• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zgjedhjet nuk e zgjidhin krizën në Maqedoni

March 9, 2017 by dgreca

1 MaqedoniNga:Zërijeta Hajro Jajaga/Kriza politike në Maqedoni nuk mund të zgjidhet me zgjedhje të reja parlamentare, siç insiston VMRO DPMNE-ja, por vetëm duke respektuar shumicën e re parlamentare e dalë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit të kaluar, thonë njohës të çështjeve politike.

VMRO DPMNE e Gruevskit ka ripërsëritur kërkesën për zgjedhje të reja në të cilat sipas saj “qytetarët duhet të deklarohen nëse janë ose jo për platformën e partive shqiptare të cilën e ka pranuar LSDM-ja”.

Partia Social-Demokrate thotë se ‘zgjidhja e krizës qëndron në dhënien e mandatit liderit të saj Zoran Zaev i cili ka siguruar shumicën parlamentare për formimin e qeverisë’.

Mitko Gaxhovski ligjërues i shkencave politike, thotë se është i pakuptimtë insistimi i VMRO DPMNE-së që të shkohet sërish në zgjedhje përderisa zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit të kaluar u pranuan nga të gjitha partitë politike të cilat u përfshin në to.

Ai thotë se “duke imponuar nevojën e zgjedhjeve, VMRO DPMNE dëshiron ta faktorizojë veten si faktor i rëndësishëm politik pa të cilin nuk mund të ndërmerret asnjë hap që çon kah zgjidhja e krizës politike”.

“VMRO DPMNE dëshiron të përfitojë kohë dhe njëkohësisht të imponohet si faktor në zgjidhjen e situatës andaj insistojnë në organizimin e zgjedhjeve edhe pse e dinë se zgjedhjet nuk paraqesin zgjidhje për situatën. Veçanërisht pas retorikës së fundit të zyrtarëve të kësaj partie kundër avancimit të të drejtave të shqiptarëve, asnjë parti shqiptare nuk do të mund të marr guximin për të bashkëpunuar me VMRO DPMNE-në”, thotë Gaxhovski.

Sipas tij, me rëndësi të veçantë është ajo se partitë politike shqiptare nuk i përgjigjen gjuhës nacionaliste të shprehur nga zyrtarët e lartë të VMRO DPMNE-së “kështu që partia e drejtuar nga ish kryeministri Nikolla Gruevski mbetet gjithnjë e më e izoluar me politikat e saj destruktive”.

Ndërkohë, Arsim Sinani, drejtues i Institutit për Studime Evropiane, konsideron se Maqedonia ka humbur shumë me politikanë që kanë imponuar problemet ndëretnike duke e mbajtur vendin larg procesit të integrimit në strukturat euroatlantike për të fshehur aktivitetet kriminale.

“Nuk mendoj se zgjedhjet janë çështja që do t’i zgjidh problemet në Maqedoni. Maqedonisë si shtet ajo që i duhet, për momentin, është një qeveri e re properëndimore, me program të qartë reformues që do ta rikthejë vendin në rrugën e integrimeve euroatlantike. Zgjedhjet në një situatë të këtillë vetëm do ta komplikonin situatën dhe përmes zgjedhjeve, ish kryeministri Gruevski dhe disa zyrtarë të lartë të partisë së tij, nuk do t’i përgjigjen drejtësisë për veprat kriminale për të cilat tanimë ka ngritur padi dhe zhvillon hetime Prokuroria Speciale Publike”, tha Sinani.

Diplomatët e vendeve perëndimore kanë intensifikuar thirrjet që presidenti Ivanov të ndajë mandatin për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë, me këtë dhe konsolidimin e institucioneve për t’i hapur rrugë procesit të reformave si kusht për anëtarësimin e vendit në strukturat euroatlantike.

Filed Under: Analiza Tagged With: ne Maqedoni, nuk e zgjidhin krizën, zgjedhjet

Rohan: Kosova ka ushtrinë e saj, FSK-në

March 9, 2017 by dgreca

1 RohanNe Foto: Albert Rohan, ish-zëvendës ndërmjetësi i OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës/ Ish-zëvendës ndërmjetësi i OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan, i tha Radios Evropa e Lirë se ‘Forca e Sigurisë së Kosovës është realisht Ushtria e Kosovës” dhe shtoi se çfarëdo ndryshimi rreth saj duhet bërë brenda kuadrit kushtetues.

Deklaratat e Rohanit pasuan dorëzimin në Kuvend të një projektligji për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me kompetenca shtesë nga Presidenti Hashim Thaçi.

Projektligji iu kalua Qeverisë së Kosovës ndërkohë që shkaktoi reagimin e fuqishëm të NATO-s dhe të ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, që kundërshtuan, siç thanë, ‘veprimet e njëanshme’.

Zëvendës ndërmjetësi i OKB-së për statusin e Kosovës, Albert Rohan, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se “FSK-ja kufizimin e vetëm e ka në numrin e pjesëtarëve dhe armatimin e rëndë”.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është një Ushtri. Kufizimi i vetëm është në numrin e saj dhe në pajisjet erënda. Nuk e di se cfarë duhet të ndryshojë në konceptin dhe mandatin e kësaj force. Në çfarëdo rasti mund të ndryshohet vetëm brenda procedurave të ligjit të Kosovës dhe të Kushtetutës”.

Radio Evropa e Lirë: Por kjo është shmangur nga institucionet e Kosovës. Kemi parë një reagim të fortë nga NATO dhe nga përfaqësuesit diplomatikë të SHBA-së. Megjithatë, a mund ta krijojë Kosova Ushtrinë e saj?

Albert Rohan: “Por ajo e ka një Ushtri. A mund të më qartësohet se cili është dallimi ndërmjet Forcave të Sigurisë dhe një Ushtrie?”

Në pothuaj dhjetëvjetorin e përfundimit të bisedimeve në Vjenë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si dhe dorëzimit në OKB të Planit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, i njohur si Plani Ahtisaari, që nuk u pranua nga të gjithë anëtarët e organizatës botërore, Albert Rohan tha se dialogu i vazhduar në Bruksel është alternativa e vetme drejt zgjidhjes së çështjeve. Ai tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia mund të ndodh në fund të dialogut.

“Pranimi i shtetësisë si një fakt jetësor nuk mund të vijë në fillim por në fund të dialogut. Do të ishte e pakuptimtë të shpresohej për diçka tjetër. Në fund, Serbia mund ta njoh Kosovën… si do të ndodh kjo nuk e di. Supozoj se kjo mund të ndodh në kontekstin e anëtarësimit të të dyja vendeve në BE, kurdo qoftë. Por kjo situatë do të ndodhte në fund dhe jo në fillim. Ndërkohë duhet të vazhdohet ky proces proaktiv i arritjes së gjërave të vogla, por të rëndësishme. Një nga një dhe të mos fillohet me çështjet e mëdha që nuk mund të zgjidhen sot”, tha Rohan.

Megjithatë, një prej çështjeve më problematike që ka ngjallur reagime të fuqishme posaçërisht të opozitës në Kosovë, është ajo e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e paraparë të krijohet me një Marrëveshje Kornizë të arritur në Prill të vitit 2013.

Por një marrëveshje e lidhur dy vjet më pas në Bruksel për Asociacionin çoi drejt një krize politike në vend. Në një vendim që pasoi kërkesën e presidentes së Kosovës, Gjykata Kushtetuese tha se pjesë të marrëveshjes nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se asociacioni do të themelohet sipas marrëveshjes së prillit të vitit 2013.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, ndërkaq, e kanë ndërlidhur pjesëmarrjen e tyre në jetën institucionale të vendit me themelimin e Asociacionit.

Por Albert Rohan tha se çështja e Asociacionit të Komunave është propozuar edhe me Planin Ahtisaari “që u mor si një instrument i Këshillit të Evropës, bazuar në Kartën Evropiane për vetëqeverisjen lokale”. Ai tha se “ideja sipas Kartës Evropiane është jo një shtresë administrative, jo diçka që ka përgjegjësi të veta, por një Asociacion që duhet të promovojë interesat e komunave”.

“Ka të bëjë me promovimin dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta të komunave. Detyrat do të ishin: trajnimi, ndërtimi i kapaciteteve, ndihma teknike, rekomandime të politikave. Pra për nga natyra është plotësisht e ndryshme nga ajo që Beogradi ka në mendje. Këso lloj Asociacionesh ekzistojnë edhe në vendim tim në Austri, në Gjermani dhe cdo kund. Ne kemi një Asociacion të Komunave dhe një Asociacion të Qyteteve.Por ato nuk kanë kompetenca vetanake. Janë organizma këshillëdhënës ose të lobimit. Ato diskutojnë psh për resurset financiare që duhet t’i jepen komunave por pa kompetenca ekzekutive. Kjo është ideja e Këshillit të Evropës, kjo ishte ideja që ne kishim kur e futëm në Planin Ahtisaari dhe çdo gjë tjetër është në kundërshtim me këtë ide”, tha Rohan.

Në bisedë me Radion Evropa e Lirë, Albert Rohan tha se “e ka të paqartë kundërshtimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi” dhe theksoi se “kufijtë e Kosovës sot korrespondojnë me kufijtë në ish Federatën Jugosllave, përveç atij me Maqedoninë”.

“Zakonisht demarkacionet e kufirit janë procese teknike, ku teknikët dhe ekspertët vendosin se ku shtrihet vija kufitare. Nuk mund ta kuptoj se pse kjo është bërë një problem politik. Qëndrimi iopozitës është i vështirë të kuptohet. Do të duhej të ishte një proces i qetë ndërmjet dy fqinjëve që do ta përcaktonte vijën kufitare bazuar në hartat ekzistuese”, tha Albert Rohan për Radion Evropa e Lirë.

Filed Under: Analiza Tagged With: FSK-në, ka ushtrinë e saj, Rohan: Kosova

Dekreti i Mbretërisë së Greqisë njihte Çamërinë si pjesë e Shqipërisë

March 9, 2017 by dgreca

–*Fletorja zyrtare e Mbretërisë së Greqisë, numër 21, botuar më 20 dhjetor 1835./

*Rreth nënndarjes së Konsullatës së Epirit dhe Shqipërisë, në nënkonsullata./

1-arben-llalla-250x299

1835.fq.11835, fq.21835.fq.3Nga Arben LLALLA/

Në fletoren zyrtare të Mbretërisë së Greqisë e dhjetorit të vitit 1835 botohet dekreti rreth zonës se deri ku përfshihet veprimi i Konsullatës së Greqisë e vendosur në Janinë, Vlorë dhe Durrës Fletorja zyrtare është nxjerrë nga arkiva e Akademisë së Athinës. Lexim të këndshëm! 

 VENDIM I OBORRIT MBRETËROR PËR PUNËT E JASHTME TË SHTETIT/

Nënndarja e zonës së katërt ku zyra konsullore e Turqisë deri tani ka qenë e papërcaktuar nga nenet nga data 30 janar deri më 11 shkurt 1835. Udhëzimet konsullore shtesë u vendosën mbi propozimin e Sekretariatit si më poshtë,

Periferitë e konsullatës së Epirit dhe Shqipërisë ndarë në këto nënkonsullata:

a. Të Epirit që ka qendrën në Janinë. Kjo përfshin krahinat Zagorisë, Meçovës, Konicës dhe shtrihet në lindje deri në qytetet Grevena, Paramithi e Sul, deri në Kalarite (Artë, shën, A.Ll.), në perëndim përgjatë gjithë vijës bregdetare të Çamërisë që nis nga Butrinti dhe përmban edhe Sajadhën.

b. Të Shqipërisë së Poshtme që selinë kryesore e ka në Vlorë. Kjo nënkonsullatë përfshin tërë bregdetin perëndimor deri në Kavajë duke filluar nga Butrinti deri në kufijtë e saj në lindje në një pjesë të Konicës dhe nga ana tjetër në Berat përfshin gjithë plazhet përreth.

c. Të Shqipërisë Veriore me qendër në Durrës. Kjo nënkonsullatë shtrihet gjatë gjithë vijës bregdetare të Kavajës dhe rrethinat e këtij qyteti deri në limitet e bregdetit Austriak (Kotorr), në kufijtë e provincës së Shkodrës nga Kavaja në perëndim, deri në lindje duke përfshirë zonën e Ohrit dhe rrethinat përkatëse.

Athinë më 19 nëntor 1835.

Në Oborrin Mbretëror nga Sekretari i Punëve të Jashtme Jakov Rizos.

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, Cameria, Mbretërinë së Greqisë, shqiperia

PAK HISTORI NGA KOHËT E ZJARRTA TË MALËSISË SË MADHE

March 8, 2017 by dgreca

1 Pak Histori Nga  Frank Shkreli/

Kohët e fundit më ra në dorë libri me titull, “Pak Histori Nga Kohët e Zjarrta”, e autorit Pjetër N. Ivezaj.  Si pjesë e rubrikës, ndër libra të lexuar, po i sjellë lexuesit sado pak njohuri për daljen në botim edhe të kësaj vepre, si dhe disa shënime mbi këtë vëllim prej nja 200 faqesh i paisur gjithashtu edhe me fotografi historike të protagonistëve kryesorë.  Përmbajtja e librit të Z. Ivezaj, e botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve, Art Club në Ulqin, fund vitin që kaloi, është një kontribut me vlerë për ndriçimin e mëtejshëm sado pak të historisë së gjatë e të vuajtur, por të lavdishme të Malësisë së Madhe dhe popullit të saj, ndër shekuj.

Protagonistët e librit janë pesë bajraqet e mëdha të Malësisë së Madhe me pesë udhëheqsit e tyre por pa përjashtuar rolin e bajraqeve të tjera më të vogëla, gjithsejt 26 sipas autorit dhe përfaqsuesve të tyre të asaj kohe në Shqipërinë e Veriut.  Fjala është për bajraqet më të mëdha të Malësisë së Madhe të asaj kohe dhe përfaqsuesit e tyre:  Hoti me bajraktar të parë, Çun Mulën; Gruda me bajraktar të parë Smajl Martinin; Kelmendi me bajraktar të parë Ujkë Gilën; Kastrati me bajraktar Dodë Preçin dhe Shkreli, me bajraktar Marash Dashin.

Në librin e tij autori Pjetër N. Ivezaj mbulon ngjarjet historike nepër të cilat ka kaluar Malësia e Madhe duke i ndarë ato në tre periudha historike prej pothuaj 100-vjetësh: deri në vitin 1900, pastaj prej vitit 1900 e deri në vitin 1916 dhe  më në fund prej vitit 1916 e deri në vitin 1943.  Ai thotë se kjo është periudha që malësorët e kanë quajtur si, “Koha e luftërave dhe koha e zjarrtë”, ndërkohë që ata janë përleshur dhe kanë luftuar vazhdimisht pa u trembur, as pa u përkulur para forcave armike shumë më të mëdha në numër dhe shumë më të përgatitura për luftë, qofshin ato turke ose sllavo-malazeze.  Por, përveç luftërave të vazhdueshme, siç ve në dukej autori, malësorët ishin gjithashtu të angazhuar paralelisht në mbrojtje të vendit edhe me përpjekjet për ndërkombtarizimin e situatës së vështirë nën të cilën jetonin ata në trojet e veta.  Në lidhje me këtë, ai sjellë për lexuesin një përmbledhje dokumentacioni origjinal– bazuar në një literaturë të pasur — memorandumesh, protestash, kërkesash dhe thirrjesh të ndryshme të nënshkruara nga ana përfaqsuesit e fisve të malësorëve, drejtuar shteteve të Europës dhe enteve ndërkombëtare, përfshirë edhe përfaqësitë e tyre diplomatike në Shkodër dhe në Podgoricë.  Dokumentohen tubimet e ndryshme dhe logje kuvendesh të bajraktarëve të Malësisë së Madhe dhe besëlidhjet midis tyre gjatë periudhës që mbulon libri, si dhe kauzat për të cilat bisedohej dhe arrihej në marrveshje dhe besë, përfshirë edhe përgatitjet për luftë kundër armikut.

Në memorandumet dhe me kërkesat e tyre drejtuar botës së “qytetëruar” të asaj kohe, malësorët kërkonin ndihmë dhe mbështetje për të shpëtuar popullin e Malësisë së Madhe nga gjëndja e mjeruar në të cilën gjëndej, si rrjedhim i okupimeve, luftërave, shtypjeve dhe diskriminimeve shekullore ndaj popullsisë së kësaj treve.  Njëkohsisht, me kërkesat e tyre, ata i bënin thirrje, jo vetëm sulltanëve të Turqisë, por kërkonin edhe mbështetje ndërkombëtare që Malësisë së Madhe t’i njiheshin të drejtat legjitime për realizimin e aspiratave të veta kombëtare për liri e pavarësi si të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit.  Si një shembull tipik i këtyre kërkesave të malësorëve ishte ai, drejtuar Turqisë në vitin 1905 dhe botuar në gazetën “Shpresa e Shqypnis” në Dubrovnik, ku si kusht për të hequr dorë nga armët, Malësia e Madhe këmbëngulte në: “Njohjen e kombësisë shqiptare pa ndryshim feje; Amnisti për të gjithë shqiptarët; Çeljen e shkollave dhe kishave në gjuhën shqipe; Pranimin e çdo feje nga shërbimi turk; Përmirësimin e rendit publik me ligje që t’u përshtaten interesave të Shqipnisë, dhe më në fund ata kërkojnë, Liri fjale – liri shtypi dhe liri mbledhjesh”.

Ndërsa në një peticion të datës 8 maj, 1878 krerët e Shkodrës, Uqlinit, Tivarit, Podgoricës, Grudës, Kelmendit, Kastratit e të tjerë i dërgojnë peticion proteste ambasadorit francez në Stamboll, në emër të “katolikëve dhe myslimanëve, vëllëzër që prej shekujsh”, që të intervenonte kundër lëshimeve dhe aneksimeve të trojeve shqiptare nga ana e Malit të Zi, nën presionin e Rusisë.  Një muaj më vonë, më 9 qershor, 1878, krerët shqiptarë i dërgojnë protesë Vezirit të Shkodrës, me të cilën, sipas diplomatit francez në Shkodër Zhan Ponse, “Malësorët kërkuan një shtet të pavarur autonom që do t’i afrohej Evropës.”

Roli i Malësisë së Madhe në historinë kombëtare të shqiptarëve dihet nga historia e mirëfilltë, sidomos nga historia e shënuar nga të huajt, megjithse ka patur përpjekje – nga mbrenda, për arsye ideologjike dhe nga jashtë për arsye politike e të tjera — për ta minimizuar dhe për t’a shtrembëruar atë në të kaluarën, thotë autori.   Libri i Pjetër N. Ivezaj sjellë hollësi dhe dëshmi me vlerë të shënueshme në këtë fushë, për një njohje më të mirë të disa prej hollësive dhe dokumentacionit origjinal bazuar në burime të dorës së parë që ai sjellë me këtë rast, për një periudhë të historisë së Malësisë së Madhe në veçanti dhe të Shqipërisë në përgjithësi.  Ishte kjo një periudhë e mbushur me lëvizje patriotike, mendore dhe politiko-shoqërore të jetës dhe luftërave të shqiptarëve, jo për pushtim të tokave të tjerëve, por për mbijetesë — e pasqyruar nga veprimtaritë dhe luftërat e malësorëve — vetëm e vetëm me qëllim për të ekzistuar dhe për të jetuar në liri dhe pavarësi nga zgjedha e okupatorëve huaj osmanë dhe sllavë.Autori i librit, ‘Pak Histori Nga Malësia e Madhe’, Pjetër N. Ivezaj thotë se “Malësia e bëri të vetën në kushte të një feudalizmi të pa zhvilluar, të prapambetur, gjithnjë në mesin e dy ose më shumë zjarreve, nën rreziqet e shumta nga jashtë dhe nga brenda.”  Por “Në kushte shumë të vështira”, shkruan ai, “Ishte Malësia ajo që, në masë sado të vogël mbante lidhje me Evropën përmes, në rend të parë priftërinjve katolikë dhe krerëve e bajraktarëve, faktikisht pra nepërmjet parisë fisnore.”   Mirëpo megjithë meritat e tyre, ai konstaton se pothuaj të gjithë këta, gjatë një periudhe jo shumë të largët, ishin shpallur tradhëtarë e anti-kombëtarë.  Por, autori thotë se megjithë trajtimin jo të mirë nga historia e kaluar, që besoj se do të thotë sidomos historia komuniste, që shumë prej tyre i kishte shpallur tradhëtarë dhe armiq, ishin malësorët ata që megjithse gjithmonë në mbrojtje dhe në luftë të trojeve të veta, sipas tij, “Për më shumë se pesë shekuj kanë ruajtur traditat, folklorin, gjuhën, besën, ligjet dhe zakonet autoktone iliro-shqiptare”.Libri, me anë dokumentacionit që paraqet, shpalos edhe të dhëna mbi jetën, veprimtarinë dhe sidomos hollësi për bashkpunimin me njëri tjetrin të krerëve të Malësisë së Madhe të asaj kohe, kur vinte puna për mbrojtjen e interesave të përbashkëta, jo vetëm të Malësisë së Madhe por edhe të mbarë kombit shqiptar.  Është gjithashtu edhe një paraqitje e një pjese të historisë së shqiptarëve të asaj kohe, duke treguar, ndoshta tërthorazi, edhe disa prej zakoneve dhe traditave shqiptare, gjendjen ekonomike dhe demografike të asaj treve, por edhe kryengritjet e shumta të malësorve dhe shtypjen e tyre, mënyrat e egra të sundimit osman mbi shqiptarët dhe hollësi të tjera historike.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shklreli, PAK HISTORI NGA KOHËT E ZJARRTA TË MALËSISË SË MADHE, Pjeter Ivezaj

Nëse nuk di, pyet o burrë!

March 7, 2017 by dgreca

Bravo zoti Rama! Nëse nuk di, pyet o burrë!/

Nga Enver Bytyci/

Mbrëmë përmes një interviste të zëdhënësit të BDI-së në Maqedoni, Artan Grubi, mësuam se marrëveshja e partive politike shqiptare na qenka firmosur në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Në emision, gjatë intervistës, u shfaq vazhdimisht një foto e tryezës së bisedimeve dhe nënshkrimeve, nën mbikëqyrjen e zotit Rama. Ndërsa sot kemi produktin negativ të këtij akti:

  1. Produkti kryesor është bllokimi i institucioneve të Maqedonisë, një akt ky i mirëllogaritur nga vetë presidenti i vendit, Igor Ivanov, për të krijuar alibinë e tij për bllokimin e jetës institucionale në këtë vend. Kjo përbën një pengesë të rrezikshme me mundësi potenciale për të sjellë në vëmendje e përsëritur ngjarjet e pranverës së vitit 2001. Megjithatë unë besoj se Maqedonia nuk do të shkojë deri në një përplasje të tillë. Kjo sepse atëherë ishin shqiptarët nismëtarët dhe autorët e nisjes së konsflitit, ndërkohë që sot duken krejt të qetë e të painteresuar për një gjë të tillë. Interesi ynë është stabiliteti e paqja në Maqedoni. Çdo konflikt atje do të sillte pasoja katastrofale për perspektivën e shqiptarëve. Ndersa Gruevski, Ivanovi e të tjerë mundet të kenë si interes konfliktin dhe destabilitetin. Zoti Rama ua dha alibinë për një përpjekje të tillë! Beavo!
  2. Produkti i dytë I marrëveshjes së nënshkruar në Tiranë është kriza e marrëdhënieve bilaterale midis Shkupit dhe Tiranës. Nisur nga akti formal i nënshkrimit të marrëveshjes në zyrën e Edi Ramës, presidenti maqedonas ka sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për atë që ai e quan “ndërhyrje të Tiranës zyrtare në punët e brendshme të Maqedonisë”. Për herë të parë artikulohet një akuzë e tillë e mbështetur në një provë, të cilën kryeministri ynë ua dha peshqesh në dorë autoriteteve maqedonase në Shkup. Kjo e ka vënë në vështirësi edhe aleatin e zotit Rama, zotin Zaev, si dhe partitë shqiptare në Maqedoni.

Por ka vënë në siklet edhe miqtë e shqiptarëve në Europë e në SHBA. Eshtë e qartë se Ivanov i përdor firmat e krerëve të partive politike shqiptare në Maqedoni të hedhura në zyrën dhe prezencën e zotit Rama si preteks për akuza dhe refuzim të mandatimit të Zaev për formimin e qeverisë së re. Por është e vërtetë gjithashtu që zoti Rama ia dha atij këtë preteks vetë në dorë. Eshtë dhurata e kryeministrit tonë të papjekur për një politikë revanshiste antishqiptare të Gruevskit dhe Ivanovit në Maqedoni. Ky akt amatoresk i diplomacisë shqiptare dhe vetë kryeministrit tonë pa formim diplomatik erdhi për shkak të dëshirës së tij për protagonizëm. Protagonizmi është egoizëm, është mospranim i tjetrit dhe vënie e interesit vetjak mbi çdo gjë tjetër. Protagonizmi është unitarizëm, sjell arbirtrarizëm e autoritarizëm, madje është dhe mbetet nxitje e brendshme e njeriut për t’u shndërruar në diktator. Protagonizmi djeg etapat, nënçmon ekspertizën, nënvleftëson pasojat dhe shkakton trauma të pallogaritshme. Në familje e shkatërron atë. Në një rreth shoqëror rrënon kulturën e komunikimit dhe të marrëdhënies normale midis njerëzve. Në një shtet e shoqëri prodhon konflikte sociale e politike artificiale, të cilat kur plasin, shfrytëzohen për të mbuluar dështimet e një qeverisjeje të caktuar. Kjo e fundit ka ndodhur me marrëveshjen e nënshkruar në zyrën e prezencën e zotit Rama.

Argumenti se nënshkrimi në Tiranë i marrëveshjes për platformën e shqiptarëve në Maqedoni është nxitur nga egoja për protagonizëm përforcohet nëse kemi parasysh se bisedimet mund të bëheshin në Tiranë dhe aktorët e autorët e saj të ktheheshin e në një moment tjetër ta nënshkruanin atë në Shkup. Por edhe fotoja e shfaqur në media është në vetëvete një lloj karshillëku protagonistësh. E panevoshme deri në infinit. As diktatori komunist nuk do ta lejonte një idiotësi të tillë. Ky lloj egoizmi fatkeqësisht solli përmbysjen e principeve shtetërore të vendit tonë sa i përket sjelljes dhe marrëdhënieve me fqinjët. Politika dhe diplomacia jonë, e karakterizuar dhe e vlerësuar si diplomaci e ekuilibrit të admirueshëm, prodhoi nga njëra anë dy aleat miq, Serbinë dhe Turqinë dhe nga ana tjetër dy armiq, Greqinë dhe Maqedoninë. Ndërsa Mali i Zi qëndron në pjesën neutrale të politikave të qeverisë së Rilindjes, për shkak se konsiderohet “i pa rëndësishëm” për nxitjen dhe zhvillimin e protagonizmit të kryeministrit Rama. Greqia dhe Maqedonia shërbejnë gjithashtu si stmul i retorikës nacionaliste, strehë ku është futur kozmopoliti Edi Rama për shkak të nevojës për të maskuar dështimet e paimagjinueshme në politikat e brendshme.

  1. Kostoja e veprimit amatoreskt të zotit Rama në raport me partitë shqiptare në Maqedoni ka mundësi të kthehet në kosto për shqiptarët, kudo që jetojnë. Protagonizmin e zotit Rama do ta paguuajnë më së pari shqiptarët e Maqedonisë. Mund të jem i gabuar dhe dëshiroj që të gabohem. Por kam ndjesinë së bashkësia ndërkombëtare krahas presionit që do t’i bëjë Ivanov për dekretimin e Zaev për formimin e qeverisë së re të Shkupit, do të bëjë presion te partitë shqiptare që të heqin dorë së paku prej disa pikave kyçe të marrëveshjes në fjalë. Pse? Thjesht se kryeministrit të Shqipërisë i pëlqen të duket dhe të rrëmbejë flamuj që kurrë nuk ka dashur t’i valvitë. Pra, se zoti Rama kërkon protagonizëm dhe jo zgjidhje, kërkon duk dhe jo punë, kërkon reklamë dhe jo produkt, kërkon shou dhe jo sukses substancial. Ndërkaq ky akt do të ndëshkojë imazhin e shqiptarëve kudo ku janë, dhe mund të dëmtojë përpjekjet e Kosovës për institucionalizimin e pavarësisë së vendit, për shkak se amatorizmi dhe protagonizmi i zotit Rama do të shërbejë e po shërben si “nitrat amon” në kopshtin e shpifjeve antishqiptare, ku rritet e zhvillohet predikimi i vjetër dhe i ri, sipas të cilit, “shqiptarët përbëjnë rrezik për shpërthime të reja konfliktesh në rajon”. Këtë e shohim sidomos në retorikën e Nikoliç dhe mikut të zotit Rama, Vuçiç, në Beograd. Kështu, me dorën e tij, kryeministri ynë idiot lehtëson promovimin e tezave të propagandës serbo-sllave të kohëve të errëta për shqiptarët. Bravo zoti kryeministër! Nëse nuk di, të lutem pyet dhe konsultohu, o burrë! O burrë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Nëse nuk di, pyet o burrë!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 585
  • 586
  • 587
  • 588
  • 589
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT