• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Apelet e Uashingtonit për Maqedoninë

April 23, 2017 by dgreca

Qëndrimi i Uashingtonit është i qartë: Qytetarët i kanë zgjedhur përfaqësuesit e parlamentit në dhjetor, po ashtu ka një shumicë të qartë në Parlament e cila pret që të formojë qeverinë, prandaj ajo duhet të krijohet./

Mazedonien Gespräche Johannes Hahn mit Zoran Zaev (picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski)

Uashingtoni fton autoritetet e Maqedonisë të formojnë pa vonesë qeverinë e re. Politikanët në Maqedoni të cilët përpiqen që të bllokojnë formimin e Qeverisë, dëmtojnë stabilitetin e vendit dhe rajonit, prandaj këtyre politikanëve, mund të kërkohet të mbajnë përgjegjësi. Qytetarët i kanë zgjedhur përfaqësuesit parlamentar në dhjetor dhe ka një shumicë të qartë në Parlament e cila pret që të formojë Qeveri, ka thënë zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit. “Shtetet e Bashkuara inkurajojnë liderët maqedonas që të bëjnë gjithçka që munden që të formuar një Qeveri pa vonesa të mëtejshme në mënyrë që vendi të mund të vazhdojë me reformat e nevojshme për t’u bërë anëtare e plotë e familjes euro-atlantike.

Politikanët të cilët përpiqen që të bllokojnë formimin e qeverisë, e zhvlerësojnë sundimin e ligjit, proceset demokratike dhe stabilitetin në Maqedoni dhe në rajon”, vlerëson Departamenti i Shtetit. DASH do të punojë me partnerët evropianë për të inkurajuar këta politikanë që të ndalin opstrukcionet e tyre, duke përfshirë edhe mundësinë që të njëjtit të japin përgjegjësi për veprimet e tyre.

Mazedonien Proteste der Anhänger von VMRO-DPMNE (DW/P. Stojanovski) Protesta e VMRO-DPMNE

Ruzhin: Maqedonia mund të përballet me sanksione

Reagimi i DASH mbi krizën politike në Maqedoni, si edhe kërkesa për formimin pa vonesë të qeverisë së re  vlerësohet nga analistët politik në vend si një shpresë për zhbllokimin e ngërçit politik duke patur parasysh pozicionet e partive politike që janë aq të betonuara, sa që vështirë mund të ketë lëvizje nga vijat e tyre të kuqe pa një ndërhyrje të fuqishme nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian. Ish-ambasadori në NATO, Nano Ruzhin thekson se porosia e DASH-it në thelb përmban sanksione individuale ndaj aktorëve politik në Maqedoni, të cilat sipas tij do t’i mbështesin edhe shtete tjera të BE-së.

“Departamenti Amerikan i Shtetit shpreh qartë qëndrimin se politikanët të cilët bllokojnë formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit mund të ndëshkohen me sanksione individuale. Është ky apel që duhet t’i vërë në lëvizje politikanët vendorë”, vlerëson Nano Ruzhin.

Klasa politike duhet t’u qaset me kujdes thirrjeve të Uashingtonit në të kundërtën vendi mund të përballet me sanksione është i mendimit edhe profesori universitar Bashkim Selmani. “Udhëzimet nga faktori ndërkombëtar e diplomatik deri tani fatkeqsisht tek udhëheqësit e vendit kanë hasur në vesh të shurdhër. Tani mesazhet janë më konkretë, më decide, në rast se nuk përfillen këto mesazhe atëherë politikëbërja vendase mund të përballet me sanksione”, thotë profesor Selmani.

Shumica parlamentare duhet të jetë më aktive

Mazedonien EU Federica Mogherini mit Gjorge Ivanov in Skopje (picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski) Federica Mogherini me presidentin, Ivanov

Për profesorin e të drejtës ndërkombëtare, Denko Malevski qëndrimi i DASH për krizën politike në Maqedoni mund të ndikojë në lëvizjen e krizës nga pika zero. “Besoj se të gjitha këto reagime apo presione, pavarësisht se si interpretohen, në fund do të rezultojnë me sukses. Duke parë zhvillimet në katër muajt e fundit, që nga përfundimi i zgjedhjeve, apo edhe të viteve të fundit, nga politikanët tanë gjithçka mund të pritet”, thotë Maleski.

Për profesorin universitar Bekim Kadriu porositë që vijnë nga jashtë janë parapërgatitje për formimin e qeverisë nga shumica e re, e cila do të njihet nga faktori ndërkombëtar. “Vlerësoj se ata përgatisin terrenin, që nesër të mundet që një Qeveri e tillë e zgjedhur të ketë njohje edhe nga shtetet e BE-së dhe SHBA-ve, pra thjesht të ketë legjitimitet dhe mbështetje të plotë. Për shkak se zgjedhja e Qeverisë pa dhënien e mandatit do të jetë një masë e jashtëzakonshme si rezultat i shkeljes së Kushtetutës nga vetë Presidenti Ivanov”, shprehet profesor Kadriu.

Analisti politik Nikolla Dujoski është i mendimit se partitë e koalicionit të ri parlamentar duhet të shpërfillin VMRO-në e Nikolla Gruevskit dhe vetë të votojnë institucionet e reja, pasi në të kundërtën, rrezikojnë të humbin mbështetjen tek elektorati. “Kemi një shumicë parlamentare, ata duhet ta kryejnë punën e tyre. Çdo ditë e humbur është humbje për Maqedoninë. Deri në formimin e Qeverisë kjo mbështetje për ta mundet të mbetet, por nëse ngërçi nuk zgjidhet qytetarët do të kërkojnë zgjedhje tjera”, thotë Dujovski. Presidenti Gjorgji Ivanov dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski përmes deputetëve të partisë së tij kanë bllokuar zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit, duke vlerësuar se platforma e shumicës parlamentare rrënon themelet e shtetit unitar maqedonas, pasi me të i hapet rruga ndryshimit të Kushtetutës dhe federalizimit të vendit.(Fatos Musliu)

Filed Under: Analiza Tagged With: Apelet e Uashingtonit, PËR MAQEDONINË

Francë: Zgjedhje dramatike presidenciale

April 23, 2017 by dgreca

Në Francë po mbahen zgjedhjet presidenciale, derisa janë shtuar masat e sigurisë.Votimet e sotme në kuadër të rrethit të parë të zgjedhjeve tejet dramatike, mund të kenë ndikim të madh në situatën gjeopolitike në përgjithësi, përfshirë të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe raportet e perëndimit me Rusinë.

Më se 60 mijë vendvotime janë hapur në orën 8:00 të mëngjesit, ndërsa në orët e para të votimeve është shënuar dalje prej 28.54% e zgjedhësve, ka njoftuar Ministria e brendshme e Francës. Kjo përqindje është pak më e lartë se ajo që është regjistruar në të njëjtën kohë të zgjedhjeve në vitin 2012.Zgjedhjet, që janë më të paparashikueshmet në votimet presidenciale në Francë për disa dekada, mbahen vetëm disa ditë pas vrasjes së një oficeri të policisë në Paris, për të cilin përgjegjësinë e kishte marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS). Kjo gjë e ka vënë çështjen e terrorizmit dhe të sigurisë në ballë të garës zgjedhore, ku marrin pjesë gjithsej 11 kandidatë, por katër prej tyre konsiderohen favoritë.

Autoritetet thonë se në ditën e zgjedhjeve, në gjithë Francën, janë aktivizuar afro 50 mijë policë dhe 7 mijë ushtarë.Në Francë ende është në fuqi gjendja emergjente pas një serie të sulmeve, nga të cilat prej vitit 2015 janë vrarë më se 230 vetë.

Sipas hulumtimeve të opinionit, kandidati i qendrës, Emmanuel Macron, dhe liderja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, janë favoritë në raundin e parë të zgjedhjeve, megjithëqë kandidati konservator, Francois Fillon, dhe politikani i së majtës ekstreme, Jean-Luc Melenchon, po ashtu, konsiderohet se kanë gjasë për tu kualifikuar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 7 maj.Në një incident në ditën e zgjedhjeve, afro gjashtë demonstruese pa veshje të sipërme, nga grupi i aktivisteve feministe, Femen, janë arrestuar sot herët në mëngjes, afër një vendvotimi në Paris, ku kandidatja Le Pen, ishte nisur për të votuar.Protestueset kërcyen para një makine duke bartur maska të politikanes franceze të së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, por ishin larguar me të shpejtë nga policia. Pak pas këtij incidenti, Le Pen votoi.

Kandidati Emmanuel Macro votoi në qytetin bregdetar, Le Touquet, në pjesën veriore të Francës, së bashku me bashkëshorten e tij, Brigitte.Vlerësohet se zgjedhësit e papërcaktuar e përbëjnë gati një të katërtën e votuesve. Rrjedhimisht, vëzhguesit politikë thonë se vrasja e policit para disa ditëve në Shamp-Elize, mund të jetë epërsi për kandidatët që shihen si më të ashpër në terrorizëm dhe siguri.

Pas këtij sulmi, Le Pen e portretizoi vetveten si kandidate e vetëm e aftë për ta mbrojtur vendin kundër ekstremistëve islamikë.Liderja e Frontit Kombëtar, Marine Le Pen, 48 vjeçare, është kritikuar për shfrytëzim të sulmit për përfitime politike.Fitorja eventuale e zonjës Le Pen, me politikën e saj kundër imigrimit dhe kundër Bashkimit Evropian, do ta shënonte vazhdimin e rritjes së ndjenjës izolacioniste në gjithë botën perëndimore, që e ndihmoi dërgimin e Donald Trumpit në presidencën amerikane dhe referendumin për dalje të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Franca është anëtare kryesore e NATO-s dhe është shtyllë e unitetit të Bashkimit Evropian në përgjigje ndaj Rusisë për aneksimin e Krimesë së Ukrainës dhe për mbështetjen e Moskës për separatistët e armatosur në pjesën lindore të Ukrainës. Për këtë arsye, perëndimi ka imponuar sanksione kundër Rusisë.

Sikur zoti Trump, edhe Le Pen, në të kaluarën, ka folur me admirim për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe e ka mbështetur tërheqjen e sanksioneve kundër Rusisë për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë.

Pas një vizite në Moskë gjatë muajit të kaluar, me ç’rast është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, ajo e ka kritikuar atë që e ka quajtur “vizion militant” të Bashkimit Evropian.

Në shumë hulumtime të opinionit, Marine Le Pen plasohet në vendin e dytë, pas kandidatit Macron në raundin e parë, por për raundin e dytë duket se ajo nuk ka gjasë të fitoj kundër ish-ministrit të ekonomisë, Emmanuel Macron, që është politikan pro-evropian.

Zoti Macron e ka marrë një pozicion më të ashpër kundër Rusisë në mesin e katër kandidatëve kryesorë presidencialë, duke i mbështetur sanksionet e BE-së kundër Moskës dhe duke e akuzuar Kremlinin se është i involvuar në sulmet kibernetike, kundër fushatës së tij.

Rusia disa herë i ka hedhur poshtë akuzat se është përpjekur të ndikoj në zgjedhjet franceze.(Kortezi:RFL)

Filed Under: Analiza Tagged With: Francë: Zgjedhje dramatike presidenciale, Siguri e larte

Etika e Kënaqësise

April 23, 2017 by dgreca

Nga Blerta Haxhiaj/Aristoteli thotë: “Femra, si femër është pasive, ndërsa mashkulli si mashkull është aktiv” ku roli i dy aktorëve është se njëri performon aktin dhe partneri është i përformuar nga akti. Për njeriun aktivizimi dhe pasivizimi (tepruar) janë dy forma të imoralitetit për të praktikuar kënaqësinë. Si strukturë e praktikës të aktivitetit seksual Foucault në shkrimet e tij tregon se si ky akt bëhet objekt i diferencimeve dhe vlerave, se si arsyeja nuk konsiston, se akti seksual është një e keqe në vetëvete, si rënie në humnerën e kotësisë ku në përgjithësi aktiviteti seksual përceptohet si natyrore dhe e domosdoshme ku krijesat njerëzore janë të afta për riprodhim, e tërë raca mund t’i ikë zhdukjes. Shen Agustini thotë “Ne lindemi mes feçes dhe urines”. Si gjendje natyrore (ajo që rritet nga vetëvetja) nga Platoni, kënaqësitë që kontrollohen nga aphrodisia kanë shkaqet e tyre duke u dakorduar me Aristotelin si të domosdoshme dhe për trupin në përgjithësi. Përdorimi i kënaqësisë duhet të respektojë rregullat, normat dhe duke qëndruar larg në mënyrë që mos të ofendohen zotat, duke praktikuar një strategji të përdorimit të kënaqësisë si të do-mos-doshme. Mënyra skandaloze e Diogenes Laertius, që kur kishte nevojë të përmbushtë oreksin e tij seksual shkonte në vendet publike kishte impakt me karakerin publik të aktit. Rregullat e Diogenes Laertius ishin kundër privatësisë të drejtuara nga performanca e tij kritike ku ai tregon se kjo është një zakon ‘për të bërë gjithçka në publik, puna e Demetres më pëlqimin e Afërditës’ duke u arsyetuar se nëse mengjesi (ushqimi) nuk është absurd, as mëngjesi në publik nuk është absurd. Duke analizuar këtë paragonizëm të ushqimit e cila është shumë e çuditshme i jep Diogenes Laertius një domethënie të duhur përderisa praktikimi i kënaqësisë nuk mund të jetë e turpshme derisa është e natyrshme as më pak dhe as më shumë përmbushja e kënaqësisë “E vërteta eshte se seksi publik eshte dekadent” Strategjia bën të aplikueshme një ekuilibër të dinamikës të kënaqësisë dhe dëshirës, e lidhë dinamikën nga të larguarit, që të bëhet e teprueshme duke mbajtur përmbushjen e domosdoshmërisë në limitet e brendshme. Foucault në “Përdorimi i Kënaqësisë’ përmes autoreve antikë grekë thotë se në vërejtjen e kënaqësisë brenda gratifikimit të dëshiravë a-normale është ai lloji i njerëzve të cilët ushqehen me ushqime të mira, blejnë verë të shtrenjte dhe ikin nga të ngrohtët në kërkim të ftohtit dimëror, ky lloj raporti përdoret edhe për meshkujt dhe femrat në rend për të gjetur kënaqësi të reja të afrodisies duke u kuptuar në këtë mënyrë kjo kodifikon dhe moderon një formë të nënshtrimit të një sistemi të ligjeve të normave të sjelljes siç thotë Sokrati është një art praktikimi i kënaqësisë apo ‘vetëkontrollimi i vetevetes’. Marrëdhënia mes kënaqësisë dhe dëshirës mund të përshkruhet kështu; njeriu mund të marrë pozicionin dhe rolin e kundërshtarit me gjithë respektin për të dyjat, lufta shpirtërore është një traditë e cila merr shumë forma dhe delineohet në mendimin klasik grek, lufta mes vetevetës me veten ose mposht ose mund të jetë i mundur por të dyja janë pjesë të tij. Në traditën e krishtertë kjo lloj lufte kundër dëshirës dhe kënaqësisë ishte të kryqëzosh shpatat me vetëvetën. Domeni i kënaqësisë, virtytit nuk konceptohet si një gjendje e integritetit por si marrëdhënie e dominimit. Marëdhënia e sundimit këto terme janë të përdorura edhe nga Platoni, Xenofoni, Diogjeni, Aristoteli duke e definuar ‘sundo dëshirat dhe kënaqësitë’ – ‘ushtro pushtet mbi to’, ku me fjalët e Sokratit: “Nuk është abstinencë nga kënaqësia që qëndron e mira e kësaj por sundimi mbi to pa u dëmtuar nga to” në spiritualizmin kristian mund të quhet heudokratizëm. Etika e kënaqësisë eshtë si strukturë politike ku individi është si qyteti (polisi) prandaj ai duhet të sundojë kënaqësitë që mos të ngujohet në lakun e pushtetit të kënaqësisë të sundojë mbi të dhe mos të jetë inferior ndaj atyre fuqive si te paradigma e polisit në “Republika”-“Politea” e Platonin ku filozofët duhet të ndërtojnë një udhëheqje të shpirtit. Virtyti ishte aftësia për të qënë ‘ në mënyrë të përkryer’ është diçka që nuk mund të tregohet në veprim, në kuptimin grek virtyti përputhet me realizimin e vet esencës, apo te Aristoteli që paraqitet si habitat, në këtë mënyrë ky nocion është i shtrirë te të gjitha qëniet njerëzore. Sipas Sokratit virtyti është të bësh atë për të cilën je i programuar ta bësh, ajo që në planin objektiv duhet realizuar vetë esenca, në planin subjektiv përputhet më lumturinë, virtyti (virtus-virilita-vir-mashkull – (lat) ) individual duhet të strukturohet si një qytet (polisi). Nga origjina e fjalës përdoret dhe sensin maskilist pikërisht për aftësitë luftarake si p.sh guximi, por që ky koncept shndërrohet në aspektin relativist si reference e vlerave dhe kritereve, por për ironinë e fjalës që na rezervon etimiologjia në latinisht ky koncept virtyt shumë shpesh përdoret për ndëshkimin femëror. Platoni në pasazhet e tij paralajmëron se këto ngjarje shpirtërore mund të jenë të rrezikshme dhe mund të pushtojntë tërë shpirtin, por asketizmi mund të përshkruhet si vetë-kontrollim edhe nga praktikat e pitagorianëve. “Ereksioni është mendim, kurse orgazma akt përfytyrimi” në të cilën ereksioni është shpresa për objektivitet “për pushtet, për të vepruar si agjent i lirë”  Foucault-ja përmes tekstet e autorëve grekë paraqet një ushtrim të pushtetit dhe vetë-kontrollimit të vetëvetës dhe të qytetit se si moderohet qyteti një autonomi relative mes ushtrimit të sundimit të vetëvetës dhe mësimit të asaj e cila është e nevojshme për të sunduar të tjerët si teknikë etike pastaj autokratike. Asketizmi në mendimin klasik grek ishte që vetëvetja të hyjë në një subjekt etik si pjesë integrale duke praktikuar një jetë të virtytshme. Aksesi drejt së vertetës dhe ashpërsisë së seksualitetit është zhvilluar nga grekët në bazë të dashurisë se djemve, në  “Simpozium” paraqitet biseksioni e njeriut të parë i ndarë në dy pjesë (mashkull dhe femër) të dy pjesët të të njejtit seks, një andrologji, dhe ngihet pyetja e natyrës së dashurisë që ironikisht vendoset në gojen e Aristofanit, një kundërshtar i vjetër i Sokratit, në pasazhet e Platonit, që të ndarë në botë larg njëri-tjetrit duke kërkuar në mënyrë të dëshpëruar pjesën e humbur për tu bërë sërisht një me të, natyra e dashurisë së djaloshit për mashkullin është gjysma e mashkullit si qënie, ai do të marrë kënaqësi dhe ngjitet anash mashkullit duke u bërë njësh me mashkullin.  “Per mua, parësore është estetika. Largimi i athinasve nga gratë dhe të shkuarit me djem ishte një akt i shkelqyer konceptualizmi. I padrejte dhe në analizë të fundit vetëdëmtues, ky akt ishte gjithësesi një lëvizje e qenësishme drejt formimit të kulturës dhe identiteti perëndimor. Djali i bukur grek, siç vura në dukje më sipër, është një prej personae seksuale të mëdha të Perendimit.” “Për Platoni dashuria është lidhja me të vertetën” nëse Erosi është lidhja më të vërtetën, të dy dashuruarit mund të bashkohen vetëm nëse ata lëvizin në të njëjtin drejtim të dashurisë. Lidhja mes së vërtetës dhe dashurisë të erotikës platonike është çështje shumë themelore, të njihet natyra e dashurisë së vertetë e cila e përkufizon atë. “Homoseksualiteti mashkullor mund të jete përpjekja më e guximshme për t’i shpëtuar femme fatale dhe për ta mposhtur natyren. Duke u larguar nga meduza nënë, qofte me nderim apo urrejtje për të, homoseksualiteti mashkull bëhet një nga farketaret e mëdhenjt të absolutizmit të identitetit perëndimor. Por, sigurisht natyra fiton, siç ka fituar ngahere, duke e paguar me semundje çmimin e shthurjes seksuale” Duke përdorur në mënyrë të drejtë kënaqësinë e gjejme si të ushqimi, te trupi por edhe të dashuria, loja mizore e Erosit dhe Afërditës lidhën me të vertetën që nga dy vlera të vërtetësisë ose pohojmë ose mohojmë, Foucault përmes pasazheve të autoreve greke antike në “Përdorimi i Kënaqësisë” jep një pasazh të rëndësishem ku dashuria lidhet me të vertetën. Në “Simpozium” dhe “Memorabilia” Xenofoni paraqet Sokratin i cili paraqet një linjë të ndarë mes dashurise së trupit dhe shpirtit, duke likuiduar dashurinë e trupit dhe duke bërë dashurinë e shpirtit si dashurinë e vërtetë, parimin i cili jep vlera çdo relacioni më terme pozitive ku çdo element duhet të bazohet mbi socializimin, shoqërinë, një shqetësim ontologjik dhe deontologji, e cila sillet rreth delimitimin se ku duhet të jetë dhe ku nuk duhet të jetë, dashuri e mirë, dashuri e keqe që konsiston në një lojë reciproke. Në kulturën greke dhe në relacion me dashurinë e djemve ështe një nga elementet e etikës seksuale duke aplikuar parimet si atë te simetrisë dhe reciprocitetit në një lidhje dashurore, purifikimi i dashurisë në të vërtetën e saj, ku një pikë e rëndësishme sjell një ambient të çuditshëm për sa i përket dashurisë së djemve për të pranuar realitetin e tyre, pse të mbjellësh farën në një arë që është sterile, kur je i përceptuar për të prokrijuar, por përsëri zgjedhja jote është për një dashuri që të drejton në apori duke të të lidhur me të verteten. Një asketizën tregon pikërsht stilizimin me dashurinë e djemve duke valorizuar vatrën e kësaj dashurie duke organizuar nje etikë të estetikës së vetëvetes. DEONTOLOGJI. Arti i erotikës në mënyrë të veçantë trajtohet në kontekstin e etikës së kënaqësisë si problematizim e aktivitetit seksual sidomos të atyrë të djemve, në lidhje me të vertetën, si një moderim i veçante në refleksionin grek që kjo mund të konstituohet në një pikë të rëndësishme e cila pyet një elaborim të sjelljes dhe stilizimit të përdorimit të kënaqësisë por duke u sjellur rreth kësaj mes përdorimit të kënaqësisë dhe aksesit dejt të së vërtetës është zhvilluar nën një forme të kujdesit rreth natyrës së dashurisë se vertetë. Tipet e stilizimit të konduktit seksual janë të përqëndruara rreth trupit, menaxhimi i martesës, një erotikë që si subjekt janë djemtë dhe një filozofi në kërkim të së vërtetës, që nuk mbetet mbrapa shqetësimi i njeriut i cili kujdeset për veteveten, se në çfarë mënyre kanë përdorur kënaqësinë që për grekët konsiderohej nga ata si një problem moral, përkufizimi moral i kënaqësisë e cila njihet si loja mizore e Aferditës e huazuar nga kodi kristian ishte të fiksohet koha e duhur për martesë dhe lindja e fëmijëve duke u paraqitur si nje pjesë ofensive dhe e pafajshme.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Etika e Kënaqësise, Mr.Sc Blerta Haxhiaj

Të ishte Edi në vend të Lulit, të ishte Luli në vend të Edit

April 21, 2017 by dgreca

Nga Skënder Buçpapaj/

U bënë 50 ditë që Luli erdhi me çadrën e tij fare pranë zyrës së Edit. Kreu i opozitës erdhi fare pranë zyrës së Kryeministrit, saqë ky disa herë desh e ka ngatërruar derën e Kryeministrisë me derën e Çadrës së Lirisë.Përëndrrat kryeministrore u përzien aq rëndshëm me përëndrrat kryeopozitare, saqë njëri zgjohet nga përëndrra e tij dhe i duket vetja se është tjetri. Edi zgjohet nga përëndrra e tij dhe i duket vetja se është Luli, kryeministri zgjohet nga përëndrra e tij dhe i duket vetja se është kryeopozitari; nga përëndrra (ëndrra me sy hapur) zgjohet kryeopozitari dhe i duket vetja se është kryeministri. Është e paplotë, është përgjysmë përëndrra e njërit pa përëndrrën e tjetrit, sepse ato priten në mes gjithmonë nga i njëjti ankth dhe nga i njëjti makth, por edhe sepse ato puthiten, qepen, ngjiten, saldohen mes tyre, duke u bërë një nga e njëjta shpresë e përbashkët.Ankthi i njëjtë, makthi i njëjtë, i përbashkët i kryeministrit dhe kryeopozitarit është Reforma në Drejtësi. Shpresa e përbashkët është që Reforma në Drejtësi të jetë një kreaturë që të mos e ketë kurrë fatin e ardhjes në jetë, të jetë një fetus që të ndërpritet në muajt sa më të hershëm të pasngjizjes.

Të ishte Edi në vend të Lulit

Luli do të donte që çadrën e tij ta vendoste poshtë dritares së Ramës, por ashtu do të dukeshin si Romeo dhe Zhuljeta.Më mirë, tha, të jetë në hapësirën midis dritares së ish Mehmet Shehut dhe dritares së ish Enver Hoxhës. Dhe prej këtu deri tek Perëndia të jetë Hapësira e Lirisë. Qielli që harkohet mes njërës dhe tjetrës të jetë Qielli i Lirisë. Prej godinës së ish Mehmetit deri tek godina e ish Enverit të jetë Sheshi i Lirisë.Vetë Rama, kur ishte kryeopozitar, nuk e vendosi çadrën e tij poshtë kryeministrit të atëhershëm, sepse do të dukeshin si Zhuljeta e Romeo.

Është një kohë shumë habitore, nëse e përmban gramatika një të tillë, kur Rama do të donte (oh, sa do të donte) të ishte kryeopozitari dhe të protestonte ai kundër Reformës në Drejtësi, të mos i kishte rënë Lulit shorti për këtë kryevepër historike.Po të ishte Edi në vend të Lulit, protesta në çadër do të kishte filluar që në ditën e parë kur u zu në gojë Reforma në Drejtësi. Sot, pra, nuk do të kremtohej dita e 50 e satë e Çadrës së Lirisë, por do të kremtohej dita e 500 e satë e saj.

Çadra e Lirisë e Edit nuk do të ishte e hapur si kjo e Lulit, do të ishte e mbyllur. Dhe në çdo paraqitje publike do të dilte nga një zëdhënëse e re, secila do të ishte një fytyrë e re për publikun, madje edhe një zë i ri. Ato do t’i mërmërisnin, secila më ëmbël se tjetra, do t’i recitonin secila më kumbueshëm se tjera, do t’i këndonin secila më sokëllitshëm se tjetra pjesët e tyre para publikut. Do të ishin si sirenat mitologjike, nuk do të kishte dëgjues apo shikues që të mos binte viktimë e magjisë së tyre. Ndërsa Edi atëherë, Luli tashi, do të shfaqeshin një herë në ditë para gazetarëve nga Selia Rozë, përkatësisht nga Selia Blu.Brenda çadrës së Lirisë sot dëgjohet muzikë, luhet domino, tavlla, shah, ik një ndërresë çadristësh, vjen një ndërresë e re çadristësh, e marrin fjalën njëri pas tjetrit eksponentë të opozitës, e merr fjalën çdo ditë Basha, derisa i shterron zëri i rezervuar për ditën apo natën përkatëse.Brenda çadrës së grevës së Edit hahej, pihej, flihej, shihej, fshihej, rrihej, arrihej, mbërrihej, nuk pushonin ditë e natë shuarjen e urisë së grevistëve shërbimet sociale që sillnin ushqime e pije dhe nxirrnin ambalazhe e mbetje ushqimore, nuk pushonin shërbimet mjekësore që matnin pulset, temperaturat, tensionet, nivelet e sheqerit. Atje ngrënë, pirë, shtrirë, ngrirë, shkrirë, mpirë, çmpirë do të koaludohej administrare e Edit, do të formatoheshin zero reformat e Edit të këtyre katër vjetëve, zero rezultatet e qeverisjes së Edit.

Rama nuk do të kishte bërë kurrë ndaj qeverisë një opozitë kaq dëfryese, kaq zbavitëse, kaq çlodhëse dhe ripërtëritëse si ajo e Bashës. Një opozitë të tillë Rama e ka bërë vetëm nga pranvera e vitit 2008, kur ndodhi Gërdeci, deri në pranverën e vitit 2009, kur Berisha mori mandatin e dytë të kryeministrit nga zgjedhjet e atëhershme. Rama u kujtua të bëjë opozitë pas humbjes zgjedhore dhe të kërkonte me qindra ditë pa pushim hapjen e kutive. Këtë e bënte vetëm që të mos e shkarkonin nga kreu i Partisë Socialiste dhe jo pse ia kishin mohuar postin kryeministror.

Basha e shfajëson veten se bëri katër vjet opozitë konstruktive. Ndërsa e la opozitarizmin për katër muajt e fundit, tashi kërkon edhe muaj të tjerë plotësues për t’u përgatitur për garën e re zgjedhore. Këtë e bën jo pse e synon postin kryeministror, por vetëm sepse ka frikë se do ta heqin nga kreu i Partisë Demokratike.

Të ishte Luli në vend të Edit

Përballë Reformës në Drejtësi edhe vetë ish Enveri, edhe vetë ish Mehmeti do të bëheshin besimtarë dhe do t’i luteshin Zotit 7 herë, 77 herë 77 mijë, milionë, miliardë herë që të shpëtonin prej saj, sidomos prej Vettingut.

Po të ishte Luli në vend të Edit, të ishte kryeministër e të mos ishte kryeopozitar, gjëja e parë që do të bënte do të ishte shfuqizimi i menjëhershëm i krejt paketës ligjore të Reformës në Drejtësi. 19 kriminelët e Edit në Kuvendin e Shqipërisë do të merrnin frymë lirshëm dhe në Kuvendin e ri do të hynin 190 kriminelë nga 140 anëtarë të mundshëm. Vetëtimat e Vettingut do të shndërroheshin në ylberë triumfi për të gjithë ata që pritej të prekeshin nga Reforma në Drejtësi. Republika e Re do të vinte në piedestal të gjithë Rilindasit që manovruan për të mos e vënë kurrë në jetë Reformen në Drejtësi. Janë gati për ta titujt Nderi i Kombit, Urdhëri i Flamurit, Urdhëri Gjergj Kastrioti Skënderbeu e tjerë e tjerë.

Rama në pranverën e para katër vjetëve iu premtoi shqiptarëve hapjen e qindra mijë vendeve të punës. Dhe e mbajti fjalën. Nga 30 mijë sa kishte të punësuar Lazarati më 2013, sot Lazaratët kanë të punësuar 300 mijë. Të tjerët, që nuk pranuan të jenë kultivues, industrializues, shpërndarës të kanabisit, me shumë marifet u përcollën për në vendet e ndryshme të Evropës, ku ata të arrijnë para se të arrijë Shqipëria, atdheu i tyre i dashur, i cili ua shikon shpinën përditë e më shumë miliona bijve e bijave që ikin për të mos u kthyer.

Po të jetë Luli në vend të Edit, pra kryeopozitari po të bëhet kryeministër i vendit, të gjithë të pakualifikuarit në kanabis dhe në trafiqet e tjera, të gjithë mërhumët dhe mërhumet që nuk dinë të korruptohen as të korruptojnë, që nuk dinë të trafikojnë apo të trafikohen, pra të gjithë këta e të gjithë këto të përcillen për në Evropën aq të dëshiruar. Dhe në vend të tyre, Atdheun e dashur, Shqipërinë e shqiponjave ta gëzojnë, ta trashëgojnë popullsi të njohura botërisht gjatë shekullit të kaluar dhe në shekullin e ri për kualifikimin e lartë në kanabis, në trafiqe, në korrupsion dhe në krime.

***

Të ishte Edi në vend të Lulit. Të ishte Luli në vend të Edit. Të ishte ‘Rilindja’ në vend të ‘Republika e Re’. Të ishte ‘Republika e Re’ në vend të ‘Rilindja’. Të ishin ‘rilindasit’ në vend të ‘republikasvet të rinj’. Të ishin ‘republikasit e rinj’ në vend të ‘rilidasve’.

Filed Under: Analiza Tagged With: Luli në vend të Edit, Skender Bucpapaj, të ishte, Të ishte Edi në vend të Lulit

Kosovë-Serbi, 4 vjet nga Marrëveshja e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve

April 19, 2017 by dgreca

-Çka thuhet në marrëveshjen e 19 prillit 2013 e të 25 gushtit 2015 dhe çka thuhet për marrëveshjen për Asociacionin… në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të 23 dhjetorit 2015?/
-Qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”/
– Në Bruksel – 30 takime kryeministrore, 2 me pjesëmarrje edhe të presidentëve/
PRISHTINË, 19 Prill 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Para katër vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia  – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,  kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. Marrëveshja 15 pikëshe, në 6 pikat e para  ka Asoaciacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në tekstin e Marrëveshjes, nën një, përcaktohej: “Do të ketë një Asociacion / Bashkësi e komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët pajtohen”.
Asociacioni i komunave me shumicë sebe në Kosovë është një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd të nënshkruara nga krerët e dy qeverive, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, në mbrëmjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel, në raunin e 28 të dialogut në nivel kryeministrash, ndërsa kundërshtohet nga opozita kosovare.
Në marrëveshje, e para pikë është kjo: “Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë themelohet si një Asociacion/Bashkësi i komunave siç parashihet me Marrëveshjen e Parë, Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Ligjet e Kosovës”.
Mes tjerash, në marrëveshje, te “Objektiva” thuhet se Asociacioni “vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare”.
Ndërsa, te “Buxheti dhe përkrahja”  theksohen “kontributet, grantet, donacionet si dhe përkrahja financiare nga asociacionet dhe organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare si dhe nga Republika e Serbisë”.   
Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.
Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.
Në raundin e 30-të kryeministror në Bruksel, në 27 janar 2016,  ku është biseduar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri atëherë dhe rrugën përpara në dialog, temë kryesore ka qenë zbatimi i marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por nuk ka pasur ndonjë dakordim për afat kohor dhe kryeminsitri kosovar Mustafa dhe ai serb  Vuçiç kishin “qëndrime të kundërta rreth vendimeve të Kushtetueses” së Kosovës.
Ky ishte raundi i shtatë i takimeve në Bruksel i kryeministrave Mustafa e Vuçiç, i pari në vitin 2016, i fundit në nivel kryeministrash.
Kosova dhe Serbia, në Bruksel, kanë zhvilluar 30 raunde të dialogut në nivel të lartë kryeministror, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.
 Takimet në nivel të lartë në Bruksel të kryeministrave aktualë Mustafa e Vuçiç, të qeverive të zgjedhjeve 2014 në të dy shtetet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, pasojnë 23 raundet e zhvilluara nga kryeministrat e mëparshëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, të cilët në shtatë raundet tjera ishin pjesëmarrës delegacionesh në këtë dialog si ministra të punëve të jashtëme.
Ndërkohë, Thaçi është prej mëse një viti president i Kosovës dhe edhe Vuçiç është tashmë i zgjedhur president i Serbisë këtë vit, në 2 prill, të cilët pritet ta vazhdojnë dialogun në nivel presidencial.
Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar në në Bruksel edhe dy takimi në nivelin më të lartë-me pjesëmarrjen edhe të presidentëve Hashim Thaçi e Tomislav Nikoliç, madje Brenda një jave  në 24 janar dhe 1 shkurt 2017, me fokus në realizimin e marrëveshjeve.
Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.
Katër vjet pas Marrëveshjes së parë, ende nuk dihet  kur do formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Po, në Kosovën e pavarur edhe para formimit të Asociacionit komunat serbe kanë përgjegjësitë nga Paketa Ahtisaari e procesi i decentralizimit, i nisur para nëntë viteve e zhvilluar më tej.
Në Kosovë, Mitrovica e Veriut është komuna më e re, e 38-ta, e 10-ta me shumicë serbe, e 5-ta pas Graçanicës, Kllokotit, Ranillugut e Parteshit, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.
Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.
Procesi i decentralizimit në Kosovë ka nisur zyrtarisht në shtator 2008 – vitin historik të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt, të njohur deri tash nga 114 shtete anëtare të OKB-së.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.
 
 PËRMBAJTJA E TEKSTIT TË MARRËVESHJES KOSOVË – SERBI, TË PARAFUAR NË 19 PRILL 2013:

1. Do të ketë një Asociacion / Bashkësi të komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët të pajtohen.

2. Bashkësia / Asociacioni do të krijohet me statut. Zhbërja e tij/saj mund të ndodhë vetëm me një vendim të komunave pjesëmarrëse. Garancitë ligjore do të sigurohen përmes ligjit në fuqi dhe ligjit kushtetues (përfshirë 2/3 e shumicës së trupit vendimmarrës).

3. Strukturat e Asociacionit / Bashkësisë do të themelohen mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, si për shembull, kryetari, zëvendëskryetari, Asambleja, Këshilli.

4. Në pajtim me përgjegjësitë e ofruara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë mundësi të bashkëpunojnë për të ushtruar fuqinë e tyre në gjithë Bashkësinë / Asociacionin. Asociacioni/Bashkësia do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural.

5. Asociacion / Bashkësia do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.

6. Bashkësia / Asociacioni do të ketë një rol përfaqësimi te autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë një ulëse në këshillin konsultativ për komunitete. Në përputhje me këtë, është paraparë një funksion vëzhgues.

7. Do të ketë një forcë policore në Kosovë, që quhet Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës do të jenë të integruar brenda kuadrit të Policisë së Kosovës. Pagat do të jepen vetëm nga Policia e Kosovës (PK).

8. Pjesëtarëve të strukturave serbe të sigurimit do t’iu ofrohet nga një vend në strukturat përkatëse të Kosovës.

9. Do të ketë një komandant Rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe (Mitrovica e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq) . Komandant i këtij rajoni do të jetë një serb i Kosovës, i emëruar nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga një listë që do të sigurohet nga katër kryebashkiakët, në emër të Asociacionit/Bashkësisë. Përbërja e PK-së në veri do të pasqyrojë përbërjen e popullatës së katër komunave. (Do të ketë edhe një komandant tjetër rajonal për komunat e Mitrovicës, Skënderajt dhe Vushtrrisë). Komandanti rajonal i katër komunave në veri do të bashkëpunojë me komandantët e tjerë rajonalë.

10. Autoritetet gjyqësore do të jenë të integruara dhe do të veprojnë brenda kuadrit ligjor të Kosovës. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel shumica e gjykatësve të të cilit do të jenë serbë të Kosovës, për t’u marrë me të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë. Një sektor i kësaj Gjykate të Apelit, e përbërë nga stafi administrativ dhe gjyqësor, do të qëndrojë përherë në veri të Mitrovicës (Gjykata e Qarkut në Mitrovicë). Shumica e secilit panel të sektorit të mësipërm do të përbëhet nga gjykatës serbë të Kosovës. Vendqëndrimi i gjykatësve respektivë do të varet nga natyra e rasteve në të cilat janë të përfshirë.

11. Zgjedhjet komunale në komunat e veriut do të organizohen në vitin 2013, me ndihmën e OSBE-së, në përputhje me ligjin e Kosovës, dhe me standardet ndërkombëtare.

12. Një plan zbatimi, përfshirë edhe kuadrin kohor, do të hartohet më 26 prill. Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, do të adresohet parimi i fondit transparent.

13. Diskutimet lidhur me energjinë dhe telekomin do të intensifikohen nga të dyja palët, dhe do të përfundojnë deri më 15 qershor.

14. Është arritur pajtimi që asnjëra palë të mos e bllokojë, apo inkurajojë të tjerët për të bllokuar përparimin e palës tjetër në rrugëtimin drejt BE-së.

15. Me ndihmën e BE-së, nga të dyja palët do të krijohet një Komitet i Zbatimit.

Filed Under: Analiza Tagged With: 4 vjet, Behlul Jashari, marreveshja e pare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 574
  • 575
  • 576
  • 577
  • 578
  • …
  • 970
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT