• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

INICIATIVA E BASHKËPUNIMIT RAJONAL “BALLKANI I HAPUR”

August 3, 2021 by s p

Nikë Gashaj

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Zoran Zaev, nënshkruan dy memorandume dhe një Marrëveshje për bashkëpunim në Shkup (29 korrik 2021.) dhe riemertuan iniciativën “Mini Shengen” në “Ballkanin e Hapur”.Mirëpo, iniciativa tashmë është nënshkruar një here midis tri shteteve në vitin 2019. Prandaj, këtu nuk shihet asgjë e re tani në memorandumet trepalëshe të nënshkruara. Nënshkruesit e memoradiumeve ndoshta donin të konfirmonin dhe një here marrëveshjen, dhe se në Serbi, “zgjedhjet po vijnë së shpejti”. Me këtë, rast po ceki se, Kosova Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk i janë bashkuar nismës në fjalë. Përkundrazi, Kosova me të drejtë reagoi ashpër kundëra kësaj iniciativë duke e vlerësuar atë të dëmshme dhe të rrezikshme për Kosovën dhe për tërë rajonin ballkanik.

Lidhur me atë nismë, Presidenti i Serbisë, Aleksadër Vuçiq, ndër të tjera u shpreh: Nuk do të ketë kufij midis vendeve tona. Ka kufij, por nuk ka kufij për qytetarët. Ju shkoni nga Beogradi në Tiranë dhe askush nuk ju ndalon askund. Mirëpo, këtu nuk është e qartë se për të cilët kufij bëhet fjalë, sepse Serbia nuk kufizohet me Shqiprinë!

Përsa i përket Nismës”Mini Shengen”, respektivisht”Ballkani i Hapur”, jam i mëndimit se ajo është e parakohshme, derisa më parë të zgjidhen disa çështje politike në rajon, para së gjithash vendosjen e normalizimit të plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, respektivisht të njohjes të tyre reciproke shtetërore. Ajo është çështje qëndrore e stabiliteti politik rajonal.

Njohjet tregojnë se nuk është tejkalua ideologjia politike e viteve të 90-ta në Serbi. Fjala është për ide të njëjta dhe për gjëndjen shpirtërore mitologjike, por në një kohë dhe rrethana plotësisht të ndryshme gjeopolitike. Pra, ka të bëj me një mitologji politike dhe ideologjike, e cila gjithherë ka qenë e rrezikshme për paq dhe stabilitet rajonal. Andaj, është i nevojshëm diferencimi i politikës mitologjike dhe i asaj reale.

Mini -Shengeni ose “Ballkani i Hapur” ka të bëj ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe ajo paraqet një eksperiment politik, meqënëse zhvillimi i integrimeve në Ballkan nënkupton përfshirjen e të gjitha 6 shteteve të Ballkanit Prëdimor, dmth. dhe të Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjes e Hercegovinës. Pa ato shtete, inciativa në fjalë do të përjetojë mossukses.

Përfaqësuesit e kësaj Nismë deklarojnë se ajo do të  mundësoj qytetarëve me kalua kufijt me kartë të identitetit. Në atë mënyrë do të mundësohet qarkullimi i lirë i madhërave, kapitalit, njerzëve dhe shërbimeve, si dhe të krijimit të tregut të punës. Më tutje shtojnë: se do të zvogëlohen humbjet me miliona dhe pritja e gjatë me kamiona në kufij. Në lidhje me atë, parashtrohet pyetja, çka ajo do të thotë në praktikë, kur fare mirë dijet, se vendet e ballkanit Prendimor janë të vogëla, të prapambetura, të pa zhvilluara. Ato kanë prodhim, relativisht të ulët, papunësim shumë të madh, treg të kufizuar, import më të madh se export, deficit permanent të tregtisë. Më tutje, për çfarë tregu të punës, kapitali, industrisë së zhvilluar dhe teknologjisë bashkëkohore bëhet fjalë, kur prej atyre vendeve ikin dhe qytetarët e tyre. Në bazë të cilave burime konstatohet, se do të zvogëlohen humbjet me miliona, respektivisht, në lidhje me të, a ekziston ndonjë studim shkencor. Konstatimi i tyre, se nuk do do  të ketë ndalim dhe kontrollë në kufij, a nënkupton ajo, se në kohën e krizës emigruese, natyrisht se do të ketë kalim ilegal nëpërmjet të kufijve, kontrabanda me madhëra dhe droga, si dhe aktivitete të grupeve kriminale.

Ajo që paraqet befasi, çudi dhe shqetësm është fakti se Shqipëria e pranoi këtë nismë të Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq pa marrëveshje me Kosovën. U rreshtua dhe u bë partner i Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, edhe pse jam i bindur se një iniciativë e tillë ka një prapavijë të dëmshme politike për Kosovën, repektivisht, gjoja e normalizimit të marrëdhënieve nëpërmjet të tregtisë së lirë, pa njohje shtetërore të Kosovës, por si në kohën e ish-Jugosllavisë, si Krahinë e Serbisë. Me fjalë të tjera, Sërbia bënë manovra për legjitimin e një gjëndje të tillë politike dhe për shtyrjen e njohjes së Kosovës. Ata kishte me u dashtë për ta ditur udhëheqësia e shtetit shqiptar, por dhe partitë politike shqiptare në Maqedonë e Veriut që janë në koalicion me Kreministrin Zoran Zaev.

Sot jemi dëshmitarë të avokimit të një ideje të rrezikshme për Kosovën, por dhe për stabilitetin e të gjithë rajonit “Bota Serbe”, respektivisht të “Serbisë së Madhe”. Qëllimi i kësaj politik është të kthej të gjithë rajonin në të kaluarën. Prandaj, parashtrohet pyetja: Në çfarë lloj korrelacioni është inicijativa”Ballkani i Hapur” me “Botën Serbe” apo “Serbin e Madhe”. Ku qëndorn prapavija politike? A ka nevojë rajoni për nisma të tilla rajonale, kur dihet se të gjitha vendet e rajonit janë të përfshira në procesin e Berlinit. Prandaj, bashkimi me këtë nisëm”Ballkani i Hapur” është vetëm humbje kohe dhe energjie, në vend që vendet e Ballkanit Perëndimor të përqendrohen në përmbushjen e kritereve të pëcaktuara për integrimin e tyre në Bashkësinë Evropiane.

Më në fund, mund të konstatohet se pa stabilizim politik në rajon, nuk ka as bashkëpunim të suksesshëm ekonomik. Përkundrazi, gjithë çka tjetër paraqet gënjim apo mashtrim politik, respektivisht mund të supozohet se nismëtari kryesor ka ambicie dhe qëllime të tjera politike.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ballkani I hapur, Mali i Zi, Nike Gashaj

RREZIQET E VARFËRISË “ENERGJITIKE”

July 31, 2021 by s p

Nga DANILO TAINO

“Corriere della Sera”, 28 korrik 2021    Përktheu: Eugjen Merlika

Nëse nuk keni elektricitet, dita juaj mbaron kur të perëndojë dielli. Por edhe në orët me diell nuk mund të përdorni frigoriferin, elektroshtëpijaket, kompiuterin. Nëse nuk keni as gazin, të gatuarit bëhet një veprimtari me rrezik të lartë. Një nga arsyet e vdekshmërisë në vendet me “varfëri energjitike” është që 40 % e popullsisë botërore nuk ka hyrje në burimet relativisht bashkëkohore të energjisë dhe është e shtrënguar të gatuajë ushqimet me lëndë djegëse që mbushin guzhinat e shtëpitë me tymra të rrezikëshme për shëndetin: dru, mbeturina të të korrave, bajga të thara. Instituti for Health Metrics and Evaluation e Washingtonit vlerëson se çdo vit vdesin nga ndotja shtëpiake 2.3 milion njerëz. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ngre shifrën në 3.8 milionë. Për të bërë krahasimin, të vdekurit nga Covid 19, në një vit e gjysmë pandemia kanë qënë pak më shumë se katër milionë.

Shfaqja kronike ndaj gazeve shtëpiake të dëmëshme shkakton polmonite, tumore në mushkëri, shton rreziqet e kataratës, rrit numurin e fëmijëve të vdekur. 

OBSH ka përpiluar një “shkallë të energjisë”, në bazë të së cilës janë Vëndet me t’ardhura shumë të ulta që përdorin për të gatuar vetëm mbeturina; më sipër ata me t’ardhura t’ulta e mesatare që djegin dru, qymyr, vajguri, etanol; më lart janë më të pasurit që punojnë me gaz dhe rrymë elektrike. Në Burundi, në Republikën e Afrikës Qëndrore, në Liberi – ku t’ardhurat për frymë janë nga 600 deri në 800 dollarë në vit – më pak se 1% e popullsisë përdor rrymë elektrike ose gaz për të gatuar. N’Evropë, në Amerikën e Veriut e në Vendet e përparuara 100 % e guzhinave nuk kanë këtë problem. Por simbas studimeve të Ourworldindata.com – pjesa m’e madhe e Vendeve me t’ardhura më të ulta vjetore se dhjetëmijë dollarë nuk arrin në 60 % të shtëpive të shëndetëshme. Kina është në 59 %, Hindia 41 %. Mesatarja botërore është 59 % (të dhënat e vitit 2016). Kjo gjëndje nuk ka pasoja vetëm mbi shëndetin: gati 50 % të lëndëve drusore të nxjerra nga pyjet shërben për të prodhuar energji, pjesa m’e madhe e së cilës për të gatuar ushqimet. Në fakt pyjet zgjerohen në Vendet e pasura e ngushtohen n’ata të varfëra. Zgjidhjet? Më e rëndësishmja: një rritje ekonomike që t’i japë t’ardhura Vendeve të varfëra për të hyrë në energjitë e hijshme dhe popullsive t’ardhura  për t’u çliruar nga ndotja shtëpiake.

Filed Under: Analiza Tagged With: Corriere Della Sera, Eugjen Merlika

IDENTITETI POLITIK DËSHMI E PARIMEVE SHOQËRORE

July 30, 2021 by dgreca

Në gamën e gjerë të identitetëve  bën pjesë edhe identiteti politik dukuri e njohur edhe më parë por në pluralizëm ka dimension të veçantë nga fakti se në mjediset multinacionale në pluralizëm çdo entitet përfaqësohet më subjetkin e vet politik që si mision ka avancimin e pozitës dhe statusit të popullit përkatës. Në këtë aspekt identiteti politik për shqiptarët në Mal të Zi paraqet sfidë të veçantë, në raport me pushtetin si pasojë e pabarazisë qytetare e nacionale në monizëm dhe të modifikuar tash në pluralizëm. 

Nail  Draga

Trajtimi i identitetit politik paraqet çështje me interes jo vetëm sociologjik për çdo mjedis, andaj ka peshë të veçantë në diferencimin e individëve apo grupëve të ndryshme sociale. Nëse në kohën e monizmit trajtimi i tillë ishte i ndaluar, sepse partia-shtet ishte mbi të gjitha, në pluralizëm qytetarët përjetuan frymarrje tjetër, sepse iu ofroua mundësia të zgjedhin subjektin politik sipas preferencës së tyre. Dhe nga ajo kohë kemi të bëjmë me binomin pozitë-opozitë në skenën politike, ku identiteti politik ka të bëjë enkas me mbeshtetjen e një subjekti politik në zgjedhje me qellim për të qeverisur  në mjedisin përkatës. 

Shqiptarët pjesë e skenës politike

Duke ndjekur rrjedhat politike të kohës edhe  shqiptarët në Mal të Zi me miratimin e pluralizmit arriten të organizohen politikisht, duke formuar subjektin e parë nacional në këtë mjedis. Ndonëse këshilli inicues i subjektit politik mbajti mbledhjen e vet në Ulqin me 26 gusht 1990, kuvendi themelues u mbajt me 9 shtator 1990 në Tuz, duke e emërtuar subjektin politik me emrin Lidhja Demokratike në Mal të Zi(LDMZ). 

Një veprim dhe organizim i tillë nga  shqiptarët u prit me entuziazëm, ndërsa e kundërta ishte  nga qarqet hegjemoniste  në Mal të Zi, sepse ata mendonin së shqiptarët duhet të mbesin ende nën ombrrelën e tyre politike si në kohën e monizmit. Pikërisht nga një qasje e tillë  nuk kanë munguar reagimet negative në media, duke harruar se monizmi kishte marrë fund dhe së pluralizmi politik ishte një realitet i ri edhe në Mal të Zi, përkatësisht në Jugosllavi, e cila numëronte muajt  e fundit të ekzistimit. Në zgjedhjet e para pluraliste me 9.12.1990, në mënyrë plebishitare shqiptarët  votuan për LDMZ, duke dëshmuar vetëdije politike  dhe identitet kombëtar, ku në koalicion me partinë e boshnjakëve(SDA), fituan katër deputet, nga 12 sa kishte gjithsej ky koalicion. Ishte ky një fillim i mbarë dhe shpresëdhënës se do të angazhohen për përmirësimin e pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në këtë mjedis. Por, nuk shkoj shumë sepse në sajë të egoizimit e ambicieve lideriste me pas u formuan edhe parti tjera(UDSH,PPD,FORCA,ASH,PD etj.), duke qenë numër i lartë për një mjedis dhe popullsi të vogël në numër, që nuk ishte në interes së popullsisë shqiptare.

Interesi mbi parimet 

Në politikë si veprimtari shoqërore kur në rend të parë janë interesat e individëve, apo klanëve të ndryshme që janë pjesë e partive politike, edhe koalicionet e ndryshme jo parimore  nuk paraqesin befasi. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse nuk kemi të bëjmë me parimet por me interesat e ndryshme.

Kujtojmë me këtë rast  vitin 1996, kur në nivel lokal në Ulqin  LDMZ arriti të bëjë koalicion me Lidhjen Liberale të Malit të Zi, në vend që të bënte me UDSH-në. Ishte ky sinjali i parë destruktiv, duke eliminuar vlerat dhe parimet kombëtare. Dhe nga ky rast në Ulqin më vonë kemi pasur edhe koalicione tjera jo parimore, si në vitin 2006, koalicioni UDSH-DPS, nga del se në rënd të parë kanë ardhur në shprehje interesat personale e klanore e jo parimet politike  apo kombëtare.

Se votat e elektoratit votues mund të komandohën në drejtimin e duhur për të përcaktuar votuesin dëshmon rasti i votimit të përseritur në dy vendvotime në zgjedhjet lokale në Ulqin(18 shkurt 2018). Kemi të bëjmë me dy  vendvotime(Darzë dhe Komunale) që përcaktuan parti të parë DPS-in, në nivelin lokal, përmes votave të votuesve të UDSH-së. Dhe jo vetëm kaq por UDSH dhe PD me pas kanë mbeshtetur kandidatin e  DPS-it për kryetar të komunës duke ia mundësuar  këtë pozitë  për të parën herë pas 28 viteve në pluralizëm. Ndërsa, po të ishte vullneti politik nga ana e tyre, tri partitë politike nacionale(FORCA, PD dhe UDSH) pasi së bashku fituan 18 këshilltarë, kanë pasur mundësi për të propozuar dhe zgjedhur kryetarin e komunës nga ana e tyre. Por, kur egoizmi e gjelozia është mbi arsyen, nuk mund të ekzistojë qasja parimore, sepse kanë dominuar interesat e ngushta individuale në nivel lokal në raport me pushtetin qendror(DPS), duke dëshmuar se interesi politik është mbi ate kombëtar.

Nuk ka dilemë së ky rast do të mbesë i shënuar si paradoks i llojit të vet në skenën politike në Ulqin, dhe mesazh për brezat në të ardhmën se si nuk duhet të veprohet, sepse Ulqini nuk është pronë e disa individëve apo klanëve  me interesa ekskluzive por i të gjithë atyre qe kanë mbeshtetur partitë nacionale.

Relativiteti i përkatësisë politike

Ka vite që sintagma “përfaqësimi autentik” është bërë pjesë e ligjit zgjedhor në Mal të Zi, që  ka të bëjë enkas për popujt e ndarë, apo siç quhen këtu popujt pakicë. Dhe është pikërisht kjo sintagmë e cila bën edhe diferncimin politik, pikërisht me përfaqësimin politik i cili është i rezervuar vetëm për partitë politike nacionale. Nuk ka dilemë se janë votat ata të cilat përcaktojnë peshën e çdo subjekti politik,  por, pavarësisht sa do të jetë pesha e tyre politike përfaqësues autentik mbesin subjektet nacionale si në nivel lokal dhe ate qendror. 

Në krahasim me përkatësinë kombëtare, përkatësia politike është relative, ajo është në varshmëri të rrethanave shoqërore, sipas dëshirës dhe interesave të individit. Në këtë aspekt koha e pluralizmit është dëshmi e një konstatimi të tillë, ku as shqiptarët në Malt të Zi nuk janë përjashtim. 

Përvoja e deritashme dëshmon se në sajë të interesave të ndryshme  subjektet politike kanë kriuar koalicione jo parimore, që ka ndikuar në  luhatje të  elektorati votues i shqiptarëve në mbeshtetje të partive nacionale të shqiptarëve. Kemi të bëjmë me dukurinë e kohezionit brenda shqiptarëve, që është rezultat i veprimit të pushtetit për dobësimin  e subjektëve politike shqiptare, duke ulur rolin dhe peshën e tyre politike.  Por, në lidhje me këtë çështje  duhet theksuar dobësinë e subjektëve politike  shqiptare, që janë veçuar me sjellje autokrate dhe të interesave personale e klanëve të ndryshme. Pikërisht një sjellje e tillë ka ndikuar qe individë të ndryshëm të ndërrojnë partitë politike, dukuri e cila është e pranishme edhe te elektorati votues shqiptar.

Nuk ka dilemë se nëse do të vazhdojë ky kohezion  brenda elektoratit votues shqiptar, do të rrezikohet identiteti politik i shqiptarëve, e më këtë edhe pjesëmarrja e përfaqësimi në strukturat qeveritare në nivelin lokal e ate qendror. Fjala është për përfaqësuesit autentik të zgjedhur dhe ata të emëruar, që duhet të jenë profesionist të dëshmuar, por edhe persona me autoritet shoqëror.

Forumi shqiptar në Tuz model i suksesit

Kur ekziton  dëshira për bashkëpunim nuk ka dilemë se suksesi nuk do të mungojë, ku si model duhet të na shërbejë Tuzi. Fjala është për zgjedhjet lokale të mbajtura me 3 mars 2019, për të parën herë për komunën e pavarur të Tuzit, për Malësinë. Të vetdijshëm se vetëm të bashkuar mund të arrijnë rezultatin e dëshiruar, duke sfiduar kundërshtarët politikë, pjesëmarrës në këto zgjedhje, u formua FORUMI SHQIPTAR në kuadër të cilit ishin subjektët politike shqiptare që veprojnë në Malësi(Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve).Ky bashkim ishte i qelluar dhe arriti fitore në zgjedhjet lokale, ku u mbeshtet nga një këshilltar i Demokratëve, duke formuar pushtetin lokal dhe zgjedhur kryetarin.

Përfundimisht zgjedhjet lokale në Tuz me 3 mars 2019 dhe fitorja e Forumit Shqiptar, duhet të jetë një sinjal i mjaftueshëm për të gjithë ata qe skenën politike e shohin si mundësi avancimi të çështjës shqiptare në Mal të Zi, e jo të interesave dhe të përfitimeve personale.

Moskoordinimi  pengesë për unitet

Ndonëse kanë ekzistuar zëra së para zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 30 gusht 2020, shqiptarët do të koordinohen me mundësi reale për të dalë me një listë të përbashkët zgjedhore,  ndonëse në këtë aspekt ka pasur angazhime si nga Tirana e Prishtina e sidomos nga diaspora jonë në SHBA, koalicioni nuk u realizu. Dhe shkaku qendronte në ambiciet lideriste për të qenë bartës i listës, duke mos respektuar realitetin politik brenda vet  skenës politike të  shqiptarëve në Mal të Zi. Nëse këtij konstatimi i shtojmë edhe animozitetin e dëshmuar në mes udhëheqësve të partive politike, nuk ka pasur mundësi të realizohet një koalicion i dëshiruar, që do të eliminonte ndarjët edhe të elektorati votues shqiptar. Mëgjithatë dy listat e shqiptarëve fituan nga një deputet; Lista Shqiptare 6.488 vota apo  1.58% dhe Koalicioni shqiptar 4.675 vota apo 1.14%, që gjithsej janë 11.163 vota, duke dëshmuar se elektorati votues shqiptar mbeshtet ende partitë politike shqiptare, pavarësisht divergjencave ekzituese.

Mision avancimi i statusit e jo i interesave 

Në të ardhmën për të eliminuar këto deformime duhet gjetur mundësi për bashkëpunim ne mes subjektëve politike shqiptare, ku një platformë platformë politike për shqiptarët duhet të jetë e obligueshme  për zgjedhjet lokale e ato qendrore. Vetëm  një veprim i tillë do të dëshmonte seriozitet para elektoratit votues shqiptar, me mision avancimin e pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në  Malit të Zi, e jo të interesave personale e klanëve të tyre.

Mos koordinimi i subjektëve politike të shqiptarëve në sajë të sindromit të liderizmit e  animozitetit të  udhëheqësit e subjektëve politike, ka ndikuar në kohezionin të elektorati votues shqiptar. Pikërisht, nga një situatë e tillë kanë përfituar  subjektët  politike qytetare(malazeze) që është  dëshmuar në zgjedhjet lokale e parlamentare, ku Ulqini paraqet rast për hulumtim.

Përfundimisht  identiteti politik varët në sajë të rrethanave shoqërore duke mbetur  çështje  e hapur dhe si e tillë është relative, ndërsa identiteti kombëtar  mbetet vetëdije dhe ndërgjegje mbarëkombëtare tash dhe në të ardhmën. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Identiteti Politik, Nail Draga

SI MASHTROHESHIN SHQIPTARET

July 30, 2021 by dgreca

Diktatura, Europa dhe Perëndimi nuk ofron as gjalpë dhe as qumësht, ja si mashtroheshin shqiptarët…?

–Pas lajmit të largimit të 4795 shqiptarëve, më 2 korrik 1990, shteti komunist përveçse i cilësoi këta shqiptarë të thjeshtë dhe të varfër, kriminelë, huliganë dhe njerëz të çoroditur, vijoi politikën e baltës dhe mashtrimit,…

Përgatiti: Eneida Jaçaj

         Sa më i paditur, i paarsimuar dhe i mbyllur të jetë një popull, aq më lehtë do të manipulohet! Mekanizmat apo taktikat për hermetizimin e mendjes, zvogëlimin e vetëdijes, vendosjen e kufirit mbyllës nga bota e jashtme, dërgimin në “gijotinë” të të diturve dhe ngritjen në poste të larta publike të të paditurve, janë manovra të njohura, të përdorura nga regjimet komuniste. Një popull nuk mbahet në izolim vetëm fizikisht, por ajo çka është e rëndësishme është se izolimi bllokon edhe fuqinë e imagjinatës, duke i vendosur kufij. Pasi gjithçka fillon nga mendja. Mendimi sjell pasojën! Kontrolli i mendimeve të masës do të sjellë atë pasojë të inskenuar mirë nga një grup individësh.

        Ashtu siç e kam përmendur edhe në shkrimet e mëparshme, shoqëritë etnocentrike janë shoqëri të mbyllura, të cilat, nëpërmjet mendësisë që kanë gjeneruar, nuk e pranojnë të renë dhe ndryshimin. Era e ndryshimit po fillonte të ndjehej edhe në Shqipërinë komuniste, megjithëse udhëheqja vijonte orvatjet e saj të mbante popullin në errësirë dhe mashtrim të plotë. Kush e ka jetuar atë periudhë të errët të historisë, e di fare mirë se arsyeja përse familjet shqiptare nuk kishin televizor në shtëpi, ishte për shkak të propagandës mashtruese; se Europa dhe Perëndimi nuk ofrojnë cilësinë e jetës që ofron Shqipëria. Por shqiptarët rrokën “Shpatën e Lirisë”, duke dalë nga balta e propagandës komuniste, me shpresën për të sjellë ndryshimin duke filluar nga vetja.

        Pas lajmit të largimit të 4795 shqiptarëve, më 2 korrik 1990, shteti komunist përveçse i cilësoi këta shqiptarë të thjeshtë dhe të varfër, kriminelë, huliganë dhe njerëz të çoroditur, vijoi politikën e baltës dhe mashtrimit, se shqiptarët e larguar jetonin në kushte skandaloze dhe madje nuk kishin as bukë të hanin. Ata përndiqeshin së bashku me familjet e tyre, por Lëvizja e Dhjetorit i vuri kapakun historisë së errët të kombit shqiptar, pasi edhe këta shqiptarë do të pushkatoheshin ashtu siç patën fatin e keq shumë të tjerë, që as kockat nuk dihen se nga u dergjen.

Dosja, shqiptarët nuk kanë ushqim

       Autoriteti i Dosjeve disponon dosjen e objektit nr. 206, Ambasada Gjermane, ku ruhen letra dhe shënime që tregojnë gjendjen e shqiptarëve të strehuar në Gjermani. Në këto shënime të gjetura vihet re se si komunizmi i ka mbajtur të nënshtruar shqiptarët, nëpërmjet propagandës së mashtrimit, mjerimit dhe padijes. Në dosje janë gjetur shënime ku thuhet se shqiptarët në Gjermani nuk kanë as gjalpë, as qumësht dhe uji nuk është i mirë për stomakun. Kjo propagandë është zbatuar për 45 vite, edhe në ditët e fundit të shembjes së komunizmit. Por këtë herë, shqiptarët përqafuan lirinë, dolën nga guacka e errësirës dhe prekën ndryshimin e ri jashtë kufijve të vendit. Sigurisht, emigrimi është i vështirë derisa të integrohesh, por nuk ishte ajo jetësë që udhëheqja u kishte thënë për 45 vite. 

        “Ushqim i pamjaftueshëm! Kërkojnë produkte ushqimore si qumësht, gjalpë, kafe, sheqer, sallam, lëng frutash, sepse nuk kanë mjaft. Uji është tepër i rëndë për stomak. Një banjë e përdorin 20 vetë ku nuk ka kushte higjiene, papastërti ku të mbyt era dhe qysh tani janë lajmëruar sëmundje në lëkurë. Ndër gratë shtatzëna ka patur edhe dështime. Banorët gjermanë kanë filluar të shëprndajnë afishe me titull: Albanes naus dhe me distancim të plotë. Për çdo konflikt ndërhynte policia”, thuhet në shënim. Për të krijuar imazhin e keq për shqiptarët e larguar, regjimi hapte fjalë se ata kryenin vjedhje për të mbijetuar. “Kurse refugjatët për zgjedhjen e problemve kanë zgjedhur shumë rrugë. Ndër të parat vjedhja në mes veti dhe nëpër dyqane, si duket e kanë patur profesion. Rruga tjetër lypja nëpër rrugë për para, cigare, bukë”, thuhet në shënimin e gjetur në dosje.

Dosja, shqiptarët jetonin në kazerma

         Shq nSigurimi i Shtetit nuk ndalej në propagandën e shëmtuar, edhe pas largimit të afro 5 mijë shqiptarëve. Shqiptarët më 2 korrik 1990 i drejtuan sytë drejt shpresës, mirëqënies, “Portës së paepur të Lirisë”. Regjimi vijonte propagandën, por askush nuk i besonte më. Në shënimin e dosjes gjithashtu thuhej se shqiptarët jetonin në kazerma, dhe madje nuk kishin para as për cigare. “Të gënjyer nga autoritetet e ambasadës në Tiranëm si dhe nga ata që i përcillnin nëpër trena, se gjoja si të arrinin në RFGJ do t’u jepnin rroba, këpucë, para, shtëpi; kështu ata hidhnin nga dritarja rrobat dhe këpucët, dhe kur zbrisnin nga treni objekt vëzhgimi i kameramanëve gjermanë ishin këmbët e zbathura dhe trupa të zhveshur. Nga treni i vendosën nëpër autobusë dhe i nisën nëpër pikat e banimit, ku këta vetë i quajnë geto zezake. Shtëpi të ndryshme ish-shkolla, ish-kazerma ushtarake, edhe këto të papërshtatshme për jetë normale, por edhe nëpër zona të largëta ku komunikimi është i pamundur . Të izoluar plotësisht nga bota detyrohen që një dhomë ta ndajnë deri në 18 vetë pa marrë parasysh familje që janë të vendosura me familje të tjera, ku vetë thonë se shqiptari nuk mund të flejë me familje tjetër kur nuk e njeh fare”, thuhet në shënim.

Filed Under: Analiza Tagged With: Eneida Jaçaj, Mashtrimi I shqiptareve

ANGLIA, RETORIKA E PARËSISË RREZIKON TË HUMBË NJË KOMB

July 24, 2021 by s p

Nga BEPPE SEVERGNINI

Përktheu: Eugjen Merlika

          Për të shndërruar një ngjarje sportive suksesi në një rrënim nami duhet prirje. Dhe anglezëve prirja nuk u mungon: as në rastin e një shkeljeje në një dërrasë të kalbur. Një komb i qëndrueshëm, i organizuar dhe stoik, kur gabon, e bën në mënyrë të dukëshme.

            Skuadra e re e Tre Luanëve arriti, për të parën herë në historinë e saj, në finalen e kampionatit Evropian, të luajtur në shtëpi, në sytë e gjithë botës. Një sukses i padiskutueshëm, i errësuar nga ajo që ndodhi të djelën më 11 korrik. T’a përmbledhim shtruar: kaos dhe aksidente përreth Wembley-t, para ndeshjes me Italinë; hyrje e mujshi të tifozëve pa bileta; fishkëllima gjatë hymnit të Mamelit (fishkëllyer dhe hymnin gjerman në të tetat e finales); mbas mundjes zëmërim i lojtarëve anglezë, që heqin nga qafa medaljen e argjentë; pastaj sulme raciste kundër atyre që kishin gabuar njëmëdhjetëmetrashet (Rachford, Sancho e Saka, që të tre me lëkurë t’errët.

            Pyetje: a ishte vërtetë e paparashikueshme? Apo retorika kombëtariste e pesë viteve të fundit ka luajtur pjesën e saj? Brexit-e votuar më 2016, sendërtuar më 2020- nuk ka qenë një mbasthënie: dikush e ka marrë për një dhënie pafajsije, fillimin e një epoke të re. Kush mbjell erë, korr furtunë. Edhe n’anglisht janë shprehje të ngjajshme. You reap what you sow, korret ajo që mbillet.Whatgoes around, comes around, gjithshka kthehet mbrapsht. Më pak e njohur, por po aq vepruese, You’ve made your bed, now lie in it, e ke bërë shtratin, tani urdhëro e fli.

            Ja: çfarë shtrati i kanë përgatitur konservatorët e Boris Johnson, në pesë vitet e fundit, bashkatdhetarëve? Sigurisht Kryeministri nuk do të ketë dashur asgjë nga ajo që ka ndodhur: jo sjelljen e panjerzishme me të ftuarit, jo rikthimin e huliganëve, jo heqjen dorë nga mirësjellja, jo grafullimet raciste. Formimi i tij – Eton, Oxford, klasikët dhe gazetaria – është e kundërt me të gjithë këto. Por shprehjet e paradokset e tij, nga disa janë marrë fjalë për fjalë. Qëndrimi i tij kundrejt Bashkimit Evropian ka shëmbëllyer , shpesh, shpotitës. Atdhetaria e tij, cinike e zhurmëmadhe, ka pështjelluar shumë njerëz. Edhe gjatë këtij Evropiani: nëse krijon pritje të dalldishme, nuk mund të habitesh se zhgënjimi do të jetë i zemëruar.

            Ishte kaq i paparashikueshëm, sa që kapadaillëku i tepruar i gazetave – t’a quajmë mëndjemadhësi – pasqyrohej në sjelljet e atyre që i lexonin? Dhe janë ende shumë n’Angli: ato faqe të para mbarojnë tek social, së bashku me thirrjet që i shoqërojnë. Nuk ështëmburracakëria, një krenari jo fyese, që falet lehtësisht. Është një mënyrë të vetëbinduri e bindjeje  se jemi të paracaktuar për të fituar, përtej futbollit. Anglia ka edhe sot media të shkëlqyera: këtë javë e kanë provuar me një autokritikë të dhimbëshme. Por herë herë ngre krye qëndrimi i epërsisë pothuajse si njërefleks automatik. Ekonomisti – e përjavëshmja m’e mirë e botës – ka shkruajtur dje, duke folur për suksesin e të kaltërve: “Një fitore për idenë evropiane, por edhe për të djathtën italiane”. Një pohim për të cilin është i vështirë të merret vesh kuptimi dhe qëllimi.

            Ky kampionat evropian dhe finalja e madhe e luajtur në Londër, nuk janë bërë për Anglinë vetëm një arsye feste të përbashkët, si Olimpiada e shkëlqyer e vitit 2012, por një rast rifitimi.Një rifitim për të cilin një komb i madh nuk do të duhej të kishte nevojë. Rritja kombëtariste e muajit të fundit ka shkaktuar bezdi në shumë vënde të botës dhe turbullim në kombet e tjerë të Mbretërisë së Bashkuar. Mbështetja e hapur e të kaltërve para finales – në Skoci, Uells, Irlandën e Veriut – nuk ishte e lidhur vetëm me shemëri të vjetra sportive. Dukej se tregonte shqetësime krejt të reja.

            Disa episode kanë qënë tronditëse, pothuaj se të pakuptueshme.Shumë lojtarë të Kombëtares angleze janë djem të rinj. Veprimi i heqjes nga qafa të medaljes së argjentit mund të dukej diçka impulsive. Por u bë një zgjedhje e pahijëshme e skuadrës, që ka tronditur botën: nuk ishte ajo që pritej nga ata që kanë shpikur sportin bashkëkohor. Shumë më të rënda dhe absolutisht të paligjëruara fyerjet raciste në sociale. Lega e parë nuk është vetëm kampionati më i mirë i botës, më i luftuari e më pasionali, por edhe simboli i një Vendi t’arritur shumëkombësh. Çfarë ndodhi mbasfinales sëWembley-t është një autogol: për të rifilluar do të duhet kohë.

            Çdo shoqëri bashkëjeton me fantazmat e saj. Dukuria e huliganëve ka qënë për kohë të gjata arsye pështjellimi për Anglinë. Mjerisht edhe tragjedish. Pastaj ka qënë kundërveprimi, i admirueshëm. Një ligjëshmëri e zgjuar dhe puna metodike e policisë do të kishin bërë pak, nëse Vëndi – në vitet nëntëdhjetë – nuk do të kishte vendosur të thonte “Mjaft”. Më vonë vëmëndja u ul: në vitet e fundit institucionet e politika janë marrë me të tjera çështje. Kështu huliganët janë rishfaqur, më të tmerrshëm se përpara: alkolit,sot, i është shtuar edhe kokaina. Askush nuk u ka dhënë zemër. Por gjithashtu nuk i ka kontrolluar e dënuar.

            Nuk është gjithmnë e këndëshme ajo që lëviz në barkun e kombeve: të gjithëve pa asnjë përjashtim. Por gastroskopitë shoqëroreduhet të kryhen herë mbas here. Drejtuesve të rij, e lëvizjeve të reja – jo vetëm n’Angli – do të duhej t’i kujtonim një gjë. Disa tone e disa tema – retorika e parësisë, kundërvënia etnike, kërkimi i kundërshtarëve me çdo kusht – mund të bëjnë të fitohen zgjedhjet, por rrezikojnë të humbasin kombet.

            “Corriere della Sera”, 16 korrik 2021.  

Filed Under: Analiza Tagged With: Anglia, Eugjen Merlika, Kampionati Europian

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 250
  • 251
  • 252
  • 253
  • 254
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT