• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Si po trajtohen ndërtimet në Kosovë

May 30, 2016 by dgreca

Shkruan: arch. Ylber Vokshi -Ylli/

Nuk është aspak fshehtësi se procesi i ndërtimeve në Kosovë,në vitet e pas luftës, kishte shërbye si mjet për pastrimin e parave,kjo ka ndodhur edhe në vendet e tjera ku ka pasur kriza të ndryshme,ku sistemi bankar i ka lejuar këto veprime. Kjo duhej të ishte kompetencë dhe obligim i aparatit shtetëror për të parandaluar këto veprime,që në rastin tonë nuk ka ndodhur,edhe se rregullativa ligjore ekziston.

Po punohet kështu këto vite pa u penguar nga askush në ndërtimtari,si një nga sektorëve ma fitimprurëse në Kosovë. Nuk më përket mua të zgjidhi problemet e kësaj natyre në shtetin tonë,që skajshmërisht dëmton ekonomikisht dhe politikisht reputacionin e vendit dhe e rendit në kategorinë e vendeve ku nuk sundon ligji,shtet jo serioze për të investuar,çka realiteti i hidhët po e tregon këtë.

Nuk iu mjaftuan këto “benifite”,përfitime marramendëse që i patën në token e premtuar,në vendin e mundësive,në parajsën e jo ligjshmërisë,së paku është dashur të respektojnë rregullat elementare të ndërtimit,të rëndësishme  ishin vetëm fitmet e mëdha materiale e asgjë tjetër. Sa për respektimin apo zbatimin e ligjeve apo normave dhe standardeve të ndërtimit apo të planifikimit hapësinor dhe urban,as që mundet të bëhej fjalë. Ekzistonte një koncenzus në mes tyre dhe organeve shtetërore për të punuar ashtu,edhe se kishte ligje dhe dokumente hapësinore valide në fuqi.

Sa të mjerë jemi si shoqëri që lejuam këtë kategori keqbërësish dhe profiterësh të veprojnë kështu me territorin e Kosovës,i cili në aspektin hapësinor dhe urban kishte filluar të krijonte një identitet fillestar urban,që vërehej në çdo hap. Natyrisht për krijimin e parakushteve për veprim e kishin ndihmën e pa rezervë të faktorëve vendimmarrës në Kosovë,të cilët as që u brengosën për pasojat katastrofale që po i përjetojnë sot, dhe në të ardhmen gjeneratat që duhet të jetojnë dhe verojnë në këto hapësira. Si rezultat i tërë këtyre ndërtimeve,të pa kontrolluara nga shteti,do të ballafaqohemi me probleme të pa imagjinueshme me kosto të madhe, që nuk do ti kishim nëse do të ndërtohej ashtu si e kërkojnë ligjet,normat dhe standardet e ndërtimit.

Faktori kryesor duhej të ishte SIGURIA e ndërtimeve të bëra në këto vite, pa përcjelljen e tyre nga një organ i pavarur profesional (mbikëqyrja teknike),e cila do të kontrollonte dhe verifikonte anën teknike në tërësi të gjitha ndërtimeve. Tërë pjesëmarrësit në ndërtim në mënyrë të pa shpjegueshme i kanë anashkaluar këto procedura të domosdoshme për ndërtime.

Si shembull tipik i kësaj mënyre të punës më duhet të përmendi rastin që ka ndodhur në Prishtinë, me ndërtimet me leje në lagjen “Arberia 3”. Rezultatet e elaboratit gjeologjik,pas një hulumtimi detal të punuara nga një Institut gjeologjik Kroat,rekomandon kushtet e duhura për ndërtime në atë teren jo-stabil. Punë e cila është dashur të bëhet para fazës së përpilimit të planit rregullues për atë lagje, në të cilën dikur ishin të ndaluara ndërtimet e ulëta, e le ma si është lejuar me ndërtime të larta pas luftës. As vet nuk e dinë me cilat kritere të ndërtimit janë dhënë lejet e ndërtimit,pasi nuk kishte elaborat adekuat gjeologjik,dhe nuk ishte respektuar as etazhiteti i planit rregullues urban të lagjes. Mundemi të supozojmë se cilave shpenzimeve materiale iu janë nënshtruar ndërtuesit në atë zonë.

Pas plasaritjeve në objektet e ndërtuara,rrëshqitjeve të dheut dhe shembjes së rrugës në brendi të kompleksit,përgjegjësit komunal u detyruan të ndërmarrin hapa konkrete për të sanuar situatën e krijuar,që do të ketë kosto të madhe materiale.  Ndjenja e pa sigurisë do të jetë prezentë edhe disa vite tek banorët e kësaj lagjeje. Pyetja thelbësore duhet të jetë se kush duhet të jap përgjegjësi apo llogaridhënie për veprimet e bëra dhe shqetësimin me të drejtë të banorëve. Raste të ngjashme kemi në Prishtinë dhe vendbanimet tjera në Kosovë si rezultat i abuzimeve të shumta, posaçërisht me territorin urban të qyteteve tona.

Ajo çka ma së shumti brengos është sjellja e komunitetit profesional të shumtë,  pjesëmarrës në procesin e ndërtimit,në këto 17 vitet e fundit. Ata së pari është dashur të dinë aspektin e sigurisë dhe pasojat që i implikon kjo mënyrë e punës,në të cilën ishin pjesëmarrës aktiv edhe vet dhe duhej të reagonin unanimisht. E di se arkitektët e Kosovë kanë ditur të bëjnë “demonstrata” për të bllokuar procesin e licencimit të arktikëve dhe të tjerëve që janë pjesëmarrës në procesin e ndërtimit,e jo të ngritin zërin e arsyes me atë që po ndodhte në Kosovë në këto vite. Ishte ky veprim dëshpërues i të gjithë atyre që nuk ishin të interesuar që profesionistët,të iu nënshtrohen kontrollit shtetëror të punës profesionale në ndërtime, si në tërë botën e civilizuar që kam menduar se i takojmë,

I lejuam këto vite ndërtimet pa leje e me leje abuzive,nuk u respektuar as rregullat elementare të ndërtimit,nuk u respektuan ligjet e shumta që mbulojnë këtë veprimtari. Menduan se u pasuruan disa grupe të interesit me premisa abuzive, që në këtë fushë e gjetën parajsën e premtuar,të gjitha këto përfitime po i humbin dhe do të bankrotojnë financiarisht,të vetmit përfitues përkohësisht do të jenë ata që i lejuan ato ndërtime në princip abuzive. Nuk u brengosën në pasojat e mëdha të imponimit të lëvizjes së popullsisë,në ato financiare,psikologjike,sociologjike,e çka është ma tragjike me pasojat afatgjate të humbjes së identitetit urban të qyteteve tona, që në kohën e globalizmit është rrezik permanent,me të cilin po ballafaqohen edhe shoqëritë ma të avancuara se ne.

Është tërësisht jo serioze se si pas 17 vite po tentohet që me një ligj të ri të trajtohen ndërtimet pa leje,me metoda joshëse, që aspak nuk munden me qenë të bazuara në logjikën e shëndoshë të një shoqërie. Ma në fund Ministria (MMPH) dhe Komunat detyrimisht e kanë kuptuar se identifikimi i ndërtimeve pa leje është obligim parësorë i tyre,e jo dëshirë apo vullnet i paraqitjes së ndërtimit nga ata që kanë ndërtuar në këtë mënyrë. Askund në botë rregullimi i territorit nuk varret nga disponimi i individit,ai duhet të jetë obligim parësor i Shtetit,e jo të luhen këso lojëra me interesin e përgjithshëm.

Nuk zgjidhet kjo problematikë me ndryshimin,plotësimin e ligjit aktual nr 04/L-188, apo me një ligj të ri pasi i kaluari dështoi. Kjo problematikë është shumë ma komplekse, duhet analizuar dhe ri-shqyrtuar shkaqet përse u injoruar ky ligj nga ata që kishin ndërtuar pa leje,përse numri i atyre që aplikuan për legalizim ishte simbolik,vetëm 2493 veta ma pak se 1%,nga numri i përgjithshëm i të paraqiturve në 28 komuna që është zyrtarisht 352 836 raste. Në thelb është mos gatishmëria e vendimmarrësve tonë me e zbatuar ligjet,blerja e kohës deri sa të “harrohet” kjo çështje dhe të jetësohet në praktikë ky realitet që vetë e kanë lejuar.

Gjeneratat e ardhshme do të jenë të detyruara të bëjnë rehabilitime urbane të domosdoshme, kostoja e të cilave do të jenë shumë ma të mëdha se përfitimet e parapara nga legalizimet e propozuara. Në një mënyrë po shpërblehen me benificione të pakuptimta atë që kanë ndërtuar pa leje,që nuk e kanë respektuar ligjin dhe shtetin. Si me u arsyetuar ndaj atyre që kanë respektuar ligjet e ndërtimit dhe kanë ndërtuar me leje. Aspak nuk munden të krahasohen faljet e borxheve të ndryshme që kanë ndodhur në Kosovë,në intervale të ndryshme kohore me procesin e legalizimit të ndërtimeve pa lejë.

A janë të vetëdijshëm këta zotëri për pasojat afatgjatë që do të shkaktojnë këto veprime në fushën e ndërtimit. Koha e tyre po kalon,nuk do të ketë ma ndërtime pa planifikim të mirëfilltë hapësinor dhe urban,këtë edhe ata po e ndjejnë,pasi gjeneratat e reja të profesionistëve nuk do të lejojnë ma këso veprime në territorin e Kosovës edhe ashtu të vogël e të varfër. Apeloi të kokat e pakta progresive në Kosovë që me forcën e argumenteve të senzibilizojnë opinionin me pasojat dhe të kundërshtojnë,të stopojnë këto veprime të dëmshme për të ardhmen e gjeneratave të reja.

arch. Ylber Vokshi -Ylli

arkitekt i pavarur

*Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK),

Prishtine, 30.05.2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Si po trajtohen ndërtimet në Kosovë, Ylber Vokshi-Ylli

Vërshimet, sëmundja jonë kronike

January 11, 2016 by dgreca

“As zoti nuk të ndihmon nëse ti se respekton vetveten”- Fjalë e vjetër popullore-/
Shkruan: arch. Ylber Vokshi -Ylli-Prishtinë/
Me vite me radhë po apeloi,tek organet shtetërore të nivelit lokal (Komunat) dhe ati qendror(MMPH),për të punuar dhe ndërmarrë masa adekuate në teren, që të mos kemi vërshime të shumta pothuaj në të gjitha anët e Kosovës dhe Shqipërisë. Si nuk u mbush mend kjo shoqëri,të cilës për çdo vjet po iu përsëritën vërshimet, nuk po ndërmerr masa adekuate preventive që sado pak të parandalohen dëmet të mëdha që po i shkaktohen? Si duket kjo është kthye në sëmundje kronike e cila po na përsëritet çdo vit,varësisht se në cilat zona ka të reshura ma të shumta,e disa zona këtë dukuri e kanë të garantuar sa herë bien shi ma gjatë se një ditë.
Është çështje tjetër nëse vërshimet janë si pasojë e disa dukurive apo fenomeneve natyrore,ato ndodhin rrallë dhe trajtohen si fatkeqësi natyrore të dimensioneve të mëdha, në ato raste faktori njeri është i pa fuqishëm dhe vepron vetëm si preventivë,ku kërkohet edhe ndihma e bashkësisë ndërkombëtare. Por vërshimet e viteve të fundit në Kosovë dhe Shqipëri janë pasojë ekskluzive e faktorit njeri që rezulton me dëme të mëdha materiale në pronat private dhe shoqërore,të cilat gati asnjë organ shtetëror nuk i kompenson. Që të jetë ironia ma e madhe asnjë shtab komunal i emergjencave nuk posedon fonde materiale për raste të tilla, dëmet materiale nëpër disa komuna janë të rëndomta për çdo vit.
Janë brengosëse raportet nga tereni këtyre ditëve kur pati të reshura të pa ndërprera dy ditore të shiut,me pasojat të mëdha në rrethet dhe vendbanimet e Malishevës,Shtimes,Lipjanit,Drenasit, Suharekë dhe disa rretheve tjera në Kosovë dhe në shumë rrethe në Shqipëri. Ishte tregues interesant prononcimi i një banori të Babushit të Muhaxhirëve të Lipjanit i cili tregoi se këto përmbytje në fshatin e tyre janë si rezultat i hedhjes së dheut të tepërt nga punimet në autostradën në ndërtim për Shkup. Zyrtari i shtabit emergjencave të Lipjanit konfirmoi se ketë vit dëmet ishin ma të vogla se vitin e kaluar,pasi është punuar diçka në pastrimi e shtratit të lumenjve.
Kjo e tregon një të vërtetë të hidhët se me Planifikim Hapësinor dhe Urban profesional të territorit të komunave apo rretheve, me rregullimin e shtretërve të lumenjve,prrockave apo kanaleve kulluese, ne mundemi me e parandaluar rrjedhën e pakontrolluar të ujërave,daljen e ujit nga shtrati që rezulton me vërshime, duke shkaktuar dëme të mëdha në tokat me të mbjella,depo,objekte pune dhe banimi,auto rrugë etj. MMPH kur detyrohet del në opinion me të dhëna se për vitin 2016 ka ndarë 1.2 milion euro,sa janë të mjaftueshme këto mjete në situatën e krijuar që 17 vite ?
Një dukuri shqetësuese është eksploatimi i pa kontrolluar i zhavorrit,ndërtimi i kapaciteteve për përpunimin e tij (seperacioneve) mu në shtratin e lumenjve ,shtrati i tyre degradohet skajshmërisht dhe ndikon direkt në mjedisin jetësor,gjegjësisht në rrjedhën normale të ujit i cili është i detyruar të del nga shtrati dhe të vërshoi. Hedhja e mbeturinave në lumenjtë tonë,që i trajtojmë si kosh plehrash, ku mundesh të hedhësh gjithçka, është dukuri normale,kjo ngjet edhe në zonat urbane të qyteteve tona e askush nuk reagon,edhe se ngushtimi i shtratit të lumenjve tona është një prej shkaktarëve kryesor të përmbytjeve. Erozioni natyror, si dhe ai i shkaktuar me veprimet tona të pa përgjegjshme me prerjen e drunjve në brigjet e tyre,askënd nga organet shtetërore nuk i brengos.
Një çështje është shumë e qartë,nuk është fjala vetëm për reshje të mëdha shiu,edhe përpara ka pasur të reshura shiu dhe bore, por edhe për pasojat e abuzimit dhe ndërtimit pa kritere mbi shtretërit e lumenjve,tokë që është në pronësi të lumenjve e jo të atyre ndërtimeve që gjithsesi duhet larguar pasi ato paraqesin raste klasike të ndërtimeve pa leje gjegjësisht të uzurpimit të tokës shtetërore. Me fjalë tjera ne duhet të ballafaqohemi me të gjitha veprimet tona të pa ligjshme,pa rregulla teknike dhe urbane me këso ndërtime, pasi që një pjesë e dëmeve të sotme janë pasojat që i paguajmë dhe do vazhdojmë t’i paguajmë ende për disa kohë .
Ajo çka është shqetësuese janë ndërtimet e reja me leje ndërtimi. Se si neve ndërtojmë dhe i kontrollojmë (mbikëqyrim) ato në fazën e eksploatimit,kemi edhe raste konkrete ku janë investuar,shpenzuar mjete të mëdha materiale me vlera milionëshe,si janë rastet e autostradave nga Prishtina në drejtim të Shkupit dhe Pejës,të cilat në disa pika bllokohen për komunikacion gjatë përmbytjeve rregullisht.
Të vetmen punë që dimë të bëjmë ne janë vizitat e udhëheqësëve politik në zonat e vërshuara,formimet e “Komisioneve për vlerësim”,për të kërkuar mjete nga niveli Qendror. I tërë ky ritual mbet zakonisht vetëm me kërkesa në letër,e të dëmtuarit detyrohen që me mjetet e veta apo të huazuara të bëjnë sanimin e gjendjes në pronat e tyre.
Shtrohet pyetja e logjikshme deri kur kështu,edhe sa do vazhdoj indiferenca e institucioneve përgjegjëse, natyra rregullisht po na ndëshkon. Dëmet e shkaktuara nga vërshimet janë shumë ma të mëdha se sa masat e nevojshme për parandalimin e vërshimeve. Prapë më duhet të përsërisë për të satën herë një veti të “trashëguar”që moti,se të gjithë ne dimë të ankohemi kur ngjajnë vërshimet,rrëshqitjet e dheut,sa herë që bien shi,borë apo fryn ndonjë erë ma e fortë. Këso rastesh kemi pa numër pasi nuk është duke u punuar ashtu si e kërkojnë rregullat teknike dhe ato të Planifikimit Hapësinor dhe Urban-Rural.
Dashtë zoti mos të kemi ndonjë katastrofë ma të madhe se atëherë do të “vetëdijesohemi” se si jemi duke punuar dhe vepruar.

Prishtinë arch. Ylber Vokshi -Ylli
11.01.2016 arkitekt i pavarur
ylberv@gmail.com

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK),

Filed Under: Analiza Tagged With: semundja jone, vershimet, Ylber Vokshi-Ylli

Të jesh profesionist (arkitekt apo urbanist ) në Kosovë

December 28, 2015 by dgreca

Shkruan:arch. Ylber Vokshi -Ylli-Prsihtine/
Është shumë vështirë të mbrosh qëndrimet profesionale në Kosovë, pasi ke të bësh me interesa të ndryshme të ndërlidhura me shumë implikime abuzive të atyre që ishin dhe janë në pushtet që 16 vite. Do të elaboroi disa fakte të ndodhura në vitet e pas luftës në fushën e Ndërtimit,gjegjësisht të Arkitekturës,Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor. E tërë kjo nuk do të ndodhte nëse do të kishte VAZHDIMËSI të logjikshme teknike të proceseve hapësinore dhe urbane,që ka ngjarë në të gjitha shoqëritë që kanë pasur thyerje të mëdha politike dhe ekonomike,ashtu si ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999.
Në fillim disi u arsyetuan veprimet e vendimmarrësve tonë pasi e tërë shoqëria jonë kishte dalë nga një konflikt i armatosur,me pasoja të mëdha materiale dhe në njerëz. Por nuk ndodhi ashtu,këtë e tregoi koha gati 17 vjeçare pas konfliktit të dirigjuar dhe të kontrolluar nga NATO me SHBA-në në krye. E sot kjo klasë politike në fushën e ndërtimit e ka pru situatën buzë greminës, me pasoja të mëdha dhe të pa riparueshme për të gjithë në dhe për gjeneratat e ardhshme.
Në të gjitha këto vite të “ferrit urban”kamë tentuar që si pjesë aktive e kësaj shoqërie,me bagazhin tim profesional të para luftës,sado pak të kontribuoi në mirëvajtjen e kësaj,fushe të rëndësishme për funksionimin normal të shtetit. Kjo ishte tërësisht e huaj për pushtetet e kohës të cilët ndërroheshin,por nuk kishte ndryshime pozitive në fushën e ndërtimit. Askush nga ata që vendosnin në Kosovë,nuk ishin të interesuar që të ketë rregull urban. Kjo qasje tërësisht e gabuar ende është duke vazhduar pa dhënë askush përgjegjësi së paku morale.
Në vitet e para të pas luftës ,tërësisht u injoruan ligjet dhe udhëzimet administrative që e rregullonin këtë lami,pasi ashtu edhe tolerohej nga ndërkombëtarët, me pretekstin se nuk kishte ekspert të Urbanistikës. Kjo aspak nuk përkiste me realitetin pasi në këto hapësira kishte rregull urban edhe para vitit 1999. I tërë qëllimi i tyre ishte që të ndërtohet pa rregulla ligjore urbane dhe të ndërtimit, ashtu si bëjnë të gjitha shoqëritë e civilizuara. Atëherë kur u shtjerrën të gjitha format abuzive të veprimit,u aplikuan metodat e reja me ndryshimin e legjislacionit aktual, me disa ligje të katapulltuara nga disa shoqëri të zhvilluara,që as përafërsisht nuk përkojnë me situatën reale në hapësirën urbane të Kosovës.
Të tilla ishin Ligji i Ndërtimit Nr. 04/L – 110 i vitit 2012,dhe ai për Planifikimin Hapësinor Nr. 04/L-174 i vitit 2013,të cilët ende,me qellim,nuk janë funksionalizuar tërësisht, pasi ashtu iu konvenon të ketë konfuzion në zbatimin profesional të tyre. Për këto veprime kamë reaguar publikisht në shtyp,në komisionin parlamentar,në tryeza dhe debate publike,PARA se të aprovohen në Kuvendin e Kosovës. I tërë ky proces karakterizohet me një nguti të paarsyeshme,pa grupe punuese dhe me presione të mëdha ndaj deputetëve dhe të tjerëve për ti votuar.
Thirren në Kodin e Ndërtimit,kanë kaluar ma tepër se tri vite e ai ende nuk është aprovuar,një zot e di se kur do të kompletohet Kodi i Ndërtimit, që është esencial për të funksionuar ligjërisht fusha e ndërtimit. Mundet të ngjajë që ai kurrë mos të aprovohet nga Qeveria,ashtu si ka ndodhur përpara me disa udhëzime administrative të rëndësishme për ndërtimtarët. E njëjta situatë është edhe me disa U.A. të Planifikimit Hapësinor të cilat ende nuk janë aprovuar,si është rasti me “Hartën Zonale”,i cili edhe kur të aprovohet do të ketë vështirësi të mëdha në aplikim,pasi komunat tona nuk janë as përafërsisht të përgatitura teknikisht të funksionalizoinë atë. Është rregull universal që trajtimin e ndonjë problematike ligjërisht duhet me qenë i kuptueshëm,realistë dhe i zbatueshëm,që në rastin konkret nuk ka ndodhur. Po kush po brengoset për këtë kryesore është që objektivat e përcaktuara po realizohen pa pengesa.
Se sa shumë ka degraduar kjo shoqëri në fushën e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor e dokumenton edhe rasti i këtyre ditëve i një redaksie të një “gazete ditore” të Prishtinës,e cila ka kundërshtuar të botoi një hulumtim disa javor të gazetarit të vet, i cili ka qenë i ndërlidhur me problemet e aprovimit dhe zbatimit të Planit Zhvillimor Urban në Komunën e Prishtinës. Aty janë të ndërlidhura edhe MMPH (Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor),MAPL (Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal) dhe ish pushteti lokal i Prishtinës,lidhur me ligjshmërinë e aprovimit të ati dokumenti,në shtator të vitit 2013. Në atë pyetësor me ishin parashtruar edhe disa pyetje tjera lidhur me problematikën urbane në Prishtinë dhe Kosovë si ishte: përse po zvarritet Udhëzimi Administrative për “Hartën Zonale”dhe për “Planin Zhvillimor Komunal”.
Pasi në atë kohë isha Kryetar i “Këshillit të ekspertëve të planifikimit të K.K. të Prishtinës”, përgjigjet e mija duhej të ishin kredibile për rezultatet përfundimtare të hulumtimit,por për fat të keq nuk u publikuan.
E raste të tilla të ngjashme kamë pasur këtyre viteve të “demokracisë” kosovare ku përbuzja,neglizhimi,nënçmimi apo trajtimi i ulët i sugjerimeve të mija apo kritikave konstruktive që i kamë shprehur publikisht aty ku kamë vepruar, ka qenë e rëndomtë për ata të cilëve aspak nuk iu ka interesuar, interesi i përbashkët shtetëror. Sa shumë sakrifica profesionale,private,shëndetësore dhe materiale i kamë përjetuar në këto vitet e “ferrit intelektual”,vetëm se kamë besuar se me anën e shkrimeve kritike dhe konstruktive vetëm do të avancohet problematika hapësinore,urbane dhe arkitektonike në Kosovë. Asgjë e veçantë,ashtu veprohet në tërë botën progresive ku opinioni publik njoftohet në detale me këto dukuri të cilat e shqetësojnë tëre shoqërinë e tyre.
Të gjitha normat,standardet hapësinore,urbanë dhe ndërtimore në mënyrë flagrante nuk janë zbatuar këto vite,është abuzuar në të gjitha format dhe mënyrat me hapësirën publike dhe private para syve tonë. Neve nuk kemi pasur reagime dinjitoze për të ndaluar këto veprime degraduese urbanë dhe rurale në tërë Kosovën. Jemi pajtuar që kualiteti i jetës urbane të jetë i varfër,përmirësimi i të cilit në të shumtën e rasteve sot apo në të ardhmen është i pa mundur.
Po ju lamë një trashëgimi të shëmtuar urbane gjeneratave të ardhshme,të cilat do të na mallkojnë për mos veprimet tona në trajtimin e dinjitetshëm të jetës urbane në qytetet tona. Kjo është e pa falshme,e turpshme,boll ma,të shpëtojmë atë çka ka mbetur,kështu nuk bon të vazhdohet ma me këso politika hapësinore dhe urbanë,koha ka ardhur për ndryshime pozitive,duke filluar që nga fillimi i vitit të ardhshëm 2016.

Prishtinë arch. Ylber Vokshi -Ylli
28.12.2015 arkitekt i pavarur
ylberv@gmail.com

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK).

Filed Under: Opinion Tagged With: arkitekt apo urbanist, Ylber Vokshi-Ylli

Prishtinalitë

November 23, 2015 by dgreca

Nga Ylber Vokshi -Ylli/
Ma në fund një banor i kryeqytetit të Kosovës z.Bajrush Morina morri guximin që pas gjashtëmbëdhjetë (16) vite të bënë një reagim kritik publik me titull “A jeni gjallë o Prishtinali, …”,për tërë situatën urbane të krijuar në Prishtinën. Një të vërtetë,për të cilën të gjithë ne pëshpëritnim jo-publikisht,ai e shpalosi në opinion,për këtë çuditërisht pati reagime pozitive dhe ekstrem negative nga shumë “ekspert” fallco të cilët situatën reale që vet e kemi krijuar e shikonin nga pikëvështrimet e tyre partiake,provinciale,fare pa pasur qasje vet kritike. Pasojat e veprimeve tona tani po shfaqen në formën e tyre ma të vrazhda,po pengojnë,me pasoja tmerrësisht të dëmshme për gjeneratat e reja në funksionimin e një qyteti, gjegjësisht Prishtinës,kryeqytetit të Kosovës.
Në parimet themelore ndërkombëtare në procesin e përpilimit të Dokumenteve Hapësinore dhe Urbane është i domosdoshëm dhe obligues konsultimi i banorëve të vjetër të qytetit. Në prill të vitit 2004,do me thënë para njëmbëdhjetë vite,në reagimin tim publik ndaj asaj strategjisë famoze të Prishtinës,me një shkrim publik me titull “20 +1 pyetje për përgjigje”,duke e shfaqur papajtueshmërinë time profesionale ,të argumentuar, iu kamë parashtruar ndër tjerat edhe një pyetjen vendimmarrësve të atëhershëm komunal,citoi nga shkrimi:
“A është marr në konsideratë mendimi i qytetarëve të vjetër të Prishtinës të cilët më mire se të gjithë ne e përjetojnë qytetin e tyre. A janë konsultuar gjatë përpilimit të “dokumentit”apo është vepruar si në të kaluarën kur tërësisht është injoruar mendimi i tyre për qytetin.”
Nga aspekti im profesional,e kamë përjetuar shumë vështirë tërë situatën e krijuar urbane në Prishtinë dhe Kosovë në këto vite. Nuk e kamë të qartë se çka ishim dhe jemi në gjendje ti bëjmë vetvetes. Reagime të tilla i kamë pritur shumë vite ma parë nga shoqëria civile,vendimmarrësit,qytetarët e thjeshtë e pikë së pari nga“prishtinalitë e vjetër”, të cilët askush nuk i ka respektuar ose pyetur për diçka. Situata e krijuar reflekton seriozisht në të gjitha poret e jetës urbane në Prishtinë sot,e besa edhe në të gjitha vendbanimet tjera në Kosovë.
Ndërtimet pa leje dhe me leje abuzive,mbindërtimet,uzurpimet e hapësirave publike e në disa raste edhe të atyre private,shumë veprime antiligjore të pa imagjinueshme dikur, janë lejuar nga ana e vendimmarrësve në Prishtinën e këtyre viteve,fare pa dhënë përgjegjësi institucionale. Për shumë ndërkombëtare këto zhvillime urbane në Kosovë ishin dhe janë të pa kuptueshme,të pa logjikshme pasi janë të ndërlidhura më mirëqenien e një shoqërie e cila është e obliguar të respektoi rregullat,normat dhe standardet urbane që janë të lidhura me të gjitha fushat komplekse të një jete normale, që çdo banor i Prishtinës e dëshiron,për të mirën e tyre e pastaj edhe të gjeneratave të ardhshme.
Për të gjithë këtë problematikë komplekse urbane kamë reaguar në kohë reale,menjëherë pas luftës,në institucionet adekuate si MMPH (Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor),ku vullnetarisht u punësova duke lënë rehatinë që e kisha si projektant arkitektonik dhe urbanistik. E kamë konsideruar si obligim moral që së bashku me të tjerët profesionist të kontribuoi në formësimin e shtetit tonë, për të cilin janë sakrifikuar shumë gjenerata. Do të tentoi që në mënyrë kronologjike të shpalosi disa momente kyçe,për të parandaluar tendencat negative që haptas vëreheshin në fushën e urbanistikës në Prishtinë menjëherë pas luftës.
Kaloi faza emergjente,pas së vitit 1999, ku Prishtina për fat të mirë,nuk kishte pësuar dëme të mëdha në urbanistikën e vetë e cila ishte e mbuluar me dokumente korrekte hapësinore dhe urbane. Natyrisht se përpilimi i dokumenteve të reja urbanistike ishte i domosdoshëm,pasi kishin fillua devijimet e para urbane, kundër të cilave nuk kishte interes të ndalen nga strukturat e atëhershme komunale. Pati reagime të pakta në atë kohë, pas vrasjes së kryearkitektit të qytetit Rexhep Luci, në shtator 2000,
situata tërësisht ndryshoi duke mos u përfillur as rregullat elementare të urbanistikës. Ai u mundua te parandaloj shkatërrimin e kryeqytetit,u ekzekutua mizorisht, si rezultat kishim fillimin e shkatërrimit të Prishtinës me pasoja të mëdha,të cilat tani kanë filluar të reflektojnë në formën ma të vrazhdë të saj në kualitetin e jetës urbane në Prishtinë.
Disi me trysni të mëdha,në shtator të vitit 2003,filluan përgatitjet për përpilimin e dokumenteve të reja të planifikimit urban të kryeqytetit,pasi kishte kërkesa të mëdha si rezultat i lëvizjes së pa kontrolluar të popullsisë,nga të gjitha anët e Kosovës dhe diasporës. Ishte kjo një privilegje që çdo kryeqytet i shtetit e ëndërron. Duhej filluar përgatitjet që sa më mirë të jemi të gatshëm me situatën e re urbane të krijuar. Në befasinë e të gjithë neve profesionistëve,në prill 2004 Komuna aprovoi një Strategji ( Plani strategjik 2004-2020 – Zhvillimi Urban i Prishtinës),i punuar në mënyrë të kundërligjshme,për tre (3) muaj,me pasoja të rënda për kryeqytetin dhe tërë vendbanimet tjera në Kosovë,për të cilët kryeqyteti ishte si model i punës në fushën e urbanistikës.
Reagimet e mija ishin konstruktive,jopublike ( interne ), si në Ministri, aty ku punoja,ashtu edhe me zyrtarët në Komunë,por të dy palët tërësish i kishin injoruar sugjerimet e mija, pasi interesat e tyre nuk përputheshin me rrugën e drejtë të trajtimit të problematikës urbane në kryeqytet. Edhe sot jam plotësisht i bindur, se nëse investitorëve të ndryshëm që kishin leverdi materiale të ndërtonin në kryeqytet, po të iu shpjegohej me argumente profesionale se ku dhe si të ndërtojnë,askush nuk do të ndërtonte pa leje. Një pjesë e fitimeve të tyre të planifikuara,shkonin në gjepat e zyrtarëve të ndryshëm,klanor ose partiak,e së fundi duhet ti nënshtrohen procesit të legalizimit i cili sot prapë do të ju kushtoi.
Pasi i shtjerra të gjitha rrugët institucionale, atëherë nëpër mes opinionit publik, në media të shkruara dhe elektronike,në promovimin e monografisë për Prishtinën,në takime,simpoziume,seminare, kamë potencua rrezikun e një qasje të këtillë ndaj problematikes urbanë në Prishtinë. Edhe dokumentet hapësinore Evropiane (ESDP) të aprovuara në Postdam në vitin1999,në parimet e saja si çështje e rëndësisë së veçantë e kishte “partneritetin urban – rural”,i cili për ne në Kosovë ishte i pa dëshiruar,dështoi,
përkundër hulumtimeve profesionale të kurorëzuara me një “pilot projekt” të bërë nga ana ime deri sa isha në MMPH. Ishin të kota të gjitha këto sugjerime konstruktive, pasi klasa politike në Prishtinë dhe Kosovë, fare nuk është brengosur për pasojat e veprimeve të tyre,të pa riparueshme për tërë shoqërinë,që tek tani po paraqiten në formën ma të vrazhdë të saj,si është rasti konkret me reagimin e z.Bajrush Morina i cili e ka vërejtur se ku qëndron thelbi i problemeve urbane në Prishtinë.
Është ky vetëm një segment me të cilin do të ballafaqohen gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme të Prishtinës, ata që e shkaktuan këtë kaos-fashizëm urban, një ditë do të zbresin nga skena vendimmarrëse politike,neve dhe gjeneratave të reja po na detyrojnë të jetojmë në këtë mjedis të varfër dhe të rrezikshëm urban.
Natyrisht sipas logjikës së tyre ata këto sugjerime tërësisht i kanë injoruar, e sot pasojat e veprimeve të pa përgjegjshme të tyre të gjithë ne po jemi të detyruar ti durojmë. Po të ishte vepruar ashtu si sugjerohej nga ana ime dhe sipas kërkesave dhe principeve urbane,atëherë zoti Morina nuk do të kishte nevojë ti parashtron ato pyetje në shkrimin e vet këto ditë. Çka është e rëndësishme kualiteti i jetës urbane në kryeqytet do të ishte ma e mirë. Kështu së bashku me shumë veprime tjera abuzivë e kemi këtë situatë kaotike urbane në Prishtinë,ku përgjegjësia duhej të jetë edhe ma e madhe pasi është kryeqyteti i Republikës së Kosovës e njëherit pasqyra dhe fytyra jonë,nëse atë ende e kemi ?

Prishtinë arch. Ylber Vokshi -Ylli
23.11.2014 arkitekt i pavarur
ylberv@yahoo.com

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK).

Filed Under: Analiza Tagged With: Prishtinalitë, Ylber Vokshi-Ylli

Ndërtimet në Kosovë

August 4, 2014 by dgreca

Nga arch. Ylber Vokshi-Ylli/Prishtinë /
“Nuk ka ligj në rruzullin tokësor që do të më detyron të punoi me humbje ose që do të më ndalon të punoi,nëse i respektoi të gjitha ligjet aktuale në shtetin tim dhe normat e standardet e fushë së ndërtimit”. Po e theksoi një thënie të një eksperti të fushës së ndërtimit,të cilën ma kishte ngulfatur në kokë para katër dekadash,kur e kisha filluar karrierën time profesionale,si arkitekt i ri atëherë para 36 vite në Gjakovë. Se plotësisht kishte pas të drejtë këtë e tregoi koha e pas luftës së vitit 1999. E kundërta e kësaj thënie u zhvillua në tërë Kosovën,u ndërtua në mënyrë speciale,pa u respektuar asnjë ligj apo rregull teknike,natyrisht duke marrë në konsideratë fazën dy-tre vjeçare të rindërtimit pas luftës.
Nga këndvështrimi i sodit është tragjike ajo se çka ka ngjarë në Kosovë me ndërtimet,me pasoja të rënda të pa kthyeshme,pasi kishim filluar që të mësohemi,se për të ndërtuar një objekt duhet respektuar disa rregulla ligjore dhe teknike,që konsistojnë së fundi me marrjen e lejes së ndërtimit. Të punuarit me disa rregulla teknike është obliguese për sigurinë e objekteve,ashtu kërkohet dhe veprohet në tërë botën e civilizuar,të cilës kemi menduar se i takojmë. Duhet kuptuar njëherë e përgjithmonë,se për të jetuar dhe vepruar në një qytet e posaçërisht në kryeqytet të shtetit,duhemi të iu nënshtrohemi – përmbaheni disa rregullave civilizuese,që përfshijnë organizimin dhe respektimin e disa rregullave urbane e të jetuarit në qytet,të cilat pak kush i respekton sot në Kosovë.
Posaçërisht në kryeqytet dhe disa qytete tona,ma në fund filloi të veproi pushteti ligjor edhe në fushën e ndërtimit,që shumë pjesëmarrëseve në ndërtim nuk po iu konvenon,pasi ishin mësuar të punonin në mënyrën e vetë të jashtëligjshme,me krijimin e monopoleve lokale korruptive e tjera. Nuk duhet përjashtuar edhe mundësin e përzierjes së kompetencave që në raste të tilla ngjajnë. Një ndryshim radikal dhe i shpejt i veseve tona e mundëson ketë,e dëmton në një mas procesin,por ndryshimet janë të domosdoshme,të pa evitueshme,në të gjitha aspektet si hapësinore,urbane dhe arkitektonike.
Shqetësimet e ndërtimtarëve janë me vend,brengosës me gjendjen e krijuar së fundmi në sektorin e ndërtimtarisë dhe prodhimit të materialit ndërtimor,që vlerësohen si kritikë dhe të pa përballueshëm. Kështu u tha në një konferencë për media të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e ndërmarrjeve ndërtimore dhe prodhuesve të materialeve ndërtimore. Ndërtimtarët nuk po kanë guxim të emërtojnë shkaktarët e vërtet të kësaj situate të krijuar,e që jemi të gjithë ne,nga qeveritë e kaluara,komunat, projektantët,ndërtuesit e pjesëmarrësit tjerë në procesin e ndërtimit. Të gjithë ne i kemi përgjegjësitë sipas hierarkisë funksionale,të cilat që pesëmbëdhjetë (15) vite nuk i kemi përfillur,duke mos menduar në pasojat me të cilat tani jemi të detyruar të ballafaqohemi për të sanuar sadopak situatën e krijuar.
Problemin kryesor askush nga ndërtimtarët nuk e përmendë,e ai është mënyra se si është lejuar dhe ndërtuar në Kosovë. I tërë procesi i ndërtimeve ka qenë në një far forme ilegal. Është lejuar nga pushteti qendror dhe ai lokal që të ndërtohet në mënyrë klandestine,pa kontroll (mbikëqyrje) shtetëror,pa siguri të objekteve,ku humbësit ma të mëdhenj po rezultojnë banorët të cilët janë detyruar të blejnë apo ti shfrytëzojnë këto objekte dhe hapësira të ndërtuara.
Si pretekst për reagim këto ditë,Shoqata e Ndërtimtarëve apostrofon disa çështje të cilat edhe kanë mundur të korrigjohen,nëse do të kishte bashkëpunim në mes të organeve vendimmarrëse në të dy nivelet shtetërore. Ë kamë bindjen personale se shumica e ndërtimtarëve në këto vite janë detyruar të “bashkëpunojnë” me pushtetet lokale e tërësisht në damë të qytetarëve,pasi zyrtarisht nuk i kanë paguar shtetit,duke ndërtuar në shumicën e rasteve pa leje.
Atë që me vite e kamë theksuar dhe potencuar në shkrimet dhe paraqitjet e mija publike,është se “ngopja e tregut” si dukuri normale në këto procese do të na gjejë tërësisht të pa përgatitur. Në tërë Kosovën kemi ndërtuar pa planifikim hapësinor dhe urban,si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal. Këto sugjerime të mija nuk janë trajtuar seriozisht as nga vendimmarrësit kosovar e as nga specialistët e fushës,të cilët as që kanë dashur të trajtojnë problematikën e ngopjes së tregut me banesa seriozisht,edhe se një fenomen i tillë më parë i kishte goditur tregjet e shteteve të regjionit,e së fundit edhe atë shqiptar në Shqipëri.
Nuk janë fare fajtor pushtetet aktual të komunave,ky është rezultat i tërë asaj se si kemi lejuar të ndërtohet në tërë Kosovën. Kjo mënyrë e ndërtimit i ka konvenuar vetëm një numri shumë të vogël njerëzish në pushtet dhe biznese. Kjo qartë nënkupton se tërë kohën e pas luftës kemi lejuar të ndërtohet pa planifikim urban,dhe nuk është fare çudi përse sot kemi ardhur në ketë situatë krize për ndërtimtarët. As legjislacioni i kaluar, edhe se ka pasur mangësi evidente, nuk ka qenë shkaktar i kësaj gjendje në të cilën kemi arritur,e që të parët në lëkurën e vetë do ta ndiejnë ndërtimtarët.
Kaptin e veçantë,e posaçme,është se si është ndërruar në mënyrë radikale legjislacioni i fushës së ndërtimit nga Qeveria e Kosovës. Me arsyetime të pa qëndrueshme së kinse me reformimin e sistemit legjislativ do të kemi ndryshime pozitive në fushën e ndërtimit, çka realiteti ynë po e demanton,ende pa u mishëruar me këto ligje të reja që na u “imponuan” nga miqtë tanë. Dorën në zemër ka shumë çështje progresive në këto ligje,por duhet të jemi realistë dhe ato ligje të ia përshtatim mentalitetit tonë dhe infrastrukturës mendore të jonë si dhe aftësive dhe mundësive tona tipike ballkanike.
Lidhur me Ligjin e Ndërtimit,kam dhanë shumë sugjerime konstruktive në nivelin ministror (MMPH),në nivelin e dëgjimit publik në komisionin parlamentar të Kuvendit të Kosovës si dhe me shkrime publike në shtypin e shkruar kosovar,para se ai të aprovohet (prill 2012). Për fat të keq e të gjithë neve vërejtjet,sugjerimet e mija nuk janë përfillur dhe ai ligj është bërë ekzekutiv në korrik të vitit 2012 . Ngjashëm ka ngjarë edhe me Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe Ligjin për Trajtimin e Ndërtimeve pa leje në gusht të vitit 2013. Janë këto ligje që kanë krijuar “konfuzitet’ edhe ma të madh në fushën e ndërtimit,pasojat e të cilave së fundit do ti paguajnë vetë banorët e Kosovës.
Ashtu si janë të konceptuar këto ligje nuk do të duheshin të ishin problematik për ndërtimtarët,pasi parimi “heshtja është pranim” (neni 4 pika 1.6) dhe neni 31 pika 3, skajshmërisht i favorizon kërkuesit e lejeve ndërtimore të vazhdojnë të ndërtojnë si deri me tani,pasi dikasteret e urbanizmit në komunat tona,as për së afërmi nuk janë të përgatitura teknikisht e as me kuadro në ketë lami,për dhënien e lejeve dhe kontrollin e punëve ndërtimore,sipas ligjeve të reja që janë aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Ka edhe shumë çështje tjera që janë diskutabile në këto ligje,por sot është e tepërt për ti aktualizuar edhe një herë pasi ato, me “forcë”, të pa justifikuar teknikisht janë bërë ekzekutive,për atë edhe janë pritur këto probleme që ju po i potenconi.
Kërkesat tjera të ndërtimtarëve si efikasiteti i Drejtorive Komunale të Urbanizmit,aplikimi i lehtësirave mbi taksat komunale,sigurimi i kuadrit të nevojshëm profesional e të tjera,konsistojnë me kërkesa reale,të cilat organet shtetërore janë të obliguar ti plotësojnë,por assesi nuk janë të ndërlidhura me “krizën” që e ka kapluar sektorin e ndërtimit,e për të cilin ju po ankoheni. Por ju jeni njeni nga fajtorët kryesor,për gjendjen e krijuar në ndërtimtarinë kosovare, me të cilën mburreshim në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar.
E pasi po alarmohet opinioni i gjerë për situatën e krijuar në fushën e ndërtimit,të cilën e kemi bërë vet ne e askush tjetër,shtrohet pyetja e logjikshme,cilët investitor të huaj do të investonin në Kosovë,ku aspak nuk ka siguri që nga fillimi i investimit me ndërtimin e kapaciteteve prodhuese,pa marr parasysh a është ai investitori huaj apo shqiptar nga diaspora,a keni menduar për ketë zotëri ndërtimtar ndonjëherë ?. Mirë e thotë populli i ynë “së pari duhemi me e pastruar oborrin në shtëpinë tonë e pastaj …”

Prishtinë arch. Ylber Vokshi-Ylli
04.08.2014 arkitekt i pavarur
ylberv1@yahoo.com

Filed Under: Opinion Tagged With: Ndërtimet në Kosovë, Ylber Vokshi-Ylli

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Trump në West Point = Apel krenarisë hynore të Amerikanëve”
  • Në vend që të bëhet muze, mbi Monopolin e Tetovës ra heshtja e një ekskavatori
  • PARADA SHQIPTARE, 21 QERSHOR 2025 NË NEW YORK
  • Figura e Skënderbeut sipas një kompozimi në gravurë në vitin 1631
  • 13 QERSHOR 1912, VATRA U NJOH NGA SHTETI AMERIKAN I MASSACHUSETTS
  • Vrasja e Vëllezërve Bytyçi, një krim i vërtetë shtetëror që nuk harrohet kurrë
  • Parada e 250 vjetorit të ushtrisë dhe koincidenca që i shqetëson demokratët
  • Dukuri të artit ushtarak të shfaqura në Luftën e Dibrës
  • FAN NOLI – REBELI, STARTON NË BOSTON
  • 12 QERSHOR, 1987 – THIRRJA NË BERLIN E PRESIDENTIT RONALD REAGAN: “Zoti Gorbachov, shëmbe këtë mur”
  • Kosova e  lirë nga 12 Qershori 1999, me NATO-n…
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme” Monografi e autorëve Prof. Hamit Boriçi dhe Dr. Jolanda Lila
  • Kuvendi i Kosovës, perpetuum mobile e seancave pa kufi
  • Lidhja e Prizrenit, thirrje për bashkim edhe në ditët e sotme
  • Propaganda serbe kundër UÇK-së

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT