• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vërshimet, sëmundja jonë kronike

January 11, 2016 by dgreca

“As zoti nuk të ndihmon nëse ti se respekton vetveten”- Fjalë e vjetër popullore-/
Shkruan: arch. Ylber Vokshi -Ylli-Prishtinë/
Me vite me radhë po apeloi,tek organet shtetërore të nivelit lokal (Komunat) dhe ati qendror(MMPH),për të punuar dhe ndërmarrë masa adekuate në teren, që të mos kemi vërshime të shumta pothuaj në të gjitha anët e Kosovës dhe Shqipërisë. Si nuk u mbush mend kjo shoqëri,të cilës për çdo vjet po iu përsëritën vërshimet, nuk po ndërmerr masa adekuate preventive që sado pak të parandalohen dëmet të mëdha që po i shkaktohen? Si duket kjo është kthye në sëmundje kronike e cila po na përsëritet çdo vit,varësisht se në cilat zona ka të reshura ma të shumta,e disa zona këtë dukuri e kanë të garantuar sa herë bien shi ma gjatë se një ditë.
Është çështje tjetër nëse vërshimet janë si pasojë e disa dukurive apo fenomeneve natyrore,ato ndodhin rrallë dhe trajtohen si fatkeqësi natyrore të dimensioneve të mëdha, në ato raste faktori njeri është i pa fuqishëm dhe vepron vetëm si preventivë,ku kërkohet edhe ndihma e bashkësisë ndërkombëtare. Por vërshimet e viteve të fundit në Kosovë dhe Shqipëri janë pasojë ekskluzive e faktorit njeri që rezulton me dëme të mëdha materiale në pronat private dhe shoqërore,të cilat gati asnjë organ shtetëror nuk i kompenson. Që të jetë ironia ma e madhe asnjë shtab komunal i emergjencave nuk posedon fonde materiale për raste të tilla, dëmet materiale nëpër disa komuna janë të rëndomta për çdo vit.
Janë brengosëse raportet nga tereni këtyre ditëve kur pati të reshura të pa ndërprera dy ditore të shiut,me pasojat të mëdha në rrethet dhe vendbanimet e Malishevës,Shtimes,Lipjanit,Drenasit, Suharekë dhe disa rretheve tjera në Kosovë dhe në shumë rrethe në Shqipëri. Ishte tregues interesant prononcimi i një banori të Babushit të Muhaxhirëve të Lipjanit i cili tregoi se këto përmbytje në fshatin e tyre janë si rezultat i hedhjes së dheut të tepërt nga punimet në autostradën në ndërtim për Shkup. Zyrtari i shtabit emergjencave të Lipjanit konfirmoi se ketë vit dëmet ishin ma të vogla se vitin e kaluar,pasi është punuar diçka në pastrimi e shtratit të lumenjve.
Kjo e tregon një të vërtetë të hidhët se me Planifikim Hapësinor dhe Urban profesional të territorit të komunave apo rretheve, me rregullimin e shtretërve të lumenjve,prrockave apo kanaleve kulluese, ne mundemi me e parandaluar rrjedhën e pakontrolluar të ujërave,daljen e ujit nga shtrati që rezulton me vërshime, duke shkaktuar dëme të mëdha në tokat me të mbjella,depo,objekte pune dhe banimi,auto rrugë etj. MMPH kur detyrohet del në opinion me të dhëna se për vitin 2016 ka ndarë 1.2 milion euro,sa janë të mjaftueshme këto mjete në situatën e krijuar që 17 vite ?
Një dukuri shqetësuese është eksploatimi i pa kontrolluar i zhavorrit,ndërtimi i kapaciteteve për përpunimin e tij (seperacioneve) mu në shtratin e lumenjve ,shtrati i tyre degradohet skajshmërisht dhe ndikon direkt në mjedisin jetësor,gjegjësisht në rrjedhën normale të ujit i cili është i detyruar të del nga shtrati dhe të vërshoi. Hedhja e mbeturinave në lumenjtë tonë,që i trajtojmë si kosh plehrash, ku mundesh të hedhësh gjithçka, është dukuri normale,kjo ngjet edhe në zonat urbane të qyteteve tona e askush nuk reagon,edhe se ngushtimi i shtratit të lumenjve tona është një prej shkaktarëve kryesor të përmbytjeve. Erozioni natyror, si dhe ai i shkaktuar me veprimet tona të pa përgjegjshme me prerjen e drunjve në brigjet e tyre,askënd nga organet shtetërore nuk i brengos.
Një çështje është shumë e qartë,nuk është fjala vetëm për reshje të mëdha shiu,edhe përpara ka pasur të reshura shiu dhe bore, por edhe për pasojat e abuzimit dhe ndërtimit pa kritere mbi shtretërit e lumenjve,tokë që është në pronësi të lumenjve e jo të atyre ndërtimeve që gjithsesi duhet larguar pasi ato paraqesin raste klasike të ndërtimeve pa leje gjegjësisht të uzurpimit të tokës shtetërore. Me fjalë tjera ne duhet të ballafaqohemi me të gjitha veprimet tona të pa ligjshme,pa rregulla teknike dhe urbane me këso ndërtime, pasi që një pjesë e dëmeve të sotme janë pasojat që i paguajmë dhe do vazhdojmë t’i paguajmë ende për disa kohë .
Ajo çka është shqetësuese janë ndërtimet e reja me leje ndërtimi. Se si neve ndërtojmë dhe i kontrollojmë (mbikëqyrim) ato në fazën e eksploatimit,kemi edhe raste konkrete ku janë investuar,shpenzuar mjete të mëdha materiale me vlera milionëshe,si janë rastet e autostradave nga Prishtina në drejtim të Shkupit dhe Pejës,të cilat në disa pika bllokohen për komunikacion gjatë përmbytjeve rregullisht.
Të vetmen punë që dimë të bëjmë ne janë vizitat e udhëheqësëve politik në zonat e vërshuara,formimet e “Komisioneve për vlerësim”,për të kërkuar mjete nga niveli Qendror. I tërë ky ritual mbet zakonisht vetëm me kërkesa në letër,e të dëmtuarit detyrohen që me mjetet e veta apo të huazuara të bëjnë sanimin e gjendjes në pronat e tyre.
Shtrohet pyetja e logjikshme deri kur kështu,edhe sa do vazhdoj indiferenca e institucioneve përgjegjëse, natyra rregullisht po na ndëshkon. Dëmet e shkaktuara nga vërshimet janë shumë ma të mëdha se sa masat e nevojshme për parandalimin e vërshimeve. Prapë më duhet të përsërisë për të satën herë një veti të “trashëguar”që moti,se të gjithë ne dimë të ankohemi kur ngjajnë vërshimet,rrëshqitjet e dheut,sa herë që bien shi,borë apo fryn ndonjë erë ma e fortë. Këso rastesh kemi pa numër pasi nuk është duke u punuar ashtu si e kërkojnë rregullat teknike dhe ato të Planifikimit Hapësinor dhe Urban-Rural.
Dashtë zoti mos të kemi ndonjë katastrofë ma të madhe se atëherë do të “vetëdijesohemi” se si jemi duke punuar dhe vepruar.

Prishtinë arch. Ylber Vokshi -Ylli
11.01.2016 arkitekt i pavarur
ylberv@gmail.com

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK),

Filed Under: Analiza Tagged With: semundja jone, vershimet, Ylber Vokshi-Ylli

Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë

January 10, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Si lajm i parë që është, përmbytja…. kalon shpejt e shpejt.
Në Zejmen të Lezhës uji u tërhoq. Kështu edhe në Çermë. Jeta në Seman iu kthye normalitetit. Andej nga Novosela Vjosa u urtësua në shtrat. Kalimet në Librazhd janë rregulluar përkohësisht. Dëmet nuk janë llogaritur akoma.
Pastaj vrulli i lajmeve i përmbahet sherrit mes Berishës me gazetarët. Ramës në takimin e radhës me Metën. Donald Lu, Vllahutin. Sërish çfarë thotë Bushati kundër Berishës, nipi i nomeklaturës. Dhe kush është me Berishën. Dhe kush me Fevziun, kush me Bollinon etj.
Erë e gjallë, suferinë. A do arrihet marrëveshja për reformën në drejtësi? A ka të drejtë ai prokorurori që qahet. Kur thotë mjaft më, se na bastarduat fare.! Të jesh prokuror në Shqipëri është më keq se në Italinë e Camorrës.?! Sërisht postimi dhe përgjigja e radhës, nga Fevziu. Që nuk i përgjigjet akuzave të Berishës. E quan Opinionin mburojë të krimit.
Po Fevziu nuk i përgjigjet dorësh. Le të flasi. Pastaj Rama më në fund u fut tek Meta. Kishte veshur pallto të gjatë. Bën në ftohtë në Tiranë… Kurse në Zejmen, Çermë, Seman, Bulqizë, Librazhd etj. Atje ku uji është tërhequr, nuk bën ftohtë aspak. Ata, po pin duhan duke soditur çfarë u ka mbetur zgafellë në sy. Ftohtë bën vetëm në Tiranë. Dhe takimi po zgjat shumë. Shumë fare.
Megjithatë si zejmenasi, si çermanaku po teren në erë. Përtypin në mëndje shijen me llogari të përgjysmuara. Me miell të hidhët prej mykut. Nga qielli nuk ka më shi. Megjithatë askush nuk është i sigurt që, e njëjta gjë të mos përsëritet që nesër. Të paktën sot fryn erë. Kaloi dhe kjo. Pastaj asgjë tjetër, duhan të fort. Presin ndonjë haber nga ai bashkëvuajtësi, novoselaraku. Nga përmbytjet e vjetshme…, morën apo nuk morën gjë.
Pikohen për bagëtitë e mungura. Shkojnë e ndezin ndonjë qiri. Hedhin lule. Lumenjtë vrapojnë po njësoj. Plot llum, plot inat. Njerëzit përpiqen të kuptojnë se ku i kanë zemëruar. Kështu ata anës Semanit, Gjanicës, Vjosës, Matit, Shkumbinit etj. Të paktën fryn erë. Ftohtë bën në Tiranë.
1)Në Shqipërinë e përmbytjeve. Shqipërinë e pa dritave, Shqipërinë e pa rrugëve. Vendit me aktivitet më informal. Me ekonomi me sytë nga qielli. Qëllon shpesh të grinden pleqtë. Madje krijojnë aq shumë tifozëri sa në djall qypat me turshi, bagëtitë, kusitë, orenditë. Deri dhe shtëpitë e zejmenasve, çermanakëve apo atyre nga Novosela. Mjafton t’u shkojë e veta. T’u shkojë e tyrja. Dhe ne të bindemi përjetësisht se ata kanë të drejtë. Grinden edhe pse janë në moshën e shenjtërisë. Grinden deri për dashnoret e rinisë. Që kushedi…, në atë sinor të jetës së shkuar. U kanë dhënë pak oksigjen të pastër shijeve apo instikteve të indoktrinuara të mendjeve të tyre. Grinden e zihen edhe pse ato të shenjtat, ”fltura të zëna me duar” siç thotë Lasgushi. Që tani duhen lexuar flutura të zëna e të mbajtura nëpër gojë. Pra ato flutura sinoresh jete, mund të jenë edhe me Zotin. Mund të jenë diku duke u fikur. Prapë pleqtë kanë vrullin e provincialëve rioshë të t’i tregojnë si dashnoret e tarracave. Dhe ne që jemi të dënuar të bëjmë tifozllëk. Të tregojnë edhe bindjet dhe strategjitë e shmangieve. Mbijetësen, groposjet dhe shpëtimet, apo mbi shpëtimet prej njëri-tjetrit. Apo nga njëri-tjetri. Kur po ky i shenjti Lasgush përdorë përemrin ”ne” kur vritej apo surgjynosej një poet, intelektual, kuadër. Pra jo vetëm bashkëvuajtës, por edhe bashkëfajtor. Megjithatë, ne na duhet Lasgushi për të treguar kulturë. Jo për t’u ndjerë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë si Lasgushi.
2)Tani të themi dy fjalë për grindjen e radhës. Atë mes Berishës dhe gazetarëve. Umberto Eko tha para pak ditëve se, interneti u ka dhënë të drejtën e fjalës budallenjëve. Unë jam trishtuar shumë. Megjithëse e di, që mendësi diktatorësh mund të gjesh pafund mes shkrimtarëve. E drejta e fjalës është e drejtë njerëzore menjëherë pas lirisë së individit. Ambicjes së tij për një botë pa shtypës dhe të shtypur. Përkufizimi dhe mbajtja peng e e fjalës, vetëm në disa kuadrate gazetash që mbërrinin në destinacion, njëzet e katër orë me vonesë, është kohë e tejkaluar. Detyra e njerëzimit është sot se si të sistemojë nervat, vetveten, lirinë e tij dhe të fjalës. Por mendësi diktatorësh puplojnë sikur asgjë të mos kenë qënë skllavëria. Dhe diktaturat. Nga njerëz qofshin këta edhe me përmasa të Umberto Ekos. Megjithatë, po pak kohë më parë, një njëri që luan topin, që argëton njerëzit, me emrin Ronaldo. Në Brazilin e Amazonës, akuzave brutale prej politikani të një shkrimtari të madh si Paulo Coelho. Iu përgjigj thjesht…, po bën atë që po më largon prej vetes. Po më heq nga lista e njerëzve që e adhurojnë.
Më këto tërësi detajesh dua të them se, si ngritja dhe lartimi i figurës, filloka nga vetja. Por fatkeqësisht aty filloka edhe rrënimi i saj.
Unë nuk kam çfarë t’i shtojë më shumë atyre grindjeve. Janë tashmë pazar i tejkaluar. Përballë terjes në erë të zejmenasve. Apo çermanakëve. Koha e luftës kundër bllokmenëve dhe baballarëve është e tejkaluar. Deri sa bëmë aleanca dhe qeverisëm me ta. E mbaj mend si sot mbrëmjen e 12 janarit 2012. Kur të gjithë prisnin vendimin Gjykatës në lidhje me punën e Metës, pas denoncimit të Fiksit. Ne shkuam e pimë verë në shtëpinë e tij. E mbrojtëm me polici, fenelina verbonjëse të shtetit në aleancë me bllokmenët. Nga ajo nomeklaturë bllomenësh vjen edhe Meta, edhe ai i ndjeri Milloshi. Ai që në aleancë të heshtur na dha vota. Nuk është fatkeqësi të lindësh bllokmen dhe nipi i një gjyshi. Fatkeqësi është kur i shërben dhe bën aleanca me ta. Kështu edhe ne, duhet të quhemi të tejkaluar pasi në vend që të dënonim terrorin, krimet, luftën e klasave. U thamë demokratëve se sa e shijshme ishte vera në shtëpinë e bllokmenëve. Kjo është pjesë atyre minuseve. Që në karrierën tonë, prej bashkëvuajtës. Nuk ndjem fajin, nuk ndjem pjesëmarrjen në faj. Nuk u ndjemë asnjëherë edhe bashkëfajtorë. Kjo është ajo pjesë e atyre minueseve që ndërsa tronditëm kalldrëmet, me shprehje të tilla si bizhyteritë e grave do të shesim. Dhe do e bëjmë rrugën e kombit. Nuk ndjemë aspak se entuziazmi po na largonte nga praktika reale e ndërtimit të shtetit. Dhe duam apo nuk duam ne, enutziazmi është frymë e propogandës. E revolucioneve dhe e planeve pesë vjeçarë.
Një strategji që pikë për pikë po e ndjek edhe Rama. Pushtimi i dhunshëm i studiove që deri dje ishin tonat. Dhe është kjo arsyeja që ne ndjehemi jetim. Ky është fakti që bjerrja ka filluar. Dhe ne vetëm grindemi.
3)Në fund të fundit, e drejta e fjalës, argumentat, denoncimet janë pjesë e një rutine dite politike. Mirëpo kufizimi i çështjes përballë një fatkeqësie të madhe si përmbytjet. Me bllokun, bandat e krimit. Duke sikur na largon nga e vërteta e popullit tonë. Sot PD- duhet të denoncojë jo nga selia. Por nga fushat plot batak dhe orendi të grabitura. Nga dhuna e natyrës për shkak të mos funskionimit të shtetit. Të atij shteti që ka mbetur akoma me kudraturë dhe infrastrukturë komunistë. Edhe pse bërtasim, se vimë në pushtet duke sharë komunizmin. Ndaj veç bashkëvujtës, ne jemi dhe bashkëfajtorë. Për aq kohë sa shohim. Dhe kemi njerëz që pinë duhan të fortë. Duke soditur çfarë Zoti u la për mëshirë, duke u terur në erë. Atje në Zejmen. Atje në Çermën buzë Shkumbinit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bashkëvuajtës, dhe bashkëfajtorë, Ilir Levonja

“Nacionalizmi” i Enver Hoxhes dhe “dashuria” e tij per Kosoven

January 10, 2016 by dgreca

Kunderpergjigje ndaj nje shkrimi te profesor Pellumb Xhufit./
Nga Sadik ELSHANI-Filadelfia/
Eshte per t’u habitur sesi ende disa historiane bolshevike mundohen ta mbrojne, ta rehabilitojne figuren e diktatorit Enver Hoxha. Ata mundohen ta bejne kete ne menyra te kamufluara, djallezore, duke u munduar t’i vene ne pah ndonje veti “pozitive” dhe duke u munduar t’i arsyetojne krimet e regjimit te tij cnjerezor. Ideologjia bolshevike eshte bunkerizuar thelle ne mendesine, ne mendjen e tyre. Komunizmi shqiptar ishte me i egri ne tere Perandorine e Lindjes, por ja qe nje pjese e mire e shqiptareve ende e adhuron ate, madje me shume se ne cilindo shtet tjeter te ish-botes komuniste. Per fat te keq, kjo vlen edhe per nje pjese te mire te intelektualeve, akademikeve, artisteve, historianeve qe gjerat i shohin vetem ne anen, formen me siperfaqesore. Keta historiane, ne vend se te turprohen per ato cka kane shkruar me heret, perkundrazi, ata jane me te zhurmshmit ne ekranet televizive, mediat e shkruara dhe ato elektronike. Ata qe per gjysem shekulli e shtremberuan, e falsifikuan historine tone, jane duke e bere te njejten gje edhe sot, pa i brejtur fare ndergjegja (nese e kane). Thua se Shqiperia nuk ka historiane te tjere.
Nje shkrim te tille me titull: “A ishte Enver Hoxha nje nacinalkomunist?”, keto dite e ricikloi historiani Pellumb Xhufi ne disa gazeta elektronike. Si zakonisht ne keto shkrime nuk paraqet, nuk mbeshtetet ne fakte, por vetem ben interpretime sipas deshires se tij. Dhe ai nacinalizmin e Enver Hoxhes mundohet ta lidhe me qendrimet e tij ndaj Kosoves, por fjalet nuk perputhen me veprat. Pastaj ai mundohet ta paraqese Enver Hoxhen si nacionalist te vertete. Ndersa per nacionalistet e vertete, si Abaz Kupi e te tjere, te cilet i rrembyen armet qe ne oret e para te pushtimit italian, ai flet me mosperfillje, me ate cinicizmin, sakazmen tipike komuniste. Kjo eshte nje teme e gjere ne vetevete dhe nuk po ndalemi ketu, por te vazhdojme me qendrimet, veprimet e Enver Hoxhes dhe PKSH-se per ceshtjen e Kosoves. “Ne marredheniet me jugosllavet e Titos, vuri qysh ne kohen e luftes ceshtjen e Kosoves dhe te bashkimit te saj me Shqiperine. Me 1943 Titua e pranoi se Kosova ishte shqiptare dhe pas luftes duhet t’i bashkohej Shqiperise” – keshtu shkruan profesor Xhufi ne shkrimin e tij. Por, e verteta eshte pak me ndryshe. Enver Hoxha dhe PKSh ishin nen kontrollin e plote te Partise Komuniste te Jugosllavise (PKJ) permes dy emisareve te saj, Milladin Popoviq e Dushan Mugosha. Pra, si mund ta ngrente ceshtjen e Kosoves partia qe udhehiqej nga armiqte tane shekullor, te cilet jane shkaktaret kryesor te tragjedise se Kosoves. Koj ka qene dashte te jete e qarte per ta (komunistet shqiptare), se po te mos ishin serbet, ceshtja e Kosoves nuk do te ekzistonte, do te ishte zgjidhur qe me shpalljen e pavaresise se Shqiperise. Ishin pikerisht nacionalistet ata qe gjate luftes e ngrene dhe ngulnin kembe per ceshtjen e Kosoves. Ndersa komunistet ngulnin kembe qe kjo ceshtje te lihet anash dhe per te te diskutohet vetem pas clirimit. Komunistet shqiptare te kontrolluar plotesisht nga dy agjentet jugosllave e prishen edhe marreveshjen e Mukjes, per te luftuar se bashku si shqiptare per lirine e Shqiperise. Jugosllaveve nuk u konvenonte nje faktor i forte e i bashkuar shqiptar. Te detyruar nga jugosllavet, ata ia kthyen pushken vellezerve te gjakut dhe dolen hapur ne anen e jugosllaveve.
Ne fazat e fundit te luftes, dy brigada shqiptare shkuan ne Kosove per t’i ndihmuar “vellezerit” jugosllav. Ato brigada nuk shkuan ne Kosove per te cliruar Kosoven e per te qendruar aty per te mbrojtur popullsine shqiptare, por ne nje fare menyre, per t’i ndihmuar jugosllavet per ta kontrolluar, pushtuar Kosoven. Kjo ishte nje loje djallezore e jugosllaveve, sepse shume te rinj shqiptare te Kosoves iu bashkuan ketyre brigadave si brigada shqiptare. Dy brigadat shqiptare luftuan krah per krah me forcat jugosllave per te luftuar forcat shqiptare te udhehequra nga Shaban Polluzha, te cilat luftonin per ta mbrojtur Kosoven, pragun e shtepise. Eshte ironi se, ne maj te vitit te kaluar ne nje shkrim te tij, gjeneral Rrahman Parllaku qe vete kishte marre pjese ne keto luftime perafersisht shkruan: “Forcat shqiptare te armatosura deri ne dhembe, luftonin per jete a vdekje nen udheheqjen e komandantit Shaban Polluzha. Por, gjeneral Parllaku nuk thote se ishte pikerisht ai dhe partizanet e tij qe po luftonin kunder Shaban Polluzhes dhe trimave te tij. Me vone keto brigada shkuan te luftonin ne Sanxhak e Bosnje, ndersa ne Kosove erdhen brigadat serbo-malazeze qe masakruan shqiptaret e pambrojtur. Keto brigada me vone u kthyen ne Shqiperi dhe Kosova nuk u bashkua me Shqiperine, sic i kishin “premtuar” Enver Hoxhes “vellezerit” jugosllave. Shqiptaret e Kosoves qe kishin nje histori te hidhur me serbet, ia kishin terhequr vemendjen udheheqjes shqiptare qe te kishin kujdes me jugosllavet, sepse “Shkau bese nuk ka”. Po kush degjonte, ata ishin te dehur nga ideologjia bolshewvike dhe jo nga ndjenjat kombetare. Pastaj vjen Masakra e Tivarit ku u masakruan mijera te rinj shqiptare te Kosoves, masaker per te cilen kishin dijeni edhe udheheqesit e Shqiperise. Ndersa ne Shqiperi gjer ne vitin 1990 nuk eshte folur fare per kete tragjedi kombetare, ne Kosove eshte folur mjaft.
Pas luftes, Fadil Hoxha shkon ne nje mision te fshehte (inkognito) per t’u takuar me Enver Hoxhen dhe i ankohet se, serbet jane duke u sjellur ndaj shqiptareve edhe me keq se ne kohen e Kralit. Kete vizite e permend Enver Hoxha ne librin e tij “Titistet”, por nuk tregon se si reagoi, si veproi ai vete. E c’beri Enver Hoxha dhe udheheqja shqiptare? Ata, para se te kthehej Fadil Hoxha ne Kosove, e kishin lajmeruar UDB-ne per kete vizite te fshehte dhe permbajtjen e bisedes. UDB-ja ia kishte treguar Fadil Hoxhes stenogramin qe u kishte ardhur nga Shqiperia. Ne vitet 1945 – 1948 Shqiperia ishte nen kontrollin e plote te Jugosllavise. Enver Hoxha nuk beri asgje per bashkimin e Kosoves me Shqiperine, madje ai ne Plenumin e Partise ne dhjetor te vitit 1946 e kishte bere kete pyetje: “A eshte ne interesin tone qe ne ta kerkojme Kosoven? Kjo nuk eshte nje gje progresive per te bere. Jo, ne kete situate, perkundrazi, ne duhet te bejme cdo gje te mundur qe te sigurojme qe kosovaret te behen vellezer me jugosllavet” (Noel Malcolm, “Kosovo, a short history”, Harper Perennial, 1999, faqe 319). Keshtu flet nje nacionalist, nje njeri qe e do Kosoven?!
Enver Hoxha si udheheqesi me i larte i shtetit shqiptare, disa here e ka vizituar Jugosllavine, por kemba e tij kurre nuk shkeli ne Kosove, madje nuk ishte takuar me asnje delegacion te shqiptareve te Kosoves dhe trojeve tjera shqiptare ne ish-Jugosllavi. Ai vetem kishte kerkuar te takohej me nenen e Milladin Popoviqit. Ai e lidhi ekonomine e Shqiperise me ate te Jugosllavise, njesoi lekun me dinarin jugosllav, e futi Shqiperine nen kontrollin total te Jugosllavise, gjuha serbokroate filloi te mesohej ne shkollat shqiptare. Te gjithe ata atdhetare qe paten guximin qe ta kundershtonin i futi ne burg, ose i pushkatoi. Te permendim ketu vetevrasjen e Naku Spiros, burgimin e Mitrush Kutelit, e shume e shume raste te tjera. Gjate luftes, jugosllavet ia kishin arritur qe t’i percanin komunistet me nacionalistet shqiptare, ndersa pas luftes ata arriten qe t’i percanin edhe vete komunistet. Lere qe Kosova nuk u bashkua me Shqiperine, por me veprimet e tij antikombetare, ai gati e beri Shqiperine republike te shtate te Jugosllavise. Vetem rastesia, prishja e marredhenieve mes Titos e Stalinit, e shpetuan Shqiperine nga kjo katastrofe kombetare. Gjate regjimit te tij gjysmeshekullor, fjala Kosove nuk permendej aq shpesh. Neper shkollat e Shqiperise nuk u mesua asgje per Kosoven, madje as qe permendej fare. Ne shkollat e Shqiperise nxenesit mesonin cdo gje per Bashkimin Sovjetik, Kinen, Vietnamin, Tanzanine e shume vende te tjera te botes, por asgje per Kosoven. Me tregonte para ca kohesh nje ish pjesetar i Ansamblit Shteteror te Kengeve dhe Valleve Popullore: Kur shkonim per te dhene shfaqje ne Zvicer e Gjermani, shoqeruesit (sigurimsat) na thonin: Kini kujdes, ketu ka mjaft kosovare, mos bisedoni, mos u shoqeroni me ta. Ka nevoje per koment?! Per demonstratat e studenteve te Universitetit te Prishtines te vitit 1981, Shqiperia zyrtare reagoi 28 dite pas shperthimit te tyre. Si deshmi te nacionalzmit te Enver Hoxhes dhe dashurise se tij per Kosoven, profesor Xhufi permend disa fjalime te diktatorit, qe ai i bente kryesisht per konsumin e brendshem. Neve atehere ne Kosove na jepnin shprese, por fjalet i merre era, veprat flasin, veprimet kryejne pune. Dhe nga gjithe ato fjale te medha e bombastike nuk lindi asgje.
Historianet bolshevike per gjysem shekulli e shtremberuan, e falsifikuan historine tone kombetare dhe jane duke u munduar qe ta bejne te njejten gje edhe sot. Prandaj eshte e domosdoshme qe historia jone, sidomos ajo e viteve 1920 – 1990, te rishkruhet, duke u bazuar ne fakte, dokumente dhe duke i analizuar ato dhe rrethanat historike te asaj periudhe me metodat me te rrepta shkencore, sepse historia e shtremberuar nuk mund te jete mesuese e mire e jetes. Sikur profesor Xhufi t’i kishte pasur parasysh faktet qe permenda me lart dhe shume fakte te tjera, ndoshta nuk do te kishte shkruar nje artikull te tille. Shkencetarit, historianit te vertete duhet t’i interesojne vetem faktet, e verteta, objektiviteti, paanshmeria.
Philadelphia, janar 2016
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: Nacionalizmi i Enver Hoxhes, pellumb xhufi, Sadik Elshani

Kosovë-Shqipëri, nga viti në vit rritje fluksi në portat kufitare

January 10, 2016 by dgreca

-2015-ta në tre vendkalimet kufitare me rritje fluksi 26.75% për njerëzit e 14.1% për automjetet krahasuar me 2014-tën. Ishin gjithësej 5412238 hyrje-dalje të personave dhe 1849987 të automjeteve/
-Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari/
PRISHTINË, 10 Janar 2016/ Viti 2015 në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri ka shënuar rritje të fluksit të njerëzve në hyrje-dalje gjithësej 26.75% – në hyrje 30.2% e në dalje 23.3%, si dhe të automjeteve 14.1% gjithësej në hyrje-dalje – 22.1% në hyrje e 6.2% në dalje, krahasuar me 2014-tën. Ishin gjithësej 5412238 hyrje-dalje të personave dhe 1849987 hyrje-dalje të automjeteve, bën të ditur Policia e Kosovës për korrespondentin në Prishtinë të Gazetës Dielli.
Në tre portat kufitare, Vërmicë-Morinë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë, në 2015-tën kishte 2955026 hyrje dhe 2457212 dalje të personave, si dhe 961827 hyrje e 888160 dalje të automjeteve.
Në 2015-tën, për personat, në Vërmicë-Morinë kishte 4680444 hyrje-dalje – 2540986 hyrje e 2139458 dalje; në Qafë Prush 262017 hyrje-dalje – 158759 hyrje e 103258 dalje; në Qafë Morinë 469777 hyrje-dalje – 255281 hyrje e 214496 dalje.
Për automjetet, në Vërmicë-Morinë kishte 1532933 hyrje-dalje -791049 hyrje e 741884 dalje; në Qafë Prush 119887 hyrje-dalje – 65166 hyrje e 54721 dalje; në Qafë Morinë 197167 hyrje-dalje – 105612 hyrje e 91555 dalje.
Mes Shqipërisë e Kosovës, më shumë se 2.7 milionë (2732089) hyrje dalje të personave kishte vetëm gjatë tre muajve të verës 2015 – në qershor, korrik e gusht.
Në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri, viti 2014 kishte shënuar rritje të fluksit të njerëzve për 19,312 % dhe të automjeteve për 21,883 %, krahasuar me 2013-ën.
Statistikat janë njoftuar nga Major Baki Kelani, Shef i Zyrës për Infomim dhe Marrëdhënie me Publikun – Drejtoria e Përgjithëshme e Policisë së Kosovës, në Prishtinë.
Ndërsa, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar të Kosovës, në kufirin Kosovë-Shqipëri, vendkalimin kryesor nëpër autostradën e kombit, në Vërmicë-Morinë, në këto momente sot në fluks fundjave në hyrje kalohet për 03-05 minuta e në dalje për 5-10 minuta. Në dy vendkalimet tjera, Qafë të Prushit dhe Qafë të Morinës, nuk ka pritje, kalohet për më së shumti tre minuta.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Shqipëri, në portat kufitare, nga viti në vit, rritje fluksi

Degradim kombëtar!

January 10, 2016 by dgreca

Shteti nuk jep punë, mediat u japin porno dhe pastaj populli çmendet/
Nga Elida Buçpapaj/
Në portalet shqiptare deontologjia etike zëvendësuar nga tutorizmi i pornogazetarisë Etika deontologjike në gazetari ose deontologjia është pozicioni normativ etik që gjykon mbi moralin e një veprimi të bazuar në respektimin e një rregulli apo rregullave. Ky është definicioni. Thënë ndryshe etika deontologjike është Kodi i Etikës, që lidhet me kontekstin profesional dhe nuk e lejon gazetarin apo median e caktuar të kalojë limitet. Deri fjalori është i përcaktuar, ku nuk tolerohen zhargone, fjalë e gjeste jashtë këtij kodi. Si Galateo, që merret me normat konvencionale për të edukuar sjelljen e mirë apo etiketën.
Kodi i etikës në gazetari respekton moralin e shoqërisë, doket, zakonet, traditat, mënyrat e sjelljes të paravendosura nëpër etapat e zhvillimit, ku janë pranuar e sanksionuar mirësjellja, arsyeja, ku e mira ndahet nga e keqja, e bukura nga e shëmtuara. Moralin e shoqërisë e mbron vetë shoqëria, duke nisur prej qelizës së saj, familjes, por e mbron edhe shteti ligjor, i cili ushtron sanksione ndaj çdo shkelësi.
Në trevat shqiptare nuk ka shtet ligjor, prandaj mbizotëron anarkia dhe kaosi.
Prandaj në portalet shqiptare jo vetëm që nuk njihet kodi i etikës, por ky kod është zëvendësuar me kodin e pandershmërisë, paturpësisë, çnderimit, imoralitetit, korrupsionit, ku pornografia dhe prostitucioni është në rend të ditës dhe i ofrohet konsumatorit si shembull për t’u ndjekur.
Këto portale apo gazeta që krenohen për klikime, çdo makineri google i zbulon lehtë se burimet e tyre vijnë direkt prej industrisë pornografike që ato shesin, duke helmuar trurin e shqiptarëve.
Një përmbajtje e tillë e degraduar e degradon jo vetëm gazetarinë, por veçanërisht lexuesin, e sidomos rininë që është tërësisht e dizorientuar dhe e pa mbrojtur nga konsumi i mallit trash dhe mallit të helmuar.

Më thuaj se çfarë shteti ke, të të them se çfarë qytetari je. Shteti demokratik është jo vetëm në shërbim të qytetarit por edhe obligues ndaj tij. Kur shteti nuk ka standarte demokratike, viktima është qytetari. Kur shteti nuk është demokratik, edhe shtypi nuk është i lirë. Viktima është prapë qytetari. Kësaj here si lexues. Nëse shtypi ia ushqen mendjen me plehurina, lexuesi kthehet në plehurinë. Nëse ne sot tmerrohemi nga përmasat e krimit, atëherë duhet ta dimë se meritë për këtë kanë edhe mediat shqiptare.
Degradimi i portaleve e gazetave shqiptare nuk i bën përshtypje as elitës që mban përgjegjësi për këtë shëmtim kombëtar. Shteti i kapur dhe elita shqiptare janë binjakë, ato ushqejnë dhe mbështesin njëri-tjetrin përmes një sistemi klientelist tipik pragmatisto-amoral.
Nëse doni t’i njihni se cilët janë, keni për t’i gjetur bashkë, në çdo mbrëmje gala, të veshur shik, duke pozuar para kamerave si klasa VIP.
Tani po flitet për reformë në drejtësi, po flitet se 800 gjyqtarë e prokurorë duhet të largohen nga sistemi i drejtësisë, por kapja është në çdo qelizë të institucioneve të shtetit shqiptar. Pushteti i katërt është po aq pis sa drejtësia.
Për ta parë pisllëkun mjafton të hapni portalet e mbushura me pornodegradim. Është kriminale.
Nëse shqiptarët jetojnë në mjerim e varfëri, nuk ekziston asnjë reportazh nga jeta në terren, qytetari shqiptar nuk është askund. Vendin e tyre e kanë uzurpuar gazetarët të kthyer në personazhë publikë si politikanët, kronika rozë, showbizi dhe porno.
Lexuesi nuk ka alternativë. Do të lexojë ose çfarë shahen e si shahen politikanët ose çfarë shahen e si shahen ata që bëjnë kupolën e mediave, ose të klikojnë atë që mbetet. Dhe rezulton se këtë pjesë e klikojnë edhe më tepër. Në këtë mjerim moral i orientojnë mediat shqiptare.
Shteti nuk u jep punë, mediat shqiptare u japin porno dhe pastaj populli çmendet.
Imoraliteti dhe kriminaliteti i frikshëm që e hasin në çdo sekondë të jetës së tyre shqiptarët është produkt i ushqimit shpirtëror që atyre u ofrojnë të konsumojnë. Kapitalizmi në trevat shqiptare ekziston në fazën parake, si Ligj Xhungle, ku tregtia e lirë është zëvendësuar me tregëtinë e trafikut të pluhurit të bardhë dhe mishit të bardhë, ndërsa shtypi i lirë është zvetënuar, çoroditur nga porno-portalet.
Kupola e gazetarisë shqiptare pozon në mënyrë banale e idioteske pranë aksh politikani faqezi që ata e intervistojnë e fotot e videot e tyre qëndrojnë krah për krah dhe krenarisht pranë fotove dhe videove të mallit porno që ata ekspozojnë.
Degradim kombëtar!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, mediat u japin porno, Shteti nuk jep pune

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 704
  • 705
  • 706
  • 707
  • 708
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT