• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PORTO PALERMO -TJETER RRETH I FERRIT SHQIPTAR

September 5, 2020 by dgreca

-Vlerësime për vëllimin poetik “Porto Palermo…” i Luan Ramës-

Shkruan: Thanas L. Gjika-

Luan Rama, duke qenë krijues shumë i ndjeshëm lirik dhe me mendësi të evoluar, nuk u mjaftua me dënimin e krimeve që kishte bërë regjimi diktatorial komunist ndaj ish-komunistëve si Mark Ndoja, Kasëm Trebeshina e disa ish-ushtarëkëve të dënuar në burgun e Zvërnecit. Pasi i përgjithësoi vuajtjet e këtyre të dënuarve te romani “Epistolari i Zaratës” më 2017, ai vijoi të marrë frymëzim prej krimesh të tjerë edhe më të rëndë që diktarura komuniste kishte kryer ndaj familjeve të internuara në kampin e kalasë Porto Palermo buzë Jonit. Aty vuanin rreth 200 persona, pleq, plaka, të rinj e të reja dhe fëmijë, njerëz që diktatura i kishte shpallur “armiq të atdheut” pa bërë vetë asnjë faj a shkelje ligjore. I vetmi faj i tyre ishte se ata ishin prindër, familjarë ose fëmijë të atyre që ishin arratisur jashtë atdheut, ose ishin burgosur a pushkatuar prej pushtetit të ri komunist. Këta njerëz e vuanin dënimin në katakombet e kalasë se ndërtuar prej Ali Pashës në një gadishull të vogël të bregdetit tonë të Jonit. Ky vëllim i ri quhet “Porto Palermo – fjalët e gurit dhe poezi të tjera”. U botua më 2019 me 129 fq. e 67 poezi.

          Në krijimtarinë poetike të L. Ramës shquhen vëllimet poetike “Mbulomë me një copë diell”, “Territoret e shpirtit”, “Poezi dashurie në kohê tê vonë”dhe “Porto Palermo…”, ku sundojnë dashuria e humanizmi. Vëllimi “Porto Palermo…” shquhet për figuracionin e pasur, humanizmin e thellë e kritikën therrëse ndaj diktaturës komuniste.

          Po ndalem te ky vëllim poetik, i cili poshtë titullit, në faqen e parë, ka dedikimin kushtuar “Kujtimit të utopistit Kasëm Demi”. Ky partizan e komunist, kushëri i parë i nënës së poetit, nuk ishte vrarë si Ali Demi gjatë luftës, por u dënua nga partia e tij në burgun e Spaçit, ku vdiq dhe kufoma iu hodh në një gropë duke mbetur pa varr, si të gjithë ata që vdisnin nëpër burgjet e diktaturës.

          Titulli i librit “Porto Palermo – fjalët e gurit dhe poezi të tjera” bashkë me titullin e parathënies “Porto Palermo: ku era flet me gjuhën e mallit dhe të gurit” lajmërojnë metaforikisht se në atë kështjellë mesjetare, që u përdor si burg prej diktaturës komuniste, edhe pas ndërrimit të regjimit, kur aty s’ janë më të burgosurit, vuajtjet e tyre i dëshmojnë muret dhe gurët që kanë qenë aty, flasin erërat që kalojnë nëpër ata gurë.

          Në parathënie sqarohet se aty nga mesi i viteve 1990 në këtë kështjellë kishte shkuar nga Bruxelles (Brukseli) për vizitë ish-i dënuari, poeti e piktori i burgjeve Lek Pervizi me bashkëshorten (në fakt vizita ishte kryer në vitin 2012, si më sqaroi Leka). Për jetën në atë kala-burg shkroi L. Pervizi kujtime dhe poezi, të cilat i publikoi në revistën e tij internetike “Kuq e Zi”. Nga shkrimet e Lekës, L. Rama mësoi fakte për orarin ditor, apelin që kryhej pagdhirë, cfilitjet, ushqimin e pamjaftueshëm, emocione e dhimbje të përjetuara prej Lekës, familjarëve të tij dhe bashkëvuajtësve. U prek ky poet dhe u interesua të lexonte edhe krijime të tjera për atë pjesë të ferrit real shqiptar të atyre viteve. U frymëzua dhe pas disa vjetësh ngjizi këtë vëllim të ri poetik të cilin e botoi më 2019. Ndonëse ky hap u krye mbas 28 vjetësh nga ndërrimi i regjimit, pra mjaft vonë, ne e vlerësojmë, sepse, si thotë populli “Më mirë vonë se sa kurrë”. E mirëpresim këtë libër sepse është i pari libër poetik që i kushtohet dënimit të krimeve komuniste prej një krijuesi që dikur kishte shkruar skenarë filmash sipas normave të realizmit socialist.

          Parathënia tingëllon si prozë poetike. Përshkruhet shkurt gjendja e katakombeve të errët të kështjellës ku nuk hynte drita e diellit drejtpërdrejt, madje edhe qielli dukej sa shamia e lotëve të nënës plakë të Mirakajve. Dritaret ishin të vogla e të pjerrta shumë lart në anën veriore ku nuk kalonte dielli as në dimër as në verë. Njerëzit jetonin në galeri nëntokësore me lagështirë, ku gjatë ditës ishte mugëtirë që krijohej nga një dritë e përthyer. Të dëuarit nuk e shihnin drejtpërdrejt dielli,, ata dëgjonin zhurmën e dallgëve dhe të pulëbardhave, por nuk i shikonin ato.

          Vijon gjendja shpirtërore e vrarë e të dënuarve të pafajshëm: “Fytyra të dëshpëruara, fytyra të revoltës, sy në kërkim të dritës, sy që s’duan të harrojnë dhe që kërkojnë me ngulm diellin, detin, imazhet e shtëpive të tyre, kullat e bardha apo livadhet e gjelbra. Mijra e mijra pamje u shfaqen atje, në gjysmë-errësirë, përballë mureve të ftohtë, imazhe që përsëriten, që rivijnë, që konvergojnë në galeritë e thella të asaj kështjelle, atje ku të robëruarit pak nga pak bëhen më të heshtur dhe më zhgënjyes… Secili nga ata është një histori, një dashuri, një dramë tronditëse apo një tragjedi klithëse, me shijen e hirit dhe të zjarrit… një turmë, që zgjohet në një ag që nuk është ag, por vazhdim i natës, i errësirës, një turmë që mërmërit me vete, që vjen rrotull e pastaj e trishtë, e lodhur, platitet e struket në skutat e galerive të errta…. Dhe atëherë ata mendojnë të shkuarën, duan t’i shpëtojnë realitetit ku jetojnë dhe marrin ende frymë, atëherë jetojnë me imazhet e së kaluarës, me lumturitë e heshtura, shtegtimet, apo hedhjen e themeleve të reja, me festat e korrjeve, qethjen e bagëtive, apo festimet e ditës së pranverës. Kujtojnë… Veç kujtesa u ka mbetur në këtë “planet” të panjohur të botës”.

Kjo gjendje e trondit autorin: “Dhe unë kam dëshirë tani ti puth ato mure dhe të ndjej aromën e atyre shpirtrave që ndoshta nuk jetojnë më, e atyre njerëzve që kur dolën nga ato guva, nga ajo “shpellë e Polifemit” ecnin këmbadorazi, pasi u verbuan nga dielli dhe nuk shikonin nga shkonin…”

          Mirëpo në mbyllje të kësaj perle, shtohet një mendim, që më la shije të keqe: “Ishin të etur për dritë dhe drita u vrau sytë… Si mund të mallkosh diellin kur e ke ëndërruar aq shumë atë”? Në fakt të dënuarit politikë pasi u liruan nga internimet e burgjet, nuk e mallkuan diellin, me të cilin poeti nënkupton metaforikisht “diellin e lirisë”, diellin që e kishin ëndërruar aq shumë. Të mbetur pa strehë, me prona të grabitura, këta të përndjekur të ndërgjegjes u detyruan të shkonin ku të mundnin për të mbijetuar. Disa qëndruan pranë familjarëve që u kishin mbetur në Shqipëri dhe pjesa më e madhe shkoi jashtë shtetit ku gjeti strehim politik në shtete demokratike. Kjo shpërndarje e tyre u krye, jo se dielli i lirisë u vrau sytë dhe ata e mallkuan e nuk ditën nga shkonin, por se ashtu ishte planifikuar prej klanit Hoxha-Alia, të iknin nga Shqipëria që të mos i kishin nëpër këmbë gjatë zbatimit të planit Katovica, sipas të cilit Shqipërinë pasdiktatoriale duhej ta trashëgonin besnikët e klanit Hoxha-Alia. Edhe ata të përndjekur të ndërgjegjes që mbetën në Shqipëri kurrë nuk u zgjodhën e as u emëruan në poste vendimmarrëse.

          Ky vëllim përmbledh poezi monokolonë me vargje të bardhë ku nuk respektohet rima dhe as gjatësia e vargjeve. Poezitë shquhen për rritmin e tyre të brendshëm që krijohet përmes aliteracionesh, përsëritje fjalësh e idesh, rimash të brendshme, theksit të fjalëve, etj. Të tilla tipare bëjnë që këto poezi lexuesit mund t’i shijojnë më mirë po të lexohen me zë, ose të recitohen. Edhe më i fortë do të jetë emocioni sikur këto poezi të recithen prej një grupi nga ish-të dënuarit. Atëhere do të krijohej efekti sikur kemi të bëjmë me një korr të tragjedive greke që na vjen nga thellësia e shpirtit dhe e tokës.

          Në poezinë e parë “Apeli” tregohet si fillonte dita pa aguar, kur të dënuarit ende të pangopur me gjumë duhej të duronin të rreshtuar në këmbë thirrjen e emrit e të numërit rendor duke mos e ditur ç’ datë e ç’ ditë ishte. Monotonia u prish kur ushtari thirri emrin e një plaku që po dergjej e nuk mund të çohej, kurse më tej situata u gjallërua nga humori. Ushtari gjysmë analfabet ngatërroi numërin rendor e më pas thirri emrin e një personi që po kryente nevojat personale duke rënkuar te cepi i errët i banjos kolektive. Apeli u ndal derisa erdhi personi duke ngritur e lidhur pantallonat, por që solli me vete erën e rëndë që qelbi atmosferën. Ushtari nxitoi të mbarojë apelin për të dalë sa më shpejt mbi tokë të marrë ajër të pastër se nuk duronte dot. Kurse jeta e të dënuarve do të vijonte në ato kushte mizore dhe zhgënjimi ndaj shtypësve, që ishin bij të një gjaku: “Nuk e kishim besuar që sivëllezërit tanë / bij të një toke, të një gjaku e altari / rritur nën të njëjtin diell, / mbathur në varfërinë e kobshme / mbështjellë me të njëjtin flamur shprese / do të n’a urrenin e vrisnin kaq shumë./ Nuk e kishim besuar të ëndërronim kaq shumë/ të endeshim në një zhgjëndër të pafund / dhe ëndërronim për ujë, bukë, shtroje, dritë / këtu në këtë kala guri pa shpirt / ku veç rënkimi i detit dëgjohet” (“Nuk e kishim besuar…”). Me të tilla vargje shpalos habinë e vet autorit me anën e meditimit të të dënuarve për transformimin e njerëzve që dikur luftuan si antifashistë, por shërbimi ndaj diktaturës i kishte dehumanizuar. Në këto pak vargje krijohet emocionaliteti i lartë përmes ngjeshjes së aliteracioneve, shkallëzimeve, krahasimeve e metaforave të përsëritura brenda pak vargjesh. Në vijim, në kontrast me këtë gjendje, jepet shpresa prej xha Beqos, me një fije bari që gjeti te shkallët e gurta: “Tek shkallët, mes gurëve, Beqo gjen një fije bari / mahnitet me këtë shenjë nanuritëse të jetës / si sytë e gjelbërt të Bebes shtatë vjeçare / që me të në dorë i ngjan se rend në lëndina të gjelbra / si të përcjellë në botën lart një haber të madh: / Kjo fije bari është lajmësja e pranverës sonë / pranvera po afron, nuk i dëgjoni hapat? / dhe tund triumfator atë fije bari gjithë hire e aromë” (Po aty)

          Por vuajtjet e sidomos uria shkaktonin dhe vdekje, prandaj një nënë ditën e Shën Mërisë lutej: “Zoti im i madh ma hiq zemrën / që të mos vuaj më/ mi hiq sytë që mos ti shoh më gjithë këto vdekje / këta qivurë të mëdhenj e të vegjël / të rëndë si shkëmbi / që ikin një e nga një / vrarë nga uria, / shuar nga etja e pafund”. (“Ma hiq zemrën Zoti im”!)

          Uria e përhershme u shkaktonte të rriturve therrje në fund të barkut, që i zgjonte në mesnatë si britmë e të gjithëve, kurse fëmijëve u shkaktonte ëndrra me kazanë supe që derdhen në pjatat e tyre prej alumini (“Kënga e supës”).

          Kushtet e ambjentit jepen shkurt përmes aliteracionesh duke nënkuptuar alegorikisht mungesën e prespektivës: “të gjitha dritaret janë mbyllur, të detit, të diellit / të gjitha rrugët janë kyçur / veç jo ato të territ të madh kumbues / pa yje / pa kthim” (“Harqet e të mundurve”).

          Gjatë natës të dënuarit zgjoheshin, dikujt i bëhej sikur dëgjonte trokun e një kali, kalit që mbartte shpresat e tij; një tjetri sikur dëgjonte zhurmën e turtulleshave që vinin të mjekonin plagët e tyre të zisë; një tjetre sikur dëgjonte zërin e burrit të vet që kishte mall, por ajo nuk e kuptonte nëse po vinte, apo po shkonte. Dikujt tjetër i bëhet se dëgjonte detin që rënkonte nga mbytja e anijes së tyre me gjithçka u përkiste dikur me gjithë trarët dhe pragjet e nxirë të shtëpive. Dhe së fundi jepet dimensioni i dhimbjes së të dënuarve përmes një paralelizmi midis ndjenjave shpirtërore të njërëzve me përmasat e detit: “dhimbje e pafund në një det të pafund” (Pëshpërima nën kubenë e natës”).

          Pas daljes nga burgu shumë të dënuar, duke parë se shikoheshin përsëri si armiq dhe i priste një arrestim a internim i dytë, tentonin të arratiseshin. Mirëpo mjaft prej tyre vriteshin në kufi. Kështu ndodhte dhe me disa bij të të dënuarve, të cilët duke mos duruar trajtimin përbuzës si “bir i armikut të pushtetit”, tentonin të arratiseshin, por disa vriteshin në kufi. Xha Rakos i erdhi lajmi i kobshëm se i ishte vrarë djali në kufi. Duart i dridheshin ndaj nuk e drodhi dot cigaren. Bashkëvuajtësit iu afruan dhe i dhanë kurajë: “Të rrosh vetë Rako! / Të rrojë kujtimi i djalit edhe përtej vdekjes sonë! / Mos ki dert Rako ne do të jemi djemtë e tu! / Merre Rako, ndize një, të thash lotin!… / kur e ndezi, i habitur pa se në majë / po digjej njëri sy i diktatorit, / fotografia digjej e bashkë me të dhe gishti i Rakos / por ai e thithi akoma më fort / që të digjej dhe syri tjetër” (“Cigarja e xha Rakos”).

          Tjetër plagë kishte Tasi. E kishin arrestuar shumë shpejt pas dasmës dhe nuk kish mundur ta realizonte ëndrrën për të pasur trashëgimtar. Dënimi po zgjatej, shëndeti po e linte, prandaj i dërgoi amanet nuses si heronjtë e legjendave: “E dashura ime Maria, / nëse s’kthehem, martohu të lutem / nuk dua të të vrasë zija e pafund / të qeshurën tënde dua ta dëgjoj sërrish / dhe në dhé po të jem / jetoje jetën dhe kujtoi sytë e mi / që aq shumë i ke puthur dhe je mbytur në to… / mos harro e dashur gjithçka që jetuam / ditën që nëna të leu ballin me mjaltë / harenë e natës së parë /… dhe ëndrrën, ëndrrën që të kishim fëmijë”(“Tasi shkruan letër”)

          Poeti nuk le jashtë vëmendjes dhe fëmijët e dënuar. Të dhimbset djali i vogël i familjes Mirakaj, të cilin të dënuarit për ta përkëdhelur i kishin ngjitur emrin Bibi. Ky fëmijë ëndërronte të vraponte me një balon të ngritur në qiell, por qielli i të burgosurve ishte i vogël sa dritarja që kishte dimensionet e shamisë me të cilën nëna e Bibit, Luçia, fshinte lotët. Dhe fëmia pyeti: e kanë prerë qiellin “me gëshërë?, poeti i kundërpërgjigjet “me bajonetë” (“Balona e Bibit”). 

          Në një poezi tjetër tregohet se Bibi pasi gjeti një copë pasqyre te torba e gjyshes, filloi të reflektonte dritën rreth e rrotull dhe nisi të pikaste fytyra njerëzish që ngjanin me kufoma. Gjyshja ia mori pasqyrën e ia fshehu: “që Bibi mos ta shohë atë botë të errët / mos t’i shohë ato fytyra makthi e trishti / atë varrezë të gjallësh nën tokë”. Dhe pasi e mori në prehër, gjyshja filloi t’i rrëfente përrallën e Zanës së Maleve me fustan të bardhë, e cila ngjitej në kubenë qiellore që shndriste nga mijëra pasqyra (“Pasqyra”).

          Kurse Roza e dëshpëruar nga i ftohti i vazhdueshëm dhe errësira e përhershme e ambjenteve, ëndërronte diell, ëndërronte të vizatonte diej sa më shumë, nga një për secilin të dënuar, që t’i ndriste e t’i ngrohte ata. Ajo donte që t’i rriste flokët e t’i bënte shkallë, që të mund të ngjitej te dielli dhe t’i lutej që t’i ngrohte të dënuarit (“Roza vizaton diej”).

          Midis këtyre fëmijëve Gjyliana Malaj, vajza nga Vermoshi ka pasur një histori shumë prekëse. Ajo u internua që kur ishte bebe bashkë me nënën e saj, nuse e re. Babai i saj ishte arratisur në Mal të Zi duke e lënë nusen me dy vajza, Marien 4 vjeçe dhe Gjylianën 1 vjeçe e gjysëm. Polici që u urdhërua të shoqëronte grupin e të internuarve me burra e gra, e këshilloi nusen e re të mos i merrte të dy vajzat se nuk i mbante dot në krahë gjatë rrugës që do të bënin në këmbë nga Vermoshi deri në Shkodër, ku do t’i hipnin në kamion për t’i dërguar në internim në kampin e largët të Tepelenës. “Merr të voglën”, i tha ai, “se rëndon më pak”. Dhe motra e madhe Maria ndënji pranë gjyshes, kurse bebja Gjyliana brodhi e vuajti kampeve bashkë me nënën e vet. Të dënuarit e quajtën shkurt “Beba”, emër që i mbeti edhe pasi u martua me piktorin e poetin Lek Pervizi pas bredhjeve nga Porto Palermo te kampi i Tepelenës, i Savrës e së fundi te kampi Pluk i Lushnjës, ku u martua me Lekën më 1965. (Motrat u takuan vetëm pas vitit 1990, kur Gjyljana me Lekën e tre djemtë u sistemua në Bruksel, ku shkoi Maria nga Nju Jorku, ku ishte sistemuar pas arratisjes me bashkëshortin e vet që nga viti 1960.) E pikërisht vogëlushes “Beba” poeti i kushton poezinë “Beba mëson alfabetin”, ku tregohet sesi mësoi të shkruajë Beba me thëngjill qymyri mbi faqen e një muri. Poezia mbyllet me thirrmën e poetit: “ah, kjo princeshë e bukur në këtë botë të mallkuar!”, me të cilën autori ka shprehur urrejtjen e vet për shkaktarët e gjendjes së Bebës Gjyliana.

          Në ato ambjente gjysmë terr hyri rastësisht një flutur e qëndroi mbi supin e xha Kamberit që ishte në jerm. Vogëlushja Roza e dëshiruar që ajo dhe flutura e kapur në grackë të dalin nga errësira e katakombeve, lëshoi pyetjen e saj naive: “Po ne pse s’ kemi krahë si fluturat”? (“Fluturimi i fluturës”).

          Rina është një tjetër vogëlushe që ëndëronte: “Rina mbyll sytë duke shijuar lumturinë / duke parë veten hipur në krahë pulëbardhash / që lënë pas atë kala të bukur gjithë hire / atë kala të nëmur / me dyqind gjemi mbytur brenda” (“Rina”).

          Izolimi i zgjatur, ndajrja nga jeta e zakonshme e shtyu Delon të hapë gojën e të vendosë gjuhën te pikat e shiut që kullonin nga kubetë e gurta duke kujtuar aromën e shiut e lutet të ishte rrebesh. Poeti i quan metaforikisht lotë hyjnish ato pika uji që mrekullonin të dënuarit: “Bie shi nga kubeja prej guri / thua se qajnë njëmijë hyjni / për ata që janë nën tokë / dhe që nuk e shohin mrekullinë që quhet “shi” (“Bije shi”).

          Aftësitë e L. Ramës si poet sensitiv shpalosen gjatë përshkrimit të dialogjeve që zhvillohen midis bashkëshortëve pas shuarjes së fenerit të fundit. Edhe pse në kushte të rënda mbuluar me batanie të pisët që kundërmonte erë myku e këllire, nusja diti ta ftonte dhe eksitonte shokun e vet: “Eja i dashur në lëndinat e mia / puthmi gjinjtë që po rreshken / s’do doja të lindja në këtë guvë të ndyrë / në këtë natë pa yje ku dergjen hije / të gjallësh të vdekur… / pushtomë burri im në këtë eklips të pafund /vetëm kështu ti më bën të lumtur / ti harroj plagët e panumërta”

          Kjo sfidë ndaj kushteve mizore bëhet për të plotësuar premtimin që i kanë dhënë njëri-tjetrit për përtërirjen e jetës: “dua të ndjehem grua / dua që një ditë të bëhem nënë / në duart e Virgjëreshës Mari…/ sepse nesër do të jetë një ag tjetër / premtimi ynë!” (“Eja i dashur, bëmë të lumtur”!).

          Për të treguar se sa e rëndë, sa e padurueshme ishte ambjeti i katakombeve, poeti tregon se një ditë të djele një pulëbardhë qëndroi te parvazi i një dritareje, por kur pa nga ana e brendshme, u largua shpejt. Poeti për të sqaruar pse iku pulbardha, numëron mungesat e asaj jete që ishte e njëjtë me botën pa jetë të atij pusi të errët: “pulëbardhat kanë frikë / nga bota e tyre pa diell, pa det, pa zogj / bot’ e zhytur në pusin e vdekjes së errët” (“Lumturi të thyera”). Në po këtë poezi, më tej rrëfehet se të dënuarit për ta duruar dhimbjen e trishtimin, kujtonin të djelat e kohës në liri, kur gëzonin vajtjet në kishë, dasmat e tyre, netët e para të martesave. Përjetimi i të tilla dhimbjeve dhe durimi për kapërcimin e tyre të kujton thënien popullore “I rra gurit edhe plasi, i rra njeriut dhe e mbajti”. Të tillë karakter të fortë kishin të dënuarit e ndërgjegjes

          Qëndresës e humanizmit të të internuarve u thurret dhe një poezi tjetër, ku tregohet se një i dënuar, me emrin Viktor, pasi u lirua nga burgu i Gjirokastrës, u dërgua për të vijuar dënimin si i internuar te kampi i Porto Palermos, ku gjeti po ashtu fytyra asketësh, njerëz të paushqyer që vuanin jo më pak, por që i dhanë kurajë duke i thënë se nuk e kishin humbur udhën e nderit: “Eja në shtëpinë tonë / në zemrën tonë pa porta / në urinë tonë që ulurin / në puset e etjes sonë të pashuar…. / Lavdi Zotit jetojmë akoma!- pëshpëriti një plak / duke puthur sytë meit të Viktorit, / fryma jonë nuk do të shuhet / eja, gjaku ynë nuk e ka humbur udhën e tij”(“Viktori…”).

          Duke dashur të përgjithësojë praninë dhe punën e krijuesve të internuar si piktori e poeti Lek Pervizi, L. Rama ka krijuar dhe figurën e një poeti: “Përhumbet poeti në heshtjen e tij / me laps mbi paketën e duhanit / shkruan vargje dhe humbet në tymin e trishtit / që ngrihet lart në atë mjegull burgu /drejt dritares së qiellit / pi cigare dhe mban gjakun mos ti shpërthejë / nga damarët e zemëruar / nga zemra e coptuar në qindra plagë…” (“Poeti”).

          Për ta forcuar emocionalitetin, poeti në disa poezi rrëfen mendime e meditime të dënuarish në vetën e parë duke e shkrirë veten me vuajtësit: “dhe kështu, çdo orë të ditës, çdo orë të natës / n’a ngjan se udhëtojmë të mbyllur në këtë qivur / anije ogurzezë / që zhytet drejt një deti të panjohur / pa prekur ujin dhe pa ndjerë shijen e kripës / pa ndjerë flladin dhe aromën e jodit / ngrejmë kokat dhe zgjatemi / që të mos mbytemi nga e zeza / duke kërkuar dritën e shpëtimit” (“Kjo anije guri”)

          Po kështu veprohet dhe në poezi të tjera ku poeti flet si bashkëvuajtës: “Mërmërisim këngë zie / … flemë dhe zgjohemi po me këngë zie. / Beteja jonë do të jetë e gjatë, pëshpërit Ndoja / në shtratin e delirit / një betejë kundër natës me pirgje varresh /… një betejë e pambarrimtë / sepse ajo është fryma jonë” (“Fryma”). Pra poeti ka besim se beteja e rezistencës nuk do të ketë fund deri në ardhjen e lirisë, sepse ajo është “fryma jonë” që metaforikisht nënkupton frymën e mbarë popullit.

          Vëllimi vijon me një intermexo në prozë, disa skica poetike midis të cilave shquhen “Kuqo” (ku trajtohet lidhja e një të internuari me një maçok që më në fund ia vrau polici) dhe “Një lule në vetëtimë”. Këtu tregohet se Nikolla, një i dënuar, gjatë ndriçimit të ambjetit të errët prej dritës së një shkrepëtime rrufeje pa lulen që kishte gdhendur për të dashurën e tij në gjysmëterr në murin e kalasë. Nën efektin e dritës së vetëtimës ai zbuloi vlerat e vërteta “hiret e magjisë” që përmbante lulja e tij e thjeshtë.

Kuptohet se zbulimi i vlerave të vërteta të kësaj luleje të gdhendur në gjysmëterrin e burgut pasi u ndriçua nga drita ka kuptim metaforik: Ashtu si zbuloi Nikolla hiret magjike të asaj luleje, shoqëria shqiptare do të zbulonte pas ardhjes së dritës së lirisë vlerat e mëdha morale dhe edukative të qëndresës së të përndjekurve të ndërgjegjes në burgjet e kampet e internimit. Qëndresë, që na dukej e thjeshtë neve që nuk vuajtëm si ata, por në thelb ishte heroike sepse kishte mbrojtur dinjitetin e popullit, kishte ruajtur vlerat morale të shqiptarit, gjë që nuk e kishim bërë ne që ishim trembur dhe i ishim nënshtruar regjimit komunist, kishim mbijetuar gojëkyçur e duke duartrokitur bëmat e tij.

          Natyrisht këto vlera morale, shoqërore e politike i kuptuan dhe i vlerësuan jo ish-persekutorët, por njerëzit e ndershëm kur i mësuan vuajtjet e të përndjekurve të ndërgjegjes pasi këta i botuan kujtimet e tyre dhe shumë vepra letrare kushtuar jetës në burgje e internime. Kjo skicë bashkë me gjithë krijimet që përmban kjo përmbledhje dëshmon për karakterin e ndershëm të krijuesit Luan Rama.

          Të dënuarit e Porto Palermos i hoqën nga ai kamp dhe i dërguan të vijonin dënimin në kampin e Tepelenës. Autori e mbyll këtë pjesë të veprës me shprehjen: “Populli i Dantes vazhdonte rrugëtimin e tij….” sepse këta të përndjekur nuk u liruan, por u degdisën në kampin e Tepelenës e që atje në kampe e burgje të ndryshëm ku ata lindnin fëmijë, të cilët rriteshin e martoheshin e lindin fëmijë po skllevër, sepse “Mëkati” që u kishte ngarkuar partia shtet trashëgohej brez pas brezi, si mëkati I Adamit dhe Evës i Judenjve. Ata u liruan nga ato kampe kur kapitulloi diktatura komuniste, kur u prishën këto qendra dënimi të ngjashme me kampet e nazizmit. Mirëpo fatkeqësisht pas ndërrimit të regjimit të dënuarit e ndërgjegjes dhe njerëzit e ndershëm nuk morën vlerësimin që meritonin sipas vlerave të tyre. Qeveritë që erdhën në fuqi krijuan qarqet e tyre me shërbëtorë besnikë dhe kushdo që nuk bënte pjesë në këto qarqe e kishte të vështirë, në mos të pamundur, të realizonte synimet e veta.

          Shumë probleme të jetës shqiptare të kësaj periudhe i ka trajtuar poeti në vijim të këtij vëllimi. Poezia e parë e këtij cikli i kushtohet Vjosa Jakovës, vajzës së madhe të Tuk dhe Mita Jakovës. Pas vitit 1991 familja e komunistit të dënuar Tuk Jakova nuk deshi të lidhej me Partinë Socialiste për t’i shërbyer planit Katovica. Dy djemtë dhe vajza e vogël ikën në mërgim, kurse nënë Mita dhe vajza e madhe Vjosa qëndruan në atdhe. Djali i madh pas një aksidenti automobilistik humbi jetën. Shëndeti i Mitës rëndohej çdo ditë. Dëshirën e vajzës që i rrinte pranë për ta ndihmuar nënën e përvojtur, poeti e shpreh përmes një lutje-klithmë: “Ku të gjej një vend të të fsheh nënoke / që mos të të gjejë vdekja, /… eja, futu nënë tek unë dhe fshihu brenda meje, / … që të shohësh të kuqen e dashurisë për ty / dhe për atin tim, vdekur pas hekurave, / … shko e ëmbla ime, prehu në zemrën time, /…do të bëhem martirja tënde nënë, / jo e Krishtit, / do të bëhem shenjtja jote mëmë!..” (“Ku të gjej një vend që mos të gjejë vdekja!”).

          L. Rama ndjen pezm sepse shoqëria në përgjithësi dhe politikanët e krijuesit në veçanti nuk po i nderonin sa e si duhej viktimat e diktaturës komuniste. Prandaj ai i kujton dy poetët librazhdas Vilson Blloshmi e Genc Leka dhe poetin kuksian Havzi Nela. Dy të parët qeveria e Ramiz Alisë i pati pushkatuar më 1987, kurse të tretin e pati varur në vitin 1988 për të treguar se diktatura shqiptare do të vijonte të ishte e ashpër si më parë. Këtë problem autori i vëllimit e trajton në poezitë “Poetët thonë gjëra të çuditshme” dhe “Rrugëtimi i Fransua Vijon në malin e Pikëllimës”. Këtu tregohet se poeti francez i shek. XV Francios Villon (Fransua Vijon) thurri poemën “Balada e të varurve” kur pa nga dritarja e burgut trekëmbshin e ngritur për të te sheshi i Parisit. Poeti e sjell frymën e F. Vijon rrëzë malit të Pikëllimës në Kukës për të respektuar Havzi Nelën. Kuptohet se autori kritikon diktatorin Ramiz Alia, I cili pretendonte se po e liberalizonte diktaturën, kurse në fakt po e shpinte drejt Mesjetës. Poezia mbyllet: “Havzi Nela flë syhapur në një ëndërr të madhe / ngjizur nën dhé / ndritur mbi dhé”. Vargje, të cilat shprehin idenë: “Endrra e Havzi Nelës për liri do të ndritë përgjithmonë”.

          Në Shqipëri pas ndërrimit të regjimit ndodhën shumë vrasje, disa për hakmarrje, disa për rivalitete. Politkani Sokol Olldashi, konkurent i Lulzim Bashës për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, u gjend i vdekur në makinën e tij jashtë Tiranës dhe u mbulua si vrasje aksidenti automobilistik. Nëna e tij, e përndjekura e diktaturës Kozeta Mamaqi, u trondit tmerrësisht. Pinte cigare pa fund. Poeti për ta ngushëlluar shkoi të pinte një cigare me të. Indiferentizmi i qeverive dhe i politikanëve e kishin kthyer këtë nënë në një qenie të hirtë, si të ishte hi duhani: “Erdha të ndez një cigare” thua ti / “me lotë që pikojnë veç hi, / ylbere të hirta, / dhe tymi i hirtë që lë pas lule të argjendta / krizantema, tulipanë, / për ti dhënë dritë syve të shuar / për të kapërcyer errësirat / dhe tunelin e tjetrës botë, / për ti hapur krahët dhe një herë me dashuri, / dhe atëherë ti shtron çarçafë për birin / si të shtrosh shtratin e dhëndërisë së tij” (“Një cigare me ty”).

          Njeriu pushtohet shpesh prej propagandave të ndryshme dhe bëhet partizan i zjarrtë i disa ideve që mund ta shtyjnë drejt krimit. Krime bënë klerikët e lartë të Papatit gjatë Inkuizicionit, krime bënë ushtarët gjermanë gjatë L2B nën drejtimin e Hitlerit, krime bënë komunistët gjatë sundimit të tyre me anë të diktaturave komuniste, krime bëjnë sot edhe pushtetarë e njerëz të zakonshëm të shtyrë nga interesa të ndryshëm. Për ta çliruar shoqërinë njerëzore dhe njerëzit e veçantë nga krimet ka lindur kërkesa e të falurit. Prandaj iu kërkua të krishterëve të falur prej Papa Palit të II për krimet që u kryen gjatë Inkuizicionit, iu kërkua të falur njerëzimit prej Kancelarit gjerman Konrad Adenauer për krimet që i kreu ushtria naziste, iu kërkua të falur popullit polak prej udhëheqjes së Partisë Komuniste Polake më 1990. Mirëpo ish-udhëheqja e PKSh/PPSh-së nuk i kërkoi të falur popullit të vet për krimet që kreu nën drejtimin e diktatorëve E. Hoxha e R. Alia. Po ashtu dhe ish-komunistët e ish-ushtarët serbë nuk po i kërkojnë të falur popullit shqiptar të Kosovës për krimet që kryen gjatë viteve 1981-1999 e sidomos gjatë luftës së vitit 1999.

          Pikërisht përpjekja për emancipimin e shoqërisë njerëzore me anën e institucionit të të falurit, zë vend në disa poezi të L. Ramës në këtë vëllim. Në një kohë kur propaganda serbe trumbeton me të madhe se ushtria çlirimtare e Kosovës kreu krime ndaj ushtarëve pushtues serbë, ai ngre lart guximin e vajzës kosovare Vasfije Krasniqi e cila, e çliruar nga paragjykimet, doli në shtyp brenda dhe jashtë atdheut për të dëshmuar krimin e ushtrisë serbe, “plagën e plagëve të Kosovës”. Gjatë luftës, kjo vajzë e bukur 16-vjeçere nuk e braktisi shtëpinë, por ushtarët serbë e grabitën dhe e përdhunuan çnjerëzisht, duke kryer një nga krimet më barbare e më të vjetra të hordhive ushtarake.

          Pasi jepet gjendja e rëndë shpirtërore e vajzës gjatë përdhunimit, poeti shkruan: “ti bozhur i bukur i Kosovës / ti doje të vdisje atje në katakombet e krimit, / ata donin që preha të vuante gjer në frymën e fundit”, por, shton autori, pasi erdhi liria dhe populli bëri hapa drejt emancipimit, ti u ngrite dhe lufta jote po vlerësohet: “mijra e miliona duar të mbajnë lart / si një emblemë purpuri të kurajos” (“Ti, mjelma e bardhë e Kosovës”).

          Krimet e nazizmit ndaj popullit hebre, dënohen te poezia “Gjithë diejt e botës po më shuhen sot në Auchvitz”!, ku trajtohet drama e familjes së Zonjës Eftixia Jakoel Matat(h)ia, familje që jetonte në Shqipëri gjatë L2B, kur u internua e u masakrua në kampin Auchvitz.

          Ashtu si populli i qytetëruar gjerman ra viktimë e Hitlerit dhe kreu krime të papara në historinë moderne të Europës, edhe populli i qytetëruar francez pas mbarimit të luftës i nxitur nga pasione “patriotike”, i torturoi, ua qethi kokat, i tërhoqi zvarrë nëpër sheshe e podiume, i përdhunoi motrat e veta që kishin rënë në dashuri me ushtarët pushtues gjermanë: “i tërhiqnin zvarrë nën brohorima, / duke përdhunuar kështu trofetë e një lufte, / trofetë e fitores, / pa ditur se përdhunonin zemra / dhe thyenin mijra jetë, / një luftë mbaronte dhe një tjetër do të fillonte / mbi tokat e shkretuara, / mbi hirin dhe lulet që digjnin / duke pritur erën e ngrohtë / dhe kushedi shiun e një dashurie të re” (“Kokëqethura nën tehun e gijotinës”).

          Babai i Luanit kur kishte qenë partizan iu vranë disa shokë, por nuk i qau, u sul kundër pushtuesve më me vrull. Mirëpo pas 50 vjetësh, kur ndërroi sistemi, kuptoi se kishte gabuar duke pranuar dhunën e diktatorit. Prandaj ai qan: “ati im qan si një fajtor i madh / … ati im qan për luftën që shkoi kot / për ëndrrat e thyera / për tempullin e shembur të lirisë dhe dashurisë /… qan me një dënesë të heshtur që duket se vjen që poshtë nga varret, /… thua se te vrarët tashmë arrijnë ta dëgjojnë, /… të vrarë që qortojnë atin tim se idealin e tyre nuk e mbrojti dot, / ati im qan se më mirë të ishte vrarë dhe ai, / të mos e shihte zhgënjimin e madh, / shëmbjen e tempullit të tyre të lirisë, / lirinë e pranguar, / ati im qan për gjithë të vrarët e zgjuar, / ai qan për luftën e fituar dhe atë të humbur” – Pendesë e vlefshme për të gjithë ata që i shërbyen verbërisht diktatorit e diktaturës.

          Vëllimi mbyllet me disa poezi erotike me të cilat mbështetet ideja: “Ndjenja e dashurisë është ndjenja më e fortë dhe më fisnike e njeriut, asaj duhet t’i kushtojmë më shumë kohë dhe energji”. Te këto poezi nuk po ndalem, sepse poezitë erotike të L. Ramës janë të shumta jashtë këtij vëllimi dhe meritojnë trajtim më vete…

Filed Under: Analiza Tagged With: Luan Rama, Porto Palermo, Thanas L.Gjika

DY KONTRASTE RESPEKTI PËR NENË TEREZËN

September 4, 2020 by dgreca

  Me rastin e Ditës kushtuar Nenë Terezës-

 Nga Frank Shkreli/

http://tribunashqiptare.com/wp-content/uploads/2017/02/frank_shkreli2.jpgNë Kosovë dhe në Shqipëri, Kisha Katolike Shqiptare po kremton festën e Shenjtës Nenë Tereze (5 Shtator) nën rrethana të vështira – pa pjesëmarrjen e besimtarëve — për arsye të kufizimeve të vendosura si rrjedhim i pandemisë Covid-19 nga autoritet qeveritare dhe shëndetësore të dy vendeve, ashtu si edhe pothuaj ndodhë në mbarë botën. Ente të ndryshme fetare në botën shqiptare po e festojnë me nderime dhe respekt këtë ditë, kushtuar bijës së madhe të Kombit shqiptare dhe nenës së botës, Nënë Terezës, në mënyrën e vet dhe si është më mirë, nën këto rrethana.  Institucionet fetare anë e mbanë trojeve shqitare si edhe individë të ndryshëm po e kujtojnë këtë ditë në mënyrat e veta dhe sipas mundësive, — bazuar edhe në njërën prej shprehjeve të Nenë Terezës e cila ka thenë se: “Ne s’mund të bëjmë gjera të mëdha, por vetëm gjëra të vogëla me dashuri të madhe”.

Më tërhoqi vëmendjen sot vepra e një individi të vetëm në Shkodër, i cili vetëm me nismën e tij personale, ka zgjedhur një mënyrë unike për të nderuar dhe për të kujtuar Nënë Terezën, jo vetëm sot në Ditën kushtuar Shënjtës Nenë Tereze, por çdo ditë. Emri i tij është Leopold Shkreli, të cilin, sipas disa burimeve mediatike, asgjë nuk e pengon që përditë të çojë lule tek shtatorja e Nenë Terezës në Shkodër.

Sipas disa mediave vendore dhe kombëtare, përfshir portalin Shkodraweb”, shkodrani i moshuar, Leopold Shkreli shkon çdo ditë pranë shtatores së “Nënë Terezës” në qendër të qytetit të Shkodrës. Aty ai vendosë lule me qëllim që të mbajë gjallë thirrjen e Nënë Terezës për të dhuruar më shumë dashuri dhe përkujdesje ndaj të varfërve, që ishte misioni i Nenë Terezës dhe Urdhërit të Motërave të saj të përhapura anë e mbanë botës. 

Kjo mund të mos duket si ndonjë vepër e madhe e këtij shqiptari të dalluar e fsinik shkodran, por siç duket Leopold Shkreli e bënë këtë gjest me përkushtim dhe dashuri të madhe që ai ka për Nenë Terezën.  Në një video të publikuar nga Dioqeza Rreshen në facebook shihet qartë pelegrinazhi i përditëshëm  dhe i pa përtesë i Leopold Shkrelit, para shtatores së Nenë Terezës në Shkodër, për të vendosur lule të freskëta aty çdo ditë, duke tërhequr vëmendje dhe admirimin e shumë qytetarëve të Shkodrës dhe më gjërë.

      Personazhi i javës, Leopold Shkreli

Leopold Shkreli nuk besoj se e bën këtë as për ndonjë reklamë as për të tërhjeque vëmendjen ndaj këtij akti humanitar dhe nderimi ndaj bijës shqiptare të njohur anë e mbanë botës, por megjithëkëtë, është e pamundur që ky akt i tij, që nga disa mund të konsiderohet si i vogël, por ama tregon një dashuri të madhe personale të tijën për bijën e Kombit Shqiptar dhe është një akt prekës dhe një frymëzim për të gjithë ne.

Po kush është Leopold Shkreli, i cili ka zgjedhur këtë mënyrë unike për të nderuar dhe respektuar Nenë Terezën, për çdo ditë duke vendosur lule të freskëta para shtatores së saj në Shkodër.  Fatkeqësisht, unë jetoj në Amerikë dhe nuk e njoh Leopoldin, ndërkohë që të dhënat për të në internet janë të paka.  Por, unë kam pasur nderin të njihja vëllain e tij, Dr. Lin Shkrelin i cili ka jetuar në Romë, ashtu si shumë të tjerë të brezit të tij, të përndjekur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ashtu siç ishte edhe vet Leopold Shkreli. Sipas disa të dhënave, Leopoldi, i mitur në atë kohë, u arrestua së bashku me vëllezërit e tij në Shqipëri, pasi një “mik” i familjes u kishte ofruar që të arratiseshin nga vendi, por në vend të arratisjes, ata përfunduan në burgjet e Enver Hoxhës.  Për më tepër, atyre nuk u ndihmonte fakti se vëllai i tyre në Itali Dr. Lin Shkreli, njihej në komunitet si aktivist i Bllokut Kombëtar Indipendent, në përpjekjet e atëhershme për të bashkuar elementët antikomunist shqiptarë, me qëllim rrëximin e regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri.  Nenë Tereza ka thenë se, “Disa njerëz vijnë në jetë si bekim. Disa të tjerë vijnë si mësim.”. Leopold Shkreli është, njëkohësisht, një bekim por edhe një mësim për të gjithë ne”, sidomos në këtë ditë kushtuar nenë Terezës.

           Tonin Koka, autori dhe Dr. Lin Shkreli, djathas (i vëllai i Leopold Shkrelit)

(Foto e marrë në Romë, Shtator,1984 tek dera e Pallatit në të cilin thuhet se qendronte Gjergj Kastrioti Skenderbe kur vizitonte Papët e Romës – sot hotel modern “Scanderbeg Pallazo” në kryeqytetin italian)

Më poshtë dy kontraste — kundërshtim dhe kontradiktë — se si një shqiptar, nga dita në ditë, tregon nderimin dhe respektin e tij ndaj një figure të madhe të Kombit Shqiptar, siç është Nenë Tereza, të cilën e njeh dhe e respekton mbarë bota (foto e majtë e shtatores në Shkodër për të cilën kujdeset një individ, Leopold Shkreli) dhe indiferentizmi i shtetit shqiptar ndaj të njëjtës figurë kombëtare dhe fetare, (shtatorja e Nenë Terezës, e “dëbuar” sa më larg nga Tirana, vendosur në Qafë Thanë)

    ..

Filed Under: Analiza Tagged With: Dita e Nene Terezes, dy kontraste, Frank shkreli

ELLADA

September 3, 2020 by dgreca

Astrit Lulushi

Nga Astrit Lulushi-
Pse emri Greqi ndryshon kaq shumë nga emri Hellas?Banorët e autoktonë greqishtfolës të Greqisë zakonisht e quajnë atë Ellada, që rrjedh nga lashtësia; Greqi vjen nga emri latin Graecia, i përdorur fillimisht për t’iu referuar banorëve grekë të Italisë së Jugut, i cili, nga ana tjetër, vjen nga emri antik Graikoí, që Aristoteli thotë se ishte fillimisht emri ilir për banorët e rajonit të Epirit.Graecian ishte një nga fiset Boeotiane që themeloi koloni në Italinë e JugutNdërsa Romakët hynë në kontakt me Grekë të tjerë jashtë të Italisë, ata aplikuan emrin Graeci edhe për ta. Për pjesën më të madhe të historisë mesjetare dhe të hershme moderne, latinishtja ishte lingua franca e Evropës dhe emri Greqi filloi të përdorej për të identifikuar Helladën (një ndërthurrje e emrave Pellazgian – Illyrian).

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Ellada

Përse nuk bën përpara Shqipëria

September 2, 2020 by dgreca

Nga Ilir Levonja- Për të kuptuar se përse nuk bën përpara vendi ynë, mjaft të bëjmë një krahasim të thjeshtë, mes Edi Ramës dhe Angela Merkelin. Plot dy vjet më parë Angela Merkel dha dorëheqjen nga kreu i CDU, pra partisë. E mori në vitin 2000 dhe e dorëzoi në vitin 2018. Edhe pse fitoi zgjedhjet e përgjithshme, ndofta më të vështirat, prapë në konventën e partisë deklaroi se largohej nga posti i kryetares dhe për rrjedhoj nuk do kandidonte më. Megjithatë do përfundonte mandatin në detyrë si kancelare a kryemistre e Gjermanisë, gjë që po e bën.

A kishte arsye të largohej? Ndofta asnjë. Politikisht u bë liderja de fakto e Europës. Sheshoi balancat tradicionale pozitë opozitë duke qeverisur me kundërshtarin vetëm për të mirën e vendit. Cilësohej si gruaja e hekurt. Vajza e Hamburgut lindor, aktivistja e unifikimit kombëtar konsolidoi ekonominë, jo rastësisht krizat europiane e botërore nuk iu afruan fare Gjermanisë. Mbajti peshën kryesore në krizat e lindjes së mesme karshi emigrantëve a të ikurve për shkak të luftrave civile. Sot shteti i saj është dominant në vendimmarrjet e Këshillit Europian. Përse duhej të largohej atëhere ajo nga drejtimi i partisë? Thjesht se e tillë është demokracia.

Tani merrni shefin tuaj. Jo më larg por dje nga Elbasani deklaroi se nuk ka ndërmend ta lëshoj postin e partisë. Ndau zonat duke ndërruar vendet dhe jo njerëzit. Megjithëse fryma demokratike kërkon që forumet janë ato që vendosin dhe kjo ndodh në bazë të shifrave, apo rezultave që ke arritur. Politikisht për 8 vjetë përçau dhe zbrazi vendin, 40% e shqiptarëve janë emigrantë. Zhvilloi politikën më konfliktuale deri në mbajtje zgjedhjesh lokale pa opozitën. Nuk i çeli negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës. Nuk e përfundoi reformën në drejtësi. Ka 8 vjet në pushtet dhe vendi kap rreth 80% borxh publik, karshi 62% nga qeverisja e parë n 2013. Sot sipas atyre pak kërkimeve ekonomike në raport me qytetarin dhe të ardhurat, nga një investik i TopStory-it rezulton se, qytetarit shqiptar me të ardhurat e deklaruara i duhet 70 vjet të laj një kredi bankare, nëse blen një apartament. Praktika botërore qoftë edhe në vendet e dyta është 30 vjet. Bëjeni vet dallimin. Por le të vazhdojmë me ”gjeniun” e shqiptarëve që kërkon mandat kryetari e kryeministri, e kërkon se ka mendimin se i takon. Ndryshoi Kushtetutën e vendit pa konsensus politik, pa opozitën, vetëm e vetëm të manipulojë qoftë socialistët në rast të një humbje drastike, por edhe qytetarët duke përgatitur terrenin e kulturës vrastare të mos njohjes së rezultatit. Nëse Angela Merkel kontribuoi në unifikimin kombëtar, ky e largoi Shqipërinë dhe Kosovën. Sikur Shqipëria të kishte Angelën, sot Morini nuk do ekzistonte. Vendi do ishte me kohë në Europë. Dhe deputet do zgjidhej ai që kishte djersitur në shkollë dhe jo ai që blen diploma.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, nuk ben para, perse, Shqipëria

Kosovës i duhet ndihma gjermane për të përmbushur potencialin e BE-së

September 2, 2020 by dgreca

Nga: ALUSH GASHI & DAVID PHILIPS/

Gjermania ka siguruar mbështetje të madhe  dhe vendimtare për stabilitetin dhe shtetndërtimin e Kosovës në dekadat e fundit.

Por në rolin e saj aktual si kryesuese e Këshillit të Bashkimit Evropian, Gjermania mund të luajë një rol edhe më përmbajtësor duke u përqendruar në dialogun Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve.

Një marrëveshje për njohjen e ndërsjellë do të fuqizonte pavarësinë e Kosovës brenda kufijve të saj aktual dhe do t’i jepte fund konfliktit të fundit të dhunshëm që ndodhi në Evropë në shekullin e 20-të.

Një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës do të stimulohej me vendimin e BEsë për të aprovuar liberalizimin e vizave për mbajtësit e pasaportave të Kosovës.

Udhëtimi pa viza do të sinjalizonte që Kosova është e mirëpritur në familjen Evropiane.

Bashkëpunimi Gjermani-Kosovë përfshin dekada.

Gjermania mirëpriti shqiptarët e Kosovës dhe të tjerët që u larguan nga Jugosllavia në vitet 1990.

Kur Serbia e intensifikoi shtypjen e saj në Kosovë, autoritetet federale Gjermane me zemërgjerësi ofruan strehë për viktimat e konfliktit të dhunshëm.

Pas ndërhyrjes së Natos, në të cilën Gjermania morri pjesë, Gjermania ishte gjithashtu ofruesi kryesor i ndihmës humanitare.

Ajo mbështeti përpjekjet e rindërtimit të agjencive të Kombeve të Bashkuara (KB) gjatë kalimit të Kosovës nga ndihma shpëtimtare drejtë zhvillimit.

Për ta përgatitur Kosovën për vetëqeverisje, Gjermania punoi përmes Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për të ndihmuar në zhvillimin e institucioneve demokratike të Kosovës. Gjermania mbështeti misionin e sundimit të ligjit të BE (EULEX), duke siguruar gjykatës, prokurorë dhe ekspertë civilë.

Marrëveshjet për të drejtat e minoriteteve të Kosovës, të cilat përfaqësonin standardin e artë në pluralizëm dhe gjithëpërfshirje, i hapën rrugën shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, të cilën Gjermania e mbështeti.

Gjermania mbetet një mbështetëse e vendosur e integrimit të Kosovës në strukturat Euro-Atlantike.

Zyrtarët e Kosovës dhe anëtarët e qeverisë federale Gjermane punojnë ngushtë së bashku.

Anëtarët e Bundestagut gjerman janë angazhuar në Kosovë përmes kontakteve bilaterale, si dhe përmes Këshillit të Evropës dhe organeve të ndryshme parlamentare.

Idea për të ndarë Kosovën, e cila u ngrit gjatë negociatave të fundit, u kundërshtua ashpër nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e tjera.

Shqiptarët e Kosovës ndjehen borxhli ndaj kancelares gjermane Angela Merkel për ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit të Kosovës

Paratë gjermane

Bashkëpunimi ekonomik në mes të dy vendeve ka qenë poashtu prezent.

Gjermania është një nga donatorët më të mëdhenj bilateral në Kosovë, duke siguruar më shumë se €600 milion për ndihmë dhe asistencë humanitare që nga viti 1999.

Vitet e fundit, Gjermania është shfaqur si një nga partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës.

Shtrirja e tanishme e bashkëpunimit për zhvillim përfshinë administratën publike, energjinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Pandemia e koronavirusit ka rifokusuar ndihmën e Gjermanisë për sektorin e shëndetit publik të Kosovës.

Por, edhe më shumë mund të bëhet për të ndërtuar në këtë bashkëpunim të gjerë dhe të evidentuar.

Përmes Procesit të Berlinit, i filluar në vitin 2014 për të mbështetur zgjerimin e ardhshëm të BE-së, Gjermania dhe partnerët e BE-së mund të zgjerojnë ndihmën për institucionet demokratike të Kosovës dhe zhvillimin ekonomik.

Ato mund të shërbejnë si një platformë për të luftuar korrupsionin, gjë e cila është thelbësore për prosperitetin dhe demokratizimin.

Trupat gjermane shërbyen si partner sigurie duke marrë pjesë në Forcën e Kosovës (KFOR), kur ushtarët Serbë u tërhoqën nga Kosova.

Gjermania mbështeti Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB, e cili e vendosi Kosovën në rrugën e pavarësisë.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është themeluar në vitin 2009 dhe Gjermania mund të ndihmojë FSK-në të zhvillojë kapacitetet e saj, duke rritur pjesëmarrjen e saj në Programin e Partneritetit për Paqe të Nato dhe duke përgatitur Kosovën për anëtarësim në Nato.

Megjithëatë, qytetarët e Kosovës i kushtojnë rëndësi të madhe liberalizimit të vizave dhe i kërkojnë mbështetje Gjermanisë.


Megjithëse Kosova i plotëson të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, mbështetja politike është e nevojshme që poseduesit e pasaportave të Kosovës të mund të udhëtojnë lirshëm nëpër Evropë.

Të gjitha vendet e BE-së kanë gjetur tashmë mënyra për të njohur pasaportën e Kosovës, përveç Spanjës, një nga pesë vendet anëtare që nuk e njohin pavarësinë e saj, së bashku me Qipron, Greqinë, Rumaninë dhe Sllovakinë. Gjermania duhet të bëjë presion ndaj pesë mosnjohësve për të hedhur poshtë kundërshtimet e tyre.

Njohja e tyre gjithashtu do ta shtyjë dialogun e lehtësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës, i udhëhequr nga i dërguari i posaçëm i BE Miroslav Lajëák dhe shefi i punëve të jashtme Josep Borrell. Në veçanti, Lajëák ka lidhje të ngushta me Gjermaninë.

Katalizatori

Edhe pse një marrëveshje e ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve do të katalizonte njohjen, njohja nuk varet nga një marrëveshje e tillë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë ka mbështetur ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë së Kosovës, duke gjetur se ajo ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Nëse Spanja shqetësohet se njohja e Kosovës vendos një precedent për pavarësi në rajonin spanjoll të Katalonjës apo më gjerë, GJND ishte e qartë se deklarata e Kosovës ishte “sui generis”, që do të thotë ” e veçantë në vetvete” dhe “unike”. Çështja e Kosovës nuk përcakton një precedent, as nuk është e kthyeshme. Ndërkohë, Kosova dhe BE nënshkruan një Marrëveshje të Stabilizim Asociimit (MSA) më 27 tetor 2015. MSA siguron një kornizë gjithëpërfshirëse për dialogun ndërmjet Kosovës dhe BE-së për lidhjet politike dhe përafrimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Pasi marrëveshja të implementohet plotësisht, Kosova do të hyjë në bisedimet e pranimit që dërgojnë në anëtarësimin përfundimtar në BE.

Si kryesuse e Këshillit të BE-së deri në Dhjetor 2020, Gjermania është e vendosur në pozitë të mirë për të ndihmuar në intensifikimin e ndërmjetësimit të dialogut, inkurajimin e shteteve mos-njohëse të pavarësisë, dhënien e liberalizimit të vizave dhe mbështetjen e zbatimit të MSA-së.

Kosova zotohet të bëjë pjesën e saj.

Sidoqoftë, ajo ka nevojë për ndihmë nga Gjermania, SH.B.A. dhe qeveritë e tjera miqësore për të realizuar potencialin e saj si anëtar i komunitetit Euro-Atlantik

*Alush Gashi është këshilltar politik dhe për punë të jashtme për kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti. Ai më parë shërbeu si ministër i shëndetësisë dhe anëtar i parlamentit. David Phillips është drejtor i Programit për të Drejtat e Njeriut dhe Ndërtimin e Paqes në Universitetin Columbia në New York. Ai ishte gjithashtu këshilltar senior në departamentin e shtetit të SH.B.A.-së, duke punuar ngushtë me ambasadorin amerikan Richard C. Holbrooke. Phillips është autori i librit, të quajtur: Clirimi i Kosovës: Diplomacia shtrënguese dhe ndërhyrja e SHBA.

Filed Under: Analiza Tagged With: Alush Gashi, David L Phillips, kosova, ndihma Gjermane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 336
  • 337
  • 338
  • 339
  • 340
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Inteligjenca Artificiale, Manipulimi i Realitetit dhe Kapja Digjitale e Shtetit Shqiptar
  • GJEOGRAFIA IMAGJINARE DHE PERANDORIA LETRARE NË PROZËN E ISMAIL KADARESË
  • KONGRESI I LUSHNJES NË EMISIONIN E  PULLAVE : “100 VJET PARLAMENTALIZËM SHQIPTAR”
  • Mbështetja Shqiptare për Hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • DITA NDËRKOMBËTARE E HOLOKAUSTIT DHE KRIMET E REGJIMIT KOMUNIST TË ENVER HOXHËS
  • Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)
  • Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026
  • Arritje e rëndësishme në studimet albanologjike: Shefkije Islamaj “Ligjërimi, gjuha, stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”
  • Grupet shoqërore me civilizim të vonuar…
  • Marin Barleti, personaliteti më i shquar i humanizmit shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit të humanizmit evropian
  • Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë
  • Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit
  • Laver Bariu, ustain i madh i sazeve të Përmetit, madhështia e një shpirti të bukur që ka mbetur i gjallë në muzikën e tij
  • LAVDI KËTYRE BURRAVE QË LARTËSUAN KOMBIN TONË
  • Një ishull, një gabim: Investimet e huaja janë të mirëpritura—por jo me çdo çmim

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT