• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PAVARESIA ENERGJITIKE E KOSOVES,PREJ SOT…

December 14, 2020 by dgreca

PAVARËSIMI ENERGJETIK I KOSOVËS, PREJ SOT…/

-Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) prej sot operon i pavarur, duke hapur kështu një histori të re si zonë rregulluese brenda bllokut Shqipëri-Kosovë/

-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah  Hoti: Pavarësimi energjetik sukses i përbashkët i Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë/

-Kosova dhe Shqipëria lidhen edhe me “autostradë” energjetike – historiku…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 14 Dhjetor 2020/ Prej sot Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) operon i pavarur, duke hapur kështu një histori të re si zonë rregulluese brenda bllokut Shqipëri-Kosovë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah  Hoti, pavarësimin energjetik të Kosovës e vlerësoi si një sukses të madh për vendin.

“Kjo është një arritje e madhe, e cila ka ndodhur, pasi që KOSTT-i ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe tani po operon i pavarur”,  tha Kryeministri Hoti, ku shtoi se, nga sot është vënë në funksion edhe linja e re me Shqipërinë.

Ai nënvizoi se mbështetja e Qeverisë së Kosovës për sektorin energjetik do të jetë maksimale, ngaqë stabiliteti energjetik është parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit, për rritje të investimeve të brendshme dhe atyre të jashtme, si dhe në funksion të mirëqenies së qytetarëve.

Këto komente Kryeministri Hoti i bëri gjatë vizitës sot në  KOSTT, ku ishte i shoqëruar nga Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi.

Në 29 Shtator 2020 Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, njoftonte se Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE), trup i Rrjetit Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike (ENTSO-E), vendosi që Marrëveshja e re e Kyçjes, e nënshkruar në 30 Qershor 2020, në mes të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe ENTSO-E, të hyjë në fuqi, me ç’rast e bën të mundur pavarësimin energjetik të vendit tonë.

 Kryeministri Hoti theksonte se ENTSO-E vlerësoi që KOSTT ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe është e gatshme të operojë e pavarur nga Serbia, si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Kosovë-Shqipëri.

“Nga e drejta jonë dhe mbështetja e miqve u bë i mundur pavarësimi energjetik”, deklaronte Kryeministri Hoti Në 29 Shtator 2020.

MPJD URON FILLIMIN E OPERIMIT TË BLLOKUT ENERGJIK KOSOVË-SHQIPËRI

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës, përshëndetë fillimin operimit të pavarur energjetik të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, si dhe fillimin e operimit praktik, të zonës së re rregulluese energjetike, Bllokut Rregullues Kosovë-Shqipëri.

Deklarata e dërguar sot nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës thekson se, kjo është një arritje e madhe për Kosovën, si në planin e brendshëm e gjithashtu edhe në atë të përmbushjes së sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës, në fushën e energjisë.

Themelimi dhe funksionalizimi i bllokut të mëvetshëm të kontrollit energjik Kosovë-Shqipëri, do të forcoj bashkëpunimin energjetik dhe ekonomik kombëtar, si dhe do të garantojë më shumë siguri të operimit dhe balancimit të të dy sistemeve elektro-energjetike.

Me këtë rast, Kosova dhe Shqipëria, do të kenë mundësi që t`i shkëmbejnë rezervat në kuadër të dy tregjeve energjetike dhe të ofrojnë më shumë energji për qytetarët dhe bizneset e të dyja vendeve.

Presim që ky bashkëpunim të avancohet tutje me themelimin e bursës së përbashkët të energjisë, në kuadër të së cilës do të mundësohet që edhe palët e tjera tregtare të bëhen pjesë e saj.

KOSOVA DHE SHQIPËRIA LIDHEN EDHE ME “AUTOSTRADË” ENERGJETIKE – HISTORIKU:

Në 28 Qershor 2016 është finalizuar “autostrada” energjetike, projekti më i rëndësishëm energjetik – Linja e interkoneksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë, e cila ka një gjatësi totale prej 241.1 km, nga të cilat 151.1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km në territorin e Kosovës, duke i hapur kështu rrugë tregut të përbashkët të energjisë.

Ceremonia e inaugurimit u zhvillua në kryeqytetin shqiptar – në Nënstacionin Tirana 2, me pjesëmrrjen e përfaqësuesve të Shqipërisë e Kosovës.

 Projekti ka vlerën 75 milionë euro dhe u financua nga Qeveria Gjermane përmes bankës KfW nëpërmjet kredive të zhvillimit. Me linjën e interkoneksionit 400 kV, Shqipëria dhe Kosova do të mund të përfitojnë për shkak të kombinimit të burimeve të prodhimit të energjisë. Shqipëria e bazon prodhimin e energjisë në 95 për qind nga hidrocentralet, ndërsa Kosova nga termocentralet.

 Në 17 Dhjetor 2015, në Kosovë u bë  inaugurimi i Projektit “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Inaugurimi u bë pasi në “autostradën” energjetike të Kosovës drejt Shqipërisë u bë edhe energjizimi testues i linjës së re interkonektive të tensionit të lartë 400 kV deri në kufi, e cila lidhë nënstacionet Kosova B dhe Tirana 2, duke kaluar nëpër territorin kosovar në zonat e 8 komunave – Obiliq, Vushtrri, Drenas, Malishevë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e Junik  dhe të  mëse 45 fshatrave.

Në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, në pjesën kosovare në fund të muajit Shtator 2015 u përfundua me ngritjen e të gjitha shtyllave elektrike. Ngritja e shtyllës së fundit elektrike – 239 u bë pranë kufirit në Qafë Morinë, ndërkohë që ishin shtruar mbi 50 km përçues elektrikë.

Në 21 Dhjetor të vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.

Në Forumin e Nivelit të Lartë me temën “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, i zhvilluar në Prishtinë në fillim të Marsit 2016, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe mbështetur nga USAID-i, pjesëmarrësit u pajtuan se një komponentë shumë e rëndësishme për stabilitetin e furnizimit dhe operimit të sistemit është tregu i përbashkët i energjisë elektrike me Shqipërinë.

“Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë – i bazuar kryesisht në hidro dhe i gjenerimit të Kosovës – i bazuar kryesisht në thëngjill, është konsideruar si alternativa më e lirë dhe e sigurt për furnizim të përbashkët të dyja vendeve, duke eliminuar kështu mungesën sezonale”, u theksua në përfundimet e Forumit të Nivelit të Lartë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, në Prishtinë.

29 SHTATOR 2020 – FJALA E MINISTRIT TË EKONOMISË DHE AMBIENTIT, BLERIM KUÇI, PAS HYRJES NË FUQI TË MARRËVESHJES KOSTT DHE ENTSO:

Lajm i madh për Kosovën në energji!

Pas një angazhimi afatgjatë të rrjetit tonë të transmisionit KOSTT si dhe disa qeverive me radhë, sot hyri në fuqi marrëveshja e kyçjes KOSTT dhe ENTSO-E.

Kjo marrëveshje:

·         E bën Kosovën palë të barabartë me rrjetet tjera të transmisionit në Evropë.

·         Mundëson operimin si Zonë e përbashkët Rregulluese Kosovë-Shqipëri.

·         Ndal padrejtësinë e vazhdueshme që nga paslufta, ku Serbia ka inkasuar të hyrat nga energjia tranzite që ka kaluar nëpër rrjetin e Kosovës, dhe

·         PËRFUNDIMISHT kjo marrëveshje kornizon kufijtë energjetik të Kosovës.

Përtej entuziazmit dhe suksesit të jashtëzakonshëm, kjo marrëveshje prodhon edhe shumë obligime teknike të operimit, për të cilat KOSTT-i në vazhdimësi ka dëshmuar përgjegjësi dhe kapacitet të lartë të menaxhimit.

Kurse ne si Qeveri, jemi duke punuar fuqishëm për të shtyrë përpara opsionet mbi zgjidhjen e problemit të inkasimit në veri të vendit, si problem i trashëguar që nga paslufta.

Dua të falënderoj partnerët tanë ndërkombëtar, të cilët na mbështetën në vazhdimësi në këtë proces.

Shpresoj që kjo do të reflektohet edhe në zgjidhjen e problemeve energjetike në veri, sepse përtej çdo problemi politik që mbretëron në atë pjesë, kjo është çështje e sundimit të rendit dhe ligjit.

Çdo konsumatorë ka të drejtë të patjetërsueshme për qasje në furnizim dhe shërbime me energjie elektrike, dhe po ashtu çdo konsumatorë duhet të paguajë për furnizimin dhe shërbimet në mënyrë të barabartë në gjithë territorin e Kosovës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kosova prej Sot, Pavaresimi energjitik

PARADOKSE

December 13, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Krimi është i shfrenuar, sepse secili prej nesh e pranon, e justifikon, e lejon, i nënshtrohet atij, sepse ne nuk e luftojmë menjëherë, aty për aty, ku ndodh. Krimi nuk është i shfrenuar sepse nuk kemi burgje të mjaftueshme, se gjyqtarët dhe prokurorët janë shumë të butë, apo se policia është inefikase nga teknikat absurde. Defekti është në karakterin tonë. Ne jemi një komb frikacakësh që u bëjmë dredha përgjegjêsive. Një shoqëri nuk mund të drejtohet, ose problemet e saj nuk mund të përballohen, nëse njerëzit nuk mbajnë përgjegjësi për atë që bëjnë. Sado paradoksale që tingëllon; “atje ku nuk ka ligj nuk ka liri”, shkruan John Locke, edhe pse ligjet kufizojnë lirinë. 

Filed Under: Analiza

Protestat, të shëndetshme për Demokracinë, Dhuna e Pa Pranueshme

December 12, 2020 by dgreca

Nga Zenel Çeliku*/

Pak ditë më parë ndodhi ajo që tashmë e kemi parë, është vrarë në mënyrën më të pa përgjegjshme një 25 vjeçar pa asnjë arsye ligjore. Kjo shkaktoni zemërimin  mbarë të shoqërisë civile e cila rezultoi në protesta të forta ku pjesa dërmuese ishin të rinj që dënonin vrasjen e beftë të 25 vjeçarti Klodian Rasha.

Në parim protesat të cilat marin shkak nga ngjarje shumë të rënda siç është rasti I të ndjerit Klodian Rasha, janë apsolutisht të shëndetshme, janë të mirprituara të cilat kërkojnë vëmëndjen dhe mbështetjen e mbarë shoqërisë. Por protestat nuk duhet të degradojnë me pjesmarjen e politikës dhe nuk duhet të shkaktojnë dhunë dhe demtime tek prona private, deri tek Muzeumi Kombëtarë dhe më e shëmtuara dhunë deri tek Bibloteka Kombëtare. Protestat e këtij rasti e dhanë rezultatin e tyre duke nxjerre përgjegjësinë e vrasjes së 25 vjeçarit, arrtitën të detyrojnë Ministrin e Brëndshëm Lleshaj, që të jepte dorëheqje nga posti i tij. Ndoshta akti I dorëheqjes së Lleshajt kishte më shumë moral dhe qytetari, por përgjegjësia ligjore ishte dhe I takonte dikuj tjeter. Piksëpari, duhej të jepte dorëheqje Drejtori I Policisë të Qarkut Tiranës, e pse jo, edhe Drejtori i Përgjithshëm I Policisë së Shtetit . Gjithsesi, dorëheqja e Lleshajt sikur e mbylli qarkun e përgjegjësisë e cila tashmë ka ngelur tek polici I cili në mënyrë të papërgjegjshme mori jetën e Klodian Rashës. Shumë kush iu bashkua këtyre protestave me qëllimin për të dënuar dhunën policorë, shumë kush u përfshi në veprimet emocionale të protestave. Shumë nga shoqëria civile mund të ketë këndvështrime apo qëndrime të ndryshme për mënyrën e të protestuarit, por mos të harojmë se momentet emocionale bëjnë të veten dhe protestuesit pa kuptuar dalin nga vetja. Ka qytetarë që mendojnë se protestat duhet të jenë pa dhunë, ka nga ata që mendojnë se qytetarët kanë të drejtë edhe të rrebelohen dhe për pasojë të ushtrojnë edhe dhunë, ka qytetarë që dalin në rrugë për të protestuar fort dhe larg dhunës, ka qytetarë që dënojnë dhunën ndaj policëve, sikurse ka nga ata qytetarë që janë kundër protestës në rrugë, por kur vjen moment ata e shprehin  revoltën e tyre me votë duke u organizuar në rrjete sociale. Dhe gjithkush duhet ta respektojë mendimin dhe qëndrimin e tjetrit por pa lënduar askënd.

 Mbarë shoqëria shqiptare I ka ndjekur me vëmëndje këto protesta të cilat për fat të keq kanë përfunduar në dhunë sociale, por pse ndodhën këto veprime të dhunshme? A ka skenar politik? A përjashtohet mundësia se brënda protestuesve ka edhe politikë? Pse Kryeministri Rama nuk kërkon takim me një përfaqësi të protestuesve? A do të kemi protesta të tjera të dhunshme? Këto pyetje e kanë përgjigjen brenda protestusve të cilët qëllimin e tyre për të dënuar dhunën në polici e kanë shprehur dhe e shprehin me akte dhune të cilat realisht janë të papranueshme. Mbrëmë DW në emisionin e lajmeve, ndër të tjera  dha edhe sekuenca filmike nga dhuna e protestusve dhe sekuenca filmike nga dhuna e policisë ndaj protestuesve. Si shumë qytetarë edhe unë jamë ndjer keq, por në fund  të fundit është realitet. Është për të ardhur keq kur në ditën e dytë protesta përfundoi me sulme të dhunshme ndaj Muzet Kombetar, ndaj Biblotekës Kombëtare dhe drejt bizneseve private të cilat po mbijetojnë me shumë vështirësi si pasojë e Covit 19. Dhunën askush nga shqiptarërt nuk e pranojnë, sepse më shumë se kushdo, janë shqiptarët që nëkëto 30 vite e kanë pësuar nga dhuna e herëpashershme. Dhuna është dënuar edhe nga Ambasadori I BE dhe nga Ambasadorja  Amerikane të cilët u shprehën egzakt se – ata që kërkojnë të jenë në pushtet duhet të shfaqin aftësinë për të udhëhequr në mënyrë të përgjegjshme, përfshirë edhe duke refuzuar dhunën. Ata që kanë qenë në pushtet më parë nuk duhet të bëjnë gabimet e të kaluarës duke sugjeruar se dhuna është e pranueshme. Ata  iu bënë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, në përputhje me përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë të mbrohen dhe që zërat e tyre, gjithashtu të mbrohen të drejtat protestuesve që të kenë mundësi të shprehen por të dëgjohen pa dhunë.

Mbas apelit të fortë të ndërkombëtarëve, duke u nisur nga shqetësimi i qytetarëve për të qëndruar larg dhunës policia dhe protestuesit, le të shpresojmë se protestat në vijim do të jenë larg frikës dhe ankthit qyeteraë, le të shpresojmë se nuk do të sulmohen sërisht institucionet shteterore, nuk do të sulmohen objekte e rëndësisë historike dhe nuk do të dëmtohen bizneset private.

*Zenel Çeliku

TIR-Fax News Agency                                                                                        12 Dhjetor 2020

Filed Under: Analiza Tagged With: Dhune Jo, Protestat po, Zenel Celiku

APASIONATA

December 11, 2020 by dgreca


Nga Astrit Lulushi/ “Partia ime, dhe s’ka tjetër”. Të paktën kështu po edukohet rinia. Mendojnë pluralizëm dhe kërkojnë sistem të përherëshëm një partiak. Sikur nuk e kanë provuar; vendi i tyre më shumë se kushdo. Nuk e dinë? Të interesohen të pyesin. Asnjë rrezik që rrjedh nga kjo mendësi nuk mund të konsiderohet i qartë, përveç nëse ndodhja e së keqes së kapur është aq e pranishme sa mund të ndodhë para se të ketë mundësi për debat a votime. Vetëm një rast urgjent mund të justifikojë shtypjen, thonë teoricienët. Por që kur duhet rënë dakord me njerëzit për t’i mbrojtur ata nga padrejtësia? Ky është paradoks. Qeveria duhet të jetë ajo që duhet t’i mbrojë. Fshehja është fillimi i tiranisë së pushtetit. Dhe konspiracione shtetërore po ndodhin. Ministri thotë se e dinte dhe nuk e dinte se çfarë po ndodhte; Kryeministri niset për të siguruar vaksinën për popullatën dhe përfundon duke vizituar ekspozita pikturash. Dhe lajmi i rremë vjen se u takua e bisedoi në Nju Jork me kreun e Pfizerit….sigurisht për pikturat e veta, siç bëri në Romë a Berlin. Me talentin që ka, gjithmonë i duhet “dora e ngrohtë”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Apasionata, Astrit Lulushi

IDETË DHE PARIMET E ATË GJERGJ FISHTËS PËR ORGANIZIMIN E KOMBIT E TË SHTETIT SHQIPTAR

December 11, 2020 by dgreca

-“Me e lshue Shqypnìn nder duer t’batakçive, âsht njapernja si me ja vjerrë ujkut mushknít m’qafë, me uzdajë se po t’i çon te shpija : ujku i han mushknít,  sidomos per n’kjoftë msue ndojherë me hangër m’to.”/

NGA EUGJEN MERLIKA/

Shqipëria në shpërgënj nuk duhej të ballafaqohej vetëm me opinionet e shtrembëra të shtypit evropian, me të cilët përleshej Fishta, por edhe me vetë politikën shtetërore të vendeve të ndryshme t’Evropës, jo dashamirëse kundrejt saj. Në shkoqitje të këtyre politikave, në vitin e mbrapshtë 1914, politologu françeskan nuk respekton aspak gjuhën diplomatike. Me krenarinë e malsorit të vetëdijshëm për epërsinë e tij morale, si njeri i fjalës së mbajtur e i respektimit të vlerave njerëzore, ai vërsulet mbi politikën e diplomacive evropiane me të gjithë forcën e penës së tij të hidhur. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij, nuk ka qenë asnjëherë i butë me “kurvën e motit”, kur ajo tregohej e padrejtë ndaj Vendit të tij e, fatkeqësisht, shekulli i shkuar nuk qe aspak i kursyer me padrejtësi kundrejt shqiptarëve.

“Kështȗ pra, pa nderë e pa kurrfarë burrniet Europa u prȗ ndaj Shqypnis shî n’kohë, kur kjo kishte mâ nevojë me kênë prej saj. E pra mretnien e Shqypnìs Europa e kishte krijue! Por shka se pabesnia e pushteteve t’Mdhà duel edhe mâ n’shesh n’t’caktuem t’kufijvet t’Shqypnìs.”

Për meshtarin atdhetar është e papërligjëshme që Evropa të qëndrojë vrojtuese e thjeshtë e faktit që ushtritë sërbe, greke e malazeze, si ujqit e tërbuar të zaptojnë tokat shqiptare, për të cilat ajo vetë kishte vendosur në Londër se duhet të bënin pjesë në një shtet të pavarur. 

“Me ç’sŷ e faqe Europa ka me pritë gjygjin e historìs, qi sodmesod, n’sŷ t’mkâmsve t’saj, po mund t’pertrîhen n’Shqypnì pȗnë t’dhȗnshme pa pasë nieri se kȗ me kja, se ku me lypë gjygj ? N’dy vjet qi Evropa ka marrë n’dorë pȗnën e Shqypnìs, jo veç se ndër ne nuk ka hî gjykatore t’ligjshme e t’njimêndët, por s’ka nji statut, s’ka nji themel ligjet, s’ka nji sundimtar t’vetëm qi t’ket dependencë t’vertetë prej Mretit e nji  fuqi t’ligjshme n’dorë. Gjaku i shqyptarit derdhet rrkajë, gjâja e shqyptarit hupë nder thoj t’mâ t’fortit…”

Tablloja e përshkruar është vërtetë tronditëse, një realitet i hidhur por, ndoshta do të kishte vënd edhe për një farë autokritike në planin e përgjithshëm, mbasi vitet 1913 – 14 nxorën në dritë, krahas padrejtësive të Fuqive të Mëdha edhe krijimin e rrymave e të dasive në gjirin e klasës drejtuese shqiptare. Rrëzimi i Ismail Qemalit dhe kalimi n’anën e Esat Pashës i mjaft prej intelektualëve shqiptarë nuk dëshmojnë për një qëndrim t’urtë e bashkësi mendimesh e qëllimesh në drejtimin e shtetit shqiptar në një çast vendimtar. Megjithatë protesta e Fishtës dhe padia e tij, jo vetëm qëndrojnë në planin historik, sa që ende sot, mbas më shumë se një shekulli, mjaft prej problemeve tona e kanë zanafillën pikërisht n’ato vendime e qëndrime, por dëshmojnë edhe ndjenjën e lartë të atdhedasurisë së shkrimtarit, për të cilin fati i Vendit është në majën e shqetësimit të shpirtit të tij vullkanik.

Ai fat nuk është vetëm në duart e të huajve. Për këtë ishte i ndërgjegjëshëm frati françeskan dhe ai ishte derti më i madh që bartëte në bisedat, në shkrimet, në takimet me bashkatdhetarë e me të huaj. Keqardhja për mangësitë e shqiptarëve, për nivelin e tyre t’ulët kulturor, për mungesën e konceptit t’idealeve dhe interesave të përbashkëta, për pamjaftueshmërinë e gjykimit dhe përceptimit të së vërtetës së marrëdhënieve mes tyre, janë shqetësime të përherëshme, që ngrenë krye vazhdimisht në shkrimet publicistike.

“Mjaft me ja lshue sŷt pa pajë e me gjak t’ftoftë, si i thonë, vepers qi na kemi zhdrivillue n’kto tetë vjetë, pse menjiherë kemi me u vertetue se na jemi prȗ, jo ndryshe veç si fmî e si e zeza e vedvedit qi kemi kênë gjithmonë. Po e xâm : mretin tonë nuk e ka xjerrë prej Shqypniet as inglizi as Franca as Rusia vetun, por e kan nxierrë shqyptarët!” 

Fishta historian shqyrton një nga çastet më të rëndësishme e vendimtare të historisë sonë, periudhën e shkurtër të mbretërimit të Princ Wied-it, e anashkaluar sipërfaqësisht nga historia zyrtare e regjimit komunist, e cila “zbuloi” me entuziazëm në rebelimin anadollak të Musa Qazimit e Haxhi Qamilit, bërthamën e parë të “revolucionit” komunist në Shqipëri, një ngjarje për t’u vënë në kornizë e për t’u nderuar si një shembull i lartë i “urtësisë” popullore. Si pasojë e asaj ngjarjeje tragjike për kombin, po aq vendimtare në kah negativ, sa edhe Shpallja e Pavarësisë në atë pozitiv, Shteti i ri shqiptar humbi rastin që i ishte dhënë, të ruante lidhjen me Evropën, nëpërmjet Princit të caktuar për t’u bërë Mbret në territorin e tij, simbas kërkesës së pjesës më të madhe të atdhetarëve shqiptarë. Ajo lidhje do të kishte qënë tepër e rëndësishme për rrugën që do të ndiqte Shteti i ri, duke fituar besimin dhe qëndrueshmërinë edhe në sytë e atyre Pushteteve të Mëdha që e kishin cunguar në krijimin e tij. Hapat e parë në drejtim t’organizimit të jetës shtetërore, megjithë vështirësitë e mëdha, u panë edhe n’ata pak muaj të qeverisjes së Princit. Por për një fatalitet të zi historik tonin n’atë periudhë të brishtë, do të fuqizohej e do të zotëronte një lëvizje që destabilizoi plotësisht atë përvojë pozitive, që ishte fituar në më pak se dy vjet pavarësie. Pasojat qenë shkatërruese, me vite të gjata pushtimi të gjithë territorit nga ushtritë ndërluftuese, me marrëveshje të fqinjëve për coptimin e tokave shqiptare, me rrezikimin për t’u zhdukur si shtet në Konferencën e Paqes. Autori i shkrimit, me largpamësinë dhe mprehtësinë e gjykimit, e vajton në vetvete atë çast të mbrapshtë historik, nuk nguron t’a shohë të vërtetën në sy e të nxjerrë përgjegjësitë që rrjedhin nga paformimi i ndërgjegjes kombëtare, si pasojë e prapambetjes së theksuar ekonomike, që i bën bashkatdhetarët e tij të jetojnë të ndarë në bashkësi të vogla, pa asnjë lidhje me njëra tjetrën. Prandaj ai përshëndet me entuziazëm nismat austro – hungareze për shtrimin e rrugëve dhe hapjen e shkollave. “Udhët e mara e shkollat e mira janë agimi i parë i gjytetnìs. E ta diejn shqyptarët, qi dersa t’ngurrojn me pȗnue rrugat e me la per shkolla, s’kan me kênë kurr popull i dêjë me pasë vetvetsì morale n’shekull ; pse edhè ne ja u dhaçin tjerët, kan me e shpartallue kta vetë, sikursè edhè i kemi shpartallue.” 

Është një diagnozë e saktë e patologjisë së çastit historik, që mbart në vetvete shpresën dhe hidhërimin deri në dëshpërim e mosbesim. Shkrimtari mundohet t’u hapë sytë bashkatdhetarëve, t’u verë piketat e arsyes në rrugën e tyre të ecjes drejt qytetërimit evropian, të cilin ai e quan si të vetmin model për t’u huajtur edhe prej tyre.

“Lypset qi t’gjith t’shestuemt e t’rregulluemt e jetës s’shoqnueshme n’Shqypnì t’jet themelue mî parsime t’gjytetnìs prendimore, por me shart qi, der kȗ ta bajë natyra e ktyne parsimeve, kta t’qiten n’punë mas gjenjes e etnologjís s’vendit e mas ndîsive t’popullit n’mnyrë qi t’ruhet paqja e zêmrave edhè karakteri komtar i shqyptarve.”

Publicisti, meshtari e poeti i lëshojnë Vendin urtësisë së shtetarit dhe largpamësisë të njohësit të thellë të grigjës së vet, që din t’a drejtojë në rrugën më të sigurtë e më me pak rreziqe. Evolucioni i shqiptarëve drejt mendësisë evropiane nuk mund të jetë një “deus ex machina” e përnjëherëshme, një kopjim i plotë e i vrullshëm i përvojave perëndimore e i futjes shabllone të tyre në jetën shqiptare. Në këtë rast do të kishim një çoroditje të plotë që në vend të përparimit do të sillte anarkinë e veprimeve dhe amullinë e mendimeve. Harmonizimi i parimeve të qytetërimit perëndimor me psikologjinë, traditat e formimin shpirtëror të shqiptarëve në masën dhe kohën e duhur, janë siguria që sheh autori që “komi shqyptar t’jet përnjimend kom e kom i qytetnuem” Por nuk mjafton që proçesi zhvillues mendësor i shqiptarëve të vihet në baza t’arësyeshme, që të prodhojë vetëdijesimin për domosdoshmërinë e thithjes dhe përnjisimit të përvojave të të tjerëve, nëse nuk bëhet përzgjedhje e klasës drejtuese nëse ajo nuk do të ketë shtatin moral e profesional të duhur.

“Me e lshue Shqypnìn nder duer t’batakçive, âsht njapernja si me ja vjerrë ujkut mushknít m’qafë, me uzdajë se po t’i çon te shpija : ujku i han mushknít,  sidomos per n’kjoftë msue ndojherë me hangër m’to.”  

Sa profetike këto fjalë të shkruara pothuajse njëqind vite më parë. Sa shumë i vërtetoi koha ato, sidomos që prej 70 vjetësh e këndej, madje edhe në vitet e demokracisë e të ngarendjes drejt Evropës, sa dëme i sollën Shqipërisë batakçinjtë në drejtimin e saj, sa shumë e varfëruan për t’u pasuruar ata. Ҫështja e moralitetit të klasës drejtuese është një temë që e rrok disa herë në artikujt e tij, duke vënë në lojë politikanët e improvizuar e demagogë, që nuk janë t’aftë të bëjnë asgjë tjetër, veçse t’i kushtohen “politikës” së thirrjeve pa përmbajtje, të reformave të rreme e formale, të mashtrimeve me qëllim që të fitojnë votat, për të pasur një pozitë që do t’u japë mundësi të përvehtësojnë sa më shumë. Që nga koha e Fishtës e deri në ditët tona kanë kaluar dhjetëvjeçarë të tërë, por kjo sëmundje e shqiptarëve duket se ende nuk ka gjetur shërim edhe se më 1921 shkrimtari i madh i drejtohej kështu bashkatdhetarëve të tij : “A vagabondët jashtë pune e jashtë Shqipnìs, ose ndryshe kemi sharrue me të egër e me të butë.” Fatkeqësisht shqiptarët nuk qenë t’aftë a nuk deshën t’a zbatojnë atë porosi, madje i vunë ata në krye të tyre e sharrimi qe më i plotë e më i rrezikshëm edhe se sa e përfytyronte poeti kombëtar.

Vijon

Filed Under: Analiza Tagged With: At Fishta, Eugjen Merlika, Idete dhe Parimet, kombi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 316
  • 317
  • 318
  • 319
  • 320
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)
  • Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026
  • Arritje e rëndësishme në studimet albanologjike: Shefkije Islamaj “Ligjërimi, gjuha, stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”
  • Grupet shoqërore me civilizim të vonuar…
  • Marin Barleti, personaliteti më i shquar i humanizmit shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit të humanizmit evropian
  • Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë
  • Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit
  • Laver Bariu, ustain i madh i sazeve të Përmetit, madhështia e një shpirti të bukur që ka mbetur i gjallë në muzikën e tij
  • LAVDI KËTYRE BURRAVE QË LARTËSUAN KOMBIN TONË
  • Një ishull, një gabim: Investimet e huaja janë të mirëpritura—por jo me çdo çmim
  • Z. Shpëtim Tim Qorraj hapi fushatën për t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut 
  • Gjyshi i Ismail Qemalit, Ismail Bej Vlora e shihte perspektivën e një të ardhmje të pavarur të shqiptarëve
  • ATHANAS GEGAJ PER ORIGJINEN E ARBNIT
  • VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI
  • SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT MIDIS UNITARIZMIT DHE DEMOKRACISË KONSENSUALE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT