• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BIBLIOTEKA“SHEFQET MUSARAJ”!?

December 9, 2020 by dgreca

-Biblioteka, që nga koha e diktaturës dhe deri sot mban emrin Shefqet Musaraj (1914-1986) anëtar i Partisë Komuniste, që në themelimin e saj dhe shkrimtar i realizmit socialist. Gjatë luftës, ka mbajtur pseudonimet Shkrimtari dhe Çeçua. Nga  dokumenatat e arkivit të shtetit   (AQSH F 22/ap. V. 1943, D 3/1, f.1-3. Fondi 14 në AQSH. )  del se veprimtaria e tij kryesore ka qenë informimi mbi gjendjen në qytetin e Vlorës dhe Tiranës për  vitet 1943-1944, mbi lëvizjet e krerëve të Ballit Kombëtar, formacioneve të tyre luftarake, demaskimi i gjithë organizatave të tjera si Balli, Legaliteti apo Partia Social-Demokrate, duke i shpallur armiq të partisë. /

SHKRUAN:GEZIM ZILJA/

Biblioteka e Vlorës ka ndërruar disa herë vend. Tani ndodhet diku aty afër qendrës në një ndërtesë modeste. Gjatë egzistencës ka pësuar dy humbje të mëdha. E para është vjedhja, plaçkitja, hedhja në plehra e bibiotekës së Eqerem Bej Vlorës pas ardhjes në fuqi të komunistëve, një pasuri e pazëvendësueshme me vlera të pallogaritshme kombëtare. Hera e dytë është sërish vjedhja, djegia, grisja, e hedhja trotuareve e rrugëve të Vlorës të qindra librave, gjatë muajit mars të vitit 1997, nga turmat e vulgut vlonjat e më gjerë, të drejtuara nga disa intelektualë e politikanë antishqiptarë. Ishin ata që nën maskën e fjalës popull, drejtuan turmat e papërgjegjshme në djegjen e plaçkitjen e institucioneve shtetërore si shkolla, gjykata, bashki, komisariate, muze, biblioteka deri kopshtet e fëmijeve, duke gjunjëzuar shtetin e kryer porositë e segmenteve të huaja ekstremiste antishqiptare.  Biblioteka, që nga koha e diktaturës dhe deri sot mban emrin Shefqet Musaraj (1914-1986) anëtar i Partisë Komuniste, që në themelimin e saj dhe shkrimtar i realizmit socialist. Gjatë luftës, ka mbajtur pseudonimet Shkrimtari dhe Çeçua. Nga  dokumenatat e arkivit të shtetit   (AQSH F 22/ap. V. 1943, D 3/1, f.1-3. Fondi 14 në AQSH. )  del se veprimtaria e tij kryesore ka qenë informimi mbi gjendjen në qytetin e Vlorës dhe Tiranës për  vitet 1943-1944, mbi lëvizjet e krerëve të Ballit Kombëtar, formacioneve të tyre luftarake, demaskimi i gjithë organizatave të tjera si Balli, Legaliteti apo Partia Social-Demokrate, duke i shpallur armiq të partisë. Pjesa më e madhe e letrave që gjenden në Arkivin Qendror i drejtohen personalisht shokut Taras, alias Enver Hoxha. Në to përmenden Gjon Markagjoni, Fiqiri Dineja, Abaz Kupi, Xhafer Deva, Abaz Ermenji, Fasli Frashëri, Ismail Tatzati, Ali Këlcyra, Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja, Skënder Muço, …. Dosti, Xhaf Bali etj. Shefqeti merrte dhe dërgonte informacion, duke gënjyer e justifikuar çdo veprim të Partisë Komuniste edhe në rastet, kur ai vet ishte i qartë se vrasjet kryheshin për terror, asgjësimin e kundërshtarëve politikë, që shpesh ishin njerëz të thjeshtë, që nuk ishin dakord me vijën e Partisë Komuniste dhe ndërhyrjen e komunistëve  jugosllavë. Në mënyrë të veçantë ai informonte çdo veprimtari të Balli Kombëtar, duke i cilësuar ata  në bazë të direktivav të Partisë Komuniste armiq, që duheshin  luftuar e asgjësuar me çdo kusht.  Edhe kur faktet ishin ne favor të krerëve të Ballit, Shefqet Musaraj me porosi të partisë propagandonte të kundërtën. Ja si informon ai Tarasin për vrasjen e Zejnel Avdurrahmanit në Kaninë. Fillimisht në letrën e tij ai flet mirë për të, si një njeri të ndershëm, i pangatërruar, që shikonte punën e vete pasi ai e njihte mirë. Ai i shkruan Tarasit “…: Në qoftë se Zejnel Abdurrahmani është ekzekutuar vetëm si “spiun”, unë deklaroj me sinqeritetin e një komunisti se Zejnel Abdurrahmanin s’ka njeri që ta njohë për të këtillë….”. Por më tej sapo informohet se Zejnel Avdurrahmanin e ka vrarë partia ai shton: “Partia lëshoi komunikatë: Dora a drejtësisë ekzekutoi Zejnel Abdurrahmanin, spiun, provokator i njohur prej popullit. Dhe kështu vendimi u muar, Zejnel Abdurrahmani u vra,. Nashti s’na mbetet veçse të bëjmë tonën: Dy duar për një kokë janë…” Shikoni me vëmendje këtë fotografi që është bërë në Smokthinë, Matogjin në vitin 1943, në shtëpinë e Qemal Xhelo Musarajt, djalë xhaxhai i Shefqetit, pas një darke shtruar për miqtë. Fati i tyre ishte i ndryshëm megjithëse ishin miq e kushërinjë. Shefqetin kur e lajmëruan, se Zejnel Avdurrahmanin ishte vrarë nga Partia Komuniste mbajti anën e partisë. Avdul Kuçi një personalitet i kohës, jurist, deputet, në Luftën e Vlorës më 1920 hartoi tekstin e Ultimatumit drejtuar gjeneral Piaçentinit, dhe u caktua prokuror nga Komiteti i Luftës. Më 10 maj 1945, me vendim nr. 12, Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës e dënoi me vdekje si «kriminel lufte» dhe konfiskimin e pasurisë. U pushkatua më 1945.

unnamed

Smokthinë, Matogjin, 1943, një darkë në shtëpinë e Qemal Xhelos. Nga e majta në të djathtë Shefqet Musaraj, Zejnel Avdurrahmani, pushkatuar, Abdul Kuçi pushkatuar, Qemal Musaraj vdekur në burg.

Qemal Musarajit, djali xhaxhait të Shefqetit, si fshatar i pasur dhe përkrahës i Ballit Kombëtar komunistët i dogjën shtëpinë qysh në vitin 1943. Në vitin 1945 i sekuestruan gjithë pasurinë dhe e burgosën duke lënë rrugëve gruan dhe dy fëmijë të mitur. Ja një pjesë e letrës, dërguar gruas së vet, që mban datën (janë katër të tilla)  14 maj 1952. 

“…Letrën e prillit a e kini marrë apo jo? Ushqimet i kam ngrënë me kohë, i dava me Namikun. Brenda halleve tuaja më ndihmoni edhe mua me pak të holla dhe ndonjë send për të ngrënë. Më dërgoni ndonjë çikë gjizë mase u jep njeri….  (Arkivi MPB Dosja 516, fletë 42.) . I sëmurë, i uritur, pa ndihmë mjeksore, i torturuar fizikisht e shpirtërisht Qemal Xhelo Musaraj dha shpirt në moshën 45 vjeçare, më 18 tetor të vitit 1952, në burgun famëkeq të  Burrelit. Ndërkaq Shefqet Musaraj si besnik i partisë komuniste ngjiste shkallët e karrierës. Në vitin 1945 sipas modelit stalinist sovjetik u formua Lidhja e Shkrimtarëve. Qëllimi i saj ishte që gjithë krijimtaria letrare por edhe ajo që studiohej në shkolla të vihej në shërbim të ideologjisë komuniste. Tashmë do zotëronin parullat: E jap jetën për partinë, partia mbi të gjitha, e di partia, me partinë në ballë, plumbin ballit armiqve të partisë  etj etj.  Në letërsinë e re, të ashtuquajtur e realizmit socialist personazh kryesor ishte komunisti, sekretari i partisë, hetuesi, sigurimsi  që lufton e sakrifikohet në emër të ndërtimit të një bote të re, në luftë me armiqtë e brendshëm e të jashtëm. Me porosi të partisë më 1947 Lidhja organizoi Konferencën e Tretë të Shkrimtarëve. Qëllimi ishte të shkarkohej Prof. Sejfulla Malëshova si Kryetar i Lidhjes dhe në krye të vendoseshin njerëzit e partisë. Dhe ashtu ndodhi. Kryetar u zgjodh Dhimitër Shuteriqi, sekretar Fatmir Gjata (autor i romanit famëkeq “Këneta”)  dhe Sekretar i Përgjithshëm Shefqet Musaraj. Dr Ymer Dishnica dhe Prof Skënder Luarasi u përjashtuan nga Lidhja. Më vonë Shefqet Musaraj do të zgjidhej dhe Kryetar i Lidhjes dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në gjithë gjuetinë e shtrigave, që u organizua nga partia dhe sigurimi i shtetit kundër shkrimtarëve përparimtarë do të ishte aprovimi ose firma e Shefqet Musarajt. Së bashku me Fatmir Gjatën, e të tjerë do të ishte nga njerëzit kryesorë të mënjanimit, përjashtimit,  burgosjes ose hedhjes baltë mbi Branko Merxhanin, Nebil, Çikën, Petro Markon, Mitrush Kutelin, Lasgush Poradecin, Ali Asllanin, Musine Kokalarin e mjaft të tjerëve. Ashtu si në kohën e luftës kur i burgoseshin e vriteshin shokët e miqtë e tij e  nuk tha një fjalë për t’i mbrojtur, ashtu veproi edhe pas luftës. Kur burgosej Petro Marko, dënoheshin e ndaloheshin të shkruanin Mitrushi, Lasgushi, Musineja e Ali Asllani ai mbajti anën e partisë e për këtë u shpërblye me poste e dekorata.  Si shkrimtar ai sot hyn në të harruarit.. Ai është autor i disa romaneve pa vlerë, që shtrembëronin të vërtetën e luftës antifashiste, glorifikonin  figurën e Enver Hoxhës dhe rolin e Partisë Komuniste dhe i thurrnin hymne luftës së klasave. Asnjë vepër e tij e realizmit socialist nuk është në qarkullim sot.Madje ai u akuzua rëndë nga kundërshtarët e tij pas luftës, si shërbëtor i fashizmit nga i cili mori dhe një shpërblim të konsiderueshëm në para, dhe vjedhës i dorëshkrimeve të studiuesit e historianit Ilo Mitkë Qafëzezit, të cilat i paraqiste si të vetat. Dhe për ta mbyllur kur Ali Asllani, Poeti i Madh Shqiptar bënte lutje pas lutje për tu pranuar në Lidhjen e Shkrimtarëve, e më vonë t’i caktonin një pension pleqërie, Shefqeti i përgjigjej që ke biografi të keqe e ajo të pengon. Pyetja ime është: Ç’domethënie ka sot emri i Shefqet Musarajt për bibliotekën e qytetit të Vlorës?  P.S Çfarë kam  shkruar më sipër është e dokumentuar dhe mund të jap fakte e sqarime të mëtejshme por kam shkruar aq sa lejohet në një artikull gazete (ose f.b) për të mos lodhur lexuesin. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja, Shefqet Mysaraj

Ngërçi civil dhe vrasjet e orëve policore

December 8, 2020 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/

Sapo futesh në internet vëren një vërshim statutesh në lidhje me 8 dhjetorin. Ndërkohë lexon disa lajme mbi vrasjen e një të riu pasi ka thyer orët policore në Tiranë. E para gjë që të vjen të thuash, është një e bërtitur vënçe. Lërini memet e statutet dhe dilni protestoni. Ndryshe nuk ka asnjë vlerë as dita e studentëve, pra 8 dhjetori. Për më tepër dita e studentëve nuk është festa e të korrave, por e zhgënjimit më të madh social. Dilni e protestoni se kur shikon kaq e kaq gazeta pro qeveritare që tentojnë të zbusin vrasjen e mesnatës në Laprakë, nuk shkojnë memet me dy gishta lart. Janë këto gazeta që u shqyen për vrasjet e 21 janarit 2011. Dhe me të drejtë. Pavarsisht ligjit për personat që sulmojnë objektet e rëndësisë së veçantë, që mbrohen nga garda e republikës, qëllohen në vend etj. Kjo nuk justifikon vrasjet. Jo çdo ligj është i drejtë. Pavarsisht atyre pamjeve me benzin mercedes 2400 që tentonte të shqyente derën e Kryeministrisë etj., asnjë vrasje civilësh nuk justifikohet. Sidomos kur nuk janë persona të skeduar si kontigjent krimi. Protestuesit jo, jo, pasi protestuesi është shëndeti i demokracisë. Sot këto webe po nxitojnë të nxjerrin detyrat e policit të shërbimit, kur ka të drejtë të qëlloj dhe kur jo. E kanë në majë të gjuhës mbledhjen e supeve me togafjalshin se bëri detyrën etj. Apo atë që zbatoi ligjin. Eshtë të vësh duart në kokë t’i marrësh jetën tjetrit përse nuk ndalon. Për ca gjoja orë policore mesnate etj. Eshtë një turp kolektiv, pasi kur sheh kronikat dyndjet janë ditës, veçmas kafenetë. Dhe për më tepër edukata e mbrapshtë e mbajtjes së maskës në gushë, a në mjekër si detaj që na dallon nga shoqëritë e tjera. Qeveria dhe ata që drejtojnë këto grupet pandemike, në vend t’i mëshojnë sensibilizimit mbi maskën, orët pike të dyndjeve, justifikojnë vrasjet e mesnatës. Kjo është një katastrofë sociale që nuk ndodh vetëm nga punësimi me merita partie në radhët e policisë së shtetit, por edhe nga indiferenca jonë. Nga horia për të postuar meme me dy gishta. Dhe  ironia më e madhe qëndron kur del e flet për ideale një i pa rruar, një që hiqet si ish dhjetorist, kryeministri i vendit. Ka sot krahun e djathtë një ish ministër të  brendshëm të diktaturës, bash atë që akuzohet se urdhëroi vrasjet e 2 prillit 1991 në Shkodër. Pa përmendur se askujt deri më sot nuk i është prekur fije floku, edhe pse kemi një histori blozë përndjekjesh, persekutimesh, vrasjesh nga regjimi që përmbysëm. Jo pak, por janë rreth 6000 të pushkatur e të zhdukur. Por ne i kemi hedhur prapa krahëve, po ecim përpara. Në muajin maj të këtij viti një oficer amerikan në Minnesota ndaloi dhunshëm një civil, pasi e shtriu përtokë i vendosi gjurin tek qafa. Kjo rezultoi fatale për jetën e të ndaluarit dhe për më tepër e pa preçedentë për një shoqëri që të drejtat e njeriut i ka të shenjta. Oficeri qëlloi i bardhë dhe qytetari i zi, pra me ngjyrë. Qe një dridhje sociale që luajti tokën e madhe vendit aq sa protestat nuk pushuan gjithandej. Protesta që u pasuan me një komunikim institucional deri ulje në gjunjë  në sheshe publike të policisë. Dhe kjo është normale në një vend që do demokracinë. Kurse tek ne, ministri hesht, kryeministri po ashtu, policët kërruajnë hundët. Pjesa tjetër publikojnë meme pa fund dhe urratosen si krijesa të kulturës bolshevike, pavarsisht se çdo jetë njeriu të thjesht është e barazvlertë me atë të kryeministrit a kujtdo shtetari tjetër. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Ngerçi Civil

MEZI TË PRITËM DEMOKRACI POR EDHE SHUMË U ZHGËNJYEM

December 8, 2020 by dgreca

 -Përjetime personale në 30 vjetorin e demokracisë-

Nga  Asllan Bushati/

Bindjet e mija se “socializmi do të jetë një e ardhme e lumtur për shqiptarët”, filluan të shemben që në vitin 1974, kur u pushkatuan: Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Cako (udhëheqsit kryesor të Ushtrisë Shqiptare). 

Si shumë ushtarakë të tjerë në atë kohë edhe unë isha i tronditur madje  disi edhe i tulatur. Kështu në një nga ditët e fundvitit 1975 kur po pinim një kafe në verandën e Hotel Turizmit në Berat me padagogun , mikun e familjes, profesorin e universitetit dhe Drejtor i Bankës Kursimeve Berat, Shukri Bulica (nga Kolosiani i Lumës), dëgjova prej gojës së tij  të më thoshte se:”I kam njohur të tre. Nuk ishin sit ë thuash intelektualë të vertetë, por assesi nuk ishin tradhëtar”.

Kjo ishte hera e parë  që mora një ” grusht të fortë”  për të shkundur pak prej vehtes baltën e madhe të propagandës së kohës,  për ”tradhëtin e tyre të madhe”  ndaj atdheut. Sikur të mos mjaftonte kjo, në të njejtin vend në dhjetorin e 1976-tës, pasi ishin shpallur “armiq të partisë e të atdheut” grupi i ekonomisë me Abdyl Këllezi, Koco Theodhosin, Kico Ngjelën etj, Profesor Bulica më tha: ”Në një vend a hapsirë të caktuar që thonë se prona është e të gjithëve, por në fakt nuk është e askujt. Në një vend që të gjithë thonë pronën e ruajmë por në fakt të gjithë e vjedhin. Në një vend që thonë se pronën e përparojmë dhe e mirtrajtojmë, por në fakt e shkatrrojnë dhe e përdhosin. Kjo shoqëri është pa të ardhme dhe  e destinuar të  vetshkatrrohet”.

Ky ishte “grushti’ i dytë, që shembi përfundimisht bindjet e mija se i ashtu quajturi socializëm do të na sillte prosperitet, përparim e jetë më të mirë. Që nga kjo kohë kam menduar vetëm të kundërtën, megjithse isha pjesë e strukturave të mbrojtjes.

Trasferimi në Ministrinë e Mbrojtjes  më mundësoi të njihesha edhe me intelektualë të sferave të ndryshme në Tirane. Njeri prej tyre shpesh më jepte fshehurazi të lexoja “axhanset” (pjesë nga shtypi i huaj i lejuar vetëm për një rreth të ngushtë njerzish të nomeklaturës). Prej tyre mësova shumë gjëra që smund ti shihja nga shtypi i brendshëm, e  as nuk guxoja  të flisja qoftë edhe një fjalë të vetme, por që me kalimin e kohës  ato u bënë pjesë e akumulimit tim antikomunist.

Pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, vecanërisht në Tiranë filloi një farë liberalizimi i mendimit në sferat intelektuale. Por në mjediset ushtarake ishte akoma cdo gjë strikte e në të ashtuquajturën “vijimsi e rrugës së Enverit”. Cdo kapërxim  nga kjo linjë ishte fatale deri nga fundi i viteve tetëdhjetë.

Në “demostratën e heshtjes” që u mbajt në Tiranë, së bashku me mikun tim të ngushtë Nezir Murati, vendosëm të merrnim pjesë edhe ne. Para Hotel Dajtit u shkëmbyen me Ismail Kadarenë dhe Gramoz Pashkon me të cilët pa folur  u përshëndeten  vetëm me lëvizjen e kokës. Pak më poshtë tek Ura e Lanës  po ashtu u përshëndetëm me Ing. Orhan Zarshati (nipi i Ismail Qemalit) dhe një arkitekt të cilit nuk ja kujtoj dot emrin. Nga kjo “shëtitje“, pas dy ditësh miku im Nezir më tha :” Ruhu se Kico Mustaqi (Ministri) e Agim Zamani (shefi sigurinit Ushrisë) se ta kanë rihapur dosjen, por mos të të hapin varrin”.

Pas ardhjes për vizitë në Shqipëri të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Perez De Kualar, situate u fermentu akoma më shumë dhe mendimi i lirë u bë më i pranishëm në biseda të lira. Kurse në shtypin e shkruar bënë efekt shpërthyes  një shkrim i Dr. Sali Berishës dhe Dr. Ylli Popës. Pas tyre erdhën ngjarjet e 2 korrikut me hyrjen e mijra të rinjëve në selitë e ambasadave në Tiranë, takimi i Ramiz Alijës me intelektualët, largimi i Ismail Kadaresë për në Francë dhe greva e studentëve që coin ë përmbysjen e sistemit një partiak dhe më 8 Dhjetor 1990 krijimi i Partisë Demokratike (si sot 30 vite më pare).

Për mu si person kjo ka qenë një ditë e madhe e historisë tonë, por nuk ka qenë e tillë për shumë ish kolegë të mijët. Madje disa prej tyre më vonë  u bënë  shtysë  për rebelim e përmbysje me dhunë të segmenteve të shtetit.

 Pikpamjet e mija politike nuk i fsheh aspak, ata  janë të djathta (edhe familja ime ishte përkrahëse e Mbretit Ahmet Zogu). Por i respektoj plotësisht edhe pikpamjet e së majtes së moderuar (por jo ato komuniste). Në gjykimin tim as pikpamjet e djathta dhe as ato të majta të moderuara nuk janë antikombëtare. Antikombëtare janë ekstremizmat e të dy krahëve dhe  veprimet e papërgjegjeshme  të atyre që qeverisin duke e konsideruar vehten zot (pronar) të vendit. Që e trajtojnë hapsirën, mjedisin, pronën, punën e investuar  si placë për të nxjerrë përfitime personale.

E djathta në këto tri dekada  ka bërë gjëra madhore që do të mbahen mend si lëvizja e lirë e shqiptarve, pranimi në NATO, shkatërrimi i shumë bandave kriminale, zgjerimi i biznesit të vogël, punësimi, mbajtja e taksave të ulta, e shpenzimeve të vogla qeveritare ne qendër e në bazë, ulja e dificitit buxhetor etj. Por nga ana tjetër ajo dështoi: me skemat piramidale që i plasën si bombë  në duar, me paaftësinë për të vendosur rendin e rregullin e një demokracie funksionale, me pronën,korrupsionin, me dënimin e krimeve të komunizmit, me lejimin e varrezave greke në hapsirën  e shtetit shqiptar etj.

Kurse e majta në përpjekjen për shtet ligjor, instaloi shtet policor. Në përpjekjet për një të majtë të moderuar  instaloi një amalgam absurde  “alla rilindase” si reminishencë e PPSH-së. Me fjalë e luftoi korrupsionin, kurse me vepra e shumfishoi atë. Në vend të luftës kundër krimit të organizuar e shtoi atë , madje e solli në Parlament, qeverinë qëndrore e lokale. Në vend të zvoglimit të dificitit buxhetor e coi atë afër nëntëdhjetë përqindshit. Në vend të zvoglimit të taksave i shtoi ato, në vend të zgjerimit të vendeve të punës  dështoi tërësisht sa rreth 450 mijë të rinjë u larguan nga Shqipëria etj etj.

Mezi e pritëm demokracinë, por jemi totalisht të zhgënjyer në këto tri dekada. Një poet para disa vitesh duke parë shumimin e fenomeneve negative tha:”Në qofsh e tillë demokraci, mos ardhësh kurrë”. Unë nuk mund ta them këtë ,se demokracinë në vendin tim e dua shumë, por më besoni se personalisht jam i dezilizionuar në kulm , vecanërisht me qeverisjen e sotme të Edi Ramës.

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan Bushati, Demokraci, Mezi te pritem

Akuzat ndaj lufëtarëve të Kosovës nga Prokurori Special, viktima gjunjëzohet para kriminelit

December 6, 2020 by dgreca

Përgatiti:cEneida Jaçaj/New York/

   Akuzat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit etj, për një sërë krimesh njerëzore gjatë dhe pas luftës në Kosovë 1998-2000, të ngritura nga zyra e Prokurorisë Speciale në Hagë, është një nga ngjarjet më të trishtuara që pas luftës Kosovë-Serbi. Prokurori i Specializuar i Hagës nxori një aktakuzë prej 10 pikash për të lartpërmendurit dhe për një grup më të gjerë të cilët ishin pjesë e UÇK-së gjatë luftës, për një sërë krimesh kundër njerëzimit, përfshirë rreth 100 vrasje, zhdukje me forcë, përndjekje dhe tortura etj. 

Një njeri me një SNQ normale, në kuptimin parësor logjik, sigurisht që do të ishte kundër torturave çnjerëzore dhe vrasjeve, nga cilido qoftë. Por lind pyetja: a mund të barazohen krimet e UÇK-së me vrasjet makabre dhe çnjerëzore të Slobodan Millosheviçit?! 

Këto akuza të pretenduara nga Prokuroria Speciale mbi ish luftëtarët UÇK-së, a mund të justifikohen para tankeve dhe mitrolozëve të Millosheviçit, që nuk kurseu as fëmijë dhe as gra shtatzëna?! Serbët në tokë të huaj dogjën, vranë e plaçkitën çfarë gjetën para, e donin të bënin ligjin në dhe të huaj. Sa trima u vranë për liri, e sa nëna veshi me të zeza dora gjakatare e serbit, që loti ende nuk u është tharë edhe sot që Kosova ka fituar pavarësinë?! Kosova e lirë u ngrit mbi gjakun e luftëtarëve të saj, mbi luftën e lavdishme që bëri UÇK-ja me trimat e saj, por sigurisht edhe nga mbështetja e madhe që ofroi SHBA.

   Mbaj mend vitet 1998-1999, kur gra, burra, fëmijë e të moshuar, të ngrënë dhe të pangrënë, me torbet në krah, lanë shtëpi e katandi, e morën rrugën duke bërë natën-ditë e ditën-natë drejt Shqipërisë e viseve të tjera, për t’i shpëtuar dorës së kriminelit famëkeq Millosheviçit. Këto akuza të Prokurorisë Speciale ndaj Thaçit e të tjerëve, përdhosin luftën e Kosovës, gjunjëzojne viktimën para kriminelit! Edhe nëse janë bërë krime, kanë ardhur si pasojë e luftës për çlirimin e vendit. Sigurisht që kanë qenë momente të vështira për ushtarët e UÇK, momente tensioni, të cilët mund të jenë detyruar të kryejnë edhe krime, por janë të justifikuara dhe nuk mund të barazohen me krimet e serbëve. 

Nëse këto akuza do të faktoheshin dhe Thaçi me shokë do të dënoheshin, Serbia do ta përdorte si avantazh në favorin e saj duke shtuar pretendimet për territore, dialogu Kosova- Serbi do të minohej dhe njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia, as që do të mendohej. 

   Duket sikur Gjykata e Specializuar e Hagës është ngritur me qëllim për të goditur shqiptarët e Kosovës. Këtë dyshim e ka ngritur edhe drejtori i Komitetit për Punë të Jashtëme, Eliot Engel, i cili tha se gjykata ka si juridiksion edhe mbi autorët serbë të krimeve, por nuk e ka ushtruar atë juridiksion përkundër faktit se krimet e shumta janë kryer nga forcat serbe. Madje, ai i ka kërkuar Drejtësisë Amerikane të hetojë punën e kësaj gjykate dhe të ndërpresë marrëshëniet nëse zbulon se po heton vetëm shqiptarët. Pra, do të ishte më e ndershme dhe e drejtë të hetoheshin së bashku; edhe shteti serb të jepte llogari për krimet makabre, vrasjet, pasi së pari ishte vetë ky shtet që pretendonte territore në një shtet tjetër, dhe krimet më të shumta janë bërë vetë nga Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës. 

   Do të ishte e udhës që shtetet e fuqishme të ndërgjegjësonin Serbinë, për të kërkuar falje për krimet në Kosovë, dhe jo sot në mënyrë të befasishme të dilnin disa akzua ndaj luftëtarëve të Kosovës, për të përdhosur e hedhur baltë mbi luftën heroike për çlirimin e shtetit më të ri. Këto akuza jo vetëm që i shërbejnë Serbisë, por vinë edhe si një shuplakë tinëzare dhe e pabesë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Nëse Thaçi dhe gjithë bashkëluftëtarët do të dënoheshin, çfarë kuptimi do të kishte më pas lufta e Kosovës, po trimat si Adem Jashari që dhanë jetën për liri?! Kjo është e turpshme dhe e dhimbshme! 

UÇK-ja ishte një faktor unifikues në vite krenarie dhe sakrifice, dhe kjo luftë u zhvillua kundër shtypjes së forcave të presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviç. Thaçi dhe gjithë bashkëluftëratë e UÇK kanë mbështetjen e gjithë shqiptarëve. Shpresoj që SHBA-të, si një faktor kyç në pavarësinë e Kosovës, të reagojnë duke e parë sa më drejtë atë çka po ndodh në Dhomat e Specializuara në Hagë, dhe t’i rikthehet edhe një herë respekti, dinjiteti UÇK-së, që në fakt gjatë këtyre muajve fatkeqësisht është përdhosur dhe nëpërkëmbur!

Filed Under: Analiza Tagged With: Akuzat, Eneida Jaçaj, Hashim Thaçi, viktima

REGJISTRIMI I EMIGRANTËVE – ÇUDI E RADHËS NGA MINISTRI LLESHAJ

December 5, 2020 by dgreca

Dhe, së fundmi një PYETJE dhe një VËREJTJE për ministrin Lleshaj.
PYETJE: Si do të aplikojnë për regjistrimin e adresës ata që nuk kanë dhe nuk i njohin mjetet moderne të lidhjeve për të deklaruar gjithë ata të dhëna që kërkoni? PO ata që janë të paligjshëm? Po ata që tashmë kanë marrë nënshtetësi tjetër?
VËREJTJE: Në Shqipëri, as ti e as unë, as presidenti e as kryeministri, askush nuk ka në xhep “Kartë identiteti”, ka “LETËR NJOFTIMI”.
Mësoje vetë dhe mësoi edhe policët që të na kërkojnë kur vjen rasti “LETËR NJOFTIMI”.
Ia thuaj edhe kryeministrit…

Shkruan:Abdurrahim ASHIKU- Athine-

Një shkrim fluturues përcjell faqeve të internetit. Titull bombastik: “Emigrantët, deklarim të adresës me detyrim”.
Of ma! “Deklarim me detyrim” a thua se po luajmë damë.
Nuk është hera e parë që na venë para alternativës së deklarimit të adresës.
Nuk është hera e parë, veçse kësaj radhe na kanë vënë përpara tabelën e “damës” dhe thonë: “Haje këtë që të them unë”.
Përpara, tash të paktën dhjetë vjet që shkruaj për këtë temë, ishin më të butë. Bënin edhe autokritikë.
Po përcjell njërën, jo atë me titullin “Regjistrimi i emigrantëve dhe autobusit për votim”  kur ministri Tahiri në një takim me emigrantët në Selanik foli për regjistrimin e emigrantëve si një hap të vonuar për një shtet të organizuar i cili e ka mbajtur (dhe e mban frymën gjallë nga dërgimi i parave (remitancave siç thuhet me një fjalë që nuk e ka fjalori i shqipes) dhe nga investimet në ndërtim dhe hapjen e bizneseve me paranë e djersës, gjakut dhe mundit të më se një milionë shqiptarëve”.
E tha në prill 2016…
“Jemi i vetmi shtet në Evropë, deklaronte në fund të vitit 2015 kryeministri Rama, që nuk ka të regjistruar njerëzit e vet. Nuk di as sa janë, as ku janë, as çfarë nevojash kanë dhe pa bërë këtë regjistrim e kemi të pamundur t’i përfshijmë të gjithë shqiptarët në procesin e votimit”…
E thoshte këtë në shkurt 2018…
E thoshte këtë kur afro dy vjet më parë, më 19 shkurt 2016 – Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 72 vota pro, 27 vota kundër dhe një abstenim, projektligjin: “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.
Në ligj thuhet: “Shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë detyrimin e deklarimit fillestar të adresës pranë autoriteteve përgjegjëse, brenda 180 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji…”. 
I botuar në gazetën zyrtare më 9 mars 2016, ligji 14/2016 parashikonte që brenda 6 muajve të gjithë emigrantët të japin adresat ku jetojnë. Ligji i jepte Këshillit të Ministrave 30 ditë afat nga hyrja në fuqi që të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e tij, ndërsa “autoriteteve përgjegjëse” u jepen 90 ditë nga hyrja në fuqi, që “të njoftojnë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për detyrimin e vetdeklarimit të adresës pranë autoriteteve përgjegjëse”…
Si gjithnjë nuk mund të rrinte pa folur (i pari) Kryeministri Rama  i cili u shpreh: 
“Ky regjistrim i përgjithshëm që ka nisur e që do të shtrihet në të gjithë territoret ku jetojnë shqiptarët përmes aplikimeve online do të na japë mundësi që më herët se sa vonë të mund t’i përfshijmë shqiptarët jashtë vendit në procesin demokratik duke i dhënë mundësi të votojnë nga aty ku janë e mos të jenë të detyruar të vijnë në Shqipëri për të votuar. Kuptohet që dhe kjo do të kërkojë kohën e vet”.
Dhe për pesë vjet nuk e gjeti “kohën e vet” kur Kosova në vetëm shtatë vjet shtet e gjeti kohën dhe i regjistroi të gjithë mërgimtarët e saj nëpër botë (!)
Më në fund u krijua Ministria për Diasporën me ministër Pandeli Majkon.
Edhe ai, si çoban i grigjës të ikanakëve tek në të parën dalje publike për regjistrimin e emigrantëve foli:
“Regjistrimi i shtetasve shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë ka një rastësi pozitive i cili është plotësimi i afatit 10 vjeçar të dokumenteve te identifikimit. Kjo do të thotë që ato do të ripërtërihen për të gjithë shtetasit shqiptarë. Ky është një moment administrativ shumë i rëndësishëm. Shtetasit shqiptarë kur të aplikojnë pranë zyrave përkatëse në Shqipëri apo në konsullatën respektive të shtetit ku jetojnë, për tu pajisur me letërnjoftim elektronik apo pasaportë biometrike, të shtetit shqiptar, për herë të parë, apo kur i ka përfunduar afati i vlefshmërisë 10 vjeçare së dokumentit apo është deklaruar i humbur, sipas Kontratës Koncesionare, duhet të deklarojnë të gjitha të dhënat e kërkuara përfshi edhe adresën e saktë të vendbanimit në shtetin e huaj ku ata jetojnë (sipas formularit përkatës). “Me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 913 të datës 21.12.2011 pasaportat jo biometrike nxirren jashtë përdorimit duke filluar nga data 01.03.2012. Nga kjo date pasaportat jo biometrike nuk do vlejnë më si dokument udhëtimi”
Personalisht, disa muaj më parë kur aplikova për Pasaportën dhe letërnjoftimin e ri, kërkova të deklaroj adresën e banimit dhe të plotësoja “formularin përkatës”.
Askush nuk e kishte idenë se për çfarë flisja…
Në shkrimin e përcjellë në shkurt 2018 sugjeroja:
Të gjithë emigrantët legalë, në të gjithë vendet e botës, janë të regjistruar në amzën e shtetit ku punojnë dhe jetojnë.
Të gjithë, pa përjashtim, janë të detyruar që të tregojnë vendbanimin në adresë të plotë. Të gjithë janë të detyruar që në rast ndërrimi të vendbanimit, brenda dy muajve të deklarojnë vendbanimin e ri. Mos deklarimi shoqërohet me gjobë që të “dhemb në kurriz” dhe në “portofolin e jetesës”.
Të gjithë emigrantët kanë një numër amze  (A.M.K.A , A.M.A. dhe A.F.M. në Greqi) pa të cilët nuk mund të trokasësh në asnjë zyrë e nuk mund të paraqitesh për mjekim e ilaçe.
Shumë e thjeshtë: Një marrëveshje me shtetet ku shqiptarët punojnë e jetojnë, një shkarkim të të dhënave të tyre në “zarfet kompjuterikë” të shtetit shqiptar dhe regjistrimi merr fund për shumë pak kohë.
A është e mundur kjo?
Për mendimin e përparuar të kohës, PO!
Për burokracinë e shtetit tim që ende nuk ka mësuar “shkrim e këndim”, JO!
Tash, shteti ynë, nëpërmjet ministrit të vet të punëve të brendshme përcjell ultimatumin: “EMIGRANTËT, DEKLARIM TË ADRESËS ME DETYRIM” !!!
Dhe në një shpjegim çapraz me shtypje butonash e fjalësh që fluturojnë pa arritur tu kapësh kuptimin, ministri Lleshaj, nën kërcënim policesk del e bën shoun e radhës, shfaqje estrade që tash e dëgjojmë dhe e lexojmë duke qeshur me lot.
Dhe, së fundmi një PYETJE dhe një VËREJTJE për ministrin Lleshaj.
PYETJE: Si do të aplikojnë për regjistrimin e adresës ata që nuk kanë dhe nuk i njohin mjetet moderne të lidhjeve për të deklaruar gjithë ata të dhëna që kërkoni? PO ata që janë të paligjshëm? Po ata që tashmë kanë marrë nënshtetësi tjetër?
VËREJTJE: Në Shqipëri, as ti e as unë, as presidenti e as kryeministri, askush nuk ka në xhep “Kartë identiteti”, ka “LETËR NJOFTIMI”.
Mësoje vetë dhe mësoi edhe policët që të na kërkojnë kur vjen rasti “LETËR NJOFTIMI”.
Ia thuaj edhe kryeministrit… 

Abdurahim Ashiku

Athinë, 4 dhjetor 2020

Filed Under: Analiza Tagged With: Abdurrahim Ashiku, Minisitri Lleshaj, Regjistrimi i emigranteve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 317
  • 318
  • 319
  • 320
  • 321
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)
  • Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026
  • Arritje e rëndësishme në studimet albanologjike: Shefkije Islamaj “Ligjërimi, gjuha, stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”
  • Grupet shoqërore me civilizim të vonuar…
  • Marin Barleti, personaliteti më i shquar i humanizmit shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit të humanizmit evropian
  • Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë
  • Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit
  • Laver Bariu, ustain i madh i sazeve të Përmetit, madhështia e një shpirti të bukur që ka mbetur i gjallë në muzikën e tij
  • LAVDI KËTYRE BURRAVE QË LARTËSUAN KOMBIN TONË
  • Një ishull, një gabim: Investimet e huaja janë të mirëpritura—por jo me çdo çmim
  • Z. Shpëtim Tim Qorraj hapi fushatën për t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut 
  • Gjyshi i Ismail Qemalit, Ismail Bej Vlora e shihte perspektivën e një të ardhmje të pavarur të shqiptarëve
  • ATHANAS GEGAJ PER ORIGJINEN E ARBNIT
  • VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI
  • SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT MIDIS UNITARIZMIT DHE DEMOKRACISË KONSENSUALE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT