e një ndryshimi të madh, realiteti institucional shpesh ngelet i njëjtë: burokracia, mungesa e meritokracisë dhe korrupsioni nuk zhduken, por thjesht marrin forma të reja, më të veshura me gjuhë populiste.

Pushteti dhe iluzioni i moralitetit

Një element tjetër që e bën të fuqishme strategjinë e perceptimit është përdorimi i moralitetit politik si armë. Vetëvendosje e ka ndërtuar imazhin e saj mbi ndarjen e qartë midis “të pastërve” dhe “të korruptuarve”. Por me kalimin e kohës, kjo ndarje ka filluar të përdoret si instrument i kontrollit të narrativës: çdo kritikë ndaj partisë interpretohet si përpjekje për ta “ndotur” moralin e saj.

Kështu, në vend që morali të jetë një vlerë universale, është bërë monopol politik. Dhe kur morali bëhet pronë e një partie, e vërteta zhduket nën hijen e drejtësisë së vetëshpallur.

Rruga përpara: rikthimi i së vërtetës

Nëse Kosova dëshiron të dalë nga kjo spirale perceptimesh, duhet të ndërtojë një kulturë të re politike – një kulturë që e vlerëson të vërtetën mbi emocionin, debatin mbi etiketimin dhe faktin mbi perceptimin.
Kjo kërkon disa hapa të qartë:

1.     Forcimin e mediave të pavarura – që nuk varen nga buxheti publik apo nga ndikimi politik, por që mund të ndërtojnë besueshmëri përmes profesionalizmit dhe fakteve.

2.     Edukim politik qytetar – për të zhvilluar aftësinë kritike dhe për të ndarë propagandën nga analiza.

3.     Transparencë institucionale – që faktet e qeverisjes të jenë publike dhe të pakundërshtueshme, për të shmangur manipulimin narrativ.

4.     Krijimin e një opozite të re konstruktive – që nuk reagon vetëm emocionalisht, por ofron alternativa reale, duke luftuar perceptimin me argumente.

Përfundim: midis dritës dhe hijes së perceptimit

Në historinë moderne të Kosovës, kjo periudhë do të kujtohet si koha kur perceptimi e mundi të vërtetën. Jo sepse e vërteta nuk ekziston më, por sepse ajo nuk ka më hapësirë të dëgjohet.
Në një shoqëri ku politika e perceptimit ka zëvendësuar politikën e ideve, qytetari është bërë spektator i një shfaqjeje të përhershme – ku çdo aktor mundohet të duket i drejtë, më shumë sesa të jetë i tillë.

Por perceptimi, sado i fuqishëm të duket, është i përkohshëm. E vërteta, sado e vonuar, ka forcën e kthimit. Dhe në fund, çdo qeveri, çdo lëvizje, çdo udhëheqës përballet me momentin kur propaganda nuk mjafton më.

Në atë moment, perceptimi do të thyhet si xham nën peshën e realitetit. Dhe atëherë, shoqëria kosovare do të duhet të rikthehet tek ajo që është thelbësore: tek e vërteta, si themel i lirisë dhe si garanci e vetme për demokracinë që ende po mësojmë ta ndërtojmë.

Filed Under: Analiza

Autoritet serbe duhet të garantojnë lirinë e lëvizjes dhe sigurinë e gazetarëve shqiptarë në Serbi

October 11, 2025 by s p

Tiranë më 11 Tetor 2025/

Kontrollet me qëllim presionin psikologjik dhe orët e gjata të mbajtjes në pikat kufitare të gazetarëve sportivë shqiptarë në Serbi janë sjellje shtetërore represive ndaj shtetasve të huaj. Në mediat ndërkombëtare dhe ato shqiptare, dje dhe sot, janë publikuar ankesa nga gazetarë të njohur sportivë të cilët kanë mbërritur në Serbi për të raportuar ndeshjen e ekipeve kombëtare të futbollit, që do të zhvillohet në Leskovac të Serbisë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është vënë në dijeni nga pesë kolegë të mediave audiovizive, të cilët janë përballur në aeroportin e Beogradit si dhe në pikën kufitare që bashkon Maqedoninë e Veriut me Serbinë me kontrolle të përsëritura, mbajtje për disa orë të pasaportave, intervistime absurde nga punonjës të kontrollit kufitar dhe jo vetëm, si dhe me pyetje provokative dhe të ripërsëritura si në seanca të një lufte psikologjike, me qëllim tensionimin dhe stresimin e gazetarëve.

Sjellje të tilla janë të papranueshme dhe dëshmojnë qartë se në Serbi ndaj gazetarëve shqiptarë ka një klimë shtetërore të papranueshme dhe të pangjashme me realitetin e vendeve të BE apo të hapësirës së Ballkanit Perëndimor. UGSH apelon pranë organizatave simotra të gazetarëve në Serbi që për raste të tilla ndaj gazetarëve shqiptarë duhet të ofrojnë solidaritetin e reagimit dhe përkrahjes së kolegeve të ardhur nga një vend i rajonit për qëllim të pasqyrimit të aktivitetit të rëndësishëm sportiv. Nga ana tjetër u bëjmë thirrje autoriteteve serbe të ushtrojnë të gjitha detyrimet ligjore për garantimin e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes për gazetarët shqiptarë si në rastin e kësaj veprimtarie të rëndësishme sportive ashtu edhe për qëllime turistike dhe profesionale.

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Filed Under: Analiza

Marrëveshja e paqes Izrael–Hamas, mes shpresës dhe diplomacisë së Trumpit

October 10, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

Pas më shumë se një viti lufte shkatërrimtare në Rripin e Gazës, Izraeli dhe Hamasi arritën një marrëveshje historike të quajtur “faza e parë e paqes”, e cila parashikon ndalimin e armiqësive, shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve, dhe një plan të gjerë për rindërtimin e Gazës nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Kjo marrëveshje, e shpallur në Sharm el-Sheikh, është cilësuar si “një rreze drite në errësirën e Lindjes së Mesme”, por edhe si një provë e madhe për paqen e qëndrueshme.

Në qendër të këtij zhvillimi qëndron edhe roli i papritur i presidentit amerikan Donald Trump, i cili, pas rikthimit të tij në skenën ndërkombëtare si ndërmjetës i paqes, arriti të përdorë lidhjet e tij personale me liderë rajonalë dhe kredencialet e “njeriut që nënshkroi Abraham Accords” për të krijuar terrenin e marrëveshjes.

Një marrëveshje e diktuar nga realiteti dhe rraskapitja

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit pas 7 tetorit kishte shkatërruar çdo formë normaliteti në Gaza. Mbi 35 mijë të vrarë, miliona të zhvendosur, infrastruktura e rrafshuar, dhe një krizë humanitare që kishte tronditur opinionin ndërkombëtar. Për Izraelin, lufta ishte kthyer në një spirale politike që kërcënonte të përmbyste qeverinë e Netanyahut; për Hamasin, mbijetesa politike ishte bërë e vetmja strategji.

Në këtë kontekst lodhjeje dhe presioni ndërkombëtar, marrëveshja e paqes nuk ishte produkt i një ideali, por i një domosdoshmërie politike dhe humane. Ajo u arrit përmes një kombinimi të pazakontë faktorësh: diplomacisë egjiptiane, ndërmjetësimit të Katarit, mbështetjes së OKB-së dhe – në fazën përfundimtare – ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të presidentit Trump dhe ekipit të tij të afërt, që përfshinte ish-këshilltarin Jared Kushner dhe biznesmenin Steve Witkoff, tani emisar i posaçëm për Lindjen e Mesme.

Trump, nga “dealmaker” te ndërmjetës strategjik

Trump ka luajtur një rol që, ndonëse jo formal, ka qenë thelbësor në çarjen e bllokadës diplomatike. Ai përdori kanalet e tij private me udhëheqësit e Egjiptit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara për të garantuar se çdo marrëveshje do të përfshinte një plan të qartë ekonomik për Gazën – një element që e bënte paqen më të prekshme.

Sipas burimeve të “The Jerusalem Post” dhe “Al-Arabiya”, Trump këmbënguli që marrëveshja të mos shihej si fitore për asnjërën palë, por si “një ndalesë e domosdoshme për të shpëtuar jetë dhe për të rindërtuar shpresën”. Ai kërkoi që ndihma ekonomike të mos kalonte përmes strukturave të Hamasit, por përmes një autoriteti të përkohshëm ndërkombëtar të mbikëqyrur nga OKB-ja, Egjipti dhe SHBA.

Ky koncept u pranua pjesërisht në draftin final të marrëveshjes, duke krijuar një strukturë të re administrative për menaxhimin e Gazës – një ide që Trump e kishte propozuar që në vitin 2020 në planin e tij “Peace to Prosperity”.

“Stili Trump”: Diplomaci përmes presionit dhe pragmatizmit

Ndryshe nga diplomatët tradicionalë, Trump nuk e fshehu karakterin e tij transaksional. Ai i qas marrëveshjet si negociata biznesi, ku secila palë duhet të fitojë diçka të matshme. Në këtë rast, ai i dha Egjiptit garanci për ndihmë ekonomike amerikane; i siguroi Izraelit se do të mbetej aleat strategjik; dhe i ofroi Katarit mundësinë për të rritur imazhin ndërkombëtar si ndërmjetës i paqes. Kjo qasje – e ashpër, por efektive – rezultoi në një kombinim presioni dhe joshjeje që e detyroi Hamasin të pranonte marrëveshjen. Një diplomat egjiptian e përshkroi procesin kështu: “Trump nuk foli për moralin e luftës, por për koston e saj. Ai u tha të gjithëve: ose ndaloni tani, ose humbni gjithçka që keni fituar.”

Kjo lloj diplomacie, megjithëse e kritikuar nga disa si cinike, funksionoi në terrenin e Lindjes së Mesme, ku fuqia dhe interesi janë shpesh monedha më e vlefshme se idealet.

Reagimet ndërkombëtare: Mes entuziazmit dhe dyshimit

Marrëveshja u përshëndet gjerësisht nga OKB, Bashkimi Europian dhe shumica e vendeve arabe. Në Tel Aviv, familjet e pengjeve e pritën me lot dhe flamuj. Në Gaza, njerëzit dolën në rrugë për të parë për herë të parë kamionët me ushqime dhe ilaçe që hynin pas muajsh. Por entuziazmi nuk e fshehu skepticizmin. Organizatat e të drejtave të njeriut paralajmëruan se marrëveshja është e brishtë dhe se pa një plan politik të qëndrueshëm për shtetin palestinez, çdo paqe do të mbetet e përkohshme.

Kritikët e Trumpit në SHBA e akuzuan se po përdor marrëveshjen si platformë politike për të rikthyer veten në qendër të diplomacisë botërore, duke shfrytëzuar reputacionin e “njeriut të marrëveshjeve”. Por edhe kundërshtarët e tij e pranojnë se ai arriti të ringjallë një proces që ishte zhytur në gjak dhe ngërç. Rëndësia gjeopolitike: Një kthesë në ekuilibrat rajonalë

Kjo marrëveshje nuk është vetëm një armëpushim; është edhe një sinjal i ri për ekuilibrat e Lindjes së Mesme. Izraeli për herë të parë pranon një plan rindërtimi që nuk e kontrollon plotësisht. Palestinezët marrin një dritë jeshile për një strukturë të përkohshme vetëqeverisjeje që mund të evoluojë në një entitet politik më të qëndrueshëm. Shtetet e Bashkuara, përmes Trumpit, rikthehen si aktor dominues në rajon pas një periudhe boshllëku të administratës Biden. Arabia Saudite dhe Emiratet shohin një mundësi për të përdorur fondet e tyre të investimeve për të garantuar stabilitetin rajonal.

Në këtë kuptim, marrëveshja shkon përtej ndalimit të armëve — ajo hap një fazë të re të “paqes ekonomike”, ku rindërtimi, investimet dhe interesat e përbashkëta mund të zëvendësojnë përkohësisht narrativat ideologjike.

Trump si katalizator i një procesi më të gjerë

Trump e ka paraqitur veten si njeriun që “ndalon luftërat përmes marrëveshjeve”. Ai nuk i frikësohet të negociojë me liderë të diskutueshëm dhe e sheh suksesin përmes rezultateve praktike, jo parimeve morale. Në rastin e Izraelit dhe Hamasit, kjo filozofi e bëri të mundur një marrëveshje që shumë e konsideronin të pamundur. Në fjalimin e tij pas nënshkrimit të marrëveshjes, Trump deklaroi:

“Nuk ka fitues në një luftë që vret fëmijë. Fitorja e vetme është kur njerëzit kthehen në shtëpi dhe fillojnë të ndërtojnë.”

Kjo retorikë, e kombinuar me një qasje të qartë për ndihmën ekonomike dhe sigurinë, i dha marrëveshjes një element pragmatik, të cilin shumë diplomatë tradicionalë e kishin humbur.

Sfida të hapura dhe pyetje të mëdha

Megjithatë, marrëveshja mbetet e brishtë. Pyetjet kryesore që lindin janë: Kush do të garantojë zbatimin e saj? A do të pranojë Izraeli një tranzicion politik në Gaza që përfshin elementë të qeverisjes palestineze? A do të mbetet Trump i angazhuar në proces apo do ta përdorë këtë si trampolinë elektorale? Në terren, sfidat janë të mëdha. Gaza ka nevojë për rindërtim total: energji, ujë, spitale, shkolla, rrugë. Pa një plan afatgjatë për zhvillim dhe pa një ndjenjë drejtësie për viktimat, paqja mund të shndërrohet shpejt në një pauzë para një cikli të ri dhune.

Paqe e përkohshme apo fillimi i një epoke të re?

Marrëveshja Izrael–Hamas mbetet një kompromis i vështirë, por edhe një dëshmi se diplomacia, kur udhëhiqet nga interesa konkrete dhe jo vetëm nga retorika, mund të prodhojë rezultate. Në këtë kuptim, roli i Trumpit ishte më shumë se simbolik: ai riktheu bindjen se udhëheqja personale, energjia politike dhe pragmatizmi amerikan mund të luajnë ende rol në zgjidhjen e krizave globale.

Në fund, paqja nuk është një nënshkrim, por një proces. Dhe nëse kjo marrëveshje arrin të mbijetojë, ajo mund të shënojë jo vetëm fundin e një lufte, por fillimin e një formule të re për paqen në Lindjen e Mesme, ku stabiliteti vjen jo nga idealet, por nga llogaritja e përbashkët e interesit njerëzor dhe ekonomik.

Filed Under: Analiza

BALLKANI NDËRMJET STABILITETIT DHE SHPËRTHIMIT

October 6, 2025 by s p

Ballkani sot është si një urë mbi humnerë, që mbahet mbi tri shtylla: Dejtonin, rendin kushtetues të Kosovës dhe Marrëveshjen e Ohrit. Po të thyhet njëra, ura bie, dhe bashkë me të bie arkitektura e paqes. Ky është momenti i fundit për të zgjedhur mes indiferencës që sjell tragjedi dhe veprimit që mbron stabilitetin. Historia nuk fal ata që nuk mësojnë: hija e viteve ’90 po troket sërish në dyert tona.

Nga Prof. dr. Skënder ASANI

Ballkani po hyn përsëri në një stinë të rrezikshme, ku hija e së kaluarës po tenton të mbulojë të tashmen dhe të ardhmen e rajonit. Nëpërmjet strategjive të mirëkoordinuara, projektet hegjemoniste, që dikur e çuan në shpërbërje të përgjakshme në ish-Jugosllavinë, po ringjallen nën petkun e të ashtuquajturës “botë serbe”. Nga sulmi paramilitar në Banjskë të Kosovës, tek retorikat e përditshme secesioniste në Bosnje e Hercegovinë, e deri te përpjekjet e sofistikuara për ta relativizuar Marrëveshjen e Ohrit në Maqedoninë e Veriut, po shfaqet një linjë e qartë veprimi: hapja e krizave paralele për të minuar themelet e shteteve multietnike dhe për të shkatërruar arkitekturën e stabilitetit ballkanik.

Historia e viteve ’90 është një paralajmërim i gjallë. Atëherë, vonesat në reagim, indiferenca dhe mungesa e vendosmërisë ndërkombëtare u paguan me gjak, gjenocid dhe shpërngulje biblike popullsish. Luftërat nuk u ndalën nga apeli moral, por vetëm pasi pasojat kishin arritur dimensione të pariparueshme. Vetëm pas Dejtonit (1995), ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë (1999) dhe Marrëveshjes së Ohrit (2001), Ballkani u ngrit mbi tri shtylla të reja, të brishta, por të domosdoshme, mbi të cilat u vendos rendi i ri i paqes. Sot, këto tri shtylla janë nën goditje të sinkronizuara. Bosnja kërcënohet nga retorika që përgatit terrenin për ndarje, Kosova ballafaqohet me tentativa për destabilizim dhe delegjitimim të sovranitetit, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, Marrëveshja e Ohrit po sfidohet në vetë thelbin e saj.

Retorika e fundit e Beogradit, e paraqitur si paralajmërim për “rrezikun e luftës”, fsheh një strategji të sofistikuar për të devijuar vëmendjen nga krizat e brendshme dhe për të manipuluar klimën politike rajonale. Pas dështimeve të dukshme në Bosnje dhe Banjskë, fokusi është zhvendosur drejt Maqedonisë së Veriut, ku instrumentalizimi i ndasive të brendshme dhe politikat antishqiptare janë bërë mjet për të eliminuar subjektin politik shqiptar që buron nga Marrëveshja e Ohrit. Ngadhnjimi ose dështimi i këtij projekti, sipas intensitetit të investimit të padronit të botës serbe dhe retorikës manipulatore të kryeministrit maqedonas, do të varet drejtpërdrejt nga rezultati i zgjedhjeve lokale të tetorit, të cilat për llogaritë e Beogradit janë shndërruar në një provë për konfigurimin e ardhshëm të balancave politike në rajon. Kjo strategji, e mbështetur mbi narrativën e frikës dhe tensioneve ndëretnike, synon të bartë krizën drejt Kosovës, Bosnjës dhe më gjerë, duke krijuar terren për destabilizim të kontrolluar që prodhon kaos dhe varësi politike.

Në këtë rrethana, Ballkani nuk duhet parë si një krizë periferike, e kufizuar në margjinat e kontinentit. Ai është pjesë integrale e një tabloje gjeopolitike globale. Agresioni rus në Ukrainë sfidon rendin ndërkombëtar dhe parimin e sovranitetit; konfliktet e ndezura në Lindjen e Mesme po konsumojnë vëmendjen e fuqive të mëdha. Pikërisht në këtë moment shpërqendrimi strategjik, projekti i “botës serbe” kërkon të avancojë. Nuk është rastësi që skenarët destabilizues në Kosovë, Bosnje dhe Maqedoni zhvillohen paralelisht, duke ndjekur të njëjtat modele: përdorimin e paramilitarëve, sulmin ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare dhe nxitjen e narrativave nacionaliste të dhunshme.

Marrëveshja e Ohrit nuk është një dokument i zakonshëm politik, por një kontratë themelore mbi të cilën u rindërtua paqja, u garantua barazia ndëretnike dhe u rivendos rendi kushtetues i Maqedonisë së Veriut. Çdo tentim për ta relativizuar ose për ta zhbërë nuk është një çështje e brendshme, por një sulm ndaj arkitekturës së stabilitetit ballkanik. Nëse bie kjo marrëveshje, pasojat nuk do të kufizohen vetëm në Shkup: ato do të përhapen si efekt domino në gjithë rajonin, duke rrezikuar që kufijtë, identitetet dhe sovranitetet të kontestohen sërish me gjuhën e dhunës.

Ky paralajmërim është preventiv dhe strategjik: vetëm një unitet unifikues i subjekteve shqiptare, i qëndrueshëm, koherent dhe vizionar, mund të neutralizojë këto prirje dhe të parandalojë realizimin e projekteve të paralajmëruara. Vetëm përmes këtij uniteti mund të mbrohet stabiliteti, paqja dhe ekuilibri politik i rajonit, të garantohet sovraniteti dhe e drejta kolektive e komunitetit shqiptar, duke i kthyer në dështim të plotë çdo tentativë të jashtme për fragmentim e destabilizim. Ky është një sinjal preventiv ndaj atyre që besojnë se ndarjet dhe përçarjet mund të prodhojnë kontroll sepse historia ka dëshmuar se vetëm bashkimi strategjik shqiptar është ai që përcakton ekuilibrin e paqes dhe kufizon çdo projekt që rrezikon arkitekturën politike të rajonit.

E përbashkëta e këtyre tri pikave të tensionit është e qartë: në shënjestër është rendi kushtetues dhe marrëveshjet ndërkombëtare që ndërtuan paqen. Nëse shembet njëra prej këtyre shtyllave Dejtoni në Bosnje, sovraniteti i Kosovës apo Marrëveshja e Ohrit do të shembet e gjithë ura mbi të cilën qëndron paqja në Ballkan. Dhe një herë që ura bie, ajo nuk shembet vetëm për një vend, por për të gjithë rajonin.

Prandaj, ky nuk është thjesht një apel akademik, por një thirrje urgjente për veprim preventiv dhe të koordinuar.

Nuk duhet lejuar që Ballkani të shndërrohet sërish në një vatër krize që thith energjitë e diplomacisë ndërkombëtare dhe konsumon gjakun e popujve të tij. Mbrojtja e Marrëveshjes së Ohrit, ruajtja e rendit kushtetues të Kosovës dhe garantimi i integritetit të Bosnjes nuk janë çështje lokale, por interesa strategjike të rendit evropian dhe ndërkombëtar. Nëse këto themele shemben, Evropa nuk do të përballet vetëm me një krizë rajonale, por me një plagë të re të gjeopolitikës globale, ku forcat e destabilizimit do të kenë fituar terren mbi paqen.

Ballkani sot është si një urë mbi humnerë, që mbahet mbi tri shtylla: Dejtonin, rendin kushtetues të Kosovës dhe Marrëveshjen e Ohrit. Po të thyhet njëra, ura bie, dhe bashkë me të bie arkitektura e paqes. Ky është momenti i fundit për të zgjedhur mes indiferencës që sjell tragjedi dhe veprimit që mbron stabilitetin. Historia nuk fal ata që nuk mësojnë: hija e viteve ’90 po troket sërish në dyert tona. Dhe këtë herë, përgjigja nuk mund të jetë as e vonuar, as gjysmake. Faktori ndërkombëtar duhet të kuptojë se çdo tolerim ndaj retorikës destabilizuese është investim në krizë, ndërsa faktori shqiptar duhet ta lexojë këtë moment si detyrën historike të unitetit strategjik. Pa këtë unitet, çdo arkitekturë e paqes do të mbetet e brishtë; me këtë unitet, çdo projekt i jashtëm për destabilizim është i destinuar të dështojë.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 980
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garancia Amerikane si doktrina e re që mbyll epokën e Status Quo-së dhe rishkruan dialogun Kosovë–Serbi
  • Recitali AMA 2026
  • Marrëdhëniet Shqipëri – USA në universin filatelik shqiptar
  • Një takim ku mikpriten të gjithë…
  • Honoring the memory of Ambassador Frank Wisner
  • “LUCI DI VERITÀ – ÇMIMI NDËRKOMBËTAR I GAZETARISË ETIKE NË MINISTRINË E KULTURËS (ROMË)
  • SHKRIMTARI NË BREGUN TJETËR: Luan Starova i Sagës familjare Ballkanike…
  • Konflikti gjeostrategjik SHBA – Iran dhe supremacia amerikane 2026
  • A duhet të rishkruajmë mënyrën si e lexojmë historinë tonë?
  • Athanas Gegaj, Biemmi dhe “Anonimi i Tivarit”: mes burimit dhe iluzionit
  • DASHURIA NDAJ ATDHEUT – THEMEL I NDËRTIMIT DHE ZHVILLIMIT TË SHTETIT
  • THE SPHERE (1929) / HISTORIANI GJERMAN, FRANZ BABINGER : “VIZITA IME TEK DERVISHËT E KRUJËS, NJË KOMUNITET I JASHTËZAKONSHËM…”
  • Njoftim publik nga Shoqata Malësia e Madhe – NY
  • “Gjergj Kastrioti Scholarship Fund”
  • Gazeta “Shqiptari i Italisë”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT