• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur do të shohim Shtetet e Bashkuara të Europës – ëndërr e të madhit Viktor Hugo

December 29, 2019 by dgreca

Nga Alfred Papuçiu*/

Herë pas here u kthehem shënimeve, mesazheve nga ana e miqve të mij të mirë që më shkruajnë lidhur me mendimet që shpreh në shtyp, sidomos për dëshirën time që edhe Shqipëria dhe Kosova, të jenë një ditë në Europën e Brukselit. Një prej tyre është dhe profesori i nderuar i gazetarisë shqiptare, Hamit Boriçi, i cili para do kohësh më shkruante:

“Lexova ciklin e shkrimeve – mbrojtje e shkëlqyer e të drejtave të patjetërsueshme të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar; aktakuzë kundër grupeve dhe individëve jo thjeshtë dashakëqinj të Shqipërisë, por edhe politikanëve amoralë në Europë e Shqipëri; advokaturë mjeshtërore me dituritë e një diplomati e publiçisti për çështjet ballkanike, europiane dhe më tej.
Artikujt janë mbrujtur me fakte dhe interpretime kompetente, shprehur me retorikë racionale, por edhe emocionale. Ju nuk keni qëndruar indiferent ndaj kësaj padrejtësie të radhës të paprinciptë që i bëhet Shqipërisë dhe Ballkanit, por u ngritët si tribun i drejtësisë kombëtare e ndërkombëtare, duke u dhënë një shembull edhe politikanëve dhe diplomatëve tanë që shtrirë në plazhe rrezitën për të fituar energji që të zihen me njeri-tjetrin sa të fillojë vjeshta politike në Shqipërinë e “reformave të mëdha”; dhe ashtu mendojnë si e si të vazhdojnë mashtrimet për premtimet e përbetimet që i bënë elektoratit, pa çka se harxhuan miliona Euro e Dollarë edhe nga arka e shtetit. Ju përgëzoj edhe për stilin dinamik që përshkon artikujt tuaj; për mjeshtrinë e komunikimit, duke u servirë lexuesve të interesuar dhe të painteresuar informacione, fakte dhe argumente të pakundërshtueshme.
Me respekt të veçantë, Hamiti”
Ndërsa një mik tjetër, Profesor Luan Shahollari, më shkruan:

“Përshëndetje nga Tirana ,Alfred!

Më vjen mirë që menjëherë pas vizitës në Shqipëri po “ktheheni” here pas here me shkrime në shtypin shqiptar. Kjo tregon se Dheu Amë ju ka dhënë gjallëri e krijimtari…E lexova edhe shkrimin për Hugoin e Madh dhe Shtetet e Bashkuara të Europës dhe më kujton qëndrimet e tua për Europën që në vitet 90-të, kur unë kam ardhur në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën dhe me pëlqeu. Tek libri im i fundit, të kam përmendur me shumë respekt për vizionin tënd largpamës për Shqipërinë dhe Europën. Ndërkohe jam duke lexuar librin “Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara”, i cili po më suprizon me gamën e gjërë të temave dhe personazheve që keni hasur në jetën tuaj interesane, brënda dhe jashtë shtetit, ku sundon tema e dashurisë dhe respektit për njeriun dhe Shqipërinë. Përshëndetje dhe urime! Luani”

Këto mendime të shprehura janë pasqyrimi i një mendimi origjinal dhe të lirë. Ai lidhet me mendimin e përhapur tek një pjesë e opinionit europian: Europa i përket të gjithë shteteve dhe banorëve që e përbëjnë atë, pra duke përfshirë edhe ”Europën tjetër”, ku bëjmë pjesë edhe ne, Shqipëria, Kosova, Zvicra dhe një numër shtetesh të tjerë që janë akoma jashtë saj. A do ta mendojë këtë stafi i ri, drejtues i Europës së Brukselit që është krijuar këto ditë? Këtë do ta tregojë koha, nëse vizioni i tyre për Europën pa kufi që e kanë menduar disa dekada më parë, baballarët e Europës, do të bëhet më në fund realitet.

Studimi i çështjeve europiane më ka shtyrë të gërmoj më tepër për vlerat e individit, lirinë, pluralizmin, Shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe përparësinë e demokracisë.  Nuk i kemi njohur më parë, apo më mirë të themi nuk na i kanë mësuar në shkollë, figurat e atyre që shkrinë energjitë për Europën, si Denis De Rougemont, Alfred Borel, Jean Monnet, De Gasperi, Robert Shuman.

 Qysh nga Lufta e Dytë Botërore, pajtimi franko-gjerman ishte një nga shtyllat e integrimit europian. Përballë Lindjes që ishte nën kontrollin e ish- Bashkimit Sovjetik, Perëndimi krijoi Këshillin e Europës në Strasburg, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Pastaj disa vende europiane krijuan Komunitetin Europian, i cili pak e nga pak u zgjerua dhe sot quhet Bashkimi Europian, i përbërë nga 27 vende. Që nga viti 1989, historia e Europës ka patur ndryshime të thella. Në Lindje, regjimet komuniste u ”fundosën” dhe lindën nacionalizmat. Europa, pa të lindin si kërpudhat pas shiut, Shtete- kombe, shpesh në luftë me njeri tjetrin. Tanimë, shihet një formë tjetër e bashkimit midis vendeve europiane të Lindjes dhe të Perëndimit. Shqipëria tashmë bën pjesë në institucione të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik, politik dhe ushtarak në Europë: në Këshillin e Europës, në Konferencën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë, në Aleancën e Atlantikut Verior, në organizma europiane të Kombeve të Bashkuara, si Komisioni Ekonomik i OKB-së për Europën, si dhe ka paraqitur kërkesën për integrim në Bashkimin Europian. 

Qasjet gjeografike dhe gjeopolitike të kontinentit europian kanë marrë parasysh ndryshimin e shkallës së Bashkimit Europian që nga zgjerimi i madh i 2004 -2007.  BE e 27 – 29 në 2012 – e ka vendosur veten si sistemin qendror të organizimit politik në kontinent. Sidoqoftë, nëse e kthejmë pikëpamjen dhe ne e konsiderojmë kontinentin në tërësi, vërejmë se BE përmbledh “vetëm” 27 shtete nga 49 që përbëjnë kontinentin në përkufizimin e tij, të mbajtur nga Këshilli i Evropës (47 shtete anëtare + Bjellorusia të pezulluara që nga viti 1997 + e njohën pjesërisht Kosovën).  

  Europa jashtë-BE Totali i Këshillit të Europës
total %
Sipërfaqja Popullsia Numri i shteteve 6 016 075 km² 325,9 millions 22 57,9 39,5 44,9 10 392 855 km² 826,2 millions 49

Në vitin 2010, mbi një sipërfaqe prej 4,376,780 km², BE mblodhi 500.3 milion europianë, ose 42.1% të zonës së përcaktuar nga Këshilli i Europës, nga 10,392,855 km² dhe 826 milion banorët e interesuar. Në të gjithë kontinentin brenda kufijve të tij konvencionarë, BE ka 68.2% të popullsisë. Dhe të tjerët?

Europa jashtë – BE mbledh kështu 22 shtete – një numër që ka rënë në vite – të cilat janë shpërndarë shumëllojshëm në të gjithë kontinentin, me madhësi shumë të ndryshme dhe peshë ekonomike dhe demografike. Ato gjithashtu ndryshojnë në natyrën dhe intensitetin e marrëdhënieve të tyre me BE-në. Shkurt, nuk mund të flasim për një tërësi homogjene, as politikisht, as gjeografikisht. A e bën kriterin e anëtarësimit jo-BE, në një element të unitetit në një grupim të tillë? Cilat pika të përbashkëta mund të ketë ndërmjet Moldavisë, e cila ka GNP më të ulët për frymë në kontinent (1,229 € / banor) dhe Zvicrën (45,814 € / banor)? Midis Rusisë së gjerë dhe shumë të populluar (17,098,241 km² për 141 milion banorë) dhe principatës së Andorrës (468 km² për 95,000 banorë)? Sidomos pasi që është e nevojshme të shtohen në këto 22 shtete, territoret europiane që i përkasin një Shteti Anëtar, por që nuk janë pjesë e BE: Ishujt e Kanalit (Jersey, Guernsey),  Man, ose Faroe, si dhe bashkitë italiane të Livigno dhe Campione d’Italia (i bllokuar në Zvicër). Këto mikro-territore mbledhin gati 250,000 banorë.

Natyra dhe intensiteti i marrëdhënieve me BE-në, vendi i shteteve ose grupimet e shteteve në arkitekturën gjeopolitike të kontinentit mund të japin një çelës të qasjes gjeografike të kësaj tërësie. Fakti është se ekzistojnë kategori të ndryshme të shteteve, të cilat është e mundur të identifikohen nga profili i tyre dhe konceptimi i tyre për marrëdhëniet e tyre me BE: mospranimet vullnetare, planifikimet që të bashkohen afatmesëm, afrimi strategjik me qëllim të ribalancimit politik dhe / ose ekonomik… kur pyetja është unanime brenda elektoratit dhe grupeve politike kombëtare!

Ne mund të identifikojmë disa grupe shtetesh të shqetësuar nga probleme të ndryshme: shtetet e EFTA-s, ato të CEFTA / CEFTA (Shoqata e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore), ato të CIS dhe mikro-shteteve. Rusia dhe Turqia janë raste të veçanta për shkak të peshës së tyre ekonomike dhe demografike. Këto dy shtete gjithashtu kanë karakteristikën e përbashkët të territorit të tyre kombëtar. Për të shkuar më tej në Europën e Re që nuk dihet kur do realizohet, duke nxitur kështu shtete dhe forca jashtë Europës të marrin, ndoshta primatin..

A mos bëhet kjo enkas për ta mbajtur përsëri një pjesë të Ballkanit dhe të Europës Jugperendimore si fuçi baruti, që popujt që e përbëjnë atë të mos jenë të qetë? Shqiptarët nuk  kërkojnë ndrime kufinjsh me futjen e tyre në Europë, megjithë padrejtësitë që ju bënë atyre, disa shtete europiane, në vitin 1913, që për çudi janë krijuar si të tilla, shumë më pas Shqipërisë dhe Kosovës. Ata nuk kërkojnë as ”dhuratat” që i bëri E. H., Titos, duke i dhënë atij territore shqiptare, sikur i kishte si çifligje të veta (?!). Ata kërkojnë vetëm të kenë mundësi të lëvizin lirshëm, si paraardhësit e tyre, për të parë të afërmit që japin ndihmesën për zhvillimin e vendeve europiane.

Në një qëndrim të tillë, përveç shqiptaruqëve, që ”për inat të sime vjehrre”  çirren kundër përkatësisë në Bashkimin Europian, pasi u ka nxjerrë bojën dhe Mitrua ”dështaku”(?!) futen edhe një grupim armik që për interesa meskine nuk duan ta shohin Shqipërine dhe Kosovën në Europë. A nuk duhet të mendohet mirë ky grupim  se nuk u a ka fajin populli sovran për një ecuri të tillë,  se nuk duhet të afishojë më “çirrjet” e tyre në kundërshtim me dëshirën e një populli të tërë shqiptar në Shqipëri dhe Diasporë,  se e mira e Shqipërisë dhe e bashkëbesëlidhësve është në Europën e Brukselit, siç u realizua dhe në Aleancën e Atlantikut verior, apo me SHBA dhe vendet e tjera mike të Shqipërisë dhe Kosovës ? Nuk duhet t’i vihen më gurë, more të paudhë,  udhës së nisur nga demokracia e brishtë shqiptare, pasi gjithkush që vepron kështu, fshehur apo hapur, do të mallkohet dhe dënohet edhe nga të afërmit e tyre, që po i vënë emrit të familjes një njollë të zezë zifti që nuk hiqet më kurrë. Shërbimi më i madh që i bëjmë Kombit në këto çaste, është që t’i lëmë mënjanë mërirat e kaluara, mllefet personale. E njëjta rrugë duhet të zgjidhet edhe në Kosovë, dhe ti lihet pa vonesë të fillojë punën,  krahas parlamentit të ri që u krijua, edhe qeverisë së  re të ligjshme të Albin Kurtit. 

Edhe duke mos qënë parlamentarë, shteti i brishtë demokratik do t’u japë një punë, përveç bizneseve që keni krijuar me kohë. Kështu e ngrehim më lart, ju shqiptarë të ndershëm në Diasporë dhe Komb,  figurën e shqiptarit trim, me karakter, të çiltër, mirënjohës, mikpritës, qoftë ai malësor, fshatar, intelektual, por që ka një aspiratë të madhe: futjen në Europën e Brukselit, pasi aty është para shumë kombeve që e përbëjnë atë, por në klubin e madh të përfaqësuesve zyrtarë të shteteve europiane. 



Në padrejtësitë që i bëhen popullit fisnik shqiptar, kanë dorë dhe llobet e fuqishme, sado të pakta, armike të Shqipërisë dhe Kosovës, që janë të lidhura me mafian ndërkombëtare. Ata i sollën fenomenet negative në Shqipëri, thjesht për interesat e tyre që ta shtyjnë pranimin e Shqipërisë në Europën e Brukselit sa më tepër që të kenë mundësi, të marrin ata akoma pjesën e luanit, në ndarjen e ndihmave europiane. Ata që i mbajnë akoma në dorë fatet e Shqipërisë dhe Kosovës në Bruksel, duhet ta dijnë mirë se kanë qënë shqiptarët ata që i kanë mbajtur, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vatrat e tyre, pa i dorëzuar tek nazistët gjermanë,  mijra italianë që kishin ardhur si pushtues. Ata u mbrojtën dhe u larguan vetëm pas mbarimit të kësaj Lufte. Janë me mijra e mijra ata grekë që kanë marrë ndihma nga shqiptarët gjatë luftës italo-greke dhe si mirënjohje breza të tjerë të këtyre njerëzve humanë shqiptarë, marrin pension nga shteti grek. A nuk duhet në këto çaste, këta miq të Shqipërisë, grekë, që për çudi mbeten më tepër miq të serbomëdhenjve, apo  italianë, si edhe çifutë (të vetmit shqiptarët në Europë që nuk i dorëzuan hebrejtë tek xhelatët nazistë)  të ngrejnë zërin e tyre për të vënë në vend padrejtësitë ndaj shqiptarëve. Apo tashmë ata e ”kanë kaluar lumin” dhe u intereson që edhe disa vite të përfitojnë nga puna e papaguar e atyre mijra e mijra shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova, që rropaten rrugëve të Greqisë, Italisë dhe Europës!?

Më kujtohet para disa vitesh, një bashkëkombas i yni, ju drejtua një ministri të jashtëm të një vendi europian, ku ishte vendosur: ”Zoti ministër, unë kërkoj nga autoritetet tuaja të departamentit të brëndëshëm të më japin lejen e qëndrimit këtu, pasi unë kam dhënë kontribut edhe për vendin tuaj duke luftuar gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Ministri qeshi me të madhe dhe u dha porosi atyre që ishin pranë tij t’i jepnin përgjigje pozitive qytetarit nga Shqipëria.

Kam një simpati të veçantë për Zvicrën . Zvicra nuk është anëtare e Bashkimit Europian, pasi kështu ka vendosur populli sovran i saj dhe nuk dihet se kur mund të bëjë pjesë në të. Por ajo ka marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe me fqinjët që janë në Europėn e Brukselit, apo edhe më larg. Zvicra nuk e ndien mospraninë e saj si anëtare e Bashkimit Europian dhe ndoshta nuk ka nevojë për atë Europë “deri diku të korruptuar”. (Të më falin zyrtarët europianë, por këtë e shpreh që të mos marrin më nëpër këmbë një popull sovran, autokton, si populli shqiptar. Mjaft më me ndërhyrje dhe anatema që nuk do të harrohen nga populli europian i Shqipërisë). Zëri i Zvicrës dëgjohet dhe vlerësohet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Do të doja që e njëjta gjë të ndodhte edhe në Shqipėri, në Kosovë dhe në vendet e Ballkanit dhe jo të shkojmë në Bruksel apo në Strasburg dhe të paraqesim argumente qesharake dhe të kundërta që lidhen me çështjet madhore të kombit dhe që brezat e ardhshëm apo edhe shumica e shqiptarëve europianë nuk i “hanë më”. Po nuk deshëm njėri-tjetrin si vëllezër, si miq, dashamirës, solidarë, edhe pse nuk mund ta zgjedhim fqinjin, kolegun, apo përfaqësuesin e një partie opozitare, atëhere do të mbetemi te demokracia e brishtë,  e filluar qysh para gati 30 vitesh.  

Gazetari André Crettenand ka botuar një libër të bukur për vendin e tij të vogël, Zvicrën. Së shpejti ai do dalë në shqip për lexuesin tonë në Kosovë, Shqipëri, Zvicër dhe kudo në Diasporë.  Në çdo faqe që përkthej, mendoj se çfarë mund të marrë edhe Kombi ynë nga ky vend i vogël si Zvicra.

“Përsosmëria është e pranishme në këtë vend”. Në librin e tij të vogël, nga numri i faqeve,  me titull “Zvicra. Shpikja e një kombi “, André Crettenand shkruan me plot elozhe për origjinën e tij. Ky ish gazetar i “L’Hebdo” dhe TSR, ish drejtor i informacionit në TV5 Monde në Paris, aktualisht Drejtor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Televizionin zviceran,është autori i një “deshifrimi” të Konfederatës, në koleksionin « shpirti i popujve .Nënjë numër të vogël faqesh, André Crettenand tregon më tepër se 500 vite të historisë të Zvicrës.

Kam lexuar shumë libra për arritjet e këtij vendi të vogël, gjatë tre dekadave të jetës sime në Zvicër që e kam përshkruar disa herë,  me sipërfaqe afro dyfishi i vendit tonë që Rilindasit tanë e kanë menduar edhe për Shqipërinë tonë, por edhe për Kosovën martire. Por ju them të drejtën se ky libër më ka bërë  të mendoj edhe për Kombin tonë që ka vlera dhe pasuri natyrore shumë më tepër se Zvicra, një bregdet të virgjër, në një pjesë të territorit të saj, dhe njerëz punëtorë dhe paqedashës, apo edhe në Kosovë me njerëz liridashës dhe krenarë. Prandaj u nisa për udhë dhe vendosa ta përkthej në shqip, këtë libër të përkryer, të një gazetari të njohur zviceran.

Ai thotë se shembulli i Zvicrës është unik dhe kur i them se Rilindasit tanë donin që Shqipëria të bëhej si Zvicra, buzëqesh dhe thekson se çdo vend ka karakteristikat e veta, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën, për të cilat ka lexuar dhe i njeh edhe nëpërmjet shkrimtarit të shquar, Ismail Kadaré, apo bisedave që kemi shkëmbyer bashkë. Falenderon dhe gazetën « Bota Sot » që ka botuar një shkrim dinjitoz për librin e tij. 

Libri fillon me historinë e Vilhelm Tell, mitit themelues të Zvicrës, dhe përfundon me homo alpinus, një popull i begatë, shumë gjuhësh dhe i përbërë nga shumë kultura, duke përfshirë  edhe rreth 200 mijë  shqiptarë, që ndjek në 2016 rrugën e tij drejt përsosjes. Gjatë përshkrimit të tij,André Crettenand lëkundet mes lavdërimit dhe kritikave rreth këtij shteti pothuajse tepër të begatshëm për të qenë i sinqertë, shumë pak i njohur për të qenë i vlefshëm dhe tepër i qetë dhe i lumtur për të ekzistuar. Aidruhet pak kur flet për vendin e tij kaq bukur, sidomos, për një ndjenjë krenarie që si një zviceran i mirë na mëson  të përmbahemi . Por modestia e lexuesit zhduket nga ndjenja e saktësisë së një Zvicre, të treguar nga një prej bijve të saj. Një libër për ta kuptuar zviceranët, duke u kujtuar atyre që jetojnë atje, përse ndihen aq mirë dhe ata që kanë ikur pse duan të kthehen. Ashtu si autori i librit, tek i cili ne ndjejmë një nostalgji të ëmbël për këtë vend të privilegjuar që “nuk është zvarritur në fatkeqësitë e botës”. Një vend nga i cili duhet të marrë shembull edhe Kombi ynë. Po të shkosh në muzeun « Alimentarium » në Lozanë sheh me syte e tu, rrugën e vështirë të Zvicrës dhe zviceranëve, që sot janë shembull në tërë botën për përkushtimin e tyre dhe arritjet e shumta në fusha të ndryshme të jetës, në marrëdhëniet e shkëlqyera me fqinjët, edhe pa bërë pjesë në Bashkimin Europin, apo edhe më tej me vendet e tjera të botës, duke përfshirë edhe SHBA.

Pse Zvicra?, shprehet autori.

“Gjithçka fillon nga një lojë mizore. Një gjykatës, përfaqësues i Habsburgëve dënon një malësor rebel. Ky është i detyruar të qëllojë një shigjetë mbi një mollë të vendosur në kokën e të birit. Ushtrim i rrezikshëm. Ndërkaq, burri e pranon sfidën. Dhe ja del mbanë. Por ai ka fshehur një shigjetë tjetër. I detyruar të jape shpjegim mbi shigjetën e fshehur, ai pranon se ajo ishte ruajtur për gjykatësin, në rast fatkeqësie. Më vonë, malësori e vret gjykatësin e mbrapshtë.

Lind legjenda e Vilhelm Telit. Ajo do të kalojë shekuj, do të frymëzojë poetët, do të mahnitë zviceranët. Kurajo, zotësi, dëshirë për pavarësi, revoltë kundër fuqive, personazhi Tel u pajis me të gjitha cilësitë, duke i dhënë Zvicrës legjendën e praruar, për të cilën ajo u bë krenare. Një legjendë që kapërceu larminë e gjuhëve, territoreve dhe feve. Sot, historianët thonë se Vilhelm Teli nuk ka ekzistuar kurrë. Pa dyshim. Të paktën, legjenda ka patur efektet e saj : »Si koka e prerë e Orfeut, mitologjia vazhdon të flasë, edhe pas vdekjes së tij, edhe me kalimin e kohës ». Ne jemi të të njëjtit brum si dhe ëndrrat, thotë Shekspiri.

Përsosmëria ndodhet në këtë vend. Peisazhet janë të përkryer. Qytetet kanë një pastërti të habitshme, fshatrat të zbukuruar me lule, rrugët të rregullta. Dëbora çdo vit është e pranishme dhe ndriçon vendin. Banorët e saj flasin të gjitha gjuhët, ata u përkasin kulturave të ndryshme, jetojnë në një harmoni të përkryer. Një mekanizëm politik i gjetur u jep mundësi minoriteteve që të nxjerrin në pah të drejtat e tyre. Qeveria ka një stabilitet të dalluar. Populli vendos për gjithçka, në sajë të demokracisë të drejtpërdrejtë. Cilësi që hasen në fushën ekonomike. Zvicra zë vendet e para në botë për shpikjet. Me të vërtetë nuk ka papunësi. Ka pak konflikte sociale. Me përjashtim të disa grindavecëve kritikues, Zvicra është e njëzëshme. Gjendja është idilike. Ose më mirë, këtë duan të mbajnë mend për atë, sikur përsosmëria mbizotëron ndaj çdo kritike. Gjetiu, gjithmonë është më keq. Përsosmëria dhe e veçanta. Zviceranët e zonës gjermane kanë shpikur një fjalë për ta shprehur këtë : Sonderfall. Ai përmbledh si neutralitetin, sistemin politik dhe mbarëvajtjen ekonomike. Pa dyshim, asnjë vend nuk ka trumpetuar aq shumë se aiështë « i veçantë », ndryshe nga të tjerët dhe për këtë arsye duhet lënë i qetë. Një rast i veçantë në botë, një model përsosmërie, por që asnjeri nuk e bën të vetin. Ndoshta është frika e një lumturie që do të dilte shqetësuese. Kështu, Orson Welles flet për Zvicrën në filmin e tij « Njeriu i Tretë » : « Gjatë 30 viteve në Itali nën Borgia, ata patën luftë, terror, vrasje dhe masakra, por gjithashtu është Mikelanxhelo, Leonadro da Vinci dhe Rilindja. Në Zvicër, ata kanë patur 500 vite të një dashurie vëllazërore, demokracie dhe paqeje, dhe çfarë solli kjo? Ja ku është.

Nuk bëhet Historia me gjykime të mira. Nuk ka stacione metrosh me emra të bujshëm betejash. Nuk ka kremtime të madhërishme, parakalime në bulevardet e mëdha. Zvicra ka shpikur orën tingëlluese në shtëpi. Ajo e mbylli orën në një kuti prej druri,  e zotëroi siç ndoqi fatin e vet : në mënyrë të pandalshme.

Kështu që zviceranët ditën të tregojnë historinë e tyre të praruar. Atë të një populli të vogël të guximshëm që arrin të mbijetojë në një natyrë të vështirë, shpesh vetëm në një mjedis perandorish, dukatesh dhe mbretërimesh ziliqare. Të një vendi punëdashës, të shkathët, të shpejtë, shpikës. Atje ku të tjerët mbështeten tek një e kaluar e lavdishme, pallatesh me afreske, katedralesh gotike, gërmadhash antike, monumentesh përrallore, Zvicra ka investuar tek peisazhi dhe mirëqënia. Zviceranët janë të ndërgjegjshëm se jetojnë në një vend të dashur nga perënditë. Po ata janë modestë, disi të mjaftueshme, nga ata që e njohin sekretin. Zvicra nuk ka qënë prirur nga prozelitizmi i Francës revolucionare, e vendosur për të përhapur dritën tek i gjithë planeti. Ajo e di që është një model, ajo e di që të tjerët e dijnë, pra ajo nuk ka nevojë të mburret shumë.

Ndoshta kjo histori e mjaftueshmërisë të të ardhurave ka lindur në Marignan. Disfatë e paharruar e zviceranëve që deri atëhere terrorizonin ushtritë e të gjithë dinastive europiane. « Ndëshkuesit e mbretërve » u ndëshkuan edhe vete. Historianët hahen mbi rëndësinë e ngjarjes dhe rolin që ka luajtur kjo disfatë në përfytyrimin zviceran. Kremtimi i 500 viteve të betejës, në 2015 solli një polemikë të madhe. Njëra palë gjykonte se neutraliteti zviceran ishte frymëzuar nga ngjarjet italiane, të tjerët mendonin se kjo disfatë nuk e kishte dobësuar shpirtin luftarak të zviceranëve dhe as nuk kishte kontribuar në tërheqjen e përgjithshme të vendit.

Megjithatë unë mendoj se  ngjarja ndikon në psiqikën kolektive dhe nëse atëhere nuk pati pasojat e shpresuara të një disfate absolute, ajo shërbeu më vonë si simbol. Një popull i mbyllur në vetvete, i gatshëm të eksportojë aftësinë e tij- do të jenë mercenarët- por duke zgjedhur për çdo rast- Kongresi i Vjenës i 1815- statukuonë se sa çdo zgjerim të territorit. Një popull, siç thotë Regis Debray në librin e tij Urimi i kufinjve, « është një çështje mitesh dhe formash. Kërkohen një legjendë dhe një hartë ». Legjenda, ishte Teli, harta, qe ky « vend i vogël ».

Midis Veriut të zotë dhe Jugut që kërkon të shijojë kënaqësi materiale, Zvicra mori nga pak nga të gjithë. Mund të thuhet se ajo ka « zemrën franceze dhe kokën gjermane », siç thoshte filozofi Feuerbach, që kërkonte një përkufizim të një mendimtari ideal. Por këtu mendimtari është punëtori me përvojë të madhe. 

Për Zvicrën nuk është dëgjuar të flitet shumë që nga fillimi i shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Ajo tërhiqej në kohën e duhur nga një gjendje e vështirë, por nuk përcaktonte rregullat. Ajo nuk ishte një mbretëri, ajo nuk ushqente të ishte një përfituese e famshme dhe e pangopur, ajo nuk ndërtonte një perandori. Tek « Zotërit e Greqisë », helenisti nga Lozana, Andre Bonnard thotë :” Mjerr njeriu shumë i lumtur ». Lumturia e plotë dhe pa fund është një grackë apo një vegim. Asnjë njeri nuk ka të drejtë për lumturinë absolute, privilegjin hyjnor ». 

Zvicra është një vend i qetë dhe gjithmonë i mundshëm për mërgatë, që nuk ka mjerim por megjithatë e ndërlikuar, e shqetësuar. Sypatrembur, por egoistë nga kujdesi i tepruar, të aftë për më të mirën por dhe më të keqen, për arritje të shkëlqyera . Zviceranët nuk kanë patur fatkeqësitë e botës. Dhe megjithatë kanë shpikur frika bashkëkohore: një sulm i papritur atomik, pushtim i njoftuar nga Lindja, luftë kimike. Jo se këto rreziqe nuk kanë egzistuar, por zviceranët janë të përgatitur me kujdes të tepruar. Vlerësohet më mirë qetësia kur shmang katastrofën.  Të Vjetërit e përcaktonin në këtë mënyrë epikurizmin –arritjen e lumturisë. : të gëzosh lumturinë e të egzistuarit në siguri në breg, kur furtuna fillon në det të hapur. Pra fillimisht Zvicra është ky vend i qetësisë. Ajo ka frymëzuar më tepër poema se sa tragjedi. Në brigjet e Lemanit janë vendosur kompozitori Paderevski në Morzhe, shkrimtari Vladimir Nabokov në Montrë. Atje, Stravinsky kompozoi Ardhja e pranverës. Çarli Shaplini u vendos në Vevei. ” Në buzë të Lemanit, Stendali, Michelet, Ruskin dhe Tolstoi e ndjenë më të butë ardhjen e Lumturisë, të Poezisë dhe të Bukurisë…”. Dhe në kohë të tjera ishin Huhuenotët të përzënë nga Franca, Germaine de Stael që iku nga Napoleoni, Lenini që përgatiti kthimin në Rusi. Pak kohë më parë, David Bowie.

Kjo i ka magjepsur romantikët. Viktor Hugo e përshkoi Zvicrën në 1839. Ai hartoi një raport të plotë lidhur me udhëtimet e tij helvetike qe e çuan nga Bazeli në Vevei. Ai përfshin në tekstin e tij vizatime, skica. Ai shënon, komenton. Në fillim, e frymëzon Rini i madhërishëm, pastaj Alpet, më në fund liqeni. “ Liqeni më guduliste këmbët. Ishte një qetësi e madhe në këtë natyrë të madhe. Ishte diçka madhështore dhe e butë. Një çerek ore më vonë, varka ishte zhdukur, afshi i liqenit ishte qetësuar, qyteti ishte në gjumë. 

“Helvétia është një mit . Zvicra është një markë. Por si u krijua si vend, i populluar nga tetë milionë banorë, krenarë, megjithë ndryshimet e tyre, me flamurin e tyre me Kryqin e Bardhë që njihet kudo ? Dhe si arrin ajo të mbetet aq e begatë, duke qëndruar me vetmohim, jashtë Bashkimit Europian që e rrethon ? Që nga brigjet e liqenit Leman deri tek fusha e Grütlit, në lartësitë e Zvicrës qëndrore, deri tek luginat e Valesë, të rëpira deri në kufinjtë italofone të Tessin. Identiteti i Zvicrës kudo është ngritur në virtut. Por kujdes. Kjo lumturi e të qënit zviceran, shpesh e karikaturizuar nga ata që e vëzhgojnë nga jashtë me zili, gjithashtu meriton një diagnozë kërkuese ».

Zvicrën unë e admiroj dhe çdo herë që shkoj tek miqtë e mij të shumtë zviceranë, si dhe bashkëkombas, apo udhëtoj diku nëpër territorin e saj, mrekullohem me ndryshimet galopante që shoh. Por në asnjë çast nuk mund ta harroj vendin nga kam ardhur, Shqipërinë. Nuk mund të harroj atë kafen e mëngjezit aty në restorantin e vogël pranë shtëpisë, ku shpesh bisedoja miqësisht dhe lirshëm me mikun e mirë të tim eti, Tunit, Xhevat Beqaraj apo me profesorin e nderuar të Historisë së Francës në fakultet, Koli Xoxi, me babain e gazetarisë Prof. Hamit Boriçi, me profesorët e nderuar dhe miq të mij të mirë Ksenofon Krisafi dhe Shaban Murati, me miqtë profesorë që mblidheshim tek Colosseum çdo mëngjez. Nuk mund të harroj ato ditët e bukura, të kaluara buzë detit Adriatik dhe Jon, si dhe Semanit, Vjosës. Nuk mund të harroj udhëtimet në rivierën shqiptare, ditët e bukura të kaluara në Sarandë, në atë mrekullinë e kafes së “Gjuetisë”, në Lezhë, në Valbonën ku u mrekulluan miqtë e mij brazilianë, në Drilon, në Korçën me ato rrugët karakteristike, në Voskopojën e paraardhësve të mij, si dhe atje buzë Gjanicës, në Fier prej nga e kam prejardhjen nga prindërit. Nuk mund të harroj Apolloninë, ku në fëmijërinë time shkoja shpesh tek të afërmit dhe takoja dhe bisedoja me xha Pilon e Muzeut, por edhe shkrimtarin Jakox Xoxa që shkruante “Lumin e Vdekur”. Nuk mund të harroj lagjen “Liri” dhe “Konferenca e Pezës”, po në Fier, ku jetonin gjyshërit e mij dhe ku kam kaluar çaste të këndshme dhe të lumtur. Ashtu si dhe për europianët, gjenealogjia është kthyer në një nga argëtimet më të preferuara, edhe për mua është kthyer në një argëtim, për të plotësuar pemën gjenealogjike, të lënë me kujdes nga im atë i paharruar, Tuni. Shpesh pyesja edhe nënën time të ndjerë, si dhe motrën time, apo edhe të afërm për emra dhe ngjarje të ndryshme. I shënoj ato me kujdes, për kënaqësinë time. Të ndërtosh pemën tënde gjenealogjike, do të thotë të studjosh gjeografinë, historinë, demografinë, të gjesh kuptimin e fjalëve që janë përdorur nga paraardhësit. Gjenealogjia jep një ndihmesë të madhe edhe për gjenetikën. Mjekët kur duan të kuptojnë marrëdhëniet midis prindërve që janë të prekur nga e njëjta sëmundje e trashëguar, i drejtohen gjenealogjisë që dëshmon në shumë raste lidhjen midis grupeve të popullsisë.

Historia e Europës, është  e lidhur me atë të vendit tim, disa shekullore, Shqipërisë. Megjithë shumllojshmërinë e gjuhëve dhe të dialekteve rajonale, njohuritë e filozofëve dhe të shkencëtarëve u përhapën në gjithë territorin europian dhe ndikuan në mënyrë reciproke. Shkrimtarë dhe poetë europianë përdorin simbole që kanë të njëjtat burime: mitologjinë greke, legjendat skandinave, ungjillin që njihet prej shqiptarëve shumë përpara disa popujve dhe kombeve që tashmë janë në Europë. A nuk është e mjaftueshme ajo gjuhë nga më të vjetrat indoeuropiane, si shqipja, ajo kulturë, puna e qindra mijra shqiptarëve që kanë ndërtuar e ndërtojnë Europën prej dhjetra dekadash, a nuk është e mjaftueshme Nënë Tereza, Skënderbeu europian, ata guvernatorë e njerëz të shquar të kombit tonë që kanë dhënë për Europën, ato sakrifica të popullit të vuajtur shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqiptarët meritojnë shumë më tepër se Karaburuni ku humbën jetën dhjetra njerëz të pafajshëm, vetëm se donin të shihnin diçka tjetër në Europë. Europa është edhe Shqipëria, Kosova, edhe ata popuj që ëndërrojnë të « kalojnë qoftë edhe njëherë kufirin për në Evropë », në epokën kur muri famëkeq i Berlinit është rrënuar njëherë e përgjithmonë. Europa tani përbëhet nga shtete kombe, që në të kaluarën kanë qënë në luftë me njëri tjetrin. Por tani vërehet një etapë e re e historisë europiane, ashtu siç e ëndërronte Vikor Hygoi i madh, Curçilli, De Rougemont, dhe siç e ëndërrojnë shqiptarët autoktonë europianë. Historia e Europë,s pas kohës së luftrave dhe nacionalizmave, ka si drejtim kontaktet midis popujve, komunikimin dhe kritikën e përbashkët, shkëmbimet ekonomike, sociale e kulturore.



Komuniteti Europian është një arritje e mirë e një projekti të paqes që mbështetet në përvojat e shumta të shkëmbimeve midis popujve të kontinentit. Europa në tërësi do të forcohet në mënyrë të vërtetë,  vetëm në sajë të solidaritetit me të gjithë botën që e përbën atë dhe jo me një „ndërtim“ të një fortese të rremë dhe egoiste. Edhe Skënderbeu, për të cilin u flas miqve të mij europianë, është pjesë e pasurisë së përbashkët europiane. Edhe Nënë Tereza,  Isa Boletini, Adem Jashari, Bubulina, Shota Galica, Zhan D’Ark, si edhe Vilhelm Teli i Zvicrës.

***

Europa ka si kufij Atlantikun, Oqeanin Arktik, Uralin, Mesdheun, brigjet veriore dhe perendimore të Pont-Euxin dhe më në jug Bosforin dhe Hellespontin. Pa botën e Mesdheut, Europa nuk do të ishte e plotë dhe fizionomia e saj do të ishte e mangët, pasi vlera politike dhe ekonomike, kulturore, shpirtërore e Mesdheut kanë një rëndësi të madhe për civilizimin europian.

Lufta civile kërcënoi të përfshijë të gjithë ish- Jugosllavinë, « shtet artificial » që doli e « fituar » nga Lufta e Parë Botërore, nga ndarja e pabesë e kufijve, në sajë të disa fuqive të mëdha që vendosnin pa marrë parasysh aspiratat e popujve që e përbënin Europën. Në të gjitha republikat e Jugosllavisë të drejtuar nga serbomëdhejtë u përhap fryma dhe dëshira për autonomi dhe më tepër. Spastrimet e komunistëve nacionalistë kroatë pastaj serbë, të instruktuara nga Tito në fillim të viteve 70-të, të kryera pas vdekjes së tij sidomos në Kosovë, ishin shenjat paralajmëruese, të një revolte më të madhe. Dëshira për pavarësi ishtë e afërt Krijimi i shteteve të pavarur dhe njohja e tyre nga komuniteti ndërkombëtar do të sillte patjetër një zgjidhje të vazhdueshme të problemeve të kombësive dhe minoriteteve në Jugosllavi dhe në Europë, si edhe të problemeve të tranzicionit drejt demokracisë dhe zhvillimit. A duhej refuzuar akoma pavarësia e Kosovës ndaj Serbisë  Erdhi koha, bile e vonuar që ajo të kishte shtetin dhe strukturat e veta, identitetin e saj. Duhej ndërtuar një arkitekturë e re europiane, në një tërësi të Europës multinacionale, multifetare, shumëgjuhëshe dhe kulturash. Shqipëria, njëfarë kohe e tulatur nga problemet e veta, me ardhjen e qeverisë demokratike mbështeti me forcë krijimin e Republikës së Kosovës, duke provokuar reagimin e serbëve të Milosheviçit që refuzuan të heqin dorë nga ajo që ata e cilësojnë si „djepi i kulturës së tyre“.



 Edhe sot, me mundësinë e padrejtë që u jipet serbomëdhenjve,  e içëve të tjerë kriminelë, që t’i bashkohen armatës së madhe të serbomëdhenjve që janë larguar me pasuritë e tyre që në kohën e Titos, apo ato femra të bukura serbe që janë martuar me autoritete europiane, intelektualë, historianë që bëjnë historinë e shteteve europiane dhe atyre që janë akoma jashtë saj, Europa e Brukselit bën hesapet pa hanxhinë. Pjesa më e madhe e popullsisë së Kosovës përbëhet nga shqiptarët që janë aty autoktonë. Pakica serbe është vendosur aty më vonë dhe kjo dihet historikisht dhe e argumentuar edhe nga historianë të nderuar europianë dhe të pavarur nga propaganda serbomadhe. Për më tepër dihet se jeta e përbashkët e popujve të Jugosllavisë nuk ka qënë në respekt të barazisë dhe identitetit, apo zhvillimit ekonomik të çdonjerit që e përbëjnë atë. Komuniteti europian dhe sidomos SHBA po pranojnë pak e nga pak se kjo është „çështje jo vetëm europiane“ dhe po marrin përgjegjësinë e tyre. Megjithatë, Milosheviçi,dhe ata që e pasuan, duke marrë si shkak revoltën e ligjshme të popullit kosovar, të mbështetur nga bashkëkombas që jetojnë jashtë dhe popuj miq, trumbetuan me mllef ideologjinë e Serbisë së madhe. Flaka nacionaliste serbomadhe u përhap nga një republikë në tjetrën. „Divorci“ i popujve ju kundërvu sistemit nacional totalitar. E drejta për vetvendosje u vu në rend të ditës. Një hap u bë me pavarësinë e Kosovës. Urojmë që kjo padrejtësi e historisë së sotme, me refuzimin e vizave për qytetarët e shtetit të pavarur të Kosovës,  të shkojë sa nuk është vonë, në krahun përparimtar…

Po të shfletosh volumet e « Historisë së përgjithshme të civilizimeve » të shkruara nga „kokat e mëdha“ të historisë, duke përfshirë edhe serbë të vendosur prej kohësh në Europën e Brukselit, deri vonë nuk gjeje ndonjë referencë për Shqipërinë. Nuk është vendi këtu për të dhënë argumenta të tjerë, jo vetëm si ato të profesorit zviceran, Basil Schader, njohës i përkryer i gjuhës shqipe,gjuhëtarëve, historianëve në botë, lidhur me historinë e civilizimit shqiptar, por kjo harresë të bën të mendosh : historianët që kanë shkruar historinë e Europës, edhe të « Europës tjetër » a mos i ka dhënë vetë shans E.H. të « sundojë » në Shqipëri nga 1944 deri në 1985, derisa vdiq ? E vërtetë është se në atë periudhë, veprat e tij kishin përparësi dhe përktheheshin edhe në gjuhë të huaj, ato përmbanin edhe fakte historike, por ata historianë që formulonin edhe historinë e Shqipërisë, krahas asaj të « Europës tjetër », diku atje në një vend të Europës, nuk mund të merrnin si bazë referenca të diktatorit. Por nga ana tjetër, në mos gabohem, janë botuar në gjuhë të huaj edhe në atë kohë libra si « Historia e Shqipërisë », në gjuhën frënge, nën kujdesin e profesorëve të nderuar shqiptarë, mbi 25 vite më parë, që përmban edhe fakte historike të pakontestueshme për historinë e civilizimit shqiptar, jo vetëm gjatë kohës së Skënderbeut, por edhe më parë. Për çudi, botimi i 2004 « Ligjërata ballkanike: fjalë dhe njerëz », i të njëjtës shtëpi botuese në Francë, nuk i referohet shumë veprës së francezit Zhorzh Kastelan (Georges Castellan) « Histori e Ballkanit » (shekulli XIV-XX), 1991, e cila përmban fakte historike bindëse dhe për civilizimin e « Europës tjetër », duke përfshirë edhe Shqipërinë, edhe për autoktoninë e shqiptarëve e shumë dëshmi të tjera, por autori i « Ligjëratës… » gjen me vend të përmendë nga libri i profesor Kastelanit vetëm faktin se « populli » i Shqipërisë « del shumë jashtë cakut të shtetit të tij eponim dhe duke bërë këtë ai kënaq dëshirat kontradiktore të lexuesve francezë dhe ballkanikë ». Autori nuk mungon t’i japë vend edhe Mira Millosheviçit, gruas së diktatorit të vetëvrarë, në një kohë që mund të merrte, ndër të tjera, të dhëna historike nga botimi i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Instituti Historisë të vitit 1993 (mbi 11 vjet para botimit të « Ligjëratës… », me titull: « The truth on Kosova » (E vërteta mbi Kosovën ). Ky botim voluminoz prej 350 faqesh ka dokumenta mbi ilirët dhe autoktoninë e shqiptarëve.



Që populli shqiptar s’ka dalë jashtë « cakut » të shtetit të tij eponim, mjafton të përmendim vetëm shkrimin e studjuesit Aleksandar Stipeviç, me titull «Every story about the Balkans begins with the Illyrians » (Cdo histori mbi Ballkanin fillon me Ilirët »), apo të studjuesit tjetër Radoslav Katiçiç «  Mbi antroponiminë dhe etnogjenezën e Shqiptarëve » ; të prof. Henrik Baric « Disa të vërteta mbi banimin e hershëm të shqiptarëve në Gadishullin e Ballkanit » ; apo prof. francez Alain Ducellier « A e kanë pushtuar shqiptarët Kosovën » ; ai libër përmban burime të shumta studimore , jo vetëm nga arshivat qëndrore shtetërore të Republikës së Shqipërisë, por edhe të Turqisë, të Austrisë, të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, të Gjermanisë, të arshivave të Foreigh Office të Britanisë së Madhe dhe të vetë ish-Jugosllavisë.

Gjatë qëndrimit tim disa ditësh para disa kohësh në Tiranë mora librin e tretë të diplomatit dhe gazetarit penëartë, me një përvojë 40 vjeçare edhe në fushën e gazetarisë, apo prej një dekade, në atë të diplomacisë. E kam fjalën për Shaban Muratin, me të cilin vite më pare, në vitet 70-80-të ishim kolegë. Atij ndoshta nuk do t’i vijë mirë që unë shkruaj për të, pasi ai është tepër modest, por leximi i librit, si dhe dedikimi që më ka dërguar, nuk mund të më lënë pa e përmendur. « Fredit, mikut tim të vjetër, me vlerësimin për kontributin e shquar në promovimin e çëshjesh shqiptare nëpër botë. Shabani”. Do të uroja që libri i Shaban Muratit të ishte në tavolinën e çdo diplomati shqiptar kudo në « Europën tjetër » apo në vendet e Bashkimit Europian, dhe gjetiu. Ai është një analizë e përkryer e “Cështjes shqiptare pas Pavarësisë së Kosovës”,  është një testament diplomatik. Siç shprehet ndër të tjeranë librin e tij me postulata tepër aktuale, vetë analisti ynë i shquar, diplomat karriere dhe ish drejtor i Akademisë Diplomatike të Shqipërisë, se janë shkëputur njëherë e përgjithmonë nga ide, doktrina, programe dhe ambicje për ta sabotuar këtë çështje”. Dhe ai vazhdon: “çështja shqiptare është ende e kërcënuar, sepse shtete ballkanike, që kanë një trashëgimi historike jo miqësore me çështjen shqiptare në përgjithësi dhe me përbërës të saj në veçanti, si psh me Kosovën, nuk kanë dëshmuar“çështja shqiptare identifikohet me mbrojtjen e interesave strategjike e jetike të kombit shqiptar. Në këtë kuptim, shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e kudo që jetojnë, nuk mund të mos ndjejnë edhe vetë veten e tyre si pjesë dhe bartës të çështjes ende të pazgjidhur shqiptare”.



Një shërbim i tillë ndaj Kombit që bën Shabani me librat e tij, duhet lavdëruar. Më parë ai fillimisht“ I bëri një analizë të thellë procesit të « ndërrimit demokratik » në Serbi, pas rënies së regjimit famëkeq të Millosheviçit. Libri i tij « Serbia kundër Serbisë » – analizë e një gjysëmrevolucioni të lënë përgjysëm, botuar nga shtëpia botuese « Albin » në 2005, lexohet me nje frymë dhe s’ke dëshirë ta lësh pa e mbaruar deri në fund. Në të flitet me realizën edhe për « Europën tjetër » dhe rolin ogurzi të disa qarqeve keqdashëse.

1-     Nga dëshira e mirë e disa shteteve europiane për të parë Serbinë të inkuadruar në proceset e reformave demokratike bashkë me shtetet e tjera të rajonit.

2-     Nga dëshira jo e qartë e disa shteteve të Bashkimit Europian dhe e Rusisë për të kundërshtuar praninë dhe rolin e NATO-s në rajonin e Ballkanit.

3-     Nga dëshira e vjetër e disa shteteve të rajonit për të bërë një rikompozim të aleancave të vjetra në terrenin ballkanik me të njëjtën bazë antishqiptare. Ekspertë të ndryshëm vlerësojnë »se Serbia ia arriti këtij avancimi nëpërmjet nxitjes, pjesëmarrjes dhe fryrjes së vatrave të tensionit në rajonin tonë. Nuk ishte rastësi që ajo i lidhte vatrat e ndryshme të tensionit në Ballkan vetëm me emërtim shqiptar dhe me përrallën e vjetër të përpjekjeve për « Shqipëri të Madhe ». Fushata intensive e diplomacisë serbe për satanizimin e faktorit shqiptar në Ballkan, e kombinuar me veprimtaritë e lidhjeve të vjetra të shërbimeve sekrete dhe me idiotizmin apo mercenarizmin e disa grupeve revolucionare ose kriminale shqiptare, arriti të lëvizë për të keq në disa kancelari opinione dhe qëndrime kundrejt kombit shqiptar » :

Shaban Murati e meritonte të shkruheshin faqe të tëra për librin e tij, si dhe të tjera për Bosnjën etj. Shaban Murati shpreh një të vërtetë të pamohueshme në librin e tij të fundit që çdo historian apo analist i Ballkanit,  Europës  mund ta vërejë thjesht : « Cdo diplomat dhe analist e ndjen se bëhet e vështirë të kuptohet plotësisht kuadri i rolit dhe i veprimit të një shteti në Europën Juglindore, pa njohur edhe pikëpamjen e të gjitha kryeqyteteve rajonale, me të cilat shteti përkatës ka marrëdhënie dhe raporte historike e perspektive.



Një pikëpamje nga Shqipëria del si një nevojë për çdo studjues, që kërkon të plotësojë njohjen e hartës historike, diplomatike dhe politike të rajonit. Nuk janë të paktë diplomatët dhe studjuesit europianë, që e kanë krijuar opinionin e tyre për Shqipërinë dhe kanë formuar kulturën e tyre për çështjen shqiptare në Ballkan nga literatura politike serbe. Nuk kam hasur ndonjë studjues apo diplomat, që ta ketë formuar opinionin e tij për Serbinë nga literatura politike e Shqipërisë. Serioziteti i analizës dhe kërkimit të së vërtetës këshillon njohjen e dy literaturave… ». “Enigmat diplomatike të Pavarësisë së Kosovës”-fletë nga ditari i një ambasadori është shkruar për çështjen e statusit dhe të pavarësisë së Kosovës, brenda vorbullës së ngjarjeve,” i nxitur nga ndjenja e detyrës për të dhënë një kontribut modest në përpjekjet për të shpeguar në kohë për opinionin public dhe diplomatic shqiptar se çfarë po ngjet, për të dërguar një sinjal drejt vendimmmarrësve, nëse kanë patur veshë dhe dëshirë për të dëgjuar”.

Këto postulata dhe libri i sipërpërmendur i analistit të politikës së jashtme, prej mëse 50 vitesh dhe diplomatit të urtë, modest, por me tepër kulturë, Shaban Muratit, duke njohur thellësisht jo vetëm historinë, politikën, kulturën, zakonet e vendit të vet, por edhe të vendeve ku ka qënë ambasador, do të dëshiroja të përktheheshin sa më parë në gjuhë të huaj, qoftë anglisht, frëngjisht, apo gjuhë tjetër. Ky do të ishte një shërbim i madh që do t’i bëhej edhe kombit tonë dhe vënies në vend të të vërtetave historike që të mos shtrëmbëroheshin enkas, apo edhe të prirur për t’i servirur opinionit publik dhe lexuesit « fjalë dhe njerëz » që mund të shkaktojnë keqkuptime apo fatkeqësi popujve dhe vendeve të « Europës tjetër ». Mjafton që këta autorë të shohin edhe « jetët e dymbëdhjetë Qezarëve », 12 biografi të ndara në 8 libra për Qezarin, Augustin dhe trashëgimtarët e tyre julio-klaudienë (Tiberin, Kaligulën, Klaudin, Neronin) ; apo për tre perandorët e vitit 69 (Galba, Othoni, Vitelliusi), ato të tre perandorëve të dinastisë flaviane (Vespasienin, Titysin, Domilienin). Në to mëse njëherë përmenden me respekt Ilirët, paraardhësit autoktonë të « shqipëtarëve », « arbanasve », « arbëreshëve », « arvanitasve ». Le të lexojnë Homerin dhe ç’thotë për shqiptarët, dijetarin francez Solange d’Angely.



Çfletoj kohë pas kohe edhe librin e Gaston Boissier i Akademisë Franceze « Ciceroni dhe miqtë e tij », studim mbi shoqërinë romake të kohës së Qezarit, botuar nga libraria « Hachette » në 1923. Në të përmenden me simpati dhe shqiptarët. Po t’i kthehem qoftë edhe me dy rreshta librit të profesorit francez Zhorzh Kastelan « Historia e Ballkanit » ke respekt për këtë studjues që i jep vendin që meriton edhe « Europës tjetër », pra ndër ta dhe Shqipërisë dhe librin ja dedikon : « Kolegëve dhe miqve të mi në Shqipëri, Bullgari, Greqi, Rumani, Turqi e ish-Jugosllavi, të cilët gjatë një çerek shekulli më bënë ta kuptoj e ta dua Ballkanin ». Këtyre historianëve duhet t’u jepen në dorë dhe t’u besohen arkivat e shteteve europiane, në mënyrë që e vërteta historike të mos shtrëmbërohet dhe t’i shkojë për hosh keqdashësve të « Europës » për ta përçarë atë, për të futur pyka midis tyre.

Pra në këto çaste do të dëshiroja që ata që vendosin në Euopën e Brukselit, të cilëve do t’u dërgojmë një letër si intelektualë shqiptarë në Diasporë, të mësojnë edhe për Kombin tonë që i ka dhënë Europës figura të shquara, shumë më tepër se serbofilët që ai takon dhe ku sot e kësaj dite me mijra e mijra shqiptarë japin ndihmesën e tyre në fushën e ekonomisë, të shkencës, të ndërtimit, arsimit, që ato të ecin më përpara. Jo vetëm Ismail Kadarenë që njihet në botë më tepër se sa një president i çdo vendi qoftë, por edhe Robert De Niro, Aleksandër Moisiu, Sandra Bullock, James Belushi, Ferid Murati, Angjelin Prelocaj, Eliza Dushku, Stan Dragoti, Riçard Lukaj, Joseph DioGuardi, Emina Cunmulaj, George Tenet, Kledi Kadiu, Laura Mersini Houghton , Tedi Papavrami, Anthony Athanas, Erald Dervishi Saimir Pirgu, Fadil Berisha, Liria Begeja, Nik Xhelilaj, Karl Gega,  dhjetra e dhjetra artistë që i ka duartrokitur, ma merr mendja në skenat madhështore të Brukselit, Skalës, Parisit, Nju Jorkut, Athinës, Buenos Airesit, etj., edhe kryetarë shtetesh që e përbëjnë Europën. Hendeku midis « Europës tjetër » dhe Europës së 27-tëve nuk duhet të thellohet më. E vërtetë se epoka e E.H. e kishte hequr Shqipërinë nga historia e përgjithshme e civilizimeve europiane, pasi ishte cilësuar një « vend i mbyllur », « hermetik ». Por tani Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë më si portugezët kur « flakën » diktaturën vite më parë, apo spanjollët që fshinë frankizmin dhe hynë në Europën e Brukselit, megjithë mangësitë që kishin në ato kohë. Shqiptarët nuk janë më si italianët, grekët dhe popuj të tjerë që u detyruan në fillim të shekullit të 20-të, apo edhe më vonë të merrnin rrugën e kurbetit, atje në Amerikën e largët. Është e vërtetë që « arbanasit » kur u larguan nga vitet 1700 nga tokat e tyre amtare, u detyruan nga të tjerët të ndronin emrin, siç u detyruan edhe shqiptarët krishterë në kohën e otomanëve të ndryshonin emrat e tyre për të pasur një punë në administratën e asaj kohe. Megjithatë të vërtetat dhe vlerat e një kombi nuk mund të shuhen. Është e vërtetë që nga « padija » apo enkas, bashkë me qingjat shqiptarë, u grabitën dhe u shitën për dy kacidhe edhe zbulime arkeologjike, në ato vende që akoma i shkojnë për hosh për interesa të ngushta Beogradit dhe jam i bindur që kanë ndikuar  në vendimarrjen famëkeqe të  deri djeshme. Por ato nuk mund ta lënë Shqipërinë në një « Europë tjetër » për shumë kohë. Miku im Franko, si edhe unë ruajmë si të shenjta pemën gjenealogjike të familjeve tona, si edhe shumë familje në Europën e të 27-tëve. Nxisim edhe fëmijët tanë t’i kenë ato, si dhe fotografi të familjes, gjyshërve dhe gjysheve. Bëri mirë  Zografë Kokthi që na dërgoi jetëshkrimin e gjyshit dhe gjyshes së saj, luftëtarit me kobure,  Dhimitër Kokoneshi që të mos e harrojnë brezat e ardhëshëm. Ato do transmetohen brez pas brezi. Është e vërtetë se gjuha jonë dihet se është e folur që në « kohën e Perëndive », por historiografia perendimore i ka anashkaluar disa herë të vërtetat historike sidomos të Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse disa popuj, duke përfshirë dhe shqiptarët, si rezultat i pushtimeve të huaja, u detyruan të ndronin fenë, apo i janë bërë dhe padrejtësi të tjera, kjo nuk do të thotë se nuk janë të denjë për të zgjeruar Europën e të 27-tëve dhe duhet të qëndrojnë përjetësisht në « Europën tjetër ». Të jesh në Europën e Brukselit apo edhe jashtë saj, është një mënyrë e përkohshme jetese në të përditshmen e një qytetari europian, për të cilën unë shprehen pa prapamendime…Të gjithë jemi të ndërvarur dhe të lidhur me njeri tjetrin. Sipas mendimit bashkëkohor « Individualiteti » ka kuptim vetëm kur je në një grup dhe kur shkëmben mendime, por edhe kulturën, etj., me të njëjtën barazvlerë. Shumë vende që hynë vite më parë, apo edhe vitet e fundit në Europën e Brukselit dhe u shkëputën nga « Europa tjetër », nuk kishin të njëjtin nivel zhvillimi, siç e kanë sot, pasi kanë marrë subvencione të shumta. Korrupsoni në « Europën tjetër » është i dukshëm dhe në anën e « civilizuar ». Kjo si rezultat i një të vërtetë, pasi njerëzit bëhen të pangopur por disa herë edhe nga xhelozia…Lexojmë çdo ditë lajme të mira…Disa shoqëri ajrore përfshirë së fundi dhe Easyjet, etj fluturojnë në Shqipëri në aeroportin modern “Nënë Tereza” të Rinasit. Ku shqiptarët si edhe unë kemi tani pasaportat biometrike që siç duket përfaqësues të BE si kanë parë. Por do t’i a dërgojmë t’i shohin! Të shohin edhe autostradën që lidh Tiranën me Rinasin apo me Fierin tim. Të shohin bankat e shumta europiane dhe amerikane që janë vendosur në Shqipëri dhe i kanë shtuar dita ditës përfitimet e tyre. Të shohin disa universitete europiane ku japin mësim profesorë të dëgjuar shqiptarë që kanë studjuar në Europë dhe kolegë europianë apo amerikanë. Të shohin ato magazina madhështore që u a kalojnë atyre të shumë vendeve europiane, të shohë…Europën vetë , në Shqipërinë e brishtë demokratike !

Dëgjojmë edhe se statusi i Kosovës do të merret parasysh, shumë shpejt. Jetojmë në një epokë të jashtëzakonshme, plot shpresa dhe shqetësime, një epokë ku zbulimet pasojnë njëra tjetrën, ku qëndrimet e kundërta nuk kursejnë as zakonet dhe as traditat më solide ; një epokë ku problemet që dje nuk viheshin në dyshim : të energjisë, të zhvillimit të vendeve europiane, të strukturave politike të botës së industrializuar, sot përbëjnë një shqetësim për disa ; tani jemi « të pushtuar » nga Televizionet publike dhe private, si dhe gazetat e shumta ;  diku shprehen për paqe, për buqeta me lule, solidaritet, mirësi ; diku tjetër vetëm kriminalitet, prostitucion e drogë… Fenomene që nuk ishin të dukshme në të kaluarën, si rezultat i « hermetizmit ». Shumë prej tyre u sollën enkas nga mafia italiane, apo edhe vetë ndonjë fqinj, enkas për ta lënë Shqipërinë jashtë Brukselit. Thuhej për të qeshur se ekonomistët shqiptarë po të shkojnë në Amerikë do ta shkatërojnë ekonominë amerikane, me padijen e tyre. Por shumë prej tyre punojnë edhe në Uoll Strit, edhe diku tjetër, në aeronatikë, apo si arkitektë, profesorë, artistë, edhe në Europën e të 27-tëve…Ka ndonjë që të shtyjë hyrjen e Shqipërisë  apo Kosovës « de jure » në Bruksel, pasi u pëlqen fuqia e lirë punëtore shqiptare, mungesa e mbrojtjes së tyre nga « shteti i së drejtës » ku jetojnë…Ne jetojmë edhe në një epokë të solidaritetit ndërkombëtar, kur i jepet dora njeri tjetrit. Në këtë ndërvartësi të thellë, kufijtë pothuaj fshihen midis njerëzve apo edhe shteteve fqinje. Zvicra dhe Franca në kufijtë e tyre, nuk kanë mure ndarëse, apo tela me gjemba. Por kanë bimësi dhe lule. Natyrisht kontrollet « e lëvizshme » nuk mund të shmangen ndaj keqbërësve.

Nën shembullin e Komunitetit Europian që i bashkoi armiqtë tradicionalë, sapo kishte mbaruar lufta, popujt e vendeve të tjera europiane që nuk bëjnë akoma pjesë në Europën e të 27-tëve, pra janë në ”Europën tjetër”, si Zvicra, Norvegjia, Shqipëria, Kosova dhe disa vende të tjera europiane, do t’i sjellin asaj një frymë të re bashkëpunimi dhe paqeje në kontinent. Pra nga 49 vende që e përbëjnë kontinentin europian, vetëm 27-të prej tyre ndodhen në Europën e Brukselit.

Dihet botërisht se të paktën tre qytete kryesore të Shqipërisë, Durrësi, Shkodra dhe Berati, me një jetë të pandërprerë, kanë afërsisht një moshë me Romën. Gjurmët arkeologjike greko-ilire-romake, teatro dhe amfiteatro ndodhen kudo në vendin tonë. „Shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të kontinentit europian, popull themeltar në rrafshin e tij, ashtu siç është pranuar gjuha shqipe nga gjithë gjuhëtarët e mëdhenj, si një ndër 10 a 12 gjuhët bazë të kontinentit“, na kujton shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadaré. Dhe ai vazhdon me argumenta: „Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para europianitetin shqiptar. Zelli i atyre që me çdo kusht duan të zbehin disi edhe këtë fakt kokëfortë, arrin disa herë të krijojë përshtypjen se Shqipëria është në skaj të Europës dhe fill pas saj nis Turqia, ose Azia. Ndërkaq, kur hedh sytë në hartë vëren se gjer në atë kufi shtrihen së paku tri shtete të tjera: Maqedonia, Greqia dhe Bullgaria“.

Më lejoni ta përfundoj këtë shkrim me mendime të mija modeste, pa mllef, pa nerva, pa prapamendime për vende që i përkasin « Europës jashtë Brukselit », me fjalët e shkrimtarit të madh francez Viktor Hygo, shumë dekada më parë, në fjalimin e tij më 21 gusht 1849, në Kongresin e Paqes për „Shtetet e Bashkuara të Europës“: „ Do të vijë dita kur armët do t’u bien nga duart, edhe juve! Do të vijë një ditë kur lufta do të duket gjithashtu absurde dhe do të jetë po aq e pamundur midis Parisit dhe Londrës, midis Petersburgut dhe Berlinit, midis Vjenës dhe Torinos, që siç është e pamundur dhe duket absurde sot midis Rouenit dhe Amiensit, midis Bostonit dhe Filadelfias. Do të vijë një ditë kur ju Francë, ju Rusi, ju Itali, ju Angli, ju Gjermani, ju të gjithë, kombe dhe kontinent, pa humbur cilësitë tuaja të veçanta dhe individualitetet tuaja të lavdishme, do të shkriheni ngushtësisht në një bashkësi superiore dhe do të ndërtoni vëllazërinë europiane, ashtu si Normandija, Bretanja, Burgonja, Lorena, Alzasa, të gjitha provincat tona që u bënë njësh me Francën. Do të vijë një ditë kur nuk do të ketë më fusha të tjetra lufte dhe se tregjet do të hapin rrugën e tregëtisë dhe mendjet e njerëzve do mbushen me mendime. Do të vijë një ditë kur mortajat dhe bombat do të zëvëndësohen nga votat, nga votimi i përgjithshëm i popujve, nga arbitrazhi i nderuar i një senati të madh sovran që do të jetë në Europë, ashtu siç është Parlamenti në Angli, ashtu si është Dieta në Gjermani, si është Asambleja Ligjvënëse në Francë ! (Duartrokitje) Një ditë do të vijë kur do të tregohet një top në muze, siç tregohet sot një instrument torture, duke u habitur se çfarë ka qënë ai (Të qeshura dhe bravo nga salla). Do të vijë një ditë, ku do të shihen këto dy grupe të mëdha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shtetet e Bashkuara të Europës (Duartrokitje), të vendosura përballë njeri tjetrit, duke i dhënë dorën njeri tjetrit, mbi detet, duke shkëmbyer produktet e tyre, tregëtinë, industrinë, artet, gjenitë e tyre, duke deshifruar globin, duke kolonizuar shkretëtirat, duke përmirësuar nën shikimin e Krijuesit dhe duke kombinuar sëbashku, për të patur të gjithë mirëqënie, këto dy forca të pakufishme, vëllazërimi i njerëzve dhe fuqia e Zotit (Duartrokitje të zgjatura) Victor Hugo.

*Autori ka mbrojtur “Diplomën e Studimeve të Larta Europiane”/DEA/ në Universitetin e Gjenevës, me temën “Shqipëria dhe Europa – perspektiva të integrimit” dhe ka punuar në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Europën në Gjenevë, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën, dhe në organizma të tjera ndërkombëtare. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Alfred Papuçiu, Shtetet e Bashkuara te Europes

Ambalazh i ri i projekteve të vjetra

December 28, 2019 by dgreca

Takimet që filluan në Serbi dhe që do të përmbyllen në Serbi janë ambalazh i ri i projekteve të vjetra/

Nga Bardhyl Mahmuti/

Në samitet që u mbajtën në Berlin (28 gusht 2014), në Vjenë (27 gusht 2015), në Parisi (4 korrik 2016) dhe në Trieste (13 korrik 2017) përfaqësuesit më eminent të BE-së u përpoqën të mbanin të hapur perspektivën evropiane për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Bosnjën.

Është plotësisht e vërtetë se në përputhje me nivelin e takimeve, në të gjitha këto samite shteti i Kosovës është përfaqësuar me udhëheqësit e institucioneve të veta.

Në të gjitha këto takime u tha në mënyrën më të qartë të mundshme se “ardhmëria e shteteve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, sepse integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është investim strategjik për paqe, demokraci, prosperitet, siguri dhe stabilitet të Europës në tërësi”. Nga ky këndvështrim, “ata përshëndetën angazhimet që shtetet e Ballkanit Perëndimor të promovojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit të ndërsjellë regjional”.

Pjesëmarrja  përfaqësuesve të institucioneve të shtetit të Kosovës në këto takime ka qenë në përputhje të plotë me orientimet politike të vendit tonë për integrim në BE. Të përmenden “darkat dhe drekat që udhëheqësit e Kosovës paskëshin ngrënë me përfaqësuesit e Serbisë gjatë këtyre takimeve”, ashtu siç bën z. Edi Rama dhe tellallët e tij /gazetarë që janë futur në paketën e “ligjit antishpifje”, janë manipulim i neveritshëm. Të gjithë ata që përmendin takimet paraprake, të udhëhequra nga BE-ja, dhe fajësojnë udhëheqësit e Kosovës se gjoja “kanë futur vendin në rrugë qorre dhe kanë izoluar Kosovën” pse nuk morën pjesë në tri takimet e “Mini-Shengenit” serb, janë vënë në shërbim të fshehjes së realitetit dhe përhapjes së gënjeshtrave.

Përhapja e gënjeshtrave dhe fajësimi i udhëheqësve të Kosovës për mospjesëmarrje në takimet që nuk kanë asgjë të përbashkët me procesin e filluar nga BE-ja nuk është asgjë tjetër pos strategji e shfajësimit të palës serbe.

E vërteta qëndron në faktin se iniciativat e BE-së për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor u minuan nga serbët e Bosnjës. Të rikujtojmë se edhe gazetarët që sot hungërojnë kundër “hipokrizisë së politikanëve të Kosovës”, më 6 korrik të vitit 2019 publikuan lajmin se “Për shkak të ‘ftesës denigruese’, Thaçi refuzon ftesën e Dodik për në Samitin e Sarajevës”. Në shkrimet që publikuan këtë lajm thuhet në mënyrë të qartë se “kryesuesi i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik ka thënë se Hashim Thaçi nuk është ftuar në cilësinë e Presidentit të Kosovës, në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) që do të mbahet në Banja Llukë, por si përfaqësues i Prishtinës” dhe se “Dodik ia ka bërë të qartë Hashim Thaçit se ai duhet të kuptojë që Kosova është pjesë e Serbisë”.

Nuk ka turp më të madh sesa të fshihet ky fakt dhe të fajësohen udhëheqësit e Kosovës pse nuk marrin pjesë në takime të tilla.

As z. Edi Rama e as tellallët e tij nuk mund ta fshehin faktin se refuzimi i pjesëmarrjes në këtë samit nuk ishte futje e “Kosovës në rrugë qorre” nga ana e udhëheqësve të Kosovës, por qëndrim në përputhje të plotë me interesat e shtetit të pavarur të Kosovës. Të mos harrojmë se në atë kohë, edhe Kryeministri i Shqipërisë e refuzoi pjesëmarrjen në samitin e Banja Llukës dhe për këtë veprim askush nuk e akuzoi z. Edi Rama se “po e futë Shqipërinë në rrugë qorre”. Përkundrazi! Solidarizimi me Kosovën ngjalli një simpati të madhe te qytetarët e Kosovës.

Në të njëjtën periudhë kohore kur kryesuesi i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik i kujtonte Hashim Thaçit se “Kosova është pjesë e Serbisë” dhe e ftonte të merrte pjesë në samitin e Banja Llukës “si qytetar i Prishtinës”, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev doli me qëndrime të njëjta. Në intervistën dhënë “Kurir TV” të Serbisë, Zoran Zaevi mohoi gjenocidin e shtetit serb mbi shqiptarët, deklaroi se gjoja “Kosova është zemra e Serbisë dhe se aty është historia e Serbisë” dhe përsëriti qëndrimin e vet kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Në përputhje të plotë me pikëpamjet e lartpërmendura, më 24 dhjetor 2019 Zoran Zaev deklaroi: “Kosova mund t’i bashkohet iniciativës, por Kosova dëshiron të ftohet si një shtet më vete, e cila nga ana tjetër është pjesë e një problemi të pazgjidhur me Serbinë, ku vendet e tjera nuk mund të ndërhyjnë”.

Ndryshimi i rregullave të lojës që ishin vendosur nga BE-ja dhe përpjekja për t’i imponuar Kosovës kushte të papranueshme është njëra anë e medaljes. Anën tjetër të medaljes e përbëjnë përpjekjet ruso-serbe për grusht-shtet në Mal të Zi dhe mbështetja e forcave maqedonase që janë kundër BE-së dhe kundër NATO-s. Strategji ruse ka për qëllim të krijojë zonën e saj të influencës në këtë pjesë të Europës Juglindore dhe ta kthejë në digë kundër BE-së dhe NATO-s.

Takimet në Novi Sad, në Ohër dhe në Durrës nuk janë vazhdimësi e samiteve që u mbajtën në Berlin, në Vjenë, në Parisi apo në Trieste. Madje edhe vetë z. Edi Rama e titullon publikimin si “Takimi i 3-të Rajonal për Ballkanin Perëndimor”.

Takimet që filluan në Serbi dhe që do të përmbyllen në Serbi nuk janë asgjë tjetër pos një ambalazh i ri i projekteve të vjetra. Për këtë veprim që nuk ka përkrahjen e fuqive të mëdha të BE-së dhe të SHBA-ve, në intervistën ekskluzive për emisionin “Stav” të TV O2, të datës 23 dhjetor 2019, Aleksandar Vuçiq deklaroi se “Edi Rama ka treguar një guxim që rrallë shihet te politikanët ballkanas. Unë e di sesa është e rrezikshme dhe aspak naive kur u kundërvihesh të mëdhenjve evropianë apo të tjerë”.

 “Kushdo qoftë që e ka përmendur apo kërkuar bashkimin të Ballkanit dhe të ballkanasve, ai e ka pësuar. Edhe mbreti Alekdandar edhe Svetozar Markoviqi e kanë pësuar në mënyra të ndryshme (…) Mbreti Aleksandar Karagjorgjeviq ka qenë një njeri mjaft i dijshëm dhe jashtëzakonisht i guximshëm. E akuzojnë se ka vendosur diktaturën në kohën kur e ka shpëtuar shtetin që e ka formuar dhe ka mbrojtur të drejtën e serbëve që të jetojnë në një shtet. Ka rrëfimet, për të cilat nuk kemi fakte, se Zhorzh Klemanso (Georges Clemenceau) i ka thënë që ta vizatojë deri ku është Serbia e Madhe dhe ta marrë atë territor. Edhe pse një gjë e tillë nuk dëshmohet me asgjë, shumica e serbëve kanë qëndrim negativ ndaj mbretit Aleksandar Gjorgjeviq, pikërisht për këtë arsye. Ka qenë plotësisht e qartë se ka qenë e vetmja formë shtetërore që ka mundur të krijohet, ku serbët do të jetonin në një shtet. Dhe për herë të parë një gjë të tillë ka arritur ta bëjë mbreti Aleksandar së bashku me serbët e asaj ana të Drinës dhe të Danubit (…). Dhe për atë e ka vrarë organizata ku kanë qenë ustashët si Ante Paveliqi, VMRO-ja por bullgare e Vlado Çernozemskit, shërbimet sekrete italiane, angleze dhe të vendeve të tjera. Si ka mundur të jetë i keq për Serbinë kur të gjithë kanë dashur ta likuidojnë?!”.

Në ndërhyrjen e gazetarit Milovan Jovanoviq se “kritikuesit e Mini-Shengenit thonë se ky projekt parasheh krijimin e Jugosllavisë së Re, në Prishtinë flitet se po bëhet Serbia e Madhe, ndërkaq në Serbi thonë se je duke bërë Shqipërinë e Madhe” Aleksandar Vuçiq deklaron në formë sarkastike: “Të gjithë e kanë kuptuar! Mendoj se ajo është mirënjohja më e mirë për iniciativën tonë”.

Po, po! Në Kosovë të gjithë  kanë kuptuar se në kohën kur shteti serb u heq nënshtetësinë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjes, me qëllim që t’i shpallë si apatrid, presidenti serb Aleksandar, njëlloj si dikur mbreti serb Aleksandar, përpiqet të heq kufijtë e shteteve përreth, që serbët të jetojnë në një shtet. Në këtë kontekst, z. Edi Rama duhet të sqarojë pse pranoi të shkonte në takimin e Novi-Sadit në Serbi, atje ku nuk ishte ftuar Kosova, dhe pse ka pranuar të bëhet tellall i një projekti që Kosovën e sheh si pjesë të Serbisë.

Aleksandar Vuçiq sqaroi qëllimet politike të “Mini-Shengenit” serb. Ndërkaq, propaganda për krijimin e të ashtuquajturës “zonë e lirë e qarkullimit të kapitalit” nuk është asgjë tjetër, pos zhurmë për të fshehur qëllimin e vërtetë të krijimit të një “zone” ku do të qarkullojnë lirshëm paratë e pista, ku “kapitali” i grumbulluar nga krimi i organizuar dhe nga korrupsioni do të shitet si “investim i jashtëm”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, projekt i vjeter

T’i kam fal ty me tana/ Oh si Elvana nuk ban ma nana!

December 26, 2019 by dgreca


Opinion rreth këngës fituese me titull të pakuptimtë “Me tana” të çmimit të dytë në Festivalin e 58-të të Këngës në RTSH/
 
Nga Keze Kozeta Zylo/
 
Është e pamundur të rrokësh dhe të diskutosh rreth artit në Shqipëri, por kur bëhet fjalë për një Festival të pervitshëm Kombëtar ja vlen të sakrifikosh kohën flori tënden që mundohen të t’a bëjnë bakër ca surrogato tekstesh dhe që ngjiten me katapultë (tregtish) në majën e olipmpit të çmimeve të artit.  Nuk befasohem me çmimet që nga më të lartat e Kombit që jepen aq lehtaz dhe që në Shqipëri i bie që një në çdo tre veta ka varur ne qafe çmimin kombetar, por befasohem me publikun që i skuqen duartë nga duartrokitjet frenetike, kur dëgjon tekste të pështira, të pakuptimta, deformime sintaksore, perçudnime të gjuhës sonë Hyjnore. 
Ëshë mjerim kombëtar kur humbasin shijet estetike në popull, në shkolla, dhe për rrjedhojë zverdhet dhe “kalbet” fjala elegante e bukur shqipe.  E pamundur ta kuptosh këtë tekst të këngëtares Elvana Gjata tashmë shumë të njohur në Shqiperi dhe më shumë, e cila në festivalin e 58-të  këndoi këngën me titull “Me tana” ku midis të tjerash thuhej: “Ti kam fal ty me tana/ Me tana o me tana/ Dashni më fal/ O kush ka me ma nal…”
Kjo këngë me këtë tekst basardon gjuhën zyrtare, apo dhe gegënishten që është një pasuri më vehte kombëtare.  Quo vadis Kultura Kombëtare!  Festivalet e Këngës në RTSH janë pasuri kombëtare dhe ato duhen mbrojtur me fanatizëm professional e kulturor.  Por unë do t’i mëshoj mos çuditjes sime për çfarë po ndodh me artin dhe kulturën shqiptare, që fatkeqësisht shumë fusha kanë rënë në duartë e tregtareve të ndyrë që s’e kanë për gjë ta shesin si prostitutë rrugësh artin në skenat më të njohura siç është ajo në pallatin e kongreseve apo në Eurovizion.   
Edhe nxënësi më i keq me notën pakaluese nuk do të ma shkruante këtë tekst kaq të ulët të nivelit gjuhësor, kaq të pështirë, banal dhe kaq të pakuptimtë!…  
Ju ftoj ta lexoni këtë banalitet dhe nivel skandaloz si në këto “vargje”: Kohën ndale ndale/ Të shkoj ngadalë ndale/ o me ngadalë ndale/ Na na na na na…
Ky lloj te shkruari që vetëm Elvana dhe soji i Elvanës e kupton të kujton novelisten e famshme amerkane Nelle Harper Lee kur thotë se: “Gjuha e keqe është një fazë që të gjithë fëmijët kalojnë dhe ajo vdes me kohën kur mësojnë se nuk po tërheqin më vëmendjen me të. 
Po Elvana është kaq foshnjore sa edhe pse në një moshë të pjekur vazhdon të ngelet me atë lloj fjalori në varfëri të tesjskajshme dhe të shesi këngën, muzikën, tekstin si ndër më të mirën e vitit…
Festivali i këngës në RTSH nuk është personal, por është kombëtar, nuk është për analfabetët e Gjuhë Shqipe, por është për elitën e fjalës së bukur, nuk është për ahegun në mejhanet me qepë e gjizë dhe nga një gotë raki përpara, por është skenë kombëtare e muzikës së kultivuar.  Festivali i këngës ne RTSH nuk është për anëtar të jurisë të sojit Rita Petro për të cilën kam mbajtur qëndrim ne një shkrim timin, kur u vlerësua para pak kohësh me çmimin “Lumo Skëndo”  Mithat Frasheri mu në zemër të kulturës në palcë të Tiranës nga “kryeqeveriu” shqiptar Rama në bashkëpunim me ish ministren e kulturës Kumbaro të cilët i dhanë autores Petro për librin me titullin “Vrima” çmimin më të lartë “Lumo Skëndo”, me rastin e 95-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare.  Po sjellë në vëmendjen tuaj disa vargje nga libri “Vrima” e autores Petro dhe anëtare në jurinë e Festivalit të 58-të në RTSH si:  “Tani hiqi brekët ule kokën dhe shih mes kofshëve… Kjo është…? lulja ime”…   Ose po e sjellë në vëmendjen tuaj dhe tekstin e poezisë së hyjnizimit të incestit midis vëllait dhe motrës si: “Kur më prek/ Me duart aq të buta/ Lëkurën ma puçrron…/ Pse kur më puth në qafë/ Drithëroj e tëra/ Njomem atje poshtë?
Cfarë mallkimi kur dëgjon dhe krahason këto këngëtare me artiste të jashtëzakonshme të Kombit tim si Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha etj!  
Megjithatë do të thoshte Anjshtajni se “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar; jo për shkak të njerëzve që bëjnë gjëra të këqija, por për shkak të njerëzve që i shohin ata dhe nuk bëjnë asgjë, heshtin”…
Çfare trishtimi kur dëgjon dhe lexon këto tekste surrogate që ashtu si fëmijët kur dëgjojnë për herë të parë fjalët e turpshme dhe i përdorin vend e pavend ashtu dhe këta tregtarë të fëlliqur të artit kanë ngelur në atë nivel mjeran.  Këta kanë ecur ne drejtim tjetër duke arritur të kenë pasuri të patundshme në flori pikërisht nga heshtja jonë e papranueshme.  Dhe kjo është sa e dhimbshme po aq dhe e frikshme, sepse: “Ti kam fal ty me tana/ Oh si Elvana nuk ban ma nana!…
 
26 dhjetor, 2019-të
New York
 

Filed Under: Analiza Tagged With: Elvana Gjata, Keze Kozeta Zylo

Origjina serbe e “Mini-Shengenit” dhe të pavërtetat e z. Edi Rama

December 26, 2019 by dgreca

Mohimi i gjenocidit është helmi dhe acidi, që pamundëson shërimin e plagëve në Kosovë!/

Gjatë takimit me Aleksandar Vuçiq, Zoran Zajev dhe Milo Gjukanoviq dhe në konferencën me gazetarë që pasoi këtë takim, z. Edi Rama i quajti udhëheqësit e Kosovës “të paditur klasikë, që e kanë futur Kosovën në rrugë qorre, në rrugë pa rrugë dhe barrikadë qorrash” vetëm për arsye se nuk pranuan të ishin pjesë e sajesës që quhet “Mini-Shengen”, që atij i duket “i ngushtë”, sepse qenka mësuar me “maxi”!

Në këtë kontekst ai u mundua të mbajë një ligjëratë se si duhet të sillen politikanët e Kosovës në rrafshin diplomatik dhe kërcënoi se gjatë gjithë kohës që do të jetë në pozitën politike që ka, nuk do të lejojë askënd të cenojë të ardhmen e projektit në fjalë, që e prezanton si të ardhme të vetme të popujve të Ballkanit Perëndimor.

Përveç fyerjeve drejtuar udhëheqësve të Kosovës, z. Edi Rama i dha të drejtë vetes të fyejë të gjitha ata që u japin hapësirë mediatike qëndrimeve që nuk i pëlqejnë atij dhe i cilësoi se “mbllaçitin mediatikisht gënjeshtra”! Mungoi vetëm kërcënimi me ligjin antishpifje!

Së pari, është një e vërtetë e pakontestueshme se z. Edi Rama nuk është personi i duhur për të mbajtur ligjëratat se si duhet të sillen politikanët në rrafshin diplomatik. Përkundrazi. Ai është shembull se si nuk duhet të sillet një burrë shteti. Po marr një shembull konkret që ilustron këtë fakt. Gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA Edi Rama i dha vetes të drejtë ta cilësojë “Donald Trumpin si turpi i Amerikës”! Kur Donald Trumpi fitoi, ai i “mbllaçiti” fjalët e veta dhe deklaroi publikisht: “Unë s’jam manual se si duhet të flasë një kryeministër”. Këtu Edi Rama kishte plotësisht të drejtë: deklaratat e tij të papërgjegjshme dëshmojnë se ai është “i paditur klasik” në fushën e diplomacisë.

Së dyti, edhe pse nuk është “manual se si duhet të flasë një kryeministër”, është e pahijshme ta cilësojë dikë si “gënjeshtar”, përderisa as vet nuk thotë të vërtetën.

Është tërësisht i pavërtetë pretendimi i Edi Ramës se gjoja ideja e “Mini-Shengenit” paskësh qenë ide e tij! Një numër i madh shkrimesh kanë nxjerrë në shesh rrënjët serbe të kësaj ideje dhe unë nuk do t’i përsëris. Nëse Edi Rama këmbëngul ta fshehë origjinën serbe të këtij projekti, atëherë do të jetë i detyruar të sqarojë pse takimi i parë i këtij projekti u mbajt në Serbi dhe pse në këtë takim, ku u përcaktuan rregullat e lojës, nuk u ftua askush nga përfaqësuesit e shtetit të Kosovës. Përfaqësuesit e shtetit të Kosovës nuk mund të vinin të paftuar në atë takim, edhe pse Edi Rama, me përvojën e tij, do të kishte gjetur ndonjë kombinim si puna e asaj ftesës së “gruas së Bilalit”. 

Për sa kohë që z. Edi Rama nuk e thotë të vërtetën lidhur me origjinën serbe të këtij projekti dhe për sa kohë pretendon se ai ka qenë ideator që takimi i parë të mbahet në Serbi, pa praninë e përfaqësuesve të shtetit të Kosovës, nuk duhet të çuditet nga reagimet që vijnë nga Kosova. Përkundrazi! Z. Edi Rama, të cilit i duket vetja i “gjithëdijshëm modern”, duhet ta dijë se për politikanët e Kosovës, sado të “paditur klasikë” që t’i duken atij, është tërësisht e qartë se projektet e sajuara në Serbi kanë ritmin e valles serbe, “Zhikino Kollo”, dhe nuk kanë nevojë për ftesat e siguruara nga Edi Rama, në stilin e “Bilalit”.

Së treti, përpjekja e z. Edi Rama për të krahasuar përvojat e popujve që kanë qenë në luftë dhe që kanë ndërtuar një të ardhme paqësore dhe të begatshme me kontekstin e Ballkanit Perëndimor është manipulim i pastër.

Nuk ka nevojë të jesh “i dituri modern”, për të qenë i pajisur me njohuritë, se ai që shohim sot si Bashkim Europian, nuk është asgjë tjetër pos një proces që u mundësua, pasi Gjermania pranoi përgjegjësitë e veta për Luftën e Dytë Botërore, u kërkoi falje të gjithë popujve që u kishte shkaktuar tragjedi të shumta dhe u angazhua të riparonte dëmet e kësaj lufte. Në Ballkanin Perëndimor është e kundërta. Serbia jo vetëm që nuk u ka kërkuar falje popujve ndaj të cilëve ka kryer gjenocid dhe nuk ka pranuar përgjegjësinë për krimet që ka bërë në Bosnjë, në Kroaci dhe në Kosovë, por ajo vazhdon t’i mohojë të gjitha krimet e saj.

Sa i përket analogjisë ndërmjet Gjermanisë naziste dhe Serbisë së Millosheviqit, ministër i Informacionit i të cilit ishte miku i Edi Ramës Aleksandar Vuçiq, do të citoj intelektualin serb, Mirosllav Filipoviq: ““Është vështirë të gjendet institucion kombëtar, që të jetë munduar ta ruajë popullin serb nga kryerja e krimeve. Në veçanti është e vështirë të gjenden institucione që nuk e kanë nxitur popullin serb të kryejë krime. Ku ka qenë Akademia e Shkencave, ku ka qenë Kisha, ku ka qenë Universiteti, ku kanë qenë partitë politike? Çfarë ndodhi me Kishën, e cila paralajmëroi se do t’i hapë dosjet e krimeve serbe në Kosovë? Ku mbeti paralajmërimi i Kishës se në emër të popullit serb do të pendohet dhe do të kërkojë falje nga viktimat tona? (…) Në perëndim, Millosheviqin që moti e kanë quajtur “Kasap të Ballkanit” dhe e kanë krahasuar me Hitlerin. Gjermania e kohës së para Luftës së Dytë nuk mund të krahasohet me Serbinë e fillimit të viteve të ‘90. Kur Hitleri filloi të çartet dhe t’i ngjajë një kafshe të tërbuar, e braktisën një numër intelektualësh, shkencëtarësh dhe artistësh më eminentë të popullit gjerman. Edhe pse Serbinë e Millosheviqit e braktisën një numër artistësh, shkencëtarësh dhe intelektualësh, shumica e tyre u vunë në shërbim të tij, përkundër asaj se e dinin që me urdhrin e tij, me miratimin e tij ose, së paku, me dijeninë e tij, çdo ditë “nga dora serbe” e pësonin qindra njerëz të pafajshëm. Tani, të kërkohet nga këta njerëz që të flasin për krimet që janë bërë, do të thotë të kërkohet nga ata që ta pranojnë fajësinë e tyre”. (Miroslav Filipoviq, “Marshi i gjatë drejt së vërtetës për krimet”).

Së katërti, takimi i Tiranës nuk ishte asgjë tjetër, pos një maskaradë e llojit të vet, që i mundësoi Aleksandar Vuçiqit, Joseph Goebbels-it të Ballkanit, të tallet në mënyrën më të rëndë të mundshme me popullin shqiptar.

Nuk ka tallje më të madhe për shqiptarët, sesa kur dëgjon të shprehë “keqardhje për “fëmijët mrekullueshëm durrsakë, për prindërit dhe për gjyshërit e tyre që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti”, një person që ka qenë pjesë e pushtetit që përgatiti, zbatoi dhe u përpoq të fshehë krimin e gjenocidit në Kosovë, gjatë të cilit u vranë 1392 fëmijë shqiptarë, 1739 femra shqiptare dhe mbi 10 mijë shqiptarë të të gjitha moshave.

Nuk ka tallje më të madhe për shqiptarët, sesa kur dëgjon nga një person që ka qenë pjesë e pushtetit që gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë shkatërroi 100589 shtëpi shqiptarësh, 88101 stalla dhe objekte ndihmëse, 358 shkolla, 30 shtëpi kulture, 93 biblioteka, 220 objekte të kultit fetar (xhami, teqe, tyrbe dhe kisha) dhe që mohon krimet e bëra kundër shqiptarëve në Kosovë, të deklarojë  se “Qeveria e Serbisë do të marrë një vendim për të ndihmuar me një vlerë domethënëse parash, që do t’u mundësojë 100 familjeve shqiptare të kenë një kulm mbi kokë”.

Në fund, z. Edi Rama duhet ta ketë të qartë se asnjë fizkulturë e gjuhës nuk mund ta fshehë diellin me shoshë: nuk është refuzimi për të marrë pjesë në një valle me ritmin e “Zhikino Kollos”, ajo që pengon ndërtimin e urave për një të ardhme të begatshme të Ballkanit Perëndimor, por mohimi i gjenocidit është helmi dhe acidi, që pamundëson shërimin e plagëve në Kosovë, si parakusht për ndërtimin e marrëdhënieve të reja në këtë pjesë të Europës.

Nëse vërtet do të zbatohej një “ligj i mirëfilltë antishpifje”, atëherë z. Edi Rama do të duhej të përgjigjej për shpifjet e rënda ndaj atyre që nuk pranojnë “ftesat e stilit të gruas së Bilalit” për të luajtur vallen e orkestruar nga Beogradi!

Filed Under: Analiza Tagged With: Origjine serbe

Kuvendi i ri i Kosovës i zgjedhjeve të 6 Tetorit sot në seancë konstituive

December 26, 2019 by dgreca

-LVV e LDK ende pa marrëveshje koalicioni për qeverinë e re të Kosovës

-Në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, grupi më i madh parlamentar (LVV) do të ulet në qendër, grupi i dytë me radhë (LDK) në anën e djathtë të kryesuesit të seancës, ndërsa grupi i tretë (PDK) në anën e majtë-

-Kosova në 6 Tetor 2019 mbajti zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme-

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË,  26 Dhjetor 2019/ Nis sot pasdite, në orën 15:00, seanca konstituive e Legjislaturës VII të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila mund të zgjasë edhe ditëve tjera, pasi dy partitë opozitare – LVV e LDK, që janë e para dhe e dyta në rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të para më shumë se dy muaj e gjysmë – 6 Tetorit 2019 ende nuk kanë arritur marrëveshje për koalicionin qeverisës që e kishin paralajmëruar në deklarata dhe në takimet e zhvilluara për programin dhe ndarjen e posteve.

Herën e kaluar, Kuvendi i Kosovës i Legjislaturës VI, i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 Qershorit 2017 është konstituuar pas gati tre muajsh – në  7 Shtator, kur u zhvillua vazhdimi i shtatë i seancës konstituive të nisur në 3 Gusht.

Atëherë, vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës u ftua pasi edhe gjatë mbrëmjes së një dite më parë – 6 Shtatorit ishin zhvilluar bisedime mes koalicionit parazgjedhor fitues të zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma dhe Listës Serbe, që rezultuan me marrëveshje. Më parë koalicioni fitues i zgjedhjeve nënshkroi marrëveshje me AKR-në që kishte 4 deputetë, e cila e braktisi koalicionin me LDK-në që e kishte lidhur para zgjedhjeve.

Për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, të ftuar për sot, në axhendë janë tre pika: Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve; Dhënia e betimit të deputetëve; Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.

Seanca konstituive deri në zgjedhjen e kryetarit e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës do të kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, Jahja Koka, shoqëruar nga deputeti më i ri,  deputetja Fjolla Ujkani.

Sipas rezultateve përfundimtare të certifikuara nga KQZ, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, LVV me 26.270%  të votave ka 29 deputetë, ndërsa LDK  me 24.548% të votave 28 deputetë. Këto dy parti së bashku kanë gjithësej 57 deputetë dhe u duhen së paku edhe 4 vota tjera për t’i bërë 61, një më shumë se gjysmsa e Kuvendit, për të kaluar në votim kryetari dhe Kryesia e Kuvendit si edhe qeveria e re dhe për këtë llogaritet në votat e komuniteteve pakicë joserbe që kanë 10 deputetë dhe pritet të udhëheqin me një ministri.

Partitë shqiptare të koalicionit të kaluar qeverisës do jenë në opozitë: PDK me 21.234% të votave do ketë 24 deputetë, AAK me 11.515% të votave -13 deputetë, Nisma dhe AKR që ishin në koalicion parazgjedhor do të kenë 6 deputetë pasi me 5.002% të votave për pak e kanë kaluar pragun prej 5% për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Lista Serbe me 6.402% të votave ka të 10 vendet e deputetëve në Kuvend të Kosovës të garantuara me Kushtetutë për komunitetin pakicë serb, pasi partitë tjera serbe nuk arritën të fitojnë ndonjë vend deputeti. Kushtetuta e Kosovës komunitetit pakicë serb ia garanton edhe përfaqësimin në qeveri, ku pritet ta ketë një ministër në qeverinë e re me numër të ministrive gati të përgjysmuar – 12, sipas deklaratave nga LVV dhe LDK. Në qeverinë e kaluar të Kosovës me 21 ministri komuniteti pakicë serb kishite tre ministra, njëri prej tyre edhe zëvendëskryeministër. Dy ministra i kishin komunitetet tjera pakicë.

Në 18 Dhjetor 2019, në mbledhjen përgatiore për seancën konstituive të Legjislaturës VII, Kryesia e Kuvendit të Kosovës e Legjislaturës VI ka përcaktuar edhe ulëset për grupet parlamentare. Konform rregullores dhe praktikës së deritashme, grupi më i madh parlamentar (LVV) do të ulet në qendër, grupi i dytë me radhë (LDK) në anën e djathtë të kryesuesit të seancës, ndërsa grupi i tretë (PDK) në anën e majtë të kryesuesit.

Kosova në 6 Tetor 2019 mbajti zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme.

Kosova kishte zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe para më shumë se dy vitesh  në 11 Qershor 2017  pas mocionit të mosbesimit – rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga LDK me vota të bashkuara edhe nga partia më e madhe e maxhorancës PDK me opozitën dhe vetëshpërndarjes së Kuvendit në 10 Maj, tre vjet pas zgjedhjeve paraprake të 8 Qershorit 2014, që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.

Zgjedhjet e parahshme të 6 Tetorit 2019 u mbajtën pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. Në mbledhjen e 111-të të qeverisë që e drejtonte, të premtën e 19 Korrikut 2019, kryeministri Haradinaj njoftoi vendimin e tij për të dhënë dorëheqje të parevokueshme, pas ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale në Hagë për intervistim, duke theksuar se nuk dëshironte në asnjë mënyrë të dëmtojë imazhin e Kosovës dhe se para drejtësisë do të përballet si individ, me besim të thellë në pastërtinë dhe drejtësinë  e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për Ramush Haradinajn kjo është hera e dytë e ftesës nga Haga dhe e dorëheqjes nga posti i kryeministrit të Kosovës. Herën e parë Haradinaj dha dorëheqje nga kreu i qeverisë që e drejtoi rreth 100 ditë në 8 Mars 2005, menjëherë pasi u njoftua për ngritjen e aktakuzës dhe të nesërmen iu dorëzua vullnetarisht Tribunalit të Hagës, i cili e shpalli të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës në 3 Prill 2008 dhe përseri në 29 Nëntor 2012 pas rigjykimit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, Legjislatura e re

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 406
  • 407
  • 408
  • 409
  • 410
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT