• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova mes krizës politike dhe sfidës së pjekurisë demokratike

March 7, 2026 by s p

Kriza parlamentare dhe zgjedhja e presidentit po testojnë kulturën e kompromisit politik dhe stabilitetin institucional të Kosovës.

By Cafo Boga

Kriza e fundit parlamentare në Kosovë është më shumë se një episod politik — ajo është një provë serioze për pjekurinë institucionale dhe kulturën e kompromisit në një shtet ende në proces konsolidimi demokratik. Pas gati dy dekadash shtetësi dhe përpjekjesh për ndërtimin e institucioneve funksionale, zhvillimet e fundit tregojnë se sistemi politik mbetet i ndjeshëm ndaj polarizimit partiak dhe bllokimeve parlamentare.

Pas një procesi të zgjatur negociatash, Kryeministri Albin Kurti arriti të formojë qeverinë, duke rikthyer funksionimin e institucioneve dhe duke krijuar përshtypjen se vendi po hynte në një fazë stabiliteti politik. Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se ky normalitet mund të ketë qenë i përkohshëm.

Kriza u thellua pas bojkotimit të seancave parlamentare nga opozita, çka çoi në mungesë kuorumi dhe paralizim të procesit institucional. Në këtë kontekst, Kryetarja e Kuvendit iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për interpretim ligjor, ndërsa Presidentja Vjosa Osmani ngriti mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme nëse bllokada politike vazhdon.

Dështimi për të arritur konsensus për çështje kyçe institucionale ka ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin e sistemit politik. Ndërkohë që janë përmendur disa kandidatura për postet më të larta shtetërore, emri i Vjosa Osmanit vazhdon të konsiderohet gjerësisht si një nga opsionet më të pranueshme. Megjithatë, procesi politik është shndërruar shpesh në një seri kalkulimesh dhe negociatash partiake që e bëjnë më të vështirë arritjen e kompromisit institucional.

Në Evropë, mënyra e zgjedhjes së presidentit në sistemet parlamentare ndahet kryesisht në dy modele: disa vende e zgjedhin presidentin me votë të drejtpërdrejtë popullore, ndërsa të tjera përmes parlamentit ose një asambleje zgjedhore. Zgjedhja parlamentare përdoret zakonisht kur presidenca ka rol kryesisht ceremonial dhe synon të pasqyrojë balancën politike brenda legjislativit. Ndërsa zgjedhja e drejtpërdrejtë nga populli preferohet kur posti i presidentit pritet të ketë legjitimitet më të fortë demokratik dhe të veprojë si një arbitër i pavarur kushtetues.

Në Kosovë, presidenti zgjidhet nga Kuvendi — një model i vendosur në rrethanat e ndërtimit të institucioneve pas luftës dhe gjatë periudhës së mbikëqyrjes ndërkombëtare, kur prioritet ishte stabiliteti institucional dhe balanca ndërmjet pushteteve. Megjithatë, përvoja e viteve të fundit ka treguar se ky mekanizëm shpesh është bërë pjesë e kalkulimeve dhe bllokimeve partiake.

Për këtë arsye, një model alternativ që meriton të diskutohet është zgjedhja e presidentit drejtpërdrejt nga populli, duke i dhënë këtij institucioni një mandat më të pavarur nga interesat partiake dhe një legjitimitet më të fortë për të vepruar si garant i Kushtetutës dhe i funksionimit të rregullt të institucioneve. Shembuj të tillë ekzistojnë në vende evropiane me sistem parlamentar si Austria dhe Portugalia, ku presidenti zgjidhet nga qytetarët dhe ushtron rolin e arbitrit institucional. Natyrisht, një reformë e tillë do të kërkonte debat të gjerë politik dhe ndryshime kushtetuese.

Megjithatë, në thelb kriza aktuale nuk buron nga mekanizmat kushtetues, por nga mungesa e vullnetit politik për kompromis. Kushtetuta e Kosovës kërkon një president që gëzon mbështetje më të gjerë politike — një figurë që është produkt i kompromisit institucional dhe jo vetëm i shumicës momentale. Edhe zgjedhjet e reja nuk e ndryshojnë automatikisht këtë realitet, pasi parlamenti që do të dalë prej tyre do t’i nënshtrohet të njëjtës formulë kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

Përvoja të ngjashme ekzistojnë edhe në rajon. Kushtetuta e Shqipërisë e vitit 1998 parashikonte një formulë të ngjashme për zgjedhjen e presidentit në parlament, pikërisht për të nxitur kulturën e kompromisit politik në një sistem demokratik ende në konsolidim.

Kjo situatë nxjerr në pah një realitet të njohur të politikës kosovare: mungesën e një kulture kompromisi që do të mundësonte funksionimin normal të institucioneve. Për një shtet relativisht të ri, që ende është në proces konsolidimi institucional dhe ndërkombëtar, përsëritja e krizave politike dhe cikli i zgjedhjeve të shpeshta rrezikon të dobësojë besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në stabilitetin e sistemit demokratik.

Në të njëjtën kohë, zhvillimet në fushën e sigurisë rajonale tregojnë se Ballkani mbetet një hapësirë ku çdo zhvillim politik interpretohet me kujdes nga aktorët përreth. Bashkëpunimi në rritje ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e sigurisë shihet në Prishtinë si një hap drejt forcimit të stabilitetit rajonal, ndërsa reagime kritike nga Beogradi tregojnë se çështjet e sigurisë mbeten të ndjeshme në rajon.

Një tjetër zhvillim me peshë politike dhe emocionale për shoqërinë kosovare mbetet procesi gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi. Vendimet e kësaj gjykate do të kenë ndikim jo vetëm juridik, por edhe në mënyrën se si do të interpretohet dhe kujtohet lufta e Kosovës në narrativën historike dhe politike të vendit.

Në këtë kontekst, roli i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet vendimtar për stabilitetin politik të Kosovës. BE vazhdon të jetë ndërmjetësi kryesor në dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa SHBA mbetet garantuesi më i rëndësishëm i sigurisë dhe mbështetësi strategjik i shtetësisë së Kosovës. Megjithatë, partnerët ndërkombëtarë presin gjithnjë e më shumë përgjegjësi dhe maturi politike nga vetë lidershipi kosovar.

Në këtë situatë delikate, aktorët politikë në Kosovë duhet të shmangin logjikën e konfrontimit të përhershëm dhe të rikthehen tek parimi themelor i demokracisë parlamentare: dialogu dhe kompromisi institucional. Stabiliteti i brendshëm politik është po aq i rëndësishëm sa edhe mbështetja ndërkombëtare.

Ky është momenti kur politika në Kosovë duhet të dëshmojë se është e aftë jo vetëm ta administrojë shtetin, por edhe ta ndërtojë dhe ta forcojë atë për brezat që vijnë.

Filed Under: Analiza

Kush do ta zgjedhë liderin e Iranit?

March 7, 2026 by s p

Rafael Floqi/

Nga lufta ushtarake te beteja për të ardhmen politike të Iranit

Në diplomacinë ndërkombëtare ekziston një rregull i pashkruar: fuqitë e mëdha shpesh bëjnë shumë gjëra në heshtje, por rrallë i thonë ato hapur. Donald Trump nuk i përket kësaj tradite. Kur ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë rol në përzgjedhjen e liderit të ardhshëm të Iranit pas vrasjes së Ajatollah Ali Khameneit, reagimet nuk vonuan. Diplomatët u tronditën, kritikët e quajtën ndërhyrje në sovranitetin e një shteti, ndërsa mbështetësit e interpretuan si një deklaratë të sinqertë për realitetin e politikës së fuqive të mëdha.

Por përtej polemikave diplomatike, deklarata e Trumpit ngriti një pyetje thelbësore: nëse Amerika dhe aleatët e saj po përballen me një regjim që për dekada ka kërcënuar rajonin dhe interesat e tyre strategjike, a duhet të qëndrojnë duarkryq kur vendoset se kush do ta drejtojë atë vend?

Në këtë kuptim, deklarata e tij nuk ishte vetëm provokim politik. Ajo ishte një sinjal se konflikti aktual mund të jetë shumë më tepër sesa një operacion ushtarak kundër raketave dhe infrastrukturës ushtarake iraniane. Ai mund të jetë një betejë për drejtimin që do të marrë Irani në vitet që vijnë.

Vakumi i pushtetit pas vdekjes së Khameneit

Vrasja e Ajatollah Ali Khameneit më 28 shkurt 2026 përbën një nga momentet më dramatike në historinë moderne të Lindjes së Mesme. Për më shumë se tre dekada ai kishte qenë figura qendrore e sistemit politik iranian dhe autoriteti përfundimtar mbi ushtrinë, politikën e jashtme dhe institucionet kryesore të shtetit.

Eliminimi i tij nuk ishte vetëm një goditje ushtarake. Ishte një goditje politike që tronditi vetë strukturën e pushtetit të Republikës Islamike.

Sipas kushtetutës iraniane, lideri suprem zgjidhet nga Asambleja e Ekspertëve, një organ i përbërë nga klerikë të lartë. Në teori procesi është i qartë. Në praktikë, ai zhvillohet në një terren shumë më të ndërlikuar, ku përplasen interesat e elitës fetare, Gardës Revolucionare dhe fraksioneve politike të regjimit.

Në këtë kontekst, një nga kandidatët më të përfolur është Mojtaba Khamenei, djali i liderit të vrarë. Ai shihet nga disa qarqe si figura që mund të garantojë vazhdimësinë e sistemit. Por pikërisht këtë mundësi Donald Trump e refuzoi publikisht, duke e quajtur atë “të papranueshëm” dhe një figurë “të dobët”.

Një deklaratë që ndryshon debatin

Kur një president amerikan deklaron se dëshiron të ketë rol në përzgjedhjen e liderit të një vendi tjetër, kjo ndryshon menjëherë natyrën e debatit strategjik.

Trump argumentoi se lideri i ardhshëm i Iranit duhet të jetë një figurë që sjell harmoni dhe paqe dhe që nuk përbën kërcënim për SHBA dhe aleatët e saj.

Në një intervistë ai deklaroi: “Unë duhet të jem i përfshirë në përzgjedhjen e liderit të ardhshëm.”

Ai madje e krahasoi situatën me Venezuelën, duke përmendur rastin e Delcy Rodríguez, e cila mori pushtetin pasi një operacion ushtarak amerikan çoi në arrestimin e presidentit Nicolás Maduro dhe transferimin e tij në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuza federale për trafik droge.

Krahasimi është domethënës. Ai sugjeron një model strategjik ku ndërhyrjet ushtarake mund të krijojnë kushtet për ndryshime politike në krye të regjimeve që konsiderohen armiqësore.

A po shndërrohet lufta në projekt politik?

Zyrtarisht, Pentagoni deklaron se operacionet ushtarake kundër Iranit synojnë vetëm dobësimin e kapaciteteve ushtarake dhe neutralizimin e kërcënimeve të tij. Megjithatë, deklaratat politike nga Shtëpia e Bardhë sugjerojnë një ambicie më të gjerë.

Nëse lideri i ri iranian do të vazhdojë të mbështesë milicitë rajonale dhe programin raketor, atëherë konflikti me Perëndimin mund të vazhdojë për dekada. Nga kjo perspektivë lind pyetja që Trump e ngriti në mënyrë të drejtpërdrejtë: a ka kuptim të fitosh një luftë ushtarake nëse në fund gjithçka mbetet njësoj në Teheran?

Historia ofron shembuj të ngjashëm. Nga Irani i vitit 1953 deri te Iraku i vitit 2003, ndërhyrjet për ndryshim regjimi kanë prodhuar rezultate që shpesh kanë dalë jashtë kontrollit të strategëve që i nisën ato.

Reagimi i Teheranit

Irani ka reaguar me tone të ashpra ndaj zhvillimeve të fundit. Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi akuzoi SHBA-në për një “krim në det” pasi një fregatë iraniane u fundos nga marina amerikane në Oqeanin Indian, duke shkaktuar dhjetëra viktima. “Shënoni fjalët e mia: SHBA do ta pendohen hidhur për precedentin që kanë krijuar,” deklaroi ai.

Ndërkohë, një klerik i lartë iranian bëri një thirrje të rrallë për dhunë në televizionin shtetëror, duke kërkuar derdhjen e gjakut të izraelitëve dhe të Donald Trumpit.

Deklarata të tilla tregojnë se konflikti ka hyrë në një fazë shumë më të rrezikshme.

Mjegulla strategjike

Paradoksi i konfliktit aktual është se objektivat e tij mbeten të paqarta. Pentagoni flet për neutralizimin e kërcënimeve ushtarake, ndërsa deklaratat politike sugjerojnë ndikim në strukturën e pushtetit iranian.

Kjo krijon një mjegull strategjike që shpesh karakterizon luftërat moderne. Kur qëllimi nuk është i qartë, çdo zhvillim i ri mund të justifikojë një hap tjetër drejt përshkallëzimit. Në rastin e Iranit, rreziku është edhe më i madh, sepse vendi ndodhet në qendër të rivaliteteve mes fuqive të mëdha si Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina.

Beteja për të ardhmen e Iranit

Në thelb, ajo që po ndodh është një betejë për të ardhmen e Iranit. Nga njëra anë janë strukturat e regjimit aktual, veçanërisht Garda Revolucionare. Nga ana tjetër janë segmentet e shoqërisë iraniane që kërkojnë një hapje më të madhe ndaj botës.

Por ekziston edhe një faktor i tretë: ndikimi i fuqive të jashtme. Nëse zgjedhja e liderit të ri perceptohet si e diktuar nga jashtë, kjo mund të prodhojë një reagim të fortë nacionalist. Historia tregon se popujt shpesh bashkohen rreth qeverive të tyre kur ndihen të kërcënuar nga ndërhyrje të huaja.

Një pyetje që mund të përcaktojë dekadën

Konflikti aktual nuk është vetëm një luftë për raketa apo për programin bërthamor iranian. Ai është një betejë për të ardhmen politike të një prej vendeve më të rëndësishme të Lindjes së Mesme.

Dhe në qendër të kësaj beteje qëndron një pyetje e vetme: a do ta zgjedhin iranianët vetë liderin e tyre, apo do të përpiqen fuqitë e mëdha ta formësojnë atë nga jashtë? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje mund të përcaktojë jo vetëm fatin e Iranit, por edhe drejtimin e politikës ndërkombëtare në vitet që vijnë. Sepse historia ka treguar shpesh se luftërat që fillojnë me qëllime të paqarta përfundojnë duke ndryshuar shumë më tepër sesa kishin menduar ata që i nisën.

Filed Under: Analiza

Familja Qiriazi, Shtylla Historike e Arsimit Shqiptar dhe e Formësimit të Identitetit Kombëtar

March 7, 2026 by s p

Prof. Dr. Skender Asani/

Me rastin e 7 Marsi, Dita e Mësuesit, kujtesa historike e kombit shqiptar rikthehet drejt një prej kapitujve më të ndritur të historisë sonë arsimore dhe kulturore, aty ku rrënjët e shkollës shqipe ndërthuren me idealin e madh të Rilindjes Kombëtare dhe me sakrificën e atyre që e panë dijen si armën më të fuqishme të mbijetesës dhe të afirmimit kombëtar. Në këtë panoramë të gjerë historike, familja Qiriazi qëndron si një gur themeli i patundur, si një institucion i gjallë i kulturës dhe mendimit shqiptar, që me përkushtim dhe vizion kontribuoi në ndërtimin e themeleve të arsimit modern dhe në konsolidimin e ndërgjegjes kombëtare. Në një epokë kur gjuha shqipe përballej me ndalime dhe kur identiteti shqiptar rrezikohej nga presionet asimiluese të kohës, veprimtaria e Gjerasim Qiriazi, Sevasti Qiriazi dhe Parashqevi Qiriazi mori dimensionin e një misioni historik, ku arsimi nuk ishte vetëm një proces pedagogjik, por një akt i ndërgjegjshëm për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe shpirtit të kombit shqiptar.

Në këtë kuptim, familja Qiriazi duhet parë jo vetëm si një familje e shquar arsimtarësh dhe intelektualësh, por si një qendër e rëndësishme e mendimit iluminist shqiptar që veproi në zemër të një prej qyteteve më të rëndësishme të kulturës shqiptare të kohës: Manastir. Ky qytet, i cili në fillimshekullin XX ishte një nga vatrat kryesore të lëvizjes kombëtare shqiptare, u bë vendi ku u ndërthurën përpjekjet për arsimin, për gjuhën dhe për identitetin kulturor të shqiptarëve. Pikërisht në këtë klimë të gjallë intelektuale dhe patriotike, familja Qiriazi kontribuoi jo vetëm në hapjen e shkollave shqipe dhe në përhapjen e dijes në gjuhën amtare, por edhe në krijimin e një infrastrukture kulturore që përgatiti terrenin për një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare: Kongresi i Manastirit i vitit 1908, i njohur edhe si Kongresi i Alfabetit.

Në mënyrë simbolike dhe historike, mund të thuhet se familja Qiriazi përfaqësonte një nga shtyllat mbi të cilat u ngrit vetë ideja e këtij kongresi. Përpjekjet e tyre për përhapjen e shkrimit dhe të arsimit shqip, për botimin e teksteve dhe për kultivimin e një vetëdijeje gjuhësore ndër shqiptarë, krijuan bazën intelektuale dhe kulturore që e bëri të mundur mbledhjen e intelektualëve shqiptarë në Manastir për të unifikuar alfabetin e gjuhës shqipe. Në këtë kuptim, Kongresi i Manastirit nuk ishte vetëm një akt teknik i standardizimit të alfabetit, por një moment historik ku u vulos simbolikisht uniteti kulturor i shqiptarëve dhe u hodhën themelet e komunikimit modern kombëtar. Roli i familjes Qiriazi në këtë proces përfaqëson një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e kulturës shqiptare, sepse përmes veprimtarisë së tyre arsimi dhe gjuha u shndërruan në instrumente të fuqishme të identitetit dhe të vetëdijes kombëtare.

Një dimension tjetër i rëndësishëm i kësaj trashëgimie lidhet me figurën e Parashqevi Qiriazi, e cila përfaqëson një nga personalitetet më të shquara të kulturës dhe diplomacisë shqiptare të fillimshekullit XX. Ajo nuk ishte vetëm një edukatore e përkushtuar, por edhe një zë i fuqishëm në mbrojtjen e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare. Pjesëmarrja e saj në Konferenca e Paqes në Paris (1919–1920) përbën një moment të rëndësishëm në historinë e përfaqësimit shqiptar në diplomacinë ndërkombëtare, ku ajo kontribuoi në sensibilizimin e opinionit botëror për të drejtën e shqiptarëve për një shtet të pavarur dhe sovran. Në këtë kontekst historik, mbështetja e dhënë nga Presidenti amerikan Woodrow Wilson për ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë përbën një nga momentet më domethënëse të diplomacisë ndërkombëtare të asaj kohe.

Në dritën e kësaj trashëgimie historike, përkujtimi i 7 Marsit merr një dimension shumë më të thellë simbolik. Ai nuk është vetëm një festë e mësuesve dhe e shkollës, por një moment reflektimi mbi rrugëtimin historik të arsimit shqiptar dhe mbi rolin e tij në ndërtimin e identitetit kombëtar. Familja Qiriazi përfaqëson një model të rrallë ku përkushtimi ndaj dijes, atdhedashuria dhe vizioni historik bashkohen në një mision të vetëm: emancipimin kulturor dhe shpirtëror të kombit shqiptar. Trashëgimia e tyre dëshmon se arsimi, kur mbështetet mbi idealin e lirisë dhe mbi dashurinë për gjuhën dhe kulturën kombëtare, shndërrohet në institucionin më të qëndrueshëm të formimit të një kombi.

Prandaj, në kujtesën historike të shqiptarëve, familja Qiriazi mbetet jo vetëm një simbol i arsimit, por një shtyllë e identitetit kombëtar dhe një dëshmi e gjallë se historia e një populli ndërtohet mbi sakrificën dhe vizionin e atyre që besojnë se dija është drita që ndriçon rrugën e së ardhmes. Në këtë kuptim, 7 Marsi nuk është thjesht një datë kalendarike, por një moment solemn i reflektimit kombëtar, ku përmes kujtimit të Qiriazëve nderohet vetë ideali i arsimit shqip si themeli mbi të cilin u ngrit ndërgjegjja moderne e shqiptarëve dhe u përforcua uniteti kulturor i kombit.

Filed Under: Analiza

RACIZMI NDAJ SHQIPTARËVE NË IDEOLOGJINË NACIONALISTE SERBE

March 6, 2026 by s p

Një vështrim historik në analizat e historianit austriak Oliver Jens Schmitt.

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Historia e Ballkanit është e mbushur me konflikte, rivalitete dhe tragjedi kolektive që kanë lënë gjurmë të thella në marrëdhëniet ndërmjet popujve të rajonit. Një nga këto marrëdhënie më të ndërlikuara është ajo ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, e cila për më shumë se një shekull është karakterizuar nga tensione të vazhdueshme politike dhe historike.

Historiani austriak Oliver Jens Schmitt, një nga studiuesit më të njohur europianë të historisë së Ballkanit, ka analizuar në mënyrë kritike zhvillimin e nacionalizmit serb dhe mënyrën se si shqiptarët janë paraqitur në diskursin politik dhe kulturor serb.

Sipas analizave të tij, në një pjesë të konsiderueshme të ideologjisë nacionaliste serbe është ndërtuar një narrativë që shpesh ka përmbajtur elemente të racizmit politik dhe kulturor ndaj shqiptarëve. Ky diskurs nuk ka mbetur vetëm në nivel teorik; ai ka ndikuar drejtpërdrejt në politika shtetërore dhe në zhvillime historike që kanë prodhuar konflikte të përgjakshme.

Nacionalizmi serb dhe krijimi i stereotipeve anti-shqiptare

Në shekullin XIX, gjatë procesit të formimit të shtetit modern të Serbia, elitat politike dhe intelektuale serbe filluan të ndërtonin një projekt kombëtar që synonte zgjerimin territorial drejt jugut dhe perëndimit të Ballkanit.

Në këtë projekt politik, territori i Kosova konsiderohej si pjesë qendrore e mitologjisë historike serbe. Megjithatë, realiteti demografik i këtij rajoni ishte i ndryshëm, sepse në Kosovë jetonte një shumicë e madhe shqiptare.

Për të justifikuar pretendimet territoriale, propaganda nacionaliste serbe ndërtoi një narrativë që shpesh paraqiste shqiptarët si një popull të huaj ose si një element të padëshiruar në këtë territor.

Në këtë mënyrë u krijua një diskurs politik që shërbente për të legjitimuar projektet e zgjerimit territorial.

Racizmi kulturor dhe propaganda politike

Në analizat historike të Ballkanit, Schmitt thekson se një pjesë e literaturës nacionaliste serbe ka përdorur stereotipe të forta negative ndaj shqiptarëve.

Shqiptarët janë përshkruar shpesh në këto narrativë si:popull i prapambetur,i dhunshëm,dhe i paaftë për organizim shtetëror.

Këto stereotipe nuk ishin vetëm paragjykime kulturore. Ato përfaqësonin një formë të racizmit politik, sepse synonin të justifikonin dominimin e një populli mbi tjetrin dhe të delegjitimonin të drejtat historike të shqiptarëve në Kosovë.

Në historinë europiane, ky model ideologjik është i njohur: përpara se të ndërmerren politika represive ndaj një populli, propaganda e paraqet atë si inferior ose si kërcënim për rendin politik.

Politikat shtetërore ndaj shqiptarëve

Diskursi ideologjik anti-shqiptar nuk mbeti vetëm në nivel propagandistik. Ai ndikoi drejtpërdrejt në politikat shtetërore.

Gjatë periudhës së Mbretëria e Jugosllavisë, shqiptarët në Kosovë u përballën me politika që synonin ndryshimin e strukturës etnike të rajonit.

Këto politika përfshinin:kolonizimin e territoreve shqiptare me popullsi sllave,konfiskimin e tokave,diskriminimin në arsim dhe administratë.

Këto masa krijuan një situatë të tensionuar që vazhdoi për dekada.

Kriza e viteve 1990 dhe politika e Milošmsheviqit

Kriza më e thellë në marrëdhëniet shqiptaro-serbe u shfaq gjatë viteve 1990, kur në pushtet në Serbi erdhi regjimi i Slobodan Milošević.

Në këtë periudhë u ndërmorën masa drastike kundër shqiptarëve në Kosovë:shfuqizimi i autonomisë së Kosovës,përjashtimi i shqiptarëve nga institucionet shtetërore,dhe vendosja e një sistemi represiv policor.

Kjo situatë krijoi një krizë të thellë politike dhe sociale që përfundoi në konfliktin e armatosur.

Lufta e Kosovës dhe ndërhyrja ndërkombëtare

Konflikti i armatosur gjatë Lufta e Kosovës përfaqëson një nga momentet më dramatike në historinë moderne të Ballkanit.

Gjatë kësaj lufte, popullsia civile shqiptare u përball me dëbime masive dhe dhunë sistematike.

Kjo situatë çoi në ndërhyrjen ushtarake të NATO, e cila kishte për qëllim ndalimin e dhunës dhe stabilizimin e rajonit.

Ndërhyrja e NATO-s krijoi kushtet për transformimin politik të Kosovës dhe për rrugën drejt shtetësisë së saj.

Reflektimi historik dhe e ardhmja e rajonit

Historia e marrëdhënieve shqiptaro-serbe tregon se ideologjitë nacionaliste dhe raciste kanë prodhuar pasoja të rënda për popujt e Ballkanit.

Prandaj, një reflektim i sinqertë mbi të kaluarën është i domosdoshëm për ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme.

Në Europën moderne, paqja dhe stabiliteti ndërtohen mbi respektin për të drejtat e popujve dhe mbi pranimin e së vërtetës historike.

Analizat e historianit Oliver Jens Schmitt na kujtojnë se historia nuk është vetëm një rrëfim i së kaluarës, por edhe një mësim për të ardhmen.

Ideologjitë nacionaliste që kanë prodhuar racizëm dhe diskriminim ndaj shqiptarëve duhet të analizohen dhe të refuzohen në mënyrë kritike, në mënyrë që Ballkani të mos përsërisë tragjeditë e së kaluarës.

Vetëm përmes respektit reciprok, drejtësisë historike dhe bashkëjetesës demokratike mund të ndërtohet një e ardhme e qëndrueshme për popujt e këtij rajoni.

Filed Under: Analiza

BRANKO MANOILOVSKI E THA NË ÇIKAGO: JAM SHQIPTAR!

March 4, 2026 by s p

Skender Karaqica/

Qyteti i Çikagos, me frymën e jetës urbane dhe të njerëzve të lirë, me tiparet e demokracisë në shtetin e Ilinoisit, është vendi ku jetojnë, punojnë dhe integrohen shqiptarë nga të gjitha trevat etnike, të mirëpritur nga institucionet e shtetit amerikan. Nëpër vite, në këtë qytet pati shumë veprimtari politike dhe kombëtare në kërkim të lirisë së Kosovës, të ndryshimit të sistemit totalitar komunist në Shqipëri, si dhe për avancimin e barazisë së shqiptarëve në hapësirën etnike të shpërndarë në vendet fqinje ballkanike.

Gjatë këtyre viteve, në Çikago u kultivua një frymë e fortë kombëtare përmes shumë organizatave dhe veprimtarëve, të cilët tashmë kanë hyrë në historinë e diasporës shqiptare në Amerikë, në krah të çështjes shqiptare në Ballkan. Ata punuan për të mbajtur gjallë kujtesën e historisë së dhimbshme të marrëveshjeve të fshehta të regjimeve serbe, përmes krijesës ogurzezë për shqiptarët – Jugosllavisë – të papranuar si shtet i tyre, si dhe përballë skenarëve të shpërnguljeve drejt Anadollit dhe planeve të tjera shfarosëse të kohëve vrastare.

Në shumë ngjarje në Çikago, veprimtarët nuk e ndalën rrugën kombëtare, sepse ata nuk kishin tjetër atdhe veç tokës së shqiptarizmës. Përmes protestave, takimeve me kongresmenë e senatorë, si dhe me përfaqësues të Departamentit të Shtetit në Uashington, në qendër të vëmendjes ishte fati i Kosovës, pozita kushtetuese e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në Preshevë e Medvegjë, në Ulqin, në Çamëri, si dhe synimi për forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri.

Në qarqet kombëtare të shqiptarëve në Çikago kishte dalë fjala se në hapësirën etnike të Rekës së Epërme, në rrethin e Gostivarit, po rilindte si lule shpirti shqiptar, dikur i ndaluar dhe i fshehur përmes “ligjeve të regjimeve” dhe përmes kishës ortodokse nën etiketimin “popull maqedonas”. Kjo odise nisi të shpalosej në Çikago nga veprimtarët e vijës së parë kombëtare: Ilaz Kadriu, Faik Hajro, Azem Begzadi, Xhevat Prespa, Mahmut Skenderi, Qazim Ismaili, Skënder Karaçica, Tefik Avdullahu, Vllaznim Sherifi, Fanol Cami e të tjerë, në takimet e shpeshta me Branko Manoilovskin.

“Thuaje të vërtetën, vëllai ynë shqiptar, Branko Manoilovski nga Reka e Epërme…!”

Në takimet tona me veprimtarët shqiptarë në Çikago, tema me frymë kombëtare ishte atdheu dhe kombi shqiptar, si dhe padrejtësitë historike të regjimeve pushtuese të shekullit të kaluar. Sa herë që vinte nëntori, mërgimtarët shqiptarë shpalosnin historinë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1912), fatin e kombit dhe pjesën më të dhimbshme të pushtimit serb të Kosovës, si dhe plagën e përgjakur të Çamërisë.

Prisnim festën e Flamurit të Pavarësisë së Shqipërisë, tashmë traditë festimi në Çikago, kur në mesin tonë erdhi vëllai ynë Branko Manoilovski nga Reka e Epërme shqiptare në Maqedoninë e Veriut. U zhvillua një bisedë e ngrohtë për historinë shqiptare të Rekës së Epërme, për kohën e regjimeve dhe hijet e harresës, të veshura me petkun fetar të kishës ortodokse, për ta shndërruar një popull shqiptar në një “popull ortodoks” brenda kornizave të një shteti të krijuar si balancë nga boshti serbo-rus dhe trashëgimia e Jugosllavisë.

“Nëna ime nuk dinte dhe nuk fliste maqedonisht”, nisi bisedën Branko Manoilovski me veprimtarët në Çikago.

Kjo fjali na erdhi si dritë dielli; nuk e kishim dëgjuar më parë. Fjala e tij nuk kishte të mbaruar. Koha për ne u bë si ora e historisë, që mbante brenda vetes brengën e viteve të regjimit, në dilemën shekspiriane: “Të jesh apo të mos jesh!”

Dhe ai e tha të vërtetën në Çikago:

“UNË JAM SHQIPTAR!”

U hap perdja, ranë përdhe maskat dhe u thye koha e harresës.

Fjala e Branko Manoilovskit hapi një kapitull, shpalosi një histori, riktheu kujtesën te rrënja shqiptare e Rekës së Epërme. Shpirti i Arbërit (sipas termit të De Radës) po kthehej në tokë, në gjak, në gjuhën shqipe të një populli të ndaluar e të paharruar në historinë e regjimeve me skenarë të fshehtë. Fjala e vëllait Branko na mbushi zemrat dhe na dha forcë për të ecur më tej.

I thamë me zë të lartë: dil në shtyp, fol në radio e televizion, sepse Branko Manoilovski dhe Reka e Epërme janë shqiptare!

Në Çikago u hap perdja, ranë maskat e sajuara nga regjimet e kohës. Në Rekën e Epërme të rrethit të Gostivarit ka frymë, jetë dhe besim të një populli jo maqedonas, por shqiptar, me tipare të gjuhës shqipe, të kulturës, të traditës, të flamurit, të familjes dhe të mikpritjes: bukë, kripë e zemër shqiptare.

Në Çikago, Reka e Epërme nisi të flasë shqip dhe e bëri lajm të kohës se është SHQIPTARE!

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 984
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT