• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rruga e Shenjtë e Pavarësisë Shqiptare

November 30, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj/

28 Nëntori është datë e shenjtë në kujtesën kombëtare shqiptare; një ditë që nuk i përket vetëm kalendarit, por vetë shpirtit të kombit. Ajo është përkufizimi i sakrificës, besës dhe krenarisë sonë. Përpara kësaj date, qëndron një histori e gjatë, e dokumentuar në arkiva, kronika, dorëshkrime françeskane, akte diplomatike dhe dëshmi të gjalla të popullit tonë në shekuj.

Që nga shekulli VII, trojet shqiptare u përballën me depërtimet e popullatave sllave, të dokumentuara në Kronikën e Teofanit, në aktet e Kostandinopojës, në Notitia Episcopatum, ku përmenden tensionet dhe shtytjet demografike që prekën qendrën iliro-shqiptare. Megjithatë, shqiptarët, siç dëshmojnë edhe studiuesit bizantinë, ruajtën gjuhën, zakonet, organizimin fisnor dhe lirinë shpirtërore.

Me ardhjen e Perandorisë Osmane, shqiptarët u përballën me pesë shekuj të vështirë, të përshkruar në raportet e Propaganda Fides, në arkivat venedikas, në relacionet e ipeshkvijve të Arbërit dhe në kronikën monumentale të Marin Barletit. Raporti i Ipeshkvit Pjetër Mazreku (1623) shënon: “Shqiptarët mbajnë fort gjuhën dhe zakonet e të parëve, edhe pse i rrethon errësira e kohës.” Ndërsa Imzot Frang Bardhi, në relacionet e tij, denoncon shpërnguljet, djegiet, taksat e rënda dhe trysnitë shpirtërore që rëndonin mbi popullin arbëror.

Mbi të gjitha, shqiptarët e ruajtën veten përmes besës, zakonit, fesë, gjuhës dhe mendjes së pavarur, të cilat u bënë shtylla mbijetese.

Kjo histori e rezistencës arriti kulmin e saj me epopenë madhështore të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, “Atletit të Krishtit”, siç e cilësoi Papa Piu II në letrat e tij drejtuar kancelarive europiane. Në arkivat e Vatikanit, të Raguzës, të Napolit dhe të Venedikut ruhen mijëra dokumente që dëshmojnë rolin e Skënderbeut si mbrojtësi i digës shqiptare kundër Perandorisë Osmane. Për 25 vjet, ai udhëhoqi një rezistencë që ndryshoi hartën politike të Europës.

Pas rënies së Principatës së Kastriotëve, shqiptarët vazhduan të rezistonin si male të gjalla. Këtë e dëshmojnë betejat e Hotit, Grudës, Kelmendit, Mirditës, Dukagjinit, Labërisë dhe Çamërisë, të dokumentuara në arkivat austro-hungareze, në raportet e konsujve francezë dhe britanikë, të cilët mbetën të mahnitur nga qëndresa shqiptare.

Viti 1911 shënoi ringritjen e dytë të Flamurit. Në majën e Deçiqit, më 6 prill, malësorët e Malësisë së Madhe nën udhëheqjen e Dedë Gjo’ Lulit ngritën flamurin e Skënderbeut para botës. Kjo ngjarje u transmetua nga gazeta “La Nazione Albanese”, nga agjencitë austro-hungareze dhe nga konsujt europianë, të cilët e quajtën atë “drita e parë e lirisë shqiptare”.

Por kulmi i historisë sonë vjen më 28 Nëntor 1912, në Vlorën historike, kur Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Krahas tij qëndronin dy shtylla kolosale të kombit:

Luigj Gurakuqi – mendtari, ministri, dijetari, njeriu i Kongresit të Manastirit, arkitekti i arsimit kombëtar. Arkivat e Manastirit, korrespondenca e tij, memorandumet e firmosura në Cetinë dhe Vjenë e tregojnë si një nga mendjet më të ndritura të kombit.

Imzot Nikoll Kaçorri – nënkryetar i qeverisë së parë shqiptare, besimtar i flaktë dhe patriot i pathyeshëm. Arkivat e Vatikanit dhe relacionet e misionarëve dokumentojnë rolin e tij vendimtar në legjitimitetin e shtetit shqiptar.

Të gjithë së bashku, nën hijen e Flamurit të Skënderbeut, i dhuruan kombit shqiptar ditën e ringjalljes, ditën e lirisë, ditën e pavarësisë.

Flamuri ynë nuk është pëlhurë. Ai është gjak, besë dhe jetë. Në figurën e shqiponjës dykrenare përkufizohet vetë historia e popullit shqiptar. Krahët e shqiponjës tregojnë luftën dhe flijimin, zemra e saj tregon lirinë, ndërsa fluturimi i saj tregon bashkimin shpirtëror të të gjitha trojeve shqiptare, kudo ku gjendet gjaku ynë në botë.

Sepse shqiptarët, kudo janë — në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Preshevë, Çamëri, arbëreshët e Italisë, diaspora e Amerikës dhe Europës — e ndjejnë veten shqiptarë të shqipes. Flamuri i bashkon, besa i forcon, historia i fisnikëron.

28 Nëntori është dita kur kujtojmë se jemi popull i lashtë, popull që i ka dhënë Europës kulturë, gjuhë, rezistencë dhe fisnikëri. Dita kur kujtojmë se liria është amanet dhe detyrë, jo dhuratë. Dita kur përulemi para të rënëve tanë dhe betohemi se amanetin e tyre do ta çojmë përpara.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar!
Rroftë flamuri i shenjtë i Skënderbeut!
Rroftë shqiponja jonë dykrenare, simbol i lirisë dhe i përjetësisë

Filed Under: Analiza

FESTA E FLAMURIT, SIMBOL I BASHKIMIT  TË POPULLIT SHQIPTAR

November 28, 2025 by s p

Skënder Karaçica/

Diaspora shqiptare në Amerikë nuk ka tjetër atdhe, pos tokës së shqiptarizmës! Në faqet e gazettes “Dielli”, e kemi më afër tokën, diellin, gjuhën, flamurin shqiptar

Sot,populli shqiptar dhe diaspora në Amerikë ka festë të gëzimit, të kujtesës historike,në betejat e shekujve të përgjakur  në kërkim të frymës së lirë në tokën tonë. Festa e Nëntorit për Pavarësinë e Shqipërisë-Dita e Flamurit po hedhë dritë në faqet e gazetës,,Dielli,, më e vjetra e  fjalës dhe të lajmit shqip,këndej detit në Amerikën  e largët.

Popull im i dashur Shqiptar! E keni ruajtur ndër shekuj tokën, diellin, gjuhën, flamurin të prëgjakur për Ty Shqipëria jonë…!Të duam e bukura e dheut,me emrin Shqipëria zyrtare dhe Shqipëria tjetër Kosovë(term Dritëro Agolli) Dhe, diaspora shqiptare këndej detit në Amerikë, bënë thirrje me dritën e diellit, ne nuk kemi tjetër atdhe pos tokës së shqiptarizmës…!

Thirrje para diellit për Tiranën dhe Prishtinën, merrni frymë bashkë dhe nisuni në udhën e demokracisë  e të shtetit ligjor, që në shekullin e ri,mos të vonohemi në histori, tashti me fajin tonë! Me flamurin kuqezi do të participojmë tipare të vlerave kombëtare të kombit shqiptar me popujt e lirë të Evropës dhe në miqësi të përjetshme me Amerikën!

Gëzuar Festa e Nëntorit -Dita e Flamurit Shqiptar!

Me gazetën “Dielli” festa bëhet më mashështore!

Filed Under: Analiza

ANËS SË LUMEJËVE TË FAN STYLIAN NOLIT PËR  KATËR LIBERATORËT E KOSOVES

November 27, 2025 by s p

Gjekë Gjonlekaj / New York/

Keto ditë ndërsa bota shqiptare po përgaditet për festën e pavarësisë së Shqipërsë dhe festat e Falenderimeve të Amerikës, vëllazërit tonë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës po dergjen në burgun famkeq të Hagës. Në Shtetet e Bashkuara tanimë kanë filuar festimet e fundit të nëntorit, ku po marrin pjesë qindra shqiptaro-amerikanë, duke kënduar e hedhur valle thua se në botën shqiptare nuk ka ndodhur gjë. Ndërsa liberatorët e Kosovës kanë për ta kujtuar këtë ditë të shenjtë në qelitë e asaj kështjelle famëkeqe.

Arratisur, syrgjunosur
rraskapitur dhe katosur
po vajtonj pa funt, pa shpresë
anës elbës-s, anës spre-së
ku e lam’ e ku na mbeti,
vaj-vatani e mjer mleti,
anës detit i palarë
anës dritës i paparë,
pranë sofrës i pabgrënë,
pranë dijes i panxënë,
lakuriq e dregosur,
trup e shpirt i sakatosur,

se  c’e shepneë derbederët,
mercenarët dhe bejlerët,
se e shtypnë jabanxhijtë,
se c’e shtrythnë fajdexhijtë,
se c’e pren’ se c’e vranë,
C’e shkretuan anëembanë,
nën thundrën e përdhunës
anës vjosës anës bunës,

Cirem , digjem i vrerosur,
sakatosur,carmatosur,
as i gjallë, as i varrosur,
pres një shenj’ pres’një dritë,
se c’u tera , se c’u mpaka,
se c’u cora se c’u mplaka,
lark prej vatrës dhe prej punës,
aneës së rinit, anës tunës,
Cakërdisur, batërdisur,
përpelitur dhe zalisur,
ëndëronj pa fund pa shpresë,
anës elbë-s anës spree-së

dhe një zë vengon nga lumi,
më bucet më zgjon nga gjumi,
se mlieti po gatitet,
se tirani lebetitet,
se pëlcet, kërcet furtuna,
dridhet vjosa ,derdhet buna,
skuqet senani dhe drini,
dridhet beu dhe zengjini,
se pas vdekjes ndriti jeta,
dhe kudo gjëmon trumbeta,
ngrehuni dhe bjeruni,
korini dhe shtypini,
katundar’e punëtorë,
që na shkodra gjer në vlorë.

ky ilac e ky kushtrim,
më bën djal e më bën trim,
më jep forcë e më jep shpresë,
anës elbë-s anës spree-ës.
se pas dimrit vjen një verë,
që do tëthehemi njherë,
pranë vatrës , pranë punës,
anës vjosës,anës bunës.

arratisur, syrgjyrosur,
raskapitur e katosur,
brohoras me besë e shpresë,
anës elbë-s anës spree-së.

Vargjet e fundit të kësj poeme janë si një lajm i mirë për lirimin e katërshit legjendar të Kosovës. Besojmë e shpresojmë që ditën e  pavarësisë së Kosovës e kremtoni në atdheun tuaj të dashur për të cilin jeni sot të burgosur dhe syrgjyrosur. Dita e lirimit tuaj do të jetë një datë historike. Këto ditë pas dëshëmive të diplomatëve dhe ushtarakëve amerikanë jemi optimist se ka për të triumfuar e vërteta e Zotit.  Qofshi të bekuar o ju trima të Kosovës dhe gjithë kombit shqiparë.

Filed Under: Analiza

ELBASANI DHE PAVARËSIA

November 27, 2025 by s p

Shefqet Deliallisi/

(Kumtesë në konferencën ndërkombëtare

“Lef Nosi – figurë qendrore e historisë dhe e kulturës shqiptare”)

Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan dhe Qendra e Studimeve Albanologjike

Në kumtesën time, do të përpiqem që nëpërmjet dokumentave historike të rindërtoj konributin e madh që Elbasani ka dhënë në shpalljen e pavarsisë së Shqipërisë. Nga Viena, në 9 Nëntor 1912 , Ismail Qemali i drejtohet parisë së krahinave të Shqipërisë : “ Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipniës asht sigurue…të punoni së bashku e si vllezën…E mbledhmja e përfaqësuesvet në Durrës ose në Vlonë asht krejt e nevojshme…” (1)

Le t’i kthehemi Elbasanit.

Cilët ishin të mandatuarit e Elbasanit për në Vlorë ? Saktësisht çdo hap i njgarjeve na jepet në “ Dokumentat Historike” të Lef Nosit. Sapo vendosi që kuvendi do të mbahej në Vlorë, Ismail Qemali, më 21 nëntor me një telegram, i drejtohet Aqif Pashës dhe Shefqet Vërlacit ku kërkonte praninë e tyre në Vlorë :

“Në nji mbledhje ku do të bisedohen masa të jashtzakonshme e do t’epet nji vendim i premë, e gjindmja e Shkëlqesiës Tija Aqif Pashës e Shefqet Beut(Vërlacit), asht e domosdoshme, për këtë nuk mund të mendohet asndonji shkak e arsye ndalimi…..” (2)

Nuk dihet pse dy figurat më të rëndësishme të Elbasanit, nuk shkuan në Vlorë, ndërsa sipas një telegrami dërguar dërguar Xhemil Bej Vlorës, organizator i kuvendit të Vlorës, Aqif Pasha kish konfirmuar pjesmarjen në Vlorë. (3)

Fillimisht si përfaqsues të Elbasanit në Vlorë u mandatuan : Mid’hat bej Frashëri, Lef Nosi dhe Shefqet Daiu, të cilët u nisën nga Elbasani në 22 Nëntor.

Në 24 Nëntor përfaqsuesve ju shtua dhe Dervish bej Biçakçiu dhe në 25 Nëntor edhe Qemal bej Karaosmani. Kjo na jepet në telegramin që Aqif Pasha, Shefqet Vërlaci dhe Kryetari Bashkisë së Elbasanit, Alush Saraçi, në 24 Nëntor i drejtoheshin Dervish bej Biçakçiut në Peqin :

“Elbasani emnoi përfaqësues Mid’hat Bej Frashërin, Shefqet Dainë e Lef Nosin dhe pardje u nisën për Vlonë. Pasi zotnia e juaj jeni zgjedhë përfaqësues nga Peqini, natyrisht jo Elbasanin, por edhe gjithë prefekturën e përfaqësoni. Pasi po ju zgjedhim edhe n’emën t’Elbasanit, vepëroni së bashku “.(4)

Dervish bej Biçakçiu ishte njeri me shumë influencë në Elbasan. Në vitin1909, me votat e delegatëve nga gjithë viset shqiptare, ai ishte zgjedhur kryetar i Kongresit Kombëtar të Shkollave Shqipe të Elbasanit. Ishte kryetar i parsisë së shkollës Normale, njëkohësisht një nga financuesit kryesorë të saj.(5)

Në 25 nëntor u caktua edhe delegati i pestë, Qemal bej Karaosmani. Paria e Elbasanit njoftonte me telegram Kryesinë e Kongresit në Vlorë : “Ju bajmë më ditë, se edhe Qemal Beu, qi asht prej Parësiës, u emnue delegat, për me bashkpunue me delegatët e tjerë t’Elbasanit e të Shqipniës.…(6)

Qemal Karaosmanin, gjithashtu nga një familje e shquar e Elbasanit, ngjarja e madhe e gjen drejtor të kadastrës në Berat. Në kujtimet botuar në gazetën “Arbëria” në 28 nëntor 1936 ai shkruan :

“….Vjen një telegram prej Vlone, drejtue Aziz Pashë Vrionit, ku thuhej:

“Ismail Qemal Beu pas-nesër del n’Durrës, dërgoni njerës dhe kuaj t’a merrni, se prej këndej nuk mundemi të dërgojmë.

U mblodhëm në shtëpinë e Aziz Pashës, dhe biseduam ..më shënuan mua dhe unë me kënaqësi e pranova… të nesërmen u nisa për në Durrës tue marrë me vete katër persona nga njerëzit e mi, dhe tre kuaj rezervë. Në Durrës Ismail Qemali gjendej në Hotelin e Aziz Pash Vrionit në buzë të detit… Atë natë fjeta aty dhe biseduam drejtimin e udhëtimit qi do të bajim të nesërmen…”(7)

Nga Durrësi Karaosmani i drejtohet me një telegram, një tjetër elbasanasi të shquar, Bexhet bej Hydit, në Çermë të Lushnjes : “Sot po nisemi edhe po vijmë aty, jemi ma tepër se njizet vetë. Pra, pregatituni edhe na bani vend ke Dervish Beu (Biçakçiu) ose në shtëpinë tuaj. Në dashtë zoti mbrama jemi aty”.( 😎

Në mbërmjen e 23 Nëntorit, karvani i Ismail Qemalit bujti në Çermë, në çifligun e Dervish Bej Biçakçiut e Behxhet Bej Hytit.

Pra si përfundim delegatë në

Kuvendin e Vlorës, si përfaqsues të Elbasanit ishin : Lef Nosi, Shefqet Daiu, Dervish Bej Biçakçiu, Qemal Bej Karaosmani dhe Mid-hat bej Frashëri. Për këtë të fundit lind pyetja : si u ndodh Mid’hat Frashëri në Elbasan ?

Këtë, e sqaron hollësisht ai vetë në letërn që i dërgon më pas nga Vlora Kristo Luarasit në 10 dhjetor 1912, citojmë :

“I dashur Kristo, dola nga nga Shkupi ditën që filloi luftën Serbia d.m.th., më 3 (16) të muajt që doli (nentor,) dhe shkova nga Mitrovica në Ipek (Pejë), Gjakovë, Has, Tej-drin, Mirditë, Kurbin, Tiranë, Durrës, Elbasan e nga Elbasani arthçë këtu(Vlorë). Në Kosovë (d-m-th prej Peje, Gjakove, Gucie, dhe Plave) me tre shokë te tjerë mora letër me nënshkrime të parësisë (mandate) për të treguar që jemi mëkembësit e tyre për çdo gjë që të bëjmë për Shqipërinë. Kur erthmë në Tiranë, qëllimi ynë ish të bënim një kongres kombiar me ndihmë të Abdi bej Toptanit… por kur arritmë gjetëm letrën e Syrja be Vlorës , i cili kish ftuar parësinë me një mbledhje. U gëzuam se kështu e gjenim gati punën. N’Elbasan donja që të bëhej ay qytet si vent i mbledhjes, po atje na erdhi tejshkrimi (telegrami) i Ismail Qemalit , që na lajmëronte se do të dalë në Vlorë dhe ftonte botën me një mbledhje. Edhe pas pakë ditësh arriti në Durrës, bashkë me delegatët e Bukureshtit dhe Gurakuqin. Nga Durrësi, gjithë delegatet e ardhur dhe t’atyre viseve, vanë në Vlore, ku dhe unë vajta me shokët e Elbasanit…Lumo Skëndo “

10 dhjetor 1912 (9)

Analiza e kësaj Leter letër zbulon disa fakte interesante. Ideja për organizimin e një kuvendi kombëtar për të ardhmen e Shqipërisë, kishte lindur dhe filluar të vihej në jetë në tre pika të ndryshme pa lidhje me njera tjetrën, që konverguan në Durrës e Elbasan, prej nga ju drejtuan Vlorës të udhëhequr nga Ismail Qemali.

Më herët, pa filluar Lufta Ballkanike, këtë përpjekje e kish filluar Syrja bej Vlora. Në librin “Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri” të Eqrem Bej Vlorës dhe Baroneshës Marie Amelie thuhet, citoj:

“Disa muaj më parë, (shpërthimit të Luftës Ballkanike shënim i imi SH.D),…me një vizion të qartë për rreziqet e gjendjes, Syrja bej Vlora ishte përpjekur që t’i bindëte rrethet drejtuese për mbajtjene një kuvendi, që sipas idesë së tij do të ishte hartimi i një programi të qartë në rastin e një humbje të Turqisë, e pashmangshme sipas tij. … Me të hyrë Gushti (1912) ai u dërgoi të gjithë atdhetarëve udhëheqës dhe krerëve vendorë një letër që analizonte gjendjen, njëherësh edhe ftesën telegrafike për të ardhur në Vlorë …”

Madje Syrja Beu shkoi dhe në Vjenë për ndihmë, ku disa javë më parë kish qenë dhe Vetë Eqerm bej Vlora dhe ishte përpjekur të bindëte Ministrinë e Jashtme për planin e të atit. Ai gjeti në Vjenë dashmirësinë më të madhe kundrejt Shqipërisë. Vetë shefi i shtabit të përgjithshëm, baroni Konrad fon Hëcendorf, u bashkua me mendimin e Eqrem e Syrja beut, u tregua shumë i interesuar për fatet e Shqipëisë dhe premtoi të ushtrojë gjithë ndikimin e tij për të shpëtuar pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë. (10)

Nga ana tjetër prej disa kohësh, deri në 16 tetor, që filloi Lufta Ballkanike, Mit’hat Frashëri ndodhej në Shkup si mbikqyrës i qeverisë otomane për zgjedhjet parlamentare që pritesh të bëheshin(11). Më 14 tetor 1912, në shtëpinë e atdhetarit Sali Gjuka në Shkup, u mbajt një mbledhje për të tërhequr vëmendjen e faktorit të brendshëm dhe kancelarive të fuqive të mëdha, ndaj rrezikut që i kanosej popullit shqiptar. Merrnin pjesë në të Nexhip Draga, Mi´hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, etj, (12).

Këtu u vendos edhe për organizimin e një kuvendi kombëtar për përgatitjen e të cilit u caktua një delegacion i përbërë nga Mit´hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica dhe Bedri Pejani, të cilët në 16 tetor lanë Shkupin, duke kaluar nëpër Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Has, Tejdrin, Guci, Plavë, Kurbin, Mirditë, Durrës, Tiranë, Elbasan. Por siç thotë Mid’hat Frashëri për thirrjen e kuvendit, “punët i gjetën gati” nga Syrja bej Vlora dhe nga Tirana, ai erdhi në Elbasan me mendimin që kuvendi të mbahej në këtë qytet. Por telegrami (tejshkrimi) i Ismail Qemalit, që e ftonte në Vlorë ja ndyshoi planet. Mid’hat Frashëri, u zgjodh edhe përfaqsues i Elbasanit dhe bashkë me të tjerët, nga Elbasani u nis për në Vlorë.

Pse Mid-hat Frashëri dëshironte që mbledhja të zhvillohej në Elbasan ?

Është fakt i njohur që Mid’hat Frashëri kishte simpati për Elbasanin, të cilën e ka shprehur që në Kongresin kombëtar të Elbasanit në vitin 1909, kur në ditarin e tij shkruante :

“ Vërtet më të bukur qytet se Elbasani s’mund që të gjëndej për një të tillë kongres kombiar, ku do të bisedohet puna e shkollave shqipe dhe mësimit të gjuhës sonë : njerëzia e elbasanit jo tani, po dhe në kohët despotike, ishin çquar për dashurinë e tyre për gjuhën shqipe…”(13).

Domethënës është edhe fakti se pas dorheqjes nga qeveria e Vlorës në vitin 1913, ai u vendos në Elbasan, ku punoi si arsimtar (14). Nga ky qytet ai ndërmori dhe nismën e famshme të stilografit të artë për Edit Durhamit, siç dokumentohet nga gazeta “Përlindja e Shqipëniës” të cilës i drejtohej : Zoti Drejtor, Lutem të botoni këto të paka radhë : Këtu n’Elbasan filluam të mbledhim ndihmë nga një metelik për njeri. Duam të blejmë një kalem të florinjtë që t’ia dhurojme zonjës Edith Durham,si një kuptim për shërbimet fisnike që i ka bërë kombit tonë me shkrimet e botimet e saja. Për të rrëfyer këtë mirënjohje kombi ynë,kemi dashur që edhe ndihma të jetë e popullit dhe nga ky shkak,s’mbledhim më tepër se nga një metelik…..Në komisionin që u formua për këtë ndihmë, janë z.G. Cilka , dr.Ruzhdi beu,Taq Buda dhe unë… (15)

Sëfundi, pse Elbasani zgjodhi Mid-hat Frashërin përfaqsuses të tij në Vlorë ?

Sigurisht që një qyetet si Elbasani, kishte mjaft figura të shquara, por Mid’hat Frashëri spikaste mbi të tjerët. Kishte organizator dhe kryetar i Kongresit të Manastirit, organizator dhe nënkryetar i Kongresit Kombëtar të Elbasanit. Rrespektohej dhe si pasardhës i të madhit Abdyl bej Frashërit.

NË VLORË..

Katër nga përfaqsuesit e Elbasanit, firmëtarë të aktit të pavarsisë janë : Lef Nosi, Mit-hat Frashëri, Shefqet Daiu, dhe Qemal Karaosmani. Dervish Biçakçiu, siç del dhe nga telegramet, (16) ka ardhur në Vlorë një ditë më pas, bashkë me Isa Boletinin e të tjerë, dhe ka marrë pjesë në mbledhjen e dytë, të datës 30 Nëntor. Këtë e vërteton në kujtimet e tij edhe Tafil Boletini, që udhëtonte me Isa Boletinin drejt Vlorës : “… ishin afër tetëqind vetë që shkonin drejt Pavarësisë. Kalorësit kaluan nga Dibra në Librazhd, në Elbasan, Belsh, Lushnje, Fier. Rrëfen Tafili: “…Tej lumit na priste Sami bej Vrioni e Dervish bej Biçaku. Të gjithë shkuam mysafirë të Ymer pashë Vrionit, në Fier. Më 28 ( nëntor) herët u nisëm për në Vlorë…”( 17)

Duhet theksuar fakti se përfaqsuesit e Elbasanit ishin shumë të vlerësuar. Lef Nosi dhe Mith-hat Frashëri u zgjodhën ministra të qeverisë së përkohshme. Shefqet Daiu u zgjodh sekretar i kuvendit bashkë me Luigj Gurakuqin, siç dokumentohet nga telgrami që Qeveria e Përkohshme që njofton Elbasanin për shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë :

“Kongresi u hap. Indipendenca u proklamue. Ismail Qemal Beu u sgjodh kryetar. Sonte do t’i komunikohet Shtetevet te Mbëdha me kablo. Ju urojmë”. – Lef Nosi, Midhat Frashëri, Qemal Karaosmani. Shkruesit e kongresit: Shefqet Daiu, Luigj Gurakuqi (18).

Vetë Shefqet Daiu momentin e shpalljes së Pavarsisë, ndërkohë që ai mbante procesverbalin e mbledhjes, në shkrimin, në gazetën Elbasani, me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë shkruan : “Tepër i thyer nga rryma e luftës, shumë i lodhëm nga mundimi i udhëtimit, fort i menduem për plotësimin e detyrës por ne me një shpresë të fortë qi bante të harrojë ç’do gja tjetër ndodhesha i kërrus ndë tryes, gati për të shkrue, nji për një bisedimet dhe deklaratën e kongresit të primë e të mbledhëm ndën kryesin e të paharrushmit z. Ismail Qemal Vlorës.(19)

Shpallja e Pavarsisë në Elbasan

Gjendjen në Elbasan na e jep telegrami që Aqif Pashë Biçakçiu, Shefqet Bej Vërlaci i dërgojnë Aziz Pashës në Beratn në në 12 Vjeshta e Tretë 1328-1912 “ Situata e jonë asht vështirsue. Ohri edhe Struga ranë. Komandanti serb i ka telegrafue Qukzakvet…dhe i ka pytë zyrtarisht në do të dorzohen apo jo. Nga kjo kuptohet se ka me ardhë edhe këtu …Me qindrue asht e pamundun; sepse popullit tonë le qi s’ka armë, por i u-ka thye edhe morali keq. Paniku mbretnon edhe këtu. Zoti na ndimoftë. (20)

Ndërsa dëshmitari okular Qamil Çelirama e përshkruan kështu : “Bash në panikun e vërshimit të ushtërive serbo-greke-malazeze mbi Shqipninë u përhapën lajmet gazmore, mbi shpalljen e Shqipnisë indipendente. Patriotët tanë të shquem me Ismail Qemalin në krye, kishin korrë suksese diplomatike, dhe kishin ardhë në Shqipni për me ngritë flamurin kombëtar e me shpall indipendencën tonë. Si mbarë populli shqiptar, ai lajm i gëzueshëm ngrofi edhe zemrat e ngrime t’Elbasanasve qi pritshin me sot me nesër invadimin e vendit nga ushtëritë serbe. Të gjithë patriotët e Elbasanit, sidomos neve rinia patriotike, u aktivizuam për me pregatitë flamurë e shqiponja, për me e festue sa më mirë atë ditë. Filluen me kalue nëpër Elbasan delegacione të Shqipnisë së sipërme, të përbamë nga Is Buletini me shokë, për me shkue ne Vlorë, ku po mblidhesh Kuvendi qi do të shpallte indipendencën shqiptare, do të ngrinte flamurin e Shqipnisë, dhe do të formonte qeverinë shqiptare. Ushtëria turke, qi u thye në Kosovë e në Manastir, filloi të tërhiqet nga drejtime të ndryshëm, drejt detit Adriatik, për me u inbarkue në Turqi. Ushtëritë e thyeme qi kaluen nëpër Elbasan, të komandueme nga Xhevit Pasha, insistuen qi të luftojshin për me mbrojt Elbasanin, por patriotët e vendit, qi ishin në dijeni për shpalljen e indipendencës, e detyruen komandën turke qi të hjekë dorë nga nji veprimtari e rrezikshme dhe e damshme. Serbët, tue mos gjet resistencë në marshimin e tyne, po i afroheshin Elbasanit, prandaj patriotët e qytetit tonë shpejtun me e ngritë flamurin e Shqipnisë n’Elbasan para se të ngrihesh në Vlorë. Ai gëzim qe çashtje orësh, qyshse ushtëritë serbe, edhe se u lajmëruen pse po shpallesh indipendenca shqiptare, e se n’Elbasan u ngrit flamuri i Shqipnisë, vazhduen marshimin e tyne për me dalë në Adriatik. Si rrjedhim, ata pushtuen Elbasanin dhe e ulën flamurin tonë tue e zavendësue me të tynin. Elbasani i priti serbët si miq të paftuem, tue nxjerr nji komison pritës të përbamë prej parisë së vendit, disa orë larg Elbasanit. Të sigurtë, se qëndrimi i serbëve n’Elbasan e në vise tjerë t’atdheut ishte i përkohshëm, neve bamë durim për me e përballue zgjedhën e re, qi na dukesh edhe ma e randë se ajo e Turqisë………”

Në vitin 2009 në arkivin e Ushtrisë Jugosllave në Beograd, u gjend dokumentin i pavarsisë së shpallur në Elbasan në 25 Nëntor 1912. Ja teksti …

Shpallje për vetqeverimin e Shqipnisë,

Na gjindja e Elbasnit, pa ndonji shtrëngim të jashtëm ose të brendshëm,… bashkë me gjithë qytetarët e Shqipnisë po i bajmë të ditun gjithë botës së qytetërueme se sot shpallim vetësinë të.. Shqippnisë tonë nga mbretnia Ottomane tue u numurue si një komb i lirë i cili me ndihmën e të madhit Zot, mbrojtësit të të gjitha kombeve të Europës, shprehem se do të qeverisim me nder, drejtësi, dhe nji paansi të plotë, pa vanë re ndryshim feje apo dogme. Ç’ do shqiptar ose i huej do të mund të rrojë lirisht duke gëzuar të gjitha të drejtat njerëzore. Edhe na kemi nërmend të rrojmë vllazënisht edhe me qeveritë fqinjëse, pa dashur t’u bajmë as të paktin dam, por duke ju lutun të na ndihmojnë në vetqeverimin tonë edhe rrëzimin e qeverisë Ottomane. Rroftë Shqipnia e lirë. Kështu e baftë Zoti!

Na përfaqsuesit e Elbasanit vërtetojmë të sipërmen duke vumë ndënshkrimin tonë. “

Duke lexuar këtë dokument befasohesh nga idetë që në pak rradhë hedh. Prirjen pro Europiane, tolerancën fetare dhe etnike. Madje arrihet deri në të drejtat njerëzore. Fakti që ky dokument është shkruar në vitin 1912, lartëson vlerën intelektuale të atyre që e hartuan. Nisur nga gjuha, gegërishtja e Elbasanit dhe shprehjet e përdorura, akti është hartuar nga një elbasanas, ende i panjohur, që përdor alfabetin latin të Manastirit që kishte pak kohë që ishte futur në përdorim. Masa e gjërë atë e kishte përvetësuar shumë shpejt. Por shkruesit duket ka njohur edhe edhe alfabetin e Stambollit që Kongresi i Manastirit i 1908 e kishte lënë në përdorim. Kështu me një fjalë ai tingullin “dh” e paraqet me shkronjën “ δ “ , që i takon alfabetit që përdorën vëllezërit Frashëri.

Shpallja e pavarsisë, telegrafisht ju njoftua Ismail Qemali në Vlorë : “ Gjithë populli ynë, myslymanë e të krishtenë, me nji za kanë PRANUE idependencën e Shqipnisë,

Në emën të gjithë popullit të prefekturës së Elbasanit

Haxhi Hafëz Sulejman Kungulli, zavendës mitropolit Papa Dhimitër Dhimitruka.

Aqif Pashë Biçakçiu, Shefqet Bej Vërlaci, Hasan Bej Biçakçiu, Abdulla Bej Tirana, Fuad Bej Kareman Beu(Biçaku), Servet Bej Zylfi, Ismail Bej Xheladin Beu, Ali Agjah Bej, Maliq Bej Riza Beu, Demir Bej Sulçe Beu, Refik Myftiu, Mahmut Guma, Xhaferr Pasmaqi, Hysein Sulova, Ruzhdi Alush Saraçi, Beniamin Deliana, Beniamin Nosi, Taq Buda, Kolë Papajani, Lazër Papajani, Serafin Jorgaqi, Haxhi Nikollë Jorgaqi, Mihal Prifti, Dhimitër Paparisto, Emin Haxhiadem Shijaku, Rrapush Demeti, Mahmut Hakani, Hysein Dakli, Jusuf Bej Taushani, Hasan çifte, Ymer Peni, Hysein Hastopalli, Demir Zenelhoxha(22) Dëshmitari okular Jovan Dimitresku,ish shefi i kabinetit të Ahmet Zogut në kohën e republikës, dëshmon : “ .. kam qenë i pranishëm në ceremoninë e ngritjes së flamurit për herë të parë në ndërtesën e Prefekturën së Elbasanit, në 25 nëntor 1912…..Kryetari i qeverisë së përkohshme në Elbasan atëherë ishte Aqif pashë Elbasani “.

REZIKU SERB..

Nga telegramet botuar në “Dokumenta Historike “ del se për këtë problem ka pasur një komunikim intensiv ndëmjet parisë së Elbasanit, Ismail Qemalin dhe komandës së forcave Serbe. Duke pasur parasysh eksperiencën e madhe diplomatike të Ismail Qemalit, paria e Elbasanitit për çdo hap komunikon me të (23). Dhe Ismail Qemali i udhëzon :

“…i dërgoni komandantit t‘ushtëriës serbe me anë të nji komisioni të posaçëm nji shkresë të ndënshkrueme prej Këshillës Administratore, tyke i kërkue pushimin e vepërimevet anmiqsore kundrejt jush, passi edhe Elbasani si gjithë Shqipnia ka proklamue indipendencë edhe lufta qi i kanë shpallë Turqiës Serbia me shtetet e tjera , naturisht nuk ka të bajë me Shqipniën indipendente. (24) Ndërkohë presioni i ushtrisë Serbe shtohet. Komandanti Serb Gjenerarali Metoviç nga Ohri i shkruan Kryesiës së Bashkisë së Elbasanit se :

“N’i u dorëzofshi edhe ju ushtëriës serbe … edhe n’i dhançi armët të gjitha, ju ap fjalën se do t’ju sigurohet çdo gja; domethanë: feja, pasunia, jeta e qetësia e juej…..Përgjigjen tuej e pres në zyrët telegrafike“(25)

Kopia e këtij telegrami i dërgohet Ismail Qemalit në Vlorë, dhe përgjigja e tij nuk vonon:

“Kopiën e telegrammës qi ju dërgon komandanti i ushtëriës serbe gjeneral Metoviç kryesiës së Bashkiës s’Elbasanit e këndova. Indipendenca u shpallë në gjithë viset e Shqipniës edhe sot u formue e u ngref Qeverria e Përkohshme Kombëtare. T’i përgjigjeni se asht i pa-drejtë vazhdimi i anmiksiës, nga ana e Mbretniës Serbe, kundrejt Shqiptarvet qi nuk po i apin asndonji shkak anmiqsie edhe i bani me ditë se në mos dëgjoftë, Shteti Shqiptar do të protestojë e do të shtrëngohet me kërkue mbrojtje e drejtësië nga Shtetet e Mëdha. Lutemi me na e bamë të ditun sa ma shpejt përgjigjën qi do të merrni. ..”(26)

Një ditë më pas, është kryetari i bashkisë së Elbasanit Alush Ruzhdi Saraçi që i drejtohet Komandantit serb në Ohër: “Parësia e qytetit u mbloth. Ju baj me ditë se ndëpunësit turq i përzunë me kohë edhe kanë formue nji Qeverrië Indipendente me emnim Qeverria e Shqipniës.(27)

Ndësa Aqif Pasha :

“Ndashti qi u shpallë Indipendenca e gjithë Shqipniës, ruejtja e situatës së re politike të saj ka me u caktue pas përfundimit të korespondencës e bisedimevet qi do të bahen ndërmjet të Qeverriës tonë Qendrore e të Qeverriës tuej…në Prefekturët tonë, nuk do ti vijë asndonji dam, asht e ditun se përkohësisht e si mik do të priten mirë…”(28)

Ismail Qemali dërgon dhe kopjen e një proteste që duhej t’i dorzohej komandantit serb nga Aqif pasha në emër të qeverisë së përkohshme të Elbasanit :

“Tyke qenё se gjithё Mbretniёt dhe Mbretnia e Juej, e pohojnё qenjen kombёtare tё kombit Shqiptar, edhe ai ka shpallё Indipendencёn e Tija e i a ka njoftue zyrtarisht Mbretnivet tё Mёdha, Mbretnivet tё Balkanit edhe Ministriёs sё Punvet tё Jashtme tё Serbiёs, marr vesht, se Fuqia Ushtarake qi asht ndёn komandёn Tuej, po ecёn pёrpara e ka nё mёnd me shkelё Elbasanin. Asht e ditun se sikur se shkelja e tokёs Shqiptare asht kundёr sё drejtёs, ashtu edhe shkelja e Elbasanit prej Jush do me thanё se kёrkoni me i ngelё mbё qafё nji vendi indipendent, i cili nuk dishron me luftue me Serbiёn. Protestoj vepёrimin Tuej edhe lutem tё prapseni nga ky vepёrim.”(29)

Më poshtë ai e udhëzon Aqif pashën : “Telegrammёn tonë të protestёs pёr Komandant Metoviçin t’i a epni me anё tё zyrёs telegrafike t’Elbasanit nё Ohёr, nё qoftё se asht atje. Nё qoftё se nuk asht e mundun me i a dhanё Ohrit, athere t’i a epni komandantit qi po vjen n’Elbasan…” (30)

Një përfaqsi nga paria e vendit, i priti serbët disa orë larg Elbasanit dhe i dorëzoi aktin e pavarsisë që përmendëm më lart. Ky akt i është dërguar komandës së ushtrisë serbe në Beograd, prandaj dhe ndodhet në arkuivin e Ushtrisë serbe, ku dhe u zbulua disa vite më parë.

Fundi i përfaqsuesve të Elbasanit

Ashtu si i shumicës së aktorëve të pavarsisë së Shqipërisë, fundi i tyre ishte tragjik. Lef Nosi u pushkatua. Shefqet Daiu u dënua me 30 vjet dhe vdiq në burg, Mid-hat Frashëri u shpall kriminel lufte dhe vdiq në mërgim në Nju Jork, mendohet i helmuar nga komunistët. Dervish Biçakçiu u shpall kriminel lufte dhe vdiq në mërgim në Damask. Qemal Karaosmani vdiq në Kavajë i harruar nga regjimi komunist…

Po e mbyll me At Zef Pllumin, në librin “Rrno vetëm për me tregue” :

“Njerëzit që kanë ba Shqipninë na nuk kemi të drejtë me i gjykue. Naim Frshëri. Faik Konica, Ismail Qemal Beu, Imzot Doçi, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi e pak tjerë si këta e krijuan Shqipninë…… Kjo asht e vërteta historike. Populli ishte ky…. (i prapambetur), intelektualët kjenë ata që e banë Shqipninë……nuk kemi kurrnji të drejtë me i gjykue për gabimet politike që kanë ba në jetë e tyne, se po ta bajmë këtë, atëhere tregohemi mosmirënjohës. Pa ata nuk do ta kishim Shqipninë e lirë….Na nuk kemi asnji të drejtë ti gjykojmë personalitetet shoqnore – politike të asaj kohe, me ato koncepte që kemi sot. Sigurisht që në atë kohë ata kanë ba politikën që duhej për interesin e popullit shqiptar aty për aty”.(31)

BIBLIOGRAFI

1-L.Nosi “Dokumenta Historike”f.69

2- L.Nosi“Dokumenta Historike”f.75

3-Ilir Konomi, Pavarsia Ilir ikonomi, Pavarsia. Udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit,UET Press 2012, F.166

4- L.Nosi “Dokumenta Historike”f.79

5- Gazeta Tomorri, Elbasan, Qershor 1910

6- L.Nosi “Dokumenta Historike”f.83.

7-Qemal Karaosman, Një udhëtim historik në nëntor 1912, gazeta Arbëria,28 nëntor 1936.

8- L.Nosi “Dokumenta Historike”f.76).

9 -Mid’hat frashëri, Elita Shqiptare, përgatitur nga Uran Butka, Plejad 2008,f.387)

10- Eqrem Bej Vlora, Marie Amelie von Godin, Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri,Shtëpia botuese 55, f.205-209, Tiranë 2010.)

11-Mustafa Kruja, Antologji Historike, Sejko Elbasan,f267

12- Mid’hat Frashëri, Elita Shqiptare, përgatitur nga Uran Butka, Plejad 2008, fq. 48-49.

13- Mid’hat Frashëri, Elita Shqiptare, përgatitur nga Uran Butka, Plejad 2008,f539

14- Mid’hat Frashëri, Elita Shqiptare, përgatitur nga Uran Butka, Plejad 2008,f.22.

15 – Mid’hat Frashëri, Elita Shqiptare, përgatitur nga Uran Butka, Plejad 2008,f539

16- L.Nosi “Dokumenta Historike” f97)

17-Tafil Boletini: Kujtime; përgatitur nga prof. dr. Marenglen Verli, Botimpex, Tiranë 2003

18 – L. Nosi,“Dokumenta Historike”f.97

19- Shefqet Daiu, “Flamuri e Dita 28 Nânduer “ Gazeta Elbasani ,28 Nëntor 1922

20- L. Nosi,“Dokumenta Historike”f.81

21 – Ilir ikonomi, Pavarsia. Udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit,UET Press 2012, f 209

22 – Lef Nossi , Dkumenta Historike f.80

23- L. Nosi,“Dokumenta Historike”f.85

24- L. Nosi,“Dokumenta Historike” f.104

25 – L. Nosi,“Dokumenta Historike”f.96

26- L. Nosi,“Dokumenta Historike”f.95

27 – L. Nosi,“Dokumenta Historike” f107

28- L. Nosi,“Dokumenta Historike” f.108

29- L. Nosi,“Dokumenta Historike”f111

30-L. Nosi,“Dokumenta Historike”f.111

31 – Zef Pllumbi, Reno vetëm për me tregue F. 493

(Kumtesë në konferencën ndërkombëtare

“Lef Nosi – figurë qendrore e historisë dhe e kulturës shqiptare” Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan dhe Qendra e Studimeve Albanologjike.

Filed Under: Analiza

KLERIKËT KATOLIK PËR PAVARËSINË: “PUNËT E VOGLA ME BASHKIM RRITEN”

November 27, 2025 by s p

Dom Nikë UKGJINI

Gjovalin ÇUNI/

At Donat Kurti e më tej shtonte : “Ka gjitha gjasat se flamuri, qi u ngreh ne Vlonë me 28 nanduer 1912, kje shi njaj, qi vetë Ismajl Qemali muer prej Lec Shkjezit në Kotorr ndoi ditë përpara:.

Sa herë që ka përvjetorë që lidhen me Pavarësinë dhe përpjekjet e shqiptarëve për të krijuar shtetin, nuk mund të mos kujtojmë dhe nderojmë njerëzit që i kanë shërbyer Atdheut, mes të cilëve edhe klerikët shqiptarë. Klerikët që punuan në dobi të Shqipërisë dhe të popullit të saj në vitet e para të shtetit shqiptar janë të shumtë, dhe ndër ta nuk mund të lihen pa u përmendur ipeshkvinjtë e kohës: Imzot Jak Serreqi, Ipeshkëv i Shkodrës; Imzot Luigj Bumçi, Ipeshkëv i Lezhës; Imzot Lazër Mjeda, Ipeshkëv i Sapës, kryeipeshkëv i dioqezës Shkup–Prizren dhe kryeipeshkëv metropolit i Shkodrës; Imzot Benardin Shllaku, Ipeshkëv i Pultit .

Po ashtu, françeskanët e mëdhenj – etërit: Dodaj, Fishta, Gjeçovi, Harapi, Prendushi, Shllaku e shumë të tjerë; jezuitët e dijshëm shqiptarë dhe të huaj si F. Kordinjano, G. Valentini, Gjon Karma; famullitarët, si dinastia Gazulli (Shtjefën, Simon, Gjon, Nikollë), Dom Lazër Shantoja etj. Nëse e marrim përmbledhtazi kontributin e klerit, do të evidentojmë se ata, krahas patriotëve të tjerë, kanë qenë gjithnjë të pranishëm jo vetëm në periudhën e lëvizjeve për pavarësi, por edhe në atë të konsolidimit dhe zhvillimit të shtetit shqiptar. Ata luftuan për pavarësinë, por edhe për mbrojtjen e interesave kombëtare e shtetërore, për hyrjen e Shqipërisë në jetën ndërkombëtare dhe për zhvillimin kulturor e shoqëror të vendit.

Kleri katolik punoi shumë dhe mori pjesë aktive në nënshkrimin e Aktit të Pavarësisë. Don Nikollë Kaçorri, famullitar i Durrësit, ishte pjesëmarrës i Kuvendit Kombëtar të Vlorës dhe nënshkrues (i dyti në radhë) i Aktit të Pavarësisë. Përmbledhtazi po mundohem të sjell disa momente nga veprimtaria patriotike e klerit katolik, i cili, në të gjithë veprën e tij, i kushtoi kujdes të veçantë bashkëpunimit me pjesëtarët e ndjesive të tjera fetare e krahinore.

Atë Gjergj Fishta shkruante, “per ma ba nji bashkim të vertetë në Shqipni, duhet që të gjithë shqiptarët pa nderlikim besimi… para atdheut e para ligjet ta mbajn vedin vetëm për shqiptare e kurrgja tjeter veçse shqiptarë dhe ku bashkim për t’u arritë vetëm atëhere “…kur si kristjani, si muhamedani, ne sy të ligjes e te Shtetit, njani mos ta mbaje vedin ma burre te mire se shoqin”. E shembujt e shumtë, të bashkëpunimit nuk mungojnë. Gjana që dihen, por edhe gjëra që mund të risillen në kujtesë.

Aurel Plasari, shkruan:“ ..në kohën kur Dom Nikolle Kacorri dilte në krah të Ismail Beut për të kërkuar pavarësinë e atdheut, nuk llogariste perqindjet e besimeve ne Shqiperi! Sepse kur At Anton Harapi hartonte memorandumin e famshëm të 1918 drejtuar fuqive të mëdha ndër 44 nënshkrimet e krerëve të Hotit e të Grudës nuk ai qiste hesapi 40 muslimanë dhe 4 kristianë ! Sepse kur Imzotn Bumci luftonte në Versaje për Kufinjët e Shqipërisë në mendje nuk i vinin njehsimet përqindore ! Sepse kur i binte në gjunjë Papës për të shpëtuar krahinat e Korçës dhe të Gjirakastrës, nuk merrte fare parasysh që në ato krahina këmbë katoliku nuk kishte ! Sepse Faik Konica, Noli apo Gjergj Fishta kur përpiqeshin për njohjen e atdheut të tyre prej SHBA-se nuk besoj t’u mburreshin senatorëve amerikanë me raportet e besimeve në Shqipëri! Sepse kur Imzot Serreqi, i shkruante Lidhjes së Kombeve se në Shqiperinë, që po rrezikohej të zhbehej, kristiane dhe muhamedanë janë vëllezer dhe duan të jetojne në të njetin shtet, në të tilla përqindje nuk mbështetej !“

Padër Donat Kurti në shkrimin e tij “Flamuri komtar në krahinë të Shkodrës”, botuar në revistën Hylli i Drites”, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë ndër të tjera shkruente: “I pari qi publikisht përdoron flamurin komtar faqe turqve asht Emz. Bernardin Shllaku, françeskan. Imzot B. Shllaku qe emëruar ipeshkëv-ndihmëtar i Pultit më 8 Kallnduer 1910. Si çdo klerik i lartë në stemën të vet, “..qi e ven në ball të kishës, ku shugurohet, si edhe ne derë t’ipeshkvinis, ku banon e nder vula të veta, ka të piksuem flamurin e Shyqpnis me shqype dykrenshe mbë shtroje të kuqe”.Bedri Pashës, atëherë vali i Shkodrës, iu kujtue ksaje pune e i bani vrejtje; por mas fjaleve të ndezta të prealtit të ri, s’pat shak me ba tjetër, veç i ra krahit, tuj levdue ndiesit e tija komtare”

Veprimtaria intensive e klerit katolik drejt Pavarësisë filloi me kryengritjen e malësorëve më 24 mars të vitit 1911. Duke u nisur nga territori i Malit të Zi, ku ishin strehuar malësorët për t’iu shmangur reprezaljeve turke, kryengritja u përhap menjëherë në tërë Malësinë e Madhe — në Grudë, Kelmend e Kastrat. Kjo kryengritje ishte vijim i kryengritjeve anti-turke të viteve 1909–1910 kundër çarmatosjes së popullsisë dhe pjesë e qëndresës kundër ekspeditave ushtarake të Xhavid Pashës (maj–tetor 1909) dhe Shefqet Turgut Pashës në Kosovë dhe Veriun e Shqipërisë (betejat e Kaçanikut, Carralevës, Qafë-Morinit dhe Agrit, prill–qershor 1910).

Karakollet kufitare turke të Rapshës ranë njëri pas tjetrit dhe, siç theksonte Luigj Gurakuqi në intervistën dhënë gazetës londineze “The Guardian”, mund të ishte marrë edhe Shkodra, por mungesa e armëve nuk e mundësoi një gjë të tillë. Knjaz Nikolla i Malit të Zi u dha përkrahje malësorëve, duke u nisur nga qëllimi për të shfrytëzuar pakënaqësinë e tyre për interesa të veta me, synimin e kahmotshëm për të vënë nën kontroll tokat veriore dhe për ta bërë Shkodrën kryeqendër të mbretërisë së tij.

Të shumta ishin replikat e Ded Gjo Lulit me Knjaz Nikollën. Dom Ndoc Nikaj i ka sjellë një pjesë të tyne në librin: “Kujtime të një jete të kalueme“.

Pasi i kishte dhënë mbështetje dhe përkahje, Knjaz Nikolla i iu suall Dedë Gjo Lulit të Hotit që ishte një ndër krenët e asaj lëvizje kombëtare duke i thënë: „mbasi me Mbretin e Stamollës nuk gjendeni te qetët, e shka kishit me thanë po ta merrshim sundimin une per mbi jue ?

Dedë Gjon Luli, gjithnjë sipas Dom Ndoc Nikës, ju përgjigj menjëherë : Zotni, ti n’a ke dhanë çdo ndihmë qi kena pasë nevojë edhe të jena mirnjohës per të gjitha, por sa për pikën qi po n’a thue, ta dhashë besën e Zotit, se jena me ty per çdo nevojë per me të shpërblye të mirat qi n’a ke ba, por, po m’erdhe te praku i derës, ta kena vue pushken sikur ja kena vue Turqis “

Kryengritja e vitit 1911, i bëri të vetëdijshëm shqiptarët mbrenda e jashtë. Në Itali ishte formuar Komiteti “Pro Albania”, por edhe në Malin e Zi ishte formuat “Komiteti i Podgoricës“. Në kryengritje mori pjesë gjallërisht kleri. Pranë luftëtarve së bashku me ata qëndruan tërë klerikët që shërbenin në zonat ku shpërtheu kryengritja. Sipas burimeve arkivore të „Cetinski Vjesnik“ mes tyne ishin meshtari i Traboinit Luigj Bushati, i Grudës Patër Bonaventura Gjeçaj, i Rapshës Patër Sebastian Hila, i Vuksanlekajve Karl Prendushi, i Kastratit (Bajzë) Pater Lorenc Mitroviq e pak më vonë në rajonin e bjeshkeve të Triepshit kaluan edhe meshtarë të tjerë nga Kelmendi.

Ndër shenjat më të dukshme të kësaj kryengritje ishte ngritja e Flamurit në betejë e sipër nga kryengritësit në majën e Bratilës, më 6 prill 1911. Ky akt demostrativ i mvehtësisë shqiptare, ishte vazhdë e përpjekjeve të mëparshme që bënin shqiptarët për të përdorë simbolet kombëtare.

Është diskutuar mjaft rreth personit dhe flamurit që eshtë ngritë në Bratilë. Në mungesë të dokumenteve të sakta, dëshmitarët okularë dhe pjesmarrësit në beteja janë fakti më i mirë për të saktësuar formën dhe dekoracionet e flamurit, që mori emnin i flamuri i Dedë Gjo Lulit, duke u përmendur edhe disa punuesat e mundshëm të tij, si: Gjo (Gjon) Gjo Kola, rrobaqepës personal i Knjazit, Zef Jak Dajçi, Palok Traboini, shtëpia Çefa etj. Flamurin e ngritur një vit më vonë në Vlorë, Simon Pepa do ta cilësonte: “maja e Kalasë, pasi themeli i kësaj kalaje qe 6 prilli”.

Rrezikun e shtimit të përdorimit të dhunës ndaj malësorëve që mund të shoqërohej me humbje jetësh njerëzore, apo edhe me rrezikun e fillimit të konflikteve të reja ushtarake në rajon, bëri që një „delegacion paqësor“ i Arqipeshkvisë së Shkodrës, nën udhëheqjen e Imzot Jak Serreqit, At Gjergj Fishtës, Emzot L.Bumci, por edhe me pjesëmarrjen e Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit të fillonin ndonëse pa sukses bisedimet sa me kryengritësit, sa me turqët për marrëveshjen armëpushimit.

Atë që klerikët nuk e arritën e arriti Mis Edit Durham që ndërmjetësoi, dhe bindi malësorët për t’u kthyer kthyet në shtwpijat e tyre. Më 28 nanduer 1912, pas rreth 450-vjetësh u ngrit Flamuri në Vlorë dhe u shpall Pavarësia. Një tekst të thjeshtë me pak fjalë shkruar në gjuhën shqipe me alfabetin latin të Kongresit e Manastirit (22 nëntor1908) dhe osmanisht me alfabet arab, që shërbente kështu jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të njoftuar Portën e Lartë shkruhej: “Pas fjaleve që tha z.Kryetari Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e madh në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjith delegatët më nji za venduan që Shqipëria, me sot të bahet me vehte e lirë e mosvarme“.

Dokumentin e Pavarësisë që i botuar nga Lef Nosi, për çudi ka hupë si dokument origjinal, duke krijuar siç e kanë zakon shqiptarët një tymnajë tjetër që akoma nuk është zgjidhë. “Shndrrim i mrekullueshem! Shqypnija nuk kje e u ba, a por ma pernjimend me thane: kje si te mos ishte e u duel ne vedi si i perkiste!- shkruante

At Donat Kurti e më tej shtonte : „Ka gjitha gjasat se flamuri, qi u ngreh ne Vlonë me 28 nanduer 1912, kje shi njaj, qi vetë Ismajl Qemali muer prej Lec Shkjezit në Kotorr ndoi ditë përpara. “Nuk e due – i pat thënë plaku-as tepër të madh, as teper i vogël „. E Leci, qi kishte flamuj gjithshfarë maset i dha nje flamur të thjeshtë”.

Në ngjarjet që sollën Pavarësinë spikasin përsëri figura të rëndësishme klerikësh. Atë David Pepa ishte përkthyes i Ismail Qemalit në bisedimet me ministrin e Jashtëm austriak kontin Leopold Berthold në Vjenë, Lazër Mjeda dhe Don Nikoll Kaçorri, ishin kontribues konkret të shpalljes së Pavarësisë.

Imzot Lazër Mjeda ndihmoi Ismail Qemalin të mbërrinte në Vlorë, më 28 nanduer 1912. “Ismail Qemali gjëndej në Vienë para shpalljes se Pavarësisë. Kishte probleme financiare që të udhëtonte në Shqipëri. Kishte mbetur në Vjenë dhe nuk mund të vinte në Shqipëri. Kishte po ashtu me vete nji çek bankar dhe atë çek nuk e dëshironte asnjë bankë në Vjenë ta merrte parasysh, që të mund të vinte në Shqiperi. Kështu që arqipeshkvi Lazër Mjeda mobilizoi miqtë e vet të Qeverisë Austro-Hungareze dhe ai mundësoi I. Qemalit që përmes një anije ekstra të financuar nga Vjena të vinte deri në Durrës.“

Një tjetër emblemë e klerit katolik ishte edhe Dom Nikolla, “shqipja e malit”, qëndruar në krahun e djathtë të Ismail Qemalit.

Dom Nikolla ishte veprimtar i çështjes kombëtare, pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, organizues i një sërë kryengritjesh popullore; gjurmues, folklorist, iluminist, misionar, dijetar, kryengritës, mësues, si dhe shok e mik i figurave të njohura patriotike si Sali Nivica, Lef Nosi, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi etj.

Ai ishte një ndër figurat më të shquara meshtarake dhe kulturore jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, i njohur në kancelaritë e Vjenës, Brukselit, Romës, Vatikanit, Londrës e Parisit.

Dom Nikollë Kaçorri ishte nënshkrues i Memorandumit të parë të 12 nëntorit 1912 drejtuar perandorit të Austro-Hungarisë, Franc Jozef I, ku kërkohej ruajtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë. Ai ishte shoqërues i Ismail Qemalit në udhëtimet në kryeqytetet europiane para shpalljes së Pavarësisë. Edhe udhëtimin drejt Vlorës e bëri së bashku me Ismail Qemalin dhe të tjerë patriotë. Dom Nikollë Kaçorri përfaqësonte jo thjesht popullin katolik të Durrësit në Kuvendin e Vlorës, por më gjerë, klerin katolik, që aq shumë ndihmoi në lëvizjen kombëtare. Eqerem Vlora e cilësonte përfshirjen e Kaçorrit në qeverinë e Ismail Qemalit si “një zgjedhje të mirë”.

Dom Nikolla aspironte që Shqipëria, pas pavarësimit, të zhvillohej me ritme të tilla “sa të habitet Europa”.

“I urti”, siç e quanin, dëshironte t’i shërbente Atdheut mbi bazën e parimeve dhe frymëzimit kristian, e jo me zhvillimet kaotike të mbështetura në qëndrime të dyta e të padenja të udhëheqjes politike. Pas komplotit të Beqir Grebenesë më 30 mars 1913, ai dha dorëheqjen, duke mbetur gjithnjë shembull i një atdhetari opozitar, besnik ndaj parimeve mbi të cilat ishte ngritur Qeveria e Vlorës. Dom Nikolla iu rikthye misionit baritor, duke e përqendruar veprimtarinë e tij në çështjet e harmonisë fetare.

Më 21 qershor 1913 ndodhej në Shkodër, ku punonte për bashkëpunimin ndërmjet myslimanëve dhe katolikëve. Vdiq më 29 maj 1917. Veprimtaria e klerit katolik vijoi edhe pas shpalljes së Pavarësisë, në përpjekjet e gjithanshme për ruajtjen e tërësisë territoriale dhe formësimin e shtetit të ri shqiptar drejt prosperitetit. Duke përfunduar veprimtaria e klerit shprehjen : “Punët e vogla me bashkim rriten”

Klerikët katolikë me vepra dëshmuan “Punët e vogla me bashkim rriten”, dhe kështu ndihmuan në ngritjen e themeleve të Shqipërisë moderne.

6 prill u ngrit flamuri, pra një vit para Vlores. Kështu nëse 1912 e Vlorës që maja e Kalase, 6 prill që themeli i kësaj kalaje (S.Pepa, f. 223) 8 mars në kala u ngrit flamuri, përfaqësues, fjala e kolonel De Filips nji ligjerate të hijshme dhe me pas flasin Haxhi Ali Ymeri, prej Jakove, P. V.Prennushi, e Emzot P.Doci. Shkollat e franceskanëve dhe jezuiteve, kolegjen saveriane 1877, prej kah dolen Ipeshkvinj, priften, rregulltare dhe shekullare. Ishin këta perfaqsuesit ma ne za të elementit katolik ata që krijuan frontin “ qe punoi për Shqiperinë dhe shqiptartë inkuadrueme në Europe se cilës i përkisnin më qytetnim edhe në lashtesi” (A. Harapi , f. 29).

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT